• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

A ËSHTË KJO KOHA E ERRËSIRËS SË MADHE?!

April 11, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

A është kjo periudhë e historisë shqiptare, koha e errësirës së madhe politike dhe morale?  Kur dihet rruga që duhet ndjekur për të mirën e përbashkët, por nuk ndiqet.  A është kjo një prej periudhave fatkeqe të historisë së shqiptarëve e cila po shfaqet si një prej më të shëmtuarave të mos besnikërisë së madhe ndaj njëri tjetrit dhe ndaj ardhmërisë dhe interesave afatshkurtëra dhe afatgjata të kombit?!

Nga ngërçi aktual politik në Shqipëri dhe nga polemika e intolerancës,  arritjet e shqiptarëve këtë çerek shekulli, janë në rrezik të pësojnë goditje të rënda, të cilat kollaj mundë të këthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të kombit shqiptar, të arritura me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë.  Fatkeqsisht, si përfundim i ngërçit politik midis pozitës dhe opozitës dhe luftës me fjalë që po zhvillohet midis palëve, sidomos në Tiranë, nuk kemi të bëjmë më me imazhin e vendit, se imazhin e ka marrë dreqi, por kemi të bëjmë me lirinë dhe demokracinë e vendit, për të mos thënë me vetë mbarvajtjen e institucioneve të qeverisë dhe të shtetit, por edhe me marrëdhëniet e vendit me botën.   Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta deklaroi në fund të javës që kaloi se, “Shqipëria nuk mund të bëhet turpi i Evropës” nga gjëndja e krijuar, por kam drojë se është tepër vonë për këtë.  Dihet tashti se çka mendon Evropa për Shqipërinë dhe për klasën politike që e ka udhëhequr këto 25 vitet e fundit. Perëndimorët, me të gjithë të metat e tyre gjatë viteve, në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në periudha shumë kritike janë përpjekur, me shumë pak sukses, të ndihmojnë vendin dhe klasën politike të arrijnë në një konsensus të përbashkët për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të drejtësisë.   Duket se perëndimorët, në rastin e krizës aktuale të thellë politike, kësaj rradhe po rrijnë larg ndërhyrjeve dhe ndërmjetësimeve midis palëve kundërshtare të politikës shqiptare.  Edhe mirë bëjnë!  Këto nuk janë si çështje ndërkombëtare që në rast konfliktesh, nevojitin ndërhyrjen e një pale të tretë ose një organizate të paanshme ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian ose diçka e tillë, por janë probleme krejtsisht të panevojshme të krijuara prej klasës politike të vendit, për interesa personale e partiake dhe si të tilla konfliktet midis tyre duhet të zgjidhen nga palët vendase.  Ky konflikt duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët!

Perveç problemeve të shkaktuara nga vetë klasa politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare të cilat kane rrezikuar seriozisht, sidomos gjëndjen e mbrendshme, por në disa raste, përfshirë marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me vendet aleate të Përendimit — janë edhe  influencat dhe provokimet nga jashtë, sidomos provokimet nga fqinjët dhe sponsorizuesit e tyre putinistë dhe erdoganistë – që presin gjithmonë të peshkojnë në ujra të turbullta —  e të cilët historikisht, kurr nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, as nuk ja duan tani.   Të huajtë, fqinjtë dhe padronët e tyre, nuk i kanë dashur kurrë të bashkuar shqiptarët — por kështu të ndarë e të përçarë politikisht siç janë sot — në gjëndje kaotike – me qëllim për të justifikuar pretendimet e tyre historike se shqiptarët nuk kanë ndërgjegjen dhe as interesat e përbashkëta për formuar shtet të tyre.  Lista e provokimeve dhe e përpjekjeve për të nxirë imazhin e shqiptarëve është e gjatë dhe e gjithanëshme dhe siç duket e koordinuar mirë nga qarqe të mirënjohura anti-shqiptare.  Qëllimi i të gjitha këtyre masave e akuzave armiqësore anti-shqiptare ka qenë dhe është që të shkaktohet dëmi maksimal ndaj  intersave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve, por edhe emërit të mirë dhe prestigjit që sado pak gëzon sot kombi shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.  Fatkeqsisht, duke se ata po ia arrinë qëllimit.

Pa marrë parasyshë se sa serioze mund të jenë  ndërhyrjet dhe provokimet e jashtme, besoj se është në dorë të shqiptarëve që shekulli XXI të jetë shekulli i kombit shqiptare, ashtu siç mendohej dhe siç pritej.  Shqiptarët sot janë më të lirë se kurr për të vendosur dhe për të marrë në dorë vetë fatin e tyre — nëqoftse kanë kurajo politike dhe morale.  Breza të mëparshëm të shqiptarëve mbijetuan një prej regjimeve komuniste më të egra të botës, si edheu shpëtuan shtypjeve, terrorizmit e gjenocidit të Serbisë  kundër shqiptarëve në Kosovë  me ndihmën e aleatëve perëndimorë — luftuan dhe më në fund fituan kundër një prej regjimeve me raciste dhe terroriste të Evropës dhe botës.  

Historia e kombit shqiptar është një testament guximi.  Ky guxim historik duhet të shëndërrohet sot në një mirëbesim dhe mirëkuptim e respekt të përbashkët, në radhë të parë, midis kësaj klase politike konfliktuale, në të gjitha trojet shqiptare, e sidomos të klasës politike në shtetin amë.  Në këtë moment të konflikteve dhe ndërçit politik në lidhje me zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri, është detyrë e përgjegjësi politike dhe morale, por mbi të gjitha përgjegjësi atdhetare — e këtij brezi politikanësh shqiptarë që të kenë parasyshë ndjenjat e popullit dhe që në të njëjten kohë, të pasqyrojnë dëshirën dhe vullnetin  e zgjedhesve, në vendimet politike të qeverisë e të shtetit për të mirën e epërbashkët, afat-shkurtër dhe afat-gjatë të kombit shqiptar.  Paraardhësit dhe rilindasit e kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarsinë e kombit shiptar, sidomos karshi njëri tjetrit, por edhe para botës, nuk presin as ma pak as më shumë, që politikanët e sotëshëm të pozitës dhe të opozitës, të tregojnë atdhedashurinë  e tyre me sjellje të mira e vetdije të thellë të detyrave dhe përgjegjësive shoqërore e kombëtare.   

Nuk ka alternativë tjetër për zgjidhjen e ngërçit politik, përveç të shkruarjes përpara duke ecur së bashku në udhën e mundimshme të këtyre kohërave të fundit që vetë ju me sjelljet tuaja kini krijuar.  Nuk ka as shpëtim tjetër për ju as për Shqiprinë dhe as për kombin shqiptar, veçse bashkpunimi me njëri tjetrin, si individë, si parti politike dhe si shqiptarë.  Bashkimi i politikës është masa më e fuqishme për të siguruar bashkimin dhe shpëtimin e shqiptarëve.   Pozita dhe opozita, në  një shtet demeokratik, kanë nevojë për njëra tjetrën.  Nuk ka as parti socialiste as parti demokratike pa Shqipëri.  Kujdes, se po humbisni Shqipërinë dhe gjithë arritjet e deritanishme të saj.  Ka ardhur koha për një kethesë historike në mendime dhe në sjellje ashtu që më në fund, kjo klasë politike të perqendrohet jo në  konflikte,  mos tolerance, mosmarrveshje, mburrje e pontifikime midis tyre per interesa thjeshtë personale e partiake.  Shihet rezultati i konflikteve poltike të këtyre 25-viteve të fundit. Nevojitet një besëlidhje e re ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, për të çuar përpara idenë e pajtimit të pikepamjeve tëndryshme dhe bashkjetesës politike në interes të kombit.  Këte, ia kini borxh historise, fëmijëve tuaj, nipave e mbesave si edhe brezave të ardhëshem të kombit shqiptar, që ai të jetojë në paqë me vetvehten dhe me të tjeret.

Përgjegjësia morale, politike dhe atdhetare është krejtësisht e juaja! Koha për të vepruar është tani, për ndryshe në mungesë të një zgjidhjeje, historia do ta konsiderojë këtë periudhë të shqiptarëve, jo vetëm si koha e errësirës së madhe politike por edhe si periudha e mosbesnikërisë së madhe ndaj atdheut dhe historisë së kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: E ERRËSIRËS SË MADH, Frank shkreli, koha

Historia e Javës së Madhe të Pashkëve

April 10, 2017 by dgreca

Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsg edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon e Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Jezu Krishti kreu gjestet më larta”.Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vèren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrrin”.

Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej përqafimi e puthja e paqes. Kremtimi përfundonte  me të Dielën e Pashkëve.Kremtohej kështu Triditshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela. Në shekullin IV nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet që rrëfehen nga Ungjilli, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Triditshen e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna.

Më pas u shtua edhe një ditë tjerë, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. Më pas, herë pas here, u shtuan edhe e hëne dhe e marta, aq sa tek shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjèruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha të Pashkëve.

Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jerusalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në Romë.

Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave të shenjta. Gjithnjë në Romë, të hënën e të martën e Javës së Madhe të Pashkëve, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa Hilari, në shekullin V. Të premten e të shtunën e Pashkëve, në Romë e në vise të tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik.Ritet që kremtohen sott ë Premten e Madhe – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve – hyjnë në liturgjinë romake rreth shekullit VII; e ata të së Shtunës së Madhe, dhe më vonë.

E Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve

Sot është e Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Me të Dielën e Larit, që kremtuam dje, kemi hyrë në Javën e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve të mundimeve, kryqëzimit me vdekje mbi kryq dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit.Pra, dje, në rrëfimin e historisë së hyrjes së Jezusit në Jerusalem, për të plotësuar veprën e Tij shëlbimpruese, jehonin ende britmat e turmës e të fëmijëve, të mbledhur rreth Krishtit, që ngadhënjente përvujtërisht mbi shpinë të gomarit. Njerëzit e ardhur nga larg për të kremtuar Pashkët në qytetin e shenjtë, pyesnin banorët e Jerusalemit, që dyndeshin rrugëve duke brohoritur: “Kush është ky?”. “Jezusi i Nazaretit”, u përgjigjeshin, Profeti, Biri i Davidit, Mesia! Hosana atij që vjen në emër të Zotit!”.

Ai kishte sy të butë, që të hynin deri në zemër. Depërtonte vështrimi tij në thellësinë e shpirtrave, që prisnin zbulesën, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të panumërta, kahmot pa përgjigje.

Shikimi i tij depërtonte në ditët që do të vinin së shpejti, kur “Hosanave” do t’ua zinte vendin britma më tragjike që u dëgjua ndonjëherë në skenën e kësaj bote: “Kryqëzojeni!”. E u thoshte krerëve plot mllef të popullit, që s’mund t’i duronin më brohoritjet, se po t’i detyronin fëmijët të heshtnin, do të këlthisnin gurët e sokakëve!.

Po sot është një ditë e re. Jezusi e kaloi natën jashtë qytetit të Jerusalemit, drejt Betanisë, larg kurtheve. I mbështjellë me mantel, shtrirë poshtë një peme, kundron ndërmjet degëve hënën, që s’është ende e plotë.

Sa mbrëmje i mbeten deri në përmbushjen e misionit të shëlbimit? Edhe katër ditë e Qengji i Hyjit, do të flijohet. Qengji i flijes së re, që historia e njerëzimit e pret, e pavetëdijshme e që dielli e ka përgatitur në vitet e amshuara. Pas pak, në një kopsht tjetër, do të derdhë lot e gjak, i pushtuar nga angështia e vdekjes, e mijëra sfilitjeve, e mëkateve të botës…

E tani ka një shpresë të vetme: “O Atë, largoma nga buza e gojës këtë kelk!”. Për Ty s’ka asgjë të pamundur!”. Ti mund t’u japësh ngjarjeve të caktuara në thellësitë e pakohë, një kthesë e orientim tjetër, duke e shikuar fatin tim më shumë  me mëshirë, sesa me drejtësi, që të mos vuaj kaq shumë e korpi im njerëzor të mos rrënqethet përballë kryqit, gozhdëve, shqyerjes së nervave, gurrës së gjakut, tmerrit të vdekjes. Për Ty s’ka asgjë të pamundur, o Atë. Ti mund t’ua rikthesh njerëzve pafajësinë e lashtë, pa inate, pa urrejtje, pa hakmarrje; mund t’ua rikthesh gëzimin e zemrës së pafaj, t’i largosh nga pasionet e errëta, nga lakmia, nga dhuna, nga etja e ndyrë për pushtet. Për Ty s’ ka gjë të pamundur! Ti mund ta fashitësh edhe zemrën  time. E kështu unë do të përsëris në amshim, i lëshuar megjithsejt në dorën tënde: “Atë. U bëftë vullneti yt, jo imi!”.

Po sot është një e re. Tekat e pranverës ngacmojnë erën, që fryn mbi shkretëtirë, duke e mbuluar qiellin me re të ulta, ngarkuar me shi. Njerëzit ikin me vrap nga udhët e strehohen në Tempull. Luten, bëjnë flijime (kurbane), sillen e përsillen në hapësirën vigane, duke shikuar me droje, por edhe me një ndjesi sigurie, krerët që ecin të krekosur e dyshimtarë. E pastaj, në turmë, dëgjohet një zë:

“Si ju duket ju? Një njeri kishte dy djem: duke iu drejtuar të parit, i tha: Bir-o, shko sot e puno në vresht. E ai u përgjigj: ‘Po, zotëri; por nuk shkoi.

Duke iu drejtuar të dytit, i tha të njëjtën gjë. E ai u përgjigj: ’S’po jam në terezi; por mbrapa, i penduar, shkoi.

Kush nga këta të dy e çoi në vend vullnetin e të atit?”.

I thanë: “Ky i fundit”.

E Jezusi u tha atyre: “Me të vërtetë po ju them: publikanët e gratë e përdala do të kalojnë para jush në mbretëri të Hyjit”.

Njerëzit dëgjojnë e shikojnë, të çakërdisur, si zbehen fytyrat e krerëve, ndërsa ndjejnë në shpirt shpërthimin e një ujërave të ylbertë me premtime, një paqe të panjohur, dhuratë e një lirie të re, e cila s’pyet për atë që është në krye, s’pyet për ligjin, nuk pyet cilit popull a tradite i përket, nuk pyet për fjalë, por për vepra shenjte. I jep vlerë të re pendimit, pranimit të përvujtë të gabimeve e dëshirës për të ndërruar rrugë. E kush nga ne nuk është sadopak publikan, njeri që flijon ndershmërinë për përfitime materiale, për para të rrëmbyera; që shkel drejtësinë, i shtyrë nga etja për pasuri e s’pyet fare për urinë e shumicës, pa shpresë për të nesërmen? Kush nuk e shiti sadopak, si gratë e përdala, dinjitetin e vet për favore, për privilegje, për vlerësime, për pushtet?

Turma është gjithnjë aty; e heshtur, e fyer, e penduar, por edhe plot me shpresa: nuk arrin dot ta dallojë fundin e kësaj ndeshjeje misterioze e pa mëshirë. Por zëri vijon e thotë: “Guri i lënë mbanësh nga ndërtuesit, u kthye në gurë themeli”.

Tani e dinë të gjithë: krerët e popullit tashmë e kanë dënuar. Ai nuk ka më vend në këtë ndërtesë e duhet lënë mbanësh, duhet flakur jashtë me turp. Duan ta kapin, por druhen. I ngrenë kurthe. E pyesin, prandaj: “A lejohet, a jo, t’i paguhen të dhjetat Qesarit? Pushtuesit të kombit tonë, zotërisë së botës? Ne duhet t’i japim, apo jo?”. Sa dëshirë do të kishin të përgjigjej ‘jo’, për ta paditur pastaj tek romakët! Por sa dëshironin edhe të thoshte ‘po’, që  njerëzit të mos i besonin më, të mos e ndiqnin më, të mos e mbronin më! Por ai diti t’i ndajë përgjegjësitë e qiellit nga ato të tokës. E shikoi, i lirë, duke pritur orën në të cilën, në përkim të plotë me vullnetin e Atit Hyjnor, do të ngadhënjejë mbi furinë e terrinave!

Duam të të ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje, edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë në ty, sepse presim përmbushjen e misterit, i cili që nga kohët e largëta vijon të na i trondisë zemrat, vijon të na shtyjë ndërmjet buzë greminave të asgjësë e horizonteve të pamasa të gjithësisë. Na i përsërit pambarim fjalët tuaja, Jezus, Mësues i ëmbël, sepse fjalët tuaja janë fjalë jete, fjalë shprese. Duam të të ndjekim pas.….(Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: e Javës së Madhe, historia, të Pashkëve

John McCain në Beograd

April 10, 2017 by dgreca

1 John McCain beograd

Senatori amerikan, John McCain, tha të hënën në Beograd se çdo gjë që ndodhë në Evropën Juglindore është me rëndësi jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale serbe më 2 prill.Senatori amerikan vlerësoi siç tha, përparimin e Serbisë në reformat drejt integrimeve evropiane, duke theksuar se Serbia luan një rol thelbësor si “fuqi e pajtimit” por edhe si ekonomi në rajon.

“Jam optimist se me kohë të gjitha vështirësitë e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane do të tejkalohen”, tha senatori amerikan, i cili siç tha ka biseduar me kryeministrin serb edhe për rëndësinë e bisedimeve ndemjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Procesi i bisedimeve është i vështirë, por duke falënderuar presidentin (Tomislav)Nikoliç dhe Vuçiçin si dhe bashkëbiseduesit e tyre në Prishtinë, ky dialog ka sjellë përparime”, tha senatori McCain. Ai tha se duhet kurajë për vazhdimin e një procesi të tillë dhe se këtë mesazh do ta transmetojë edhe në Kosovë gjatë kësaj jave.Senatori McCain tha se bashkëpunimi i dy vendeve është me rëndësi për luftën kundër terrorizmit.”Jam krenar që Shtetet e Bashkuara edhe më tej janë partneri me aktiv ushtarak i Serbisë me mbi 90 veprimtari të përbashkëta në vit”, tha ai.Senatori McCain tha se mesazhi i tij për senatin, presidentin dhe popullin amerikan është se “ajo çfarë ndodhë në Evropën Juglindore është me rëndësi jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.Ai tha se me presidentin e zgjedhur serb ka biseduar edhe për faktin se, siç tha, dy luftëra botërore kanë filluar në këtë rajon dhe nuk duhet lejuar krijimin e një situate që do të përkeqësonte gjendjen në këtë zonë.Ai ka shprehur me këtë rast edhe shqetësimin e tij me sjelljen ruse, përfshirë edhe “përpjekjet e paradokohshme për të rrëzuar qeverinë në Mal të Zi”.Duke folur për zhvillimet e fundit në Siri, senatori McCain tha se Rusia pa dyshim kishte njohuri për përdorimin e armëve kimike nga forcat besnike të presidentit Bashar Al-assad.Kryeministri serb tha se me senatorin amerikan është diskutuar për çështjet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e rajonit, dhe pjesëmarrjen e Serbisë në stërvitjet përbashkëta ushtarake, ndërsa theksoi se gjatë bisedës ka nënvizuar këmbënguljen e Serbisë për qëndrim neutral ushtarak ndaj NATO-s dhe Rusisë.

Senatori McCain shkoi në Beograd pas vizitave në Slloveni e Kroaci, ndërsa gjatë javës do të qëndrojë në Bosnje, Mal të ZI, Kosovë dhe Shqipëri.

Filed Under: Featured Tagged With: John McCain:, ne Beograd

SHBA:NUK KA PAQE ME ASAD NE SIRI

April 10, 2017 by dgreca

Ambasadorja e SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley:- s’ka paqe në Siri me Asadin/

Ambasadorja e SHBA ne OKB, NIKI HaleyAmbasadorja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley tha gjatë një interviste se e konsideron ndryshimin e regjimit sirian, në vendin e shpartalluar nga lufta civile, si një nga prioritetet kryesore të administratës “Trump”.

Mposhtja e Shtetit Islamik, largimi i ndikimit iranian në Siri dhe rrëzimi i presidentit Bashar al-Assad janë prioritete për Uashingtonin, tha Haley në intervistën për “CNN”, që pritet të transmetohet e plotë këtë të dielë. “Ne nuk shohim ndonjë zgjidhje paqësore në Siri, për sa kohë që Assad është në krye”, tha Haley. Komentet përfaqësojnë një shmangie nga ajo çfarë ka thënë më parë Haley se, Shtetet e Bashkuara goditën bazën ajrore siriane me 59 raketa “Tomahawk” të enjten si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike të forcave të Assadit ndaj civilëve në Siri.
Presidenti Donald Trump urdhëroi sulmin me raketa, pasi pa në televizor imazhet e të miturve që vuanin nga pasojat e armëve kimike. “Kemi në dorë të zgjedhim betejat tona. Bëhet fjalë për ndryshim prioritetesh, e prioriteti ynë nuk është më të qëndrojmë pa bërë gjë, por të largojmë Assadin”, tha Haley për reporterët më 30 mars, disa ditë përpara se dhjetëra civilë sirianë të vdisnin nga përdorimi i gazit toksik.
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, ka mbajtur gjithsesi një qëndrim më të kujdesshëm në lidhje me Assadin, teksa tha të shtunën se prioriteti kryesor i Uashingtonit është mposhtja e Shtetit Islamik. Sapo kërcënimi nga ISIS të jetë reduktuar apo eliminuar, “mendoj se mund ta kthejmë vëmendjen drejtpërdrejt në stabilizimin e situatës në Siri”, tha Tillerson, në një intervistë për “CBS”.  Sekretari Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë se, mund të ndihmojnë në afrimin e palëve dhe nisjen e një procesi për arritjen e zgjidhjes politike. “Nëse mund të arrijmë armëpushimin në disa zona të stabilizuara në Siri, atëherë besoj se ne mundemi të kemi edhe kushtet për të nisur një proces serioz politik”, tha Tillerson.
Forcat siriane ndërmorën të tjera sulme ajrore të shtunën, duke vrarë 18 persona, mes të cilëve 5 fëmijë, në provincën e kontrolluar nga rebelët, Idlib, sipas raporteve të Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut dhe shërbimit të mbrojtjes civile dhe shpëtimit.

Filed Under: Featured Tagged With: ME ASAD, ne Siri, SHBA:NUK KA PAQE

Bisedë me krijuesen Anjeza Dielli, në Oslo të Norvegjisë

April 10, 2017 by dgreca

unnamed (1)

“SHKRUAJ POEZI, SEPSE KAM NEVOJË TË SHPREHI NDJENJAT E MIA, POR DHE PËRJETOJ KËNAQËSI SHPIRTËRORE…”/

          unnamed

Shkruan: Prof. Murat Gecaj/

 1.Përshëndetje, mike Anjeza dhe shpreh kënaqësinë, që po e zhvillojmë, bashkë, këtë bisedë të shkurtër…Së pari, cilat janë kujtimet nga fëmijëria, me prindërit tu dhe pastaj nga shkollimi etj.?

-Ju falënderoj për kohën dhe hapësirën, që më jepni, me këtë bisedë, profesor Murati! Mund të them që çdo gjë, e cila më kujtohet nga femijëria ime, është shumë e bukur. Ndoshta, ato përjetime të vegjëlisë, njeriu  i kujton më lehtë, me nostalgji dhe e më bukur, nga sa kanë qenë në realitet. Por unë isha një fëmijë me fat. Jam rritur shumë mirë e me dashuri të pakufizuar nga prindërit, por dhe e rrethuar nga gjyshërit, prej të cilëve ruaj kujtime të paharruara.

Një gjë shumë të bukur dhe të veçantë, që mbaj mend nga mosha e fëmijërisë sime, në Pojan të  Korçës, është ardhja e pranverës, kur çelnin lulet shumëngjyrëshe. Kishim një oborr të madh e aty mami im vendoste një govatë me ujë, që të ngrohej nga dielli. Në më të mirën e rasteve, uji bëhej si i vakur, pra pak i ngrohtë. Pastaj, merrte lulet e pemëve (kumblla, dardha dhe çfarëdolloj luleje tjetër, që sapo  kishin çelur) dhe me lante me to! Pra, unë e prisja verën, e larë me ujë dielli dhe lule pemësh, të sapoçelura.

Gjithashtu, kam mjaft kujtime nga gjyshërit dhe gjyshet, se pushimet i kaloja tek ata. Shumë dashuri e shumë ngrohtësi kam në shpirt prej tyre! 

Ndërsa figura kryesore, që mbetet për mua si një pikë reference e gjithë atyre viteve, por dhe në vazhdim, ka qenë dhe është babai im. Ai ka ditur të më flase në heshtje dhe ka ditur të më tregojë dashuri, veç me një shikim dhe një fjalë të vetme.

Me pas, me prindërit e mi dhe dy vëllezërit, emigruam në qytetin e Selanikut të  Greqisë. Siç dihet, fillimi ka qenë i vështirë për të gjithë. Por, më pas, çdo gjë shkoi mirë. Jeta ime atje, megjithëse në emigracion, mund të them se ka qenë shumë e bukur, plot mbresa e kujtime të paharruara. Mbasi kreva liceun e përgjithshëm, filluan vitet e studimeve në degën e shkencave politike, shoqëruar me veprimtari të ndryshme dhe mbresëëlënëse. Ishte një botë e re, shoqëri e re dhe, ato katër vite, sikur i kam jetuar me një frymë!

Të gjitha këto, që tregova më lart, kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën time. Prandaj dhe më kanë frymëzuar shumë, në tërë krijimtarinë poetike të mëvonshme.

2.Kur jeni vendosur në atë qytet skandinav, pra në Oslo të Norvegjisë dhe çfarë vështirësishë përjetuat, për t’u sistemuar dhe përshtatur: me klimën, njerëzit, punën etj.?

-Kemi katër vite, që jetojmë në Oslo. Siç është e kuptueshme, fillimi ka qenë i vështirë. Ndërsa sistemimi ishte pak më i thjeshtë, për shkak te legjislacionit të këtij shteti demokratik. Po dhe për shkak se ishte hera e dytë,  që ne emigonim në një vend tjetër të huaj.

Ajo, që më pëlqen më tepër, në Norvegji, është natyra magjike dhe mënyra, se si e përjetojnë dhe e shijojnë norvegjezët atë. Si njerëz, janë të sjellshëm me njëri-tjetrin dhe emigrantët, por jo kaq të hapur, sa ne balkanasit.

3.Tashmë, është diçka e bukur të krijosh, sidomos në poezi…Kur të lindi kjo ndjenjë dhe cilat ishin poezitë tua të para, a i kujton dhe a i ke ruajtur ato?

-Poezia, për mua, është diçka që më zbukuron çasstet, kur e shkruaj, në letër ose kompjuter. Pastaj, çfarë është ajo, që mbetet nga ky frymezim, vlen ose jo, këtë nuk mund ta di as mund ta vlersoj unë. Por, ama, e di, se ajo që shkruaj, del thellë nga brenda meje.

Poezitë e para nuk i kam ruajtur,fatkeqësisht! Por mbaj mend që kisha shkruar një poezi për duart e gjyshit tim dhe e kam ruajtur në kujtesën time, si diçka të bukur, që me solli mjaft kënaqësi shpirtërore.

4.Kam parë te profile yt, në Fb, se ke publikuar  tri vëllime poetike…Cilët janë ata, për çfrë flasin dhe me kë bashkëpunove, për botimin e tyre?

-Botimi im i parë ka qenë një vellim me poezi, i botuar nga “Ombra GVG”, Tiranë, me titullin, “Pemët flasin përcart”. Janë poezi, që mësojnë të ecin, që presin të rriten, brenda meje.

Vëllimi i dytë është në gjuhën greke, nga Shtëpia Botuese “Alde”. Ka qenë një bashkpunim shumë i mirë me punonjsit e saj. Më pas, vitin e kaluar, doli në qarkullim libri im i tretë me poezi, nga SHB “Toena”, Tiranë, me titullin në shifra, “77” . Mund të them që rrugëtimi i këtyre librave është shumë i ngadaltë. Po rendesi ka që keta ndodhen në “jetë”…

Poezitë e mia kanë tematika të ndryshme. Kështu, shkruaj për: dashurinë,  natyrën, bukurinë fizike e shpirtërore të njeriut, për kohën dhe hapësirat e saj etj..

5.Ke botuar dhe një novelë, në gjuhën greke…Cila është përmbajtja kryesore e saj?

-Po, siç e përmendët më parë, kam botuar dhe një novelë e cila titullohet   “Pema, në krevatin tim”. Bëhet fjalë për një vajzë, e cila ndihet e vetmuar dhe ndjen që nuk e kupton askush. Ajo gjetur rrugëzgjidhje që të jetojë e mbyllur, në një dhomë. Aty ka një dritare, libra, një krevat dhe në mes të tij, një pemë. Kështu, i jeton stinët dhe kohën: duke fjetur  e duke folur, duke jetuar me një pemë…derisa, një ditë, e gjen dashurinë e shumërkuar.

6.Katër libra nuk janë pak…Po, si janë pritur ata nga lexuesit? A janë përuruar ata dhe a është bërë ndonjë vlerësim ose a është shkruar, në shtyp a internet?

-E përmënda dhe pak më lart, se librat shkojnë drejt lexuesit me hapa shumë të ngadaltë… më ngadalë se një breshkë(ha,ha,ha). Këtë gjë, besoj, e keni vërejtur edhe ju, në Shqipëri. Por rëndësi ka që, ndoshta, një ditë do të arrijnë në duart e tij. Unë ndjehem e lumtur, që këta libra janë në ” jetë” dhe, tani për tani, vetëm kjo gjë është e mjaftueshme.

Kujtoj këtu që,  libri me poezi” “77”, u përurua në nëntorin e vitit të kaluar, në kryeqytetin Tiranë, ku isha e pranishme. Sigurisht, u ndjeva mirë, si me pjesëmarrjen e kolegëve, miqëve e dashamirësve të letërsisë, po dhe për fjalët, që u shprehën aty, për krijimet e mia. Prandaj, gjej rastin këtu, që t’i falënderoj të gjithë ata, përzemërsisht! Gjithashtu, Albert Varaj ka botuar në shkrim për krijimtarinë time.

Sa për vlerësime tjera, nuk besoj që ka patur. Sepse, kur botohen kaq shumë libra, është normale që librat e mi të jenë veç një “pike uji”,  në oqeanin e gjithë librave, që publikohen!

Disa poezi të miat publikohen në faqet e Internetit “Dritarja online”, me Azem Osmanin dhe te portali atunispoetry.com, me Agron Shelen, në Belgjikë, të cilët i  falënderoj!

7.Thamë më lart, se jeni larguar tash sa vjet nga vendlindja, familjarisht…Si e përjetoni këtë fakt, pra emgraconin dhe si i mbani lidhjet tuaja me Shqipërinë?

-Besoj se të gjithë, që janë larguar nga Shqipëria, kanë nostalgji dhe duan të këthehen, ndoshta, një ditë. Edhe unë e mendoj të njëjtën gjë… Pra, ëndërroj që të kthehem përsëri, në Atdheun tim…

Lidhjet me Shqipërinë i kemi shumë të forta, pra të pandërprera. Kështu, vijmë çdo vit atje, informohemi përmes TV dhe lexojmë përditë, çfarë ndodh aty. Shohim kohën dhe, kur vërejmë ndryshimin me Oslon, do dëshironim që të ishim aty, për pak… diell!( ha,ha,ha).

8.Po i kthehemi edhe një herë temës së krijimitarisë poetike…Kam venë re se ti vazhdon të shkruash poezi dhe të publikosh, sidomos në Internet. Kur parashikon ta botosh librin e radhës, me ato ose poezi tjera të reja?

 -Krijoj pandërprerje,  se vërej që ka diçka brenda meje, që fillon e jeton, kur e shkruaj dhe e nxjerr jashtë vetes…Shkruaj poezi, sepse e kam nevojë të shprehi ndjenjat e mia, por dhe përjetoj kënaqësi shpirtërore. Mund të përmendi këtu ndonjë poezi, që kam krijuar kohët e fundit, si: “Zbres, në buzët e tua”, “Jemi meteor dhe qiellin e kemi në sy”, “Me frymën e ditës” ose “Gjymtyrët u pagëzuan”…Por besoj që kam shumë rrugë, ende për të bërë brenda meje dhe për të zbuluar poezi të tjera…Pra, nuk e di, se kur do vijë në ” jetë” libri tjetër. Por, si zakonisht, them që dy vjet ose, më saktë, një herë në dy vjet është kohë e mire dhe e mjaftueshme, për t’u “fermentuar” poezitë…(ha,ha).

9.Në bisedat e zhvilluara me krijuesit, jorrallë, ndodhë që mbetet diçka pa u thënë…Po ti, a mos ke “harruar” ndonjë gjë (ha,ha) dhe dëshiron ta shprehësh tani, në mbyllje të bashkëbisedimit tonë?

-Nuk kam diçka të veçantë, që të shtoj…Veç, ju falënderoj, prof. Murati,  për kohën dhe mundësinë e zhvllimit të kësaj bisede!

-Edhe unë, të falënderoj përzemërsisht, mike poete Anjeza Dielli,  për përgjigjet tua korrekte dhe ju uroj çdo gjë të bukur, që dëshironi, si për veten dhe familjen tuaj të nderuar…Po kështu, për të ardhmen, dëshiroj e shpresoj, që të keshë krijimtari poetike, sa më të bukur dhe të pëlqyer nga lexuesit!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Bisedë me krijuesen Anjeza Dielli, Murat Gecaj, në Oslo të Norvegjisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT