Aktiviteti i vitit i komunitetit shqiptare në Shtetet e Bashkuara – 2015, i cili mund te konsiderohet dhe si arritja me e madhe e shqiptareve të Amerikës/
NEW JERSEY : Kjo është përmbyllja dhe si më thënë “Ajo Qershia mbi Tortë” përfundimi me sukses i turneut në futboll të vogël “Vllaznimi Soccer Tournament” në Nju Xhersi të SHBA-ve, i organizuar nga “Qendra kulturore shqiptaro-amerikane” -Fondi përbashkët shqiptar – FPSH, ku morën pjesë 24 skuadra me futbollistë nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Sport, traditë dhe kulturë vetëm kuq e zi – ditën e Krishtlindjeve, dhe në prag të Vitit të Ri, nga shqiptarët e Amerikës, mund të jetë përshkrimi më real i këtij evenimenti mbarkombëtar, të cilin e organizoi për të shtatin vit me rradhë komuniteti shqiptar, respektivisht mërgata strugane në Amerikë, pasi përveç garës sportive, në këtë eveniment madhështor, u kërcye dhe u këndua vallja dhe kënga shqipe vetëm kuq e zi.
Në foto me fituesin e Kupës së Turneut në futboll të vogël “Vllaznimi Soccer Tournament 2015” në Nju Xhersi të SHBA-ve, futbollistin e Ana e Malit, Kurti, duke percjell një pjesë të emocioneve nga Ana e Malit në SHBA, mes shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike.
Ky aktivitet shembullor u përcoll me kujdes nga mediat shqiptare në SHBA por edhe nga ato në vendlindje.
Gazeta Illyria, BotaSot,Dielli, televizioni Alsat-M dhe ShenjaTV në Maqedoni, portalet Almakos, Strugalajm, Drini.mk etj, i dhanë hapsirën e duhur këtij organizimi të shkëlqyeshëm i cili vitin e ardhshëm do të jetë edhe më madhështor, të paktën kështu kan premtuar në fund të kësaj veprimtarie organizatori – i cili patjetër duhet përgëzuar për këtë aktivitet dhe meriton një kup të veçantë nga të gjithë shqiptarët e Amerikës./B.S/
Archives for January 2016
PJETËR GEGË GURAKUQI: DOSJA NR. 318…
Nga Fritz RADOVANI/
■“Kriminel lufte dhe armik i popullit”. Pse asht akuzue i tillë?
■Vetem pse ka lé në Shkodër… më 2 janar 1912.
Mbas mësimeve të para në vendlindje, gjimnazin e ka krye në Beograd.
Akademinë Ushtarake e ka përfundue në Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë ka ba një kurs specializimi për karabinjeri në Firencë, në Itali, e në vitin 1932 këthehet në Shqipni. Emnohet në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit 1939 ishte komandant i Rrethit të Jashtëm në Tiranë, deri para kapitullimit të Italisë. Katër muej para shkëputet mbasi vëren shthurjen e italianëve.
Me ardhjen e Mahmut Golemit si Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët, Pjetri emnohet në Berat e shpejt vjen prap në shkollën e gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune deri në fund të vitit 1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte nga Pjetri me shkue prap në Berat.
I përgjegjet thirrjes dhe shkon atje deri në fund me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan. Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u kapnin nga gjermanët dhe i sillnin aty.
■Në janar të vitit 1945, arrestohët si “kriminel lufte dhe armik i popullit” në Berat.
Para komisionit hetues të përbamë prej: Major Ruli, Bello, E. Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: “Kam qenë vetëm një ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në ndihmë popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit… Populli i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje…”
■Me datën 8 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Beratit, e përbame nga: Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki Veleshnja dhe Neki Korita, prokuror kap. I Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl Borduni, akuzojnë Pjetër Gurakuqin, se ”ka qenë vegël e verbër e okupatorit të huaj, ka qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka patur “karta bianka” kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare.”
Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue njeri mbasi nuk ka as fakte për té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap. Qamile Libohova, asht torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan Ramadanin nuk e njeh fare. Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli deklarojnë: “Kanë shkuar gratë tona për t’iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka liruar”. (Dosja nr. 318). Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në Tiranë, shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të Beratit, ku shënohet: “Si paraqitet Pjertri ? – Jo aq armik, sa në shkresa. Popullin i Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra në gjyq. Flasin mirë për té…Vetëm, vendimin e Pjetrit me v d e k j e, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli është shumë i kënaqur.
■Mejtimi ynë: Pjetrit t’i këthehet në burgim të përjetëshem. Pse: Kur Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me Operacionin e Komunës së Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën që mund të japin shpjegime për Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet. Pjetri mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm.
I pandehuri Skënder Plashniku, kriminel me famë. Spijun. Ceno (Hysen) Shahin Elezi nga Plashari, janë kriminelë dhe armiqë të betuar.
Misto Bllaci d.v.
■Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të mira edhe nga Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka terrorizue popullin në zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur ishte gjykatës.
■Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk Jakovës, i cili, si dukët i ka dhanë “shpjegimet” me gojë tek kryekasapi.
■Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje nga qyteti i Shkodrës, ku ven në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë dhe se deklaratat e bame nga populli i Beratit duhet të prekin “zemrën e komandantit”…
■Cila ishte përgjegja?
“Komanda e Përgjithëshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Gjykata e Naltë Ushtarake
Tiranë 3 shtator 1945
Nr. 08-134/I-Prot.
■GJYKATËS USHTARAKE – Berat
Gjegje e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945:
Aprovohet ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:
1. Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
2. Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga Plashniku,
3. Skënder Sadik Çaushaj nga Plashniku.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar Shkurtës, i këthehet në burgim të përjetëshëm.
V.F.L.P.
■Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v.”
***
■Përgjigje me datën 1 tetor 1945:
“Në orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në radiogramin e sipërm.
Vullneti i tyre i fundit qé: “RROFTË SHQIPËRIA”
Kryetari i Gjykatës Ushtarake:
Kap. I Bexhet Mema d.v.”
■“Komandanti” për të gjithë donte me dijtë vullnetin e fundit!! Prandej e kemi “Hero”!
■ShenimFR: HAPJA E DOSJEVE ASHT DOMOSDOSHMENI. AJO PENGOHET NGA PASUESIT DHE TRASHIGIMTARËT E TERRORISTËVE NË PUSHTET.
Melbourne, Janar 2016.
Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë
Nga Ilir Levonja/
Si lajm i parë që është, përmbytja…. kalon shpejt e shpejt.
Në Zejmen të Lezhës uji u tërhoq. Kështu edhe në Çermë. Jeta në Seman iu kthye normalitetit. Andej nga Novosela Vjosa u urtësua në shtrat. Kalimet në Librazhd janë rregulluar përkohësisht. Dëmet nuk janë llogaritur akoma.
Pastaj vrulli i lajmeve i përmbahet sherrit mes Berishës me gazetarët. Ramës në takimin e radhës me Metën. Donald Lu, Vllahutin. Sërish çfarë thotë Bushati kundër Berishës, nipi i nomeklaturës. Dhe kush është me Berishën. Dhe kush me Fevziun, kush me Bollinon etj.
Erë e gjallë, suferinë. A do arrihet marrëveshja për reformën në drejtësi? A ka të drejtë ai prokorurori që qahet. Kur thotë mjaft më, se na bastarduat fare.! Të jesh prokuror në Shqipëri është më keq se në Italinë e Camorrës.?! Sërisht postimi dhe përgjigja e radhës, nga Fevziu. Që nuk i përgjigjet akuzave të Berishës. E quan Opinionin mburojë të krimit.
Po Fevziu nuk i përgjigjet dorësh. Le të flasi. Pastaj Rama më në fund u fut tek Meta. Kishte veshur pallto të gjatë. Bën në ftohtë në Tiranë… Kurse në Zejmen, Çermë, Seman, Bulqizë, Librazhd etj. Atje ku uji është tërhequr, nuk bën ftohtë aspak. Ata, po pin duhan duke soditur çfarë u ka mbetur zgafellë në sy. Ftohtë bën vetëm në Tiranë. Dhe takimi po zgjat shumë. Shumë fare.
Megjithatë si zejmenasi, si çermanaku po teren në erë. Përtypin në mëndje shijen me llogari të përgjysmuara. Me miell të hidhët prej mykut. Nga qielli nuk ka më shi. Megjithatë askush nuk është i sigurt që, e njëjta gjë të mos përsëritet që nesër. Të paktën sot fryn erë. Kaloi dhe kjo. Pastaj asgjë tjetër, duhan të fort. Presin ndonjë haber nga ai bashkëvuajtësi, novoselaraku. Nga përmbytjet e vjetshme…, morën apo nuk morën gjë.
Pikohen për bagëtitë e mungura. Shkojnë e ndezin ndonjë qiri. Hedhin lule. Lumenjtë vrapojnë po njësoj. Plot llum, plot inat. Njerëzit përpiqen të kuptojnë se ku i kanë zemëruar. Kështu ata anës Semanit, Gjanicës, Vjosës, Matit, Shkumbinit etj. Të paktën fryn erë. Ftohtë bën në Tiranë.
1)Në Shqipërinë e përmbytjeve. Shqipërinë e pa dritave, Shqipërinë e pa rrugëve. Vendit me aktivitet më informal. Me ekonomi me sytë nga qielli. Qëllon shpesh të grinden pleqtë. Madje krijojnë aq shumë tifozëri sa në djall qypat me turshi, bagëtitë, kusitë, orenditë. Deri dhe shtëpitë e zejmenasve, çermanakëve apo atyre nga Novosela. Mjafton t’u shkojë e veta. T’u shkojë e tyrja. Dhe ne të bindemi përjetësisht se ata kanë të drejtë. Grinden edhe pse janë në moshën e shenjtërisë. Grinden deri për dashnoret e rinisë. Që kushedi…, në atë sinor të jetës së shkuar. U kanë dhënë pak oksigjen të pastër shijeve apo instikteve të indoktrinuara të mendjeve të tyre. Grinden e zihen edhe pse ato të shenjtat, ”fltura të zëna me duar” siç thotë Lasgushi. Që tani duhen lexuar flutura të zëna e të mbajtura nëpër gojë. Pra ato flutura sinoresh jete, mund të jenë edhe me Zotin. Mund të jenë diku duke u fikur. Prapë pleqtë kanë vrullin e provincialëve rioshë të t’i tregojnë si dashnoret e tarracave. Dhe ne që jemi të dënuar të bëjmë tifozllëk. Të tregojnë edhe bindjet dhe strategjitë e shmangieve. Mbijetësen, groposjet dhe shpëtimet, apo mbi shpëtimet prej njëri-tjetrit. Apo nga njëri-tjetri. Kur po ky i shenjti Lasgush përdorë përemrin ”ne” kur vritej apo surgjynosej një poet, intelektual, kuadër. Pra jo vetëm bashkëvuajtës, por edhe bashkëfajtor. Megjithatë, ne na duhet Lasgushi për të treguar kulturë. Jo për t’u ndjerë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë si Lasgushi.
2)Tani të themi dy fjalë për grindjen e radhës. Atë mes Berishës dhe gazetarëve. Umberto Eko tha para pak ditëve se, interneti u ka dhënë të drejtën e fjalës budallenjëve. Unë jam trishtuar shumë. Megjithëse e di, që mendësi diktatorësh mund të gjesh pafund mes shkrimtarëve. E drejta e fjalës është e drejtë njerëzore menjëherë pas lirisë së individit. Ambicjes së tij për një botë pa shtypës dhe të shtypur. Përkufizimi dhe mbajtja peng e e fjalës, vetëm në disa kuadrate gazetash që mbërrinin në destinacion, njëzet e katër orë me vonesë, është kohë e tejkaluar. Detyra e njerëzimit është sot se si të sistemojë nervat, vetveten, lirinë e tij dhe të fjalës. Por mendësi diktatorësh puplojnë sikur asgjë të mos kenë qënë skllavëria. Dhe diktaturat. Nga njerëz qofshin këta edhe me përmasa të Umberto Ekos. Megjithatë, po pak kohë më parë, një njëri që luan topin, që argëton njerëzit, me emrin Ronaldo. Në Brazilin e Amazonës, akuzave brutale prej politikani të një shkrimtari të madh si Paulo Coelho. Iu përgjigj thjesht…, po bën atë që po më largon prej vetes. Po më heq nga lista e njerëzve që e adhurojnë.
Më këto tërësi detajesh dua të them se, si ngritja dhe lartimi i figurës, filloka nga vetja. Por fatkeqësisht aty filloka edhe rrënimi i saj.
Unë nuk kam çfarë t’i shtojë më shumë atyre grindjeve. Janë tashmë pazar i tejkaluar. Përballë terjes në erë të zejmenasve. Apo çermanakëve. Koha e luftës kundër bllokmenëve dhe baballarëve është e tejkaluar. Deri sa bëmë aleanca dhe qeverisëm me ta. E mbaj mend si sot mbrëmjen e 12 janarit 2012. Kur të gjithë prisnin vendimin Gjykatës në lidhje me punën e Metës, pas denoncimit të Fiksit. Ne shkuam e pimë verë në shtëpinë e tij. E mbrojtëm me polici, fenelina verbonjëse të shtetit në aleancë me bllokmenët. Nga ajo nomeklaturë bllomenësh vjen edhe Meta, edhe ai i ndjeri Milloshi. Ai që në aleancë të heshtur na dha vota. Nuk është fatkeqësi të lindësh bllokmen dhe nipi i një gjyshi. Fatkeqësi është kur i shërben dhe bën aleanca me ta. Kështu edhe ne, duhet të quhemi të tejkaluar pasi në vend që të dënonim terrorin, krimet, luftën e klasave. U thamë demokratëve se sa e shijshme ishte vera në shtëpinë e bllokmenëve. Kjo është pjesë atyre minuseve. Që në karrierën tonë, prej bashkëvuajtës. Nuk ndjem fajin, nuk ndjem pjesëmarrjen në faj. Nuk u ndjemë asnjëherë edhe bashkëfajtorë. Kjo është ajo pjesë e atyre minueseve që ndërsa tronditëm kalldrëmet, me shprehje të tilla si bizhyteritë e grave do të shesim. Dhe do e bëjmë rrugën e kombit. Nuk ndjemë aspak se entuziazmi po na largonte nga praktika reale e ndërtimit të shtetit. Dhe duam apo nuk duam ne, enutziazmi është frymë e propogandës. E revolucioneve dhe e planeve pesë vjeçarë.
Një strategji që pikë për pikë po e ndjek edhe Rama. Pushtimi i dhunshëm i studiove që deri dje ishin tonat. Dhe është kjo arsyeja që ne ndjehemi jetim. Ky është fakti që bjerrja ka filluar. Dhe ne vetëm grindemi.
3)Në fund të fundit, e drejta e fjalës, argumentat, denoncimet janë pjesë e një rutine dite politike. Mirëpo kufizimi i çështjes përballë një fatkeqësie të madhe si përmbytjet. Me bllokun, bandat e krimit. Duke sikur na largon nga e vërteta e popullit tonë. Sot PD- duhet të denoncojë jo nga selia. Por nga fushat plot batak dhe orendi të grabitura. Nga dhuna e natyrës për shkak të mos funskionimit të shtetit. Të atij shteti që ka mbetur akoma me kudraturë dhe infrastrukturë komunistë. Edhe pse bërtasim, se vimë në pushtet duke sharë komunizmin. Ndaj veç bashkëvujtës, ne jemi dhe bashkëfajtorë. Për aq kohë sa shohim. Dhe kemi njerëz që pinë duhan të fortë. Duke soditur çfarë Zoti u la për mëshirë, duke u terur në erë. Atje në Zejmen. Atje në Çermën buzë Shkumbinit.
GJAKU I TEPRUAR!
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/
1. Milici drejtësindarës!
Derdhje e lumit njerëzor drejt Prishtinës, tribuna dhe kuvendimi i opozitarëve pastaj, në një çast, shpërthimi i mëllefit impulsiv rinor dhe reaksioni i Milicisë plot et për represalje – janë, tashmë, tabllo rituale të rebelimit të organizuar opozitar.
Por, kësaj here, pati një shpalesë të re, që bënte indin ekzemplar të fytyrës regjimore: foli Baki Kelani! Asgjë e parëndomtë, sikur ai të raportonte informativisht ngjarjen dhe rrjedhën e saj.
Por, jo! Ai foli politikisht dhe tha: “Policia ia njeh të drejtën gjithkujt për protestë…”!
Kur do të vdiste Aleksandër Rankoviqi i urryer, serbët e vajtuan me njëmi palë lot. E ish-Prefekti spirituoz i Belgradit, i mrekullueshmi Bogdan Bogdanoviq (që thoshte se ka ardhur koha të ndahemi miqësisht me shqiptarët), pat shkruar gjithë pezm: mjerë ai popull, rinia e të cilit qan me kujë kolektive mbi varrin e një milici!
Mirëpo tani, së paku si emblemë, është kohë tjetër. Një polic mund të gëzojë shansin e patriotizmit kushtetues. Por protagonisti ynë është do t’kujdeset për ti dhënë pamje tjetër atij: merr përsipër të bëj vetëgjyqësinë dhe, si kostumprerës madhnor, njeh ose mohon të drejta njeriu!
Ndaj dhe ky fragment gjithçkathënës kur milici drejton e pilitika milicëron, shpërlan në dritë dielli dy prirje të liga: përceptimin despotik e primitiv të shtetit dhe kultin e institucionuar të dhunës që t’kujton trishtëm atë rendin e kohën e errtë kur përzitej Prefekti i ndjerë belgradas!
2. Kolona e pestë!
Historia e përbetimeve të botës është e bujshme sa vetë orvatja e vështirshme për të dalë nga qerthulli kafshimor i tyre…Veçse ato, për ti rënë në gjurmë viktimës, do të kenë dhe vegëlerinë e tyre ndihmtare: kolonën e pestë! Kudo ndër fronte, kanceleri prijësish, shtatmadhori armatash, rebelime popullore e lëvizje çlirimtare, hidheshin mercenarë që: ose spiunonin tinëzisht ose diskreditonin publikisht programet dhe idealet e tyre…
Që këtej, megjithë vullnetin për të drejkuptuar mëllefin real dhe për të justifikuar të gjitha mjetet që do të përmbysnin pushtetin kriminal – prapë sikur nuk shmanget dot përshtypja se gurin e parë kundër policisë do ta ketë hedhur një Van der Lubbe i hashimisëve…Njësoj si kallja e hershme e Rajhstagut (1933), apo vrasja e mëvonshme e të rinjëve serbë në Pejë (1998), dhe kallja e Kishave ortodokse në Kosovë (2004)…Është e njëjta enë që, në versionin e këtejshëm bizantin, është absolvuar qyshkur nga Isaja dhe, si mësohet përditë, ndiqet përulshëm nga Hashimi i Brojës – ky kursant i rryer i shërbesave të huaja…
Nëse dora do të dilte hapur, qëllimi dhe mentorët duhej të mbeteshin të mbuluar: është dyshja poshtnore dhe ngasja e saj deshpëruese për tu promovuar si e vetmja alternativë e besueshme politike për Praninë ndërkombëtare në Kosovë..!
3.Gjaku i tepruar!
“Se Kosova e ka adet nga nji luftë me ba çdo vjet!” Kështu vargnon rapsodia popullore, por nëse jo çdo vjet – aherë, së paku, çdo dhjetëvjetësh ajo ka rimun tokën e vet. Nuk ka ndodhur akoma që t’ia ndërrojnë të tjerët apo të përpiqej vetë të ndërronte Zot e Mot – pa derdhur gjak. Thuase në trupin e lodhur ka një cikël të çuditshëm teprice të këtij lëngu jetik që, për të çliruar energjitë, duhet të rrjedh e ujit dhéun për zili të qiejve dhe shiut…Është tragjike ta mendosh se dhe klika e kësokohshme, këtë ritual dramatik ndjekë: përnxitë e pret rrëkenë së tij…Urtia e fjala, ankesa e loti, nuk e prek ndërgjegjen dhe nuk lëkund dot fronin e tyre! Ndërkaq, sado mitike dhe zemëratë erinish të ngjasojë, orën e tij e bën vetë njeriu. Njeriu i keq i pushtetuar…Dhe më të këqijë se këta që kanë shaluar sot fatet nacionale, nuk ka parë kurrë ky truall…
“Fort ma e rândë âsht thémra e shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’krye”, këlthet Fishta.
Rrjedhimisht, duke u bërë pjesë e kësa themre rrezikzezë, a nuk rëndojnë ata pikërisht si “gurë vorri m’krye” të Kosovës dhe bijëve të saj?
Berlin, dimër 2016
LDK-ja: Qytetarë, mos bini pre e atyre që synojnë pushtetin me zjarr
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj me veprimet e protestuesve të thirrur nga opozita, të cilat po djegin institucionet e ndërtuara me shumë mund, po rrezikojnë jetën e policëve të Kosovës dhe po shkaktojnë dëme të mëdha në pronën publike dhe private.
LDK-ja respekton vullnetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht orientimin e tyre partiak, por tendencat që me zjarre dhe flakë të arrihet deri te pushteti, nuk i takojnë një shoqërie demokratike për të cilën janë përcaktuar qytetarët e Kosovës.
LDK-ja ju jep përkrahje të plotë institucioneve të rendit që po bëjnë një punë shumë profesionale për të mbrojtur pronat publike dhe private dhe nuk po bie në nivelin e provokimeve të vazhdueshme të protestuesve të thirrur nga partitë opozitare.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që ngjashëm me të kaluarën, të mos i përkrahin ata që djegin institucionet, të cilat janë ndërtuar me taksat e qytetarëve ndër vite. Ata që po djegin institucionet dhe pronat publike, duke shprehur mllefin që nuk kanë mbështetje qytetare për të ardhur në pushtet, duhet ta dinë se objektet publike nuk janë të Qeverisë, por janë prona të qytetarëve dhe çdo sulm ndaj tyre është sulm ndaj secilit qytetar të Kosovës.
Imazhet kur i vihet flaka ndërtesave të Qeverisë dhe tendencat për t’i djegur policët për së gjalli, nuk janë pamjet për të cilat Kosova ka nevojë të prezantohet në mediat ndërkombëtare.
LDK-ja si parti Popullore Evropiane, respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të vendosur për fatin e tij, ashtu siç ka bërë në qershorin e vitit 2014, kur zgjodhi përfaqësuesit e saj. Çdo tendencë tjetër për të marrë pushtet me dhunë do të jetë e dështuar dhe nuk gëzon përkrahje qytetare.
LDK-ja ju dëshiron policëve të lënduar shërim sa më të shpejtë, ndërsa opozitës i bën thirrje që dhunën ta zëvendësojë me mjete politike dhe demokratike.
Zyra për Informim e LDK-së
- « Previous Page
- 1
- …
- 60
- 61
- 62
- 63
- 64
- …
- 87
- Next Page »