• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

VETINGU-84 kandidatë për në komisionet e vetingut plotësuan kriteret

March 31, 2017 by dgreca

2 igli Totozani

Ne Foto: Avokati i Popullit Totozani/

Avokati i Popullit i dorëzoi sot Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listat me 84 kandidatë që plotësuan kriteret dhe 109 që nuk i përmbushën ato për t’u bërë pjesë e institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, bëri sot të dtur se ekspertët e institucionit të tij, nën vëzhgimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitoritmit, përfunduan vlerësimin e dokumentave të gjithë kandidatëve, ndërkohë që në 27 mars u mbyll edhe afati i fazës së dytë.

Në këtë proces gjithsej ishin 193 kandidatë; 29 nga këta i plotësuan kriteret qysh në fazën e parë dhe ishin në listën A. Nga 164 kandidatët e mbetur në listën B, 61 nuk u paraqitën për në fazën e dytë.

Kështu, nga 103 kandidatët e mbetur në fazën e dytë, 55 i plotësuan kriteret dhe kaluan në listën A, duke iu bashkuar 29 kandidatëve fitues të fazës së parë. Ndërsa 48 të tjerë nuk i plotësuan kriteret as në fazën e dytë.

Pra, gjithsej, në fund të dy fazave, 84 kandidatë i plotësuan kriteret dhe 109 të tjerë jo.

“Kandidatët u bënë pjesë e një procesi historik për vendin tonë, për të çuar deri në fund reformën më jetike për shqiptarët, Reformën në Drejtësi” – tha zoti Totozani.

Ai i dorëzoi Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit listën me emrat e kandidatëve, të cilët i plotësuan kriteret ligjore dhe listën e kandidatëve, që nuk i kanë plotësuar ato.

Zoti Totozani vlerësoi përkushtimin në këtë proces të ekspertëve të institucionit, të cilët kontaktuan me 164 aplikantët, që nuk plotësuan kriteret gjatë fazës së parë.

“Kandidatët u vunë në dijeni në mënyrë të detajuar për dokumentacionin, që u mungonte dhe u asistuan gjatë gjithë kohës, për dorëzimin e dokumentacionit të duhur” – tha zoti Totozani.

Ai vlerësoi për ndihmën dhe mbështetjen ekspertët e ONM-së, të cilët “punuan me profesionalizëm dhe korrektesë të jashtëzakonshme, duke përmbyllur me sukses të plotë, këtë punë voluminoze dhe tejet të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndeti përfundimin e punës me kandidatët nga Avokati i Popullit për krijimin e institucioneve të vetingut.

“ONM-ja vlerëson punën e komisionit të vlerësimit pranë Avokatit të Popullit si shumë të plotë, të saktë dhe profesionale. Shqyrtimi i certifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me ligjin” – deklaroi ONM-ja.

ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit për të publikuar në kohë një listë të konsoliduar kandidatësh, që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të nisin tani shqyrtimin e pavarur të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, Avokatit të Popullit mund t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar parlamentit në mënyrë konfidenciale.

ONM ka vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë, që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut.

“Nisja e procesit të vetingut do të jetë me rëndësi historike për Shqipërinë. Qytetarët meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme”- thuhet në deklaratën e ONM-së.

ONM-ja po punon për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë me shqyrtimin e kandidatëve. Ndër kandidatët e publikuar eshte edhe avokati me banim e zyrë në Nju jork, Fatos Dervishi

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatos Dervishi, Totozani, Vetingu

Trump mbron kërkesën e Flynnit për imunitet nga ndjekja penale

March 31, 2017 by dgreca

1 Trump 7Ne Foto: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbështeti kërkesën e ish-këshilltarit të tij për siguri kombëtare, që të dëshmojë për kontaktet e tij me Rusinë, në shkëmbim të imunitetit nga ndjekja penale.

“Mike Flynn duhet të kërkojë imunitet. Kjo është një gjueti shtrigash (justifikim për humbjen e madhe në zgjedhje) nga mediat dhe demokratët, me përmasa historike”, shkroi Trump në Twitter.

Avokati i Flynnit, Robert Kelner, tha se klienti i tij do mbrojtje kundër “ndjekjes së padrejtë penale”, në shkëmbim të dëshmisë para komitetit të inteligjencës në të dyja dhomat e Kongresit.

Flynn, gjeneral në pension i ushtrisë, ka dhënë dorëheqje nga posti i këshilltarit për siguri në muajin shkurt, pasi është zbuluar se ai e ka keqinformuar administratën, përfshirë nënpresidentin Mike Pence, në lidhje me kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kislyak.

Komiteti i inteligjencës në SHBA është duke hetuar ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Filed Under: Politike Tagged With: Flynni, ndjekja penale, Trump

NË KORAB, NË KRESHTËN QË PUTHET ME QIELLIN!

March 31, 2017 by dgreca

Liqeni i Zi17342861_10206709756782933_5517090294314920513_nAlpinisti Fation Plaku

 NGA PËLLUMB  GORICA/

1 Gjatë një pushimi1 Korabi 12 Korabi

Lumturinë e vlerëson kur përballesh me udhëtime-Jean Sasson/

      Ka rrugë të cilat nuk maten me kilometra e orë udhëtimi, por me mori impresionesh dhe emocionesh që të falin ato. Ndaj, kur rrugëton, ashtu si uji që rrjedh e gurgullon në shtratin e vet duke lenë pas rrugë të shkelura në kërkim të atyre të reja, te Natyra çdoherë gjejmë qetësi e kënaqësi. Ajo të fton mes bukurive magjike dhe me të vërtetë të bën ndjesor, por edhe miqësohesh shpirtërisht me të. Përmes saj ndjekim dëshirat që të çojnë drejt realizimit të qëllimit për të dashuruar më tepër çdo copëz të së tërës. Por, sa herë nisemi në rrugë të largëta me padurimin për të arritur sa më parë, nuk e di si të shprehim emocionet frymëzuese për ta bërë atë pjesë në krijimtari, biseda miqsh e të njohur.

Në fshehtësinë e së bukurës

Panoramat zëvendësonin njëra – tjetrën, ndërsa makina jonë mori drejtimin e një rruge të përbaltur, që në çdo metër e troshiste atë, në lartësinë e kaperximit të 1500 m mbi nivelin e detit. Me vështrimin e puthur pas malit Korab, që së largu ai na shfaqet me shpatet dhe majat e tij të zbardhura nga bora për të na dhënë mirseardhje, mbërrijmë paksa të lodhur nga rruga prej disa orësh nëpër luginat e thella, pranë thepisjeve të ashpra shkëmbore, përrenjve e vendbanimeve. Kryeneç ndaj djallëzive të kohërave, Korabi që ngrihet madhështor drejt qiellit, një Parajsë Shqiptare dhe një nga ato befasitë e këndshme, të bën të ndjehesh i ekzaltuar së paku kur kundron pikturën madhështore të tij.

Radomira, e shtrirë dhe e shpërndarë këmbëve të malit, magjepsëse dhe gjithë ngjyra në të katër stinët; aty ku egërsia e Natyrës, ajri i pastër, ujërat e kristaltë, kullotat, bagëtitë, gurë e drurë, të krijojnë në shpirt të tjera emocione. Kjo, e rrokshmja e terrenit të ashpër të Radomirës, ndërthuret me përzemërsinë e banorëve të saj, të përcjellë aq bukur edhe në këngën perlë ”Cuca e Radomorës”. Ata janë të shpenguar e miqësorë, për më tepër fisnikë, të sinqertë e të respektueshëm. Në bisedat e tyre ndjehet shqetësimi që hasin në jetën e përditshme, si ajo e zakonshmja, kur ne shqiptarët, duke mos treguar vëmendjen e duhur, jemi të shkujdesur; ndoshta pak të skajshëm që t’i shpërfillim vlerat me këndvështrime realiste, mbi të gjitha për mundësitë që të afron jeta këtu, por edhe problematikat. Së pari, që të lulëzojë Turizmi kërkohet më shumë vëmendje dhe investime nga shteti. Kryesorja rruga e fshatit le për të dëshiruar. Dhe që për ironi nuk është më shumë se 5 km. Ndaj, duhet rregulluar ajo, me vizon në shpalosje, që kësisoj të tërheqë më shumë vizitorë. Le të jenë këto rreshta një apel për qeveritarët, se bukuritë natyrore nuk lypin vota elektorale, por përkujdesje për këta njerëz, për jetesën e tyre, për vështirësitë e kushtet që përjetojnë.

Sapo mbërritëm ne, Haxhi Hima, me dashamirësinë e mirësjelljes na fton në bujtinë, ku kushtet dhe veçantia e saj ndërthuren me përkujdesjen e vet për të pushuar nga lodhja e rrugës së gjatë. Aty, zjarri i një sobe që bubullonte e përshkëndriste, të jepte ngrohtësinë e duhur. Por më shumë se çlodhëse janë bisedat e çiltra, (si të njiheshim prej kohësh), përpara përkëdheljes së gotave të rakisë së kumbullës. Ato të ngërthyera nëpër tema, të cilat rrotullohen rreth kulisave të Politikës, zemërgjersisë së traditës, krenarisë së sportit, më pas rrjedhin interesante për malin, ngjitjet, alpinistët të cilët janë preferuesit e tij.

– Nuk e kanë të gjithë privilegjin – thotë Haxhiu -, neve që banojmë në Radomirë, në këtë bukuri, të cilin na e ka falë Natyra jemi krenarë. Mali është i ashpër, që ashtu siç ka bukurinë e tij ka shkaktuar edhe fatkeqësi.Fjalët e tij të shtien në mendime të thella, jo rrallë në keqardhje për fatkeqësitë e ndodhura, gjë që i topiti të gjithë.

Pas gjithë këtyre mendimeve që na goditën në kokë si çekan, e nesërmja na priste në rrugëtimin tonë drejt majës së Korabit e cila përbën arsyen e ardhjes këtu.

Njeriu i maleve

Miqtë e mi alpinistë, me forcën shpirtërore që i tërheq gjithmonë drejt majave, e shkelin prej vitesh këtë mal, duke e shndërruar në diçka joshëse dhe magjike. E, natyrisht, me faktin që pasionet e njerëzve janë të ndryshme edhe prej mjedisit ku jetojnë, ka ndikim: i nxisin më shumë hovet e shpirtit. Rrugëtimet e tyre këtu, por edhe nëpër lartësi të tjera shqiptare, janë sfida të guximshme për të matur forcat në një sport ekstrem siç është Alpinizmi. Nuk janë pak që u ngjiten lartësive të Korabit, ashtu siç mund të pohosh se nuk janë shumë: jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe nga Polonia, Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Anglia, Amerika, etj. Por, sa herë që vijnë aq më shumë u shtohet oreksi dhe dëshira, që i bën të fluturojnë në krahët e kënaqësisë.

– Ajo që të pëlqen, – të thotë Lavdie Sulo një alpiniste të cilën e njoha këtu – kthehet në pasion, mjafton të kesh kohë e dëshirë të zjarrtë. Prej vitesh e kam pasion të rrugëtoj edhe nëpër male e të ushtroj Alpinizmin.

Është kjo dëshirë dhe pasion që i thith ëmbëlsisht e i që bën të lehta vështërsitë. Që herët kam pasur dëshirë të ngjitem në malin e Korabit; për më tepër se dëshirë për të eksploruar shpalosjen e panoramave të tij. Ndaj, kur kjo dëshirë për shijimin e lartësive të ngacmon bukurisht, mezi e pret udhëtimin dhe distancat të bëhen të afërta. E pata fatin e mire që bashkë me grupin e alpinistëve të ngjitem edhe unë. Ftesës dashamirëse të mikut tim Fation Plaku, një ndër alpinistët më të njohur shqiptarë i u përgjigja me kënaqësi.

– Mirë! Bukur! … Më pëlqen dhe mezi pres të shkojmë atje.

I gëzuar, nisa rrugëtimin, i përgatitur dhe i përqëndruar, jo vetëm shpirtërisht për të shijuar atë maksimalisht, por edhe fizikisht për të përballuar vështirësitë e njohura, që do i ndeshja.  Por, kur je edhe në shoqërinë e njerëzve të duhur, ke shumë arsye për ta ndjerë veten mirë. Fationi është i lidhur ngushtë me malet, por edhe me detin, liqenet, shpellat, ujëvarat e gjithçka tjetër të Natyrës; përjetues i një mozaiku interesant nëpër vende të ndryshme të Botës. Ato janë me rëndësi në jetën e tij, si dëshirë e një vullneti këmbëngulës për të arritur atë që e ka pasion, ndaj nuk merr guximin t’i braktisë. Ka njohur sa e sa vise dhe gjithmonë mbetet i joshur pas tyre. Dhe i prirur e më tepër se çdo gjë tjetër e mbush jetën e vet me të njënjtën mënyrë si puna krijuese e një artisti, gjë që ka ekzistuar që në krye të herës tek ai, e cila ka gjithçka; ka një kuptim, sepse ai gjen veten në qetësi e paqe, por që i ngjan fluturimit të Fluturës së Natës kur i qepet dritës së llampës. Tek ecën përmes udhëtimeve, shpesh ndërmjet fotove dhe vidiove, tregon bukuritë e rralla natyrore. Si një protagonist i alpinizmit shqiptar, për të nuk ekziston asgjë e pamundur; sepse malet i njeh aq mirë me majat e tyre, bukuritë, por edhe me vështirësitë. Ato kanë formësuar në shpirtin e tij një oaz kënaqësie. Çdo rrugëtim i tij në lartësi është i këndshëm dhe ndonjëherë i vështirë. Të tregon për endjet andej e këndej Shqipërisë, që shpesh janë edhe misterioze. Ai nuk harron emocionet e ngjitjes në Çatinë e Botës, Everestin e 8848 metrave lartësi, atje ku jeta është edhe në fije të perit.

-Alpinizmi jo vetëm i bën mirë shëndetit- thotë ai, – por edhe të largon nga monotonia e ditëve dhe veset, që, për fatin e keq, e kanë prekur shoqërinë tone, veçanërisht rininë.

Pasioni i vërtetë te njeriu nuk shuhet kurrë. Ai jeton së bashku me njeriun, me mundësinë e shpalosjes së tij, edhe kur mosha bën të vetën. Në shoqëri vlerësimet për aftësitë e tij kanë tregues të tillë që shpesh, ndërmjet epiteteve, e kanë krahasuar me Njeriun e Maleve.

                              Në majëmalin e Korabit

Janë orët e para të një dite që “zgjohet” në prehër të malit, mes një përballje kontrasti drite dhe mugëtire të errësuar nga retë, të cilat sikur e kanë banesën e tyre këtë mëngjes. Por, diku më tutje, ca ndriçime skajore të tretura larg në maja të larta, tregonin se dielli, nëpërmjet të çarave të reve, lëshonte rrezet e veta. Nisemi të përshëndetur nga era e ftohtë, që të fishkullon fytyrën, me ndjesinë drithëruese të të ftohtit; se, dimri nuk jep shpirt aq lehtë, pavarësisht se është mars e ditët po bëhen më të ngrohta.
Në hapësirën kohore të hapave të para, aty ku fillon të lartësohet mali me madhështi, ndjekim një rrugëkalim gjarpërues dhe këtë e tregonte një tabelë orientuese. Më tej, gurët kilometrikë të shenjuar, para disa vitesh nga alpinistët polakë, eleminojnë vështirësitë nga mosnjohja e terrenit. Rrjedha e një përroi, që zhurmon e shkumbëzon me rrapëllimë nëpër gurë e guralecë të murrmë, të cilët e bënin më epike pamjen e tyre, kthehej në jehonë si një simfoni. Ecim pranë copëzave të arave të shkarravitura nga gurët, staneve e lëndinave të Radomirës dhe përmes një pylli të harlisur pishash Arrnoj, siç i thonë vendasit, ku era që frynte me ngulm e përzier me kundërmimin e aromës së tyre, e lëkundte dhe shkundte borën nga degët. Ato, me gjelbërimin e thellë, kombinuar me bardhësinë e borës, krijonin një tablo mahnitëse dhe i bënin karshillëk në çdo çast shpateve shkëmbore të thikta e të grinjta të Kapistogjit dhe Luftanjit me forma të çuditshme, të krijuara nga kataklizmat e hershme tektonike.
Bora gjithandej malit kishte hedhur shtresën e bardhë e cila në disa vende shkonte deri në gju. Veçse bukuria e kristaltë dhe e statujuar vetvetiu të emocionon. Fjolla të borës, si flutura, e miellëzonin më shumë natyrën teksa hapat krijonin një zhurmë kërcitëse. Pa ia ndarë sytë rënies së flokëve të dëborës, nën një kope resh të hirta si një hartë që kacafyteshin qiellit e duke dhënë sinjale se diku do të zbrazeshin, vazhdojmë të ecim nëpër një terren të shkatërruar nga gërryerjet, ku ca gjurmë kafshësh të egra tregonin se kishin kaluar pak para nesh. Dhe shushurima e ujërave që rrjedhin nga burime e rrëkeza, të cilat furnizojnë me ujë qytetin e Peshkopisë, duket se i japin një frymarrje dobiprurëse malit, ndërsa neve na shoqërojnë një copë udhë bukurive të përjetshme të Natyrës.

Thjesht i kalojnë me sy një varg majash të pjerrëta, tashmë të borëzuara, të cilat janë të janë aq të njohura për alpinistët, ngrihen të larta me shpalosjen e tyre të veshur me bardhësi. Ato të pushtojnë aty për aty shpirtin për të frymëzuar deri në thellësi të tij, gjë që është e pamundur ta përshkuash me fjalë. Me vështrimin e syve zhbirues shquanim në largësi konture të mjegullta të majave të tjera, por qëllimi i vetëm i alpinistëve është ngjitja në majën më të lartë të malit Korab, si lajmotivi i ardhjes këtu, ku ndodhet edhe kufiri me Maqedoninë. Alpinistët ndjejnë lodhje dhe frymëmarrje të shpeshtuar, të cilën e shton më shumë era dhe një perde e padukshme që e bënte të vështirë ecjen.  Në një ngjitje prej 5 orësh, edhe mes një çasti pushimi, që janë një nga ato ndijimet e ëmbëla të çlodhjes, ata bëhen soditës të natyrës, për më tepër që edhe dëbora së cila reshti së rëni, i lejon të pushojnë. Zbresim dhe lartësitë, që tanimë i kishin lënë prapa, të mundimshme dhe me një paralele zymtësie prej reve të përhimta, ditën e bënë muzg.

Syri i një mjelme

Mbresa të veçanta të shtojnë kënaqësinë e etur në shpirt. Sidomos kur e vështron natyrën magjepsëse, të zhytur në heshtje, duke zbuluar oaze të saj që të mbeten të pashlyera në mendje. Ndaj nuk mund të jesh indiferent nga tërë ai dekor hijerëndë i malit, me larmi panoramash; nën hijet e mëdha të reve, me sytë e gjelbërimit të përhershëm të pishave dhe mes lojës së rrezeve të diellit mbi to, ku patjetër ke se ç’të qëmtosh të qëndisurën e hireve të kësaj natyre. Por, duke mos qënë thjesht një përshkues i lartësive të malit Korab e më shumë një adhurues i bukurive të tij, fluturon si një zog i vetmuar në kërkim të tyre. Fundja edhe kjo ka të bukurën e vet, sepse të miklon larg e më larg skenografia e qiellit me vazhdën e reve, herë të serta e herë të bardha, të cilat diku bëhen tufë.

I hap udhën vështrimit me atë ndjesinë e një shëtitjeje eksplorore me veçantinë e vet. Në mes të pishave qindravjecare, një udhë e ngushtë këmbësore dhe gjithë gjarpërime që ngjitej siç thotë ajo fjala e urtë “shtegu i rrahur të çon diku”, të bënte të mos ndaloje për asnjë çast, sepse edhe ajri i pastër të nxiste vetvetiu ecjen. Përtej lodhjes, duke u rrekur mes vështirësisë së saj, ku diku vraga e rrugës të humbet pllaskave gjurëmbardhë, porse shpina e një kafshe laramane, herë pas here i lejon vetes ndalesa mes drurëve të pishave që, përveç bukurisë mahnitëse e mbushin shpirtin me aromën dehëse.

E shijon me një mendim tjetër natyrën që nderet nga një frushullimë e lehtë paqeje, ku të vetmet zhurma që janë të zakonshmet këtu, janë ato që ndjehen rreth e rrotull: Një degë që pëshpërin nga era për të shtuar murmurimë freskie, fëshfëritja e krahëve të një turme trumcakësh endur ngeshëm tutje, të cilat me gjasje i ngacmon kërcitja e hapave; më të rrallë ndonjë këngëzim i tyre nga larg, por që të bënte mbret të kësaj kësaj natyre. Këto çaste, që nuk i përjeton përditë, të bëjnë t’i thuash vetes: Sa mirë bëra që erdha këtu, larg zhurmave e telasheve, larg barbarisë që po i bëjnë Natyrës. Të shpëton edhe ndonjë psherëtimë ndjesie, sepse ndodh që përherë Natyra zbut e çiltërson shpirtin edhe në kulmin e rrëmujave politike e të ngjarjeve të rënda.

Me vete bluan këto mendime pa i shqitur sytë kurreshtarë pamjeve dhe nuk mund të të shpëtojë një tjetër nga bukuritë e Korabit, Liqeni i Zi në një hapësirë të vogël 0.8 ha, të rrethuar me pemë të larta. Ashtu me plot emocion, së brendshmi e rrok bukurinë e mjelmët të liqenit të Radomirës, këtij syri magjik, që natyra e ka krijuar në lartësinë e formacionit përrallor të malit. Emocionohesh aq shumë sa që rraskapitja e ngjitjes zbehet në çast.

***

Përshtypjet nga rrugëtimet mbeten gjatë në kujtesë me embëlsinë e emocioneve që të dhurojnë mbresat. Edhe unë që përjetova një të tillë ndjehem i pushtuar nga mbresat e kësaj dite. Në këtë mënyrë u plotësua edhe një dëshirë, por edhe për të shkruar çdo gjë të bukur; atë gjurmën e thellë që ka lënë në shpirt, për t’ia transmetuar lexuesit me qëllimin e vetëm se endjet në këto lartësi, të prekura nga alpinistët shqiptarë, mund te vlejnë po aq sa edhe një poezi, apo një tregim i bukur.  Ne u larguam si krushqit që kanë marrë nusen, kalëruar mbi kuaj të bardhë, por edhe me konceptin e të këndshmes së vlerave, si një ftese që të rikthehemi sërish këtu, në malin më shtatlartë të Shqipërisë, të mbuluar me bore, për t’u çlodhur nga stresi i qyteteve të zhurmshme.

Filed Under: Featured Tagged With: NË KORAB, NË KRESHTËN QË PUTHET ME QIELLIN!, Pellumb Gorica

Kosovë- Programi i Lidershipit, studime në universitetet amerikane

March 31, 2017 by dgreca

-Ceremonia e shpalljes së përfituesve të bursave të Programit të Lidershipit Transformues/

1 Kosova Lidershipi1M insitri

PRISHTINË, 31 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami mori pjesë sot në ceremoninë e shpalljes së 26 përfituesve të gjeneratës së tretë dhe të fundit të Programit të Lidershipit – Bursat dhe Partneritetet (TLP-SP), të cilët do të studiojnë në programe profesionale në universitetet amerikane.Me këtë rast, ministri Bajrami uroi fituesit e kësaj burse dhe theksoi se Kosova ka shumë nevojë për liderë të transformuar që do ta sjellin kulturën dhe eksperiencën amerikane te ne. “Jam i sigurt se të gjithë ata të rinjë që kanë përfituar nga ky program do të ndikojnë në ndërrimin e mentalitetit dhe të qeverisjes së mirë kudo që do të jenë”, theksoi ai.Ministri tha se përveç gëzimit për përfituesit e fundit të këtij programi, kemi edhe një ndjenjë pikëllimi që projekti po përfundon. Por, ai theksoi se do të punohet edhe për projekte të tjera që të rinjve tanë t’ju hapen dritaret e komunikimit të rregullt me universitetet amerikane.

Ndërsa, drejtori i USAID-it për Kosovë, James Hope, theksoi se është i lumtur që ky program ka arritur të ndihmojë të rinjtë kosovarë që të studiojnë në universitete amerikane, ndërsa i porositi 26 përfituesit e fundit që të punojnë shumë dhe të kthehen si liderë për të transformuar vendin e tyre.Programi i Lidershipit Transformues – Bursat dhe Partneritetet është program i përbashkët i USAID-it dhe MAShT-it, ndërsa implementohet nga World Learning. Që nga fillimi, ky Program ka ndarë 102 bursa për programet profesionale, si dhe 185 bursa për studime master në universitete të njohura amerikane./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove, Programi i Lidershipit

Shqiptarët dhe burgjet serbe

March 31, 2017 by dgreca

Nga Rajmonda Maleçka/

kKOPORTINAT

Për Ballkanin janë shkruar shumë libra. Pse kaq shumë libra? Jo vetëm nga krijuesit a lëvronjësit ballkanas, por dhe nga të huajt. Ndoshta ndryshe nga çdo vend tjetër i botës, në Lindje dhe në Perëndim, në vendet e njohura për kultet dhe kulturat e veçanta, Ballkani duhet se ka prodhuar më shumë se çdo vend tjetër “letërsi” të shkruar, kulturë orale dhe “gjetje” të tjera. Në asnjë vend apo “gadishull” tjetër të botës, nuk mund të gjendet kaq larmi “krijimtari” dhe specifikë të tillë.

Pse ka ndodhur kështu?

Pjesa më e madhe e analistëve kanë thënë të njëjtën gjë. Kushtet dhe rrethanat historike të popujve ballkanik kanë patur thuajse një llojë uniformiteti, një llojë klime malore dhe bregdetare, ç’ka dhe e ka diktuar bimësisë shpirtërore apo dhe atë “pragmatiste” tëpopujve ballkanas. E me të drejtë Ballkani ka qenë një krye-vend e një “makinë” e pa-lodhur e larmisë së kulturave krijuese, në të shumtën e herës jo të nevojshme dhe jo të shëndetshme për një gadishull të mbarsur që herët në konflikt.

Mund të përpiqesh deri në maksimum t’i largohesh magmës së nxehtë, asaj të vërtetës që ka jetuar Ballkani. Të takon të shkosh lart në mal, atje ku mijra pelegrinë përpiqen që të qetësojnë ndërgjegjen dhe shpirtin në “tempujt” e shenjtë, por përsëri ajo dufma e nxehtë vjen nga pas. Të përplaset në fytyrë…

Kohët  kudo kanë lënë gjurmët e veta, shenjat. Thonë që shenjat rrojnë gjatë. Dhe kjo duhet të jetë e vërtetë. Si varret. A ka gjë më të shenjta se sa varret e të parëve për ballkanasit. Veçmas për shqiptarët. Në Veri e në Jug, të takon të dëgjosh emra të tillë:- varri i nemceliut, varri i serbit, varri i grekut, varri i turkut, varri i shqiptarit. Po kështu dhe në vende të tjera ballkanike fqin je. Në të gjithë Ballkanin kjo llojë “toponimie” gjendet jo rrallë. Një mjet për të kuptuar shumë gjëra se ç’ka ndodhur historikisht në Ballkan dhe në ndërgjegjen e këtyre popujve. E këto emra, duken si petku që mbulon trupin. Thellë varreve, ka histori të dhimbëshme. Ka gjak, luftëra, tradhëti, aleanca, histori nga më të stisurat e nga më të vërtetat. Ka tmerre, pikëllime, shtëpi dhe vatra të shuara përjetë.

Kohët i burburojnë këto histori. Si plagët. i burburon plagët, e ato gjithmonë dhëmbin. Gjithmonë prodhojnë dhimbje. Në këtë rast të vjen të pyesësh:- Ishin vllazën apo armiq kundër njëri-tjetrit? Vranë njëri-tjetrin, apo i vrau dikush tjetër? Vargu i pyetjeve është i gjatë. Si një kalvar, si vetë jeta dhe vdekja që janë zvarritur me një kryeneçësi të papranueshme.

Po pse të gjallët armiq të njëri-tjetrit? Secili përfol dhe kumton “të drejtën” e vet.

Ndoshta ashtu siç ka ndoshur përjetsisht, siç ka ndodhur me kohën pagane, me atë antike, pas-antike, me kohën e Krishtit e më vonë, me të gjithë arsenalin e madh shpirtërorë, atë qiellor dhe nëntokësor, u ka takuar që të gjithë të kenë të drejtë mbi Ballkanin.

E drejta mbi Ballkanin!

Një e drejtë që ka qenë dhe vetë-fatalitetit i saj. Një e drejtë, që më së shumti i ka bërë varrin vetes. I ka hapur humnerën vetes. I ka hapur llogoret. Një e drejtë, që është keq-përdorur siç përdoren skllevërit. Një e drejtë qaë e kanë përdor perandorët, ambasadorët, ajdutantët, shërbëtorët e salloneve, e kancelarive, të drejtë që e kanë përdorur korrierët dhe fjalëtorët.

Një e drejtë që më së shumti ka qenë intrigë dhe dashuri. E drejtë dhimbje. Një e drejtë kaos. Mish-mash. Një e drejtë mjergull. Pra, një e drejtë për të cilën kanë folur, sajuar, survejuar, ngritur teza e hipoteza, kanë sharë e kanë lavdëruar, kanë qarë dhe kanë kënduar, kanë vajtuar të gjithë. Një vaj e një gaz gati kolektiv.

Ç’është ky gadishull që krijon, sajon dhe thur intriga, dashuri, urrejtje e kaq kurthe? Pse kaq histori, kaq të drejta e pa-drejtësi, që shkojnë dhe vijnë si pajtonët e vjetër me dorën e heshtjes mbi Ballkan. Ndoshta ajo kishte”shpërblyer” dhe analistët dhe shtypin e kohës, të cilët më së shumti punonin kundër çështjes shqiptare.

Terri vazhdoi gjatë. Ishte një, terr i hidhur dimëror. Ishte një terr, që “shëtiste” mbi Ballkan si hyena, si hijet. Ndoshta, ndoshta dhe ardhacakët, veprimin e Is’ Boletinit se përbuzën. Diku, diku e quajtën një akt të rrallë. Të hyje me kobure në derën më të ruajtur dhe më të sigurt të Anglisë së kohës, sa trimëri ishte dhe një “çmenduri”.

Kuptohej qartë se trimëria e Is’ Boletinit kishte pjesën e saj. Ajo ishte rritur, ishte përmasuar. Kishte patur një kujdes të veçantë, që të lejohej vetëm trimëria, duke lënë në heshtje dhe në terr mençurinë. Sa tmerr! Të heshtësh për mençurinë! Pra, trimëria kishte marrë krejt pjesën e mençurisë, e cila ishte e gjitha, në mos kaq ishte pjesa më e madhe. Ishte një strategji e hollë në kurthin e së cilës kishin rënë të gjithë dhe që vazhduan të binin epokë pas epoke analistë, politologë, diplomatë dhe strategë luftërash dhe “parashikuesh” konfliktesh. Mbi to kishte rënë murtaja e ç’etnitetizimit.

Në këtë kurth (për arsye!?), ajo ka mbetur deri vonë. Fare pak apo askush deri më sot nuk ka arritur ta evidentojë, ta bëjë prezente, ta zbardhë aktin e madh diplomatik të Is’ Boletinit.

Lufta ka qenë pjesë e vazhdueshme e jetës së etniteteve në Ballkan. Ajo ka ekzistuar në themelin e keq-ndërtimit ballkanik, veçmas pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër në 1912-1913. Lufta dhe jeta kanë ushqyer njëra-tjetrën, si dy qenie që ushqehen tek njëra-tjetra. Të dyja kanë luftuar po kundër njëra-tjetrës. Vdekja të ushqejë jetën dhe jeta të ushqejë vdekjen, përveçse duket si një paradoks, për shqiptarët dueli ka qenë i vërtetë dhe real.

Analistët janë kundër luftës. Ta mohosh atë për realitetin në të cilin janë gjendur shqiptarët është të abuzosh me ekzistencën e tyre. Është një llojë sikur t’i akuzosh ato, se pse ekzistojnë! Pra, ato kanë mbi-ekzistuar nga vullneti i tyre i fortë për të ekzistuar. Lufta ka qenë një filozofi shumë e njohur e cila ka ardhur nëpër të gjithë kohët si një gjetje për të mos u shuar, për të mos u eliminuar, një gjetje për të ekzistuar.

Lufta ka ardhur tek ata si një kusht për të ekzistuar apo për të mos ekzistuar. Është njëllojë sikur të pyesësh:-don apo nuk don të ekzistosh, – dhe pse ke të drejtë të ekzistosh. Si të përgjigjeshin ndryshe shqiptarët para këtij dueli “biblik”, para kësaj pyetje shkatërruese dhe eliminuese!? Këtë histori dhe këtë “gjyq” të lashtë në Ballkan, lidhur me shqiptarët dhe ardhacakët, e dinë të gjithë, sa për të ka një epos të madh, ka kode dhe “ligje” të ashpra dhe të buta, ka memorie dhe përmendore mendjesh, mençurish, për nga të tilla kanë ardhur kohët. Shqiptarët ju përgjigjën se do të bënin dhe luftë për ekzistuar në vendin e tyre, aty ku krijesa e parë njerëzore në këto troje, qenë pikërisht ato vetë.

Kohët kishin mbjellë urrejtjen në Ballkan. Si një mallkim. Si një kusht i dhunshëm dhe i dhimbshëm. Kjo dihej që para 500 vjetësh, madje dhe para 1000 vjetëve. Nga delirantizmi i ballkanasve autokton dhe kompleksi i inferioritetit të ardhacakëve. Dy botë që s’mund të pajtoheshim dot. Dy “struktura”, që nuk ishte e mundur të qëndronin bashkë

nuk krijoi një perëndi të quajtur mbase “mot-mira” apo “kundër-mot i keq”, të duket se ka qenë pa ndonjë inventar të caktuar në njësinë e tij, ashtu siç ai është njohur mirë nga njerëzit dhe perënditë. Dhe hyjnitë i janë sjellë atij ashtu si dhe njerëzit.

Të jetë e vërtetë se gadishullorët autoktonë të mbanin po këtë qëndrim dhe me luftën?

Me sa njihet ballkanasit e kanë njohur luftën. E kanë përfshirë në kronikat e tyre të gjithë-llojëshme. E kanë komentuar. E kanë vlerësuar. Kanë ngritur prelude, shtatore, simbole. Kanë patur dhe hyjnitë e luftës. Luftëtarët i kanë vlerësuar me një fjalor të zgjedhur, duke i afruar dhe me perëndinë. Ndofta jo rrallë është quajtur edhe “kalendari” i jetës së tyre. Një tablo ngjethëse dhe torturuese. Si i thonë në trevat e veriut, “ me qefin për kreje”. Shprehja ka lindur dhe përdoret në vendin e vet. Jo sot, por nga mijra vjet, ky refren ka hyrë në imunitetin e moralin e sakrificës a dëshirës për të jetuar, që në fjalët e para që belbëzojnë fëmijët. Pastaj refreni është i qartësuar, i ka ikur mjergulla a qumështia, për ta burrëruar bashkë me trimin. Të edukuar me dekën, të mësuar me vdekjen!

Një moral i përjetshëm i ekzistencës së kombeve dhe racës njerëzore. Dhe historia e njerëzimit ka raste të panumërta për këtë. Thuajse të gjithë kombet e mëdhenj dhe ato të lashtë, tiparin më thelbësor të tyrin:- të dinjtetit dhe indentitetit të tyre, – kanë patur ndërgjegjen e lartë me etninë e tyre. Emblema me njeriun kanë mbajtur njëri-tjetrin. Kjo ndërgjegje është shndërruar në institucion. Është shndërruar në marrëdhënie, në dialog dhe pronësi burrërie. Ajo është shndërruar në një llojë pasaporte a “dokumenti identifikues”, prej nga ekulibri është ruajtur më një përpikmëri të lakmueshme mot pas moti.

Kjo ndërgjegje ishte metër, është një njësi matëse me të cilën shqiptarët “shumëzonin dhe pjestonin” ditët e mira dhe ditët e këqia të jetës së tyre.

Puna më e vështirë e historisë së zhvillimit njerëzor, ka qenë ekulibri. Ai ka qenë një nevojë e pjesës më të madhe të njerëzimit. Nëse njëra palë ka prishur atë, për arsyet e veta ma të njohura të konflikteve, pjesës tjetër i është dashur ta mbajë ekuikibrin, ta ndërtojë, atë. Pra, njëra e ka prishur dhe tjetra e ka ndërtuar. Një lidhje e vazhdueshme kjo në një jetë të pa-fundme për të përballuar kohën dhe ngarkesat e saja.

Në fund të fundit e gjithë lëvizja njerëzore, i gjithë zhvillimi shkencorë asnjëherë s’kanë mundur të veprojnë jashtë ekulibrit njerëzorë. Ai është “kalkulatori” apo “matrica” më ekzakte, lidhur me gjithë rraportet dhe forcat, që vënë në lëvizje njerëzimin. Ai është si ajo lënda djegëse a të themi ai “karburanti”, që vë në lëvizje makinën, pra, hallkat e një “prodhimi” shumë të rëndësishëm dhe jetik.

Vetëm ekuilibri i duhet të jetë i përjetshëm. Ai duhet të ketë një gjithë-jetë. Ai është pjesë e qeverive, e partive, e politikës, diplomacive, e ushtrive, e industries së luftës, e të gjallëve, e të vdekurve. Është një pjesë e atyre që kanë vdekur nga 1000 vjet, 500, 100, 5 a një vit. Pjesë e atyre që lindin dhe atyre që vdesin.

Ekuilibri është pjesë e luftës.

A rregullohet në atë mënyrë “matrica” e luftës, për të sjellë në fund të fundit një llojë “peshe”, një “pakt” a një “paqe”, që mund të quhet ekuilibër? Në të vërtetë këtu ka një paradoks. Të flasësh për luftën, d.m.th. dy anë që luftojnë me njëra-tjetrën për vdekje dhe të thërrasësh se dhe kështu ato vendosin ekuilibër, me një fjalë “merren vesht” përmes armiqësisë, kjo është gati e pa-pranueshme. Në kët rast “marrëveshja” mes palëve është të pjesmarrjes në luftëra, autoritetet e besimeve sollën ato të institucioneve të shenjta, sa dhe i ç’shenjtëruan ato. Më pas dominuan koalicionet në luftëra, çështjet e emrave, toponimeve, etj. Ka ndodhur që një “provë” e parë në rastin tjetër është shndërruar në kundër-provë, e kështu me radhë. E për Ballkanin prandaj ka patur ka shumë libra.

Librat kanë qenë si lufta. Herë pas herë, si taborret, si ushtarët pushtues, si gjeneralët, komandantët, si strategët e luftrave. Po kaq vrasëse si armët, po aq helmatisëse si helmi, po tinzar si spiunët dhe fallsifikatorët.

Librat kanë qenë pjesa e luftës. Si armët, si llojet e armëve, që përdoren në një betejë. Artileri e rëndë dhe armë të lehta. Ata kanë hyrë në të gjithë cilësitë dhe planet e luftës. Armë llogoreje, armë dore, armë të fshehta dhe gjithë-llojësh. Si në një “paradë” të llojit të vet.

Librat si luftë apo lufta me librat, ka qenë një nga betejat më të gjata, më të ashpra, më të egrat dhe më tinzaret. Një luftë që asht’ zhvilluar në mal, në fushë, në qytet, në fshat, në ditët me diell e në ditët me acar. Një luftë me ca luftëtarë të çuditshëm. Një luftë me ca luftëtarë misteriozë. Tamam si një pluhur “kozmik”, masa e helmit është shpërndarë, si bryma… Si një pjalm që do të pllenojë një frut të hidhur. Si tingëllimat e një “lebrozi” nëpër terr dhe rrugët e humbura të pyjeve.

Librat kanë qenë si një shtab lufte. Ato kanë qenë një institucion i madh, i rëndësishëm dhe me shumë shpenzime. Një institucion me një hirerarki të rreptë dhe me urdhëra të rrepta. Urdhëra lufte, sepse ato ishin dhe janë si njerëzit. Librat kanë veset si njerëzit, ndërgjegjen, argumentin, pro dhe kundër tyre. Si votat në Kuvende, konferenca apo këshilla. “Ushtarët”, -libra-bërës duhej të ishin nga më të bindurit. Dhe shtetet veshët më të mprehtë i kanë vënë tek libra-bërësit. Duke i përgjuar hap pas hapi. Kudo. Me intuitën e qenit, nga pas.

Kaq shumë libra, të cilët ishin pjesë e luftës, pjesë e mos-marrëveshjes, pjesë e konfliktit, pjesë e mërisë, pjesë e inatit dhe një llojë ndërgjegje e ashpër. Shumë libra, të cilët më së shumti u thirrën histori, u thirrën si dëshmi pushtuese, dëshmi sunduese dhe luftë. Shumë-libra, që u kthyen në kufinj mes etniteteve. Shumë-libra që u bënë më të egra se sa vetë pushtuesit dhe sunduesit. Libra që ishin si plumbat, si thika si murtaja. Libra që i dehnin mendjet e njerëzve.

Prandaj Gadishulli i vjetër ka “prodhuar” kaq shumë libra. Libra të ftohtë të mbushur me urrejtje dhe ankth. Libra të mbushura me helëm. Libra të rremë akademikësh, që ardhacakët ballkanik ua hodhën në tavolinë kancalerive të Perëndimit, për t’u “dëshmuar” më të hershëm se sa autoktonët, mandje dhe atikë, për t’u dëshmuar rracë e parë, pra, rracë sunduese në Ballkan, për t’u “dëshmuar” si bashkohës të antikitetit të hershëm ballkanik. Një e vërtetë e fallsifikuar, e stisur, e sajuar, e krijuar për nacional-shovinizmin e njohur, u derdh si një epidemi në Ballkan, në Lindje e në Perëndim. Si një armatë kobi, epidemia e së keqes kishte ecur dhe ishte derdhur në rrugët e njohura të luftës, lumenjve, detrave, nëpër qiell, në “vuajtjet” e endacakëve, të refugjatëve, të tregtarëve, të shkollës, të foltoreve e tempujve, të emblemave, në ecejaket e valixhet diplomatike, pra, në një kohë e pa kohë, në rrugë e pa-rrugë.

Shqiptarët pra, ishin të sulmuar dhunshëm dhe nga ushtria e librave. Të gjithë këto libra ishin kundër tyre, kundër të kaluarës, realiteti dhe të ardhmes së tyre. Ishin libra kundër jetës, kundër lindjes e pro vdekjes.

Sa shumë ushtri kundër tyre? Sa shumë gjeneralë e “strategë” të të keqes, kundër tyre? Sa epidemi shfarosëse kundër tyre?

Të gjitha ishin kumte luftëtarësh. Dhe pse librat, ndoshta si ajo masa viskoze që ngjitet për dore, pa trajtë dhe formë. Veç shqiptarët shkruan më pak se të gjithë të tjerët libra. Ndoshta ngaqë ato ekzistonin vërtetë.

Dubrava dhe libri i dhunës serbe mbi shqiptarët.

Në mënyrë të pashmangshme, ngjarjet dhe personazhët e librit “Hasi mes luftës dhe lirisë” ishte i domosdoshëm të prekte dhe të sillte informim për të gjithë problematikën e çështjes shqiptare, madje duke kërkuar që të shkonte deri në ngjarjet dhe rrethanat më të errëta të marrëdhënies së detyruar që shqiptarët kanë pasur me serbët.

Në historiografinë shqiptare, e cila ka pasur dhe ka synuar të sjellë relitetin e ish-Jugosllavisë, lidhur me marrëdhëniet që shteti totalitarë dhe shovinist ka krijuar veçmas me shqiptarët, por dhe vetë realitetin, si ai ka vepruar në marrëdhëniet me shqiptarët, bëhet prezent një histori dhe një mekanizëm i zymtë me çfarë politika shovene e të gjithë strukturave të shtetin sllav, në të gjithë etapat historike të shekullit të kaluar, patën ndërtuar, për ta sunduar me forcë ndjenjën dhe veprimtarinë liridashëse të shqiptarëve.

Për fatin e mirë, pasi libri “Hasi mes luftës dhe lirisë” është ndërtuar në një rraport të drejtë dhe komunikues me historinë e zhvillimeve shqiptare jo vetëm në Has, por dhe në hapësirën e vet, eksponentë të caktuar kanë mundësuar për të sjellë informim dhe për gjëra të tjera, të cilat janë cekur në rrethana të tjera dhe më të drejtpërdrejta.

Në opinionet e këtij libri, i cili ka kërkuar që ta vjelë informimin mbi ngjarjet më prekëse të zhvillimeve në Has dhe në Kosovë, trajtimi i shqiptarëve në burgjet serbe ndriçon një rrethanë të veçantë të ballafaqimit që shqiptarët kanë qenë të detyruar të bëjnë me makinën vrasëse, që serbët kishin ndërtuar për ta shuar dhe vrarë shpirtin e qëndresës së shqiptarëve në kufinjtë e mbi-ekzistencës, që u shfaq kryesisht në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar.

Fatmirësisht në faqet e këtij libri, ndër më të rëndësishmit dhe më të vështirët që unë kam shkruar deri sot, kanë ardhur disa eksponent,ë që arrinë të zbardhin ngjarjet makabre, ngjarjet terrorizuese, ngjarjet tmerrësisht të pandershme dhe vrastare, që serbët kanë praktikuar përmes strukturave të shtetit kundër shqiptarëve, të cilët për shkak të angazhimit të tyre për çlirim kanë qenë të dënuar nga ligjet serbe.

Eksponentë të gjallë, të cilët sot jetojnë dhe që kanë mundur të mbeten të gjallë, falë rastësisë dhe fatit të çuditshëm, i cili nganjëherë dhe vepron, arrijnë të sjellin dhe t’i bëjnë pjesë të këtij libri mjetet dhe mekanizmat aspak njerëzore, aq më tepër të një shteti, i cili krijon mundësi dhe praktika të shumta për ta vrarë popullsinë e pafajshme, ato histori që kanë ndodhur kryesisht në burgjet serbe. Njerëzit e këtyre ngjarjeve tmerrësisht të pabesa, sjellin një dëshmi tronditëse, një mekanizëm vrasës të paimagjinueshëm, që shteti totalitarë serb kishte vënë në punë për të zhdukur dhe shfarosur kryesisht shqiptarët, të quajtur sipas tyre problematik.

Këto ngjarje, unë kam qenë e detyruar ta propozoj për lexuesin në një kapitull të veçantë, i cili sjell një argumentim të plotë për të gjithë atë që ka ndodhur në rrjedhën e ngjarjeve që çuan në vitet 1998-1999, në daljen në skenë dhe marrjen e fatit të luftës në dorë nga UÇK-ja, dhe faktori ushtarak ndërkombëtarë, pastaj në rrjedhimet e tjera të terrenit të luftës si Hasi, për të cilin bëhet fjalë në librin ”Hasi mes luftës dhe lirisë”.

Në vitet “90-të e në vazhdim, serbët u përplasën me “veprën” e tyre 50 vjeçare, e cila ishte sigluar në Ish-Jugosllavinë, si një manipulim i dhunshëm dhe i shtërnguar, i cili për shkaqe të nacionalizmit shovinist sllav, kishte praktikuar modelin stalinist të BRSS-së. Sado që kërkon t’i shmangesh arsyetimit ideologjik të Evropës Lindore, e cila i shtërngoi popujt e saj në një kurs të dhunshëm dhe totalitarë, shqiptarët në ish-Jugosllavi mbetën viktimat më të dukshme të këtij kursi totalitarë.

Me një shpejtësi të madhe, gjithë dekompozimi 50 vjeçarë, vijoi të shpërbëhet në një kohë thuajse 7-8 vjeçare. Natyrisht, ngjarjet, të cilat pasojnë marrëdhënien ekstremisht vrasëse, që serbët u përpoqën t’i kushtëzojnë dhe t’i ndalojnë shqiptarët në këtë kohë, prodhuan një dhunë të pashoqe dhe të verbër, të cilën shteti totalitarë e shndërroi në makinë vrasëse.

Burgu i Dubravës është njëri prej tyre. Ai ka qenë dhe mbeti një makinë vrasëse, një mjet i pashembullt, që një shtet e përdorë kundër njerëzve, të cilët i janë dorëzuar drejtësisë. Gjatë kësaj kohe në mënyrë të verbër, me akuza dhe procese të montuara monstrualisht, gjykatat serbe në Kosovë dënuan me mijra shqiptarë të pafajshëm. Në qelitë e burgjeve u dërguan njerëzit më aktiv të lëvizjesh kombëtare për çlirim dhe vetëvendosje.

Pjesa më e madhe e tyre u vranë misteriozisht dhe në një pjesë u vranë hapur nga njerëz të strukturave policore dhe të sigurimit serb, ndërsa një pjesë prej tyre humbën pa asnjë koment dhe pa as një shenjë. Serbia nuk u përgjigj kurrë për këto krime mizore, të cilët ishin krime shtetërore të pastra.

Nuk mund të gjendet në historinë njerëzore, qoftë në kohët më të errëta të quajtura të tilla, dhe as nuk është praktikuar të vriten nga njerëz të tërbuar, nga kriminelë të burgosur, njerëzit e tjerë, të dorëzuar për të vuajtur dënimin, siç vepruan në burgun e Dubravës serbët me shqiptarë, të cilët vuanin dënimin në këtë burg.

Njerëz që kanë arritur t’i mbijetojnë këtij primitiviteti, kësaj masakre të tmerrshme, shpjegojnë se serbët, strukturat e specializuara dhe të njohura të shtetit serb, kanë  praktikuar një mekanizëm barabarë, ku kriminelë serbë, të cilët vuanin dënimin në këtë burg, janë droguar, janë tërbuar dhe armatosur deri dhe me granata dhe armë të tjera vdekjeprurëse, për t’i përdorur kundër të dënuarve shqiptarë, të cilët janë detyruar të dalin në një korridor të gjërë, të fortifikuar dhe të ruajtur fort dhe bllokuar në të katër anët, dhe mbi to është derdhur një mizori e verbër plumbash, bombash dhe mjetesh të tjera.

Teatri i dhunshëm dhe makabër, i cili është ndërtuar në mënyrën më mizore, i ka ngjarë një beteje gladiatorësh, me çfarë është ndërtuar një masakër e pashembullt me shqiptarët. Njerëzit që kanë përjetuar një rast të tillë, pasi skena dhe mekanizma vrasëse kishte në të gjithë burgjet e serbisë në këtë kohë me shqiptarët veçanërisht, nuk arrijnë ta tregojnë në të gjithë mundësinë  e vet, mënyrën se si ato janë përballur me vdekjen. Nuk mund të ndeshish në asnjë psikologji dhe në asnjë psikozë barbare si ajo që ka ndodhur kryesisht në burgun e Dubravës.

Për atë ngjarje, e cila para lexuesit të këtij libri është vetëm në minimumin e vet, shteti serb nuk dha llogari kurrë, ashtu siç nuk dha asnjë shpjegim për shumë luftëtarë, intelektualë dhe njerëz të tjerë të devotshëm të Kosovës.

Është një ngjarje që asnjë mendje njerëzore nuk arrin ta rrokë, ta pranojë dhe ta besojë se mund ta praktikojë qoftë dhe nga një fis dhe jo më një shtet, i cili e konsideronte veten të aftë për marrëveshje dhe bashkëpunim në kohën e Rendit të Ri Botërorë.

Kjo ngjarje është njëra nga prerjet e ngjarjeve, që pasojnë të gjithë ngjarjet e tjera, të cilat i çuan shqiptarët drejt një lufte mbrojtëse dhe çliruese njëkohësisht.

Burgu i Dubravës dhe dhuna e përgatitur me turrën kriminale të kriminelave serb dhe të tjerë që vuanin dënimet në burgjet e kohës, në kushtet e një skenari kriminal shtetërorë dhe të një nacionalizmi shovinist tipik stalinist, i cili gjatë viteve “90-të e deri kur në Kosovë shpërtheu lufta u praktikua për të mbjellë terror dhe barbari. Nëpërmjet këtyre rrëfimeve, në kushtet e një vdekje të sigurtë, djemtë dhe burrat shqiptarë nuk u mposhtën. Ata i rezistuan barbarisë dhe një pjesë prej tyre ishin protagonistët e UÇK-së, dhe misionit ushtarak për çlirimin e trojeve në vitet 1998-1999 e më vonë.

Jusuf Bardhoshi i lindur më 01.05.1959 në fshatin Peraj dhe banues në fshatin Peraj.

Ne që e kemi parë dhe jetuar nga afër luftën, për shumë arsye të kohës, të historisë dhe tonat njëkohësisht, mundemi me thënë se lufta për çlirimin e kosovës ka pasur motive të mëdha atdhetare, përveçse nga njerëzit e saj, po ashtu dhe eksponentët e caktuar të saj. Gjatë 50 vjetëve djemtë, intelektualët, veprimtarët, ideologët dhe shumë njerëz të tjerë nga Kosova e kanë ngrysë jetën e tyre në burgjet serbe, për të cilët nuk është dhënë asnji lajmërim, asnji detaj dhe asnjë sensibilizim tjetër. Në ish-Jugosllavi, jeta e shqiptarëve ishte ndërtuar e tillë. Pavarësisht kësaj, shqiptarët kanë ditur shumë gjëra për ato që ka ndodhur, dhe kjo i ka ushqyer ato me një ndjenjë të thellë patriotike dhe qëndrese.

Të mos harrojmë se të gjithë luftëtarët e UÇK-së, dhe gjithë shtresa intelektuale shqiptare në Kosovë, ka pikërisht këtë formim dhe këtë marrëdhënie të mrekullueshme të njerëzve që kanë punuar gjatë gjithë jetës për çështjen tonë kombëtare, veçmas atë që lidhej me çlirimin e Kosovës.

Të mos harrojmë se dhe Adem Jashari, familja e tij lidhet me këtë rrënjë të thellë qëndrese dhe patriotizmi. Rënia e familjes Jashari në ato kushte është njëri nga motivet e njohura të luftës për çlirimin e Kosovës, në të cilën u përfshimë të gjithë. Kjo gjë na bërë që të angazhohemi me shpirt pranë luftatarëve të UÇK-së, që në fillimet e saj të para, duke i ndihmuar me dërgimin e armatimit në brendësi të Kosovës.

Ishte 08.07.1998 po ktheheshim me Halim Bardhoshin dhe Isa Malaj, pasi e kishim dërguar armatimin. Ishte ora dy pa një çerek e natës, gjendeshim në fshatin Zhup të Gjakovës. Kemi rënë në pritën serbe. U zhvillua  një betejë e ashpër, unë u plagosa rëndë në këmbën e djathtë.

Isai ishte para meje duke tërhequr kalin për dore, unë pas kalit të tij. Serbët si duket kanë qenë duke na përcjellur dhe na kanë goditur me breshëri, Isain e morën plumbat në krah e në këmbë. Isai briti: – Jusuf Bardhoshi na çartën, bre…iu kam afruar Isait dhe pasi edhe vetë isha i plagosur u ktheva në krahun e djathtë, e mora Isain në atë krah, pata edhe një të kërcitur të këmbës që mu thye nga pesha e trupit të Isait. Isai jetoi pak çaste dhe dha shpirt në krahët e mi. Jam munduar të tërhiqem pak, serbët deri në ora katër pa një çerek, nuk na janë afruar. Ndërkohë që vendi u rrethua nga blindat e tyre. U detyrova të largohem nga Isai pasi isha  i plagosur. Kam rënë në një përrua pranë një livadhi.  Ishte bërë pothuajse mëngjes, ora 06 e 40, u afruan 20 serbë me automatikë të gatshëm për gjuajtje. Për momentin nuk më panë edhe pse unë i shihja mirë. Në ora nëntë kanë ardhur tre civilë, më panë dhe i treguan policisë serbe. Erdhën 20 ushtarë me qen. I mbanin armët gati për gjuajtje, erdhi qeni në përrua dhe më kapi.

Unë kisha derdhur shumë gjak nga plagët e marra. Më kanë tërhequr zvarrë, duke më nxjerrë në rrugë të makinës. Para se ushtria të më hidhnin, thesin në kokë e pashë dhe një herë Isai, ndërsa Halimin gjatë gjithë kësaj kohe se kam parë.

Policia kur ka ardhur ma ka hequr thesin prej koke, duke më torturuar dhe më ka vënë tytën e automatikut në gojë. Atë moment zoti më ka dhënë forcë dhe e kam shty policin. Ai  i revoltuar më gjuajti me kondakun e armës së tij në krahun e djathtë të kokës. Rashë pa ndjenja, deri kur e kam parë veten në Spitalin e Gjakovës.

Në spital ishte mjeku Burim Sahatçija, i cili është kujdesur, për mua. Në spital erdhi sërisht i njëjti polic, i cili më kishte gjuajtur, me kondak. Filloi duke më sharë e ofenduar. Kam vënë dorën, pranë një hekuri duke e shtrënguar fort. Dhe unë ju kundërvuna duke e sharë njëjtë si ai, më shau mua. Ai filloi të më rrahë, ndërkohë që hynë dy infermjere dhe e nxorrën jashtë. Më ndërruan rrobet, ndërsa mjekët erdhën dhe më rregulluan këmbën. Ishte data 10.08.1998, mjeku Burimi më solli të takoheshin me mua ata të kryqit të Kuq. Edhe një natë e bëra në spitalin e Gjakovës dhe të nesërmen më dërguan në stacionin policor në Gjakovë. Po i nëjti polic më të cilin isha përplasur dy herë, pasi më rrahu, më theu edhe këmbën. Më dërguan në hetuesi, aty vazhduan përsëri maltretimet, edhe pse më kanë bërë shumë pyetje, unë nuk kam treguar asgjë.

Nga Gjakova na kanë dërguar për në Pejë së bashku me 18 fshatarë të Jetishit. Edhe në Pejë kanë vazhduar maltretimet edhe pse isha tepër i lënduar. Aty na kanë rrahur të gjithëve. Fshatarët që ishin me mua në burg, më kanë mbajtur shpirtin gjallë si me ushqime ashtu edhe me veshmbathje. Në burgun e Pejës kemi qëndruar dy muaj. Më datën 20.11.1998, na dërguan në Burgun e Mitrovicës. Isha së bashku me Ilir Kortoçi, Osman Kortoçi, Bujar Sylaj, Avni Mëmia, Ramiz Mëmia, nga Tropoja, e Bastri Myftari nga Peshkopia. Një pjesë e jona ishim të lënduar.

Më 12.02.1999, më ka marrë policia dhe më ka dërguar në Pejë, ku më nxorrën në gjygj dhe më dënuan dy vjet. Pas dënimit më dërguan në Burgun e Duvravës së bashku me 40 vetë të tjerë. Kur zbritëm, nga çasti kur ishim tek porta e deri tek fusha e sportit nuk i ndalën të rrahurat. Gjatë kësaj kohe na kanë lënë tetë ditë dhe tetë netë, pa bukë.  Njëkohësisht na i ndaluan dhe vizitat. Ishte ditë maj 99, u hap një derë burgu, ndërkohë që ne e hapëm derën me këmbëzën e krevatit, pranë meje ishin Valdet Jetishi, Hajzir Betullahu, Reshat Nurboja, etj.

Më 23.05.1999, komandanti i Burgut, Aleksandar Rankoçeviq, ne të burgosurve shqiptarë na u drejtua nëpërmjet altoparlantit që për 5 minuta të bëhemi gati dhe të dalin në oborrin e kompleksit të Burgut të Dubravës,  “për shkak sigurie do të largohemi nga burgu dhe do të udhëtojmë për Nish dhe burgje tjera të Serbisë”. Pasi na grumbulluan  në fushën e sportit, papritur filluan të shtënat nga të gjitha anët mbi ne. Gjatë ikjes, një pjesë arritën të strehohen në lokalet e kuzhinës, në bodrume, në kanale, në gropa septike për t’u shpëtuar plumbave të kriminelëve ordinerë. Ata që shpëtuan nga vdekja filluan të ndihmojnë të plagosurit. Gjatë tërheqjes së trupave të plagosur dhe të vrarë kriminelët nuk ndaluan për as një moment breshëritë e plumbave, hedhjen e granatave të dorës në puseta e kanalizime. Mua më ra plumbi i një të vdekuri në krahun e djathtë të kokës, dhe sot e barti me vetë ngado  shkoj. Gjithmonë më mbushen sytë me lot kur kujtoj ato ditë të tmerrshme, gjith ato shqiptarë të vrarë. Unë rashë pa ndjenja, as vetë se kuptoj si jam gjallë, sot. ndërsa Ramiz Ramë Mëmia nga Myhejani i Tropojës, u vra. Po atë ditë, pothuajse mbetën diku 200 të vdekur dhe 50 të plagosur.

Të nesërmen pas kësaj masakre, në orët e para të mëngjesit, të burgosur ordinerë serb, shumë prej tyre të ardhur nga burgjet tjera, të armatosur me të gjitha llojet e armëve që nga revolet, thika të mprehta, bomba dhe me maska në kokë, si bisha të tërbuara hynë nëpër pavijonet e Burgut dhe skutat e tjera dhe filluan të vrasin të tjerë të burgosur shqiptarë. E njëjta gjë ndodhi edhe në spitalin e burgut, ku ishin dërguar  të plagosur rëndë për shërim, kriminelët me revole vranë të gjithë të plagosurit në kokë para syve të personelit shëndetësor.

Në një moment kur pushoi lufta pak, ne 400 të burgosur që kishim mbetur, na futën në një dhomë, dhe na lidhën me litar. Ato dhoma ishin të pregatitura vetëm për tortura.

Pas një urdhri të marrë na lëvizën nga Dubrava për në Lipjan. Sapo arritëm në burgun e Lipjanit, na zbritën, na rrahën mirë, sepse ishte e pamundur që të futesh në burg pa e kaluar kordonin e policëve, të gardianëve dhe të burgosurve serbë, të cilët në çdo mënyrë, kishin dëshirë që t’i gjymtonin të burgosurit shqiptarë. Në Lipjan na vendosëm nëpër qeli.

Reshat Nurboja-Pejë duke rrrëfyer për Jusuf Bardhoshin thotë: “Pasi na dërguan në Lipjan, Jusufin e ndanë nga ne. Ai i kishte flokët e gjatë, ishte më i rrahur e maltretuar se ne të tjerët. Serbët i  thanë thuaj poshtë Kosova e poshtë Shqipëria, të rrojë Serbia. Ai ju përgjigjet me një forcë që i buronte brenda vetes,  edhe shtatë shpirtra t’i kisha nuk do të thoja  të rrojë Serbia, por të Rrojë Kosova e të Rrojë Shqipëria. Ky moment ende është i freskët në mendjen time, pasi më kujtohet fare mirë kur pas këtyre fjalëve sërisht e kanë rrahur shumë keq Jusufin”.

Pasi na lidhën, nga Lipjani më 15.06.1999, duke na rrahur gjithë rrugës, na dërguan në burgun e Pozharevcit. Dhe këtu gjatë qëndrimit dy mujor, asnjë ditë nuk na janë ndalur torturat dhe pas dy muajve të qëndrimit tim aty. Falenderoj shokët dhe miqtë të cilët mu kanë gjendur si me ushqime dhe me veshmbathje.

Nuk mbaron këtu. Më 17.04.2000, më bënë transferimin në një tjetër burg, quhej Mitrovica e Stremit. Isha dobësuar shumë, aq shumë sa nuk e dija ku po më qëndronte shpirti. Nuk kishte ditë apo natë që të mos na rrihnin. Deri më datën 06.07.2000, ku i shoqëruar nga Kryqi i Kuq më kthyen pranë familjes sime. Ishte një moment mjaft mallëngjyes takimi me fëmijët e mi, unë dukesha para syve të tyre sikur kisha dalë nga varri. Ata ishin të vegjël dhe nuk e kuptonin dot se sa tortura kisha kaluar që nga koha kur më arrestuan e deri në momentin pranë kthimit të tyre.

Hamide Bardhoshi-gruaja e Jusufit tregon çastin e marrjes vesh të plagosjes dhe kthimit në shtëpi

Ishte mëngjes. Atë ditë ne ishim shqetësuar, Jusufi ende nuk ishte kthyer dhe hidhnim sytë nga kodra se mos po kthehej. Në vend të tij, u kthye kali i plagosur që kullonte gjak. Edhe kafsha dukej sikur më fliste ato çaste. I  ishte varur koka poshtë, dukej sikur donte të na rrëfente ngjarjen e asaj nate. Nxorra Antigonën vajzën, që të pyeste një polic, ai nuk mundi ti tregonte se çfarë i kishte ndodhur Isufit. I thanë kunatit se kanë mbet të vrarë dy dhe një është i plagosur. I gjithë fshati doli në kufi për të marrë kufomat. Ne ishim në pritje. Kur su ndalën pranë varreve tona, fëmijët më thanë: – mami, babi është gjallë. Ne u prekën edhe për Isain dhe Halimin që ishin vrarë, se edhe ato bij nënash ishin. Pasi kishin kaluar rreth dy muaj erdhi Kryqi i Kuq dhe na tregoi se Isufi është gjallë.

Gjatë muajit qeshor 99, Isufi filloi të komunikoi me ne nëpërmjet letrave, ku më tregonte se po më mbajnë shokët si me ushqime ashtu edhe me veshmbathje. Më kujtohen pak fjalë nga ato letra– Jam dobët, më duhet pak mjaltë, mish dhe lëngje- Gjatë kohës kam shkuar katër herë në Gjakovë dhe nëpërmjet Kryqit të Kuq ia kam dërguar, ato që më kishte kërkuar Isufi.

Ardhja e tij në shtëpi na befasoi, pasi e kishin liruar pak ditë më para. I dolën para të gjithë, motrat, vëllezërit, pothuajse i gjithë fisi, për Isufin ishte lindja e dytë. Fëmijët i dolën para. Antigona, me lot në sy vjen tek unë dhe më thotë:- mami-nuk na kanë sjellë babin tone. E mora me të mira dhe pasi e qetësova i thashë: – mos u shqetëso mos bijë, babai juaj është. Aq shumë ishte i dobësuar Isufi sa vërtet, fëmijët kishin të drejtë të mos e njihnin të atin e tyre.

Gjatë një ore mësimi kur mësuesja i kishte dhënë, vajzës  Antigonës hartimin me temë –“Gëzimi im”, vajza kishte trajtuar kthimin e të atit në shtëpi dhe lindjen e dy vëllezërve  Edisonit dhe Edmondit. Kjo gjë kishte befasuar të gjithë nxënësit në klasë, mësuesen dhe ne si prindër të saj. Të gjithë fëmijët e duan Jusufin, por Antigona duket që e don më shumë, babain e saj. Jusufi sot jeton pranë familjes së tij, në fshatin Letaj-Has, në kokë me dhimbje mban një pjesë të kësaj historie, që mes dhimbjesh e lotësh ma rrëfeu mua sot.

                                                                                                            Letaj, shkurt 2010

 Blerim Muhamet Krasniqi –Pejë Ngjarje tronditëse nga Burgu i  Dubravës

Kam qenë pjesë e luftës së UÇK-së, gjatë vitit 1998. Më 25.08.1998, në Pejë, këtu afër shtëpisë më kanë arrestuar forcat paramilitare serbe. Më kanë dërguar në burgun e Pejës, ku më kanë mbajtur mbi 2 muaj. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit aty, torturat nuk janë ndalur asnjë çast. Diku nga fundi i dhjetorit 98 na kanë dërguar në Burgun e Dubravës. Aty para se ne të hymë Brenda, njerëz me maska, të cilët mbanin në duar shkopa të bejzbollit, edhe pse ishim të lidhur me zinxhirë këmbë e duar, na goditnin ku të mundnin. Ishte një situatë tëpër tronditëse, pranë meje ishte Arsim Kulloshi. Na kanë shti nëpër dhoma të izolimit. Gjatë qëndrimit atje dy herë në muaj na shtinin në akull të ftohtë. Ka patur rast që na kanë lënë tetë ditë dhe tetë net, pa buk. Jemi detyruar të thyejmë magazinat dhe kemi marrë ushqimin e ia kemi sjellë dhe të tjerëve të burgosur.

Ditën 19.05.1999, forcat e NATO-s, bombardojnë dy pjesë të pavionit të burgut të Dubravës, ku janë vrarë tre vetë dhe plagosur disa të tjerë.

Më 21.05.1999, NATO-ja, ka bombarduar një pjesë të Burgut të Dubravës, me ç’rast janë vrarë edhe 19 të tjerë. Më kujtohet këto çaste, një shka i cili thoshte, mos i hapni dyert, pasi vet e kanë lyp, le ti mbysin si mit.

Më 22.05.1999, në mëngjes në njërin nga karakollët vëzhgues është paraqitur një zyrtar i burgut, i cili përmes altoparlantit i ka urdhëruar të gjithë të burgosurit që të rreshtohen ne fushën e sportit me arsyetimin se po na transferonin në Burgun e Nishit, kinse për shkaqe sigurie. Për të na vrarë ne shqiptarëve në këtë burg, serbët ishin pregatitur më parë, pasi të burgosurit serb i kishin veçuar prej nesh që më 19.05.1999.

Dhe këtë ditë, menjëherë pas rreshtimit të serbëve dhe pozicionimit nëpër karakollë dhe pika të caktuara të murit të burgut shtien me breshëri armësh, me snajperë, bomba e granata dore mbi ne, duke vrarë mbi 100 të vdekur dhe 200 të plagosur.

Kam përjetuar dhimbje që se kam përjetuar kurrë në jetën time. Isha shumë afër këtyre ngjarjeve. Një çast kam qenë duke pirë një cigare dhe pashë një njeri gjysëm të këputur në trup, zemra i punonte ende. Çudi mu duk dhe e pabesueshme, më kërkoi që ti jap cigare dhe unë ia dhashë, pasi e thithi dhe nxorri pak tym dha shpirt. Mundoheshim që të largoheshim ne që kishim mbetur gjallë, duke u larguar snajperët serb që na vrisnin një e nga një. Mundoheshim që ti ndihmonim të plagosurve duke i dërguar në bodrumin e kuzhinës dhe në Pavijonin  “C”. Këtë ditë në ambulancën e burgut të burgosurit serbë së bashku me gardianët dhe forcat paramilitare, kanë vazhduar të vrasin dhe të tjerë të burgosur që ishin strehuar në fushën e sportit.

Më 23.05.1999, të njëjtët, paramilitarë serbë së bashku me gardianë e të burgosur serbë, hyjnë dhe pasi na bajnë kontroll në vendet ku ne ishim të strehuar, përsëri na vrasin. Të njëjtën gjë bëjnë edhe në kuzhinë ku gjuajnë nga dritaret me bomba dore. Këtu më kujtohet dhe një i plagosur nga Hasi i Shqipërisë, i cili kishte marrë plumbin, që doli nga koka e një tjetër të burgosuri. Ky ishte Jusuf Bardhoshi.

Pas gjithë këtyre torturave një moment nëpërmjet radiolidhjes, dëgjuam që thanë të ndërpriten vrasjet. Kishin ardhur gazetarë për të inçizuar këtë ngjarje. Serbët të gjithë këtë tragjedi donin që të bënin me faj NATO-n.

Ishte 24.06.1999, ku prej Dubrave na dërguan në Burgun e Lipjanit. Deri në momentin që jam liruar nuk i kam besuar vetes që do dal gjall prej torturave. Besoj se Burgu i Dubravës dhe ngjarjet e tmerrshme që inskenuan në të serbët në vitin 1999, është më e kobshmja dhe më kriminalja. As në kohët e vjetra në betejat e gladiatorëve nuk ka ndodhur kjo.

Për këtë unë do ti lutesha medias ta pasqyrojë në hollësi dhe ta ketë fakt këtë ngjarje e cila nuk rroket me logjikë njerëzore e jo më të arsyetohet…

Pejë 12.05.2010

Bisedë me Haki Xhebexhinë

Ndërmjet atyre shqiptarëve nga Republika e Shqipërisë që u bashkuan me UÇK – në, furnizuan apo përballuan luftimet, burgjet dhe sot i gëzohen lirisë së Kosovës, është edhe Haki Xhebexhia nga Fshati Mujaj i rrethit të Hasit.

 Si nisi rrugën me UÇK- në ?

Më 09.01.1998, unë jam nisur me urdhrin e Komandantit Rruzhdi Saramati për të sjellë armatimin në Milë. Aty kemi sjellë shumë armatim tek shtëpia e Hasan Xhemës. Aty doli Ylli Hysen Rashkaj dhe na mori armatimin, të cilin e kishim ngarkuar me nëntë kuaj. Ylli atë natë na mbajti në shtëpinë e tij. Nëna e Yllit kujdesej për përgatitjen e darkës, pasi ne ishim të lodhur prej rrugës. Të nesërmen në mëngjes herët kam shkuar në Planejë, tek Shejh Shuaipi, për të çuar një letër nga komandanti me të cilën urdhërohet Shehu për të marrë armatimin në dorëzim, për të gjithë Planejën. Shejh Shuaipi pa më të voglin hezitim më ka thënë : “ Sille armatimin sa më shpejt, se ia shpërndaj unë”. Jam kthyer po atë ditë dhe kam shkuar në Kukës, dhe menjëherë jam nisur përsëri me armatim për ta çuar në Kosovë. Kam shkuar në Dobrush. Së bashku me mua në Dobrush ishin shokët e luftës Maksut Saramati me të birin Jani, Ylli Rashkaj, Arben Rashkaj, Gazmend Hoxha, Nazmi Pula, Abdurrahman Nazifi–Bugari, gjithsej bëheshim 30 vetë. Të gjithë këtë radhë armatimin e kemi sjellë me krahë deri në fshatin Dobrush. Aty në Dobrush na priti Ismend Saramati, Enver Saramati dhe na kanë çuar te shpella e Gurit të Kuq.

Më 20.01.1998, po me urdhër të Komandantit Rruzhdi Saramati jam nisur për në Kosovë, për të sjellë armatim. Në malet e Pashtrikut, tek Rasa e Kuqe, forcat paramilitare serbe, na kanë bllokuar rrugën, ku dhe kemi shkëmbyer zjarr. Me mua ishin edhe ushtarët e UÇK–së, Ismet Shigjeqi, Bajram Shigjeqi të fshatit Planejë, Idriz Krasniqi, Dushanovë, Shaban Kryeziu, rruga : Bajram Curri, Prizren, Arben Xhebexhia dhe i ati i Arbenit, Alia, të dy të Krumës.

Për arsye se ishte luftë, shumica e atyre djemve, në këtë grup ishim 18 vetë, nuk i kanë treguar emrat e tyre. Luftimet zgjatën rreth tri orë, prej orës 18.00 të mbrëmjes deri në orën 21.00. Gjatë kësaj beteje nga ana e jonë nuk pati asnjë të plagosur, por sipas lajmeve që u dhanë edhe në “ Zërin e Amerikës”, vetë serbët e kanë pranuar se kanë pasur të vrarë një serb dhe katër të plagosur. Prej granatimeve të serbëve Bajrami e ka humbur vetëdijen, dhe sot e atë ditë është me të meta mendore.

Më 20.04.1998 unë jam nisur me shtatë kuaj armatim, për me i sjellë në Kojush të Hasit. Këtë ditë fjala ka qenë që në ora 21.00, me dalë të më marrë armatimin Ahmeti i Drenicës së Epërme, i cili ishte vrarë, tek ura e Nashecit. Këtë lajm të hidhur e mora vesh të nesërmen nga shokët. Unë kam marrë dhe e kam fshehur armatimin sipas urdhrit të komandantit Rruzhdi Saramati. Pas pesë ditësh jam nisur edhe njëherë për ta sjellë këtë armatim në territorin e Kosovës, ku jam bashkuar me kryetarin e katundit Kojush–Ilmi Çuni, duke i treguar se ky armatim do të shkojë në duart e UÇK–së.

Më 04.06.1998, isha në Kojush të Hasit, ku jam takuar me Ilmi Çunin, dhe e kam pyetur në lidhje me armatimin. Ai më tha se armatimi ka shkuar në shtab të Drenocit, dhe aty e ka marrë në dorëzim Baca i Vogël dhe Baca i Madh. Unë për të bindur komandantin që më kishte kërkuar sjelljen e këtij armatimi në Kosovë, prej Ilmisë, mora një shënim për të gjithë këtë armatim, dhe jam kthyer në Planejë, ku jam takuar me Ismet Shigjeqin dhe me Limon Morinën prej lagjes Mariq të Pogajve, të Hasit, dhe së bashku të tre u nisëm për në Shqipëri në orën 14.00. Në atë moment forcat  paramilitare serbe na kanë rrethuar. Ismeti, Limoni dhe unë jemi pozicionuar duke hapur zjarr kundër serbëve. Ismeti dhe Limoni arritën ta çajnë rrethimin, ndërsa unë  hyra në  një shtëpi fshati. Rreth orës 16.00 të 05 .06.1998, më rrethuan dhe më arrestuan serbët. Nga aty më dërguan në vendin e ngjarjes. Më rrahën dhe më thyen brinjët e krahut të djathtë. Më kanë dëmtuar dhe veshkën dhe shtyllën kurrizore duke më çuar në postën e Gorozhupit të lidhur. Atë natë më kanë mbajtur aty. Të nesërmen në ora 6.00 të mëngjesit më kanë kaluar me varkë, dhe më kanë nxjerrë në Morinë më kanë hipur në një tank duke më sjellë në Prizren. Edhe pse më kishin keqtrajtuar fizikisht më morën në pyetje, pastaj më kanë dërguar në spitalin e Prizrenit, ku më kanë lidhur dorën  djathtë dhe këmbën e majtë. Interesi i tyre ishte që unë të kthehesha përsëri në gjendje që të flisja dhe të nxirrja sekretin. Më dhanë serume dhe mjekime të tjera prej 6 ditësh. Pas gjashtë ditësh më kanë dërguar në burgun e Prizrenit. Aty më kanë nxjerrë në gjyqin komunal. Për momentin më kanë dënuar vetëm një muaj, dhe duke qenë në hetime.

Më 12 .06.1998, përsëri më kanë marrë në pyetje, në lidhje me UÇK–në. Duke e parë që unë nuk po tregoja, ato çdo ditë prej orës 09.00 deri në ora 14.00, më kanë rrahur.

Më 27.06.1998, më kanë shtrirë në korrent, përsëri duke më bërë tortura nga më çnjerëzoret. Por unë isha betuar për të mos i treguar shokët. Më 06.07.1998, më kanë çuar përsëri në gjygjin komunal dhe më kanë dënuar dhe gjashtë muaj të tjerë për armëmbajtje pa leje, duke më akuzuar si terrorist. Tre muaj më lanë në Prizren dhe më dërguan në Mitrovicë. Aty më keqtrajtuan 18 ditë në dhomën e izolimit. Gjatë qëndrimit tim në burg familja nuk ka ditur gjë. Familja ime është e interesuar nëpërmjet Kryqit të kuq Anglez. Ata më gjetën në Stremi–Mitrovicë.

Po Ukshin Hotin ku e takuat ?

Gjatë qëndrimit tim në burgun e Stremit-Mitrovicë, kam qenë në të njëjtën qeli me Ukshin Hotin, njeriun të cilin se kam njohur se kush ishte, por nëpërmjet asaj qelie, arrita të njoh një prej figurave më të mëdha të Kombit shqiptar.

Ukshin Hoti mundohesh që të na mësojë të gjithëve neve të burgosurve anglisht dhe gjermanisht. Mua më dha urdhër drejtori i burgut të mësoja serbisht. Kështu që i detyruar dhe me ndihmën e shokëve i mësova disa fjalë të komunikimit me gardianin e burgut, sepse ishte i detyrueshëm mësimi i këtyre fjalëve, pasi muaj për muaj ne ishim të detyruar të shkruanim anketën nga policët serbë, sipas dëshirës së tyre, por Ukshin Hoti, nuk e shkruajti asnjëherë anketën ashtu si e dëshironin ata. Ai në anketë shkruante: “ Kosova është  e domosdoshme që të ndahet nga Serbia”, kurse të tjerët e shkruanin për paqe e dialog. Kurse unë nuk plotësoja anketë se në anketë shkruaja se jam shtetas shqiptar nga Shqipëria, kështu që më merrnin nga qelia dhe më rrihnin.

Shpesh Ukshin Hoti më jepte ushqimet që i sillte familja e tij.Gjithashtu dhe të burgosurit e tjerë më ndihmonin me ushqim e veshmbathje. Në fillim të burgosurit nuk silleshin mirë pasi unë duke mos patur besim nuk i pata treguar të vërtetën e burgosjes sime. Gradualisht duke u njohur me këtë njeri me vlera të mëdha, i besova fjalët e mia Ukshin Hoti dhe Bajrush Xhemajlit. Duke i treguar se kam qenë ushtar i UÇK -së. Ata u gëzuan tej mase dhe nisën duke qeshur, duke treguar në sytë e tyre një gëzim të madh. Kështu që jeta ime në atë qeli ndryshoi. Prof. Ukshin Hoti dhe Bajrush Xhemajli më thonin: – “Kemi dëshirë të dijmë për traditat, zakonet, doket, dasmat, lindjet e dekat e asaj treve”. E unë i tregoja. Ndërkohë që Ukshini mua më tregoi rregullat e burgut dhe më mësoi që të flas serbisht, ato pak fjalë, që duheshin për të komunikuar me gardianin e burgut. Një mëngjes kur po shkonim të hanim në mencë, ne u vendosëm në rresht për dy. Ukshin Hoti ishte i pari, Nait Hasani i dyti, të tjerat me radhë si Libon Alia, Mehmet Memçaj, Bajrush Xhemajli, Enver Dugolli, Raif Çela, Riza Xhakli, Asllan Selimi, Naim Krasniqi, Vesel Ismajli, Besim Zymberi, etj, që nuk po më kujtohen emrat, ndërsa përgjegjësi i dhomës Naser Hysaj dhe unë rrinim në fund.

A mund të na flisni më me hollësi për burgjet serbe dhe si trajtoheshit ju?

Një moment kur ishte muaji dhjetor i 1998 dhe kishte rënë borë e madhe, gardiani më dha urdhër të mbyllja derën, pasi e kishim ngrënë mëngjesin. Unë duke mos e kuptuar gjuhën e tyre, vazhdova rrugën me shokët. Gardiani më ndaloi, Ukshin Hoti bëri ndërhyrje  për të më ndihmuar dhe më tregon se duhej të mbyllja derën, ndërkohë që gardianit i thotë :  “ Ai djalë është nga Shqipëria dhe nuk e din serbishten”. Kjo gjë gardianin e revolton dhe më nxjerr nga rreshti dhe në prezencën e shokëve më ka gjuajtur 27 herë me shkopin e gomës. Sa herë isha goditur ma kanë treguar shokët pasi unë vetë nuk kam qenë në gjendje t’i numëroj. Shokët më kanë marrë në duar dhe më kanë dërguar brenda në qeli duke më dhënë ndihmën e parë. Naser Hysaj, duke parë gjendjen time, thirri policin duke i thënë se numri 2043 (numri personal i imi) të shkojë në spital. Prej aty më kanë dërguar në spital dhe më kanë mbajtur katër ditë. Gjatë qëndrimit në spital më thërrisnin “ ai terroristi “.

Mbas katër ditëve u ktheva përsëri tek shokët në dhomë, nr.21 kati i 3–të, pavoni nr.2. Prej qëndrimit tim që nuk bërtita gjatë rrahjes, ata ishin kureshtarë të dinin pse nuk bërtita. Unë i thashë se nuk bërtita për t’iu treguar serbëve se sa të fortë jemi ne shqiptarët, në shikimet  e tyre shprehej kënaqësia, tek qëndresa ime.

Shokët e burgut e lajmëruan gardianin që më 06.01.1999, po afrohesh dita për tu liruar nga burgu. Kur mi panë rrobat e grisura dhe të përgjakura, nga plagët e bëra nga serbët, më thanë të mos i vishnja këto duke më dhanë rroba të tjera, nga ato që atyre ju kishin sjellë familjarët.

Një ditë para daljes nga burgu,Ukshini, Bajrushi, Naiti e Naimi më lanë porosi për të shkuar te prof. Sulejman Krasniqi, për t’i treguar atij se si keqtrajtohen të burgosurit politikë, ajka e kombit. Kështu që në mëngjesin e  06.01.1999, përpara se gardiani të më thërriste emrin, unë u ndava nga këta shokë që për katër muaj prej 11.09.1998 deri më 06 .01.1999, më respektuan si vëlla të një gjaku. Duke e ditur se kam një udhëtim të gjatë, ata më dhanë ushqim dhe pije të ndryshme. Në momentet e fundit të ndarjes sime me Ukshin Hoti më tha: “ Bravo të qoftë, për qëndrimin tënd, gjatë këtyre katër muajve në këtë burg të armikut. Bëj kujdes gjatë udhëtimit, mos komuniko, e mos trego çfarë kemi komunikuar këtu”, lotët e ndarjes bënë punën e vet. Bajrushi e shokët e tjerë më thanë–mirupafshim së shpejti në Kosovën e lirë.

Me kaq mbaruan burgjet ?

Jo. Në atë moment më thirri gardiani, për të më liruar nga burgu. Më hipën në një makinë. Unë mendova se po më përcillnin për në Shqipëri. Por ata më dërguan në një burg tjetër, që thirrej “Padiska Skella” Beograd. Aty kam ndenjur dhe dy muaj e gjysëm të tjera i keqtrajtuar. Në atë burg të burgosurit kanë qenë serb, por vetëm një ka qenë shqiptar prej Kumanove–Muhamet Hajredini. Mbas dy ditësh më ka marr komandanti i burgut në pyetje. Unë i thashë se kam ardhur në Kosovë për të vjedhur lopë, sipas deklaratave të bëra në burgun tjetër. Drejtori i burgut më tha: “duhet të qëndrosh këtu deri sa të  vijnë persona prej ambasadës së Shqipërisë që të të marrin, sepse nuk e ke asnjë lloj dokumenti”. E ka thirrur ambasadën në telefon më 15.03.1999, dhe ambasada iu ka përgjigjur: “silleni në ambasadë”. Kur kam biseduar me ambasadorin tonë në telefon i kam thënë:- “a mundesh të vish tek burgu, sepse këta gjatë rrugës më keqtrajtojnë”. Ai ka ardhur dhe më ka takuar duke më pyetur se a kisha dëshirë të khehesha në Shqipëri. Iu jam përgjigjur: “ Po”. Kështu që më 15.03.1999, më ka marrë dhe më ka dërguar në ambasadë. Aty më kanë nxjerrë në fotografi dhe më thanë se në 23.03.1999, ora 23.00. do të nisesha për në Shqipëri. Unë u nisa me tren në Mal të Zi. Aty ka ardhur në vijën e kufirit polici ynë dhe më ka marrë. Ishte 24.03.1999, ora 14.00, ku më kanë dërguar në spitalin e Shkodrës për të më dhënë ndihmën e parë. Kam patur rrjedhje gjaku në kokë mbrapa dhe të nxira në fytyrë.

Në Kukës, sapo kam mbërritur kam dhënë intervistë në radio dhe televizion. Ku ia kam treguar të gjithë këtë histori, ende kisha shenjat e goditjeve dhe torturave, të marra gjatë gjithë kësaj periudhe që isha në duart e serbëve. Në shtëpi kam ndenjur vetëm 9 ditë. Më 18.04.1999, unë shkova të takoj komandantin e Brigadës 127-128, Rruzhdi Saramatin. Edhe pse ende se kisha marrë veten mirë, u ktheva pranë shokëve të luftës, të cilët më pritën me kënaqësi. Kisha arritur të shpëtoja nga duart e barbarëve. Mora uniformën dhe shkova në Kalimash. Aty u ushtrova gjer në ditën kur u nisëm për në luftë më 09.05.1999.

Ishte kohë lufte. Ju kishit motive më shumë se kushdo tjetër për ta luftuar armikun?

Pasi kemi hyrë në brendësi të territorit të Kosovës në fshatin Gorozhup, pranë meje kam pasur Yllin, Janin, Arbenin, Bashkimin, Bugarin. Gjatë luftimit, unë  kur i shihja serbët duke gjuajtur në drejtimin tonë, çohesha në këmbë dhe gjuaja mbi to, sepse në ato momente më kujtoheshin torturat që kisha kaluar gjatë atyre muajve të qëndrimit në burgjet serbe. Ndërkohë kur po bëhej shkëmbimi i zjarreve me serbët, dëgjova nga shokët që është plagosur rëndë njëri nga luftëtarët më të dalluar, Gani Saramati. Menjëherë shkova e mora në krahë dhe e dërgova në spital në Pogaj. Ai ishte lënduar shumë në kokë. Por më shumë u hidhërova kur mora lajmin se na ishte vrarë vullnetari tjetër që kishte ardhur nga Berati për t’iu bashkangjitur radhëve të UÇK–së, Astrit Suli. Hapëm varret dhe varrosëm Astrit Sulin dhe dy shokët e tij. Pastaj bëmë pastrimin e minave nën drejtimin e Valbon Çollakut. Në momentet ku po bëhej luftë, meqenëse po granatonte NATO, ne me urdhër të komandantit u detyruam të tërhiqemi në Pogaj. Pas dy ditësh përsëri kemi patur luftime me serbët, në afërsi prej 30 metrash. Unë së bashku me Yllin qëlluam në drejtim të serbëve, duke u shkaktuar humbje palës kundërshtare. Në ato momente drejt pozicioneve serbe po vinte një veturë e zezë për të tërhequr kufomat e tyre. Unë qëllova me snajpër dhe Ylli bëri granatimin, duke e goditur veturën në xhamin e parë. Duke luftuar, u çliruan njëkohësisht disa fshatra si Stojk, Milë, Planejë, Kojush, Dobrush, Shkozë, Vërmicë, Vlashnje, etj.

Në bashkëpunim me NATO–n, bëmë pastrimin e terrenit të këtyre fshatrave nga serbët, ndërsa NATO hyri nga Morina. Gjatë pastrimit të këtij terreni Arben Rashkaj bie në një minë të vënë nga serbët. Fatkeqësisht ai aty humbet këmbën e djathtë.

Kemi shkuar në Nashec, ishte muaji qeshor 1999. Aty u vendos brigada 127–128. Ndërsa mua më dërguan tek shkolla e Vërmicës me shërbim.

Më datë 18.12.2000, në ora 08.00, të mëngjesit u nisëm së bashku me Hakinë nga Prizreni dhe shkuam në Prishtinë, në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në ora 11.00. Aty takuam së pari sekretaren Vlora Çitakun, e cila e lajmëroi në telefon Bajrush Xhemajlin, “ të ka ardhur një shok i burgut, nga Shqipëria”. Ishte një takim i ngrohtë shpirtëror mes dy shokësh të burgut, kujtuan të gjitha vuajtjet në burgjet serbe.

Pasi Bajrushi na mori në zyrën e tij, na porositi nga një çaj. Duke biseduar me të kisha dëshirë të dija rreth shokëve që kisha lënë në burg. Bajrushi më tha: “Me Libonin kam lidhje telefonike”. E pyeta për Naitin dhe më tha se është shumë i sëmurë. E në përgjithësi për shokët e tjerë, duke iu lutur Zotit, që edhe ata së shpejti do të kthehen në gjirin tonë, në Kosovën e lirë. Bajrushi kishte pyetur për mua, dhe fjalët që unë i kisha treguar në lidhje me pregatitjet ushtarake të ushtarëve të UÇK–së, nga Shqipëria dhe sjelljen e armatimit për në Kosovë, në kohën kur ne ishim në burg, i kishte vërtetuar pas daljes së tij nga burgu. Ai, ishte shumë i kënaqur me atë çfarë kishim bërë ne për vëllezërit tanë. Më mori dhe një hërë në përqafim ashtu si atë ditë kur u ndava me të nga burgu i Mitrovicës së Stremit. Ndjehem mirë se të gjithë ata që i përmenda janë liruar nga burgjet sllave dhe jetojnë në Kosovën e pavarur, pranë familjeve të tyre, përveç Ukshin Hotit, për fatin e të cilit ende nuk dihet gjë…

  • Marrë nga libri i autores- “Hasi mes Luftes dhe lirise”

   Prishtinë, dhjetor 2000

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: dhe burgjet serbe, Rajmonda Maleçka, shqiptaret

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT