• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

Oligarkët e politikës, fajtorë për largimin e investitorëve të jashtëm!

May 8, 2015 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Në çdo shtet me ligj mbrohen prodhuesit vendor me heqje të taksave dhe stimulime të ndryshme, kurse në anën tjetër duke i taksuar produktet që vijnë nga vendet e tjera! Fatkeqësisht tek ne nuk ka ndodhur kjo prej pas luftës në Kosovë, por janë favorizuar prodhimet e huaja e janë shtypur brutalisht prodhuesit vendorë, me taksa të llojllojshme! Kjo është bërë për faktin se ato kompani që janë distributorët kryesorë dhe importojnë mallra nga shtetet tjera, e sidomos nga Serbia dhe Maqedonia, i kanë ngulfatur dhe dëmtuar prodhimet vendore! E kjo e gjitha me ndihmën e matrapazëve të politikës, të cilëta kanë interesa të përbashkëta biznesore me këto kompani, sepse shteti kur është i interesuar ta zhvillojë shtetin dhe t’i përkrah prodhimet vendore siç ndodh në shumicën e shteteve normale ku funksionon ligji, do të vepronte ndryshe e jo të punojë në dëm të prodhimeve vendore! Ky është një paradoks i madh!
Kjo vlen edhe qumështin pluhur që importohet nga vendet e tjera, e sidomos nga shtetet e kontaminuar, por kur një Agjension që duhet të kontrollojë cilësinë e ushqimeve që vijnë nga jashtë, tash e 16 vite është i kapur nga kriminelët e politikës dhe parapolitikës, e që i mbulon mbrapa çdo skandali, atëherë ku ta dinë populli i shkretë se çfarë është me të vërtetë duke konsumuar! Por dëshmia më e madhe se çfarë mbeturina sllave jemi duke konsumuar e çfarë qumështi fëmijët tanë po pinë, janë sëmundjet malinje që e kanë prekur popullatën në masë të madhe, ku kemi me qindra raste në vit të shfaqjes së kancerit dhe leukemisë sidomos tek fëmijët e vegjël!

Politika fajtore për mosinvestime të jashtme!

Problemi me investitorët e jashtëm daton prej pasluftës në Kosovë, që pikërisht njerëzit e fuqishëm të politikës dhe nëntokës, duke ju kërkuar mito investitorëve të jashtëm, me kushtëzim të marrjes së lisencave, i kanë larguar kompanitë e huaja që kanë dashur të investojnë tek ne! Këtë e kanë thënë me dhjetëra investitor të huaj por edhe biznesmenë shqiptarë që jetojnë në perëndim! Madje shumë prej atyre bizneseve në pamundësi që të investojnë në Kosovë, për shkak të këtyre marrifetllëqeve, atë investim e kanë bërë në vendet e rajonit, për shkak të lehtësirave dhe favoreve dhe sot ato kompani punësojnë me qindra e mijëra punëtorë vendas, si dhe janë bartësit kryesorë të eksportit dhe ekonomive të atyre shteteve! Në një shtet jofunksional, ku nuk funksion ligji, matrapazët e politikës e shfrytëzojnë mosfunksionimin e shtetit dhe të ligjit, dhe përmes investitorëve që vijnë nga jashtë, mundohen që të pasurohen përmes mitove! Por në vendet e perëndimit këto gjëra nuk pinë ujë, sepse nuk është në natyrën e tyre që të paguajnë mito për të investuar, por përkundrazi, aty ku investojnë kërkojnë favore dhe lehtësira të ndryshme nga shteti! Në shtetet e Evropës Lindore, si psh në Poloni, Çeki, Sllovaki, Estoni, Hungari, Rumani etj, qeveritë e atjeshme ju kanë bërë shumë favore investitorëve të jashtëm, vetëm e vetëm që t’i joshin për të investuar në vendet e tyre, si psh lirimin nga taksat për disa vite, dhënien e tokës falas ku kanë ndërtuar fabrikat e tyre e shumë favore të tjera!E të gjithë e dimë se sa përpara kanë ecur ekonomikisht këto shtete, ku tash e njëmbëdhjetë vite janë edhe pjesë e BE-së! Në shtete të tilla të brishta, të korruptuara dhe të kriminalizuara si Kosova, këto gjëra janë të pritshme! Prandaj edhe kemi shumë pak investime të jashtme dhe deri sa nuk bëhemi shtet serioz dhe ligjor, mos të presim që do kemi investime të jashtme dhe as zhvillim ekonomik, sepse asnjë kompani serioze nuk është çmendur që të rrezikojë kapitalin e tij në shtete joligjore, të kriminalizuara dhe të korruptuara! Treguesi më i mirë se çfarë shteti i korruptuar dhe joserioz jemi, është largimi i dhjetëra e qindrave prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilët në pamundësi që të zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë, janë larguar dhe kanë zhvendosur biznesin e tyre drejt shteteve të rajonit, shtete të cilat ju kanë ofruar favore dhe lehtësira të shumta, vetëm e vetëm që të investojnë tek ta, kurse në vendin e tyre prej pas luftës janë ballafaquar me njëqind mijë probleme që ju kanë shkaktuar qeverisjet e deritanishme!

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, largimi i investitoreve, oligarket

MEMORIALI I KRIMEVE TE KOMUNIZMIT PËR DIBRANËT QË PERBALLUAN DIKTATUREN!

May 8, 2015 by dgreca

Nga Besim NDREGJONI/
“Nji popull që nderon burrat e vet, nji popull që pavdekson kujtimin e tyne, jo vetëm në faqet e historise, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshire me u sjellun e me u drejtuem simbas shembullit të të Mëdhajve te vet”. (Luigj Gurakuqi) kjo thënje e shqiptarit të madh Gurakuqi shoqëronte në këtë ditë prilli ne dibranëve që peruruam monumentin që tregon pavdeksine dhe kujtimin e dibranëve antikomunist që u vrane dhe u burgosen për liri, ndaj diktaturës komuniste … lirinë të cilën po e gëzojme sot. Për ne dibranët, Dibra është një fushë e gjërë magnetike , që sa ma shum ta shohësh , prekesh dhe ta përmendesh , aq më e dashur bëhet , aq më shume ngrihet e lartësohet si një mal i larte..
Ky memorial kujton historine tragjike të Dibrës e cila e perjetoi për 45 vite komunizëm, një histori , qëndrese , vuajtjesh, lotësh nënash , na mallëngjen e na kujton kohën ku u flijuan burra e gra dibrane, na kujton pushkët e para antikomuniste të Halili Alisë e të Sef e Dan Kaloshit të Beqir Sines, të plakut patriot e anti serbit 70 vjeçar Llan Destan Ndregjonit, të Hakik Menës me vëllezrit e tije, të Lurës Kreshnike..të çetave të Fiqiri Dines, e të Hysni Demës… një luftë civile ndaj banditëve terroriste që mbanin mbi kokat e tyre shenjat antishqiptare të sllavo komunizmit dhe donin me i treguar Dibrës se hasmi shekullor serbët na ishin ba vllaznit e idealit komuniste, të idealit internacional dhe çdo kundërshtim ndaj sllavëve ishte tradhti.. komunistët shqiptare me ideologjine e kriminalizuar e të neveritshme, kishin marre hunët e zjarmit në dorë dhe digjnin kullat dibrane , ato kulla që i kishte djegur serbi i digjnin komunistët. Memoriali i krimeve të komunizmit tregon plumbat që vrane dibranët e mire e të mencur, Kaloshët e Ndreet Sopotët e Capët e Maqellarës, Gjilagët e Oxhakut, e Pirajt , trimat të paepur . Na sjell në vëmendje qëndresën e intelektualit dibran Edip Tërshanen që në vitet e para të ashtuquajtur “çlirim” , i drejtohej diktatorit se ju jeni tradhëtar i kombit dhe jeni shërbyes i sllavizmit. Vrasjen e pafajshme të Hasan Dinen së Maqellarës, memoriali na apelon që Kryeministri Fiqir Dinja i madh e Hysni Dema i Homeshit, e të gjithë dibranët antikomuniste që kockat e tyre ndodhen në vendet e huaja , të kthehen në tokën dibrane se për Dibrën dhanë gjithçka.. Ky memorial është historia e burgut 25 vjecar të Ali Maliqit të mencur që e vrane në burg sigurimi i shtetit 10 ditë para lirimit, të trimit Dine Dema që theu muret e hetusise e nuk pyeti për plumbat e banditëve komuniste.. Dibra në luftë me serbët një shekull e nuk ishte dorzuar, por do të binte pre e pabesisë së banditëve komuniste vetëm se këta ishin shqiptare. Dibra e nëntë maleve, e 7 teqeve e tre oxhaqeve do të mbushej me kufoma fisnikësh nga shqiptarët aziatike që vinin me terror e pabesi mbi popullin e pafajshëm e të mencur dibran.. E cila shpi e mirë në Dibër do të i shpëtonte pushkatimit e burgimit .. Memoriali i krimeve komuniste nuk mund të i xan të gjithë dibranët që u vrane me komunizmin por është Kujtesë., sfidë për mos me harruar plumbat e komunizmit e burgun e me sjell ndërmend punën e përbashket e të detyrueshme që banë antikomunistët dibranë të burgosur në moçalet e Bedenit, Vlocishtit , Myzeqesë , e në aerodromet e Urës Vajgurore dhe Rinas-it, kampet çfarosëse të Burrelit, e Gjirokastrës, Spaçit, e Qaf-Barit dhe do të provonin sëbashku me shqiptarët e tjere, vuejtjet e perbashketa, urine, të ftohtit, dhimbjen e drunit të policit të kuq në kurrizet e tyre të krrusun nga pesha e rande e baltes ngjitese dhe e cimentos ne supe, e bisedave koke me koke me të burgosurit e tjere ,mbi fatin e vendit tone, e sidomos mbi perspektivat e se ardhmes se atdheut tone të përbashkët!
Memoriali i krimeve të komunizmit përuruar me 30 prill 2015 me inisativën e Ilir Krosit dhe Besim Ndregjonim në prezencë të Presidentit të Republikës shkelqesia e tij Bujar Nishani.
Maqellara e Dine begut, Fushaaliaj e Bllicja e Sale Demirit, Reci e Dardha , Muhurri i mentarit Dine Hoxhës, Peshkopia e Sul Shehit, Brezhdani i Karahasaneve, e Kazideteve , Kastrioti i Xhilagëve, e Dohoshishti i Hysenagolleleve e Kadrieve, Sllova e Elez Isufit, Luznia e Murreve e Manukeve, Katergrykët e Murrës të persekutimit për cdo katun, Lura e bajrakut, e Cidhna e Nokajve me Gjoricën e Markajve e Camajve , Bulqiza e Zerqani i sheheve patriot e të pamposhtur e radha nuk fund.. të gjithë katundet e Dibres kan pasur persekutimin e tyre 50 vjecar përbuzjen e diktaturës eleminimin dhe zhdukjen me cdo kusht të mencurise dibrane.. Sot, ne qe mbijetuem, kemi privilegjin me kujtue dhe me fillue nji jete te re. O Dibra heroike e diteve të vështira kombëtare! Ti meriton të jeshë krenare! Historia do të njohë përherë vlerën e aktit tand heroik. Historia yte do të frymëzojë brezeni të tana me mesimet që dhanë për të ardhmen herojt tuej, shumica heroj të heshtun. Mos u shkurajo nga heshtja që të rrethon sot, mos e humb shpresën se ditë ma të mira do të vijne për ty – e për të gjithë ne – sepse heroizmi i vertetë nuk konsumohet as nga koha as nga hapesina. Katrahura politike qe ngriti koken mbas shembjes se turpshme te komunizmit ashte nji plage e rande por kalimtare. Dibra e Shqiperia meriton nji shtet e nji shoqeni te lire, te lire nga frika, sidomos frika qeveritare, dhe te lire nga uria, papunesia dhe varferia…. Dibra dhe Shqiperia meriton nji sistem politik te hapet, transparent, dhe plot respekt për cdo qytetar të lire. Dibra dhe Shqiperia meriton nji emën që të respektohet nga bota e jashtëme. Dibra e Shqiperia meriton këtë respekt sepse e ka pague rande detyren që vuni mbi shpatullat e saj nji histori e egër e imponueme mbi shqiptaret pa pelqimin e tyne. Dibra dhe Shqiperia meriton nji të ardhme të lumtun e premtuese sepse ka derdhe gjakun si lum për nji dite të atille. E ne këtë përpjekje vigane, për drejtësi të mohueme Dibra e juej, Dibra ime , Dibra e të gjithë shqiptarëve zen nji vend nderi! Me lejue kriminelet komuniste të jetojne pa dhanë llogari të krimeve monstruoze që kane krye në kurriz të Dibrës e popullit tonë, don të thotë me mohue ekzistencën e këtyre krimeve, don të thote se nuk ka pase rezistencë anti-komuniste, nuk ka pase të arrestuem, të torturuem, të denuem, të internuem, nuk ka pase me mijera të pushkatuem, don të thotë me mohue vuejtjet e familjeve tona dhe të të gjithe popullsise së vendit tonë të shtypun pa meshire. Kjo don të thote me mohue sakrificat e nanave, motrave, bijave, bashkeshorteve tona- të femnës dibrane e shqiptare që i dha dimensionin ma fisnik rezistencës sone anti-komuniste, – don te thote të zhytesh në botën e krimit, ku gjithçka lejohet dhe askush nuk përgjigjet. Kjo, nuk ashte Shqiperia për të cilën kemi luftue. Kjo nuk ashte Shqiperia demokratike , Shqiperia e qytetarit të liri për të cilën ne kemi andrrue si antikomunistë. Ne dibranët i thamë jo hakmarrjes, se kështu është morali i ynë! Por Drejtesi ne duam që të denohen krimet makabre që ju bënë dibranëve e shqiptarëve.. Ne emen te te gjitha viktimave te komunizmit, dhe në emën të breznive të ardhme që nuk duhet të rijetojnë kommunizmin, le të ngrejme zanin tone sa ma nalt që mundemi, le të punojmë sa ma shume e me sistem, le të mobilizohemi me goje, me shkrim, me manifestime publike, e sidomos me forcën e votës së lirë që të ringjallim interesimin kombëtar e ndërkombëtar për padrejtesinë që jetojme sot, dhe të zgjedhim si përfaqsues të se drejtës dhe të drejtesise koleget tone që kan jetue vitet e shtypjes së militantantizmit të çmendun komunist, ne vete e familjet tona, le të nxjerrim në drite dokumentacionin e duhun akuzues, dhe t’a bajme atë publik, material pedagogjik për edukimin e të rinjve me frymën e demokracise që siguron lirine e dinjitetin e çdo qytetari, pavaresisht nga ndryshimet e bindjeve politike qe kemi. Memoriali apelon dhe ju kujton: “Mos harroni, sepse harresa ashte vdekja e jone e dyte. Memoriali i Dibrës i drejtohet shtetit shqiptarë “Mos na mohoni drejtësine. E Presidenti Nishani i emocionuar përpara Memorialit do të shprehej : Nacionalizmi Dibran nuk mund të ishte tjetër, e të bante heshtjen por do të ishte antikomunist në mbrotjet të vlerave të kombit ndaj asaj diktature çfarosëse. Prandaj meriton mirnjohje e shtetit e të shoqerise. E Dibranët me një zë do të i përgjigjeshin : Ne nuk do të harrojme.
*Besim Ndregjoni
President i Unionit Mbarkombetar Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politike të Shqiperise.

Filed Under: ESSE Tagged With: Besim Ndregjoni, i kriemve te komunizmit, Memoriali

Përsiatje rreth librit”Dervish Iliazi” i Gjergj Qafoikut

May 8, 2015 by dgreca

Nga Përparim Hysi/
Jam ndodhur para një paradoksi: e mora pak me “rezerva” librin e GJergj Qafokut kushtuar klerikut bektashi, Dervish Iliazi, se vet jam ateist. Nuk kam idhujtari për ndonjë fe dhe as për ndonjë sekt a nëndegë të feve të ndryshme. Në nuk besoj unë, kjo gjë nuk i prish punë askujt. Se siç thotë, filozofi i madh gjerman,Fridrih Niçe: “Një gjë që nuk më vret, nuk më dëmton dhe më bën më të fortë”. Atëherë, përse iu vura punës, pak të lodhshme për statu quon time të shëndetit ( jam duke u kuruar nga sytë dhe nuk duhet të rri shumë para kompjuterit), por ndodh pak a shumë si atë që tregojnë në raportin me hajdutin:
– Baba, kam kapur një hajdut, ta mbaj apo ta lëshoj?
– Mbaje!
Mbaje-mbaje, po një fjalëgoje,se nuk të lë as Gjergji Qafoku, por ca më keq “Dervish Ilaizi”. Ky të merr e të futë në “dollomanë” e vetë dhe të bën as më pak dhe as më shumë: por bektashi. Të jetë vetëm kaq shtysa për ta shkruar këtë ese? Për fat të mirë, nuk është vetëm kaq. Ka kohë që Vërzhezha, një nga fshatrat më të mëdha të Skraparit, vjen e më vërtitet para syve si një inspirim për të shkruar për të. Nisem ta bëj… dhe tak: nuk bitisem. Pse më vërtitet Vërzhezha? Se Vërzhezha është vendlindja e babait tim të ndjerë, që, megjithëse kish pesëdhjetë vjet i larguar nga Vërzhezha, ai vdiq me Vërzhezhën në gojë. Vitin e fundit, për nja tri muaj, imatë vuajti nga skleroza, por thoshte:- Qeshë në Vërzhezhë një copë herë ( e kishim nxjerë për ajrosje aty, para shtëpisë sonë në Mbrostar-Ura të Fierit 100 e ca km larg nga Vërzhezha) dhe gjithë kjo”vrasje e kujtesës së babait” qe ku e ku më e vogël se dashuria për Vërzhezhën. Ky qe si një amanet i tij, apo si një testament dashurie për vendlindjen. Po unë dhe nënën e kam nga Skrapari dhe, pse gjaku nuk bëhet ujë, kam shkruar me dashuri edhe për Vërzhezhën e timeti, po edhe për Nishicën e simeëme! Në vjershën time, përmjet vargjesh, kam thënë: “Vërzhezhën e dua/ se dua babanë/ Nishicën e dua se dua timeëmë/… dhe, me sa mbaj mend (epo kush i mban mend tani ç’shkrova), them:
– Sado që ka lindur në Myzeqe
Skraparin e dua, se është vend i prindërve të mi
………………………………………
Sado që jam myzeqar
Kujdes! Unë jam nip në Skrapar…
Dhe në ndodhtë gjëkundi
Që Skraparin ma shatë
Vij ju mbys se kthehem në xhelat!

* * *
Por është dhe një shtysë tjetër që më lidh me Vërzhezhën. Para ca muajësh, miku im, Duro Mustafai aliaz Duro Mustafa Vranishti, më dha revistën “Hora”. Duro Mustafai është penë e vjetër dhe, sado që i ka kaluar tetëdhjetë vjetët, vazhdon të shkruajë në prozë e poezi dhe, në duhet të marrë Cezari, çfarë i takon Cezarit, unë them që emri i Duro Mustafait duhet shënuar në librin “Gines”: është i vetmi në gjithë Shqipërinë që nxjerr revistën e illustruar me titull “Hora”,se “Hora” është emri i vjetër i Vranishtit dhe kjo degë e”Horës” siç dihet është dhe në Kalabri. Ma kishte dhuruar një numër të saj dhe mbi kopertinë kish vënë emrin tim. Me revistën në dorë, unë shkova në një promovim libri. Kur hyra në sallë (pak nga pak ajo po mbushej plot),para meje qe ulur një burrë pak i thinnjur. Unë e njoha, por ai,sa më pa revistën, m’u drejtua:
-Ç’e ke atë revistë?
– Është revista “Hora” që e nxjerr Duro Mustafai,- u shpejgova unë.
– Duron e kam mik,- foli thinjoshi.
– Meqë e ke mik, merre! Ta kam falur.
Sado që hezitoi me politesë, Thinjoshi zgjati duarët. Pa emrin tim dhe më pyeti:
-Nga jini?
-Jam nga Fieri.
-Po ky mbiemër yti sikur…
-Me origjinë jam nga një fshat i Skraparit.
-Nga ç’fshat?
– Nga Vërzhezha,- u përgjigja ezber
– Pse fshat është Vërzhezha? Mos ta dëgjoj më atë fjalë!
Njeriu që m’i tha këto fjalë, është Profesor-doktori i nderuar, kardiologu, Pandeli Çina.
Dhe, pak a shumë, i thashë të tëra. Pyetja e Profesor Çinës më rrinte mbi kokë si ajo shpata mitologjike e Demokleut. E, megjithatë, kur thoshte e ndjera imë ëmë: nuk ka ardhur koha…”.
Dhe erdhi koha. Si një bekim, më merr në telefon Gjergj Qafoku dhe më kërkon një takim. “Audiencën” e bëmë tek kafe “Ulqini” dhe ai ma dhuroi librin për klerikun bektashi “Dervish Iliazi”. Tani nuk mbante më ujë pilafi. Unë,sado lindur e rritur në Myzeqe, Skraparin e kam patur pazgjidhmërisht në shtëpi. Pra, tek “këmbej tepsitë” me skraparlinjtë, ende nuk e kam humbur atë theksin e Skraparit.

* * *
Sikur e lakova shumë Vërzhezhën. Jo, sikur, por zëre se po shkruaj dhe për të:se Dervish Iliazi, kleriku bektashi, ka qenë nga Vërzhezha. Ka qenë dhe, në është përjetësuar në këtë libër, kam të drejtë që të them: – Gjergj Qafoku! Të lumtë pena! Me penë i ke ngritur monument një kleriku që veç petkut të “tarkikatit” bektashi, është humanitar: është dashamir i arsimit e kulturës; është patriot dhe luftëtar sa herë që e ka dashur Atdheu.
Vërzhezha si fshat i madh ka plot figura që i bëjnë nder, por, siç shoh nga monografia e Gjergj Qafokut, “Guri i Qoshesë” në gjithë Vërzhezhën është ky klerik bektashi,që, sado nuk i arriti as pesëdhjetë vjeçët, ka bërë vepra të tilla që ia laurojnë gjithë portretin fizik e moral të tij.
Parë me një sy vetëm kalimthi, kur të rreshtoj krejt përciptas disa nga veprat e tij, ju do më jepni të drejtë mua dhe kam frikë (frika mo t’ju dalë?!),se dhe ju do futeni në dollomanë e këtij kleriku bektashi, që poeti i bukur skraparli, Xhevahir Spahiu,e ka quajtur “Nënë Tereza” i jugut.
Atëherë, ju lutem, më ndiqni….
Ka lindur më 1875 në Vërzhezhë të Skraparit. Ka shkuar në Turqi dhe ka qenë nxënës i Hoxha Tahsimit; ka patur kontakte me Naimin dhe Samiun; ka shkuar në Egjipt për shkollim dhe ka qenë në Mekë. Ka hapur të parë shkollë shqipe më 1913.Ka qenë bashkëveprues dhe ka mbështetur Çetat e Bajo e Çerçiz Topullit; ka bashkëpunuar me Themistokli Grëmenjin e Sali Butkën; ka qenë nënprefekt si ndihmës i Tehmistokliut; ka qenë kur u ngrit flamuri në Vlorë; ka bërë fushatë aktive për deputetin Ismail Qemal-Vlora në nahijen e Beratit se Isamilin e kish njohur që në Turqi. Sado klerik bektashi,qe aq progresist,sa bashkëpunoi me orthodokisn e shquar,Jorgji Karbunara aliaz Babë Dudë Karbunara. Ka dërguar luftëtarë në luftën e Vlorës më 1920. Ka qenë fanolist dhe ka ndihmuar Nolin… ka qenë…po, ku shkruhen dot në kartë/ fjalët e gjuhës së zjarrtë/- shkruante Naimi. Dhe unë: po ku shkruhen dot të gjitha ç’ka bërë ky klerik gjatë jetës së tij shumëdemisionale?

* * *
Në hyj nën “dollomanë” e këtij kleriku kaq të mirë, jo se më imponohet me petkun e fesë, por ai më imponohet me veprat e tij në dobi të njerëzve. Ky dervish vërzhezhalli,e ngriti teqenë në majë të Kulmakut (1500 m mbi nivelin e detit) dhe kjo teqe u bë strehë e çdo nevojtari që e zinte rruga andej pari. Kjo “teqe” u bë si ai “fari” për marinarët. Dervishi dërgonte një nga të tijtë që deri sa errësira mbretërone, tundej një fener për t’u treguar “portin” ku do strehoheshin.
Ka ngritur me shpenzimet e veta tetë puse ujë, 10 çezma; disa rrugë, disa ura dhe disa sofate për çlodhje në vendet ku mblidheshin njerëz. Ajo që ia rrti karizmën këtij kleriku se, po të duash t’i hedhësh në hartë, gjeografia është tej kuifijve të Skraparit.Ajo shtrihet në fshatrat e Korçës e Kolonjës; në Përmet dhe deri tek ura e Mifolit në Vlorë. Nuk ka qenë as inxhinier as arqitekt dhe as ixhinier hidrik, por u ka dhënë emrin jo si fetar, por kishte dhuntinë për t’u shërbyer njerëzve.
Pse qe i tillë, ai kur vdiq (gjeshtisi,në terminologjinë bektashiane) u përcoll nga qindra e qinndra njerëz dhe u përjetësua në dhjetra këngë që këndohen jo vetëm në trevat e Skraparit, por kudo ku ka vënë këmbën ai. Shumë nga veprat etij, kanë marrë emrin e tij,si:pusi i Dervish Iliazit; çezma e Dervish Iliazit; ura… rruga etjera.

* * *
… dhe vijnë batuat:- Po me urën ç’patën,xhanëm? Kjo batutë më vjen parasysh, se barbarët që nuk njihnin skrupuj, në vitin 1967, e shkatërruan teqenë e Kulmakut dhe ç’është për të vënë kujen: eshtrat e këtij njeriu kaq të mirë, i shprëndan skërkave. Ndodhi si me eshtrat e Fishtës. Mesjeta ish zhvendosur pas dyqind vjetësh. Por ndodhën dashamirë që i mblodhën dhe i ruajtën,se e kishin si simbol të besimit dhe të dashurisë. Paradoksi qëndron në një fakt pak paradoksal: ky klerik bektashi qe dekoruar nga Presidiumi i Kuvëndit Popullor dhe, megjithatë, ia përdhosën varrin.
Në vitet e demokarcisë, Dervish Iliazi aliaz Nënë Tereza e Jugut siç e ka pagëzuar Xhevahir Spahiu, është shpallur “Nderi i qarkut të Beratit” dhe “Nderi i Skraparit”.
Kaq nuk janë pak që të mos të të bëjë për vete një Klerik i tillë. Aq të imponohet sa nuk është pa vend të sjellësh një paralele me atë që i shkruante Profesor Çabej, Lasgush Poradecit:- Më duket se duke u njohur me Fisshtën, po bëhem katolik” dhe, ndaj them:- Po futem në “dollomanë” e tij. Dhe ndjehem mirë!
Ne Foto:Perparim Hysi

Tiranë, 8 maj 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: "Dervish Iljazi", i Gjergj Qafokut

FESTA KARAKTERISTIKE E MIDHJES, SARANDË 2015

May 8, 2015 by dgreca

Në organizimin e kësaj feste tradicionale ndihmoi dhe Ambasada e SHBA nëpërmjet USAID-it/
Nga Shefqet Kërcelli dhe Thoma Nika/
Ka hapur siparin më datën 8 maj në qytetin e Sarandës, festa më e re e qytetit, e quajtur festa e midhjes. Të pranishëm në këtë festë janë jo vetëm qytetarët sarandiotë, por dhe qytetarë nga
gjithë vendi, diaspora dhe turistë qe nuk ndërpresin së shijuari bukuritë e këtij qyteti jugor. Është viti i katërt që kjo festë grumbullon mijëra vetë në qytetin e dyzet shënjtorëve dhe ka fituar
zemrat dhe shijet kulinarike që të jep midhja për dashamirësit e saj. Tashmë festa e Midhjes përfaqëson një festë tipike të Sarandës.
Si erdhi kjo festë? Qytetarët sarandiotë e shihnin si boshllëk, që qytetit të tyre piktoresk, bregdetar, me port, turizëm e peshkim të zhvilluar ti mungonte një festë e vet, made in Saranda.
Për këtë u mor dhe shembull nga Festa e Birrës në Korçë dhe ajo e Verës në Pogradec. Me midhjen Saranda është rritur si qytet, ka 60 vjet që kultivohet e konsumohet ky frut deti, kur gjetkë as nuk njihej dhe as nuk hahej, edhe sikur t’ua falje. Argumentimin e zhvillimit të kësaj feste lokale e plotësoi dhe thënia e njohur në këto anë, që midhjen e etiketon si “Mbretëreshën e Liqenit” të Butrintit. Kjo feste i jep asaj dhe kurorën e Sarandës si mbretëreshë. Tashmë ka katër vjet, që Festa e Midhjes organizohet me këtë sllogan: “Midhja, mbretëresha e Liqenit, mbretëreshë e Sarandës”.Thelbi i kësaj Feste është që produkti i Midhjes të promovohet në qindra receta gatimi, të shijohet dhe të konsumohet në komunitet. Njëherësh kjo ka shërbyer që të promovojnë aktivitetin e tyre edhe biznesi vendas e ai i ftuar, nga brenda e jashtë vendit, si Korfuzi etj.
Kur themi midhja, ajo nuk konsumohet e vetme, por duhet të nënkuptojmë edhe promovimin e prodhimeve të verës apo të kompanive prodhuese të birrës, që janë vënë në mbështetje të Festës
së midhjes. Një bashkëshoqëruese shumë natyrale, është pjesmarja në këtë festë e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit, me mbështetjen e USAID dhe Ambasadës së SHBA. Është i dyti vit që jepet kjo mbështetje, e cila i jep një tjetër dimension festës së Midhjes. Në këtë festë pjesmarrësit për herë të parë po shijojnë dhe akulloren me vaj ulliri të përgatitur nga një
kompanitë më në zë të prodhimit të vajit të ullirit në Sarandë. Sigurisht që festa e Midhjes ka mjaft partnerë nga bisnezi shqiptar, ku kompania e kulinarisë shqiptare “Neranxi”, zë vend
kryesor në panairin e Midhjes. Gjithashtu krahas biznesit në mbështetje të aktivitetit janë Shkolla e Hotelerisë dhe institucionet në varësi të Bashkisë, si: konvikti i shkollës së mesme profesionale, Qendra Polivalente. Shtëpia e Fëmijës etj, të cilët dalin në shëtitore me gatimet e tyre me shume fantazi. Edicioni i sivjetëm ka dhe disa risi që po organizohet me një cilësi të re dhe një performancë shumë më të mirë. Në festë merr pjesë dhe Master Chefi i Kulinarisë “Neranxi”, që po të gatuan direkt për pjesmarrësit. Është duke u zhvilluar një mikrokonkurs me nxënës, konceptuar si një garë se kush do të konsumojë më shpejt një sasi të caktuar midhjesh dhe për këtë juria përkatëse do shpallë fituesit. Fituesit do të marrin simbolikën e midhjes, sipas nivelit, të gdhendur në allçi apo të derdhur në bronz, me nënshkrimin e Bashkisë. Ndërkohë në këto dy ditë feste do japë shfaqje cirku “Fantastic Show”, shoqëruar me animacione të ndryshme në fytyrat e fëmijëve, ndërkohë këngëtarë të shquar shqiptarë dhe nga Greqia do japin koncert me repertorin e tyre. Festa do të zgjatë dy dytë e tri netë, me tryeza panairi në shëtitore dhe degustime të midhjes dhe pijeve më të përdorshme për të shoqëruar gatimet e saj. Pra, Saranda po përjeton tre ditë festimesh në komunitet, sipas njjë tradite tashmë 4-vjeçare. Organizatorët janë kujdesur që këtë festë ta kenë si një parathënie për Festën tjetër të çeljes zyrtare të sezonit veror dhe të gjithë bashkëqytetarëve, vizitorëve, turistëve e miqve të shumtë që janë pjesmarrës e priten të vijnë i jepet kënaqësi dhe argëtim më 8 e 9 maj 2015. Festa e Midhjes është nga eventet më të rëndësishme të këtij qyteti thotë kryetari aktual i bashkisë, zoti Stefan Çipa.“Është një nga kënaqësitë që i kam dhënë vetes në 4 vjet punë në drejtimin e Bashkisë së Sarandës, është një nga gjërat që më bën të ndjehem mirë sot, por edhe në të ardhmen, një gjetje dhe një vlerë që do të ketë vazhdimësi, pavarësisht kush do të jetë në krye të Bashkisë”- shprehet zoti Çipa.
Pas këtij eventi të rëndësishëm Festa e Midhjes do zhvendoset në kryeqytetin e Kosovës, me slloganin “Midhja-mbretëresha e Sarandës, Princesha e Prishtinës”.
Po kështu, ka plan bashkëpuni me Bashkinë e Opatisë, në Kroaci, që të cohet dhe atje kjo festë me simbolikë të veçantë. Edicioni i katërt i kësaj feste ka rëndësi të vecantë në fushën turistike, të kulinarisë por dhe atë ekonomike. Ky edicion ka impakt në hapjen e tregut europian për midhjen shqiptare, pasi eksporti qëndron i bllokuar që prej vitit 1994. Midhja shqiptare tërheq vëmendjen dhe interesimin e tregut të vendeve europiane, por rruga drejt tij ka mbetur e mbyllur për 21 vjet. Nga analizat, midhja e Butrintit del e pastër nga sëmundjet dhe nga ngarkesat mikrobike, apo nga mbetjet e tjera toksike, por pritet reagimi i strukturave të BE për zhbllokimin dhe rinisjen e eksportit. Specialistët thonë se në rajonin e Sarandës nuk ka ndonjë lloj industrie kimike, që të ketë derdhje në det apo në liqen a në lumenjtë tanë, që të shkaktojë ndotje të prodhimit dhe se ujërat tona janë të pastra, ndaj sipas tyre, kjo embargo kaq e zgjatur është kthyer në një absuditet. Edhe vendi ynë laget nga deti Adriatik e Jon, sikurse Italia e Greqia!?
Ato prodhojnë e eksportojnë midhje pa problem, nganjëherë duke mos e pasur prodhimin e midhjes kaq të shëndetshëm sa tonin, ndërkohë që ne vuajmë një lloj embargoje të heshtur. Llogaritet që, po të jepet OK nga BE, mund të jepen 40-50 mijë kv midhje drejt tregjeve europiane. Nga pamundësimi i eksportimit të midhjes, ekonomisë sonë i humbasin të paktën 40 mijë USD në vit. Kapaciteti prodhues është për 50 mijë kv, ndersa aktualisht nxirret vetëm 12-15 mijë kv. Konsumi në vend është në nivele minimalë. BE ka investuar 600 mijë euro për impiantin e përpunimit, duke ngritur impiantin e depurimit (pastrimit) të midhjes në vendin e quajtur Manastir, ndërkohë që nuk po bëhet asgjë për eksportin. Ndaj festa e midhjes merr përmasa më të mëdha se kaq, ky aset me vlere kërkon mbështetjen e institucioneve përkatëse shtetërore që prodhuesit tanë të jenë të barabartë me ata fqinj dhe ekonomia jonë të fitojë shanset e humbura.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Festa e Midhjes, Sarande 2015, Shefqet Kercelli, Thoma Nika

SHOQATA” SHQIPE E ARIZONES” mE BORD TE RI

May 8, 2015 by dgreca

SHOQATA SHQIPTARO-AMERIKANE”SHQIPE E ARIZONES”ZGJODHI BORDIN E RI DREJTUES PER MANDATIN TREVJECAR(2015-2018)/
Nga:Lulzim MULLIQI/
Ndonese,kane kaluar me shume se dy muaj nga zgjedhjet e pergjithshme te mbajtura ne Komunitetin shqiptaro-amerikan te shtetit te Arizones,vetem keto dite u be konstituimi i organeve te reja drejtuese te kesaj shoqate.Ketij qellimi I sherbeu mbledhja e radhes se shoqates,e cila u mbajt ne njeren nga zyrat e bashkatdhetares,Paulina Kalaj ne qytetin Scottsdale te shtetit te Arizones.Me kete rast eshte bere konstituimi I organeve ekzekutive te Bordit te ri drejtues te kesaj shoqate per periudhen trevjecare,2015-2018.Kete mbledhje te rendesishme te kesaj shoqate e shpalli te hapur kryetari ne largim,Skender Bajrami,I cili ne fillim I pershendeti te gjithe pjesemarresit e ketij takimi dhe me pas ,ai prezantoi disa veprimtari qe kishte kryer kjo shoqate ne keto tre vitet e fundit si: Ne organizimin e festave te Pavaresise se Shqiperise si dhe te Pavaresise se shtetit te ri te Kosoves.Me pas, zoti Bajrami propozoi dy pika te rendit te dites :1)Zgjedhja e organeve te reja drejtuese te shoqates”Shqipe e Arizones” dhe 2) Ceshtje te ndryshme.Ne kete veprimtari,ku pati nje
pjesemarrje te konsiderueshme anetaresh,u fillua me nje ore vonese dhe me disa mospajtime rreth interpretimit te rregullores se punes mbi zgjedhjet e reja dhe mandatet e percktuara me kete rregullore.Me kete rast,kryetari I komisionit zgjedhor,gazetari Lulzim Mulliqi,sqaroi disa paragrafe te kesaj rregulloreje te punes,te cilat mundesuan nje proces zgjedhor sa me transparent,duke I dhene gjithkujt te drejten e kandidimit dhe te votimit.
Me pas,u kalua ne procesin e votimit per kryetar te Bordit te ri drejtues,ku garuan tre kandidatet per postin me te larte te kesaj shoqate.Pas verifikimit dhe numerimit te fletevotimeve,kryetar I ri I Bordit drejtues te shoqates u zgjodh,z.Burim Gashi,nenkryetare-z.Diellza Hoti-Shkodra dhe perfaqesuese e thesarit per mbikqyerjen ekonomike te shoqates,z.Paulina Kalaj.Ndersa, detyren e sekretarit te shoqates perkohesisht deri ne mbledhjen e ardhshme do ta ushtroje,Lulzim Mulliqi,detyre te cilen ai e ka ushtruar edhe ne mandatin e kaluar trevjecar.Ne fund te kesaj mbledhje konstituive te organeve te reja drejtuese te shoqates shqiptaro-amerikane “Shqipe e Arizones”e mori fjalen edhe kryetari I sapozgjedhur,z.Burim Gashi,I cili prezantoi para te pranishmeve drejtimet kryesore dhe objektivat prioritare qe do ti ndermarre Bordi I ri I shoqates ne periudhen e ardhshme trevjecare.Poashtu,ai u zotua se diturine,energjite dhe pervojen e fituar ne institucionet arsimore amerikane nga sfera ekonomike dhe e biznesit do ti vere ne sherbim te komunitetit shqiptaro-amerikan te Arizones dhe ceshtjes shqiptare ne pergjithesi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: bord i ri, Lulzim Mulliqi, Shqipe e Arizones

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT