• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2016

Të lëvizësh i ‘sigurt’ përtej urave mbi Ibër

November 4, 2016 by dgreca

Pavarësisht që liria e lëvizjes në qytetin e ndarë të Mitrovicës, nga ana jugore në atë veriore dhe anasjelltas, nuk mund të definohet as për së afërmi si e përkryer, megjithatë së fundmi, është shënuar mjaft përparim në këtë drejtim, vlerësojnë zyrtarët lokal të dy komunave të këtij qyteti, komunës jugore dhe asaj veriore.

Komuna e Mitrovicës së jugut është banuar me popullatë shumicë shqiptare, ndërkaq që Komuna e Mitrovicës së veriut është banuar me popullatë shumicë serbe.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se përderisa disa vite më parë, ka qenë e pamundur që qarkullimi i qytetarëve i të dyja komunave të bëhet i papenguar në njërën ose anën tjetër, tashmë situata ka ndryshuar.

“Unë mendoj se ka lëvizje të lirë, por mund të jetë edhe më e lirë në të ardhmen”, ka thënë Bahtiri.

Në anën tjetër, me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë që të bisedojë lidhur me këtë temë me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ai ka qenë jo i qasshëm.

Por, Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale të Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se liria e lëvizjes për qytetarët nga të gjitha komunitetet në këtë komunë, ka shënuar përparim, sidomos që prej zgjedhjeve të fundit lokale, tre vjet më parë.

“Qytetarët ecin nëpër qytetin e tyre, fundja, lirshëm dhe këtu ekziston një progres. Kjo nuk do të thotë që gjendja në Mitrovicën veriore është e përkryer”, theksoi Hoxhiq.

Autoritetet lokale të dy komunave të Mitrovicës, vlerësojnë se largimi i barrikadave nga rrugët, sheshet, si dhe urat që lidhin brigjet e jugut dhe veriut të qytetit të Mitrovicës, është sinjal i përmirësimit të mundësive për liri të lëvizjes së qytetarëve nga të dyja anët e qytetit të ndarë.

Por, si e shohin qytetarët shqiptarë dhe serbë nga të dy komunat, situatën lidhur me lirinë e lëvizjes në përgjithësi në komunat e këtij qyteti?

Viktor Peci, me përkatësi etnike shqiptare, thotë se jeton në Komunën e Zveçanit. Për të shkuar në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës, ai e ka të domosdoshme kalimin nëpër pjesën veriore të këtij qyteti.

Por, siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, liria e lëvizjes, tash për tash është e kufizuar vetëm në aspektin institucional, por se banorët lëvizin, ndonëse me kujdes të shtuar.

“Banorët mund të lëvizin pa probleme, përderisa nuk bëjnë ndonjë problem. Në momentin që, mbase, vërehet se jam shqiptar, mund të kem ndonjë problem, por jo edhe aq. Me marrëveshjet e fundit që janë bërë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk paraqitet aq shumë ndonjë problem për banorët shqiptarë”, është shprehur Peci.

Faruk Ahmeti, shqiptar, i cili banon në Lagjen e Boshnjakëve në Komunën veriore të Mitrovicës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë pengesë për të lëvizur nga veriu drejt jugut të qytetit, por se droja mbetet.

“Momentalisht mirë. Pengesa nuk kemi. Por, frika ekziston gjithmonë, sepse unë po punoj në pjesën jugore dhe duhet mbajtur mendjen në anën veriore,s epse familjen e kam atje”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër, një grua e moshuar, me përkatësi etnike serbe, Ljubinka Milosheviq, e cila jeton në Komunën e Mitrovicës së veriut, duke folur për Radion Evropa e lirë, thotë se mjaft shpesh shkon në anën jugore të qytetit, ku jeton shumica shqiptare.

“Shkojmë në dyqane dhe askush nuk na ngacmon. Blejmë gjësende dhe ata, shqiptarët, na i japin. Ndonjëri di serbisht e ndonjë nuk di. Pastaj, kthehemi dhe nuk ka asnjë problem”, tha Milosheviq.

Por, një i ri serb, Veljko Markoviq, po ashtu banor i Komunës veriore të Mitrovicës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se liria e lëvizjes për të ekziston vetëm në veri..

“Në këtë pjesë mund të thuhet se ka liri të lëvizjes, por atje te ura nuk ka edhe aq. Nuk e di a është kjo për shkak të mos durimit nga ana e dy popujve apo për arsye tjetër. por, kështu është”, tha Markoviq.

Parku i Paqes

Parku i Paqes

Ai, po fliste për urën kryesore mbi lumin Ibër, pranë së cilës jo rrallë janë shënuar incidente ndëretnike. Mbi këtë urë, deri më tash kishte qëndruar barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, e cila ishte vendosur aty më 18 qershor të vitit 2014, vetëm pak orë pasi që autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut, kishin hequr barrikadën me rërë dhe gurë.

Tashmë në urë janë duke u zhvilluar punimet për renovimin e saj, që nënkupton edhe heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”, si rezultat i marrëveshjes për liri të lëvizjes që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit.

Bahtiri thotë se ura do të jetë e gatshme për qarkullim në janarin e vitit 2017.

“Diku kah 20 ose 22 janar, ne e kemi në plan që ta lëshojmë (për qarkullim) atë urë dhe kjo sinjalizon se qyteti po bashkohet”, tha Bahtiri.

Se a do të lëshohet kjo urë për qarkullim në afatin e paraparë dhe se a do të bashkohet qyteti i Mitrovicës, kjo mbetet të shihet.

Megjithatë, të shtunën e kaluar, më 29 tetor, në Mitrovicë të veriut është hequr barrikada e fundit te Shkolla Teknike.

Të nesërmen, po në këtë pjesë të qytetit, është hequr edhe pengesa e fundit, nga banorët shqiptarë, në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve”. (Kortezi:Bekim Bislimi REL)

Filed Under: Reportazh Tagged With: mbi Ibër, Mitrovice, përtej urave, Të lëvizësh i 'sigurt'

Shpallen fituesit e edicionit të 9-të të Çmimit AIITC

November 4, 2016 by dgreca

1-jolindaNdahen cmimet vjetore për tre kategori kryesore: shkencë, pikturë dhe krijimtari artistike. Si studiuesit më të mirë të vitit vlerësohen Hasan Bello, Shaban Sinani dhe Eduart Caka; në zhanrin e pikturës vlerësohet peisazhi i Sefedin Stafës, ndërsa për krijimtarinë artistike vendin e parë e fiton shqiptarja nga Mitrovica, Fjolla Spanca./

2-jolinda-lila

Nga Jolanda LILA/

3-jolindaEdicioni i 9-të i Çmimit AIITC, kurorëzoi aktivitetet e tij me ceremoninë e shpalljes së fituesve, e cila u organizua sot në mjediset e Hotel Tirana International. I themeluar në vitin 2007 nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, ky çmim ka si motiv qendror të stimulojë krijuesit shqiptarë për të sjellë prurje artistike e shkencore të niveleve të larta, me qëllim pasurimin e fondit të artë të kulturës shqiptare. Për këtë arsye, ai ndahet në tre kategori: libri më i mirë, peizazhi më i bukur dhe krijimtaria më e arrirë nga moshat e reja. Veprat dhe punimet e paraqitura për konkurrim në periudhën kohore prej një viti, vlerësohen nga juritë përkatëse të secilës kategori.

Ceremoninë festive e ndoqën përfaqësues nga institucionet shtetërore, akademike e kërkimore në vend, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, studiues, shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të shumtë. Mes tyre ishin të pranishëm Kryetari i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, shkrimtari Besnik mustafaj, piktori dhe kritiku i artit Dr. Abaz Hado, Rektori i Universitetit BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana, shkrimtari i letërsisë fantastiko-shkencore në botën arabe, Taleb Omrah etj.
Në përshëndetjen e rastit të mbajtur nga Drejtori i AIITC-së, Dr. Ramiz Zekaj u theksua se Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) qysh në gjenezën e tij, ka vënë si një nga qëllimet madhore të veprimtarisë së vet, që të japë kontribute cilësore në zhvillimin e kulturës shqiptare, e veçanërisht në lëvrimin e kulturës dhe të artit islam, me bindjen se në trungun e kulturës sonë kombëtare, përveç atdhetares, heroikes dhe estetikes, është ngjizur e trupëzuar edhe shkenca, kultura e arti religjioz. Në shërbim të këtij qëllimi madhor, AIITC ka zhvilluar ndër vite veprimtari të shumta studimore botuese e promovuese, në mesin e të cilave spikat çmimi AIITC në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame. Pasi bëri një rezyme të cmimit dhe fituesve ndër vite, ai theksoi se vitet e ardhshme ky cmim do të shtohet edhe me kategori të tjera konkurruese, në mënyrë që të bëhet më gjithëpërfshirës. Më pas fjalën e mori nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Dr. Abaz Hado, i cili theksoi rëndësinë e këtij evenimenti dhe domosdoshmërinë që ka për jetën artistike dhe krijuese të artistëve shqiptarë. Ai falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë konkurs dhe iu uroi suksese në vijimësi.

Mbrëmja vijoi me ndarjen e çmimeve në kategorinë e librit më të mirë të vitit që trajton tema nga kultura dhe shkenca islame. Kryetari i jurisë së librit, prof. dr. Emil Lafe shpalli fitues të Çmimit të parë studiuesin Hasan Bello me monografinë “Marrëdhëniet shqiptaro-turke 1912-1939”. Përveç z. Bello, u vlerësuan me çmime të dyta studiuesit Shaban Sinanaj me librin “Berat, Beratinus, Buhara” dhe Eduart Caka me librin “Dialogu ndërfetar”. Ndërsa studiuesve Xhemal Balla dhe Elez Ismaili iu akordua çmimi i tretë, përkatësisht për monografinë “Vexhi Demiraj” dhe antologjinë poetike “Shllimet e shpirtit”.

Për kategorinë “Peizazhi më i bukur nga penelat e piktorëve shqiptarë”,  kryetari i jurisë së artit pamor z. Buron Kaceli shpalli fitues të çmimit të parë piktorin Sefedin Stafa, me pikturën e tij “Pamje nga Xhamia e Madhe e Durrësit”, e cila me peizazhin e saj plot dritë përçon mesazhe paqeje shpirtërore. Në kategorinë e krijimtarisë letrare nga moshat e reja, poeti Alban Bala shpalli fituese të vendit të parë studenten Fjolla Spanca, për vëllimin e saj poetik, me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë”. Me çmim të dytë dhe të tretë u vlerësuan përkatësisht nxënësja Sexhda Kura dhe studenti Alban Tufa, për krijimet e tyre në prozë e poezi.

Ceremonia e ndarjes së “Çmimeve AIITC” u finalizua me një koktej, në sfond të të cilit ishin të ekspozuara disa nga pikturat më të vlerësuara të këtij edicioni.

Filed Under: Komunitet Tagged With: fitusit e edicionit, Jolanda Lila, te 9-te te cmimit AIITC

Katër të vërtetat e Kryeministrit Rama për Greqinë

November 4, 2016 by dgreca

…..dhe burracakët e parlamentit/

eshref-ymeri

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Ndoqa me shumë vëmendje fjalën e Vangjel Dules në parlament, i cili kërkonte të krijonte furtunë në një gotë ujë lidhur me prishjet e disa ndërtimeve në Himarë, në kuadrin e masave që ka ndërmarrë qeveria për rregullimin e territorit. Dulja u hallakat gjatë në fjalën e tij, por hallin e kishte vetëm në një pikë: po prishen pronat e “minoritarëve grekë” në Himarë. Si një daulle e shpuar e shovinizmit grekokaragjoz, Dulja, duke e shitur veten si “të prekur thellë” nga prishja e parashikuar e nja 18 objekteve në Himarë, në të vërtetë, kërkonte “të krijonte terren” në opinionin publik shqiptar për tezën shoviniste grekokaragjoze, sipas së cilës Himara na qenka “zonë minoriteti”, si edhe për të dhënë prova besnikërie para Athinës për kryerjen e misionit që ajo i ka ngarkuar. Në fjalën e vet, Dulja la të kuptohet se prej tij dhe Athinës varet “fati” i Shqipërisë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Unë mendoj se refuzimi i mundshëm i Athinës për të firmosur pranimin  e vendit tonë në Bashkimin Evropian, me siguri që Tiranës do t’ia ngrejë edhe më lartë autoritetin në sytë e opinionit publik evropian dhe do të dëshmojë edhe më shumë që Greqia ka qenë dhe vazhdon të mbetet një mbeturinë mesjetare në kontinentin tonë, e cila ende vazhdon të dergjet nën pushtetin e fesë.

Mbaroi shekulli XX dhe po i afrohemi fundit të çerekut të parë të shekullit XXI dhe përsëri shovinizmi i leckosur grekokaragjoz nuk po heq që nuk po heq dorë nga pretendimet idiote ndaj tërësisë territoriale të vendit tonë. Sigurisht që nuk mund të heqë dot dorë, se ajo nuk i njeh kufinjtë e Republikës së Shqipërisë dhe vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës.

Se cila është fytyra e vërtetë e Greqisë në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë, që prej shpalljes së pavarësisë e deri tani, çdokush që është i interesuar, le të lexojë në faqet e internetit materialin me titull “Dosja e zezë e Greqisë”.

Kryeministri Rama që e mori fjalën pas Dules, për mendimin tim, vuri ca pika mbi i, të cilat për herë të parë janë vënë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 1920 e këtej.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë botërisht veprën e tyre kriminale me mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës që prej vitit 1940.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ua çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë botërisht të vërtetën për masakrimin e tmerrshëm që shteti shovinist grek kreu kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë, duke bërë kauzë të përbashkët me nazizmin gjerman.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u kërkoi botërisht grekëve që popullsia e Çamërisë të rithehet në trojet e veta amtare, t’i jepen pronat e rrëmbyera me dhunë dhe të dëmshpërblehet.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë racizmin e tyre të urryer në qëndrimin ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët i ka detyruar të ndërrojnë emrat, një dukuri kjo e paimagjinueshme për realitetin e Republikës së Shqipërisë në qëndrimin ndaj të huajve.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ua çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë racizmin e tyre në qëndrimin ndaj Konventës Evropiane për të drejtat e minoriteteve, të cilën nuk kanë pranuar ta firmosin, me pretendimin idiot se në Greqi, gjoja, nuk paska minoritete.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ua përplasi në fytyrë grekëve se si duhet të mos u bëjë përshtypje qimja në syrin e botës, por të shikojnë trarin në syrin e vet.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, i  dha një mësim të mirë azilit të të çmendurve (siç i ka cilësuar grekët Presidenti Karamanlis në vitin 1981) me emrin Greqi, se si respektohen të drejtat e minoriteteve në Shqipëri, e cila është shembull trajtimi për to jo vetëm në Evropë, por edhe në mbarë botën.

Së fundi, Kryeministri Rama u dha një leksion të mirë shovinistëve grekokaragjozë se sa lart qëndron kodi moral i kombit shqiptar, nga i cili ata duhet të mësojnë shumë, të emancipohen dhe të shkunden nga myku mesjetar që i ka mbuluar kokë e këmbë.

Si një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, prita që deputetët e Kuvendit, të të dy krahëve, të dilnin në foltore dhe ta mbështetnin fort Kryeministrin Rama për të gjitha ato të vërteta që tha në adresë të shtetit shovinist grekokaragjoz dhe t’i tregonin vendin emisarit të Athinës Vangjel Dule.  Por, për fat të keq, që të gjithë e treguan veten burracakë të pështirë.

Dikush mund të thotë se në fjalën që mbajti, Kryeministri Rama u mundua të ngrejë lart aksionet e veta, meqenëse po afrohet edhe fushata zgjedhore. Por mua nuk më intereson fare puna e aksioneve të Kryeministrit. Mua më intereson gjithçka që ai, nga foltorja e Kuvendit, deklaroi për herë të parë publikisht në adresë të grekëve, me të cilët nënkuptoj jo popullin e thjeshtë grek, të cilin politika e gënjeshtrave dhe e mashtrimeve skandaloze e katandisi në një krizë të rëndë ekonomike. Me fjalën “grekë”, nënkuptoj mbarë politikanët grekë për qëndrimin shovinist që mbajnë ndaj vendit tonë.

Gjithsesi, përsëri dëshiroj t’i bëjë thirrje Kryeministrit Rama që ta mbaj fjalën që ka dhënë dikur publikisht, kur plasi  sherri për kishë-harvallinën e Dhërmiut. Ai deklaroi: “do ta riorganizojmë kishën”. Do të bënte shumë mirë që ta riorganizonte kishën ordodokse, në mënyrë që të vijë në krye të saj një kryepeshkop shqiptar. Sepse Janullatosi ka qenë dhe vazhdon të mbetet një minë me sahat në shërbim të shovinizmit grekokaragjoz dhe për të zezën e Republikës së Shqipërisë.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, Eshref Ymeri, Kater te vertetat, per Greqine

IMZOT FRANO GJINI, SHPEJT DO TË JETË SHEJT !

November 4, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
1-ok-frano-ilia

BE FOTO:IMZOT FRANO GJINI (1886 – 11 Mars 1948)/

 DOSJA 1302/II: “Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shenjtë!”- Imzot Frano Gjini/

 

Asht lé në Shkodër në vitin 1886 nga prindët Pjetër (Tuke) e Drande Gjini.

Ishte nga një familje e vjetër qytetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfundue ndër Etnit Jezuitë të vendlindjës, ndërsa ato të naltat teologjike i ka krye në Propaganda Fide, në Romë, ku u shugurue Meshtar në vitin 1908. Vjen në Atdhe dhe emnohët sekretar i Argjipeshkvit të Durrësit, tue krye edhe shërbimet fetare në fshatin e Delbinishtit. Shkon për 18 muej në qytetin e Durrësit dhe rikthehët prap në Delbinisht deri në vitin 1914. Emnohët famullitar i Dërvenit në Fushë-Krujë, për dy vjet dhe më 14 nandor 1919 emnohët prap në Durrës deri në vitin 1924. Prej Durrësit shkon në Kurbin deri në vitin 1928. Prej Kurbinit shkon në Perlat të Kthellës së Mirditës. Në vitin 1930 Shugurohet Ipeshkëv i Durrësit, kohë në të cilën administronte edhe Vlonën. Në vitin 1932 asht Abat i Mirditës, me seli në Orosh. Në vitin 1944 asht edhe administrues i Lezhës. Me 25 Maji 1945, mbas dëbimit nga Shqipnia të Delegatit Apostolik Imzot Leone G. B. Nigris, prej qeverisë komuniste të Tiranës, Selia Shenjtë e emnon: IMZOT FRANO GJININ, REGJENT’I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI.

Asht i pari Klerik Katolik Shqiptar që emnohet në këtë detyrë të naltë në shtetin Shqiptar, ç’ prej thëmelimit të tij.

            Me datën 20 nandor 1945, Imz. Gjinit i vjen zyrtarisht emnimi nga Vatikani.

Dokumenti i ardhun nëpërmjet të Ambasadës Italiane i dorëzohet nga At Giovani Fausti S.J., që atëherë ishte me detyrë në Tiranë. Qeveria komuniste e Tiranës nuk e njeh asnjëherë këtë detyrë dhe as Regjentin e porsa emnuem. Që në moshën e re tek Imz. Gjini bije në sy përvujtnia dhe matunia e tij gja që, e miqëson shumë me Ipeshkvijt Bumçi, Vinçenc Prennushi, Jul Bonatti, dhe At Meshkallën, At Giadrin, Don Shtjefën Kurtin etj.

Imz. Frano Gjini, vertetë konsultohej me ta, por asht edhe bashkëpunëtor besnik për të gjitha problemet fetare të krahinave që administron. Mbas emnimit si Regjent kërkon nga Vatikani zëvendsimin e tij, mbasi sheh vështirësitë e mëdha që i dalin nga qeveria komuniste e Tiranës, vasale besnike e qeverisë Titos. Ishte nandori i 1945, kur e kërkon këtë gja nga Vatikani, por Vatikani nuk miratoi kërkesën e Imzot Gjinit.

Në janar të 1946 përsëritë kërkesën gojarisht me anë të At Filipe Kjeja, italian, që niset për Itali, njëkohësisht njofton Vatikanin për reformat komuniste që po zbatoheshin këtu, si mbyllja e shkollave fetare, shtetizimet e pronave të Kishës, reprazaljet dhe arrestimet, pushkatimet e klerikëve të pafaj, etj. Në muejn shkurt 1946 i poston një letër Nuncit Apostolik të Vatikanit në Francë, (mbasi Shqipnia nuk kishte atëherë lidhje postare me Italinë) ku, kërkonte skjarime për çështje të ndërpreme fetare. Në maji të 1946 flitej nga radio Vatikani se në Shqipni do të vinte një amerikan i deleguem i Vatikanit për me asistue këtu, por kjo nuk ngjau, gja që dha me kuptue se komunistëve shqiptarë po u lejohej “dorë e lirë” me veprue edhe ndaj Fesë, ashtu si ndër të gjitha çështjet tjera.

            Imzot Gjini asht ndër të parët që kuptoi kjartë qëndrimin e Amerikës, Anglisë dhe Italisë. Ai porsa u emnue në detyren re si Delegat i Vatikanit, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës, por kërkesa e tij nuk u pranue. Kishe me thanë se Imzot Gjinin nuk e kishte marrë malli me pa surratin e Enver Hoxhës, por si dukët donte me matë pulsin e tij për të ardhmën. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për mbylljen e shkollave, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa nga masat ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike. Gjithmonë masat ekonomike në sistemin komunist paralajmërojnë masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, se Ai nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vëprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçansi.

Në këtë takim Imzot Gjini kërkonte edhe praninë e Imzot Vinçenc Prennushit, si Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës, Imzot Gjergj Volaj, At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Ishte mueji  dhjetor 1945 kur u ba kërkesa zyrtare për takim, por nuk u realizue se gjoja sa kishin përfundue zgjedhjet e dhjetorit. Në mars të 1946, në qelën e Tiranës që administronte Don Shtjefën Kurti, u mblodhën prap të gjithë përsonat e sipërpërmendun ku, përveç tyne  ishte edhe At Pjeter Meshkalla.

Aty u vendos që t’i shkruhet një letër qeverisë dhe t’i dorëzohej nga Don Shtjefen Kurti. Letra u përpilue nga At Meshkalla me sugjerimet dhe pëlqimin e të gjithëve që ndodheshin aty, mbasi ata përfaqësonin vullnetin e Klerit në përgjithësi.

Një kopje u vëndos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan në Tiranë, me vue në dijeni Vatikanin, mbasi përfundimisht ishin ndërpre lidhjet dhe korrespondencat nga Shqipnia. Dërgimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qëllim që të vihej në dijeni Selia Shenjte se Kleri katolik Shqiptar nuk i ndërpret lidhjet me té, dhe se kjo çështje asht vetëm një kërkesë kambëngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës, e kryesueme nga E. Hoxha. Letra nuk u dërgue me dorë mbasi një jezuit italian që shkonte ato ditë atje kishte frikë me e marrë letrën, se mos e kontrollojnë dhe i pezullojnë nisjën për Itali. Ai mori përsipër me i shpjegue Vatikanit gojarisht përmbajtjën e letrës si dhe kërkesën e Imzot Frano Gjinit për zëvendsimin e tij, mbasi Ai nuk njihët nga qeveria diktatoriale e Tiranës.

Flitët, se letrat deri vonë i ka pasë të ruejtuna Don Lec Sahatçija, që kryente edhe punën e sekretarit të Imzot Gjinit, por e vërteta nuk dihet se ku kanë përfundue ato letra. Asht edhe një mendim tjetër se mund të jenë zhdukë me vdekjen e Don Mark Xhanit në hetuesi, tue mos pasë ma mundësi me u dijtë se ku mund të jenë mëshehë prej Tij.

Letra asht shkrue mbasi e pranon edhe At Meshkalla, por fatin e saj nuk e di as Ai.

Takimin me Misionet e hueja e mori përsipër Imzot Vinçenc Prennushi, i cili u takue me z. Hudgson në Misionin Anglez dhe i paraqiti me gojë gjithë përmbajtjën e letrës me prezencën e Don Shtjefën Kurtit, i cili fliste shumë mirë frengjishtën.

Ai u tregue shumë pesimist mbasi sidukët ishte koha kur marrëdhanjët e qeverisë së Tiranës me anglezët ishin në ftohje, të paktën në dukje.

Kam përshtypjen se, klerikët komunikonin me të huejt vetëm gojarisht mbasi nuk duhet ti kenë besue as atyne me dhanë e me marrë letra, gjithmonë një punë me rrezik.

Në vitin 1946 Imzot Gjini, bante edhe ndonjë rrugë nga Mirdita, mbasi nuk kishte mundësi zëvendsimi me Ipeshkëv tjetër atë zonë. Sigurisht, ai atje kishte kalue kohë të gjatë ndër ata male dhe respektohej shumë. Koha ishte e vështirë në të gjitha anët.

Malët ishin mbushë me të arratisun që nuk e pushonin përpjekjen për liri nga komunistët nën drejtimin e Mark Gjomarkut. I vëllai i Markut, Lleshi (edhe ky, oficer akademist ishte në mal), dhe thirrej Lleshi i zi. Lleshi i ban një kërkesë Imzot Gjinit, tue i krijue mundësinë me u largue nga Shqipnia me anën e një avioni anglez që sillte ndihma për çetat e malëve, mbasi ishte hapë fjala se Imz. Gjini mund të arrestohej shpejt.

Imzot Frano Gjini, ju përgjegj: “Unë edhe po iku, po kujt t’ua la besimtarët e Shen’ Lleshdrit? – Kjo punë nuk bahet kurrë prej meje!”. Sigurisht, kjo temë nuk u hap ma prej tyne. Përgjegja e shkurtë, e shpejt dhe e saktë tregon shpirtin e klerikut të vërtetë që asht gati me u flijue por jo, me lanë Popullin e vet pa drejtues të Fesë në atë kohë aq të mnerëshme. Kështu vepruen edhe shumë priftën të tjerë që edhe ata nuk u arratisën por pranuen Kalvarin e pafund. Shumë prej Tyne sot janë Martirë të Fesë dhe Atdheut.

Imz. Gjini, jo vetëm, qëndroi në Atdhe por punoi me përkushtim dhe i vendosun në detyrën e naltë dhe të randë që ju ngarkue. Përgjegjësia e madhe e tij vrehët në vëprimet e matuna dhe të pagabueshme që kryen deri në fund.

Sa merr detyrën Ai asht i vetëdijshëm se asht para një lufte të përgjakshme të shpallun nga komunistët. Kërkesat e Hoxhës, Shehut dhe të Xoxës per klerikët e Shkodrës dhe të Tiranës, që në ditët e para të janarit 1945, për bashkpunim dhe shkëputje nga Vatikani, loja e Sejfulla Maleshovës, gjoja për formimin e një partie demokristjane për zgjedhjet e dhjetorit të 1945, nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik Nigris, më 5 maj 1945, mos njohja e Regjentit të ri nga qeveria e Hoxhës, tue mos pranue takimin e kërkuem nga Imzot Gjini, eleminimi i deputetëve të dhjetorit me pikëpamje jokomuniste, formimi i qeverisë me filosllav jugosllav dhe rus, miqësia e madhe me druzhe Titon, formimet e grupeve e organizatave me njerëz të pafajshëm, pushkatimet e njëmbasnjëshme me porosi të Titos e Stalinit, etj., e detyrojnë Imzot Gjinin, me ndërmarrë hapin ma të rëndësishëm që i pret mundësinë qeverisë me akuzue Klerin Katolik, me urdhën të vet: “Mos implikimi i çdo kleriku, kushdo kjoftë me asnjë çeshtje politike pra, ndalimin e plotë të marrjës me politikë të klerit. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundërshtueshëm.”

Promemoria e lëshueme për këtë qëllim me datën 25 nandor 1944 nga Imzot Frano Gjini, mbasi Delegati Nigris ndodhej në Itali, asht dokumenti ma i saktë që tregon mendjen e hollë dhe largpamësinë e tij për kohën që po vinte. Këto cilësi të Imzot Gjinit të forcueme me karakterin burrnor e trim, ndoshta, ishin arësyet që Vatikani e zgjodhi atë për Regjent, në atë grup Ipeshkvijsh që kishte atëherë Shqipnia, një vend i vogël me njërëz me të vërtetë të mëdhej. Per fat letrat e Tyne ruhen nder Arkivat e Shqipnisë.

Qëndrimi i haptë dhe burrnor i Imzot Gjinit tashti nuk i përkiste vetëm Mirditës, por ishte qëndrimi i mbarë Katolikëve Shqiptarë tue fillue nga Shkodra, në Vlonë e Korçë, e ku kishte kjoftë edhe vetëm një besimtar katolik. Ai tashti ishte edhe Burri ma trim në radhët klerit mbasi e dinte mirë se me çfarë komunistësh anadollakë kishte punë, por edhe  e njihte mirë mënyrën e sjelljes së tyne të pashpirtë e barbare me Klerin Shqiptar.

Ai ishte i vetëdijshëm për rrugën e rrezikshme por edhe të pakëthyeshme në të cilën për fat të mirë, e solli historia. Ai i ruhët dhanjes shkak, por nuk i frigohet kërcënimit.

Ai njeh mirë mënyrat komuniste të dredhisë dhe pabesisë prandej, edhe punoi me mendje të freskët dhe të mprehtë për ruajtjen e pastër të Fesë, ndër kushtet ma të vështira të krejt Lindjës, ku komunizmi, ishte thjeshtë një grup njerëzish të paditun e kriminelë.

Ai ishte përballë atyne bishave komuniste të mnershëm, fanatikë dhe vegla të shovenistëve sllavë e aziatikë, që historia do ti cilësojnë historikisht  si kafshët ma të egra të komunizmit ndërkombëtar të mbarë globit…njëditë jo fort larg!

Ai dinte dhe njihte mirë fillimisht praktikën që po ndiqej me liritë thëmelore të qytetarëve, tue përfshi të drejtën me jetue dhe me shprehë lirisht mendimet individuale ose të përgjithshme, madje, dhe të drejtat kryesore: Jeta dhe paprekshmënia e saj… që po shkeleshin çdo çast tue torturue dhe vra çdo besimtar i thirrun “kundërshtar”, vetëm pse BESONTE NË ZOTIN, pikrisht ata, që hypën në pushtet tue mashtrue popullin “pa dallim feje, krahine dhe ideje” dhe që, do të mbetën në histori si regjimi ma përdhunues, gjakatar, imoral dhe tiran i shekullit.

   Imzot Frano Gjini asht pa asnjë mëdyshje një nga klerikët katolikë që deri në çastet e fundit vetëm kryen detyrën. E kam shkrue edhe në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, sesi, kur ndodhej i lidhun ndër degët e ullinjëve të hetuesisë (tek shtëpia e  Çiurçisë), gjeti rasën dhe i bani me shenj një të lidhunit tjetër, që po jepte Shpirt dhe, ashtu si ishte i varun, lujti kokën në shenj të Kryqit, për me e zgjidhë nga fajet e kësaj jetë atë Martir që mbas pak minutash u gjet para Gjyqit të mbramë… por, që me siguri ka pa edhe Ai Fëtyrën e Zotit.

Imzot Frano Gjini asht Ai klerik që me pranga ndër duer thërret në bankën e të akuzuemve kur po i jepej vëndimi “me vdekje”: “Jeni të zgjidhun vëllazën, të gjithë shka jeni dënue këtu me vdekje, qëndroni si Burrat se, asht lavd me vdekë për Fé të Jezu Krishtit!..”, dhe bishat e tërhoqën zvarrë nga mensa e Fretenve ku po bahej gjyqi…

Asht e vertetë që Imzot Frano Gjinin nuk e pau kush përveç shokëve të Tij, që shkuen të lidhun bashkë kambësh e duersh në Zallin e Kirit, më 11 mars 1948, po sot, dokumentat vazhdojnë dhe flasin per kete Burrë.

Dosja nr. 1302/II – A, viti 1948, (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë), asht dokumenti ma i saktë që tregon se kush ishte Ky, Imzot Frano Pjetër Gjini?

Pse u zgjodh Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni? Çfarë qëndrimit mbajti në torturat e mnershme që provoi për 16 muej mbi trupin e Tij? Cili ishte faji i Tij? Kush e akuzoi  dhe pse? Cila ishte arësyeja që e pushkatoi terroristi Enver Hoxha?.. 

Dhe, do të bindeni se arësyeja e vetme asht kjo:

  • IMZOT FRANO PJETËR GJINI, ISHTE ATDHETAR, ISHTE KLERIK KATOLIK ME PIKPAMJE DEMOKRATIKE EVROPJANE PERËNDIMORE, ISHTE KREJTËSISHT I PAFAJSHËM DHE, U PUSHKATUE VETEM SE ISHTE REGJENT’ I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI.
  • AI ISHTE AI BURRË, QË NUK U BA AGJENT I KOMUNISTËVE, PO EDHE NUK PRANOI ME U SHKËPUTË KISHA KATOLIKE SHQIPTARE, NGA PAPA DHE VATIKANI DHE, ME U LIDHË ME LINDJËN SHOVENISTE SLLAVE E AZIATIKE, KOMUNISTE BOLSHEVIKE.
  • AI ASHT TRIM SE ASHT I BINDUN, SE GJAKU I PAPËRLYEM I TIJ DO TË DERDHET NË THËMELET E FORTA E TË PALËKUNDUNA TË KATOLIÇIZMIT, NË TOKËN E BEKUEME SHQIPTARE !

 

■Me daten 5 Nandor 2016, Papa Françesku në Vatikan do të shpallin:

                                    SHEJTIN  FRANO GJINI…

Melbourne, Nandor 2016.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, Imzot Frano Ilia, shpejt Shejt

“MIQTE E FEDERATES VATRA” IA NISIN NGA TETOVA

November 3, 2016 by dgreca

1-ok-miqte-e-vatres

Fillimi i Nëntorit 2016, nisi më një nismë atdhetare me shumë vlera për shqiptarët e Maqedonisë. Në Tetovë, kryeqendra e shqiptarëve, një grup intelektualësh, në përbërje të një komisioni nismëtarë, u mblodhën për të krijuar Shoqatën”Miqtë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA”. Ideja  nisi para  dy vitesh gjatë vizitës që bëri në Selinë e Vatrës në Nju Jork, Zonja Elita Masha. E mirëpritur nga Kryetari i Federatës Vatra,  dr. Gjon Buçaj dhe Kryetari i degës së Vatrës në Queens, NY, njëkohësisht anëtar i Kryesisë Federatës Vatra, dr. Skënder Murtezani dhe Editori i Diellit, Dalip Greca, ideja erdhi duke u forcuar.Idesë iu bashkuan historiani Arben Llalla me zonjën e tij Teuta Llalla, Arsim Sinani, Dr. Bashkim Pollozhani, Shpëtim Murtezani,  dhe shumë intelektualë të tjerë, të cilët e quajnë këtë nismë të domosdoshme për të ngjallë frymën Kombëtare, karakteristikë e vatranëve të Amerikës për më shumë se një shekull.  Dr. Skënder Murtezani vazhdoi kontaktet për dy vjet dhe këto ditë u realizua takimi i parë i Komisionit Nismëtar në qytetin e Tetovës.

Në këtë takim nismëtar ishin të pranishëm 22 vetë. Takimin e hapi i dërguari i Kryesisë së Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, personalisht i dërguari i dr. Gjon Buçaj , Kryetar i Vatrës,  dr. Skënder Murtezani. Ai përcolli mesazhin me shkrim të dr. Gjon Buçaj.

Në mesazhin e dr. Buaçajt, ndër të tjera shkruhej: “Të dashtuna motra dhe vllazën shqiptarë, në emën të Kryesisë së VATRËS dhe timin personal ju përgëzoj me mirënjohje për idenë shumë pozitive me formue nji grup me emin “Miqtë e  VATRËS”, për bashkëpunim të ngushtë për të mirën e përbashkët.

Meqenëse, simbas Kanunores së VATRËS, nuk parashihet themelimi i degëve të saj jashtë kontinentin amerikan, ju keni gjetë mënyrën ma të përshtatshme për t’u lidhë me këtë Federatë ma se njishekullore dhe me shndërrue mendime dhe me kordinue qendrime e veprime të përbashkëta saherë që e lypë nevoja e interesavet kombëtare.

Fryma e VATRËS asht idealizmi kombëtar, mbi dhe jashtë rrymave të ndryshme që identifikohen me programet e tyne politike kombëtare, por edhe specifike, shpeshherë në kundërshtim me njena-tjetrën. Qendrimet dhe veprimet e VATRËS synojnë vetëm interesin kombëtar, pa marrë parasyshë kujë i shkon përshtat e kujë jo. ..”

Më pas Dr. Murtezani u fokusua tek fryma Kombëtare e VATRËS, frymë që ia plazmuan vatranëve, themeluesit e saj, dhe vazhdon për 104 Vjetë.  Ai theksoi se të jesh vatran do të thotë te jesh luftëtar i çështjes kombëtare, të jesh vullnetar i Kombit tënd, të dalësh mbi partitë politike, se Kombi është mbi të gjitha.

Dr. Murtezani shprehu shpresën dhe dëshirën që kjo Shoqatë e miqëve të Federatës Vatra të nis të transmetojë një kulturë të re komunikimi dhe t’u hapë rrugë ideve pozitive demokratike dhe kombëtare.

Dr Myrtezani i pyetur nga pjesmarrësit per menyren e strukturimit dhe të funksionimit të shoqatës, tha se gjithçka është, në  kompetencat e vetë shoqatës. Ne kete tubim, edhe pse shumë i zene me aktivitetin e tij kombetar ne Diber, Z. Ibrahim Kolari, anëtar i Keshillit Drejtues të Vatrës,i pranishëm në takim,  nuk mungoi t’u urojë nismëtarëve pune te mbare dhe suksese shoqates“Miqte e Federates Vatra”.

Urojmë që Shoqata të tërheqë në radhët e saj sa më shumë intelektualë dhe të kryej misionin e saj fisnik që ka marrë përsipër.(Dielli)

Filed Under: Vatra Tagged With: "MIQTE E FEDERATES VATRA", IA NISIN NGA TETOVA, Skender Murtezani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT