Kreu i Bashkisë në Kurbin Artur Bardhi sapo është informuar për shembjen e banesës në Gurëz, menjëherë do të vinte në lëvizje strukturat e institucionit bashkiak. Personalisht z. Bardhi pasi ka ndjekur situatën e problemeve nga reshjet e dendura të shiut në tërë zonën më pas ai do të përkujdesej për gjendjen e famijes Demiri me 12 anëtarë të cilëve është shkatërruar banesa. Kreu i bashkisë do të dërgonte furnizimet e nevojshme si dhe veshmbathje, madje dhe strehim deri në zgjidhjen e problemit të shtëpisë.
Në rrethin e Kurbinit nuk janë shfaqur probleme emergjente si në disa zona të vendit, ndërsa shtabi i emergjencës ndodhet në gadishmëri në përballimin e ndonjë situate të mundshme. Strukturat e poilicisë së rendit dhe asaj bashkiake janë në terren duke mdjekur situatën në tërë zonën e Kurbinit.(Ahmet ZANI)
Archives for January 2016
MENDIME NË VETMINË E NJË NATE MES DY VITEVE
“Cila është qeveria më e mirë ? Ajo që na mëson të qeverisim vetveten.”-J. W. von Goethe/
Nga Eugjen Merlika/
Viti që përcollëm nuk qe një periudhë kohe e “qetë” për shqiptarët. Në vijim të traditës së tyre vetëshkatërruese, për të mos patur as vullnetin dhe as aftësinë e marrëveshjes me njëri tjetrin, ky vit u mbyll me “gjëmime moti” politik në Tiranë e në Prishtinë, paradoksalisht dy kryeqytetet e shteteve shqiptare, të cilët nuk arrijnë si numur banorësh, së bashku, as atë të një qyteti mesatar të botës së sotme.
“Nuk ka më kohë për retorikë, për konfliktualitete të panevojshme. Vëndi ka nevojë për më shumë punë, për më shumë shpresë, për më shumë dialog….” theksoi, me të drejtë, këtë natë Presidenti Nishani në mesazhin e tij të bukur. Arsyeja e kërkon më shumë se kurrë këtë domosdoshmëri por “kushtrimi i të parëve” duket se është më i fuqishëm se ajo. I shtohet këtij faktori gjenetik lufta e fortë e interesave të klaneve politike dhe lakmia e ndërsjelltë e tyre për pushtet që, në përfytyresën e përgjithëshme, njëjtësohet gjithmonë me sipëraninë e pasurimit material dhe fuqisë shoqërore e jo me përkushtimin e aftësivet e forcavet çështjes së përgjithëshme të interesave kombëtare. Përfundimi i kësaj pështjelljeje ideore e politike janë bombat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Prishtinës e manifestimet e Tiranës ku, qoftë edhe figurativisht, kërcënohen të korruptuarit se do të kapen nga turmat e qytetarëve e jo nga organet e drejtësisë…
Pa vënë në diskutim për asnjë çast detyrën opozitare për të zhvilluar në format më të ndryshme, të pranueshme nga etika politike, luftën në mbrojtje të parimevet të shkelura, sipas tyre, nga qeveritë apo shumicat qeverisëse, imazhet e mësipërme nuk më duket se i shërbejnë mbarëvajtjes së interesave të shqiptarëve. Politikbërësit në Tiranë e Prishtinë duhet të mbajnë parasysh faktin se, aq sa është e rëndësishme përmbajtja e strategjisë së tyre politike, po aq e dobishme apo e dëmshme është edhe forma e luftës apo taktikave të përdorura për t’a sendërtuar atë. Ne, si komb, kemi nevojë të përherëshme t’i paraqesim botës përfytyresën e një populli të qytetëruar, dhe politika duhet të jetë e para që të plotësojë atë.
Nëse marrëveshje e firmosur në Bruksel ndërmjet qeverive të Kosovës e Sërbisë, nën mbikqyrjen e Komisares Mogherini, ka elementë që cënojnë interesat kombëtare të shqiptarëvet, janë të gjitha mundësitë normale të diskutimeve në Kuvend e të argumentimit në shtyp apo nëpërmjet tubimeve paqësore të paditjes së tyre. Gazi lotsjellës në parlament më duket se është mënyra më e gabuar për të vënë në dukje nevojën e rishikimit të marrëveshjes. Nëse lufta kundër kriminalitetit në politikë apo kundër korrupsionit në jetën administrative të institucioneve të ndryshme të Shtetit është një detyrë e dorës së parë të gjithë shqiptarëve, shfrytëzimi i skajshëm i saj nga ana e Opozitës është një veprim i zgjuar e i dobishëm për të. Në këtë drejtim P.D. ka shënuar suksese, që janë pasojë edhe e një mungese të theksuar të qeverisë e partive të Shumicës e cila, për arsye të ndryshme, madje të pakuptueshme, kanë lejuar shkelje të rënda të ligjshmërisë në caktimin e kandidaturave. Pasojë e padisë së P.D., por edhe e faktorit ndërkombëtar, sot kemi një ligj kundër korrupsionit, që quhet një fitore e madhe. Nuk e di sa është e vërtetë kjo, mbasi më duket se kemi të bëjmë me një normalizim të një gjëndjeje që ishte përkeqësuar në mënyrë të papranueshme. Besoj se vlen të kujtojmë se shqiptarët, në shekuj, janë vetqeverisur e në organizimin e tyre të vogël zgjidhnin për të drejtuar jetën e tyre jo hajdutë, gënjeshtarë apo kriminelë, por njerëz të urtë e të ndershëm. Hartimi, me një vetëkënaqësi të tepruar, i një ligji për të ripërtëritur këtë traditë tregon se cila ka qenë mbrapambetja jonë morale në 70 vjetët e fundit.
Kapitali politik i Opozitës dhe i drejtuesit të saj, i fituar në luftën kundër korrupsionit, nuk është një dëshmi e “virgjinitetit” të saj n’atë drejtim e rrezikon të bëhet i pavlefshëm nëse do të vazhdojë skajshmërisht strategjinë e rrëzimit të qeverisë. Përvojat e “pranverave arabe”, të Kajros, apo Kievit nuk më duken se janë të dobishme në realitetin tonë. 1997, me t’ashtuquajturin “revolucion” të fajdeve, besoj se ka qënë faqja më e zezë e këtyre 25 viteve të kalesës demokratike dhe çdo përpjekje, sado larg e ngjajshme me të, nuk paraqet asgjë të dobishme për ecurinë tonë. Nëse nuk arrijmë të forcojmë shtetin ligjor, që do të thotë respekt absolut i ligjit, nuk kemi vënë asnjë bazë për t’ardhmen tonë. Në këtë mendësi të domosdoshme hyn edhe parimi i ushtrimit të pushtetit, veprim që i përket atyre forcave që fitojnë zgjedhjet. Çastet vendimtare të përcaktimit të barazpeshave politike janë zgjedhjet e rregullta. Diskutimet mbi “parregullsinë” e tyre, sa herë zhvillohen, nga ata që humbasin, tregojnë se ende jemi larg standarteve të kërkuara n’Evropë.
Ata që fitojnë kanë për detyrë të qeverisin e të japin llogari për qeverisjen, të tjerët kanë për mision të kontrollojnë qeverisjen e të pregatiten për betejën e ardhëshme zgjedhore. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj bazë të demokracisë, më duket i dëmshëm. Vlen kjo sot për P.D., sikurse vlente për P. S. vite të shkuara, sikurse do të vlejë në t’ardhmen për këdo që do të jetë në pushtet apo n’Opozitë. Kemi nevojë për një politikë të përgjegjëshme, që të gabojë sa më pak, sepse mali i gabimevet të një shekulli na ka lënë në këtë gjëndje prapambetjeje të theksuar.
Nuk më duket e përgjegjëshme një politikë që shton nenet e kodit penal për mos pagesa të kuponave tatimore apo të konsumit të energjisë, por po aq i papërgjegjshëm është edhe kundërshtimi i çdo lloj ligji që lufton informalitetin apo detyron të gjithë qytetarët të respektojnë normat më parake të jetës së përbashkët. Nuk është e përgjegjëshme të hiqen nga puna të gjithë kundërshtarët politikë, edhe në nivelet më të parëndësishme, kur ndërrohen pushtetet, fatkeqësisht kjo mbetet një nga dukuritë më të padrejta e më të pamoralshme të gjithë jetës së institucioneve tona të çerek shekullit të fundit. Është i papërgjegjshëm edhe kundërshtimi për të testuar, nëpërmjet konkursesh, pregatitjen apo aftësitë e të gjithë atyre punonjësve që u besohet administrimi i sferave të ndryshme të jetës sonë. Nuk është veprim i përgjegjshëm vlerësimi e dekorimi i të gjithë ushtruesve të dhunës së kohës së diktaturës edhe se kanë zbatuar “ligjet e kohës”, nëse ato ligje sot konsiderohen të padenja për një shtet normal demokratik.
Fakti i rrëzimit në Kuvend të amendamentit Doda – Idrizi tregon se shumica e përfaqësuesve të ish komunistëve shqiptarë, në vetëdijen e tyre, nuk i dënojnë as ata ligje dhe, aq më pak, zbatuesit e tyre. Ky është tregues i mungesës së vullnetit për t’u shkëputur, qoftë edhe formalisht, nga e shkuara kriminale e regjimit. Një kërkesë vetiake faljeje për dekorimin e hetuesit të At Zef Pllumit nga ministreja Kodheli, nga ana e Kryeministrit, nuk i heq as nuk i shton asgjë kësaj dukurije të shëmtuar dhe aspak dinjitoze, as që mund të shërbejë si “gjethe fiku” për t’a mbuluar sado pak atë. Për hir të së vërtetës duhet të them se edhe demokratët, në vitet e tyre të gjata të qeverisjes e të Shumicës, nuk kanë miratuar një rezolutë si ajo që propozuan dy deputetët e cituar, madje e nderuara zonja Mesila Doda, për këtë arsye, vendosi të braktiste grupin e saj parlamentar.
“Të qeverisësh do të thotë të bësh të pakënaqur.” thonte dikur shkrimtari freng Anatol France. Është një e vërtetë, së cilës nuk i është shmangur asnjë qeveritar në historinë e njerëzimit, ndoshta me përjashtim të mbretit legjendar të Hindisë së lashtë, t’urtit Asoka. Duket se atë e ka kuptuar mirë edhe Edi Rama i cili, në mesazhin e fundit të vitit, ka braktisur tonin triumfalist e ka përqafuar atë autokritik dhe të përvuajtur, bir i një burrërie apo dinakërie të një politikani që kupton se çfarë premtohet në politikë, sidomos në fushatat zgjedhore, i përket më shumë se gjysma demagogjisë e gënjeshtrave dhe se “rilindja” është një koncept i bukur për hartimet e gjimnazistëve, por kthehet në një mashtrim të rradhës kur i vishet programeve politike, sidomos të pas komunistëve.
Kryeministri ve si objektiv kryesor të politikësë për vitin që hyn reformën në drejtësi dhe luftën e korrupsionit n’atë fushë. Madje ai përdor termin “tërmet”. Kjo fjalë është në vendin e duhur, është e përshtatëshme, por nuk do të ishte e plotë në kuptimin e vërtetë, nëse do t’i referohej vetëm sistemit të drejtësisë. Duhet reformuar drejtësia, duhet pastruar ajo nga ndryshku i korrupsionit që të kryejë detyrën e saj,të shkëputet nga ndikimi mbytës i politikës, të sigurojë zbatimin e ligjevet, të zbulojë e të dërmojë korrupsionin në jetën politike. Ai duhet të jetë tërmeti i vërtetë për të cilin ka nevojë Shqipëria për të ndryshuar, mbasi pasurimi i papërligjur i klasës politike, aty ku është i vërtetë, është detyrë e drejtësisë së ndershme t’a hetojë e t’a padisë, duke luftuar të korruptuarit, jo nëpërmjet veprimevet të rrugëvet, por duke respektuar ligjet e Shtetit.
A do të jetë e mundur ? Përgjigja është tepër e vështirë, sepse luhatet ndërmjet një mosbesimi skajor që frymëzon politika dhe një shprese të vagëllimtë që mbështetet, më shumë tek institucionet e huaja se sa te një vetëdijësim i yni me pasoja konkrete. Një klasë politike e pandryshuar në një çerek shekulli, e cila është përgjegjëse kryesore për gjëndjen e sotme, sepse e ka sjellë, e ka dashur dhe e ka ushqyer gjatë gjithë këtyre viteve të sprovës pas komuniste, do të gjejë mënyrën për t’u mbledhur si iriqi, jo vetëm duke neutralizuar gjyqtarët e ndershëm, por edhe duke i nxjerrë para shqytin shigjetave të Donald Lu-së apo Romana Vllahutinit, apo institucioneve që përfaqësojnë ata, të cilët po mundohen të ndërgjegjësojnë shqiptarët për problemet madhore e jetike të tyre.
Janar 2016
NJË VIT TJETËR I KEQ PËR LIRINË E SHTYPIT
(Dhe darka gala e Kryeministrit Rama me Gazetarët)/
Nga Frank Shkreli/
Viti 2015 ishte një vit i dominuar nga sfida të mëdha botërore, ishte një vit i dominuar nga lufta, terrorizmi, nga shtypjet dhe kriza në shumë pjesë të botës. Siç duket, sa më e keqe të jetë situata botërore dhe sa më të ashpëra të jenë tensionet në marrëdhënjet ndërkombëtare, puna e gazetarit jo vetëm që bëhet më e vështirë, por edhe më e rrezikshme, për të mos thënë më vdekjeprurëse. Në këtë pikëpamje, as viti që kaloi nuk ishte një përjashtim. Në të vërtetë, sipas Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) — një organizatë kjo e pavarur dhe jo fitim-prurëse e cila merret me mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës – në një njoftim për gazetarët, të shpërndarë të mërkurën –thotë se viti 2015 ishte “viti i katërt më vdekjeprurës” për gazetarët ç’prej kohës që KMG-ja ka filluar të mbledhë të dhëna të tilla, duke filluar nga viti 1992.
Në njoftimin që dërgoi për mediat, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se gjatë vitit që posa kaloi — anë e mbanë botës — janë vrarë 71 gazetarë në krye të detyrës së tyre dhe 199 të tjerë janë burgosur vetëm e vetëm se kanë ushtruar profesionin e tyre. Këto shifra, sipas KMG-ës, e radhitin 2015 si vitin e katërt më të keq dhe më vdekjeprurës për gazetarët në pothuaj 25 vjetët e fundit.
Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thekson se gjatë vitit që kaloi, “30 prej gazetarëve ose 42 për qind e tyre, janë vrarë ose kanë vdekur në duartë e grupeve ekstremiste, siç është Shteti Islamik”. “Këto vrasje”, thuhet në njoftimin e KMG-ës, “kanë ndodhur ndërkohë që më shumë se gjysma e 199 gazetarëve të burgosur gjatë vitit 2015, kishin përfunfuar në birucë, nën akuza për veprimtari anti-shtetërore.” Kjo situatë, sipas KMG-ës, “tregon se si shtypi dhe pjesëtarët e medias në përgjithësi, duhet të ushtrojnë profesionin e tyre në një situatë të rëndë midis grupeve të terroristëve dhe qeverive që gjoja pretendojnë se luftojnë terrorizmin.” KMG-ja përmend rastin e kryeredaktorit të revistës mujore të pavarur Hentah, njëkohsisht dhe regjisor i filmave dokumentar mbi Shtetin Islamik, Z. Naji Jerf, i cili u vra në Turqi fund vitin e kaluar.
Por, megjithëse viti 2015 ishte një vit vështirsishë me të cilat u përballua shtypi në përgjithësi anë e mbanë botës, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se ka shënuar edhe sukses në fushën e lirisë së shtypit, ndërkohë që sipas organizatës, me veprimtarinë e saj në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së medias anë e mbanë botës, ka kontribuar në lirimin e të pakën 50-gazetarëve të burgosur. Drejtori i KMG-ës, Courtney Radsch, tregohet optimist, ndërsa citohet në njoftimin e shpërndarë nga kjo organizatë mbi lirinë e shtypit gjatë vitit që kaloi, të ketë thënë se, “Ndonëse gazetarët përballen gjithnjë me sfida të mëdha botërore, ka arsye për shpresë” theksoi ai, duke shtuar se “Gjatë vitit 2016 organizata e tij do të vazhdojë t’u bëjë presion qeverive anë e mbanë botës që të lejojnë gazetarët të kryejnë punën e tyre, të lirë dhe në rrethana sigurie.”
Ndërsa jemi duke folur për lirinë e medias dhe për marrëdhënjet e gazetarëve me pushtetarët gjatë vitit të kaluar, nuk po më durohet pa përmendur edhe darkën që Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama organizoi për drejtuesit dhe përfaqsuesit e medias shqiptare fund të dhjetorin e vitit të kaluar. Një darkë e tillë në Tiranë duket se kishte për qëllim të organizohej sipas modelit të darkës që mbahet në Washington prej vitesh, jo vetëm me gazetarë por edhe me përfaqsues të dalluar të shoqërisë në përgjithësi dhe lloj-lloj politikanësh, e që në të vërtetë është një rast për tu qeshur dhe madje edhe për tu tallur me njëri tjetrin, mbrenda caqeve të moralit dhe njerëzillëkut. Është gjithashtu edhe një moment për të harruar, të pakën për disa orë, natyrën e punës sfiduese që për nga natyra ekziston midis gazetarëve, krye-pushtetarit të vendit dhe politikanëve në përgjithësi.
Por, ekziston një ndryshim i madh midis darkës gala të Kryeministrit Rama me gazetarët në Tiranë dhe asaj që organizohet në Washington. Kjo e Tiranës nuk ishte një darkë “alla Obama” siç e cilësuan disa media. Darka me gazetarët në Washington nuk organizohet nga Presidenti dhe as nga Shtëpia e Bardhë, por nga Shoqata e Korrespondentëve të akredituar pranë Shtëpisë së Bardhë. Ajo i bën ftesat. Për më tepër, përveç gazetarëve dhe tipave të medias, në darkën e Washigtonit ftohen edhe politikanë kundërshtarë të dy partive kryesore të vendit si dhe personalitete të dalluara në fusha të ndryshme të Amerikës. Por siç duket, në Tiranë është pak ndryshe, pasi ftesat për gazetarët që marrin pjesë në darkën me Kryeministrin, thuhet se i lëshon vet Kryeministria ndërkohë që as nuk ftohen personalitete politike të partive opozitare ose përfqsues të tjerë të shoqërisë. Merre me mend që në një tavolinë të darkës së Kryeministrit Rama të ishin të ulur edhe udhëheqsit dhe përfaqsues të opozitës! Në këtë mënyrë, darka me gazetarët në Washington, të pakën në pamje e ka njëfarë lloj pavarësie dhe atmosfere tolerante e të relaksuar dhe nuk konsiderohet si një takim ku presidenti fton të preferuarit e vet nga media ose që si shpërblim, me pjesëmarrjen e tyre, të presë që të trajtohet më mirë nga media.
Nuk mund të them as për Kryeministrin Rama se mund të priste ndonjë favor nga gazetarët e ftuar shqiptarë në darkën e tij, ndonëse nuk di se cilët gazetarë ishin ata që morën pjesë dhe cilët jo dhe si u zgjodhën ata. Por, ajo që të bie në sy nga ai takim, e që fatkeqsisht ishte për të ardhur keq, sepse në përgjithësi, dukej se ishte një darkë tepër serioze, plot tensione, me pjesëmarrës të ulur në tavolina që dukeshin se mendonin se do ndoshta do të ishin më të kënaqur diku tjetër. Madje, kjo atmosferë e rëndë, shkaktoi që vet Kryeministri Rama në fjalën e tij, u përpoq ta thyente atë atmosferë të akullt që mbizotëronte në sallë, e të cilën ai në të vërtetë qqë në fillim e cilësoi si një “atmosferë ngushëllimesh”.
Nuk duhet të jetë kështu. Marrëdhëniet midis pushtetit dhe medias si dhe respekti reciprok janë të rëndësishme kur të dy palët me të vërtetë respektojnë lirinë e shtypit. Puna e gazetarit është tepër e rëndësishme gjtihashtu sepse media konsiderohet si pushteti i katërt! Andaj, në marrëdhëniet e tyre, si pushtetarët ashtu edhe gazetarët duhet të jenë të bindur se liria e shtypit, nuk është një shprehje akademike, por është një e drejtë themelore, ndër të drejtat bazë të njeriut. Dhe si e tillë, ashtu duhet të konsiderohet dhe të mbrohet jo vetëm nga pushtetarët, por edhe nga vet gazetarët. Gazetaria shqiptare përballet me sfida të mëdha. Si rrjedhim dhe në këtë kuptim, duhet të pranohet nga të gjitha palët se respekti i pushtetarëve ndaj përfaqsueve të medias dhe mbështetja pa kompromis e qeverisë dhe e partive politike ndaj lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit në përgjithësi, është një element kritik dhe i pazevëndsueshëm për zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike. Respekti reciprok për punën e njëri tjetrit, do të mundësonte që në raste siç ishte darka me gazetarët në Tiranë, të mbizotëronte një atmosferë paksa më e relaksuar dhe me më shumë të qeshur. Nuk e di nëse mungesa e një atmosfere më të butë dhe më miqësore në darkën e organizuar për gazetarët nga Kryeministri Rama ishte për arsye të mos respektit dhe mosbesimit ndaj njëri tjetrit, apo për arsye frike nga njëri tjetri.
Për të mirën e shoqërisë, të dy palët – pushtetarët dhe gazetarët — duhet të bëjnë më shumë drejtë një komunikimi më të mirë më të respektueshëm dhe më të frutshëm midis tyre, të dy palët të vetdijshëm se “Shtypi i lirë nuk është një privilegj, por është një nevojë organike e një shoqërie të madhërishme dhe të suksesshme”, ka thënë ish gazetari amerikan Walter Lipman .” Sepse në fund të fundit, vetëm një media e lirë mund t’i shërbejë një populli që dëshiron të jetë i lirë, sepse siç ka shkruar edhe Thomas Jeffersoni, nëqoftse të gjithë ia duan të mirën vendit – si pushtetarët ashtu edhe gazetarët — atëherë, në një vend, “Ku shtypi është i lirë dhe i pavarur dhe ku çdo njeri mund të lexojë, aty çdo gjë është e sigurt dhe në rregull.”
KUR AUTORJA E TUZIT KËRKON QIQRRA NË KISHË
Nga KOLEC TRABOINI/
Autorja e një libri, Farije Kajoshaj, libër që nuk e dimë mirë çfarë përmbajtje ka, se në Shqipëri e Kosovë botohen tashmë qindra mijëra libra, të shumtit krejt kot, kjo autore pra është lëshuar me një mllef e uturimë kundër Patër Pashkut të Kishës së Tuzit në shënimin me titull “Nuk u lejua shpërndarja e librit “Rruga pa kthim”.
Ky titull pompoz të pshtjellon sikur ke të bësh me ndonjë libër të famshëm e kush e di se çfarë, që na paska dalë urdhëresa e ndalimit. Një vetëledhatim publik i pa parë ndonjëherë nga ndonjë autor në Shqipëri e Kosovë.
Lexoni çka shkruan kjo autore: “Këtë gjest të tij (Patër Pashkut- shënimi im K.T.), nuk e shoh si diçka të mirë për Malësinë dhe malësorët meqë libri as që ka nocione antifetare, por është novelë me motive kombëtare.”.
Ky libër pra, sipas autores me banin në Mynih, Gjermani, por origjinën e ka nga Tuzi, na paska motive kombëtare dhe tanë Malësia jonë e Madhe paska humb se Patër Pashku nuk e paska dhanë mundësinë për ta lexuar malësorët librin e saj.
Kështu lexuesi merr vesh që Patër Pashku e paska fik Malësinë. Tragjedi e madhe kjo punë. Kjo punë për një libër. Një novelë e një autoreje, emrin e të cilës për herë të parë e dëgjojmë. Ja çfarë xhevahiri lëshon në shkrimin e vet autorja: “Shqiptarët në Malësi janë bërë si “brienat në thes”.
Meqë përmend edhe thesin edhe brenat po ja mbajmë edhe ne avazin kësisoj: Fryj moj erë nga Gjermania, fryjë, se kur ti fryn edhe tullumbacet ngjitën lart e me lart, madje deri në maj maleve tona kombëtare. Dhe me tej ajo shkruan:
“ Prifti në fjalë e refuzoi shpërndarjen me një arsyetim paksa kriptik se “nuk dëshiron që ai libër të shpërndahet në kishë“ – mirëpo vetëm pasi kuptoi se kush është autori. Ndoshta refuzimi i tij nuk do kishte ndodhur po qe emri im të kishte vetëm një shkronjë ndryshe (nga „Farije“ ne „Marije“) …”
Me kësisoj arsyetimesh fantazore autorja ja ka gjetur bukur mirë rrfanën vekshit.
Kërkesa e Farije Kajoshaj na paska qenë as më pak e as më shumë por me e vu Patër Pashkun me ja shpërnda librin e kësaj shkrimtares së madhe ndër besimtarë katolikë që vinë të luten në Kishë. Një kërkesë me të vërtetë për të çuditur edhe harabelat e Tuzit në fluturim. Por po na i del krah edhe Simon Gjon Sinishtaj kësaj kritike pa bereqet, që jam i bindur se nuk e ka lexuar atë libër në asnjë rresht, por do të gjendet edhe ai në sebep.
Duke lexuar ankimet në adresë të Patër Pashkut dua të them:
Ku keni parë ju, o ankimtarë, që të marrë kleriku libra e ti shpërndajë në Kishë përpos letërsisë fetare të botuara këto nga institucioni fetar. Po çka ishte ky libër i kësaj zonje, ndonjë libër për fenë, moralin, edukimin a diçka tjetër libër psikologjik a pedagogjik? Nuk shpërndan Kisha literature artistike, çojani edhe Hoxhës së Xhamisë së Tuzit por edhe ai do ti kthej mbrapsht, more çojeni edhe në Prishtinë po deshët dhe po ajo përgjigje do të jepet. I kisha këshillua kësaj zonjës shkrimtare që të marrë një deng me libra e ti çojë në Vatikan dhe të kërkojë t’ia shpërndaj vetë Papa Francesku të dielën e meshës se madhe ne sheshin e Shën Pjetrit. Kush e di mbase ndodh ndonjë mrekulli. E nëse nuk ja shpërndan autorja të lëshojë një komunikatë si kjo kundër Patër Pashkut se edhe Papa i Romës na bëka dallime fetare.
Pse po e sulmon kjo zonja Farije Kajoshaj, Patër Pashkun në një shkrim që nuk ka nivelin e shkrimtares, por të një stili të flet-rrufeve të viteve ‘70 të shekullit të kaluar në Shqipëri? Për mendimin tim shumë mirë ka bërë Patër Pashku që ja ka kthyer mbrapsht at soj libri që nuk e dimë çfarë është. Që të jemi të sinqertë, unë dyshoj edhe në vlerat artistike, se një shkrimtar i mirë nuk ngre kësisoj problemesh me një mungesë të plotë etike, por është modest për veprën e vet. Nuk ngutet për të sulmuar një klerik vetëm pse ai nuk ka marr përsipër rolin e një postieri siç kërkoj kjo autorja Farije Kajoshaj, për të cilën kërkuam në Google dhe na doli vetëm në dy vende, një nga të cilët në facebook. Pra me librat e vet nuk na del e njohur kurrkund, madje krejt e panjohur. E vetmja njohje e vërtetë na qenka ankimi për Patër Pashkun në një blog interneti. Tani po i them kësaj autoreje meqë problemin e trajton se prapthi, unë kam plot libra, e kam në fis Patër Pashkun e Tuzit, jemi të dy nga Hoti, po asnjë libër nuk ja kam dërguar me e shpërnda në Kishë. As nuk kërkoj ta bëjë këtë gjë. Se Kisha nuk shpërndan libra ndër besimtarë. Kisha ka tjetër funksion e nuk është ndërmarrje për qarkullimin e librave. Meqë jetoni në Tuz, çojeni librin tuaj në Bibliotekën e qytetit. Rruga e hapur është. Atëherë pse u dashka që Frati me ja shpërnda librin e Farijes? Dhe kjo Farije ma quan dukuri negative që Kisha nuk ia shpërndan librin e saj. As Kadare nuk do të ankohej kësisoj. Pa le të tjerët.
Kaq e pa takt e agresive në akuzën e vet po më duket kjo autore që arrin të shkruaj të tilla shprehje vulgare, për të mos thënë marrëzira :
” Moslejimi i shpërndarjes, madje falas, të literaturës kombëtare shqiptare në Malësi, flet për një dukuri tejet negative nga ana e klerit – kur dihet që Malësisë sot më shumë se kurrë i nevojitet literatura shqipe, bashkëveprimi dhe mirëkuptimi i ndërsjelle. Me gjeste të tilla, Patër Pashku po krijon paragjykime dhe ndasi fetare të panevojshme.”.
Na ruaj Zot prej kësaj mendësie. Po edhe prej këtij deliri që e konsideron novelëzen e vet “literaturë kombëtare shqiptare në Malësi”. Kur shprehet kështu pa pikë etike, modestie dhe përgjegjësie, merret me mend niveli i librit që ka shkruar. Kjo autore kërkon të gjejë qimen në qull, a ndryshe kërkon qiqrra në hell, duke e trajtuar problemin se po i bëhet një padrejtësi se qenka e fesë tjetër. Po kush po të pyet çfarë feje i përket. Një shkrimtar që i hyn këtyre hullive të përkatësive fetare, tregon se është i cekët e ka një nivel mjeran. Si mundet autori të edukojë me veprën e vet kur është në këtë mendësi e duke kërkuar konflikte religjioze aty ku nuk ka. Mos vallë duhet që unë të shkoj te Hoxha i Tuzit e ti kërkoj të më shpërndaj librat e mi ndër besimtarët e vet, e nëse ai nuk pranon duhet të shkruaj se ai ma bën këtë se ka paragjykime për katolikët. Edhe logjika më e thjeshtë e naive nuk të lë ta trajtosh problemin në këtë mënyrë. Kjo autore më të vërtetë duhet të ndalohet e të analizojë veten e nëse vuan nga këto paranoja do ti kërkoja një gjë. Të mos shkruaj më asnjë libër. Është gjëja më e mirë që mund të bëjë. Të shpëtojë ajo nga mundimet e shkrimit, por kësisoj edhe Malësia, edhe Tuzi, edhe Patër Pashku, por edhe ne nga kjo katraurë ku po kërkon të na fusë, thjeshtë prej egoizmit personal dhe aspak profesional sa i përket letërsisë. Gjithashtu aspak atdhetar kombëtar siç pretendohet.
Për ata që po gjejnë sebep për të lëshuar helm kundër Patër Pashk Gojçajt duhet ta dinë se ai përtej klerikut të devotshëm është një erudit, një shkrimtar i mirë me vepra edukative e i përkushtuar në botimet periodike fort të çmuara të Kishës së Tuzit. Po ju them gjithashtu disa shkjepulëve në të folur, mos flisni gjëra që nuk qëndrojnë dhe mos i lëshoni frerin gojës se turpi mbetet mbi atë që nxjerr një pisllëk nga goja e jo atij që i drejtohet.
2015- LIBRAT, Dhurata të çmuara në Bibliotekën shekullore të VATRËS
*2015- LIBRAT, Dhurata të çmuara në Bibliotekën shekullore të VATRËS…/
*Përgjatë vitit 2015 Vatra promovoi librat e autoreve Uran Butka, Mal Berisha dhe Kol Bib Mirakaj/
Pa dyshim se biblioteka e Vatrës në Nju Jork dhe biblioteka Noliane pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston, janë dy nga bibliotekat më të pasurat në mërgim. Përgjatë vitit të shkuar në bibliotekën e Vatrës autorë të ndryshëm nga trevat shqiptare apo miq të tyre këtu në mërgim, sollën botime të viteve të fundit. I falenderojmë të gjithë, ndërkohë që njoftojmë miqtë e librit se këto dhe libra të tjerë, që nga fillimet e shekullit shkuar, përfshi vitet 1908-1910 e deri në ditët e sotme, mund të shfrytëzohen pranë sallës së Vatrës ose mund të porositen.
Ja disa nga librat që erdhën në Vatër gjatë vitit të kaluar:
1- Fotaq Andrea-Francë; “Pena të Arta Franceze për Shqiptarët”
2- Noel Malcolm”Agents of Empire”
3-Mustafa Kruja” Kuvend Letrash me miq” serial; “Problema gjuhe”, “Shkrime Historike’
4- Vladan Gjorgjeviç”Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”-Përkthim nga Mustafa Kruja.
5 Eugjen Mërlika”Përsiatje”.
6- Uran Butka”The bomb” And the Soviet Embassy in Tirana”, “Masakra e Tivarit”, “Lufta Civile në Shqipëri 1943-1945″,”Dritëhije të Historisë”.
7- Agron Alibali”Kushtetuta, Evropa dhe Minoriteti Çam”.
8- Elez Biberaj”Shqipëria dhe Kina”.
9-Botime të Instititutit të Historisë në Prishtinë, seriali”Kosova”
10-Prof. Nelson Çabej”Vazhdimësi Iliro-Shqiptare në emrat e vendeve”, “Në gjurmët e Perëndive dhe Mitilogjemave Ilire”.
11- Arjeta Ferlushkaj”Pasqyra e Postmodernitetit”
12-Lindita Komani”Postimpresion” dhe” Në gjuhën e zgjimit”.
13- Reshat KRIPA”Shkallet e Ferrit”, “Sekreti i varrit të Vetmuar”, “Rini e Coptuar”,”Një tregim për Mikun tim”
14- Arshi PIPA”Stalinizmi shqiptar”
15- Bardhosh Gaçe” Ata që shpallën Pavarësinë”.
16- Reshat Agaj” Vëllai i Pengut” Botimi i tretë
17-Petraq PEPO” Themistokli Gërmenji”
18- Sabit Syla” Dokumente Diplomatike të Qeverisë Shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”
19-Murat GJONBALAJ” Gegënia e Epërme”
20- Kujtim DASHI”Të Krijosh duke Krishtëruar”
21- Sherif BALI”Autoportretet e Mia në Lejlek” dhe “Kunata e Vogël në Mur”.
22- Gjon Berisha” Arbërorët”
23- Pashko Hanxhari” Tribuni i Lirisë- Nikë MËRNAÇAJ”
24- Ibrahim VASIARI”Zjarre të Brendshme”
25-Ndue Ukcamaj” Lotët e Franceskut dhe Rrëfimet e Mrisë”.
26- Mikel Gojani” Prekë Brahimi, Shembull i veprimtarit dhe Atdhetarit në Diasporë”
27- Kol Bib Mirakaj”Vetvrasja e një Kombi”
28- “Adem Demaçi” nga Selatin Novosella.
29- Harallamb Kote”Pendat Shqiptare dhe Shkundja e Harresës”.
30- Aristotel Mici”Himni i FLAMURIT”
31- Fatos HOXHA” Dhemkë e Mall” dhe” E shkuara Drithëruese”
32- Gëzim Dulja” Vjedhësi i Dashurive”
33- Mikel GOJANI” Mhill Gjuraj-Vlera Humanizmi dhe Atdhetarie në Amerikë”
34- Mikel Gojani” Mhill Gjuraj- Value of Humanism and Patriotism in America”
35- Agim Xh. Dëshnica” Mesnata e Ftohtë”-Tregime dhe Ese’.
36-Ajet NALLBANI” BERATI- Kronika e Jetës Qytetare”
37-HAURA”Një Violinë në Skëterrë”
38- Responsibility and Response- General Maxwell D. Tayleor
39- Edwin Jacques: “Shqiptarët”- Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët e sotme”
40- Ismail KADARE” Mbi Krimin në Ballkan”- Letërkëmbim i zymtë.
41- MA. Naim SEFERI” Kontributi Politik dhe Kulturor i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” Gjatë Viteve 1912-1925.
42- Ruzhdi Jata & Greta Jata” Shpresa e Londrës’
43- Kostë Çekrezi” Shqipëria-E shkuara dhe e Tashmja”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 67
- 68
- 69
- 70
- 71
- …
- 87
- Next Page »