• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

Kongresmeni Eliot Engel, nisi fushatën për mbledhjen e fondeve me shqiptarët

March 1, 2016 by dgreca

Kongresmeni Engel, flet me këtë rast edhe për lidhjet shumë të mira me shqiptarët dhe situatën në Kosovë – pas zgjedhjes së presidentit Thaci/

FISHKILL – NEW YORK: Herën e fundit që miku i shqiptarëve në Kongres, demokrati i Nju Jorkut, Eliot Engel, së bashku me dy djemtë, dhe anëtar të stafit të tij, ishte takuar me miqt dhe mbështetësit e tij, shqiptarë, ishte ajo në mbrëmjen e madhe të Superbollit, në restorantin Fiorino – të pronarit Zabit Bytyqi, në Nju Xhersi.Ndoshta, edhe për të treguar edhe ato lidhjet e mira të tij me shqiptarët e Amerikës, që vazhdojnë prej çerek shekulli, kur ai u lidh me komunitetin shqiptarë të Amerikës, nëpërmjet Kosovës.

Këtë herë, zoti Engel, është bërë pjesë e një takimi tjetër, po me shqiptarët e Amerikës, atë më 27 shkurt – në lokalin luksoz “Trattoria Locanda” në Main Street, qytetin Fishkill- New York. Atë të drekës se shtruar prej familjes Berisha,(dy vëllezërve Elmi dhe Nazmi, Ali dhe Xhaferr Berisha) nga Klina e Kosovës.

Në këtë drek mori pjesë edhe, Mayori Matt Alexander, kryetari i komunës së Wappingers Falls, një komunë e lokalitetit Dutchess County, në pjesën e sipërme të “malësisë” së New Yorkut.

Mikëpritësi, i kësaj dreke karakteristike, bujare shqiptare, Kryetari i Rrjetiti të Biznesve Shqiptare në Botë, për Amerikën e veriut, z. Elmi Berisha, kryetar i Vatrës për degën e saj Hudson Valley, i cili organizoi me këtë rast , edhe një fushat të vogël – për ngritjen e fondeve të kongresitit Eliot Engel, në fushatën e tij, për një termë tjetër në Kongresin amerikan, zgjedhjet e 4 Nëntorit 2016, duke, i uruar mirëseardhjen në këtë drek, kongresitit Eliot Engel, në emër të familjes Berisha,( vëllaut Nazmi, Ali dhe kushërinjëve, Ali dhe Xhaferr Berisha) tha se:

“Sot, ishte, me të vërtet një drekë e mrekullueshme në restorantin tonë familjare “Trattoria Locanda” në Fishkill, rrehtinat e New Yorkut. Me një kongresmen të SHBA-së, si Elliot Engel, mikun e madh të të gjithë shqiptarëve. Kjo, ishte një kënaqësi të presim mirë atë. Mbasi Engel është kongresisti, që ka bërë aq shumë për çështjen shqiptare. Andaj ne të gjithë shqiptarët, si për Engel, dhe miqve të dëshmuar të tjerë në Washington, e New York,(president, kongresmen, senator, dhe figura të tjera) i jemi gjithmonë, dhe për jetë, mirënjohës, atyre dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Berisha më pas tha se megjithëse, ne ende kemi një rrugë të gjatë për të bërë, por me vullnetin dhe përkushtimin tonë, nuk ka asgjë që mund të na ndalojë nga arritura në ëndrrën tonë dhe kjo është integrimi në Bashkimin Evropian me marrëdhënie të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha mikëpritësi i kësaj dreke Elmi Berisha.

Në këtë tubim morën pjesë edhe një grup vatranësh, nënkryetari i Vatrës, z Agim Rexhaj, anëtarët e kryesisë Sejdi Husenaj, Zabit Bytyqi, dhe Anton Raja, veprimtari disa vjeçar nga Ulqini, Sal HaxhiIbrahimi, si dhe familjar, miq dhe dashamirë të familjes Berisha, nga Klina në Kosovë.

Kurse, në, përshendetjen e tij, me këtë rast nën/kryetari i Vatrës, zoti Agim Rexhaj, e quajti Kongresmenin Engel, një ndër figurat më të mëdha të kongresit Amerikan, kuptohet se ishte fjala për ne shqiptarët.

“I cili, tha Rexhaj, e ka dëshmuar veten edhe në momentet më të vështira që ka kaluar Kosova, Shqipëria, dhe të gjithatrojet shqiptare. Kongresmenin, Engel, e kemi pasë gjithmonë pranë me guximin e tij, edhe at’here kur Kosova ishte në rrezik, e okupuar nga rregjimi serbo-sllav. Kosova, ishte në luftë me Sërbin. Qëndrimi i kongresmenit, Engel, puna e madhe që ka bërë ai në kongresin amerikan, është shëmbullore, dhe me të vërtet, për t’i qënë mirënjohës të gjithë shqiptarët, kudo që janë për punën e tij të jashtëzakonëshme.”

Engel, gjithmonë, u shpreh më tej zoti Rexhaj, ka qenë me ambicje të mëdha dhe me një përkushtim shumë herë me vizitat e tija, që ai i ka bërë si në Kosovë edhe në Shqipëri, edhe në viset e tjera ku jetojnë shqiptarët. Ai ka qenë së bashku me shqiptarët e Amerikës, me një kontribut të jashtëzakonëshëm, në demokratizmin e Shqipërisë, pra rrëzimin e komunizmit, lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për liritë e të drejtat e shqiptarëve, si në Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, dhe në Çamëri”

Më konkretisht, tha Rexhaj, po përmend vetëm një rast në kohën kur ish presidenti i vdekur, tashmë, diktatori Milosheviq, dha urdhërin për t’i ndalur hyrjen Kongresitit Engel të hynte në Kosovë, një vitë para çlirimit të Kosovës, dhe largimit të Serbisë nga Kosova.

Engel, i tha nëpërmjet medias nga Shkupi, në një konference shtypi, atje se “Unë, do të vijë një ditë e kam për të hyrë në Kosovë – por ti dhe Serbia sa të jetë – jeta, skeni për të hyrë më në Kosovë”

Veprimtarët e dalluar të komunitetit, Zabit Bytyqi dhe Sejdi Husenaj, që kan marrë pjesë në shumë fushata të tilla, mendojnë, se duke qenë me kongresmenin Engel, edhe ai është me ne. Është me çështjen tonë. Ai është një zë i fuqishëm dhe mik i madh i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dhe, ashtu siç kemi qëndruar afër këtij politikani, thanë Husenaj e Bytyqi, ne shqiptarët do të qëndrojmë edhe në të ardhmen dhe përkrahim e mbështetim, çështjen shqiptare, mbështesim çdo mik të treguar të shqiptarëve, në Capitol Hill e Washington, qoftë ky ndonjë kandidat për president, republikan apo demokrat, senator, kongresmen apo politikan i njohur”, thanë ata.

Ligjvënësi nga Nju Jorku, i cili prej kohe është një ndër mbështetësit më të fortë të Kosovës në Kongresin amerikan duke ju falemnderuar me këtë rast për pritjen bujare për të marrë pjesë në këtë drekë, tha se “ Jamë me të vërtet i lumtur dhe krenar me ju miqët e mijë shqiptar. Ju me të cilët, së bashku me mikun tim Harry Bajraktari, u bëtë shkas rreth 25-vjet, më parë që unë të lidhem me shqiptarët, me Kosovën dhe çështjen shqiptare, kudo.”

Ai kujtojë më pasë gjatë fjalës së tij se një ditë përpara seancës në parlament për zgjedhjen e presidentit të ri, i kishte bër thirrje politikanëve në Kosovë të heqin dorë nga dhuna, edhe nëpërmejt një artikulli në gazetën Huffgtonpost, por edhe në një intervistë me Zërin e Amerikës.

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, tha se ai absolutisht, nuk mendonte se mbante anën në komentet e tija mes palëve, dhe se kjo ishte arsyeja që ai u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve të Kosovës, të arrijnë të kuptojnë se asnjë individ i veçantë, nuk është më i rëndësishëm se vendi i tyre Kosova.

Andaj ai i bën thirrje politikanëve në Kosovë të heqin dorë nga dhuna. Mbasi sipas tij, përdorimi i dhunës e bën më të vështirë për Shtetet e Bashkuara që ta mbështesin shtetin e ri për t’u anëtarësuar në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, tha ligjëvënsi demokrat i Nju Jorkut, Eliot Engel.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Elmi Berisha, Engel. nis fushaten, mbledhje fondesh

KOSOVE-OKB- Tahiri: Ban Ki-moon injoron drejtësinë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë

March 1, 2016 by dgreca

Prishtinë, 1 mars 2016/

Ministrja për Dialog dhe njëherësh Kryetare e Bordit për peticionin ka deklaruar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon injoron drejtësinë për gratë e Kosovës të dhunuara nga forcat serbe gjatë periudhës luftës 1998-1999. Ministrja Tahiri ka bërë me dije se letra e dërguar te Ban Ki-moon në shtator të vitit 2015 në të cilin kërkohej takim me të me qëllim të diskutimit të çështjes së dhunimit të grave gjatë luftës në Kosovë dhe për dorëzimin e peticionit të qytetarëve të Kosovës për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për këtë çështje ka hasur në një mospërfillje të padrejtë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon. Tani shtatë muaj nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tij theksoi Tahiri.

Ajo mëtej shtoi se në vitin 2014 ishte takuar në NewYork me përfaqësuesen speciale të OKB për çështjen e dhunimit të grave gjatë konflikteve znj. ZainabHawaBangura me të cilën kishte biseduar këto çështje, ndërsa menjëherë pas përfundimit të nënshkrimit të peticionit nga qytetarët e Kosovës i kishte shkruar asaj një letër me kërkesë për takim me Sekretarin e PërgjithshëmBan Ki-moon për dorëzim të peticionit. Mirëpo, znj. Bangura në përgjigjen e saj të vonuar kishte propozuar që peticioni t’i dorëzohet UNMIK-ut. Duke qenë se UNMIK nuk është kompetent për këtë çështje dhe duke marrë parasysh se peticioni i është adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Ban Ki-moon, ne iu drejtuam me letër atij dhe deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.

Dëshiroj të theksoj se OKB dhe vet z. Ban Ki- moon vazhdimisht theksojnë nevojën urgjente për drejtësi ndaj grave të dhunuara gjatë luftërave dhe janë miratuar një varg rezolutash për këtë çështje, mirëpo ky përkushtim nuk po zbatohet praktikisht.

Ministrja Tahiri ka potencuar se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon raporton katër herë në vit mbi gjendjen në Kosovë pranë Këshillit të Sigurimit dhe përderisa në këto raporte adresohen gati të gjitha çështjet e rëndësishme të paqendërtimit në Kosovë, ai vazhdimisht ka injoruar çështjen e drejtësisë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, rasti i fundit ishte dje kur në NewYork u mbajt seanca e radhës e KS të OKB mbi situatën në Kosovë.

Tahiri paralajmëroi intensifikimin e hapave për të sensibilizuar bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me padrejtësinë që OKB po e bënë ndaj të mbijetuarave të dhunimit gjatë luftës në Kosovë duke injoruar drejtësinë për to dhe duke lënë kriminelët nga radhët e forcave serbe të pandëshkuar.

Në vijim gjeni letrën e ministres dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon në gjuhën shqipe si dhe origjinalin në gjuhën angleze.

Letra e ministres, Edita Tahiri, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon

 Të nderuarit Z.Ban Ki-moon

Sekretar i Përgjithshëm, Kombet e Bashkuara

Selia Qendrore e OKB, NewYork

NY 10017, USA

Prishtinë, 21 shtator 2015

I nderuar Sekretar i Përgjithshëm Ban Ki-moon,

 Proceset rindërtuese pas periudhës së konfliktit në Kosovë kanë nxjerr në pah se rreth mbi 20000 gra janë përdhunuar dhe abuzuar nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, tragjedia e dhunimit si krim lufte në Kosovë nuk është adresuar nga asnjë mekanizëm ndërkombëtar i drejtësisë.

Rezoluta 2106 (2013) e Këshillit të Sigurimit e OKB definon qartë se “dhuna seksuale mund të përbëjë krim kundër njerëzimit apo është një akt i gjenocidit” si dhe “përdhunimi dhe format e tjera të dhunës së rëndë seksuale gjatë konflikteve të armatosura janë krime lufte.” Rezoluta 2106 njeh faktin se një hetim dhe dokumentim efektiv i dhunës seksuale gjatë konflikteve të armatosura është i rëndësishëm përsjelljen e autorëve para drejtësisë dhe siguron qasje në drejtësi për të mbijetuarit. Ndërsa raportet vjetore të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve, duke përfshirë edhe Raportin e vitit aktual S/2015/203 të datës 23 mars 2015, ofron një dokumentim të vlefshëm mbi këto fenomene në shumë konflikte në mbarë botën, në këto raporte nuk përfshihet rasti i Kosovës.

Ne, gratë në Kosovë kemi vendosur të flasim. Ne kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e Kosovës të përdhunuara gjatë konfliktit të viteve 1998-1999. Prandaj, me mirësi kërkojmë një takim me ju për të diskutuar këtë çështje, në përputhje me Rezolutën 2106 e KS të OKB (2013) dhe duke pasur parasysh se Kombet e Bashkuara mbështesin plotësisht parimin e sigurimit të shërbimeve për të mbijetuarit dhe dhënien fund të mosndëshkimit. Besojmë se një hap i parë në këtë përpjekje është një raport i besueshëm i bazuar në dhe prova, për të cilin kërkohet angazhimi të dyja palëve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe autoriteteve të Kosovës.

Dështimi për të kërkuar drejtësi për krimet e dhunës seksuale minon pajtimin, thellon vuajtjet, dhe ushqen riciklimin e konfliktit. Tani ka ardhur koha për drejtësi ndërkombëtare për gratë e Kosovës të dhunuara gjatë luftës 1998- 1999. E drejta ndërkombëtare humanitare, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj gruas (CEDAW) dhe Rezolutat e OKB mbi këtë çështje, bëjnë thirrje të qartë se çështjet e dhunës seksuale në konflikte nuk duhet të mbesin edhe më tej të injoruara dhe të pandëshkuara.

Legjitimiteti i kërkesës së lartpërmendur rrjedh nga peticionit që është mbështetur/nënshkruar nga më shumë se 100000 qytetarë të Kosovës. Ne, Bordi i Drejtues i Grave të Kosovës për Peticionin, duke pasur parasysh se Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, kemi zgjedhur të përdorim instrumentin demokratik të peticionit me qëllim që thirrja e tyre për drejtësi të dëgjohet nga ju.

Prandaj për këtë qëllim më herët kam komunikuar me Znj. ZainabHawaBangura, Përfaqësuese Speciale e Sekretarit Gjeneral të OKB mbi Dhunën Seksuale në Konflikte, e cila sugjeroi se kërkesa jonë dhe peticion të dorëzohet tek UNMIK. Përderisa ne do të kërkojmë që këtë letër UNMIK-u t`ua dorëzoj juve, ju bëjmë me dije se Peticioni i qytetarëve të Kosovës u është adresuar Juve, andaj presim mbështetjen tuaj si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Përveç kësaj, zëvendëskryeministrinjëherësh Ministër i Jashtëm i Kosovës, z. Hashim Thaçi, në fjalimin e tij të mbajtur në takimin e KS të OKB të datës 21 gusht të këtij viti, u bëri thirrje anëtarëve të KS të OKB për të mbështetur peticionin e qytetarëve të Kosovës që kërkojnë drejtësi ndërkombëtare për gratë e Kosovës të përdhunuara gjatë luftës.

Përndryshe, personalisht shumë shpresoj se ju si një i diplomuar në Universitetin e Harvardit,KennedySchoolofGovernment, në vendimin tuaj për t`u takuar me ne, do të integroni filozofinë dhe vlerat e shkollës sonë të përbashkët, shkollë kjo ku edhe unë kam studiuar dhe diplomuar në vitin 2002.

Sinqerisht shpresoj se do të marrë përgjigje pozitive nga ju.

Ju lutem pranoni konsideratat e mia më të larta për lidershipin tuaj shumëvjeçar në këtë mision të OKB-së.

Sinqerisht,

Edita Tahiri

Kryetare

Bordi i Drejtues i Grave të Kosovës për Peticion (BDGKP)

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Edita Tahiri, leter Ban Ki-Moon, ne Kosove, per grate e dhunuara

“LARG & AFËR”, ME GAZETARIN DHE POETIN JAHO MARGJEKA…

March 1, 2016 by dgreca

Nga Murat Gecaj/

Për lexuesit e këtyre pak radhëve po tregoj se, me publicistin dhe poetin e njohur Jaho Margjeka, na lidhin shumë “fije”. Së pari, kemi lindur të dy në Bujan të Malësisë së Gjakovës, fshat i bukur e me tradita të lashta atdhetare, kulturore, arsimore etj. Po kështu, rasti e kishte sjellë që  të isha bashkëpunëtor me Radio-Tiranën, që në vitet e  para të punës në shtyp, pra më 1963, kur nisa  të shërbeja në gazetën e kohës “Pionieri”.

Vitet rodhën e, pothuajse, asnjëherë nuk u shkëputa me ndihmesën time modeste, në këtë institucion kaq të rëndësishëm. Ndërsa i shpeshtova lidhjet e mia me Radio-Tiranën, kur aty Jaho u caktua gazetar dhe më pas shef  departamenti. Po kështu, bashkëpunova në mjaft emisione, sidomos për arsimin. me moderatoren dhe gazetaren e njohur, Kozeta Hoxha. Sigurisht, gjatë këtyre viteve gjeta e njoha disa kolegë e miq të tjerë të mirë, duke u bërë kështu aty “si i shtëpisë”.

Pa u zgjatur, shënoj se kohët e fundit sikur i kisha rralluar vizitat në Radio-Tirana. Kjo erdhi për arsye të mijat vetjake. Megjithatë, përherë kam qenë i pranishëm, si me bisedat tona në celular ose me shkëmbim mesazhesh në Internet, por dhe  me ndjekjen e emisioneve të transmetuara, si nga Jaho e Kozeta dhe miq të tjerë. Kështu,  më kanë pëlqyer emisionet e transmetuara nga Jaho në hapësirën radiofonike“Larg&Afër”,që u kushtohet kryesisht bashkatdhetarëve tanë emigrantë në diasporë. Ja, po sjell ndërmend këtu emisionet në studio ose drejtpërdrajt nga vendbanimet e tyre, me arsimtarin, publicistin dhe shkrimtarin e mirënjohur, në Boras të Suedisë, Sokol Demaku. Ndër të tjera, ai drejton atje Radon lokale në gjuhën shqipe, “Dituria”. Emisione të tillë, kohëve të fundit, kanë qenë ato me Sotir Shukën nga Bostoni e Artan Kutren nga Parisi, me publicistin Engjëll Ndocaj,gazetarin Asllan Bajrami e historianin Beqir Meta, me Selim Musajn,Ndue Lazrin e Tonin Nikollin nga Italia, me Edmond Gurin e Miho Gjinin nga Greqia,Dalip Grecën e Raimonda Moisiun nga SH.B.A. etj.

Si për të më treguar që edhe unë isha për Jahon “afër e larg”(ha,ha), ai më ftoi për një kafe në lokalin pranë Radio-Tiranës. Në shoqërinë edhe të Kozetës e kolegëve të tjerë, përveç programeve të Radios, ne biseduam për tema të ndryshme, sidomos rreth krijimtarisë publicistike e letrare, për jetën tonë familjare etj. Me Jahon folëm që mund të përgatiten emisione edhe për disa shoqata  shqiptare e figura të njohura në diasporë, si në Amerikë, Angli, Gjermani etj. Sigurisht, u ndjeva përsëri mjaft mirë, ndërmjet këtyre kolegëve dhe i falënderova për ftesën e tyre dashamirëse.

Jaho, nga fundi i bisedës, më tregoi se Emisioni “Larg& Afër”, më 28 shkurt 2016, ishte “bërë” njëvjeçar. Mes shakave e ndonjë batute miqësore, ne e uruam atë  për 1-vjetorin e emisionit të tij në Radio-Tirana. Prandaj dhe ishte e përligjur që ai të na qeraste, me këtë rast.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, dëshiroj të them se miku im, Jaho Margjeka, është edhe letrar i talentuar. Përveç redaktimeve të shumë librave të autorëve të ndryshëm, sidomos atyre të rinj, ai vetë ka publikuar tre libra me poezi,”Lojë në Pasqyrë”, “Ëndrra midis”, “Edhe  pak qiell për dashuri” dhe librin me tregime “Letra nga planeti i borës”. Sigurisht, ai ka edhe krijime të tjera në dorëshkrim, të cilat shpresojmë që do t’i botojë në të ardhmen.

…U ndava me Jahon, por dhe Kozetën e kolegët e tyre, në ditën e fundit të muajit shkurt,  me dëshirën për t’u takuar përsëri, jo vetëm në lokal për kafe, por dhe në studiot e Radio-Tiranës, për të biseduar për çështje të arsimit e kulturës, krijimtarisë letrare e artistike etj.

Deri atëherë, po përshëndes, sipas traditës së krahinës sonë: “Tungjatëjeta, Jaho Margjeka!”

Tiranë, 29  shkurt 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “LARG & AFËR”, JAHO MARGJEKA, ME GAZETARIN DHE POETIN, Murat Gecaj

Disa të vërteta për lepurushin Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa

March 1, 2016 by dgreca

Opinion nga Arben LLALLA*/

Idajet Beqiri i njohur në trojet shqiptare përtej kufirit të shtetit amë si mashtruesi Alban Vjosa po na bënë moral patriotik duke sulmuar me të gjithë arsenalin e tij prej gënjeshtari deputetët e PDIU, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizin, rreth projekti të ligjit që këta dy deputet propozuan për heqjen e dekoratave të dhënë në kohën e komunizmit jo për meritë heroike por për servilizmin ndaj diktaturës. Sulmi mediatik i Idajet Beqirit nuk është i rastësishëm, por i porositur në këtë periudhë delikat ku të gjitha mediat në Greqi me në krye klerikët e lartë grek, po sulmojnë zgjidhjen paqësore të çështjes çame, PDIU dhe në veçanti Shpëtim Idrizin.

Avokat Idajet Beqiri sulmon pa doganë, pa frerë dy deputetët çam të PDIU, jo se i dhimbset çështja e dekoratave të dhëna gjatë diktaturës komuniste, por atij ashtu ja do puna, e ka detyrë shtëpie që të kujdeset për projektet greke antishqiptare.

Idajet Beqiri për ata që nuk e njohin mirë është një mashtrues ordiner i cili në emër të çështjes të bashkimit kombëtar ka përfituar mijëra marka, dollarë dhe euro. Sipas disa miqve tanë të përbashkët avokat Beqiri në fillim të viteve 1990 kishte miqësi me kolonel Gadafin e Libisë.

Idajet Beqiri bënte lobim në ato vite të lulëzimit të mashtrimeve në Shqipëri për të dërguar punëtor në Libi nga Shqipëria kundrejt një pagese të majme që duhet të paguanin në fillim ata që dëshironin të punonin në Libi.

Bëmat e mashtrimit të Idajet Avokatit i njohur si komandant Alban Vjosa nuk mbarojnë me dërgimin e shqiptarëve tek prehri i kolonel Gadafit, por pasi mbaroj lufta e 2001 në Maqedoni, ai filloj propagandën për një luftë të madhe se do bashkonte të gjitha trojet shqiptare.

Në vitin 2002, Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa filloj propagandën për të mbledhur të holla nëpër botë se gjoja qenka komandanti i përgjithshëm i ushtrisë Armata Kombëtare-Shqiptare-AKSH. Në vitet 2001-2004 propagandonte në faqen e internetit të tij se gjoja janë gati rreth 50 mijë ushtarë të AKSH. Atë periudhë kishte djem e vajza naive që e mbështetën ekonomikisht Idajet Beqirin edhe një bashkëpunëtorin e tij.

Më kujtohet një djalë nga Drenica T.V që jetonte në Kanada i cili vrapoj deri në Gjermani për të takuar Idajet Beqirin dhe i dha një shumë të konsiderueshme dollarësh për Bashkimin Kombëtar që propagandonte Idajet Avokati. T.V me emocione kombëtare financoi dhe mbanti disa faqe interneti që kontrolloheshin nga Idajet Beqiri ato vite.

Në vitin 2003, Idajet Beqiri i njohur si Alban Vjosa jepte interviste nëpër mediet botërore për luftën e madhe të shqiptarëve për bashkimin kombëtare. Në vitet kur jetoja në Selanik vjen tek unë në emër të Idajet Beqirit një gazetare e njohur e revistës gjermane Renate Flottau e cila punonte për DER SPIEGEL, për tu njohur rreth çështjes së shqiptarëve të Greqisë. Ishte Korrik 2003, dhe unë kisha disa vite që merresha me studimet dhe kërkimet rreth shqiptarëve të Greqisë të njohur si arvanitas e allvanos.

Gazetarja e DER SPIEGEL, Renate Flottau e kishte adresuar tek unë Idajet Beqiri sepse kisha disa vite që botoja në mediat e huaja dhe shqipe shkrime rreth arvanitasve, por kisha qenë dhe kryetar i “Forumit të Emigrantëve Shqiptar në Greqinë e Veriut,, dhe sekretar i përgjithshëm i shoqatës “Shqiptarët e Selanikut,,. Pra, isha person që e njihja mirë çështjen e shqiptarëve në Greqi dhe politikat greko-shqiptare.

Takimi me gazetaren Flottau u bë në hotel Makedonia në Selanik, unë nuk e njihja gjuhën gjermane dhe anglishte, kështu mora si përkthyese një gazetare tjetër shqiptare e cila punonte për mediat e Tiranës në Selanik. Pas një bisede të gjatë prej 4 orësh me Renate Flottau rreth arvanitasve, allvanosëve dhe Çamërisë e shoqërova të nesërmen gazetaren në fjalë për në fshatrat e Follorinës dhe Kosturit ku ende ka banorë që flasin gjuhën shqipe dhe deklarohen se janë shqiptar. Pas takimit me gazetaren e adresuar tek unë nga Idajet Beqiri sigurimi grek mori në pyetje rreth AKSH mua, U.GJ, dhe një shokun e fëmijërisë nga Patosi të Idajet Beqirit, B.M.

Lepurushi Idajet Beqiri na kishte paraqitur tek revista DER SPIEGEL si komandantë të AKSH dhe ne kishim një ushtri me rreth 90 mijë veta. Këto nuk janë përralla sepse në numrin e 46 të 10 nëntorit 2003 revista DER SPIEGEL botonte një artikull të autores Renate Flottau sikur ne kishim dhënë intervista si përfaqësues të AKSH. Por në të vërtetë ne kishim folur për emigrantët shqiptar në Greqi, për arvanitasit dhe Çamërisë. Pas botimit të shkrimit tek revista DER SPIEGEL për ushtrinë fantazme të AKS-s të Idajet Bebirit, prej atëherë unë, U.GJ. dhe B.M., ndiqemi nga sigurimi serb dhe grek. Atë periudhë lajmëruam përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare në Greqi se si është e vërteta, por Idajeti Beqiri i njohur si komandant Alban Vjosa na e kishte ngulur pa dhimbje thellë e më thellë. Shteti shqiptar më tej mësoj se kjo gazetarja e DER

SPIEGEL ishte serbe me shtetësi gjermane dhe mike e ngushtë e Millosheviçit. Gjatë ditëve që Ibrahim Rugova ka qenë peng i Millosheviçit në Beograd ka qenë pranë tij edhe gazetarja Flottau. Prandaj i themi Idajet Beqirit që ti lerë anash ndjenjat e tij patriotike me bateri sepse e njohim mirë kush është, të ndal përbaltjen e figurave të njohura të cilët punojnë për çështjen çame, paqen dhe të drejtat e njeriut. I rikujtojmë opinionit se Idajet Beqiri ka bërë edhe disa muaj burg për bëmat e tij “kombëtare”.

Në përfundim lepurushin Beqiri e këshilloj që këtë shkrim me dorën e tij le ta çojë në gjykatë për të përfituar ndonjë dëmshpërblim, por nga unë do marri vetëm opingën sepse pasuri materiale nuk kam, ndërsa pasurinë kombëtare ia kam lënë trashëgim djalit, atë s’mund të ma marri Idajet Beqiri dhe as ata që të qëndroj pas tij dhe i japin ndonjë honorar për të përbaltur figurat tona kombëtare.

Vërej: Për të vërtetuar ato që kam shkruar lexoni revistën DER SPIEGEL, shkrim mashtrues të Renate Flottau i porositur nga Idajet Beqiri dhe keqdashësit e shqiptarëve, botuar në 10.11.2003, numri 46 i kësaj reviste.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Disa të vërteta për lepurushin Idajet Beqiri, i njohur, si Alban Vjosa

Kosovë-Shqipëri, bashkëpunim i shkëlqyer në infrastrukturën e energjisë

March 1, 2016 by dgreca

Ne Foto: Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie duek diskutuar në Forum/

-Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, alternativa më e lirë dhe e sigurt/

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë/

-Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie: Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Mars 2016/ Me Shqipërinë ne kemi zhvilluar një bashkëpunim të shkëlqyer sa i përket edhe infrastrukturës së energjisë elektrike, tha sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Mbesim edhe më tutje të përkushtuar që ne të bëjmë këmbime të energjisë elektrike me Shqipërinë nga burime të ndryshme të energjisë, dhe konsiderojmë se ky do të ishte një rezultat edhe një punë shumë e efektshme për neve në të ardhshmen, mirëpo kjo mbetet  çështje e vullnetit të të dy palëve. Sa i përket rezultateve të deritanishme, unë besoj se të gjitha këto ne do t’i realizojmë në një periudhë optimale kohore”, u shpreh Mustafa.Kryeministri Kosovar foli në Forumin e Nivelit të Lartë me temë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e drejtuar nga Blerand Stavileci, dhe mbështetur nga USAID-i.Në hapje të këtij forumi morën pjesë përfaqësuesit institucionalë të Republikës së Kosovës, Shqipërisë dhe të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të industrisë, organizatave joqeveritare, akademisë, biznesit dhe mediave.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie theksoi rëndësinë e sektorit të energjisë për rritjen ekonomike. “Një nga objektivat kryesore të asistencës amerikane përmes USAID është rritja ekonomike dhe asnjë sektor nuk është më jetësor për këtë rritje se sektori i energjisë”, theksoi ai.Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë, tha se ky institucion do të vazhdojë të mbetet partner i rëndësishëm i  Kosovës në zhvillimin e sektorit të energjisë.Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë u pajtuan se prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë mbështetet në thëngjill dhe bazuar në politikat e saj monetare dhe fiskale nuk ka mundësi që në periudhë afatmesme të rritet esencialisht gjenerimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme.Sipas organizatorëve, viti 2016 do të sjell një numër sfidash dhe mundësishë, jo vetëm për sektorin e energjisë, por për sektorin e biznesit në përgjithësi dhe mundësi për rritje të ekonomisë në përgjithësi. “Mirëpo, për të arritur sigurinë e energjisë, Kosova do të ketë nevojë për mbështetje aktive nga partnerët e vetë ndërkombëtarë”, u vlerësua në Forum.Pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundime të Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.Në dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projekti “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autrstradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues. Në pjesën e Shqipërisë punimet përfundojnë këtë vit dhe bëhet inaugurimi i plotë.Që para fillimit të punimeve, në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një  linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5  km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bashkepunim, Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, në infrastrukturën e energjisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT