• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2016

KARABURUNI, MAGJIA QË SFIDON ARKITEKTËT

September 9, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

1-pellumb-gorica

Udhëtimet jashtë Tiranës, në fundjavë, në gjirin e natyrës së mrekullueshme të vendit tonë, janë sa të këndshme, dhe aq mbresëlënëse, sa kur kthehesh, pavarësisht nga lodhja fizike ndjehesh i ripërtërirë, e me një ndjenjë kënaqësie brenda vehtes. Sepse në këtë vapë përvëluese të verës ka edhe ca oaze qetësie. Deti i tërheq të gjithë të pushojnë brigjeve të tij.  Sidomos kur dita është e bukur e me diell, dhe e ngrohtë nën një qiell pafundësisht të kaltër, pa asnjë re, të jep mundësinë të shijosh udhëtimin drejt hapsirash të pashkelura për shumë syresh ndër ne.

Pjesë e një udhëtimi  drejt Vlorës

1-ishulli-i-sazanit

2-shpella

3-detiMëngjesi ishte tepër premtues për një udhëtim drejt natyrës dhe detit. Është një nga ato mëngjese ku e ndjen të ngrohtin, por jo atë nxehtësinë që ka gjithmon ky muaj. Pikërisht ky mot ledhatar është prova e pakundërshtueshme e një dite të re. Qyteti zgjohet nga lëvizjet njerëzore dhe nga automjetet. Të jesh, në pritje të një udhëtimi të ri në vendet turistike është emocion më vete.

Tabelat e shkruara buzë rrugës me dritën e mrekullueshme të kësaj dite të urojnë një udhëtim të mbarë. Peisazhet ndryshojnë nga ndërtimet në të dy anët e rrugës, të cilat janë tregues i shpërthimit të vrullshëm të veprimtarisë ekonomike. Katrorët e fushave, përmasat e kodrave dhe lumenjve, fshatrat e shumtë e qytetet me radhë trazohen e formojnë një qilim shumëngjyrësh, po të përvëluar nga dielli i verës. Po udhëtojmë drejt Vlorës dhe shpesh na parakalojnë makina të shumta me shpejtësi. Vlora është një qytet me një histori madhështore, që kurrë nuk i kanë munguar kontributet e saj në dobi të kombit. Por si çdo qytet, që ka të veçantën e tij, Vlora me natyrën e pacaktuar në çdo stinë, por sidomos në verë është e vizitueshme nga shumë turistë. Zhurmat e makinave që kalonin bri nesh, zërat e kalimtarëve dhe murmërima e valëve të detit e bëjnë më kumbuese ardhjen tonë,si parathënie e një çlodhje të udhëtimit prej disa orësh. Por ajo që e bën të bukur qyetetin e Vlorës është pikërisht magjia e detit. Para syve ai shtrihet i kaltër si një pasqyrë gjigande. Në horizont spikasin kodra të veshura me ullinj dhe male hijerënda, të radhitur përbri njëri- tjetrit, e të mbështjellë nga një hartë resh të bardha. Ashtu si natyra që ka krijuar kufij të pakapërcyeshëm, malet dhe deti janë kurorë dhe vlera e vaçantë e Vlorës. Drita e pastër e qiellit e bën më të qartë pamjen e tij, ndërsa një fllad i lehtë e sillte më pranë jehonën e dallgëve. Anijet e ankoruara, varkat, çadrat dhe shezllongët e bëjnë më të padurueshme dëshirën të jesh pranë tij.
Ecim nëpër rrugën transballkanike që të nxirrte andej nga preferia e qytetit. Kalojmë Ujin e ftohtë, i cili është i njohur për pamjen e tij të mrekullueshme. Është një rrugë e gjallërueshme sidomos në verë, e mbushur me ndërtime që i ngjiten faqes së kodrës. Ato kanë mbirë gjithandej buzë detit, kryesisht në pallate shumëkatëshe dhe vezulluese, afër njëra-tjetrës aq sa të zihet fryma kur kalon përbri tyre. Por akoma pa kaluar tunelin e ujit të ftohtë ndesh një trafik në pak a shumë se normalja, dhe një kaos gjithë zhurma e pluhur të rrugës.
-Çfarë po bëjnë me këtë pjesë rruge? – pyesim një burrë të moshuar kur ndalojmë për pak çaste. Por në fjalët e tij ka një frymë revoltë, e cila është përgjigje e thatë si e çdokujt kur e pyet shpejt e shpejt.
-Po e shtrojmë, pasi ka vite që po zgjerohet dhe nuk dihet se kur do mbarojë.
Ndërsa dalim nga tuneli, të rëndon shikimin dendësia e ndërtimeve me komplekse të larta, ngjitur me njeri- tjetrën buzë detit deri tej Orikumit, e shumica prej tyre hotele. Pak më tutje, në Jonufër në vazhdën e surprizave të pakëndëshme të bien në sy ndërtime pa kriter, toka e kafshuar egërsisht, ndotje dhe plehra që hidhen vend e pa vend si diçka e zakontë. Natyrisht në buzë të rri pyetja: Kur do të mbarojnë një herë e mirë këto ndërtime të nëmura ?!…
Duhet ta ruajmë natyrën nga dëmtimet e të papërgjegjshmëve dhe përfituesve abuzivë, të cilët me egon e tyre po e shkatërrojnë atë, duke mos menduar për pasojat që vijnë sojesh. Të respektojmë natyrën, sepse, duke e shkatërruar atë nuk kemi të drejtë më pas të ankohemi. Jemi në dijeni të prishjes së këtyre ndërtimeve në emër të zhvillimit të turizmit dhe progresit. Por, sikurse ekzistojnë qënie njerzore që prodhojnë energji, drejtësi për të tjerët, e lenë gjurmë në emër të së mirës, në të njënjtin kohë ekzistojnë dhe qënie njerzore të tilla në emër ç’nderues të vlerave, të veshur e ngjeshur me pushtet, që vjedhin e shkatërrojnë natyrën, të mirën, të bukurën, e pasurive tona kombëtare.
Gjiri i Vlorës me natyrën interesante që ka përreth, ujërat e kristalta, plazhet e shumta i bëjnë pa dyshim vizitorët të kalojnë pushime të këndshme. Midis gjërave që afrohen këtu, vizitorët kanë mundësi zgjidhje jo vetëm duke u rrezitur në plazh, por edhe të eksplorojnë brigjet dhe panoramat e shumta të Gadishullit të Karaburunit, i cili nuk është larg, por shumë i dëshiruar besoj nga të gjithë.

               Karaburuni, udhëtim në tokën e ndaluar të diktaturës

Po shkojmë drejt tij në një shëtitje në det si një vend ideal për pushime ditore, edhe pse në Shqipëri vende të bukura ka plot. Po pak dihet për vlerat e mëdha të tyre…
Vitet e fundit udhëtimi me anije e mjete të tjera lundruese këtu është kthyer në një destinacion të dëshirueshëm për pushuesit e shumtë që kanë preferuar brigjet e Vlorës, e sidomos për të gjithë ata që dëshirojnë t’i ikin rutinës dhe ritmit ditor të qyteteve të mëdha. Me shëtitjen romantike nëpër peisazhet e Karaburunit udhëtarët ndihen të gëzuar dhe të mrekulluar. Natyrish ardhja jonë këtu është një kënaqësi me të vërtetë e paharrueshme, edhe në një qëndrim që zgjat disa orë me risinë joshëse e të pashtershme në shpirt.
Karaburuni ka formën e gadishullit, ndaj emërtohet si i tillë, dhe është një prej atyre vendeve të lakmueshme. Një mal shkëmbor i rrethuar nga deti, me pak gjelbërim, dhe që të vret sytë me panoramë e tij gri. Kjo është përshtypja e parë e kujdo që e shkel dhe vështron natyrën e tij, blun e detit me afsh dielli nën pasqyrën e kaltër të qiellit. Tharmi i kësaj natyre duhet shfrytëzuar akoma  më shumë për të mirë në zhvillim të turizmit. Dikur para viteve ’90, por edhe vite më pas, Karaburuni dhe Sazani ishte një ëndërr për shumicën e shqiptarëve për të shkelur dhe pushuar pranë brigjeve të tij, por sa ëndërra nuk u realizuan dot atëherë, sepse këtë privilegj e kishin një pakicë. Të shkelje aty përbënte sekret ushtarak. Duhej lejë e posaçme nga Dega … Ndal, Zonë Kufitare !… Kur erdhi demokracia, (një kapërcyell që do të ishte i dhimbshëm), rrodhën në të ngjarje të rënda. Për të mbushur xhepat e skllevërve të parasë lulëzoi këtu me mënyrë të paligjshme e të rrezikshme biznesi i trafikut të qënieve njerzore drejt brigjeve italiane. Ishte koha kur shqiptarët, dhe jo vetëm ata, u dyndën për të gjetur rrugë të papërshtatshme të kalonin detin, të cilat shpesh ishin me humbje jetësh njerzore. Kjo gjëndje vazhdoi vite me radhë, dhe ne të gjithë i kujtojnë tragjeditë e rënda që ndodhën e u përjetuan aty. Deti është dëshmitar i humbjeve, të cilat jetojnë në dhimbjen e nënave dhe baballarëve, motrave e vëllezërve. Askush nuk mund të thotë se kjo ishte normale, ashtu sikundër mund të pranohej lejimi i këtij fenomeni nga pushteti i kohës. Shoqërisë njerzore i duhen kujtuar këto ngjarje. Harresa e tyre është gabim i madh. Asgjë nuk duhet harruar, sepse u bë e mundur të frenohej disi fenomeni. Erdhi një kohë që turizmi, i cili duhet të lulëzojë më shumë nga inisiativat private, edhe pse do të përballej me probleme, e pengesa absurde , siç ishte moratoriumi për ndalimin e mjeteve të vogla lundruese, ishte një dëm për zhvillimin e tij, duke ngritur përsëri mure të mbyllur për këto peisazhe të bukur…

Përmes  kaltërsive  të  Karaburunit

U ndalëm në Radhimë. Ishim pak metra larg detit që llokoçitej lehtë bregut. Një nga një zbritëm nga autobuzi për t’u gjendur pranë tij. Një fllad i këndshëm e gjallërues endej bregut që e dallgëzonte lehtë detin. Dielli i ngrohtë, por jo shumë i nxehtë. U akomoduam në anijen “Rexhina” për të pritur çastin e nisjes. Ajo është një anije e vogël udhëtarësh. Padurimi për t’u nisur çdokush e detyron të kërkojë shpjegime, por janë proçedurat e udhëtimit në det. Natyrisht ne e pritëm me kënaqësi këtë çast në një udhëtim eksplorues në Karaburun. Të gjendesh në det të hapur nën zhurmën ritmike të motorrit dhe dallgëve të vogla që përplaseshin, duke lënë pas gjurmë të shkumbëzuara është bukur, duke na dhënë mundësinë të shijonim udhëtimin. Herë- herë kreshtat e dallgëve përplaseshin beftas në trupit të anijes. Deti reflekton kaltërsinë me fuqinë e magjishme të madhështisë së tij. E kaltra e tij dhe e qiellit shkëlqente nga drita e diellit. Është dhe kjo pastërti e qiellit që kthjellon gjithçka; na bënte të shikonim me hollësi çdo gjë në breg, që edhe të nxisin dëshirën për t’i fotografuar. Natyra ka krijuar shkëmbinj që në kohëra i ka gërryer pa mëshirë deti me dallgë. Asnjë arkitekt, piktor sado i guximshëm qoftë s’do ia dilte dot mbanë të thurë mrekulli të tilla për syrin tonë. Thuajse asnjë nga ne nuk kishte udhëtuar këtu, dhe ndjesia e kuriozitetit, që të shkakton e panjohura e kësaj natyre të grish t’i vështrosh me shumë kënaqësi. Pamjet janë interesante me forma të shtresës shkëmbore shkallë – shkallë, ku gjire të fshehura të ftonin të pushoje. Pak përtej bregut, dhe në lartësitë e Karaburunit vraga rrugësh e përshkojnë atë, por ndesh edhe dëshmitë e ndërtimeve ushtarake, në ca godina të shkatërruara, bunkerë, tunele dhe qëndra zjarri, që socializmi i ndërtoi edhe këtu me shumicë, si në çdo pëllëmbë të Shqipërisë, të cilat të sjellin në kujtesë periudhën kur këtu popullohej vetëm nga ushtarët. Natyrisht është e kuptueshme se sot ato ndërtime fortifikuese nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse gërmadha.

Në shpellën e Haxhi Aliut
Po shkojmë drejt shpellës së Haxhi Alisë. Kush ishte ky Haxhi Alija ?! Mbase ndonjë pirat deti i zoti, mbase ndonjë shenjt i krijuar nga njerëzit … Ajo do ta pasuronte me tej udhëtimin tonë. Fundja ky ishte qëllimi i udhëtimit, zbulimi i vendeve interesante me përbërësit e kurtheve të natyrës. Atmosfera bëhet më gazmore kur të rinjtë nën tingujt e këngëve ritmike vallëzojnë. Ata të shpenguar duan të marrin sa më shumë kënaqësi nga ky udhëtim. Stafi i anijes i miqësuar me ne, sikurse ne me ata, të përkushtuar krejtësisht që udhëtimi në det të jetë i këndshëm, e shoqërojnë atë me tregime për detin, malin e Karaburunit, dhitë e egra dhe gjarpërinjtë helmues, shpellat, koralet, Majën e e Frëngut, etj. Kalojnë minutat mes këtyre bisedave të këndshme dhe ja ku iu afruam shpellës së famshme, që është disi larg, përballë ishullit të Sazanit. Masivi i tij në mes të detit, shfaq konturet aq qartë në një ashpërsi diku të veshur me drurë, e diku me fortifikime ushtarake.

-Pas pak do t’i afrohemi shpellës së njohur të Haxhi Alisë- flet nga kabina e anijes, Arbeni, kapiteni i saj. Patjetër bëhesh tepër kureshtar të mësosh nga ai për misteret e kësaj shpelle, që në lashtësi ka qënë një vendstrehim për piratët e detit. Por kur çdokush është përballë saj befasohet nga përmasat gjeometrike, e futur thellë barkut masiv të malit. Aty, ku bregu shkëmbor shtrihet pingul mbi det, të shfaqet zgavra e saj me mbi  30 metrash gjatësi. Hyrja e saj ka një lartësi mbi 10 metra, dhe është shpella më e madhe detare në Shqipëri. I mrekulluar nga emocionet që ndodhesh këtu, duke bërë ëndërrën realitet, dhe jo vetëm kaq, nuk i shmangesh ngasjes të eksplorosh labirinthet e saj.

Historia e kësaj shpelle është përmbledhur në një legjendë, që në thelbin e vet tregon për piratin Haxhi Aliu, mjaft i njohur i shekullit të XVII-të. Në këtë shpellë ai strehohej së bashku me anijet dhe njerëzit e tij. Ajo i ofronte atij vendin më të përshtatshëm për të sulmuar anijet turke, veneciane, dalmate, napolitane, etj dhe për të ruajtur mallrat e plaçkitura. Edhe pse legjenda i ka zmadhuar trimëritë e tij ajo ka ardhur deri në ditët tona ndërmjet rrëfimeve që tregojnë se Haxhi Aliu ishte një hero, dhe tmerr i anijeve të Venedikut, Venecianëve, të Anglisë e Napolit, dhe që nuk i trembej askujt në përleshjet me ushtri, e piratët nëpër Mesdhe. Ai ishte nga Ulqini dhe kishte mbaruar shkollë detarie në Stamboll. “Deti ishte shtëpi a ime-thoshte Haxhi Aliu,por pragu i kësaj shtëpie është toka. Dallgët e detit i kam jastëk për kokë, ato do të jenë dhe guri i varrit tim”. Interesante kjo histori që natyrisht tregon guximin e Haxhi Aliut. “ Një pirat turk me origjinë algjeriane nga Afrika i dërgon një letër Haxhi Aliut. “Arrnaut, hiqmu nga sytë, hiqmu nga udhët e detit! Unë jam më i fortë se ti. Përndryshe, do t’a rrjep lëkurën tënde dhe do ta bëj pergamen për të shkruar në të suret e Kuranit.” Me të marrë letrën Haxhiu ju përgjigj kështu: “Kafkën tënde unë do ta bëj kokë për çibukun tim. Dhe u nis Haxhi Aliu, ngriti velat për t’u ndeshur me piratin turk. Ai u hodh në anijen e tij dhe vrau çdokënd që i doli përpara. Piratin, që ia kërkonte lëkurën e zuri të gjallë, ia preu veshin me gjithë vath; pastaj atë vath ia nguli në hundë dhe ashtu e tërhiqte zvarrë nëpër kuvertë të anijes”. Thonë se Haxhi Aliu ky pirat i detit u vra me të birin nga venecianët dhe e varrosën në Sazan.

            Impresione

Të ngarkuar me impresionet e Karaburunit, të shpellës së Haxhi Aliut dhe me këtë hapsirë me thyrje të bregut shkëmbor, e me gjire të vegjël si të vizatuar me dorë, ne vazhdojmë drejt Shën Vasilit. Ky gji i vogël prej vitesh është kthyer në një kënd të qetë. Aty ndodhet një kalatë për tu ankoruar anije të vogla, motobarka e skafe, duke u kthyer në një vend pushimi ditor me kushtet të përshtatshme, e që të bëjnë të ndjehesh i kënaqur. Dhe duke e shijuar këtë pushim nën ngopjen e nxehtësisë përvëluese të rrezeve të diellit, ne i u gëzuam fatit, se po pushonim në një gji të qetë, ku magjike është deti dhe kthjelltësia e tij. Jo më kot atje nuk kishte shumë pushues. Personalisht i adhuroj këto vende të bukura për pushime, me qetësinë mbretëruese përmbi çdo gjë tjetër. Natyrisht të kaplon një ndenjë kënaqësie e thellë me ajrin e freskët, i cili i farfuronte dallgët, duke e thithur me tërë mushkritë aromën e detit që të futet thellë në shpirt, të shoqëruar me rrezatimin e diellit, i cili shpërndante reflekse të shëndritshme. Është një gjë që edhe ata që s’janë poetë i bën të fantazojnë.
Ja përmes këtyre përjetimeve të bukura me miq, ngrohtësi, dritë, diell, det, natyrisht njeriu nuk ka se si të mos ndjehet i lumtur. Është një lumturi që buron më së shumti nga vet peisazhi i këtij vendi të gdhendur dhe të qendisur si me dorë nga nëna natyrë, e pikturuar me ngjyrën e dritës dhe penelin e detit.

Zamiri, bashkëshoqëruesi ynë nuk priti fundin e udhëtimit për të falenderuar ata që u bën pjesë e tij. Në fytyrat e të gjithëve endej një lodhje e lehtë, por edhe kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mes erës, detit dhe magjisë së kaltër. Shpirti ynë kishte nisur që të rrihte nën ritmin e valëve, dhe jo më kot ne ishim në Karaburun.

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Karaburuni, Magjia sfiduse, Pellumb Gorica

Colleen Hyland, Zv/ ambasadorja e re e SHBA-ve në Kosovë

September 9, 2016 by dgreca

SHBA zv/ambasadore të re në Kosovë/

-Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj takon Zëvendësambasadoren e re të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland/

PRISHTINË, 9 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka takuar Zëvendësambasadoren e re të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland.

Hoxhaj i uroi Zëvendësambasadores Hyland mirëseardhje në misionin e ri në Kosovë, duke e njoftuar për progresin, forcimin e shtetit të Kosovës, si dhe për proceset e tjera të rëndësishme brenda dhe jashtë Kosovës. Njoftimi i dërguar thekson se, ministri ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhënë në të gjitha fushat, si dhe ka vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve. Ministri Hoxhaj ka theksuar vullnetin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me SHBA-të si një nga partnerët më të rëndësishëm të  Republikës së Kosovës në botë./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Colleen Hyland, ne Kosove, zv/ambasadorja e SHBA-ve

KLITHJA E NDËRGJEGJES DHE AMANETI I NJË KOMBI

September 9, 2016 by dgreca

Nga Blerina Ҫizmja/

Një libër që përcjell fuqishëm dhe me realizëm kujtesën e krimeve, trishtimin e pasluftës dhe njëkohësisht, zhgënjimin e një populli që aq shumë e aspiroi lirinë… Gjithçka ndërthuret harmonishëm nëpërmjet ngjarjeve dhe tipareve të personazheve, të cilat lidhen mes tyre në një pikë a në tjetrën, për të plotësuar tablonë e Kosovës së pasluftës.

Një libër që këlthet nga dhimbja, por më shumë nga dëshira për t’iu kthyer ndërgjegjësimit se nuk është kjo ajo çka aq shumë aspiruan luftëtarët për liri; një popull i tërë i masakruar në emër të urrejtjes etnike, por që kurrë nuk e humbi shpresën për një të nesërme më të mirë. Me gjithë dhimbjen që shoqëron në çdo hap fatet e personazheve, çdonjëri prej të cilëve ka shumë për të thënë qoftë edhe me heshtjen e tij, libri të lë një shije optimizmi dhe force për të vazhduar, duke ndryshuar.

Sepse, siç u thotë njëri ndër personazhet e skalitura mjeshtërisht, nxënësve të tij: “Juve ju mbartet amaneti për ta kompensuar kohën e humbur të dijes, shkencës dhe kulturës me angazhim të dhjetëfishtë, sikurse bënë paraardhësit për lirinë. Dhe, nëse ju nuk e përfillni këtë amanet, do t’ju ndjekë edhe në varr mallkimi i paraardhësve dhe pasardhësve”.

Një libër që do t’ju mbetet gjatë në kujtesë, duke ju bindur se të gjitha personazhet e tij i keni takuar në jetë, i keni njohur nga afër dhe i keni dashur, si t’i kishit të afërmit tuaj.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: amaneti i Kombit, Blerina Ҫizmja, Klithja e ndergjegjes

Nëpër misteret e ditarit poetik të Adnan Mehmetit

September 9, 2016 by dgreca

1-adnan-mehmeti

1-libri-adnanNGA DR. YLLKA FILIPI/Ditari poetik i Adnan Mehmetit i mbushur me udhëtime në Tokën e Premtuar, është një mozaik kulturor shumëngjyrësh, dekriptues i natyrës, detit, qiellit dhe tokës, për t’i dhënë substancë kuriozitetit të qenies humane përmes syrit zhbirues të shkrimtarit e poetit që depërton në histori, antikitet e trashëgimi kulturore dhe horizontit të pritjes duke hyrë si në ëndërr, në shtëpi të mermerta; breza magjikë me filigranë ari, brigje shkëmbore apo shpella ku burojnë ujërat hyjnore, aty ku prehen poetët, dehur në magji të gjelbër, festa  dionisiake, homazhe, pikëllime, frikë, katastrofa natyrore e buzëqeshje që rrjedh që nga legjendat nën lupën poetike,  magji e mrekulli natyrore të cilat poeti nuk  i prekë me këmbë, por me shpirt. Ky libër është një ftesë për çdo kureshtar të përjetësisë dhe misticizmit të natyrës.

Nuk ishin vetëm romantikët dhe admiruesit e tyre që gjenin prehje e qetësi në gjirin e natyrës, me sa duket poetët e çdo kohe do të mbeten romantikë të përjetshëm. Po të huazonim P.B. Shellin (sipas romantizmit anglez) poetët janë legjislatorët anonimë të botës. Dhe sipas kësaj ligjësie rruzulli tokësor i ngjan një vegimi parajsor që shfaqet e rishfaqet në ëndrrat e njerëzimit mbarë.
Ky libër hap siparin e një shtegtimi nëpër çaste të paharruara të jetës duke shkelur në gjurmët e historisë amerikane, shqiptare e botërore, udhëtim pa infinit drejt Misisipi (Mississippi), Luisiana (Louisiana), Arkansa (Arkansas), Teksas (Texas), Alabama, Oklahoma, Ushington, (Washington, D.C.), Nevada, Nju Jork (New York), Merilend (Maryland), Masaçusets (Massachusets), Florida, Meksiko (Mexico), Kanada (Canada), Roud Ajland (Rhod Island), Nju Xhërsi (New Jersey), Pensilvania, Saint Martin (St. Martin), Kenektiket (Connectikut), Miçigan (Michigan)… e ndoshta ku i dihet në planete të tjerë të pashkelur ende nga njerëzimi, pasi poetët nuk udhëtojnë, poetët magjepsin hapësirat.
Buzëqeshja e lumit Misisipi, ky lumë – portë- e- parë për emigrantët evropianë dhe skllevëret e Afrikës, si edhe qyteti Xhekson (Jackson) ku rrjedh hijerëndë lumi Pearl, janë mbresat e para. Megjithë rebelimin e tij, lumi buzëqesh kryeneç, prej nga jo vetëm Mark Tueni por edhe poeti Adnan Mehmeti, kanë gjetur këtu frymëzimim për ta përjetësuar portretin e tij.
Lumi Misisipi kryeneç/ Nuk çlirohet nga dëshira e rebelimit.  /… e mallkojnë këtë gjarpër/ U futet fushave, shtëpive …/ Duke u vjedhur ëndrrat, /Vetëm gratë e përdala, /Hedhin mbi valët e tij / Grimca nga dashuria
 Ecim me një tjetër përshtypje:
Kujdes nga krokodilët! … u gjenda në qytetin Sulfur (Sulphur), banorët e saj në hell kishin hedhur krokodolin…  
Luisiana është vendi i kulturave të ndryshme. Por, më të shquar janë grupet etnike kejxhën, pasardhësit e një grupi frëngjishtfolës akadians nga Kanadaja, dhe krëol, njerëz me gjuhë të përzier frëngjisht, spanjisht, karaibe, afrikane apo me prejardhje indiane…
Për t’iu bashkuar më tej Paradës Mardi Gras, ku ngjyra lejla qëndron për drejtësi, e gjelbra për besimin, dhe ari për pushtet.
Poeti, metafora dhe librat janë një trinom i shenjtë. I magjepsur nga madhështia e Bibliotekës-Muze të presidentit Bill Klinton, autori motivon qëllimin e këtij udhëtimi një javor në shtetin Arkansa të SHBA, vendi i parë në botë ku Miniera me diamant është e hapur për publikun, Kapitoll Hill dhe Biblioteka e Bill Klintoit, apo Tre shtëpitë-muze të presidentit Klinton, përmasa të një burrështeti të famshëm.
Qyteti është i frekuentuar nga turistët në katër stinët e vitit. Në rrëzë të malit, në qendër të qytetit është ndërtuar hoteli madhështor, aty ku i kalonte netët Al Kapono. Duke kaluar natën në këtë hotel të shtrenjtë, seç m’u kujtua poeti Dritëro Agolli me poezinë “Në krevatin perandor”-shkruan autori.
Çdo vizitor, kam bindjen, kur vjen për herë të parë, pyet: Pse ky objekt në formë të objektit të gjysmëkryer?
Ndërtesa simbolizon urën e ndërtuar për shekullin e ri, për shekullin XXI, që Bill Klinton arriti të ndërtojë, të ndërlidhë, të bashkojë dy shekujt, me veprën e tij të madhe. Të vjen ndërmend Pallati i ëndrrave të Kadaresë, veçse ndryshe, në invers, pro njerëzimit, pro lirisë:
Kati i parë,…Këtu zë vend të rëndësishëm Lufta e Kosovës, … refugjatëve shqiptarë në Kosovë; karvanet e tyre në ikje nga shtëpitë, malësorët me plisa të bardhë me pamje të trishtuar, fëmijë të zhveshur, gra shqiptare duke vajtuar, paramiletarë barbarë serbë, 78 ditë rresht të bombardimeve të NATOS mbi Serbinë, mbledhjet në Shtëpinë e Bardhë nga qeveria amerikane, fjalimet e Klintonit për popullin e Kosovës, … duke shtypur butonin, arrin të dëgjojë fjalimet më kryesore për vendimet e Klintonit për luftën…
… vazhdon me tablotë nga Lufta në Bosjnë dhe në Ballkan, për të vazhduar në Lindjen e Mesme, në Afrikë, etj. Vlen të përmendet se çdo gjë që është botuar për Klintonin, apo qoftë edhe ndonjë letër që ka marrë nga njerëz të ndryshëm: nga shkrimtarë, nga artistë, nga sportistë…mundesh të gjesh nëpër stendat e bibliotekës. 
…
Kati i dytë, galeri të ndryshme. Udhëtimet e presidentit Klinton, pasionet e tij, sidomos në muzikë dhe sport, dhuratat e shumta dhe atraktive që ka marrë nga miq nga mbarë bota, etj., etj. 
…
Kati i tretë, është privat dhe ruhet nga sigurimi shtetëror. Ka dalje private gjithashtu, shihet si në pëllëmbë kryeqyteti i bukur litel Rak (Little Rock). 
…
Biblioteka posedon 2 milion fotografi, 80 milion faqe dokumentesh, 21 milion mesazhe dhe përafërsisht 80.000 produkte (sende, dhurata). 
– Yll të vetmuar që shkëlqen mbi Shtetet e Bashkuara, e quan poeti Teksasin, lidhur me imazhin e kaubojit.  Litarin e hedh lart në qiell, / Duke lëshuar një iso të shkurtër….
/ Kauboji i ngrysur/ Një re ogurzeze…/…Kafsha është e pushtuar/ Siç u pushtua kjo tokë me forcë. Vijojmë:
Alamo është shumë pranë qytetit të bukur dhe romantik, San Antonio… Kam shëtitur në shumë qytete, por për mendimin tim, është një ndër qytetet më të bukura në mbarë botën. 
…
Roller Coasters një ndër lojrat tërheqëse më të shpejta dhe më të frikshme në jetën time. Një dëfrim i shfrenuar, i papërshkrueshëm gjatë “fluturimit” të çmendur, bashkë me fëmijët dhe gruan time. 
“Kujtoni Alamon! /Një shtëpi e vjetër, / E zhveshur nga mobiljet, / Si klithmë që nuk ndalet. /…Fillon ngjarja e madhe / Sa dhembja e saj vrsastare.  / Të kaluarën nuk e përfillin në Teksas.  
Alamo – fortesë e qëndresës heroike në San Antonio (1836), nga dyqind burra të Teksasit, në përleshje për pavarësi. Të gjithë luftëtarët u vranë nga katër mijë ushtarë meksikanë. “Kujtoni Alamon!”, i referohet rrethimit të tyre.  Dhe më tej:
 “San Antonio”: /River Uolknëpër shekuj është si një lak /Mes për mes qytetit kalon si një fjongo e bardhë/ Lumi me shekuj nuk u pastrua aspak /Nga bekimet… (Aty gjindet Ura e Bekuar… sipas gojëdhanave, prekja e saj, sjell fat në dashuri…- Shënim i autorit).
Autori nuk mund të anashkalojë edhe katastrofat natyrore. Në Galveston në vitin 1900 nga uragani vdiqën mbi gjashtë mijë banorë të ujdhesës dhe kjo mbeti tragjedia më e madhe nga fatkeqësitë natyrore në SHBA.
Vijojnë vargjet tragjike në vazhdim: Lutet poeti, varen pemët, ngrijnë lotët nëpër degë…
“Pemët e rrëzuara”: /Lutjet e besimtarëve, / Varen në degët e pemëve, / ngrijnë në lot të akullt/…  
Vjeshta ka qenë kurdoherë objekt frymëzimi për poetët:
“Vjeshta në Lufkin”, Simfoni, gjethe, fustan, vals…  Në kopshtin tim gjethet bien një nga një nga pemët/ Si për t’u nënshtruar, /…Ndjeva dridhje të ftohtë …  Gjethet i merr era, për të mos i kthyer. …/ …/…Gruaja veshur me fustan të verdhë, / Vjeshtës i thotë ndiqmë/ …/Me një vals rreth trupit të saj. 
Vijojmë me “Sweet Home Alabama”. Ja si shprehet autori: Para së të bëhesha vizitor i Alabamës, më duhej që të bëhesha pak fëmijë, që brenda vetes, nuk e mbaja dot entuziazmin. Mbase isha bërë dhe një djalosh ëndërrimtar që në bankat e gjimnazit kërkon që të prekë tërë botën. Pse jo, dhe hënën dhe nëndetin. E kur një ditë prek një nga ëndrrat, atëherë dukesh se prek njëkohësisht një kokërr mollë të pjekur e të lakmuar nga të gjithë kalimtarët, por shumë më tepër shumë, shumëëëëëë. Vizita drejt Alabamës, tok me atë të Misisipit, ishte një dëshirë e vjetër. Kjo dëshirë e kahmotshme gjenezën e ka patur që kur isha gjimnazist. Oh, vitet rinore, të vikan këtu si një letër e largët që postjeri e ka harruar diku në sirtarët e një poste të largët e ja, një ditë kujtohet të ma sjellë. Nuk ka më pengje postjeri. Me kërshëri lexoja për ndasitë racore në shtetet jugore amerikane. Me ardhjen në Amerikë, m’u zgjua. 
Në Alabama, ku të gjithë rrugët të çojnë drejt portit Mobil (Mobile), një nga qytetet më të vjetra në Shtetet e Bashkuara, një qytet që ka një bukuri të rrallë. Autori përmend Mobil i cili një kohë shërbeu si kryeqytet i kolonive franceze, si edhe Rosa Parks, simbolin e femrës afrikano -amerikane për të drejta të barabarta.
Vijojmë drejt historisë indiane në Oklahoma nga të cilat veçojmë:
Është shumë e vërtetë që edhe poetët kanë një kod mençurie për vetveten kur duam të flasim për jetën e tyre.
Nuk mund të njohësh Amerikën pa parë Oklahomën. Atje janë rrënjët e historisë jetike së saj. Madje duhet që ta shohësh pëllëmbë për pëllëmbë, plis më plis, gur më gur, ditë më ditë… Duke kujtuar këto të dhëna, mendja më shkon sigurisht edhe në Kosovën time të pasluftës dhe peripecitë që na sollën armiqtë dhe kundërshtarët politikë. Ashtu siç i tha jo kongresi amerikan para një shekulli për ndarjen e Oklahomës, ashtu tha jo edhe për ndarjen e Kosovës. 
Duke kërkuar rrënjët e historisë së popujve të botës, autori grish der në dhimbje plagët e kombit të tij.
Presidenti Bush vendos një kurorë tek Varri i Ushtarit të Panjohur, në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit. 
Ndalemi tek Shtëpia e Bardhë. Gjatë luftës me Anglinë, në vitin 1812, u dogj, por u rindërtua duke ruajtur po të njëjtën arkitekturë: Uashingtoni është qytet që mban rekordin për monumente dhe muzeume. Ishin me interes vizitat tek Monumenti Uashington, Monumenti Xheferson, Monumenti Linkoln, Monumenti i Luftës së Dytë Botërore, Monumenti i Luftës së Koresë, Monumenti i Luftës në Vietnam,etj. 
Poeti bëhet nostalgjik, i rikthehet shekujve:
I ulur në shkallët e Kapitol Hill, duke përcjellur koncertin, seç u riktheva në histori. Nga ky tempull i demokracisë ku fillimisht u “përshpërit” për një popull të vogël në Evropë, të rrethuar me armiq, tani në fillimin e shekullit të ri Njeriu numër 1 i Shteteve të Bashkuara, presidenti Xhorxh Bush, çonë në Tiranë një mesazh se Shqipëria dhe populli shqiptar është një realitet i ri politik në Ballkan dhe më gjerë.  
Pë t’u ndalur në:
Ditën e të rënëve (Memorial Day) …drejt Arlington të Virxhinisë aty ku gjinden Varrezat…në anën tjetër të lumit Potomak përballë Uashingtonit. Atje flenë eshtrat e mëse 300 mijë amerikanëve të vrarë që nga Lufta Civile Amerikane rreth 150 vjet më parë. 
Nuk ka sesi të mos i këndojë poeti mallit dhe brengës për vendlindjen e tij:“Zgjuar”: Në Luginën e Preshevës, …/ Njerëzit e mi të mirë …/…/ Lundrojnë ndër ëndrra të bardha. /Buzëqeshjet iu treten…/ 
Autori e përshkruan Las Vegas-in si qyteti i pagjumë…. Aty i thonë se ka edhe shqiptarë.
 …bindesh se po iu ofrohesh “oazës së parajsës”. Palmat dhe bashkë me to mrekullitë në shkretëtirë…
 Poeti fluturon   për ca kohë me ëndrrat e bukurisë së qytetit… aq shumë drita. Drita. Drita. Vetëm drita. Darka romantike në katin 106, për çiftet që vallëzojnë në “qiellin e lumturisë”, duke zgjedhur simotrën e bukurisë së parajsës.
Por, ja edhe një befasi e këndshme. Alban – Albania. Teuta – Albania, Enis – Albania… a ka shqiptarë në Las Vegas? … vetëm në këtë Casino- mbi 70 shqiptarë:
 Më tej rrjedh madhështore nëpër faqet e ditarit poetik, Ujëvara e Niagarës, aty ku bashkohet Qielli me Tokën. Pas Ujëvarës Viktoria në Afrikë është e dyta në botë. Ujëvara na foli shqip: “Mirë se vini në Niagara”. …me fuqinë e dallgëve që të gllabëronin në prehër, si në ëndërr…ishte simfonia… një magjepsje.  Dhe kjo mrekulli luhet me mijëra vjet,  
 A është njeriu i lirë pranë natyrës? A është liria brenda njeriut apo jashtë tij? Kush e sjell lirinë të rënët apo të gjallët? Poeti aludon e vetvetishëm na vijmë ndërmend filozofët:
Njeriu-thotë Sartri, është i lirë, njeriu është liria! Në një frazë klasike ai thotë se njeriu është dënuar për të qenë i lirë… dhe se Liria është e tmerrshme! (Po, kështu kishte folur Kirkegardi për marramendjen e lirisë!)
Këtu kemi parasysh qenien në vetvete (l’en-soi) dhe qenien për vetveten (le pour -soi), pra njeriu krijon vlerat dhe nëpërmjet tyre vetveten si edhe imazhin e natyrës njerëzore. Brenda këtyre ligjeve universale alla-sartiane, autori ka zgjedhur procesin e krijimit të vetvetes, jo vetëm për veten, por për të gjithë njerëzit.[1]
Zgjerohet panorama poetike me Merilendin dhe qytetin Baltimore që na kujton poetin e madh amerikan Edgar Allan Poe i cili botoi këtu librin e tij të famshëm “The Raver”.
Masaçustes, … “djepi i Lirisë”- kujton autori. Më tej sjell një panoramë të letërsisë amerikane të pasur me shkrimtarët që jetuan dhe krijuan në këtë vend: Edgar Allan Poe, si një nga poetët dhe shkrimtarët më origjinalë; poeten Emily Dickinson, e njohur me fatin e botimit të poezive të saj; Ralph Waldo Emerson poet dhe eseist; Henry Wadsworth Longfellow poet, edukator dhe përkthyes. Profesori i njohur, më 1873, ka shkruar një poemë të titulluar “Scanderbeg”, të shqipëruar nga Noli:
“Nga kështjella shpejt ka rënë/
Flamuri me gjysëm hënë,
/Edhe populli shikon…
Një vëmendje e rëndësishme në vepër i është kushtuar Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë në Boston për të nderuar Nolin dhe Konicën.
Në vitin 2001 u formua Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane. Si njerëz të letrave shqipe zgjodhëm pikërisht 22 marsin për të vizituar Bostonin, sepse lidhej me figurën e Fan Nolit.  Katedralja e Shën Gjergjit është një vatër e emigrantëve shqiptarë. Që në hyrje të katit të parë, është i vendosur busti i Nolit, i derdhur në bronz…. Noli vazhdon të frymëzojë brezat. Tingëllon e gjallë edhe sot në Amerikë thënia e tij profetike “Rron or rron, e nuk vdes shqiptari!” Bashkërisht, anëtarët e shoqatës dhe bostonasit e vjetër e të rinj, shkuam tek varri i Fan Nolit dhe bëmë homazh nderimi duke vendosur lule. Varret e dy kolosëve, Fan Noli dhe Faik Konica, janë shumë afër njëri- tjetrit. Por, siç dihet, në vitin 1995, eshtrat e Faik Konicës u kthyen në atdhe e prehen në parkun e liqenit në Tiranë. Megjithatë, duke vizituar varrin e Nolit të madh, përkulesh edhe para varrit, ku pushuan për një gjysëm shekulli eshtrat e Konicës… 
Vargjet në vijim i janë kushtuar Konicës dhe Nolit:
Kthimi i eshtrave të Faik Konicës në Atdhe:
Ti, nuk mbaje pasaportë, / As biletë udhëtimi. /Mbështjellë me flamurin kuq e zi… / I tretur për Shqipërinë… 
– U vonova! 
– U vonova, pëshpërite duke shpejtuar… Udhë e mbarë, Kostandin! 
 “Me Nolin në Boston” (Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston)
Me sytë e mi e pashë Nolin. /… shkallëve të Katedrales së Shën Gjergjit/ …/…/…/Duke u lutur për mëkatet tona:/ Kam festë sot, -tha.  /Vijnë nga larg, shkrimtarët…
Panorama thyhet me magjinë e Orlandos dhe Disni Uorld (The Walt Disney World Resort), në Florida:
… si ajo kështjella Sindorella në Disney World, për t’u futur në botën magjike, në botën përrallore, në botën ku sundon lumturia. Një qytet utopik që “përshpejton për të nesërmen”…
Dhe: Hasta la vista Cancun – një ektazë turistike. Perla e Meksikos, zhytje në ujërat e Karaibeve. Është vërtet një moment, që të ndalet fryma, nga koloriteti i peshqve, koloriteti i botës detare-shprehet autori. Miliona peshq të afrohen dhe notojnë në drejtime të ndryshme.
Asgjë nuk mund t’i nxjerrë më shumë në dritë detyrimet pa fund që ka njerëzimi ndaj zbulimit të hyjnores, pasi konstatojmë se asnjë mjet tjetër nuk mund ta verifikojë këtë të vërtetë të madhe e të rëndësishme.[2]
Në këtë rrugëtim pa fund hasim Tulum, qytet i lashtë Mayan me mure të trasha…para viteve 300 para erës sonë, piramida dhe tempuj, një formë të shkruari përmes… hieroglifeve… matematikë… astrologji dhe: XCARET, ishull i dikurshëm i civilizimit Maya, i ndodhur në xhungël… ku humb nëpër shpellat mijëvjeçare; zhytesh në fund të oqeanit për t’u mahnitur me bukurinë e peshqve, i hap sytë nën det dhe sodit një “parajsë” të çastit.
Hasta la vista Cancun! –përsërit poeti.
Vijon udhëtimi për në Kanada dhe kthehesh në historinë evropiane.  Niagra Fallas, Ontario, (CN Tower) ikonë e Torontos dhe simbol i Kanadasë.
Njuporti (Newport) me pallatet përrallore, nga ku futesh si në ëndërr në historinë e tyre të kahershme.
Vetiu të kujtohen nimfat e detit, Bijat e Nereut, Nerejdat në ujdhesat oqeanike: Le të ndalemi në njërën prej tyre. Shtëpia e mermertë, u ndërtua gjatë viteve 1888-1892, me më shumë se pesëdhjetë dhoma, e cila shërbeu vetëm si shtëpi vere dhe për koncerte.  
Festat Dionisiake dhe Vreshtat popullore, Fort Adams, më tej, Koncert i Valëve, në Atlantic City, Dallgëzohen mendimet, imazhet…A lëviz natyra në mënyrë të verbër? Qiell-Tokë-Qiell…

…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Adnan Mehmeti, dr. Yllka Filipi, misteret e ditarit

Në Dibër nuk hyjnë hesapet e Sheshit Wilson

September 9, 2016 by dgreca

Opinion Nga Arben Llalla/

Është e dyta herë brenda një jave që Eduard Zaloshnja publikon të njëjtin “studim tregu” në lidhje me zgjedhjet në Dibër. Gati në mënyrë sfiduese ish-agronomi i politikës kërkon zgjidhjen e një ekuacioni. A do të jetë fitues bashkëpunimi mes PS dhe PDIU-së në Dibër, pa LSI-në? Nuk është e fshehtë që Zaloshnja e ndihmon rrogën me fonde që vijnë nga selia e Sheshit Wilson në Tiranë. Sipas analistit bujqësor, LSI nuk është përfshirë në fushatë, kurse PDIU e ka marrë me zell këtë punë.

Pikërisht, sot, teksa botohet ky sondazh u bë përmbyllja e fushatës elektorale në Dibër nga të dyja kampet. Në atë qeveritar në tribunë u shfaqën shumë udhëheqës, jo vetëm Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, por edhe Petrit Vasili. Në fakt ra në sy që nuk ishte asnjë nga ligjvënësit apo drejtuesit e PDIU-së. Një parti që çon në Dibër numrin 2 të saj për të mbështetur kandidatin e aleatit të vet socialist quhet e papërfshirë? Kurse një parti që nuk ngre në tribunë asnjë deputet apo udhëheqës vendor quhet e përfshirë?

Nejse, kjo mungesë e PDIU-së rrëfen se kjo forcë politike e ka vlerësuar aq sa duhet këtë fushatë elektorale, e cila është krejtësisht vendore, ndaj ia ka besuar thjesht drejtuesëve të saj në Peshkopi. Janë këta drejtues që në zgjedhjet e fundit lokale morën me numër, vetëm dy vota më pak se LSI, ndaj nuk kanë përse të mbështeten më shumë se kaq në udhën e tyre. Kuptohet rezultati i PDIU-së në Dibër ka ngjallur mërinë dhe xhelozinë, kryesisht të Sheshit Wilson, sepse një realitet politik në rritje kujton kohët e dikurshme, kur nga i vogël bëhesh i madh. Shqipëri është, ndaj konkurenti nuk është se dashurohet.

Kjo është arsyeja e këtyre shkrimeve apo e ngazëllimit që Edi Rama është thyer para presionit grek për ta përfshirë PDIU-në në qeveri. Si në kohën e princërve arbër që për të thyer sho-shoqin thërrisnin në ndihmë osmanët, edhe sot thërrasim në ndihmë grekët.

Por, le t’i kthehemi real-politikës. Në Dibër sido që të jetë PDIU nuk i fiton dot zgjedhjet për PS-në, as i humb dot ato për llogari të PS-së. Është PS-ja që i humb apo i fiton zgjedhjet. Nëse rezultati i kësaj partie është zhgënjyes, nuk ka PDIU a LSI që ta shpëtojë, sepse zgjedhjet nuk fitohen me bedelë. Ndaj, PDIU mund të ndihmojë fitoren, por nuk është thembra e Akilit. Kështu që në një dështim të mundshëm nuk ka përse ta gjejë kush alibinë tek PDIU. Me ç’duket kjo është strategjia e Zaloshnjës dhe pagatorëve të tij. Nëse humb Muharrem Rama, fajin e ka PDIU, nëse fiton Muharrem Rama fitoren e kemi të gjithë bashkë. Në fakt, kjo nuk është politikë, por hesap bakalli. Në Dibër përballen kandidatët e koalicionit të PS-së dhe koalicionit të PD-së, pra nëse lokomotiva nuk tërheq si duhet, fajin nuk e kanë vagonat, edhe sikur ato të transportojnë pesha të rënda si Ilir Meta apo Kreshnik Spahiu.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Dibra, Eduard Zaloshnja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 64
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT