Archives for April 2016
Noli: “Më ka zënë shqipja”
Nga Anton Çefa*/
Nuk mund të përfshij në një portret personalitetin tënd të aq e aq rrafsheve, rrafshi i atdhetarizmit, i besimit, i burrit të shtetit, i politikanit, i diplomatit, i historianit, i publicistit, i oratorit, i poetit, i letrarit, i kritikut letrar, i përkthyesit, i muzikantit, i muzikologut, i të gjithave, i universales.
Veç kësaj, në veprimtarinë tënde, nuk janë rrafshe këto, po janë maja malesh që shakëlqejnë me madhërinë dhe madhështinë marramendëse mbi botën shqiptare dhe përtej saj, duke e përndezur e flakëruar me idealet më të fisme dhe me ndjenjat më të ngrohta.
U linde dhe jetove jashtë Atdheut, por Atdheun e kishe gjithmonë me vete. Atdheu qe dashuria yte zjarrpërvëluese që të gufonte në shpirt e të përvëlonte në zemër. Të digjte në kraharor “Zjarri i shenjtë”, si e quaje dashurinë për Atdheun dhe veprimtarinë deri në flijim për t’i shërbyer. “Të kishte zënë shqipja”.
Po, të kishte zënë shqipja, shqipja e fjalës, shqipja e veprës, shqipja e zemrës, shqipja e mendjes, shqipja e ditës, shqipja e kohës.
Si “Kalorës i Skendërbeut”, siç e quaje veten, ndeze një Diell për ta shëndritur Atdheun, dhe krijove një Vatër për ta ngrohur.
Si “Misionar i Krishtit”, ndërtove Kishën, dhe Kisha foli shqip. E shkëpute nga kthetrat e përgjakshme të Patrikanës, që vollën helm, kallën zjarr, kulluan gjak; ndërsa na sot me mënçurinë tonë të çoroditur, me vullnetin tonë të hallakatur, ia kemi dorëzuar përsëri asaj.
Si Mojsí i tregove popullit rrugën drejt një oazi të bleruar, të lirë, të qytetëruar, demokrat; por ishte shumë heret, tepër heret. Mollës së demokracisë jo vetëm nuk i ishin pjekur frutat, por nuk i kishin çelur as lulet.
Kur u përpoqe të mbillje demokracinë, Atdheu ishte vetëm një shkretëtirë anadollake, shkretëtirë e thatë varfërie e paditurie, dhe ishe i vetëm, me shumë pak shokë, me një Gurakuq , “shpirt i bardhë si dëborë”; me një Bajram, “trim, tribun i vegjëlisë”, dhe me një Vinjau, “mikun dhe kolegun”. Avniun, udhëheqësin e dashur të rinisë ta vranë, kur Atdheu kishte më shumë nevojë për të; Gurakuqin ta vranë, “me tre plumba na i ranë”; Bajrami u vra, “as je vrarë e as po vritesh”.
U mundove të mbillje demokracinë në shkretëtirën e thatë të varfërisë e të padijes, mes atyre që nuk të kuptonin dhe atyre që nuk donin të të kuptonin, dhe sidomos të atyre që të luftonin.
Doje të krijoje një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, kur ndërgjegjja shqiptare ishte një truall i papunuar, kur asaj i mungonte humusi i atij ideali të lartë, që të digjte në kraharor.
Si mësues i vyer na lë porosinë: “Shqipërinë, të mirë a të ligë, ne e bëmë, dhe jua lëmë të tjerëve që ta mirësojnë.” Por ja që ne të tjerët dimë vetëm ta keqësojmë, dhe sot Shqipëria është në duar të atyre që janë mjeshtër të keqësimit.
Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimeve botërore, të lashta e të reja, perëndimore e lindore, ia shtrove mjeshtërisht popullit në sofrën e dijes,të kulturës dhe të artit, i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist. Në verbin e blertë të shqipes çeli lule fjala e sa e sa gjuhëve botërore të gjalla e të vdekura.
Ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashembullt në energjitë shpirtërore; u bëre një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën,Ti qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.
Sot ngrihesh para nesh madhështor, vigan në bëmat tua, sot që kemi më shumë nevojë se kurrë për idealin tënd, për mendimin tënd, për fjalën dhe për veprën tënde. Nuk ndoqëm porositë tuaja, prandaj bëmë gabime të pafalshme. Sot jo vetëm nuk i ndjekim, por i mohojmë, bile i luftojmë.
Na flet e na flet, sot e mot, na flet nga Panteoni i atdhetarit idealist, na flet nga Pulpiti i predikatarit të devoçëm, na flet nga kathedrat e shkencës, të kulturës e të arteve; na flet me ndjenjë, na flet me erudicion, na flet me urti. Na të dëgjojmë, përpiqemi të ecim në rrugët që na mësove, po na merren këmbët dhe ecim kuturu.
Gjithsesi, duke u munduar të ecim në gjurmët Tua, do të na zërë edhe ne shqipja dhe do të ndizet në kraharorët tanë Zjarri i Shenjtë. Është me fat ai që digjet në këtë Zjarr.
* Ne Foto: Anton Çefa duke mbajtë kumtesë në veprimtarinë e organizuar nga Vatra me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Nolit. 13 Mars 2015
Ku gaboi Rama me Donald Trampin?
NGA ANDI BUSHATI/
Deklaratat e përsëritura të kryeministrit Shqiptar lidhur me mundësinë e fitores së zgjedhjeve amerikane nga miliarderi sharlatan Donald Tramp, kanë ngjallur një stuhi të vërtetë në këtë provincë të largët të botës perendimore.Për Edi Ramën disa janë shqetësuar dhe shumë të tjerë e kanë akuzuar dhe përqeshur nga të gjitha anët.Rivali i tij politik Lulzim Basha, me nota të thella ironie e ka etiketuar si « një lider global i cili po mëson amerikanët se kë të zgjedhin ».
Këto deklarata kanë ngjallur një shqetësim të arsyeshëm edhe tek mbështetësit e Ramës, fati i të cilit do të qe katastrofik në rastin e një fitoreje surprizë të Trampit.
Ato kanë ndezur reagimet e diplomatëve amerikanë të cilët i kanë dërguar mesazhe, se në rast se në janarin e ardhshëm, manjati i ndërtimit dhe kazinove hyn në Shëpinë e Bardhë, atëhere ata do të jenë të detyruar ti raportojnë këto deklarata në departamentin e shtetit.
Ato kanë përndezur gjithashtu edhe idhtarët e teorive konspirative që kanë nxituar të denoncojnë sërish dorën e fshehtë të Xhorxh Sorosit që sponsorizon Hillari Klintonin në ShBA dhe Edi Ramën në Tiranë.
Por, pas gjithë këtyre debateve të nxitura nga deklaratat e para të Ramës në « Zululand-in » e Mustafa Nanos dhe më pas në « Zonën » e Baton Haxhiut : mbetet një pyetje : A duhet të fliste kështu kryeministri shqiptar ?
Mendoj se të gjithë ata që e tallin, e ironizojnë, që janë të shqetësuar për pasojat, e kanë gabim.
I di argumentat e tyre të mosndërhyrjes në punët e një vendi tjetër, aq më tepër të një superfuqie.
I kam parasysh tabutë se kryeministrit të një vendi, nuk i lejohet të bëjë publike gjithçka çfarë mendon, aq më tepër në politikën e jashtme.
E njoh kompleksin tonë tradicional të inferioritetit që ngre dilëmën : kush jemi ne që të përziemi në punët e të mëdhenjve të kësaj bote.
Por, pikërisht për këtë mendoj, se kushdo qoftë, madje dhe një politikan, duhet të dijë ti mbrojë idetë për të cilat lufton, bindjet me të cilat është mbrujtur, vlerat tek të cilat beson.
Pak rëndësi ka nëse ai është qytetari më i parëndësishëm i kësaj bote globale, apo lideri i vendit më të vogël të saj, ai ka të drejtën të ngrejë zërin kundër fashizmit, ksenofobisë, racizmit dhe misogjinisë, apo të gjitha devijimeve që po prodhon prej vitesh zhgënjimi i thellë nga elitat ekzistuese.
Në këtë këndvështrim, as qytetari Edi Rama dhe as kryeministri shqiptar nuk është i privuar nga kjo e drejtë. Përkundrazi, ai e ka detyrim të reagojë dhe ta interpretojë botën sipas bindjve të tij.
Ai nuk ka as pse fshihet, as përsë friksohet. Çdo sjjellje e tillë do të ishte kompleksive dhe padenjë.
Ndaj mendoj se Edi Rama ka thënë gjënë e drejtë, megjithëse fatkeqësisht, ai, është njeriu i gabuar për ta bërë këtë.
Ja sepse.
Në këtë rast më shumë sesa një politikan me formim intelektual, që afishon kredon e tij, kryeministri shqiptar është sjellë si një kalkulues banal që nuk paguan çmimin e ideve që mbron.
Ai e di që nuk merr asnjë kosto nga qëndrimet që po mban. Ai e di që nuk ka asnjë pasojë nga ky risk që po merr.
Sepse sipas të gjitha sondazheve, analizave të politologëve, parashikimeve të gazetarëve më me emër, shancet që Donald Tramp të zgjidhet presidenti ShBA-së janë afër zeros.
Edi Rama është i informuar padyshim që tenorët e Old Party do të përpiqen ta pengojnë miliarderin kontrovers që arrijë shifrën e magjishme të 1237 delegatëve në konventën e Clevelandit në korrik.
Ata do të bëjnë çështë e mundur që ai mos fitojë me turin e parë në votimin e republikanëve për ta zëvendësuar pastaj, me një tjetër figurë të kësaj partie (Ndoshta me Ted Cruz).
Por, Rama e di gjithashtu që edhe nëse republikanët nuk e ndalojnë dot Trampin, sipas të gjitha sondazheve, ai është i humbur qoftë në përballjen ndaj demokrates Hillari Klinton, qoftë ndaj socialistit simpatik Berni Sanders.
Dhe me që jemi tek ky i fundit : çmendim ka kryeministri shqiptar për fushatën e tij?
A mund të prononcohet kryetari i PS-së që erdhi në pushtet edhe në emër të luftës kundër pabarazive dhe të një rishpërndarjeje më të drejtë të pasurisë ( që Rama i përdori sa për të fituar zgjedhjet kurse Sandersi i ka kredon e një jete) edhe për këtë garë?
Natyrisht Edi Rama, as nuk guxon të hyjë në këtë parashikim. Ai e di se vërtet ky është një bast me risk.
Në këtë pikë ai nuk ka as gjykim, as mendim dhe as prononcim.
Pikërisht kjo analogji, bën që qëndrimet e tij kundër Donald Trampit, përpara së të duken si reagime të një politikani me stof intelektual, të ngjajnë me ato të një prestigjatori vanitoz.
Kur Edi Rama shpalli në “Zonën” e Baton Haxhiut, se fitorja e Trampit në ShBA mund të prishë marshëniet amerikano- shqiptare, ai ishte i bindur se kjo nuk do të ndodhë. Ai e di se miliarderi i kazinove nuk do të hyjë në shtëpinë e bardhë. Pra ai bën aktin tipik të intelektualëve fallco, që ngërthehen në beteja pa risk.
Ky është problem i tij. Prandaj ai nuk mund të kritikohet se pati guzimin për të thënë një të vertetë, por se si gjithmonë është kumtuesi i të vërtetave që nuk kërkojnë guxim. (Lapsi.al)
Lulzim Basha: Lideri global Rama mëson amerikanët kë të zgjedhin President!
Kreu demokrat Lulzim Basha i përcjell me ironi deklaratat e kryeministrit Rama në Prishtinë se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të përkeqësohen nëse Donald Trump zgjidhet pPesident i SHBA-ve.
Sipas Bashës, pasi e ndriti Shqipërinë duke e futur në krizë dhe varfëri, tani ka gati recetën për presidencialet amerikane.
Reagimi i Bashës në Facebook:
“Lideri global ka marrë së fundmi një angazhim mbi të zakonshmen, ka vendosur të mësojë amerikanët si të zgjedhin Presidentin e tyre. Nuk është nga ato pleqërimet me Koçon te lapidari i Vunoit, është një punë që kërkon ta bëjë tani, sa më shpejt.
Pasi e ndriti në Shqipëri, duke vendosur krizën dhe varfërinë më të thellë, duke instaluar oligarkinë kriminalo-korruptive, duke konkurruar edhe Trumpin për pasuri personale, pasi shkel çdo ditë ligj dhe kushtetutë, kokoshi ka gati recetën për presidencialet amerikane.
Arroganca dhe deliri si rregull e kanë një kufi, por lideri botëror po tregon se për të, këto çrregullime janë të pamata. Amerikanët shpesh e gjejnë një Borat për të kaluar ca orë në ekrane apo kinema. Kësaj radhe regjisorët s’kanë nevojë të lodhen shumë.
A ka protokoll në deklarimet e tij diplomatike, Kryeministri i Shqipërisë?
Vetëm Enver Hoxha, i ka parë si rrezik dhe kërcënim Presidentët e SHBA/
Opinion nga Beqir Sina-New York/
- « Previous Page
- 1
- …
- 62
- 63
- 64
- 65
- 66
- …
- 95
- Next Page »