Google Photos ka më pak se gjysëm viti që ekziston por sapo ka arritur një rekord prej 100 milionë përdorues aktiv në muaj, ka bërë të ditur vetë kompania. Shërbimi i pakufizuar i fotove është një aplikacion i vlefshëm si në iOS, Android por edhe web, dhe u shkëput nga Google + në maj të këtij viti. Google Photos u përqafua që në fillim për shkak të thjeshtësisë së saj dhe kombinimit me disa karakteristika të konkurrentëve, si Dropbox Carousel, Apple’s iCloud, dhe Flickr, i Yahoo-së, në një shërbim të vetëm. Të arrish 100 milionë përdorues në vetëm pesë muaj nuk është gjë e lehtë. Pinterest dhe Twitter së bashku iu deshën pesë vjet për të arritur këtë shifër. Madje, edhe vetë Instagram e ka arritur shifrën 100 milionë pas dy vjet e gjysëm përdorimi të tij.
Archives for October 2015
Kosovë-Këshilli i BE-së miraton Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit
-Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strazburg/
PRISHTINË, 22 Tetor 2015/ B.Jashari/ Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. “Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strazburg”, deklaroi pak më parë Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Deklarata thekson se, MSA parasheh themelimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimin Evropian dhe paraqet hapin e parë formal drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku tha se, “miratimi i sotëm i MSA-së nga Këshilli i BE është moment historik për Kosovën, dhe hap faqen e re drejt qëllimit përfundimtar të anëtarësimit të Kosovës në BE”.
“Të gjitha institucionet kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të ardhur në ditën e sotme. Procesi negociator për MSA ka filluar në vitin 2013 dhe dëshiroj të falenderoj të gjitha institucionet shtetërore për punën e tyre gjatë negociimit të MSA-së, si dhe partnerët tonë ndërkombëtar për përkrahjen e ofruar”, u shpreh ai.
MSA përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Ministria për Integrim Evropian ka bërë të gjitha përgaditjet ligjore për nënshkrimin e MSA-së dhe procedimin e mëtutjeshëm për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
KOSOVA NË EVROPË
-Kryeministri Isa Mustafa në Spanjë: Kosova të ketë vendin e saj në familjen e shteteve evropiane/
-Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës janë evropianë/
Madrid, 22 tetor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i cili është njëherësh edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku ishte në panelin qendror të Kongresit, që u zhvillua në Madrid, Spanjë.
Para përfaqësuesve të partive anëtare të familjes më ta madhe politike evropiane, kryeministri Isa Mustafa mbajti një fjalim, ku ndër të tjera tha se qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe se ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, ashtu si LDK-ja, e cila është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Me këtë rast, kryeministri Mustafa po ashtu ka folur për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, duke theksuar se tashmë Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se së shpejti pritet nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Kryeministri Mustafa po ashtu foli për objektivat kryesore të koalicionit qeverisës të drejtuar nga LDK-ja, që janë rritja më e shpejtë ekonomike e Kosovës, forcimi i sundimit të ligjit dhe integrimi në BE. Duke folur për vendimet shumë të vështira dhe të ndjeshme me të cilat Qeveria e Kosovës është ballafaquar këtë vit, si themelimi i Gjykatës Speciale, marrëveshjet në dialogun me Serbinë dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se të gjitha këto vendime do të ndikojë në forcimin e sistemit të drejtësisë, paqes, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Sa i takon marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri Mustafa tha se ka ngecje në implementimin e tyre. Ndërsa, lidhur me faktin se këto marrëveshje kanë hasur një rezistencë të fortë nga partitë opozitare në Kosovë dhe veprime të dhunshme dhe jodemokratike, kryeministri Mustafa tha se këto veprime nuk përkrahen nga qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa foli edhe për hapat e Qeverisë në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, duke theksuar se e Kosova ka miratuar ligjin që ndalon qytetarët tanë për të marrë pjesë në luftëra të huaja, dhe strategjinë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Lidhur me migrimin e fillimit të këtij viti, kryeministri tha se Qeveria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të menaxhuar situatën, se Kosova është një vend i sigurt dhe se Qeveria e Kosovës angazhohet në mbështetjen e procesit të riintegrimit të qytetarëve të saj.
“Kosova do të nënshkruaj këto ditë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, presim anëtarësimin tonë në UNESCO dhe të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës. Ne jemi duke u përqendruar në projektet e zhvillimit, investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës. Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, sikurse edhe partia ime, LDK-ja është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se pse ata duhet të mbeten të vetmit të izoluar me regjion. Ne kemi përmbushur kriteret për liberalizim dhe presim këtë vit caktimin e datës”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke i falënderuar anëtarët e EPP-së për përkrahjen e tyre në procesin e integrimit evropian.
Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në takimet e Asamblesë Politike të EPP-së, si dhe ka zhvilluar takime me homologë si dhe liderë të partive evropiane të qendrës së djathtë, anëtare të EPP-së./b.j/
KOMUNITETI SHQIPTAR NE USA- CEREMONI TRADICIONALE PËR NËNËN TEREZË NE ARIZONE
Nga Hajro HAJRA/
Mund të thuhet me gojën plot se manifestimi kushtuar Nënës Terezë, për shqiptarët e Arizonës tashmë është bërë traditë. Është viti i nëntë me radhë që Shoqata e Grave e Arizonës organizon program kulturor-artistik në nderim të shqiptares më të famshme të globit, në nderim të gruas-simbol bamirësie e sakrifice, në nderim të Gonxhes me shpirt gjigant, që për një gjysmë shekulli ishte në shërbim të të sëmurëve, në shërbim të të varfërve që kishin humbur çdo shpresë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur manifestimi mbahej në qendër të kryeqytetit të Arizonës, Feniks (Phoenix), në parkun e Bazilikës së Shën Marisë, ku prej vitit 2003 qëndron hijerëndë shtatorja e Nënës Terezë (vepër e skulptorit amerikan, Michael Myers), i sivjetshmi u mbajt (më 18 tetor) në mjedis të mbyllur, në një Qendër Komuniteti në qytetin Scottsdale.
Gjatë 8 vjetëve të kaluar, në manifestimin për nder të Gonxhe Bojaxhiut, pjesëmarrja e shqiptarëve të Arizonës ka qenë e vogël, krahasuar me numrin e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet (përafërsisht dy mijë veta). Sivjet, ndërkaq, numri i pjesëmarrësve kishte shënuar një rritje të ndjeshme, duke i dhënë peshë manifestimit, duke e bërë atë më madhështor dhe duke i inkurajuar organizatoret që ta vazhdojnë këtë traditë shumë domethënëse me një vullnet edhe më të madh.
Ashtu siç ishte paraparë, manifestimi filloi me projektimin e portretit të Nënës Terezë në ekranin e madh të pëlhurtë, vendosur në mes të podiumit, shoqëruar me këngë kushtuar Nënës Terezë. Pas pak minutash, në sallën përplot spektatorë, hyjnë fëmijët me flamuj shqiptarë e me flamuj amerikanë (ku nuk mungonte as flamuri i Dardanisë) dhe me fotografi të shumta të Nënës Terezë, shoqëruar me këngën e Selami Kolonjës, kushtuar Nënës Terezë. Secili nga fëmijët mbante ndonjë portret të Gonxhes dhe ndonjë tufë lulesh të freskëta. Ata të gjithë u ngjitën në podium dhe në fund i vendosën lulet rreth portretit të madh të Nënës Terezë. Kështu filloi manifestimi, të cilin e shpallën të hapur zonja Adriana Bendo (shqip) dhe zoti Anton Gegaj (anglisht). Ndër të tjera, zonja Adriana tha: Nëna jonë Terezë, me siluetën e saj të brishtë, mbështjellë me një pelerinë pambuku të bardhë, me shirita blu, me zemrën e saj të madhe, arriti të kujdesej për një numër shumë të madh të varfanjakëve të botës. Ajo kishte një trup të vogël gruaje, por kishte shpirtin më të madh se vetë Universi.
Më pastaj transmetohet himni, kënduar nga Inva Mula, që pason me përshëndetjet e Erza e Petrit Gashit, në emër të brezit të ri, ndersa Jeta Hajra (shqip) dhe Kristina Këlliçi (anglisht) flasin për misionin e këtij manifestimi, duke thënë, veç të tjerash, se qëllimi i këtij manifestimi është që ne si nëna dhe si komunitet i vogël, të mblidhemi si familje çdo vit dhe t’i frymëzojmë e t’i orientojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë sipas parimeve universale e bamirëse të Nënës Terezë për paqen, për faljen, për dashurinë dhe për kujdesin ndaj njerëzimit dhe, posaçërisht, ndaj nevojtarëve. Duke qenë Nëna Terezë shqiptare, ne duam që te fëmijët tanë ta kultivojmë ndjenjën e krenarisë sonë kombëtare dhe njëkohësisht ndjenjën ose gatishmërinë e të bërit mirë, që t’ua lëmë atyre trashëgim dashurinë, kujdesin, bamirësinë ndaj njerëzve në përgjithësi, e ndaj nevojtarëve në veçanti, si dhe tolerancën fetare.
Programi vazhdoi me shfaqjen e një dokumentari televiziv shqip për jetën dhe veprën e Nënës Terezë, projektuar në ekran.
Pastaj dalin në skenë Etrita Abdullahu, Aida Mehmeti, Erza Gashi, Anxhela Fidani, Abby Botka dhe Rina Hamiti, për të interpretuar thënie e poezi të Nënës Terezë, shoqëruar me muzikë. Fill pas kësaj pike, udhëheqësja e programit, Adriana Bendo paralajmëron daljen në skenë të balerinës së talentuar Etrita Abdullahu (17-vjeçare), mysafire nga Ferizaj, e cila mahniti publikun e pranishëm me interpretimin e variacionit të tretë të Odaliskës, nga baleti “Korsari”. Ndonëse Etrita kishte ardhur në Arizonë për të qëndruar shkurt e për t’i vizituar familjarët (pas një shfaqjeje baleti që kishte pasur në Nju-Jork), ajo ishte angazhuar shpirtërisht në këtë program, për ta bërë sa më artistike për mërgimtarët manifestimin për Nënën Terezë.
Pika e fundit, pika kulminante e programit, që entuziazmoi e ndezi publikun, ishte vallja “Vjelja e mollëve”, vallëzuar nga Grupi i Valleve “Ora”, udhëhequr dhe përgatitur nga Etrita. Valltaret luajtën me aq dashuri e pasion, sidomos Etrita në krye të valles, lëvizjet e natyrshme dhe eleganca e së cilës mahnitën publikun, i cili i shpërbleu ato me duartrokitje të gjata frenetike.
Në fund, zonja Marinela Konomi Papa falënderoi të gjithë ata individë që kishin kontribuar për realizimin sa më me sukses të këtij manifestimi. Falënderimin e nisi me emrin e Etrita Abdullahut, e cila kishte shtyrë fluturimin për në Kosovë, për ta ndihmuar realizimin me sukses të programit dhe për të marrë pjesë në program. Një falënderim të veçantë, tha ajo, kemi për zonjat Lule Lane dhe Jeta Hajra, për kontributin e çmuar që kanë dhënë, në krijimin e një tradite të mrekullueshme të kujtimit të jetës e të veprës së Nënës Terezë. U falënderua posaçërisht edhe familja e zotit Anton Gegaj, për mbështetjen morale e financiare të aktivitetit mbi jetën dhe veprën e Nenës Terezë si dhe çifti Edmond e Adriana Bendo (Edmondi për punën e disc jokey-t) për realizimin teknik të këtij programi. Në fund, tha ajo, falënderimi më i madh shkon në adresën e të rinjve, që angazhohen në progamin artistik, ndonëse disa prej tyre kanë ardhur shumë të vegjël në SHBA, shumica lindur këtu dhe, megjithatë vazhdojnë ta mbajnë gjallë traditën shqiptare.
Krejt në fund, të pranishmit u shërbyen me ushqime e me pije freskuese.
Gjukanoviç: Rusia kundër Malit të Zi në NATO
Kryeministri i Malit te Zi, Milo Gjukanoviç ka bërë deklarata të forta kundër Rusisë, pasi ka thënë se është kundër anëtarësimit të vendit të tij në NATO. “Kjo është një politikë strategjike e Moskës, që të mos lejojë zgjerimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Ballkan”, tha Gjukanoviç. Sipas kryeministrit malazez, kjo është edhe arsyeja se përse Rusia mbështet protestat në Podgoricë. “Ne shohim sot që organizatorët e protestave janë të mbështetur fuqishëm nga nacionalistët nga Beogradi. Ndryshimi, i cili duhet të theksohet dhe që nuk është i vogël, është fakti që në këto momente Beogradi zyrtar nuk mbështet protesta dhe sulme mbi sovranitetin e Malit të Zi. “Gjithsesi, nacionalistët serb, të lidhur rreth strukturave të caktuara politike dhe strukturave sociale të fuqishme, siç është Kisha Ortodokse e Serbisë, të cilat kanë qenë kundër pavarësisë së Malit të Zi, janë sot po aq të fuqishme. Ata hapur mbështesin protestat në Mal të Zi dhe janë në pritje të dorëheqjes së Qeverisë, të vënë në pikëpyetje statusin e shtetit të pavarur të Malit te Zi dhe nëse është e mundur, ta bëjnë Malin e Zi një sferë interesi dhe influence të kontrolluar nga nacionalistët e Beogradit. “Duke parë dy deklaratat e lëshuara nga Ministria e Jashtme e Rusisë, ku thuhet se ‘politika ruse është në mbështetje të organizatorëve të protestave’, mendoj se nuk ka asnjë dyshim që objektivat e tyre politikë janë të njëjta, ndalimi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Ndalimi i zgjerimit të NATO-s në Ballkan është një objektiv zyrtar i politikës shtetërore ruse dhe kjo gjë na çon në përfundimin se organizatorët e protestave në Mal të Zi kanë mbështetje të forta nga disa qarqe të caktuara politike, ekonomike dhe sigurie jashtë Malit të Zi”, ka deklaruar kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç.
- « Previous Page
- 1
- …
- 31
- 32
- 33
- 34
- 35
- …
- 104
- Next Page »