Nga Enver Robelli/
I.
Në frazeologjinë e gjuhës shqipe daja luan rol të rëndësishëm. Daja është i paprekshëm, i pasur, i armatosur, nganjëherë madje edhe i «bardhë si pëllumbi». Studiuesi i gjuhës shqipe nga Londra Agim Morina solli sot disa margaritarë nga urtia popullore shqiptare, për çka si lexues duhet t’i jemi shumë mirënjohës. Ndërsa kujtojmë me mllef dhe jo pa humor Dajën e Zi të Kosovës, Azem Sylën, ia vlen një shëtitje nëpër frazeologjinë e gjuhës shqipe: «Bëri selam dajës!» – s’ka gjë prej kësaj pune. «Dajës i lulon bahçja në dimër» – atij i vijnë të mirat edhe kur s’i pret fare, atij i shkojnë punët mirë e mbarë gjithmonë (sinonim «i bën gjeli ve», «atij i pjell edhe viçi», «atij i këndon gjeli në samar») (Nga Mehmet Gjevori, Fjalor frazeologjizmash, 1988). «N’e paç zotin dajë, maj uzdajë; mos e paç zotin dajë, ik e çaj» (fjalë e urtë nga Kosova). «Daja për nipin asht pushkë për sy» (Lurë, Dibër). «Kush a ma i bardhë se pllumbi? Nipi te daja» (Shkodër). «Keq ke halla, keq ke daja» (Kavajë).
II.
Në prill të vitit 1999 forcat serbe kanë vrarë qindra shqiptarë, kanë dhunuar shumë gra, kanë masakruar fëmijë, kanë djegur mijëra shtëpi. Kush e ka menduar se në prill të vitit 2016 do të bëhen bashkë – shikistë, pdkëistë, lugovistë, ldkëistë dhe sllobistë për ta shqyer këtë vend si ujku kur i bie kopesë! Sot, përndryshe, është dita kombëtare e personave të pagjetur. Rastësi apo jo: kjo ditë e vërteton sërish një fakt: se e vetmja parti që është konsekuente kundër këtij sistemi të kalbur e të korruptuar deri në palcë mbetet Lëvizja Vetëvendosje! Natyrisht nuk është parti për ata që lodhen pasi vrapojnë 100 metra dhe çdo mëngjes kanë qejf të bëjnë dush me ujë të nxehtë! Beteja për Kosovën tjetër kërkon konsistencë! Nëse flasim si në Mallakastër apo Skrapar: shoqëria e Kosovës duhet të ndahet në qëndresëtarë dhe lapërdharë! Betejën do ta fitojnë ata që qëndrojnë!
III.
Ku është Azem Syla? Kjo është pyetje e parëndësishme. Pyetja e vërtetë është kjo: ku ishim ne qe 17 vjet që lejuam ta mbajë pushtetin kjo kastë aq e tmerrshme dhe aq grabitqare? Kjo kastë që herë mashtron Zvicrën, herë Brukselin, e më së shumti shoqërinë e Kosovës. Kjo kastë që lirinë e keqpërdor pa hesap, që vulgarizon jetën publike, njollos kulturën, grabit resurset kryesore ekonomike. Kjo kastë që kandidon për deputetë figura që janë kandidatë për burg, kjo kastë që vlerën e Kosovës e kufizon në gurthyes, tenderë, vreshta, fabrika të privatizuara me mesazhe kërcënuese telefonike. Ku ishim ne që nga 12 qershori 1999? Kjo pyetje, natyrisht, nuk vlen për të gjithë. Pse ishim kaq pak që i dolëm përballë së keqes? Dhe pse shumica hesht, nënshtrohet, frikësohet, dridhet – kur ky popull nuk dridhej as para makinerisë vrastare serbe? Ku ishim ne kur këta, siç shkruante Ardian Klosi për sivëllezërit e tyre në Tiranë, ia hedhin kujto, të gjithëve «ua hedhin», ligjit ia hedhin, kulturës dhe punës, me shtetin tallen se shteti janë vetë. Shiko, vazhdonte Klosi, si fshijnë ngjyrat, shiko si ndërrojnë vulat, s’lënë send pa ia hedhur, ia futur dhe dredhur, ia hedhin Shqipërisë, fëmijëve të tyre, ia hedhin dhe hidhen, përcëllohen, përhidhen. «Shpëtomë, o Zot, aman nga shqiptarët». Këtë klithmë do e përsëriste sot jo vetëm Ardian Klosi që tragjikisht iku pa thënë lamtumirë, sepse atë e kishte vrarë Shqipëria e keqe, siç po i vret pandërprerë mijëra shqiptarë të Kosovës – Kosova e keqe, Kosova e Dajës së Zi.
IV.
Në zgjedhjet e fundit Azem Syla ishte kandidat i PDK-së, madje lart në listë – në vendin e 11-të. Në zgjedhjet e mëhershme mbante vende edhe më prominente. Të ketë bërë vaki kjo pa dijen e udhëheqësve të partisë? Sot mund të lexonim se si aksionin policor kundër mbi 50 të dyshuarve për krime të llojllojshme e përshëndeti edhe ish-kryetari i PDK-së, tani në post të ri. A ka ironi më të madhe, a ka tallje më të madhe me qytetarët kur sundimin e ligjit e përkrah ish-kryetari i PDK-së, bash ai që e ka bërë deputet Azem Sylën dhe shumë azema e syla të tjerë? Ndërkohë kryeministri nga Brukseli dërgoi këtë haber: «Sapo përfundova takimin sot në Bruksel me presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Rruga europiane e Kosovës është rrugë e vlerave tona të përbashkëta. Këto vlera respektohen nga institucionet më të larta të BE-së. Europa është shtëpia e qytetarëve tanë». Me cilat vlera mund të krenohej sot Isa Mustafa në Bruksel? Me vlerat e bashkëpartiakut të tij Sabedin Haxhiu, i cili ka qenë drejtor në kadastër edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore dhe i cili u arrestua sot? Vërtet, a i respekton BE këto vlera sabediniane dhe haxhiane? Apo Brukseli kërkon vlera të tjera, të cilat Isa Mustafa, duhet pranuar, nuk i paskësh përfaqësuar kurrë. Andaj nën drejtimin e tij LDK po shkon sigurt drejt fundosjes, nëse nuk zgjohet elektorati dhe nuk e ndëshkon këtë kastë udhëheqëse, që duke imituar urtësinë rugoviane është zhytur thellë në korrupsion e krim. Shumë piskamën e pati lëshuar LDK kur Lëvizja Vetëvendosje e shkarkoi nga posti Sabedin Haxhiun.
V.
Qytetarët e Kosovës kanë shumë të drejtë të jenë të mllefosur jo vetëm me kastën sunduese politike, por edhe me shumë diplomatë që janë treguar tepër tolerantë ndaj udhëheqësve që për çdo ditë po vrasin shpresa dhe për çdo ditë po e plaçkitin arkën e shtetit. Por sot qytetarët e Kosovës duhet t’i duartrokasin ambasadorit britanik Ruairi O’Conell, i cili, për dallim nga kolegët e tij cinikë, bëri apel që prokurorët dhe gjykatësit t’i luftojnë të paprekshmit. Ai tha se heronjtë e sistemit të drejtësisë janë ata që luftojnë krimin e korrupsionin. A ka Kosova heronj të tillë? Duhet të ketë… Por në këtë betejë kosovarëve u duhet edhe ndihma e diplomatëve siç është Ruairi O’Conell. Ndryshe Kosova rrezikon të humb shtetësinë dhe të shndërrohet në KBD – Kombinati Bujqësor i Dajës. Në një vend të tillë do të jenë të rrezikuara edhe kafshët, jo vetëm njerëzit.
Fakti Koha says
Enver Robelli eshte kafsha me e madhe e gazetarise shtazarake te Kosoves.