Të Enjten, 4 Shkurt 2016, Kryetari i Vatrës dr. Gjon Bucaj, vizitoi në shtëpi e tij, në Long Island z. Agim Karagjozi, president Nderi i Vatrës, ish kryetar i saj prej 18 Vitesh. Kryetari Bucaj shoqërohej nga vatrani i vjetër Zef Perndocaj, anëtar i Adovisory Board i Vatrës si dhe Editori i Diellit Dalip Greca.
Z. Agim Karagjozi gëzon shëndet relativisht të mirë. Ai u gëzua shumë nga vizita dhe tha se i mirëpret vatranët dhe bashkëpunëtorët e tij ndër vite.
Biseda ishte intersante dhe vazhdoi për më shumë se 3 orë. Z. Karagjozi solli në kujtesë veprimtaritë e Vatrës, ku vetë ai ka rreth 60 vite kontribut dhe më shumë se dy dekada në udhëheqje si kryetar apo zv/kryetar e sekretar(përfshi dhe degën e Nju jork-ut). Z. Karagjozi kujtoi me këtë rast miqësinë e Vatrës me presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, të cilin e ka pritë disa herë me shumë bujari e përzemërsi vatarnësh në Nju Jork, por dhe presidenti Rugova e ka nderuar me pritje të ngrohtë në Prishtinë, atë dhe vatranët e tjerë.
Po ashtu ai kujtoi vizitën e delegacionit të Vatrës në Qershor 1988 në Tropojë në kohët e vështira të pas ’97-tës, ku ai dhe vatranët e tjerë që e shoqëronin, duke patur dhe ndihmën e të ndjerit Azem Hajdari, shkuan në Tropojë, vizituar të plagosurit e Luftës në Kosovë, dhuruan ilace e ndihma të tjera për Spitalin e Bjaram Currit, ndërkohë që dhuruan mijëra dollarë për Luftën e Kosovës.
Po ashtu z. Karagjozi në bisedën e nxitur nga editori kujtoi veprimtarinë e tij ndër vite, duke filluar që nga Lufta e Dytë Botërore, ku ai pati veprimtari direkte me Ballin Kombëtar, me Rininë e Ballit, por edhe lufta disa ditore në Kosovë në radhët e Batalionit të Ballit Kombëtar “Besnik Cano”, ku plumbat i vërshëllenin pranë në trashetë e luftës, kundër forcave sllave në drejtimin e Mihajllovicit.
Ai kujton edhe momentin prekës ku së bashku me atin e tij, nacionalist i njohur, Zyhdi Karagjozin, së bashku me udhëheqësit e tjerë nacionalistë kaluan Adriatikun, duke kënduar këngë mëmëdhetare. Madje ai kujton dhe vargjet e këngës. Më pas ai kujtoi jetën e vështirë në kampet e Italisë, emigrimin në Turqi, studimet për inxhinieri në Universitetin Robert Colege, ardhja në Amerikë dhe përfshirja e menjëhershme në veprimtaritë e Vatrës, ku ai shpesh ka udhëhequr veprimtari dhe projektet të Vatrës. Për shumë vite z. Karagjozi drejtoi edhe degën e Vatrës për NY dhe NJ, duke patur në krah publicisten e njohur Nexhmije Zajimi. Nëse Vatra sot ka një ndërtesë të saj trekatëshe, ajo është meritë e z. Karagjozi, i cili udhëhoqi për vite me radhë fushatën”Për binanë e Vatrës” dhe e ruajti me shumë fanatizëm shumën e mbledhur derisa i biri i tij biznesmeni Zyhdi Karagjozi, gjeti këtë ndërtesë(që Vatra ka sot) me cmim të ulët nga Banka dhe i bëri të gjitha veprimet falas pa marrë asnjë fitim për vete.
Z. Karagjozi në bisedë e sipër u inetersua për gjendjen e Vatrës, të Komunitetit Shqiptar në SHBA, situatën në Shqipëri dhe në Kosovë e vsiet e tjera Kombëtare. Ai tregoi brengosje të thellë për gjendjen e pashpresë në Shqipëri,me tranzicion të zgjatur, ku korrupsioni po gërryen shoqërinë, ku Vatra ka investuar mund dhe interesim të vazhdueshëm, që në fillim të viteve ’90. Po ashtu e quajti të pakuptimtë përdorimin e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës dhe uroi që gjendja të kapërcehet sa më shpejt.
– Disa nga udhëheqësit e Kosovës, më kanë zhgënjyer. Kam pasë shumë shpresë se do ta conin Kosovën përpara , por veprimet e fundit janë zhgënjyse, tha ai gajtë bisedës.
Z. karagjozi tha se e ndjek në vazhdimësi situatën në Komunitet dhe viset Kombëtare falë gazetave Dielli dhe Illyria, që vazhdon t’i lexojë me interesim dhe shprehu vlerësim për të dyja gazetat.
Z. Karagjozi premtoi nëse do të jetë mirë me shëndet ai do të marrë pjesë në festën që organizon Vatra me 14 Shkurt 2016 në nderim të Pavarësisë së Kosovës.(Dielli)
Archives for February 2016
Ambasadorja e Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj dekorohet me çmimin “Flaka e Paqes”
-Ky çmim është simbol i paqes globale dhe na përkujton në obligimin tonë per të qenë më aktiv në paqe përmes fjalëve dhe veprimeve/
-Ambasadorja Ahmetaj falënderoi të gjithë të pranishmit si dhe të gjitha institucionet dhe shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën aty ku është sot/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Shkurt 2016/ Sot ne Bruksel, në një ceremoni të organizuar nga Asociacioni për Avancim të Paqes, nën udheheqjen e Arqidukes Herta Margarete Halsburg nga Austria, ambasadorja e Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj, u dekorua me çmimin “Flaka e Paqes” (Flame of Peace).
Çmimi “Flaka e Paqes” u ipet personaliteteve për rolin aktiv në shoqeritë e tyre, e që ne rastin e Kosovës nënkupton bashkëpunimin drejt themelimit teështetit demokratik, nenshkrimin e MSA-se, hapjen e rrugës drejt integrimeve evropiane dhe të tjera.
Ky çmim është simbol i paqes globale dhe na përkujton në obligimin tonë per të qenë më aktiv në paqe përmes fjalëve dhe veprimeve.
Në ceremoni me çmimin e njejtë janë shpërblyer edhe ish kryetari i Keshillit Evropian Herman Van Rompey, njëherit edhe ish kryeministër i Belgjikes, ambasadorja e SHBA-ve prana Belgjikës Denise Bauer dhe ambasadori slloven Matjaz Shinkovec. Më parë, ndër te tjerëve, ky çmim iu është ndarë edhe personaliteteve si Presidentja e Kosovës, Atifete jahjaga, Lech Walesa (Poloni), Adolf Ogi (ish President i Federates Zvicerave), Princi Laurent i Belgjikes, etj.
Njoftimi dërguar nga Brukseli thekson se, gjatë pranimit të çmimit, në fjalen e rastit, ambasadorja kosovare Ahmetaj tha se, “në rrugëtimin tim të shkurtë, qe nga çlirimi i vendit tim, kam pasur priviligjin të shoh lindjen dhe ndërtimin e vendit tim, si dhe momentin më të rëndësishem që nga shpallja e pavarësisë, nënshkrimin e Marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, gjë e cila e ka vulosur rrugën e Kosovës drejt BE-së”.
Kosova, vijoi ajo, ka bërë hapat e parë në rrugën e saj të gjatë drejt integrimeve evropiane, por ka ende shumë punë për të bërë.
“Institucionet e Kosovës kanë për qëllim ndërtimin e një shoqërie gjithpërfshirëse me diversitetin e saj religjioz, kulturor, me qëllimin e ndërtimit të një shoqërie që në bazë ka rendin dhe ligjin. Në kaq vite te pavarësisë kemi bërë ndryshime që kanë prekë jetët e qytetarëve, mendoni sa shumë ndryshime do të ketë deri në kohën kur Kosova do të jetë anëtare e barabartë e BE-së”, u shpreh ambasadorja kosovare në Bruksel.
Ambasadorja Ahmetaj në fund të fjalimit te saj falënderoi te gjithë të pranishmit si dhe të gjitha institucionet dhe shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën aty ku është sot.
Kosova, përvoja ndërkombëtare për Trepçën
-Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen Trepça/
-Është miratuar edhe propozimi për themelimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut/
-Qeveria e Kosovës falënderon Parlamentin Evropian për vlerësimin pozitiv lidhur me progresin në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, duke apeluar që të bëhen veprimet e nevojshme në mënyrë që kosovarët të udhëtojnë pa viza gjatë vitit 2016/
Nga Behlul JASHARI/ PRISHTINË, 5 Shkurt 2016/ Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen Trepça. Kjo do të shërbejë në hartimin e Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën, gjigantin e ekonomisë kosovare.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kanë zhvilluar takime me të gjitha palët e interesuara lidhur me Trepçën dhe janë ndarë disa prej detyrave që të punohet në transformimin e Trepçës.
“Është një orientim që ne të kemi studime të rastit, të kompanive të ngjashme me Trepçën, në mënyrë që ato t’i marrin si modele gjatë hartimit të Strategjisë dhe të Ligjit për Trepçën. Këto mjete, janë të destinuara për ato qëllime”, tha kryeministri Mustafa.
Krahas reformave substanciale që ka bërë, qeveria e Kosovës ka theksuar se tani do të fokusohet në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së asetit më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Trepçës.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës është miratuar edhe propozimi për themelimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Edhe vendimi që të kërkohet rekomandimi i Presidentes së Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit Ministrit të Integrimit Evropian, për nënshkrimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ka marrë miratimin e qeverisë.
Kabineti qeveritar është informuar për rezultatin dhe rekomandimet nga takimet e Dialogut të Procesit të Stabilizim Asociim për Drejtësi, Liri dhe Siguri dhe Inovacion, Kapital Njerëzor, Politika Sociale dhe Shoqërinë Informative, që janë zhvilluar nga 26 deri më 28 janar 2016 në Prishtinë.
Në mbledhjen e sotme, qeveria e Republikës së Kosovës ka emëruar Ibrahim Makollin, kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime në çështjen e personave të zhdukur.
Me kërkesë të kryeministrit, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka njoftuar kabinetin qeveritar në lidhje me procesin e plotësimit të tetë rekomandimeve të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Sipas ministrit Bekim Çollaku, nga tetë rekomandime, gjashtë janë plotësuar ndërsa dy janë në proces. Ministri Çollaku është shprehur i bindur për një vendim meritor për liberalizim të vizave nga ana e Komisionit Evropian.
Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 73-të, të gjashtën në vitin 2016, të cilin e nisi me dy mbledhje brenda ditës së 8 janarit. Në mbledhjen e kaluar, në 29 janar, qeveria ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në 17 shkurt.
Mbledhja u mbajt një ditë pas miratimit nga Parlamenti Evropian të Rezolutës për Kosovën, e cila, siç thekson deklarata përshëndetëse e qeverisë, përmban kërkesa të qarta për avancimin dhe shpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.
Qeveria e Kosovës falënderon Parlamentin Evropian për vlerësimin pozitiv lidhur me progresin në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, duke apeluar që të bëhen veprimet e nevojshme në mënyrë që kosovarët të udhëtojnë pa viza gjatë vitit 2016.
Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron hap shumë të rëndësishëm gatishmërinë e Parlamentit Evropian për të dhënë pëlqimin pas rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ftesën drejtuar Komisionit Evropian që të ndërmarrë një hap të tillë sa më shpejtë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur mirënjohje të posaçme për përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke pas parasysh edhe faktin se në këtë rezolutë është përsëritur thirrja e europarlamentarëve për pesë shtetet e mbetura të BE-së që të njohin Republikën e Kosovës.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
*Foto Gazeta DIELLI –Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 5 shkurt 2016
Fakulteti i Gjeoshkencave të Tiranës Viziton Mitrovicën
-Pritje edhe në Trepçë e në Universitetit Isa Boletini, në Mitrovicë/
MITROVICË, 5 Shkurt 2016-B.Jashari/ Dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave në kuadër të Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Përparim Hoxha dhe përfaqësuesi tjetër i këtij fakulteti Prof. Ibrahim Milushi, qëndruan sot në Mitrovicë, qytetin më të madh verior të Kosovës. Ata u pritën nga kryetari i komunës jugore, Safet Kamberi, i cili i ka njoftua me situatën e përgjithshme në komunë. Ai i njoftoi mysafirët nga Tirana edhe me pëpjekjet që komuna po bënë për zhvillimin e përgjithshëm, me theks të veçantë për zhvillimin ekonomik, të bujqësisë dhe industrisë.
Me këtë rast, ai tha se ndarja e qytetit dhe problemet politike që vazhdojnë të ekzistojnë në Mitrovicë, kanë bërë që investitorët e huaj të hezitojnë për të investuar këtu.
“Mungesa e investitorëve të jashtëm po reflektohet negativisht në zhvillimin më të përshpejtuar të komunës dhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Kamberi.
Profesor Përparim Hoxha, pasi e falënderoi për pritjen e bërë dhe për ofrimin e informatave për komunën, shprehu gatishmërinë e tij dhe dëshirën që të bashkëpunojë me institucionet komunale dhe me fakultetet përkatëse që funksionojnë në komunën e Mitrovicës.
Nënkryetari Kamberi, mysafirëve nga Tirana iu ka dhuruar hartën e Kosovës me gurë kristali të Trepçës.
Në takimin në komunën e Mitrovcës morën pjesë edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj dhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Pajazit Hajzeri.
Mysafirët nga Tirana, gjatë qëndrimit në Mitrovicë janë pritur edhe nga menaxheri i Kombinatit Trepça, Ahmet Tmava dhe më pastaj kanë vizituar Minierën e Stantërgut dhe Muzeun e Kristaleve të Trepçës.
Po ashtu, ata i kanë bërë vizitë edhe Universitetit Isa Boletini, në Mitrovicë, ku janë pritur nga rektori Alush Musaj.
Mbështetje për Zbatimin e Ligjit për Dekriminalizimin
Deklaratë e Ambasadës së SHBA ne Tirane/
Sot, ekspertë teknikë nga Shtetet e Bashkuara bënë një prezantim në parlamentin shqiptar mbi praktikat më të suksesshme në SHBA për hetimin e të kaluarës së zyrtarëve në qeverisje dhe udhëheqësve politikë. Prezantimi u organizua nga Ambasada e SHBA, në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit të miratuar së fundi. Ambasada mirëpret përpjekjet e parlamentit për të zhvilluar më tej aktet nënligjore të këtij ligji të rëndësishëm, dhe mbështet me forcë zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin.
Support for Implementation of Decriminalization Law
Technical experts from the United States delivered a presentation today at the Albanian parliament on U.S. best practices for investigating the backgrounds of government officials and political leaders. The presentation was organized by the U.S. Embassy in support of Albania’s efforts to implement the recently passed decriminalization law. The Embassy welcomes the efforts of parliament to develop bylaws for this important law, and strongly supports the full implementation of the decriminalization law. {Sh.K}.
- « Previous Page
- 1
- …
- 75
- 76
- 77
- 78
- 79
- …
- 91
- Next Page »