Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA) gjenerali Timothy Orr: Ju sot e keni bërë krenare tërë Kosovën/ PRISHTINË, 1 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Në kazermën ʺSkënderbeuʺ në Ferizaj u zhvillua sot ceremonia solemne e diplomimit të kadetëve të Qendrës së Studimeve Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, brezi 2016.
Në ceremoninë ku morën pjesë ministri i Forcë së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe komandanti gjenerallejtënant Rrahman Rama, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (SHBA) gjenerali Timothy Orr u shpreh i emocionuar me arritjet e kadetëve për katër vjet gjatë shkollimit.
“Në ju, unë shoh drejtues me integritet dhe shërbyes shembullorë. Ju keni punuar shumë përgjatë katër vjetëve, që të arrini sot këtu dhe të merrni gradën e nëntogerit. Ju sot e keni bërë krenare tërë Kosovën. Ju jeni më të mirët e të mirëve që ka Kosova. Para së gjithash, mbani mend: Vendi juaj ka investuar kohë, para dhe udhëheqje që ju të arrini këtë pikë të karrierës ushtarake”, u shprh gjenerali amerikan Orr.
Kadetët e sapo diplomuar e që dhanë betimin solemn janë: Behar Fazliu, Eugen Thaçi, Rilind Idrizi, Xhemal Mziu, Kemajl Haliti, Drilon Hasani, Zymer Kukalaj, Çlirim Morina dhe Besfort Kurteshi./b.j/