• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Tasim Ruko, muratori që u arratis në mënyrë spektakolare në 19 shtator 1990

March 31, 2016 by dgreca

–      U arratisëm në orën 12, midis Konispolit dhe Kepit të Stillos, pasi dinim çdo lëvizje të patrullës/

–      Në fillim premë klonin në një kthesë dhe mandej u zhvendosëm një kilometër larg/

–      Sa kaluam klonin, mbi kokat tona filluan breshëritë e automatikut/

–      Prozhektori e bëri natën ditë dhe ne u strukëm në ferra/

–      Në Filat na morën në postën e policisë dhe një i Asfalisë na pyeti me rrënjë dhe me degë/

–      Në Athinë u habitëm, dyqanet super të mbushura, ne nuk kishim ç’të hanim/

–       Kur kalonim rrugës, dyqanxhinjtë na kapnin për mënge që të blinim një pako kafe, në Shqipëri një pako kafe blihej me mik/

–      Nuk na keqtrajtuan, pasi thamë të vërtetën dhe u thamë se dëshira ishte të shkonim në Amerikë

–      Kam përjetuar në mënyrën më të dhimbshme eksodin e vitit 1991, turma njerëzish drejt Greqisë

–      Nuk u besoja syve, vëllezërit tanë vinin nga mali më dëborë, ku shumë humbën jetën

Nga Albert Z. ZHOLI/

Është arratisur nga Shqipëria në vitin 1989, pikërisht më 19 shtator, duke lënë në shtëpi një vajzë të sapolindur dhe një djalë 5 vjeç. Pas ushtrie ka punuar në bonifikim (ndërtim ) në Gjirokastër prej ku i lindi dëshira për të shkuar në botën e lirë. Dëshira e tij, ëndrra e tij ishte Amerika (pasi aty kishte shkuar gjyshi në vitin 1945), por arratisja e çoi në fillim në Greqi. Një arratisje që nuk përshkruhet me fjalë, si në filmat horror të Hollivudit. Një arratisje spektakolare mes plumbave dhe prozhektorëve, që i ndiqnin. Biseda me të erdhi rrjedhshëm nën shoqërinë e mikut të tij të ngushtë, këngëtarit të mirënjohur Ylli Baka. Nga viti 1990-1993 qëndroi në Greqi nga ku bëri dokumentet për në Amerikë. Takimi me të ishte tepër interesant, pasi ai në çdo moment nuk e fshihte mallin që kishte për atdheun dhe fshatin e Labërisë, Picarin e legjendave. Në bisedë mundohej të fshihte lotët e mallit dhe emocionet i shoqëronte me psherëtima.

Kur dhe si jeni arratisur nga Shqipëria?

Eh, të të tregoj për atë ditë, më duket si skenat e një filmi. Ishte data 19 shtator 1990. Ishin ato vite kur kishte filluar liberalizimi. Pra nuk ishte më ajo luftë klasash dhe në Rumani kishte rënë në mënyrë brutale Caushesku. Kisha vite që mendoja që të arratisesha, pasi kisha pasur gjyshin në Amerikë, i cili kishte shkuar që në vitin 1945 dhe ëndrra ime ishte ky vend, që në mendjen time quhej vendi më i bukur dhe më demokratik në botë. Isha nisur disa herë të arratisesha, por kisha kthyer mendjen pasi kisha prindërit dhe më vonë krijova familje. Isha i dyzuar midis lirisë sime dhe internimit të familjes. E mendoja se çfarë do tu ndodhte atyre sa të merrnin vesh që unë u arratisa. Por ja erdhi dita.

Po pse erdhi pikërisht në këtë datë arratisja juaj?

Pas një bisede me një kushëririn tim, mësova se ai kishte bërë ushtrinë në kufi, në zonën e Konispolit. Ai njihte mirë klonin e rrethuar nga Konispoli në Kepin e Stillos se si dhe kur lëviznin patrullat, se si ishte ndërtuar kloni, si jepej sinjali, etj. Me një fjalë ai ishte në dijeni të çdo gjëje që kishte të bënte me ruajtjen e kufirit. Kjo ishte gjëja më e sigurt që më bënte të besoja se mund të realizohej me sukses arratisja. Plus pastaj që kufiri nuk ruhej me atë fanatizëm si më parë.

Si ndodhi atë ditë?

-19 shtatori i 1990 ishte një ditë gri. Pra nuk kishte as shi, por as diell. Ishte si një ditë e mjegullt. Ne ishim tre veta që njiheshim mirë me njeri-tjetrin që nuk mund ta tradhtonim njeri-tjetrin. Kishim marrë me vete nga një palë ndërresa dhe disa ushqime dhe një shishe me ujë. Kishim menduar që të kishim diçka për dy-tri ditë. Kaluam lundrën e Butrintit dhe qëndruam në disa fusha larg lëvizjeve dhe larg klonit derisa u errësua. Kur shkoi ora 12:00 ne u afruam tek kloni. Ndoqëm sa kaloi patrulla e radhës. Kloni ishte me tela me gjemba dhe ne ishim të armatosur me pinca (qesh). Kur pamë se ishte qetësi u afruam tek kloni. Premë një tel dhe prekëm telat e tjerë derisa u bë një si shkëndijë që tregonte se telat ishin prekur dhe në postë jepej shenja e alarmit për prerje ose për kalim kloni. Ne sa dhamë sinjal ikëm larg një kilometër nga vendi ku lamë shenjë dhe filluam prerjen e telave në vend tjetër ku dhe terreni ishte më i thyer. Aty dhe shikimi nga të tjerët ishte më i vështirë. Filluam të presim telat e klonit. Ishim të tre të shkathët ndaj i premë shpejt. Poshtë dëgjoheshin zërat e ushtarëve. Ata kishin mbërritur në vendin e parë ku premë telat e mashtrimit. Pasi premë telat e klonit e dinim mirë se ishte brezi i butë ku patjetër lije gjurmë. Pastaj vinte një shtresë e rrafshët me tela me gjemba që vështirësonte kalimin. Duke i ditur pengesat ne i kishim marrë masat. I kaluam dhe ato me shumë vështirësi. Në këtë kohë u ndez prozhektori i postës së kufirit. Ishte një prozhektor i fuqishëm që e bënte natën më ditë se dita. Prozhektori rrotullohej. Sa ikte nga zona jonë ne lëviznim. Ai prozhektor na prishte shumë punë se na humbte kohën e lëvizjes. Çdo sekondë ishte me shumë rëndësi. Ai vazhdoi për disa minuta të jepte dritë mbi kokat tona. Në këtë kohë dëgjuam dhe ushtarët që po vinin.

Si reaguat?

-Kur prozhektori ikte nga kokat tona, ne lëviznim me vrap. Kishim për të kaluar dhe lumin Pavlla. Ishim afër vendit ku kishte cekëtinë dhe nuk kishte arsye që të hidheshim me not. I dinim me përpikëri lëvizjet. Kur u futëm në ujë prozhektori nuk mund të na kapte. E kaluam me vrap. Tashmë ishim më të çliruar. U sulëm drejt malit për të shkelur në tokën greke. Në këtë kohë një breshëri automatiku kaloi mbi kokat tona. Si duket ushtarët kishin arritur në vendin ku kishim kaluar por ne tashmë ishim shumë larg. Por plumbi qorr edhe të kapte. Nuk ishim shumë larg, rreth 1km dhe shkelnim në tokën greke. Zërat e ushtarëve nuk dëgjoheshin dhe kjo bëri që të ishim më të qetë. Pra ata nuk mund të orientoheshin ku ishim, por dhe e merrnin me mend që i kishim mashtruar dhe e kishim kaluar klonin e përbindshëm.

Kush ishte me ju?

-Ne ishim tre veta, Luan Dalipi, Arben Tena dhe unë, të tre nga Picari. Të tre njiheshim dhe dinim pse kishim ikur.

-Ku shkuat, pasi shkelët tokën greke?

-Ne ndalëm vetë afër postës së kufirit. Lexuam një tabelë që shkruante Filat. Ushtarët sa na panë u afruan dhe na shoqëruan në postë pa asnjë fyerje, sharje apo ofendim. Përkundrazi u sollën shumë mirë. Na futën në një sallë na sollën për të ngrënë dhe të pirë. Pastaj filluan telefonatat. Erdhi një nënoficer që dinte shqip mirë dhe  filloi të na pyeste. Ishte i Asfalies.

Aty ju pyeti?

-Në fillim aty, pastaj na çoi në një zyrë të veçantë. Na pyeti për shumë gjëra, nga jeni, emër mbiemër, ku keni punuar, ku e keni bërë ushtrinë etj…. Na pyetën disa herë si duket donin të dinin se mos gënjenim. Por u bindën. I thamë me sinqeritet se kush ishim dhe cila ishte dëshira. U thamë troç se donim të shkonim në Amerikë. Pasi ikëm nga dhoma e Asfalisë na çuan në një dhomë të veçantë dhe na morën të gjitha dokumentet. Ne i kishim marrë me vete dokumentet pasi donim të ishim korrekt me ato çka do an pyesnin. Nuk na pyetën shumë, por na thanë se do ju çojmë në Athinë. Pas tre ditësh me një makinë ushtarake na nisën për në Athinë.

-Po në Athinë, a ju provokuan?

-Jo, aty na çuan në një zyrë amerikane dokumentesh. Ishte në Kallpaq. Na plotësuan gjeneralitet, në bazë të pasaportave që na kishin marrë në Filat dhe na dhanë nga një pasaportë njëvjeçare me gjeneralitetet tona. Nuk na bënë as presion dhe as nuk na provokuan më. Pastaj na thanë dilni dhe kërkoni punë. Pra na cilësuan si emigrantë politik.

-Ju pyetën, se ku doni të shkoni?

-Po dhe ne, të tre i thamë se duam të shkojmë në Amerikë. Ata na thanë se duhet të keni një garanci nga njerëzit që keni aty. Shokët e mi e filluan të bëjnë dokumentet, ndërsa unë po mendohesha të gjeja rrugë tjetër, pasi tashmë nuk kisha më njeri, gjyshi nuk kishte pasur lidhje me ne dhe nuk dinim asgjë.

Ku punove në Greqi?

Punova në ndërtim. Unë isha specialist ndërtimi dhe punë gjeta menjëherë. Atëherë kishte shumë punë dhe paguheshim mirë.

-Si ju duk Athina?

-Eh si na u duk. Na u mbush syri, na u ngop syri. Ku kishim parë dyqane super të mbushura, mish, sallam, fruta, televizorë, lavatriçe, frigoriferë pa hesap. Të luteshin të blije. Në Shqipëri me mik gjeje një pako kafe, aty pronarët të luteshin bli një pako kafe. Një kontrast i paparë. Si nata me ditën. Zot ku kishim jetuar, në mesjetë.

-Si e pritët eksodin e madh të shqiptarëve në vitin 1991, drejt Greqisë?

-O zot, se çfarë skenash rrëqethëse. Tashmë më dukej e pabesueshme se ishin skena masive. Mijëra familje me fëmijë të vegjël drejt maleve me borë për të ardhur në Greqi. E pabesueshme. Skena rrëqethëse. Televizionet nuk pushonin ditë e natë me lajme tronditëse. Largime masive. Nga ushtarët pati edhe sjellje të egra, pati edhe vrasje në kufi nga të dy anët. Ishte një pështjellim i pamenduar. Një situatë që dhe sot nuk mund ta besoj se ka ndodhur me bashkatdhetarët e mi.

– Po ju, a ju kthyen ndonjëherë në Shqipëri, nga ato kthimet që bënte policia?

-Po. Njëherë punonim së bashku me Artur Dade dhe Sabri Hamzaj, dy çuna nga Mashkullora në një pallat brenda, bënim ristrukturimin e një shtëpie. Ishte ora 15: 10. Në atë orë në Greqi ishte pushim. Dikush lajmëroi policinë dhe ajo vjen dhe na merr dhe direkt në Kakavijë. O zot ç’kemi hequr për të ardhur. Shkuam disa herë nga Konispoli dhe Kakavija me këmbë, por aty bëhej hataja me ushtarët grekë. Kam parë keqtrajtime të paimagjinueshme. Pastaj gjetëm një kallauz i cili na hipi në një autobus. Duke ditur gjuhën sa na pyetën na lanë të kalonim.

Si i bëtë dokumentet për në Amerikë?

-I bëra nëpërmjet Kishës Katolike. Më ndihmoi shumë. Ata gjetën të gjitha linjat deri sa në vitin 1992 shkova në Ambasadën Amerikane në Athinë dhe bëra intervistën. Ishte një intervistë me përgjegjësi. Pas disa muajsh më doli viza bashkë me bashkëshorten dhe vajzën. Ishte një gëzim i madh, djalit nuk i doli në të njëjtën kohë.

Kur shkuat në Amerikë, çfarë ndjetë dhe kush ju priti?

-Në mars 1993 shkuam në Amerikë. Zbrita në Nju York, ku më çuan në Florida. Çfarë të të them? Aty mu duk se isha në ëndërr. Një aerodrom sa gjithë Tirana dhe Durrësi bashkë. Marramendëse. E pabesueshme. Ja kjo ishte Amerika që ëndërroja dhe që e do e gjithë bota. Mua më pritën pjesëtar të kishës katolike ku kisha bërë kërkesën si refugjat politik për të ardhur në Amerikë. Isha me vajzën dhe me bashkëshorten. Na çuan në një shtëpi me dhomë dhe kuzhinë ku ishte e mobiluar me të gjitha të mirat. Një shtëpi që në Shqipëri nuk mund ta mendonim.

Ku punuat si fillim?

-Pjatalarës si të gjithë refugjatët në ditët e para. Pastaj fillova si shtrues pllakash. Pas shumë vitesh krijova biznesin tim të shitjes së pllakave. Pra deri në vitin 2008 jam marrë me këtë biznes dhe pse kisha shumë mangësi në gjuhën angleze si fillim. Nga viti 2008 deri në 2012 ra puna në biznes për shkak të krizës, por pas vitit 2012 puna vazhdon në mënyrë të rregullt. Kriza sikur ka kaluar.

Ju jeni anëtar, por dhe drejtues i Federatës vatra, si u bëre pjesëtar i kësaj shoqate me emër?

-Në fillim më afruan dy miqtë e mi Islam Peçi dhe Adriatik Spahiu duke ditur që isha simpatizant i “Vatrës”, pasi ajo trajton çështjen kombëtare dhe e simpatizoja qysh kur isha në Shqipëri. Atë kohë “Vatra” në Shqipëri ishte si mit. Filozofia e Vatrës është vetëm çështja Kombëtare. Në zgjedhjet e fundit me 2015 të votave unë jam Kryetar i Shoqatës për Florida. Kjo është një përgjegjësi për vetë emrin që mbart kjo Shoqatë me emër të madh. Florida ka katër nëndegë dhe ka shumë simpatizantë.

Cilat janë festat, që festoni në mënyrë korrekte?

-Janë dy festa, ajo e 28 nëntorit festa e pavarësisë dhe ditën e festës së Kosovës 17 shkurti 2008. Por bëjmë dhe aktivitete të tjera me karakter patriotik. Para dy javësh në bashkëpunim me shoqatën “Motrat Qiriazi” dhe Anna Kohen (çifute që ka jetuar në Vlorë, e ardhur nga Greqia) filmin shqiptar “Besa” për rreth 400 hebre në Amerikë. Të gjithë sa panë atë film u çuditën dhe nuk e besonin se kjo mund të ishte bërë në Shqipëri ndaj hebrenjve. Ky film tregon për një shqiptar ku një çifut (që banonte në Shqipëri i strehuar në një familje në Tiranë) para se të vdiste i la amanet të çonte dy libra në Jerusalem. Shqiptari vdiq dhe ja la amanet djalit të vet amanetin e çifutit. Djali shqiptar pas 10 vjetësh që vdiq babi, kur ishte hapur Shqipëria e çoi në vend amanetin e babit dhe të çifutit. Të gjithë çifutët nuk e kishin idenë për Shqipërinë. U bëri shumë përshtypje ky veprim dhe pas filmit me orë të tëra na pyesnin shumë për Shqipërinë

Po me grupet shqiptare të këngës, a keni lidhje dhe a kryeni aktivitete?

-Sigurisht. Lidhjet më të fuqishme i kemi me grupin e Ylli Bakës, të cilin e kemi ftuar tre herë në Florida. Koncertet e këtij grupi janë të suksesshme për vetë reporterin e këngëve, pasi këndojnë shumë këngë patriotike, këngë të kurbetit dhe këngë popullorë të jugut. Kur vjen ky grup salla ndizet.

Cilët janë miqtë e tu më të mirë në Amerikë?

-Së pari, dua të përmend Dalip Grecën. Një gazetar dhe publicist, që të befason me dijet dhe me universin e tij profesional. Gazeta që ai drejton “Dielli” mbetet diell për të gjithë shqiptarët në SHBA. Por kam miqësi me të gjithë shqiptarët, që e quajnë veten shqiptarë të vërtetë.

Filed Under: Interviste Tagged With: muratori, në 19 shtator 1990, që u arratis në mënyrë spektakolare, Tasim Ruko

HISTORIA DUHET TE SHKRUHET SPIAS FAKTEVE

March 31, 2016 by dgreca

Historia duhet shkruar sipas fakteve, ngjarjeve, vendndodhjes dhe personave pjesëmarrës në to/

 Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj/

Si shkas u bë një shkrim te “Fjala e Lirë” i Prof.Dr. Bardhosh Gaçe dhe MSc Albert Habazaj  me temë “Kultura fetare Bektashiane në Vlorë” i datës 31 tetor 2015 ( Fjala e Lirë) dhe gazeta “Dielli”, kurse më 3 nëntor te “Telegrafi”.Për arsye shëndetësore , u mjaftova vetëm me komentin si mëposhtë: te Revista “Fjala e Lirë”, ku shprehimisht kam shkruar:

 “Të nderuar Prof Dr Bardhosh Gaçe dhe MSch Albert Habazaj!

  Përsa i përket harmonisë fetare dhe vlerat e secilit besim fetar i përgëzoj autorët. Ju respektoj të dyve por  nuk jam dakord lidhur me shkrimin e mësipërm të datës 31/10/2015. Ju përgëzoj për evidentimin e harmonisë fetare në Vlorë  e kudo në Shqipëri. Veçse historia ndërtohet mbi fakte Historike, ngjarje, vendodhje dhe persona realë, ndryshe ajo do të ngelet e cunguar dhe e tjetërsuar.

  Ismail Qemali është babai i Kombit dhe ka vlerat e veta të pakundërshtueshme, por jo të gjitha vlerat i dedikohen kësaj familjeje. Sinan  Pashai, dhëndërr i Sulltanit, që u vendos në Kaninë më 1514 për të nënshtruar Kaninë, Labëri-Kurvelesh e Himarë,ishte stërgjysh i familjes Vlora, e cila zanafillën e nisi në Vlorë dhe jo në Kaninë, me ndërtimin e Xhamisë së Plumbit, pasi Veziri i  Kaninës u vendos në Vlorë. Ndryshe, sipas traditës ilire që familjet mbanin emrin e vendlindjes, kjo familje do të quhej Kanina dhe jo Vlora.

         Sinan Pashai nuk ishte djali i Gjergj Arianitit, sepse erdhi nga Turqia. Gjergj Arianiti kishte tre djemë: Thomai, që u konvertua në muslima me emrin Ali; I dyti dhe më i rëndësishmi Kostandini, Protonoter i Papës, i cili shmangu luftën Franko-romake. I treti ishte Arianiti..

  Teqenë në Kaninë e ka ndërtuar familja Frashëri dhe jo familja Vlora. Abdyl Frashëri i shiti pronat e teqesë vetëm për çështjen kombëtare dhe ende në Kaninë këndohet kënga: Abdyl prishe pasurinë një barrë flori”. Sa për dijeni  Kusum Babai dhe Uji i Ftohtë janë prona të Kaninës dhe jo të Vlorës, pasi Vlora për kohën ishte liman i Kaninës sipas rëndësisë historiko-administrative. 

Teqenë e Kusum Babait nuk mund ta ndërtonte familja Vlora në pronën e dikujt tjetër, që është me tapi që nga viti 1834. Ndaj sot e mëse 10 vite më parë, teqeja e Kusum Babait është në gjyq me pronarët kaniniot legjitim. Nuk di se kujt i shërbejnë këto transformime historike  e falsifikime  historike të pronësive?!Sinan Pashai ndërtoi xhaminë e Kaninës , kurse xhamia e plumbit në Vlorë iu dedikua Sulltanit të madhërishëm, i cili vizitoi edhe Vlorën.

Ps: Më vonë këtë temë do ta sqarpoj me fakte historike nga autorë të  kohës

Me konsideratë !Vilhelme- ky ishte komenti i datës 31-10-2015

 

 

Të nderuar bashkëqytetarë dhe studiues, Prof dr. Bardhosh Gaçe dhe MSc Albert Habazaj!Ju respektoj të dyve, por  nuk jam dakord lidhur me shkrimin e datës 31/10/2015. Ju përgëzoj për

evidentimin e harmonisë fetare në Vlorë e kudo në Shqipëri. Veçse historia ndërtohet mbi fakte historike, ngjarje, vendodhje dhe persona realë që janë pjesëmarrës me vlera në ngjarjet e ndryshme, në të kundërt ajo do të ngelet e cunguar dhe e tjetërsuar. Pastaj të mos fajësojmë historianët apo kronikanët e huaj për shtrembërimin e historisë, kur ne kemi gabimet e fajet tona.

  Ismail Qemali është babai i Kombit dhe ka vlerat e veta të pakundërshtueshme, por jo të gjitha vlerat i dedikohen kësaj familjeje. Sinan  Pashai, dhëndërr i Sulltanit, që u vendos në Kaninë më 1514 për të nënshtruar Kaninën, Labërinë-Kurveleshin e Himarën ( një krahinë e panënshtruar), ishte stërgjysh i familjes Vlora, e cila zanafillën e nisi në Vlorë dhe jo në Kaninë, me ndërtimin e Xhamisë së Plumbit, pasi Veziri i  Kaninës u vendos në Vlorë. Ndryshe sipas traditës ilire, kjo familje e nderuar do të quhej Kanina dhe jo Vlora.

Pasi lexova materialin tuaj dhe konstatova për sa ishte shkruar , jo vetëm mua , por cilitdo i lind e drejta të bëjë pyetje të tilla:

-Cili ishte Sinan Pashai?!Kush e themeloi Teqenë e Kaninës?Kujt i përket Kusum Babai apo Uji i Ftohtë si pronë?

Tani po flas si bijë Kanine, bijë e njërës nga familjet më të vjetra dhe themeluese të Kaninës. Plus që kam mbi 20 vjet që po studioj për Krahinën Autoktone Jugore, për Kaninën dhe Gjergj Arianitin, pa harruar këtu se këtë temë e kam nisur herët qysh më 1975,kur mbrojta lëndën e Historisë për tu diplomuar me temën “Krahina autoktoone Jugore e Shqipërisë!Paçka se sistemi dhe koha u treguan të padrejtë , unë e rinisa këtë studim kur ndodhën ndryshimet e mëdha politike në Evropë dhe në kampin e lindjes.Te shkrimi i dy autorëve më habiti fjalia:(Sinan Pasha, i biri i Gjergj Arianitit, katragjysh i Ismail Qemalit), të cilën po e sqaroj më poshtë.

 

* Lind pyetja se, kush e themeloi teqenë e Kaninës?

Historikisht themeluese e Teqesë së Kaninës është familja Frashëri dhe si pronë të teqesë kishin Zvërnecin,ose  (Triport e Protonovë), prona të cilat kjo familje i sakrifikoi për çështjen kombëtare. Pas Traktatit famëkeq të Shën Stefanit, që e ndante Shqipërinë në copa-copa mes shteteve të Ballkanit dhe Evropës, sikur të ishte ajo humbësja dhe jo Turqia në luftën e gjatë ruso-turke. Abdyl Frashëri ua shiti pronën Shehajve që sot jetojnë në Kaninë, të cilët më pas u bënë trashëgimtarë të teqesë. Meqë frashëllinjtë që ishin në Kaninë, nuk lanë djalë trashëgimtarë , thirrën Seit Shehun me dy vëllezërit e tij, nga fshati Bragullac i Beratit, që gjendet në shpatin e malit Tomorr për drejtimin e teqesë. Për shitjen e pronave të Zvërnecit është edhe një këngë perlë, ashtu si roli i familjes Frashëri në historinë tonë kombëtare, ajo ka ngelur si një thesar i historisë dhe kulturës sonë në Rilindjrn Kombëtare e më pas:

“Abdyl prishe pasurinë një barrë flori,

hipe vaporrit e shkove drejt në Gjermani,

dhe Bismarku seç të pyeti:

-Djalo nga je ti?-

Unë jam nga Shqipëria, Abdyl Frashëri,

 i rritur në ato male me libra në gji,

Mendohuni mirë ju për Shqipërinë,

Mos e bëni copa- copa sikur s’ka njeri.

 S’jemi grekë e as bullgarë, as nga Mali i Zi,

 jemi fino shqiptarë që kërkojmë liri…! “

Pasardhësit e familjes Shehu sot janë tre fise, që i kanë ende trojet dhe pronat në Kaninë: Shehu, Myftiu dhe Dervishi.

   Për të sqaruar lexuesin se cila është e  vërteta, po jap një fragment të shkëputur nga artikulli: “Shqipëri, gëzuar 95 vjetorin e Pavarësisë!”

 “…Për vendin e shqiponjave dhe kombësinë e saj, jeta ndër shekuj ishte e vrazhdët, e pamëshirshme, sepse pushtimet e huaja kurrë nuk e lanë të qetë Shqipërinë. Ishin këto arsyet që shumë shqiptarë qysh herët kanë emigruar në vende të ndryshme. Në mërgim sipas traditës së të parëve ata mbanin mbiemrin e vendit ku kishin lindur. Një familje e tillë, ishte edhe ajo Vlora, pinjoll i denjë i së cilës ishte Ismail Qemali. Paraardhësi i kësaj familjeje ishte Sinan Pasha( dhëndër i sulltanit) i cili në shek e XVI-të (viti 1514), u vendos në Kaninë me ofiqin e Vezirit të madh, më pas zbriti në Vlorë në kohën e Sulejmanit të shkëlqyer. Kishte detyrën e kryeadmiralit të flotës, ose siç e quante Porta e Lartë, një Kapedan Pasha. (sipas kronikanit Evliha Çelebi) Si grekët që pretendonin se gëzonin tituj fisnikërie nga prejardhja e tyre semite prej Egjiptit të lashtë, edhe familjet fisnike shqiptare që i shërbenin Portës së Lartë, morën tituj të tillë me prejardhje orientale. Kjo ndodhi edhe me familjen pasardhëse të Sinan Pashait. Prej shek XVI-të deri në shpalljen e Pavarësisë, familja Vlora gëzonte tituj dhe ofiqe të larta të dhëna nga Stambolli, për shërbime ndaj Portës së lartë. Megjithatë ata ishinatdhetarë dhe punuan si shqiptarë të mirë. Për këtë arsye Ibrahim Pashë Vlorën e burgosën dhe e vranë në Janinë. Kur stërgjyshi i Ismail Qemalit, pra Ismail Pasha u thirr në Janinë më 1827 për të marrë detyrën e kryeqeveritarit të Vilajetit, por në të vërtetë i kishin përgatitur një kurth, sepse ai kishte marrë pjesë në luftë më 1821 përkrah Ali Pashës. Sa hyri në portat e pallatit, me njëherë pas shpine u mbyllën dyert. Ndërsa tek zbriste nga kali, u vra pabesisht bashkë me suitën e vetë, ata pak njerëz që e shoqëronin. Atë kohë Tafil Buzi, udhëheqës i kryengritjeve kundër Tanzimatit, syrgjynosur në Ysqyda, i dërgoi Zenel Gjolekës: “Erdhi halldupi i Konjës në vatrën tuaj, ju vrau vëllanë në Janinë, dhe s’u bë për burrë asnjë nga ju t’i merrte hakun”.

Gjoleka iu përgjigj:

 “Tafil Buzit të m’i thoni,

Gjoleka s’e turpëroi,

Kaftanazin e martoi,

me të dyja ç’e qëlloi,

nëpër dyzetëmijë shkoi”.-Pasardhësi i këtij atdhetari do të lindëte më 24 janar 1844. Ky ishte Ismail Qemal Bej Vlora.( Vilhelme Vranari Gazeta “Kanina” –Nëntor 2007 )

 

*Cili ishte Sinan Pashai:

Historikisht sipas kronikanëve të kohës, Çelebiut, Ana Komnenës etje, duke nisur nga Kanina, Gryka e Lumit Shushicë, Labëri , Kurvelesh dhe Himarë nuk iu nënshtruan Turqisë aq më tepër nuk pranuan Islamizimin e tyre. Për këtë mjafton të përmendim Epitafin e Gllavinicës, ku Gjergj Arianiti shkruan se i qëndron besnik Papës përsa i përket besimit të krishterë.Pikërisht për besnikëri dhe për marrëdhëniet korrekte tregtare dhe diplomatike me me Raguzën, Napolin, Venedikun, Papatin dhe Gjermaninë, Gjergj Arianiti u pranua si familje e respektuar në radhët e fisnikëve romak, dhe venecian(shih:Libri i Artë i Familjeve Fisnike të Mesdheut).

Për ta nënështruar këtë zonë, Sulltani emëroi në Kaninë dhëndrrin e tij Sinan Pasha si sanxhakbej, i cili  nuk lindi fëmijë me vajzën e tij. U rimartua me një bijë të familjes më të lashtë vendase. Theksoj se Kanina atë kohë ishte një qytet me 300 shtpëpi, me një nga 6  kështjellat më të vjetra të Evropës Jugëlindore e shtrirë në 3,6 ha tokë, ku ende në bazë gërmimeve arkeologjike duken gjurmët e punimeve gjatë pushtimeve perse, romake,venedikase, bizantine dhe osmane (në ndërtimin e mureve), ku bazamenti i kështjellës i përket ndërtimit ilir (D.Komata, N.Ceka” Qyteti iliro- arbëror i Kaninës”).

Që paraardhës i familjes Vlora  ishte Sinan Pashai, kjo qëndron. Ai ndërtoi xhaminë e Kaninës, jo teqenë. Teqeja është ndërtuar më vonë. Kurse Xhamia e plumbit në Vlorë i është kushtuar Sulltanit të Madhërishëm.

   Por që Sinan Pashai ishte i biri i Gjergj Arianitit kjo është e gabuar, shtrëmbërim e falsifikim i fakteve historike dhe tjetërsim i historisë. Nëse do të ishte nga Kanina, familja nuk do të mbante emrin Vlora, por Kanina. Ish drejtore e Arkivit të Shtetit  Nevila Nika, lidhur me origjinën e familjes Vlora ka hedhur hipotezën, e cila bazohet mbi të dhëna ordinere, pa bazë historike.Një pedagoge Historie të flasë pa përgjegjësi nga të dhënat e ndonjë njeriu të rëndomtë që nuk ka kryer fare arsimin e lartë, është e papranueshme. E si mund ta njohë historinë e Kaninës një njeri që i japin titullin historian apo Profesor pa qenë i till? Me gojën e saj përmes thënieve ordinere, pa baza historike, profesoresha Nika ngre në qiell Eqerem bej Vlorën, i cili për kohën ka vlerat e veta studimore, por është i pafalshëm qëndrimi i tij, pasi mohoi identitetin e tij shqiptar. Një historian e ka për detyrë të tregojë të dyja anët e medaljes, të mirat dhe të këqijat e ngjarjes apo të personit. Ndaj historia e Shqipërisë është e gjymtuar sepse historianëve apo shkruesëve të historisë u mungon vullneti për të zbuluar dhe për të thënë gjënë e duhur. Mos vallë siç kthen faqe historia , ndryshojnë mendimin dhe qëndrimin edhe historishkruesit?

Sa për dijeni,Gjergj Arianiti kishte 7 vajza me Marie Muzakën dhe tre djem me Pietranera Tokon (gruaja e dytë e cila solli dy vajza me vete) Djemtë e Gj.Arianitit quheshin Thoma, Kostandin dhe Arianit.  Më i rëndësishmi që luajti rol në historinë  e Romës së shek XV-XVI ishte Kostandin Arianiti, Protonoter i Papës, Duka i Monferratos, i emëruar Despot i Durrës- Prevezë dhe Princ i Maqedonisë, që vdiq më 1530 dhe është varrosur në Kishën e 12 Apostujve në Romë,për shërbime të larta diplomatike ndaj Romës. Mbi të gjitha vlerësohet nga Papa për nuhatjen politike në Evropën e trazuar ,(ku lufta mes Francës, Romës, Austro- Hungarisë ishte prezente) dhe për shkathtësinë diplomatike të tij dhe fal këtyre dhuntive, Kostandin Arianiti shmangu luftën mes Romës dhe Francës, si dhe duke qenë në marrëdhënie shumë të mira me Maksimiljanin e Gjermanisë.

Kur Pjetranera ( italiane), pas vdekjes së burrit, Princ Gjergj Arianitit, shkoi në Venedik dhe kërkoi përkrahjen e djemëve të saj. Kostandini dhe Arianiti qëndruan në Itali. Djali i madh i Gjergj Arianitit, Thomai, meqë Këshilli i të XII-tëve  në Venedik, për shkak të moshës së vogël, nuk i dha titullin e qytetarisë “Senjori”si e kishte i ati, u kthye nga Venediku dhe ndërroi fe me emrin Ali, emrin e  të cilit mban çezma  e Mademit në Kaninë ose çezma e Ali Beut. Hyri në shërbim të Portës së lartë. Kjo është dega e arianitëve që vazhdon sot me familjen Vrana, e cila ka trojet dhe pronat e saj rreth kalasë së Kaninës.Çuditërisht kjo familje për shkak të martesës së Vajzës së Perandorit bizantin Aleks, qysh nga shek.XIII-të, mban mbiemrin Arianit-Komneni, apo Vrana-Komneni. Të moçmit edhe sot pas gjithë traumave tragjike që kanë kaluar, pinjollët e kësaj familjeje i thërrasin “Komnenë”për shkak të katragjyshes bizantine. Kjo familje edhe pse më e hershme, sot  e ruan këtë mbiemër. Po Familja Vlora që është e vonët  përse nuk ka asnjë lidhje identiteti me emrin e Kaninës?!

*Kujt i përket Kusum Babai në pronësi?

Pjesën më të madhe të ballkonit mbi Vlorë ashtu si dhe Uji i Ftohtë janë prona të familjeve të vjetra të Kaninës me tapitë e dikurshme. Sepse pas Reformës Agrare dhe shpronësimeve, ata që drejtuan kadastrat bënë transkriptimin e pronave të pronarëve legjitim, duke i tjetërsuar dhe falsifikuar pronarët. Të gjitha familjet e vjetra(themeluese të  Kaninës si: Vrana, Bega, Beshaj, Kulaj, Fejzaj, dhe Kocaqi si dhe familjet e vendosura më vonë në Kaninë, ende kanë trojet e tyre, pronat, shtëpitë apo gërmadhat e shtëpive 2-3 katshe prej guri, me tjegulla të kuqe, ku dyert, dritaret, tavanet e dyshemet janë prej druri. Pyes historianët apo pseudohistorianët se ku është trualli i Familjes Vlora në Kaninë? Asnjë copë toke në Kaninë nuk ka emrin e Familjes Vlora.  Për fat ky truall ekziston në qendër të Vlorës,  në Sheshin e Flamurit gjendet njëra shtëpi, kurse tjetra ka qenë në lulishten e Vlorës (Milet Bahçeja). Prona dhe mbiemri janë dy elementë të pazgjidhshëm dhe domethënës të cilat vlejnë si pasaportë identiteti të pamohueshëm .Tani duke ndërruar arsyetimin sipas drejtimit të erës, shumë historishkrues, pushtuesit sot i quajnë mysafirë në dobi të kulturës. Kush vjen me ushtri , përdor dhunën, të dikton kushtet  dhe ligjet e veta skllavëruese, pa marrë parasysh se je një komb me të drejtat e tua, nuk quhet mik… .Ndaj historia duhet të shkruhet në bazë të vendngjarjes, datave, ngjarjeve, personave që kanë zhvilluar këto ngjarje dhe cilat kanë qenë pasojat, qofshin këto negative apo pozitive. Lum kush mundohet të tregojë të vërtetën si drita e diellit.

 

Bibliografi:

*Kronikani turk: Evlia Çelebi

*Neritan Ceka “Ndërtimet ilire në Kaninë”

*Damian Komata: “ Qyteti iliro -arbëror i Kaninës

*Libri i artë i familjeve fisnike të Mesdheut

*Enciklopedia Italiane;

*Paolo Petta”Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”;

*Franc Babinger”Arianitët”

*Barleti, Gjon Muzaka(djali i motrës së Skënderbeut),

*Biemi :Gjergj Arianiti dhe  martesa e Donika Arianitit  me Skënderbeun

 

Vlorë më 29-3-2016

***

Filed Under: Opinion Tagged With: HISTORIA DUHET TE SHKRUHET SPIAS FAKTEVE, Vilhelme Vranari Haxhiraj

SFIDAT E PARLAMENTARIZMIT POLITIK NE KOSOVE DHE NISMA LEGJISLATIVE E QYTETAREVE TE SAJ

March 31, 2016 by dgreca

NGA LULZIM MULLIQI/
Ndonese historiku I Kuvendit te Kosovës si nje Institucion perfaqesues,legjislativ dhe demokratik i popullit te Kosovës nuk eshte shume i gjate,sfidat me te cilat eshte perballur ky Institucion gjate kesaj periudhe kane qene te shumta.Kosova ne vitin 1999 ka dal nga lufta duke u ballafaquar me nje tranzicionit te dyfishte.
Ne njeren ane me tranzicionin statusor,duke kerkuar zgjedhjen e statusit final drejt Pavaresise dhe ne anen tjeter zhvillimet e reja politike dhe parlamentare qe lidheshin drejtpersedrejti me propozimin,shqyrtimin,aprovimin dhe miratimin e nje varg ligjeve te reja dhe funksionale ne perputhje me zhvillimet e reja demokratike ne vend.Proceset e shumta politike dhe sfidat neper te cilat po kalon sot Kosova,ishin karakteriistike edhe per nje numer te vendeve te tjera te Ballkanit perendimor te cilat kane kaluar neper fazat e tranzicionit demokratike dhe drejt ndertimit te nje shoqerie te re demokratike.Njera nga detyrat me relevante te institucioneve demokratike te Kosovës eshte edhe funksionimi normal i Kuvendit te Kosovës,i cili eshte institucioni me i larte perfaqesues i Kosovës.Tash e disa muaj me radhe parlamentarizmit ne Kosove eshte ne njeren nga fazat me kritike dhe me te veshtire te funksionimit,nderkohe qe raportet politike Pozite-Opozite
Jane thelluar  deri ne nje shkalle ekstreme.Bllokimi i punimeve te seancave te Kuvendit te Kosovës nga Opozita e bashkuar per disa muaj radhazi ishte nje paralajmerim i qarte I thellimit te nje krize te re politike ndermjet Pozites ne njeren and dhe te Opozites ne anen tjeter.Koheve te fundit Opozita po praktikon bojkotimin e seancave te Kuvendit te Kosovës,veprimet te cilat do te ndikoje negativisht ne zhvillimet e reja politike dhe vendimmarrese ne Kosove,si dhe imazhin dhe reputacionin negativ te Shtetit te ri te Kosovës ne arenen Nderkombetare.Madje diteve te fundit,Opozita paralajmeroi së do ti bojkotoje
punimet e Kuvendit te Kosovës,duke veshtersuar edhe me tej gjetjen e nje kompromisi me Poziten per tejkalimit e kesaj krize parlamentare qe po mbreteron ne Kuvendin e Kosovës.Me siguri qe lidershipi politik ne Kosove duhet te zhvilloje nje politike me racionale ne zhvillimin e nje parlamentarizmit te vertete dhe autokton ne Kosove dhe te zhvilloje nje dialog konstruktiv me Opoziten per te punuar së bashku ne te miren e te gjithe qytetareve te Kosovës.Pra vendasja e nje dialogu te mirefillte ne mes te dy paleve,Pozites dhe Opozites do te ishte nje opsion i duhur ne proceset e reja te shtetndertimit te Kosovës.Edhe pse Kuvendi i Kosovës ne mbledhjen e djeshme i zhvilloi punimet pa pranine e deputeteve te
Opozites,ne fakt Kuvendi i Kosovës votoi nismen e pare legjislative te qytetareve te saj.Keshtu me kete ligj Jane percaktuar rregullat dhe procedurat per propozimin e nje projktligji ne Kuvend.Ky ligj u njeh te drejten e nismen legjislative edhe qytetareve te Kosovës,te cilet mund te marrin nisme legjislative per te rregulluar nje fushe te caktuar,duke propozuar ligj te ri apo duke propozuar ndryshimit dhe plotesimin e nje ligji ekzistues.Njeherit,ky ligj i njeh te drejten e nismes legjislative qytetareve te Kosovës,duke percaktuar së dhjetemije qytetare mund te marrin nje nisme legjislative,Sipas menyres së percaktuar me ligj.Iniciativat legjislative te qytetareve pothuajse ekzistojne ne shumicen e Shteteve anetare te Bashkimit Evropian,qofte ne nivel kombetar,rajonal apo lokal.
Keto Iniciativat ndryshojne shume Sipas fusheveprimtarise së tyre dhe ne pergjithesi veprojne sipas procedurave te ndryshme te tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosove, Lulzim Mulliqi, Sfidat e Paralmentarizmit politik

Mustafa: Kosova as s’i ka marrë e s’i ka dhënë Malit të Zi asnjë metër tokë

March 31, 2016 by dgreca

-Lëvizja për Bashkim: T’i hapim rrugë dërgimit të çështjes së demarkacionit në arbitrazh ndërkombëtar/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Mars 2016/ Kosova as nuk i ka marrë  e nuk i ka dhënë Malit të Zi asnjë metër tokë, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa, gjatë një vizite në Pejë. Kreu i qeverisë së Kosovës, pas një takimi me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri, duke iu përgjigjur interesimit  të gazetarëve për demarkacionin me Malin e Zi tha se kjo çështje nuk është diskutuar sot, por se është biseduar në takimet e mëparshme dhe se dje komisioni ndërkombëtar i ekspertëve ka dhënë një vlerësim të pavarur. “Tash është vërtetuar se as nuk kemi marrë nga malazezët e as nuk ju kemi dhënë malazezëve asnjë metër tokë. Pse njerëzit dalin dhe operojnë me 8 mijë ose 10 mijë hektarë është çështje e tyre. Por, në asnjë rast nuk është vërtetuar se një metër katror është këmbyer me Malin e Zi”, tha kryeministri Mustafa. I pyetur se a duhet demarkacioni të shkoj për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, kryeministri kosovar tha se tani kjo duhet të procedohet. “Kur do të procedohet prapë do ta shohim, konsideroj se duhet të arrijmë një pajtueshmëri, sepse territori i Kosovës nuk është vetëm i pozitës, është i qytetarëve të Republikë së Kosovës, territor për të cilin kanë përgjegjësi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh kryeministri Mustafa.

Kryetari i komunës së Pejës, Muhaxheri, tha se është  mbajtur një seancë e Kuvendit Komunal, ku me 30 vota pro është votuar rezoluta që i është drejtuar Komisionit  kosovar për demarkacion.

 “Ne si komunë, për dallim nga komunat tjera posedojmë kadastrin origjinal. Me kadastrin tonë kjo i bie se është ashtu. Është e dhimbshme sepse qytetarët tanë e mendojnë se edhe ajo pjesë e territorit i takon Republikës së Kosovës, por me dokumente nuk kemi fakte që i takon. Ana emocionale te qytetarët dhe te unë si kryetar i tyre mbetet se Çakorrin gjithmonë e kemi konsideruar kufi. Tash dokumentet nuk e aprovojnë këtë çfarë po pretendojmë ne”, tha kryetari i komunës së Pejës.

Ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe kanë vlerësuar se nga ky pikëvështrim procesi u është përmbajtur standardeve ndërkombëtare.

Kjo u bë e ditur dje pasdite  në një konferencë shtypi në Prishtinë, pasi anëtarët e komisionit ad-hoc të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, pas një pune dyjavore, ia dorëzuan Presidentes kosovare, Atifete Jahjaga, raportin me vlerësimet për procesin e përcaktimit të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

 “Nga aspekti ligjor dhe teknik, ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe kanë vlerësuar se nga ky pikëvështrim procesi u është përmbajtur standardeve ndërkombëtare”, deklaroi Jahjaga pas takimit.

Qeveria   e Kosovës në një komunikatë mbrëmë është shprehur e kënaqur me faktin se ekspertët e Komisionit ndërkombëtar nuk kanë gjetur shkelje në demarkacionin me Malin e Zi.

Komisioni vlerësues është themeluar me iniciativën dhe vendimin e nënshkruar në  15 mars 2016 të Presidentes së Republikës, pas shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.

Tre anëtarët e Komisionit janë: Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, i cili në vitin 2009 ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë, dhe Herbert Wilmes, shtetas gjerman,  i cili ka diplomë dhe  doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike, si dhe Fred Newton, i cili ka shërbyer për 25 vjet në policinë e porteve dhe të kufijve tokësorë të Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të botës.

Para se të dorëzojnë raportin, ekspertët nga SHBA-ja, Britania dhe Gjermania pasi kanë dëgjuar palët në Kosovë ishin edhe në Mal të Zi.

Nga subjekti më i madh opozitar kosovar, Lëvizja Vetëvendosje, sot u deklarua se, “ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë dhe nga çfarëdo komisioni, vendor a ndërkombëtar, që Kosova të humbë qoftë edhe një centimetër të territorit të saj”. Këtë e deklaroi sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

 Ndërsa, Lëvizja për Bashkim, parti e koalicionit qeverisës që udhëheqë Ministrinë e Diasporës, me ministrin Valon Murati, deklaroi sot se, “për shkak të paqartësive të mëdha që ka sjellë procesi i demarkacionit, e si rrjedhojë ka ngjallur mosbesim të madh te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës lidhur me këtë proces, kërkon nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që duke votuar kundër, t’i hapim rrugë dërgimit të kësaj çështjeje në arbitrazh ndërkombëtar”.

Filed Under: Opinion Tagged With: : Kosova as s’i ka marrë e s’i ka dhënë, asnjë metër tokë, Behlul Jashari, MALIT TË ZI, Mustafa

Ndihma per shkollat ne Kurbin

March 31, 2016 by dgreca

Nga Ahmet ZANI/
Për nxënësit e disa klasave në  shkollës 9 – vjeçare në Laç do të mendojë, Shoqëria Internacionale për të Drejtat e Njeriut, duke ju dhuruar dhjetra tavolina dhe karrige. Prej vitesh në disa klasa të kësaj shkolle mbetej  problematike infrastruktura shkollore, ndërsa nxënësit zhvillonin orët e mësimit me karrige dhe tavolina tepër të amortizuara. Z. Mark Palaj kryetari i kësaj Shoqërie ishte njohur me vështirësitë, mësues dhe nxënës të cilët përballeshin nga kjo problematikë ndaj premtoj investimin nga Shoqëria Internacinale për të Drejtat e Njeriut, duke plotësuar me kato oriendi shkollore disa klasa. Ndonëse shkollat kanë mbyllur dyert gjatë kësaj jave, teksa disa nxënës si dhe mësues janë informuar se automjetet e kësaj Shoqërie, janë shfaqur pranë shkollës, menjëherë do të ndihmonin në sistemimin e klasave me objekte të reja, ndërsa do të përcillnin urimin mësuesit Gjin Kola, Angjelina Nikolli dhe Arta Rica, për bashkqytetarin e tyre kurbinasin Mark Palaj për ndihmën mjaft të çmuar.
Ndërsa Mark Palaj do të falenderonte Katrin Bornmuller e cila pasi është informuar për gjendjen në proçesim e infrastrukturës tek disa shkolla do të akordonte këtë investim. Sakaq Mark Palaj është shprehur se Shoqëria Internacionale ka disa projekte të tjera për t’u ardhur në ndihmë familjeve dhe individë të veçantë, për të minimizuar sadopak problematikat në jetën e tyre të përditshme.
Gjithashtu Shoqëria është duke hartuar dhe projekte të tjera gjithshtu në interes të komunitetit.

Filed Under: Komente Tagged With: Ahmet Zani, Ndihma, ne Kurbin, per shkollat

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT