• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2016

Të presësh të papritshmen në Amerikë

April 5, 2016 by dgreca

NGA CHRISTOPHER HILL*/

Disa shpresojnë se të gjithë kandidatët aktualë që po garojnë për postin e presidentit të SHBA-ve, do të jenë të aftë të përballen me krizat – qoftë ato të vazhdueshme, qoftë kriza të reja. Në disa raste, që të jemi të hapur, këto shpresa mund të jenë tejet jorealiste. Dhe në çdo rast, do të ketë shumë pak hapësirë për gabime/

Kur presidenti i ri i SHBA-ve do të ulet në tryezën e punës në janar 2017, disa çështje të dukshme të politikës së jashtme sakaq do të jenë në pritje – disa më pak urgjente se të tjerat. Disa nga këto do të jenë probleme të vazhdueshme pa nevojë për parashtrim: Koreja e Veriut dhe ambiciet e saj bërthamore, Kina dhe ambiciet e saj globale, Rusia dhe ambiciet e saj të liga dhe natyrisht, Lindja e Mesme dhe ambiciet e saj disfunksionale.

Shpesh, gjithsesi, krizat që përshëndesin një president të ri nuk janë ato që priten. Kur  George W. Bush mori postin në vitin 2001, ai priste të rriste shpenzimet për mbrojtjen, të vendoste një sistem antiraketor në lindje dhe të çmontonte disa detyrime të vjetra shumëpalëshe për kontrollin e armëve. Në vend të kësaj, administrata u përball me çështje që qenë tërësisht të paparashikueshme, përfshirë Afganistanin dhe Irakun, të cilat i konsumuan për tetë vitet që pasuan.E njëjta gjë mund të ndodhë sërish kur administrata e ardhëshme të marrë detyrën. Disa probleme kanë më shumë gjasa të ndodhin.

Ta fillojmë me Arabinë Saudite. Për çdokënd që po i kushton vëmendje nga afër telasheve aktuale në Lindje të Mesme, në veçanti, dobësimit të disave prej kombeve shtete kryesore të rajonit dhe rritjes së dhunës ekstremiste, një krizë e rëndë në Mbretëri nuk është një probabilitet i pamundur. Arabia Saudite ka treguar qëndrueshmëri mbresëlënëse në kapërcimin e dobësive politike, shpesh duke përdorur të ardhurat e konsiderueshme të saj prej naftës për të blerë një rrugëzgjidhje dhe për të mbajtur një familje të stërmadhe mbretërore e cila ka qenë burim thelbësor stabiliteti.

Ky stabilitet mund të vijojë, por kjo po bëhet gjithnjë e më pak e sigurtë. Ndërsa çmimet e naftës po përjetojnë një krizë të vazhdueshme, dhe burimet e reja (për shembull, Irani) po rikthehen në tregun botëror, sauditët nuk do ta gjejnë përdorimin e rezervave të veta financiare po aq të lehtë sa e kanë pasur në të shkuarën.

Që të jemi të sigurt, në krahasim me shumicën e vendeve, rezervat financiare të sauditëve janë të stërmëdha; por po kështu janë edhe aspiratat e publikut të saj të zemëruar, pa përmendur këtu problemet në rritje në rajon dhe mendimin mes regjimit se ai duhet t’i përshkallëzojë përpjekjet – shpesh financiare – për t’iu kundërpërgjigjur ndikimit në rritje të Iranit. Me një monark tjetër drejt moshimit te Mbreti Salman, ditët e përballjes me realitetin për sauditët në Lindjen e Mesme të polarizuar dhe radikalizua të kohës sonë, mund të jenë duke ardhur. Pastaj është Turqia. Në të shkuarën, ky aktor kyç rajonal vuajti kriza të përhershme ekonomike dhe goditje hiperinflacioni, me raste, grushte ushtarake shteti të cilat, megjithëse brutale, dukej se mikpriteshin nga turqit si shpëtim nga qeveritë e dobëta të qendrës së majtë apo qendrës së djathtë. Dhe, pavarësisht disfunksionit ekonomik dhe politik, Turqia ia ka dalë të ruajë një imazh pozitiv, pjesërisht përmes ambicies për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Shpresa gjithmonë dukej se kapërcente sukesin real, por kjo e bënte Turqinë të shihej gjithmonë si një partner dhe aleat i qëndrueshëm për perëndimin.Sot, për shkak të politikës së “neo-Otomanizmit” apo thjeshtë qeverisjes së keqe të stilit të vjetër nën një autokrat pa shumë fytyrë (Presidenti Recep Tayyip Erdoğan) me tendencat e tij islamiste, Turqia është në listën e vendeve që duhet të vëzhgohen nga afër. Ndërhyrjet e saj në politikën e Lindjes së Mesme kanë qenë të pafrytëshme dhe pa qartësi e qëndrueshmëri.

Fillimisht, Turqia u duk sikur po mbështeste udhëheqësinë alavite të Sirisë nën presidentin Bashar al-Assad, pastaj ndryshoi krah, duke u bashkuar me një koalicion shtetesh arabe suni, deri tani në përpjekjen e dështuar për të rrëzuar Asadin. Ndërkohë, problemet e vjetra të Turqisë me minoritetin rebel kurd janë rishfaqur me forcë pasi Erdoğan po përdor dhunën për t’i nënshtruar, një përqasje që ai e ka aplikuar kundër shumë kundërshtarëve të tij të brendshëm, si dhe kundër medias dhe grupimeve të shoqërisë civile.

Politika e brendshme e Turqisë është përkeqësuar ditë pas dite dhe ndasitë e thella të vendit, të cilat reflektojnë probleme të thella historike e sociologjike, nuk po japin shenja përmirësimi nën presidentin e ri i cili duket i paaftë emocionalisht që të fitojë mbi çdokënd që sakaq nuk është ndjekës besnik i tij. Një zgjidhje e krizës në Siri me siguri që do të ndihmojë Turqinë, veçanërisht duke parë rolin e saj si destinacion kryesor për refugjatët nga kaosi atje; por keqqeverisja me të cilën turqit duhet të përballen një ditë, është e thellë. Turqia mund të lundrojë përmes ujërave të turbullta të sotme (siç ka bërë shumë herë më parë) dhe të ruajë unitetin dhe qëllimin e vet. Por mundet edhe të mos ia dalë.

Vështirësitë e vjetra mund të rikthehen gjithashtu. Por krizat që ato do të shkaktojnë mund të jenë të ndryshme në përmasa dhe në rëndësi.

Koreja e Veriut është një rast i tillë. Udhëheqësi aktual i vendit, Kim Jong-un, duket shumë më i rrezikshëm se sa babai i tij, Kim Jong-il, apo gjyshi, Kim Il-sung. Kërcënimet e vazhdueshme të regjimit për luftë kundër fshinjëve të vet nuk filluan me Kim 3.0, natyrisht. Në fund të fundit, gjyshi i tij qe ai që nisi Luftën e Koresë më 1950. Por moskokëçarja e tij, kombinuar me përpjekjet e vazhdueshme për të ndërtuar armë bërthamore dhe sisteme raketore për hedhjen e tyre, mund ta shtyjë problemin e Koresë së Veriut në majë të axhendës së presidentit të ri.Në fund, është Kina. Për shumë amerikanë, rreziku që përbën Kina fshihet në fuqinë e këtij vendi. Në fakt, shkaku i vërtetë për shqetësim nuk është fuqia e Kinës, por dobësia fillestare e saj, e cila mund ta zhysë këtë vend – dhe shumë të tjerë që varen nga performanca ekonomike e Kinës – në krizë.

Disa shpresojnë se të gjithë kandidatët aktualë që po garojnë për postin e presidentit të SHBA-ve, do të jenë të aftë të përballen me krizat – qoftë ato të vazhdueshme, qoftë kriza të reja. Në disa raste, që të jemi të hapur, këto shpresa mund të jenë tejet jorealiste. Dhe në çdo rast, do të ketë shumë pak hapësirë për gabime.

*Ish-ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Azinë Lindore, aktualisht Dekan i Shkollës Korbel të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit. Shkuar për “Project Syndicate”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Christopher Hill, ne Amerike, Të presësh të papritshmen

Shqipëria, sërish e para në Europë

April 5, 2016 by dgreca

Raporti i BE, Shqipëria e para në Evropë për kultivimin e kanabisit/

Raportin i BE-së për vitin 2016 për drogën, tregon se në gjithë kontinentin qarkullon 24 miliardë euro në vit. Në raportin e Komisionerit për Çështjet e Brendshme në BE, të publikuar nga komisioneri Dimitris Avramopulos, thuhet se ky nuk është i vetmi aktivitet i paligjshëm që sjell përfitime për krimin e organizuar, duke shtuar edhe terrorizmin dhe trafikimin e qenieve njerëzore në to.

Raporti i BE është publikuar si një udhërrëfyes për Europolin dhe policitë e tjera të unionit, ku vlerësohet se aktivitetet e paligjshme sjellin mbi 30 miliardë euro në vit për organizatat kriminale, ku pjesën më të madhe e zë droga.

Sipas këtij raporti, 38 % të tregut të drogës e zënë bimët narkotike, pra kanabisi që gjeneron 9.3 miliardë euro çdo vit fitime për trafikantët dhe prodhuesit.

Për Shqipërinë, në këtë raport thuhet se me gjithë operacionin policor në Lazarat, vendi unë renditet sërish i pari në Europë për prodhim kanabisi dhe shitjen e tij në tregjet e paligjshme europiane. Pas saj vjen Holanda, ku ky mall shpërndahet, duke shkelur shumë herë edhe ligjet për konsumin e tij. Edhe Çekia zë një pjesë të rëndësishme të këtij tregu së bashku me Marokun, Spanjën dhe Afganistanin.

Në vend të dytë, droga që sjell më shumë të ardhura del të jetë heroina, pasi zë 28 % të këtij tregu duke arritur 5.8 miliardë euro në vit.

Heroina, që rrjedh prej opiumit, vjen nga vendet e Kaukazit përmes Turqisë, Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me gjithë operacionet e mëdha që janë bërë përgjatë vitit 2015, ku u sekuestruan më shumë se 3300 tonë heroinë anembanë Evropës, trafikantët e saj kanë gjetur shtigje të reja.

Sa i përket vendit të tretë, atë e zë kokaina, e cila ka 24 % të tregut me 5.7 miliardë euro çdo vit. Më pas vijnë afetamina dhe metamfetamina me 8 % dhe 1.8 miliardë euro në vit. Pas tyre renditet ekstazi me 2 % dhe disa substanca të tjera psikoaktive.

Filed Under: Komente Tagged With: e kanabisit, për kultivimin, Raporti i BE, Shqipëria e para në Evropë

Meshtari Rrok Gjonlleshaj, kryeipeshkvi i ri i Tivarit

April 5, 2016 by dgreca

Meshtari kosovar, Rrok Gjonlleshaj, emërohet nga Papa Françesku si kryeipeshkëv i ri metropolit i Tivarit në Malin e Zi. Sot, Ati i Shenjtë pranoi dorëheqjen e imzot Zef Gashit, për arsye të moshës, dhe emëroi në detyrën e kryeipeshkvit meshtarin, që deri tani ka qenë famullitar në kishën e Shna’Ndout në Prishtinë.

Don Rrok Gjonlleshaj ka lindur më 10 shkurt 1961 në Velezhë, territor i Administraturës Apostolike të Prizrenit. Pasi përfundoi formimin shkollor në vendlindje, vijoi me studimet filozofike dhe teologjike në Seminarin e Rijekës, në Kroaci. U shugurua meshtar në vitin 1987 e më pas, shërbeu në shumë famulli, së pari si vikar e pastaj si famullitar. Ka qenë edhe drejtor i Radio Marisë, emitentes katolike lokale dhe bashkëpunëtor me revistën fetaro-kulturore “Drita”.

Aktualisht është famullitar i kishës së Shna’Ndout në Prishtinë dhe njëkohësisht, kryen edhe detyrën e ekonomit të Administraturës Apostolike të Prizrenit.

Filed Under: Komente Tagged With: kryeipeshkvi i ri i Tivarit, Meshtari Rrok Gjonlleshaj

Shqiptari që erdhi si refugjat e kthehet i vdekur nga Gjermania

April 5, 2016 by dgreca

Pas një grindjeje një kosovar e një shqiptar vrasin një shqiptar tjetër me thikë në një strehimore në Bonn. Fradjovola 32 vjeçar kishte plane për të vazhduar jetën në Gjermani. Autorët heshtin para hetuesisë.

Dy refugjatët, një kosovar dhe një djalë shqiptar që vranë refugjatin tjetër Fradjovolën nga Tropoja heshtin para hetuesisë gjermane. Në një bisedë me Deutsche Wellen, drejtuesi i zyrës së shtypit të policisë së Bonnit, Robert Scholten njofton se dy autorët e arrestuar që kryen vrasjen e shqiptarit 32 vjeçar në një strehimore azili Bonn të dielën (03.04) i janë paraqitur gjykatësit dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në arrest, ndërkohë që hetimet vazhdojnë, sepse deri më tani të dy autorët heshtin.

Policia e prokuroria po bashkëpunojnë ngushtë për pistat e hetimit, por deri më tani nga të dhënat duket se sherri mes shqiptarëve që përfundoi me nxjerrjen e thikës e vdekjen e shqiptarit, ka pasur arsye personale. Një i afërm i Fradjovolës është shprehur për median gjermane se Fradjovola ishte provokuar më parë nga njëri nga autorët që kryen vrasjen me thikë dhe kritikon mosreagimin e autoriteteve. “Pse nuk u çua ai në një strehimore tjetër?” Njëri nga autorët, një djalë kosovar që jetonte prej disa muajsh në strehimore duket se ka pasur grindje edhe me banorë të tjerë. “Kishim planifikuar që ai të jetonte me mua në Köln, tani më duhet ta varros Fradjovolën në vendlindjen e tij në Tropojë”, thotë kushëriri.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes banorët e strehimores dhe ata përreth kanë vënë lule e kanë ndezur qirinj. Tre metra para hyrjes u vra Fradjovola, para një pllakati me mbishkrimin “Welcome” – një zënkë që kishte nisur më parë dhe ishte vazhduar jashtë qendrës së azilit. Megjithë përpjekjet e forcave të shpëtimit dhe mjekëve, viktima humbi jetën ende në vendngjarje. Jana Biesenbach, drejtuese e strehimores thotë se “u njoftuan të gjithë banorët, shumë vetë shpërthyen në lotë, pastaj ne e kujtuam viktimën me një minutë heshtje.” Biesenbach e kujton shqiptarin si një njeri punëtor. “Një njeri i zellshëm, vetëm para pak ditësh ai ndihmoi në rinovimin e një dhome duke lyer.” Strehimorja e azilit në Bonn konsiderohej e qetë dhe policia njofton se deri më tani nuk ka pasur incidente të rënda.(DW)

Filed Under: Komente Tagged With: nga Gjermania, që erdhi si refugjat e kthehet i vdekur, Shqiptari

ALI AHMETI ZEVENDESON MINISTRAT NE QEVERI, I MIRATON KUVENDI

April 5, 2016 by dgreca

Parlamenti i Maqedonisë miratoi sot kandidatët për ministra dhe zëvendësministra të propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Kryeministri i qeverisë teknike, Emil Dimitriev fillimisht refuzoi dy prej emrave, por më pas ishte ai që iu drejtua Parlamentit për të miratuar të gjithë emrat e propozuar për në kabinetin e tij.

Bekim Maksuti në vitin 2012 së bashku me tashmë ish-kryeministrin Fatmir Besimi kishte bërë homazhe tek varrezat e luftëtarëve të rënë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në një fshat të Likovës dhe kjo ishte bërë fillimisht pengesë që z.Dimitriev ta pranonte atë i pjesë të qeverisë së tij. Maksuti u zgjiodh për zëvendësministër të Mbrojtjes. Arlind Zeqiri, ministër pa portofol, ishte personi i dytë i diskutueshëm për kryeministrin maqedonas

Zëvendëskryeministër i ri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të jetë Festim Halili. Arbër Ademi, zëvendëskryeministër për Euro-Integrime. Driton Kuçi – Ministër i Ekonomisë. Valdet Xhaferi. Ministër i Drejtësisë. Pishtar Luftiu, ministër i Arsimit. Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do ta drejtojë Bashkim Ahmeti. Shyrete Elezi u zgjodh për ministre të Pushtetit Lokal.

Ministrat e rinj janë të rinj edhe në moshë dhe pa shumë përvojë politike. Shumica e tyre janë ligjërues në Universitetin e Tetovës. Emil Dimitriev tha se pret nga kjo përbërje një përkushtim maksimal dhe respektimin e Kushtetutës. Lidhja Social Demokrate refuzoi të votojë për listën e ministrave të rinj.

Vendimi i BDI-së për të ndryshuar anëtarët e kabinetit, erdhi pas një skandali brenda dy zyrtarëve të lartë brenda partisë dhe shikohet në mënyra të ndryshme në opinionin publik. Disa mendojnë ndryshimi ishte pozitiv për t’iu lënë hapësirë njerëzve të rinj të tregojnë kapacitetet e tyre, por të tjerë vlerësojnë se këto janë vetëm manovra të partisë shqiptare në pushtet.(VOA)

Filed Under: Komente Tagged With: Ali Ahmeti, NE QEVERI, ZEVENDESON MINISTRAT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT