• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2015

BRITMA…

May 6, 2015 by dgreca

Replikë Spiro Janaqit alias Ilir Hoxholli/
Nga Arben LLALLA/
Në paraqitjen e fotografisë së deputetit të PS, Ben Blushi, unë kam shkruar:
Deputeti i PS, Ben Blushi në strehën e organizatës ekstremiste antishqiptare SFEVA( Bashkimi i Studentëve për Çlirimin e Vorio Epirit), në qendrën e Vatrës Epiriotase. Themelues i SFEVA është Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, më 1982. Në këtë sallë ku është fotografuar deputeti Blushi zhvillohen aktivitetet e shumta me tema për aneksimin e jugut të Shqipërisë (Autonomia e Vorio Epirit). Në krahun e majtë të deputetit Ben Blushit është Spiro Janaqi, anëtar i kryesisë të organizatës OMONIA-dega Selanik.
Pra, nuk jam marrë se kush janë njerëzit e tjerë dhe cilës parti i përkasin, por kam thënë qartë dhe saktë se fotoja është bërë në strehën e SFEVA, atje ku organizohen aktivitetet antishqiptare. Në reagimin e tij të vrullshëm, Spiro Janaqi alias Ilir Hoxholli, djali i ish oficerit ushtarak Yqmet Hoxhollit, i njohur pas vitit 1992, Aleks Janaqi nuk na jep të dhëna vendin se ku kanë dal në fotografi, por vjell vrer, shpif duke tentuar të ulë autoritetin tim si njeri, historian dhe publicistë i pavarur. Është për të ardhur keq kur mëson se kryetar i PS, dega Selanik qenka një njeri me fjalor kaq të ulët dhe ofendues. Në deklaratën e tij Spiro Janaqi shkruan se jam me 7 klasë shkollë, ky lloj sistemi shkollor i përket viteve 1950, shkruan se më kanë përzënë nga Greqia. Por të gjithë jemi dëshmitar se Greqia shpall NON GRATA, çdo shqiptar që mbron dinjitetin e tij kombëtar. Spiro Janaqi, shkruan se në Maqedoni më kanë shpallur Person të Rrezikshëm, kjo është më se e vërtetë se jam shpallur disa herë nga MPB të Maqedonisë, por jo me akuzë se jam hajdut, vrasës, narkoman, por sepse familja ime ka qenë pjesëmarrëse direkt në UÇKosovës dhe UÇKombëtare. Për këtë ne jemi krenarë që na u dha mundësia të japim kontributin tonë si familje, ndoshta rast të tillë s’do na vij më në këtë jetë.
Z.Janaqi alias Hoxholli, më akuzon se qenkam njeri i SHIK në Greqi, por harron se në kohën që kam jetuar në Greqi ska patur SHIK, por SHISH. Familja Janaqi alias Hoxholli kanë probleme me sigurimin e Shqipërisë, këtë ata duhet t’ia kërkojnë këtij Institucionit dhe jo Arben Llalla. Nëse vërtet do të isha SHIK apo SHISH, unë do të isha krenar sepse do jepja kontributin tim në ruajtjen e integritetit territorial të vendit tim, Shqipërisë. Asnjëherë në jetën time nuk kam shkruar shkrime për inate personale, nuk kam probleme personale me askënd, as me Greqinë, as me Maqedoninë, as me dreqnin, por këtë herë Spiro Janaqi po më detyron të them disa gjëra të viteve të shkuara. Spiro Janaqi bënë mirë të na tregoj se ku shkuan ndihmat që ai dhe babai i tij mblodhën më 1999 për refugjatët e Kosovës? Përse SHISH më 1999(ishte PS në pushtet, partia e Janaqëve) e thirri në bisedë informative Aleks Janaqin, babanë e Spiros? Në cilën uzinë sekrete ushtarake në Greqi ka punuar Aleks Janaqi? Ju Spiro Janaqi jeni anëtar i organizatës OMONIA, këtë përse e mohoni? Më vjen për të vjell kur po ju bëj këto pyetje, por nëse keni diçka për shpifje mund ti drejtoheni Gjykatës së Republikës së Shqipërisë, shtetas i cili jam unë, ju keni nga dy shtetësi dhe dy identitete.
E pash të arsyeshme të shkruaj këtë herë për çështje personale e cila nuk ishte e tillë sepse kohëve të fundit shumë presione dhe telefonata kam patur në lidhje rreth fotove dhe shkrimeve që kam shkruar, duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Ilir Hoxholli, Spiro Janaqi

INJORANCA ËSHTË NËNA E GJITHË TË KËQIJAVE!

May 6, 2015 by dgreca

Opinion nga Fadil LUSHI/
Një ditë një miku im më tha se fqinji i tij kishte “dalë fare nga mendtë”. Sabah e aksham i shqetësuaka fqinjët e apartamentit ku jeton dhe për këtë, padrejtësisht, e kishin konceptuar si “jashtëqitja e mëhallës së tyre”(!?). Ky sa herë që i bën “hesapet pa hanxhiun”, aq herë nuk i dalin ato dhe, kur nuk i dalin, aq herë kalamajve të tij ua shanë nënën…, por zonja e tij e nderuar, ia kthen përgjigjen e mprehtë, të goditur dhe të menjëhershme: “Të marrsha të keqen! Hajt, mos i gënje fëmijët dhe mos u ushqe me shpresa të kota e të vdekura!”. Ky fqinji, disa ditë më parë, pa “arsye ishte preokupuar” me atë pankartën e Ernesto (Che) Guevara-s që e kishte parë diku te sheshi “Shkupi 2014” gjatë protestave të organizuara nga punëtorët dhe anëtarët e sindikatave të Republikës së Maqedonisë, me rastin e 1 Majit. Kur ky “preokupim nuk i kishte mjaftuar”, ishte dalldisur me “punët” e kryeparit të partisë politike në opozitë gjegjësisht, të partisë së Lidhjes Socialdemokrate të shtetit biblik, në veçanti me “bombat a patatet verore, të ziera, të pjekura, të fërguara dhe të skuqura të tij”, mandej kishte vendosur të “fusë hundët” a të merret edhe me “emrat e mysafirëve të ftuar” në punimet e kongresit të VMRO-DPMN-së, si dhe me kandidaturën e kryeparit të saj, në detyrë…, ishte dalldisur me “panoramën fizike” të ca lëneshave si dhe të njerëzve të pasur, po edhe të atyre në nevojë…, ishte dalldisur edhe me faturën e qirasë së shtëpisë si dhe me atë të rrymës që “gabimisht hesapin ia kishin futur a rrasur deri në kurriz”(!?). Kur edhe gjithë këto “dalldisje nuk e ngopën“, filloi të merret me dertet dhe me fukarallëkun e miletit, ra në konflikt me vetveten si dhe me politikanin e zonës së tij, i cili vite me radhë, me premtime boshe, kinse ia paskësh përbuzur votën e tij të shitur, të blerë, po, në doni thuajeni, edhe si të shituar!? Për këtë arsye, dhe të tjera të tilla, kishte lënë pas dore të gjitha “detyrimet” e tij…, se me çfarë detyrash (shtëpiake) ishte i ngarkuar një dreq e di. Një gjë e dimë se kur duhet të shkojë në pazar, ai “ frekuenton mejhanen e Xhelo qufarit”(!?), që gjendet diku në Çarshinë e Epërme të “katundit poteremadh”(!?) të Tetovës.
Miku im nuk ndryshon nga mendja e fqinjit të tij. Edhe ky ka një dërrasë mangët, ndonëse vend e pa vend çan kopalla!? Sa herë që më takon, muhabetin e fillon me shamatë dhe me ca shprehje anadollake. Kur do të të përcjellë ndonjë haber që i dedikohet armikut të tij, e bën ashtu si në gjumë, të krijon përshtypjen se e ka gjumin si të pleshtit dhe kur ta thotë haberin, nuk e koncepton tamam. Më thotë se ishte “ngatërruar më kot” me Blendin gjegjësisht me Fevzon si dhe me emisionin e tij OPINION!? Kur i parashtrova pyetjen se ç‘pate me të, ma ktheu: “Ja, po ta shpjegoj vakinë. Fevzoja në emisionin e së mërkurës u bëri tarafllëk femrave të bukura shqiptare që nga vakti i mbretit shqiptar, Ahmet Zogolli e deri më sot. Në atë mbrëmje atij sikur i paskësh munguar burrëria shqiptare, kinse tek ai nuk ishte hetuar ai shovinizmi mashkullor, kinse i kishte munguar fytyra dhe ai zëri i malësorit, sikur i kishin munguar mendimet dhe zakonet patriarkale…, sikur i kishte munguar ajo fryma e kohës së vjetër e të tjera”(!?). Një ditë “ishte ngatërruar edhe me ekologjistët katundarë(!?) dhe ashtu troç u kishte thënë: Ç’u zë zori juve për ajrin e ndotur të kasabasë sime…, ç’u hyn në punë juve trafiku i ngarkuar i lagjes sime”(!?). Filloi të ngatërrohet edhe me mua, kinse, sipas fqinjit të tij, shkrimet i mia paskan qenë “nekrologjike, të sajuara, shkrime që përcjellin lajme të njohura dhe mbase edhe të absolvuara”(!!). I thashë t’i bënte të fala fqinjit të vet se unë, “filan fistaku”, do të shkruaj për aq kohë sa do të frymojë inati i tij prej shqiptari dhe për aq kohë sa ai do të jetojë aty pranë mëhallës sate…, do të shkruaj për aq kohë sa atij nuk do t’i hynë në punë dertet dhe sikletet e të tjerëve. Si duket, ky miku, sikur ra dakord me “konstatimet e mia” dhe më tha nëse do vazhdoja të shkarravisja, atëherë të shkruaja edhe për atë mbledhjen e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë. Sikur desha t’i them se kjo është paksa e sikletshme, aq më tepër kur “Rijaseti në mbledhjen e vet të fundit kishte vendosur që të shkarkojë nga posti myftiun e qytetit të…, N.N., sekretarin e përgjithshëm në BFI, N.N. dhe N.N nga Myftinia e N.N. Mosmarrëveshjet në BFI lindën pasi ish-myftiu nga…, N.N., dyshohet se ka keqpërdorur një kredi prej “xxx” mijë eurove që është marrë në emër të BFI-së”(!?). Nëse miqtë e mi të lartpërmendur, tok me mua, “prodhuan ca lajme të papërfillshme”, ky lajm që do e lakojmë në vijim nuk mund të thuash se është i parëndësishëm, sidomos kur hetohet tash a në vigjilje të Muajit të bekuar të Ramazanit. Sot e gjithë ditën e Perëndisë asnjeri nuk mund ta anashkalojë këtë lajm që del nga një institucion, sa human po aq edhe emancipues, një institucion që nuk është dosido, një institucion që nuk është i “rezervuar” as për azilantë e as për klandestinë…, një institucion që është i vetmi që nuk njeh, po edhe nuk i nënshtrohet tranzicionit tonë politik të bezdisshëm dhe të pafund, është i vetmi institucion pa pronarë, është një institucion në hapësirat e të cilit, nuk ka dhe as që mund të ketë vend për njerëz me moral të dyfishtë, nuk është një institucion ku mund të futesh fukara e të dalësh me xhepa të thellë, është një institucion që nuk njeh parti politike, që nuk njeh as shtet e as qeveri…, që nuk është në vartësinë e…, është një institucion që njeh Zotin dhe që i nënshtrohet fjalës së tij, është një institucion ku përcillen mesazhe të solidaritetit, institucion që nuk njeh fjalën e rreme dhe as të shtrembëruar. Nëse dikush edhe në të ardhmen do të mëtojë ta nënshtrojë këtë institucion, atëherë e meriton atë thënien e psikologëve, ku, pos të tjerash, thuhet: “Injoranca është nëna e gjithë të këqijave!”. Ne i besojmë këtij konstatimi të psikologëve, sa për të tjerët nuk dimë!?
Ata që merren me të kaluarën do të thonë se historitë e shpëtimit të shqiptarëve, sipas një mendimtarit tonë të madh, kanë këto rrjedha: “…, ne shqiptarëve nga greqizimi na shpëtuan romakët, nga latinizimi na shpëtuan bizantinët, nga sllavizmi respektivisht nga “grykësia imperialiste sllave” na shpëtuan turqit dhe, së fundi, na shpëtuan amerikanët bijat dhe bijtë më të mirë kosovarë. Unë jam kureshtar ta di se kush do ta rrënojë atë kështjellën e “perandorisë së inateve tona patologjike e histerike”(!?). A mos vallë ky shtet me gjithë “insanatin” e vet është shndërruar në spital neuropsikiatrik a në Bardovcë…, (duke futur në këtë strajcë edhe artikullshkruesin, mikun tim dhe fqinjin e tij).

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Injoranca

PO NUK ZURI VEND PRONA-NUK ZE VEND SHTETI

May 6, 2015 by dgreca

“ DUKATI KA TË DREJTË“/
“Dukati ka te drejte”-Këtë shprehje e ka thënë me gojën e tij, në vitin 2001, kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, sot Kryeministër. Në atë kohë djemtë e Dukatit, të rrethit të Vlorës, për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues , përlesheshin me gurë me policët e armatosur të forcave speciale të dërguar nga ish kryeministri Sali Berisha. Unë Nuro Kulluri , pronar autokton në fshatin Dukat, sot në moshën 80 vjeç kam provuar dhe përjetuar gjithçka ka ndodhur në fshatin tonë dhe nuk mund të rri i heshtur dhe të largohem nga kjo jetë pa i thënë porositë e mija ashtu si i mendoj.
Dukati ka të drejtë të marë kur kërkon që secili të marrë pronën e tij. Janë ato prona që diktatura e Enver Hoxhës i grabiti me ligjet e diktaturës së proletariatit dhe Sali Berisha, donte t’ja falte Berluskonit për të ngritur bizneset e tyre. Janë po ato prona ku arkeologët thonë se të parët tanë, kanë qënë aty prej 10.000 vjetësh dhe dokumentat thonë se ata kanë mbajtur deri 150.000 kokë dhen e dhi dhe qindra gjedhe dhe prodhimet e tyre i eksportonin ne Brindizi. Janë po ato prona të dukatasve autoktonë, të cilat prej 20 vjetësh politikanët po synojnë ti quajnë prona publike, me hilenë lakmiqare që me to të kënaqin veten dhe miqtë e tyre. Janë po ato prona që mbajnë brenda vetes varret si dhe mijëra ton kocka të pronarëve të tyre autoktonë. Malet, bregoret dhe fushat tona kanë dëgjuar nga pronarët vendas meloditë e bukura baritore dhe kanë përjetuar shumë histori njerëzore, të cilat nuk i beson kollaj kur ti tregojnë.
Mohimi i pronës është mohim i dinjitetit njerëzor dhe mohim i atdheut. Padrejtësia e filluar me ligjin 7501, duhet të korigjohet, përndryshe vazhdimisht do të ketë korrupsion, konflikte, tensione sociale gjakderdhje , jetë të humbura. Ju lutem ju dhe kryetarëve të tjerë të majtë apo të djathtë, që ta dëgjoni edhe fjalën time se po merrni popullin në qafë. Ata që kanë përfituar e dijnë mirë se janë në pronë të botës, por vazhdojnë ta mbajnë pronën e tjetrit duke u justifikuar vetëm me faktin se atë pronë ja ka dhënë ligji dhe shteti. Por ku e gjeti Shteti atë pronë? Shumë mirë që kërkoni transparencë për pasurinë e politikanëve por pse nuk kërkoni transparencë për pasuritë që pretendohet se janë të shtetit kur ato asnjëherë nuk kanë qenë pasuri të shtetit. Prona, nuk fitohet me grabitje dhe as me legalizime, aq më tepër kur është pronë që ka zot. Atëhere pse Kuvendi nuk po e bllokon padrejtësinë me pronën? Ju keni detyrimin të bëni një ligj të vetëm dhe të drejtë ashtu siç thotë dhe Kushtetuta në nenin 41 dhe me këtë ligj të korigjohen paudhësitë e bëra pas vitit 1991.

Zoti Servet Pëllumbi , me vonesë por bëri shumë mirë, që e deklaroi publikisht politikën e Katovicës që është zbatuar pas vitit 1991 prej Ramiz Alisë me veglat që caktoi në krye të forcave politike. Qeveria e 1991 kishte detyrë të çrrënjoste diktaturën komuniste. Kjo do realizohej nëse do të ishte zbatuar Satuti i kooperativave bujqësore, që ngriti diktatori Enver Hoxha. Aty thuhet se në rast se kooperativa prishej çdo familje merr pronën që ka futur në kooperativë . Në 1991 deputetët duke shkelur mbi parimet morale dhe të drejtën, miratuan ligjin 7501, ligji më djallëzor që po e shkatërron Shqipërinë. Siç është deklaruar edhe në Kuvend, nga ju zoti Kryeministër dhe deputetë të tjerë, anarkia e pronës ka shkaktuar mbi 8000 viktima. Në breza dukatasit janë shquar si njerëz të ekuilibruar. Dukati një fshat i dalluar për respektimin e traditës ka filluar të ndjejë pasojat e këtij ligji. Janë ligjet që nuk e kthejnë pronën tek i zoti ato që , po e thyejnë traditën e nderit dhe të korrektësisë që është respektuar në breza. “Dukati ka të drejtë“ Të gjithë ne që jemi bij të këtij vendi e dimë mirë këtë, por këtë e harrojnë të zgjedhurit tanë menjëherë pasi bëhen deputetë. Pse? Mos vallë të drejtën tonë për pronat e trashëguara duhet ta kërkojmë nga SHBA , Gjermania, Italia, Greqia, Turqia, Beogradi, Moska apo kryetarë shtetesh të tjerë. Ata dhe Strasburgu është mjaftuar me vendimin Pilot por atje me siguri bëhen raportime krejt të zbeta dhe ata nuk mund ta imagjinojnë situatën e rëndë që është krijuar për shkak se shteti për 25 vjet po vazhdon të mashtrojë me fasadën e kompensimit dhe po vepron me ligje që shkelin detyrimet kushtetuese.
Nga këto ligje të padrejta po përfiton batakçiu dhe i pandershmi, por i ndershmi revoltohet. Ne jemi të revoltuar , por po presim se revolta sjell pushkën dhe pushka merr jetë njeriu, por kjo nuk na pëlqen se kështu humbasin të gjithë shqiptarët dhe mbyllen dhe dyert e Evropës.
Kemi nuhatur se Qeveritarët po hedhin sytë nga kullotat e maleve të Dukatit. Dihet se aty Shteti nuk ka prona dhe aty pronësinë e kanë familjet autoktone të dukatit. Po të jetë nevoja burrat e Dukatit flasin të gjithë me një zë dhe rreshtohen të gjithë me një komandë të vetme. Zoti Rama : bëhuni burrë shteti dhe kuptoni realitetin, mos na shtyni në luftë civile se do të ishte fatalitet për të gjithë Shqipërinë dhe Kombin tonë. Ky palo pluralizëm kriminal që po bëhet 25 vjeçar duhet të ketë respekt për Dukatin dhe dukatatasit që janë 10.000 vjeçarë në ato male.
Dëgjojmë të thuhet se nuk ka dokumenta pronësie. Kjo nuk është e vërtetë. Është e sigurtë se pushtuesit turq dhe ata italianë, i kanë regjistruar pronat e shqiptarëve. Mbreti Zog ngriti një kadastër shumë të rregullt për kohën, por edhe diktatori Enver Hoxha i ka regjistruar të gjitha pronat që shtetëzoi pas vitit 1945. Pra Shteti i kishte dhe i ka dokumentat e pronave të shqiptarëve. Nëse në krye të shtetit dhe në Kuvendin e Shqipërisë, do të kishte shqiptarë të ndershëm, nuk duhej të miratohej ligji 7501, por një ligj që pronarët të dorëzojnë kërkesën dhe të jetë detyrim i shtetit që duke hapur arkivat ti kthejë në origjinë pronat e grabitura nga diktura. Nëse tek drejtuesit e derisotëm ndërgjegja kombëtare është mposhtur nga nxitja për para dhe përvetësim, kjo le të bëhet sot. Asnjëherë nuk është vonë për të korigjuar gabimet. Kjo është detyra kryesore e njerëzve të zgjedhur.
E kuptoj zoti Kryeministër revoltimin tuaj nga situata dhe uroj me gjithë zemër që ju të dëshironi me sinqeritet të bëni shtet ligjor. Atëhere , hapini arkivat, kadastrat dhe regjistrat e shtetëzimeve dhe ktheni në origjinë pronën tek i zoti. Pronarët nuk duan kompensim. Kompensoni ata që shkelën ligjin por pronarit kthejani tokën babait të tij. Por keni dhe një rrugë ndihmëse – mblidhni fshatin se dukatasit e dijnë se ku janë kufijtë e secilit dhe jepuni dokumentat e reja të pronave ashtu siç i kërkon koha e sotme moderne. Ju garantoj se në shumicën e rasteve në të gjithë Bregdetin pronarët i dijnë kufijtë e pronave të tyre. Në rastet ku ka vështirësi ose kufitarët nuk e gjejnë dot gjuhën e përbashkët duhet ndërhyrje Shteti me dokumentat që Shteti i disponon. Reforma që presim nga ju është që secili të gëzojë pronën e tij të trashëguar sa është i gjallë. Por kjo do të kundërshtohet nga të babëziturit apo të shiturit të ulur si deputetë në Kuvend , ata si puna e ujkut pëlqejnë mjegull për të shqyer dhe grabitur më lehtë.
Zoti Edi Rama Ju jeni shprehur se “Dukati ka të drejtë“ Kryeministrat pas vitit 1991, kanë lënë gjurmë negative dhe do mbahen mend si gënjeshtarë të mëdhej që e mashtruan popullin, që sabotuan demokracinë dhe i futën familjet shqiptare në konflikte dhe në gjak me njëra tjetrën. Si asnjë herë në historinë qindra shekullore të këtij vendi konflikti për pronën është futur edhe brenda famijes. Gazetat japin shpesh lajme të tilla. Zoti Edi Rama, ne jemi larguar nga Sali Berisha sepse ai mashtroi dhe punoi për tu pasuruar për veten e tij sipas udhezimeve të katovicës. Prona nuk ka vetëm vlerë si para, por është problem delikat që nuk mund të shlyhet me kompensime. Politika për pronat lidhet me fëmijët tanë dhe përcakton të ardhmen e kombit. Me politikën e kompensim/legalizimit, të nisur nga Saliu, brezi i ri, i lënë pa prona, si arixhiu pa atdhe do largohet nga vendi , sepse me forcën e shtetit prej 25 vjetësh, po i mohohet atdheu i të parëve. Kryeministrat pararendës, i kanë shtuar problemet që la pas diktatuta aq sa ndërkombëtarët ju venë si kusht dhe ju kërkojnë ju që t’a dekriminalizoni Shtetin. Ata kanë të drejtë por kanë edhe detyrim të orientojnë se nëse dekriminalizimi nuk fillon me drejtësinë mbi pronën edhe ju do të dështoni edhe me shumë se Sali Berisha. Me kompensime dhe legalizime Shqipëria do të vazhdojë të zhytet në kënetën e korrupsionit dhe në çorbën e politikës së mbrapshtë dhe antishqiptare të Katovicës që po vazhdon prej 1991, kur drejtonte Ramiz Alia. Ata që vijnë si reporterë të BE nga zoti Stefan Fyle deri tek gjermani Fleckenstain, duke qenë të edukuar ndryshe , mbase nuk arrijë ti kuptojnë në thellësi këto gjëra, por raportojnë për progress dhe lavdërojnë edhe kur Kuvendi bën ligje që shqiptarët të thellohen në anarkinë e Katovicës dhe të justifikohen kur vjedhin pronën e tjetrit. Kjo është e vërteta e hidhur.
Mos sakrifiko zgjidhjen e problemit të pronës për interesa elektorale . Turqina u bë shtet të fortë dhe shtet ligjor nga Qemal Ataturku, Italine e shpëtoi nga post fashizmi DeGasperi. Ju zoti Edi Rama keni mundësinë historike, që të ngrini themelin e shtetit demokratik nëse zbatoni parimin se “Prona e grabitur i kthehet të zotit” Zgjidhja bëhet me kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe kuptohet që edhe kompensimi duhet por kur bëhet fjalë për nevoja publike.
Kërkojmë të jeni shumë i kujdesshëm, i matur dhe largpamës. Siç themi në gjuhën e popullit: mat mendo e diskuto 7 herë dhe vendos e pre një herë. Drejtësinë e duan të gjithë, se drejtësia i qetëson të gjithë, ndaj duhet të vendosësh drejtësi duke filluar me pronën e trashëguar se kështu hapet dera që Shqipëria të pranohet në Evropë.
Me konsideratë dhe shpresë.
Nuro Kulluri

Filed Under: Opinion Tagged With: Dukati ka te drejte, Nuro kulluri

PSE 6 MAJ 2015 I REXHEP DEDUSHAJ ËSHTË NJË DATË E RE NË KALENDARIN E KOHËS?

May 6, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1. Secili ka datat e veta në jetën e tij, po kjo e 6 majit 2015 e shqiptaro-amerikanit Rexhep Dedushaj hyn dhe në kalendarin e kohës, ku prej vitesh janë aty dhe emri e veprat kombëtare të tij për Plavë-Gucinë e Pejën…. Kit’ datë të sotme të këtij historiani atdhetar nuk po e përveçoj privatisht për mirë, por e shenjon vet aktualiteti ynë shqiptar i vështirë. Është një datë që i duhet politikës kombëtare shqiptare, edhe në Kosvë, edhe në Shqipëri, edhe në trevat shqiptare nën Malin e Zi e nën Serbi, edhe në Maqedoni.
Po vjen historiani i njohur vuthjan Rexhep Dedushaj në një kohë dhimbjeje të madhe kur me mijëra shqiptarë të Kosovës po largohen këta muajt e fundit nga toka e tyne genetike. Po ikin nga toka, nga deti, nga ajri. Kahmos. Me gjithçka. Gjithkund. Po ikin nga politika “ku-ku” e Kosovës, nga sofra e unjtë, nga arat e pambjella, nga rrugët papunë…Kjo është një tragjedi, pasi më 1998-1999 shqiptarët e Koosvës i përndjekte Millosheviçi për spastrim etnik e tashti po e përndjekin vetëveten…Realisht sotpërsot Kosova është shteti ma i përndjekur i Europës kontinentale e ishullore. Kontributi i madh i Europës dalëngadalë me qëndrimet e saj vitpasviti po përkthehet tashma dhe ndryshe: në një turp të ri të saj, e për disa shtete të saj si një “orgazmë” politike e shovene…! E nejse, fjalën e kishim tek ikjet eksodike. Tek braktisja e madhe e Kosovës së vogël. Dhe jo vetëm e saj…po edhe Plavë-Gucia e tij nën Malin e Zi.

Po vjen atdhetari shqiptar Rexhep Dedushaj në një kohë të vështirë për Kosovën, e cila – sipas të dhanave të CIA-s në publikime të saj zyrtare – renditet shteti më i varfër i Europës së Bashkuar e Të Ndarë. Përndryshe: një nga 25 shtetet ma të varfëra të botës për vitin 2014. Kosova e ka 53.6 për qind indeksin e varfërisë, 8.3 për qind inflacionin, papunësi e shfrenuar, etj. Nga mërgata e saj në Europë e Amerikë janë pakësue dërgesat deri në 18 për qind të GDP të Kosovës.

2.
Për të gjithë ata që nuk e dijnë po them se Rexhep Dedushaj ka mbi një çerek shekulli në Amerikë. Saktësisht: 27 vjet. Ka shkue 41 vjeç e po kthehet 67 vjeç, pikërisht më 6 maj, në përvjetor të lindjes së tij. E ka përzgjedh datën e kthimit dhe, njëherash, kjo datë e përzgjodhi atë. I vështirë rikthimi: planeti Amerikë i magneton edhe gjermanët me ndejt përjetsisht aty e jo ma shqiptarët në Ballkan, që shumëkush kit’ gadishull (veçmas pjesën perëndimore) i sheh si “apendesit”…e (…eh’) shpeshherë iu ka kthye në “fuqi baroti” për luftra botërore e ballkanike.

Të gjitha ia dha Amerika qytetarit të saj dinjitar Rexhep Dedushaj përveçse Vendlindjen e tij, që është në Qarkun e hershëm të Pejës otomane e përfshinte Pejë, Plavë-Guci, Rrozhajë… Demokracinë e madhe, pasi Amerika është tempull i saj. Lirinë e plotë. Ndejen e mirë. Çekun e majmë. Shoqërinë e afërt e të gjanë, që vetëm disa ia njoh si Avdyl Dedushaj, Idriz Lamaj, Dema Balidemaj, Muharrem E. Hardolli, Naim Dedushaj e shumë të tjerë. Edhe mua tashti do më mungojë diçka jetësore shoqërore, i afërt e afirmativ, në Amerikë: Rexhep Dedushaj. Shpesh kur kujtoja Amerikën më vinte në mendje dhe Rexhep Dedushaj, e ka’i’herë takoheshim nga afër prej së largit, në mure e dritare të Facebook të Mark Zuckerberg. Ka’i’herë edhe i kena dhanë vurmak fjalës ndërveti e shpesh e ma shpesh ishte si një “katedër” për historinë e Plavë-Gucisë ku unë e ngreja dorën për pyetje e i rrija “me laps e letër” në dorë, telefon e facebook, e-mail.

Rexhep Dedushaj kur iku më 1989 për në Amerikë ishte mësues i landës së historisë në shkollat shqipe të Pejës me rrethina e, tashti, po kthehet prej andejna si historian me shumë libra monografik si “Krahina e Plavë-Gucisë në shekuj”(1993) edhe në gjuhën boshnjake, me titull “Plavo-Gusinjska nahija vekovima” (2003),“Shpërngulja e shqiptarëve të Plavë-Gucisë” (1997), “100 vjet Luftë” (1999), “Si e gjeta dhe si e lashë shkollën shqipe në Prefekturën e Pejës” (2006), “Gjurmë mërgimtarësh” (2009), “Çung Tahiri i Vuthajve” (2013). “Komandanti me plumb në trup” (2014). E kjo ndodh në Amerikë, në vendin e lirive e mundësive të madhe. E kjo ndodh tek njerëz të rrallë si Rexhep Dedushaj, që e shkruajnë historinë e trollit të vet etnik, të Plavë-Gucisë e të Pejës…dhe mërgatës së tyne në Amerikë. Ai vjen me tetë libra me interes panshqiptar, kombëtar. Nuk është pak. Përkundrazi: shumë. Nderim! Mirënjohje!

3.
Edhe atje në Amerikë Rexhep Dedushaj, shqiptaro-amerikan, historian, atdhetar kombëtar, kudo e kurdohë e kishtë Shqipërinë me vete: me Vuthaj, Plavë-Guci, Pejë, Kosovë, Shqipëri, Preshevë, Shkup, Podgoricë, Çamëri…Ai është një nga shqiptarët që në mbi tre dekadat e fundit ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ka dhanë për kombin e vet, ka ndihmue në lirinë e Pavarësinë e Kosovës, ka ngritë zërin për të drejtat historike, etnike e demokratike të Plavë-Gucisë të okuptuar e aneksuar nga Mali i Zi shoven e diktatorial, etj. Shqipëria ishte në zemrën e ndërgjegjen e tij, në sytë e hapat e tij, në penën e veprat e tij, në demonstratat për Çështjen Kombëtare Shqiptare, në takime e biseda me shqiptarët e me personalitete amerikane. E rdëshmon këtë rikthimi i tij në Atdhe pas 27 vitesh, në ditën e lindjes së tij, në ditën e emnit të tij, më 6 maj 2015.
Rexhep Dedushaj, mastër i shkencave historike, është nderue për kontributet e tij gjatë kohëqëndrimit në Amerikë: Ëdekoruar nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës në Tiranë me Çmimin “Pjetër Budi” (më 28 maj 2008). Shoqata Atdhetare “Dibra” i ka dhanë “Mirënjohje” (më 7 mars 2005) si një mësues kombëtar, ndër 12 mësuesit e përzgjedhur nga të gjitha trevat shqiptare. Njihet e mbetet si një nga veprimtarët e njohur të Federatës Panshqiptare “Vatra” në Amerikë.
Sot, më 6 maj 2015, Rexhep Dedushaj po vjen nga Nju Jorku i Amerikës në Prishtinë të Kosovës me Pasaportë Amerikane, pasaportën e shtetit ma të fuqishëm të globit. Ai e ka dhe pashaporten tjetër: Pashaporten e Kosovës, shtet i ri në hartën e botës, me pasaportën e të cilit del deri në oborr të shtëpisë?! Europa e Bashkuar, që ka ardhë aty në Prishtinë e në krejt hartën e Kosovës në Flamur e deri tek Hymni memec i Kosovës, duhet me e ditë se është aty dhe për Kosovën, dhe për Serbinë…, po nuk duhet ta pranojmë që ta shohin Kosovën me sytë e njerkës, çeker, pasi deri më sot nuk po ia njeh Lëvizjen e Lirë në hapësirat Shengen, etj.?!

Tashti dy pyetje të përafërta ia baj ditës së sodit e kohës tonë shqiptare: Kush dhe Si do ta presin Rexhep Dedushaj në Kosovë?! A e veç njerëzit e gjakut e të pragut, a veç rremat bio-genetik të farefisnisë, a veç do’ shokë të tij të vjetër e të ri’?! Po shteti i Kosovës, shteti i Atifete Jahjagës, i Isa Mustafës, i Hashim Thaçit, i Ramush Haradinajt…a kanë me e prit zyrtarisht, veçmas apo në një ceremony të veçantë? Po Akademia e Shkencave e Arteve të Kosovës apo i vjen diçka nëpër mendje për historianin flokëthinjër e emërmirë Rexhep Dedushaj?! Po komuna e Pejës me kryetar të sotëm, të përkushtuarin Gazmend Muhaxheri, a ka me e prit’, qysh ka me e prit’, a i rri në hatër për mirë dhania e një mirënjohje këtij shqiptari atdhetar që rikthehet pas një çerek shekulli nga Amerika e përtej Atlantikut në Atdheun e tij, në Pejën e lashtë e të re, në Pejën mes Alpeve Shqiptare, ndërkohë që të tjerët, me mijëra, përditë, po ikin nga trojet e veta?! Politika kombëtare e Kosovës duhet ta vlerësojnë këtë akt, këtë veprim e veprimtari të historianit Rexhep Dedushaj, pasi 6 maji 2015 është një datë e re në kalendarin e kohës… E, në përmbyllje: Rexhep Dedushaj nuk po rikthehet si “hero i ditës”, po vjen natyrshëm si një shembull i mirë i kohës që i duhet shumë politikës sonë kombëtare kur eksodi në Kosovë, Luginën e Preshevës, Shqipëri, në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi dhe në Maqedoni ka marrë përmasa të pazakonta. Sigurisht, vlerësimi i këtij shembulli të thjeshtë e me forcë të madhe tregon se politika zyrtare shqiptare nuk është në “ekzil”, po është në tokën e vet, ka punon për kombin e vet. Se nuk udhëhiqet vetëm nga politikanët e lartë me programe afatore, nga policët që bllokojnë eksodet, po dhe nga forca e shembullit të mirë të ditës.
Ne foto: Rexhep Dedushaj ( i dyti – djathtas) me ish-ambasadorin amerikan ne Tirane, Rajersonin.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lushaj Ramiz, Rajerson, rexhep dedushaj

BOTIME NE VENDLINDJE-LIBRI “SHKOLLA NË DACAJ DHE NË BUXHOV (MALËSIA E ROZHAJËS)

May 6, 2015 by dgreca

LIBRI “SHKOLLA NË DACAJ DHE NË BUXHOV (MALËSIA E ROZHAJËS) 1943-2013” I HAXHI LAJÇIT, ËSHTË DËSHMI E JETËSËS DHE E QËNDRESËS/
Shkruan: Mehmet Bardhi/
Ditën e shtunë, më 25 prill 2015, në sallën e teatrit ‘’Istref Begolli’’ në Pejë, me një organizim të shkëlqyeshëm, në sallën përplot me dashamirë të librit, u përurua libri i autorit Haxhi Lajçi ‘’SHKOLLA NË DACAJ DHE NË BUXHOV (MALËSIA E ROZHAJES) 1943-2013’’.
Autori, Haxhi Lajçi, në këtë libër në mënyrë kronologjike paraqet rrugëtimin e shkollës në Malësinë e Rozhajës, të shkollës në gjuhën shqipe, historisë dhe traditës kombëtare, me një paraqitje të plotë profili të mësuesve dhe arsimtarëve, nxënësve dhe prindërve, angazhimin dhe përkushtimin e tyre, të cilët, megjithëse në kushte dhe rrethana aspak të favorshme, arritën që të shkollojnë gjenerata të tëra, madje mjaft prej tyre të kthehen mu në këtë shkollë, tashmë si kuadro të kualifikuara me dije e shkollim përkatës. Padyshim është një histori e kësaj ane, një histori suksesi.
Për librin folen: kryeredaktori, Valdet Hysenaj, recenzenti i parë z.Demë Mulliqi, recenzenti i dytë z.Mr.Shkodran Imeraj, lektori Mustafë Lajçi si dhe autori Haxhi Lajçi. Udhëheqëse e programit ishte moderatorja e talentuar dhe studente e viti te katërt, Fakulteti I Psikologjisë në Prishtine, zonjusha Liridona Husaj.
Në fjalën e tij kryeredaktori, V.Hysenaj, ndër të tjera tha: „Të ballafaquar me varfërinë dhe me probleme të tjera jetësore, një pjesë e madhe e popullsisë kanë emigruar. Largimi i një numri të madh të popullsisë aktive nga trevat shqiptare në Mal të Zi dhe shkuarja e tyre në botën e jashtme është bërë problem shqetësues për të gjithë shqiptarët.
Kjo monografi është pa mëdyshje një dëshmi kohe e cila për brezat e ardhshëm doemos ruan të gjallë realen, njerëzoren dhe kombëtaren, libri nderon individët që i kontribuan kauzës sonë kombëtare në forma të ndryshme…
Libri është realiteti i djeshëm dhe i sotëm në arsimin shqip dhe për shqiptarët në Malin e Zi, edhe pse për ne, libri është shqetësues dhe i dhembshëm, megjithatë është udhërrëfyes, lajmës, vrojtues, interpretues i informatave etj., dhe si i tillë kush frymon shqip i merr mendjen dhe i rrëmben shpirtin, por ja që ky realitet është vërtetë i tillë, sepse ky libër në një farë mënyre edhe ka parapërcaktuar gjendjen reale që mban vulën e kohës të cilën po e jetomë edhe autori edhe ne.
Recenzenti i këtij libri, profesori i nderuar e pedagogu me përvojë shumëvjeçare, Demë Mulliqi, për librin e Haxhiut, tha: „Monografia,,Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov (Malësia e Rozhajës 1943-2015),,e autorit Haxhi Lajçi, prezenton një sintezë gjithëpërfshirëse të fushave që kryesisht janë pjesë e një karvani historik pothuajse njëshekullor të Malësisë së Rozhajës, të një territori shqiptar të rrezikuar kombëtarisht. Falë një angazhimi të vullnetshëm që gjithësesi ka kërkuar mund e durim të palodhëshëm, autori na ofroi këtë monografi me të cilën e begatoi histoiografinë e Shqipërisë natyrale e autoktone“
Më tej Mulliqi vazhdoi: „Monografia në fjalë deshmon për një qasje shumë serioze të autorit për kompletimin e saj, e cila mbi të gjitha ka një rëndësi të veçantë mëqe i përkushtohet, krahas shkollës në fshatra, shtrirjes dhe gjendjes në të kaluarën dhe të asaj aktuale të fshatrave të Malësisë së Rozhajës. Edhepse objektivi bosht i kësaj ishte shkolla në Dacaj dhe në Buxhov, autori në kapitullin e parë – Fshatrat shqiptare të Malësisë së Rozhajës, shtrirja dhe pozita e tyre, e zbërthen me përkushtim, jo vetëm shtrirjen dhe poziten gjeografike të atyre fshatrave, por edhe etnogjenezen autoktone shqiptare të popullatës së atyre trevave duke shprehur në mënyrë indirekte edhe dhëmbjen për zbrazjen e shumicës së tyre, qoftë në rrugët e pakthim, në mërgim, diasporë,qoftë në viset e tjera shqiptare. Sipas autorit një brengë gjithëkombëtare është asimilimi kombëtar i një pjese, në kombin boshnjak.“
“Kapitulli që i kushtohet shkollës në Dacaj dhe në Buxhov trajtohet në mënyrë të detajuar duke filluar nga viti 1910 me hapjen e mejtepeve të cilat u shfrytëzuan për edukim fetar edhe nga të rinjtë shqiptar të konfesionit musliman,periudha e shkollës gjatë kohës së Austrisë deri në funksionimin e sajë me plan-programe e tekste shkollore të sjella nga Ministria e Arsimit, ku Ministër në atë kohë ishte Ernest Koloqi (1934-1935), paraqitet si periudhë e shpresës kombëtare të kësaj malësie. Pas mbylljës së shkollave shqipe nga sistemi komunist, menjëherë pas LDB-së, autori përshkruan gjendjen e rëndë të nxënësve shqiptarë për vijimin dhe përvetësimin e njohurive në gjuhën serbe, të cilën gjuhë fëmijët nuk e njihnin fare. Hapjen e sërishme të shkollës shqipe, nga viti shkollor 1967-1968, përkunder rënies së numrit të nxënësëve krahas numrit të banorëve, autori përpiqet për një nxitje optimiste për ndërprerjen e braktisjës së trojeve shekullore dhe fatkeqësisht ndërrimit të etnitetit të këtyre viseve malësore.
Karakteristikë e kësaj monografije është materjalizimi i saj me të dhëna për mësimdhënësit e të gjitha gjeneratave me biografi individuale për secilin.Poashtu nuk kanë mbetur jashtë kësaj biografie as emrat e nxënësve të gjeneratave të tëra.
Monografia është materializuar me një numer të madh fotosh të cilat jo vetem që kanë begatuar librin por ato janë dëshmia më relevante e kësajë mongrafie“, shtoi në mes të tjerave profesor Demë Mulliqi.
Në përurim moren pjesë, z. Mehmet Bardhi, kryetar dhe Saubih Mehmeti, sekretar i Lidhjes Demiokratike në MZ – nga Ulqini. Pastaj ish kryetari i Komunës së Pejës, z. Ali Lajçi, shkrimtari ynë i madh z. Ramiz Kelmendi, Shefqet Kelmendi nga Tirana, Smajl Smaka, publicist e përkthyes nga Prishtina, z. Sali Lajçi nga Rugova, z. Sokol Daci, mësues në pension, banorë të fshatrave: Dacaj, Husaj, Bukel i Poshtëm, Bukel i Epërm, Peshkaj dhe Buxhov, të cilët tashmë disa vjet kanë lëshuar trojet e veta të lindjes dhe po jetojnë në fshatrat: Nabërgjan, Treboviq, Vitomiricë (Arbnesh), Dubovë si edhe në qytetin e Pejës.
Poashtu – ish nxënësit e klasës së parë nga viti shkollor 1945-46, tashmë të moshës së tretë, zotërinjtë: Tahir Rr. Vukli, Qerim U. Lajqi, Ramë P. Daci dhe Sokol S. Daci, nga 47, që ishin në atë kohë, të tjerët nuk janë më të gjallë.
Pati edhe mysafirë të shumtë, dashamirë të librit edhe nga Deçani, Burimi ish Istogu, Klina, Prizreni e qytete të tjera të Kosovës.
Përurimin e përshëndeten: shkrimtari ynë i madh z. Ramiz Këlmendi, z. Mehmet Bardhi si edhe ish mësuesi, tashmë në pension, z. Sokol Daci. U shperblyen me mirënjohje dy nga atdhetarët dhe mësuesit e këtyre dy shkollave, pas vdekjes. I pari që u shpërblye, ishte Abylrrahmin Daci, ish mësues në Dacaj dhe Salih Zekaj, ish mësues ne Buxhov. Mirënjohjet për këta veprimtarë, iu dorëzuan zotërinjtë Rrahman Lajçi (haxhi) dhe Qerim Ukë Lajçi. Këto mirënjohje me lotë në sy dhe mburrje i pranuan familjarët: z. Enver Daci, djali i Abdylrrahimit dhe zonja Luljeta Zekaj, vajza e Sali Zekaj. Autori shprendau falas mbi 100 libra mysafirëve, familjarëve të shumë mësuesve, shokëve të dikurshëm të Gjimnazit ‘’Bedri Pejani’’ dhe shumë mysafirëve te nderuar.
Me këtë rast duhet cekur edhe një gjest human dhe miradashës se dreken për mysafiret e ardhur nga Rozhaja, Prishtina, Tirana dhe Ulqini, e shtroi z. Blerim Krasniqi, afarist i restaurantit „Univers’’, djali i mësuesit të parë shqiptar të këtyre anëve, nga viti 1943, z. Muharrem Sherif Krasniqit, për çka autori do t’i jetë mirënjohës gjatë gjithë jetës.
Në fund duhet shtuar se botimin e këtij libri e mbështeti Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Së shpejti autori do të organizojë perurimin e këtij librit edhe në vendlindje, në Rozhajë.
E-Mail: mbardhi@hotmail.com

Filed Under: Komunitet Tagged With: Buxhov, Mehmet Bardhi, Shkolla ne Dacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT