• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2015

Kosovë-BE, drejt ratifikimit të MSA-së

October 30, 2015 by dgreca

-Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi sot unanimisht Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian në 27 tetor në Strasburg dhe e procedoi në Kuvend për seancën e të hënës së 2 nëntorit/
– Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn viziton Kosovën drejt zbatimit të MSA-së/
-Kosovës i hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh/
-MSA-ja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur e të gjitha vendeve të rajonit/
-Në tërësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Tetor 2015/ Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike u miratua sot në mbledhjen e paraditës të qeverisë kosovare drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, e cila do mblidhet edhe pasdite.
“Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër”, ishte në axhendën e mbledhjes së sotme të 55-të të qeverisë së votur në Kuvend në 9 dhjetor, 6 muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare 8 qershorit 2014.
Unanimisht u vendos që Marrëveshja të procedohet në Kuvendin e Kosovës, për seancën e të hënës.

MSA, VULLNET I TË GJITHË QYTETARËVE TË KOSOVËS

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit tha se kjo është një Marrëveshje tepër e rëndësishme për Kosovën.
“Konsiderojmë se kjo Marrëveshje është shprehje e vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim feje e etnie, sepse është me interes që të gjithë të përfitojnë nga integrimet evropiane, nga zhvillimi i demokracisë, nga forcimi i shtetit ligjor, nga forcimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve, edhe atyre që janë shumicë, edhe atyre që nuk janë shumicë, të drejtave fetare të tyre”, tha kryeministri kosovar.
Po ashtu, vijoi ai, përfitimet që do t’i kemi në aspektin e zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, të marrëdhënieve tregtare me vendet e BE-së, sepse na hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh, që do të thotë se lypset që ekonomia jonë të jetë e gatshme të zhvillohet dhe të aplikojë në këtë treg”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar me punën e tyre në përgatitjet e deritanishme, dhe punët që janë bërë deri në nënshkrimin e Marrëveshjes, përfshirë këtu edhe ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila në kohën sa ishte ministre ka punuar gjatë dhe me përkushtim të madh, pastaj ministrin Bekim Çollaku, si dhe pushtetin lokal i cili ka bërë punën e vet, dhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.
“Kjo është një simbiozë e punës së përbashkët që e kemi arritur”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke njoftuar kabinetin qeveritar se një ditë më parë, bashkë me zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Integrimeve dhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, janë pajtuar që të hënën të mbahet seancë e Kuvendit.
“Ne sot i propozojmë Kuvendit që të hënën ta trajtojë këtë Marrëveshje që do të jetë pikë e vetme e seancës së Kuvendit, në mënyrë që të procedojmë më shpejt dhe të krijojmë kushte që Marrëveshja sa më shpejtë të hyjë në fuqi dhe t’i realizojmë objektiva tona”, tha kryeministri Mustafa.
RËNDËSI POLITIKE, LIGJORE DHE EKONOMIKE E MSA-së
Duke prezantuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka folur për rëndësinë politike, ligjore dhe ekonomike të MSA-së.
“Nga këndvështrimi politik, MSA-ja ka avancuar marrëdhëniet tona me BE-në nga një marrëdhënie deklarative politike dhe e vullnetit të mirë, në marrëdhënie kontraktuale me të drejta dhe obligime për të dy palët nënshkruese. Si e tillë, MSA-ja është bazament i procesit formal të anëtarësimit tonë në BE. Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova ka filluar rrugëtimin e saj zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Në kuadër të MSA-së, BE-ja ka marr obligim të realizojë perspektiven evropiane të Kosovës, duke integruar Kosovën në BE, në harmoni me kriteret e Kopenhagës të vitit 1993. Nga këndvështrimi ligjor, MSA-ja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka bazë të njëjtë ligjore sikur të gjitha MSA-të e vendeve të rajonit. MSA-ja është negociuar në bazë të nenit 218 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian”, tha ministri Çollaku.
Ai po ashtu theksoi se MSA-ja formalizon dialogun institucional me BE-në, do të përafrojë legjislacionin ekzistues dhe legjislacionin e ardhshëm në mënyrë graduale me tërë legjislacionin e BE-së dhe se MSA-ja gjithashtu parasheh thellimin e bashkëpunimit dhe reformat e nevojshme në më shumë se 40 fusha të ndryshme, etj.
Nga këndvështrimi ekonomik, sipas ministrit të Integrimit Evropian, MSA-ja do të këtë një varg të efektesh pozitive.
“Fillimisht, duhet nënvizuar që MSA-ja synon krijimin e zonës së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe BE-së brenda 10 vite. Nga hyrja në fuqi e MSA-së, do të mundësohet nga një anë qasja e plotë e produkteve të Kosovës në BE dhe nga ana tjetër liberalizimi gradual i tregut të Kosovës për produktet e BE-së. Liberalizimi i tregut ndërmjet Kosovës dhe BE-së do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmerisë së ekonomisë tonë që do të ofron shërbimet më kualitative, produkte më të mira dhe çmime më të lira për qytetarët”, tha ai.
MSA-ja, vijoi ministri i Integrimit Evropain të Kosovës, do të ofrojë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri për investitorët dhe rrjedhimisht do të kontribuojë në rritjen e investimeve të huaja direkte.
“Në tërësi, MSA-ja do të ndikojë në ristrukturimin e ekonomisë tonë, rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e papunësisë”, tha ministri Çollaku në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, sot paradite.
Të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Kështu vendosi dje Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli. Ndërsa, seanca plenare e përcaktuar ditë më parë nga Kryesia, për të njëjtën ditë dhe orë, është shtyrë.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës u zhvillua edhe sot në mesditë, e katërta në katër ditët e fundit.

KOMISIONERI PËR ZGJERIM I BASHKIMIT EVROPIAN, JOHANNES HAHN: TASH ËSHTË KOHA PËR ZBATIM TË MSA-së

Kryetari i Kuvendit Veseli ka njoftuar Kryesinë se më 6 nëntor Kosovën do të vizitojë Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili njëherësh pritet të mbajë një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës.
Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninë që u zhvillua në Strasburg, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Kryeministri Isa Mustafa, me atë rast tha se procesi i evropianizimit kuptimplotë të Kosovës, që po fillon sot, do të përcillet me një përkushtim të plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët, dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja. “Presim që kjo të hyj në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit. Është një moment i mirë”, theksoi ajo.
Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës . “Është një ditë e madhe për të gjithë ne, duke falënderuar ekipet tona, pa të cilat kjo gjë nuk do të ishte arritur. Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, u shpreh komisioneri Hahn.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetarët e grupeve parlamentare janë ftuar në një mbledhje të përbashkët edhe për dje në mesditë, të tretën në tre ditë, derisa pritjet ishin që Kuvendi në seancë plenare ta ketë së shpejti në axhendë ratifikimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, të nënshkruar mes Kosovës e Bashkimit Evropain në Strasbourg, dy ditë më parë.
Liderët e opozitës kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se “ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera”, është konfirmuar se “opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”.
Deri dje, në Kuvendin e Kosovës nuk është renditur në axhendë ratifikimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, e cila është nënshkruar ndonjë orë pas kohës së mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, ku u përcaktua rendi i ditës për seancën vijuese të hënën, në 2 nëntor, e cila dje u anulua.
Pardje, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen ku ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa munguan ata të grupeve opozitare, vendosi që dje Kuvendi të mbante mbledhje të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, drejt ratifikimit, Kosovë-BE, të MSA-së

PËRGATITJE NË NEW YORK PËR 100 VJETORIN E HEROIT DEDË GJO’ LULI

October 29, 2015 by dgreca

Mbrëmjen e së Enjtes, 29 Tetor 2015, në mjediset e Restorantit “Giovani” në Arthur Avenue, pronë e bashkatdhetarit Gjergj Dedvukaj, Shoqata “Malësia e Madhe” në New York, organizoi takimin e dytë përgatitor për 100 vjetorin e vdekjes së Heroit Dedë Gjo Luli.
Krahas takimit që do të organizohet me 1 Nëntor në orën 7.00 të mbrëmjes në Giovani Restorant për bashkimin e fondeve për ngritjen e Përmendores të Heroit në Tiranë, në këtë takim të së Enjtes u diskutua edhe për organizimin e një Akademie Përkujtimore në New York rreth datës 20 Dhjetor. Komisioni organizator ka përcaktuar tematikën e kumtesave dhe masat organizative.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dede Gjo luli, E HEROIT, per 100 vjetorin, PËRGATITJE NË NEW YORK

Njoftim nga Komuniteti- Maria Ramaj ndërroi Jetë në New York

October 29, 2015 by dgreca

Njoftohet komuniteti shqiptare se Vdiq në moshën 52 vjeçare Maria Ramaj e lindur ne Vukaj.Trupi i të ndjerës do të pushojë në Farenga Brothers Funeral Home te Premtën prej orës 2pm – 9pm.
Të Shtunën do të bartet te Kisha e St. Lucy’s në Bronx në orën 10am.
Mbas Meshës do të përcillet në vorrezat e Gate of Heaven Cemetery. Valhalla NY.
Ngushellime familjes!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Maria Ramaj, nderroi jete, Njoftim

Ilir Meta përballë pyetjeve për korrupsionin në Zërin e Amerikës

October 29, 2015 by dgreca

Nga Ardita DUNELLARI/
Zëri i Amerikës: Çfarë roli i kërkohet Shqipërisë të luajë në luftën kundër terrorizmit?
Ilir Meta: Shqipëria vlerësohet me notat më të larta përsa i takon bashkëpunimit të saj në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha kërcënimeve të reja, me të cilat ndeshet vendi ynë, rajoni ynë, por edhe Nato-ja dhe në këtë drejtim vlerësohet si një nga partneret më të mira dhe më të besueshme. Ky është forumi i dytë që zhvillohet në Uashington nga kongresmeni Pittinger, i cili është edhe kryetar i task-forcës në Kongresin amerikan. Ne shpresojmë që forumin tjetër ta zhvillojmë në Tiranë, ku Shqipëria ka shumë se ç’mund të thotë në këtë drejtim.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, gjatë këtyre ditëve keni patur rastin të takoheni me një numër kongresmenësh. Ndërkaq, në të kaluarën, kur keni ardhur në Uashington, por zakonisht edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Shqipëria i shfrytëzojnë këto vizita për të takuar edhe përfaqësues të ekzekutivit si dhe për të matur pulsin e administratës në zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri. A keni plane të takoni ndonjë zyrtar të lartë të administratës?
Ilir Meta: Lidhur me këtë vizitë, dua të bëj të qartë që kjo është e përqendruar në Kongresin e SHBA, në cilësinë time si kryetar i Kuvendit dhe kemi patur takime të niveleve më të larta, duke përfshirë sot edhe me lideren e demokratëve në Kongres, zonjën Nancy Pelosi, madje kemi patur mundësinë edhe të përshëndetemi, përpara se të votohej për kryetarin e ri të Kongresit, me kryetarin e mëparshëm, zotin Boehner. Do të zhvillojmë edhe takime të tjera, por natyrisht që kjo ka qenë një axhendë e përqendruar te Kongresi, duke u takuar me disa prej komisioneve më të rëndësishme, si i jashtmi, i ligjeve dhe mjaft kongresmenë të shquar, të cilët merren me Shqipërinë dhe me Evropën.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, tema e terrorizmit patjetër është një përparësi e politikave të Shqipërisë, por ka një numër problemesh me të cilat ndeshet Shqipëria. Kohët e fundit keni paraqitur edhe propozimet në Komisionin e Venecias për reformat në drejtësi. Reformat që janë paraqitur në këto propozime sjellin gati një përmbysje të sistemit aktual. Ju si i shihni këto propozime?
Ilir Meta: Padyshim që është e domosdoshme të bëhet një ndryshim rrënjësor në sistemin e drejtësisë. Kjo është edhe arsyeja përse ka një angazhim kaq të madh të mazhorancës, por uroj edhe të opozitës në këtë drejtim. Sikurse ju e përmendët me të drejtë tashmë Komisioni i Venecias do të shprehet për ndryshimet kushtetuese që propozohen për t’i hapur rrugë kësaj reforme dhe unë jam i bindur që me këtë vullnet politik ne do të arrijmë të bëjmë një ndryshim rrënjësor që të ndihet në radhë të parë tek qytetarët e Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Por vullneti politik ka munguar deri tani sepse Shqipëria mori një notë, duhet të themi, negative për sa i përket avancimit të negociatave për hyrjen në Bashkimin Evropian dhe Thembra e Akilit ka qenë vazhdimisht jo vetëm klima politike, por në radhë të parë drejtësia, mosavancimi i kësaj reforme. Si e gjykoni punën e qeverisë deri tani, ju jeni dy vjet në këtë koalicion, pra si e gjykoni punën e qeverisë në këtë drejtim?
Ilir Meta: Të mos harrojmë që në këto dy vjet Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. Së dyti, është e qartë që miratimi i ndryshimeve kushtetuese për sa i takon reformës në fushën e drejtësisë, do t’i japë një shtytje të fuqishme hapjes së negociatave të Shqipërisë. Shpresojmë që edhe progres-raporti do të reflektojë hapat pozitivë që ka bërë vendi. Ne këto probleme i dimë, këto probleme po i adresojmë. Jemi të bindur se vendi do të shënojë progres edhe në këto fusha kritike si korrupsioni, lufta kundër krimit të organizuar e kështu me radhë.
Zëri i Amerikës: Po sinjalet nuk janë aq të mira, duke qenë se ju keni qenë në Komisionin e Reformës. Duke qenë i brendshëm vetë përse nuk dolët me një variant të njëjtësuar? Fakti që keni dalë me variantin tuaj tregon që akoma ka divergjenca dhe ky proces mund të zgjasë shumë dhe të mbajë peng reformën në drejtësi, që është parakusht për avancimin e negociatave.
Ilir Meta: Së pari duhet të kemi parasysh që varianti ka qenë një variant i ekspertëve, nuk ka qenë një variant i partive apo mazhorancës dhe jam i bindur që propozimet e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë mjaft konstruktive dhe ndihmojnë në avancimin e reformës, ashtu sikurse nuk paragjykojmë edhe propozimet e të gjithë faktorëve të tjerë.
Zëri i Amerikës: Si janë relatat brenda koalicionit qeverisës? Ju keni folur disa herë për ato që i quani impulse në qeveri. A shihni në të ardhmen një riorganizim të krerëve të kabineteve?
Ilir Meta: Impulset nuk kanë të bëjmë me emrat dhe kjo është e keqja që në Shqipëri gjithçka personalizohet edhe në politikë, por edhe në komunikimin publik, por kanë të bëjmë me domosdoshmërinë për të shtuar energjitë dhe për të arritur rezultate më të prekshme, pasi, kuptohet që sfidat janë shumë të mëdha. Nuk janë sfida thjesht të Shqipërisë, janë sfida të rajonit tonë, janë sfida të Bashkimit Evropian që është një partner shumë i rëndësishëm për ne. Dhe në këtë drejtim absolutisht që rritja e vështirësive kërkon edhe shtimin e energjive dhe të impulseve.
Zëri i Amerikës: Si e gjykoni qeverisjen Rama në lidhje me ekonominë? Ekonomia mbetet një problem shumë i madh për Shqipërinë dhe duket se popullata po ju jep një votë të zëshme negative me ikje masive, me largime, me problemin e ISIS-it, që në shkallë të gjerë komentohet si një nevojë ekonomike që i detyron disa njerëz të shkojnë andej. Ju flisni për përparim, por konkretisht çfarë note do t’i vinit qeverisjes Rama në drejtim të ekonomisë?
Ilir Meta: Së pari, nuk jam mësues që të vë nota. Së dyti, jam edhe pjesë e kësaj qeverisjeje dhe e këtij koalicioni dhe njëkohësisht i gatshëm për të njohur edhe përgjegjësitë e mia por edhe të forcës politike që unë përfaqësoj. Por nuk duhet të harrojmë se kjo qeveri e mori në një situatë mjaft të vështirë. Nuk duhet të mendojmë që kjo qeveri është përgjegjëse për krizën greke, është përgjegjëse për këtë situatë të vështirë ekonomike apo financiare të Eurozonës dhe partnerëve tanë kryesorë. Të mos harrojmë se Italia, që është partneri ynë kryesor dhe drejt së cilës shkojnë shumica e eksporteve tona, nuk ka një situatë të shkëlqyer ekonomike. Pra, ka shumë faktorë të jashtëm, ka shumë presion të jashtëm. Por, absolutisht që shumë më tepër duhet të bëhet në këtë drejtim. Ky ka qenë, është dhe do të jetë shqetësimi im kryesor, sepse edhe reformat e tjera duhet të synojnë pikërisht në rritjen ekonomike të vendit në radhë të parë dhe në një shpërndarje sa më të drejtë të saj, në mënyrë që të përmirësohet jeta dhe standardi i qytetarëve tanë. Kështuqë, pa vendosur asnjë notë, patjetër që mund të them se duhet të bëjmë shumë më tepër për rritjen ekonomike të vendit dhe të kemi kurajo edhe të mësojmë nga ndonjë vend fqinj siç është edhe rasti i Maqedonisë, ku vazhdimisht kam insistuar për të mësuar nga eksperiencat e tyre, të cilët pavarësisht nga problemet e mëdha politike që kanë patur apo që mund të kenë, kanë arritur të tërheqin investime të huaja mjaft serioze dhe të jenë mjaft atraktivë, edhe pse nuk i kanë mundësitë tona. Unë besoj se qeveria do ta ketë në vemendje këtë gjë, në mënyrë që vërtetë ne, në këtë kohë të përgjithshme, që karakterizohet nga vështirësi, nga mungesë fondesh, nga probleme mjaft të mëdha për të gjetur financime, të arrijmë ta rrisim ekonominë tonë në potencialet e saj të zhvillimit. Sepse nuk mund të pretendojmë ta rrisim mbi potencialet e saj të zhvillimit.
Zëri i Amerikës: Kriza në Evropë, filloi në 2008-ën menjëherë pas krizës në Amerikë, megjithatë në korrik ju keni pas mbi 7 mijë vet që kanë ikur – që kanë kërkuar azil në Gjermani, jo thjesht kanë ikur. 7 mijë e ca janë të regjistruar vetëm në Gjermani. Këto vende që ju i quani në krizë që janë partnerët tuaj për eksportet e Shqipërisë , këto vende po presin shqiptarët që kërkojnë një jetë më të mirë dhe ikin thjesht për nevojë ekonomike. Sot asnjëri nuk ikën më për mungesë dritash, e për fjalë të lirë e për dëshirën për të shkuar në Evropë. Këto janë të gjitha në Shqipëri. Ju keni një problem ekonomik që është ngritur dhe po ngrihet me shqetësim nga gjermanët që janë detyruar të thonë që do i kthejmë këto njerëz. Meqë përmendët vetë nevojën që vendi të ketë një zhvillim sa më të barabartë, të sjell një ndarje sa më të barabartë të përparimit që do të realizohet, desha t’u bëj një pyetje disi personale: klasa politike në Shqipëri, që shpalos një mënyrë jetese dhe një luks të jashtëzakonshëm. A ndjeheni ndonjëherë nën presionin e publikut, këtij publiku që ikën përditë, që ka një minimale të jetesës tek 5 dollarëshi në ditë, a ka ndonjëherë diçka që ju prek, ju kap në gjithë këtë shpalosje luksi dhe ekstravagance do të thosha.
Ilir Meta: Nuk e di për çfarë luksi ju e keni fjalën…
Zëri i Amerikës: Për mënyrën tuaj të jetesës, për shtëpinë e pushimit, për makinën, për pushimet ku i bëni, për …
Ilir Meta: Unë kam makinë të shtetit zonjë, por ju nuk jeni informuar mirë, kështu që nuk jam këtu për t’u marr…
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, unë besoj se shikuesit tanë e gjykojnë atë që shohin me sytë e tyre përditë. Shqipëria është e vogël. Edhe besoj që kam detyrimin profesional t’ju ngre një shqetësim që e marrim përditë. Pyetja e vetme që marrim, ekskluzive për çdo politikan këtu është: Klasa politike e Shqipërisë duhet të largohet, ata po e mbajnë peng këtë vend pasi janë të gjithë të korruptuar. Them nga ana personale a e ndjeni ndonjëherë presionin, a ju vjen ndonjëherë siklet nga gjithë ajo që thuhet. A ndjeni dëshirën për të thënë: mjaft më! Dua të sqarohem, dua të lahem….
Ilir Meta: Po përderisa ju nga ana personale merrni përsipër të flisni në emër të gjithë popullit shqiptar…
Zëri i Amerikës: Jo, nga ana e shikuesve që na shkruajnë përditë…
Ilir Meta: Po pra dakord, nga ana profesionale, unë nuk mund të merrem me gjëra të tilla personale dhe ta ul nivelin e bisedës në këtë nivel. Unë jam politikan i cili jeton në Shqipëri, i cili vlerësohet dhe gjykohet nga shqiptarët, mund të vlerësohem edhe nga ata që ju kanë dërguar ju mesazhe të tilla por vlerësohem edhe nga ata që votojnë për këtë forcë politike. Ndërsa përsa i takon makinës nuk kam asnjë makinë personale…’
Zëri i Amerikës: Megjithatë, emri juaj është lakuar disa herë lidhur me afera korruptive; ju keni thënë vetë, nuk përmendet emri im në veçanti, megjithatë, kur mblidhen një e një që bëjnë dy, një kryeministër që më parë është akuzuar për korrupsion, kush tjetër mund të jetë në çështjen ÇEZ dhe DIA, në lidhje me marrëdhëndiet mes tyre. Kjo ishte një nga aferat e fundit që u përmend.
Ilir Meta: Si ishte kjo akuzë? Se i paskeni shumë keq informacionet.
Zëri i Amerikës: Qe një kompani që kishte lidhje me ju, përfitonte nga kontrata që mori DIA nga ÇEZ-i…
Iliri Meta: Po, dhe nga provohet kjo?
Zëri i Amerikës: Kjo ka dalë nga një dokument i BIRN-it që është marrë nga firma… Unë besoj se të gjithë shqiptarët e kanë lexuar atë informacion.
Iliri Meta: Kjo është e keqja juaj, që unë kam marrë 260 mijë vota dhe nuk do të flas do në emër të gjithë shqiptarëve, jam i kujdesshëm të flas në emër të atyre që kanë votuar për mua, kurse ju flisni në emër të të gjithë shqiptarëve për një mashtrim publik…
Zëri i Amerikës: Jo, për një njoftim në media, që një firmë që përfaqëson qeverinë shqiptare ka përmendur një ish-kryeministër…
Iliri Meta: Unë do t’ju jap juve dokumentin e firmës, e cila ka bërë publik.
Zëri i Amerikës: Do të kishim shumë kënaqësi ta kishim patur
Ilir Meta: Por ju duhet ta kishit të qartë kur bëtë këto pyetje, që ajo nuk ka pas shkrime të manipuluar, ka bërë të qartë që nuk përmendet emri i zotit Meta në asnjë rast për këtë çështje dhe ish-kryeministrit që ka përfituar në këtë çështje i ka dalë emri, ka dalë dokumenti; mund ta jap edhe unë, edhe pse s’e kam zakon të përmend emra, ju e paskeni këtë kurajo të përmendini emra. Është e drejta juaj, me sa duket duhet ta filloni gazetarinë nga e para.
Zëri i Amerikës: Zoti Meta, një fakt që mbetet thembra e Akilit, korrupsioni. Ngrihet problemi me drejtësinë, me mosgjykimin e akuzave që bëhen.
Ilir Meta: Shqipëria e paska zgjidhur problemin e korrupsionit, se mund t’ju marr ju t’ju vë prokurore të përgjithshme dhe ju e zgjidhni në emër të popullit.
Zëri i Amerikës: Pyetje të këqia nuk ka, ju mund t’i sqaroni, unë mund të jem e painformuar.
Ilir Meta: Nëse flasim nga ana profesionale për lajme, të cilat publikisht janë konfirmuar, që janë të pavërteta, nëse ju flisni në emër të kësaj kompanisë që ka mbrojtur gjoja qeverinë shqiptare, kur ajo ka bërë një sqarim publik dhe zyrtar dhe ju nuk paskeni, atëhere mua më vjen shumë keq.
Zëri i Amerikës: Ajo thjesht thotë që nuk e kemi përmendur me emër zotin Meta. Asnjëherë nuk thotë që nuk bëhet fjalë.
Ilir Meta: Nuk e ka përmendur asnjëherë zotin Meta për asnjë tranfertë, apo praktika korruptive lidhur me këtë çështje. Kjo është kështu të lutem dhe ish-kryeministri e ka emrin, ka patur një aktivitet të tijin privat, gjërat janë bërë publike, ju nuk i dini këto gjëra, atëhere më vjen keq për profesionalizmin tuaj.
Zëri i Amerikës: Atëhere pse lakohet emri juaj, pse tërhiqni një vëmendje të tillë negative, a ka një arsye personale, apo inat personal që kanë gazetarët me ju?
Ilir Meta: Më vjen për të qeshur se jetoni në Amerikë. Sa herë që del emri i Klintonëve këtu për këto probleme…
Zëri i Amerikës: Jo për korrupsion të tillë.
Ilir Meta: Kur zoti Meta nuk do të jetë në politikë, patjetër që nuk do të dëgjoni për zotin Meta. Por kjo është një gjë që e vendosin qytetarët shqiptarë, nuk vendoset nga askush tjetër.
Zëri i Amerikës: Qytetarët shqiptarë po ikin përditë. Me aktet e tyre po tregojnë që kanë humbur besimin, në Transperancy International në anketa del gjithmonë mungesa e besimit tek qeveritarët. Ju nuk e ndjeni këtë si politikan veteran që jeni?
Ilir Meta: Unë natyrisht që ndiej atë përgjegjësi që kam, por mendoj që është gjëja më e lehtë që të flasim në mënyrë populiste, por duhet të tregohemi më realistë, sepse kemi edhe nga vendet anëtare të BE-së që ikin në vende më të zhvilluara, si në rastin e Gjermanisë, por kjo nuk do të thotë që këto vende kanë probleme që meritojnë një karkterizim të tillë edhe të përfaqësimit të tyre politik. Ne nuk duhet t’i gënjejmë njerëzit dhe t’u krijojmë iluzione e gjërat do të ndryshojnë në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë të jashtëzakonshme, duke ndryshuar disa politkanë që janë përgjegjës.
Zëri i Amerikës: Po ju erdhët në pushtet dy vjet përpara me premtimin që gjërat do ndryshojnë. Ju jeni kryetar i Parlamentit, ju ndani fondet për përparësitë e qeverisjes në Shqipëri, pra një përgjegjësi institucionale e keni…
Ilir Meta: Çdo gjë ndahet në mënyrë transparente. Dhe një nga arsyet që jemi këtu është për të forcuar bashkëpunimet me Institutin Demokratik Amerikan lidhur me programet e transparencës në Parlament…
Zëri i Amerikës: Shpresoj të dëgjoj në të ardhmen prej jush. Ju uroj suksese gjatë qëndrimit në Washington.
Ilir Meta: Faleminderit shumë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ardita Dunellari, Ilir Meta, në Zërin e Amerikës, per korrupsionin, përballë pyetjeve

Qetësia e prishur e Kryetarit META

October 29, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Ilir Meta karakterizohet si një politikan i qetë. Madje nga goja e tij kanë dalë edhe fjalët, me qetësi e maturi. Megjithatë kohët e fundit e ka humbur këtë cilësi? Ndihet i sikletosur, nevrik dhe cinik.
Jam duke ndjekur intervistën e tij tek VOA, seksioni shqip. Dhe po shoh se edhe webe të shumta në Shqipëri po e publikojnë.
Ka shumë shmangie nga pyetjet që të bëjnë të vësh duart në kokë. Ka shumë arrogancë. Ka shumë mëndjemadhësi shqiptare. Duket sikur është gati t’i gërmushet gazetares. Përse?
Ndërsa ka gjithë mëngjesin që publikon foto me Nensi Peloshin, lideren në ikje të demokratëve.
Ajo sot, rreth orës 11 të paradites I dorëzoi detyrën republikanit Paul Ryan. Shtrënguan duart.Gjë që kurrë nuk e bëri Meta dhe klasa politike në Shqipëri, përgjatë ndërrimit të pushteteve.
A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë pyetjeve në lidhje me çështje kaq të ndjeshme, si prona, të ardhurat, përfoljen për afera korruptive? Për luksin e tyre karshi një populli të varfër? A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë pyetjes për ikjen alarmante të qytetarëve shqiptarë? Ndërsa ai pretendon qeverisje dhe koalicion të sukseshëm? A mund t’i shmanget Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, pyetjes se përse ka kaq shumë korrupsion në administratën shqiptare?
Dhe a duhet të përgjigjet kështu: Nuk jam këtu për të folur për gjëra personale. Mos e ulni gazetarinë në këtë nivel. Unë kam vetëm makinën e shtetit. Nuk jam mësues të vë nota. Shqiptarët ikin pasi edhe në vendet e BE ka lëvizje populiste etj. Asesi që jo.
Por kjo ndodh. Ndodh ditën me diell. Një politikan apo lider shqiptar nuk e ka për gjë t’i mësojë gazetarinë edhe VOA­s. Ai gjykon se ky intsitucion prestigjoz i fjalës së lire, është prone e ndonjë ndërtuesi shqiptar. Nuk e ka për gjë të quaj çështje personale, pronën apo edhe jetën private. Kur dihet botërisht se në demokracitë perëndimore, ligjvënësi nuk ka një të tillë. Deri sa votohet, është i detyruar të japi shpjegime.
Përse e bën këtë karshillëk, ky pasha modern pikërisht në vendin e demokracisë.? Ku pushteti është plotësisht i votuesve?
E thjesht…, ka humbur qetësinë.
Por keqardhja më e madhe në Shqipëri është se, edhe opozita, ka humbur qetësinë dhe qartësinë. Merret me riciklimin e humbësve. Mbrohet me ta, bën aleanca të heshtura. Me siguri për të mbuluar gjynahet e njëri­tjetrit.
Për dreq edhe populli e ka humbur udhën.

Filed Under: Analiza Tagged With: e Kryetarit, Ilir Levonja, Qetësia e prishur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT