• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2017

Debati:RESPEKT PER AKTORËT, POR JO PËR FILMAT

March 31, 2017 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/ NJU JORK/

3Kostreci hasan

Duke patur jo vetëm dashuri, por edhe pasion për artin, më kujtohet që qysh në fëmijëri kërkoja t’i ndiqja të gjitha kurset e hapura në atë kohë në shtëpinë e pionerit apo në atë të kulturës në Elbasan dhe duke qënë ato gjithashtu edhe me drejtues të mirë e të përkushtuar si zoti B. Qorri, që kishte rethin e letërsisë, zoti N. Bumçi rrethin e muzikës, profesor H. Çaushi kursin e kitarrës e të tjerë, i bënte ato ambiente tërheqëse dhe mjaft të këndëshme, por si nga familje e persekutuar dhe me biografi jo të pranueshme nga regjimi, si dhe shumë të tjerë, gjithmonë jam përjashtuar dhe asnjëherë s’më është dhënë mundësia që ato t’i përfundoj. E rëndë kjo sigurisht, aq më tepër kur diskriminimi në atë moshë ndjehet edhe më shumë, por megjithatë u mundova që atë boshllëk që m’u krijua, ta kompesoj duke parë filmat që çfaqeshin në atë kohë në kinemanë e qytetit duke filluar nga i pari film shqiptar “Tana’apo ‘Skënderbeu”më vonë i realizuar në bahkëpunim me kinematografinë Sovjetike e me radhë, por meqënëse në ato vite vinin, për fat, edhe mjaft filma të huaj, si italjanë, francezë, polakë, hungarezë ndonjëherë, bile edhe amerikanë, prodhimet e kinostudios “Shqipëria e Re” sa vinin e po  zveniteshin dhe askush nuk po interesohej që t’i shihte më. Kjo jo edhe aq për arësye të nivelit të tyre dobët, se sa prej përmbajtjes, ndonjëherë edhe qesharake. Megjithatë nuk mund të mohohen vlerat e disa prej aktorëve të asaj periudhe si N. Frashëri, K. Roshi, N. Luca, R. Ndrenika, R. Arbana e të tjerë, talenti i të cilëve pëlqehej dhe binte në sy, por ajo që sot po diskutohet, në se a duhen  çfaqur ato edhe sot, për mendimin tim, jo, sepse shumica e tyre ishin jashtë realitetit dhe nuk pasqyronin gjëndjen aktuale të kohës. Ishte sigurisht orientim dhe për këtë nuk mund të fajsohen as regjizorët, as kineastët dhe as artistët dhe meqënëse personazhet kryesorë të atyre filmave duhej qe të ishin patjetër o ndonjë kooperativist që bënte dy norma, o një traktorist që ngrihej me natë apo një ushtar vigjilent që azgjësonte këdo që donte të kalonte kufirin, prodhimtaria e kinostudios “Shqipëria e Re”, nuk po prodhonte më art, por vetëm ideollogji, propogandë dhe demagogji.

Tirana që ishte kryeqytet dhe presupozohej të kishte jo vetëm nivel, por edhe kërkesa më shumë në këtë drejtim se sa rrethet e tjera, duke hequr dhe përzënë nga regjimi një pjesë të mirë të inteligjencës egzistuese apo burgosur e pushkatuar dhe zëvëndësuar atë me një prurje masive nga zonat e thella të Shqipërisë, cilësia e shoqërisë edhe aty, sigurisht, ra dhe si rezultat edhe deformimet që ato filma paraqesnin,  jo vetëm që s’i komentonte njeri, por përkundrazi pëlqeheshin dhe nga pjesa më e madhe, shiheshin me kënaqësi. Fenomen që nuk ndodhte në disa qytete të tjerë, sidomos në Elbasan, Shkodër apo Kavajë, ku meqënëse popullsia edhe për një kohë, mbeti autotktone dhe e pa u përzjerë, kishte tjetër mentalitet dhe arsyetonin ndryshe.

Duke punuar me “Rruga Urën’, rasti më kishte rënë që të shkoja shpesh në veri e sidomos në Fierzë, ku në atë kohë kish filluar të ndërtohej hidrocentrali dhe kushtet e puntorëve në ato të ashtu quajtura “vepra të madhe”, qenë skandaloze. Kineastët kanë xhiruar, sigurisht edhe atje mjaft filma e dokumentarë, por asnjëherë ata s’janë njohur me jetën konkrete të atyre zonave. Kapanonet ku ata flinin, që realisht i pata parë vetë, nuk kishin ndonjë ndryshim  nga stallat e lopëve dhe për t’u ngrohur kur ata ktheheshin nga puna, përdornin një fuçi të madhe pa kapak, e cila gjithë natën villte tym dhe blozë dhe dukej tamam si një krater vullkani dhe e përzjerë me erën e çizmeve të llastikut, e bënin atë ambient vërtet kafshëror. Mencat gjithashtu ishin pa xhama dhe akull të ftohta dhe nga që shpesh s’gjendeshin as lugë, lëngun e hollë të fasuleve dhe pa yndyrë, e merrnin me koren e bukës, ndërsa çajin e darkës, pë të kursyer një tre lekësh, shumica e pinin pa sheqer. Në vitin 76, në mos gabohem, kur në veri ra një shi i madh, kuksianët për të kapur ndonjë kanaçe apo shishe coca cole bosh që Drini i solli nga shteti fqinj, rrezikuan jetën dhe u futën në ujin e ftohtë me gjithë rroba. I tregova këto dy episode, për të thënë që ky ishte realiteti i vërtetë i Shqipërisë në atë kohë dhe jo ajo që paraqitej nëpër ekranet e filmave apo të televizorëve. Kanë kaluar njëzet e gjashtë vjet dhe ende s’është bërë as dhe një dokumentar për t’i treguar gjeneratës së re se ç’ka parë dhe hequr ky popull, sepse ato që kameramanët në atë kohë kanë regjistruar dhe duan që t’i çfaqin edhe sot përsëri, nuk ishte Shqipëria e vërtetë, prandaj dhe nuk është e nevojshme që të gënjehemi e të mashtrohemi përsëri?

Ai që ka nostalgji, le të marë kaseta dhe t’i shikojë në shtëpi për hesap të vet, por jo populli që nuk do më as t’i kujtojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Kostreci, POR JO PËR FILMAT, RESPEKT PER AKTORËT

Nishani:Ne nuk mund të harrojmë, jo për t’u hakmarrë!

March 31, 2017 by dgreca

Presidenti Nishani në Simpoziumin “Historia e Mirditës në mes të katedraleve dhe kapedanëve”: Ne nuk mund të harrojmë, jo për t’u hakmarrë!/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi sot një vizitë pune në Mirditë, ku fillimisht u ndal Kishën e Shën Llezhdrit në Orosh (Ish-Abacinë) duke u mikpritur nga Imzot Cristoforo Palmieri, Ipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit dhe besimtarë të shumtë. Presidenti Nishani vizitoi edhe Shkollën e Mesme Profesionale “Shën Jozef Punëtori” ku u takua përzemërsisht me nxënësit e mësuesit duke theksuar rëndësinë e shkollimit e të përfitimit të dijeve, ruajtjes e pasurimit të vlerave dhe traditave më të mira të Mirditës, si dhe mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të disa fidanëve pemësh frutore mani nga bamirësja austriake Marianne Graf.

Më pas Kreu i Shtetit shqiptar përshëndeti Simpoziumin “Mirdita në mes të Katedraleve dhe Kapedanëve” në Pallatin e Kulturës të Rrëshenit, të organizuar nën kujdesin e Institucionit të Presidentit të Republikës ku ishin të pranishëm gjithashtu deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryebashkiaku i Miriditës Ndrec Dedaj, kryetari i Bashkisë Lezhë, Nënprefekti i Mirditës, autoritete dhe përfaqësues të pushtetit vendor, Imzot Palmieri dhe klerikë, historianë, akademikë, profesorë dhe banorë të shumtë të Mirditës e familje të shquara të saj.

Në fjalën e Tij me të këtë rast, Kreu i Shtetit, pasi u shprehu falënderimet për mikpritjen dhe vlerësoi referuesit e ndryshëm për punën e tyre intelektuale, kërkimore-shkencore sepse “kështu do të mbahet gjallë trashëgimia e jashtëzakonshme e vlerave historike dhe identitare shumëshekullore”, theksoi mes të tjerash: “Gjatë këtij muaji kam pasur rastin të udhëtoj në shumë treva shqiptare. Isha para disa javësh në Preshevë e Bujanoc, më pas në Gjirokastër, sot në Mirditë dhe kudo ku shkon gjen shpirtin dhe identitetin kombëtar shqiptar, zakonet, kulturën, dallimet e kësaj trashëgimie.”

Presidenti i Republikës vlerësoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Preng Marka Prengën (pas vdekjes) dhe Frrok Melyshin (pas vdekjes); ndërsa me Dekoratën “Nderi i Kombit” Preng Bibë Dodën (pas vdekjes) si dhe me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Derën e Gjonmarkajve me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në shërbim të mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe në mënyrë të veçantë, të trevës së Mirditës, për luftën shumëshekullore kundër pushtuesve të atdheut dhe për rezistencën e tyre deri në sakrifica sublime, kundër vendosjes së diktaturës komuniste në trojet shqiptare”.

Filed Under: Featured Tagged With: jo për t’u hakmarrë!, Mirdite, Ne nuk mund të harrojmë, presidenti Nishani

Kinostudio, Filmat, kategorizimi

March 31, 2017 by dgreca

1-gezim-llojdia

Nga Gëzim Llojdia/

Filmat e realizmit socialist mund ti ndajmë në këto kategori:/

Filmat Për luftën nacional-çlirimtare./

Filmat me temën   e socializmit./

Filmat për kohën e shkuar./

Filma me teme historike./

1.Le të shqyrtojmë veçse dy prej këtyre kategorive. Filmi me teme nga lufta nacional-çlirimtare. Filmi me temë nga lufta nacional-çlirimtare  sidomos  para viteve  ’70 kanë pasur skenarë të realizuar  me detaje të zgjedhura, por pse jo  të ndikuar nga propaganda duke mbivlerësuar rolin udheheqës të P.K. Në këtëo filma vrehet atmosfera e luftës ,ngase vitet nga lufta ishin më pranë, nëse kërkon si nisi apo  ndihej  vëllavrasja mes forcave kundërshtarë partizanë-ballistë ajo është realizuar në kontekstin e kohës .Në disa filma shquhet qartë vëllavrasje më sak ,qartësisht më mirë,ishte lufta për pushtet.

“Kujt ja merrte mëndja shkruante një  eksponent i Ballit  në një libër  të tij se lëvizja komuniste ishte një përrua i vogël ,që u bë lumë”.Filmi “”Malet me blerim mbuluar” mbetet më tipiku,për të parë dhe analizuar luftën e dytë botërore .Skena e dasmës është më tipikja e ndërtuar  duke treguar një realitet, që ka ekzistuar në kohën e zymtë të luftës së dytë botërore. Kuptohet si çdo film i realizmit socialit edhe ky film nuk do të shfaqej nëpër kinema nëse nuk nxirte ne pah ,qëllimin kryesor për të cilin u realizuar. Filmi Kur zbardhi një ditë”, dhe disa prodhime të tjera janë marrë më tepër ca tregime të A.Kondos ,ku shquhet loja e disa aktorëve të shquar të kinematografisë shqiptare të kësaj periudhe,por në kontekst të kohës mbivlerësohej roli i fituesit në luftë . Filmat ,që i përkasin kësaj periudhe kanë brenda edhe realitetin e tyre,pavarësisht shtrëmbrimeve apo ndikimeve .Duhet të jemi koshiqet se asnjë krijim për luftën nuk do të shihte  dritën nëse ai nuk do të kalonte censurën e plotë dhe a mundej që ti shpëtonte kësaj censure ?

Aktori K.Skrami më tregonte se në një dramë të teatrit të Vlorës pasi të shfaqej për  publik kalonte në censurë ku sigurisht vërejtjet për atë këtë etj duhej të bëheshin. Regjizori u tregua i zgjuar dhe vendosi një gurë të madh mes të skenës. I deleguari i partisë tha:Drama është realizuar mirë vetëm ai guri duhet hequr.Aktori A.Vërria më ka rrëfyer ca kohë më parë se filmin :”Thirja” 1976 është realizuar dy herë.Pasi përfundoi filmi ,udhëheqja vendosi të  zvëndesohej R.Ndrenika dhe në vend të tij vendos A.Cerma,kështu që filmi u realizuar më të shumtën e tij për herë të dytë,vetëm sepse atje luante  aktori Ndrenika,që kishte probleme politike. Kështu që askush të mos mendoj se filmat i shpëtuan censurës.

2.Filmat me temën   e socializmit .Filmat të cilat u realizuan  pas viteve  ‘60-70 patën sukses dhe  ruajtën një nivel të lartë artistik si dhe janë ndër filmat të cilët  sot ndiqen me interes pavarësisht gafave apo shtrembërimeve që u janë bërë mirëpo në këtë kategori hyjnë filma të cilët janë  i përkasin nivelit mediokër propogandistik etj.Ajo që duhet mbajtur parasysh është se asnjë film sado i realizuar mirë nuk dilte shfaqej në kinematë shqiptare apo në vatrat e kulturës së fshatrave n pa u parë imtësisht nga struktura të veçanta duke filluar nga KQ e deri tek komitete e partive  të rretheve.

Për çdo sektor u realizuan filma të veçantë artistikë .

Ja disa :Për tokën Filmi:”Brazdat”.Për aviatorët “Filmi Aviatorët’.

Për ushtarët .Për minatorët:’Era e ngrohët e thellësive’.Për Hekurdhën”Binarët” etj.Për montatorët’”Montatorja”.Për qytete e reja;Filmi për Ksamilin. Për naftëtarët. Për të gjitha fushat e jetës u krijuan dhe u realizuan filma. Por të gjitha krijimet  realizmit socialist edhe filmat nuk mund ti shpëtonte dot asgjë censurës dhe për asnjë arsye .Filmat e kësaj periudhe mund të shfaqen me okelio sipër moshat nuk është nevoja për orar të caktuar.Disa prej tyre që janë fund e krye propagandë mund edhe të hiqen.

2. Filmat e ndaluar:Ajo që nuk është vënë në dukje në këtë debat të gjerë është se ka pasur një kategori filmash të cilat u ndaluan. Arsyet ose  autorët kishin tradhtuar sipas gjykimit të kohës ose  kishin devijuar nga vija e partisë. Kështu mund të përmenden disa prej tyre të cilat u hoqën nga shfaqjet për publik dhe u ruajtën vetëm në fondin e kinematografisë .Këta filma shfaqen aktualisht pas viteve ’90. Por ka pasur edhe filma si :”Gunat për mbi tela” ky film u shfaq vetëm disa herë dhe më pas u çua në arkivi e fondit për tu gjendur vetëm pas viteve ‘90. Nuk kishte realizëm realist por më tepër kishin dalur antenat e Tv në mjediset e luftës së Vlorës. Edhe disa filma të tjerë pësuan këtë fat .Mund të përmendin filmin :”Përse bie kjo daulle” bazuar mbi romanin mediokër të Kadaresë ku ishte vete autori që në shkrim të gazetës :’Zëri i Popullit” e vendosi krijimin e tij mes realizimeve mediokre. Debati është i drejt por mbi këto filma s’mund të bëhet më asgjë për ndërhyrje ngase kërkojnë shpenzime të mëdha. A nuk ja vlen të kujtojmë se disa vite më parë Vizion plus në platformën e tij shfaqte filmat shqiptarë duke i shoqëruar më komentet e autorëve të filmit në fillim,ose në fund të tij,por zakonisht në fund të filmit. Shumica e autorëve të këtyre realizimeve sot kanë ndërruar jetë dhe kjo  formë nuk mund të aplikohet më. Vendosja e një okelio për moshat sipër filmit ose në hyrje të filmit mund të shkruhet,thjesht vetëm nj faqe për filmin,kohën realizmit dhe aryset  e realizimit duke ju bashkëngjitur filmit.Ky shënim me germa vendoset në fillim për disa sekonda pastaj të shfaqet titrat e filmit dhe producenti i tij sic është krijimi artistik i kohës.Vetëm kjo mund të bëhet me këtë prodhim artistik që ka mbetur nga koha e realizmit socialist.

Filed Under: Politike Tagged With: Filmat, Gezim Llojdia, kategorizimi, Kinostudio

A është korrekt shtypi shqiptar?

March 31, 2017 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat  Kripa/ Nè kètè shkrim dua tè ngre njè çèshtje mjaft tè rèndèsishme të ditëve të sotme:A èshtè me tè vèrtetè  korrekt shtypi nè Shqipèri?Lidhur  me  sa  mè  sipèr  dua  t’jua  konkretizoj   me   njè  shembull. Nè  datat  13, 16, 18 dhe 20 mars u kam dèrguar me e-mail gazetave “Telegraf”, “Mapo”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Panorama”, respektivisht zoterinjve Engjell Musai, Fitim Zekthi, Elsi Murati dhe Robert Rakipllari shkrimin “Refleksion i ditève tè zeza tè 1997-ës” me rastin e 20 vjetorit tè atyre ngjarjeve tragjike ku  shkruaja:“Po ju dèrgoj shkrimin kushtuar kujtimeve tè mia pèr periudhèn e zezè tè vitit 1997. Nè rast se e shihni tè arsyeshme botojeni, nè tè kundèrt do tè doja njè pèrgjigje nga ju. Me respekt. Reshat Kripa

  Çuditèrisht kaluan  ditè te tera dhe as shkrimi u botua dhe as mè erdhi ndonjè pèrgjigje. Sè fundi  ua  dèrgova gazetave “Koha Jonè”  dhe “55” qè e botuan, madje zotèrinjtè Mili Hoxha dhe Ilir Nikolla mè njoftuan mè parè pèr botimin dhe për këtë i falënderoj për korrektesën e tyre.

Shtoj se ky nuk èshtè rasti i vetèm qè mè ndodh njè gjè e tillè. Gjatè periudhès 2012-2017 iu kam dërguar edhe herë të tjera shkrime këtyre gazetave dhe përsëri asnjera nuk ka denjuar të më ktheje  përgjigje megjithëse ua kam kërkuar një gjë të tillë, aq më tepër që shkruesi i këtyre radhëve asnjëherë nuk  ka këkuar apo përfituar ndonjë honorar për botimin.

Personalisht nuk kërkoj që detyrimisht  ata duhej t’i botonin shkrimet e mia pasi kjo varet nga këndvështrimi i tyre, por etika gazetareske i detyronte  që të më kthenin  përgjigje aq më tepër kur këtë ua kërkoja unë. Ndaj është pikërisht kjo që më detyron të mendojë se në Shqipëri nuk ka shtyp korrekt dhe të pavarur. Mungesa e korrektesës është vesi me i ulët për çdo njeri por në mënyrë të veçantë për një intelektual dhe për një organ që e quan veten korrekt dhe të pavarur.

Duke përfituar nga shkrimi i mësipërm dua t’ju lexoj vargjet e një poezie të  shkruar disa vite më parë që i përshtaten çështjes që sapo ngrita të titulluar: “Zë në shkretëtirë”:

           Ditën rri menduar, natën rri pa gjumë,

         Zemra turbulluar, nuk e di as unë.

         Hidhem e përdridhem, mendjen vras më shumë.

         Të gjej të vërtetën, kur punët venë lumë.

 

         Dua që të shkruaj, dua që të flas,

         Dua që të ndihem, dua të thërras,

         Sado që mundohem , sado që bërtas,

         Hap pas hapi ndeshem, male rrugës has.

 

         Zëri im i dobët, zëri im i fortë

         Ngjan si pëshpërimë, ngjan si zë i kotë,

         E mbulojnë atë, zhurmë zërash plotë,

         Zërat e çakejve, që sundojnë në botë.

                                               

         Janë po ata zëra, shumë kemi dëgjuar,

                    Hosana t’u bëjnë idhujve dështuar,

        Idhujve të kohës, kohës perënduar,

        Idhujve  përçmuar, plot me turp mbuluar.

        

        Këta shakaxhinjë, oh të përparimit,

        Si ç’i quante Noli, pjellat e mashtrimit,

        Vallë si nuk skuqen, në pellg të mjerimit,

        Ku kanë hedhur veten, turpi njerëzimit?

 

        Si nuk kanë sedër, kur thërrasin haptas,

        Ca janë  të djathtë, të tjerë janë majtas,

        Ca janë zhonglerë, klloun ecin praptas,

        Kudo vjellin vrerë, me turpin  janë baras.

           

        Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,

        Nga këta “bandillë” këta “xhevahirë”,

        Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,

        Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë! 

E pra, unë nuk dua të mbetem zë në shkretëtirë. Zotërinjtë e përmendur më sipër po të munden le të përgjigjen në organet e medias shqiptare.

Bashkangjitur keni edhe shkrimin”Refleksion i ditëve të zeza të 1997-ës” Lexojeni dhe gjykoni.

Në kuadër të 20 vjetorit

Refleksion i ditëve të zeza të 1997-ës

Disa ditë parë  ndërsa zbrisja nga  kodrat e qytetit ku kisha dalë për shëtitje, u ndala në një bar dhe porosita një kafe. Në dy tavolina pranë meje qëndronin disa burra që nuk i njihja se kush ishin dhe që ia kishin shtruar me raki dhe meze dhe bisedonin me zë të lartë. Biseda e tyre ishte përqëndruar në ngjarjet e vitit 1997. Mendimet e tyre ishin të ndryshme. Disa ia hidhnin fajin ish presidentit të asaj kohe që me autoritarizmin e tij paskësh shkaktuar revoltën popullore.. Të tjerë flisnin se si ka mundësi që udhëheqës të së majtës të lëviznin fare lirshëm në Vlorën e ndezur flakë të atyre ditëve, kur shumëkush nuk guxonte as të dilte në qytet. Madje njeri prej tyre tregonte se si nje ish-udhëheqës i së djathtës shqiptare, që na ishte shndërruar papritmas në të majtë,  në nje miting të organizuar në  sheshin historik të qytetit paskësh deklarur se si Vlorën do ta bëjmë të gjithë Shqipërinë dhe, si për ironi Vlora në atë kohë ishte kthyer në gërmadhë. Kudo shihje godina dhe banesa të hedhura në erë. Ngado dilte tym dhe flakë. Siç duket zotnia në fjalë kështu donte ta bënte të gjithë Shqipërinë. Çuditërisht ky zotni, pas përfundimit të turbullirave, për këto “merita“, u shpërblye me poste ministri dhe diplomati

Në mes të kërij diskutimi të zjarrtë, njeri prej tyre thirri me zë të lartë:

– Vlora i vuri zjarrin Shqipërisë!

Ndjeva një revoltë brenda vetes sime. Pa e kuptuar as vetë, si vlonjat, nga brenda ndërgjegjes më doli pyetja:

– A e ka hak Vlora një emërtim të tillë?

Për një çast m’u duk sikur qytetit tim iu mohua e kaluara dhe heronjtë e saj, ju mohua 1912-ta dhe 1920-ta, ju mohua  lufta kundër pushtuesve dhe rezistenca kundër komunizmit, ju mohua Ismail Qemali dhe Qazim Kokoshi, Osmën Haxhiu dhe Qazim Koculi, Hysni Lepenica dhe Skënder Muçua, si dhe plot burra të tjerë që tashmë kishin hyrë në analet e burrave të shquar të këtij kombi. Iu mohua gjaku i  të rënëve në luftën për liri, iu mohua gjaku  i mbi 600 të pushkatuarve nga diktatura e kuqe, iu mohuan sakrificat e mbi 4000 të burgosurve politikë dhe mbi 7000 familjeve të internuara, iu mohuan vuajtjet e një numri rekord mbi 40.000 të përndjekurish politikë që kishin ndjerë mbi shpatullat e tyre shtypjen gati pesëdhjetë vjeçare të diktaturës më të egër në botë.

Por iu mohua edhe kontributi i dhënë prej saj në ditët e para pas përmbysjes së madhe të sistemit totalitar.          Iu mohua 27 nëntori 1991 kur dy djem vlonjatë Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu  në mënyrë demonstrative grisën dhe dogjën yllin e urryer që komunizmi kishte vendosur mbi flamurin kombëtar. Iu mohua 28 nëntori i po atij viti, dita e festës kombëtare kur të përndjekurit politikë dhe populli i rrethit të Vlorës do t’i thonin ndal kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, duke mos e lejuar të ngrejë flamurin kombëtar në shtizën e tij historike. Atë flamur e ngritën duart e pastra të Altin Kokoshit, bir i një familje të nderuar nacionaliste. Kjo do të ndodhte në një kohë kur parlamenti shqipëtar nuk e kishte miratuar ende heqjen e yllit nga flamuri.

Ishin familjet fisnike vlonjate ato që, me gjithë kushtet e terrorit, u bënë strehë për djemtë e SHIK-ut dhe policisë duke i strehuar në shtepitë e tyre për t’i shpëtuar nga masakrimi i përbindshave të droguar që vepronin në atë kohë në qytet.

Ato ditë në Vlorë filloi të shfaqej një simbol i ri, simboli serb i tri gishtave. Por atë simbol nuk e sollën vlonjatët. Atë e sollën banditët që erdhën nga qytetet e tjera dhe që u ngritën në krah po nga banditët e Vlorës. Natyrisht që në atë katrahurë që u gatua edhe vlonjatët kanë pjesën e tyre të fajit, ashtu si e kanë edhe qytetet e tjera, me përjashtim ndoshta

të Shkodrës, Kavajës apo ndonjë qyteti tjetër

Ata u bënë pre e një indoktrinimi të paparë ndonjëherë. Por ky indoktrinim nuk filloi në vitin 1997. Për atë ishte investuar që me rënien e monumentit të diktatorit më 20 shkurt 1991. Atëherë mendonim se me rrëzimin e monumentin kishim rrëzuar edhe  mentalitetin e diktatorit. Por gabuam. Kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumnenti, ndërsa shpirtin e tij e kishim lënë të lirë për të përgatitur kasaphana të tjera. Nuk është rastësi që qysh në vitin 1991 në Vlorë të lindnin kërpudhat e para me helm të quajtura “VEFA‘’ dhe ‘’GJALLICA‘’, për të vazhduar në vitet e mëvonshme me të tjera të quajtura ‘’KAMBERI‘’, ‘’CENAJ‘’ dhe ‘’SILVA‘’, në krye të të cilave qëndronin ish-oficerë të sigurimit të zi të shtetit apo njerëz të lidhur me ta.  Ato nuk droguan vetëm popullin e Vlorës, por i shtrinë tentakulat e tyre në të  gjithë Shqipërinë. Ato mashtruan edhe Qeverinë Shqiptare që u tregua e pa aftë për t’i ndaluar.

Shpesh herë  lexojmë nëpër gazeta apo dëgjojmë të ashtuquajtur analistë që të thonë se  protestat  në Vlorë paskan qënë të organizuara nga populli dhe paskëshin qënë paqësore, se ato u bënë për të kërkuar paratë e humbura në firmat huamarrëse dhe si pasojë e indiferencës së qeverisë së atëhershme. Nuk dua të mbroj atë qeveri e cila duhet ta mbajë vetë përgjegjësinë e saj, por duhet të them se protestat nuk kanë qënë asnjëherë paqësore.

A mund të quhet paqësore revolta e parë më 16 janar 1997 kur nuk u lanë më gur dhe sende të tjera të forta pa u hedhur mbi muret, dyert dhe dritaret e bashkisë së qytetit? A mund të quhet paqësore djegia e bashkisë më 26 janar? Po sulmi mbi komisariatin e policisë më 10 shkurt a ishte i tillë? Pamjet e transmetuara  nga rrjeti televiziv Euroneës përpara restorant Holliday tregon qartë se sa paqësor ishte. Po vrasjet dhe rrëmbimet e qytetarëve dhe bisnesmenëve a ishin paqësore? Si dhe ku u zhduk biznesmeni Pirro Kodhima, një nga nismëtarët e rrëzimit të monumentit të dikatorit, eshtrat e të cilit edhe sot ende nuk janë gjetur? Kulmi i egërsisë do të arrinte më 28 shkurt me masakrën para zyrave të SHIK-ut. Kush e organizojë sulmin kundër punonjësve të SHIK-ut, ku mbetën të vrarë dy të përndjekur politikë, Lek Çoku dhe Besnik Hidri, gjakun e të cilëve e thithi një vampire që më vonë do të shpërblehej me një post drejtoreshe? Kush e kultivoi këtë urrejtje kaq të madhe, në një kohë kur për ish sigurimin famëkeq të shtetit totalitar, kur njihen botërisht krimet e kryera prej tij, në vitet 1992 nuk pati asnjë reagim të tillë hakmarrës.  Kush e organizoi pritën kundër punonjësve të policisë së qytetit ku mbetën të vrarë tre vetë, midis të cilëve dy të përndjekur politikë, Besim Manoli dhe Gëzim Shabani, të dy bij ish të burgosurish? Kush i vrau punonjësit e policisë Valter Harizajn dhe Viron Rapajn edhe këta dy të përndjekur politikë?  Si për çudi në ato ditë vriteshin kryesisht ish të përndjekurit politikë.

Çdo gjë në ato ditë në Vlorë zhvillohej nën drejtimin e përsosur të një dirigjenti të padukshëm. Dihej që më parë çdo gjë që do të ndodhte. Një zë misterioz pëshpëriste me saktësi kohën dhe vendin ku do të ndodhte aksioni. E megjithatë asgjë nuk e pengonte. Kështu ndodhi me djegien e bashkisë, plaçkitjen e depove të rezervave të shtetit, grabitjen e bankës tregëtare dhe asaj bujqësore, djegien e doganës, bibliotekës dhe  objekteve të firmave huamarrëse për të përfunduar me hapjen dhe grabitjen e armëve te depot e ushtrisë shqiptare.

Por çudia më e madhe ishte ajo që zor se mund të besohej. Si u hipnotizuan turmat nga demagogjia e kërbaçit? Si është e mundur që në mes të këtyre turmave të kishte edhe prej atyre që dikur e hiqnin veten si demokratë dhe përgjëroheshin për demokracinë? Si është e mundur që në këtë vorbull të futeshin edhe disa ish të përndjekur politikë apo anëtarë të partive të tjera të djathta nacionaliste duke harruar gjakun e të parëve të tyre, duke harruar vitet e burgut apo internimit të tyre? E ardhmja do t’i vërë vulën përgjigjeve për këto pyetje.

Ngjarjet absurde të atyre ditëve ishin të panumurta, por unë do t’ju kujtoj vetëm tre prej tyre që me janë ngulitur në mendje.

Ishte dita kur digjej bashkia. Si për ironi, zjarri ishte vënë në zyrat e komisionit të kthimit të pronave. Sigurisht donin që këto prona të mos u ktheheshin pronarëve të ligjshëm. Njëri nga zjarrvënësit  kishte  mbetur  i  rrethuar nga flakët në zyrat e katit të sipërm ku ishte edhe kontrolli i shtetit. Zjarri nuk e lejonte të largohej nga porta dhe mundohej të shpëtonte nga djegia duke u ngjeshur pranë dritares. Në atë kohë punonjësit e zjarrfikses që kishin mbërritur për të shuar zjarrin, i hodhën një litar me të cilin ai mundi të zbriste poshtë. Nuk më habiti veprimi i zjarrfiksve, se ai ishte një veprim human, por çudia ishte kur një pjesë e mirë e turmës që bënte sehir nga poshtë, brohoriste ‘’heroin zjarrvënës‘’ për veprën që kishte kryer, dhe ai kalonte krenar në mes të tyre. A keni dëgjuar ndonjëherë për të tillë absurditet ku të përshëndetet ‘’Neroni‘’ që i ka vënë zjarrin qytetit të tij? Kjo ndodhte në qytetin tim në ato ditë të çmendura.

Porsa ishim kthyer nga ceremonia e varrimit  të  të ndjerit Enver Sorra. Një zjarr i paparë i të gjithe llojeve  të armëve kishte mbuluar qiellin. Ngado shiheshin njerëz që bridhnin nuk e di se për ku me armë nëpër duar duke thirrur:

– Kanë ardhur helikopterët e Saliut. O burra t’ua sh………. nënën!

Ndërkaq në qiell nuk shihej asnjë helikopter apo avion. Duke kaluar nëpër rrugicën që të shpinte në shtëpinë time, nga një portë aty pranë doli një djalë që nuk duhej të ishte më shumë se shtatëmbëdjetë vjeç me fytyrë të shpërfytyruar dhe me automatik në dorë, duke vrapuar për në ‘’frontin e luftimeve‘’ duke sharë me shprehjet më banale qeverinë dhe Presidentin e Republikës, ndërsa nga pas e ndiqte me lot ndër sy dhe duke iu lutur që të kthehej e ëma, një grua që dikur punonte si punëtore bujqësie në ndërmarrjen ullishte, ndërsa në atë kohë kishte mundur që së bashku me të shoqin të hapte një dyqan ku tregëtonte prodhime ushqimore. Edhe sot e kësaj dite nuk arrij të kuptoj se kush ia kishte grumbulluar atij djaloshi këtë urrejtje kaq të madhe, kur nga një familje që deri më dje nuk arrinte të mbushte as barkun me bukë, sot bënte një jetë më se të rregullt? Kundër kujt shkonte të luftonte? Nëqoftëse ai djalosh paska patur të drejtë, atëhere çfarë mbetet për ne që diktatura na vrau njerëzit më të dashur, që na burgosi dhe internoi për vite dhe vite me rradhë? Ç’duhet të bëjmë ne?

Në  mbrëmje  televizionet  dhanë  lajmin  se ata helikopterë ishin një  aksion  blic  i

marinës  dhe  i  aviacionit  italian  për  të tërhequr qytetarët e tyre që punonin në qytetin e Vlorës.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në ditët e para të marsit  të  atij viti. Në rrethana që akoma nuk janë zbuluar, pranë Urës së Mifolit vriten inxhinieri i talentuar Ridi Hamzaraj së bashku me të ëmën e tij. Një zë i fshehtë pëshpëriti se i paskëshin vrarë forcat e Gazidedes  në Urën e Mifolit, kur dihej që kjo urë ishte nën kontrollin e fortë të bandave të të ashtuquajturit Komitet i Shpëtimit Publik dhe ato të  Zani  Çaushit.. Për çudi këtë variant e besuan edhe një pjesë e njerëzve. Si mund të besohej një absurditet e tillë? Kush ishte Ridi? Ai ishte shef i urbanistikës në bashki,  ish i përndjekur politik. Atëhere kush kishte interes për zhdukjen e tij? Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë e gjithë Vlora. Funerali u nis nga shtëpia e tyre në Skelë dhe vazhdoi gjatë bulevardit që të shpie në Vlorë. Gjithçka po shkonte sipas riteve të një funerali të tillë. Kur arkivolet me trupat e të ndjerëve mbërritën në Sheshin e Flamurit, atje tashmë ishin vënë në funksionim për xhirim kamerat e Euroneës-it, Doice Ëelle-s, Rai 3-it, televizionit lokal të lindur ndër ato ditë, “Teleblu”, dhe plot kamera të tjera të televizioneve të huaja. Pikërisht në atë kohë dirigjenti i padukshëm dha komandën dhe nga turma një grup njerëzish thërritën:

– I vrau qeveria! I vrau qeveria! – duke e shoqëruar këtë me përplasje pëllëmbash.

Ishte kjo komandë që e bëri turmën, edhe kundër vullnetit të saj, të uleshin për tokë dhe të ngriheshin përsëri sipas ritmit të këtij dirigjenti misterioz. Manipulimi i turmës pjesmarrëse në ceremoninë mortore ishte i plotë. Së bashku me një mikun tim u larguam nga ajo turmë. Me ne u larguan edhe shumë të tjerë. Më erdhi shumë keq që nuk munda të hedh një grusht dhe mbi varrin e atyre fatkeqëve, aq më tepër se me ta kemi patur miqësi familjare, por nuk mund të pranoja që të bëhesha bashkëpuntor i atij manipulimi të paskrupull. Në mbrëmje televizionet në fjalë,  në emisionet e tyre informative, akuzonin qeverinë shqipëtare për këtë vrasje.

Sot, njëzet vjet pas atyre ditëve të errëta për kombin tonë, dëgjojmë zëra majtas dhe djathtas që pëshpërisin sipas orekseve të tyre. Madje disa janë edhe figura të njohura të politikës dhe publicistikës shqiptare, ish pjesëmarrës në këto ngjarje, pro apo kundra. A do të zbardhet ndonjë ditë kjo ngjarje? Ndoshta, për fat të keq, vetëm atëherë kur ata që e përgatitën dhe pinjollët e tyre të mos jetojnë më.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: A është korrekt, reshat kripa, shtypi shqiptar?

Me detarët e “Ilirisë” dhe kadetët e FSK në Adriatik

March 30, 2017 by dgreca

1 LISUS

Reportazh nga Shefqet Kërcelli/

3 anija

Agimi në portin e Durrësit/

2 Ushtaret adriatik

Ditë marsi. Ora shënon 6.30 të mëngjesit. Mbasi përshëndesim rojet e sigurisë të portit bashkë më kryemotoristin Fredi Mara të anijes “Iliria”, shijojmë agimin e një dite të re nga moli “0” i portit të Durrësit. Është kënaqësi e vecantë për cdo qytetar, vizita në portin e Durrësit, në këtë nyje të rëndësishme tregëtare të shqiptarëve. Gjykuar nga përmasat, dimesioni ekonomik e transporti detar, porti është një tregues, zemër dhe puls i vërtetë jo vetëm për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë. Zgjimin e portit e bëjnë anijet e peshkimit, të cilat mbas një ditë-nate të lodhshme, kalojnë lehtësisht kanalin hyrës të portit nën shoqërinë e disa pulëbardhave dhe bregëzojnë anijet në molin e tyre që kufizohet me skajin juglindor të trageteve. Brenda një kohe të shkurtër shokë të mi bëhen detarë të moshuar që kontrollojnë parangallët e hedhur një natë më parë, detar Florian Lilaj, që drejton skafin e kapitenerisë dhe zoti Oliver, përgjegjës për këtë pjesë të portit. I hedh një vështrim portit nga feneri jeshil, nga ky syri afër dhe larg, të kap krahët e vincave të fuqishëm të vjetër dhe të rinj. Më tutje të molit lindor më shfaqet hijerëndë silueta e bigës “Adem Reka”. Më ngjall shumë kujtime kjo bigë me histori të vecantë. Por, sakaq shoh pilotin e parë që shkëputet nga moli 5 dhe më shpejtësi del në anë të kanalit hyrës. E njoh, skafi i Enkelejd Shedullës që pret tragetin e mëngjesit “Adria”. Ndërkohë rimorkiatorët “Durrah” dhe “Epidamn” shoqërojnë tragetin “Adria” për tja bërë atij bregëzimin e sigurt. Disa peshkatore kthehen, disa të tjerë dalin për të filluar gjuetinë. Pamvarësisht mjegullës së mëngjesit, i bëra fotografi dhe i urova fat e gjueti të mbarë këtyre njerzve të guximshëm. Më pas fotografoj anijet e klasit GSM, të mbushur me kontenierë, godinat e institucioneve detare, rimorkiatorët e kompanisë së mjeteve detare, {ASHD}, anijet e transportit “Frojdi”, “Kristi I” të cilat përpunohen në port dhe skafet e pilotimit. Në molin 1 dhe “0” krahas mjeteve të pastrimit detar zënë vend skafet e institucioneve të ndryshme detare, Policisë Kufitare, Sigurisë të Autoritetit Portual, Kapitenerisë, Presidentit, Hidrografisë, Guardia Financës, zhytësat e Portit dhe ngjitur me fenerin e kuq, anija “Iliria” dhe MV “118” të Forcës Detare. Anash syri më kap skalierën e portit të peshkimit. Brenda pak minutave, me një vëzhgim të thjeshtë të krijohet përshtypja se Porti i Durrësit në vetvete përbën një pasuri të madhe. Është shkruar mjaft për këtë port të lavdishëm, që daton njëherësh me krijimin e qytetit, por ky mëngjes më thotë:- zotërinj krijues, keni shkruar pak për këtë port, pasuri të cmuar të kombit tonë. Sepse ky port shënon cdo ditë një histori, një tregim, një rrëfenjë, një histori të re. Ndërsa jetoja me këto mendime, shoh kamionët që zhurmshëm drejtohen tek depot e molit 3 dhe anijet, ndërsa skafi i kapiten Lulëzim Hates lëviz me shpejtësi për të pritur tragetin e radhës “Ventouris Ferries”. E kështu në portin e Durrësit, rrjedh një mëngjes i zakoshëm, i zhurmshëm, plot lëvizje dhe jetë. Më gëzon fakti që ky port gëlon cdo ditë dhe si një barometër i vërtetë tregon dinamikën e qytetit tonë. Natyrisht shumica e qytetarëve durrsakë, të rrëmbyer nga rutina e përditëshme, nuk e dinë se cfarë ndodh në port. Në fakt Porti me gjallërinë e tij, thyen përgjumjen e qytetit të Durrësit, ndaj lum si ai që shijon agimin e tij. Nderim dhe respekt të vecantë për të gjithë marinarët, specialistët, dokerët, vincierët, dispecerët, agjensitë detare, etj. të cilët me mund e sakrifica mbajnë gjallë aktivitetin e portit të Durrësit.

Miq të vecantë tek anija “Iliria”

Anija “Iliria”, anija flamurtare e Forcës Detare, qëndron hijerëndë tek moli “0” i portit të Durrësit. Kapiteni i anijes, Taulant Bako, bashkë me ekuipazhin kanë erdhur qysh herët në mëngjes dhe po bëjnë gati anijen për lundrim. Punët e detarëve nuk mbarojnë asnjëherë. Fillojnë herët në mëngjes me pastrimin, kontrollin dhe lëvizjen e mekanizmave, motorave dhe aparaturave; pastaj mbas cdo lundrimi, cojnë në vend gjithshka dhe organizojnë shërbimin e radhës. Shoh se këtë mëngjes djemtë e “Ilirisë”, po tregojnë merak të vecantë në përgatitjen e anijes. Mbasi ngrenë flamurin bëjnë instruktazhin e radhës dhe shkojnë nëpër postet e tyre. Ndërsa Komandanti i anijes me vartësit e tij zenë vend tek Ura e Komandimit, kryemotoristi Fredi Mara, motoristët Naltin Mersinllari dhe Ilir Qosja, provojnë gatishmërinë e motorrave. Dhe postet e tjera raportojnë gatishmërinë. Shoferi Lulëzim Voci bën furnizimin e anijes me ujë. Gjithëshka në anije është gati. Interesohem për itinerarin e këtij lundrimi. Përgjigjen ma jep Komandanti i Grupit, Kapiten i Rangut të II-të Lulëzim Kryeziu, i cili ka erdhur herët për të ndjekur përgatitjen e anijes. Kemi miq të vecantë sot, më thotë kapiteni. Do lundrojmë drejt Pashalimanit, duke pasur në bord kadetët e Qendrës  së Studimeve Universitare të FS Kosovë. Është nder i vecantë për anijen tonë të ketë në bord miq të tillë, thotë kapiten Taulanti, ndaj në këto raste i zoti i shtëpisë shton dicka. Mbas pak minutash në sheshin para anijes shohim disa djem të rinj me uniformën e kadetëve dhe emblemën e Republikës së Kosovës që afrohen drejt anijes. “Jemi të impresionuar. Nuk mund ta imagjinomin para disa vitesh se do vinte një ditë e tillë”, thotë major Blerim Cufaj, drejtuesi i ekipit. Ushtarakë nga Kosova të lundrojnë me anijet e Flotës shqiptare?! Ëndërr! Tashmë realitet. E kemi parë vetëm në hartë. Mirënjohje për ata që e sollën këtë ditë, shprehet major Cufaj.  Mirëseardhët në anijen “Iliria” i uron kapiten Luli. Të shoqëruar nga Komandant Taulanti, miqtë e cmuar i drejtohen urës së Komandimit në Anije, për ti treguar se tashmë jeni pjesë e ekuipazhit të anijes. Kërshëria dhe interesimi i kadetëve është i madh. E fillojnë me portin e Durrësit. I shpjegojmë një historik të shkurtër, përmasat dhe karakteristikat kryesore teknike të tij. Ndërkohë kapiteni jep komandën: për lundrim! Ndërsa MV 118 i ka liruar krahun, “Iliria”, lëshon cimën, kryen manovrën e radhës, kalon fenerët hyrës dhe futet në kanalin e portit. Në një det të qetë, anija le në të majtë anijet e radës dhe përshkon lehtësisht gjirin e Durrësit.

Nga Kepi i Lagjit në Pashaliman

Mjegulla që qarkonte bregdetin shqiptar atë ditë kufizonte fushpamjen e tij. Sidoqë kapiteni u përpoq të afronte anijen sa më afër bregut, shikimi ishte i pamundur, kështuqë djemtë e “Ilirisë” i shpjegonin vendodhjen nëpërmjet apraturave moderne të anijes. Cdo oficer apo detar i anijes, përpiqet të shpjegojë dicka për postin e tij, detin, historinë dhe gjeografinë detare. Një lëksion i hapur me përmbajtje civilo-ushtarake në detin Adriatik. I sapo kthyer nga një trajnim në SHBA, Kapiten Lejtnant Mufit Ferraj me dashuri e pasion i flet për anijen, të dhënat tekniko-taktike, rolin, misionin, operacionet e kryera gjatë këtyre viteve, ndërsa i bën një tur në gjithë anijen. Nga ana e tyre kadetët donin të dinin sa më shumë për anijen dhe detin. Jo se s’kishin parë anije dhe det. Disa prej tyre kanë qenë dhe pushues në bregdetin shqiptar. Por, anija flamurtare “Iliria”, ka histori dhe karakteristika të vecanta. Anijet e këtij klasi, bashkë më “Archangelat” dhe MV Amerikane të dhuruara në v.1999, po shkruajnë historinë moderne të Flotës sonë. Kapiten Taulanti qëndronte në urën e Komandimit, por duhej zbatuar tradita e zakoni i detarit shqiptar. Ndaj për disa minuta i lë komandën zvëndësit të tij për ti afruar kafe dhe biskota vëllezërve nga Kosova. Shfrytëzon kohën për ti treguar dicka për historinë dhe misionin e anijes. Më pas dhurata simbolike. Në dhomën e punës së efektivit të anijes zuri vend emblema e FSK dhe një kalendar i saj. Nga ana tjetër kapiten Taulanti i dhuroi major Cufajt, kapelën e personelit të anijes, foto të saj bashkë më një “Antologji të Detarisë shqiptare”. Ky moment i shërbeu dhe për shplodhje vëllezërve me uniformë, se lundrimi vazhdoi në det të hapur. Kështu anija mbasi përshkoi grykëderdhjet e lumenjve Shkumbin, Seman e Vjosë i afrohet ishullit të Sazanit. Lundrimi shoqërohet me foto, tregime e histori pa fund për jetën e detarëve shqiptarë, momentet më të vështira, trajtimin, përgatitjen e personelit detar, etj. Detarët tanë kanë cfarë të tregojnë për këtë. Marinari i vjetër Fredi i tregon motorat Caterpillar, detarët Hamzallari dhe Vjeshta, tregojnë jetën në anije, Inxhinjer Olger Shkëmbi për cilësitë e motorrave, skafit dhe të dhëna të vecanta për bregdetin, kapiten Nezha për lundrimet e kryera. Aq sa mund të tregosh në një lundrim prej disa orësh. Duket se moti i ndihmoi djemtë nga Kosova. Detari i ri vlonjat Florian Lilaj, dëgjon dhe ai me vëmendje. Një foto përballë ishullit të Sazanit dhe disa njohuri për të, bregdetin Jonian dhe shpellat e Karaburunit, piratin Haxhi Alija, trafikun e sotëm, etj. Vërtet bregdeti jonë është i shkurtër, por aq sa labirinthe ka reliefi, po aq histori mbart në vetvete bashkë me fundin e detit. Mund të shkruash novela e romane pa fund. Duket se lundrimit po i vjen fundi. “Iliria” merr kursin për në bazën e lavdishme të Pashalimanit. Miqtë shijojnë magjinë e Gjirit të Vlorës, sodisin me kërshëri në njërën anë bregdetin shkëmbor dhe plazhet e Karaburunit, ndërsa në anën tjetër shfaqet qyteti i Vlorës. Shfrytëzoj rastin për ti treguar dicka për stërvitjet e para me anijet amerikane dhe të NATO-s, vizitat që ato kanë bërë në portet tona dhe dicka për operacionet detare. Temat e bisedave ishin të bollshme, vetë ajri i pastër, natyra dhe deti të frymëzojnë për të qenë më i clirët dhe bashkëbisedues. Pamja e bazës së Pashalimanit ishte një befasi tjetër për kadetët. Kishin dëgjuar plot histori për të dhe tani erdhi puna ta shihnin e preknin vetë. Dhe detarët aq sa dinin i shprehnin lirshëm, flisnin sikur të ishin njohur prej vitesh. Për mbi 3 orë anija u kthye në auditor dije dhe leximi për detin. Nga bordi i anijes “Iliria”, djemtë e rinj nga Kosova panë të gjitha llojet e anijeve, kantierin dhe ambientet e Bazës së Pashalimanit. Është një nga ditët më të mrekullueshme të jetës, u shpreh instruktor Granit Hasanaj. Largohen nga anija mes përqafimesh, për ato që panë dhe jetuan me detarët e “Ilirisë”, për shpirtin e tyre dhe miqësitë e krijuara rishtas. Ju presim në Kosovë, ishte mesazhi i ndarjes. Në molin e Pashalimanit, miqtë i pret vetë Komandanti i Flotiljes Detare Pashaliman, Kapiten i Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani. Komandanti Kreshpani i shpjegoi konkretisht bazën, më pas një foto e përbashkët. Por, leksioni për Forcën Detare dhe detin nuk mbaron këtu. Në vijim, Zv/Komandanti i Flotiljes Detare, Kapiten i Rangut të II-të, Engjëll Sinanaj, nëpërmjet një brifingu të zgjeruar i shpjegoi kadetëve historinë, misionin, operacionet SAR të kryera nga Forca Detare, si dhe misionin e ri në Detin Egje, ku për herë të parë, FD kryen një mision të tillë. Me këtë shpjegim kadetët e FSK e mbyllën vizitën në Forcën Detare. Natyrisht mjaft prej tyre e kishin vizituar bregdetin shqiptar, por kjo vizitë mbresëlënëse ja shtoi 100 fish dëshirën për të pushuar në këto brigje.

Një fidanishte e denjë për përgatitjen e oficerëve të ardhshëm

Në fakt nuk kisha dëgjuar që në Kosovë të kishim një universitet për përgatitjen e oficerëve të ardhshëm, ndaj mu duk një befasi e këndshme një lajm i tillë. Një grup studentësh të Qendrës së Studimeve Universitare Prishtinë kreu një vizitë në KDS dhe Komandat e Forcave në Shqipëri, të shoqëruar nga major Gega. Një ditë ata ja kushtuan Forcës Detare. Dhe ata mësuan dicka, por dhe ne mësuam shumë prej tyre. Gjatë lundrimit u njoha me programin, curriculat dhe kohëzgjatjen e këtij universiteti. Për 4 vite atje formohej si ushtarak, ndërsa merrje dhe diplomë në një degë civile. Ishte gërshetuar përvoja më e mirë e akademive të NATO-s, bashkë me universitetin Amerikan në Prishtinë. Në përzgjedhjen e kandidatëve ishin përdorur kritere të shkollave perëndimore. Rezultat, aftësi, meritë, konkurs, TOEFL dhe SAT. Qindra djem e vajza kishin konkuruar, por kishin fituar më të mirët. Gjithashtu më gëzoi fakti që në këtë shkollë studjonin dhe të rinj nga Shqipëria. Mbas përfundimit të studimeve dhe një përvoje në reparte, kadetët shkonin një vit në SHBA, në sajë të një marrëveshje bashkëpunimi të shtetit të Kosovës me shtetin e Giorgias. E pra, nuk ka më bukur. Zgjidhja e duhur në kushtet reale që kalon FSK dhe Ushtria shqiptare. Një fidanishte e së ardhmes, ku krahas të rinjve nga Kosova, mund të studjojnë dhe të rinj nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ju lumtë. Udhë të mbarë vëllezer! Udhë të mbarë shkolla e ushtarakëve të ardhshëm të FSK dhe FA Shqiptare!

Filed Under: Featured Tagged With: kadetet e FSK, Me detarët e “Ilirisë” dhe, në Adriatik, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT