• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2017

Kosova në Organizatën Botërore të Doganave

April 1, 2017 by dgreca

3 Rama

-Kryeministri Mustafa: Kosova, hapa të sigurt drejt organizatave kryesore globale/1 Isa Kos DoganaPRISHTINË, 1 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kosova ecën me hapa të sigurt drejt organizatave kryesore globale, tha sot kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Doganave, si dhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Kosova ngadalë por sigurt po vendoset në hartat e organizatave kryesore globale. Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Doganave është dëshmi e pjekurisë shtetërore dhe ndërtimit të institucioneve të afta dhe kredibile”, theksoi ai.

“Konsideroj se nuk ka rast më të mirë se ky sot kur po shënojmë njëvjetorin e fillimit të implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, që të promovojmë edhe këtë sukses shumë të madh tonin”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Mustafa, shprehu përkushtimin për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si një marrëveshje e parë kontaraktuale me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Kosova me këtë marrëveshje ka marrë për obligim që të përmbush kriteret e Kopenhagës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke folur për njëvjetorin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe shënimit të anëtarësimit të Doganave të Kosovës në Organizatën Botërore të Doganës, tha se është një vit i përpjekjeve të zyrtarëve doganor për të zbatuar standardet më të larta evropiane.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, përfaqësuesi i BE-së, drejtori i Doganave, përfaqësues të ATK-së, të bizneseve dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës. Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, foli për të arriturat e Doganës së Kosovës, për ndikimin e MSA-së dhe për raportin me Organizatën Botërore të Doganave.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: kosova, në Organizatën Botërore, te Doganave

NXIRRNI EDHE NGA VARREZAT !

April 1, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 ok AshikuALFRED ASHIKU/

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”

TË PRANGUEM TË GJALLËT…E TË PRANGUEM TË VDEKUNIT !

Asht kenë një thanje e vjeter: “Hall’ me vdekë dhe gjyq me rrnue!”

Enver Hoxha ushqehej me gjak klerikësh katolik Shqiptarë! Mbas vitit 1967 i duheshin kocka klerikësh katolik, me i mbajtë në gojë derisa zbuteshin, mandej i kafshonte…

Thonte një Plak në Gri…”Kur qeni fillon me ngranë njerzit e shtëpisë, ai duhet vra!”…

Ndersa, tek ne edhe tashti vazhdojmë me ju besue edhe klyshve të këtyne zagarve…

Nuk asht e largët ajo kohë që shumë nga këto fakte nuk kanë me u besue!

1945, SHKODER 25 MARS, pushkatohen 14 vetë të quejtun Grupi i Prekë Calit ku asht edhe Don Ndre Zadeja. Me tregonte mbas sa vitesh Pjeter Radovani: “Shkova me pa të vramë të shkretin Don Ndre në Zallin e Kirit… Kur u afrova gati më la zemra! Të gjithë Ata të vramë ishin të lidhun njenimetjetrin me sixhir hekuri të mbyllun me dryj. U afrova pak tek Don Ndreu, edhe Ky i lidhun…Por, per çudi, dryni tek duert ishte hapë, se plumbi i kishte ra drynit dhe ishte i vetmi i hapun… Në një moment kur roja u largue, e mora atë dry, dhe ashtu si ishte me gjak e futa në xhep në një shami të mbështjellun. Kur erdha në shtëpi, e mësheha në murin e shtëpisë dhe e murosa me pak gelqere nga krahu i majtë prej derës hymjes… U bane shumë vite dhe, njëditë, sesi mu dha me e kerkue, po, a e beson se e kam harrue vendin ku e kam mësheh… Nuk e gjeta!”

Kur po më tregonte Pjetri këte ngjarje kishin kalue 46 vjetë, ishte viti 1991… Koh’e gjatë.

Asht shumë e vështirë me i kujtue me hollsi ngjarjet e mnershme të atyne viteve !

Sterzgjatjet jo vetem fshijnë shumë fakte nga kujtesa, po edhe i hapin rrugë “Rilindjes”!

30 SHTATOR 1946, Dy nga vrasësit e njohun ma barbar Zoji Thëmeli dhe Vaskë Koleci, në hetuesinë e Shkodres i kishin lidhë krahët mbrapa Av. Muzafer Pipës, per një karrigë të mberthyeme per dysheme. Skuqën një hekur dhe vendosën me ia kalue në muskujt e dy krahëve mbas shpine… Mbasi hekuri kaloi krahun e djathtë…nga dhimbjet e forta, Trupi i Muzaferit bani lëvizje që katilët nuk mujtën me i kontrollue… Hekuri i skuqun takoi per shtyllen kurrizore dhe Muzaferi, mbylli jetën në mënyrën ma mizore. Me 30 Shtator, në mengjes u perhap edhe “legjenda se Muzaferi u vra tue dashtë me ikë nga hetuesia…” Nuk dij çka thotë sot “zbatuesi i urdhërit vrasjes terroristi Aranit Çela?”

■“Shoku komandant”kur u njoh “me zbatimin e urdhërit tij dhenë K.Xoxes” u gëzue!

1951 Imzot Jul Bonatti ishte jashta Shqipnisë para 1944, e sjellin anglezët (e as sot nuk e dij pse?), dënohet 5 vjetë dhe mbas pak kohe e dergojnë në një çmendi… Kur shkon aty me e takue e mesa e vet, Imzoti i Nderuem i tha: “Kam provue tortura të pa ndigjueme e të pa lexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…” Shumë shpejtë një natë… E shkyejnë të çmendunit !! As nuk dij me i mendue ata “të çmendun” sesi kanë mërrijtë me shkye një dijetar aq të madh, vetem pse ishte Prift Katolik… E shkyene !!

Kjo ngjau në vitet e para, rreth vitit 1951… Ishte fillimi e, hetuesit ishin si kafshë t’ egra !

Po ma vonë, a u zbuten ata bisha që ushqeheshin vetem me gjak e mish njeriu ?!

1964(?)… Ishte mbrame vonë kur Alfred Ashiku, mbylli farmacinë në Vlonë. Dy xhelat të sigurimit të shtetit e morën me vete “për një sqarim në Degen e Mbrendshme!” U hap fjala në mengjes heret se: “Alfred Ashiku ka vdekë papritmas natën…në shtëpinë e vet”. Legjenda u besue! Ata që e njohën në Vlonë u piklluen per vdekjen e Tij të papritun!

Po, kur morëm vesh të vertetën u brengosen edhe ma shumë! Alfred Ashiku asht thirrë në degë të mbrendshme të Vlonës, dhe nuk ka pranue me “dishmue në rrenë per një mikun e Tij… E kanë mbytë xhelatët tue i derdhë acid në organet genitale… Natën, e kanë çue në dhomen e vet të vdekun…dhe, të nesermen u varros fatziu Alfred Ashiku…”

***

1967 DOSJA 2291… Nga Shqipnia “socialiste” dergohen grupe “të besuarish të PPSH, për të marrur eksperiencë nga zhvillimet e Revolucionit Ideollogjik në Kinë…”  

Disa nga studentët shqiptarë që ishin atë kohë në Kinë, flasin për zhdukje masive të rinisë kineze në vënde të padijtuna, të shumë intelektualëve, profesorëve, ingjenjerëve dhe mjaft njerzëve të thjeshtë që u ndiqnin nga “gardistët e kuq”, drejt Tibetit… etj.

Qendrimi i shkrimtarëve dhe artistëve apo i Akademisë së Shkencave ndaj Revolucionit Kulturor as nuk zehet me gojë. Vetem po të rishikohen librat dhe revistat shqiptare të vitit 1967 e deri në 1991, do të dilte në shesh vneri dhe helmi i tyne antinjerzor…

Aso kohe janë kenë dërgue edhe nga Shqipnia shumë grupe specialistësh të Sigurimit të Shtetit me marrë “përvojën e re” të torturave nga specialistët kinezë. Nuk mjaftonin ato masakra që agjentët tanë aplikonin tek ne që nder ditët e para të “çlirimit” në 1944… Këta grupe i drejtonte katili Nevzat Haznedari me shokë. Qendra e hetimëve tashti u ba Tirana, ku hetonin, torturonin e mbytnin pa pikë mëshire kriminelë të zgjedhun si: Koço Josifi, Ali Xhunga, Elham Xhika, Dhimitër Andoni, Xheudet Miloti, Iljaz Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Çoku, Shkëlzen Bajraktari, Dhimitër Shkodrani, Jake Tefiku etj. të cilët, me “autorizim” të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajp Panaritit etj.., mund të përdornin torturat ma shnjerëzore deri në vdekje të burgosunve, “pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në duart e tyre në hetuesi.”(Dosja 2291).

Me shumë kujdes Ministria e Mbrendshme emnonte kryetarët e degave të Tiranës dhe të Shkodres, dhe antarët e gjykatave të këtyne qyteteve nga Feqorr Shehu, Rexhep Kolli, Nuri Çakërri, Nuri Resmja, Faik Minarolli, Remzi Kruja, Irakli Bozo, Rustem Gjata etj.

Nder ma të besueshmit terroristë asht kenë monstra e sigurimit të shtetit Shyqyri Çoku, i cili, perveç sa e sa të tjerëve që ka zhdukë nga faqja e dheut, ky ka hetue edhe:

  1. Ernesto Çoba (1913 – 8 Janar 1980) Mbas hetimeve nga krimineli i njohun Shyqyri Çoku, u dënue 25 vjet burg. U mbajt në hetuesinë e Shkodres…pa asnjë shkak perveç gjendjes randueme nga torturat dhe, një ditë e futen në një thes dhe e nisën per Tiranë. Atje i bane një injeksion dhe vdiq pa asnjë shpjegim…1980.
  2. Don Pjetër Gruda (1922 – 13 Janar 1989) Arrestohet në 1974, hetimet i ban me Shyqyri Çokun, dhe dënohet 15 vjet burg. Në kampin e Sarandës asht gjithnjë i smurë… Tre muej para se me u lirue vdes në kampin Sarandë, 13 Janar 1989.
  3. Don Lec Sahatçija…(1906 – 4 Prill 1986) U arrestue në 1976, u mbajt 225 ditë tue e torturue nga hetuesi Shyqyri Çoku, mbasi nuk pranon asnjë nga akuzat. U dënue 25 vjet burg…vetem se ishte Klerik. Vdiq në Burgun e Tiranës, me 4 Prill 1986.
  4. Hilë Gjoni ose Don Mikel Hilë Beltoja (1935 – 10 Shkurt 1974). Hetuesi kriminel Shyqyri Çoku nuk mungon me 10 Shkurt 1974, dhe bashkë me Alush Bakallin e marrin në Degen e Mbrendshme të Shkodres, me e dergue në Tiranë.

Nga terheqjet si kafshë i shkyjnë kambët dhe Don Mikeli vdes… E dergojnë në Tiranë dhe kufoma e Don Mikelit coptohet gjoja prej studentave të mjeksisë…

  1. At Aleks Baqli…Dënohet per agjitacion e propagandë.
  2. At Leon Kabashi…(Më mungon informacioni i saktë. FR)
  3. At Zef Pllumbi…Dënohet me 25 vjet burg per tentativë arratisje…
  4. Don Zef Hardhija Arrestohet dhe vuejti 12 vjet burg në Spaç.
  5. Don Kol Toni…Vuejti 11 vjet dhe pak kohe mbrapa vdes nga vuejtjet në burg…
  6. Fra Gasper Jubani…(Më mungon informacioni i saktë. FR)
  7. Dom Gjergj Hardhija… Dënohet per agjitacion e propagandë…
  • E kushedi, sa krime të këtij hetuesi nuk i dijmë as sot e, as nuk kemi me i dijtë kurrë!

Shyqyri Çoku gradohet dhe shperblehet edhe sot per masakrat ndaj Klerikëve Katolik…

E bashkë me Shyqin kemi Dhimiter Shkodranin, e një varg të pafund kriminelash…

Të cilëve u prinë Xheudet Miloti me grupin e Seksionit Katolik të Degës së Shkodres. 

Ligji komunist i Shtetit vrastarë nuk lejonte që kufomat e të pushkatuemve të merreshin nga Familja dhe të kryhej ceremonia e varrimit. Vendi mbahej i mësheftë dhe shumica e të pushkatuemëve nuk dihen as sot ku janë pushkatue as varrosë…

Ata që vdisnin nder tortura në hetuesi, shumica zhdukeshin… Ndersa, kush vdiste nder burgje ose kampe pune varroseshin mësheftas në varreza dhe ju shenohej një “numur”, që dihej vetem nga zyrat sekrete të Ministrisë së mbrendshme…

  • Po kështu, veprohej edhe per të vramit në kufi në “tentativë arratisje” etj…

E sa mija Nana, e gra e motra me lot perfaqe tue i marrë erë rrobave të viktimave, edhe pse të mbushuna me morra e të pista…Vetem pse i dukej se asht era e djalit, e vllaut…

Apo, e Babës apo e Nanës, që nuk do ta shohin persa të jenë jeta…

Disa mija të vramë pa varre… Asnjë Shenjë as Emen tek gropat…

  • Nuk vonoi dhe nga Tirana e tiranëve u ndigjue një virrem me za të shkyem pikrisht nga zyret e komitetit qendror të zagarëve të PPSh: “Nxirrni edhe nga Varrezat..!” Ishin disa Burra të tjerë të dijtun, që i sherbyen Atdheut e nuk kursyen asgja per Shqipni…

I nxoren Eshtnat nga Vorret e Tyne dhe i treten… Vetem pse ishin Klerikë Katolik…

  • U fillue me Poetin Don Ndre Mjedja dhe vazhdoi masakra ndaj të vdekunve edhe nder fshatrat ma të humbuna, tue perfshi edhe prishjen e të gjitha Kishave Katolike Shqiptare.
  • E pra, pothuej, të gjithë kishin ma shumë se dhjetë vjetë që kishin vdekë para 1944 !

E mandej, u kujtuen dhe shemben edhe Kishat edhe pse ishin Monumente Kulture!

E mos t’ ishte Gjon Kamsi, u sheshuen edhe Varrezat Monumentale të Rrëmajit…

  • Mbas 1967 në Shqipni, nuk kishte asnjë Kishë Katolike si pasojë e “harmonisë fetare”.

Edhe kater mure rrethuese që ishin qyshë me pushtuesit turq në Kala të Shkodres, të njohuna me emnin e Kathedrales së Shen Shtjefnit që në Shek. XV, edhe asaj po i thonë emnit “xhami’ vëllezërit e gjakut të tyne të “ringjallun” në Shek. XXI…

  • As ky terror e shfarosje e Shqiptarit per urrejtje…nuk quhet as sot Gjenocid !?

            Vazhdon Pjesa e X.

            Melbourne Prill 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Alfred Ashiku, Fritz radovani, Nxiirini nga varrezat

Alfons Grishaj ne Sofren Poetike te Diellit

April 1, 2017 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

1 Alfons-GrishajPer Arben Brocin/

1 Arben BrociHej trim, vëlla, o luftëtar!/

Patosin e lirisë e mbolle me gjak/

Ç’ më theri dhimbja në damarë,/

Kur shtrirë të pashë mbi atë prag!/

“Ah…! Birë , e mjera unë…

Të isha unë në vendin tënd !”

Vëlla, liria kushton shumë!

Britma e nënës ther e dhemb.

S’ njeh lot nëne politika,

Jetën shpesh ta bën skëterrë.

Ferrin ndezur e mban klika,

Bishë që vjell veç helm e vrerë.

O vëlla! Frymëzim, o legjendar!

Flijimi yt, ozon në hapësirë,

I gjallë përjetë në atë altar.

Shih e na gjyko, o shpirt i lirë!

Çilësi i Artë… … *

Oh! Ma leht do t’kisha mbajt mbi shpinë qiejt e thyem si Atlas,*

Se sa shkarravinat dhe injorancën që si degë të kalbuna të nëpërkamen,

Tuej pjell aty-këtu verbëri n’emën  të dijes.

Trashëgim i hidhun prej shekullit të kaluem…

Algat e barishtet e knetave

Rreken  me i shitë si lule  dermani…

Dhe si Cerberi që ruan të vdekunit mos me ik

Ashtu ruajnë njeni-tjetrin

Tuej ruejtë unitetin e vdekjes!

Arkitekti i së keqes me garuzhdën e ndryshkun

Përzin prehen në kazanin ku zihen rrobat e pista,

Ku as  fini, as sapuni nuk ka me mujt  me i la kurr ma.

Sarkazma  narciziste mbledh si qelbi mizat…urrejtjen kuturu,

Rreshta çekiçësh në parakalim  gumzhijnë: “Urra!Urra!”

Tuej ndrrue formën porsi shtrigat, me lundër maskash dhe rrema fshesash,

Simbolet drapën-çekan dojn me i filigramu n’kordat e violinës

Që muzikën  e vërtetë me e vra, e me u ndi veç ata …

Kori i korbave të çoroditun…

Oh! Sa rand ka me ra  topuzi qiellor mbi kurrizin e tyne prej krokodili,

Dushi kozmik prej acidi ka me i shkërmoqë

Sa, s’ kanë me mujtë me u zvarritë as tek portat e mëshirës,

Me prek  simbolin e Çilësit t’ Artë…

Trupa të rranum, kanë me rrëshqitë  honeve pafund !1 Kujtim Qafa Kujtim Qafës

Burrë nopran si kreshtë e malit,

Gjoks vidiumi, për atdhe, mburojë

Shpatë për tradhëtarë, zemër shqiponjë,

Kalorësi  i lirisë trokth majë kalit.

U nblodhën “vajtorët” si dikur  motit

Për sëmundjen që ra mbi këmbë e dorë,

Shpresuan vdekjen  të ligjtë e gjorë,

Por harruan engjëjt dhe dorën e Zotit.

Galdoj tek të shoh trim dhe të fortë,

Shqim qirinjtë e zisë, t’i ndezim në tortë,

Se festë e gëzim ne kemi përsëri.

Kemi rrugë për të bërë ende për liri,

Për kauzën e shenjtë, të madhen Shqipëri.

Në këmbë! Se heroi  nuk ka kurrë mort!

Shpjegim fjalësh:

1-Dy Celësat, njëri  Artë dhe tjetri i Argjentë, është  simboli Papal,  simbolikë e  fuqisë së Krishtit…Çelësi i Artë, simbolizon diellin dhe energjinë mashkullore, kurse Celësi i Argjendë, energjinë femërore dhe hënën…

Çelësi i  Artë hap ose mbyll portat e qiellit, kurse Celësi i Argjendë, hap ose mbyll portat e tokës.

2-Atlasi ishte i biri i Titanit. Ata e humbën luftën me Zeusin. Pas kësaj, Zeusi, e dënoi Atlasin që të mbante qiejt  gjithë jetën mbi shpatulla.

3-Çerberi = Cerberus, ishte  monstër me disa kokë, i cili  ruante portat e Hadit  që të mos iknin të vdekurit.

4-Poem,  poezi…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, ne sofren poetike, te Diellit

Antonela Maskaj ne Sofren e Diellit

April 1, 2017 by dgreca


2pena ok
Nga Antonela Maskaj/*

VIGANES KOHË/

Fshehur në mendime derdhet ndërgjegjja jote /
Nëpër dhomat e kujtesës vërtiten vite e mote,/
E vjetra kohë vrapon, si një nuse e re…/
E bukura poezi, rri zgjuar, nuk fle./

Dritën brenda syrit fike veç për një moment/
Ndieja lavdinë kohës dhe ngreh monument./
Çmo jetën, duaj rininë si nëna që do të birin/
se vitet kryelarta digjen, e të shkrijnë qiririn./

Viganes kohë dhuroja një shami të bardhë
Lere t’i fshijë nuancat e rrudhave valë-valë,
Ngrije peshë vlerën, fjalë e një të moshuari
Kurrë fjalët e fundit mos rresht së lexuari!

NA MBETI ERRËSIRA

Natë, më qetëso sonte trurin e ftohtë
Dhe ti fllad eja ta pimë një gotë.
Ju premtoj do t’ju afroj verën më të mirë
Përbëhet nga sy të ftohtë por shpirt i lirë,
Hënë ti sonte do ti biesh kitarës së vjetër
Kurse ju yje do derdhni vargje në letër.
Retë le të hedhin valle nostalgjie
E unë, unë do të mbjell lule lumturie.
Na ngeli errësira ndaleni mos të vrapojë,

Ah, poezia është zë që e mëkon.

Lulet i mbolla qiellit të lumturisë

Që të rriten në kopshtin e dashurisë,
Tani i vadis me shpresën plot diell

I vadis me jetë me dritë ndër diej.

DASHURISË SË VËRTETË

Një Qenie  e rralle me prejardhje hyjnore
një det mes shkretëtirës së vuajtjeve njerëzore,
Një uragan  dashurie që shkrin shkëmbinj shpirti
Një themel kalaje qe jetën time ngriti .

Është nëna, është zëri i saj e duart e ngrohta
Është fryma, damari ne te cilën rrjedh bota .
Është ajo, gladiator e përjetësisë.
Nënë, ti melodia ime e dashurisë.

Shih pafundësinë ku po varen lotët e saj!
Shih hënën që sytë e nënës fillon te shaj,
I paske zënë vendin te mjerës moj  nënë
Ndaj ti, je më e bukur se zonjëza hënë .

Dielli te sheh të lodhur nënë, por te paska zili,
E ku di ti o diell çdo te thotë te rrisësh një fëmijë?
E mbyti dielli zilinë e vendosi përpara saj te përulej
E drita e tij në zemër e sy të nënës ngulej .

Eh moj botë e pamëshirshmja bote!
Dashurinë e saj a thua e mban dot?
Rendon, këput dhe telat e ligësisë se etur

Nënë, do të dua dhe në dhe kur të jem tretur.

  • I dergoi per gazeten Dielli, Bajame Hoxha(Bruksel)

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Antonela Maskaj, ne sofren e Diellit

PRESIDENTI NISHANI: TRYEZE PER ZGJIDHJEN E KRIZES, NESE PALET JANE GATI

April 1, 2017 by dgreca

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në televizionin “News 24”/

1 presidenti-nishani-gazetarja-nisida-tufa

Gazetarja: Zoti President, përshëndetje! Falemnderit që pranuat ftesën për të qenë në emisionin “Kjo javë”. Falemnderit që na pritët!

Presidenti Nishani: Kënaqësi edhe për mua. Mirë se keni ardhur!

Gazetarja: Jemi në një kohë dhe fazë kaotike. Sot është data 1 prill. Shënohet katër vjet nga koalicionet, ndërkohë që aktualiteti politik ka mjaft dinamik, ka mjaft zhvillime, jemi dy muaj para zgjedhjeve. Si do ta cilësonit si situatë? Duket se palët nuk po lëshojnë pe. Ajo që është më e sigurt është se nuk ka një strategji për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme, aq shumë të përmendura.

Presidenti Nishani: Për fat të keq, situata është shumë e tensionuar, në kuptimin politik të fjalës. Marrrëdhëniet institucionale janë mjaft të tendosura në një ngërç dhe komunikues jo vetëm të aspektit funksional; e kam fjalën te Kuvendi, por edhe te marrëdhëniet ndërpartiake, sepse në fund të fundit, partitë kryesore kuvendore janë aktorë vendimmarrës në proceset e rëndësishme të vendit. Kjo situatë politike kaq e tensionuar nuk po duket të ketë ndonjë reagim për sa i takon angazhimit për të gjetur një proces, që mund të mos mbyllet brenda një dite të caktuar, por një proces që të fillojë ta çtensionojë situatën dhe ta adresojë pjesën e komunikimit ndërpartiak dhe të faktorëve kryesorë politikë në rrugën e duhur. E kam thënë edhe herë të tjera: jam i gatshëm, si President i Republikës, dhe vazhdoj të nxis me qëndrimet e mia institucionale dhe publike interesin më të mirë të vendit, që do të thotë edhe në mënyrë indirekte interesin e partive politike, të aktorëve politikë uljen në bisedime, qëndrime në kontakt me njëri-tjetrin, pavarësisht objektivave që kanë, pavarësisht synimeve politike që kanë, që është krejt normale te çdo parti politike, por duhet të ketë një proces komunikues midis partive, duhet të ketë bashkëbisedime, në mënyrë që të vendoset në bazë të këtyre bashkëbisedimeve standardi, kryesisht për zgjedhjet dhe pastaj të ecet kryesisht me të.

Gazetarja: Përtej bashkëbisedimeve aq shumë të përfolura, përsëri duhet se nuk lëshohet pe. Ju vetë, si Kryetar i Shtetit, a mendoni se është koha, është çasti për të thirrur një tryezë mes palëve? A duhet ndërhyrja juaj në këtë çast? Si e mendoni?

Presidenti Nishani: Ne duhet të jemi realistë. Pa dyshim, që Institucioni i Presidentit të Republikës, edhe unë jam përpjekur që gjithë kësaj kohe, me qëndrimet dhe sjelljet institucionale ta mbaj në gatishmëri të plotë Institucionin për të lehtësuar që palët të merren vesh mes tyre, por Presidenti i Republikës nuk mund të imponojë asnjë prej palëve politike. Kushdo që mund të mendojë apo mund të pretendojë që Presidenti i Republikës mund t’i imponojë palët politike qoftë për t’u ulur në tryezë me njëra-tjetrën apo për të orientuar një qëndrim të caktuar a një qëndrim tjetër, është jashtë realitetit dhe thjesht një spekulim e abuzim. Presidenti i Republikës mund t’i thërrasë, nëse palët janë të gatshme që t’i përgjigjen thirrjes së Presidentit. Në fund të fundit, figura e Presidentit të Republikës nuk mund të cenohet nga një dialog apo thirrje pa një produkt; për më tepër, që ne kemi një përvojë jo pozitive kohët e fundit kur është bojkotuar, pa argument, madje jo në respekt të ligjit dhe Kushtetutës, edhe tryeza shtetërore si ajo e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, nga ana e Kryeministrit, çka nuk ka ndodhur ndonjëherë në të kaluarën. Gjithsesi, këto le t’i takojnë të shkuarës. Presidenti i Republikës është plotësisht i gatshëm, nëse vërtet ka një vullnet, vullnet që duhet të demonstrohet, patjetër që nuk do të mungojnë edhe lidhjet e gatishmëria edhe në rrugë zyrtare ndaj palëve politike për t’u ulur në tryezën e tyre, me praninë ose jo të Presidentit të Republikës, por Institucioni i Presidentit të Republikës është i gatshëm që të ushtrojë të gjitha mundësitë e tij, gjithë ndikimet e tij, edhe autoritetin institucional e kushtetues jo vetëm për të legjitimuar, sepse në fund të fundit, ulja e partive politike në tryezë është legjitime në çdo rast dhe në çdo kohë, por për t’u dhënë patjetër edhe mburojën dhe legjitimitetin kushtetues palëve, si dhe për të bashkëbiseduar e gjetur një orientim e një proces; flas gjithmonë për një proces, jo për një konkluzion përfundimtar nga një takim që nuk mund ta kemi.

Gazetarja: E qartë. Për sa i takon së shkuarës, jo rrallë herë Shqipëria është ndodhur në të tilla situata. Kjo është një situatë, ndoshta e paprecedentë, por kujtoj pa paragjykime, vetë ish-Presidenti Moisiu ka thirrur një tryezë mes palëve në çaste të vështira. Ju thoni që nuk mund t’u imponohet partive politike për të marrë pjesë, por si e shihni zgjidhjen e kësaj situate, përtej bashkëbisedimeve dhe palëve në bisedime? Si do të zgjidhej ky ngërç?

Presidenti Nishani: Në çdo rast kur janë ulur palët në të shkuarën në prani të presidentëve, sepse nuk është vetëm rasti i tryezës së zotit Moisiu, ka pasur edhe më parë, gjithmonë ka qenë gatishmëria e palëve politike për t’u ulur. Nëse do të mungonte dëshira dhe vullneti politik qoftë edhe i një pale, nuk mund të realizohej ajo tryezë. Kjo është situatë më vete. Ajo që unë shoh si zgjidhje të vetme pikërisht dialogun, gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Gazetarja: Po nëse nuk arrihet?

Presidenti Nishani: Unë besoj se do të arrihet, sepse historia, dhe jo vetëm ajo shqiptare, ka treguar se sado i ashpër ka qenë një qëndrim i caktuar politik apo i një partie të caktuar politike, është dashur të paguhet, ndoshta, një kosto më e madhe, por përsëri është adresuar dhe përfundimet kanë mbetur tek ajo që është kërkuar që në fillim, te proceset e kontaktit, te proceset e marrjes vesh midis tyre. Unë mendoj se procesi i komunikimit në distancë tashmë është i qartë, por duhet të ketë edhe një lidhje institucionale. Besoj se institucionet e shtetit shqiptar e kanë seriozitetin e nevojshëm dhe të gjithë mjedisin e përshtatshëm për të krijuar mundësinë e bashkëbisedimit, diskutimit dhe orientimit në procesin e domosdoshëm që duhet të ketë vendi.

Gazetarja: Si do t’u përgjigjeshit ju akuzave: “një President palë”, “të pafuqishëm për të zgjidhur situatën, në të cilën ndodhet vendi”?

Presidenti Nishani: Akuzat janë tjetër dhe mundësia për të zgjidhur një situatë politike është tjetër. Janë dy gjëra të ndryshme. Akuzat, patjetër, që janë akuza politike, akuza që kanë filluar që ditën e parë të zgjedhjes sime si President i Republikës. Ato nuk janë ndalur asnjëherë. Kanë qenë akuza që nuk kanë pasur fakte, prova, as logjikë politike, as logjikë njerëzore, nuk kanë qenë të bazuara në asnjë argument, kanë mbetur gjithmonë shabllon i agresivitetit dhe artikulimit shterp politik. Për sa i takon procesit për ta zgjidhur Presidenti i Republikës, edhe një herë po ju them: Kushtetuta jonë nuk ka parë, për asnjë president, mekanizma që të orientojë dhe detyrojë palët që të shkojnë në një zgjidhje apo një zgjidhje tjetër. Institucioni i Presidentit të Republikës, kështu siç është në Republikën Parlamentare të Shqipërisë, është një Institucion që garanton seriozitetin dhe konfidencialitetin e bashkëbisedimit dhe, njëkohësisht, të artikulimit në opinionin publik të parimeve dhe adresimeve më të mira e të mundshme që të qetësojnë situatën, largojnë ngërçin, çtensionojnë, në tërësi, mjedisin dhe, pa dyshim, që mbajnë edhe garancinë e realizimit të premtimeve dhe dakortësisë që arrijnë.

Gazetarja: Prej mbi 40 ditësh, opozita ndodhet në çadër, është protestë shumë pranë me zyrën Tuaj, selinë e Presidentit. Nga ana tjetër, janë të mendimit se bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës do të pengonte integrimin e vendit. A do të bëhet opozita me çadrën pengesë për këtë gjë?

Presidenti Nishani: Në kulturën time politike, në çdo rast, unë nuk kam qenë asnjëherë “pro” bojkotit si një mjet, si një mekanizëm, edhe kur ka ndodhur në të kaluan nga shumica aktuale dhe në çdo rast që ndodh. Pa dyshim, që bojkoti për mua nuk është mjet që duhet të mbizotërojë jetën tonë politike. Ajo që unë duhet të shoh sesi duhet të funksionojë politika në Shqipëri është brenda institucioneve me standarde, brenda institucioneve ku gjithsecili të respektohet, të ketë hapësirën e vet që ia ka dhënë pluralizmi, ia ka dhënë sistemi politik që kemi zgjedhur, ia jep Kushtetuta, ia jep në fund të fundit vota që ka marrë te qytetarët dhe për atë që përfaqëson te qytetarët shqiptarë, por për mua mbetet shqetësim standardi apo një platformë e përjashtimit, shumicat ku nuk duhet të artikulojnë e nuk duhet të përfshihen në platforma përjashtuese. Çdo metodë dhe platformë përjashtuese e adreson politikën, e adreson jetën institucionale dhe gjuhën e përbashkët drejt ngërçit. Ne duhet të shkojmë drejt përfshirjes dhe jo përjashtimit.

Gazetarja: Ju kuptoj. A duhet që Partia Demokratike të marrë pjesë në zgjedhje për të gjitha deklaratat që janë bërë nga udhëheqësi i saj?

Presidenti Nishani: Presidenti i Republikës nuk bën komente; nuk i gjykon e as paragjykon palët politike. Çdo parti politike bën zgjedhjen e saj politike dhe për të është e pavarur, është sovrane. Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe, në çdo rast, do të respektojë atë që Kushtetuta e Republikës apo institucione të tjera të vendit, siç është Kuvendi, do t’i kërkojnë Presidentit të Republikës për të ndjekur.

Gazetarja: A është e mundur që nëse arrihet rënia dakord mes palëve, të arrihet edhe shtyrja e datës së zgjedhjeve e caktuar dhe dekretuar nga ju?

Presidenti Nishani: Ky do të ishte një vendim tërësisht në diskrecionin e Kuvendit të Shqipërisë. Shqipëria ka përvojë nga e kaluara kur janë shtyrë datat e zgjedhjeve, por edhe në këtë rast, nuk do të desha të bëj një koment të drejtpërdrejt[, për faktin se çështja e shtyrjes së zgjedhjeve tani është fokusuar në aspektin e debatit politik, relatave politike dhe këndvështrimeve mes palëve. Presidenti nuk mund të futet në mes të këtij debati politik, por nëse Kuvendi i Shqipërisë gjykon se, në rrethana të caktuara, për t’i shërbyer gjithmonë një zgjidhjeje pozitive, një aspekti pozitiv, jo për të tensionuar më tej situatën, por për të bërë një zgjidhje të njëanshme, mendon se mund të shtyjë për një afat të caktuar zgjedhjet që të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të ketë ndryshime të rëndësishme politike apo të bëjmë përshtatjen në sistemin politik që kemi, ky është një atribut që u takon vetëm partive politike dhe i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë. Nëse Kuvendi i Shqipërisë do ta marrë një vendim të tillë, patjetër që të gjithë ne të tjerët do të zbatojmë vendimin e Kuvendit.

Gazetarja: Ju përmendët pak më parë se standardet janë element shumë i rëndësishëm dhe, në fakt, ashtu është. A është Shqipëria një vend me standarde?

Presidenti Nishani: Ne duhet të jemi të vërtetë. Kemi mjaft probleme serioze, do të thosha unë, për sa i takon standardeve, veçanërisht në çështjet e zgjedhjeve, me qenë se po diskutojmë për zgjedhjet e dalëngadalë po hyjmë në fushatën zgjedhore dhe po u afrohemi zgjedhjeve të ardhshme kuvendore. Me keqardhje kam parë se institucionet e tjera ndërkombëtare, përfshi këtu edhe ato të OSBE/ODIHR-it gjithmonë e kalojnë procesin e vlerësimit ndaj Shqipërisë apo të vëzhgimit e gjykimit me fraza standarde: “përparim i pjesshëm”, “një hap përpara, një hap prapa”, gjë që nuk e ndihmojnë zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri dhe të drejtat e qytetarëve në Shqipëri. Mendoj se më shumë sesa e drejta, sesa dimensioni i lirisë, më shumë sesa garancia e mekanizmave demokratikë për qytetarin shqiptar nuk ka vlerë asgjë; as një raport i caktuar, as qëndrimi i individëve të caktuar etj. Në fund të fundit, duhet të ndërgjegjësohet vetë shoqëria shqiptare, elita e qytetarisë shqiptare, e shoqërisë shqiptare, ajo duhet të prijë proceset dhe me këmbëngulje të qëndrojë fort që ne vetë të detyrohemi për ta pasur këtë liri, dimensionin e së drejtës dhe të garancive. Mendoj se me këto standarde që kemi. Kemi i krijuar pasiguri të mëdha vetes sot, por edhe brezave që vijnë. Na duhet të punojmë sot për standarde reale.

Gazetarja: Sot është 1 prilli, shënohen katër vjet koalicion: Parti Socialiste-Lëvizja Socialiste për Integrim. Si President i Republikës, si Kryetar i Shtetit çfarë shumice keni parë në këto katër vjet?

Presidenti Nishani: Të jesh President i Republikës është gjë shumë e bukur; është një përgjegjësi shumë e madhe, por ka edhe kufizimet e saj në mënyrë të tillë që të jesh jo thjesht politikisht korrekt, por të jesh serioz dhe të respektosh detyrimin tënd kushtetues, ndaj do të ishte e tepërt mendoj unë nëse Presidenti i Republikës do të fillojë të bëjë vlerësime politike për shumicën apo opozitën. Presidenti i Republikës duhet të jetë një institucion i ftohtë, një institucion i gatshëm për të ofruar zgjidhjet e veta dhe gatishmërinë për zgjidhje. Mendoj se qytetarët shqiptarë kanë të drejtën absolute për të vlerësuar si ka punuar një shumicë dhe sesa e vërtetë është një opozitë.

Gazetarja: Po lidhur me Institucionin e Presidentit të Republikës ka pasur probleme në komunikim gjatë bashkëpunimit në këto kate vjet?

Presidenti Nishani: Po, unë besoj se kanë qenë të dukshme dhe publike. Unë nuk jam munduar të fsheh, të themi problemet që ka pasur në aspektin e të mirëkuptuarit, sepse nuk do të tregohesha i vërtetë në këtë rast. Ka pasur probleme, për të cilat mendoj se kanë qenë më së shumti të sforcuara dhe artificiale. Në këndvështrimin tim, e vërteta asnjëherë nuk është absolute në njërin krah, ato kanë qenë të imponuara, pa tjetër, nga institucionet e tjera, për arsyen e vetme se është tentuar gjithmonë një kontroll politik edhe mbi Institucionin e Presidentit të Republikës, por besoj se ato janë tejkaluar me qëndrimin politik që ka mbajtur Institucioni.

Gazetarja: Çfarë suksesesh dhe çfarë dështimesh mund t’i njihnit kësaj shumice?

Presidenti Nishani: E thashë edhe pak më parë, le t’ua lëmë qytetarëve shqiptarë për t’i numëruar edhe sukseset, edhe dështimet. Unë mendoj se ka pasur dëshira, objektiva, janë ndërmarrë reforma sesi janë realizuar dhe sa të drejta kanë qenë hapat që janë ndërmarrë dhe sa të sinqerta kanë qenë, atë le ta vendosin qytetarët e saj.

Gazetarja: Zoti President, shtatë ditë të plota kanë pritur qytetarët shqiptarë për sa u takon dekretimit të ministrave të rinj, propozuar nga Kryeministri Rama. I shumë përfolur ishte emri i Ministrit të Brendshëm aktual, zoti Xhafaj. Do të doja të dija, pasi kanë kaluar disa ditë, çfarë përjetimesh keni pasur? U përfol shumë, u bë virale ? në rrjetet sociale, po kështu u fol shumë në media se Ju do të dilnit në atë konferencë për shtyp, duke thënë “jo” dekretimit për zotin Xhafaj. Më pas, e papritura, për ndoshta shumëkënd, Ju thatë “po” zotit Xhafaj me idenë e verifikimit të figurës së tij dhe që juve nuk ua lejonte Kushtetuta. Do të doja t’i sqaronim pak, qoftë edhe të binim pak në përsëritje, por për të qenë më të përmbledhur.

Presidenti Nishani: Nuk dua që të ushqej dhe të bie pre e skenarëve të thashethemnajës politike që krijohet, por edhe të ushqimit që i jepet kësaj thashethemnaje, por me formim e synime politike. Unë kam ndjekur strikt detyrën dhe mundësinë dhe hapësirën që i takon Presidentit të Republikës. Pas ardhjes së propozimeve nga ana e Kryeministrit. Kam kërkuar dhe kam pritur informacionin e institucioneve që merren posaçërisht me garantimin e standardeve të sigurisë së vendit. Ishin ministra që emëroheshin për herë të parë në detyrë dhe kërkonin patjetër që institucionet e vendit të verifikonin integritetin e tyre në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare. Kushtetuta parashikon një afat të tillë që Presidenti ka pritur të vijnë përgjigjet për çka ka kërkuar Presidenti lidhur për secilin individ përkatës.

Gazetarja: Pra, në ato shtatë ditë janë kërkuar hetime më të hollësishme nga ana juaj?

Presidenti Nishani: Jo hetime, por është kërkuar informacioni i duhur.

Gazetarja: Verifikime?

Presidenti Nishani: Po, verifikime. Informacionet kanë ardhur ditën që unë kam dalë në konferencën e shtypit.

Gazetarja: Dita limit?

Presidenti Nishani: Një ditë më parë se dita limit. Afatet përfundonin ditën e hënë, unë i kam marrë informacionet ditën e diel, në mos gaboj. Përveç kësaj, kam qenë në një shërbim jashtë vendit, por nuk ka qenë shërbimi i lidhur me kohën e konsumuar. Koha e konsumuar ka qenë vetëm për të informacionet lidhur me secilin prej personave që do të emëroheshin ministra. Unë e kam bërë qëndrimin tim publik. Më duhet të sqaroj edhe një element tjetër që besoj se ka qenë një element abuzimi e spekulimi: duke tentuar ta ndaj në dy pjesë qëndrimin e Presidentit të Republikës, këtë po e bëj në respekt të qytetarëve e opinionit publik, sepse shpesh herë qytetarët bien pre e spekulimeve mediatike dhe individëve të caktuar që s’kanë lidhje me mediat apo të politikanëve që s’kanë lidhje me politikën. Pra, është tentuar të ndahet qëndrimi i Presidentit në dekret me qëndrimin e Presidentit në deklaratë. Ju them se të dyja janë qëndrime presidenciale dhe të parashikuara në Kushtetutën e Vendit. Dekreti është një e drejtë e Presidentit, por që Kushtetuta nuk ia njeh të drejtën Presidentit për të refuzuar propozimin e Kryeministrit për ministra. Kjo, sepse në nenin përkatës, në mos gaboj nenin 92 të Kushtetutës ku përcaktohen të drejtat kushtetuese të Presidentit të Republikës, nuk është parashikuar emërimi dhe shkarkimi i ministrit; atje ku parashikohet emërimi e shkarkimi i ambasadorëve, i rektorëve të universiteteve, i Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, e me radhë. E drejta e emërimit të një ministri është e Kryeministrit dhe pohimin përfundimtar ia jep Kuvendi i Shqipërisë. Vetëm Kuvendi mund ta refuzojë një kandidaturë. Pra, dekreti është ushtrimi i detyrës, i përgjegjësisë që ka Presidenti i Republikës, deklarata që bëra është ushtrim i së drejtës kushtetuese që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës që t’i adresohet gojarisht ose me shkrim Kuvendit të Shqipërisë në çdo kohë dhe për çdo çështje që Presidenti mendon se është e rëndësishme. Pasi kam bërë verifikimin, unë i jam drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me konferencën për shtyp, sepse nuk kisha mundësi të shkoja dhe të adresohesha në Kuvend, me të drejtën që më jep Kushtetuta për çështjen e Ministrit të Brendshëm, që unë e mendoja si të papërshtatshme për shkak të rrethanave që ne ndodheshim në atë ditë dhe ndodhemi edhe sot e kësaj dite. Pra, dekreti ishte një detyrim, deklarata ishte një e drejtë.

Gazetarja: Qartë. Përtej konferencës, desha t’ju pyesja pak: A ndjenit ju trysnim, zoti President, pasi ishin ditë të vështira, pasi ju ndiqnit sakaq edhe zhvillimet, figurën e zotit Xhafaj, përplasjet mediatike dhe të gjitha çfarë përflitej?

Presidenti Nishani: Është shumë e vështirë që sot të demonstrosh apo të pohosh se çfarë ka brenda qenies njeriu: ndjesinë, perceptimin, mendimin, se nuk keni ndonjë metodë që ne mund ta pohojmë. Po ju them në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë për këdo që e beson që unë, personalisht, kam qenë shumë i qetë dhe nuk kam pasur asnjë dyzim gjatë kohës, përveç pjesës që prisja informacionet nga institucionet e shtetit për qëndrimet e mia, për detyrimet dhe për të drejtat që kisha. Nuk e kam ndjerë asnjëherë dhe nuk e kam përcjellë as trysninë dhe as presionin. Patjetër, që i ndiqja me shumë kujdes zhvillimet politike, partitë politike, opinionet e ndryshme të qytetarëve, të njerëzve të medias, të gazetarëve e analistëve, të cilët bëjnë e përcjellin opinionin e tyre te qytetarët dhe kanë një pushtet të fuqishëm te qytetarët, sepse ndikojnë me perceptimin e tyre. Por që ditën e parë që kam pranuar të ulem në karrigen e Presidentit të Republikës, pakti i parë ka qenë pakti me veten dhe pakti me veten, ndoshta, është pakti më i vështirë që mund të ketë njeriu, por është pakti më i fortë që ekziston, ndaj unë nuk kam përjetuar asnjë presion, nuk ka pasur asnjë presion, nuk kam pasur asnjë komunikim me kërkënd, me asnjë aktor, por ka qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë qëndrimi që unë kam menduar, besuar dh vlerësuar se zbatoj Kushtetutën dhe, njëkohësisht, shpreh mendimin tim politik.

Gazetarja: Edhe diçka lidhur pak me këtë. Ju përmendët pak më parë edhe thashethemet që janë të shumta, sidomos në raste të tilla. Si rrallë herë në ditën e dekretimit në selinë e Presidentit të ministrave munguan kamerat. Ato kanë qenë gjithmonë të pranishme. Pse munguan kamerat? Doja t’ju pyesja, zoti President, a ka pasur një shtrëngim duarsh mes jush dhe zoti Xhafaj.

Presidenti Nishani: Nisida, pa dashur të hyj në debat, që pas ceremonisë së parë kur është betuar gjithë qeveria, të gjitha ceremonitë e tjera në selinë e Presidentit kanë qenë të pranishme kamerat e selisë së Presidentit dhe pjesa e dokumentacionit arkivor të Presidentit të Republikës, pasi ky është një rregull i brendshëm në veprimtari të tilla. Veprimtaria ka qenë strikt në çfarë shkruan protokolli i shtetit. Presidenti i Republikës dhe kabineti i tij i punës janë të detyruar të ndjekin strikt atë që është shkruar në protokollin e shtetit. Të mos harrojmë se protokolli i shtetit është ndryshuar vetëm pak muaj më parë, me një vendim qeverie. Nuk e kam bërë unë protokollin e shtetit, ndryshimin e ka bërë qeveria shqiptare, Ministria e Jashtme. Unë kam ndjekur pikë për pikë atë që shkuar në protokollin e shtetit. Po ju them se patjetër unë, së pari në mënyrë njerëzore, por edhe institucionale, kam uruar drejtpërdrejt për suksese dhe punë në mënyrë më të sinqertë dhe më njerëzore të gjithë ministrat e qeverisë. Pastaj sesi iu dha dora, sesi qëndroi njëri në fotografi dhe si qëndroi tjetri, besoj se këto nuk janë çështje që i takojnë formatit të Presidentit për t’u artikuluar, por ka qenë një ceremoni korrekte, serioze dhe dinjitoze. Pse? Duke bërë një ceremoni dinjitoze, jo thjesht për ministrat, por një ceremoni dinjitoze për shtetin shqiptar.

Gazetarja: Zoti President, dekretimi i zotit Xhafaj risolli dhe rihapi debatin dhe me zotin Zhiti, madje ka patur dhe akuza të rënda apo fyerje mes jush. Si e keni përjetuar këtë debat?

Presidenti Nishani: Kurrë në jetën time nuk kam fyer, nuk kam akuzuar dhe as nuk do të fyej dhe nuk do të akuzoj kërkënd. Patjetër që çdo fyerje adresuar ndaj meje është e toleruar, çdo akuzë e adresuar ndaj meje do të përballet me institucionet e shtetit edhe ligjit, është shumë e thjeshtë.

Gazetarja: Mund të shmangej ky debat?

Presidenti Nishani: Unë s’kam hyrë në asnjë debat dhe nuk kam bërë asnjë akuzë dhe asnjë fyerje. Për të qenë shumë i qartë, çdo fyerje që i është adresuar Presidentit të Republikës është e toleruar. Çdo akuzë që i është bërë, do të marrë përgjigjen institucionale.

Gazetarja: Për ta rikthyer edhe një herë në vëmendje. Pse është refuzimi për zotin Zhiti? Ju i keni dhënë argumentet tuaja.

Presidenti Nishani: Unë kam dhënë argumentet e mia, i kam thënë dhe në një intervistë në gazetën “Panorama” para disa kohësh pas interesimit që patën gazetarët për disa adresime që ishin bërë. Patjetër që ka pasur një arsye shtetërore, por ato që ishin arsyet që unë mora vendimin kishin të bënin së pari me mosrespektimin e procedurës nga ana e qeverisë në lidhje me propozimin e ardhur tek Presidenti, sepse ambasadori, ndryshe nga ministri, është kompetencë dhe emërtesë e Presidentit të Republikës, sepse ambasadori përfaqëson Republikën e Shqipërisë, ndërsa ministri përfaqëson qeverinë shqiptare që është një prej pushteteve brenda shtetit. Refuzimi i qeverisë shqiptare për të respektuar procedurën e propozimit. Së dyti, disa artikulime të papranueshme të kandidaturës së propozuar për ambasador në Selinë e Shenjtë kundër Kishës Katolike për inkuizicion, çka është krejt e papranueshme se si një njeri që ka një kuptim të tillë për Kishën Katolike, ka një vlerësim të tillë për Kishën Katolike, të shkojë e të ndërtojë marrëdhënie midis shtetit shqiptar dhe Kishës Katolike apo Shtetit të Vatikanit. Së treti, në takimin që më është kërkuar përmes një deputeti të Partisë Demokratike për të prituar në zyrë kandidatin për ambasador, kam konstatuar që nuk ishte në situatë normale për të kryer atë detyrë.

Gazetarja: Si e konstatuat këtë?

Presidenti Nishani: Përgjatë bisedës.

Gazetarja: Për verifikimin e figurës së tij, sa kohë u është dashur zoti President?

Presidenti Nishani: Nuk kam kërkuar verifikim të figurës së tij, sepse nuk kisha ndërmend ta dekretoja. Nëse do ta dekretoja do të kërkoja verifikim të figurës së tij.

Gazetarja: U përmend shumë një mesazh i mbërritur tek ju kundër zotit Zhiti.

Presidenti Nishani: Mesazhi ka qenë pas debatit që është bërë pas disa artikujve që kandidatura ka bërë në median publike. Pas artikulimeve mediatike të tij ndaj Presidentit të Republikës ka mbërritur dhe ai mesazh të cilin unë në fakt mendova të mos e bëj publik në atë kohë. Nuk e bëra publik dhe nuk ka qenë ai mesazh arsyeja e mosdekretimit.

Gazetarja: Ne pak kohë na ndan nga fundi i mandatit tuaj si President i Republikës. Është fundi i 5-vjeçarit në krye të Presidencës. Si do t’i përkufizoni ju këto 5 vite dhe kur përfundon mandati juaj ekzakt?

Presidenti Nishani: Mandati përfundon më 24 korrik të këtij viti. Pavarësisht se unë jam zgjedhur President më 11 qershor të vitit 2012, pra unë jam votuar nga Parlamenti i Shqipërisë më 11 qershor 2012. Unë jam bërë President i Republikës ditën që jam betuar në Parlament, sepse atëherë bëhesh President, më 24 korrik 2012 kur mbaroi dhe mandati i Presidentit paraardhës. Kështu që dhe mandati im mbaron në 24 korrik të këtij viti. Qëllon për herë të parë që zgjedhja e Presidentit të Republikës përkon me të njëjtën periudhë me zgjedhjen e Parlamentit dhe ky rast është parashikur në Kushtetutën e vendit dhe ligji përkatës ku thuhet që kur ndodh që Presidenti të zgjidhet në të njëjtën periudhë me Parlamentin, Presidentin e zgjedh Parlamenti që shpërndahet. Pra, Parlamenti aktual ka të drejtën, nëse arrin, të zgjedhë Presidentin e ri të vendit. Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri i vendit, në këtë rast krahasuar me rastet e tjera nuk provokohet një krizë politike, nuk provokohet një krizë institucionale, sepse e vetmja krizë institucionale politike që provokohet nga mos zgjedhja e Presidentit janë zgjedhjet e parakohshme. Në këtë rast ne kemi zgjedhje normale, kështu që Parlamenti duhet të llogarisë pesë javë përpara se të shpërndahet. Zgjedhjet janë të përcaktuara më 18 qershor, duhet të llogaritet afati i fushatës elektorale, duhet të llogarisë Parlamenti ditën e shpërndarjes, dhe nga dita e shpërndarjes duhet të llogarisë pesë javë, sepse janë 5 raunde që duhet t’i ketë në dispozicion. Mund të zgjidhet në raundin e parë, të dytë, por mund të zgjidhet dhe në raundin e pestë. Ndaj nga pikëpamja procedurale Parlamenti duhet të parashikojë pesë javë nga momenti kur duhet të nisë procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Nëse nuk arrin të zgjidhet në këtë rast Presidenti, pra mund zgjidhet në raundin e parë, të zgjidhet në raundin e pestë, mund të mos zgjidhet. Në rast se nuk zgjidhet Presidenti, pas 24 korrikut kompetencat e Presidentit i kalojnë Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ushtron kompetencat e Presidentit të Republikës derisa të zgjidhet Presidenti i ri i vendit. Unë besoj që është një proces i qartë, i thjeshtë. E drejta kushtetuese i njihet këtij Parlamenti. Nëse ky Parlament nuk arrin ta zgjedhë, e zgjedh Parlamenti i ri, por kjo nuk prodhon ndonjë ngërç politik, ndonjë konflikt institucional në këtë rast.

Gazetarja: A do të shihnit ju një mandat të dytë për President?

Presidenti Nishani: Unë kam shprehur gatishmërinë time për të vijuar punën si President i Republikës. Pse e kam shprehur këtë gatishmëri? Së pari, e ndiej veten në kapacitet të plotë për të përmbushur detyrën e Presidentit të Republikës. Besoj që vijimi i punës do të jetë edhe më i mirë për shkak të përvojës së grumbulluar gjatë këtyre pesë viteve, edhe Kushtetuta ndaj e parasheh një mandat të dytë për Presidentin e Republikës. Ashtu siç mendoj dhe besoj, gjykimi mbetet në këtë rast i qytetarëve dhe i popullit, jo i aktorëve të caktuar politikë, por i qytetarëve në këndvështrimin tim. Unë besoj se e kam kryer duke përmbushur tre elemente: seriozitetin, dinjitetin dhe thjeshtësinë që duhet të ketë ushtrimi i një pushteti kaq të lartë siç është Presidenti i Republikës. Duke besuar në këto tre parime, i kam përkthyer në tre kolona dhe besoj që i kam realizuar si tre objektiva.

Gazetarja: Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjes për President. Ka patur një deklaratë nga ana e Kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij në Francë dhe një alternativë mund të ishte një President i zgjedhur nga diaspora. Cili është mendimi dhe komenti juaj duke patur parasysh se në Kushtetutë sanksionohet se President mund të zgjidhet vetëm një shtetas shqipar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vitet e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40-vjeçare. A do të ishte me vend zgjedhja e Presidentit nga diaspora?

Presidenti Nishani: Këtë përcaktim kushtetues duhet t’ia çoni ta lexojë Kryeministri. Patjetër, çdo njeri që përmbush kriteret kushtetuese ka të drejtë të zgjidhet President, është mjaft e qartë.

Gazetarja: Nuk është se ka dilema?

Presidenti Nishani: Në qoftë se çdo burrë apo grua plotëson kushtet dhe kriteret që Kushtetuta parasheh për Presidentin e Republikës duhet dhe mund të zgjidhet. Unë nuk shikoj se ka ndonjë kufizim për ata të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret kushtetuese.

Gazetarja: Gjatë këtij mandati 5-vjeçar kur keni marrë një vendim vërtet të vështirë, kur e keni ndierë veten në vështirësi?

Presidenti Nishani: Mund t’ju them që nuk ka pasur ndonjë moment të vështirë, sepse në fakt për fatin e mirë Kushtetuta e vendit edhe përvoja e ushtrimit kushtetues të postit të Presidentit jo vetëm nga unë, por dhe nga paraardhësit e mi, ka krijuar një hapësirë dhe një mundësi që e ka komoditetin që Presidenti, duke qenë në respekt të Kushtetutës dhe ligjit të përmbushë detyrën pa u vënë në vështirësi. Mirë është që Presidenti gjithmonë ta kryejë detyrën pa qenë i shtrënguar dhe pa qenë në vështirësi në ushtrimin e saj. Nuk kemi pasur për fatin e mirë ndonjë situatë të jashtëzakonshme, emergjente në vend, tek qytetarët shqiptarë. Kanë qenë problematika që më së shumti kanë kanë pasur të bëjnë me angazhimet e ekzekutivit në raste dhe situatash problematike, por ne nuk kemi pasur situata ku vërtetë Presidenti i Republikës për shkak të kompetencave të parapara në raste emergjence, të marrë drejtimin, le të themi, të forcave ushtarake. Situata të tilla nuk kemi patur për fat të mirë. Kështu që unë nuk kam pasur ndonjë situatë të veçantë, specifike ku të kem pasur vështirësi. Ua atribuoj këtë që them më së shumti parashikimeve dhe konsolidimit që ka krijuar Kushtetuta, por njëkohësisht edhe praktika e ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës në Shqipëri.

Gazetarja: Për gjërat e shkuara keq në këto pesë vite, a ka diçka për të cilën ndiheni përgjegjës si President i Republikës?

Presidenti Nishani: Unë mendoj se nëse qeveria nuk do të ishte treguar armiqësore ndaj Presidentit të Republikës, nuk po them bashkëpunuese maksimalisht, por, të mos ishte treguar armiqësore, besoj që ne do të kishim pasur mundësi të godisnim me efikasitet korrupsionin dhe paaftësinë në radhët e sistemit të drejtësisë. Duke qenë se qeveria u tregua armiqësore duke ndërhyrë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke shkarkuar një numër anëtarësh, duke lënë KLD-në pa nënkryetar, duke krijuar një frymë konfliktualiteti, politizimi, u hoqi mundësitë edhe mekanizmave të tjerë, edhe Presidentit të Republikës që nëpërmjet një bashkëpunimi të shëndetshëm me qeverinë, të godiste me efikasitet këto fenomene, të cilët janë vërtetë shqetësues në sistemin tonë të drejtësisë. Për këtë ndiej një keqardhje që është bërë kjo pengesë artificiale për synime tërësisht politike për fat të keq për të pasur thjesht kontroll përmes presionit mbi sistemin e drejtësisë dhe nuk u kemi shërbyer qytetarëve në këtë aspekt. Por gatishmëria e Presidentit ka qenë gjithmonë evidente. Besoj se ndoshta në të ardhmen këto modele të mos i kemi më evidente.

Gazetarja: A do të vijonit ju angazhimet politike dhe pas përfundimit të mandatit tuaj?

Presidenti Nishani: Unë jam një njeri që jam investuar në politikë që në vitin ’97-të kur u largova nga administrata publike për motive politike, dhe më tutje jam angazhuar në politikë. Nuk kam pasur ndonjë dhunti për t’u fokusuar tek biznesi, apo arti, apo elemente të tjerë të jetës. Kështu që të gjithë përvojën time e kam në politikë. Besoj që do të vazhdoj të mbetem veprimtar shoqëror i mirë i këtij vendi edhe pasi të largohem nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

Gazetarja: Në strukturat e Partisë Demokratike?

Presidenti Nishani: Nuk mund të them. Partia Demokratike është një parti që i ka strukturat e saj tashmë, i ka të konsoliduara, i ka në aktivitet, kam respektin tim maksimal. Unë sot jam President i Republikës, se çdo të ndodhë në të ardhmen nuk mund ta parashikoj me angazhime të drejtëpërdrejta politike. Duhet të kemi parasysh që unë kam arritur pozicionin më të lartë të shtetit, atë të Presidentit të Republikës dhe ky raport dhe standard duhet respektuar dhe unë do ta respektoj.

Gazetarja: Pikërisht për këtë ishte dhe pyetja më konçize, sepse kur një politikan arrin edhe majën, siç është Presidenti i Republikës, ndoshta këtu është edhe fundi i karrierës si politikan për të?

Presidenti Nishani: Jo, nuk besoj. Nuk po them në kuptimin politikan në një post. Nuk mund të pretendoj poste publike përtej atij të Presidentit të Republikës, sepse nuk ke poste përtej Presidentit të Republikës. Në aspektin institucional ju keni të drejtë, kur thoni se kur një njeri bëhet President dhe pa dyshim në aspektin e pozicionit institucional dhe unë nuk mund të kem pretendime në këtë sens. Por, si një kontribues politik në dimensione të ndryshme, patjetër që atë nuk mund t’ia ndaloj dhe nuk mund t’ia mohoj vetes dhe askush nuk mund t’ia mohojë vetes për të qenë një veprimtar politik dhe shoqëror si i pozicionuar në struktura apo jashtë strukturave, në shoqëri civile, në media apo në ndonjë parti politike, ato janë çështje që varen nga rrethanat e kohës.

Gazetarja: Ju thirrët mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për çështjen e kanabisit, por asgjë nuk u fol më pas. Ku është si çështje? Çfarë strategjie ndiqet? Pse u pushua? Pse nuk u fol më?

Presidenti Nishani: Pa dyshim që Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk është një instrument ekzekutiv; as nuk bën hetime, vëzhgime, ndalime, arrestime, e kështu me radhë. KSK-ja e ngriti çështjen apo rëndësinë e çështjes atje ku e meritonte vetë si çështje që kishte krijuar shqetësim, kishte angazhuar resurse të partnerëve ndërkombëtarë, kishte krijuar një çedim besueshmërie midis institucioneve të shtetit shqiptar që merren me zbatimin e ligjit dhe të partnerëve. Ne demonstruam që përtej përgjumjes, mosangazhimit të disa institucioneve, në tërësi institucionet kryesore të shtetit shqipar janë të motivuara. Kemi lënë detyrat tona dhe po ndjekim zbatimin e këtyre detyrave që ka KSK-ja.

Gazetarja: Diçka për kanabisin, situatë alarmante. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishte në një konferencë për shtyp ku shpalosi platformën apo strategjinë që do të ndiqet kundër kanabizimit të vendit. Si e vlerësoni këtë situatë dhe si e vlerësoni këtë strategji?

Presidenti Nishani: Kam qenë një nga zërat më të fortë të prezantimit të shqetësimit në lidhje me kanabisin. Nuk ka pasur asnjë konotacion politik, nuk ka pasur asnjë qëllim për të denigruar ndonjë institucion apo për të përdorur situatën për të shënjestruar politikisht individë apo institucione. Ka qenë tërësisht një shqetësim, i cili ka të bëjë me nivelin e kriminalitetit dhe prespektivën e kriminalitetit që sjell fenomeni i kanabisit. Për fatin e keq rezultoi i vërtetë shqetësimi dhe niveli i shqetësimit tim. Për fatin e mirë më në fund u pranua dhe ka angazhime përmes platformave, apo organizimeve të ndryshme që mbeten për t’u parë sa serioze dhe sa efiçiente do të jenë.

Gazetarja: Si e shihni punën e ambasadorëve të akredituar në vendin tonë? Duket se në këtë situatë në të cilën ne tani ndodhemi e paktë apo e fshehtë mund të ketë qenë dalja e tyre apo e padukshme përsa i takon zgjidhjes së situatës. Pse ka kaq tërheqje?

Presidenti Nishani: Unë vlerësoj dhe do vlerësoj vetëm ambasadorët e vendit tim. Ambasadorët e huaj duhet t’i vlerësojnë presidentët e vendeve që i kanë çuar për të shërbyer dhe për të verifikuar se sa këta ambasadorë kanë punuar për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Nuk është në tagrin e Presidentit të Republikës dhe të askujt tjetër në Shqipëri për të vlerësuar punën e ambasadorëve. Janë vendet e tyre, presidentët e tyre që i vlerësojnë ata.

Gazetarja: Sa larg është Shqipëria nga Bashkimi Evropian?

Presidenti Nishani: Procesi i integrimit është një proces, i cili është kompleks. Ne nuk duhet të konsumojmë kohë me debate rreth detajeve. Ne jemi të qartë në dy-tri elemente thelbësorë. Së pari, orientimi perëndimor dhe evropian i Shqipërisë është i padiskutueshëm, i pandryshueshëm, është alternativë e vetme. Kjo është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka asnjë çedim në këtë mes. Kush mendon që mund të krijojë ndonjë çedim apo ndonjë pikëpyetje është i dështuar dhe unë them thjesht një aventurier dhe asgjë më shumë. Së dyti, procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm, sepse ne përmes procesit do të arrijmë standardet. Kur të vijë momenti i vendimarrjes përfundimtare politike, që ne të jemi anëtarë, atëherë do të thotë se ne e kemi kaluar procesin, pra kemi arritur këto standarde në zhvillimin e lirisë dhe demokracisë të institucioneve, ekonomik, infrastrukturor, kulturor, e kështu me radhë. Së treti, duhet të kemi parasysh që ne do të integrohemi në Bashkimin Evropian duke i bindur qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, institucioneve të vendeve të BE-së dhe mekanizmat e Brukselit që Shqipëria është e gatshme për të qenë kontribuese, jo konsumuese në BE. Me këtë dua të them që, të lihet mënjanë retorika e të ashtuquajturës shantazhim apo kapardisje, apo konfliktualitet në proceset e integrimit me vendimmarrje politike në Bruksel apo në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk i shkon askujt, përkundrazi dëmton procesin dhe e dëmton imazhin e Shqipërisë. Për ta mbyllur, Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveçse të jetë edhe “de facto” dhe “de jure” anëtare e strukturës së Bashkimit Evropian. Ka një dilemë sot se cila do të jetë struktura, arkitektura e Bashkimit Evropian pas këtyre sfidave që vetë BE-ja është duke ndeshur. Por, në cilëdo arkitekturë të re që do të ketë Bashkimi Evropian në vitet që do vijnë apo dekadat që vijnë, unë besoj se pozicionimi i Shqipërisë nuk ndryshon, objektivi i Shqipërisë nuk ndryshon dhe rrugëtimi i Shqipërisë nuk ndryshon.

Gazetarja: Zoti President ishte kënaqësi që zhvilluam bashkë këtë intervistë. Faleminderit!

Presidenti Nishani: Gjithashtu dhe për mua ishte kënaqësi. Ju uroj ju personalisht, stafit dhe televizionit tuaj punë të mbarë!

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste, Kriza politike, Nesida Tufa, presidenti Nishani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT