• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Skandaloze: Azem Syla ndodhet në Kosovë, dhe nuk po arrestohet!

April 29, 2016 by dgreca

Gazeta shqiptari.eu ka siguruar informacionin ekskluziv se ku ndodhet Azem Syla.Burime të afrata me të arratisurin nga drejtësia, deputetin Azem Syla, përgënjeshtrojnë pohimet e djeshme në media, se ai mund të ketë arritur në Zvicër apo edhe në ndonjë shtet tjetër, dezinformatë që e mbështeste edhe avokati i tij, sipas detyrës (?), Tomë Gashi.

Por, Azemi ndodhet në Kosovë që nga dje të paktën, dhe nuk po e mendon arrestimin. “Azemi është këndej pari, në Kosovë, dhe as që ka ndërmend ti nënshtrohet arrestit, si komandant i UÇK-së që ishte”, thotë ky burim.

Ai tashmë gënjeu nëpërmjet mediave që i kontrollon se do të kthehet së shpejti në Kosovë, se madje sot do të vijë për tu dorëzuar, ndërsa që të paktën që nga dje ai ndodhet në Kosovë.

Por, ne treguam edhe dje se ai nuk e ka ndërmend të dorëzohet pa shterimin e resurseve të tij, nga Shqipëria në Serbi!

Azem Syla ka zgjedhur të rezistojë në mënyrën e tij, sikurse dikur sillej me kundërshtarët e Rugovës dhe LDK-së, duke mos i njohur institucionet e Republikës, nuk po i njeh as këto të tashmet, për të cilat donte të mburrej si hero dhe ndërtues i saj, dhe madje të cilës ia kushtoi edhe nj doktoratë të rrejshme.

Azem Syla, nuk po e shfrytëzon ndonjë favor moral si ish-komandant shtabi të UÇK-së, të cilin e konteston si pozitë krahu tjetër i LPK-së nga Gjermani, dhe gjithnjë Ibrahim Kelmendi, si kreu i tij.

Pëkundrazi Syla po përdor mjetet e tij të dhunës, të cilat ia kishin mësuar mirë, Xhavit Haliti, Kadri Veseli e Hashim Thaçi, dhe tash ai po e ushtron presionin kryesor ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçit nëpërmjet njerëzve të tij, që ta bëjë shtetin të heqë dorë nga arrestimi, dhe kjo të mbyllet si shumë skandale tjera policore, dhe ky si një kryespektakël me 350 policë, prame prokuror, gjykatës hetues, njësi speciale të dështuara, që marshojnë drejt një njeriu të dyshuar për krime të shumëfishta, dhe gënjehen për vendndodhjen.

Azem Syla duke e ditur se po të arrestohet për të shkuar drejt Hagës, ku do të ndëshkohet nga specialja, e ka vënë në lojë të gjithë arsenalin e tij!

Ai po e shantazhon presidentin Thaçi me publikimin e dosjeve të tij të padëgjuara nga opinioni, pasi sipas llogarive të Syles, ai vetë është më pak i implikuar në krime, se sa klika e Thaçit, Xhavitit dhe Kadrisë, madje ai e sheh rolin e tij, si të një punëmarrësi nga ata, thonë burimet e afërta me Sylën.

Azem Syla ka kërcënuar se nga Haga, kur të fillojë Gjykata speciale me proceset gjyqësore, do ta gjunjëzojë Thaçin, dhe se “fundi i tij do të jetë 100 herë më i zi se i imi (Sylës)!”

Azem Syla tashmë po kërcënon se ai do të kthehet në një superbllac, pasi beson se Nazim Bllaca, ishte një krijesë e Thaçit, apo i mbështetur nga ai për ta rrënuar Sylën me klanin e tij, dhe të tjerët në PDK që flirtonin me të.

Nëse Syla nuk arrestohet është e sigurt se liberalizimi i vizave kaq shumë i trumbetuar nuk do të ndodhë shpejt (veç nëse ndodh sa Syla të jetë në arrati), dhe ky do të jetë një dështim i Qeverisë Mustafa, dhe se kryeministri po tregohet se është në tërësi jashtë loje.

Isa Mustafa në të vërtetë as që donte të ishte i përfshirë në operacionin e arrestimit, vetëm nga frika, por meritat synonte ti merrte, veçmas nëpërmjet disa burizanëve, që do të trumbetonin, se ja Isa ua futi kundërshtarëve më të mëdhenj të Rugovës dhe rugovistëve, çfarë doni, tjetër, ndërsa ky se ‘nxjerr macen pi përsheshit’.

Mos arrestimi i Azem Sylës tregon lëkundshmërinë e Hashim Thaçit, dhe frikën që ia ka futur Syla, në lidhje me specialen, dhe duket se edhe Thaçi do të gënjejë sërish në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe vënien e rendit dhe ligjit. SHQIPTARI.EU

Filed Under: Komente Tagged With: Azem Syla, Gazeta shqiptari.eu, ne Kosove, nuk arretsohet

“DAJA” YNË, QË LEJUAM TË NA QEVERISË

April 29, 2016 by dgreca

Nga Enver Robelli/

I.
Në frazeologjinë e gjuhës shqipe daja luan rol të rëndësishëm. Daja është i paprekshëm, i pasur, i armatosur, nganjëherë madje edhe i «bardhë si pëllumbi». Studiuesi i gjuhës shqipe nga Londra Agim Morina solli sot disa margaritarë nga urtia popullore shqiptare, për çka si lexues duhet t’i jemi shumë mirënjohës. Ndërsa kujtojmë me mllef dhe jo pa humor Dajën e Zi të Kosovës, Azem Sylën, ia vlen një shëtitje nëpër frazeologjinë e gjuhës shqipe: «Bëri selam dajës!» – s’ka gjë prej kësaj pune. «Dajës i lulon bahçja në dimër» – atij i vijnë të mirat edhe kur s’i pret fare, atij i shkojnë punët mirë e mbarë gjithmonë (sinonim «i bën gjeli ve», «atij i pjell edhe viçi», «atij i këndon gjeli në samar») (Nga Mehmet Gjevori, Fjalor frazeologjizmash, 1988). «N’e paç zotin dajë, maj uzdajë; mos e paç zotin dajë, ik e çaj» (fjalë e urtë nga Kosova). «Daja për nipin asht pushkë për sy» (Lurë, Dibër). «Kush a ma i bardhë se pllumbi? Nipi te daja» (Shkodër). «Keq ke halla, keq ke daja» (Kavajë).

II.
Në prill të vitit 1999 forcat serbe kanë vrarë qindra shqiptarë, kanë dhunuar shumë gra, kanë masakruar fëmijë, kanë djegur mijëra shtëpi. Kush e ka menduar se në prill të vitit 2016 do të bëhen bashkë – shikistë, pdkëistë, lugovistë, ldkëistë dhe sllobistë për ta shqyer këtë vend si ujku kur i bie kopesë! Sot, përndryshe, është dita kombëtare e personave të pagjetur. Rastësi apo jo: kjo ditë e vërteton sërish një fakt: se e vetmja parti që është konsekuente kundër këtij sistemi të kalbur e të korruptuar deri në palcë mbetet Lëvizja Vetëvendosje! Natyrisht nuk është parti për ata që lodhen pasi vrapojnë 100 metra dhe çdo mëngjes kanë qejf të bëjnë dush me ujë të nxehtë! Beteja për Kosovën tjetër kërkon konsistencë! Nëse flasim si në Mallakastër apo Skrapar: shoqëria e Kosovës duhet të ndahet në qëndresëtarë dhe lapërdharë! Betejën do ta fitojnë ata që qëndrojnë!

III.
Ku është Azem Syla? Kjo është pyetje e parëndësishme. Pyetja e vërtetë është kjo: ku ishim ne qe 17 vjet që lejuam ta mbajë pushtetin kjo kastë aq e tmerrshme dhe aq grabitqare? Kjo kastë që herë mashtron Zvicrën, herë Brukselin, e më së shumti shoqërinë e Kosovës. Kjo kastë që lirinë e keqpërdor pa hesap, që vulgarizon jetën publike, njollos kulturën, grabit resurset kryesore ekonomike. Kjo kastë që kandidon për deputetë figura që janë kandidatë për burg, kjo kastë që vlerën e Kosovës e kufizon në gurthyes, tenderë, vreshta, fabrika të privatizuara me mesazhe kërcënuese telefonike. Ku ishim ne që nga 12 qershori 1999? Kjo pyetje, natyrisht, nuk vlen për të gjithë. Pse ishim kaq pak që i dolëm përballë së keqes? Dhe pse shumica hesht, nënshtrohet, frikësohet, dridhet – kur ky popull nuk dridhej as para makinerisë vrastare serbe? Ku ishim ne kur këta, siç shkruante Ardian Klosi për sivëllezërit e tyre në Tiranë, ia hedhin kujto, të gjithëve «ua hedhin», ligjit ia hedhin, kulturës dhe punës, me shtetin tallen se shteti janë vetë. Shiko, vazhdonte Klosi, si fshijnë ngjyrat, shiko si ndërrojnë vulat, s’lënë send pa ia hedhur, ia futur dhe dredhur, ia hedhin Shqipërisë, fëmijëve të tyre, ia hedhin dhe hidhen, përcëllohen, përhidhen. «Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët». Këtë klithmë do e përsëriste sot jo vetëm Ardian Klosi që tragjikisht iku pa thënë lamtumirë, sepse atë e kishte vrarë Shqipëria e keqe, siç po i vret pandërprerë mijëra shqiptarë të Kosovës – Kosova e keqe, Kosova e Dajës së Zi.

IV.
Në zgjedhjet e fundit Azem Syla ishte kandidat i PDK-së, madje lart në listë – në vendin e 11-të. Në zgjedhjet e mëhershme mbante vende edhe më prominente. Të ketë bërë vaki kjo pa dijen e udhëheqësve të partisë? Sot mund të lexonim se si aksionin policor kundër mbi 50 të dyshuarve për krime të llojllojshme e përshëndeti edhe ish-kryetari i PDK-së, tani në post të ri. A ka ironi më të madhe, a ka tallje më të madhe me qytetarët kur sundimin e ligjit e përkrah ish-kryetari i PDK-së, bash ai që e ka bërë deputet Azem Sylën dhe shumë azema e syla të tjerë? Ndërkohë kryeministri nga Brukseli dërgoi këtë haber: «Sapo përfundova takimin sot në Bruksel me presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Rruga europiane e Kosovës është rrugë e vlerave tona të përbashkëta. Këto vlera respektohen nga institucionet më të larta të BE-së. Europa është shtëpia e qytetarëve tanë». Me cilat vlera mund të krenohej sot Isa Mustafa në Bruksel? Me vlerat e bashkëpartiakut të tij Sabedin Haxhiu, i cili ka qenë drejtor në kadastër edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore dhe i cili u arrestua sot? Vërtet, a i respekton BE këto vlera sabediniane dhe haxhiane? Apo Brukseli kërkon vlera të tjera, të cilat Isa Mustafa, duhet pranuar, nuk i paskësh përfaqësuar kurrë. Andaj nën drejtimin e tij LDK po shkon sigurt drejt fundosjes, nëse nuk zgjohet elektorati dhe nuk e ndëshkon këtë kastë udhëheqëse, që duke imituar urtësinë rugoviane është zhytur thellë në korrupsion e krim. Shumë piskamën e pati lëshuar LDK kur Lëvizja Vetëvendosje e shkarkoi nga posti Sabedin Haxhiun.

V.
Qytetarët e Kosovës kanë shumë të drejtë të jenë të mllefosur jo vetëm me kastën sunduese politike, por edhe me shumë diplomatë që janë treguar tepër tolerantë ndaj udhëheqësve që për çdo ditë po vrasin shpresa dhe për çdo ditë po e plaçkitin arkën e shtetit. Por sot qytetarët e Kosovës duhet t’i duartrokasin ambasadorit britanik Ruairi O’Conell, i cili, për dallim nga kolegët e tij cinikë, bëri apel që prokurorët dhe gjykatësit t’i luftojnë të paprekshmit. Ai tha se heronjtë e sistemit të drejtësisë janë ata që luftojnë krimin e korrupsionin. A ka Kosova heronj të tillë? Duhet të ketë… Por në këtë betejë kosovarëve u duhet edhe ndihma e diplomatëve siç është Ruairi O’Conell. Ndryshe Kosova rrezikon të humb shtetësinë dhe të shndërrohet në KBD – Kombinati Bujqësor i Dajës. Në një vend të tillë do të jenë të rrezikuara edhe kafshët, jo vetëm njerëzit.

Filed Under: Featured Tagged With: “DAJA” YNË, Enver Robelli, QË LEJUAM, TË NA QEVERISË/

Radio Vatikani- 38 martirët shqiptarë të fesë të shpallur të Lum nga Papa Françesku

April 29, 2016 by dgreca

Ja Kush janë 38 martirët shqiptarë të fesë së krishterë që janë shpallur të Lum nga Papa Françesku:

Imzot Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në burgu, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Françesku, bir të cilit ishte!

Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.

Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.

Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.

Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.

Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.

Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta  pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.

Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.

Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.

Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.

Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.

Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.

Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.

Atë Gjon Shllaku: frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.

Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.

Rishtarja stigmatine Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop.  Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

Filed Under: Histori Tagged With: 38 martirët shqiptarë të fesë, nga Papa Françesku, të shpallur të Lum

Një herë kriminel, gjithmonë kriminel

April 29, 2016 by dgreca

“Ein Mal Kriminael, immer Kriminael”. (Një herë kriminel, gjithmonë kriminel)./

Nga Dr. Enver Bytyçi/

Në Shqipëri është miratuar një ligj për dekriminalizimin e Parlamentit. Në Maqedoni presidenti ka amnistuar dhe anulluar gjykimin e disa deputetëve dhe ministrave për aferat e tyre korruptive e të abuzimit me pushtetin. Në Kosovë një deputet me peshë, ish-shefi I UÇK-së, Azem Syla, është në kërkim për t’u arrestuar, sepse duke pasur mbështetjen e shtetit ka tjetërsuar pronat, duke përfituar së paku 30 milion euro. Së bashku me këtë deputet janë në kërkim edhe 50 përsona të tjerë, ndër ta jo pak serbë, si bashkëpunëtorë të tij.

Kjo do të thotë se sëmundja e kriminalizimit të politikës është shumë e thellë. Kriminelët i kemi në parlamentet e shteteve tona, ku shqiptarët ose janë në pushtet ose bashkëqeverisin si në rastin e Maqedonisë. Dhe shpesh herë diskutojmë e flasim se pse konflikti politik është kaq i thellë ndër partitë politike shqiptare. Fakt është se ky konflikt ka dy pamje: Nga njëra anë politikanët dhe deputetët idealistë nuk pajtohen me krimin dhe kriminelët në parlament e politikë. Nga ana tjetër konflikti është i egër kur në të përfshihen grupet kriminale politike.

Shihni Shullazin: Mbrojtësit e tij, përfshirë kryeministrin dhe ministrin e brendshëm, po shfaqin një arrogancë të tejskajshme këto ditë kundër opozitës dhe sidomos kundër ish-kryeministrit Berisha, gjithnjë në kërkim të shmangjes së të vërtetës e fshehjes së saj, sa i përket bashkëpunimit të tyre me bandën e Shullazit. Ata që filmojnë çdo qytetar edhe në rastin e një konflikti banal me policët, këta pushtetarë kanë bllokuar çdo pamje e çdo provë, me të cilën vërtetohen akuzat e prokurorisë kundër kësaj bande. Madje e morën në mbrojtje kur banda u përplas në Rrugën e Kavajës e një polic me uniform pjestar I saj vrau një person. U morën në mbrojtje dhe falsifikua gjithashtu lajmi kur Shullazi u plagos në një përplasje në Qafë Kashar. Ndërkohë që krimet e Shullazit ministry I Brendshëm ia faturoi Gjutës e Brukajt.  Shullazi ka prodhuar kështu shullazë të shumtë në qeveri e në parlament, sepse ka bashkëpunuar hapur me rilindasit gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij kriminale.

Shihni në Kosovë, presidenti Thaçi është distancuar nga deputeti i afërm i partisë së tij, i shpallur në kërkim për krime, por ndërkohë atij do t’i duhet të thellohet me një ndjesë të sinqertë, nëse është vetë i larë nga bëmat e dajës së tij, sepse administrata e Thaçit duket se është vënë në shërbim të Azem Sylës në veprimtarinë kriminale të tij. Ndërsa në Maqedoni Ali Ahmeti duket se është në anën e presidentit Ivanov e të ish-kryeministrit Gruevski, edhe pse për opinion publik thotë se distancohet prej dekretatit presidencial për amnistimin e krimit.

Kemi tri pamje në të tri vendet tona: Në Shqipëri presidenti është shfaqur hapur e sinqerisht kundër kriminalizimit të politikës e parlamentit. Në Kosovë presidenti i vendit shfaqi një lloj distancimi nga ky lloj krimi, por jo në masën që do të sillte besimin e qytetarëve te ky institucion. Në Maqedoni presidenti ka marrë në mbrojtje krimin dhe kriminelët në politikë, në qeveri e në parlament. Megjithatë të tri këto vende po vuajnë në masë të caktuar helmin e kriminalizimit. Stanjacioni dhe kriza e këtyre vendeve është para së gjithash krizë e politikës së lidhur me krimin, mafien dhe trafiqet. Domozdoshmërisht do të duhej kryer operacioni i thellë i këtij kanceri, i cili po përhap me shpejtësi metastazat e tij në trupin e shoqërive tona.

Dhe lufta për dekriminalizimin duket se është pakthim. Kriminelët në pushtet janë në kulmin e rezistencës për të mos u njësuar publikisht me krimin. Por edhe janë të nervozuar e të shqetësuar, sepse ende nuk besojnë se mund t’i shpëtojnë ndëshkimit politik e juridik. Sa kohë që ata do të besojnë se mund t’i mbulojnë krimet e tyre, aq kohë do të rezistojnë me arrogancë dhe nuk do të ndalen për të ndotur kundërshtarët e tyre, së paku me formulën e gjetur tashmë nga shërbëtorët e gazetarisë e opinionistëve, të të qenit të të gjithë krahëve të politikës njësoj. Zërat që denoncojnë krimin intimidohen me metodat e arrogancës verbale e presione të shumta, duke synuar së paku vënien e shenjave të barazimit midis denoncuesit dhe të akuzuarit. Nga ana tjetër njerëzit me pushtet po bëjnë çmos që përmes presionit ndaj dëshmitarëve të mbyllin dosjet e krimit në favor të tyre dhe grupeve kriminale me të cilët ata bashkëpunojnë. Një i dyshuar si dëshmitar në Gjykatës Sepciale për krimet në Kosovë u vra para pak ditësh. Emiljano Shullazi dhe Shullazi ministër po ushtrojnë presion të pandërprerë ndaj dëshmitarëve të akteve krinimale, me qëllim që ata të mos dëshmojnë ose të ndryshojnë dëshmitë e tyre. Presioni fillon që nga pjestarët e familjes e deri te këta dëshmitarë. Presioni përfshin jo vetëm joshjen me para, por edhe arrogancën e likuidimit fizik të tyre.

Nëse këta pushtetarë do të arrijnë të zhdukin provat dhe të nxjerrin nga qelia kriminelët e dëshmuar, atëherë ata do të vazhdojnë lojën e luftës kundër asaj që ata e konsiderojnë “shpifje” e radhës e opozitës dhe e Sali Berishës. Por mund të ndodhë që kriminelët të dënohen dhe lidhjet midis tyre e parashallarëve në pushtet të mos zbulohen. Në këtë rast këta pashallarë të inkriminuar do të bëhen më të rrezikshëm sesa janë sot. Ata do të përpiqen të gjejnë ndonjë peshk të inkriminuar në radhët e opozitës ose te grupet rivale kriminale dhe do ta shpallin veten “Heronjtë e luftës kundër krimit”. Kriminelët do të marrin flamurin e luftës për dekrimanlizim, sepse deri atëherë opinioni publik do të ketë harruar se opozita dhe Lulzim Basha ishin iniciatorët dhe luftëtarët më të mëdhenj të dekriminalizimit të parlamentit shqiptar.

Pas një viti ka mundësi që ky flamur të valvitet në fushatën elektorale të radhës dhe me këtë formulë kriminelët e sotëm në pushtet, pasi të kenë përdorur paratë e krimit të grumbulluara në arkën e rilindjes, të rifitojnë pozitat e sotme, pavarësisht të gjitha bëmave të tyre në këtë mandat qeverisës. Dikush mund të mendojë se ky është një paragjykim!

Të marrim rastin e luftës në Kosovë dhe fitoren e saj. Prej vitit 1991 e deri në vitin 1998 një pjesë e politikës shqiptare e pati kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Të gjithë i njohin rekomandimet e kësaj pjese politike, midis të cilave më e pranishme ishte që “Kosova ta pranojë Beogradin si kryeqytet”, dmth që Kosova të hiqte dorë nga vetëqevrisja paralele e Rugovës, e cila kishte refuzuar njohjen e institucioneve serbe në Kosovë. Por kur ata panë se procesi është i pakthyeshëm morën menjëherë flamurin e luftës dhe shpallën politikën e pavarësimit të Kosovës. Krijuan strukturat e tyre politike me të cilat do të bashkëpunonin dhe luftëtarët e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, përfshirë Rugovën e Berishën, i shpallën “tradhëtarë”. Krijuan krahun e armatosur të parapërgatirur që në kohën e diktatorit Hoxha dhe shpallën si armike FARK-un e Ibrahim Rugovës, Ahmet Krasniqit, Agim Ramadanit etj. E sollën situatën në atë terexhe sa kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, si Fatos Klosin, për shkak të meritave të përçarjes së kësaj lufte dhe marrjes së flamurit të saj në momentet e fundit, ta bëjnë “veteran” të kësaj lufte dhe luftëtarët e njëmendtë, si Ibrahim Rugova, të cilët e kanë nisë luftën kundër Serbisë që në vitin 1986, me ato ballafaqimet brillante në kongreset e shkrimtarëve në Beograd, t’i shpallin të pavlerë.

Aftësia për të manipuluar me realitetin objektiv dhe për ta zevendësuar atë me një realitet të improvizuar është karakteristikë e këtyre grupeve politike në Shqipëri, prej së cilës kanë mësuar disa grupe të tjera politike në Kosovë e Maqedoni. Edhe Albin Kurti është produkt i kësaj shkolle.

Duke nënvizuar këtë mundësi, që kriminelë në pushtet të marrin në duart e tyre flamurin e luftës kundër krimit, shpreh nevojën që shoqëritë shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por edhe në Mal të Zi e Luginën e Preshevës, të mund të përgatiten për sfida të reja për të ardhmen. Idealistë ka shumë. Ka dhe nga radhët e akademikëve. Mund të përmend Profesor Artan Fugën ose Profesor Përparim Kabën. Por nuk janë vetëm këta. Vetëm atëherë kur fatet e vendit t’i marrin në dorë idealistët, vetëm atëherë do të mundemi të ndërtojmë një shoqëri të vërtetë të demokracisë funksionale dhe liberale, si kusht për përparimin dhe zhvillimin tonë në harmoni me të drejtën, me lirinë tone e për pasojë për fitoren e sigurt të luftës kundër krimit e kriminelëve.

Parlamentet e sotme shqiptare në të tri vendet janë të mbushur me deputetë kriminelë, trafikantë, fallsifikatorë, mafiozë, që kanë mbërritur në tempullin e demokracisë për shkak të meritave si kriminelë dhe jo për shkak të kontributeve në dobi të shoqërisë shqiptare e të kombit shqiptar. Ata kryetarë partish që u kanë dhënë mbështetjen këtyre politikanëve, deputetëve e administratorëve janë më të inkriminuar se vartësit e tyre kriminelë. Ata e kanë ditur që në fillim të promovimit ta tyre se po krijojnë rrjetën kriminale për t’i marrë frymën vendit në funksion të marrjes dhe ruajtjes me dhunë të pushtetit. Këta kryetarë partie më e pakta do të duhej të tërhiqeshin, së paku për t’i bërë të vetmin shërbim atdheut e kombit shqiptar.

Çdo njeri mund të ndërrojë bindjet politike, madje dhe besimin fetar, por krimineli, hajduti, fallsifikatori, trafikanti do të mbetet gjithmonë i tillë. Një fjalë e urtë gjermane thotë: “Ein Mal Kriminael, immer Kriminael”, që do të thotë “Një herë kriminel, gjithmonë kriminel”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, gjithmonë kriminel, Një herë kriminel

Edor Kabashi,shkencëtari më i mirë i ri në botë

April 29, 2016 by dgreca

Sukseset e shqiptarëve në botë janë të mëdha, një ndër emrat më të fundit që është shfaqur është shkencëtari Edor Kabashi.Kabashi ka marrë çmimin “ENCALS Young Investigators Aëard” apo Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj për vitin 2015.

38-vjeçari nga Durrësi u nderua si shkencëtari më i mirë i grupmoshës nën 40 vjeç falë punës shkencore të tij në fushën e gjenetikës, në specializimin e ngushtë të sëmundjes së ALS¬së ¬Skleroza Amiotrofike Laterale. Ky çmim iu nda në Dublin nga Amar Al Chalabi, një nga neurologët më të mirë në botë.

“Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj ka për qëllim identifikimin e shkencëtarëve më të aftë dhe më të zgjuar dhe jepet për kërkime në çështje të pazgjidhura në lidhje me sëmundjen ALS”, shkruhet ndër të tjera në motivimin e çmimit për dr. Kabashin.

Por, kush është Edor Kabashi?

Ai vjen nga Shqipëria, shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Durrës, ndërsa ishte viti 1995 kur së bashku me familjen e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “Albinfo”. Që do të arrijë sukses u pa shumë herët. Ai mori çmimin e Presidentit Bill Clinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës.

Studioi për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, SHBA. Më vonë studimet i vazhdoi në Francë e më pas në Montreal në Kanadë ku diplomoi në biologji në vitin 2000. Në këtë vend Edori në vitin 2006 mori gradën doktor në neurologji dhe neurokirurgji. Në vitet 2008 dhe 2011 fitoi çmimin “Brain Star” nga Instituti i Kërkimeve në Fushën e Shëndetit Mendor, në Kanadë.

Prej vitit 2011, ai drejton grupin kërkimor në departamentin e sëmundjeve neuro¬degjenerative, në Institutin e Neuro¬shkencës në Paris, Francë. E për sukseset e tij në fushën e shkencës duket që do të dëgjojmë edhe më vonë.(Nacional)

Filed Under: Komente Tagged With: Edor Kabashi, më i mirë i ri, ne bote, shkencetari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT