• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2016

Kosova prezente në të gjitha sportet botërore

May 26, 2016 by dgreca

-Në takim me Kryeministrin Isa Mustafa, Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt,  ka vlerësuar përkushtimin e Kosovës në avancimin e sportit, duke përfshirë edhe automobilizmin/

 PRISHTINË, 26 Maj 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), njëherësh i dërguar special për sigurinë në rrugë i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Jean Todt, i cili po viziton Kosovën.Kryeministri Mustafa fillimisht e priti në zyrën e tij presidentin Todt, ndërsa më pas së bashku kanë vizituar veturat e garave automobilistike kosovare të ekspozuara në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.Kryeministri Mustafa e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të presidentit Todt për sportin e Kosovës, duke theksuar se përmes miqve si ai Kosova po arrin që të jetë prezentë në të gjitha sportet botërore.“Ne e patëm një takim me presidentin Todt në zyrën time, biseduam për përkrahjen e tij dhe iu falënderuam për këtë përkrahje të madhe. Biseduam veçmas për sigurinë në rrugë, sepse është edhe përfaqësues i sekretarit të Kombeve të Bashkuara dhe është zë shumë i rëndësishëm i sigurisë në rrugë. U zotuam se ne do të marrim të gjitha masat në mënyrë që të siguromë fëmijët, udhëtarët, sepse ata gjithmonë janë të rrezikuar gjatë daljes në rrugë që nga edukimi, nga infrastruktura dhe nga mjetet tjera ndihmëse”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa e ka falënderuar për përkrahjen që ka dhënë në anëtarësimin e Kosovës në FIA.
“Me këtë ne po arrijmë që të gjitha sportet tona të bëhen pjesë e sporteve botërore dhe falë miqve tanë, siç është Jean këtu sot së bashku me ne. Ne do të bashkëpunojmë edhe më tutje dhe do të përkrahim edhe këtë sport sepse është sport shumë i rëndësishëm për ne për arsye se përfshinë një gjeneratë të re e cila është mjaft e prirë në këtë fushë”, tha kryeministri Isa Mustafa.Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt,  ka vlerësuar përkushtimin e Kosovës në avancimin e sportit, duke përfshirë edhe automobilizmin.

Presidenti Todt shprehu përkrahjen e tij të mëtejshme për automobilizmin kosovar.Ai, po ashtu, gjatë takimit me kryeministrin Mustafa e ka falënderuar për rëndësinë e rritjes së masave dhe vetëdijesimit për sigurinë në trafikun rrugor, duke iu referuar fatkeqësive të shumta, me pasoja të rënda, që ndodhin në mbarë botën./b.j/

Filed Under: Sport Tagged With: kosova, Kryeministri Mustafa, sportet boterore

Lirohen rreth 130 asete nga shfrytëzuesit joligjorë në Kosovë

May 26, 2016 by dgreca

-Agjencia Kosovare e Privatizimit, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës të vendosura për lirimin e të gjitha pronave shoqërore nga shfrytëzuesit joligjorë/

PRISHTINË, 26 Maj 2016-B.Jashari/Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Policia e Kosovës njoftuan sot se që nga marrja e vendimit nga Agjencia për lirimin e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga poseduesit dhe shfrytëzuesit e paligjshëm ka arritur të bëjë lirimin e rreth 130 aseteve nga shfrytëzuesit joligjorë.

“Gjithë rezultati i arritur është mundësuar me mbështetje të plotë të Policisë së Kosovës, e cila me kërkesë të AKP-së po asiston në aksione në terren sipas nenit 26 të ligjit të AKP-së si dhe vendimeve të Prokurorive kompetente”, deklarohet në komunikatën e përbashkët.

Theksohet se, vendimi për lirimin e aseteve nga shfrytëzuesit e paligjshëm është marrë nga Agjencia, në përputhje me Ligjin e AKP-së, i cili ligj i jep autorizim Agjencisë që të administroj me të gjitha asetet në pronësi shoqërore në territorin e Republikës së Kosovës.

“AKP, Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës shprehin vendosmërinë për të vazhduar me lirimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës pa dallim dhe siguron se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së do të lirohen nga posedimet/përdorimet e jashtëligjshme apo uzurpimet, në përputhje me vendimin bazuar në mandatin ligjor të dhënë me Ligjin e AKP-së të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thekson komunikata.

Referuar kërkesës së AKP-së, adresuar Policisë së Kosovës për dhënie të asistencës policore në lirimin e disa objekteve në Veri të Mitrovicës e cila ka qenë e paraparë për realizim sot, e njëjta paraprakisht është shtyrë për realizim dhe kjo është bërë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë në mes të AKP-se dhe Policisë së Kosovës.

“Andaj, referuar bashkërendimeve ndërinstitucionale të planifikuara me kohë dhe të bëra pas adresimit të shkresës së dt.18 maj 2016, njoftojmë opinionin e gjerë se nuk ka pasur planifikim të realizimit të ndonjë operacioni sot dhe nuk bëhet fjalë për dështim të shtetit apo institucioneve gjegjëse, siç potencohet në disa shkrime të portaleve të ndryshme”, thuhet në në komunikatë.

Njoftohet se ditëve të ardhshme do të ndërmerren veprime me mbështetjen e plotë të Policisë së Kosovës për lirimin e të gjitha pronave shoqërore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Agjensia e privatizimit, Kosove, liron 130 astete

Albanofobia si diskriminim!

May 26, 2016 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi Ish kryeministri Sali Berisha tha sot në parlament se patriotizmi matet me kujdesin për shqiptarët jashtë kufijve politikë të Shqipërisë dhe testoi mazhorancën me sfidën e dhënies së shtetësisë të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Një tezë të tillë ai e hodhi para rreth katër viteve, kur në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, pa përmendur Vlorën dhe qytetet e tjera të vendit, bëheshiin manifestime të fuqishme në përkujtim të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Por atëherë ai u qortua nga partnerët ndërkombëtarë si dhe opozita e vendit, tani mazhorancë në vendin tonë. Ai projekt për të cilin Dr. Berisha fliste në vitin 2012 doli në skenë sot për shkak të një provokimi nga ana e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili në replikë me ish-kryeministrin e në mbrojtje të shefit të tij, i bëri atij sfidën e pamatur të patriotizmit, fushë në të cilën Berisha nuk mund të ketë konkurues, pavarësisht ndonjë gabimi të imponuar prej rrethanave politike dhe prej faktorit ndërkombëtar. Edhe para katër vitesh ishte faktori ndërkombëtar, me kërkesën e Edi Ramës, që stopoi iniciativën e kryeministrit të asaj kohe për dhënien e shtetësisë shqiptarëve në rajon. Në fakt ndërkombëtarët ndërhynë asokohe me qëllim që të parandalohej dhënia e shtetësisë shqiptarëve të Kosovës, të cilët do të përfitonin nga kjo lëvizjen e lirë në Europë e kjo do ta dobësonte interesin e tyre për të realizuar kriteret dhe proceset në kërkim të këtij liberalizimi. Por Edi Rama dhe PS nuk e duronte dhënien e shtetësisë për shqiptarët jashtë kufijve të vendit për një arësye tjetër, thjesht politike dhe elektorale. Nuk e donte shtetësinë e shqiptarëve përtej kufijve për atë arësye që përmend Kreshnik Spahiu, pasi që “Partia Socialiste nuk do të vinte kurrë më në pushtet”. Prej këtru buron dhe ajo që Berisha e quajti në parlament albanofobi të socialistëve. Albanofobia është karakteristikë e serbëve, grekëve dhe maqedonasve në përgjithësi, me përjashtime jot ë pakta dhe vjen për shkaqe të pastra etnike, për domomnim në hapësirat ballkanike. Albanofobia e liderëve socialist buron nga motive thjesht politike të luftës për pushtet. Për albanofobinë brendashqiptare u fol sot për herë të parë në parlamentin e Shqipërisë. Gramoz Ruçi u mbrojt me tezën e vjetëruar të kohës së komunizmit të “mospërçarjes dhe unitetit kombëtar”, duke e interpretuar deklaratën e Berishës për qëndrimet antiveriore të Ramës si antikombëtare dhe përçarëse. Madje kërkoi që kjo deklaratë të ndëshkohej në byronë parlamentare sipas nenit 55 të Kodit Penal të diktaturës. Dmth, të ndëshkohet deputeti Sali Berisha jo mbi bazën e kriterit të së vërtetës, por mbi bazën e kriterit ideologjik të përcaktimit se çfarë do të thotë për komunistët nocioni përçarje kombëtare. E vërteta është së albanofobia ekziston kur dikush sillet në mënyrë diskriminuese ndaj një krahinë ose një pjese të popullsisë dhe territorit të shqiptarëve. Ajo çfarë dëshmoi Sali Berisha në Kuvend lidhur me deklarimet e kryeministrit përpara një ambasadori të rëndësishëm të një vendi të huaj në Tiranë, se “Unë zgjodha kriminelët për t’i sjellë në parlament, sepse ato zona kriminale vetëm në këtë formë qeverisën dhe kuptojnë”, ngjan me devizën e diktatorit Hoxha, sipas të cilit “Këtij populli jepi bukë e ndërkohë mbaja koburen te veshi”?! Por së paku diktatori nuk kishte bërë teorikisht ndonjë diferencim, sidoqë devizën e tij e zbatoi në veri të Shqipërisë. Edi Rama mbushi parlamentin me kriminelë i nxitur nga urrjetja dhe frika nga ata që ai i quante malokë dhe i quan tashmë si “alpinë”. Ai ka dëshmuar disa herë edhe në rastet e fushatës elektorale ose të ndarjes së dokumentit të legalizimit të pronave se tallet, ironizon dhe përçudnon veriorët drejtpërdrejt në ekranet televizive. Retorika antiveriore e Edi Ramës është e njohur dhe këtë virus e ka transmetuar te shumë bashkëpunëtorë të tij, veçmas të mjaftisti Erion veliaj. Qëndrimet antiveriore të Partisë Socialiste i ka kritikuar edhe Ndre Legisi, ish-deputet i Partisë Soocialiste dhe më pas i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por Ruçi nuk i tha Legisit se “Ti po përçan shqiptarët”?! Këtë arësyetim të hetuesisë bolshevike e ruajti ta shprehë sot në parlamentin shqiptar kundër Sali Berishës. Pse? Sepse Sali Berisha guxoi të zbulojë një të vërtetë, e cila nuk përbën as një të mijtën e të vërtettave të mëdha që lidhen me diskriminimin e veriut të Shqipërisë nga qeverisja e rilindave. Unë guxoj ta sfidoj zotin Ruçi! Guxoj t’i them atij hajde të bëjmë së bashku një studim për largimet nga administrate shtetërore pas 23 qershorit 2013 me bazë hulumtimin e prejardhjes së atyre që u hoqën nga puna dhe me metodën krahasuese në CV me ata që janë marrë në punë pas tyre. Nëse 70-80 përqind e të larguarve nuk do të dalin të jenë nga Veriu i Shqipërisë, dhe nëse shumica dërmuese prej tyre nuk do të kenë një CV më të pasur se zevendësuesit e tyre, atëherë, zoti Ruçi e ka fituar sfidën. Do t’i jap të drejtën që të më gjykojë publikisht për të ashtuquajturën “Përçarje kombëtare”. Por nëse do të dalë e kundërta, atëherë ai duhet të inicojë gjykimin dhe ndëshkimin publikisht të politikave të partisë që ai drejton. Mora vetëm një aspekt. Por shkojmë më tej. Nëse studiojmë dhe hulumtojnë në mënyrë krahasuese me numrin e popullsisë dhe të sipërfaqes së territorit të bashkive dhe qarqeve të veriut e të jugut në raport me investimet që janë bërë në këto tri vite, atëherë do të dilte se politikat e zhvillimit dhe investimeve në këtë periudhë i ngjajnë politikave të Gruevskit, pra, në funksion të diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni. Në Maqedoni lejohet të thuhet kjo e vërtetë prej shqiptarëve që jetojnë atje. Madje edhe në kohën e Milosheviçi shqiptarët në Kosovë e kritikonin Beogradin për diskriminimin ekonomiko-financiar të Kosovës në periudhën e sundimit të tij në të ashtuquajturën Jugosllavi e Dytë apo Jugosllavi e Tretë. Ndërsa zoti Ruçi nuk dëshiron që ky aspekt i diskkriminimit të diskutohet dhe të denoncohet në Shqipëri. Neni 14 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut të datës 4 nëntor 1950 shprehet qartë se “Konventa njeh të drejtën dhe lirinë e njeriut pa asnjë diskriminim për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, fesë, apo për shkak të pikëpamjeve politike, prejardhjes nacionale e sociale, për shkak të përkatësisë së një minoriteti, të pasurisë ose të vendlindjes, si dhe të tjerave dallimeve”. Nuk do të citoj sa e sa protokolle të OKB-së dhe Këshillit të Europës i mbrojnë njerëzit nga diskriminimi politik, etnik, relogjioz, social, ekonomik, kulturor, gjuhësor etj. Por rilindasit tanë fatkeqësisht e kanë thelluar dallimin krahinor, përveçse flasin hapur e me përbuzje kundër shqiptarëve me prejardhje nga veriu i Shqipërisë. Gjithkush e njeh fjalorin e kryeministrit dhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës për “Bathoren e bathoristët”, për “Kamzën e kamzalinjtë”, për “alpinët” e “shpellarët”. Këtë shaqje të dramës albanofobike unë e kam përshëndetur, sepse ka jo pak prej atyre që i përmbahen politikave diskriminuese të zhvillimit dhe trajtimit të qytetarëve të këtij vendi, e ndërkohë kanë aftësinë ta fshehin inatin, hakmarrjen dhe veprimin diskriminues të tyre me fjalime për “unitetin kombëtar”, me ndonjë deklaratë, pa asnjë sens serioziteti “për bashkimin kombëtar ose bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, me ndonjë shou televiziv të emërtuar tashmë me titullin “Provokacja” e kështu me radhë. Fatmirësisht diskriminimi në Shqipëri nuk është i llojit etnik, është pak religjioz dhe është thellësisht I dukshëm për shkak të dallimit krahinor. Kjo ka sjellë pabarzi, padrejtësi dhe mungesë lirie. Ndërkohë thellimi i këtij lloj diskriminimi mund të çojë në konflikte. Për mua, shkaku kryesor i padeklaruar i konfliktit politik në Shqipëri është pikërisht diskriminimi krahinor. Nëse nuk do të ekzistonte ndarja krahinore jam i sigurt se nuk do të kishim këtë lloj konflikti të papajtueshëm midis politikanëve dhe forcave politike. Fryma e përçarjes gjithmonë ka në themel të saj duskriminimin politik, ekonomik, financiar, social, kulturor, gjuhësor, shpirtëror. Prej këtej buron dhe albanofobia te vetë shqiptarët, frika se mos lëkunden pozitat dhe privilegjet e pushtetit e të përdorimit të tij në funksion të pasurimit të paligjshëm. Ndokush që fajëson Sali Berishën për të ashtuquajturën “përçarjen e veriut”, dëshiron që veriu të bëhet pastion politik i së majtës. Por predikatorë të tillë i përgënjeshtron vetë majtisti Ndre Legisi. Albanofobët e sotëm me prijës kryeministrin e vendit, janë të ngjajshëm me albanofogët e diktaturës së viteve 1940-1950, kur në rend të ditës ishte dhuna kundër të ashtuquajturit reaksion antikomunist. Edhe atëherë regjimi kishte bashkëpunuar me kriminelë, të cilët kishin dhënë prova gjatë aksioneve dhe luftës kundër nacionalistëve shqiptarë në jug e në veri të vendit. Më 2013 regjimi që erdhi në pushtet solli me vete kriminelë vrasës të tipit të atëhershëm, por edhe nga ata që janë implikuar në krimet e trafiqeve të ndryshme, në vjedhje e grabitje të ndryshme. Qëllimi i të dy skalioneve, sipas vetë deklarimit të kryeministrit para diplomatit të huaj, është i njëjtë: Të shtrojë në dru qytetarët shqiptarë të veriut, sepse sipas Edi Ramës “Druni ka dalë prej xhenehtit”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albanofobia, Dr. Enver Byryci, si diskriminim!

A ËSHTË KJO NJË KISHË E HERSHME NË PESHKËPI?

May 26, 2016 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/
1.Kur  Kapaj na tregoi se diku mes lumit dhe përroit gjendeshin themele të vjetra në  dalje të fshatit  Peshkëpi më qartësisht te ura e Peshkëpisë së Vlorës ,devijuam rrugën. Ishte pasdite ,pas mbetej ish-ferma e dikurshme e quajtur  Kota,Drashovica në anën e majtë të Shushicës dhe kthesa e Peshkëpisë. Te ura e Peshkëpisë /lufton i biri i xhixhisë. Në fushën e Peshkopisë/Ra balloni Italisë /Me manxar të Turqisë/Nga trimat e Shqipërisë
 Ky  është një gjëmim nga kënga e lebërve. Besoj se    i takon kohës së luftës së Vlorës. U kthyem pas, deri në fund të urës,  nga ku udha  merë  drejtimin e urës së  vjetër. Ecëm drejt lindjes .Një copëz udhë e pashtruar dhe foristradën e lamë te godina e ujësjellësit të fshatit .
-Do ecim në këmbë, për të dalë në anën  e këtejme të përroit,më thotë Kapaj. Moti kishte  qenë gjithë shi. Pas paradites dimërore,retë po mblidheshin sërish .Pas një kuvendimi qiellor  mbyllën  portën e errèt tè dyshimit, me bardhësinë e reve. Le tè ulërijnë tufanet e egër,le tè fryjè era e marrè me tërbim,tè shohësh humbjen, pas mos u kthe. Ky qiell gri me përmasa tè përbindshme,s ‘mund tè jetè kurrsesi limiti ynë. Dolëm në një fushë të mbjell me grurë. Fusha e Peshkëpisë gjendet në të majtë të udhës. Përmes gjelbërimit aty mungonin parundet. Mes nesh hapësirat përhapen,tè brishta si mjegulla dhe vesa,kudo tè humbas prapè mè gjen. Hapat tanë po u afroheshin kufijvè tè pashkelur, të një objekt,i  që për herë të parë  do të kishte mundësinë nga iktë nga  pamundësia për ta parë.
2.Nuk po marr etimologjinë e emrit . Nuk di ku ta kërkoj etimologjinë e emërtimit Peshkëpi. Rrethuar vargonjsh, qé vijnë,strukur  e heshtur akullnajës  së heshtjes që lind. Emërtime të shumta të fshatrave,  askush nuk i ka shpjeguar deri më sot. Mes kufijve i qëndroj mendimit tim,hap i hedhur mbetet né shmangie,kësaj drité-errësire nis e pérhapem. Fshati Peshkëpi kufizohet ne jug perëndim te fshatit Drashovicë në  jug lindje te fshatit Kropisht  dhe në lindje te fshatit Penkov, perëndimi kufizohet nga lumi Shushicë. Peshkëpia është territor i amantëve  këta të fundit  shtriheshin deri në  kufi të Armenit. Në  fshatin Armen janë bërë gërmime në disa nekropole ku janë gjetur objekte ilire . A ka qenë i banuar fshati  ngrihet një pyetje ,treva e Ilirisë ka qene  e banuar,çdo rrethané sjell domosdoshmërinë, por në fshatin e vjetër sipër në kodër. Ky udhëkryq shfaqet i mbyllur,stacionet e pritjes shfaqen kudo,mbuluar me hirin e padurimit. Ekzistenca e shumë kishave   me varësi nga Kanina  ja disa prej tyre:Kisha në Lutrojë,kisha në ledh të madh,kisha buzë lumit dhe kisha në kufi me fshatin e Vezhdanishtit.
 3.Kokéulur e shpiné kërrusur,réndon tek unë pasiguria,lëndinat e  bukurisë  kanë celé.Ecim dhe mërijmë në buzë të përroit. Mé vjen një zé qé mé thërret.
Ja gjurma e murrit të dikurshëm të lashtë, që përshkohet nga ujërat  e turbullta. Moti ka  sjell përmbytje  zbatica tè shpeshta. Mundësia qè s ‘bie greminës nuk e ndihmon dot shoqëruesin tonë që na ndali më parë te ura e Peshkëpisë duke na thënë :Ti je je marr më arkeologjinë. Këtu ka një kishë te përroi  e ka zbuluar së fundmi nga përmbytjet. E përshkojmë,  hapësirëm pa ndier lodhje asnjëherë,kthehen nè hapa tè vegjël dhe buzëqeshje. Çfarë shfaqet nga murri. Është vetëm  rreshti i parë  i gurëve të gdhendur katror që kanë qene besoj pjesë e një objekti që humbet i tëri nënë dheun kapicë .A mos vallë këto janë themelet e një ngrehine të lashtë për të cilën  flasin edhe kërkuesit e arkeologjisë ,ata rreth tre vjet më parë bënë një   sondazh duke filluar nga fshati Xhyherin deri në kufijt e Asimatit  të Velcës?
Prfo S.Mucaj  në një intervistë21/10/2011  thotë: Deri tani kemi arritur të kontrollojmë një pjesë të madhe të fshatrave në zonën që quhet zona e ulët e Vlorës, duke filluar nga Qishbardha, Peshkëpia, Armeni, Xhyherina, Risilia, Babica e Vogël, Kropishti, Rromsi, Resulaj, Kota, Mavrova, Gumenica dhe në fshatin mesjetar të Asomatit (sot pjesë e Velçës). Në gjithë këto fshatra u arrit të identifikohen monumente të reja që nuk ishin parë më parë, por dhe të rivlerësohen me të dhëna të reja edhe disa nga qendrat arkeologjike të njohura”. Duke folur për zbulimet S.Mucaj thotë:Midis tyre mund të veçohet një vilë romake dhe një kishë mesjetare në Kodrën e Beshos (Qishëbardhë), një termë romake poshtë mureve të qytezës, dy ura në përroin e Vllahinës, një vilë romake po në fshatin Peshkëpi, një kishë paleokristiane dhe një tjetër mesjetare në fshatin Risili, një kishë mesjetare në Xhyherinë dhe një tjetër në Qishbardhë. Me këto materiale janë ndërtuar dhe shumë banesa të tjera të periudhës romake dhe të antikitetit të vonë në këtë zone”.Maja e Lutrojit. Në “Majën e Lutrojit” apo siç thirrët më së shumti nga banorët “Maja e Qishës”, gjenden rrënojat e dukshme të një monumenti tepër të rëndësishëm. Edhe një djalë i klasës dhjetë, që ditën e diel ndjek në kullotë kopenë e dhive, na njeh me të dy toponimet dhe me faktin interesant që njëra faqe e kodrës (Vllaho) i takon Kropishtit dhe tjetra Peshkëpisë, kurse sheshi në majë të kodrës s’i përket askujt se është i shenjtë.
Pranë majës së kodrës tre burime (njeri me emër grek Vrizi) i kanë krijuar mundësi njeriut që të jetë i pranishëm aty që nga shek. XV p. Kr. deri në shek. XV m. Kr. Në fund të shek. IV dhe fillim të shek. III p. Kr., kur ilirët po shënonin fillimet në rrugën e zhvillimit të jetës qytetare, në majën e kodrës së saj u lartësua një tempull. Nga këtu syri të rrok rrënojat e qyteteve antike në Kaninë, Amantie, Treport, Armen, Bylis, Gurëzezë, Apoloni. Në antikitet me bardhësinë e mureve dhe monumentalitetin e tij ai duhet të ketë qenë adhuruar edhe nga qytetarët e këtyre qyteteve. Nën rrënoja do të qëndrojë e fshehur Perëndia, të cilës i ishte kushtuar ky tempull, për sa kohë nuk do të ketë gërmime.
Më herët, në shek. XV p. Kr. aty ka pasur një ndërtim, por dëshmitari i vetëm që na u prezantua gjatë vizitës së shkurtër të këtij grupi pune ishte qeramika e kësaj periudhe. Një kasolle për banim, një pikë vrojtimi apo një faltore. “Le të pranojmë për një moment këtë të fundit, dhe në fantazinë tonë do të shikojmë vargun e pelegrinëve që i ngjitet faqes së kodrës të paktën që nga shek. XV p. Kr. deri në shek. XV m. Kr.. Kjo e fundit është tepër e sigurt, se mbi rrënojat e tempullit janë ngritur muret e një kishe, të paktën që nga shek. XIII. Koprishta (Kropishta) ka qenë pronë e Peshkopatës së Kaninës dhe ka shumë të ngjarë që peshkopi ta ketë përdorur këtë si seli të përkohshme, nga ku duhet të vijë dhe emri i Peshkëpisë (peshkopatë)”, rrëfen arkeologu Muçaj.
“Për të sjellë të paktën disa të dhëna arkeologjike ne filluam të gjurmojmë trasenë e rrugës së quajtur ‘Rruga e Karvaneve’ që fillon nga Vlora për të vazhduar në drejtim të Stambollit. Kërkimet ne i përqendruam për gjatë trasesë nga Qafa e Koçiut deri tek Gjemia e Selishtës në lumin Vjosë. Në dy qafat që përshkon kjo rrugë, në atë të Zallit dhe të Armenit, në shek. IV – II p. Kr. ngriheshin dy qyteza. Vendbanime dhe varreza të periudhës helenistike i gjejmë në Qafën e Kumit (Xhyherinë) dhe në Shpëndra (Armen). Më e qartë përgjatë kësaj rruge janë ndërtimet e periudhës romake që lidhen me vetë rrugën, një stacion rrugor në Qafën e Zallit (një banjë dhe çezma e marrjes së ujit me një tubacion qeramike) dhe këmba e një ure të ndërtuar në shek. II m. Kr. në përroin e Vllahinës, pranë bregut të Shushicës në fshatin Peshkëpi. Përkundrejt saj, në Kodrën e Beshos dhe fare pranë stacionit rrugor një vilë fshatare e shtruar me mozaikë, ashtu si dhe dyshemetë e Termës”, thotë Muçaj. Gjatë antikitetit të vonë, në qafën e Armenit, u ngrit një kështjellë dhe skulptura arkitektonike flet dhe për një kishë paleokristiane. Rruga pas shek. XI duket se mori vlera të veçanta dhe këtë më së miri e tregon një këmbë ure pranë Urës romake dhe kisha në Xhyherinë (Bregu i Qishës), kisha e ngritur mbi rrënojat e vilës romake në Kodrën e Beshos dhe Kisha e Shën Kollit në fshatin Armen.
Këto themele kujt kohe dhe kujt objekti i përkasin i mbetet një zbulimi nga ndonjë ekspeditë kërkimi arkeologjik. Ajsbergët e zhytur fundit tè thellè,dukshmërinë shfaqin madhështisë sè tyre,poshtë tyre fle mendueshëm akullsia ditè-netëve të një kohe .Rëndojnë fatalisht drejtimet e ndarjes,cikli i jetës asgjë nuk kursen vazhdimësisë,kjo e vërtetë nuk mund ti ndalè hapat e kthimit në këtë kohë të një objekti ,që ka pasur dikur punë shpirti dhe me qiej perëndie .Atje tej më,nuk ka kufij ta përcaktojë tè pandashmen,s’ka klasifikim në të pakrahasueshmen absolute, por për kërkuesit e arkeologjisë,mistere nuk mbeten .
 Qëndrim stoik- stoik prekshmëria e ,ndriçimit tè kësaj yjësie asnjëherë nuk humbet,nè gjumë e vèt  rrëmbimin e ndjesive.Rruga e ikjes nuk është udhëkryq,sërish do tè kthehesh si zog shtegtar,hënë që shtatin humb admirimit tè gjatè.
4.Gjurmë të urës
Nuk shuhet një qiell i tèrè,nga rënia e një ylli tè vetëm,yjësia si gjithmonë do tè frymojè. Dhjetë çape  më tej gjenden ca gjurmë të tjera .Një objekt tjetër që shquhet nga aty. Një murrë gjysmë i rrëzuar në faqen përkarshi  përroit. Dëgjohet nga larg një klithmè,çjerre e vrarè brigjeve pa emër. .Shkëndijat e shndritshme se humbèn shkëlqimin, pa zhurmè,pas mbetèn hapat dhe kumbimi i tyre. Mëritëm, thotë shoqëruesi. Ajo çka shfaqet   që në shikimin e parë janë  këmbët e një  urre prej guri  jo më tepër se 2 m. Gurët e latuara zgjaten nga fundi i përroit deri në  lartësinë e fushës. Deri në lartasin e një metri murri ishte i bashkuar por aty ndahej. Në mes ishte një gropë e madhe që tregonte vendin ku duhej të ishin vendosur trarët  e urrës. Murri është i ndërtuar nga zanatçinj urash,guri vogël i latuar  dhe i lidhur mirë,në të majtë të këmbës së urës,një rrap që zgjatej  3-4 m mbi lartësinë e fushës. Që ishte urë dhe ajo këmba e saj ta përforcon idenë,pjesa e këtejme ku ne qëndrojmë.
Murri ka po atë lartësi dhe është po i njëjti si përkarshi. Gurët e vegjël të prerë e të latuar të lidhur mes tyre .Nuk ka pikë dyshimi .Është një urë. Ulem pranë këtij shkatërrimi rrënojash,pas meje shemben qiejt e pafund,ulërin era e marrè duke sjellè ankim.Po kjo është një urë. Cfarë janë urat . Si në të gjithë botën, urat kanë  një mision të veçantë dhe kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet. Një urë është ndërtuar  me një strukturë  të tillë për të kapërcyer vështirësitë fizike të tilla si uji, luginë, apo rrugë, për qëllimin e ofrimit mbi pengesë. Ka shumë dizajnë të ndryshme që të gjitha shërbejnë për qëllime unike dhe të aplikojnë për situata të ndryshme. Etimologjia e fjalës urë: Urat e para u bënë nga vetë natyra – aq thjeshtë sa një regjistër të rënë nëpër një lumë apo gurë të hedhur  në lumë. Urat e para të bëra nga njerëzit, përfshin drurët  e prerë dhe përfundimisht gurë, duke përdorur një mbështetje të thjeshtë dhe aranzhim traverse.
Në gjuhën poetike kam përdorur për urat simbole  :Urat.Qelqore . Hënore.Diellore.  Qelqore-ura mbi supe mbajnë    copëra vargjesh. Hënore-ura,që mbajnë copëra diamantesh      në kujtesë. Diellore-ura,që mbajnë copëra fatesh në pjesë.Të bëhemi më realist  dhe të sjellim në kujtesë se në trojet tona, urat kanë qenë  nevojë për të lidhur brigjet .Ne kemi një terren të thyer ndërsa strehët tona janë ndërtuar ndër kodra ,male si strehë karakolli,ku poshtë rridhte lumi valë-valë.Këto ndërtime të fshehura  shpesh poshtë rrapeve shekullorë,shelgjishteve humbën ose u nxorën jashtë  përdorimit .Kur ka ekzistuar kjo urë,koha  e ndërtimit të saj,sa ishte jetëgjatësia? Ulèt fasada  qè dhemb,sa vështirë tè pranosh fundin  e fillimeve tè brishta,sa i turbullt besimi mes dukjeve dhe shtirjeve. Iket përpara për inerci lëvizëse,nuk ekziston motivi i mirëfilltë nxitës,çdo hap i hedhur është gjurmè asfiksie. Vija ndarëse bèhet e dukshme,ngjyrat e kundërta vihen pranë,krahë mè krahë. Tashmë këto fakte le ti marrin kërkuesit që kanë në dorë  dhe ti shtrijnë më tej .Muzgu i mbylli sytë e èndèrt,tisi i natës nè tè ardhur pranë mè merr,afrim i trishtè dhe tragjik fatalitetit  të objekteve që janë zhytur nën llucë dhe baltë të kohës. Mbështetem kësaj pranie gjithë-përfshirëse,nuk di ku mund tè ketë orientim,tè gjendet një dalje e rregullt nè këtë labirint. Ngatërruar zvarritjes qè udhè nuk ka,mure gjigante ndarës dhe tè llahtarshëm,mè shfaqen ftohtësisë si hije tè zeza. Ndahemi me mikun tonë që ka shoqëruar disa grupe dhe mbanë shpresa për gërmime në këto anë që ende s’po vijnë.Ikëm ndajnate  nga Peshkëpia.

Filed Under: Analiza Tagged With: A ËSHTË KJO, Gezim Llojdia, NË PESHKËPI?, NJË KISHË E HERSHME

100 VJET NGA SHQIPERIMI PREJ FAN S. NOLIT I TRAGJEDISE”OTHELLO”

May 26, 2016 by dgreca

ME 25 MAJ 1916 DIELLI NJOFTONTE SE ISHTE MBARUAR SE SHTYPURI TRAGJEDIA ”OTHELLO” E WILLIAM SHAKSPEAR, PERKTHYER NGA IMZOT NOLI/

Gazeta “Dielli” e numrit 25 Maj 1916 përcillte këtë njoftim: U mbarua së shtypuri tragjedia e Othellos e shkruar prej dramatistit më të madh të botës pas Krishtit William Shakspear, e shqipëruar prej Inglishtes në vjershë prej At Fan Nolit.

Kjo është e para vepër klasike që kthehet nga Inglishtja në Shqip.Shqiptarët e Amerikës duhet të jenë kryelartë që kjo vepër me rëndësi u shtyp prej Vatrës, e cila nuk dëshiron që të jetë e para vetëm në fushën e politikës, por edhe në fushën e letrave të bukura.

Përkthimi mbanë në faqen e pare dedikimin kushtuar Federatës Panshqiptare të Amerikës. Në kuadër të 400 vjetorit të të vdekjes së Shekspirit dhe 100 vjetori të përkthimit të tragjedisë  “Othello, nga Fan S. Noli, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka bërë dixhitalizimin e tragjedisë të cilën mund ta shfletoni online, duke shkuar në adresën : http://www.bksh.al/othello.pdf . Ju mund ta shkarkoni n http://www.bksh.al/othello.pdf kompjuterin tuaj.

Filed Under: Histori Tagged With: ”OTHELLO”, 100 VJET NGA SHQIPERIMI, PREJ FAN S. NOLIT I TRAGJEDISE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 93
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT