• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Presidenti Nishani pret nxënës dhe mësues shqiptarë nga Lugina e Preshevës

April 10, 2016 by dgreca

Presidenti i Republikës shprehu shqetësimin e tij për fenomenin e braktisjes së trojeve shqiptare për shkak të kushteve jo të mira ekonomike e sociale dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh të strukturave qeveritare shqiptare në respekt të kushtetutës për mbrojtjen e interesit kombëtar.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në mesditë në Institucionin e Presidentit të Republikës një grup nxënësish dhe mësuesish nga Lugina e Preshevës: Nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegjë, të cilët kanë ardhur prej disa ditësh të vizitojnë Shqipërinë me ftesë të veçantë të Kreut të Shtetit.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen në Institucion, Kreu i Shtetit theksoi se: “në këtë takim dëshiroj t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time personale, por edhe atë në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për shqiptarët e Luginës për gjithçka ju dhe mbarë shqiptarët kanë arritur me punë dhe sakrifica të ruajnë dhe të mbajnë të pandryshuar identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor.”

Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu shqetësimin e tij për fenomenin e braktisjes së trojeve shqiptare për shkak të kushteve jo të mira ekonomike e sociale dhe bëri thirrje për një angazhim më të madh të strukturave qeveritare shqiptare në respekt të kushtetutës për mbrojtjen e interesit kombëtar.

Ndër të tjera Kreu i Shtetit nënvizoi se shqiptarët kudo që janë, përfaqësojnë një komb që kanë në ADN-në e tyre orientim perëndimor i cili e bën të domosdoshme përmirësimin e cilësisë së arsimit pasi ai është thelbësor për mbrojtjen e të drejtave dhe historisë së shqiptarëve. Pjesëmarrësit në takim nga ana e tyre falënderuan Presidentin e Republikës për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, dhe nënvizuan se ky takim i parë dhe historik për ta me një president shqiptar i frymëzon më tej për të vijuar me misionin e tyre të lartë atdhetar të mësimdhënies.

Filed Under: Komunitet Tagged With: grupi i mesuesve, Lugina e Presheves-Bujanoc, Nxenesve, presidenti Nishani

Në kufijtë e Evropës

April 10, 2016 by dgreca

Nga Christoph Strack/

Pas pak ditësh, Papa do të udhëtojë për në Lesbos – për të takuar refugjatët. Në një kohë kur kufijtë e Evropës mbyllen për migrantët, Françesku shkon te këta njerëz. Papa i mbetet besnik vetes, mendon Christoph Strack.

Evropa po feston marrëveshjen për refugjatët me Turqinë. “Vërshimi” i refugjatëve dhe migrantëve përmes Ballkanit Perëndimor është shterur. Shumë vende po e perfeksionojnë mbylljen ndaj refugjatëve. Ata ndërtojnë gardhe, vendosin ushtarë në kufi.

Në këtë kohë, udhëtimi njëditor i së shtunës së ardhshme i Papës Françesku për në ishullin Lesbos, i konfirmuar zyrtarisht edhe nga Vatikani duket si provokim: në një kohë kur evropianët i syrgjynosin pas kangjellave ata që duan të vijnë te ta, ai shkon drejt tyre, kërkon të takohet me ta, të kalojë kohë me ta.

Jo politikan pragmatik, por radikal

Françesku nuk është politikan pragmatik. Ai është Françesku. Ai është radikali, të cilit nuk i mjafton angazhimi i Evropës, i Evropës me rrënjë kristiane. Ai nuk do të pajtohet kurrë me këtë. Ai kërkon shumë. Tepër shumë. Kështu ishte edhe Françesku i shenjtë, ai nga Umbria. Emrin e tij e zgjodhi në mënyrë spontane kardinali Mario Bergoglio në Konklavën e vitit 2013, kur puna u bë serioze. Dhe kur një vëlla i besimit e kujtoi që të mos i harrojë të varfërit në postin e ri.

Këtë ai e sheh si mision. “Nuk mund të pranosh, që Mesdheu të kthehet në një varrezë të madhe”, tha ai në 25 nëntor 2014 në Parlamentin Evropian në Strasburg. “Në varkat që arrijnë përditë brigjet evropiane, ndodhen burra dhe gra, të cilët kanë nevojë për pranim dhe ndihmë. Mungesa e mbështetjes së njeri-tjetrit brenda Bashkimit Evropian ushqen rrezikun e nxitjes së zgjidhjeve partikulariste të problemit, të cilat nuk mbajnë parasysh dinjitetin njerëzor të refugjatëve”. Pas fjalimit atëherë duartrokitën thuajse të gjithë. Ky fjalim është sot po kaq aktual, sa atëherë. Por Françesku nuk kritikoi vetëm. Ai formuloi një vizion: “Evropa do të jetë në gjendje që t’i përballojë rrathët problematikë të lidhur me migrimin, po ta dijë ta paraqesë me të gjithë qartësinë identitetin e vet kulturor dhe të vërë në jetë ligje të përshtatshme, të cilat janë të afta të mbrojnë të drejtat e qytetarëve evropianë dhe njëkohësisht të garantojnë pranimin e migrantëve.”

Christoph Strack Christoph Strack

Udhëtime në periferi

Strasburgu qe – po të mos mbash parasysh udhëtimet në Itali – udhëtimi i dytë ditor i Françeskut në Evropë. Nëntë javë më parë ai kishte qenë në Shqipëri, në shtëpinë e të varfërve të Evropës. Udhëtimi i tij fare i parë që nga Roma, pas zgjedhjes, e çoi atë në Lampeduzë – në atë ishull të vogël, i cili para shumë viteve u kthye në sinonim për vdekjen e mijërafishtë në Mesdhe dhe që vazhdon të jetë kështu. Françeskun duhet ta mendosh duke u nisur nga Lampeduza, nga shumë Lampeduzat e kësaj bote. Ai shkon në kufi, ai ndien që prej kufijve, prej periferisë, prej të përjashtuarve. Me këtë ai nganjëherë tingëllon utopik social, herë pas here rebel dhe i afërt me komunizmin.

Edhe po të jetë kështu: ja që ai nuk është politikan i Realpolitikës, pragmatik. Jo pak vetë, të cilët kjo i mundon, tundin kokën me mosbesim. Pas një muaji, qindra gjermanë dhe evropianë do të shkojnë në Vatikan, kur Papa nga fundi i botës të marrë Çmimin Ndërkombëtar Karl. Evropa që ka humbur sigurinë, me tendencë mbylljen, e cila flirton me nacionalizma të rinj të errët nderon me një nga çmimet më të mëdha të saj paralajmëruesin dhe provokuesin më të madh.(DW)

Filed Under: Komente Tagged With: DW, Në kufijtë e Evropës

Hetimet e Brukselit: Franca ka qenë sërish në planet e terroristëve

April 10, 2016 by dgreca

Ne Foto: Abrini i filmuar nga kamerat e sigurisë në një pikë karburanti, së bashku me Abdeslamin, dy ditë para sulmeve në Paris./

Njëri prej autorëve të dyshuar të sulmeve në Bruksel, ka pranuar se grupi terrorist, fillimisht, ka planifikuar të godasë Francën me sulme të reja, kanë thënë prokurorët belgë.

Mohamed Abrini ka thënë se grupi ka vendosur të sulmojë Brukselin, pas arrestimit të Salah Abdeslamit, njërit prej të dyshuarve kryesorë për sulmet e nëntorit të kaluar në Paris.

Abrini, i cili është arrestuar në Bruksel të premten, u ka thënë hetuesve se arrestimi i Abdeslamit, më 18 mars, ka bërë që komplotistët “të ndryshojnë rrugën”.

“Të befasuar me shpejtësinë, me të cilën policia po i afrohej, grupi ka marrë vendim të nxituar për të goditur Brukselin”, kanë thënë prokurorët duke cituar Abrinin.

Sulmet në aeroportin e Brukselit dhe në një stacion të metrosë së këtij qyteti, më 22 mars, kanë lënë të vrarë 32 persona.

Abrini, po ashtu, ka pranuar se është bombarduesi i tretë që është kapur nga kamerat e sigurisë në aeroport, por që ka ikur pa shpërthyer pajisjet e tij.

Përgjegjësinë për këto sulme e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Këta të fundit kanë thënë se kanë kryer edhe sulmet e nëntorit të kaluar në Paris, duke vrarë 130 veta.

Abrini, belg, 31-vjeçar, me origjinë marokene, është akuzuar të shtunën për aktivitete terroriste, së bashku me tre persona të tjerë.

Disa ekspertë, megjithatë, kanë hedhur dyshime se Abrini mund të jetë bombarduesi i parë në aeroportin belg, duke sugjeruar se ai mund të pohojë kështu për të mbuluar ndonjë sulmues tjetër.

Por, sipas hetuesve, shenjat e gishtërinjve dhe ADN-ja e tij janë gjetur në dy shtëpi në Bruksel dhe në një makinë që është përdorur gjatë sulmeve në Paris.

Abrini, gjithashtu, thuhet se është filmuar në një pikë karburanti, së bashku me Abdeslamin, dy ditë përpara sulmeve në Paris.

Roli i dyshuar i Abdeslamit në sulmet në Paris nuk është përcaktuar ende, por vëllai i tij, Brahimi, ka qenë njëri prej atyre që kanë hedhur veten në erë.

Abdeslami ndodhet në paraburgim në Belgjikë dhe pret të ekstradohet në Francë.

Tre personat e tjerë, të akuzuar të shtunën nga prokurorët belgë, janë identifikuar si Osama K, Herve BN dhe Bilal EM.

Sipas raporteve të disa medieve, Osama K është shtetas suedez dhe emri i plotë i tij është Osama Krayem.

Autoritetet belge janë përballur me kritika të mëdha për trajtimin dhe hetimin e sulmeve në Bruksel, sidomos pasi është zbuluar se shumë prej të dyshuarve kanë qenë të njohur për policinë.

Belgjika, po ashtu, thuhet se është burimi më i madh i luftëtarëve të huaj që shkojnë për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Komente Tagged With: e terroristëve, Franca ka qenë sërish, në planet

VASILI I MADH

April 10, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Në ato fillimet e mia rreth shkrimtarisë, ka pjesë të padiskutueshme edhe një njeri. Ai është inxhinjeri kimist Vasil Bozo. Ose Vasili i madh siç e thërrisja ndonjëherë. Me sa mësova së fundi, nuk jeton më. (Një sëmundje e rëndë e ndau para kohe prej nesh) Dhe në raste të tilla, sidomos kur je larg, trishtimi është dyfish.

Çfarë ia vlen t’i kujtojmë… Jam në udhëtim dhe ndërsa shkëmbehem me pyje pa mbarim. Shkëmbehem edhe me portretin e qeshjen e tij. Me ato ndërhyrjet e ”pa takta” që bënte, si e si të rregullonte një poet nga qyteti. Unë përshembull mbaj mend se si ashtu ”pa diplomaci” i kërkoi ambasadorit rumun një bursë për mua, në një drekë poetike në Divjakë për nder të Ahmatovës dhe Blandianës, pikërisht në ato vitet e para të demokracisë. Sipas Vasilit të madh, kulturës rumune i bënte nder kualifikimi im aty. Unë isha një penë me vlerë. Në fakt ato kohë sapo kisha folur me atë për koiçidencat letrare që përfitohen nga krahasimet midis autorëve të rajonit dhe mbarë botës. Kisha prekur poetikën e Ana Blandianës dhe Flora Brovinës. Detaje këto që i kam interpretuar më vonë në një ese të gjatë dhe që tashmë është e botuar në disa organe shtypi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Jashtë meje, kur e gjykoj sot them se Vasili i madh kishte konkluduar brenda asaj shpirtgjerësie që e karakterizonte. Ai ishte shenjti i gjallë, engjulli mbojtësi i yni.

Por unë nuk dua të ndalem tek ai dhe unë. Por tek ai dhe të tjerët… Tek ai, dhe poezia. Tek ai dhe poetët apo shkrimtarët në përgjithësi. Pasi kam përshtypjen se veprat e mëdha nuk janë vetëm ato që duken…., ka edhe memoria plot të tilla. Lum kush ka një memorie kësisoj. Lum kush ka shumë në vetvete dhe i ndan me ne.

Për së pari mbaj mend se si shkrimtari Halil Jaçellari e tregonte kudo se, për hatër të Vasilit ishte bërë me shtëpi. Në ato mbledhjet ku ndaheshin apartamentet drejtori, një burrë kaba që për nga rrëfimet i ngjan peronazheve klasikë të memories së letërsisë botërore. Diku si Zorba dhe diku si koloneli Buendia, i drejtohet kolektivit dhe i thotë. Këtij pesëkatëshi a katërkatëshi, ndajeni e bëni si të doni ju. Nuk u ndërhyj unë…, vetëm hiqmëni mënjanë një hyrje se më hëngri kokën ai im bir. E do për një shkrimtar. Biri ishte Vasili i madh. Më i ndjeshëm se çdo pushtet.

Për së dyti, se si në një nga ato ndërrmarrjet e kohës. Me sa më kujtohet në një fabrikë tullash, ku tashmë ishte vet një kuadër. I dha për shtëpi pa gajlen e pushtetit…, një nga ato barangot e ndërtuesve. I bindur se po bënte një xhest të madh historik, poetit Sherif Bali.

Ishte apo nuk ishte, apo se ishte…, për ‘të qe një çati mbi kokë. Një strehëz për një poet i cili kërkonte të vinte me shtëpi në qytet.

Për së treti, po një tjetër poeti, Baki Nezhës…i siguroi një punë më të mirë. Nuk i besohej që një lirik i fjalës të thyente gurë. Duhej të bënte medoemos diçka. Dhe e bëri…

Për së katërti… Janë shumë të tilla. Dhe Vasili i madh thoshte shpesh, me gojën e popullit. Bëje të mirën dhe hidhe në lum.

Nga mësova edhe një përcjellje e një gazetari të vjetër me emrin Dhimitër Shtëmbari, kohët e fundit Vasili kishte rënë në gjëndje depresive. Me gjithë bukurinë e fjalëve të Dhimtrit. Gjithçka më ngjalli atë efektin e bisedës së burrit me burrin. Ne e kemi të tmerrshme t’ia themi njëri-tjetrit dy fjalë në sy. Por unë po përpiqem.

Ndofta në këtë rrokapjekje jete, njeriu i madh dikujt i duket budalla, dikujt havardar, e jo serioz. E dikujt ndryshe nga këto që unë thashë. Të gjallët e kanë për dreq të dallojnë cilësitë. Thonë se papunësia të hëngri kokën vëlla. Nuk e di. Dhe disa më thanë se ti ishe dhe socialist. Dhe vet ata të lanë pa punë. Eh….., socialistët si ty? Apo si i ndjeri tjetër, shoku yt i mirë Vladimir Çuni! Në këtë virane demokracinë shqiptare ishe nga të paktët që nuk e kishe problem të shoqëroheshe me socialistë, komunistë, ballistë, legalistë, republikanë, socialdemokratë, apo demokratë. Madje tek ty etiketimi nuk e ndante dot njeriun. Nga ata që ti ndihmoje ishin edhe kulakë, apo klasë e përmbysur. Por ti ashtu ishe gatuar, aq sa me mendje tek Tagora, tek filozofitë, tek shekujt, tek qeveritë, dënimet dhe lufta për njëri-tjetrin shkonin si shaka publike. Po kjo virane kështu është mik i madh… I madhi shtrihet për tokë. Dhe konia leshatore leh në parlament. Popujt janë ashtu siç thoje ti, në radhën e kosit.

Dua të them edhe diçka të vogël. Diçka shoku… se poezia rron në shekuj, në saj të ekzistencës së sojit tënd. Këtij soji prej ëngjulli. Askush, asnjëherë nuk e ka dashur, e do, e mbron…, e mbrojtur atë si ty. Me një delikatesë që ka emrin e kristalit. Kimisë së shpirtit njerëzor. Dhe ndjesë që fola kaq pak për ty .

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, VASILI I MADH

Vajzat kuksiane ndihmojnë fëmijët në nevojë

April 10, 2016 by dgreca

Fotolajm/

Javën e shkuar grupi i vajzave të Kendit  Amerikan në Kukës (GLOW), gatoi ëmbëlsira për ti shitur në shëtitoren e qytetit. Të gjitha të ardhurat nga shitja e ëmbëlsirave u përdorën për të blerë ushqime për familjet në nevojë. Ju lumtë vajza!

Photo Of The Day: Last week our American Corner Kukes GLOW Club (Girls Leading Our World) made treats to sell on the xhiro! All the money raised from the bake sale was used to buy food for families in need. Go girls!

Filed Under: Komente Tagged With: femijet, në nevojë, Vajzat kuksiane ndihmojnë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT