Nga prof.dr. Eshref Ymeri/
Në Dielli online kam lexuar kohë pas kohe analiza mjaft interesante të zotit Abdurahim Ashiku, mësues në pension, emigrant në Greqi. Në ato analiza ai ka nxjerrë në spikamë përpjekjet sa të lodhshme, aq edhe të jashtëzakonshme që bëjnë emigrantët shqiptarë në Greqi, për të ruajtur identitetin kombëtar të fëmijëve të tyre përmes shkollimit edhe në gjuhën shqipe.
Përveç artikujve që ka botuar në vijimësi në faqet e internetit, ai ka vënë në qarkullim edhe disa libra, botimin e të cilëve e ka përballuar tërësisht me shpenzimet e veta.
Në faqet e internetit të datës 17 prill 2015, i nxitur nga një skicë e gazetarit të talentuar Albert Zholi me titull “E ç’i duhet shqipja?!” (të botuar më 20 mars 2015), pata përcjellë artikullin me titull “Fol shqip, se je shqiptar!”.
Ja se si pati reaguar ndaj këtij artikulli mësuesi atdhetar Abdurahim Ashiku në rubrikën “Komente” të gazetës internetike “Fjala e lirë”:
“Si gazetar dhe shkrimtar në mërgimin e egër grek, i kam ndjekur me penë në dorë, me diktofon dhe me fotoaparat përpjekjet e mësuesve shqiptarë (janë mbi 60) për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe vullnetarisht, pa pagesë, pa asnjë përkrahje nga shteti shqiptar, pa asnjë stimul moral. Kam botuar tre libra monografikë për mësuesit dhe për problematikën për gjuhën shqipe, me mbi 1 000 faqe. Librat titullohen:
“Rilindësit e Kohës Sonë”, “Shkolla Shqipe e Athinës”, “Shkolla Shqipe e Selanikut”.
Të tre këta libra janë financuar nga pensioni im dhe i bashkëshortes sime, mësuese në ushtrimoren e Shkollës Pedagogjike në Peshkopi. Realizuam së bashku me operatorin Arian Melonashi një film domethënës për mësuesen Vera Shkurti që kalon detin dhe u mëson fëmijëve të shkruajnë, të lexojnë dhe të këndojnë shqip në ishujt e Tinosit dhe të Sirosit”.
Përveç kësaj, mësuesi Abdurahim Ashiku, në mbështetje të neneve 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në ligjin nr. 69/2012 përsistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, neni 11 (arsimimi për fëmijët shqiptarë jashtë vendit), ka përgatitur edhe një Projektligj për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë. Këtë Projektligj ai ia ka nisur parlamentit, kryeministrit, qeverisë, ministres së arsimit dhe avokatit të popullit. Por deri tani nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre.
Vetvetiu lindin disa pyetje:
Këto hallka të qeverisjes së vendit a kanë ndër mend ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë? A duhet t’i kthejnë përgjigje mësuesit mëmëdhetar Abdurahim Ashiku për Projektligjin që u ka dërguar? A mendojnë vallë këto institucione shtetërore se shkollimi në gjuhën amtare i fëmijëve të emigrantëve shqiptarë është një detyrë që ua ngarkon Kushtetuta për ta zbatuar? Apo hallkat në fjalë do të vazhdojnë, si deri tani, t’i shpërfilllin kërkesat e mësuesve dhe të prindërve emigrantë për shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare dhe t’i lënë ata në mëshirën e asimilimit në vendet e huaja? Po mjetet e informimit masiv pse heshtin për një problem kaq të mprehtë?
Do të ishte shumë mirë sikur këshillëtarët e Presidencës të mendonin për t’i përcjellë Presidentit Nishani propozimin për ta dekoruar mësuesin dhe atdhetarin e shquar Abdurahim Ashiku për atë kontribut me vlera të jashtëzakonshme që ka dhënë dhe vazhdon të japë, së bashku me mbi 60 mësues të tjerë, mes prindërve emigrantë shqiptarë në Greqi për shkollimin e fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe.
Tiranë, 04 qershor 2015
Archives for June 2015
Zëri i kukuvjakës në Tiranë
Opinon nga Behar Gjoka/
E kemi fjalën për kakarisjet e radhës të Kapllan Buroviq (Resulit), që as më pak e as më shumë, të kujtojnë klithmat e kukuvajkave, diku në mesnatë, kur nuhasin mbarimin e ëndrrës serbomadhe, e prandaj lëshohen zemrueshëm. Më tepër se toni pa asnjë vlerë i kukullimës së tij, të bën përshtypje jehona që i bëhet marrëzive të tij në shtypin e shkruar në Tiranë, paraqitur me fanfara sikur ky pinjoll i ëndrrave në diell të serbëve, kishte zbuluar mrekullinë e tetë. Kushdo që e ka ndeshur qoftë edhe njëherë në bisedë ose, ka lexuar shkarrashkrimet e tij, nuk e merr seriozisht, e le të jetë i lirë në “marritë” e veta.
Njeriu, pra edhe Resuli, ka me vete gjithë të drejtën e vetë, të jetë si të dojë, të merret me çfarë të dojë, të fluturojë me dhe pa presh. Punët e tij, dje dhe sot, në mënyrën se si e ka trajtuar kulturën dhe letërsinë shqipe, ku janë të shkruara, e zeza mbi të bardhë, kundërtitë logjike, fluturimet pindarike përmbi të, mbi atë se kush është ai, dhe cilat janë idetë e hallakatura për historinë, letërsinë dhe figurat e saj. Prandaj, prej shumë kohësh, nga mjediset serioze nuk merret fare në konsideratë, pra nuk trajtohet seriozisht. Dalja e fluturimeve pindarike të radhës, e marrëzive në shërbesë të shovinizmit serbo-sllavë, në shtypin shqiptar, në pjesën dërrmuese të medias së shkruar, meriton vëmendje dhe qasje serioze, vetëm e vetëm për të kuptuar grackën ku bie njeriu, pra ku si padashje, bie edhe media.
Tezat mjerane, pa asnjë grimë thelbi shkencor, aq më pak albanologjik, të tilla si, origjina e shqiptarëve nuk ka lidhje me ilirët, është një këngë kukuvjakash që serbo-sllavët dhe fqinjët tanë, nga të gjitha vijat e horizontit, e këndojnë prej një shekulli, solo dhe në korr të përbashkuar. Pra, pohimi i Resuloviqit (duket më bukur se Buroviq), vetëm sa i jep zë dhe ngjyresa dëshpëruese këngëtimit të hershëm të kukuvajkave, të serbëve, që në filozofinë e tyre, kombëtare dhe shtetërore, inidividuael dhe komunitare, pohojnë “shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”. Me po atë lehtësi, tashmë nga strofulla e shërbëtorit të etheve dhe ëndrrave në diell të serbëve, lëshon marrëzinë se Kosova do të kthehet në Serbi. I ka mbetur ora, në kohën e Baba Qemos, është në folenë e vetë, ku ndjehet mirë, ku shërben me zell, e prandaj është vetëzbulimi më i mirë, që për një njeriun normal nuk merren seriozisht, sepse janë veçse zgjatim i planeve asgjesuese të shqiptareve, të Karagjerogjeviçëve, Çubrilloviqëve, dhe të gjithë serbëve, që ende vijojnë të bëjnë jetën e akrepit, që në fund kafshon veten, pasi nuk kanë asgjë në dorë për fatin e shqiptarëve, kroatëve, sllevenëve. Serbomëdhenjtë dhe shërbëtorët e tyre, të tipit Kapllani, të bindur se e kanë humbur davanë me shqiptarët, e sidomos me Kosovën, qysh me ndërhyjen e truipave të Nato-s në mars 1999, janë vënë në kërkim të hienave që këndojnë këngën e perënduara të kukuvjakave, të bindur edhe ata vetë se marrëzia e ëndrrave shfarosëse të shqiptarëve ka marrë fund. Në thelbin e tyre, këto hipomarrëzi të Resulit, pra që shqiptarët nuk kanë lidhje me origjinën ilire, apo që Kosova do të kthehet në Serbi, nuk e kuptojnë shqiptarët, kroatët dhe gjithë njerëzit që kanë logjikë të ftohët, se çfarë lidhje kanë me albanologjinë. Sa albanolog e bëjnë këto pohime, të mbrapshta dhe antishqiptare, që nuk sjellin asnjë argmunt tjetër, vetëmse këndojnë hasantë e Serbisë, pra lehtësisht bindesh se janë vepër e pastër e serbofilisë. E kur serbofilia shitet për alabanologji, në shtypin shqiptar, në mes të Tiranë, kjo është faturë për këdo, e sidomos për godtijen e identitetit kombëtar. Kuptohet se kur marrëzitë shiten për albanologji, nuk meriton vëmendje, por tezga ku shiten, pra shtypi shqiptar i shkruar, të shqetëson jo pak.
Kapllan Resuli (Buroviq), autori i romanit “Tradhtia” një vepër antikombëtare, dhe pa vlera letrare, e ka lënë të shkruar dhe vulosur se kush është, në një tekst të hershëm. Në mënyrë të çuditshme quhet albanolog, një sharlatan që vetëm ka hedhur baltë mbi Budin, Bogdanin, Çabejn etj. , i bëhet jehonë e paimagjinueshme sharlatanizmit të një të bleri dhe të shkalluari se Kosova do t’i kthehet Serbisë… Ai është ai që ka qenë e do të jetë, po media si do e lajë fytyrën nga turpërimi që i bëri vetes duke shpalluar albanolog një figurë të tredhur, që ka për art dhe filozofi mbijetese spiunimin dhe ndërrimin e zotave, si shërbëtor i pakundzshoq…
RAPORTI I KESHILLIT TE ATLANTIKUT LIDHUR ME NDERHYRJEN RUSE NE UKRAINE
Nga Ron Sinivic/
Perktheu GJON KADELI/
Me 28 te muejt qe kaloi, Enti i Keshillit Atlantik, qe merret me ceshtjet nderkombetare, i cili e ka qendren ne Uashington, ne raportin ne fjale, kritikon shume ashper, nderhymjen e dretjtperdrejte ushtarake Ruse, ne Ukrainen Lindore, tuej ardhun ne perfundim se Presidenti Putin, e udhehoqi vendi e tij ne lufte, dhe rreni [genjeshtroi] rreth kesaj ceshtjeje. Ne ate raport, gjithashtu, akuzohet Putini, se asht tuej e perdorun, paksimin e luftime, si rrjedhim i marrveshjes per paqe qe umbrrijte ne Minsk ne Fruer, per te perforcue forcat kryengritese Ruse me ushtare dhe me paisje, per t’i pergadit ato, per fazen e ardheshme te luftimeve.
Ne te njejten kohe, analistet e Keshillit Atlantik, thone se ,”Kremlini asht tuej koreografue planin, qe forcat qe mund te marrin pjese, ne rifillimin e luftimeve jane vendase, dhe jo foca te krijueme
nga Moska,” Raporti titullohet “Tuej e fshehun te verteten e pamohueshme, luften e shkaktueme nga Putini ne Ukraine.”
Megjithe mohimet e vazhdueshme nga Putini, faktet e vertetueme po shtohen, qe tregojne nderhymjen Ruse ne ate konflikt, ndermjet qeverise Ukrainase dhe Kryengritesve; gja qe ka shkaktue vdekjen e 6100 njerezve ne Ukraine, lindore, qe nga Prilli i vjetit te kaluem.
Ne te njejten kohe kjo gja ka shkaktue, keqsimin ma te madh te marredhanjeve, ndermjet Rusise dhe vendeve perendimore, qe nga mbarimi i Luftes se Ftohet.
Analistet qe u mueren me kete ceshtje, bane kerkime shume te hollsishme, tuej perdorun burime te rregullta, tuej mbledhun hetime te ndryshme, tuej perfshi fotografi te marruna nga satelite, nga interneti, te dergueme nga banoret ne te dy anet e kufinit, si edhe fotografi nga rrjeti social, te dergueme nga ushtaret ruse, ne zonen lindore te Ukraines.
Perfundimet jane, ato qe perpilusite e raportit, i quejne,”prova te
pamohueshme” se konflikti ne Ukraine, “asht nji krijese Ruse, e cila
perkrahet nga armet qe dergon Rusia, si edhe nga ushtaret e saj, dhe
qe perkrahet, drejte per drejte nga Zotni Putini.”
Nenpresidenti ekzekutiv i Keshillit te Atlantikut, Zotni Demon
Uillson, tha se raporti paraqet,”historine e vertete te luftes Ruse ne
Ukraine. ” kjo nuk asht lufte civile, por asht nji lufte e rregullt,
ku ushtaret Ruse, jane gati per luftime, ne bazat e perkohshme,
pergjate kufinit Ruso Ukrainase, qe perkrahen nga dergimi i
vazhdueshme, i armeve dhe paisjeve te tjera ushtarake, dhe nganjkihere
e perkrahun nga gjuetje me aretileri, ne anen e kufinit Rus.”
PSE SHQIPËRIA KA MA SHUMË VOTUES SE BANORË TË SAJ ?!
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Kushtetuta, neni 45 i saj, përcakton se kush quhet votues: “Çdo shtetas që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë dhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhet”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, muajin e kaluar, sipas të dhanave të Ministrisë Brendshme, flet për 3.164.859 votues në të gjithë Shqipërinë.
Nga ana tjetër, INSTAT, institucioni shtetëror me ekspertizën ma të lartë për të dhanat për popullsinë e Shqipërisë, dokumenton se më 1 janar 2015 vendi ynë numëronte 2.893.005 banorë. Përndryshe: CIA, në korrik 2014, në librin e fakteve, publikon një shifër tjetër për Shqipërinë: 3.020.200 banorë.
E para: Si është e mundur që Shqipëria të ketë 271.854 votues ma shumë se popullsia e saj e publikuar nga INSTAT, ndërkohë që numri i të larguarve nga Shqipëria është 46.413 banorë, numri i imigrantëve në Shqipëri është 28.367 banorë, shtesa natyrore vjetore e popullsisë është 15.104 banorë?!
E dyta: Një përllogaritje, në se popullsia e Shqipërisë është 2.893.005 banorë (sipas INSTAT) tue pasë parasysh se mbi 800 mijë banorë të saj janë nën moshën 18 vjeç, atëherë del se vendi ynë ka 2 milionë votues, që do të votojnë në 4.932 qëndra votimi në 12 qarqet. Atëherë, si dalin mbi 1.200.000 votues ma tepër?!
2.Në Zgjedhjet Parlamentare 2013, sipas të dhanave të KQZ (të bazuara në ato të Ministrisë së Brendshme), ishin 3.271.885 votues të rregjistruar. Këtë shifër, me termin “votues”, KQZ e paraqet dhe në raportin e vet vjetor të shkurtit 2014 para Kuvendit të Shqipërisë. Votues kemi ma shumë se banorë (!) Sivjet, në Zgjedhjet Lokale të qershorit 2015 janë mbi 100 mijë votues ma pak?!
Ç’ka ndodhi? Në 5.008 qëndra votimi në të gjithë Shqipërinë u gjetën vetëm 1.749.358 fletë votimi në kutia. Përndryshe: 53.47 për qind e votuesve. Pra, ne, kësisoj, sipas këtyre praktikave zyrtare, etj. shkojmë nga një palë zgjedhje tek tjetra me një pjesmarrje të ulët në votime. E, pastaj, lideri i opozitës, Edi Rama, mburret për 1 milionë shuplaka, që ndoshta janë afër çerekut të popullsisë së Shqipërisë, etj.?!
3.Shqipëria, si rrallkund tjetër në botë, në Kushtetutë, bash te neni i parë i saj, pika 3, flet për ato që i kemi vnue në përbaltim gjithmonë: “zgjedhje të lira, të barabarta”, tue i lanë tek i 14-eti nen i saj – Gjuhën, Flamurin, Hymnin Kombëtar, etj. Neni 45, tek Kreu III “Liritë dhe të Drejtat Politike”, flet për shenjtërinë e votës si “vetjake, e barabartë, e lirë, e fshehtë”, po në elektoriada shqiptare ka arritë dhe të vidhet, dhe të shitet e të blihet, etj.
Nisur nga ky detyrim kushtetues duhet që Shteti Shqiptar, me organizmat e veta: INSTAT. MB, KQZ, etj. duhet të argumentojnë e të flasin hapur para popullit e elektoratit shqiptar, para ndërkombëtarëve: Sa është popullsia reale e Shqipërisë?! Sa është numri real i votuesve në Shqipëri, si fjala vjen, në Elektoriadën e 21 Qershorit 2015?! Kush di ma mirë le të flasin ma qartë, ma shumë, ma shpejt, ma saktë.
Tiranë, 4 qershor 2015
E drejta e pakufizuar e mafies dhe liria e dhunuar e qytetarit
Nga Enver Bytyçi/
Shqipërinë dhe rajonin i sundon pushteti i mafies. Kjo është një e dhënë, të cilën na e ka komunikuar me kohë sekretari i Shtetit Amerikan, Xhon Kerry, që do të thotë se nuk është një fenonem i panjohur. Por ajo që shohim në praktikë duhet të na bëjë të mendojmë thellë e të nxjerrim mësime.
Kur një vend e sundon mafia (Me vullnetin “e lirë: të qytetarëve), atëherë ajo krijon strukturat e veta legale, me të cilat shkruan ligje e regulla, të cilat nuk mbrojnë qytetarin, por mbrojnë mafien. Në këto struktura shkrihen të gjitha mjetet e kontrollit. Të kontrollit të politikës që nuk është inkuadruar në grupet mafioze. Të kontrollit të biznesit që nuk bashkëpunon me mafien. Të kontrollit të statistikave që nuk përputhen me shplarjen e trurit të qytetarëve. Të kontrollit të mediave dhe uzurpimit të saj, madje deri te emërimet e stafit të drejtimit dhe menaxhimit mediatik. Me kontrollin e rrjeteve sociale dhe ngritjen e ushtrisë së anonimëve për komente, gazeta online, me qëllim lënien në minorancë të papërfillshmetë medies investigative e kritike. Të kontrollit të mendimit dhe të supervizionit. Pra, mafia në pushtet është gjithçka, bën edhe biznesmenin, edhe aksionerin, edhe arkën e shtetit, edhe arkën e biznesit, edhe policin, edhe prokurorin, edhe gjykatësin, edhe politikanin, edhe kriminelin e vrasësin, edhe opinionbërësin, edhe komentatorin, edhe të diturin, edhe budallain, bën atë që nuk mund ta bëjnë në këso forme as diktatorët më të zëshëm të njerëzimit.
Nëse monitorojmë vetëm një ditë atë që ndodh në këtë vend, ose në Maqedoni, Kosovë e vende të tjera të rajonit tonë, përfshirë Greqinë e Turqinë, atëherë nuk e ka askush të vështirë të kuptojë dhe qëmtojë se mafia e sundon jetën tonë të përditshme. Ajo kujdeset sa cm3 ajër duhet të thithim, sa gram bukë duhet të konsumojmë, sa mililitra ujë duhet të pijmë, sa km rrugë duhet të bëjmë më këmbë e sa me automjet, sa me transport urban e sa me transport ptivat, sa me tren e sa me autobuzë. Me çfarë duhet të udhëtojë qytetari, me autobus apo me furgonë, më këmbë apo në biçikletë. Mafia vendos për çmimet e mallrave, të cilat i blejmë në treg. Psh sa do të paguajmë për bukën, për energjinë elektrike, për karburantin, sa do jetë akciza e sa taksat e tjera. Dhe mafia kurrë nuk na llogarit ne që paguajmë, jemi apo nuk jemi në gjendje ta mbyllim muajin, mafia të fut në burg nëse nuk paguan një faturë të vetme, të shkarkon nga puna, ta nxin jetën, të bën të flasësh në rrugë me veten tënde, të bën të ulësh kokën para fëmijëve të tu. Madje nganjëherë edhe me çmimin e marrjes përsipër të fajit, me arsyetimin absurd “pse unë jam kaq i paaftë. Se mafia e ka këtë zotësi, i ka këto mekanizma, të të rrahë, të të dhunojë e të të mos lejë të qash.
Nëse biznesi i mafies ka ndër mend të zbatojë ndonjë projekt autobuzësh, atëherë mafia i ndalon qytetarët të udhëtojnë me furgonë dhe e kundërta. Nëse duhet ndërruar monopli i kontrollit të kazinove, atëherë shpik një aksion të tipit “Çmenduria” dhe bën kalimin nga një mafioz te mafiozi tjetër, ndoshta të tipit Zdakashvili. Nëse një i ndershëm bashkëpunon rastësisht me njerëz si Zdakashvili, atëherë mediat do ta denigrojnë me ditë, me javë e me vite, ndoshta do ta shtyjnë drejt vetëvrasjes. Nëse do të bashkëpunojë një ministër mafioz, apo gruaja e tij, atëherë mafia në pushtet i shtrëngon dhëmbet kujtdo që mund të fjalsë, ose blen heshtjen me parimin se kjo harrohet shpejt. Nëse një i ndershëm ndërton një vilë, mafia në pushtet do ta denoncojë papra, para buke e mbas buke, në mëngjes, në drekë e në drakë. Fotografia e kësaj vile do ta shetit botën. Nëse mafia në pushtet ndërton vila me paratë e krimit, korrupsionit dhe gjakut, atëherë ajo ia mbyll gojën çdo televizioni e radioje, çdo gazete e reviste, gjithkujt që ka mision shoqërinë e lirë prej mafias e diktaturës. Nëse mafien e shqetëson ngjyra e pallatit përballë, urdhëron menjëhere ndryshimin e fasadës. Nëse përballë shtëpisë së tij ia prishin imazhin e pamjes disa hije njerëzish që punojnë, ose sillen në hallet e tyre, atëherë ai urdhëron policinë që këta njerëz të “vizitojnë: dhomat e paraburgimit.
Mafia në pushtet punon me pseudonime, njësoj si edhe spiunët. Me pseudonime i kalojnë mafiozët pushtetarë aksionet nga një kompani te tjetra. Po me pseudonime udhëtojnë drejt metropoleve europiane e më gjerë, ku kanë ndërtuar rrjeti n e trafikut. Kur mbërrijnë në këto metropole nuk e fshehin fytyrën, sepse nuk kanë as mundësi ta bëjnë këtë, se ata janë njerëz që i njeh gjithkush, kryeministra, kryetarë parlamenti, ministra, deputetë, zëdhënës, drejtorë kabinetesh, këshilltarë. Pa patur frikë bëjnë pazaret në restorantet e mafiozëve trafikantë, ku ata ushqehen apo hotelet ku qëndrojnë dhe po aty ndajnë fitimet. Pastaj mafia në pushtet kujdeset që mafiozët e vegjël të stacionohen kudo në rrjetin e veprimtarisë mafioze, në banka, përmes të cilave pastrohen paratë, në zyrat e tenderimit, ku favorizohen gjithashtu mafiozët, në sportelet e shërbimit, nga ku duhet të kalojnë paratë e bizneset e pista.
Në rajonin tonë “kopsht “ mafiozësh, bizneset e mafias në pushtet këmbehen midis shtetarëve mafiozë. Edhe “paqja” e përkohshme që duket se përjeton rajoni, ka në themel bashkëpunimin e mafies së pushtetit në shpërndarjen dhe këmbimin e biznesit. Një bos i mafies politike të Tiranës ka partner bosin e mafies politike të Prishtinës, Shkupit a Beogradit. Dhe anasjelltas kjo formulë vlen për të gjithë bosët rajonalë të mafies politike e shtetbërëse. Për këtë arsye mafia politike shtetërore e rajonit i koordinon punët e veta, madje aq mirë sa qytetarëve t’u duket se këta janë si Feniksi që kanë zbritur nga qielli. Por sa duket se merren vesh për të bërë paqen, kurdisin incidente, kriza dhe ngjarje, si ajo e Kumanovës. Në atë ngjarje kanë gisht të katër kupolat e mafies ballkanike e përtej saj, ajo e Beogradit, e Shkupit, e Prishtinës dhe e Tiranës.
Se mafia politike, sidomos kur vjen në pushtet, nga njëra anë punon që të ruajë standardin e varfërisë te qytetarët, nga ana tjetër sajon ngjarje, incidente dhe konflikte të vogla, me të cilat tërheq vëmendjen nga problemet e varfërisë, kjo mund të provohet çdo ditë. Se mafia në pushtet e rajonit tonë punon me skenarë për ruajtjen e pozitave të saj, këtë mund ta vemë re lehtë nga spekullimet me reklamat dhe çoroditjet që krijon me idenë nacionaliste. Ndërkohë mafies në pushtet i duhet varfëria, sepse ndryshe nuk ka sesi tua blejë votën varfanjakëve. Varfëria i duhet mafies në pushtet ose në politikë, sepse ndryshe nuk mundet të tërheqë bashkëpunëtorë në trafiqe. Me anën e varfërisë ajo sundon më lehtë, manipulon më lehtë, mashtron më lehtë. Nuk asnjë vështirësi ta mashtrosh të uriturin.
Mafia është mashtrim, është manipulim, është vetë djalli. E djalli gjithmonë ka aftësinë ta mundë engjëllin, ta fundosë atë e ta zhdukë nga faqja e dheut. Madje mafia në pushtet ka aftësinë që engjëllin ta shesë te njerëzit për djall dhe anasjelltas, djallin për engjëll. Mafia të blen, mafia të shet, ajo të jep lëmoshë, por edhe të vret. Si lëmosha, si frika nga vrasja e likuidimi e bëjnë shoqërinë civile, median, të heshtin, si mali “që s’bëzanë”. Mafia bën presion edhe kur i bën karshillëk fukarait me dasma në kështjella me paratë e shtetit, të taksapaguesve. Mafia nuk jep llogari, mafia sundon plebejtë e vet.
Mafia në pushtet nuk ka parime, nuk i përmbahet ligjit të traditës e as ligjit të respektit për njerëzit, nuk pyet për ligjet e shtetit, edhe pse vetë i harton dhe miraton, nuk njeh familjen, nuk njeh e nuk nderon as fëmijën, madje as fëmijët, pjellën e vet. Mafia vret ditën për diell, sidomos kur vrasësi mafioz mbrohet nga uniformat e shtetit mafioz. Vret kryesisht ata që nuk i qëndrojnë paktit të ndarjes së pasurive e të parave, por vret dhe ata që ndodhen në vendin dhe kohën e gabuar. Vret me papunësi e varfëri, më shumë se me plumba e tritol. Dhe nuk trembet nga askush. Madje as nga ndërkombëtarët, sepse është e lidhur me segmente mafioze të institucioneve ndërkombëtare. Si e tillë ajo financon gjithçka e gjithkënd që i shërben asaj. Financon psh njerëz të tipit Stefan Fyle, a ku e di unë se kë tjetër. Financon komisione e komisionerë të shumtë, financon artikuj në gazetat dhe revistat prestigjioze, të cilat në të shumtën e rasteve nuk e kanë idenë se me kë kanë të bëjnë. Mafia financon komisionerë e kryekomisionerë zgjedhjesh, financon kundërshtarët politikë, madje udhëheq trafikun e politikanëve deputetë, kryetarë bashkish, pastaj blen miell, e ua jep varfanjakëve për një votë. Për vota shpërndan xhinse, orë, aifonë e aipadë, laptopë e bluza. Gjithçka që i tërheq sidomos të rinjtë.
Në fakt rreziku më i madh është rekrutimi I të rinjve dhe të rejave, me të cilët mafia në pushtet, manipulon aq lehtë. Mjafton sponsorizimi i një mbrëmjeje në një pab ose disko dhe me kaq fiton simpatinë e tyre. Mjafton një uikend të këndshëm në një pikë turistike dhe rekrutimi del i sukseshëm. Një premtim për punë në këmbim të 100 votave dhe me kaq ushtria e mashtruarve naivë shtohet në progresion gjeometrik. Mafia shqiptare në veçanti di t’i bëjë këto më mirë sesa mafia në Kosovë e në Maqedoni, sepse asnjë prej vendeve të rajonit nuk e ka eksperiencën e saj të trashëguar nga përvoja e sigurimit të shtetit. Mafia blen sondazhe, edhe kur bëhen përmes “kompanive ndërkombëtare”. Dhe i blen sondazhet për të bërë trysni ndaj votuesve, në dhunim të votës së lirë. Liria dhe mafia janë të papajtueshme. Liria e mafies në pushtet nuk ndalon te liria e individit. Mafia, kur drejton shtetin është e lirë vetëm të seleksionojë qytetarët që qeveris, në të vetët e në të huaj. Ata të rrethit mafioz mund të ndërtojnë hotele në breg të detit, madje brenda në det, të huajt nëse ndërtojnë një kasolle ose hangar përfundojnë në burgje. Me arrogancën e vet ndaj shumicës, mafia kërkon të mbulojë aktivitetin kriminal të vetin e të fshehë imoarlitetin e saj.
Sigurimi i shtetit është burimi i të gjithë veprimtarisë mafioze në këto 25 vite në Shqipëri, por me një ndikim e ndërlidhje të hershme edhe me mafien politike të Kosovës e Maqedonisë. Eshtë e tmerrshme që rrënjët ë së keqes thellohen vazhdimisht në këtë vend. Dhe do të thellohen sa kohë që imoraliteti na shitet për moral, hajdutëria na shitet për zotësi, korrupsioni na serviret si e mirë e shoqërisë, ndërtimet me para të pista na shiten si përparim, sa kohë që pragmatizmi sundon mbi idealizmin dhe etja për pushtet e pasuri bëhet motiv iI vetëm i qeverisjes.
Jemi ne, qytetarët e këtij vendi, të cilët duhet ta ndryshojmë këtë situatë! NATO, BE, SHBA na ndihëmojnë, por nuk janë ato që mund të na çlirojnë nga sundimi i mafies! Nëse Maqedoninë po e ndihëmojnë europianët dhe amerikanët të çlirohet nga mafia në pushtet, Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera zor se do të marrin gjithë atë investim ndërkombëtar për këtë. Vota është instrumenti kryesor, me të cilën ne mund të çlirohemi nga modeli autoritar i qeverisjes, sepse modeli I qeverisjes mafioze është arbirtrariteti dhe arroganca, pasi vetëm ky lloj modeli e merr atë në mbrotjje dhe I jep jetë pushtetit të mafies.
- « Previous Page
- 1
- …
- 66
- 67
- 68
- 69
- 70
- …
- 79
- Next Page »