Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara ka shqyrtuar të hënën në Nju Jork, në një mbledhje me dyer të mbyllura, raportin e parë të “mekanizmit të përbashkët hetimor”, organizëm i ngritur për të provuar se cilët janë përgjegjësit e përdorimit të armëve dhe agjentëve kimik në Siri. Pjesë e këtij mekanizimi me 3 anëtarë është dhe diplomati shqiptarAdrian Neritani Ai thotë se “Është arritur në përfundimin se në 91 raste janë përdorur armët kimike ose kimikatet. Nga këto, ekipi i hetuesve ka rishikuar dhe analizuar të gjithë këtë evidencë kolosale, e kanë konkluduar se, në të paktën 8 raste ka informacion që mund të hetohet më tej, për të gjetur se kush janë përgjegjësit që qëndrojnë prapa përdorimit të tyre”. Në lidhje me identifikimin e autorëve përgjegjës, zoti Neritani theksoi se, “Ky është qëllimi dhe objektivi ynë. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme që të arrihet në një përfundim. Një afat maksimal fillestar është fundi i shtatorit të këtij viti, i cili mund të shtyhet edhe më tej në varësi të ndonjë vendimi që duhet të marrë Këshilli i Sigurimit”. Duke u ndalur te përplasjet mes fuqive të mëdha në Këshillin e Sigurimit mbi Sirinë, ai sqaron se rezultatet e këtij hetimi janë të pakontestueshme, por palët ndahen tek autorët. “Grupet ndahen për t’i dhënë përgjigje pyetjes se, kush është përgjegjësi. Në këtë pikë ka dallime të jashtëzakonshme, me apo pa arsye, të cilat duhet t’i shohim kur të bëhen hetime më të plota”, deklaroi më tej Adrian Neritani. Diplomati shqiptar është zgjedhur në këtë detyrë me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së vitin e kaluar.
Archives for February 2016
Një Pulari me vezë aty përballë Kuvendit
Nga Ilir Levonja-Florida/
Në fakt duhet një Pulari aty, përballë Kuvendit. Një Pulari plot me transportierë vezësh. Eshtë shanci më i madh për shqiptarët. Kjo kohë e dyzuar e politikës, karshi dhunës ndaj njëri-tjetrit. Kjo politikë e dështuar. E mosbashkëpunimit, por e lojës së demaskimit treçerekshekullor. Lojë gjoja në emër të dhimbshurisë së madhe për popullin. E ulërimave të antinjerëzve me titujt më të lartë nga hirarkia akademike e një vendi. E britmave prej egërsirash të antiintelektualëve të asaj shoqërie të shtrydhur nervash. E të drejtës butaforike duke injoruar, përdoruar, masakruar, tallur, shurrosur, groposur, menderosur … sipas oreksit të gruas, djalit, vëllait, gocës , kunatit, kunatës, nipit e mbesës etj…, ligjet apo Kushtetunën e një populli. Kjo politikë prej dimrash të përjetshëm, që ka lënë përjetësisht në baltë, në përmbytje, në krim, në hasmëri, në papunësi, në ikje…, një vend të tërë. Kjo politikë e moratoriumeve…, që për treçerekshekulli e zhveshi. Nuk la mal, kodër, bregore, luginë lumi…, pa rjepur, pa prerë, pa zhveshur e zhvatur. Pa ia zbathur krejt me të pasme e të përparme. Pa ia hequr brekët faunës dhe florës etj. Dhe nga ana tjetër i lavdërohen popullit me prangat e moratoriumeve. Eshtë shanci i madh për shqiptarët. Ndaj dilni… Kjo politikë e moratoriumeve nuk la det zbuluar, ashtu qesim për tu mbytur, zhdukur, degdisur, tregtuar njeriun nga njeriu. Nuk la gomone pa futur, ashtu qesim dhe me shumicë. Nuk la kufijë pa shqyer, rrëzuar e rrënuar. Nuk la ditë pa u thënë shqiptarëve mbathjani. Nga ana tjetër i krenohet popullit për moratoriumet e jetës në det dhe asaj alpine nëpër male. Kjo politikë nuk la minierë pa e shitur shtatëqind herë. I ktheu në arena të vdekjes së gjallë. Të vrasjeve horror. Nuk la laguna pa shitur nga shtatëqind e kusur herë. I ktheu në prona herë të një socialisti të fortë, herë të një demokrati të tillë. Nuk la soje e varietete drogash pa futur. Nuk la soj e sorollop teknologjie kultivimi, përpunimi, paketimi, transportimi. Pa investim e sponsorizim deri duke hapur vende pune me paga marramendëse për ekspertë nga pyjet tropikale të Kolumbisë së ashpër. Aq sa e ktheu me mburrje popullin e vet nga kultivues të grurit, misrit, egjrës…, mallit, që e mban vitale jetën. Në mallin që e çmend, shkallon, çnderon e shthurë atë. Nga ana tjetër i krenohet popullit që e vrau. Se po lutfton ashpër mbjelljen dhe kultivimin e bimëve narkotike. Një politikë që e ka kthyer vendin një Afganistan, Irak, Siri etj… Nga ana tjetër dergon ushtarë në këto vende me paratë e aleatëve. Një politikë që i tha predikuesve radikalë ejani e frymëzoni, shkolloni, ndërtoni kulturën fetare. Nga na tjetër mburret me bashkëjetësen e të parëve të saj. Kur bulevardet i ka mbushur me çallma dhe mjekrra. Me soje që vetëm në bashkëjetesë nuk janë. Me sekte që gjithçka mund t’i konsiderosh. Por vetëm jo shqiptarë. Dërgon ushtarë dhe i mburret popullit që po mbron demokracinë në botë. Dërgon misionarë, u jep fronin misionarëve, duke i lënë varrosur përjetësisht të vetët. Edhe pse mburret me ta. Dhe rasti më ulëritës është Noli. Një politikë që sapo vjen në pushtet…, zhbën në zero gjithçka nga paraardhësi. Dhe në krye të disa muajve rehabiliton, shpik, riprodhon pikërisht ato akte, ligje, moratoriume të zeruara me zell fushatash, fyerje, shpifje, akuza nga më monostruozet ndaj njëri-tjetrit. Rasti më i shkëlqyer…, ligji i plehrave. Jo më larg se dy ditë ministri i jo Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, pohoi përpara një paneli diskutuesish, përpara një populli se do si qeveri, do rishikonin listën e plehrave. Por tashmë ai nuk do quhet ligji i plehrave, por ligji i mbeturinave. Do ta rishikojnë pasi ky biznes nuk mund të funizohet dot me lëndë të parë vetëm nga degradimet brenda vendit. Nëse keni memorie, akti i parë i qeverisë Rama në prag vjeshtën e vitit 2013-të, qe pikërisht zhvlerësimi i ligjit të ricklimeve. Madje e bëri me pompozitetin e një milion votave.
Duhet pra një Pulari me vezë, pasi kjo politikë e dyzuar, e leshrangjyer. E çirrmave për armiq e tradhtarë. Për kriminelë, xhelatë, bashkëpunëtorë të sigurimit, e demaskimit të pseudonimeve. Bash aty në Kuvendin e një populli, përpara popullit me votën e tij…, bash me kriminelët, me bashkëpunëtorët e sigurimit, me pseudonimxhinjtë trokasin gotat e shampanjës në darkë. Karshi një rrezatimi dritash, batutash, ofiqesh dhe orgjish. Ndërkohë që populli ha darkën me shumicë hormonesh dhe konserva të skaduara nga imformaliteti doganor i dorovitjes…, nën dritën e qirinjëve me mbetje toksike nga Kina e largët. Duhet një Pulari edhe për demagogjinë e përjetshme ndaj diskriminimit, burgosjeve, vrasjeve, torturave, denigrimit nga lufta e klasave. Për faktin e thjesht se martirët e vërtetë vetëm sa janë shembuj ilustrues, në hollet e deklarateve për shtyp. Kur nga ana tjetër investohet në emër të martirizimit pikërisht për xhelatët dhe jo viktimat. Dhe demagogjia më e madhe është pahapja akoma e dosjeve të krimit dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Ka kaluar treçerekshekulli dhe turp e faqja zezë për një vend në zemër të Europës.
Duhet pra një Pulari me vezë edhe për ata intelektualë që janë radhitur në parti. Dhe flasin me mburrje… Për të dhjerat e shefit, për dështimet e tij.
JU RRËFEJ NJË FUAT TJETËR…
-Meditime dhe përsiatje në 70 vjetorin e flokëbardhit të Sinicës/
Nga Shefqet Meko/ Minnesota- SHBA/
Gazetari dhe kiniasti, Fuat Memelli, festoi 70 vjetorin e ditlindjes së vet. Në një mjedis të ngrohtë shqiptaro-familjar në Boston, familja, miq, shokë, ish kolegë dhe sinicarë, u mblodhën për të ndarë momente gëzimi dhe urimi. Në një atmosferë elektrizuese nga “elektronet” Memelli: Gledis,Elton dhe Rezarta, në atë sallë dukej se kishin “zbritur” 70 vjetët e një burri- baba, bashkëshort, koleg, gazetar, krijues, kineast dhe redaktor, organizator komuniteti profesionistësh dhe shok i shokëve. Sinicari Fuat Ohran Memelli, sikur është ulur “këmbëkryq” në 70 “godinat-vite” të jetës së vet dhe thinjat e bardha të shpupurisura pak, të kujtojnë pendët e pulëbardhave që fluturojnë dhe fluturojnë… I dehur nga gëzimi i miqve të shumtë që e rrethojnë, ky djali i vetëm i xha Ohranit të Sinicës së Devollit, duket sikur në majë të një 70 katshi thotë:”Nuk ka gjë më të bukur se jeta e mbushur me dashuri , shëndet dhe trashëgimi…”
Ky njeri 70 vjeçar, në një moment ndihet po aq fëmijë sa një 7 vjeçar. Duke qeshur, merr fizarmonikën dhe këndon “për zeshkanen” në ditlindjen e vet, që për koincidencë e ka më 14 shkurt, në ditën e Shën Valentinit. Këngët korçare, tingëllojnë bukur dhe dhimbshëm në të ftohtin e hidhur të shkurtit në Boston.
Ndërsa je pjesë e një gëzimi familjar, ku sheh brezat dorë për dore dhe të ardhur nga shtete dhe kontinente të ndryshëm, kur sheh peshkopin sinicar Ilia Ketri (lindur e rritur në SHBA me një shqipe të pastër) të ulur thjesht midis mysafirëve, kur takon Prof. Niko Ketrin dhe bashkëshorten e vet, Suzanën, kur shtrëngon dorën me krijuesin pogradecar, Istref Haxhillari, apo studiuesin dhe autorin, Thanas J.Gjika, kur troket gotën e rakisë me agronomët nga Gjirokastra, Konstadin Mosko e Grigor Çaro, apo kur mëson se Petrit Duka nga Elbasani i sapo-zbarkuar në Amerikë, ka punuar 40 vjet me të njëjtën ndërmarrje në Elbasan dhe është “baxhua më i mirë i Fuatit”, përpiqesh të shkosh përtej këtij momenti bashkues dhe të kërkosh diçka më tepër: çfarë i sjell këta njerëz në një festë të tillë? Cila është ajo fuqi bashkuese e shqiptarëve, që bëjnë rrugë e rrugë për të qënë bashkë? Është thjesht “sebepi Fuat”? Janë 70 vitet e jetë së vet, apo diçka tjetër?
Më duket se në këtë rast, është diçka përtej një ditlindje. Besoj se bashkime të tilla të shqiptarëve, janë një himn për jetën dhe gëzimin familjar.Janë një “kultizim” i të qënit bashkë të familjes, fëmijëve, nënës, babës, kurshqve të tashëm dhe atyre të nesërm, që vijnë të gëzohen së toku. Bashkime të tilla, janë festë e jetës, përkëdhelje e ndjenjës njerëzore, shpalosje vlerash dhe gumëzhitje në shpirtin që nuk ngopet me dashuri për njeriun dhe jetën. Në kësi rastesh, njerëzit që vijnë prej diku, sërish bashkohen këtu. Jo rastësisht sinicarët në këtë takim ishin “pakicë dominuese” sepse duket se të lindurit në këtë fshat, e kanë të vështirë të harrojnë njëri-tjetrin, edhe pse nuk mendojnë apo gjykojnë njësoj. Sinicarët, kanë një brumë miqësor, të gatuar herë në xhami dhe herë në kishë, por gjithsesi të “pjekur” në një të njëjtin diell. Është ky tharm, që njerëzit e këtij fshati, të përfaqësojnë një fenomen interesant, si në Shqipëri ashtu dhe në Amerikë.
Jo vetëm në vjersha,libra,filma dokumentarë ( ai ka disa çmime ndërkombëtarë për filmat e tij dokumentarë),veprimtari të shumta me Shoqatën e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë, Shoqatën “Devolli”, Klubin “Miqtë e Dritëroit” etj, por, thellë thellë, në themelet e “godinës 70 katëshe”, është vendlindja, Sinica, si një ëndër e bardhë rinie dhe pasrinie, si një fluturim frymëzues që i ndjell rininë dhe fëmijërinë, duke e bërë të ndihet i tillë edhe pas 7 dekadash.
“Gërmoj” në mendjen time dhe sjell disa koincidenca shumë interesante që lidhen me sinicarët: gati 12 vjet më parë, në Shqipëri bashkë shqipataro-amerikanin Vladimir Cicani, përfunduam në një takim të sinicarëve në ish SHQUP-in e atëhershëm, ku sinicarët e Tiranës, organizonin një takim shumë kuptimplotë. Por nuk ka vetëm kaq: Vangjel Damo një veteriner i sukseshëm dhe pasionant i librave dhe ortodoksizmit shqiptar, që jeton në Çikago, më ka bërë një vizitë familajre në Mineapolis, sikurse edhe vetë Fuat Memelli ka bërë të njëjtën gjë, duke qënë për vizitë tek unë “ikanaku” në Minnesota , pa harruar pritje-përcjelljet e Fuatit në takimet gjurmëlënëse të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë në Tiranë, apo edhe shoqërimet e ngrohta me sinicarin Vladimir Cicani në Las Vegas.
Pra, a e kuptoni se si një flokëbardhë 70 vjeçar në Boston, mund të mbledhë më shumë njerëz në një ditlindje, se në një “protestë të PD-së” në Tiranë? E thjeshtë: këto janë bashkime në emër të jetës, gëzimit të së ardhmes. Ndaj kjo ditlindje më fut më tepër në mendime për jetën time dhe jetën tënde, dëshirat e mia dhe të tuat, për ëndrrat që jetuam dhe ato që harruam, për hallet e mia dhe të tua, për atë që bëmë dhe nuk bëmë dot mirë, për atë që ëndërruam dhe nuk e shijuam kurrë dhe për atë shije të hidhur që na kanë lënë të tjerët… Ja pse ketu shoh një Fuat ndryshe. Një Fuat që sërish bashkon njerëz dhe ndan mendime. Një Fuat që e sheh jetën ndryshe mbas “furtunave” të paparashkuara që ka kaluar në Tiranë. Mukadesi, nëna e katër fëmijve, bën një vetpohim ngazëllues në ditlindjen e burrit të vet:” Burri për mua?! Nuk është vetëm ai që të puth e përkëdhel. Ai është shpresa dhe fuqia e një gruaje, siguria dhe mbështetja, burimi dhe ngazëllimi i ndjenjave, besimi që nuk thuhet kurrë, kurajo që të ndjek ngado. Burri është shpirti , krenaria dhe pamposhtmëria e një gruaje. Ky ka qënë Fuati për mua ….” Maka Memelli (Mukadesi) është pjesë-trimëria e Fuatit. Ajo me shumë mundime i ka qëndruar sfidës në Shqipëri duke rritur dhe edukuar 4 fëmijë, kur Fuatit i duhej të shkonte me shërbime poshtë e lart Shqipërisë. Ja dhe një arsye tjetër pse ky “glorifikim” i një ditlindje, ka të bëjë me glorifikimin real të familjes së bashkuar për ta bërballuar jetën, duke u dhënë fëmijve shanset dhe lirinë që meritojnë.
Në “universin” 70 vjeçar të Fuat Memellit, ke aq shumë për të thënë dhe prap nuk i ke thënë të gjitha, sepse Fuati ka bërë aq shumë , për këdo dhe kudo. Nga Sinica ku lindi, deri në Boston ku jeton tani , rruga e Fuatit është sa e bukur, aq edhe e mundimëshme, sa me këngë , aq edhe me lot, sa me arritje, aq edhe me dëshpërime. Sinicari duket sikur udhëton duke belbëzuar vargjet e bukura të Dritëro Agollit:” Devoll, Devoll”.Bashkëdevolliu i Agollit, është një mik i madh ditlindjesh. Jo rastësisht me atë kam festuar 40 vjetorin tim në Kopenhagen të Danimarkës , në vitin 1999,ku ishim në një kongres gazetarësh.
Jo rastësisht ai ka qënë për 12 vjet në krye të Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë dhe ka festuar ditë shënuara për kolegë, si 60 vjetorin e Xhevdet Bashllarit, ditëudhëtimin e Fiqri Shahinllarit në Amerikë, përcjelljet e shumta të miqve e kolegëve, etj. Fuati , së bashku me operatorin Fatos Loli, i ra cep më cep Shqipërisë, intervistoi, gërmoi me penë dhe kamera, jetën dhe biznesin e fermerëve shqiptarë, u tregoi të tjerëve histori të pafundme të jetës dhe përpjekjeve për të jetuar më mirë. Me kamer dhe laps, sinicari i Devollit, ka shënuar kështu edhe hapat e jetës së vet.
Sot Fuati dhe Maka jetojnë në Boston, falë sakrificave dhe tejvshëtirmit të vajzës se madhe Gledis Memelli, që krenarisht për Fuatin dhe Makën, ka një pozicion të rëndësishëm në një nga bankat më të mëdha të Amerikës. Po aq krenarë ata janë dhe për vajzën tjetër Rezartën, djalin e madh në Kanada, Eltonin dhe djalin tjetër, Erjonin, punonjës ky i fundit në një bankë në Shqipëri.
Duke “shfletuar” kujtesën, 17 vjet më parë, mbaj mend se e ftova për një kafe Fuat Memellin në “klubin e nëndheshëm” të Ministrisë së Bujqësisë. Me atë zënë e ulët, por me sy të turbulluar, më thoshte: “Shefqet, po me ik djali në Kanada në një festival ndërkombëtar si balerin që është, por ka marrë një vendim të mos kthehet…”. Duke kundruar shqetësimin e Fuatit, iu përgjigja: “Po ky është një vendim për t’u përgëzuar Fuat, edhe pse nuk do jetë i lehtë. Do shpëtojë e ardhmja e fëmijës. Mos ia bëj ters”. Po, pa mbaruar fjalën Fuati dukej se kishte merak të madh për të shprehur.”Jo, bre, unë nuk dua të iki. I dua fëmijët bashkë. I dua në Shqipëri, por po m’i merr në qafë gruaja. Ajo ia ka mbushur mendjen të mos kthehet.Po më këputet shpirti”- më thoshte Fuati dhe dy pika loti i ranë në filxhan të kafesë. Ishte dhimbja dhe dashuria e një babai, që i do të gjithë fëmijët bashkë dhe nuk e di ç’mund të sjellë një ikje e bardhë. Miqësisht u përpoqa ta qetësoja tronditjen e pafajshme.”Do dalë për hajër Fuat. Edhe unë në rrugë për të ikur jam, por ndryshe, me llotari…”- i thashë .
Nuk mund të mos kujtosh këto momente të jetës, ndërsa shikon se çfarë transformimi ka marrë jeta e një njeriu, që si gazetar, 6 vjet në TVSH e më pas në “ombrellën” e Ministrisë së Bujqësië. Ndaj kur sheh fuqinë dhe fytyrëçeljen që të jep liria, kupton më mirë se sa përdhunuese ka qënë jeta jonë në Shqipëri. “Të përdhunuar nga tanët”- kështu do të përmblidhja mbjetesën tonë mes fisit tonë. Vetëm një moment: kur ne festonim 20 vjetorin e gazetës “Studenti i bujqësisë” në vitin 1988, unë gjeta në arkivat a gazetës fakte që kryeradaktori i parë i kësaj gazete, ishte Fuat Memelli, dhe nuk ngurrova ta konfirmoja. Madje deri në atë kohë unë nuk e njihja fare si person. Por a e dini se sa “luftë” u bë në atë kohë nga”kolegët” e Fuatit për ta “korrigjuar” të vërtetën? E pa imagjinueshme fuqia e fallsifikatorëve ! Por unë besnikërisht mbrojta të vërtetën e gjetur në arkiva reale dhe nuk “retushova” asgjë gati 30 vjet më parë. Ndaj ndihem pjesë e kësaj feste për Fuatin tonë. Unë e di se ky njeri, po të kishte këtë hapësirë lirie në rininë e vet, do të ishte ndryshe, do ishte një Fuat shumë më ndryshe.
Ja pse liria që fituam me “kokëkrisurit studentë” të dhjetorit, është e pallogaritshme. Ja pse kjo ditlindje është sërish një “himn” i jetës, shëndetit, gëzimit, familjes. Unë jam ndjerë krenar kur shihja atë “tornedo” dashurie mes fëmijve të Fuatit për babain e vet, dhe atë respekt për shokët e miqtë tij. “Kjo është magjia shqiptare” isha gati të klithja nga momenti i jetuar. Sepse nuk ka si dashuria e prindërve për fëmijët e tyre. Veçmas prindërit shqiptarë janë “vetflijues”të pashembullt për fëmijët e vet. Ndërkohë, postkomunizmi, ka demonstruar sa e sa ribashkime magjike të prindërve me fëmijët në Amerikë. Janë sa e sa vetëm kolegë gazetarë që fëmijët i kanë “peshkuar” drejt Amerikës si: Fiqiri Shanihllari, Andon Dede, Pandeli Shehu, Petro Lati, Petro Topuzi, etj. Ndaj këta shembuj janë preludi i dashurisë për familjen…
Fuat Memelli, është tashmë qytetar amerikan. Ai kontribuon me mundësinë vet që në Boston të ruajë mëvehtësinë kulturore shqiptare. Ndaj edhe në ditlindjen e vet, ai i këndoi jetës me fizarmonikën e vet. Fuati tashmë nuk ka ndroje si dikur, sepse ai tani është Fuat Memelli 70 vjeçar. Bashkë me Makën, jetojnë paqësisht jetën e tyre. Fëmijve, si prindër modernë, u kanë dhënë lirinë e jetës së vet. Secili prej tyre jeton veçmas, duke prosperuar suksesshëm, por duke mos harruar kurrë prindërit.
Në ditlindjen e Fuatit, si “elektrone” të ndritëshme, Gledisi, Rezi dhe Toni, rrezatonin magjinë e dashurisë të fëmijve për babain dhe nënën e vet. Ajo ishte edhe “kurora” e më e bukur e këtij bashkimi. Fuati është një optimist i heshtur dhe këngëtar dashurie, sërish mer “dekoratën” e lavdisë familjare “vulosur” nga gruaja dhe katër fëmijët e tij. E ç’i duhet tjetër dekoratë këtij burri, kur gjithë familja “voton” unanimisht:”Faleminderit baba i shkëlqyer!”
Çdo fjalë tjetër, është e tepërt. Natyrisht, duke pasur akoma një “elektron” në Tiranë, Fuati mezi pret të kthehet dhe të bëjë një “70 vjetor të dytë” aty, edhe pse nuk ka konsesusin e “opozitës” së tij të dashur, Mukadesit. Ajo i thotë gjithmonë: “Jo”, Fuati përherë përgjigjet :”Po”. Mos mbetsh kurrë pa “opozitë” Fuat Memelli!
Në këtë ditlindje, të gjithë e urojnë Fuatin:” Edhe 100 miku ynë!” ”Faleminderit, por unë dua 101” përgjigjet duke qeshur flokëbardhi i Sinicës.
Shkurt, 2015
JA KUSH ESHTE PRESIDENTI I RI I KOSOVES, HASHIM THACI
-Biografia e Presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi/
-Zgjedhja e Thaçit President i Republikës u festua me fishekzjarre sonte në Prishtinë, po edhe në qytete të tjera të Kosovës po festohet/
PRISHTINË, 26 Shkurt 2016-B.Jashari/ Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, merr këtë post në krye të shtetit pasi nga dhjetori 2014, pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, ishte zëvendëskryeministër i parë e ministër i Jashtëm i Kosovës. Zgjedhja e Thaçit President i Republikës u festua me fishekzjarre sonte në Prishtinë, po edhe në qytete të tjera të Kosovës po festohet.Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, z. Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008.
Me 17 shkurt 2008, Kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpall Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Z. Hashim Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjatë procesit negociator (2005 – 2007), të udhëhequr nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, z. Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit.
Dokumenti i Ahtisaarit rezultoi me propozimin gjithpërfshirës për pavarësinë e Kosovës.
Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës, (6 – 22 shkurt 1999) z. Hashim Thaçi ishte Kryesues i Delegacionit të Kosovës.
Konferenca përfundoi në Paris më 18 mars 1999, ku pas nënshkrimit të palës shqiptare, iu hap rruga intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën.
Z. Hashim Thaçi është ndër themeluesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1992).
Gjatë viteve të luftës, ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Që nga marsi i 1999 deri në janar të viti 2000, z. Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (Qeveria e Unitetit).
Në këtë periudhë zhvilloi aktivitet të dendur politik dhe diplomatik në qendrat kryesore botërore, në SHBA dhe Evropën Perëndimore.
Në jetën politike fillimisht angazhohet në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në vitet 1989 – 1993, (LPK).
Ishte lider i Lëvizjes studentore në vitet 1990 – 1993.
Në vitin 1991, z. Hashim Thaçi zgjidhet prorektor student i Universitetit të Prishtinës.
Pas largimit të dhunshëm të studentëve dhe mësimdhënësve nga objektet universitare, punon për ngritjen dhe strukturimin e arsimit universitar.
Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 1993, z. Hashim Thaçi, me sukses të lartë i përfundon studimet në Degën e Historisë.
Pas themelimit të UÇK-së, policia serbe dështon në përpjekje për ta burgosur më 1993.
Gjykata serbe e Prishtinës më 1997, z. Hashim Thaçi dhe një grup pjesëtarësh të UÇK-së, në krye me Adem Jasharin, i gjykon në mungesë me shumë vite burg.
Në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996), i ndjek studimet postdiplomike në lëmin e Historisë së Evropës Juglindore dhe shkencave politike, deri në fillim të vitit 1998.
Gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Perëndim, z. Hashim Thaçi shpesh herë kthehet ilegalisht në Kosovë, për t’i forcuar formacionet e UÇK-së në terren.
Pas luftës, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, z. Hashim Thaçi udhëhoqi negociatat me faktorin ndërkombëtar dhe është nënshkrues i Marrëveshjes për transformimin e UÇK-së, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).
Me fillimin e punës së Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), si strukturë e përbashkët qeverisëse me misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK), ishte anëtar i këtij Këshilli prej janarit 2000, deri në zgjedhjet e para parlamentare 2001.
Në tetor të vitit 1999 e themeloi Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), ndërsa në Kuvendin e Parë Zgjedhor (2000), z. Hashim Thaçi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK).
Z. Hashim Thaçi u rizgjodh kryetar i PDK-së edhe në Kuvendin e Dytë (2002) dhe të Tretë Zgjedhor (2005).
Në tri legjislatura të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur deputet.
Është lider politik me numër më të madh të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.
Prej vitit 1999, z. Hashim Thaçi ka afirmuar dhe mbrojtur çështjen e Kosovës me shumë ligjërata dhe fjalime, në dhjetëra universitete dhe institute prestigjioze të vendeve Perëndimore.
Në shtypin vendor, rajonal dhe atë ndërkombëtar ka botuar shkrime dhe artikuj të shumtë.
Flet gjuhën angleze dhe atë gjermane.
Është i lindur më 24 prill 1968 në Burojë të Skënderajt.
Jeton në Prishtinë, me gruan Lumnijen dhe djalin, Endritin.
Hashim Thaçi u zgjodh President i Republikës së Kosovës me 71 vota
Lajmi nga ora 19:50: Kosovë-Kuvendi, Hashim Thaçi zgjedhet President i Ripublikës me 71 vota/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Shkurt 2016/President i Kosovës u zgjodh Hashim Thaçi me 71 vota në raundin e tretë, sot në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. 10 fletëvotime ishin të pavlefshme. 81 deputetë kanë votuar gjithësej. Thaçi merr detyrën e Presidentit në 7 prill 2016.Në Kuvendin e Kosovës u zhvillua votimi në raundin e tretë për Presidenin e Republikës derisa 82 deputetë ishin në sallë, siç konstatoi kryeparlamentari Kadri Veseli. Në sallë erdhi deputeti i VV, Fisnik Ismaili, i cili e propozoi rikthimin e Ilir Dedës nga opozita në Komision zgjedhor dhe ai u rikthye.“Dyshojmë se ka manipulime në proces. Prapë kërkojmë nga Deda që të vëzhgojë nga afër”, ka pasur deklarime nga opozita pasi përfaqësuesi i tyre u vetëlargua nga Komisioni pas votimit të parë.Në raundin e dytë, sot në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për Presidentin e Republikës, Hashim Thaçi fitoi shumicën e votave të 81 deputetëve -64 vota, por ishin të pavlefshme 15 fletëvotime, ndërsa Rafet Rama fitoi 2 vota. Me këtë rezultat Thaçi nuk kaloi as në raunin e dytë, por do mund të kalonte në të tretin, për dallim me rezultatin e raundit te parë kur ishin 50 vota pro e 27 fletëvotime të pavlefshme. Në raundin e dytë Thaçi mori 14 vota më shumë se në të parin. Ndërsa, Rama mori 2 më pak se në raundin e parë, kur kishte 4 vota.
Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithësej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma – 61.
Kushtetuta përcakton se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 91
- Next Page »