• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2016

Takim festiv per femijet dhe rinine

July 2, 2016 by dgreca

Njoftim/

 Me date 15 Korrik 2016, nga ora 10:00am – 4:00pm ne adresen P.S. 144, 2545 Guther Ave., Bronx, NY 10469, Rev. Que English organizon nje takim festiv per femijet dhe  rinine. E pranishme do te jete edhe Miss. New York-u Serena Bucaj.

Ky event do te shoqerohet me muzike, ushqime e argetime te ndryshme.

Per me shume inofrmacion mund te telefononi ne numrin e telefonit: (718) 231 – 1033

Filed Under: Komunitet Tagged With: dhe rinine, per femijet, Takim festiv

BREKSIT APO BREKSIK?

July 2, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam Lauka/*

Termi breksik të vjen në mendje kur lexon analizat e “ekspertëve” shqiptarë mbi Breksitin. Është kombinim i fjalës “Breksit” me atë “eksik”. Kjo e fundit në kuptimin “i, e mangët”, për shembull eksik në mend, e la sëmundja eksik, etj. Me ndonjë përjashtim të rrallë, autorët e këtyre analizave marrin guximin të etiketojnë zgjedhësit britanikë si izolacionistë, irracionalë, budallenj.

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, në një artikull të tij, shkruajti të zezë mbi të bardhë se “Breksiti ishte një dështim i racionales, përballë iracionales, të arsyeshmes, përballë të paarsyeshmes”. Ai nuk e thotë përse i përdor dy çifte fjalësh me të njëjtin kuptim, racionale-e arsyeshme; iracionale-e paarsyeshme, dy fjalë shqip e dy të huaja, mbase, i duket se kështu shfryn më mirë mllefin e tij ndaj britanikëve të paarsyeshëm. Më tej, ai shkruan se Breksiti “ishte produkt i një çorodie sociale që i bënte të pavlerë të gjithë argumentet pro qëndrimit.

Me një lehtësi të habitshme, “ekspertëte divanit”, në Shqipëri, të gjitha përgjegjësitë i  shkarkojnë tek populli britanik, duke  e nxjerrë të larë BE-në dhe eurokratët e Brukselit. Skllavë të skemave bardh e zi, ata nuk e shtrojnë, pa lëre më t`i përgjigjen pyetjes, përse, sa herë që merret mendimi i popullit, pra sa herë që organizohen referendume, si rregull, vota popullore shkon kundër elitave teknokratike të Brukselit? A mos ka njëfarë tëhuajsimi të  tyre nga populli, nga hallet dhe shqetësimet e tyre? A mos vetë projekti europian ka nevojë, jo për ndërhyrje kozmetike, por më radikale, për ta bërë atë më të afërt me njerëzit, me popujt dhe specifikat e tyre?

Në rolin e kasandrave,“ekspertët” tanë parashikojnë gjithfarë skenarësh të zi, thelbi i të cilëve mund të përmblidhet  në idenë fikse të tyre se, me daljen nga Bashkimi Europian, Britania e Madhe, në të vërtetë, del nga historia.

Ende pa dalë mirë rezultatet e Breksitit, Kryeministri Edi Rama, i frymëzuar nga “sukseset” e tij mbresëlënëse si krijues i “mbërrimë”, përfshirë dizajnimin e fanellës së kombëtares së futbollit, në shkrimin e tij, “Britania, Bashkimi Europian, Shqipëria”, botuar me 24 qershor 2016, tashmë, si politolog, dizajnoi të ardhmen  e kontinentit dhe të krejt planetit, duke i qarë hallin Londrës se, pas Breksitit, ajo nuk doli as më e fortë, as më e qartë.

Në kurthin e analizave ideologjike, skematike dhe të thjeshtëzuara, ranë jo vetëm ata që pretendojnë se i dinë të gjitha dhe janë kompetentë për gjithçka, siç hiqen politikanët tanë , por edhe analistë që, prej kohësh, njihen si ekspertë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke zgjedhur izolacionizmin, thekson njëri prej këtyre analistëve, Britania e Madhe do të ketë statusin e njëjtë me atë të shteteve europiane, që nuk janë anëtare të BE-së. Në këtë logjikë, ai parashikon se jashtë Bashkimit Europian, Britania e Madhe do të jetë më e dobët përballë Rusisë në marrëdhëniet dypalëshe.

E pakta që mund të thuhet është se të dyja këto teza, janë shumë të diskutueshme, për të mos thënë të paqëndrueshme.  Britania e Madhe, vërtet, nuk është Perandoria e dikurshme, megjithatë, edhe sot ajo mbetet një ndër fuqitë e mëdha. Është fuqi bërthamore, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, themeluese  dhe një ndër shtyllat e Aleancës së Atlantikut të Veriut (një nga pesë vendet e NATO-s që shpenzon mbi 2% të GDP-së për mbrojtjen). Ajo është ekonomia e katërt në botë, GDP e saj përbën dyfishin e asaj të Rusisë. Eshtë pjesë e Komonuelthit, ku bëjnë pjesë 53 shtete, simbol i të cilit është Mbretëresha Elisabeta e Dytë.

Statusi i një fuqie të tillë, nuk mund të konsiderohet i njëjtë me atë të shteteve të tjera, jashtë BE-së, si Shqipëria, Maqedonia, apo edhe Zvicra. Për shkak të potencialit të saj, Bashkimi Europian ia ka nevojën Britanisë së Madhe, ashtu si Londra ka nevojë për Brukselin. Breksiti nuk duhet kuptuar si shkëputje e plotë e Britanisë nga Europa. Më shumë, ai shtron nevojën e një marrëveshjeje të re midis tyre.

E paqëndrueshme duket edhe teza për raportet e ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë. Historikisht, politika britanike ndaj Rusisë u është nënshtruar dy parimeve kryesore: Britania e Madhe nuk ka miq as armiq të përjetshëm, ajo ka interesa të përjetshme dhe moslejimi i ndonjë fuqie tjetër që të dominojë Europën kontinentale. Në varësi të tyre, sipas rastit, Britania e Madhe ka luftuar, por edhe ka bërë aleancë me Rusinë. Në shekullin e XIX-të ajo kryesoi koalicionin që çoi në kapitullimin e Rusisë në  luftën e Krimesë (1853-1856) dhe ishte në rivalitet të ashpër gjeoplolitik me të, lidhur me Lindjen e Largët dhe Azinë Qëndrore.  Në gjysmën e parë të shekullit të XX-të, në të dy luftërat botërore, ishte aleate me të.

Pas anëtarësimit në NATO dhe, më vonë, në BE, politika e jashtme britanike, si rregull, ka ndjekur politikat dhe strategjitë e këtyre dy organizatave, por pa harruar identitetin dhe specifikat e veta.

 

Është fakt i njohur se brenda BE-së, Londra ka qenë midis kryeqyteteve më aktive për ashpërsimin e qëndrimit ndaj Rusisë, që nga ndërhyrja e kësaj të fundit në Gjeorgji në vitin 2008 dhe aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Burokracia e Brukselit, krahasuar me qëndrimin  e Londrës, ka qenë shumë më e ngadaltë, më apatike, dhe përgjithësisht, më e butë ndaj Moskës. E “çliruar’ nga proçedurat e ngurta të Brukselit, mbase, politika dhe diplomacia britanike, mund të jenë më efektive në raportet me Moskën.

 

Megjithatë, Londra dhe kryeqytete të tjera europiane, janë të ndërgjegjshme se pa SHBA, qëndresa e tyre ndaj Moskës është iluzion. Konsolidimi i NATO-s, nënshkrimi i Partneritetit Atlantik për Tregëti dhe Investim, si dhe forcimi i bashkëpunimit të gjithanshëm me SHBA, janë rruga e vetme që garanton suksesin në përmbajtjen e ambicieve shoviniste të fuqisë së ripërtërirë ruse. Sa u takon mësimeve që nxirren nga Breksiti, përgjithësisht, “ekspertët” tanë, duke satanizuar Britaninë e Madhe, përsërisin përfundimin se për Shqipërinë, integrimi europian, nuk ka alternativë. Kjo është mantra që e dëgjojmë çdo ditë, tash 25 vjet. Ky përcaktim, mendohet se është bërë në bazë të një analize shumëplanëshe e shumënivelëshe dhe Breksiti, vështirë se i shton atij ndonjë element të ri.

Në gjykimin tim, ajo që duhet të mësojmë nga Breksiti është: së pari, dakort në parim, për integrimin e Shqipërisë në BE, por duke vënë në plan të parë interesat tona kombëtare e shtetërore. Për vlera flasin edhe britanikët, por për të vepruar, ata nisen nga interesat  e tyre. Ata nuk ia kanë dhënë as nuk ia japin besën kujt tjetër, veç vendit të tyre. Ne që nisemi nga “vlerat” dhe që herë ia kemi dhënë besën “babës së vatanit” (Sulltanit), herë “babait të popujve” (Stalinit) deri edhe Mao Ce Dunit  në Lindjen e Largët, dihet ku kemi përfunduar. Së dyti, britanikët, me gjasë, janë të çliruar nga  gjuha dhe mendimi i dyfishtë, pavarësisht se Xhorxh Oruelli, që i trajtoi këto nocione, në librin e tij “Viti 1984”, i përket këtij populli. Ata thonë dhe mbrojnë atë që mendojnë. Ata votojnë për atë ide që e kanë për zemër. Duket se për ta është jonormale që të votojnë për një ide dhe në praktikë të zbatojnë një tjetër, siç bëjnë shumë prej nesh, por sidomos politikanët tanë. Së fundi, duke qenë një popull i lië dhe i civilizuar, britanikët votuan, jo siç u thanë të tjerët, përfshirë edhe Presidentin Amerikan, Barak Obama, por, siç e gjykuan dhe e ndjenë ata vetë.

Mundet që zgjedhja e tyre të rezultojë e gabuar. Këtë askush nuk mund ta dijë tani, bile as politikanët dhe ekspertët tanë që bëjnë kasandrën. Vetëm e ardhmja do ta dëshmojë. Por edhe kur gabon, populli i pjekur di të sillet me dinjitet. Dhe me dinjitet di të korrigjohet, pa u kapur me thonj e me dhëmbë pas zgjedhjes së bërë, qoftë edhe me referendum, duke respektuar kështu, në radhë të parë, vetveten. Sepse britanikët e dinë mirë se çmimi të cilin popujt i vënë vetes, është çmimi që respektojnë edhe të tjerët.

*Dr. Islam Lauka/*, diplomat, pedagog,President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike

Filed Under: Analiza Tagged With: BREKSIT APO BREKSIK?, Dr. Islam Lauka

PERSE DUHEJ BUSTI I HILLARY CLINTON NE SARANDE?

July 2, 2016 by dgreca

Pse shqiptaret duhet të vihen në loje nga mediat botërore për vendosjen e një skulpture te pa menduar mirë?/

Opinion nga Lek Gjoka/

Po të gërmosh sadopak në historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri sigurisht do të gjesh me dhjetëra raste ne vendosje dhe heqje skulpturash. E filloi me Titon dhe me tu prishur me ish-Jugosllavinë skulptura e tij u hoq dhe u shkri e pastaj vjen udhëheqësi kinez Mao Ce Dun. Edhe ky pat të njëjtin fat si Titoja me tu prishur me Kinën diktatura komuniste e hoqi bustin. Të vetmit udhëheqës jo shqiptare që i kishin skulpturat në qytetet shqiptare ishin diktatoret komunisti të ish-Bashkimit Sovjetik Lenini dhe Stalini. Madje Stalinin për pak kohë diktatori Hoxha ishte në një mendje për ta hequr por shumë shpejt i pëlqeu kulti i individit dhe Stalini shpëtoi.

Fillimi i vitet 90-të ishte edhe koha kur skulpturës së Stalinit iu vendos litari në fyt në Shkodër dukë lajmëruar fillimin e vdekjes së diktaturës komunistë dhe largimin e busteve të huajve në Shqipëri.

Sigurisht pas viteve 90-të skulpturat e të huajve u rikthyen edhe me shumë pa një kriter të caktuar. Ne mes të Prishtinës u vendos skulptura e ish-presidentit amerikan Bill Clinton në shenjë respekti se dha urdhër për bombardime të Natos ndaj trupave serbë në luftën e Kosovës. Megjithëse në librin e tij biografik zoti Clinton pranon së nuk ishte dakord për të bombarduar Serbinë por ishin disa kushte që e detyruan të japë urdhrin e sulmit.

Por servilizmi i shqiptareve ndaj të huajve vazhdon. Lajmi dhe kronika e vendosjes se bustit të një kandidateje për presidente të Amerikës Hillary Clinton zuri një vend në mediat botërore. Ne një postim në kanalin amerikan ABC News gazetaret çuditen me shqiptarët. Madje me sarkazëm fyejnë gjithë shqiptar jo vetëm për faj të tyre sepse duke transmetuar videon e stacionit televiziv Zjarr TV ( një kanal sarkastik që ve në loje politikanet shqiptare dhe veset e tyre ) çuditen se si një gazetare lajmesh del toples në televizion dukë dhëne lajmin e vendosjes se skulpturës se zonjës  Hillary Clinton në Sarande. Gazetaria thotë ndoshta të gjithë kanalet televizive të Shqipërisë janë të tilla dalin në mënyre jo serioze kur japim lajmet. Sigurisht faji nuk është i saj sepse është e pa informuar për kanalin satirik shqiptar por vete ne po iu servirim të huajve një realitet të shthurur realitet që e prekim edhe në diasporën shqiptare të Amerikës.

Edhe Russia Today, teksa raporton se qyteti turistik i Sarandës i ka ngritur një monument kandidates demokrate për presidente e SHBA e cila citon për ketë rast : “Zgjedhjet në SHBA janë akoma disa muaj larg, por një qytet në Shqipëri ka vendosur të ngrejë një monument për Hillary Clinton !.”

Shumë komentues thonë poshtë videos së postuar nga Russia Today  se kjo është gjëja më e çuditshme që kanë dëgjuar.

“Nuk kanë gjë tjetër për të bërë shqiptaret, “shkruan dikush.

Fatkeqësisht kombi shqiptar është në një udhëkryq por kjo nuk do të thotë se ne duhet të pranojnë që politikanet shqiptare të na bëjnë të skuqemi në shtetet ku jetojmë kur mediat tallen plot sarkazëm me ngjarjet që vijnë nga Shqipëria.

Ndoshta dikush mund të çuditet se si ka mundësi që një nënshtetas amerikan si unë është kundra vendosjes së skulpturës se zonjës Hillary Clinton në Sarande. Mos valle jam përkrahës i republikanit Donald Trump dhe dua te hedh baltë mbi zonjën Hillary Clinton kandidate e Partisë Demokratike.

Asgjë nga këto nuk është e vërtete. Vërtetë si qytetar amerikan kam shumë rezerva për zonjën Hillary Clinton kur ishte sekretare shteti sepse edhe sipas gazetës amerikane “The New York Times ” pritet të rihapet çështja me drejtësinë ndaj saj ku edhe mund të dënohet nga drejtësia amerikanë.

Problemi tek unë qëndron edhe si qytetar shqiptar. Pyes bashkinë e Sarandës së çfarë kontributi ka dhënë zonja Hillary Clinton për Sarandën dhe Shqipërinë ndërkohë në USA personaliteteve iu ngrihen skulptura në vende publike vetëm pas vdekjes.

Po sikur kjo të arrestohet nga drejtësia Amerikane çfarë do të bëni me skulpturën?

Kush fshihet pas kësaj lojë tallëse për në shqiptaret?

Kush fondacion e sponsorizoi i cili po luan një lojë të fëlliqur për interesat e saja ndaj politikave shqiptare sikur ishte rasti i kryeministrit Rama qe dukë folur me mendjen e tjetër kujt mundohet të fyeje kandidatit republikan Donald Trump? Madje për ketë fyerje u prit në zyrën Ovale nga presidenti demokrat Barak Obama. Në ketë pritje ishte edhe një shqiptari-amerikan i cili do të ndiqet penalisht nga drejtësia Amerikane si sponsor i shumës se 80 mije dollarëve me prejardhje jashtë Amerikës për fushatën e fundit te presidentit Obama që bie në kundërshtim me Kushtetutën.

Në qoftë së Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk ka një ligj të sakte për vlerësimin e personaliteteve të huaja me skulpturë duhet me urgjence ta miratoje në parlament bashke me reformën e drejtësisë.

Gjithashtu opinioni publik duhet ti bëje presion prokurorit shqiptar që të hapë një hetim ndaj Bashkisë së Sarandës nëse në vendosjen e bustit të zonjës Hillary Clinton ka shkelje ligjore dhe po qe se ka persona  përgjegjës të marrin dënimin e merituar.

Jacksonville Florida

1 Korrik 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: BUSTI I HILLARY CLINTON, Lek Gjoka, NE SARANDE, PERSE DUHEJ

KUJT I TAKON EPITETI “HISTORIK” ?

July 2, 2016 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Pritja entuziaste, që i u bë skuadrës shqiptare të futbollit në ditën e kthimit nga kampionati evropian, qe një tregues i saktë, jo vetëm i vlerësimit të paraqitjes së saj në garën kontinentale, por edhe t’asaj që përfaqësonte ajo, në termat e shprehura e të pashprehura, të dukshme e të padukshme. Ajo veprimtari mori epitetin “historike”, pra e paracaktuar të mbetet në kujtesën kohore të vetë kombit.

Që 23 djem, të cilët dijnë të shkelmojnë topin në një fushë të blertë, bëjnë histori, tingëllon si një pohim disi i tepruar, për ata që historinë e marrin me mënd vetëm si një vazhdë e gjatë luftërash, përballimesh të çdo lloji mes popujsh, sistemesh shoqërore, qytetërimesh, si përmbysje të dhunëshme vlerash, botkuptimesh, apo përvojash jetësore bashkësish njerëzore. Për asnjë prej skuadrave pjesëmarrëse të kampionatit evropjan në tokën franceze, epiteti “historik”, me përjashtim të ndonjë të papriture, të një ngadhnjimi të bujshëm të ndonjë skuadre që nuk e ka provuar kurrë shijen e një fitoreje të madhe, nuk do të kishte kuptim. Për skuadrën shqiptare e ka. Po të thellohemi në konceptin, me një ndjenjë keqardhjeje do të vërejmë se sa e varfër është e shkuara e jonë në fushën sportive, sa që arrijmë një kamionat evropian mbas dhjetëvjeçarësh  përpjekjesh të pafrutëshme. Ky fakt, kjo arritje, përbën të veçantën, së cilës nuk mund të mos i bashkangjisim mbiemrin “historik”.

Përtej faktit sportiv që ndoshta madhnohet me të tepërt mendoj se, pjesëmarrja në fazën përfundimtare të kampionatit evropian të futbollit, pati një risì të dukëshme e tepër të rëndësishme. Ajo lidhet me futbollistët, të cilët janë shkëndija që ndez zjarrin e një dukurie, të paparë ndonjëherë në përmasa të tilla në historinë tonë. Kjo dukuri u quajt “lojtari i 12” e qe pjesëmarrja e publikut shqiptar në stadiumet Lensit, Marsejës apo Lionit, në nxitjen dhe inkurajimin e skuadrës kuq e zi. Përsiatja e mësipërme vlen edhe në analizën e kësaj dukurie, duke na dhënë një provë tjetër të prapambetjes së përgjithëshme, në të cilën jetuam si shoqëri e si komb, nga një sistem i ideuar e drejtuar nga një njeri, për të cilin ka ende shqiptarë, në ndonjë cep të Kosovës apo Shqipërisë, që përgjërohen, derdhin lot, apo i evokojnë “lavdinë”.

Një dukuri e mrekullueshme qe prania e atyre grupeve të pambaruar kuq e zi, që mbushën, në ditët e ndeshjeve, qytetet franceze. Ata qytetare e qytetarë të Shqipërisë e Vëndeve të tjera në të cilët, rënia e diktaturës shqiptare, u dha mundësinë të shkonin e të ndërtonin jetën e tyre, janë dëshmia më e mirë e mundësive të pakufizuara që blaton liria e një populli, e cila është edhe ajo e individëve të tij. Ata ish futbollistë të së shkuarës, të ftuar me zgjuarsi në selinë e Kryeministrit shqiptar, për të pritur djemtë e Kombëtares, besoj se kanë gëlltitur lotë të hidhura kur, vetvetiu, kanë krahasuar jetën e tyre sportive me atë të brezit të sotëm. Ata nuk ishin më pak t’aftë profesionalisht, madje kishte prej tyre që mund të kishin luajtur futboll edhe me klubet më të mira t’Evropës, por ishin të lidhur, u mungonte liria. Në stadiumet e huaja, kur rrallë u takonte të shkonin për të luajtur, edhe nëse do të dëgjohej ndonjë zë dashamirës shqiptari, ata duhej të bëheshin shurdhë e të verbër, sepse në të kundërt, n’atdhe i priste akuza e tradhëtisë….

Por duke u kthyer tek mjediset e gëzuara e plot gjallëri të dashamirësve shqiptarë  të skuadrës kombëtare, mes të cilëve pata fatin të isha i pranishëm në një nga qytetet më të lashtë t’Evropës, n’atë që qe djepi i hymnit kombëtar të Francës, mund të them se epiteti “historik” i takon bëmave të tyre. Historike nuk ishte vetëm pjesëmarrja  e tyre n’ata mjedise, që i detyrohej dashurisë për ngjyrat e flamurit dhe djemtë që sendërtuan “mrekullinë” e të qënit aty, por edhe mundësive praktike e materjale, që liria e këtyre 25 viteve të fundit, krijoi për ta. Ajo që ishte më e rëndësishme në këtë dukuri, të papërfytyrueshme deri një të katërt shekulli më parë, qe sjellja e atyre njerëzve n’ata qytete e në mjediset e tyre.

Mund të them, pa frikë përgënjeshtrimi, se në qendrën e Evropës, ata qytetarë shqiptarë, të mbështjellë me flamurët e shallët e kombit të tyre, dhanë leksione stili, mirësjelljeje, zbatimi rregullash e qytetërimi. Lexohej lehtë kjo përshtypje në fytyrat e qeta të ruajtësvet të rendit francez, të cilët kishin rrezikuar edhe kokën, për të përballuar përleshjet me huliganët e markave angleze e ruse, vetëm tri ditë më parë. Mesazhet e dhunës së tyre vinin nga skajet perëndimore e lindore të kontinentit, nga shoqëri më të pasura e më të zhvilluara se e jona, që dikur kishin qeverisur botën, nëpërmjet perandorive të tyre. Edhe se nuk mund të njëjtësohen ato shoqëri me idhtarët e dhunës, të cilët ishin të pranishëm në Francë, nuk mund të mohohet fakti se këta të fundit ishin prodhim i tyre. Në Marsejën e lënduar nga dhuna e tyre, shqiptarët sollën harenë e këngëve e të valleve të tyre, buzëqeshjen miqësore e korrektësinë njerëzore kudo, në lokalet, sheshet, metronë, stadiumin. Për ato pak orë i stolisën ata qytete me ngjyrat e rrobave të tyre e me sinqeritetin e fytyrave të tyre. Ata mijëra vetë krijuan në Francën e “fisnikërisë së detyruar” e në shtypin botëror, përfytyresën e Shqipërisë fisnike. Qenë çaste me të vërtetë historike, të përcaktuar jo nga luftërat e pasojat e tyre, por nga vlerat e përjetëshme të bashkëjetesës njerëzore, nga qytetërimi që buronte nga edukata, tradita, evolucioni i tyre. Ajo përfytyresë mund të quhet, pa gabuar, ndihmesa m’e madhe që i jepej Shqipërisë në këto kohë të vështira për jetën e saj politike.

Por ajo dukuri kishte edhe një vështrim tjetër, edhe më të çmuar se i pari. Ishte përbërja e atyre mijëra shqiptareve e shqiptarëve, Vëndet nga vinin e mesazhet që sillnin. Ishte një konglomerat harmonik e i bukur i Shqipërisë etnike, një sendërtim i vogël i ëndrrës shqiptare të bashkimit në një atdhe të vetëm, me simbolin e shqipes dykrenore të Skënderbeut. Fytyra të panjohura që përshëndeteshin në kalim në dy anët e rrugëve, që bëheshin menjëherë të dashura me një vështrim, një buzëqeshje, në një kor të pambaruar kurrë : “Shqipëria, Shqipëria”. Ishte diçka tepër prekës ai entuziazëm mbarëshqiptar, që përcillej nga Vendet e nisjes, Shqipëria, Kosova e trojet shqiptare jashtë atdheut, SHBA-ës dhe Vendet e Evropës demokratike, një univers kuq e zi, i cili bashkohej në një zë të vetëm, në mbështetje të lojtarëve të Kombëtares, nga minutat e hyrjes në stadium e deri në fërshëllimën e fundit të gjyqtarit.

Mbeten të paharrueshme ushtimat e zërave të shqiptarëve gjatë lojës, brohoritjet e tyre edhe në çastet kur skuadra nuk luante mirë, ajo ngrohtësi e ato duartrokitje të pafund edhe në mbarimin e lojës, edhe se kishim humbur. Mbetet i paharrueshëm edhe trishtimi në fytyrat e tyre n’atë mesnatë të  16 qershorit në rrugët e Marsejës. Por asnjë veprim i papëlqyeshëm, asnjë fyerje, asnjë sharje, asnjë grindje edhe në metronë ku francezët vazhdonin të këndonin marsejezën. Pikëllimi për humbjen ishte i përkorët, dukej se gjente ngushëllim në praninë e njëri tjetrit, në vargun e këngës “O sa mirë me qenë shqiptar”, në thirrjet për Shqipërinë.

Ky ishte “lojtari i 12”, për të cilin Kryeministri kërkoi edhe një duartrokitje në pritjen e tij, foli, por u mjaftua me kaq. Prisnja më shumë vlerësim, më shumë thellim n’atë çfarë përfaqësuan ata mijra shqiptarë në qytetet e stadiumet e Francës. Është e vërtetë se ata erdhën aty për zbavitjen e tyre, por qëndrimi dhe sjellja e tyre qe një medalje ari në gjoksin e atdheut. Mesazhi i pahartuar zyrtarisht i tyre ishte i rëndësishëm : Shqipëria ka nevojë për njerëz të ndershëm që t’a përfaqësojnë, edhe sepse ai përfaqësim duhet të jetë në ujdi me vlerat universale të qytetërimit dhe shqiptarët i kanë vlerat e përbashkëta që janë ato të kombit të bashkuar.

Shumica e atyre tifozëve kuq e zi jetojnë në Vendet e huaja, duke krijuar imazhin e Shqipërisë në botë me punën dhe sjelljen e tyre, por kur votohet në Shqipëri atyre u kërkohet që të kthehen fizikisht atje. Është një mënyrë e tërhortë për t’i mbajtur larg votës, sa dinake aq dhe e mirëllogaritur, sepse vota e tyre nuk i shkon për shtat politikë bërësve të Vendit të tyre. Para pak kohësh PD vuri si një nga kushtet e marrëveshjes ndërpartiake votimin elektronik në Shqipëri. Propozimi m’u duk mjaft i çuditshëm, duke njohur gjëndjen e vërtetë të atdheut tim, por krejtësisht i mundur për shqiptarët me banim jashtë Vendit të tyre. Por propozimi i Opozitës nuk u shtri tek ta, do të kishte qenë në nderin e saj. Por as Kryeministri, siç duket, nuk dëgjon n’atë vesh, madje edhe kur një tjetër ish kryeministër e kërkon votën e të mërguarvet shqiptarë në kongresin e partisë së tij. Mendoj se ato shqiptare e shqiptarë që takova në rrugët e Marsejës e në Velodromin e saj, meritojnë të thonë fjalën e tyre për ata që qeverisin Vendin e tyre.

“Përralla” shqiptare e kampionatit evropian mbaroi. Do të kishim dëshiruar një përfundim edhe më të mirë, por le t’i besojmë skuadrës dhe drejtuesve të saj se, nëpërmjet punës së ndërgjegjëshme, analizës objektive e vetëkritike, do të kenë në t’ardhmen rezultatet e pritura. Ndërkaq mirënjohja e jonë e thellë i shkon asaj skuadre kombëtare që, me mundin e saj, na bëri të jetojmë çaste të paharruara entuziazmi atdhetar.

Ngrohtësia e mjediseve mbarë shqiptare, ajo frymë vëllazërimi të vërtetë që zotëroi n’ato ditë, është tregues i një kërkese të brëndëshme shpirtërore të të gjithëve për të patur një atdhe, një kryeqytet, një flamur. Ata që kanë patur për hise drejtimin e politikës së shqiptarëve në këto kohë jo shumë të kthjellta për Evropën e botën, duhet t’a mbajnë parasysh atë kërkesë e të punojnë për sendërtimin e saj, duke marrë në konsideratë të gjitha opsionet e mundëshme.

Qershor 2016                                                           Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, historik, KUJT I TAKON EPITETI

Kosovë-Diplomojnë kadetët e brezit 2016 të FSK-së

July 1, 2016 by dgreca

Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA) gjenerali Timothy Orr: Ju sot e keni bërë krenare tërë Kosovën/ PRISHTINË,  1 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Në kazermën ʺSkënderbeuʺ  në Ferizaj u zhvillua sot  ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, brezi 2016.

Në ceremoninë ku morën pjesë ministri i Forcë së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe komandanti gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA) gjenerali Timothy Orr u shpreh i emocionuar me arritjet e kadetëve për katër vjet gjatë shkollimit.

“Në ju, unë shoh drejtues me integritet dhe shërbyes shembullorë. Ju keni punuar shumë përgjatë katër vjetëve, që të arrini sot këtu dhe të merrni gradën e nëntogerit. Ju sot e keni bërë krenare tërë Kosovën. Ju jeni më të mirët e të mirëve që ka Kosova. Para së gjithash, mbani mend: Vendi juaj ka investuar kohë, para dhe udhëheqje që ju të arrini këtë pikë të karrierës ushtarake”, u shprh gjenerali amerikan Orr.

Kadetët e sapo diplomuar e që dhanë betimin solemn janë: Behar Fazliu, Eugen Thaçi, Rilind Idrizi, Xhemal Mziu, Kemajl Haliti, Drilon Hasani, Zymer Kukalaj, Çlirim Morina dhe Besfort Kurteshi./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: 2016 të FSK-së, kadetët e brezit, Kosovë-Diplomojnë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT