• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2015

KRYETARI I VATRËS: NUK ËSHTË SITUATA E PËRSHTATSHME NË SHQIPËRI PËR TË KTHYER ESHTRAT E NOLIT

December 21, 2015 by dgreca

VATRA E MBYLL VITIN 2015 ME TAKIMIN E KESHILLIT DREJTUES, KOKTEJIL DHE ME DEBAT PËR NOLIN DHE E SHPALLËN VITIN 2016-VIT I KONICËS/
Të Dielën me 20 Dhjetor 2015 u mblodh Këshilli Drejtues i Vatrës nën drejtimin e kryetarit Gjon Bucaj, i cili mbajti para anëtarëve një raport të shkurtër për veprimtarinë e Kryesisë dhe të degëve në periudhën mes dy mbledhjeve të Këshillit, 20 Shtator 2015-20 Dhjetor 2015.
Kryetari përshkroi veprimtaritë që ka organizuar Vatra, festimin madhështor të Festës së Flamurit Kombëtar, 103 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, jo vetëm nga qendra por edhe nga degët, si në Washington, Florida(Tampa-Clearwoter,Orlando, Jacksonville), Toronto, Hartford etj.
Në Vatër, tha kryetari në raportin e tij, po shtohen përherë e më shumë vizitorët nga vendlindja, nga Kosova, Shqiperia, Lugina e Preshevës, Maqedonia.Në këta tre muaj Vatrën e kanë vizituar shumë personalitete, shkrimtarë, politikanë, shtetarë,ambasdor, konsuj, sic ishet rasti i zv/Kryeministrit të Maqedonisë, i amabsadores Shqiptare në Uashington, apo i diplomatëve nga Kosova.
Kryetai i Vatrës përmendi edhe veprimtaritë e organizuara nga bibliotek Noliane dhe Kryekisha e Nolit(e Shën Gjergjit)në Boston, ku një grup nga kryesia ishte pjesmarërs: kryetari Bucaj me zonjën, zv/kryetari Agim Rexhaj me zonjën, anëtari i kryesisë së Vatrës dr. Skënder Murtezani me zonjën, anëtari i nderit i Vatrës, ambasador Mal Berisha me zonjën , Editori i diellit Dalip Greca me zonjën etj, ku kryetari Bucaj dhe mal berisha mbajten kumtesa qe u mirepriten.
Vatra ka mbajtë kontakte me personalitete amerikane, sic kanë qenë takimet e zv/kryetari Agim Rexhaj në takimin vjetor të Komitetit Kombëtar për politikën e Jashtme Amerikane, ku Ambasadorja Rosemary A. DiCarlo, mori detyrën e Presidentes së Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, dhe Këshillit Amerikan te Atlantikut, apo takimi me kongresmenin demokrat Joe Crowley etj.
Po ashtu kryetari përmendi promovimet që ka organizuar Vatra si promovimin e librit të ambasador Mal Berishës “Realitete Shqiptare-Britanike”, apo promovimin e dy librat që kontribuojnë në rishkrimin e Historisë tonë Kombëtare :” Masakra e Tivarit” dhe “Lufta Civile në Shqipëti 1943-45″ të autorit Uran Butka. Para pak ditësh Vatra promovoi librin e Kol Bib Mirakës”Vetvrasja e një Kombi” , promovim që synoi të dërgonte mesazhe për vlerësimin real të figurave të luftës së Dytë Botërore etj.
Si veprimtari të rëndësisihme kryetari Bucaj përshkroi edhe krijimin e Forumit ët Rinisë së Vatrës që u konkretizua me 19 Dhjetor.
Gjatë seancës së pyetje-diskutimeve u aktivizuan disa nga anëtarët e Këshillit. Debat u bë për nismën e Degës së Vatrës të Queensit për kthimin e eshtrave të Fan S. Nolit në Shqipëri. Kryetari i kësaj dege dr. Skënder Murtezani, këmbënguli, që duhet të nisin procedurat bashkbiseduse, po qe nevoja edhe gjetja e dy avokateve, qe te emrren me ligjet amerikane, sepse askush nuk mund ta pengojë kthimin e arkitektit të Vatrës dhe kishës autoqefale Ortodokse te Shqiperise, qe të kthehet në Shqipëri, për të cilën ai shkriu jetën. Në debat morën pjesë Zef Balaj, editori i Diellit, Lek Mirakaj, Mehmet Kadrija e të tjerë. Kryetari i Vatrës ne perfundim tha: ”Unë jam interesue për t’u informue mbi mundësinë e realizimit të këtij propozimi, i cili në vetvete nuk asht i ri, mbasi ka qenë përmendë edhe me rastin e bajtjes së eshnavetë Faik Konicës në Shqipni.Për realizimin e atij projekti, janë tri palë që duhet të koordinojnë nji veprim të tillë: Shteti Shqiptar, Kisha Ortodokse në Shqipni, si dhe Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë, kjo e fundit me pëlqimin e klerit dhe të laikëvet, tue pyetë të gjitha famullitë. Noli nuk ka lanë testament që të dërgohet ose jonë Shqipni, por e ka lanë në kompetencën e Kishës edhe të ekzekutuesit të trashigimisë së tij. Si përfundim, stuata e sotme në Shqipni, nuk asht e përshtatshme për transferimin e eshnave të Imzot Nolit, por propozimim i “Vatrës” mbetet i hapun për të ardhmen.

Këshilli diskutoi edhe për nëj propozim ët Kryesisë për ta shpallë vitin 2016 vit të Konicës. Këshilli e miratoi mendimin e kryesise dhe ishte në një mendje për të sponsorizuar botimin e dy romaneve misterioze të Gjoni të Krujës(Faik Konicës), sponsorizim që ka dhe bashkëpunimin “Djemtë e Shën Marisë” dhe disa qytetarëve të qytetit Worcester MA.
Keshilli la si detyre per te ardhmen riorganizimin dhe funksionimin e deges se Vatres per Nju Jorkun, qender.
Në fund u shtrua një koktejl me ushqime et traditës shqiptare dhe pije. Kryetari percolli urimet per Krishtlindje dhe Vitin e Ri 2016!

Filed Under: Vatra Tagged With: Gjon Bucaj, keshilli drejtues, Konica, noli, Vatar

Protestat do të vazhdojnë deri në largimin e qeverisë së korrupsionit!

December 21, 2015 by dgreca

NGA LULZIM BASHA*/
Vëllezër dhe motra, Heronj të heshtur të vuajtjeve dhe mundimeve të këtyre dy viteve, heronjë zëlartë të kryengritjes së 8 dhjetorit të dytë, dua të përkulem me nderim të madh para jush; vrasësve të frikës, përmbysësve të terrorit psikologjik, kumtuesve të lajmit se shqiptarët ngrihen, se Shqipëria ngrihet! Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një javë më parë në 8 dhjetor ne kremtuam së bashku 25 vjetorin e lirisë. Ne i thamë së bashku qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës se liritë e fituara, se demokracinë, se të drejtën për të zgjedhur lirisht e pa frikë qeverinë nuk i dorëzojmë me asnjë kusht e me asnjë çmim. Ne i komunikuam së bashku me forcën e bashkimit të zemrave dhe mendjeve tona, vendimin e pakthyeshëm të qytetarëve shqiptarë, referendumin e shpirtit dhe mendjeve shqiptare që nuk ka qeveri ta ndalojë. Dhe vendimi është : Rama ik! Meta ik! Dy vite e kusur që kur kjo qeveri që sillet si bandë, apo më mirë të themi kjo bandë që i thotë vetes qeveri mori pushtetin, ekonomia e vendit, ekonomia kombëtare, ekonomia e çdo shqiptari pa dallim bindjesh politike ka rënë. Gjendja juaj dhe e çdo shqiptari, ajo që nuk gënjen kurrë është e para që i rrëzoi këta mashtrues, këta të dështuar. I rrëzoi sepse ekonomia e vendit tregoi qartë se në dy vite të keqqeverisjes së tyre u shkatërruan mijëra e mijëra vende pune e nuk u hap asnjë vend i ri pune. Se në këto dy vite mbi 70 mijë familje shqiptare humbën të drejtën e tyre ligjore për ndihmë ekonomike duke i drejtuar drejt një dëshpërimi të thellë, duke i drejtuar drejt një eksodi të madh. Në këto dy vite ekonomia, më e sinqerta, më e pagabueshmja, ajo që nuk gënjen kurrë e rrëzoi Edi Ramën, e rrëzoi Ilir Metën sepse tregoi se ranë investimet, ra kreditimi, ra punësimi, u rrit varfëria, u rrit papunësia, u rrit mjerimi. Dy vite të një krize ekonomike të paparë, dy vite të një varfërimi të përditshëm të shqiptarëve do të mjaftonin për të ngritur zërin së bashku për të thënë: Rama ik! Rama ik! Rama ik! Por nuk është vetëm kjo, përkeqësimi ekonomik, varfëria therëse në të gjitha vatrat e shqiptarëve nga Konispoli, Selenica, Mallakastra, në Vaun e Dejës, në Shkodër, në Kukës, në Dibër e këmbëkryq këtu në Tiranë kanë anën e vet të shëmtuar. Demokratët janë nxjerrë nga puna, demokratët janë pushuar në kundërshtim me ligjin. Socialistët e kanë të pamundur të gjejnë një vend pune pa paguar ryshfet sepse vendet e punës Edi Rama i ka rezervuar për trafikantët e drogës, për tutorët e prostitucionit dhe kriminelët e çfarëdollojshëm. Por nga ana tjetër një grusht njerëzish në këto dy vite kanë bërë prokopi, një grusht oligarkësh janë pasuruar më shpejt e më shumë se çdo shtresë tjetër shoqërore në këto 25 vite. Kush janë këta? Këta janë kokoshi 200 milionësh, Edi Rama kryeministri më i pasur i popullit më të varfër me shpurën e tij të ministrave hajdutë, Ilir Beqës krye hajdutit të shëndetësisë, Arben Ahmetajt hajdutit me çizme të ekonomisë, Damian Gjiknurit krye hajdutit të energjetikës, e mbi të gjitha të ministrit të Brendshëm, turpit të Shqipërisë në 100 vite shtet, krye trafikantit të drogës Saimir Tahiri. Korrupsion, trafik, drogë dhe askush nuk përgjigjet para ligjit. Në cilin vend të Europës, në cilin vend të civilizuar të botës kapet ministri i Brendshëm duke i vënë në dispozicion automjetin e tij trafikantëve të drogës dhe nuk pushohet menjëherë e të kapet zvarrë me pranga në duar e të shkojë prapa hekurave. Por jo në Shqipëri, në Shqipëri mentori i trafikantëve të drogës, krye taksisti i drogës urdhëron prangosjen, rrahjet barbare, kërbaçin, arrestimin e berberëve, e fermerëve sepse nuk kanë kupon për një kile qepë. Kjo është padrejtësia. Kjo është padrejtësia ulëritëse që mbledh sot shqiptarët këtu në këtë shesh dhe i mbledh me mendje e zemër rreth opozitës shqiptare, rreth Partisë Demokratike kudo që janë. Ky është Aparteidi, Aparteidi i Edi Ramës që tregon me gisht popullin e tij si hajdut kur vetë ka thyer çdo rekord hajdutërie e kusarie. Kush e pranon zëheshtur e sypërdhe një qeveri që vetë vjedh, një kryeministër që toleron vjedhjen sepse është përfituesi i vjedhjes; Kush toleron një qeveri me ministër të Brendshëm krye trafikant e miq me trafikantë të drogës nga njëra anë, e nga ana tjetër pranon që qytetarët e pamundur të shkojnë në qeli për një kupon, për një kile qepë nuk është naiv, nuk është i paditur, nuk është thjeshtë i pakurajo, por është bashkëfajtor. Kush shikon dy xhama të thyer nga dy gurë e dy protestues, e jo një popull të tere te revoltuar është bashkëfajtor. E le ta shohin edhe një herë që kjo është opozita, këta janë shqiptarët. Jo dhunës! Protestë paqësore deri në largimin e qeverisë, deri në shporrjen e saj. Një falënderim të veçantë kam për ata burra dhe gra në uniformë, shqiptarë edhe ata, të keqpaguar, edhe ata të përbuzur edhe ata nga njeriu që nuk meriton të jetë i pari i tyre. E sot në këtë shesh dua tju t’ju them se ne jemi me ju, Policinë e Shtetit, shtetit të së drejtës, policinë e shqiptarëve dhe jo të klikës brenda aty. Dhe se ne e dimë që edhe ju jeni me ne, jeni me ligjin dhe jo me të paligjshmit, jeni me shtetin e të drejtës dhe jo me shtetin e të padrejtës, jeni me popullin dhe jo me Edi Ramën. Ndaj i bëj thirrje sot çdo protestuesi demokrat apo jo, që në këtë protestë, dhjetëra e qindra të tjera që do të pasojnë deri në largimin e Edi Ramës të tregojmë qytetarinë tonë, të tregojmë se jemi ndryshe nga ata, duke mos prekur asnjë kapele dhe asnjë fije floku policisë tonë. Ne jemi të vendosur për të qëndruar deri në fund me forcën e mosbindjes civile që vetëm sa ka nisur, me forcën e këmbënguljes që karakterizon një popull europian dhe europian jemi, një popull fisnik, dhe fisnik jemi, një popull të pamposhtur dhe të pamposhtur jemi, derisa të rrëzojmë qeverinë e mjerimit ekonomik, qeverinë e korrupsionit, qeverinë e hajdutërisë, qeverinë e shtetit të padrejtës. Vëllezër e motra, Do të ishte fare normale që qeverisë t’i lihej 4 vjeçari. Edhe kur qeveria dështon opozita mund të bënte llogaritë e veta dhe të thoshte sa më i thellë zullumi aq më e thellë fitorja. Por ne nuk jemi këtu për interesin tonë të ngushtë politik sepse po të ishim të tillë do të ishim hipokritë, do të ishim po kaq të këqinj sa ata aty brenda. S’ka dyshim kemi edhe ne stokun tonë të gabimeve. Pa dyshim kemi patur edhe ne stokun tonë të faturës që e morëm dhe e pranuam në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Por ju garantoj sot këtu para jush, e para Zotit se Lulzim Basha ju kërkon një gjë: Nëse qeverisja që ju duhet të votoni si qytetarë të lirë, nëse qeverisja që ju do të sanksiononi me votën tuaj të lirë nuk ju përgjigjet, të vini ta rrëzoni si sot këtu! Ne ju thërrasim në këtë protestë e në protestat që do të vijojnë jo thjesht sepse qeveria dështoi. Jo thjesht e vetëm se nuk përmbushi premtimet e gënjeshtërta me të cilat erdhi në pushtet. Jo thjesht dhe vetëm se ka larguar 100 mijë shqiptarë vetëm në një vit dhe ka bërë që 1 në 2 shqiptarë të mendojnë largimin nga vendi si e vetmja alternativë. Jo thjesht se i ka varfëruar, se i ka goditur shqiptarët. Edhe pse kaq do të mjaftonte. Por jo vetëm për këtë. Jo thjesht sepse kanë vjedhur si një lukuni hajdutësh pronat dhe taksat tuaja, 400 milionë dollarë nga doganat dhe tatimet këtë vit, 800 milionë euro prokurime këtë vit, 600 milionë euro vetëm me një aferë iu kanë marrë shqiptarëve, vetëm me një dorë me aferën e vjedhjes së shekullit, me CEZ-in. Edhe kaq do të mjaftonte e do të tepronte, për një popull që respekton veten e tij, që të largonte një orë e më parë me protesta qeverinë. Por ne përballemi sot me shtetin e të padrejtës, shtetin kriminal. I pari që shkel Kushtetutën është Edi Rama. Njeriu që ka shkelur më shumë ligjet e vendit është Edi Rama dhe ministrat e tij. Njeriu që nuk zbaton vendimet e gjykatave është Edi Rama. Shteti i të padrejtës është shteti që dënon qytetarët për kundërvajtje por lartëson pushtetarët për Kushtetutën dhe ligjin. Kjo është kambana, kjo është thirrja! Kjo nuk mund të pranohet, këtë nuk e pranuan as afrikano jugorët! Ky është Aparteidi dhe këtë do ta rrëzojmë me çdo kusht! Demokracia i ka instrumentet, ka vullnetin suprem të qytetarëve si zgjidhja sovrane, si zgjidhja e zgjidhjeve. Por ja që Edi Rama dhe Ilir Meta në makutërinë e tyre kanë kujtuar se i kanë dalë përpara vullnetit tuaj duke kapur dhe shkatërruar zgjedhjet lokale. Duke asgjësuar votën e lirë pas provës gjenerale që bënë në Korçë dy vite përpara, ku u filmuan duke blerë votat. Këta mendojnë se edhe testin e fundit të llogarisë para popullit, zgjedhjet, votën tuaj do ta zhbëjnë. Ja pra pse kërkojmë sot dhe shtrojmë sot si imperativ veglën, instrumentin e fundit të sovranit, largimin e qeverisë që shkatërroi zgjedhjet, largimin e një orë e më parë të Ilir Metës dhe Edi Ramës. Largimin e një ore e më parë të Saimir Tahirit, rrëzimin e kësaj qeverie. Krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme, do të përgatisë terrenin për mos deformimin e vullnetit të qytetarëve. Sepse sot beteja nuk është mes PD dhe PS, apo LSI, kjo është beteja e gjithë shqiptarëve, demokratë e socialistë, toskë e gegë kundër këtij grupi kusarësh, kriminelësh e oligarkësh. Meritojnë demokratët dhe mbështetësit tanë një shans, por meritojnë edhe socialistët e ndershëm një shans për të thënë përsëri fjalën e tyre. Ne do t’ja japim dhe i kemi dalë zot dhe do t’i prijmë kësaj beteje deri në fitore. Në fund, do të jetë një popull i tërë që do të vendosë me mençurinë dhe kurajon e votës, e do të zgjedhë mes alternativave. Ndaj Partia Demokratike do të vazhdojë të shpalosë alternativën e saj të shpëtimit, të dinjitetit, të çlirimit të pozitivitetit, të dhënies fund të negativitetit, të çlirimit të entuziazmit në ekonomi për të hapur vende pune dhe vende pune me paga më të mira për të rinj e të reja, për të papunët, për të krijuar një klimë besimi për biznesin, një klimë të favorshme për fermerët, një klimë besimi për investimet e huaja. Alternativa jonë do të jetë edhe kërkesa jonë ndaj shqiptarëve për të rikthyer besimin tek vendi i tyre për të qëndruar këtu e për të ndërtuar këtu së bashku një jetë me standard europian për të gjithë shqiptarët, pa përjashtim. Ndaj kësaj ëndrre të brezit tim, kësaj ëndrrës time e jam i sigurt i çdo shqiptari, këtij qëllimi të madh për një demokraci të re, për një ekonomi të fortë, e për një të ardhme të sigurt i kemi borxh ngritjen në këmbë dhe qëndresën deri në largimin e qeverisë, deri në zgjedhjet e parakohshme. Beteja vazhdon. Me 8 dhjetor shkallmuam bunkerin. Sot e detyruam të tërhiqet me bisht ndër shalë duke tërhequr dekoratat e xhelatëve. Nesër do ta largojmë me fuqinë e bashkimit të zemrave tona! Shqiptarë e shqiptare ngrihuni! Shqipëria nuk mund të bjerë para padrejtësisë, nuk mund ta ulë kokën. Nuk e kanë bërë etërit tanë! Nuk e kanë bërë stërgjyshërit tanë! Nuk do ta bëjmë as ne. Shqipëria ngrihet, ngrihet e nuk rrëzohet! Zoti e bekoftë Shqipërinë !
*Fjalimi I mabjtur sot ne Proetsten para Parlamentit Shqiptar

Filed Under: Opinion Tagged With: deri ne largimin e Qeverise, Korrupsionit, Lulzim Basha, protestat do et vazhdojne

Ta gëzojmë universitetin “Nënë Tereza” në Shkup

December 21, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Lajmi për hapjen e Universitetit Nënë Tereza në Shkup duhet pritur si diçka pozitive nga shqiptarët, por duhet kritikuar mënyra primitive e lajmit për hapjen e këtij universiteti.
Dëshira për të patur shqiptarët një universitet në gjuhën shqipe në Shkup, në kërthizën e shqiptarisë ka qenë e ka hershme, por ngjarjet historike dhe kushtet kishin imponuar anashkalimin e kësaj qendre shqiptare. Një grup intelektualësh dhe politikanësh shqiptar duke vërejtur se Shkupi tashmë ka nevojë më shumë se kurrë për tju rikthyer vendi i nderit që i takon si stacioni qendror i trekëndëshit kombëtar Tiranë-Prishtinë-Shkup, nxituan hapat për themelimin e universitetit në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup. Kjo ide për të hapur universitet në gjuhën shqipe vjen edhe si rrjedhojë për tju treguar Gruevskit dhe VMRO se projekti Shkupi 2014 është një mit i ndërtuar mbi një histori të vjedhur, të falsifikuar sepse Shkupi ka një histori të vërtetë të shkruar me gjak shqiptari.
Projekti për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe ju paraqit Ali Ahmetit i cili këtë ide e parashtrojë në BDI dhe më tej në qeverisë. Projekti është paraqitur në fillim të vitit 2015 dhe është punuar dalëngadalë me hapat e breshkës, por të sigurt. Projekti përfundimtar për universitetin “Nënë Tereza” përfundoj në qershor dhe kishte të gjithë mundësitë që të fillonte me punë në tetor 2015, por ekzistonte frika që ky projekt të keqpërdorej për propagandë në fushatën e zgjedhjeve të prillit 2016, prandaj grupi ideator i përbërë nga politikanë, intelektual dhe diplomatë shqiptar e të huaj vendosën që ky universitet të filloj me punë në shtator 2016. U hodh ideja që rektori të jetë një i huaj, jo shtetas i Maqedonisë me qëllimin e mirë që mos të ketë keqpërdorime në punësimet e profesorëve dhe administratorëve me librezë partie në pushtet.
Përplasje të ashpra ka patur midis përfaqësuesve të koalicionit VMRO dhe BDI, por zgjedhjet e detyrueshme të parakohshme të prillit 2016 e detyruan Nikolla Gruevskin të lëshojë pe për zyrtarizimit e universitetit në fjalë si dhe për bustin e Isa Boletinit në Saraj.
Prandaj nuk mendoj se nuk ka shqiptar që është kundër hapjes së Universitetit në gjuhën shqipe “Nënë Tereza” në Shkup, por janë kundër mënyrës së përvetësimit të këtij projekti nga ana e ndonjë ministri që ka diplomuar piratisht. Mendoj se zërat kundër të shprehur për hapjen e këtij Universitetit nuk janë për realizimin e këtij projekti, por ata kanë frik se do të keqpërdoret politikisht ky universitet ashtu siç janë keqpërdorur nga politika ditore hapja e USHT, shkollave, muzetë dhe institucionet e tjera kulturore në Maqedoni. Unë besoj se të gjithë shqiptarët e kanë pritur me gëzim themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup si një arritje politike dhe arsimore për shqiptarët në Maqedoni. Shpresojmë se dëshirat për keqpërdorimin politikisht të kësaj vatre të re shqiptare arsimore do të izolohen.
Tashmë Shkupit ku ndodhen përmendoret e Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit i shtohet edhe vatra më e re e arsimit shqip Universiteti “Nënë Tereza”. Pra, ta gëzojmë edhe këtë vepër, pavarësisht se kush e projektojë, kush çirret dhe kush e realizon, e rëndësishme është se aty do ligjërojnë profesorët shqiptar përpara studentëve që do të ndihen edhe më të nderuar në Shkupin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Nene Tereza, ta gezojme, Universitetin

Në Nju Jork, u mbajtë Konferencë shkencore “100 vjet nga vrasja e Dedë Gjon Lulit”

December 21, 2015 by dgreca

*Dedë Gjo’ Luli, prijësi legjendar i “Malësisë së Madhe” – “Dedë Gjo’ Luli pushkë e ngrehur për Shqipërinë”
*Dalip Greca, Editori i Gazetës DIELLI, ne kumtesën e tij” Jehona e Kryengritjes së malësorëve në Diasporën Shqiptare të Amerikës, solli për të parën herë fakte të dokumentuara për ndikimin e saj në rritjen e shpirtit kombëtar të mërgimtarëve,që ishin ende të paorganizuar në shoqata Kombëtare./
Nga Beqir SINA – New York City/
YONKERS NY : Shoqata “Malësia e Madhe”, me seli në New York, organizoi dje pasdite në Royal Regency Hotel në Yonkers, Konferencën shkencore përkujtimore me titull “100 vjet nga vrasja e Dedë Gjon Lulit”, në përkujtim të 100-vjetorit të vrasjes së këtij heroi e atdhetari të madh të kombit shqiptar, prisit legjendar Dedë Gjon’ Lulit.
Konferencën e udhëhoqi Kolë Cacaj, i cili shfrytëzojë rastin që të përshëshëndes ngrohtësisht të gjithë pjesëmarrësit në këtë tubim përkujtimor shkencor, të cilin tha ai :”Po e mbajmë, për dekada të tëra, për të shënuar në mënyrë dinjitoze, 100 vjetorin e vrasjes së birit më të shtrejtë të Malëcisë dhe njërës ndër figurave më shquara të gjithë shqiptarisë, heroit tonë kombëtar Dedë Gjon’ Lulit, i cili u vra mizorisht më 24 qershor të viti 1915 në Oroshë të Mirditës, nga dora e zgjatur serbe, armikut shekullor të Shqiptarëve” tha Cacaj.
Kjo veprimtari u hap me Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, kënduar nga këngëtari i komunitetit Gjon Krasniqi.
Fjalën kryesore e mbajti zoti Ejllo Berisha – Kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe”- New York, e cila ishte edhe mikëpritsja e kësaj konference, në të cilën morën pjesë dhjetra vetë.
Ai duke folur në emër të Shoqatës Malësi e Madhe me seli në faleminderojë dhe shprehu vlerësimin më të lart, për të gjithë të pranishmit, pjesëmarrës të “Konferencës Perkujtimore”.
Thuhet, se njerëzit e medhënjë vdesin për të jetuar, tha mes të tjerave Berishaj, dhe shtojë se :” Kështu, ishte edhe rasti me tribunin popullor dhe udhëheqësin e kryengritjes së Malësisë Dedë Gjon’ Lulin, i cili edhe sot, pas më shumë se 104 viteve të kryengritjes së Malësisë dhe pas 100 viteve të vrasjes tinëzare të tij është në mesin tonë, në mëndjen dhe kujtesën tonë. Ai është në Tiranë dhe në Prishtinë, është edhe në shtëpinë e vetë muze në Bardhaj të Hotit, pikërishtë, aty ku është lindur”.

Duke folur për konferencën, zoti Ejllo Berishaj, në cilësinë e organizatorit, theksojë se sot ne kemi organizuar këtë veprimtari në një formë tjetër – në formën e përkujtimit të veprës , jetës dhe krenarisë që shqiptarët ndijën për prisin e tyre legjendar Dedë Gjon’ Lulin.
“Organizimi i kësaj “Konference Përkujtimore”, nga Shoqata Malësia e Madhe – New York, tha ai bart në vete mesazhin se edhe pse larg nga vendlindjet tona, ne shqiptarët nuk harrojmë kurrë luftën dhe sakrificën e bijëve ma të mirë të kombit, që me veprat e tyre atdhedashëse ishin dhe janë gurë themele të lirisë dhe pavarësisë se Shqipërisë” Më pasë folësi kryesorë, shtjellojë paksa rolin e diasporës dhe angazhimin e saj – për atë që kjo diasporë ka bërë për çështejn kombëtare, nëpërmjet shënimit të datave historike të rëndësishme për fatin e kombit, dhe përkujtimin e këtyre figurave si Dedë Gjon Luli e tjerë, në komunitet.
“Diaspora shqiptare e madhe dhe fuqishme në botë, u shpreh zoti Berishaj, e në veçanti diaspora e shqiptarëve të Amerikës, ka qenë në vazhdimësi një përcjellës i shumë proceseve me rëndësi për fatin e kombit tonë gjatë gjithë historisë. Kontributi dhe angazhimi i jonë në vazhdimësi ka qenë që atdheut tonë, në përgjithësi pa dallimin e kufijve artificial që të tjerët na i vendosën në mes të shqiptarëve, ne të i dalim zot përherë çdo cepi te Shqipërisë Etnike në gadishullin Ballkanik”.
Simbas tij, ky ka qenë dhe roli i diasporës për ruajtjen dhe mos nxjerrejn në harrës të kryengritjes së Malësisë me në krye kryetrimin Ded Gjon’ Lulin, e cila ka qenë shumë domethënëse, për të nxjerr në dritë një pjesë me shumë rendësi të historisë së kombit shqiptar.
“Në dekadat e fundit shqiptarët e Tri-Shteshit – NY, NJ, Ct dhe të Miçiganit, për çdo pranverë kemi organizuar manifestime, simpoziume, dhe veprimtari të ndryshme për të përkujtuar veprën dhe jetën e Ded Gjon’ Lulit, dhe trimave të tjerë, të kryengritjes së Malësisë, duke shtuar se , kjo kryengritje ishte një thirrje paralajmëruese se pavarësia e Shqipërisë, që po afrohej më 1912.
Diaspora dhe shoqatat tona gjithnjë kanë bërë organizime të tilla që edhe pasardhësit tonë të lindur në mërgim të jen krenar me identitetin e tyre kombëtar, por dhe njëkohësisht të krenohen me stërgjyshërit e tyre si Dedë Gjon’ Lulin, e të tjerët, të cilët me atdhedashurinë e tyre bën të mundur për të mbrojtur qenien tonë shqiptare, në trojet tona stërgjyshore”.
Ejllo Berisha – Kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe”- New York, në fjalën e tij në emër të shoqatës, që ai drejton, dhe organizatorit të kësaj veprimtarie , shprehu respektin më të lart për shtetin tonë Shqipërinë, presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani, që bëri të mundur dhe përkrahu pa rezerva realizimin e ëndrrës dhe dëshirës se Malësoreve, pra vendosjen e shtatores së Dedë Gjon’ Lulit, në kryeqytetin tonë në Tiranë. “Është, kjo një vepër madhore që vetëm sa shton dhe forcon dashurin dhe respektin për atdheun e vetëm të shqiptareve, Shqipërinë tonë” tha zoti Berishaj.
Në cilësinë e mikëpritësit të kësaj veprimtarie , ai gjithashtu falënderoj dhe u shpreh mirënjohës, ndaj donatorëve të shumët që kontribuan dhe përkrahën pa rezervë të dy shoqatat simotra Malësi e Madhe , Detroit dhe New York, në finalizimin e këtij projekt të përbashkët .
“Lidhur me këte projekt, tha kryetari i shoqatës, zoti Berishaj, respekt dhe mirënjohje për ish kryetarin e Shoqatës Malësi e Madhe Miçigan zotin Pashko Gjokajn dhe kryetarin aktual të shoqatës Malësi e Madhe në Miçigan zotin Lekë Gjonaj, anëtarin e shoqatës Gjon Dedvukaj për punën e tyre, të pa lodhshme në realizimin e projektit për vendosjen e shtatores së Dedë Gjon’ Luliit në Tiranë, dhe po ashtu u jemi mirënjohës të gjithë atyre që nga diaspora dhe vendlindja udhëtuan në Tiranë, më 27 Nëntor për të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit solemn të shtatores së Dedë Gjon Lulit”.
Konferenca e cila filloi me disa mungesa – karakteristike, këto pothuajse munges e të gjitha organizatave dhe shoqatave të komunitetit shqiptarë në Amerikë,( që nuk janë shumë profesionale, po të krahasohen me veprimtari të tilla që mbahen në vendlindjen tonë) e rriti nivelin e saj, sidomos gjatë dy senacave me kumtesat majft interesante, të folësve dhe moderimin e bukur të Kolë Cacaj – të cilët u ndoqën me një vemendje të posaçme nga të pranishmit.
Kryengritja shqiptare e vitit 1911 ose Kryengritja e Malësorëve e vitit 1911 e udhëhequr nga prijesi legjendar Dedë Gjon Luli, ishte një nga shumë kryengritjet shqiptare në Perandorinë Osmane, dhe zgjati nga 24 mars 1911 deri më 4 gusht 1911 në rajonin e Malësisë, thanë oratorët.
Jehona e kësaj ngjarje të madhe me protagonist trevën simbol të shqiptarëve, Malësinë e Madhe, u shprehen ata jo vetëm nuk është zbehur, por tingëllon më aktuale se kurrë. Pasi tokat e Shqipërisë Etnike janë jo vetëm të ndara, por mbi të gjitha të “zaptuara” mizorisht nga armiqtë tanë shekullorë sllavë.
Kjo, Kryengritje e cila fillimisht shpërtheu në Malësi, që më pas të shtrihet në mbarë Vilajetin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërinë, në kohë të fundit ka zgjuar një interesim më të madh tek studiuesit shqiptar e më gjerë, të cilët përmes disa Konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare, veprimtarive të organizuara në Tuz, Tiranë, Prishtinë, dhe Detroit, e Nju Jork, kanë arrit të hedhin dritë mbi atë ngjarje me peshë të madhe dhe të rendësishme historike, në historinë e kombit shqiptarë, për liri e pavarësi mbas 500 vjet të sundimit otoman.
Mirëpo, sado që në këto konferenca, simposiume dhe veprimtari, studiuesit , historianët, dhe profesorët nga diaspora dhe vendorigjina përmes punimeve të tyre studimore, ofruan gjatë këtyre konferencave, simposiumeve dheveprimtarive, shumë fakte dhe të dëshmi të panjohura për opinionin shqiptar e më gjerë, megjithatë nuk mund të thuhet se u arrit zbardhja e tërësishme e asaj Kryengritje, dhe figurës së prijësit të saj – me dimesionet të pa krahasushme për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Nisur, ndoshta edhe nga kjo, Profesori, gazetari dhe shkrimtari nga Malësia, Fran Camaj, tha dje në këtë konferencë ndër të tjera në kumtesën e tij, se për të shkruar për jetën dhe veprën e një heroi e atdhetari të madh, siç është trimi i Malësisë e luftëtari i shqiptarisë, heroi ynë Dedë Gjo’ Luli, është detyrë e vështirë ngase gjithmonë rrezikon të mos thuash diçka të re.
“Mirëpo, kur kemi parasysh se kush ishte Dedë Gjon Luli, theksojë profesorë Camaj,: tribun i popullit, patriot i pashoq, me ide e vizione të qarta, strateg i luftës dhe njeri që për më shumë se 50 vjet me radhë nuk e hoqi pushkën nga krahu, njeri që nuk pushoi së vepruari në asnjë çast për interesat e atdheut dhe të kombit, njeri që askurrë nuk ra nën kurthet e armiqve të shumtë te vendit, luftëtar i pa kompromis për çështje kombëtare, që inspiroi shumë studiues, historianë, poetë e shkrimtarë, skulptorë, piktorë e muzikantë, që të krijojnë vepra të llojllojshme kushtuar këtij vigani, atëherë mbetet obligim i yni, që të gjurmojmë, të shkruajmë e të flasim për të në çdo kohë dhe në çdo vend, sepse për njerëzit e tillë gjithmonë ka çka të thuhet” tha ai.
Me këtë rast u mbajtën gjashtë kumtesa, nga personalitet e diasporës shqiptare në New York dhe nga vendlindja jonë, si dhe tre recitale nga poeti e shkrimtari Mëhill Velaj i cili solli vargje të shkëputur nga “Lahuta e Malcisë” e të madhit, At Gjergj Fishta, dhe gazetari e poeti Xhevat “Jack” Kukaj, me një poezi të tij enkas për Dedë Gjo’ Luli, prijësi legjendar i “Malësisë së Madhe”dhe Nosh Camaj .
Konferenca e përshëndetën më pas edhe veprimtar të komunitetit, për të nderuar këtë hero e atdhetar të madh të kombit shqiptar, Dedë Gjon Lulit, si publicisti dhe shkrimtari Tomë Paloka, dhe Ajet Delaj – Nikçi, nga Kelmendi.
Në fund u shafq një dokumentar televizivë i përgatitur nga ekipi i Televizionit Albanian Culture, në Tiranë, kushtuar vendosjes së shtatores së Dedë Gjon Lulit në Tiranë, më 28 Nëntor 2015.
Në kumtesën e tij zoti Xheladin Zeneli – publicist dhe ish deputeti i Parlametit të parë pluralistë – Malit të Zi, bëri në fund të kumtesës së tij, një analogji të Kryengritjes së Malësisë dhe kërkesave të prijsit të Shqiptarëve Dedë Gjon’ Lulit.
Një qasje ndaj kërkesave të Malësorëve në vitin 1911 dhe kërkesave të shqiptarëve në vitin 2015
“Është shumë interesant fakti, tha zoti Zeneli, se kërkesat e shqiptarëve, përkatësisht kërkesat e malësorëve që në atë kohë ishin drejtuar ndaj qeverisë turke, por edhe Europës,janë pothuajse të ngjajshme me kërkesat e sotme të shqiptarëve ndaj qeverisë së Malit të Zi. Kjo dëshmon se çështja shqiptare në Mal të Zi, ka ecur shumë pak përpara , ka stagnuar apo në disa raste edhe ka pësuar degradim të saj. Në të vërtetë, disa nga kërkesat e malësorëve të cilat më vonë do të artikulohen dhe miratohen me 23 qershor 1911,në një dokument i cili tani njihet si Memorandumi i Greçës dhe i cili në mes të tjerëve mban edhe nënshkrimin e Ded Gjo’ Lulit,ishin më të avancuara se disa nga kërkesat e sotme.Po tërheqim një analogji në mes disa kërkesave të vitit 1911 dhe kërkesave të sotme:
-Në vitin 1911 u kërkua njohja e plotë të kombit shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të perandorisë osmane.Edhe sot po kërkohet diçka e ngjajshme, nën pushtetin malazez, të drejtat e barabarta të shqiptarëve me kombet dhe kombësit e tjera në Mal të Zi.

-Në vitin 1911 kërkohej liria e plotë e shqiptarëve për të zgjedhur deputetët e vetë. Sot, kjo kërkesë njihet si përfaqësimi autentik i shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi;
Liria e plotë e mësimit në gjuhë shqipe, hapja e shkollave shqipe me te drejtat e barabarta me shkollat tjera në Perandorinë Turke, ishte kërkesë e para më shumë se një shekulli. Siç dihet , ende deri më sot nuk është arritur ndryshimi i programeve dhe teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe harmonizimi i tyre me tekstet shkollore të Shqipërisë dhe Kosovës . Abetarja mbarëkombëtare ,për shkollat shqipe në Mal të Zi, lejohet si libër plotësues apo opcional dhe jo si një tekst shkollor i obliguar mësimi për nxënësit shqiptar të shkollave fillore në këte shtet ku shqiptarët jetojnë si popull autokton.
-Me Memorandumin e Greçës u kërkua autonomia dhe organizimi decentralist administrativ i vilajeteve ku ndodhen shqiptarët. Sot shqiptarët në Mal të Zi kërkojnë decentralizimin e pushtetit në Komunën e Ulqinit, dhe realizimin e komunës së Tuzit ( Malësisë) ,me status të barabartë , status ky të cilin tash 25 vite me radhë po i mohohet nga pushteti i Podgoricës.
– Kërkesë e atëherëshme: Përdorimi i gjuhës shqipe në administratë dhe të pranohet si gjuhe zyrtare, pran gjuhës turke . Sot, gjuha shqipe e kufizuar në administratë, dhe ata pak nëpunës shqiptar që janë të inkuadruar në te,shumë pak e përdorin gjuhën shqipe;– Kërkesë tjetër e vitit 1911:Nëpunësit e lartë të dijnë gjuhën dhe zakonet e vendit.Nëpunësit e tjerë civil dhe financiarë të jenë shqiptarë.Gjyqtarët ,xhandarët e policët gjithashtu të jenë shqiptarë. Kjo është një kërkesë aktuale edhe sot,sepse shqiptarët nuk janë të përfaqësuar sa duhet, në organet dhe administratën shtetërore në Mal të Zi, për një kohë të gjatë.
Në këtë kontekst dhe në retrospektivë, termi ” avancim i çështjes shqiptare ” e humb kuptimin e vet” tha zoti Zeneli.
A përfundojë duke thënë se :” Thënia e njohur se ” Nëse nuk mësojmë nga historia,atëherë ajo është e destinuar që të përsëritet”, vlen shumë në rastin e shqiptarëve, pra në rastin e popullit tonë.

Nëse regjimi i atëhershëm i Malit të Zi, mundohej që Kryengritjen e malësorëve kundër pushtuesit turk,t’a përdorë dhe shfrytëzoi për interesat e veta ekspanzioniste, sot pas 100 viteve, një regjim tjetër, por aq dinak dhe djallëzor sa edhe regjimi i krajl Nikollës, pra regjimi i Gjukanoviqit po mundohet ti përdorë shqiptarët kundër njeri-tjetrit, përmes politikës së përçarjes së tyre, politikë kjo që jo vetëm nuk ka ndryshuar që nga koha e krajl Nikollës, por ajo është avancuar me metoda të reja dhe perfide. Derisa para një shekulli pushtuesi turk, u largu,vendin e tij e zuri një pushtues tjetër,ai malazez.Ky i fundit, që nga Kryengritja e Malësisë e deri më sot, po angazhohet në asimilimin, ç’kombëtarizimin, shpërnguljen,ndryshimin e strukturës kombëtare të vendbanimeve shqiptare, posaçërisht Malësinë, duke e kolonizuar me popullsi jo shqiptare gjatë periudhave të ndryshme të këtij regjimi.Dhe çka është ma keq, e gjithë këtë skenar, Mali i Zi po e arrin ta realizoi me ndihmën e disa shqipfolësve servil të pushtetit.”
Profesori i historisë disa vite me radhë në Gjimanzin e Tuzit, mëpastaj diplomat dhe drejtor i Shkollës fillore në Dinoshë, së fundmni asaj në Tuz, zotëri Pjetër Ivezaj për këtë Konferencë, kishte përgatitur kumtesën :”Angazhimi i Dedë Gjon’ Lulit, kundër coptimit të Trojeve Shqiptare”.
Zotëri Halil Nika nga Dinosha kishte përgatitur një kumtesë shumë interesante me titull :” Kryengritja e Malësisë paralajmërim i Pavarësisë së Shqipërisë” i cili së bashku me editorin e Diellit Dalip Grecën sollën për herë të parë disa fakte intersante të pasqyruara qysh atëhere në gazetën Dielli – organ i Vatrës së shqiptarëve në SHBA.
Dalip Greca, Editori i Gazetës DIELLI, ne kumtesën e tij” Jehona e Kryengritjes së malësorëve në Diasporën Shqiptare të Amerikës, solli për të parën herë fakte të dokumentuara për ndikimin e saj në rritjen e shpirtit kombëtar të mërgimtarëve, që ishin ende të paorganizuar në shoqata Kombëtare.
Ai duke iu referuar Gazetave që publikoheshin në SHBA “Dielli dhe Flamuri”-emri i përkohshëm i Gazetës Dielli në ato vite për të kaluar censurën e Peradnorisë osmane dhe për të hyrë në viset shqiptare, si dhe citime nga gazeta “Trumpeta e Krujës”- The Trumpet of Croya”, që botohej nga Faik Konica drejtor Angelo Laska, manager, editori i Dielli tha se jehona e kryngritësve mbërriti përkëtej Oqeanit.
Editori i Diellit, tha se shqiptarët e Amerikës, kishin një projekt për të nisë një dërgatë tek malësorët me qëllim që të ndikonin në mbajtjen gjallë të shpirtit kryengritës dhe për t’i dhënë shpirt Lëvizjes Kombëtare në viset Shqiptare.Editori i Diellit citoi një shkrim të marrë nga Trumpeta e Krujës, publikuar në numrin e 15 prillit, 9 ditë pasi sihte ngritë Flamuri në Bratile të Decicit si dhe disa kronika të marra nga Gazeta”Dielli dhe Flamuri”. në Gazetën”Trumbeta e Krujës” e 15 prillit 1911, në kolonën editoriale, vetë editori Faik Konica, bën një shënim me titull” Kryengritja në Gegëri”, ku shkruan për një projekt të shqiptarëve të Amerikës në përkrahje të kryengritësve malësorë.
Konica sqaron lexuesit e gazetës së tij se ky projekt kishte nisë që një mot më parë në vjeshtën e vitit 1910, kur shpërtheu Kryengritja në Shqipërinë e Veriut. Duke folur për kryengrtjen e Malësisë, Faik Konica shkruan se”Këtë radhë fusha e luftës nuk është Kosova, por Malësia e Mbishkodrës, e cila po e sfidon Perandorinë e plakur. “
Konica thekson se kryengritjet e 1910-911, shkëlqejnë dy emra, Isa Boletini dhe Dedë Gjo’ Luli. Pena e Konicës i këndon hymne kryengritësve që me trimërinë e tyre tërhoqën vëmendjen e Europianëve. Në krye të Ushtrisë shqiptare është natyrisht Gjeneral Isa Boletini, karakteri i të cilit dueket për dita më i madh, dhe fama e të cilit sa po vete dhe po forcohet. Në një Luftë të madhe që u bë afër Shkodrës, kryegjenerali ynë në krye të 8,000 Shqiptarëve, rrahu ushtrinë halldupe, vrau disa qindra nizamë, plagosi shumë më tepër edhe zuri rob shumë të gjallë.
Ndërsa për debatin rreth tendencës së Malit të Zi dhe Krajl Nikollës për të përfituar nga Heroizmi i malësorëve dhe karakteri heroik i ded Gjo Lulit, editori i Diellit tha se kjo tendencë ka vazhduar edhe pas Kryengritjes. Madje vetë Krajl Nikolla ,tha ai ,shkroi një poemë me titullin”Kryengritja e Malësorëvet”( Malisori Ustanak”, ku ai i thur lavde kryengritësve, por nuk harron që aty këtu t’i jap dhe merita vetes. Kjo Poemë që u botua edhe në shtypin shqiptar(Revista Leka), kishte 215 strofa katërshe, që përfshinin 860 rreshta në 22 faqe libri.
Duke u përfshi në debatin për vrasjen e Dedë Gjo Lulit, Greca tha se teza se vrasësit e Kryetrimit të maleve, dedë Gjo Luli ishin shqiptarët, është sajesë përcarëse për të futë në grindje Malësinë me Mirditën. Këtë tezë e hedh poshtë jo vetëm vrasja bashkë me kryetrimin i trimave mirditorë që e shoqëronin, por edhe fakti s mes mirditorëve Dedë Gjo Luli ksihte qenë dhe herë të tjera dhe nuk e kishte kanosë asnjë rrezik. Ai përmendi pjesmarrjen e Dedë Gjo Lulit në Kuvendin e organizuar në Klimze, Fan të Mirditës me 27 Prill 1911, ku u prit me respekt. Serbët ishin vrasësit e Dedë Gjo Lulit.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Konference per 100 vjetorin e vrasjes, NY, te prijesit dede Gjo Luli, Yonkers

AAK nuk terhiqet: Komision të ri kredibil për demarkacionin, Thaçi mirëpret Raportin

December 21, 2015 by dgreca

Zv/Kryeministri Hashim Thaci: Mirëpres raportin e DASH/
-AAK deklaron se akoma nuk e ka parë versionin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nuk mund ta komentojë atë/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/ Partia opozitare, AAK deklaroi pak më parë se akoma nuk e ka parë versionin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nuk mund ta komentojë atë.
“Por, pavarësisht prej kësaj ka një numër jo të vogël të ekspertëve të kësaj fushe, që nuk janë përsona partiakë, që kanë gjetur parrëgullësi të mëdha në shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Për më tepër edhe vet Mali i Zi, në disa raste e ka shprehur gatishmërinë që të korrigjohen gabimet që janë bërë”, thuhet në deklaratë.
AAK vijon se, jemi të vëtdijshëm se demarkacioni është njëri prej kushteve, për proceset integruese, por kjo nuk nënkupton se demarkacioni duhet të bëhët “shkel e shko”.
“Ne jemi të bindur se janë bërë gabime jo të vogla në demarkacionin me Malin e Zi, edhe duke u marrë si kriter bazë, kriteri kadastral, që nuk mund të jetë kriter kryesor në demarkacionin e kufijve të shteteve, dhe shpresojmë se kjo çështje do të zgjidhet në bazë të dokumentave kredibile”, thotë partia e dytë opozitre kosovare.
Ne, vijon AAK, do të insistojmë që qeveria e vendit të caktoi një komision të ri kredibil, duke pasur edhe ekspertë ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i vihet pikë kësaj çështjeje.
“Askush nuk duhet të frikësohet nga përsëritja e një procesi të detajuar të demarkacionit me Malin e zi, sepse gabimet gjithmonë janë të mundshme dhe në rastin konkret, është evidente se ato janë bërë”, përfundon AAK në deklaratën e dërguar./b.j/

Thaçi: Mirëpres raportin e DASH
– Ky raport kredibil rikonfirmon se vendimi për demarkacion ka qenë i drejtë, profesional, ligjor dhe kushtetues/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2015/ Zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se, e mirëpret raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me marrëveshjen për demarkacion në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
“Ky raport kredibil rikonfirmon se vendimi për demarkacion ka qenë i drejtë, profesional, ligjor dhe kushtetues”, shprehet ai.
Demarkacioni, vijon Thaçi, është bërë në bazë të vijave kufitare të caktuara nga Kushtetuta e vitit ‘74 dhe duke u mbështetur në dokumentin e presidentit Ahtisaari, mbi bazën e të cilit është shpallur edhe Pavarësia e Republikës së Kosovës.
“Ritheksoj që SHBA-të, pavarësinë tonë e kanë njohur në bazë të tërësisë territoriale dhe kufijve aktual të shtetit të Kosovës”, shkruan Thaçi në ‘facebook’./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: AAK nuk terhiqet:, Komision të ri kredibil, për demarkacionin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 94
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT