• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Të luash me politikën e jashtme të SHBA-ve

July 30, 2016 by dgreca

Shkruan:Christopher R. Hill*/

Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara, sakaq e gjatë dhe e trazuar, pa dyshim do të bëhet edhe më e trazuar në muajt e ardhshëm, ndërsa të dy kandidatët e partive, aktualisht zyrtarisht të zgjedhur, do të përballen para zgjedhjeve të nëntorit. Por votuesit do të kenë një zgjedhje të qartë përballë vetes, veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme.

Kandidatja e Partisë Demokratike, Hillary Clinton, ka premtuar vijimësi. Një administratë e Clinton do të mbetet një partner me vullnet ndaj miqve dhe aleatëve të Amerikës, dhe do ta bëjë të qartë për kundërshtarët e Amerikës se parimet e përgjithshme të politikës së jashtme të këtij vendi nuk do të ndryshojnë.

Politika aktuale e SHBA-së, me rrënjë në fuqinë dhe e udhëhequr nga pragmatizmi, ka qenë në përgjithësi e suksesshme në sigurimin e paqes dhe stabilitetit për shumë dekada.

Një vizion shumë i ndryshëm është shfaqur në anën republikane, me nominimin e Donald Trump. Dhe megjithatë kandidati është një çështje e rëndësisë së dorës së dytë – një simptomë e transformimit të shpejtë të Partisë së Vjetër të Madhe, e cila ka ofruar një spektakël marramendës për amerikanët dhe për të huajt.

Estabilishmenti i republikanëve e kaloi sezonin e zgjedhjeve primare duke pickuar veten, duke pyetur se si ndodhi që një kandidat si Trump triumfoi. Për shembull, në mars 2016, qindra këshilltarë republikanë, që përfaqësonin një spektër të gjerë këndvështrimesh mbi politikën e jashtme, firmosën një letër të hapur duke shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë e tyre ndaj Trump.

Ndërsa disa nga këto këshlltarë mund të shkojnë ta mbështesin këtë vjeshtë, pasi të jenë “siguruar” për angazhimin e tij ndaj mendimeve të tyre, shumica nuk do ta mbështesin.

Partia e Vjetër Madhe ka prodhuar një kandidat për president me mendim kaq të zymtë mbi perspektivën e Amerikës sa ai mendon se vendi ka rënë në një humnerë nga e cila mund të mos dalë kurrë. Ndërsa shumica e botës sheh nga SHBA-të për udhëheqësi ndërkombëtare të mençur, Konventa Kombëtare Republikane në Klivelend ku Trump u nominua formalisht, projektoi asgjë tjetër veç frikë dhe urrejtje.

Një nga elementët më goditës së fjalimit të Trump në konventë qe sulmi i tij ndaj administratës së fundit republikane. Ai e cilësoi George W. Bush si pjesëmarrës në një komplot të përbashkët me Hillary Clinton në ngatërresa të ndryshme të huaja, të tilla si luftë, e, akoma më keq, marrëveshje tregtie.

Përgjatë të gjithë fjalimit të tij, gjithsesi, Trump nuk dha ndonjë koment për pjesën tjetër të trashëgimisë 162 vjeçare të republikanëve. Abraham Lincoln? Harrojeni. Gjenerali Dwight D. Eisenhower, një hero lufte dhe presidenti që ndërtoi sistemin e autostratave ndërshtetërore për të cilin Trump na thotë ne se është aktualisht gjysmë i shkatërruar? Nuk kam dëgjuar kurrë për të. Dhe delegatët duket se nuk kishin problem me këto harresa dhe bërtisnin në mënyrë miratuese ndaj çdo komenti agresiv dhe paralajmërimi apokaliptik.

Shumë pak njerëz e morën seriozisht Trump, një yll emisionesh televizive që nuk ka mbajtur kurrë një post publik, deri sa ai filloi të fitojë primaret. Tashmë ai është kreu informal i Partisë Republikane dhe flamurmbajtësi për president i kësaj partie. Si ndodhi kjo?

Ronald Reagan, shenjtori padron i ditëve tona të Partisë së Vjetër të Madhe, tha një herë se qeveria është problemi dhe jo zgjidhja, një diktat që ka mishëruar shpirtin anti-qeveri i cili qe tipari që ka përcaktuar partinë që nga ajo kohë. Tashmë rezulton shumë ironike që çdo republikan që garon për një zyrë do të pëlqejë më shumë të zhbëjë qeverinë se sa të shërbejë në qeverisje. Nuk ka habi pra që votuesit republikanë zgjidhën për kandidat një person që nuk ka shërbyer kurrë në qeverisje.

Mbrojtja kombëtare ka qenë përjashtimi i vetëm i këtij këndvështrimi anti-qeveritar. Por edhe në këtë çështje, Partia e Madhe e Vjetër ka ndryshuar. Trump ka indikuar se ai do të shkelë detyrimet e Amerikës ndaj NATO-s, do të injorojë institucionet e qeverisjes botërore dhe të dhe të trajtojë bisedimet me vendet e tjera si ceremoni dorëzimi ndaj qëndrimeve të SHBA-së, më shumë se sa si bisedime dypalëshe.

Dhe megjithatë, nëse estabilishmenti i politikës së jashtme të republikanëve dëshiron të kuptojë se nga erdhi një kandidat si Trump, ata do të bëjnë mirë të shohin sjelljen e disave prej atyre vetë. Të tillë si Max Boot, i cili shpesh bëri thirrje për përdorim të njëanshëm të forcës në zonat e nxehta të botës, i hapi rrugën atij, edhe pse sot nuk e mbështet. Dhe të tjerë e kanë ndihmuar atë gjatë fushatës së tij si luftë pa rregulla, ndërsa ai i ktheu mosmarrëveshjet mbi politikat civile në sulme personale.

Sipas sondazhuesve dhe ekspertëve, Trump ka shumë gjasa që do të humbasë në nëntor. Nëse gjatë tetë viteve të fundit, republikanët nuk ia dolën të rregullojnë partinë e tyre, ndoshta katër apo tetë të tjera do të mjaftojnë. Dikush duhet të shpresojë se ata do t’ia dalin. Demokracia amerikane – dhe politika e jashtme e SHBA-ve – ka nevojë për së paku dy parti të mëdha, jo një parti të madhe dhe një tjetër të vogël e në periferi.

*Christopher R. Hill, ish-ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Azinë Lindore, është Dekan i Shkollës Korbel të Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit dhe autor i Outpost.

/Marrë nga BIRN/

Filed Under: Analiza Tagged With: Christopher R. Hill, me politikën e jashtme, Të luash, të SHBA-ve

Deri ku arrin dora e zgjatur e Erdoganit?

July 30, 2016 by dgreca

Shkruan:Schartz von der MArk/Turqia lufton me të gjitha mjetet lëvizjen Gylen. Presidenti Erdogan kërkon nga bota e jashtme europiane mbështetje, përmes ekstradimeve dhe „verifikimit“ të shkollave. Por Europa nuk i përgjigjet.

Türkei Präsident Tayyip Erdogan

Për ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu çështja është e qartë: „Gjermania duhet të ekstradojë gjyqtarë dhe prokurorë të këtij shteti paralel“. Me këtë ai ka parasysh lëvizjen Hizmet të predikuesit islamik Fetullah Gylen. Ndonëse Çavusoglu nuk përmend emra konkretë, dihet se për këtë bëhet fjalë, per dy ish-prokurorët turq Zekeria Oz dhe Xhelal Kara. Që të dy ata u arratisën në gusht 2015 nga Turqia, për t’i shpëtuar arrestimit.

Përgjigja e Berlinit ndaj ministrit të Jashtëm turk është e qartë: me ne jo. Deri tani asnjëherë nuk është konfirmuar, që të dy burrat ndodhen në Gjermani. Edhe sikur kjo të ishte e vërtetë, një ekstradim në Turqi nuk do të arrihej.

Pengesa të larta

Kërksa për ekstradim duhej të paraqitej përmes rrugëve diplomatike, pra duhej të arrinte në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Kërkesat përkatëse për dy prokurorët ndërkohë kanë mbërritur në Ministrinë e Jashtme.

Tani hyn në lojë drejtësia, thënë më saktë prokuroria përkatëse dhe gjykata përkatëse. Shtetasit e huaj sipas së drejtës gjermane për t’u ekstraduar duhet të jenë dënuar me burg. Kryetari i shoqatës së gjyqtarëve gjermanë ka bërë të qartë, se: “Të nevojshme janë akuza konkrete me prova, që shtetasit turq, që ndodhen në Gjermani, kanë qenë të implikuar në tentativën për puç në Turqi, në mënyrë që të merret në konsideratë ekstradimi.”

Edhe kancelarja Angela Merkel u pozicionua lidhur me çështjen e ekstradimit. Ajo iu referua në fakt konkretisht PKK-së, por deklarata e Merkelit vlen edhe për përkrahësit e Gylenit: “Ne duhet të ndjekim parimet e shtetit ligjor.” Kësisoj aktet penale politike qysh në krye të herës dështojnë si argument për ekstradimin. Shtetas, që krahas nënshtetësisë turke kanë edhe atë gjermane, sipas ligjit themelor, në përgjithësi nuk i kthejnë në Turqi.

Fethullah GulenFetullach Gülen

Turqia kërkon verifikimin e shkollave gjermane

Të indoktrinuar? Ankaraja kërkon verifikimin e shkollave në Gjermani. Por kërkesat për ekstradim nuk mjaftojnë, qeveria turke do që Gjermania „të verifikojë dhe rivlerësojë“ shkollat, institucionet dhe shoqatat të afërta me lëvizjen Gylen.

Kryeministri ekologjist i Baden-Vyrtenbergut Winfried Kretschmann tha lidhur me këtë për gazetën „Frankfurter Allgemeine Zeitung“, se ai vetëkuptohet që „nuk do ta bëjë këtë“, duke shtuar, se një gjë e tillë është absolutisht e panjohur për të. Lidhur me një shkollë në Shtutgart, që sipas mendimit të Turqisë „menaxhohet“ nga Gyleni, Kretschamnn tha: „Kjo është një shkollë gjermane në të cilën jepet mësim sipas planit mësimor të landit të Baden-Vyrtenbergut dhe jo sipas planeve të zotit Gylen.”

Politikani kristiandemokrat për politikën e brendshme Wolfgang Bosbach tha lidhur me këtë, se është e drejtë, që Turqisë t’i tregohen kufijtë. Edhe kërkesa për ekstradimin e puçistëve gjoja të arratisur në Gjermani, duhet të refuzohet. Drejtësia gjermane nuk është „dora e zgjatur e Erdoganit“.

“Aksione spastrimi“ edhe në Ballkan

Në mbarë Europën janë në shënjestër të qeverisë turke shkolla e shoqata. „Aksionet e spastrimit“, siç i quan presidenti Erdogan mijëra arrestimet pas puçit të dështuar, kanë në fokus tani institucionet arsimore në Europën Juglindore. Disa vendeve europiano-lindore u kanë arritur kërkesa me shkrim nga ambasadat dhe konsullatat turke, që të mbyllin „shkollat e Gylenit“.

Fethullah Gylen, predikuesi turk në emigracion në SHBA dhe i shpallur si një „armik i betuar“ i Erdoganit, është iniciator i një rrjeti mbarëbotëror shkollash private, që financohet nga donacione dhe tarifa. Në Ballkan ato konsiderohen si alternativë ndaj sistemit të vjetëruar shtetëror të arsimit. Shpesh ato vlerësohen me rendimente të larta të nxënësve të tyre. Si menaxhuesit e këtyre institucioneve ashtu edhe ministritë përkatëse të Arsimit në vendet e Europës Juglindore hedhin poshtë çdo akuzë, sipas të cilave në këto shkolla bëhet „punë misionare“. Shkolla u përmbahet strikt ligjeve të vendit përkatës dhe janë të orientuara sipas planeve mësimore shtetërore.

Përfaqësitë turke ushtrojnë presion

Qendrimi i Ankarasë u ka ngjallur pasiguri dhe indinjatë tek shtetet e prekura. Në Rumani konsullata turke madje disa shkollave u ka kërkuar direkt që të mbyllen. Ministria rumune e Arsimit i hedh poshtë me vendosmëri të tilla kërkesa dhe siguron, se shkollat nuk do të mbyllen.

Nga Bullgaria ka lajme të ngjashme. Prindërit dhe nxënësit janë vendosur nën presion masiv nga ambasada turke, që të kërkojnë shkolla të tjera, sepse shkolalt turke janë në prag tëmbylljes. Në Bosnje ambasadori turk u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve që t’u kundërvihen shkollave, të cilat ai i cilësoi si „organizata terroriste“. Në Shkup shoqata e minoritetit turk kërkoi „spastrimin“ e vendit nga „tradhëtarët“.

Kësaj i shtohet edhe kërkesa për „dënimin“ e gazetarëve kritikë. P.sh. komenti i gazetarit të njohur kosovar Berat Buzhala lidhur me puçin në Turqi shkaktoi një reagim të ashpër të ambasadës turke në Prishtinë. Qeverisë kosovare iu kërkua që të veprojë kundër Buzhalës. Ministrii Jashtëm Enver Hoxhaj e quajti këtë kërkesë „të papranueshme“ dhe „krejtësisht të ekzagjeruar“.

Prokurorë, shkolla, gazetarë – përpjekjet e qeverisë turke për t’i përçuar edhe në botën e jashtme mosmarrëveshjet në politikën e vet të brendshme, po shtohen. Ndërsa politikanët europianë u kundërvihen ndërhyrjeve të presidentit turk Erdogan, ky i fundit e ndjen veten të keqkuptuar. Perëndimi duhet ta lëvdojë Turqinë për mposhtjen e puçit, në vend që të jetë në anën e puçistëve, është reagimi i tij.(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: Deri ku arrin, dora e zgjatur, e Erdoganit?

Parisi do një Islam francez

July 30, 2016 by dgreca

Kryeministri francez do ta kufizojë influencën nga jashtë ndaj xhamive. Franca ka nevojë për një marrëdhënie të re me Islamin. Kërkesa vjen pas një serie atentatesh islamiste kohëve të fundit.

Frankreich Moschee in Lyon

Pas serisë së atentateve të kohëve të fundit në Francë, kryeministri Manuel Valls do një bashkëpunim të ri mes shtetit dhe institucioneve islamike në vend. Në një intervistë për gazetën “Le Monde” (29.07) Valls u shpreh që për një farë kohe ndërtimi i xhamive në Francë të mos financohet më nga jashtë.

“Ne kemi nevojë për një rend të ri dhe duhet të gjejmë një marrëdhënie të re me Islamin e Francës”, tha Valls duke theksuar, se Salafizmi nuk ka vend në Francë. Së fundi sulmi i dy të pandehurve terroristë në një kishë katolike në Normandi e tronditi vendin. Një prift u vra. Qysh nga fillimi i vitit 2015 në Francë ka pasur vazhdimisht sulme islamiste. Kjo ka nxitur diskutimet për rolin e Islamit në Francë.

“Laicizimi e ka verbëruar shtetin”

“Shteti francez si të thuash tani është zgjuar “, thotë Ronja Kempin, e cila analizon gjendjen në Francë në Fondacionin Shkenca dhe Politika. Sipas saj nuk i përgjigjet botëkuptimit francez për shtetin ndërhyrja në çështjet religjoze, shpjegon Ronja Kempin. Sipas saj kjo ka të bëjë me ndarjen strikt të shtetit nga kisha, sepse Franca është shtet laik. “Laicizmi e ka bërë shtetin si të thuash të verbër”.

Ndërkohë qeveria në valën e luftës kundër terrorit ka hartuar planin e aksionit kundër radikalizimit dhe terrorizmit, që u prezantua në maj. Për këtë Franca në dy vitet e ardhëshme do të verë 40 Milionë Euro në dispozicion, për të hapur në mbarë vendin qendra për riintegrimin e islamistëve të radikalizuar.

Frankreich Paris Manuel VallsKryeministri francez Manuel Valls

Por kjo do të jetë e vështirë, thekson Kempin, sepse qeveria nuk e njeh kuotën e saktë të besimtarëve në vend. Si shtet laik Franca nuk mban statistika për përkatësinë fetare. Askush nuk e di saktë, se sa njerëz në çfarë niveli janë religjozë.

Financim nga donacionet

Në Francë ka mbi 2000 xhami të ndërtuara kryeisht me donacione, po ashtu si edhe kishat e krishtera. Në Francë nuk ka taksë për kishën si në Gjermani. Edhe në vende të tjera europiane si p.sh. në Belgjikë nuk është transparent ndërtimi i xhamive. Nuk është e qartë se sa xhami ndërtohen me financime nga jashtë vendit. Një studim i fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin në 2010 arrin në konkluzionin, se në atë kohë bëhej fjalë për rreth 200 xhami, ndërtimi i të cilave ishte realizuar me donacione nga të huaj.(DW)

Filed Under: Komente Tagged With: Islam francez, Parisi

KUR KONICA KESHILLONTE PRINC VIDIN

July 30, 2016 by dgreca

Më 28 korrik 1913, Fuqitë e mëdha bien dakord që Shqipëria të vendoset nën sovranitetin e princit gjerman Wilhelm Friedrich Heinrich (Princ Vidi ose Princ Vilhelm Vidi).

Gruaja e tij, princeshë Sofia e Saksonisë (1885-1936) rridhte nga familja e njohur Gjika me origjinë shqiptare.

Mbretëresha Elisabeth e Rumanisë, kur mësoi se Fuqitë e Mëdha, ishin në kërkim të një aristokrati si mbret të Shqipërisë, përdori ndikimin për të emëruar nipin e saj, Vidin në këtë post. Përfundimisht Fuqitë e Mëdha evropiane, Austrio-Hungaria, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Italia zgjodhën Vidin për të qeverisur Shqipërinë e re të pavarur.

Njoftimi u shpall zyrtarisht në nëntor 1913 dhe vendimi u pranua nga Ismail Qemali, kreu i qeverisë së përkohshme në Vlorë. Në vitin 1913, evropiano-perëndimorët e konsideronin Shqipërinë një vend të varfër, pa ligje, të prapambetur; shtypi francez i referohej Vidit si “le Prince de Vide”, që do të thotë “Princ i Zbrazëtisë”.

Vidi dhe gruaja e tij, princeshë Sofia mbërritën më 7 mars 1914 në Durrës, ku u pritën me entuziazëm të madh, festimet zgjatën rreth 1 javë.

Por me Shqipërinë në gjendje lufte civile që nga korriku 1914, me Greqinë që kishte zënë jugun e vendit, dhe me fuqitë e mëdha në luftë me njëra-tjetrën, regjimi i Vidit ra, dhe princi u larguar nga vendi më 3 shtator 1914.

Vidi shkoi fillimisht në Venecia, pastaj u kthye në Gjermani si kapiten në ushtrinë perandorake me emrin e luftës, “Konti i Krujës”.

Pas luftës, Vidi ende ushqente ambicie për t’u rikthyer në Shqipëri, pavarësisht se Gjermania kishte dalë e humbur nga lufta. Shpresat e Vidit morën fund më 31 Janar 1925 kur Shqipëria u shpall zyrtarisht republikë me president Ahmet Zogun, më pas mbret.

Princi Vidi vdiq me 1945 në Predeal, Rumani, në moshën 69-vjeçare, duke lënë djalin e tij, princin Karol Viktor, si trashëgimtar të pretendimeve për fronin shqiptar.


Një nga mbështetësit e Princ Vidit ka qenë edhe Faik Konica. Diplomati shqiptar shkoi në Potsdam (Berlin) në fundvitin 1913 për t’u takuar me Vidin dhe për ta këshilluar personalisht atë për detyrën e vështirë që ai kishte marrë përsipër. Çfarë e këshillonte ai Vidin dhe si e vlerësonte Konica Shqipërinë e viteve 1913, del qartë në Kujtesën që ai i dërgoi Wied-it më 9 dhjetor 1913 nga Potsdami, të cilën po e botojmë të plotë:

Kujtesë

për Lartësinë e tij, Princin Wilhelm zu Wied,

nga Faik Konica, në Potsdam [Berlin] më 9 dhjetor 1913

Lartësia juaj, Princi Wilhelm zu Wied,

që prej momentit që u përzgjodhët sovran i Shqipërisë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, të gjithë patriotët shqiptarë janë gati për t’ju shërbyer me besnikëri e për t’ju ndihmuar në realizimin e detyrës së lavdishme të konsolidimit dhe zhvillimit të kombit shqiptar. Së pari, është shumë e nevojshme që, familja mbretërore, të bëhet e njohur në popull dhe sovranit t’i jepet një autoritet moral që nxit respektin dhe bindjen [përuljen] e popullit ndaj tij. Populli shqiptar, si një nga popujt më monarkikë të Ballkanit, ka tashmë besim të plotë te sovrani i tij i ardhshëm dhe e pret ardhjen e tij si Udhëheqës i domosdoshëm e shpëtimtar, i cili do të dijë ta drejtojë atë [popullin] në rrugën e duhur.

Por, suksesi i kësaj dinastie të re do të varet nga realizimi i idealeve që populli ka krijuar për këtë Princ, gjë që mund të përmblidhet me disa fjalë.

Nëse gjatë regjimit turk triumfuan më të shkathtët e më të shpejtët, me regjimin e ri, populli shpreson se do të jetë koha e njerëzve të ndershëm dhe të drejtë. Princi do të bënte mirë të vendoste sinqeritetin në themel të qeverisjes së tij. Pa diskutim, duhet të lihen mënjanë e të largohen gjithë intrigantët që nuk janë të aftë t’i futen punës. Këta njerëz, në vend që të përpiqen për zgjidhjen e problemeve të mëdha të kombit, preferojnë të fshihen në prapaskenat e oborrit mbretëror dhe në momentet e vështira, janë të parët që dezertojnë dhe rendin drejt padronëve të rinj. Favorizimi duhet të zhduket një herë e mirë nga Shqipëria.

Të njohësh njerëzit, ashtu si janë realisht dhe jo si mundohen ta shfaqin veten te miqtë apo armiqtë e tyre, përmbush gjysmën e asaj që anglezët e quajnë “King craft”, ose arti i të mbretëruarit. Dhe gjysma tjetër e këtij arti përkon në zgjedhjen e burrave të zotë e të drejtë dhe që bota i njeh si të tillë.

Analfabetët, hajdutët, vrasësit dhe tradhtarët duhen mënjanuar nga shërbimi publik. Kjo vërejtje duket e padobishme, por për fat të keq është e nevojshme. Në mesin e funksionarëve dhe xhandarëve të qeverisë provizore që vuan sot Shqipëria, pjesa e tyre më e madhe nuk di të shkruajë dhe të lexojë. Pothuajse të gjithë janë hajdutë ose vrasës të njohur dhe madje, disa prej tyre, janë kundërshtarë të ashpër të mëmëdheut shqiptar. Mbajtja e tyre në pushtet, ndërkohë që në Shqipëri ka elementë të arsimuar, të ndershëm dhe patriotë të gatshëm për t’i shërbyer atdheut, do të çonte drejt një katastrofe të madhe. Një studim i detajuar mbi lëvizjen tonë kombëtare gjatë këtyre 18 viteve të fundit, duke përfshirë në të qoftë personat që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për atdheun, qoftë spiunët e administratës turke, është më se i nevojshëm për të krijuar një ide të saktë mbi karakteret e shqiptarëve.

Është e rëndësishme të mos harrojmë 2 fakte:

– së pari, vetëm në sajë të nacionalistëve, të cilët arritën të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare shqiptare dhe të krijojnë një lëvizje pavarësie duke e paguar këtë me mijëra sakrifica, u bë e mundur që Austria të mbrojë përpara Evropës tezën e ekzistencës së një kombi shqiptar;

– së dyti, zgjedhja e princ Wied-it u bë e mundur nëpërmjet veprimtarisë aktive të përditshme të nacionalistëve, në gazeta, takime si dhe në kongresin e njohur të Triestes të marsit 1913, të cilët mbrojtën dhe forcuan parimin se, princi i zgjedhur, duhej të ishte evropian dhe i krishterë. Pra, populli pret që të jenë nacionalistët ata që gëzojnë vlerësimin dhe besimin e sovranit dhe jo turqit e vjetër apo të rinj.

Tre pika kryesore vihen re në programin e nacionalistëve:

1.Gjuha shqipe si e vetmja gjuhë zyrtare në administratën e vendit.

2.Qeverisja e vendit nga parlamenti.

3.Garantimi i lirisë absolute të shtypit.

Çështja e parë nuk ka nevojë të mbrohet, kuptohet vetvetiu.

Ndërsa për çështjen e dytë, mund t’i trembemi faktit se, Austria dhe Italia, edhe pse nisur nga qëllime të mira, mund të japin këshilla të gabuara, të bazuara në frikën e rremë se në Shqipëri nuk ekziston një opinion publik; dhe për rrjedhojë mund të krijohet një qeverisje despotike. Sigurisht, këto do të ishin këshilla të mjerueshme, por njëkohësisht dhe shumë të rrezikshme. Absolutisht që Shqipëria ka nevojë për drejtësi dhe vendosmëri në qeverisje dhe jo për despotizëm. Është e vërtetë që, gjatë viteve të para të qeverisjes, një senat, ose asamble këshillimore, i emëruar nga Princi, por i përzgjedhur me kujdes, mund të zëvendësojë dhe të krijojë kushtet për ngritjen e një regjimi parlamentar. Me të gjitha defektet e njohura që mbart, kjo është e vetmja mënyrë për të kanalizuar pakënaqësitë dhe për të ofruar një garanci

Në lidhje me çështjen e tretë, atë të lirisë së shtypit, është për t’u patur parasysh që, çdo përpjekje për ta kufizuar këtë liri do të çonte në krijimin dhe publikimin e gazetave opozitare në kryeqytetet e disa shteteve të vogla fqinje. Kjo opozitë e organizuar tek armiqtë e Shqipërisë, do të ishte shumë herë më e rrezikshme, në krahasim me atë që do të krijohej brenda vendit, pasi kjo e fundit do të ishte më e lehtë për t’u mbajtur brenda kufijve normalë. Kuptohet që ajo [liria e shtypit] duhet të qeveriset nga një ligj serioz mbi shpifjet, siç ndodh edhe në Angli.

Nëse sovrani i merr në konsideratë këto pikëpamje, atëherë dinastia do të jetë e sigurtë dhe me një popullaritet të qëndrueshëm dhe jetëgjatë. Por, për momentin, ka disa probleme të ngutshme. Është shumë e rëndësishme që Princi të mos zbarkojë në Shqipëri pa qenë i ftuar më parë nga vendi dhe të mos vijë vetëm si një zgjedhje e Fuqive të Mëdha, pasi autoriteti i tij moral mund të vuante pasoja.

Ftesa e popullit shqiptar është e sigurtë, por në kushtet aktuale ajo mund të marrë një formë tjetër, në trajtën e një delegacioni të përzierë, me përfaqësues të gjashtë rajoneve administrative autonome, të cilat janë edhe ndarjet e përkohshme [qeveritë lokale] në Shqipëri.

Thirrja e një asambleje kombëtare për të miratuar përzgjedhjen e Fuqive të Mëdha, do të ishte e rrezikshme për shkak të karakterit anti-katolik që fatkeqësisht, shtypi dhe agjentët italianë, misionarët protestante shqiptarë dhe vetë Esat Pasha, i kanë veshur kandidaturës së Princ Wied-it. Pas pritjes që do i bëhet delegacionit gjithëpërfshirës, Princi duhet të udhëtojë për një periudhë të shkurtër në Krujë, kryeqytetin historik të Shqipërisë, për t’u prezantuar si princi mbretërues, ose më saktë mbreti i vendit, pasi populli shqiptar parapëlqen këtë titull që e mbart prej një kohe të gjatë edhe mbreti i Malit të Zi.

Për sa i përket karakterit prestigjioz, zbarkimi i princit duhet të shoqërohet me shumë shkëlqim dhe pompozitet. Eshtë shumë e domosdoshme gjithashtu, që anijet austriake dhe italiane të shoqërohen të paktën nga një luftanije angleze.

Pas një vizite 2-3 ditore në Krujë, Princi mund të zgjedhë lirshëm kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë. Për këtë, Durrësi është një qytet që i rekomandohet në mënyrë të veçantë Lartësisë Tuaj për shkak të pozicionit gjeografik qendror të tij.

Për çdo rast, nëse Princi nuk dëshiron të bëhet lojë në duart e disa intrigantëve dhe kryehajdutëve, të cilët kanë mbushur me njerëzit e tyre radhët e policisë dhe xhandarmërisë, i duhet kërkuar Fuqive të Mëdha që të vendosin në kryeqytetin e përkohshëm shqiptar një garnizon të trupave ndërkombëtare të Shkodrës. Mendoj që një batalion është i mjaftueshëm.

Pasi të gjitha këto të jenë vënë në vijë, Princi duhet të emërojë personalisht dhe individualisht disa ministra, për secilin departament. Për disa arsye, të cilat pata nderin t’i paraqes gojarisht dhe mendoj se janë të tepërta për t’i përsëritur këtu, për momentin është e pamundur të ngarkosh një njeri të vetëm për formimin e një kabinet homogjen. Emërimi i një kryeministri do të sillte shumë vështirësi. Për momentin do të ishte e preferueshme të zgjidhen ministra pa lidhje direkte me njëri-tjetrin, të kryesuar nga shefi i shtetit, siç është rasti i SHBA-së.

Në rast se kjo ide nuk ju duket praktike, atëherë mund të përzgjidhet si kryeministër pa portofol një njeri i njohur si i paanshëm, siç është pronari i madh, Omer Pashë Vrioni. Për të thuhet se është i ndershëm, por paaftësia e tij është e njohur dhe këshillat e tij në përzgjedhjen e ministrave do të ishin pa vlerë.

Nuk do t’ju kujtoj argumentet e mia në favor të përzgjedhjes së një kryeqyteti tërësisht të ri. Kjo çështje do të diskutohet në thellësi kur të vijë momenti i duhur dhe do të jetë objekt i një kujtese speciale që do të kem nderin t’i parashtroj Lartësisë Tuaj.

Berlin, 9 dhjetor 1913

Nënshkruar nga Faik Konica”

*Letra e rrallë e Konicës për princ Vidin është botuar në gazetën ‘Dita’ nga historiani Marenglen Kasmi

Filed Under: Histori Tagged With: keshilla per princ, Konica, Wied

Papa në Aushvic: “O Zot, na fal për kaq mizori”

July 30, 2016 by dgreca

Dita e tretë e shtegtimit të Papës Françesku në Poloni filloi në heshtje. Ati i Shenjtë hyri ngadalë e vetëm në kampin e Aushvicit, në orën 9.15, duke kaluar nën parrullën famëkeqe “Arbeit macht frei” (Puna ju bën të lirë). Pastaj, me një makinë të vogël elektrike u drejtua për në qendrën e kampit nazist të shfarosjes. Pasi zbriti, bëri pak hapa dhe u ul në karrigen e vendosur para “sheshit të apelit”, ku nazistët varnin të burgosurit. Françesku ndenji në heshtje e në lutje për më se 15 minuta. Pastaj, iu afrua strukturës së përdorur për varjet dhe preku e puthi njërin prej trarëve. Sërish, me makinën elektrike shkoi në hyrjen e Bllokut 11, ku u prit nga kryeministrja polake, Beata Maria Szydlo.

Françesku në lutje para sheshit ku vareshin të burgosurit

Këtu, Françesku iu afrua sheshit ku bëheshin pushkatimet e hebrenjve dhe të të burgosurve të tjerë. Papa takoi e përqafoi një e nga një, 10 të mbijetuar, ndër të cilët një zonjë 101-vjeçare; shkëmbeu disa fjalë me secilin prej tyre. I fundit, që takoi, i dha një qiri, të cilin Ati i Shenjtë e la para murit, ku rreshtoheshin të burgosurit për t’u pushkatuar. Papa Françesku e preku atë mur, ku gjetën vdekjen mijëra të pafajshëm. Pastaj shkoi në “qelinë e urisë”, ku nazistët i linin të burgosurit pa ushqim derisa të vdisnin me mundime.

Lutja në qelinë e Shën Maksimilian Kolbes

Pak pas orës 9.45, Papa shkoi të nderonte Shën Maksimilian Kolben, në qelinë ku u martirizua, si sot, pikërisht më 29 korrikun e 75 vjetëve më parë. Pati ofruar jetën e vet në këmbim të një babai me familje, që ishte dënuar me vdekje. Ati i Shenjtë ndenji vetëm, në lutje, në qelinë n.18, nën dhe, aty ku edhe sot është një pllakë përkujtimore dhe një qiri, lënë nga Gjon Pali II: një shenjt, që kujtonte flijimin e një shenjti tjetër. Papa Françesku u ndal gjatë, në gjunjë, duke u lutur. Pasi shkroi diçka në Librin e Nderit të Aushvicit, Ati i Shenjtë la një letër e një llambë, për t’u mbajtur gjithnjë e ndezur, në nderim të 1,5 milion viktimave, që këtu, e borën jetën. E mbeten, për këdo shkel në Aushvic, edhe fjalët e Papës në Libër: “O Zot, ki mëshirë për popullin tënd, o Hyj na fal për kaq mizori”.

Papa në Birkenau

Papa Françesku arriti me makinë, rreth orës 10.30, nga Auschwitz-i, në kampin e shfarosjes të Birkenaut, që formon një kompleks të vetëm me të parin. Një zonë prej 175 hektarësh, ku nazistët ngritën 4 furra krematore me dhomat e tmerrshme të gazit, në të cilat humbën jetën mijëra njerëz të pafajshëm, posaçërisht hebrenj. Në vitin 1944 në kamp ishin të pranishëm më se 100 mijë të burgosur, të mbyllur në 300 baraka, ndërtuar me dru e me tulla. Në hyrje të kampit, Papa u ndalua për të folur me drejtorin e Muzeut të Auschwitz-Birkenau-t.

Përshkoi, pastaj, ngadalë, në veturë, udhën pranë binarëve të hekurudhës, mbi të cilët udhëtonin trenat, që sillnin këtu njerëz të dënuar me vdekje, pas vuajtjeve të tmerrshme.

Papa lutet para monumentit të viktimave të nazistëve

Rreth orës 10.40 Papa zbriti nga makina dhe shkoi, në këmbë, tek monumenti ndërkombëtar, ngritur për kujtim të viktimave të Auschwitz-Birkenau-t, ndërtuar më 1967 ndërmjet dhomave me gaz 2 e 3 të kampit. Para monumentit janë lapidaret përkujtimore, me një shkrim në 23 gjuhë, gjuhët e folura nga të burgosurit: “Lerëni që ky vend, ku nazistët vranë më se 1,5 milionë burra, gra e fëmijë, shumica hebrenj, ardhur nga të katër anët e Evropës, të jetë përgjithmonë britmë dëshpërimi e paralajmërim për mbarë njerëzimin!”. Të pranishëm rreth monumentit, në këtë çast, ishin më se njëmijë të ftuar, që e pritën Papën me duartrokitje. Françesku kaloi ngadalë, në këmbë, anës lapidareve përkujtimore, duke u ndaluar para secilit prej tyre. Pastaj vendosi një llambë kushtore mbi lapidarin e  fundit, së bashku me një biletë.

Françesku takon 25 të Drejtë të Kombeve

Papa ndenji në meditim para monumentit, ndërsa një rabin intonoi, në hebraisht Psalmin 130, “De profundis”, i cili nis me  thirrjen tronditëse, që përshkon hapësirë e kohë: “Prej humnerës çoj zërin kah ti, o Zot, o Zot, dëgjoje britmën time!…”. Më pas Psalmi u lexua në polonisht nga famullitari i një vendi në Poloni, ku jetonte një familje katolike, e shfarosur  me gjithë fëmijë, vetëm pse kishte strehuar e shpëtuar hebrenj.

Në përfundim të Psalmit, Papa u takua me 25 të Drejtë të Kombeve, me të cilët bisedoi disa çaste. Pastaj përshëndeti kryeministrin dhe drejtorin e muzeut e, rreth orës 11.00, u largua nga Birkenau, drejt heliportit.

Filed Under: Featured Tagged With: O Zot na fal, Papa ne Aushvic

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT