• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

ANARKIA E PRONAVE

March 23, 2016 by dgreca

DISA PYETJE PUBLIKE PËR ZOTIN ARTAN LAME/

Nga Nuro Kulluri/*

I nderuar zoti Artan Lame, unë quhem Nuro Kulluri nga Dukati i rrethit të Vlorës dhe  jam një nga pronarët autoktonë. Jam moshë e shkuar dhe kur të jetë dita, nuk mund të largohem i qetë nga kjo jetë pa i thënë mendimet  e mija drejt ashtu si i mendoj pasi kam përjetuar gjithçka ka ndodhur në fshatin dhe krahinën tonë. Në takimin e organizuar me datën 9 Mars 2016 “Për çështje të pronësisë së komuniteteve fetare”, ku palën e Qeverisë e përfaqësonit ju dhe drejtoresha e AKKP  znj Sonila Qato, u deklarua se komuniteteve fetare do t’u kthehet prona e tyre. Pyetjes së z.Axhem Ymeri, Kryetar i Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve se me çfarë baze juridike komuniteteve fetare do ju kthehet prona dhe ne qytetarëve  vazhdon të na rëmbehet prona ju dha një përgjigje gjysmake se kjo “do bëhet në bazë të një marëveshje”. Ju e dëgjuat se kjo krijoi indinjatë që u kritikua në diskutimin tim dhe të përfaqësuesve të tjerë të pronarëve që kërkuan nga kleri të mos bëhet palë dhe të mos mbështesi gabimet e qeverisë por të lartësojnë parimet dhe pastërtinë e moralit fetar që nuk pranon kusarinë. Por cila qënka kjo marrëveshje, kush e ka nënshkruar dhe a do ti qëndrojnë kohës këto marëveshje !

Përse për institucionet fetare bëhet marëveshje për ti kthyer pronat ndërsa për pronarët e zonave turistike bëhet marreveshje gjoja “për zhvillim” por në thelb për t’ua vjedhur pronat. Mos vallë këtë marrëveshje ua kërkon Evropa ?? Nëse kjo është e vërteta  por nuk besoj :“ Evropa pastë faqen e zezë nëse na shkatërron si në vitin 1913”  Nëpërmjet shtypit të lirë po ju drejtohem për marrë përgjigjen tuaj publike pasi era e keqe u dëgjua edhe në intervistën që ju dhatë në darkën e ditës së Premte datë 19 Mars 2016 në TV News 24. Intervista juaj më indinjoi se gjatë gjithë intervistës ju nuk thoni pronarët por vazhdoni të thoni ishpronarët, emërtim abuziv, që i përket kulturës së kusarisë, që la pas Ramiz Alia. Por mendoj se ajo që nxin dhe ju turpëron janë mendimet tuaja për të justifikuar shtetin që sipas jush nuk paska faj se ka lejuar të pushtohen pronat. Çdo njeriu I dua të mirën dhe  edhe pse nuk njihemi ju them: Mos kini frikë të thoni të vërtetën se vetë Shteti kishte dhe ka detyrim Kushtetues t’ja kthejë shqiptarëve pronën qe ja ka grabitur me ligjet e diktaturës dhe se kompensimi duhet vetëm për prona që janë tjetersuar për nevoja publike.  Ju sqaroj se e dija që jeni Drejtor i Pergjithshem i ALUIZNI-t por pyeta se ku keni punuar më parë. Më thanë se jeni publicist, opinionist, studiues i historisë, veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimise kulturore, koleksionist etj. Me ato që dëgjova në intervistë mendova: Ky njeri kaq i zgjuar i ka vënë vetes detyrë për të ndërtuar Shqipërinë apo punon për ta shkatëruar këtë vend se këtë detyrë i kanë ngarkuar. Kjo është pyetja që nuk di ti jap përgjigje dhe kërkoj përgjigjen tuaj. Besoj se nga kjo pyetje dhe përgjgja juaj do të reflektojnë dhe politikanët e tjerë, të paktën ata që siç thonë këtej nga ne “nuk u ka plasur cipa”

Problemi I anarkisë së pronës për të cilin ju drejtohem nuk zgjidhet me mashtrime dhe kompensime por me kthim fizik conform Kushtetutës . Rruga që po zbatoni po polarizon jo vetëm bashkëfshatarët e mij në Dukat por thuajse të gjithë shoqërinë dhe dëmton të ardhmen e Shqipërisë, prandaj ju kërkoj të keni burrërinë të përgjigjeni jashtë politikës me ndershmëri siç kemi shprehjen : me dorë në zemër.

Në intervistën e dt. 19 Mars, ju deklaruat se problemi pronave për ish pronarët është i mbyllur, se nuk kemi çfarë tu kthejmë dhe folët për fushatën e legalizimeve të ndërtimeve të paligjshme si një fitore dhe arritje të politikës etj. Unë mendoj se kjo është vjedhje në emër të ligjit dhe ju këshilloj të largoheni nga kjo veprimtari që shkatërron shtetin. Unë mendoj se ju bëni një punë të dëmshme dhe shkatërruese, për të ardhmen e shtetit Shqiptar dhe të shqiptarëve me çdo firmë që ju vendosni për të legalizuar një ndërtim pa leje që një person i tretë ka bërë në tokën që nuk është pronë e tija. Unë besoj se opinioni shoqëror por dhe Perëndia do  ndëshkojë ju dhe të gjithë ata që i shkaktojnë padrejtësi popullit. Ju ftoj të reflektoni: Me çfarë të drejte morale politikanët duan të përvetësojnë pronat tona në Karaburun. A është kjo tjetersim prone për nevojë publike apo është vjedhje e maskuar në emër të ligjit. Shqipëria nuk ekzekuton vendimet e gjykatave dhe vazhdon ta mashtrojë Evropën, që akoma nuk e ka kuptuar se sa shumë e kanë mashtruar në këto 25 vjet lidhur me pronat. Të shohim se si do vendosi Gjykata Kushtetuese për ligjin e dhjetorit 2015 me të cilin Qeveria kërkon të maskojë vjedhet e pronave 1991-2015.  Por Gjykata e Strasburgut me 17 Mars 2016 e dënoi përsëri Shqipërinë, por sa dënime të tjera duhet të japi Strasburgu që shteti të mos tallet me pronat tona dhe të drejtat themelore të njeriut. Ju mund ta dini se Karaburuni është pronë e dukatasve autoktonë,  por pas 1991 politikanët po synojnë ti quajnë prona publike. Ne i dimë se ku janë kufijte dhe pronat e secilit. E dimë gjithashtu se KKKP dhe gjykatat kanë bërë matrapazllëqet të shumta me vendimet e tyre duke shkaktuar mbivendosje. Sipas mendimit tuaj dhe sa kohë  do vazhdojnë këta politikanë ta mashtrojnë SHBA dhe Europën dhe të justifikohen me ligjet që miratojnë në atë palo-Kuvend. Zgjidhje ka por është veprimtaria juaj dhe e atyre që janë me një mendje me ty që pengojnë zgjidhjen dhe duke pasur në dispozicion median e turullosni opinionin. Zgjidhja do të vijë nga Shtëpia e bardhë dhe Ambasadori i SHBA se Shteti ka detyrim ti kthejë pronat, se shteti i ka dokumentat në arkiva, pra zgjidhja është që Shteti ti hapi arkivat të kthejë pronat . Vetëm pas kësaj klasa politike ka të drejtë të pretendojë se vendosi themelin e demokracisë, duke dhënë këtë shenjë që filloi t’a dekriminalizojë veten . Sipas mendimit tuaj edhe sa kohë do vazhdojë ti nënshtrohet populli vjedhësve që deklarohen si parti e majtë apo e djathtë ? Ju rikujtoj se për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues, në vitin 2001 i gjithë fshati i Dukatit, u përleshën me policët dhe forcat speciale të dërguar nga Qeveria Berisha. Në 2001 kur dukatasit me gurë e shkopinj e vunë përpara policinë e armatosur, kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, sot Kryeministër ka thënë me gojën e tij se “DUKATI KA TË DREJTË”. Në vitin  2013, Sali Berisha,filloi të analizojë dhe guxoi të thotë se “me pronarët kam gabuar”. Tani në pronat tona në karaburun po afrohen ca deputetë dhe ca që thonë se janë turq dhe vijnë gjoja për të investuar sipas ligjit të turizmit ! Ju pyes se kujt i intereson ti pastrojmë kusarët siç pastohen çibanët ? Ju pyes personalisht ju kujt  i shërbeni.  Mirëpres  burrërinë dhe përgjigjen tuaj.

*I nderuari z. Editor

Vatra dhe gazeta “Dielli” eshet e evtmja dritare nga ku ne percjellim shqetesimet dhe dhimbjen qe po na shkakton Politika dhe Shteti Shqiptar ne keto 25 vite tranzicion. Dielli mbetet per ne e vetmja gazete qe I perket shtypit te lire, ku nuk jemi censuruar as edhe nje here te vetme.. Ju lutem te shikoni mundesine e publikimit te letres qe ju kemi derguar dt 20 MArs 2016, pasi ne gazetat qe publikohen ne Tirane, redaksite hezitojne te botojne shkrime kritike per anarkine dhe shkeljen e te drejtes se prones  se trasheguar.Ky eshte krimi dhe padrejtesia me e thelle qe u eshte bere shqiptareve qe nga koha e mesjetes. Nese ne shkrimin qe ju kemi derguer ka diçka qe nuk shkon ju lutem na informoni.

Me respect

*Nuro Kulluri

Pronar autokton nga Dukati i Vlores,

Kryetar i degës Dukat të Shoqatës “Krahina Jonë“

Tiranë, me 20.03.2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Artan Lame, Kulluri Nuro, per pronat, Pyetje publike

ITALI – AUSTRI : Beteja ajrore para 100 viteve

March 23, 2016 by dgreca

Nga  Dr. Niko FERRO & Andrea Liko/

Gjatë betejave në Luftën e Parë Botërore u përdorën edhe  avionët. Materiali ynë synon të sjellë diçka nga përplasja ajrore Itali – Austri me fakte që botohen për herë të parë… A ka pilotuar  i madhi  Aleksandër Moisiu mbi Fushën e Myzeqesë ?…Piloti legjendar Julius Arigi…

Ndër pak më shumë se katër vite të Luftës së Parë Botërore, viti 1916 ka specifikat e veta. Kështu në gjitha fushëbetejat e panumërta; kështu edhe në Lushnjë. Ne nuk po ndalemi tek “dialogët” transhe – transhe, as në përplasjet mes zhegut të pluhurt  lëkurdjegës, apo  baltrave bezdisëse deri në cfilitje.

Informacioni i ri është për betejat ajrore, kur “zogjtë e hekrit” bënin dëm të madh dhe linin shtangur myzeqarët deri dje indiferentë. Në muze ruhen dëshmi gojore të banorëve të zonës së Divjakës, Libofshës, Gradishtës etj., por së fundi hulumtimi të ofron edhe dëshmi të kohës, shkruar gazetave, dërguar shtabeve, apo analizuar nga kancelaritë përkatëse.

Dihet që për herë të parë, avionët u përdorën më 1911, në luftën italo – turke, paçka se Franca kishte të tillë që më 1909. Madje, midis pilotëve turq ishte edhe një shqiptar, Avni Xhaxhuli nga Leskoviku…  Kur u ngrit i pari me avion, kapiteni  italian Piazza e shihte veten zot, por kur më 10 shtator 1912  “Nieuporti” u rrëzua prej artilerisë, pilotët kuptuan se nuk ishin Gilgameshi i pavdekshëm.

… Sidoqoftë, e ndihmuar nga francezët, ushtria italiane kishte një trup ajrore  e njohur si “Skuadrilia Nieuport” dhe me të i qendroi  fort përballë “skifterëve” austriakë. Sipas dëshmive të kohës, këta avionë nuk ishin shumë të shpejtë. Për shembull, avioni “Nieuport – 10” lëvizte me afër 140 km në orë, ndaj edhe u ndoq nga “Nieuport – 11”, i quajtur “bebe” për shkak të përmasave të vogla. Edhe vet pilotët italian nuk shquanin për dëshirë të madhe apo talent manovrimi.

Përkundrazi, austriakët kishin në përdorim avionët më të mirë të kohës, të quajtur  “Luftfahntrupper”. Paçka se me strukturë të thjeshtë, ata arrinin tek 200 km në orë dhe ishin të pajisur me mitrolozë. Sipas historianit sërb të Akademisë Ushtarake, nënkolonelit S. Gjukiq, avionët më shumë shërbenin për të ruajtur koridoret detare, si për shembull kanalin e Otrantos. Më efikase kjo u bë kur vet avionët niseshin nga platforma të posaçme, sipas shembullit të anijes angleze “Forius”.

Ushtria italiane solli avionë edhe në Shqipëri, fillimisht në një bazë të ngritur enkas pranë Vlorës. Aeroplanë të tipit “Nieuport – 11” kontrollonin gati tërë vijën bregdetare sa për të mbrojtur trupat e veta, aq edhe për të mbajtur larg zonës “italiane” trupat austriake. Sidomos, më të ruajtura ishin gjiret dhe grykëderdhjet e lumenjve deri tek Shkumbini, si platzdarma  strategjike…

Austro – hungarezët erdhën me trupa të shumta e me interesa të mëdha në Shqipëri. Reparti “Flik – 6” u transferua në Shkodër, por në Lushnjë e përreth mbetën reparte të tëra. Dhe patjetër edhe një pistë e fshehtë për avionët. Ajo u hap buzë lumit, diku në zonën e Çermë – Divjakës, veçse në kushte të sekretit maksimal.

Dhe kështu, plot 100 vite më parë, e tërë kjo zonë fushore e bregdetare midis grykëderdhjeve të Semanit e Shkumbinit  u kthye në arenë të përballjes së dy superfuqive të kohës dhe teatri i luftimeve shpesh transferohej në ajër. Përballjet ishin të ashpra. Çdo ditë, në trekëndëshin Lushnjë – Libofshë – Kavajë,  “zogjtë e hekrit” të ekipeve të Italisë dhe Austrisë përfshiheshin në lojën e tyre vrastare. Avionë  të repartit nr. 34 kryenin sulme mbi objekte ushtarake apo prodhuese austro – hungareze. Ndërkohë, kundërpërgjigja ishte gati dhe shpesh herë, edhe e suksesshme. Ndofta edhe për shkak të numrit : italianët kishin 12 avionë, ndërsa kundërshtarët e tyre, 22 të tillë.

Në këto vite, si ushtar i thjeshtë pilot, në ushtrinë austriake shërbente edhe aktori i madh Aleksandër Moisiu, i cili e kishte fluturimin  hobi. Nuk e dimë në se ai ka fluturuar ndonjëherë mbi Fushën e Myzeqesë, pasi  gjeniu i skenës u rrëzua në Francë, u burgos atje. Kur u arratis pas 6 muajësh, ai shkoi në Gjermani dhe nuk rezulton të jetë rekrutuar përsëri.

Ndër pilotët austriak, më i shquari ishte Julius Arigi. Një herë ai arriti të futet në hapsirën e Vlorës, goditi dhe fundosi piroskafin italian të ankoruar aty.

Gjatë verës së vitit 1916, në zonën e Lushnjës është zhvilluar një nga betejat më të egra ajrore midis këtyre dy kundërshtarëve të fortë. Ka qënë ende mëngjes kur skuadrilia italiane kaloi Semanin dhe, gjithmonë përgjatë bregdetit, iu afrua Divjakës me synim Durrësin. Sipas tyre, ata po shfrytëzonin terrenin, befasinë e fshehtësinë. Mirëpo nuk ishte ashtu. Syçelët, austriakët i identifikuan shpejt dhe urdhëruan pilotët e tyre me Arigin në krye të sulmonin furishëm. Vetë Julius Arigi pilotonte një “Harisa Brandenburg C.I.61-64”. Sipas dëshmive gojore të ruajtura, qielli atë ditë u trazua keqasi se “zogjtë e hekrit  po hanin njëri – tjetrin”. Për t’iu kthyer burimeve historike, kamikazi austriak i ajrit  rrëzoi  pesë avionë armiq, tipi “Farman”; madje njeri prej tyre ra në Kënetën e Karavastasë. Këtë e konfirmon edhe piloti tjetër austro – hungarez, S. Lasi. Autoritet italiane raportuan për dy pilotë të humbur, Francesco Scarioni dhe Attilo Viziono.

Pak ditë më vonë beteja ajrore u zhvillua mbi qytetin e Lushnjës. Dhe përsëri fitues doli austro – hungarezi  Julius Arigi i cili rrëzoi avionin italian të kapitenit Castelleto dhe ndihmësit Pesci… Pas këtyre përplasjeve, ky pilot u vesh me vlera supermeni e u bë legjendë… Gjithësesi, të vështirë “Asi i asëve”, siç nisën ta quajnë edhe vet italianët, e pati me pilotin e talentuar Cesare Sabelli, në një betejë mjeshtërore mbi fushën e Tërbufit. Piloti italian, trim, i aftë e krenar, në pamundësi për të rrëzuar Arigin, nuk e uli avionin në bazë. Ai iku në Bari për tu tërhequr nga beteja të tilla…

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: : Beteja ajrore, Dr. Niko FERRO & Andrea Liko, ITALI – AUSTRI, para 100 viteve

70 VJETORI I VRASJES PABESISHT TË DIJETARIT DON NIKOLLË GAZULLI

March 23, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: DON NIKOLLË GAZULLI(1893 – 1946)

■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.

■Aty ku u lé Besa dhe Burrnia, tash 70 vjet po mbretnon tradhëtia!

■Kush ishte Ky Burrë që as nuk i tutej syni nga bishat antishqiptare?! – Shikoni foton!

Asht i Fisit shekullor të Gazullorëve. Asht lé me 1893 në Dajç të Zadrimës. Gjimnazin e ka perfundue në ata thëmele ku qeveria jugosllave porositë mikun e vet gjinokastrit, që sa maparë “me e shkatrrue me kulm e temel atë çerdhe”… Studimet e nalta i vazhdoi në Insbruck dhe Tirol per filozofi dhe teologji. Në 1917 shugurohet në Romë. Vjen në Atdhe dhe i kushtohet prirjes së vet në lamen e gjuhësisë, ku mbetë shkenctar i vertetë. Koha e prodhimtarisë asht shumë e shkurtë tue dijtë se edhe në 1927, u dënue kater vjetë burg nga Ahmet Zogu, pikrisht kur vari vllaun e Tij Don Gjon Gazullin, në 1927 në Shkoder.

Asht e vertetë se “Malësorët e Veriut në 2000 vjetë nuk e ndrruen Fenë Katolike”, po si e ruejtën dhe me sa gjak i lane Ata shkambijë e shpella, ku në dy gjunjë nder shtroje e mbuloje kashtet luteshin para Kryqit dhe betoheshin per “Besë, Burrni e Bujari”, ndaj mikut dhe shokut, ate e dijnë vetem Ata shkrepa, ku asht daltue historia e Atyne Viseve!

■Pabesia e “çlirimtarëve” të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe Mehmet Shehut ndaj Veriut, sot duhet zanë vendin kryesor në faqet e historisë, dhe duhet ti bahet e kjartë kryesisht Rinisë Shqiptare, se “çlirimtarët” zhytën Shqipninë e Gjergj Kastriotit në vitin 1944 nën thundrat gjakatare të sllavokomunistëve jugosllavë, grekë dhe bolshevikë stalinistë.

■Kur nder krahinat e Berdicës vazhdonte qendresa antikomuniste në Dhjetor të 1944, mbas Taraboshit ishin të rreshtuem formacionet jugosllave me shtypë rezistencën…

■Kur krimineli Mehmet Shehu nuk ia doli me thye priten e Prekë Calit, tradhëtisht i ra mbas shpine nga krahinat e pushtueme prej forcave jugosllave, të cilat morën pjesë në luftën kunder Malësorëve të Kelmendit perkrah “çlirimtarëve” tradhëtarë të M. Shehut, dhe mbasi vrane 118 Burra të Malësisë, i hollën nder lumej e prroska…

■Pandi Kristo pohon: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë!” Lista e kriminelëve vrastarë asht ajo që ka dekorue kryeministri Rama.

■Po, per Klerikët Katolik kishte ndonjë “urdhër sekret” nga E.Hoxha? – Edhe ajo asht e ruejtun pranë arkivit të “Seksionit Katolik në Degen e Mbrendshme të Shkodres”…

■Shikoni arkivin e Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (Drejtoria e Sigurimit të Shtetit)… Mbrenda të cilit vepronte Seksioni Katolik. Jugosllavët kishin Seksionin nr. 2, ku ishte prezent referenti per Klerin Katolik Shqiptat. Këta seksione sllavokomuniste kishin një qellim të perbashkët: Zbatimin e Gjenocidit kunder Klerit Katolik Shqiptar, shkatrrimin me kulm e thëmel të çerdhes Françeskane, dhe shfarosjen e inteligjencës katolike, të përgatitun nder universitetet Europjano Perëndimore. Eksperienca jugosllave dhe greke me Popullsinë Shqiptare nder shekuj, per zhdukjen e Saj graduale do të zbatohej nga të gjitha palët e interesueme me mjetet ma barbare, simbas porosive të referentëve…që aso kohe ishin shpernda nder të gjitha fshatrat e Malësisë, mbrenda brigadave të Ndjekjes.

■Rradhen e kishte Don Nikoll Gazulli, Prifti i Shkrelit, shkenctar dhe Klerik i njohun në rrethet intelektuale Europjane. Referenti jugosllav përgatiti terrenin per vrasjen e Don Nikollit, me anën e “malësorëve kapadai”, tue ua mbushë kokat boshe me biseda dhe shpifje kunder Priftit, i cili “edhe mund të vritet nga fshatarët e vet, kur Ai tradhëton Atdheun e Fenë.” Këte referenti e kishte lexue nder libra sekrete fetare Ortodokse. Per me u “sigurue” malësori shkon dhe takon At Konrrad Gjolaj në Kuvendin e Fretenve në Shkoder, dhe sigurohet se, ashtu asht kur “tradhëtia e Priftit vertetohet botnisht…”

■Me daten 23 Mars 1946, i papajtueshmi Don Nikoll Gazulli me pushtetin komunist në Shqipni, gjindet i vramë në Rrencë – Suka të Vrithit, dhe varroset në Sterkujë me urdhen të dy prej kriminelëve ma të urryem nga krahinat e Maleve të Veriut, Zoji Thëmeli kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodres, dhe toger Baba i Koplikut…

■Emni i vrasësit mbeti “sekret Rrëfimi” i pashkruem në librin e At Gjolaj “Çinarët”.

■Deri në vitin 1990 pak kush e ka njoh dijetarin Don Nikoll Gazulli, autor i veprave të mëdha “Fjalorthi Toponomastik”, “Fjalorthi i Ri”, “Fjalorthi i fjalëve të rralla të Malësisë Veriore”, punimeve të botueme në “Hylli i Dritës” me pseudonim “Gelasius”, dhe sa Veprave të tjera, të cilat nuk mund ta dijmë se sa nuk janë plaçkitë… ashtusi veprat e At Justin Rrotës, At Donat Kurtit, Don Aleksander Sirdanit etj.., në këta 70 vjetë!

***

■Sot né perkujtojmë 70 vjetorin e kësaj vrasje të pabesë të Don Nikoll Gazullit!

■Kultura Shqiptare pa Këta Kolosë, që vune thëmelet dhe kulmin e Asaj binaje që thirret Shqipni, vetem vyshket… Po, Gjaku i Tyne i shkuem rrëkajë per “Atdhé e Fé”, do ti vadisin per mos me vdekë kurrma!

■Jo heshtje! Shqiptarë…

Asnjeni prej Tyne Gegënishten e bukur të daltueme në shkam nuk e ka marrë me vete!

■Asht Gjuha e Atyne Maleve që nuk shuhen as, sheshohen, dhe as thërmohen kurrë!

*Pjesa e VI… Vazhdon Pjesa e VII…

Melbourne, 22 Mars 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 70 VJETORI I VRASJES PABESISHT TË DIJETARIT, DON NIKOLLË GAZULLI, Fritz radovani

24 mars 1999 : Nata, që hyri në historinë e Shtëpisë Bardhë

March 23, 2016 by dgreca

Nga Beqir SINA/
WASHINGTON : Pasditen e 24 marsit 1999, presidenti i 42-të i SHBA-ve, Bill Klinton, në momentin e fillimit të fushatës së sulmeve ajrore iu drejtua nga Shtëpia e Bardhë kombit amerikan lidhur me këtë ngjarje. Në fjalën e tij, atëkohë, Bill Klinton tha: “Bashkëkombas të mi: në këtë moment trupat serbe po lëvizin nga një fshat tek tjetri, po bombardojnë vendbanimet civile dhe po djegin shtëpitë. Ne po shohim njerëz të pafajshëm, të përzënë me forcë nga shtëpitë e tyre, njerëz që me forcë janë vendosur para togave të pushkatimit dhe gjuajtur me plumba. Burrat kosovarë janë ndarë nga familjet e tyre, prindërit dhe fëmijët bashkë, të vënë në rresht, janë gjuajtur me një herë me armë zjarri.
Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk ka asgjë të ngjashme me luftën dhe me ligjet tradicionale të luftës; kjo është një luftë e padrejtë e kryer me të gjitha arsenalet ushtarake ndaj njërëzve të pafajshëm që nuk mund të mbrohen dhe kur ata dhe udhëheqësit duan vetëm paqe. Pra, bashkëkombas, të luftojmë që ta mbyllim këtë tragjedi e cila për ne është një kërkesë morale. Misioni ynë është më se i qartë: të tregojmë se ne dhe NATO e kemi seriozisht, që t’u lëmë të kuptojnë atyre që kontrollojnë në Serbi sot (24 mars 1999) se është e domosdoshme të ndërrojnë rrugën, të ndalojnë këtë lloj ofensive të ndërmarrë duke derdhur gjak kundër qytetarëve të Kosovës, ta ndalojmë atë me të gjitha format që duhet ndaluar, duke e dëmtuar seriozisht ushtrinë serbe që është kundër njerëzve të pafajshëm në Kosovë. Dhe nëse presidenti Milosheviç nuk i bindet paqes atëherë na takon ne që duke përdorur forcën ushtarake ta ndalim atë dhe atij t’i shpallim luftën.
Në anën tjetër, Serbia dhe personalisht Milosheviçi nuk i kanë pranuar bisedimet për zgjidhjen paqësore e politike të çështjes së Kosovës. Milosheviçi, përveç sundimit ndaj shqiptarëve me një sistem të paparë, filloi edhe ofensivat dhe krimet e veta masive kundër popullit shqiptar: me vrasje dhe masakra masive, djegie, dëbim masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe me spastrimin etnik të Kosovës…
Bashkëkombas: unë jam i bindur se rreziku për të hapur luftë dhe bërë diçka nga SHBA-s, nuk është aq i madh sa ç’është rreziku të rrimë duarkryq dhe të mos bëjmë asgjë, që të nxjerrim nga ky rrezik njerëzit që nuk mund të mbrohen dhe tek ne amerikanët kanë interesa kombëtare. Sikur, ne sot, së bashku me aleatët tanë, ta lëmë që kjo luftë e padrejtë të vazhdojë, atëherë, presidenti Milosheviç, do të inkurajohet nga hezitimi ynë duke e quajtur luftën e tij, si një drejtësi duke vrarë njerëzit në Kosovë.
Kështu që atij ne i lëmë dorë të lirë për të bërë më shumë masakra, dhe më shumë shpërngulje me forcë të qindra mijëra refugjatëve të cilët presin vetëm mbrojtjen tonë. Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës. Populli i saj, megjithëse në Kosovë kanë vendin e tyre, nuk mund të jetojnë atje, prandaj na duhet ne të sigurojmë jetën e tyre dhe ata të mos kenë më frikë për jetën”.
Në 23 shkurt, shqiptarët kosovarë, përfshi këtu edhe Thaçin, e pranuan marrëveshjen në parim, u kthyen në shtëpi për t’ua treguar atë njerëzve të tyre dhe në mes të marsit udhëtuan për në Paris për të firmosur dokumentin e përfunduar.
Serbët e bojkotuan ceremonine ndërkohë që 40 mijë trupa serbe ishin grumbulluar përreth Kosoves dhe Millosheviçi përsëriti se ai nuk do te lejonte kurrë vendosjen e trupave të huaja në tokën jugosllave.
Unë e dërgova Dik Hollbruk-un (Richard – “Dick” Holbrooke) për ta takuar atë për herë të fundit, por edhe Dik-u nuk mundi ta lëvizte nga vendi. Në 23 mars, pasi Hollbruk-u largohet nga Beogradi, Sekretari i Përgjithshem i NATO-s, Javier Solana, me mbështetjen time të plote, i kërkoi Gjeneralit Uesli Klark të fillonte sulmet ajrore.
Në të njëjtën ditë, me shumicë votash 58- 41 Senati votoi për të mbështetur këtë veprim. Në fillim të muajit Dhoma e Përfaqesuesve kishte votuar 219 me 191 për të mbështetur dërgimin e trupave amerikane në Kosovë në rast se nënshkruhej marrëveshja e paqes.
Mes Republikaneve të njohur që votuan në favor të këtij propozimi ishin edhe Dennis Hastert dhe Henri Hajd (shënim i im Henry Hyde, një mik i madh lobit shqiptarë, pikërisht ish kongresisit republikan të New Yorkut, Xhozef DioGuardit).
Kur kongresmeni Hajd (Hyde) tha se Amerika duhet të ngrihet kundër Millosheviçit dhe spastrimeve etnike unë buzëqesha dhe thashë me vete “ndoshta doktor Xhekell (Jekyll) në fund të fundit ishte diku brenda tij” (Shënim i përkthyesit: Dr. Jakyll është një personazh letrar dhe këtu nënkupton anën pozitive të një personi.)
Ndërsa shumica e Kongresit dhe të gjithe aleatët tanë në NATO mbështesnin sulmet ajrore, Rusia nuk ishte në të njëjtën linjë. Kryeministri Yevgeni Primakov ishte duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar me Al Gore. Kur Al e njoftoi se një sulm mbi Jugosllavinë ishte i mundshem, Primakov urdhëroi që aeroplani i tij të kthehej mbrapsht drejt Moskës.
Në datën 24 (mars 1999) une iu drejtova popullit amerikan për t’i treguar se çfarë isha duke bërë dhe arsyet pse po ndërmerrja nje akt të tillë.
U shpjegova atyre se Millosheviçi u kishte zhvatur kosovarëve autonominë, duke u mohuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë për të folur gjuhën e tyre, për të pasur shkollat e tyre, dhe për t’u vetëqeverisur. Une iu pershkrova atyre masakrat serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, 60 mijë vetëm në pesë javët e fundit dhe gjithsej një çerek milioni.
Më në fund unë kisha mundësi t’i vendosja ngjarjet aktuale në kontekstin e luftrave që Millosheviçi kishte shpallur kundër Bosnjes dhe Kroacisë dhe në ndikimin shkatërrues të vrasjeve të tij mbi të ardhmen e Europës.
Fushata e bombardimeve kishte tre qellime: t’i tregonte Millosheviçit se ne e kishim seriozisht se do të ndalonim një rradhe tjetër të spastrimit etnik, se do të shmangnim një sulm akoma më të përgjakshëm kundër civilëve të pafajshëm në Kosove dhe se nëse Millosheviçi nuk do të dorëzohej se shpejti ne do të dëmtonim seriozisht kapacitetin ushtarak të Serbisë.
Atë natë filluan sulmet ajrore.
Ato do të zgjasnin për 11 javë, ndërkohë që Millosheviçi vazhdonte të vriste shqiptarët e Kosovës dhe të dëbonte rreth nje milion shqiptarë prej shtëpive të tyre. Bombat do të shkaktonin dëme të mëdha mbi infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë. Fatkeqësisht në disa raste ato do t’u shmangeshin koordinatave të përcaktuara dhe do të merrnin jetën e njerëzve që ne po përpiqeshim të mbronim.
Disa njerez arsyetonin se qëndrimi ynë do të kishte qenë më i justifikuar nëse do të kishim dërguar edhe trupa ushtarake nga toka. Por me këtë argument kishte dy probleme. Së pari, derisa ushtarët të arrinin në pozicionet e tyre, të mjaftueshëm në numër dhe me mbështetjen e duhur, serbët do të shkaktonin një dem shumë të madh. Së dyti, viktimat civile të një fushate ushtarake në tokë do të kishin qenë shumë herë më të mëdha sesa numri i viktimave si rezultat i bombave të pasakta.
Unë nuk u bashkova dot me argumentin se duhej të ndiqja një kurs i cili do të merrte më shumë jetë amerikanësh, pa siguruar shumë bindshëm mundësinë e një fitoreje. Strategjia jone shpesh do të dyshohej, por ajo kurrë nuk u braktis. Në fund të muajit, kur bursa u mbyll për të parën herë në historinë e saj me mbi 10 000 nga 3 200 kur une mora Presidencën, vendosa të bëja nëe intervistë me gazetarin e televizionit CBS, Dan Rather.
Pas një diskutimi të gjerë për Kosoven, Dan-i më pyeti se nëse e prisja që një ditë të bëhesha bashkëshorti i një senatoreje të Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë shumë zyrtarë të New York-ut ishin bashkuar me Carli Renxhell (Charlie Rangel) për t’i kërkuar Hillaryt të merrte në konsideratë që t’i hynte garës. I thashe Rather se nuk e kisha idenë se çfarë ajo do të vendoste, por nëse do të kandidonte dhe do të fitonte “ajo do të ishte e mahnitshme”.
Në prill ndërsa ne kishim shtuar bombardimet në qytetin e Beogradit duke goditur Ministrine e Brendshme, selinë e televizionit shtetëror serb, shtëpinë e Millosheviçit dhe ndërtesën e partisë së tij, konflikti në Kosovë u intensifikua. Ne gjithashtu shtuam jashtëzakonisht mbështetjen financiare dhe praninë me trupa ushtarake në shtetet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia për t’i ndihmuar ata të përballonin vrullin e madh të refugjatëve.
Nga fundi i muajit, kur Millosheviçi nuk ishte përkulur ende, nga dy drejtime njëkohesisht po vinin kundërshtime ndaj politikës sonë. Toni Bler (Tony Blair) dhe disa anëtarë të Kongresit mendonin se ishte koha për të dërguar trupa nga toka, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër dërgimit të trupave pa aprovimin paraprak të Kongresit. Unë besoja ende se fushata ajrore do të jepte rezultat, dhe shpresoja se mund ta shmangnim dërgimin e trupave nga toka për arsye të ndryshme nga ajo e misionit paqeruajtës.
Në 14 prill i telefonova Boris Yeltsin për t’i kërkuar pjesëmarrje me trupa ushtarake në një forcë paqeruajtëse ashtu si edhe në Bosnje. Shpresoja se një prani ruse do të ndihmonte të mbronte minoritetin serb dhe mund t’i jepte Millosheviçit nje mundësi për të shpëtuar fytyrën e tij për kundërshtimet ndaj vendosjes së trupave të huaja.
Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.
Më pas , Këshilli i Sigurimit i OKB-ës miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, e cila është e njohur nga 112 shtete përfshirë SHBA, Anglinë, Gjermaninë, Francën, Italinë, Holandën, Suedinë, Japoninë, e tjerë.
201110294022724734_20.jpg

album_picphp1.jpg

120605_11_bill_clinton_ap_328_6051.jpg

article-1296881-001C4C0E00000258-202_468x297.jpg

2-kvebis.jpg

260px-Нато_бомбе_изазивале_еколошку_катастрофу_у_Новом_Саду.jpg

120605_11_bill_clinton_ap_328_6051.jpg

article-1296881-001C4C0E00000258-202_468x297.jpg

alg-statue-bill-clinton-jpg.jpg

bomblarge.jpg

cl-10.jpg

george-soros-funded-hate-group-democracy-spring-set-to-attack-donald-trump-nteb-933x445.jpg

hqdefault.jpg

kosovo-big-bill-3.jpg

li-620-clinton-cp-1315654.jpg

size0.jpg

 

Filed Under: Histori Tagged With: 24 mars 1999 : Nata, Beqir Sina, e Shtëpisë Bardhë, që hyri në historinë

Poeti i ëndrrave të thyera

March 23, 2016 by dgreca

Në 68 vjetorin e lindjes/

Nga Reshat  Kripa/

E vranë poetin. Përse e vranë? Mos vallë kishte kryer ndonjë krim? Jo. Ai shkruante vetëm vargje. Shkruante për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për  lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ata mbijetuan. Mbijetuan me vargjet e tyre. Mbijetuan me idealet e tyre.

Poeti kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por fati i tij ishte se jetonte në një epokë të gabuar. Jetonte në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë.Në atë epokë makabre, në morinë e madhe të atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve absurde në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa përdhunimin e lirisë. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda këtyre veprave, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë.

Dora e poetit i hidhte këto në letër. Autori i lexonte dhe i rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte njeriu. Në to shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në këto shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëherë kur shumëkush e kishte humbur atë. Në pjesën më të madhe këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndërruan në “Kangë të pakëndueme”, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”.

I tillë ishte edhe poeti ynë Vilson Blloshmi që më 18 mars kishte 68 vjetorin e lindjes. Por jetën e tij ia prenë në mes monstrat e kuqe. Ra një ditë korriku të vitit 1977 rrëzë një përroi në Librazhd. Ishte vetëm 29 vjeç. Ra së bashku me kushëririn e tij, Genc Lekën, edhe ai poet, në moshën 36 vjeçare.Më duket sikur ende dëgjoj hapin e rëndë të gardianit që kontrollon qelitë dhe më shfaqen mijra të burgosur politikë që i kanë provuar mbi shpinat e tyre tmerret e atyre qelive. Vështroj dhe para syve më dalin dy vizione: djajtë dhe engjëjt, vampirët dhe preja, xhelatët dhe viktimat dhe bëj karahasimin. Nga njëra anë terri, ndërsa nga tjetra drita.  Nga njëra anë ferri, ndërsa nga tjetra parajsa.

Lexoj një poezi të Vilsonit:

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur:

Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

 Kështu ranë dy poetët tanë, “Nderi i Kombit” dhe “ Qytetar Nderi” të rrethit të Librazhdit. Ranë për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi dhe u përjetësuan me memorialin e ngritur në qendër të qytetit, nën kujdesin e ish-Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotit Bujar Leskaj, më 30 qershor 2006.

Por, a vriten poetët? Çuditërisht, vargjet e zjarrta të këtyre poetëve, u kallnin datën monstrave që drejtonin shtetin shqiptar. Për këtë ata përdorën dy manekinë servilë dhe hipokritë që, ndonse ishin mbushur me tituj dhe dekorata, nuk kishin ndërgjegje që mund t’i vriste më vonë. Ja se si shkruante njeri prej tyre në akt-ekspertizën e tij:

Këto si dhe vjersha të ndryshme, fragmente të shkëputur nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen. Mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme.

Ndërsa i dyti vazhdonte:

Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve. Simbolika e bën atë një alegori me një përmbajtje reaksionare.

“Ekspertë” të tillë vazhdojnë të lartësohen, madje edhe nderohen, siç duket, për meritë të kësaj ekspertize. Kjo është Shqipëria e sotme ku në të njëjtin stan bashkëjetojnë ujqërit me dhëntë. A është e mundur? Ky nuk është rasti i vetëm. Vini veshin qeverisë, kuvendit dhe drejtësisë. A nuk e shihni se në të gjitha shkallët e tyre janë ende ish- hetuesat, ish-operativët e sigurimit, ish gjykatësit, ish- bashkëpunëtorët e sigurimit që drejtojnë organet e larta të qeverisë, komisionet e kuvendit,të gjitha shkallët e gjykatave e të tjera. A thua se u shua Shqipëria për kuadro të reja? Të gjitha forcat politike çirren dhe këlthasin se janë për zëvendësimin e “xhaketave të vjetra” me të rinj. Kanë kaluar 25 vjet nga përbysja e sistemit totalitar. Kanë mbaruar shkollat e larta dhe kanë mbrojtur masterin me rezultate të shkëlqyera, madje nje pjesë e mirë e tyre , në shkollat më presticioze të botës së lirë. Mos vallë nuk janë të aftë këta për të drejtuar shtetin shqiptar por vazhdojnë ende hienat e vjetra që mbajnë në ndërgjegjen e tyre me qindra të vrarë, të burgosur apo të internuar nëpër kampet e përqëndrimit komunist? Është miratuar Ligji i Dekriminalizimit  dhe po bëhet gati për miratim Ligji mbi Reformën në Drejtësi dhe ai mbi Byronë e Hetimit. Përse në to nuk parashikohet flakja përjashta e hienave të së kaluarës të përmendur më lartë? A nuk janë edhe ata të kriminalizuar? Këto pyetje duan përgjigje.

Në këtë përvjetor të poetit Vilson Blloshmi më dalin para syve vargjet e pavdekshme të poetit të madh rus Lermontov, kushtuar vrasjes së poetit tjetër të madh, Aleksandër Pushkin:

U vra poeti! – rob i nderit –

          Ndër shpifje e thashetheme u shtri,

          Me etje hakmarrjeje prej vrerit,

          U mposht krenar me plumb në gji.

          Në shpirt poetit s’iu durua,

          Dhunimin e turpshëm kur e pa,

          Përkundër fyerjes u çua,

          I vetëm si më parë…dhe ra!

Filed Under: ESSE Tagged With: Poeti i ëndrrave, reshat kripa, të thyera

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT