• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2017

KORBAT E ZI I TURREN PRAPË AMERIKËS

January 27, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183Nga Frank Shkreli/Donald Trump është zgjedhur dhe javën që kaloi u betua si president i Shteteve të Bashkuara.  Dua të them nga fillimi, ashtu siç jam shprehur edhe në disa shkrime gjatë fushatës për president të Amerikës se me Donald Trump nuk më lidhin shumë gjëra dhe vazhdoj të kemë rezervimet e mia mbi disa prej politikave të tija të prononcuara deri më tani.  Donald Trump u zgjodh president nga populli amerikan dhe si i tillë duhet të respektohet vota e zgjedhsve amerikanë, të pakën deri atëherë kur të kemi arsye që të themi se paskemi bërë gabim.  Por edhe po të ndodhte një gjë e tillë,  për ata që dinë diçka për sistemin politik të SHBA-ave, është vet ky sistem që do të kujdeset për të qenë gati për çdo eventualitet, prandaj korbat e zi përtej oqeanit nuk kanë nevojë të derdhin kot lotë krokodili për të ardhmen e Amerikës sepse fati i saj është në dorë të popullit amerikan dhe të përfaqsuesve të tij dhe jo në dorë të një ose më shumë individësh, sado të pushtetshëm të jenë ata.  Këto mendime që pasojnë, në të vërtetë nuk kanë të bëjnë aspak me Donald Trump-in si president, por kanë të bëjnë me ata korbat e zi të cilët, me zgjedhjen e Donald Trump në krye të Amerikës, po njellin fundin e Shteteve të Bashkuara, ashtu siç e njohim sot Amerikën.  Nga entuziazmi që tregojnë, kjo shfaqje, në të vërtetë, duket më shumë si një dëshirë nga ana e tyre se sa një shqetsim.

Socialistët dhe social demokratët majtistë të Evropës së bashku me mediat e tyre pothuajse e kanë shpallur tanimë fillimin e luftës civile në Amerikë.  Për më tepër, ata shfaqin gjoja “shqetsimin” e tyre  për fundin e Amerikës, por edhe se zgjedhja e Donald Trump-it do të shkaktojë luftën e tretë botërore, e tjera parashikime të zymta.  Madje, edhe në disa media shqiptare që e konsiderojnë veten majtiste shoh shkrime por edhe programe selektive në televizion, në të cilat komentuesit paraqesin Amerikën në dritën më negative që është e mundur, si rrjedhim i zgjedhjes së presidentit Trump.  Ndërkohë botohen e ribotohen shkrime në disa gazeta, disa prej të cilave janë artikuj të përkthyer të autorëve majtistë evropianë, të selekcionuar me kujdes nga redaktorët shqiptarë, në përputhje ideologjike me pikpamjet e tyre, e të cilët veç njellin zi për Amerikën.  Një prej atyre shkrimeve, nga një autor i huaj i uronte mirëseardhjen Amerikës në “klubin” e vendeve Arabe.  Sikur media shqiptare – me ndonjë përjashtim të dalluar — nuk ka me çka tjetër të merret, veç të ribotojë shkrime anti-amerikane të majtistëve evropianë!  Sikur Shqipëria nuk i ka hallet e veta të cilat duhej të trajtoheshin nga media vendase, për gjetje zgjidhjesh.  Por, duket sikur një segment i medias shqiptare ka marrë përsipër të qajë hallin e Amerikës nën administratën Trump në vend që të përballet me sfdiat e vendit.  Nuk jam i sigurt nëse kjo dukuri në median shqiptare është në të vërtetë një përpjekje për të kamufluar problemet e mbrendshme të Shqipërisë, apo është një politikë editoriale e qëllimshme, nga disa qarqe, për të kritikuar dhe sulmuar Amerikën si dikur në kohën e komunizmit.  Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, në përgjithsi, një nivel i tillë kritikash nuk vihet re, për të njëjtën periudhë, në mediat e Republikës së Kosovës, ç’prej zgjedhjes së Donald Trump-it president të SHBA-ave.

Këto komente në media por edhe në radhët e disa politikanëve evropianë, të sjellin në kujtesë kulmin e luftës së ftohtë gjatë 1980-ave kur president i Amerikës ishte Ronald Reagan.  Dëshmitarët e asaj kohe mbajnë mendë se vendet komuniste e madje edhe disa vende perëndimore, përfshirë mediat e tyre, shpreheshin se Presidenti amerikan Ronald Reagan me deklaratat dhe politikat e tija të ashpra anti-komuniste do të shkaktonte shpërthimin e luftës së tretë botërore.  Akuza këto që më në fund përfunduan në protesta të mëdha organizatash të majta komuniste dhe neo-komuniste, të cilat organizonin protesta anë e mbanë Evropës perëndimore me pjesëmarrjen e qindra mijëra demonstruesve kundër Shteteve të Bashkuara dhe politikave të “kaubojcit” amerikan Reagan.  Për rezultatet e politikës së jashtme dhe të mbrendshme të Presidentit Ronald Reagan flet vet historia. Sot, ai konsiderohet si njëri prej presidentëve më të suksesshëm amerikanë.

Kësaj radhe, Amerika zgjodhi një president ndryshe dhe një gjeneratë tjetër korbash të zi matanë oqeanit prap, ashtu si në kohën e Presidentit Reagan, parashikojnë fundin e Amerikës, mbarimin e botës dhe luftën e tretë botërore të shkaktuar nga Amerika.  Fjalori shqip e shpjegon se korbi është një zog me pendë të zeza që e bën folenë në drurë, zakonisht në vende të vetmuara.  Të vetmuar në pikpamjet e tyre, këta korba të cilët si rrjedhim i vetmisë së izolimit shpirtëror dhe intelektual të tyre, sidomos të izolimit nga vlerat morale dhe politike të popullit amerikan, nuk kanë shumë njohuri nga bota e sidomos nga bota e Shteteve të Bashkuara dhe as njohuri se si në të vërtetë funksionon sistemi politik amerikan.Amerika nuk është Donald Trump, as Barak Obama, as George Bush dhe as Bill Clinton.  Të gjithë këta — disa më të mirë e disa më të këqij – megjithse kjo i lihet historisë t’i gjykojë — janë ushtrues të detyrës bazuar në një sistem politik të përcaktuar shekuj më parë nga themeluesit e këtij kombi, një sistem ky i cili përcakton kufizime të qarta ndaj pushtetit që mund të ushtrojë presidenti në politikat e mbrendshme, të jashtme dhe ushtarake, pa pasur mundësi të shkelë vijat e kuqe që ia përcakton kushtetuta.  Janë degët e tjera të qeverisë federale — Kongresi dhe Gjyqësori – ato që kontrollojnë punët e presidencës, por është edhe presioni publik, siç ishin demonstratat masive anë e mbanë Amerikës një ditë pas betimit të Presidentit Trump.  Demonstrata të tilla nuk njellin fundin e Amerikës, siç mendojnë korbat e zi evropianë, as nuk tregojnë dobësinë e sistemit amerikan, por përkundrazi venë në dukje vitalitetin dhe gatishmërinë e shoqërisë amerikane për të shfaqur kundërshimet e saj kur e sheh të nevojshme — në mënyrë entuziaste dhe të organizuar me një numër të madh pjesmarrësish — ndaj politikave të veçanta të Presidentit ose qeverisë federale, shtetërore e vendore, ose në favor të kauzave të ndryshme, në përgjithsi.  Është një detyrë dhe përgjegjësi e shenjtë, tradicionale e amerikanëve për të venë gjithmonë në dyshim vërtetësinë e premtimeve dhe zbatimin e këtyre premtimeve nga të zgjedhurit në pushtet, përfshirë presidentin (always question authority”).

Prandaj mos kini merak — se cilat do qofshin ose jo problemet e amerikanëve me Presidentin Trump, ose me presidentë të tjerë në të ardhmen, ata do t’i zgjidhin vet atë probleme me votë të lirë, me protesta po se po, por kryesisht me mjete ligjore dhe kushtetuese, në Kongresin Amerikan dhe në Gjykatën e Lartë, po të jetë nevoja, ashtu siç ka ndodhur me skandalin “votergejt” në fillim të 1970-ave, një rast ky që ndryshoi përgjithmonë dhe mund të thuhet për më mirë Washingtonin dhe politikën amerikane.  Ashtu pra, siç kanë bërë historikisht amerikanët me presidentë të tjerë të mëparshëm por edhe me sfidat kombëtare – të mbrendshme dhe të jashtme — siç ishte për shembëll Lufta e Vjetnamit, me të cilat janë përballur Shtetet e Bashkuara në të kaluarën, ashtu do të ndodhë edhe në të ardhmen, po të jetë e nevojshme.  Prandaj, qetësohuni, merruni me punën e pushtetarëve tuaj dhe mos tu frikësojë Trump-i dhe deklaratat e tija, se ka kush kujdeset dhe kush të kontrollojë, të qortojë dhe të korigjojë punën e tij, nëqoftse paraqitet nevoja.  Flini rehat se megjithse Amerika ka mjaft probleme, ajo i ka edhe institucionet e saj të sprovuara dhe me përvojë të gjataë për tu përballur me to.

Ky në të vërtetë ishte edhe mesazhi, ditët e fundit, i një analisti evropian.  Max Hoffman i Deutsche Welle-s, ka shkruar se Evropa ka nevojë të jetë e shqetësuar më pak për Trump-in e më shumë për vet-veten.  Analisti gjerman u bën thirrje diplomatëve dhe politikanëve që drejtojnë institucionet e Bashkimit Evropian që të jenë më pak të shqetësuar për presidentin e ri amerikan se ç’shprehen tani, duke thënë se parashikimet për presidentin Trump dhe administratën e tij mund të dalin të vërteta ose jo, por në cilindo rast qoftë, Evropa nuk do të mund të influencojë Shtetet e Bashkuara.  Sipas tij, ajo që duhet të bëjnë tani shtetet evropiane është, “që të pilotojnë vet anijen e tyre.”  Ai përfundon duke thënë se Evropa, “Duhet të ndërtojë një bazë më solide për të ardhmen e vet” dhe nënvijon duke shtuar se “Nëqoftse shqetësimet evropiane ndaj Trump-it, bëjnë që si përfundim Evropa të jetë më e bashkuar dhe më e vendosur, atëherë,thekson analisti gjerman, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të ketë bërë diçka të mirë për vet shtetet e Evropës, duke u hapur sytë që të jenë më të bashkuara dhe më të vendosura për fatin e tyre të përbashkët.

Kjo është një këshillë e mirë, jo vetëm për Evropën por edhe për segmente të posaçme të botës shqiptare që kanë shprehur gjoja shqetsimin e tyre në lidhje me zgjedhjen e presidentit Trump, që të kenë kujdes punët e veta për të cilat janë përgjegjës para votuesve dhe kombit të vet dhe të shqetësohen më shumë për hallet e vendit se sa për problemet e Amerikës nën udhëheqjen e presidentit të saj të ri.  Sepse, me Trumpin ose pa Trumpin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan – megjith problemet e tanishme ose në të ardhmen — do të  sigurojnë që ky vend, megjithë të metat e tija, të mbetet gjithnjë lakmia e botës dhe të vazhdojë të jetë vendi i lirisë, i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut për të gjithë.  Prandaj, ka më shumë gjasë që në të ardhmen, korbi të hajë korbin, para se t’i vijë fundi Amerikës, siç parashikojnë tani disa korba të zi përtej detit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, I TURREN, KORBAT E ZI, PRAPË AMERIKËS

E VËRTETA HISTORIKE NË KËRKIM TË DRITËS

January 27, 2017 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/ h2 ebrenj            Dy dekretet kundërhebraike, të miratuara më 14 maj 1939, janë marrë nga materialet e përmbledhura në një vëllim të nxjerrë  nga Shtëpia botuese Giuntina e Firences në Itali më 1910, të titulluar “ Hebrejtë në Shqipëri nën fashizmin, një histori për t’u rishkruar”. Titulli përsërit temën e një simpoziumi të mbajtur në janar 2010 në Bari, në të cilin morën pjesë shumë studjues të disiplinave e prejardhjeve të ndryshme. Në mos qofsha i gabuar, në të mori pjesë edhe studjuesi i njohur shqiptar i problemit, prof. Shaban Sinani.

Ndërmjet mjaft kumtesave, të mbajtura aty, është dhe ajo e prof. Michele Sarfattit, i cili, së bashku me studjuesen tjetër prof. Laura Brazzi, është edhe përgatitësi i librit. Vetë fakti i mbajtjes së një simpoziumi në Itali, për çështjen e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është mjaft interesante dhe pozitive. Tema është trajtuar mjaft në këta vite të mbas komunizmit, por për arsye miopie kulturore e vartësie të mendimit shkencor ende nga politika, akoma sot nuk kemi në nivel zyrtar një studim të thelluar e të dokumentuar të dukurisë, që shënon për Shqipërinë një nga faqet më të ndritura të historisë së saj.

Pa hyrë në imtësitë e interpretimeve të ndryshme në këta vite, vërehet se disa studjues të paanshëm, ndër të cilët mendoj se mund të hyjë edhe prof. Sinani, janë munduar t’a paraqesin, edhe me dokumenta të kohës, rolin e politikës nacionaliste shqiptare, faktori vendimtar e më i rëndësishëm shtytës i një fakti, atij të shumfishimit të numurit të hebrejvet në Shqipërinë e kohës së Luftës së Dytë botërore. Fakti që ai rol pranohet me shumë vështirësi nga politika dhe historiografia zyrtare, jo vetëm shqiptare, tregon se titulli i librit, nga është marrë materiali që po botojmë, është mjaft objektiv e domethënës.

“As qeveria e Mbretit Zog, as ato të vendosura gjatë pushtimit italian, nuk e ndaluan dhënien e nënshtetësisëshqiptare hebrejve të huaj. Në kompleks, përfundon Michele Sarfatti “me vullnetin e fashizmit italian, hebrejtë qytetarë shqiptarë në Shqipëriu goditën nga një normativë më pak e fortë e më pak e ndërlikuar se ajo e shpallur nga fashizmi vetë në Itali, kundër hebrejve qytetarë italianë. Duke punuar kështu Roma u suall ndryshe nga si veproi në krahinat ballkanike të aneksuara më 1941 (ku ajo shtriu normativën në fuqi në metropol), apo si bëri Berlini n’Austri, pastaj në Serbi dhe Sofia në Maqedoni.”

Studjuesi italian nuk shkon më tutje në interpretimin e faktit, por na e jep thjeshtë atë. Interpretimi nuk është diçka e vështirë për t’u shtjelluar, qoftë edhe me logjikën më parake. Ka qënë vullneti i drejtuesve nacionalistë shqiptarë, tek të cilët ishte e rrënjosur thellë tradita shumë shekullore shqiptare e mikpritjes dhe e besës, që ngriti një mur të pakalueshëm për mendësinë dhe legjislacionin kriminal të zhdukjes së hebrejvet në të gjithë Evropën e pushtuar nga ushtritë e Boshtit. Ata shqiptarë atdhetarë që vunë në rrezik edhe kokën e tyre për të respektuar botërisht vlerën morale të traditës së popullit të tyre, shpëtuan mijra jetë njerëzish. Emrat e tyre njihen mirë e secili prej tyre i jep dritë Shqipërisë së vogël që, në sajë të tyre, në një nga periudhat më të vështira të historisë së njerëzimit, pati guximin t’i thotë “jo” krimit nazist në truallin e saj, duke lartësuar emrin e “Vendit të shqipeve”.

Fakti që dekretet kundër hebraike u hartuan, u miratuan, por nuk u shpallën e nuk u vunë asjëherë në zbatim në “Dheun e Arbërit”, dëshmon katërcipërisht për shtatin moral t’atij brezi politikanësh shqiptarë, të cilëve Shqipëria komuniste u a ndëshkoi atdhetarizmin e tyre me dënimet me vdekje, në fakt e në mungesë, e me baltën e hedhur mbi kryet e tyre, pa kursim kohe e sasie. Shqiptarët, që shkojnë ballëhapur para botës demokratike çdo 27 janar, nuk kanë ende guximin t’a shohin të vërtetën në sy, t’a njohin e t’a valëvisin atë, kur ajo i nderon.

Për gjysëm shekulli një faqe e ndritur, siç qe shpëtimi i hebrejve, u mbajt e mbyllur në errësirën e katakombave të historiografisë. Në këtë çerek shekulli u mundua të marrë frymë me vështirësi në mjedisin hipokrit e gjysëm mashtrues të pas komunizmit. Ҫdo 27 janar ajo bën thirrje për të dalë nga nëntoka e historisë, për të parë dritën e diellit të së vërtetës, për t’u vënë në Panteonin e merituar të lavdisë shqiptare.

Janar 2017                                             Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: E VËRTETA HISTORIKE, Eugjen Merlika, ne kerkim, TË DRITËS

HEBRENJTË NË SHQIPËRI NËN FASHIZMIN, NJË HISTORI PËR T’U RISHKRUAR

January 27, 2017 by dgreca

  TEKSTET E DY DEKRETEVE KUNDËRHEBRAIKE TË PËRGATITUR POR TË PASHPALLUR/1 grup_izraelitesh_tirane1945

Ne Foto: Nje grup izraelitesh due u zhvendosur per vendbanimet e perhershme. Tirane 1945/

Dekreti mbi hebrejtë e huaj[1]/

Neve, Mëkëmbësi i Përgjithshëmi N.M. së Tij Viktor Emanueli III, me hirin e Zotit dhe vullnetin e Kombit, Mbret i Italisë dhe i Shqipërisë, Perandor i Etiopisë.

Në sajë të Autoritetit që na është dhënë.

Duke mbajtur parasysh vendimin e Asamblesë Kushtetuese të 12 prillit 1939 XVII, me të cilin i janë kaluar fuqi të plota Qeverisë.

Mbasi dëgjoi Këshillin e Ministrave mbi propozimin e Kryetarit të Këshillit, në  ujdi me Ministrin e Brëndshëm e të Drejtësisë, duke e quajtur të nevojshme e të ngutëshme zbatimin e masave kundrejt hebrejvet banues në Shqipëri, kemi dekretuar e dekretojmë : Neni 1. Nga data e botimit të këtij dekreti në Gazetën Zyrtare, i ndalohet hebrenjve të huaj të kenë një qëndrim të përhershëm në Mbretëri.

Neni 2. Quhet hebre, në bazë të këtij dekreti, edhe ai që ka lindur nga dy prindër prej rracës hebraike, ka një besim fetar të ndryshëm [pastaj e riformuluar me përcaktimin besim i ndryshëm nga ai hebraik]

Neni 3. Dhënia e nënshtetësisë shqiptare, sido e kurdo të jetë bërë, për hebrejtë e huaj, anullohet.

Neni 4. Hebrejtë e huaj që, në datën e botimit të këtij dekreti, gjënden brënda Mbretërisë, duhet të lenë territorin e saj brënda një muaji [pastaj 6 muajsh] nga data e botimit të vetë dekretit.

               Dekreti hyn në fuqi të njëjtën ditë të botimt në Gazetën Zyrtare.

Tiranë 14 Maj 1939 XVII

DEKRETI I PËRGJITHSHËM KUNDËRHEBRAIK[2]

Skemë e dekret-ligjit mbi mbrojtjen e rracës

Neni 1. Martesa e qytetarit shqiptar të rracës ariane me persona që i përkasin një rrace tjetër [më pas të rracës hebreje] është e ndaluar. Nuk njihet asnjë lloj martese që nuk mban parasysh këtë ndalim.

Neni 2. Nëpunësi i gjëndjes civile, të cilit i kërkohet shpallja e martesës, është i detyruar të vërtetojë, pavarësisht nga deklaratat e palëve, rracat e tyre. Në rastin që i përket nenit të parë ai nuk vazhdon as në shpalljen, as në kremtimin e martesës. Nëpunësi i gjëndjes civile që shkel dispozitën e këtij neni ndëshkohet me një gjobë nga 100 deri në 1000 franga.

Neni 3. Për efekt të ligjit.

  1. Është i rracës hebraike ai që ka lindur nga prindër, të dy të rracës hebraike, edhe

se i përket një besimi fetar të ndryshëm nga ai hebraik.

  1. Quhet i rracës hebraike cilido që ka lindur nga prindër të përzier, njëri i rracës

hebraike e tjetri me kombësi të huaj.

  1. Quhet i rracës hebraike cilido që, edhe nëse i lindur nga prindër shqiptarë, njëri

prej të cilëve i rracës hebraike, i përket besimit hebraik, ose sidoqoftë i shkruajtur në një bashkësi izraelite, apo të ketë kryer, në çfarëdo mënyre tjetër, shfaqje të hebraizmit.

Neni 4. Të gjithë ata që i përkasin rracës hebraike, simbas përcaktimeve të nenit paraardhës duhet të bëjnë kallzimin në zyrën e gjëndjes civile të komunës së banimit brënda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.

Ata që nuk plotësojnë këtë detyrim, brënda afateve të caktuara ose japin të dhëna të pasakta apo të paplota, ndëshkohen me arrestim deri në një muaj dhe me gjobë deri në 500 franga.

Neni 5. Përkatësia rracës hebraike duhet shënuar në regjistrat e gjëndjes civile dhe të popullsisë. Të gjitha dokumentat e regjistrave të mëparëshme dhe çertifikatat përkatëse, që kanë të bëjnë me pjestarë të rracës hebraike, duhet të përmendin hapur një shënim të tillë.

I njëjti njoftim duhet të bëhet edhe në aktet e lejeve apo autorizimeve të autoriteteve publike.

Shkelësit e dispozitave të këtij neni ndëshkohen me gjobë deri në 400 franga.

Neni 6. Qytetarët shqiptarë të rracës hebraike nuk munden :

  1. Të kryejnë shërbim ushtarak në kohë paqeje dhe as në kohë lufte.
  2. Të ushtrojnë detyrën e kujdestarit ose të mbarështuesit të të miturve apo të

të paaftëve jo të rracës hebraike.

  1. Të jenë pronarë apo mbarështues me çfarëdo titulli të ndërmarrjeve që kanë

Interesa në mbrojtjen kombëtare, ose të ndërmarrjeve të çfarëdo lloji që punësojnë 100 ose më shumë vetë, as të kenë drejtimin e tyre, as të kenë ofiqin e administratorit apo të kryetarit të bashkisë.

  1. Të jenë pronarë tokash që në tërësi vlerësohen më shumë se 1000 franga

[më pas përtej 25 hektarëve].

  1. Të jenë pronarë ndërtesash që, në tërësi, kanë një vlerë më shumë se

4000 franga [më pas më shumë se ….. lokale].

  1. Të pranohen në çfarëdo zyre apo nëpunësie të çfarëdo shkolle të ndjekura nga

nxënës shqiptarë të rracës ariane. [pastaj i fshirë]

  1. Të shkruhen në shkolla të çdo lloji, publike e private, të ndjekura nga nxënës

shqiptarë të rracës ariane. [pastaj i fshirë]

Neni 7. Prindit të rracës hebraike mund t’i hiqet pushteti atëror mbi bijtë që i përkasin një besimi fetar tjetër nga ai hebraik, kur të vertetohet se ai u jep atyre një edukatë që nuk përkon me parimet fetare apo qëllimet kombëtare të tyre. Kundërvajtësit gjobiten nga 200 deri në 1000 franga.

Neni 9. Nuk mund të kenë në vartësi njerëz që i përkasin rracës hebraike :

  1. Administratat shtetërore.
  2. Partia Fashiste shqiptare dhe organizatat që varen ose janë të kontrolluara prej saj.
  3. Administratat e enteve vetëqeverisëse dhe në përgjithësi të Enteve dhe

Instituteve të së drejtës publike, që janë nën mbikqyrjen apo mbrojtjen e Shtetit, ose të cilët Shteti i mban me ndihmesën e tij të përherëshme.

  1. Administratat e Ndërmarrjeve të bashkëngjitura apo të varura nga Entet, për

të cilët flet neni paraardhës.

  1. Administratat e Bankave të interesit kombëtar dhe ndërmarrjeve private të

Sigurimeve.

Neni 10. Dhënia e nënshtetësisë shqiptare hebrenjve të huaj, mbas datës 31 janar 1925 [më pas 1 janar 1919] anullohet.

Neni 11. I ndalohet hebrejve të huaj të kenë banim të përhershëm në Mbretëri.

Neni 12. Hebrejtë e huaj, kundrejt të cilëve zbatohet neni 10, e të cilët kanë filluar qëndrimin në Mbretëri mbas datës 31 janar 1925 [pastaj 1 janar 1919], duhet të lenë territorin e Mbretërisë brënda gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.

Ata që nuk do të plotësojnë këtë detyrim brënda afatit të sipërshënuar do të ndëshkohen me arrestim deri në tre muaj ose me gjobë deri në 1000 franga e do të përzehen simbas normave të ligjit të policisë.

Neni 13. Dispozitat e nenit paraardhës nuk zbatohen tek hebrejtë e kombësisë së huaj të cilët, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij dekreti :

  1. Kanë mbushur moshën 65 vjeç.
  2. Janë martuar me persona të nënshtetësisë shqiptare.

Me synimin e zbatimit të këtij neni, t’interesuarit duhet të paraqesin një kërkesë

të dokumentuar në Ministrinë e Brëndëshme, brënda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij dekreti.

Neni 14. Ҫështjet që lidhen me zbatimin e këtij dekreti do të zgjidhen rast për rast, nga Ministria e Brëndëshme, duke dëgjuar Ministrat e interesuar eventualisht dhe duke marrë mendimin e një Komisioni të emëruar prej tij në ujdi me Ministrin sekretar të Partisë Fashiste Shqiptare.

Mbi masën nuk do të ketë asnjë lloj përgjegjësie, si nga ana administrative ashtu edhe nga ajo juridike.

Neni 15. Asgjë nuk ndryshon për sa i përket ushtrimit të lirë të kultit dhe praktikave të jashtëme, në përputhje me ligjet.

Neni 16. Me dekret Mbretëror, sipas propozimit të Kryetarit të Këshillit të Ministërve, në ujdi me Ministrin e Brëndshëm, Ministrin e Financavet dhe Ministrin Sekretar të Partisë, do të shpallen normat plotësuese për zbatimin e këtij decreti.

Ky dekret do t’i paraqitet Këshillit të Lartë korporativ Fashist, për kthimin e tij në ligj.

Kryeministri propozues është i autorizuar të paraqesë projekt – ligjin, në ujdi me Ministrin e brëndshëm, Ministrin e Financavet dhe Ministrin Sekretar të Partisë fashiste Shqiptare.

[1]  Bocë e dekretit mëkëmbësor, të datës 14 maj 1939, e ruajtur në A.Q:SH., 163/1939/345/1-2, të riprodhuar me treguese mes pllakave katrore dhe në korsiv, të ndryshimeve të një farë rëndësie, të pranishme në një tjetër bocë, të redaktuar në Romë e të ruajtur në ASMAE, SSAA, b 13, fashikulli Masa kundrejt hebrejve banues në Shqipëri.

[2] Bocë e dekret-ligjit, mbas 2 qershorit 1939, e ruajtur në ASMAE, SSAA, b 13, fashikulli Masa kundrejt hebrejve banues në Shqipëri , e riprodhuar këtu me tregues mes kllapave katrore dhe në korsiv, të ndryshhimeve të një farë rëndësie, që përmban një bocë e mëvonëshme, ndoshta e datuar 30 qershor 1939, e ruajtur në të njëjtin fashikull.

Filed Under: Politike Tagged With: Hebrenjte ne Shqiperi, NËN FASHIZMIN

NDERROI JETE HALIL DOÇI

January 27, 2017 by dgreca

Halil Doçi 1932-2017NDERROI JETE HALIL DOÇI 1932-2017/
Më 15 janar 2017 ka ndërruar jetë në Tiranë Halil Doçi, i cili ka qënë kolegu ynë i filmit dokumentar në Kinostudio me detyrën e administratorit. Ish njeri i drejte, i virtutshëm, i sjellshëm dhe ka lënë përshtypjet e një njeriu që edhe pse u shkollua jashtë vendit, mbeti me cilësitë e malësorit zemërbardhë. Halili rrjedh nga familja e madhe e Niman Doçit, është vëllai i Skënder dhe Fatbardh Doçit.
Pushoftë në Paqe ky njeri, që la pas vetes në këtë botë vetëm kujtime të mira!
Kolec P.Traboini

Filed Under: Kronike Tagged With: HALIL DOÇI, nderroi jete

1 Shkurt 2017-Hebrejtë Shqiptarë dhe Hollokausti

January 26, 2017 by dgreca

MESAZH I AMBASADOR MAL BERISHA/

Të dashur miq!

Data 27 Janar është Dita e Kujtesës së Hollokaustit.

Nëse ndonjë komb jo hebre ka çfarë të kujtojë me krenari në këtë datë, ai është Kombi Shqiptar. Në këto ditë Përkujtimore të Hollokoaustit, kam nderin të mbaj prezantimin me titull:

Një Besë dhe Një Popull – Hebrejtë Shqiptarë dhe Hollokausti

Data: 1 Shkurt, 2017

Ora: 19.00

Vendi: Stirr Auditorium, Belfer Building, Second Floor, John F. Kennedy School of Government,

79 John F Kennedy St. Cambridge, MA 02138

Studentë, vëllezër e motra shqiptare në Boston dhe në rrethinë janë të ftuar të marrin pjesë dhe të përkujtojmë së bashku këtë histori fisnike.(Kliko siper Flyer-it per detaje!)

 

1 MalaJanuary 27, is the Holocaust Memorial Day.

If there is a single Gentile nation that has the right to commemorate, being proud of its history of the time of Holocaust, that is the Albanian Nation. To remember that Day, I have the honor and privilege to hold a presentation titled:

A Promise and a People: The Albanian Jews and the Holocaust

Venue: Stirr Auditorium, Belfer Building, Second Floor, John F. Kennedy School of Government,

79 John F Kennedy St. Cambridge, MA 02138

Date: February 1, 2017

Time: 19.00

Students and those who happen to live in Boston and the vicinity and are interested on this subject are welcomed to attend the event and listen about this righteous Albanian – Jewish History.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhe Hollokausti, Hebrejtë Shqiptarë, Mal Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT