• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2017

PSE PO HARROHEN MARTIRËT ?!!

January 7, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1kolec-prenushi

Don Kolec Prennushi asht le me 1 Janar 1902 dhe ka vdekë me 2 Korrik 1950. Ka vazhdue studimet në Linz të Austrisë dhe asht shugurue Meshtar me 25 Qershor 1925. Ka njoh nandë gjuhë të hueja, të cilat i perdori në perkthime dhe shkrime letrare. Në vitin 1948 asht arrestue dhe mbas 11 muejsh u lirue, tue mbyllë jeten mbas shtatë muejsh…Ata që e njohën kujtojnë qendrimin e Tij per mos me firmue “Statutin e Kishës Katolike të vitit 1950”, të paraqitun per aprovim nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës.Ndoshta, ky qendrim “nuk pajtohej” me qendrimet e sotme proqeveritare, prandej edhe “harrohet” jo vetem Don Kolec Prennushi po, shumë e shumë tjerë si Martirë të Kishës!

***

Po ju paraqes një pjesë letrare që në fund, Don Koleci parashikon t’ ardhmen…

TË VËRSHUEMIT

Buna asht breg në breg. Bora maleve asht de prej erës së jugut e ka ajë lumin. Me madhni të njij ngallnjyesi, të cilit s’ka forcë qi i ban ball ulët rryma e gjanë pa pushue.

            Gjindja janë strukë nëpër shtëpija. Ndonji bari i rrall qi nget kah shtëpija kqyrë pa da at element të mnershëm, qi vjen tue u shtri me kërcnim. Në të tanë katundin zotnon nji qeti vorresh porsi në nji qytet të mundun qi pret tue u dridhë kur të derdhet ushtrija me ba rrufi.

            Qielli asht terratisë. Ret e zeza si male vigane njiten prej gryke. Duket se të tanë kupa e qiellit asht tue u dyndë si të njitej deti mbi horizont. Së largu ndihet gjama e ndryme e bumbullimës qi dridhë shtëpijat me themel. Deti, i tollovitun si përbindsh i egërcuem buluron për mnerë.

            Mbi horizontin e ximë kah gryka shpërthejnë prej gojve të reve të zeza porsi gjarpij rrufet vetuese e futen vrap në gjinin e zymtë.

            Nji fishkullimë e thekshme shiroku kalon nëpër shelqe e plepa porsi piskamë orësh qi ikin prej katundi. Mandej nji hingllim e ulurim i tërbuem nëpër gembat e landvet qi shpërvilen e përkulen si vigaj, qi luftojnë me elementa të shpranguem e mbrapa shtërgata me trollim të frigueshëm. Shiu me shena ka veshë shtëpijat e landët. Tushti i stuhisë e ka pështjellë katundin mbarë. Rêtë janë bashkue me uj poshtë qi ka nisë me lëshue.

            “U thye penda e madhe!” ndihet nji vigëm e tretun nëpër ushtimë të motit. Uji derdhet nëpër rruga të katundit porsi pushtues krenar mbi plaçkën e vet. Rrugat nji metër e ma nën trollin e shtëpijavet e të kopshtijevet mbushen me uj qi shkon tue u rritë pa da. Ndihet kushtrimi i ndonjij bariu qi ka mbetë me gja në fushë qi e bredh ushtima e valvet me ndërlikim të zymtë. Valët e harlisuna dirgjen si aradhet e rrebta t’ushtrisë ngallnjyese. S’të dallon syni përveç shtëpija të zhytuna n’uj.

            Errej nji mbramje e ftoftë. Qelqet e dritores n’odë të zjarmit krisshin prej pikave të shiut qi shkrepshin pa pushue. Era e fortë, hove-hove kthente tymin e tymtarit teposhtë qi na pshtielltë për rreth votre. Zjarmi strukej herë në njenën në anë, herë në tjetrën. Tjegullat kërsitshin në pullaz. Shtëpija mbarë gjimonte prej duhmë s’erës qi frynte me tërbim.

            Përjashta ushtonte zhaurima e ujnavet qi bajshin rrjedhat e trumhasuna, e rridhte zymtas krah për krah me gjamën e stuhis.

            N’errsinë e heshti të natës gjithkah prej ujnash edhe mjedis shtëpijave të njij katundi e ndien njeriu vetmin e trishtueshme si të gjindej mbi nji gumë mjedis detit e pa fuqin e vet para këtij elementi të tmershëm.

            Të nesërmen në mëngjes mendimi i parë qi m’erdh qe nji.

            Dola në dritore. Kishte dalë nji ditë prandvere. Natën kishte çue murrla e ra borë bjeshkvet. Malet e kaltërta kah veriu ngrehshin në horizont majat e mbulueme në borë, qi vetojshin në rreze të diellit. Përmbi majën e Rumis endej hija e rêve të bardha qi velizojshin në kupen e qiellit.

            Poshtë ujnat e ndyta të Drinit qi kalojshin me shurimën e trishtueshme e shkulmet qi rrihshin me sulmet e veta muret e shtëpijavet hidhshin në kreni porsi trofe plaçkën e bame: cokla, cunga, trupa e bagti të mbytuna. Nëpër dritore burrat i bajshin za shoqishojt tue pyetë si kishin gdhi. Nëpër katund shkojshin e vijshin lundrat tue u bajtë tagji bagtive. Vetë sulja e vogël me nji njeri dy gisht mbi ujë, dukej porsi shigjetë rrymës teposhtë me u dridhë tue e pa.

        Dam të pamatun ban të vërshuemit në katund.

                                         MUIS POLEMI

Shënim nga FR: Muis Polemi asht pseudonimi i Don Kolec Prennushit.

Kjo pjesë letrare asht marrë nga: Antologjia “Rreze Drite” fq. 221-223, botim i vitit 1941. ■Kam frikë se, sot asht harrue “të vërshuemit” e të gjithë Shqipnisë bashkë me Martirët!

            Melbourne, 6 Janar 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Don Kolec Prenushi, Fritz radovani, martiret, Pse harrohen

RASTI HARADINAJ: URGJENCË KOMBËTARE

January 7, 2017 by dgreca


1-frank-300x212-1
Nga Frank Shkreli/

Ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet e Francës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, është një urgjencë kombëtare.  Ndërsa Zoti Haradinaj mbahet në paraburgim në pritje të shqyrtimit të urdhër arrestit nga Franca, autoritetet shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë po bëjnë deklarata duke kritikuar/dënuar këtë akt të shëmtuar të autoriteteve franceze në bazë të një urdhër-arresti të kohës së kriminelit Millosheviç, nga autoritetet serbe.  Në rregull, dënimet kritikat dhe denoncimet e këtij akti nga udhëheqsit shqiptarë dhe nga media janë të nevojshme, jo vetëm për rastin e Ramush Haradinajt, por për cilindo shqiptar kudo qoftë, kur trajtohet në këtë mënyrë të pa drejtë.  Ramush Haradinaj kishte vizituar Francën edhe më parë dhe nuk i kishte ndodhur asgjë. Atëherë autoritetet franceze nuk e kishin parë të nevojshme arrestimin e tij.  Ramush Haradinaj është përballur, si burrat, dy herë me tribunalin ndërkombëtar dhe është gjetur i pafajshëm.   Po pse tashti arrestimi i tij? Mund të jetë një koklavitje e tmershme nga qarqe armiqësore, me pasoja të rënda për shqiptarët. 

Prandaj, duhet bërë diçka më tepër dhe përtej deklaratave zyrtare denoncuese nga faktori zyrtar shqiptar sidomos në nivelin ndërkombëtar, ndaj këtij rasti të shëmtuar.  Kjo situatë e papritur mund të këthehet me të vërtetë në një urgjencë kombëtare.   Duke marrë parasysh se nëqoftse nga ky urdhër arrest, Ramush Haradinaj — Zot ruajna — përfundon në Beograd, kjo situatë do të përbënte një urgjencë serioze kombëtare,  përfundimet e të cilës nuk mund të parashikohen dhe për të cilën autoritetet shqiptare duhet të bëjnë përgatitje paraprake.  Nëse arrihet në një urgjencë të tillë mbetet për tu parë, por është e sigurt se, nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, pasojat nuk do të jenë të mira, as për Kosovën as për Shqipërinë dhe as për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.  Deklaratat publike dhe shprehjet nepërmjet rrjetëve sociale të zyrtarëve shqiptarë, në të dy anët e kufirit, nuk mjaftojnë në këtë rast, as në raste të tjera serioze si kjo.  Sepse nëqoftse, Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi, reagimet ndaj kësaj padrejtësie kombëtare dhe mundësitë për trazira politike dhe publike janë shumë reale, sidomos në Kosovë, por edhe më gjërë.  Trazirat nuk i shërbejnë sot interesave shqiptare në Kosovë në këtë moment të historisë dhe as interesave kombëtare afat gjata dhe afat shkurtëra të shqiptarëve në përgjithësi.  Si rrjedhim, shqiptarët, pa marrë parasyshë interesat e përkohshme politike duhet të veprojnë së bashku me një mendim dhe me një qëllim, duke bashkrenduar qëndrimet dhe veprimte diplomatike midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me faktorët miqë ndërkombëtarë.

Paraburgimi i Ramush Haradinajt në Francë duhet të shqetësojë jo vetëm Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, por edhe shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo, pasi rrjedha e ngjarjeve mund të jetë e paparashikueshme dhe me pasoja të rënda.  Këtu mund të kemi të bëjmë me manipulime djallëzore të serbëve dhe miqve të tyre rusë e të tjerë, të cilat historikisht nuk duhet të jenë të panjohura për shqiptarët, megjithë pretendimet e udhëheqësve të sotëm shqiptarë, në të dy anët e kufirit, se rusët nuk na qenkan armiq të shqiptarëve dhe të Kosovës.   Deklaratave miqësore të përfaqësuesve shqiptarë, Beogradi iu përgjigj me arrestimin e Ramush Haradinajt.  Shqiptarët gjithmonë kanë kërkuar dhe kërkojnë bashkjetesë dhe paqë me fqinjtë e tyre. Ata asnjëherë nuk kanë pushtuar tokat e të tjerëve dhe as nuk ka kryer krime kundër njerzimit ndaj fqinjve të tyre.  Por, sado e dëshirueshme dhe e nevojshme që është paqa dhe harmonia ndërkombëtare midis popujve, unë nuk di se si mund të kërkosh miqësi, bashkjetesë dhe harmoni me shtete siç janë Serbia dhe Rusia, ndërkohë që ato nuk të njohin si shtet dhe as nuk kanë njohur historikisht të drejtat e shqiptarëve për të ekzistuar në trojet e vtea, ndërkohë që  gjatë krejt historisë janë përpjekur — shpesh me sukses — që të shtrijnë influencën e tyre dhe të zaptojnë tokat arbërore, ku siç thotë populli,  në ato troje ku të parët e tyre as nuk mbollën as nuk korrën.  

Prandaj duken pak të çudtishme flirtimet e fundit, të udhëheqësve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës në adresë të Beogradit dhe Moskës, si dhe shprehja e gatishmërisë së tyre për të vizituar kryeqendrat e ekspansionizmit sllav në Ballkan. Ata e kanë arsyetuar si të nevojshëm afrimin me ta sepse, ndër të tjera, shqiptarët “ishin fitues” të luftës.  Më vjen keq tu them udhëheqësve të nderuar shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, se shqiptarët nuk janë fitues, për derisa përfaqsues të shqiptarëve si Ramush Haradinaj arrestohen në mes të Europës së “qytetëruar”, me urdhër-arrest nga Serbia millosheviçiane dhe ndoshta me miratimin e heshtur të interesave ruse në Ballkan.  Dje u arrestua Ramush Haradinaj, nesër do të jetë dikush tjetër.  Fatkeqsisht, me arrestimin e Ramush Haradinajt kanë humbur të gjithë shqiptarët.  Të gjithë ne kudo, jemi të mundur e të humbur, prandaj për derisa shqiptarët, si Ramush Haradinaj arrestohen nën akuza fals, në aeroportet e Evropës, të urdhëruara nga Beogradi,  mos kini ëndërra fitoresh. Në një shkrim me titull “Arrestimi i Ramush Haradinajt: Për Kë Bien Këmbanat?”,  Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraljamëron se “Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhëtuar prej tyre!”  Natyrisht se ndërkombëtarët kanë rolin e tyre për të luajtur në Kosovë.  Por, këmbënat po bien edhe për shqiptarët se, në të vërtetë, janë shqiptarët ata që duhet të zgjohen nga kllapia, mbas sundimeve të mbrapshta prej pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe 25 vjetë post komunizëm.  Shqiptari vazhdon të kërkoj të drejtat e veta, identitetin e tij kombëtar dhe hisen që i takon në trojet stërgjyshore. Natyrrisht se shqiptarve u nevojitet miqësia e të huajve, sidomos e miqëve tradicionalë dhe historikë të kombit shqiptar, jo vetëm në përpjekjet për lirimin e Ramush Haradinajt, por gjithmonë.  Por askush, as miqtë as armiqtë, nuk do t’i marrë seriozisht shqiptarët dhe kërkesat e tyre për nëqoftse ata vazhdojnë të veprojnë si deri tani — të ndarë e të përçarë politikisht — duke mbrojtur interesat e përkohëshme personale dhe partiake, në kurriz të interesave kombëtare afat gjata të shqiptarëve.  Nga ana tjetër, si gjithmonë, serbi e rusi vazhdojnë të punojnë së bashku për interesat e veta në dëm të interesave të shqiptarëve.  I njëjti bashkim vëllazëror nevojitet midis faktorëve të ndryshëm politikë shqiptarë për të kundërshtuar planet e tyre djallëzore kundër interesave të shqiptarëve. Ky është alarmi. Kjo është këmbana që bie për shqiptarët.  Arrestimi, me urdhër të Serbisë në Francë i ish-Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt mund të jetë një shënjë ogurzezë e planeve të tyre të errëta për të ardhmen e shqiptarëve dhe të Ballkanit dhe si e tillë duhet të trajtohet si një urgjencë me përmasa kombëtare.  Nëqoftse pabesia historike e Serbisë dhe e Rusisë ndaj kombit shqiptar nuk na e ka zhvilluar deri tani sado pak ndërgjegjen tonë historiko-kombëtare, atëherë ne vazhdojmë të jetojmë në një realitet romantik mashtrues, se është e mundur që qëngji të jetojë me ujkun.  Zgjohuni shqiptarë, sepse këmbana bie edhe për ju!   Ngjarjet e papritura që mund të ndodhin, nevojitin bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe angazhimin e plotë diplomatik dhe politik të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e çdo shqiptari kudo, përfshirë edhe të drejtën dhe lirinë e ish-Kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, RASTI HARADINAJ:, URGJENCË KOMBËTARE

5 të vdekur, 8 të plagosur në Fort Lauderdale të Floridës

January 6, 2017 by dgreca

1-lauderdalePesë persona janë konfirmuar të vdekur dhe tetë të tjerë të plagosur, pas të shtënave në një aeroport të Floridës.Një orë pas vrasjes së parë, u njoftuan të shtëna në zona të tjera të aeroportit, por zyrtarët thanë më vonë në një konferencë shtypi se këto njoftime ishin të pabaza.Tetë persona të plagosur në Aeroportin Ndërkombëtar Hollywood të Fort Lauderdale-it u transferuan në një spital. Policia tha se sulmi ishte kryer nga një i dyshuar i vetëm, i cili u mor në paraburgim.Senatori i Floridës Bill Nelson u tha gazetarëve se në xhepat e dyshuarit u gjet një kartë identifikimi ushtarak me emrin Esteban Santiago, por nuk është konfirmuar se karta i përket atij. Nelson tha se motivi i ngjarjes nuk është i qartë.Sipas zyrtarëve, personi që qëlloi ishte pasagjer në një avion të linjave ajrore kanadeze dhe e kishte futur armën e zjarrit në bagazh, i cili ishte kontrolluar.

3-te-fshehur

Dëshmitarët i thanë rrjetit ABC News se personi kishte thirrur disa herë “Nuk jam hebre”. Sipas disa njoftimeve të tjera, ai kishte veshur një bluzë me simbolet “Star Wars” dhe ishte shtrirë në tokë me duar dhe këmbë të hapura në pritje të arrestimit, pasi kishte qëlluar mbi 13 vetë.2-te-plagosur

Filed Under: Kronike Tagged With: 5 të vdekur, 8 të plagosur, në Fort Lauderdale, të Floridës

TE SHTUNEN, 7 JANAR 2017, PËRKUJTOHET ABAZ KUPI

January 6, 2017 by dgreca

Partia “Lëvizja e Legalitetit”- Dega e SHBA-së në bashkëpunim me familjen Kupi ka nderin të njoftojë komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike, mbretërorët shqiptarë, anëtarët e partisë “Levizja e Legalitetit”, miqtë dhe dashamirët e familjes Kupi se edhe sivjet, si cdo vjet, ditën e Shtunë me datë 7 Janar 2017, në orën 12 në mesditë do të mblidhemi tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së udhëheqësit të nacionalizmit shqiptar, burrit që, në krye të trupave të Mbretit Zog, i zbardhi faqen Shqipërisë më 7 Prillin e 1939, dhe themeluesit të Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit.

Të gjithë shqiptarët janë të mirëpritur.

Salla ku do të mbahet përkujtimorja ndodhet :ADRESA:127-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, New York 11415

Kryetari

Hakik Mena

Filed Under: Komunitet Tagged With: abaz kupi, ME 7 JANAR 2017, perkujtohet

Kongresisti Engel:Engel: Franca të lirojë Haradinajn, BE të bllokojë Serbinë

January 6, 2017 by dgreca

1-engel

Kongresmeni amerikan, mik i shqiptarëve ka reaguar sërish ndaj ndalimit të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, kësaj radhe nga autoritetet franceze.

1-ok-engell“Është e papranueshme që Serbia vazhdon të keqpërdorë INTERPOL-in për të sulmuar ish-kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj.Kjo nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe as sundimin e ligjit dhe rendit. Tribunalet ndërkombëtare e kanë liruar dy herë z.Haradinaj. Këto veprime vetëm ngjallin tension dhe shtojnë gjasat për konflikte të ardhshme”, ka shkruar në fillim të letrës së tij, Eliot Engel.

Ai i ka ftuar autoritetet juridike të Francës që të përshpejtojnë procedurat dhe ta lirojnë Haradinajn sa më parë.

“Kapitulli 35 i procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian flet qartë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Abuzimi që Serbia i bënë INTERPOL-it në raport me Kosovën është një shkelje fondamentale dhe BE-ja nuk duhej t’i lejojë Serbisë që të ecë drejtë BE-së pa normalizimin e raporteve me Kosovën”, ka shkruar Engel, përcjell Koha.net.

“SHBA-ja vlerëson miqësinë me Serbinë dhe unë shpresoj që ky raport të avancojë.

Sidoqoftë keqpërdorimi i INETRPOL-it nga ana e Serbisë do ta kthejë këtë proces mbrapa”, ka shtuar më tej ai.

Në fund, ka shkruar Engel, Kosova ka një histori shumë të mirë të bashkëpunimit me agjencitë e rendit dhe të ligjit në SHBA, në rajon dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë që luftojnë kërcënimet terroriste.

Para pak kohësh ne ishim dëshmitarë se si bota përgëzonte Kosovën pas parandalimit të kërcënimit terrorist ndaj ekipit futbollistik të Izraelit, ka shtuar më tej.

“Kosova ka shprehur interesim që të anëtarësohet në INTERPOL dhe ky është momenti që shteti i ri i Kosovës të pranohet për hir të sigurisë jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit”, ka thënë në fund Engel.

Kujtojmë se Engel kishte reaguar edhe ndaj ndalimit që autoritetet Sllovene i kishin bërë kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në qershorin e 2015-ës./telegrafi.com

Filed Under: Politike Tagged With: e Hardinajt ne France, Eliot Engel, per arretsimin, reagon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 69
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT