• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Ferid Bala,si autor, pedagog dhe specialist i muzikës

October 25, 2015 by dgreca

Nga Pjeter Logoreci/
Vlerësimi i personave me kontribute të shquara në fusha të ndryshme, mos lenia e tyre në harresë, respekti ndaj tyre, vendosja në piedestal apo stimulimi në mëndyra të ndryshme për cfarë ato dhanë e bënë për vendin, është detyrë e shtetit por edhe e cdo njërit nga ne. “Shfrytëzimi” i PERLAVE, njerzve të shquar, të cilët pamvarsisht nga mosha apo gjendja ekonomike, vazhdojnë të jenë aktiv dhe të japin pa u kursyer eksperiencën e tyre të vyer për brezin e ri, duke e shkruar nder libra atë cka dijnë e cka jeta i ka mësuar, duhet të terheqë vemendjen e institucioneve dhe organeve të ndryshëm.
Një nga këto perla të cmuara që kemi, është Profesori i kantos dhe muzikologu Ferid Bala.
Prof. Feridin e njoha personalisht nga afër në auditorin e universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodres, me rastin e prezantimit të librit të tij – Kënga dhe Këngëtarët Shkodranë -. Atë ditë salla universitare ishte e mbushur plot me qytetarë, këngëtare dhe muzikantë të njohur, disa nga të cilët ishin nxënësit e tij apo zbulimet e tij. U fol shumë për Ferid Balen, aktivitetin e tij, librat e tij, ndihmesën e dhënë në formimin e talenteve të reja, por shkaku që më ngacmoi për të shkruar këto rreshta është vendosmëria e tij (edhe pse në pension) për të punuar dhe për të ndihmuar sa mundet në fushën dhe specialitetin e tij.
Shpesh herë, statusi i pensionistit, e pengon Feridin për të bërë realitet daljen në dritë të librave që shkruan dhe që i mbesin gjatë në dorëshkrim. Këmbëngulja dhe përpjekja e panderprerë për të kontaktuar persona që i “japin një dorë” për të cuar në fund projektet e botimit të dorëshkrimeve, kontaktet, takimet në kafe apo telefonatat për këtë punë janë të shumta. Një ditë pata fatin edhe unë të jem “i ftuar” i Feridit, por që e shfrytëzova edhe për të nxjerrë në dritë këtë shkrim.
Kush është Prof. Ferid Bala?
Feridi lindi në një familje qytetare shkodrane me 12 prill 1934. Nëna e tij Naxhija ishte e bija e Ahmet Boricit, bir nga familja e përmendur e Daut Boricit. Ajo pat 6 femijë, tri vajza dhe tre djem. Babai i saj Ahmeti ishte drejtor i doganave shqiptare në Tiranë deri sa në mospajtim me politikën e Zogut, u dorëhoq nga detyra.
Babai i Feridit, Nuhi njihej si pronar i madh tokash në Shkodër. Fisi i tij, si origjinë, vinte nga Pecajt në malësinë e Dukagjinit. Nga familja dhe fisi i Feridit ka pasur shumë arsimtarë të njohur për ndihmesën e tyre në arsim si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ndër vellezërit e Feridit, Vehbiu, ishte profesor i gjuhës shqipe dhe njihet si themeluesi i degës për gjuhë e letërsi në universitetin e Shkodres (atë kohë instituti i lartë padagogjik). Ai ishte mesues i popullit, deputet si dhe i lauruar me cmimin republikës së klasit të parë. Ndërsa Nazmiu është i njohur si administrator dhe krijuesi i idesë së parqeve të mallrave në zonën e veriut.
Shkollën fillore Feridi e bëri në Shkodër në mësonjëtoren 24 Maji ku mësues muzike pat kompozitorin Prenk Jakova. Që në atë kohë Prenka e klasifikoi Feridin, së bashku me Enver Dibren, si një nga zërat më të mirë të shkollës dhe e aktivizoj nëpërmjet Shtëpisë së Pionierit, në melodramen Dasma Shkodrane. Aty djaloshi shkodran bie në kontakt me këngëtarët e njohur File Gjeloshi, Bik Ndoja, Leo Prela (Bariton). Për shkak të zërit të bukur e të vecantë ai zgjidhet së bashku me Klotilde Shantojen, Florinda e Ndrek Gjergjin, nga specialistët rus të muzikës për tu dërguar në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Bukuresht. Ky aktivitet, ku morën pjesë 100 koriste nga Shqipëria, të gjithë të veshur me kostumet e bukura shqiptare, pat si drejtues artistik muzikantin e njohur Gaqo Avrazi dhe u vlerësua me cmimin e 3-të. Duke parë dëshirën dhe talentin e Feridit, piktori Foto Stamo nguli këmbë që ai të futet në Liceun Artistik të Tiranës ku në vitin 1953 filloj të studiojë për kanto nën kujdesin e vazhdueshëm të këngëtares Marie Kraja. Në fillim punon me tenorin Maliq Herri e më vonë me sopranon Jorgjie Truja. Një ndër mësueset që pat ndikim të madh tek Feridi ishte pedagogia bullgare Vasilika Bakerxhieva e cila atë kohë ishte edhe mësuesja e këngëtares Vace Zela. Me mbarimin e liceut në 1957-tën, së bashku me Cesk Zadejen e Gaqo Cakon janë ndër të parët që themelojnë dhe punësohen në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë, ku Feridi ndejti vetëm tre muaj pasi u thirr në shërbimin ushtarak.
Ministria e mbrojtjes e përzgjedh atë, jashtë dëshirës së tij, për ta dërguar me studime si ingjinier në sherbim të flotës ushtarake shqiptare, në Bashkimin Sovjetik (Leningrad, sot Petërsburg). Nga këmbëngulja e tij për të qëndruar në Shqipëri, ai lejohet të jetë pjesë e Ansamblit të Ushtrisë. Pas periudhës ushtarake, emrohet si shef muzike në Klubin e Rinisë – Herojt e Vigut – ku ishte bashkëpunetor me kompozitorin Zef Leka, i cili e mbështeti shumë në punën e tij. Në janarin e vitit 1962 fillon studimet e larta në konservatorin e sapo krijuar të Tiranës në degën e kantos. Ishte bashkëstudent me këngëtarët e njohur Gaqo Cako, Luisa Cako, Irena Gjergo, Kirstaq Paspali. Me mbarimin e studimeve univetsitare u emrua si këngëtar në TOB ku pat disa koncerte vokale si dhe disa role në opera të ndryshme(1). Nën veshtrimin e ndikimin e luftës së klasave u transferua në Shkoder në Klubin e Rinisë si shefi i muzikës ku qëndroj deri në 1970-tën.
Në vitin 1971, fillon punën në degën e sapo krijuar të kantos në shkollën e muzikës Prenk Jakova në Shkoder, ku nxori maturantët e parë apo zbuloj talente si: Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Enriketa Kuqani, Valentina Hasani, Sabahet Vishnja, Myfarete Laze, Frano Lufi. Në shkollë merret me krijimin e programeve mësimore si dhe jep eksperiencën e tij metodike në hapjen e shumë shkollave analoge në të gjithë vendin. Si pedagog dhe specialist i muzikës, Feridi merret me punime shkencore, shkruan artikuj të ndryshëm problemor të mësimdhënies në kanto në shtypin shqiptar apo merr pjesë në emisione televizive. Në këtë vit dekorohet me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të III-të. Që nga viti 1886-të, Feridi mban titullin – Mësues i Dalluar -. Cmimin Naim Frashëri të Klasit të II për arritje të larta në procesin mësimor, e merr në vitin 1990 dhe në 2011-tën nderohet nga Bashkia e Shkodres me titullin “Prenk Jakova”.
Ferid Bala ka një veprimtari të gjërë didaktike dhe është autor i disa librave për shkollat e mesme të muzikës, si “Ushtrime Vokale”, “Përmbledhje me Arie e Romanca”, etj. Së bashku me shokë të tjerë muzikantë themelon në Shkoder shoqaten Artistike “Dashamirët e Këngës Shkodrane” duke organizuar aktivitete të ndryshme koncertore dhe shkencore. Si cdo shqiptar, mbas daljes në pension në vitet 1990-të, provon emigracionin në SHBA dhe në Kanada nga ku kthehet rreth vitit 2000. Po këtë vit boton librin kritik “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarve popullore shkodranë”, në vitin 2009 boton librin “Fjalor muzikor i komentuar”, në vitin 2011 (me rastin e 50 vjetorit të shkollës së muzikës Prenk Jakova), boton librin “50 vjet Art e Kulturë” dhe librin “Këshilla për këngëtarët”. Në vitin 2012 nxjerr në treg një libër “Përmbledhje pjesësh popullore” që është bashkëpunim i autorit me shumë kompozitor dhe krijues shqiptarë. Së fundit në vitin 2014 nxjerr monografinë “Kënga dhe Këngëtarët shkodranë, pjesa e parë” e në 2015 pjesën e dytë të këtij libri.
Si këngëtar lirik dhe si solist i Ansamblit Amator të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Feridi, u shqua për interpretimet e tija me nivel të lartë në aktivitete e konkurse të ndryshme kombëtare, ku u vlerësua me cmime, diploma dhe medalje të ndryshme.
Gjatë takimit për të intervistuar Prof. Balen, më bëri përshtypje të madhe energjia e tij pozitive dhe dëshira për të nxjerr në dritë krijimin e tij të ri, një libër mbi historikun e muzikës klasike shqiptare, të cilën ai sapo e kishte formatuar në kompjuter. Dëshiroj tu bëj të ditur lexuesve të këtij shkrimi si dhe dashamirësve të muzikës, që të kontribuojnë në botimin e këtij libri të përmasave mbarë kombëtare, që vendosë një gurë me shumë në themelin e kulturës shqiptare. Prof. Ferid Bala me ndihmesen dhe profesionalizmin e tij në fushën e muzikës është dhe do të mbetet një nga PERLAT e cmuara në gjerdanin e intelektualve e atdhetarve shqiptarë.

Shenime:
Role te realizuara ne opera:
Gjini, te opera Mrika e Prenk Jakovës
Plaku, te opera e Rahmaninovit
Mbreti, te Macoku me Cizme e Korsakov
Sparofucili, te opera Rigoleto e Verdit
Selimi, te opera Dritë kudo Dritë e Mark Kaftallit
Gjergjin, te opera Celula e Kuqe e Gjon Kapedanit

Fotot dhe shenime rreth tyre:
Foto 1: Ferid Bala
Foto 2: Ferid Bala me studentat e diplomuar ne vitin 1985
Foto 3: Ferid Bala me Marie Krajen, Visar Balen dhe Rita Ndocin
Foto 4: Ferid Bala ne koncert
Foto 5: Ferid Bala me koleget, Marie Kraja, Odise Paskali, Vehbi Bala
Foto 6: Urdheri Naim Frasheri i Kl. II
Foto 7: Prenk Jakova dhe kori i shtepise se kultures ne koncert ne vitin 1950
Foto 8: (nga e majta ne te djathte) Kolec Hila, Ferid Bala, Tonin Ljarja , Henrik Daragjati, Petri Karamitri, Fred Serreqi ne vitin 1953
Foto 9: Titulli Prenk Jakova i akorduar nga bashkia Shkoder

Wien, 19.10.2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Ferid Bala, i muzikës, pedagog dhe specialist, Pjeter Bala, si autor

PSE U SULMUA AMBASADA SHQIPTARE NE MAL TE ZI?

October 25, 2015 by dgreca

Tirana zyrtare dënon sulmin-Deklarata e Ministrise se Jashtme te Republikes se Shqiperise/
Është sulmuar me gurë mbrëmjen e së shtunës Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi. Lajmi është bërë i ditur në profilin në Twitter të qeverisë malazeze, në të cilin thuhet se nga sulmi ka pasur vetëm dëme të vogla në fasadën godinës.
Sipas të njëjtit burim, sulmi është bërë nga një grup personash që mbanin flamuj të Serbisë dhe bërtisnin slogane, të cilat sipas mediave malazeze ishin antietnike.
Policia malazeze ka marrë menjëherë në mbrojtje ndërtesën e selisë diplomatike shqiptare, e cila bëhet objekt sulmesh për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër.
Po c’patën malazeztë me Ambasadën Shqiptare në Mal të Zi? Gurët, ndoshta nuk do të jenë nga Podgorica, por ka gjasa i ka hedhë Moska ose Beogradi.

Tirana zyrtare dënon sulmin

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar ndaj sulmit të verifikuar mbrëmjen e së shtunës ndaj ambasadës shqiptare në Podgoricë. “MPJ dënon sulmin e sotëm ndaj Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë nga demonstrues huliganë”, thuhët në një reagim për mediat. Dikasteri numër një i diplomacisë shqiptare i bën thirrje autoriteteve të Malit të Zi që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e godinës së ambasadës.
“Kjo, për të siguruar aktivitetin e saj normal dhe integritetin e personelit, si dhe për të nxjerrjë përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë”, vijon njoftimi.
Ministria e Jashtme nënvizon më tej se Shqipëria do të vijojë të mbështesë kursin euro-atlantik të rajonit. “Përkushtimi ndaj vlerave euro-atlanike është i panegociueshëm dhe nuk do të frenohet nga grupe huliganësh, idetë e të cilëve kërcënojnë integrimin e mëtejshëm të rajonit tonë”, vijon njoftimi. Në të saktësohet më tej se shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati është në kontakt të vazhdueshëm me homologun e tij malazez,Igor Lukshiç.

Filed Under: Rajon Tagged With: ambasades se Shqiperise, ne Mal te zi, Sulm me gure

Kosova lidhë autostradat drejt Shqipërisë e Maqedonisë

October 25, 2015 by dgreca

-Mustafa: Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor./
Nga Prishtina Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kosova lidh autostradën drejt Shqipërisë me atë në ndërtim drejt Maqedonisë, dy projektet më të mëdha të infrastrukturës kosovare të rëndësishme edhe për gjithë rajonin. Sapo u mbajt sot ceremonia inauguruese e hapjes së nyjës lidhëse të Rrugës 6 “Arbën Xhaferi” me Rrugën 7 “ Ibrahim Rugova”. Në ceremoni folën kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Të gjithë së bashku, pak më parë, prenë shiritin e inaugurimit.
Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka vlerësuar se kjo autostradë është vepër e madhe dhe e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Mustafa po ashtu tha se ky është një projekt i cili ia mundëson Kosovës që të arrijë standardet e shteteve të Bashkimit Evropian, në infrastrukturën rrugore.
“Sot po përurojmë kyçjen e autostradës “Ibrahim Rugova” me autostradën “Arbër Xhaferi”, që është një vepër e madhe për ne dhe tepër e rëndësishme. Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që na gëzon është se janë punë shumë cilësore të cilat po bëhen”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Duke bërë të ditur se ky është një projekt i cili Buxhetit të Kosovës i kushton rreth 600 milionë euro, kryeministri po ashtu tha se kjo është një vepër tepër e rëndësishme për Kosovën, sepse do të përfitojnë qytetarët, do të përfitoj ekonomia dhe do të përfitojnë lidhjet e Kosovës me shtetet fqinje dhe miqtë e saj.
“Ky është edhe një projekt i cili na mundëson që ne të arrijmë kompleksin e projekteve që po i realizojmë bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat po bëjmë përpjekje që të arrijmë standardet që kanë shtetet e BE-së. Ne kemi arritur një marrëveshje të rëndësishme me FMN-në, e cila do të na mundësojë që ne të ndërtojmë edhe rrugë të tjera të rëndësishme për vendin. Këtë autostradë do ta lidhim edhe me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do të bëjmë lidhjen për Nish. Do të zgjerojmë rrugën për Mitrovicë dhe do të arrijmë në Mitrovicë me autostradë, e po ashtu do të rikonstruktojmë linjën hekurudhore që na lidh nga Hani e Elezit deri në Leshak”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se këto rezultate dhe suksese të mëdha do të jenë në shërbim të qytetarëve tanë, rajonit dhe miqve të Kosovës.
Në Kosovë, në 3 korrik 2014 është organizuar ceremonia me rastin e fillimit të ndërtimit të autostradës drejt Maqedonisë, Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Hani i Elezit. Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi në një ceremoni të organizuar nga qeveria kosovare ka bërë përurimin e nisjes së punimeve për autostradën që është emërtuar me emrin e intelektualit dhe veprimtarit shqiptar nga Maqedonia Arbën Xhaferi.
Në shtator paralajmërohej edhe fillimi i punimeve në autostradën nga Shkupi drejt Kosovës.
Gjatë vitit 2016 pritet fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), me qëllim të plotësimit të autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën maqedonase.
Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Nimetullah Halimi i deklaronte RTK-së se gjatë muajit do përfundonte projekti i fizibilitetit për ndërtimin e këtij aksi nga firma projektuese.
“Është nënshkruar kontratë ndërmjet Kornizës Investuese për Ballkanin Perendimor (ËBIF) për projektimin e kësaj rruge. Është bërë edhe zhvendosja e nyjes në Stenkovec.
Projektimi i ri ka paraparë edhe përcaktimin e saktë të pikës kufitare Bllacë-Hani Elezit, përmes së cilës do të lidhet autostrada Shkup-Prishtinë”, paralajmëronte Halimi.
Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit është e gjatë rreth 60 kilometra, e një pjesë e saj, pas inaugurimit sot, të hënën do të lëshohet në qarkullim për qytetarët.

Filed Under: Rajon Tagged With: autostrada, Behlul Jashari, kosova, Shqiperi-Maqedoni

Shtypi në Kosovë: Legalizimi i pushtetit të dyfishtë

October 25, 2015 by dgreca

-Spahiu në Koha Ditore: De facto, Asociacioni është republikë. Zeri: Serbia bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri. Bahtiri: Mitrovica po bashkohet!/
PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ “Legalizimi i pushtetit të dyfishtë”, është një kryetitull shkrimesh në shtypin e sotëm në Prishtinë për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilën në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel është arritur marrëveshja bazë në 19 prill 2013 – raundin e 10-të dhe ajo e parimeve pikërisht para dy muajve, në 25 gusht, në raundin e 28-të kryeminsitror.
Nga “dy kapela” i mbajnë Aleksandar Spiriç, Vuçina Jankoviç, Dragan Jablanoviç, Stevan Vuloviç dhe Bratislav Nikoliç. Janë në krye të komunave me shumicë serbe dhe ushtrojnë pushtet të dyfishtë në Kosovë, pasi mandatin e tyre e bazojnë në dy sisteme – atë të Kosovës dhe në sistemin e Serbisë.
Nuk janë të vetmit këta që formalisht mbajnë mandate, të cilat burojnë nga ligjet e shtetit që i përkasin, e faktikisht punojnë për llogari të fqinjit verior, që me Kushtetutë Kosovën e definon si pjesë të territorit të vet. Ka edhe titullarë të një numri të madh institucionesh të tjera që operojnë ngjashëm. Ka edhe kompani që sa për formalitet në Kosovë janë regjistruar si të reja, e që në fakt janë degë të kompanive publike të Serbisë, shkruan sot gazeta Koha Ditore në Prishtinë.
Dhe kupola e gjithë mekanizmave të këtillë do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është në fazë konstituimi. Marrëveshja bazë për të është mbërritur në 2013-n, e ajo që përmban parimet mbi të cilat do të ngrihet është firmosur dy muaj më parë. Marrëveshja për parimet ka nxitur reagime të forta në Kosovë, ngaqë konsiderohet se ajo ka cenuar drejtpërdrejtë fondamentet e shtetit të Kosovës – shpërbën karakterin e shtetit unitar. Opozita ka bllokuar prej atëherë punën e Kuvendit dhe zhbllokimin e ka kushtëzuar me heqjen e nënshkrimit nga kjo marrëveshje.
Juristët tërheqin vërejtjen se që nga fillimi i dialogut Serbia ka imponuar një axhendë dialoguese që për qëllim final, në vend të normalizimit të situatës në veri, kishte legalizimin e prezencës së saj në kuptimin institucional në Kosovë.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se modeli i sovranitetit të dyfishtë që Serbia po e shtyn përpara vërehet jo vetëm në kuptimin e të emëruarve të lartë politikë, por edhe në kuptimin e autorësisë, për shembull, mbi pronën publike dhe shoqërore në Kosovë.
“De facto, Asociacioni është republikë”, është titulli tjetër i gazetës ku citohet Nexhmedin Spahiu, publicist nga Mitrovica, në një intervistë. Ai është profesor i shkencave politike dhe sheh rrezik të madh nga marrëveshjet e fundit që Kosova i ka mbërritur me Serbinë, e të cilat veçmas e prekin qytetin e tij.
Vë theksin te dy nga katër marrëveshjet e firmosura gjatë muajit gusht – te Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe te ajo për rivitalizimin e urës qendrore në Mitrovicë, e cila ndodhet mbi lumin që ndan qytetin në dy komuna me shumicë etnike të ndryshme.
Tek flet për Asociacionin, Spahiu pak rëndësi i kushton asaj që shkruan në marrëveshje. Thotë se funksionimi i këtij Asociacioni e bën de fakto funksionimin e “Republika Srpskas” në Kosovë, por pa emrin “republika”. Emri “republikë”, sipas tij, mund t’i vihet më vonë – në momentin kur të vijë në rend dite që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.
E tek flet për urën e Ibrit, përmend një paradoks që përmban plani për rivitalizimin e saj – hapësirën e madhe gjelbëruese, në dëm të përgjysmimit të korsive të rrugës. Me të dëmshme se këtë e vlerëson mosplanifikimin për ta ngritur xhaminë e djegur në luftë, themelet e së cilës ndodhen në brigjet veriore të Ibrit, skaj urës. Mungesa e saj thotë se do të krijojë barriera psikologjike në mes të dy pjesëve të Mitrovicës.
Në këtë intervistë Spahiu ka folur edhe për efekhtet e marrëveshjeve dhe nevojën për dialog. Po kështu, edhe për strukturat që Serbia vazhdon t’i mbajë në Kosovë. Ai ka argumentuar se, edhe nëse shpërbëhen formalisht, nuk do të jetë e vështirë ringjallja e këtyre strukturave.
Ndërsa gazeta Zëri në një titull sot thekson se, “Serbia bleu 350 shtëpi të shqiptarëve në veri” të Mitrovicës.
Sipas gazetës, mbi 350 shtëpi dhe shumë më shumë banesa të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës Qeveria e Serbisë i ka blerë duke u ofruar shuma marramendëse të parave.
Më së shumti shtëpi, sipas burimeve të gazetës, shqiptarët i kanë shitur në “Lagjen e Boshnjakëve” mbi 120, por numër të madh të shtëpive të shqiptarëve qeveria serbe i ka blerë edhe në lagjet tjera veriore me shuma marramendëse.
Shqiptarët e veriut thonë se janë shitur mbi 60 për qind e pronave të tyre në mesin e të cilave edhe banesa, të cilat paraprakisht janë uzurpuar nga serbët.
Në këtë mënyrë, duke blerë shtëpitë e shqiptarëve Serbia bën spastrimin etnik në veri të Mitrovicës.
Sipas shqiptarëve të veriut, pronat e tyre po shiten me ndërmjetësimin e “matrapazëve dhe të avokatëve”, ndërkohë që trendin e shitjes së pronave të shqiptarëve në veri nuk mund ta ndalë askush, madje as nuk bëhen përpjekje.
“Mitrovica po bashkohet!”, është titulli tjetër i gazetës. Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, ka thënë se me rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër dhe me largimin e barrikadave në këtë qytet po bashkohet Mitrovica.
Madje, sipas tij, me ardhjen e tij në pushtet në Komunën Jugore dhe të Goran Rakiçit në atë Veriore raportet në mes të shqiptarëve dhe serbëve janë duke u normalizuar edhe më shumë, pasi Bahtiri thotë se të dy kryetarët janë duke u angazhuar për një gjë të tillë.
Këto deklarata kryearti i Mitrovicës Jugore i ka dhënë në një intervistë për gazetën Zëri.
Bahtiri, gjithashtu, ka thënë se Suhodolli do të mbetet nën administrimin e Komunës Jugore, ashtu siç parashihet edhe në Planin e Ahtisarit.
Për më tepër ai ka thënë se nëse kërkohet që të tejkalohet Plani i Ahtisarit, ai do të kërkojë që çdo vendbanim me shqiptarë në veri të kalojë nën administrimin e Komunës, që ai e drejton./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: i pushtetit të dyfishtë, Legalizimi, Shtypi ne Kosove

DENONCIMI NË VITET 50 :”JUGU I SHQIPËRISË KA NGELUR NË GREQI QË NGA VITI 1913”

October 25, 2015 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
Ka ekzistuar një shtyp,ai gjendej në emigracionin politik shqiptar,pas luftë së dytë botërore .Midis tyre gazeta “Flamuri” u botua në Romë për një periudhe kohore më shumë se 7-8 vjet me numra periodik. Duke ndjekur përshkrimet e gazetës “Flamuri”,botimi në Romë nga vitet 50.Çështja që përvijohet qartazi dhe hollësisht e mundshme për tu zbërthyer:aleatët e luftës dhe pas qëndrimi me ta. Gjemia lëkundet dhe nga vjen era fillon lëvizjen. Mirëpo le të citojmë radhë për radhë gazetën në fjalë:
“Me fqinjët Enver Hoxha ka inauguruar një politikë antikombëtare. Shqipënija ka në robni jugosllave që nga viti 1913. Krahina të gjana dhe të pasura si Kosova, Dibra, rrethet e Shkodrës, me një sipërfaqe e popullsi sa Shqipëria e sotme e quajtun e lirë. Afër 1.000.000 shqiptarë vuajtën dhe vuajnë tu pritë një ditë drejtësie për tu bashkuar me Shqipënin Nëne. Kur Shqipnija për qejf të Enver Hoxhës dhe me urdhen të Moskës kishte hyr në prerin e Jugosllavisë që e kishte robuen mirë vendin me traktate ushtarake,ekonomike,politike,marshalli Tito kishte zanë vendin e Skënderbeut. Atëherë Enver Hoxha mohonte Kosovën dhe “tanësin tokësore”tu deklarue në fillim të 1945 :”Me Jugosllavinë nuk kemi asnjë rivendikim”.Sot punët kanë ndryshuem”Shokët” janë ba armiq të tërbuem. Jugosllavija akuzon Enver Hoxhën pse prishi gjithë traktatet e akordet, dhe e armiqësoi me Shqipënin,ndërsa qeverisa komuniste e akuzon Jugosllavinë pse masakroi mijëra kosovarësh të cilët dojshin të bashkoheshin me mëmëdheun.
Ka haruar Enver Hoxha se në atë kohë pat dërguar brigadat komuniste për të shtyp kryengritjen kosovare kundër robërisë së kuqe. Politika e ndjekur me fqinjin jugor Greqinë.
Me pak rreshta citohet kështu se :”jugu i Shqipërisë ka ngelur në Greqi që nga viti 1913,Çamëria me një popullsi prej 130000 banorë. Por sot nga stërminimi sistematik i qeverive të ndryshme dhe nga shtrëngimi për ikur për në Turqi,kjo popullsi përmban 30000 shqiptarë .
Çfarë bënë qeveria e Tiranë,E.Hoxha nxirret deri ne qiell shpërthen kundra Greqisë të quajtur monarko-fashiste,por shkaku nuk janë as çamët dhe as Çamëria.
Ai është urdhëruar të mbajë në pasiguri kufirin e Epirit,për të vendosur ne vend planet e sovjetikëve. Kur çetat e ELAS dominonin në kufirin e veriut,komunistët nga viti 1943 prishën piramidat e kufirit greko-shqiptar dhe deshën të përgatisin popullin për një përqafim .
Nëse në Athin do të kishin fituar të majtët qeverisë nuk do ti binte ndërmend as për tokat shqiptare,as për çamët.
Këtu ka një citim të Mithat Frashërit në 1942:”Partia Komuniste interesohej jo për luftën kundra kombësive të huaja në Shqipëri,por për luftën kundra ideve dhe kombeve qi ishin kundra komunizmit, dhe Bashkimit Sovjetik. Sa për Shqipënin mjaftonte të tepronte nji shqiptar por aj të ishte komunist”.Për fqinjin tjetër Italinë. Thuhet se është lidhur një marrëdhënie diplomatike,por qeveria e Tiranës e shikon me syzet fashizmit. Çfarë fshihej pas asaj marrëveshje konsullore?Të futeshin në Itali agjentë për të vëzhguar dhe për të kryer atentat kundërshtarëve politikë. Kështu regjimi mori në sy të gjitha rreziqet duke u mbajtur pas kapistre të Moskës e cila nuk kishte përgatitur dhe as nuk u angazhua në ndonjë trakt për mbrojtjen e Shqipërisë.

Në një numër tjetër të gazetës lexojmë një historik të ardhjes në këtë gjendje.
Ndërsa fqinji në veri synon Shkodrën me male deri në detë,serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës,kurse grekërit donin të kapnin Shkumbinin. Pasiç-kryeministri serb rreth datës 7 nëntor 12 është shprehur kështu”Shqiperina shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët trajtimi q kishin në kohën e mesme kur bëjshin pjesë te shteteve bizantinë e serbe e serbe pa pas privilegje te veçantë,por tue i respektua individualiteti dhe gjuha e tyre. Diku aty nga 14 dhjetori 1912, kryegjenerali grek ka pohuar “Ne kemi ndërmend ti ndajmë Shqipërinë mes grekëve dhe Serbëvet,mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme”.Kjo quhej atmosferë e vitit 12,kur Ismail Qemali nga deti,Mithati me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se ‘Shqipëria nuk kishte mbaruar”Në 1912 ndriçimi shqiptar solli shpresën shqiptare duke i thënë botës se ka një komb me histori,gjuhë dhe vullnet.Por ujqëria ballkanase e solli në udhëkryq çështjen me prerjen kirurgjikale të Kosovës.
Një gazetar i huaj shkruan periodikja:” Flamuri është shprehur”
“Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore,politike e morale sa raca shqiptare. Në qoftë se duhet të çuditemi për ndonjë gjë kjo është s e ekziston gjithnjë në Shqipëri një ndenje edhe pse e zbehtë dhe shpërndamë që priret kah pohimit,kah rilindja e kombit.
Ka një shqyrtim të hollësishëm të rrjedhojave mbi të cilat ka ecur historia jonë. Sa herë përhapeshin fuqimisht e kryengritjet aq herë nxirrej në pah rreziku i pavarësisë dhe lirisë.
Ka edhe një fakt tjetër që citon e periodiku “Flamuri”.
Kryengritjet e vonta të ballkanasve ndihmoheshin e zmadhoheshin dhe në kuvende ndërkombëtare shpërbleheshin ,përpjekjet shqiptare fillonin me guxim e përfundonin me frikë sepse nuk kishte një fuqi e madhe si Rusia për sllavëve,bullgarët dhe grekërit,që të përkraheshin të drejtat e tona aq sa përkraheshin padrejtësitë e fqinjëve.
Lidhja e Prizrenit qe një kuvendim i madh dhe një kryengritje ndërsa më vonë koha solli kirurgjinë më të madhe të kombit tonë nga jugu dhe veriu.
Në 1912 Kosova humbi atdheun,Shqipëria humbi gjysmën e vetvetes shprehet periodiku Flamuri. Gjatë luftës së parë të përbotshme nuk kanë munguar sërish kasapët që janë paraqitur më harta për të bërë një tjetër kirurgji,për tu dhënë copa fqinjëve ardhacakë dhe në hartë të mbetej një Shqipëri e vockël dhe mesme. Parimet Ëilsonit dhe përpjekjet shqiptare kanë triumfuar. Ndërkaq në luftën e dytë të përbotshme aeroplanë të huaj deshën të ndihmonin kryengritjen jugosllave duke hedhur trakte dhe harta gjeografike ku Shkodra deri në Drinë në rrethin e Karagjorgjoviçit.Mirëpo shekulli i XX ishte shekulli që regjistroi humbjen e madhe shqiptare, por edhe shekulli që solli dritëzën e parë me bombat e NATO në Kosovë. Ndërkaq shekulli XXI duhet të jetë shekulli shqiptar. Defteri ku regjistrohet bashkëjetesa me fqinjët.500 vjet nga koha e tyre llogaritet ta ketë mbështjellur guaska e rëndë e perandorisë osmane. Kohërrëzimi,pra shurdhimi definitiv i saj,pritej të ndodhte riparimi. Ndërkohë vërshuan, si në skenarët e hershëm ballkanas,fqinjësia.
Harta pushtuese lexohet:veri shkjau serb,jug grekëria e pabesë .Zënia e luftës së përbotshme ishte më tepër se llaftari. Flamuj shtetesh pollën motet. Pasqyra e pushtimeve:përveçse sulme e pushtime varre të hapura, morte të rënduar,arkëmorte të rëndë. Fytyra e tyre, pasqyronte :ushtri që infektonin vdekjen.Në këtë Babiloni pushtuesish,pushtimet do të klasifikoheshin,përveçse të egra,të përbindshme pushtime.

Filed Under: Histori Tagged With: denoncim ne vitet '50, Flamuri, Gezim Llojdia, Jugu i Shqiperise, nen Greqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT