Baltimore, 3 Shkurt 2016: Presidenti Barack Obama bëri sot vizitën e tij të parë në një xhami amerikane, ku bëri thirrje për tolerancë ndaj miliona myslimanëve të Amerikës.
Presidenti amerikan bëri thirrje gjithashtu për t’ju kundërvënë paragjykimeve, që ai tha se janë në rritje në procesin e fushatës presidenciale, ndërkohë që flitet për luftë kundër terrorizmit.
Në Shoqërinë Islame të Baltimorës, që përfshin një kampus universitar me një xhami dhe një shkollë 12-vjeçare, Presidenti Obama u ul në një tryezë të madhe me përfaqësues myslimanë të universitetit dhe aktivistë për të diskutuar mbi tolerancën dhe lirinë fetare.
Pastaj ai mbajti një fjalim ku u përqendrua te çështja se si SHBA mund të përballen më me sukses me ekstremizmin nëse punojnë me myslimanët, në vend që t’i cilësojnë ata si armiq të mundshëm.
Retorika antimyslimane është e pajustifikueshme, tha zoti Obama, i cili shtoi se të krishterët, myslimanët dhe hebrejtë janë të gjithë fëmijët e Zotit.
Archives for February 2016
SHQETESIMI: Mbi 50 % e katolikëve janë shpërngulur nga Kosova
*Pas lufte mbi 50% të popullatës së besimit katolik për shkaqe të ndryshme janë shpërngulur nga Kosova për në SHBA, Australi, Evropën perëndimore etj. Këtë shqetësim alarmues mori guximin këto ditë dhe e ngriti anëtari i KK-së në Klinë Z. Pjetër Coli./
Opinion nga Pjetër Coli/
“Fjala është për një jo rregullsi në Komunën e Klinës, e cila daton që nga viti 1999 e deri në ditët e sotme. Bëhet një dallim i madh në investime, në punësime, në dhënien e tenderëve etj.
Këto tema janë tema të cilat fliten në çdo ndeje, edhe unë kam marrë guximin që t’i prezantoj në mënyrë transparente, që t’i dëgjoni edhe ju në këtë Asamble së bashku me argumentet. Jo, nuk ka tendencë, nuk ka ndonjë prapavijë, nuk ka ndonjë shkak tjetër çfarëdo qoftë ai, por është një realitet. Kush më njeh personalisht, kush e di biografinë time e dinë që nuk i takoj rrethit të njerëzve që flasin me tendenca, por u takoj njerëzve që kanë guximin për ta thënë të vërtetën.
Nëse fillojmë prej 1999, kur pushtetin komunal e ka pasur LDK-ja, në Lugun e Drinit përpos një participimi prej 7 mijë markave, apo eurove, këtu mund të gaboj, për një ujësjellës në fshatin Radulloc, edhe ndihmën e elektrifikimit në Krushevë të Madhe, pushteti i LDK-së asnjë investim kapital nga buxheti i Komunës nuk e ka bërë.
Edhe kjo dukuri vazhdon në kontinuitet me një ndryshim të vogël. E keni Radullocin të paasfaltuar, e keni Pataqanin të paasfaltuar, e keni Zllakuqanin të paasfaltuar, Berkovën, Ranocin pjesërisht, Stupa, krejtësisht, Budisalci, Krusheva e Madhe, Jagoda, Videja, pjesërisht, Deiqi, pjesërisht, Drenskiku. Domethënë është komplet kjo anë, e cila nuk është e asfaltuar.
Kurse jashtë Lugut të Drinit, në anën tjetër, përpos Grapcit, nuk është asnjë fshat që nuk është i asfaltuar. Investimet në infrastrukturën rrugore që janë bërë kohëve të fundit këtu në Lug të Drinit janë vetëm 7670 metra. Në Deiq janë 1700 metra, Polca 620 metra, Krusheva e Vogël 1850 metra, Leskoci, 2700 metra, Ranoci 800 metra. Edhe për këto 7.7 km asfalt janë dhënë participime 66 900 euro. Domethënë një participim i lartë që nuk e njohin fshatrat tjera.
Në kohën e LDK-së, është asfaltuar rruga e Ranocit, por Komuna asnjë cent nuk e ka dhënë. Është asfaltuar rruga e Jagodës, ku Komuna ka participuar me vetëm 50 mijë euro. Mjetet tjera për këtë projekt rrugor 7 km të gjatë janë dhënë, 440 mijë përafërsisht nga Ministria, 130 mijë nga komuniteti, 50 mijë nga UFORK-u, që ka qenë fond i trepërqindshit, i cili ka funksionuar pas lufte edhe në Kosovë.
Për objektet shkollore, ju jeni dëshmitarë që 5 shkolla janë ndërtuar ose janë duke u ndërtuar në fshatrat e Komunës sonë dhe asnjë në Lugun e Drinit! Shkolla e Leskocit, është financuar nga UFORK-u, në kuadër të një financimi që e ka ndarë ai fond për 3 shkolla të atëhershme në Komunën e Klinës, me ato të holla 220 mijë marka është ndërtuar një shkollë në Poterq, një në Leskoc, edhe një në Sferkë. Sferka një herë nuk kanë dashur t’i marrin ato të holla, atëherë prapë i kanë marrë, por është ndërtuar edhe shkolla e Sferkës, pra ka qenë një participim i UFORK-ut edhe për këtë shkolle me 110 mijë euro.
Ky është një segment, kurse tjetri ka të bëjë me punësimet në komunën tonë: I kemi, aq sa kam mundur unë t’i numëroj, 14 institucione edhe ndërmarrje publike në Klinë dhe asnjë drejtor apo udhëheqës nuk është nga Lugut i Drinit, asnjë i vetëm! Në te gjitha këto institucione edhe ndërmarrje publike punojnë 735 veta, ndërsa nga Lugut i Drinit janë vetëm 135. Ne polici janë nga 84 vetëm 10; në postë nga 31 janë 7; në gjimnaz nga 60, janë vetëm 8; në shkollën profesionale nga 75, janë vetëm 10; në shkollën “Ismet Rraci” nga 66, janë 13; Qendra sociale nga 12, është vetëm 1, bile edhe ky përmes gjykatës ka arritur ta ruajë vendin e punës; në Shtëpinë e Shëndetit nga 137, janë 41; gjykata 34 me 3; te letërnjoftimet, 17 me 0; KEK-u 34 – 2; në Komunë 87 -16; Ambienti 23-3; Hidrodrini 22-4; “Motrat Qiriazi” 34 me 17. Domethënë, totali është nga 715 vetëm 135! Nëse dikujt këta numra i duken të dyshimtë secili ka të drejtë t’i verifikon. Mua më janë dashur 6 vjet, prej se jam në Asamblenë Komunale për të ardhur deri të një konstatim të cilin po e foli shumë sinqerisht dhe vëllazërisht sot këtu.
Në anën tjetër, Komuna i ka ndare 81 banese për nevoja të njerëzve tanë. Kriteret qysh janë ndarë, sa janë ndarë, nuk po hy andej, nuk më interesojnë, por prej 81 banesave vetëm 4 banesa.
Edhe diçka te asfaltimet: Ka fshat jashtë Lugut Drinit, i cili ka më shumë kilometra të asfaltuara se sa të gjitha rrugët në Lug te Drinit në 6 vitet e fundit. Tenderët:
Unë nuk e di që dikush i Lugut të Drinit ndonjëherë në këtë Komunë e ka marrë një tender, nëse gabojë të më korrigjoni dhe do të kisha qenë i lumtur nëse është e kundërta. Tregomëni, nëse ka.
Të gjitha këto janë çështje ekzistenciale. Ky është një komunitet autokton i cili jeton këtu me shekuj, është pjesë e proceseve, pjesë e ndryshimeve, pjesë e reformave; ka dhënë kontributin e vet me siguri aq sa e kanë dhënë edhe të tjerët, edhe nuk është në rregull që ne si institucion të veprojmë në këtë mënyrë.
Njerëzit po shpërngulen, njerëzit po ikin dhe kjo gjendje po i detyron për të shkuar në Gjermani, Zvicër, Amerikë, apo gjetiu. Unë po apeloj që si Komunë atë buxhet që kemi ta ndajmë vëllazërisht, proporcionalisht në secilën anë barabar. Aq sa del le të del. Kur nuk del s’kemi çfarë të bëjmë. Edhe në familjet tona është buxheti i kufizuar.
Edhe njëherë për asfaltimin e rrugëve, po që se e marrim komplet rrugën e Jagodës edhe Zllakuqan – Ranoc, dua ta ceku se kam qenë kryetar i Fondit te 3%-shit në Gjermani i cili ka tubuar 270 milionë marka për Kosovën dhe pas lufte 2 vite kryetar i UFORK-ut ne Prishtine. Nga kjo pozite kam arritur t’i kanalizoj do mjete për komunën tonë. Sado absurde që ndokujt i duket, prej lufte deri me sot nga ky UFORK Komuna e Klinës i ka marrë 771 mijë euro ndihme. 3 shkolla dhe rrugë te asfaltuara. Dua ta ceku se për rrugën e Jagodës – 130 mijë i ka dhënë komuniteti, nuk ka tjetër kund që është pjesëmarrja aq e madhe për një projekt sa rruga e Jagodës.
Nëse ndokush mendon se unë e kam motiv fanatizmin, gabohet shumë. Unë nuk jam fanatik, nuk jam fetar dhe besoni që feja nuk është shkak për të dalë sot këtu, nuk më është dukur lehtë të flas para jush për këtë teme, njerëz te vendit, që e kam pasur mall gjithë jetën dhe që kam bërë përpjekje për ta ndihmuar gjithë jetën nga atje ku kam jetuar, pa kurrfarë interesi në personal.
Unë e njoh historinë e popullit tim, mjaft mirë, i di ndarjet fetare, raportet etj. Shikoni veprat, shikoni qëndrimet, shikoni sjelljet e mia në raport me rrethin deri me sot, atëherë mund të konstatoni se këto fjalë janë vetëm të vërteta. Ka ndodhur që në shtëpinë time të çohet bashkëshortja ime natën t’i përgatis syfyr mysafirit tim shqiptar i besimit islam. Ose të tillë njerëz që janë falur në shtëpinë time. Edhe nëse veprohet kështu, atëherë…desha ta përmendi fjalën tolerance, që fare nuk e pëlqej dhe ne vend të saj unë i them: respekt i ndërsjellë fetar, që është praktikuar nga unë dhe familja ime.
Pra, unë sot apeloj te ndërgjegjja juaj, që ta bëni një monolog me vetveten dhe të thoni se ky njeri ose qenka çmendur ose e tha një realitet të hidhur.
Ju faleminderit për vëmendjen!”- ka konstatuar në diskutimin e tij anëtari i Asamblesë komunale në Klinë Z. Pjetër Coli.Kortezi: shqiptari.eu
E dergoi per Diellin: Idriz Morina
DITARI SHQIPTAREVE TE AMERIKES
Kur Promovohej libri i atdhetarit Niko KIRKA”PER MEMEDHENE”, Nentor 2005/
Komuniteti shqiptar ne New York eshte mbledhur shpesh per promovimin e librave te rinj. Po vecoj disa nga fotografite e veprimtarise kushtuar librit te atdhetarit Niko Kirka, njerit prej te denuareve nga diktatura komuniste, i biri bashkethemeluesit te Vatres, ish kryetarit te Besa-Besen, i Shoqerise “Arsimi”, deputet i Parlamentit Shqiptar ne vitet ’20 te Shekullit te shkuar, ish nenprefektit te Himares, Bilishtit, kryetarit te Bashkise se Korces, vdekur ne burgun e Burrelit, Kristo KIRKA. Libri i shkruar nga Niko Kirka, i kushtohet prinderve te tij Kristo dhe Androniqi Kirka, me dedikimin”Prinderve te mi qe mekuan dhe me mbrujten me idealin e shqiptarizmes. Libri ka 415 faqe. Libri eshte ndertuar me artikujt, fjalime, intervista dhe krijimtari letrare ne vite shkruar nga Niko Kirka. Ne kete promovim moren pjese jo vetem shqiptare nga Nju Jorku, por edhe nga Nju Xhersi e Konektikat.
Promovimi u organizua ne Qendren kulturore te komunietteve Bronx House. (DG)
Triptik- NDALONI PAK, TI PRESIM SHQIPTARËT!
(Mbi prrallëzimet politike)/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin, Shkurt 2016/
1.”Çfarë esencash e forcash, çfarë stinësh e zonash hyjnore nuk janë përzjerë” (si do thoshte Niçe), në Kosovën republikane, por një përskajim gjithësor është ravijëzuar, tashmë, mbi kryetemat kombëtare të saj: të prekshme deri në dhimbje. Është Breja e brendshme dhe, shemra e saj e dashur, Rrëmoja e jashtme. Ndërsa, pra, këndej, shtetin e hipotekuar e bren deri në palcë korrupsioni me luspën e demokracisë, andej ndërkaq – e rrëmon Serbia me formulën 100 vjeçare të sundimsisë. Dhe midis tyre, për çudi, ndërtohet disi natyrshëm një përplotësim imanent: Rrëmoja s’mund të përbirohet assesi pa tërheqjen e Brejës, po as kjo e fundit s’mprehë dot thonjët e saj pa zelltarinë bashkëpunuese që ia njeh dytësja e parë besnike..!
Përse, ndaj, s’tubohet populli në një rezistencë stuhimadhe, që si një ortek, do të rrafshonte figurantët pushtetarë, vjedhësit e shpresës së tij?
Kultura e munguar e lirisë?
Pazotësia përshtatëse me diellin lëbyrës, pas territ të gjatë robnor? Tranzicioni traumatik i trefishtë: nga pushtimi, nga lufta dhe nga doktrina komuniste?
Kam hedhur vetë ide të tilla dyshimtare në shkrimet e mia ndër vite. Mbase kjo do të ketë dhe një votër eterne, sepse (si thotë sërish korifeu i naltcituar) ngurrimi, tërheqja a rrotullimi rreth vetes, ngrihet mbi faktin që instinkti i turmës trashëgohet më shumë se asnjë tjetër..!
Megjithatë, mua, duke përfillur këtë mësim të hollë, sidoqoftë, më bëhet sikur dhe një shtysë tjetër është etabluar poashtu thyeshëm e frenuese: deshpërimi total me të gjithë klasën politike.
Rrjedhimish, pra, ç’repart përfaqësues do të ndiqte populli për të kundërshtuar këtë nyjëtim të keq?
Me krerë partie opozitare, zyrtari i lartë i së cilës ishte pjesë e, madje, një kohë i printe kuvendimit me serbët në Bruksel? Apo me flamurtarin e vonë të etikës së shplarë, i cili vetëm në mbyllje të legjislaturës kuvendare, pat thënë se keqardhej që paskësh kryesuar për katër vjet një parlament votash të vjedhura, pa çka se voli vetë privilegjet e pushtetit të trafikuar?
Alternativa është, prandaj, e vështirë dhe, veç tjerash, edhe këtej rrah të shpjegohet kjo apati që prodhon vetminë refuzuese të shesheve…
2.
Lexova këto ditë një prononcim të Adem Demaçit dhe do të përjetoja një ndjesi të dyfishtë. Së pari, kje gëzimi i ngrohtë që pushtoi zemrën time: sa mirë, thashë më vete, që paskësh kaluar rrëzomën shëndetësore. Por fill pas saj, vinte i ftohtë zhgënjimi sëmbues nga kumti i tij politik.
Ai thoshte: serbët lëre që s’do marrin tokë në veri, por kanë borxh për të kthyer dhe territoret shqiptare deri tek Molla e kuqe! Sepse, vijonte me patos argumentimin, ata patën përçmuar dhe gjasën e pavarësisë së Kosovës, por, ja, ia doli të shkëputet nga stema e saj. Nga fryma e mesrrjeshtave, rezultonte shpallja solemne: do rikthehet e deri atje do mbërrijë këmba shqiptare. Në mbarim, shoqëruar nga një ofshamë klasike (si shkruante njëherë me dhimbje Ali Sutaj…), do të evokoja vetishëm urtinë popullore, se bjeshka i përket t’zotit të deleve…Turri i ekspandimit serbian me hekur e gjak (pas Berlinit fatkeq), do të ndalej diku në veriun arbnor dhe ajo, aherë, sot e gjithmonë ka popullin e saj, siç ka, poashtu, dhe ky tokën e vet…E kush do të kërkonte lirinë nën hijen e harruar të t’famshmes, poetikes dhe kujtesëmekurës Mollë? Njeriu i dëbuar, varret që s’janë, vdekja e paemër? Apo, ndoshta, shtetet çalamane shqiptare që s’kanë as potencën ushtarake, mandej as fuqinë ekonomike dhe, së fundmi, as sfondin e tumirjes ndërkombëtare për të pretenduar të drejtën mbi trojet historike?!.. Do të ishte e mjaftë, gati një mrekulli e shekullit, sikur ata të përthekonin jetëhapsirën etnike që, dhe ajo, kërcënon të rrudhet e shprishet vazhdimisht.!
Ndaj dhe, megjithë retorikën e çiltër nacionale, fluturime të tilla fantazmagorike nuk kthjellojnë mendimin politik kombëtar. Përkundrazi. E terrojnë atë në shkallën që fsheh e mugëton horizontin e largët. Është vizioni tejpamës, i sendërtueshëm e realist, që nëvojit ëndrra shqiptare për ditëbukurën e nesërme. E ky lloj prrallëzimi i entuziastit të pandreqshëm e, shpesh, naiv, nuk ishte kurrësesi!
3.Megjithë vendzënjen në një pikë të ndjeshme rruzullimi, veçansinë në familjet e mëdha të kombeve e, që këtej, trysnitë jashtësore, vonesa është fakti, kuptimi dhe metafora që përthekon ecjen politike shqiptare.
Ben Gurioni proklamonte rezolutivisht se Izraeli pikësynonte tre objektiva madhorë strategjikë: shtetin, demokracinë dhe territoret biblike…Mirëpo ky traktat aspiratash nuk është bërë ende jetë. Çifutët dhe çështja ekzistenciale e tyre, vërtetë, janë të rrethuar nga faktorë të mnershëm limitues. Shqiptarët, poashtu. Madje, në kufi të një krahasimi të mahnitshëm përgjasues…
Por, sërish, kultura inteligjente e flijuese e organizimit hebraik, është e largët si yjet për shqiptarët.
Ndershmëria, ky është virtyti nga i cili nuk mund të çlirohemi, ne shpirtërat e lirë, thotë sërish një titan i mëndjes njerëzore. Dhe parzmues i saj duhet të jetë, veçanërisht, titullari që vulos fate kolektive. Zeja e politikës, natyrisht, ka trillet e saj. Dhe pabesitë, poashtu. Mitëpo s’mund të ketë një të tillë, që do të cilësohej efektive, e përkorë e shërbyese ndaj atyre që japin tagrin e Fuqisë, pa një fill, sado të hollë, të saj. E pikërisht ky virtyt është qëmoti në degjenerim e zhdukje…Madje, duke mos qenë vetëm tipar krenarie patogjene e të habitshme vetëm ndër dinastët e errtë folklorikë, zvetnimi megashtegton tutje, poshtë e gjithkah, për ti bërë robër të bindur të gjithë…
Rrjedhimisht, ndaj, këlthitet në kupë të qiellit: të vonuar për lirinë, të vonuar për shtetin, të vonuar për demokracinë, të vonuar për mirëqenien sociale të shumicës…Më keq akoma: të ngecur, prapakthyer e çorientuar në udhëkryqet që krijojnë vetë e vuajnë vetë…
Athua, pra, do ti mëshirojë Koha duke urdhëruar kombet e lira e plot adhurim, që “dehen n’epopena t’veta”: ndaloni pak, ti presim shqiptarët!?
Iu dha lamtumira e fundit Akademikut Kristo Frashëri
Nga Shefqet Kërcelli/
Mesditën e sotme u përcoll për në banesën e fundit Akademiku Kristo Frashëri. Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, miq, studjues, historianë, politikanë, personel i akademisë, qytetarë nga gjithë vendi, media të ndryshme, të cilët bënë homazhe e u përkulën me nderim përpara kësaj figure të madhe të kombit shqiptar. Në ceremoni morën pjesë gjithashtu dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe ai i Maqedonisë. Homazhet u zhvilluan në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që në ambientet e Akademisë ishin ekspozuar veprat e Akademikut të shquar. Dhjetra qytetarë shkruan opinionin dhe vlerësimin e tyre për jetën dhe veprën e akademikut të madh në librin e vendosur për këtë qëllim. Para përcjelljes në banesën e fundit, arkivoli i Akademikut u vendos në sheshin para akademisë, ku profesor Dr.Myzafer Korkuti njohu pjesmarrësit me momentet kryesore të jetës dhe veprës së Profesor Kristo Frashërit. Kristo Frashëri lindi më 4 dhjetor 1920 në Frashër të Përmetit dhe është djali i parë i patriotit dhe rilindësit Anastas Frashëri e zonjës Evdhoksi Tole-Ogrenit Rrjedh prej njërës nga dinastitë e familjes Frashëri. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbar Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli. Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi De Radën, ai ka shkruar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal osman në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit etj. Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008). Është e vështirë të bësh sot një përmbledhje të të gjithë veprave të akademikut Frashëri, sepse hapësira e tyre është mjaft e gjerë, ashtu si periudhat historike të trajtuara prej tij. Një nga shqetësimet më të mëdha të tij e që haset në të gjitha botimet është dëshira e fortë për të sjellë në vend të gjitha deformimet që i janë bërë historiografisë shqiptare ndër shekuj. Kristo Frashëri dha një kontribut të çmuar përmes botimeve të tij për Skënderbeun, Ahmet Zogun, Tiranën, Kosovën, Himarën e Çamërinë, së cilës i dedikoi edhe botimin e tij të fundit . Akademiku mban titullin Nderi i Kombit, dhënë nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi dhe titullin “Qytetar nderi” i qytetit të Tiranës. Akademiku Frashëri u shua vetëm fizikisht, pasi ka lënë pas një sërë botimesh studimore, historike, dokumentare dhe shkencore ku janë trajtuar periudha të ndryshme, figura dhe elementë të tjerë, përmes të cilëve ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët. Kështu kombi shqiptar humbi padyshim historianin më të madh të 100 viteve të fundit, që megjithatë do të lërë pas veprat e tij si një mënyrë për të mbetur gjithmonë mes njerëzve që duan të shohin e kuptojnë historinë dhe të vërtetat e saj. Gjatë ceremonisë mjaft studjues e qytetarë të thjeshtë shprehën një shqetësim, sepse gjatë gjithë kohës hynin e dilnin politikanë e ministra, të cilët të shoqëruar nga bodigardët e tyre, pengonin qytetarët për të nderuar e respektuar historianin e madh, bir i vegjëlisë. Kjo ka ndodhur dhe në raste të tjera për personalitete të shquara të kombit shqiptar. Ndaj do ishte mirë që protokolli i shtetit ose institucioneve të tjera të caktojë një orë të vecantë për “VYP”-at tanë, ashtu sis e kanë kancelaritë perëndimore, që qytetarët të zhvillojnë normalisht homazhet për figurat e nderuara të kombit..
- « Previous Page
- 1
- …
- 81
- 82
- 83
- 84
- 85
- …
- 91
- Next Page »