SHBA zv/ambasadore të re në Kosovë/
-Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj takon Zëvendësambasadoren e re të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland/
PRISHTINË, 9 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka takuar Zëvendësambasadoren e re të SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland.
Hoxhaj i uroi Zëvendësambasadores Hyland mirëseardhje në misionin e ri në Kosovë, duke e njoftuar për progresin, forcimin e shtetit të Kosovës, si dhe për proceset e tjera të rëndësishme brenda dhe jashtë Kosovës. Njoftimi i dërguar thekson se, ministri ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhënë në të gjitha fushat, si dhe ka vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve. Ministri Hoxhaj ka theksuar vullnetin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me SHBA-të si një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në botë./b.j/