• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

ISA BOLETINI I MITROVICËS NUK ËSHTË PA VENDLINDJE SI LEJ FENI I KINËS

May 15, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Ky 10 qershori 2015 i rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë më përkujtoi 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Tiranë kur pikërisht në kit’ datë kombëtare simbolike dyshja Hoxha-Shehu e rivarrosi për herë të pestë Naim Frashërin, poetin tonë kombëtar, nga lulishte pranë Kryministrisë (1950) në kodra të Liqenit Artificial të Tiranës.
Ç’ka është kjo përnguti turravrap Rama-Thaçi për rivarrimin e katërt të Isa Boletinit në Vlorën e Flamurit?! Cili po ia mban “ison” tjetrit për Isën e madh të kombit. A kena të bajmë me një kopjaci të modelit Hoxha-Shehu?! A thue çka ka Isa – kryeministri i sotëm i Kosovës që nuk po flet hala për Isën e Pavarësisë?! Nuk jena as në vit jubile të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Po presim të 137-tin vjet. Qysh me ia ngjit emnin kësaj pune: Si dështim i politikës shqiptare të Prishtinës e Tiranës për çështjen e pambyllur të Mitrovicës së Veriut. Kemi dy “varre të hapura” në brigje të Ibrit: varri i Mitrovicës dhe varri i Isës. Ndoshta po e mbyllin të parin edhe prej trysnisë ndërkombëtare pansllave, etj. dhe po e lanë të hapun atë të Isa Boletinit tue e rivarrosë me ceremoni nacionaliste e festive në Vlorën e Ismail Qemalit?! Ndoshta kjo ka të bajnë dhe me fushatën elektorale në Shqipëri, ku H. Thaçi e ka ba mendjen shtrat topi për me iu gjend pranë E.Ramës, tue pasë në krah dhe Erdoganin, sikurse banë në zgjedhjet e kalueme në Kosovë. Kësaj ia nxori kryet vet Thaçi në konferencë për shtyp në Tiranë kur i ceku zgjedhjet e 21 qershorit 2015 ! A iu kujtohet elektoriada e Thaçit në Prizren? M’i përnget kjo e Ramës në Vlorë e Tiranë? Po, pse bre po bahet kështu me Isë Boletinin e Historisë?!
2.I pari varr i Isa Boletinit është ai i janarit 1916 në Podgoricë (Titogradi), tokë etnike shqiptare e Gentit e Teutës, tashti kryeqytet i Malit të Zi.
Në rreth dy dekada shqiptarët e vërtetë të gjakut e idealit të tij atdhetar i ranë në gjurmë reale varrit të tij dhe ia mbrrinë me ia tërhjekë më 15 nëntor 1989 eshtrat Isa Boletinit (vet i teti martir i lirisë) para se aty të ndërtohej një park i qytetit. Ato ndejtën do kohë në Prizren dhe i çuen në Mitrovicë ku i mbajtën të fshehuna në një thes e arkë në oborr të xhamisë të atyhit. E, ndoshta, ky klasifikohet si “rivarrimi i dytë”.
Në vitin 2004 Qeveria e Kosovës mori vendim me e varrosë Isën në vendlindjen e vet, tek kulla në Boletin, aty në kodrën e Sokolicës, bash në Mitrovicën e Veriut. Prapë, zyrtarisht u fol dhe për 28 nëntor 2014 po kurrgja sa ba.
Sotpërsot Isa Boletini i ka dy varre të hapuna shtetnisht: njani në Mitrovicë, në Boletinin e tij dhe tjetri po i hapet në Shqipëri, në Vlorën e tij.
Në Deçan, në trollin e geneve të breznive të tij, në Mitrovicën ku lindi më 15 janar 1864, gjithandej në Kosovë, dhe në Shqipëri, kudo, po ka kundërshti. Dikush thotë ta varrosim në Mitrovicë. Flitet për në Prishtinë. Ka zëra dhe për në Deçan. Dy qeveritë shqiptare janë për në Vlorë.
Përndryshe, mos u debatoni ndërveti. Rivarroseni Isa Boletinin në qytetin e Bac Bajram Currit. A e dini pse? Aty, tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në hyrje të qytetit, të ngritura më 1974 e ka një varr bosh, pa eshtrat e tij. Heroi i Popullit Isa Boletini, që është “varri i parë” i tij në Shqipërinë Londineze. Aty i ka dhe të afërmit e vet të gjakut e të luftës, me të cilët u vra në pritë malazeze në Podgoricë më 23 janar 1916 si Januz Boletini, Hajdar S. Radisheva, etj. Aty i ka aty dhe deçanasit e vet të origjinës: Sylejman Vokshi – Hero i Popullit, Asim Vokshi – Hero i Popullit… Aty i ka dhe heronjtë e popullit Mic Sokoli, Bajram Curri… Me propozim të rrethit të Tropojës, iu dha Isa Boletinit titulli i lartë “Hero i Popullit”, pasi ishte dëshmor i këtij rreth…, një pjesë të madhe të jetës së tij e ka kalue në Malësinë e Gjakovës, në mikpritje e në luftra me malësorët e saj, ndaj le të jenë aty dhe në kohë paqeje eshtrat e tij, tek varri i vet në Varrezat e dëshmorëve të Tropojës.
3.Në protokollin shtetëror për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit është paraparë një shetitije me eshtrat e tij në itenerar Boletin-Mitrovicë-Prishtinë-Prizren-Tiranë-Vlorë.
Kjo m’i përnget shetitjes me eshtrat e Car Llazarit të luftës në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë) 1389 me Sulltan Muratin e Parë të Perandorisë Otomane. Kësaj lufte serbët i kanë ngritë mit. Sot në Mitrovicë një shesh i madh ka emnin Car Llazar!
Në koft se do’ politika e Tiranës dhe ajo e Prishtinës le të bajnë nji “Shetitije Kombëtare Shqiptare” të eshtrave të Isa Boletinit, tue ia fillue nga Podgorica e varrimit 1916 e çvarrimit më 1989, nëpër treva të Malësisë së Madhe përtej kufinit me Malin e Zi dhe deri në Deçan e Junik…të shtetit të ri të Kosovës, dhe deri në Maqedoni (FYROM), në Shkupin e 1912-tës, dhe vetëm mbasandejna në Boletin-Mitrovicë-Prizren-Kukës-Tiranë-Lushnje-Vlorë.
4.Në një bisedë alpine më 1986 me Dritëro Agollin, ish antar i KQ të PPSH e kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e dveta për Lej Fenin kinez të rinisë time. Më kallxoi se kur ishte në Kinë i ra me shetitë gjithandej e kudo i folnin për Lej Fenin: këtu kreu kit’ akt, këndej udhëtoi me makinë, këtu…Jehonë. Memorialistikë. Memoriale. Një ditë po i thotë Kryetarit të Gazetarëve (ose Shkrimtarëve) të Kinës për me e çue në vendindjen e Lej Fenit. Ai e tërhoqi veçmas tue i pa të ditun se Lej Feni nuk ka vendlindje, as nuk ka ekzistuar në Kinë, atë e krijuam vetë, ai është heroi ynë, i duhej Kinës…
Ne, në vitet e komunizmit, dinim gjithçka për Lej Fenin – heroin imagjinar të Kinës, të “lindur” në vitin 1932 në një familje të varfër fshatare, që kishte jetën me veprimtari revolucionare, ditarin e tij, citatet e tij. Si ky: “8 nëntor 1960 …Oh, sa e emocionuar je ti o zemra ime. Sa e madhe je ti partia ime! Sa largpamës jeni Ju, Kryetari Mao Ce-Dun! Jetën e re, që kaloi ua kushtoj Juve Kryetari Mao! Ju më shpëtuat jetën kur ndodhesha në buzë të varrit, Ju më përtëritë jetën, më ushqyet, më veshët dhe më dërguat në shkollë…”.

Për Lej Fenin, frymëzuesin e Revolucionit Kulturor Kinez, thuhet se e dha jetën heroikisht nga një tra i madh që i ra në krye teksa po përpiqej ta shpëtonte kamionin që ia kishte dhanë partia e tij moniste e kryetarit Mao Ce Dun, u (ri)botue më 1964 një libër në shqip me mijëra kopje, i cili në vite të miqësisë me Kinën lexohej ma shumë se Bibla e Kurani sot, dinim ma shumë për jetën e veprat e tij se sa të fshatit, fisit e rrethit tonë, kishte popullaritet ma shumë se vet Isa Boletini, heroi ynë i përmasave ndër-kombëtare.

Tashti, në kit’ vit të demokracisë shqiptare, deshta me iu thanë dy qeverive shqiptare në Tiranë e Prishtinë: Isa Boletini nuk është hero imagjinar si Lej Feni. Krejt ndryshe nga Lej Feni i Kinës, ka vendlindje e vet, kullën e vet, trollin e vet. Ndaj duhet me i lanë “lejfenizmat” dhe ri-varroseni Isa Boletinin e Pavarësisë në Boletinin e tij, në Mitrovicën e Historisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Isa Boletini i mitrovices, Ramiz Lushaj

SHBA: 50% e të burgosurve adoleshentë në Nju Jork, janë me lëndime traumatike të trurit

May 15, 2015 by dgreca

NEW YORK CITY : Një studim i publikuar në Gazetën Adoleshenti i Shëndetësisë – Journal of Adolescent Health, ka zbuluar se gati 50 përqind e të gjithë adoleshentëve(të rinjëve) që hasin në sistemin e drejtësisë – të dënuar me vuajtje në burg, për vepra penale në qytetin e Nju Jorkut, kanë një histori të lëndimeve traumatike të trurit .
Beqir SINA, New York City /
Studimi, thotë se kanë qenë rreth 400 të rinj (meshkuj dhe femra që kan qenë në burg se dënuar për vepra penale) që janë vënë në pyetësorë, i cili gjeti përfundimin se” vajza dhe djem që kan kaluar dënime penale të drejtësisë njujorkeze, janë raportuar me lëndime( pasoja mendore) të ndryshme traumatike të trurit, që rezultuan në një humbje të vetëdijes , amnezi ( skizofreni)ose të dyja së bashku nga të cilat rezulton thotë studimi se 55 përqind e këtyre lëndimeve janë shkaktuar nga sulmet mendore që nisin para burgosjes , njofton axhensia prestigjoze amerikane e lajmeve Associated Press.
Studimi është e fundit dhe jep pamjen më të fundit të këtij stduimi të besueshem thekson Associated Press. duke vënë në pah se në lidhje në mes të lëndimeve traumatike të trurit ( TBI ) dhe burgosjes janë të gjitha shkaqet:
” Numëri i atyre adoleshentëve që hasin në sistemin e drejtësisë penale në qytetin e Nju Jorkut, dhe kanë një histori të lëndimeve traumatike të trurit, është në rritje, tregojnë hulumtimet duke shtuar se tek të burgosurit e rinjë, ka më shumë ndalime, mbasi ata preken më shumë në tru, nga që truri i të cilëve thuhet se ka qenë i tronditur nga traumat, që janë janë të lidhura me normat më të larta të thyera deri në-” rregullat e mbajtjes në qeli”. Por, edhe ngase këta të rinjë kan të “dëmtuar” trurin nga abuzimi prej substancave naktotike dhe vështirësit e mëdha që kan këta të rinjë për të hyrë në shoqërinë e shëndoshë edhe pas vuajtjes së dënimit, ” ky është një konstatim sipas Departamentit të Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, thotë profesori Ohio State University, John D. Corrigan .
Gazea Adoleshenti i Shëndetësisë – Journal of Adolescent Health, thotë gjithashtu, se tash vonë edhe studimet e bëra në burgjet ku janë të dënuar penalisht të rinjët dhe të miturit për abuzim me drogë dhe krime të tjera (vjedhje apo vrasje e mashtrime ) në burgjet e Teksasit dhe Virxhinia , kan të njëjatat probleme. Por, thuhet se edhe në një studim kombëtarë në Mbretërinë e Bashkuar, u gjetë se dy të tretat e të burgosurve të rinjtë kanë pësuar një TBI pra janë me pasoja në tru, si adoleshentët në Amerikë.
Në vitin 2013, Departamenti i i Brugjeve – Department of Corrections, thuhet në raport se ka pasur të burgosur që lëvrinë në moshat adoleshente të cilët kan qenë përafërsisht 4000 të rinjë, e disa të reja, në paraburgim, vetëm në një burg ishull i vogël – që ndodhet pranë qytetit të Nju Jorkut, në Rikers Island , mes Queens dhe Manhattan .
Një raport i CDC në 2012 e quante raportin rreth adoleshentëve që hasin probleme me trurin një e met që haset në sistemin e drejtësisë në qytetin e Nju Jorkut, të cilët nuk kanë ende një program sesi tu vinë në ndihmë këtyre të rinjëve që kan kaluar nëpër burgje me dënime të ndryshme penale, dhe tani kan një histori të lëndimeve traumatike të trurit – pra pasoja që vijnë nga “stresi” dhe “mërzitja” në burg e jo nga ndonjë keq trajtim.
Qëllimi i këtij raporti :
Mbasi relativisht, pak dihet për përhapjen e lëndimit të trurit traumatik (TBI) në mesin e adoleshentëve, të cilët vijnë në kontakt me sistemin e drejtësisë, pra që kan ose kan pasur dënime penale – dhe kan vuajtur në burg.
Metodat :
Studimi ndërmori shqyrtimin e të dhënave për TBI në mesin e adoleshentëve të sapo pranuar në sistemin e drejtësisë New York City – pra fillimisht me ata në burg duke përdorur një mjet për të vizituar çdo njerin për egzaminimin nga TBI. Një mostër e till – doli nga nga truri i “dëmtuar” në 300 meshkuj dhe 84 femrave që ishin ekzaminuar teksa vuanin dënimin.
Rezultatet:
Ekzaminimi zbuloi se 50 përqind e meshkujve dhe 49 përqind e adoleshentëve femra të cilët hyjnë burg dhe dalin ose vuajnë dënimin janë me një histori të TBI. Incidenca e TBI është vlerësuar duke përdorur të dhënat shëndetësore të çdo pacientit, dhe zbuloin një incidencë prej 3,107 TBI në 100,000 person në vjet në të gjitha burgjet e Nju Jorkut.
Konkluzione:
Prevalenca dhe incidenca e ngritur nga TBI – në mesin e adoleshentëve të burgosur mund të lidhen me përfshirjen e tyre në dënimet e marra prej dënimeve penale, si dhe problemeve mendore, që u krijohen këtyre të rinjëve gjatë vuajtjes së dënimit në burg. Duke pasur parasysh dhe në ndonjë rast edhe “përdorimin” e madhe të dhunës verbale si shkak, i së cilës TBI-a, në mesin e pacientëve në burgjet amerikane, ka filluar të vendoset në fokus të grupeve që merren me studimet dhe Departamentin e Drejtësisë në SHBA, për të nxjerrë një strategji të rëndësishme për të kaluar më mirë vuajtjen e dënimit dhe shmangien e TBI-së, sidomos tek të rinjët që jan problem edhe mbas vuajtjes së dënimit.

Filed Under: Komente Tagged With: Beqir Sina, New York, te burgosurit adolishent

Individualizmi si dukuri atipike në letërsinë bashkëkohore shqiptare

May 15, 2015 by dgreca

nga Dr. Yllka FILIPI/
Letërsia bashkëkohore shqiptare është një korpus shumë i gjerë veprash dhe shkrimtarësh, nga i cili për lehtësi studimi do të fokusohemi në prurjet e saj pas viteve ’90. Ndryshimet politike në Shqipërinë e këtyre viteve, lanë gjurmë të thella edhe në jetën shpirtërore të kombit. Aty ku gëlonte dhimbja dhe mori krahë fjala e lirë, u hapën shtigje të reja për krijuesit të cilët tashmë e panë veten jashtë kontureve dhe normave të diktuara nga regjimi diktatorial. Pa pretenduar të vemë kufij të prerë midis këtyre ndarjeve, pasi të tillë nuk ka, për të hedhur dritë mbi këtë qasje në një trajtë rehabilitimi artistik me një vështrim të ripërtërirë, le t’i klasifikojmë shkrimtarët në dy grupime të mëdha:
a-Shkrimtarët më dy jetë krijuese: para dhe pas viteve ’90
Në këtë grup do të dallojme I.Kadare, D.Agolli, Dhori Qiriazi, Agim Shehu, Fatos Arapi, Faslli Haliti, Koçi Petriti, Ndoc Gjetja, Xh.Spahiu, Ndoc Papleka, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Rexhep Qosja, Adem Istrefi etj, të cilët janë mjaft aktivë edhe sot shpesh duke i qëndruar besnikë strukturave individuale të mëparshme. Ishte terreni i përshtatshëm për të dalë nga heshtja e gjatë e diktuar nga lart, por nuk mund të mos përmendim edhe dukurinë se pati edhe nga ata shkrimtarë që u shprehën se nuk krijuan dot në diktaturë, por që heshtën artistikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu sikundër pati edhe vepra që u harruan padrejtësisht, duke shpresuar të ridalin në dritë, vetëm pasi të kenë fituar gjyqin e rreptë të kohës. Njeriu- shprehet Erich Fromm- e ndien veten të përfshirë në një konflikt të tmerrshëm – është rob i natyrës, por, megjithatë, është i lirë …, e megjithatë, si të thuash është trill i saj, ai nuk ndodhet as këtu, as atje.1
b-Shkrimtarët e rinj, jo nga mosha, por nga risitë që sollën: Ata shpërthyen vrullshën gjatë këtyre viteve e në vazhdim, dhe ju larguan tabuve tematike dhe strukturore te dikurshme drejt perceptimeve të reja, duke qenë sa më pranë shpirtit poetik, aty ku ndjeshmëria artistike përmbys un-in e diktuar dhe zhvendos imazhet arketipale drejt një rebelimi poetic. Në rrjetin e ngushtë të skemës së komunikimit letrar: dhënës (autor)-mesazh (vepër)-marrës (lexues), shkrin përjetimet e shkallës më të lartë emocionale. Spikatën avangardistët: Frederik Reshpja, Sadik Bejko, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Sadri Ahmeti, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Ylljet Aliçka, Ndue Ukaj, Ali Asllani, Din Mehmeti, Agim Vinca, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Rudian Zekthi, Rudi Erebara, Ramiz Gjini, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Fahredin Shehu, Ervin Hatibi, Gjekë Marinaj etj. Mirëpo një pjesë e këtyre prurjeve të vrullshme, pavarësisht shkëndijave të talentit, nuk u zhvilluan dot dhe mbetën thjesht fragmentare, duke rënë në grackën mëtuese të egocentrizmit.
Nuk janë shkronjat që përcaktojnë letërsinë. A nuk janë dhe shkronjat, një mekanizëm rrotullues, që fshehin në vetvete pafundësinë? Po a dinë shkrimtarë të bëjnë lëvizjet e duhura?2
Këto fenomene të spikatura krijuese, prurjet në gjini të ndryshme letrare, turbulluan ujërat e së shkuarës e ranë në sy si individualitete artistike unikale të cilët ndryshuan pothuajse kahjet e letërsisë shqiptare, duke u bërë kështu pararoja e guximit shpirtëror poetik.
Ç’është individualizmi? Sipas Louis Dumont: Ka një sërë lidhjesh të tilla që na japin të drejtën të quajmë me fjalën “individualizëm” konfiguracionin ideologjik modern.3
Po ti refrohemi këtij autori mbi konceptin universal të indivudualizmit do të vinim në dukje dy kuptime të fjalës individ. E para si subjekt empirik i fjalës, mendimit, vullnetit, mostër e racës njerëzore, brenda botës dhe e dyta si qenie morale, e pavaruar, autonome, jo-shoqërore, pra jashtë botës, i ikur botës, (sipas konfiguracionit modern sui generis) pikë kjo e cila na intereson më tepër, pasi ka lidhje me formimin dhe zhvillimin e individit si krijues, në rastin konkret, arratisjen e tij jashtë drejtimeve të caktuara letrare, si një endacak i lirë dhe i vetmuar.
Të jetë kjo një marrëzi, një lajthitje e pavullnetshme, një lloj destruktiviteti i traditës së drejtimeve të ndryshme letrare, si një traumë post-diktatoriale në kërkim të lirisë krijuese? Erich Fromm e justifikon gjithsesi marrëzinë si “normale”. Në Etika-thotë ai,- Spinoza ka qenë i pari, besoj, që shprehu konceptin e marrëzisë, si: “normale”4
Një lloj dissidence e gjithkohshme, u ndie edhe gjatë kësaj periudhe, si jehonë e risive poetike që sollën poetët me kokë të prerë që guxuan të dilnin kundër normave të letërsisë së soc-realizmit, e cila zgjati jo pak, por plot gjysmë shekulli: (po të kemi parasysh faktin se si kohë fizike ajo fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e shtrihet gjerë deri në vitet’90) Ky shpërthim i dukshëm poetësh dhe shkrimtarësh ishte gati masonic. Ja si shprehet enciklopedisti Moikom Zeqo për shkrimtarët: O sfinks i pagojë, cila është sintaksa jotë?/ Dijeni, muzgjet e currilave janë funerali im…5
Në vitet 2000 e në vazhdim vijojnë shkrimtarë dhe poetë me emra krejt të rinj, me një të ardhme tepër premtuese, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, nënvetëdijes së qenies, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës poetike, ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive të globalizmit.
Që në fillim të shekullit të XX, letërsia shqiptare i përjetoi rrëmujshëm të gjitha drejtimet letrare të cilat në letërsinë botërore patën pasuesit e vet, idhtarët, ndjekësit e verbër të përfaqësuesve më tipikë dhe sigurisht edhe të karakteristikave përkatëse. Realizmi, si rezultat i zhvillimeve politiko-sociale mbeti kaotik duke u përzier me nuanca të neoklasicizmit, ekzistencializmit, simbolizmit, realizmit magjik, modernizmit dhe postmodernizmit. Ky terren nuk krijoi favorizimin e grupeve të caktuara letrare, deri kur dora e hekurt e shtetit vendosi rregullat e ngurta të realizmit socialist dhe sigurisht zhdukjen e “reve të zeza ” rebele të disidencës, duke i përçunduar autorët bashkë me veprat e tyre, shpesh edhe në varre masive, apo në humbella pa emër. Si rrjedhojë, edhe pas viteve’90 ky lloj kaotizmi do të ishte tejet i dukshëm edhe në prurjet e reja. Po t’i analizosh ato, mbi bazën e një parimi transhendental, sipas ndryshimeve në bazë të një shkaku të caktuar, nuk do mundësh dot të gjesh sisteme apo rryma letrare të cilat tentojnë të venë rregull në idetë e veta, por letërsi individësh me karakteristika të veçanta, jo vetëm si dukuri letraro-estetike e cila ishte e domosdoshme si një shtysë e brendshme perceptuale nga kolektiviteti drejt individualitetit, drejt një përmase këmbëngulëse unikale.
Në poezi: U vunë re prurje të reja në teknikat krijuese; përmbysje e rreptësisë së konformizmit të dikurshëm i kthyer tashmë thjesht në kujtesë kombëtare, realiteteve estetike dhe e traktateve teorike; vargje të thyera; ritëm alternativ; imazhe befasuese; simbolikë polidimensionale; shtrirje e absurdit përtej iluzioneve drejt një ndjeshmërie drithëruese; sureale e dalë nga realja përgjatë lojës imagjinative që i bën jehonë deshifrimit të mistikës së ndjenjave dhe gjendjeve më delikate në etapat ekzistenciale të qenies, nëpërmjet alkimisë së fjalës. Universi ligjërimor dhe ideor sintetizohet rreth një boshti poetik të fuqishëm, dimensionet poetike bëhen shpërthyese e konotative.
U eksperimentuan forma nga më të larmishmet në strukturën e vargjeve, larg tematikave të shteruara, dhe sa më pranë luhatjeve shpirtërore duke e vënë gjuhën në shërbim të muzës. Gjuha, thellësisht emocionale, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash. Si e tillë kjo lloj poezie kërkon natyrshëm lexues të kualifikuar, ndryshe nga tradita e vjershërimit shqip. Brenda kësaj arene imazhesh, infinitet e gjuhës komplekse dhe ligjërimit figurativ, derdhen nëpërmjet lirizmit të një diskursi tejet original. Zë vend monologu i subjektit poetik duke zgjuar imazhet metafizike e meditative që transformojnë të zakonshmen në magji dhe përcjellin tek lexuesi aktiv mesazhe universale. Shenjat dhe simbolet, konstruktohen me kode e figura të shumta stilistike, me një retorikë specifike, gjë që jep një dimension të përjetshëm estetiko- semantik.
Poezia shenjëzon, perceptimet e krijuesit për botën dhe metafizikën, ato mistere të përjetshme të qenies së të gjitha kohërave. Paradigma kumbuese e transfigurimit të impulseve jetësore prekin reminishenca sureale, ndjeshmëri, fuqizojnë identitetin poetik duke shpërthyer me një nerv të fuqishëm në emocione dhe perceptime etike, duke sintetizuar dimensionet e dhimbjes dhe lumturisë drejt katharsisit shpirtëror të individit.
Në prozë: Për herë të parë pas viteve’90 në rrugën e prozës moderne të themeluar shumë vite më parë nga Koliqi e më tej Kuteli, romani, novela dhe tregimi shqiptar erdhën në një trajtë ndryshe. U thyen teknikat narrative soc-realiste, u zhvendosën strukturat, personazhet nuk u panë më në këndvështrimin nga jashtë-brenda, por si personazhet koliqiane nga brenda- jashtë, rol të jashtëzakonshëm luajti përdorimi i ironisë deri në sarkazëm therëse, rrëfimi shpesh mori udhën e vetës së parë të përgjithësuar apo të universalizuar, si një un-i global e i gjithëkohshëm brenda të cilit vërtiten lakadredhat e fateve, intrigave, ekzistencës. Në romanin modern pothuajse mungon tërësisht subjekti i mirëfilltë artistik duke e zhvendosur vemëndjen e lexuesit jo më drejt asaj që do të ndodhë, por arsyes përse duhet të ndodhë. Vëmendja u largua nga modelet klishe të personazheve pozitivë apo negativë, dhe u synua thjesht drejt të dukshmes, drejt qenies si koshiencë e subkoshiencë jokolektive, por individuale. Shpesh romanet vërtiten rreth një kryepersonazhi të vetëm, i cili mund të mos ketë as emër konkret, ose mund të ketë disa emra bashkë, ose mund të ketë një emër të çuditshëm, mund të jetë njëherësh edhe personazh dytësor, e që shpesh mund të shndërrohet edhe në personazh hije.
Përsa i përket romanit si gjinia më komplekse, më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë, shpesh kemi një tentativë për të ndërthurur të të gjitha llojet e gjinive letrare: poezi, dramë, ese, tregim, novelë, peizazh, psikologji, filozofi, duke krijuar hapësira të pafundme interpretimi. Janë ngritur struktura të fuqishme me trajta personazhesh të rrëshqitshme: kafshë-drurë-shpendë, zogj tekanjozë, gurë mijëvjeçarë, shkëmbinj, male, lumenj, galaktika e ndoshta universe të tjerë, brenda lëkurës së të cilëve fshihen qeniet me arsye, ashtu sikundër personazhe-njerëz në të cilët merr përmasa groteske primitiviteti i të filozofuarit mbi enigmat jetësore. Regjistrat stilistikë të narracionit kalojnë nëpër sitën e hollë të groteskut në paraqitjen e deformuar të individit si përfaqësues tipik i shoqërisë së rrënuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale, si rrjedhojë e të cilave kemi të bëjmë me personazhe tejet të vetmuar, të mbyllur në guackën e përditshmërisë dhe kotësisë së absurdit jetësor, teksa vërtiten përgjatë shtjellave të monologjeve asociative.
Për dekodifikimin e veprave rol të jashtëzakonshëm luan nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta që server dhënësi me gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore. Kornizat narrative kompozicionale rikuptimësohen dhe luhet me paradokset semiotike të a-kohorësisë. Teknika e flash-back-ut theu kufijtë e kohës lineare drejt një kohe universale pa të shkuar, të tashme apo të ardhme. Realitete të magjishme fantastike shpalosen nëpërmjet një gjuhe të pasur, të gjallë e dinamike. Luhet shpesh me monologun si një alter-ego-e qenies së pakushtëzuar në hapësirë dhe kohë. Tentohet edhe drejt romanit eksperimental alla-xhojsian.
Në kritikë dhe studime letrare: Dija e gjerë e një studiuesi, është potencialisht e vlefshme për publikun, qoftë edhe përkohësisht, pasi përcjell këndvështrime të thelluara. Ndërsa kritiku vështron thellë, vetëm nëse problematika e veprës është me interes për publikun. Risku për të mos rënë dakort me përfundimet e tij nga ana e lexuesit bashkëkohor, është kurdoherë i pranishëm.
Është e qartë se përpunimi i fluksit të prurjeve të reja, por edhe rishikimi i të mëparshmeve, kërkon talent akademik të stërvitur në mënyrë që të përballen edhe me testin e gjykimit. Immanuel Kant shprehet: Parashtrimi i disa pohimeve nga ana e një personi dhe emërimi i tyre si gjeniale, në një fushë ku dështojnë lëvrimin e tyre edhe hulumtimet më të duruara racionale, do të qe diçka tej mase qesharake…Do të qe humbje kohe të kërkonim të dinim nëse duhet të qeshim më shumë me të vetëquajturit gjeni që e pështjellin veten brenda kësaj reje…apo me publikun mendjelehtë…?6
Natyrshëm lind pyetja? A ekziston kritika e mirëfilltë në fushën e letrave në Shqipëri? Është folur rëndom kohët e fundit se në letërsinë shqiptare bashkëkohore nuk ka kritikë të mirëfilltë, por kjo nuk hipotezë nuk është e argumentuar nga asnjë fakt shkencor.
Jo vetëm kritikët dhe studiuesit e rinj, që kanë një të ardhme premtuese, por edhe ata që u mbrujtën me metodat e kritikës së soc-realizmit, pas viteve’90, kanë sjellë dukshëm këndvështrime të reja në rileximin e shumë autorëve, jo vetëm të disidencës, por edhe të veprave të analizuara sipas një këndvështrimi social-historik sipërfaqësor. Nevoja për interpretime të reja ka ardhur organikisht duke u imponuar nga veprat e hapura të shumë autorëve të mëdhenj (për të rritur kuptueshmërinë), si psh. Migjeni, Koliqi, Kuteli, Camaj, Trebeshina, Kongoli etj. Emra të spikatuar si: R. Qosja, A. Pipa, F. Dado, A. Aliu, A.Vinca, S. Hamiti, B. Kuçuku, A.Plasari, Sh. Sinani, A.Kapurani, K. Jorgo, Dh. Shehri, P. Asllani etj, kanë sjellë rilexime veprash me një qasje ndryshe analitike dhe sistematike, me teknikat dhe metodat e fjalës së fundit në letërsinë shqiptare aktuale, duke hedhur dritë në enigmat e pazbuluara të tekstit letrar dhe hapur diskursivitete shkencore në studimin dhe interpretimin original të autorëve shqiptarë si një tërësi individualitetesh artistike, me kodet dhe strategjitë e veçanta të ligjërimit poetik, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne dhe bashkëkohore, si specialistë të mirëfilltë.
Ashtu sikurse asnjë kulturë nuk vdes, por i mbivendoset një tjetre, ashtu sikurse asnjë komb nuk vdes, por le pas breznitë e tij, po ashtu edhe një letërsi nuk vdes dhe as rilindet nga hiç-i. Ajo është mbështetur mbi një bosht të përbashkët me emrin art i cili është i tejjetshëm dhe nuk njeh kufij gjeo-politiko-shpirtëror mes kombeve. Por, pavarësisht ngjashmërisë me simotrat e saj evropiane, letërsia shqiptare si rezultat i lëngatës së gjatë në vorbullën e mbrapshtë të historisë së vendit, nuk ka mundur dot të zhvillohet paralelisht me letërsitë perëndimore të cilat kanë patur fatin e bardhë të lirisë shumë shekuj përpara nesh. Ky fakt hedh dritë mbi larmitë e prurjeve të reja gjatë këtyre viteve dhe deri në ditët tona të dukurisë së atipizimit të rrymave dhe drejtimeve letrare në të dy grupimet e mëdha të shkrimtarëve që janë marrë në shqyrtim.Të krijohet ideja se letërsia shqipe është letërsi individualitetesh artistike dhe jo grupimesh të caktuara moderniste dhe post-moderniste, sikurse ka ndodhur në letërsinë botërore. Në çdo regëtimë artistike, ka një lojë të çuditshme të shkrirjes së imagjinatës krijuese, fiction-it me empirizmin e dijes së shekullit të kibernetikës duke i vënë në sprovë të herëpashershme lexuesit dhe tronditur ndërgjegjen krijuese të kombit.
Letërsia si sistem i epërm vlerash ofron shtresëzime të shumta artistike mbi imazhet mendore, imagjinatën, fantazinë dhe strukturën artistike nëpër të cilën kalon procesi për dekodifikimin e të cilit shpesh na vjen në ndihmë psikoanaliza frojdiane, për të depërtuar deri në skutat më të thella të shpirtit krijues, aty ku shpesh njeriu është i lirë dhe askush nuk ja vret dot lirinë e tij. Këto liri krijuese janë çuditërisht sa të ngjashme, aq edhe të parrokshme dot nga një fill i përbashkët profilizimi artistik, me anën e të cilit shpesh mund të simbolizojmë kohën, vendin, hapësirën, koordinatat, trajtën e shpirtit të një kombi apo të disa kombeve bashkë e më tej drejt universalizimit të një letërsie tejet globale.
Parë në një këndvështrim modern letërsia shqiptare e këtyre viteve estetikisht nuk është as kopje dhe as krijim i parashikimieve të mundshme të atyre që priten të ndodhin në letërsitë e vendeve të tjera, pasi kjo do ta bjerrte strukturën, dhe do ta zbehte fuqinë artistike të substancës letrare, (e cila sigurisht ka si baze të saj ficton-in, por të sjellë në formë dhe trajtë origjinale), duke i krijuar hapësira shkrimtarëve të jenë sa më pranë unikalitetit artisti.
Pra, me individualizëm në letërsinë shqiptare pas viteve’90, do të kuptojmë dukurinë atipike që përfshin tërësinë e disiplinave të personaliteteve krijuese të cilët me origjinalitetin përkatës, risitë, strukturat dhe prurjet artistike, skalitën një profil të ri, tejet specifik dhe tërheqës për horizontin e pritjes. Anasjelltas, duket qartë se sa më i mbyllur të jetë krijuesi, aq më pak është në gjendje për t’u mbrojtur vepra e tij përballë presioneve, apo mësymjeve të klaneve të ndryshme pseudoartistike, tendencë kjo edhe e realiteteve moderne.
Vlen të veçojmë 3- rrafshe:
1-Specialitete letrare ku individi krijues nuk përjashtohet si një koordinatë universale. Secili prej tyre shkel në një truall sa të sigurt, aq edhe të rrezikshëm për artin e vet.
2-Orientime konkuruese të të njëjtës fushë të cilat vijnë vrullshëm, imponueshëm dhe shpesh të papajtueshme midis tyre të cilat lidhen me të njëjtin ideal dhe prezantojne të njëjtat kritere krijuese.
3-Orientime apo përpjekje të shumëfishta për orientim, si presion i ideologjisë së mjedisit, të cilat kërkojnë t’ua nënshtrojnë letërsinë drejtimeve letrare. Bashkësia e shkrimtarëve është të paktën institucionalisht më e dobët sesa gjetkë, në vendet simotra.
Pavarësisht se ka fatin të shkruhet me një gjuhë të vockël, por të përjetshme, letërsia shqiptare bashkëkohore është një dukuri, ku origjinaliteti dhe individualiteti krijues prezantohen me dinjitet në të gjithë botën mbarë.
* (Kumtesë mbajtur në Simpoziumin Shkencor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,
New York, 22 Dhjetor 2013
_________________________________________________________
1Erich From, SHPIRTI I NJERIUT, Fan Noli, Tiranë, 1981,fq.164
2 Moikom Zeqo, LIBRI I SINOPSEVE, Uegen, Tiranë, 2012, fq.298
3 Louis Dumont, ESE MBI INDIVIDUALIZMIN, Korbi,Tiranë 1997, fq.19
4 Erich Fromm, ANATOMIA E DESTRUKTIVITETIT NJERËZOR,Fan Noli, Tiranë, fq.227
5 Moikom Zeqo, REFUZIMI I SHKRIMIT, Dituria, Tiranë 2011, fq.54
6 Immanuel Kant, KRITIKA E GJYKIMIT, Tiranë, Plejad 2002, fq.147

Filed Under: LETERSI Tagged With: dr. Yllka Filipi, Individualizmi ne Letersi

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT

May 15, 2015 by dgreca

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË ËSHTË KRIM KUNDËR NJERËZIMIT QË I ÇON IDEATORËT NË HAGË/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Tash Gruevski e ka kuptuar se çfarë i ka bërë vetes. Se nuk do të jetë si herët e tjera. Inskeno vrasje e akuzo shqiptarët. Edhe dorëheqja e treshes – e tre njerëzve më të afërt të Kryeministrit të Maqedonisë, e ministres të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe shefit të Shërbimeve Sekrete të Maqedonisë, Sasho Mijallkov, – nuk ka për ta shpëtuar Gruevskin nga Gjykata e Hagës nën akuzën për krime kundër njerëzimit. E kur Gruevski do të shkojë në Hagë, ai nuk do të pyesë më për të tjerët, sipas asaj të njohurës maksimë që e kanë si moto politikanët e Ballkanit, „après moi, le déluge“ se pas Gruevskit „u bëftë qameti“.
Së pari, dua të nënvizoj se shteti i Maqedonisë kreu një masakër, një krim shtetëror, sepse nuk bëri asnjë përpjekje për ta parandaluar konfrontimin dhe nuk njoftoi asnjë institucion ndërkombëtar me të cilët Republika e Maqedonisë mban kontakte permanente, që kur lindi si shtet më 1992, që janë NATO, BE, SHBA, OSBE, zyrat dhe zyrtarët e të cilëve janë në Shkup.
Tani kam përpara syve letrën informuese që Gruevski ua ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian, ku Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ka njoftuar ato për rrjedhën e aksionit të armatosur të së shtunës në Kumanovë, ku thuhet se „Maqedonia nuk ishte në përleshje ndëretnike, por në një operacion kundër grupit terrorist“. „Grup terrorist“, kështu e etiketon qeveria e Gruevskit dhe e Ali Ahmetit, për të larë duart për ato gërmadhe dhe jetë të humbura.
Por tash duart e shtetit të Maqedonisë janë të përgjakura me jetë njerëzish dhe për këtë krim përgjegjësit duhet të paguajnë, edhe për policët, edhe për shqiptarët.
Etiketimi i Gruevskit me “grup terrorist” bëhet për të fshehur një krim shtetëror terrorist, siç është vrasja e njerëzve të pafajshëm, deri sa kundër tyre nuk vërtetohet asnjë akuzë.
Sepse deri sa u krye i shtuquajturi konfrontim, qeveria e Maqedonisë nuk ka patur në evidence asnjë krim terrorist të atyre djemve e burrave. Tash rezultojnë të vrarë Komandantët UÇK-së dhe policët, që sipas Gruevskit u vranë nga Komandantëve të UÇK-së! Logjikë të tillë kriminale ka vetëm Koreja e Veriut që udhëhiqet nga një xhuxh-barbar si Kim Jong-uni.
Aktorët kryesorë politikë shqiptarë në Maqedoni kanë konfirmuar se ata prej një viti kanë patur informacione dhe kontakte me personat që sot rezultojnë të përfshirë në përplasjen, po përse Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij nuk kanë njoftuar SHBA dhe BE.
Po shteti i Maqedonisë vetë përse nuk mori masa parandaluese dhe përse e toleroi zbarkimin e një arsenali të vërtetë armatimi lufte në Lagjen e Trimave, përse nuk e ndali sjelljen e këtij arsenali nga burimi ose rrugës për të evituar një luftë me pasoja tragjike.
Ata njerëz të vrarë barbarisht të shtunën në mesnatë, siç pohon vetë Ali Ahmeti, kanë luftuar bashkë me të në konfliktin e 2001, që solli Marrëveshjen e Ohrit, e cila ka mbetur e paimplementuar dhe për këtë gjë ka përgjegjësi direkte vetë Ali Ahmeti, i cili prej 2001, pra për gati 15 vjet është në bashkëqeverisje me qeveritë e Maqedonisë. Duket sikur Marrëveshja e Ohrit u bë vetëm që Ali Ahmeti dhe klani apo partia e tij të përfitojnë privilegje, ndërsa shqiptarët e tjerë të vijojnë kalvarin e segregacionit dhe aparteidid antishqiptar.
Në letrën informuese dërguar shumë vonë shteteve të BE, të publikuar tek KD në Prishtinë thuhet se „Liderët kryesorë të këtij grupi, sipas Qeverisë maqedonase, janë: Muhamed Krasniqi, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Malisheva”; Mirsad Ndrecaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant NATO”; Sami Ukshini, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Sokoli”; Beg Rizaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Begu” dhe Demë Shehu, shtetas i Kosovës, i njohur si “Juniku”. Liderët, sipas letrës, figurojnë si themelues të strukturave paramilitare dhe kanë pasur tentativa të pasuksesshme për të siguruar mbështetje politike.“
Them shumë vonë, sepse kur qeveria e Maqedonisë ka dalë me konkluzione të tilla, se ka të bëjë me organizatorë strukturash paramilitare, e përse nuk i ka paraqitur me kohë këto prova tek partnerët strategjikë të Maqedonisë, që duhet të jenë BE, NATO, SHBA dhe OSBE?
Përse priti makineria ushtarake e shtetit të Maqedonisë të dërgojë blinda e tanke tek Lagjia e Trimave për të djegur e kthyer shtëpitë e civilëve në gërmadhë dhe nuk i neutralizoi ata njerëz duke i çuar në kohen e duhur përpara drejtësisë. Ose më mirë, kur ka patur prova kundër Komandantëve të UÇK-së si të përfshirë në grupe paramilitare përse nuk i paraqiti këto prova në NATO dhe përse nuk ua paraqiti qeverive përgjegjëse të Hashim Thaçit e Isa Mustafës?
Tani thuhet se Mirsad Ndrecaj, i njohur si “Komandant NATO” apo Beg Rizaj, i njohur “Komandant Begu” kanë patur lidhje me Ramush Haradinajn. Por ky fakt nuk përbën as krim dhe as terror, veç shpreh frikën e politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, që duan të përjetësojnë mbajtjen e pushtetit, duke eleminuar çdo kundërshtar që për ta përbën rrezik. Dhe këtu është tejkaluar çdo limit. Këtu ka arritur kulmi. Sepse sapo është ngritur sipari i riciklimit të krimeve politike, duke u kthyer në vitin 1998 e përtej kur krimet politike kanë mbetur ende të pazbardhura.
Si konkluzion, deri tani nuk ka asnjë provë që Mirsad Ndrecaj,“Komandant NATO” apo Beg Rizaj, “Komandant Bega” apo Komandantët e tjerë të vrarë, të jenë përfshirë në aktivitete terroriste, veç faktit se këta djem kanë luftuar në konfliktin e Maqedonisë më 2001 në krah të Ali Ahmetit për të çliruar Maqedoninë nga një regjim kriminal që i konsideronte shqiptarët si skllevër. Regjimi i Gruevskit bën të njëjtën gjë, edhe ai i konsideron shqiptarët të tepërt, „mish për top” dhe i djeg e i vret kur t’i shkrepet. Duke patur në krah për absurd kësaj here Ali Ahmetin.
Sepse, nëse shteti i Maqedonisë do të kishte prova kundër Komandantëve të UÇK-së, siç pretendon, këto prova do të duhej të ishin formuluar në akuza për hetim dhe asessi të përdoreshin që këta njerëz të eleminoheshin barbarisht pa gjyq me një skenar të përkryer permes terrorit shtetoror.
Unë do të hipotezoja se skenari ka qenë i tillë që të vriteshin nga shteti i Maqedonisë ata që janë vrarë, duke krijuar pastaj një tymnajë të madhe. Vrasja e policëve, që edhe ata janë viktimë, është pjesë e inskenimit por nuk është assesi kurrë akuzë për t’i shpallur terroristë ata që i vrau terrori i shtetit të Gruevskit dhe atyre që janë aleatë me të.
Komandantët e vrarë të UÇK-së, që Gruevski i akuzon të vderkur si terroristë, janë ata që do ta çojnë Gruevskin në Hagë si terrorist!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Hage, Krim, Kumanove, Vrasja e Koamndanteve

PYETNI GJERMANËT: “SI MBYLLET KJO DOSJE ?”

May 15, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
DOSJA: Tiranë, më 26.6.1979 Nr. i dekretit: 5912 Viti 1979…/
■MOS E HAPNI KËTE DOSJE ! DO TË NA HAPNI “TELASHE” !../
■ Lexoni këte dokument:/
Tiranë, më 26.6.1979 Nr. i dekretit: 5912 Viti 1979…
Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi dhe Sekretari, Telo Mezini firmosin dekretin për internimin dhe dëbimin si masë administrative, propozue nga Këshilli i Ministrave.
Në vitin 1979 hyjnë në fuqi disa nene për internimin dhe dëbimin kundër shtetasve shqiptarë e të huaj dhe personave pa shtetësi,që kanë mbushur moshën 14 vjeç.
“Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Presidiumi i Kuvendit Popullor
Dekret Për Internim dhe dëbim si masë administrative në mbështetje të nenit 76 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.
Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë
Vendosi:
Neni 1.
Internimi dhe dëbimi, si masë administrative, mund të vendoset kundër shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që kanë mbushur moshën 14 vjeç, janë të përgjegjshëm dhe paraqesin rrezikshmëri për rendin shoqëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Neni 2.
Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjesëtarëve të familjes së personave të arratisur brenda ose jashtë shtetit.
Quhen pjesëtarë të familjes personat që në çastin e arratisjes, bashkëjetonin me të arratisurin, si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe persona te tjerë që bashkëjetonin me të dhe kanë qenë në ngarkim të tij.
Lista emnore e aprovuesëve të këtij ligji gjëndet këtu:
http://mordor.rrota.com/2014/shtetiwebdocs/2012/09/28/deputetet-e-kuvendi-popullor-legjislatura-ix-25-12-1978-14-07-1982/
***
■Ky ligj 50 vjet para nenshkrimit të tij tek né, në Gjermani u quejt Gjenocid.
Në Gjermani perfshinte 5% të popullsisë gjermane. Atëherë e sot, asht turpi i Europës!

■Po, ajo që ngjet në Shqipni, nuk ngjet në asnjë vend tjeter të Botës!..
■Nenshkruesit e këtij GJENOCIDI, vazhdojnë me kenë “heronj” dhe, me u shperblye si të tillë edhe pse njihen si vrasës mashtrues dhe terroristë të pashpirtë të selisë krimit në Shqipni. Po, sa gra e nuse të reja kanë lindë nder tortura në birucat e sigurimit shtetit foshnje dhe janë masakrue pa mujtë me i dhanë bebeve të vogla një ditë gjiun e Nanës!
■Sa fëmijë vdiqën në kampet e interrnimit të Tepelenës, Lushnjes e të sa skutave ku zhdukej rraca Shqiptare nga sherbëtorët e shovenistët sllavë, anadollakë, kinezë… per hirë të kolltukut tyne në luften e pamëshirshme antinjerzore si antishqiptarë?!..
■Mija e mija fëmijë nder fshatra… edhe pse Nanat e tyne zgjoheshin pa dalë dielli dhe milnin lopët e kooperativës, nuk kishin të drejtë as me ushqye me qumësht fëmijët e vet, se kështu kishin urdhnue “heroinat e deputetet” barbar të Kuvendit Popullor, që vetem, mendonin per “jeten e lumtur”… të fëmijëve tanë… E kush e beson këte sot në Botë?
■Në vitin 1974, i duhej gjak fëmijësh të porsa lindun me i dhurue Enver Hoxhës…
E sa fëmijë u mbyten në maternitetin e Tiranës, me urdhën të “heroinës” që e “nderon” Shqipnia, kobres Nexhmije Hoxha, per me i shpetue jeten katilit Popullit Shqiptar..?!
■Askush nuk e tregon shifren e Fëmijëve të “vramë” nga urija dhe sëmundjet nder ata kampe interrnimi dhe shfarosje… Sa Nana Shqiptare nuk kanë varreza me Fëmijët e vet?
– Askush nuk flet! Vazhdon edhe sot frika!
***
■Në Republiken e Shqipnisë sot dokumenti konsiderohet “Heroizem” i nenshkruesëve!
■Nëse mendoni me u konsultue me specialistë gjermanë të “hapjes së Dosjeve” mendoj:
Që per Dosjen e vitit 1979, të pyetni “Si mbyllet ajo Dosje?”, se do të na hapni probleme!
■Të persekutuemit politik kanë edhe ata një “institut” që merret me “studime”…
■Mund të pyetni Gjermanët, si funksionon sot “instituti” i Tyne “per mbyllje Dosjesh”!
■Prandej sot, qeveritarët e shqiptarëve thërrasin në gjithë Boten: “Na duhet Rilindja”…
“Na duhen kampet… Na duhet eksodi… Na duhen burgjet… Na duhen vllavrasjet..!!”
■Në vneshtë asht edhe kolltuku: “Frika ruen vneshten!”, thotë fatkeqi Shqiptar!
*Pjesa XV, ne vijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Maji 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, Si mbyllet kjo Dosje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT