Archives for March 2016
LIBËR ME VLERA TË MIRËFILLTA DOKUMENTARE, SHKENCORE DHE HISTORIKE
Rexhep Dedushaj: Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekujt, Pejë 2016 (Botimi i tretë)./
Nga Mikel GOJANI/
Këto ditë studiuesi dhe publicisti Rexhep Dedushaj ka botuar librin e tij vijues të titulluar, “Krahina e Plavë – Gucisë nëpër shekuj”, që është botimi i tretë me plotësime.
Autori i kësaj vepre, studiuesi dhe publicisti i njohur në mjediset intelektuale mbarëkombëtare, Rexhep Dedushaj nëpërmjet faqeve të këtij libri merr përsipër të lerë të shkruar një histori të gjerë për krahinën e Plavë-Gucisë, nga ka edhe origjinën, për interesin e brezave të rinj rrugëtimin historik tepër interesant të kësaj krahine bashkë me dallgët e saja, për të vënë në piedestalin e merituar të kujtesës së atyre ngjarjeve që janë zhvilluar gjatë historisë dhe të shumë personaliteteve historike të kësaj krahine që kanë lënë gjurmë të thella në historiografinë tonë kombëtare. Vepra është një rrëfim i gjatë, meqenëse kur dihet që për historinë e kësaj krahine asnjëherë nuk mund të thuhen të gjitha, mirëpo studiuesi Dedushaj, duke mos vënë pikë, hap shtigje studiuesve të tjera që të merren me gjerësisht me këtë temë shumë interesante dhe të një rëndësie dimensionale. Vepra është e shërbyer në sërë burimesh arkivore, pastaj po ashtu mbështetur edhe në një literaturë të pasur, por edhe përmes të dëshmive të argumentuara nëpërmjet rrëfimeve të njerëzve të shtyrë në moshë që kanë përjetuar nga një pjesë të asaj historie, por edhe duke interpretuar ngjarje dhe të bëmat e personaliteteve të shumta të atyre historive që kanë ndodhur në këtë krahinë, që ishin arkivat me autentike të historive. Libri “Krahina e Plavë- Guxisë nëpër shekuj”, i autorit Dedushaj, është i konceptuar nëpër kapituj të veçantë që ruajnë një strukturë konceptuale. Ne kapitullin e këtij libri, “Koha e lashtë”, autori Dedushaj flet për historinë e thellë që prek edhe shekujt. Dëshmitë dhe faktet historike autori mbështetet në bazë të kronikave të shkruara të shkruara dhe të zbuluara nga shumë njohës të fushës arkeologjike, si të prof. Duje Rendiqi, Mioçeviç, Gerga Novak, Josip Kroshec, Skënder Anamali, Aleksandër Stipçeviq, Artur Evans, Alojz Benac etj., si dhe të shumë shkencëtarëve, si Tumani, J.G. Haln, V. Jokli, M. Shuflaj, N. Jokli, A. Majer, e sidomos E. Çabej, të cilët dëshmojnë qartë se shqiptarët jetojnë në trojet e tyre të sotme mijëra vjet para ardhjes së sllavëve në këto vise. Autori përmes shumë fakteve dhe dëshmive të tjera, përkatësisht të varrezave, të toponimeve, makrotoponive argumenton edhe se cilët kanë qenë sundimtarët e këtij populli.
Kapitulli vijues, “Koha e Bizantit, ardhja e sllavëve dhe e turqve”, autori jep të dhëna dhe fakte historike mbi kohën e Bizantit dhe depërtimin e sllavëve dhe turqve në Ballkan. Autori po ashtu në këtë pjesë shpalos edhe shumë ngjarje historike të zhvilluara në këtë kohë në krahinën e Plavë-Gucisë, duke prezantuar të dhëna tepër interesante dhe të pastudiuara thellësisht deri me sot. Përhapja e fesë islame në këtë krahinë, paraqet kapitull mjaft interesant në brendinë e këtij libri. Kjo temë bosht shqyrtohet në kapitullin, “Përhapja e fesë islame”, ku autori sqaron se kah fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit xVII, gjendja në Shqipëri ishte e mjerueshme. “Ishte kjo koha kur Perandoria Osmane e kishte arritur kulmin e zgjerimit të vet dhe ishte bërë fuqi e madhe ushtarake dhe politike në tri kontinente, në Azi, në Evropë dhe në Afrikë… Shumë nga kryengritjet që kishin shpërthyer gjatë shek. XVI dhe gjysmës së parë të shek. XVII në Shqipëri, e sidomos në viset veriore të saj ishin shuar egërsisht nga jeniçerët e pamëshirshëm otomanë. Nga frika se mos shpërthejnë kryengritje të reja në këto anë, Porta e Lartë, e mbante të shtrënguar grushtin shtypjes”, ndaj shqiptarëve, e sidomos të atyre të besimit katolik me qëllim që t’i detyronte të islamizohen dhe kështu t’i shkëpuste edhe ata nga hallka që e lidhnin Shqipërinë me Evropën Perëndimore. (fq..54). Kështu, sipas autorit, pas shumë ngjarjeve dhe kryengritjeve , procesi i islamizimit u përfshi edhe në krahinën e Plavës dhe të Gucisë. Autori po ashtu argumenton se datë të caktuar të fillimit të islamizmit nga kjo popullatë është vështirë të caktohet, mirëpo sipas disa të dhënave do të ketë filluar diku rreth viteve të ’80-ta të shek. XVI. Këtë fakt të përafërt e dëshmon edhe kur sipas disa fakteve historike në vitin 1471 në Plavë ishte ndërtuar një xhami, se ajo u ka shërbyer pushtetmbajtësve të ardhur nga Turqia. Sipas shënimeve të Pjetër Mazrekut rreth vitit 1638 shumica e popullatës së Plavë-Gucisë me rrethinë kishin kaluar në fenë islame. Në këtë kohë , përveçse në Plavë edhe në Guci ekzistonte një xhami. Ndërsa, sipas autorit, duke nxjerrë të dhënat e studiuesit Memiq, në dhjetëvjetëshin e dytë të shek. XVII, 70 familje, gjegjësisht 8 për qind të kësaj popullsie ishin myslimanë.
Në vijim autori Dedushaj na i prezanton edhe shkaqet pse popullata e kësaj krahine u detyrua të pranojë fenë islame: për shkak të dobësimit të fesë katolike, ku mungonin dukshëm priftërinjtë e shkolluar shqiptaro-katolikë; për shkak të agresivitetit të kishës ortodokse – serbe, të cilët filloi ta përkrah edhe vetë Selia e Shenjtë (Vatikani) në FRomë, si dhe ta ndihmonin shtetet evropiane me qëndrimet e veta diverzioniste ndaj kryengritjeve shqiptare; nga presioni i Perandorisë Osmane dhe gjendja e mjeruar e masave të gjera popullore, e shkaktuar nga zgjedha e sistemit feudalo-ushtarak osman, apo ndonjëherë edhe dëshira për të fituar sa privilegje ekonomiko-klasore dhe administrative në këtë sistem. Në vazhdim autori Dedushaj jep edhe shumë argumente të tjera, po ashtu pasqyron edhe shumë ngjarje dhe zhvillime historike me temën bosht, ngjarje këto që paraqesin fakte dhe dëshmi historike tepër interesante dhe që kanë një rëndësi të veçantë në pasqyrimin e kësaj çështjeje dhe fakti historik, që për shqiptarët akoma është temë shqyrtimi dhe vazhdon të mbetët. Autori Dedushaj në dy kapitujt vijues, “Ngjarjet në gjysmën e II të shek. XVII dhe shek. XVIII, po ashtu edhe kapitulli tjetër në vijim, “Shekulli IX”, na pasqyron ngjarje dhe dëshmi historike që janë zhvilluar në këto troje gjatë këtyre viteve, po ashtu edhe rezistencën e këtij populli karshi sulmeve dhe agresivitetit që pushtuesit u kanë bërë. Autori me këtë rast hedh dritë edhe mbi shumë figura pjesëmarrës dhe rezistues të denjë deri në flijim gjatë këtyre kryengritjeve, si emrin e Pjetër Bogdanit, Mehmet Pashë Bushati, pastaj Kara Mahmut – pashë Bushati, i cili arriti t’i bëjë tregtarët dhe zejtarët e Shkodrës si dhe fiset kryengritëse të Malësisë së Mbishkodrës, Dukagjinit dhe Mirditës, Në vitin 1786 organizoi një mbledhje me krerët shqiptarë, malazezë, hercegovas dhe boshnjakë, ku u formua “Lidhja e Konferencës Ilire”, e cila kishte për qëllim dëbimin e Turqisë nga këto troje. Pas përgatitjeve të nevojshme në nëntor 1787 filloi lufta e cila ishte shumë r furishme që zgjoi edhe vëmendjen e Evropës. Malazezët nuk morën pjesë në këtë luftë, sepse kishin krijuar një marrëveshje, dhe me ndërhyrjen e Rusisë e sulmuan Bushatliun pas shpine duke ia fundosur disa anije në Liqenin e Shkodrës, derisa ai ishte i zënë në luftë me Sulltanin. Pas vdekjes së Kara Mahmut pashë Bushatit në krye të Shkodrës vjen Ibrahim pashë Bushati – i ligu, quhej nga shqiptarët “i ligu”, sepse çfarë thoshte Sulltani ai vepronte. Sipas autorit Dedushaj, edhe shekulli i XIX përshkohet me shumë ngjarje të rëndësishme historike dhe një vetëdije shumë e lartë kombëtare. Autori me këtë rast përpos shumë ngjarjeve tepër të rëndësishme që i shpalos, ai potencon edhe shumë emra dhe personalitete historike bartës dhe rezistues të këtyre ngjarjeve. Përpos shumë figurave që autori nuk mund t’i anashkalojë janë edhe, si Binak Alia, Sokol Rama, Shaqir Curri, Osman Omeraga, Bali Dema, Zeqo e Jakup Ferri, Man agë Shehu, Adem Shahmani, Zenel Gjoleka, Haxhi Zeka, Nikë Leka-Pepaj, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mulla Jaha, Kadri Bajra, Filip Çeka, Isul Sokoli, Ali Pashë Gucia, Husi i Shaban Begut, Mullla Jahë Musiqi, Selman agë Kurti, Nuro Sejdirexha, Abdyl-be Tesheviqi, Halil Agë Mullafejziu, Halil Sejdiu, Agan Nuri, Nuc Shahmani, Omer Shabaj, Mehmet dhe Bilall Shehu, Rushid Jakupaga, Nuredin Bejta, Mehmet agë Jakupi, Ajdin agë Kurti, Ali Koja, Brahim Jakupi dhe shumë e shumë të tjerë, që më siguri do t’u hymë në hak pasi që po i anashkalojmë pa i potencuar. Një çështje që begaton këtë kapitull, autori këto ngjarje, këto kryengritje dhe këtë rezistencë të kryengritësve të kësaj krahine e përshkruan edhe përmes vargjeve popullore, që rapsodët autoktonë i kanë vënë në vargje popullor dhe sot këndohen në këto anë. Kapitulli, Kryengritjet e viteve 1909-1012, shpalos shumë ngjarje dhe fakte historike që kanë të bëjnë me kryengritjet e viteve 1909-1912, ngjarje që kanë lënë vulën e tyre në rrugëtimin historik të këtij populli. Shqiptarët rezistencën e tyre e bënë të prirë nga luftëtarët dhe patriotët e denjë të asaj kohe. “Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi, Isa Boletini, Ahmet Delia, Hasan Ferri etj., secili në krahinën e vet e organizonte popullin dhe lidheshin besën për vdekje dhe liri. Më 21-25 maj 2012 u mblodhën në Junik 250 përfaqësues të popullit shqiptar, kryesisht të Kosovës, por edhe nga viset e tjera shqiptare dhe formuan Komitetin e Kryengritjes së Kosovës me në krye me Hasan Prishtinën, i cili më 25 maj e lëshoi një thirrje për të gjithë shqiptarët: “Sot Shqipëria e Veriut dhe e Jugut i kanë kapur armët që me anë të kryengritjes t’i fitojnë të drejtat e natyrshme dhe të siguruara më ligj, që u janë marrë. Ajo dëshiron dhe pret ndihmën njerëzore të të gjithë bashkatdhetarëve dhe botës së qytetëruar. Atdheu pret prej nesh bashkimin. Janë afruar minutat, kur do të vendoset fati i Shqipërisë”. Si përfaqësues i Plavës dhe Gucisë në këtë kuvend merrte pjesë Hasan Ferri. Në këtë mbledhje u hartuan edhe kërkesat që ishin të ngjashme me ato të lidhjes së Prizrenit: Të njihen kufijtë e Shqipërisë, flamuri kombëtar, nëpunësit shqiptarë, gjuha zyrtare shqipja, shkolla shqipe etj., të cilat kërkesa iu paraqiten menjëherë Qeverisë turke dhe Fuqive të Mëdha. Po ashtu në vazhdim autori jep edhe shumë të dhëna të tjera që në ato kohë janë zhvilluar në këto troje arbërore. Ai jep faktin se duke e vërejtur rrezikun që po i kanosej trojeve shqiptare, Hasan Prishtina me patriotët tjerë të kohës u detyrua që të përfundojë marrëveshjen me Sulltanin, i cili më 14 gusht 1912 pranoi pikat e Hasan Prishtinës, të cilat pika shqiptarëve iu garantoheshin shumë të drejta ekonomike, politike, administrative dhe kulturore. Është e vërtetë se nuk ishte fituar një autonomi e cila ishte kërkuar në fillim, sepse “patriotët nuk mundën të ngulin këmbë për fitimin e saj, pasi tani forcat ushtarake të monarkive të Ballkanit ishin tubuar në kufijtë e Shqipërisë dhe çdo moment pritej sulmi i tyre. Kështu pra mori fund kryengritja e vitit 1012, gjegjësisht kryengritjet shqiptare 190-1012 kundër pushtuesit pesëshekullor osman.” (fq. 146-147). Shpalosje historike me tepër interes paraqiten në kapitullin, “Caktimi i kufijve të Shqipërisë”, me ç’rast autori Dedushaj flet për caktimin e kufijve të Shqipërisë që u përcaktuan në Konferencën e Ambasadorëve më 1913, ku u përcaktuan kufijtë e shtetit të Shqipërisë, në të cilën konferencë pothuaj gjysma e tokave të gjeografisë etnike shqiptare mbeti i copëtuar, përkatësisht e ndarë nga trungu amë. Pra, me plot të drejtë mund të konstatojmë se Konferenca e Ambasadorëve më 1913 në Londër, bëri një padrejtësi të madhe në dëm të popullit shqiptar, duke e copëtuar atë në disa shtete. Në këtë mënyrë veproi edhe Konferenca e Parisit më 1919. Edhe kapituj vijuesi, si “Lufta e Parë Botërore”, “Mbretëria SKS (Jugosllave)”, “Lufta e Prillit dhe pushtimi fashist” dhe “Koha e sundimit të PKJ (LKJ)”, paraqesin kapituj interesant për jetën dhe zhvillimet e popullatës shqiptare, në këto kohë dhe periudha tepër specifike për këtë popull dhe këto troje etnike.
Në përfundim vlen të konstatojmë se libri “Krahina e Plavë – Gucisë nëpër shekuj”, të autorit Rexhep Dedushaj, është një libër me vlerë të veçantë dhe që begaton fondin e librave tanë të karakterit historik.
Djali i peshkop Kozmait konfirmon me përgënjeshtrim terrorin e Janullatosit!
Nga Arben LLALLA/
I nderuar atë Ilia! Ju falenderoj shumë, sepse ju, me përgënjeshtrimin tuaj, konfirmuat ato që unë publikova, duke pranuar se keni patur, keni dhe do të keni “probleme pune”, si një thirrje e dëshpëruar për të shpëtuar nga gjendja e terrorit psikologjik, ku ju ka futur kryepeshkop Anastasi për mbi 15 e kusur vjet, duke ju mbajtur peng të drejtësisë së padrejtë kishtare. M’u bë qejfi shumë që m’u përgjigjët, pasi ka shumë kohë që shkrimeve të mia, nuk u përgjigjet askush nga zyra e shtypit të KOASH, për vetë faktin se janë tërësisht të vërteta dhe bazohen në burime të brendshme, të dëshmive të hierarkve të lartë, si dhe civilëve drejtues, që m’i japin me qëllim informacionet për të denoncuar Janullatosin botërisht, sepse vetë nuk kanë guxim t’i “zgjidhin” gjërat nga brenda kishës, siç thoni ju, se janë të kapur prej bukës së gojës, shtëpive të blera, konvertimeve dhe dosjeve. Madje nuk flasin vetëm me mua, por edhe me autoritetet.
Nga leximi mes rreshtave, kuptova terrorin që ka ushtruar Janullatosi mbi ju, pasi ju theksonit me forcë, se nuk e keni kërkuar ndihmën time, dhe nëse ju ndihmoj, po e them mëme forcë, që nuk e keni bërë aspak këtë gjë, por as unë nuk ju kam ndihmuar fare juve, madje, nëse më keni lexuar me vëmendje, unë gjatë gjithë ndërhyrjes sime, ju kam prezumuar të fajshëm madje, dhe kam analizuar pasojat që sillte dënimi juaj publik, që ju e dini mirë, por nuk e gëzoni lirinë që ta pranoni publikisht, se mund t’ju nxjerrin dhe nga shtëpia që thoni se s’është e juaja drejt e në rrugë të madhe, përveç se mund t’ju heqin bukën e nënës dhe të fëmijëve tuaj. Këtë strategji, të skllavërimit ekonomik të klerit dhe marrjes peng të administratës së kishës, e kam denoncuar vazhdimisht në shkrimet e mia të mëparshme.
Si duket, kryepeshkopi yt i dashur, t’i ka kujtuar bukën, shtëpinë, pensionin e nënës, mjekimin e babait dhe zhveshjen tënde të mundshme që të terrorizojë , gjë që del në pah mes rreshtave në shkrimin tuaj. Por ju harroni, se këto nuk jua kanë bërë nder, këto vijnë si privilegj kishtar i rangut të një peshkopi që dha jetën për kishën e tij, që doli në pleqëri të thellë nga vatra familjare e u mbyll në manastir e u sëmur, vetëm për hir të ortodoksisë, dhe nëse Anastas Janullatosi jua përflet, përveçse ju helmon ju dhe nënën tuaj në këtë moshë të thyer, fyen sërish rëndë kujtimin e hirësi Kozmait, pasi asgjë nga këto që po jua zënë në gojë, nuk e shpaguan dot, sakrificën e tij martirike e sublime.
Unë po i kthehem sërish inkuizicionit tuaj publik, i cili qe i ulët, i pabesë dhe dinak, siç është edhe karakteri i gjykatësit inkuizitor, që hiqet si misionar i dashur, e që tundte në ajër dosje dhe letra akuzuese për ju. Nëse doni, më përgënjeshtroni faktin që juve me dhimbje shpirti dhe i pashpresë, nuk thërrisnit në ndihmë, kujtimin e atit tuaj gjatë asaj seance makabre e të pashpirt. Më përgënjeshtroni që bashkëfshatari juaj, nuk e fyeu rëndë kujtimin e babait tuaj duke u shprehur që “ia kishit turpëruar varrin”, apo që Janullatosi vetë, më shumë se një herë ju hakërrohej të pushonit dhe t’i kërkonit të falur duke ju thënë se “e di mirë ti që ekziston një vendim gjyqi kundër teje”, duke ju shantazhuar si keqbërës. Ju nuk e meritonit kurrë të trajtoheshit në këtë mënyrë.
Mos më detyroni të publikoj gjithë materialin audio dhe video që disponoj nga ajo ditë e zezë për ju dhe kishën shqiptare, pasi do tronditeni ju më shumë, se e kishit humbur totalisht kontrollin dhe nuk dinit ç‘thoshit, pasi në atë pikë donte Janullatosi t’ju shpinte, që të rëndonte më tej pozitën tuaj. Vërtet mendoni se unë mund të flas si gazetar, pa patur prova shumë të forta në dorë? Nuk më njihni mirë.
Unë, atë Ilia, nuk ju mbrojta ju, por gjithë klerin shqiptar të abuzuar emocionalisht dhe ekonomikisht, kur nënvizova se, kur Janullatosi ju trajton ju kështu, që jeni bir dhespoti, imagjinoni çfarë mund t’u bëjë të tjerëve? Fola gjithashtu për faktin që drejtësia kishtare është lënë e pashkruar në statut që primati juaj grek, të bëjë me ju, si t’i dojë qejfi, e të kënaqë orekset e tij diktatoriale. Thua që kanë qenë miq me babain tuaj se bashkëpunonin krah për krah. Shumë mirë bënin, por babai juaj bashkëpunonte për hir të besimit të tij, dhe do bashkëpunonte me çdo kryepeshkop, si me eprorin e tij, në respekt të rolit të tij si prift, dhe as që do e imagjinonte kurrë, këtë denigrim publik që po ju ndodh sot ju. Çdo babai i dhemb në shpirt kur nëpërkëmbet fëmija i tij.
Por a do guxonte Janullatosi që nëse babai juaj do të ishte gjallë, t’ju akuzonte para tij, si hajdut pronash dhe si shkaktar të bllokimit të rrogave në KOASH? Dhe nëse do ta bënte, thua se yt atë, do mbante anën e tij, dhe miqësia e tyre do vazhdonte? Nuk e besoj, një baba, edhe fajtor ta ketë të birin e mbron me shpirt, e shumta do t’i thoshte, që për hatrin tim, mund t’ia kishe kursyer këto skena turpërimi, dhe Janullatosi, as për hatër të miqësisë që ju mbroni, nuk ju kurseu, por ju bëri rezil përpara gjithë kolegëve, dhe po ju detyron që tani t’i puthni dorën publikisht. Dhe kjo, jo për ta nderuar kujtimin e miqësisë së tyre, se Janullatosi nuk njeh miq, por sepse do ta njollosë figurën e tij, dhe ju këtë e dini fare mirë. Juve ju kanë detyruar t’i firmosni ato rreshta sepse ju kërcënohet mbijetesa, strehimi, punësimi dhe buka e gojës. Kjo është skemë e njohur.
Tani, sa për atë që thoni, se problemi juaj do të zgjidhet me urtësi, këtë e pamë, kur ju “groposën” të gjallë përpara të gjithëve, sa për atë tjetrën, që problemi juaj do të zgjidhet brenda kishës, ju sërish tradhtoni maninë e Janullatosit që shfaqet si hegjemon dhe shtetar, pasi është adhurues i pushtetit. Kush jeni ju apo Janullatosi që të shpallni hapur se akuzat për falsifikim dokumentesh zyrtare, për shitje abuzive pronash, për tejkalim kompetencash, apo për falsifikim firme, na u dashkan zgjidhur brenda kishës?
Ky argument “gjenial” që ua ka dhënë Janullatosi e implikon atë dhe ju në përgjegjësi të rënda penale, i nderuar uratë. Këto probleme tuajat, nëse janë konsumuar, përbëjnë krime të rënda penale, të parashikuara në kodin penal të Republikës së Shqipërisë, dhe ju me Janullatosin na dashkeni t’i zgjidhni brenda kishës? Pse çfarë jeni ju, shtet paralel apo Vatikani, që t’i zgjidhni këto nga brenda, këto zgjidhen vetëm duke iu nënshtruar ligjit shqiptar, që ka fuqi mbi ju dhe mbi Janullatosin që po konsumon kundravajtje të rënda penale në territorin e Shqipërisë. KOASH nuk është plaçkë e tij.
Ma lejoni një analogji pak të ashpër, do të ishte njësoj sikur ju t’ju akuzonin për vjedhje me thyerje, dhunë, trafiqe apo ndonjë abuzim a krim më të rëndë, dhe juve me Janullatosin t’i zgjidhnit këto brenda kishës si “probleme pune”, me “lutje dhe urtësi”,duke iu shmangur drejtësisë. Ky është kulmi, këshilltarët apo vetë Janullatosi që kanë formuluar përgënjeshtrimin tuaj qenkan totalisht të paaftë dhe haptazi shkelës të ligjit.
Unë akuzoj publikisht Janullatosin për pengim të drejtësisë, fshehje provash, dhe shmangie të kallëzimit penal kundër jush apo çdo përgjegjësi tjetër, që të mos mendoni fare se po ju mbroj, meqë ju kanë bërë shantazh ta thoni. Le ta zgjidhë drejtësia e shtetit, jo ajo cinike e Janullatosit me shokë, nëse ju e keni shitur pronën e kishës në qendër të Vlorës pa të drejtë, të dënoheni sipas ligjit, nëse jua kanë falsifikuar firmën, të dënohen falsifikatorët dhe ju të shpëtoni nga përndjekja. Pronat e kishës nuk janë personale, as tuajat as të Janullatosit që të na i zgjidhni “punët e brendshme” si t’ju vijë për mbarë. Ato janë mbledhur me gjak të besimtarëve shqiptarë që përbëjnë kishën ortodokse shqiptare, dhe janë të shenjta dhe mbrohen prej ligjit e të gjithëve ne, që do të denoncojmë cilindo për çdo abuzim në këtë drejtim. Në një kuptim më të gjerë, ato janë pronë e të gjithë shqiptarëve, si pasuri kombëtare dhe trashëgimi kulturore.
Ju nuk mund të silleni sikur KOASH-i na qenka shtet brenda shtetit, as sikur të jeni mbi ligjin, që na i zgjidhkeni problemet nga brenda, sipas mençurisë prej shenjtori të vetëshpallur të Janullatosit. Jo për gjë, po nga një anë, kërkoni prej shtetit t’jua kthejë pronat kishtare, dhe nga ana tjetër i nxirrni bojën njëri-tjetrit se nuk jeni të aftë të mbroni as ato prona që tashmë i keni, por jua marrin nga duart, siç i marrin bukën nga dora një fëmije. Me këto mënyra, ju po tregoni se nuk jeni akoma të pjekur të administroni thesaret e mëdha që përbëjnë pasuri shpirtërore kombëtare shqiptare, të cilat mund të rrezikojnë rëndë që të humbasin, nëse gjenden në duar të njerëzve të papërgjegjshëm.
Së fundmi, ju firmosni përgënjeshtrimin si famullitar i Skrofotinës, duhet ta dini se pezullimi pa afat që ju komunikoi para tërë botës Janullatosi, ju zhbën si famullitar, madje ai që thoni se jua nderoi babain duke e varrosur me dinjitet peshkopal, jua ka hequr tashmë të drejtën që të mos hidhni dot as një trisai mbi varrin e tij, pasi ju ndalohet pa afat, të kryeni çdo shërbesë fetare.
Koha kur fetë bënin ç‘të donin dhe i zgjidhin gjërat nga brenda, ka perënduar. Në të gjithë botën, kishat dhe kleri i nënshtrohen kritikës së ashpër të mediave, investigimit gazetaresk të skandaleve (edhe nga jokristianët), si dhe drejtësisë dhe ligjit sekular. Bën mirë që Anastas Janullatosi dhe çdo prelat arbitrar të mësohet me këtë gjë, siç po mësohen edhe kolegët tuaj matanë kufirit. Jetojmë në kohë të tjera…
LULZIM BASHA NË MESHËN E SË DIELËS NË KISHËN KATOLIKE “ZOJA E SHKODRËS” NË NJU JORK
Lulzim Basha dhe delegacioni që ai udhëhiqte gjatë vizitës në SHBA, të Dielën me 20 Mars 2016 morën pjesë në Meshën e së Dielës, Mesha e Së Dielës së Lartit. Ai shoqërohej nga zonja e Tij Aurela Basha, deputetët e Partisë Demokratike Eduard Selami, Jorida Tabaku, Gerti Strazimiri dhe ish ambasadori i shqipërisë në Londër Mal Berisha. Gjithashtu i pranishëm ishte Kryetari i Vatrës me zonjen e tij, dy nenkryetaret e Vatrës, Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, anëtarët e kryesisë Marjan Cubi, Dritan Mishto si dhe anëtarë të kishillit të Vatrës, dhe shumë vatranë.
Famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve dhe i ka prezantuar ata nga Elteri. Pjesmarrja e besimtarëve, ashtu sic ndodh në Meshën para Pashkëve, ishte shumë e madhe. Shumë prej besimtarëve e kanë ndjekë Meshën në Këmbë, edhe pse kjo është një nga Kishat më të mëdha dhe më modernet në Nju Jork,me kapacitet të madh, e ndnërtuar me kontributin e besimtarëve.
Famullitari dom Pjetër Popaj gjatë paraqitjes së mysafirëve ka komentuar dhe lajmin e gëzuar të shënjtërimit të Nënë Terezës me 4 Shtator, c’ka përbën një gëzim shumë të madh për mbarë Kombin Shqiptar. Duke prezantuar mysafirët dom Pjetër Popaj tha se kjo Kishë është vizituar nga personalitete të larta të botës shqiptare të cilët janë pritë e përcjellë më nderim.
Më pas dom Pjetri ka folë edhe për Kremtimin e së Dielës së Larit dhe Javën e Madhe të Pashkëve. Ai është ndihmuar në Meshën e së Dielës nga dom Viktori.
Pas Meshe dom Pjetër Popaj ka ftuar besimtarët që të shoqërojnë mysafirët në sallën e Qendrës Kulturore”Nënë Terza” për të biseduar së bashku.(Dielli)
NGA TAKIM I Z. LULZIM BASHA ME 20 MARS 2016 NE VATER
Ka zgjate rreth 3 ore takimi i Kryetarit te Partise Demokratike te Shqiperise ne Seline e Federates Panshqiptare te Amerikes”VATRA”. Kryetari i Vatres dr. Gjon Bucaj i ka uruar mireseardhjen mysafireve. Ka qene nje takim i ngrohte, i hapur, ku z. Basha percolli mesazhet e vizistes se Tij ne SHBA, vizionin e Partise qe ai drejton per nxjerrjen e Shqiperise nga udhekryqi ku e ka ka fute mazhoranca, per Reformen e Drejtesise dhe moskapjen e Drejtesise nga shteti, pastrimi i Parlamentit dhe struktuarave te Shtetit nga Krimi, per bashkepunimin me Diasporen ne pergjithesi dhe Vatren ne vecanti etj; por z. Basha edhe ka degjuar mesazhet, verejtjet e vatraneve, vecanerisht te asaj pjese qe perfaqeson ish te perndjekurit politike etj. Me hollesisht do te njiheni ne botimin ne Print te Gazetes DIELLI.
- « Previous Page
- 1
- …
- 27
- 28
- 29
- 30
- 31
- …
- 95
- Next Page »