• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

Letra e komisionerit Hahn

May 12, 2017 by dgreca

….Letra e Johannes Hahn-it është e qartë. Na thotë çafshi kokat me njëri-tjetrin. Po i dhëntë rrugë Zotit, e na ultë nervat. Dhe atë Kosovën, kulturën a mendësinë e politikës së saj .., të na e yshti si model. Pasi koha vertetoi se shqiptarët në të ashtuqujturin dhe’u amë, nuk janë të aftë të bëjnë shtet./

1 HahnNga Ilir Levonja/ Letra e Johannes Hahn, komisionerit europian, është e pakuptueshme për shumë mendje shqiptare. Edhe për faktin se u duket jo diplomatike, nga që u drejtohet njerëzve, popullit në përgjithësi. Nuk vë pika mbi i. Nuk e adreson fajin etj. Nuk e thotë troç që, ky apo ai e ka. Madje është i çuditshëm kur thotë se në anulimin e zgjedhjeve në Kavajë, nuk fitoi askush. Por thekson se aty humbi demokracia.

Ky palo diplomat që ka futur në krizë shumë vende në ballkan etj. Nuk përmend as drogën që po e mbyt vendin etj. Futjen e kriminelëve në kuvend. Apo tolerancën karshi një opozite të papërgjeshme. Që me demek po e çon vendin në anarshi.

Letra e Johannes Hahn-it është e qartë. Na thotë çafshi kokat me njëri-tjetrin. Po i dhëntë rrugë Zotit, e na ultë nervat. Dhe atë Kosovën, kulturën a mendësinë e politikës së saj .., të na e yshti si model. Pasi koha vertetoi se shqiptarët në të ashtuqujturin dhe’u amë, nuk janë të aftë të bëjnë shtet.

Janë akoma me mendësinë bërjes së demokracisë me Unin e nomeklaturës së diktaturët së proletariatit. Aq më tepër që në pushtet kanë ardhur me energji të shumëfishuara bijtë e baballarëve. I gjen me shumicë. Nga të dy krahët. Bijtë e atyre që nderonin me grusht ke koka. Aq sa përshembull, të vjen të plasësh kur u flet akoma shqiptarëve, në emër të demokratëve, Fahria. Ky Zoti i madh qënka me të vërtetë i padrejtë me ne.

Na ka bërë tani të mallkojmë edhe FB, pasi aty… ka shumë individë të rrezikshëm me mendjet e tyre. Duan të na prishin fuqinë e zotave. Se tek ne të drejtën e fjalës e kanë vetëm ca zota. Zëri i popullit, Zëri i Rinisë, Bashkimi, Puna etj. Nga këto mitra duan sot të gëlojnë vetëm ca miter motra të tjera. Dhe e konsidorjnë të drejtën e fjalës, veç prone të tyre. Shkurt po mallkojmë sa po shqyhemi internetin. Pasi i ka dhënë liri shprehje gjithkujt. Dhe ne na trëmb liria. Pasi jemi shqiptarë. Ne e duam me dru pas koke. Dhe të na vësh në hutut. Kështu thoshin vëllezërit tanë internacionalistë. Sot dhimokratë të zjarrtë. Shqiptarët vëri në hutut…

Një demokrat bën mire të mos me merret me Johannes Hahnin, me metodat e nomeklaturës. Ne ndërtuam socializmin për dyzetë e pesë vjetë. Mbyllur dhe Europa na la në urtësinë tone të mbrapshtë. Në dashurinë tone të shfrenuar karshi udhëheqësit të lavdishëm. Kaq .. As me atë që është apo nuk është kurvë Vllahutini. Nëse përfaqëson europën, ne e kemi të folkorizuar tashmë prej atit fishtjan, moj evrop, moj kurvë e motit. Madje pasojat e padrejtësive të saj po vuajmë edhe sot. Por edhe kur na ka dhënë të drejtë. Na ka ofruar qeverisje, si ajo e 1913-ës me princ Vidin…, ne e kemi hedhur në det. Dhe a e dini se kush e ka bërë këtë, ai soj që sot ka frikë nga fjala kurvë. Megjithëse njoh plot burra kurvarë që fjalën kurvë e kanë si buka e përditshme. Që vdesin të shkojnë me kurva. Dhe kur ia arrijnë, thonë kjo është kurvë e mirë. E bëjnë edhe shefe. Ose i gjejnë burrë e burrin ia bëjnë ministër. Quajnë kurva të gjitha grate dhe motrat e shokëve. Por kurvën më të madhe bënin atë që nuk ua jepte. Shkurt çështje e koklavitur kurvëzimi. Një ngatërresë leshësh, që ec e merri vesh. Ndaj e drejta e mendjes për ne është e drejtë e rezervuar. Privilegj i Zërit të popullit, gazetës Puna etj. Ndaj dhe ne shqiptarët, erzi i të dukurit, i jemi përveshur sot FB, lirisë së të shprehurit. Dhe ta sjellim xhandarin tek dera, pasi a qeveri e fortë or ti.

Eshtë ndoshta momenti më historik kur një forcë politike është si të thuash… në vendin e duhur dhe kohën e duhur.

Ku me ligj fitoi shumë çështje antidemokratike, si dhe bëri pastrimin monumental. Me zbythjen e kriminelëve nga kuvendi i shqiptarëve. Unë e di që sot ka shumë socialistë që u skuqet faqa. Ka shumë socialistë që edhe mllefin ndaj LSI-is ia ngjeshin Saliut. Në vend që t’i zbrazen lsistave, zbarzen tek koncepti Sali. Dhe heshtin nga mllefi i Sali beut. Edhe pse është tashmë një e shkuar. Por fajin Saliu e ka. Kurse inatin me LSI-n. Nga ana tjetër këto fitore të demokratëve. Apo ushtrimi opozitar, dosmodoshmëria e opozitës i dha rezultatet e para. Lista e reja që pushteti po trumbeton në këtë fushatë moniste, janë disi më të distiluara. Megjithëse teoria e meritokracisë akoma vlon dukshëm. Të paktën hijet e krimit janë reduktuar. Qofsha në të drejtë. Megjithatë është turp se si votojmë ne, se si nxjerrim rezultatet. Eshtë turp kjo fushatë entuziaste e nisur ngjyrash. Ky monizëm bashkimesh profesionalesh si fushatat e korrje shirjeve. Dhe djersa e lëkurave të rreshkura kthehej në bunker e privilegje bllokmenësh. Kurse sot në në një front të ri, të quajtur demokratik. Por që në fakt është demokracia e bylmezeve. Një vetvrasje e re e shqiptarëve.Ja kjo është përmbajtja e letrës së komisionerit.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Letra e Hahn-it

Dhunë në protestën e 13 majit?

May 12, 2017 by dgreca

Basha: Do të jem në shesh bashkë me familjen time/

1 Basha

Të shtunën më 13 maj do të zhvillohet protesta e Partisë Demokratike dhe partive të tjera opozitare.Kreu i demokratëve Lulzim Basha u bëri sot thirrje qytetarëve nga çadra e protestës që të marrin pjesë pasivisht në protestën e së shtunës për të mbrojtur votën e lirë.

Basha tha gjithashtu se më 13 maj mirëpret në shesh qytetarët së bashku me familjen e tij.

“Nuk mundet e nuk do të kalojë nga votimet farsë të diktuara nga krimi dhe droga. E ardhmja europiane e Shqipërisë do të kalojë nga autostrada referendare e 13 majit që do t’i japë zërin e popullit shqiptar, vulën e popullit shqiptar, qëndresës tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri.

Ndaj bashkohuni me mua, me familjen time, me fëmijët e mi do të jemi këtu. Ejani me zemrat e mbushura me besim tek e nesërmja që na pret. Unë e kam parë këtë të nesërme që po vjen, ju po e ndërtoni ditë për ditë të nesërmen e Shqipërisë së shqiptarëve. Bashkë do të shembim çdo pengesë. Bashkë do të nxjerrim në pension kupolën politike të republikës së vjetër dhe këtë të fundit do t’ia dorëzojmë Muzeut Kombëtar në pavijonin e turpit”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.

Filed Under: Opinion Tagged With: Jo Dhune me 13 pershor, Lulzim Basha, me familjen

SHBA mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës

May 12, 2017 by dgreca

-Delegacioni nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-ve viziton Kosovën/2 amerik ne Kosove1 amerikanet

– Në 10 maj delegacioni i Kongresit Amerikan kryesuar nga kongresmeni Bob Goodlatte vizitoi Shqipërinë në kuadër të një turi të gjerë rajonal, përfshirë Kosovën/

PRISHTINË, 12 Maj 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Një delegacion nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve viziton Kosovën, ku sot takohet me zyrtarë qeveritarë dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile. Kongresmeni Bob Goodlatte nga Virginia, kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve për Gjyqësorin,  udhëheq delegacionin.

Gjatë ditës së sotme delegacioni do ketë takime të vecanta me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, bën të ditur njoftimi dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në 10 maj delegacioni i Kongresit Amerikan kryesuar nga kongresmeni Bob Goodlatte vizitoi Shqipërinë në kuadër të një turi të gjerë rajonal, përfshirë Kosovën.

Hoxhaj takon kongresmenët, SHBA mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës

 Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot delegacionin nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Duke i falënderuar për miqësinë dhe mbështetjen e madhe të SHBA-së për Kosovën, Hoxhaj i ka informuar kongresmenët për progresin e vendit në agjendën euro-atlantike dhe orientimin e palëkundur perëndimor të Kosovës.

Ministri Hoxhaj ka folur për marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara dhe rolin që ka ShBA-ja në ndërtimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Të dy palët diskutuan për mbështetjen amerikane që Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) në kuadër të Aleancës Veriatlantike.

“Kemi biseduar për miqësinë dhe mbështetjen që ShBA-ja vazhdon t’ia japë Kosovës ndër vite dhe rolin e saj në shtet-ndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë. Po ashtu, diskutuam se si Kosova të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) dhe mbështetjen amerikane në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati kosovar i ka informuar kongresmenët në lidhje me rrjedhën e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizim përmes dialogut të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar.Po ashtu, Hoxhaj dhe kongresmenët diskutuan për zhvillimet më të fundit në rajon dhe tendencën e Rusisë për të ndikuar në Ballkan duke i kundërshtuar shtetet e perëndimit dhe duke e penguar integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit. U diskutua edhe për ndikime të tjera jo-perëndimore të mundshme në Ballkan dhe luftimin e ekstremizmit.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, Behlul Jashari, delegacioni i kongresisteve, mbeshtet Kosoven

KOSOVA 2017 DY PALË ZGJEDHJE

May 12, 2017 by dgreca

-Të parakohshme parlamanetare në qershor dhe të rregullta lokale në nëntor/

1 zgjedhje Kosve

  -Nis afati njëjavor i aplikimit të  subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet e pas një muaji/
2 Kosove zgjedhje 2PRISHTINË, 12 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova pas rrëzimit të qeverisë me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 maj 2017, pas 30 ditësh, në 11 qershor, zhvillon zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u dekretuan dje nga Presidenti i Republikës dhe menjëherë mblodhën e mobilizuan Komisionin Qendror Zgjedhor për përgatitjet.
Sipas vendimit të KQZ-së për caktimin e afateve të aktiviteteve, aplikimi i  subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhje ka nisur që dje dhe do të përfundojë pas një jave në 19 maj 2017.
Afati i tërheqjes së shortit për renditjen në fletëvotim do të jetë 27 maji 2017.
Afati për të caktuar kufizimin e shpenzimeve për fushatë filloi në 11 maj dhe mbaron në 15 maj 2017.
Fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë në 31 maj dhe do të përfundojnë në 9 qershor 2017.
Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhgueseve do të fillojë në 11 maj  dhe do të përfundojë në 4 qershor 2017.
Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës do të fillojë në 15 maj dhe do të përfundojë në 22 maj 2017.
Për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke u mbështetur në ligj, mori vendim që të shkurtojë afatet kohore në përputhje me rrethanat, miratoi Planin Operacional dhe Planin e Buxhetit në vlerën 4 milionë e 944 mijë e 900 euro.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.
Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 do jenë të gjashtat në liri, të tretat në pavarësi, ndërsa zhvillohen tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.
Legjislatura e tretë ishte ajo që ka hyrë në histori me shpallen e Pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në këtë pranverë, Kosova këtë vit, në vjeshtë, mban edhe zgjedhje lokale, në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.
Në deklarata e biseda para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës një nga alternativat ishte që nëse koalicioni qeverisës nuk do qëndronte deri në fund të mandatit në vitin 2018, zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbahen përnjëherë edhe në 2017-tën, ashtu si kanë ndodhur edhe më parë para 10 viteve,  në 17 nëntor 2007, që kështu të kishte edhe kursim buxheti, që mos të mbahen njëherë të parat e pastaj të dytat brenda një viti, në pak muaj distancë.
Tash në largim pas mocionit të mosbesimit, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e 10 majit 2017 me shumë debate, replika e përplasje, me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 apstenime, miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga tre grupet parlamentare opozitare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mbështetur nga 42 deputetë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, dy pale zgjedhje, kosova

Kompozitori Abaz Hajro, “babai” i serenatave Korçare

May 12, 2017 by dgreca

1 abaz Hajro

Nga Vepror Hasani/I pari ishte Ibrahimi. E qante violinën. Kur e dëgjonin nëpër dasma nuk mbetej njeri pa lotuar. Pas tij erdhi i bri, Hajroja, edhe ai mësoj ta bënte violinën të qante. “Të qarën e Hajros”, e interpretojnë edhe violinistët e sotëm, por dy shpirtra nuk janë kurrë njëlloj. Hajroja pati tre djem: Demkën, Rushanin dhe Shefkën. Dy të parët mësuan violinën, kurse Shefka llahutën. Vëllezërit i dhanë dimension tjetër artit të të qarit. Shpirtin e gjysh Ibrahimit dhe të Hajros, e bashkuan me shpirtrat e tyre; u bënë tre breza bashkë. Virtuoziteti i tre vëllezërve magjepsi banorët e Korçës. Prej Rushanit dhe Shefkës lindën muzikantë të talentuar, kurse Demka la pas 5 djem dhe 2 vajza: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin, Adivien dhe Xhevrien. Që të gjithë të lindur për muzikë. Një armatë e tërë muzikantësh. Por ne do t’ju tregojmë për fisarmonicistin e famshëm, kompozitorin, dirigjentin, drejtuesin e Orkestrës së Estradës Profesioniste të Korçës, muzikantin e Orkestrës Simfonike dhe “babain” e serenatave korçare, Abaz Hajro.

Abazi ishte njeri i çuditshëm. Gjithnjë i menduar kur dilte mëngjeseve prej shtëpie, kur ecte në rrugë, kur vinte në studio, kur ulej në tavolinë e ngrihej prej saj, kur hynte në lokal e dilte prej andej. (Abazit i pëlqente edhe të pinte). Ata që e njohën nga afër, i njohën edhe trishtimin që sytë e tij nuk e fshihnin dot. Pse ndodhte kështu? Çfarë e mundonte kompozitorin Abaz Hajro? Fal qëmtimit që i ka bërë jetës së tij gazetarja Shirma Minga, sot njohim misterin e të menduarit të tij të përhershëm. Të fshehtën e misterit të Abazit e zbulojnë kujtimet e aktores dhe këngëtares së mirënjohur, Dhimitra Mele, e cila tashmë nuk jeton më: “Abazi ishte një kompozitor i mrekullueshëm dhe një ekzekutues gjithashtu shumë i mrekullueshëm. Kishte aftësira të veçanta. Gjithnjë e shihja të menduar: Abaz, pse rri kështu? – e pyeta një herë. Po mendoj për diçka  të re që dua ta kompozoj… m’u përgjigj.” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

Misteri i Abazit ndriçohet më tej prej muzikantit Viktor Çani. Abazi kishte aftësi të kompozonte pa instrument, kudo që ndodhej: “…Për Abazin ruaj kujtime shumë të mira. … shquhej për aftësitë e tij. Nëse të tjerët donin orë të tëra të studionin, Abazi i thithte në pak kohë dhe jepte rezultate.… Ishte i zoti në instrument, luante “a prima vista” – “me një të parë”. …Kishte aftësi të veçanta në kompozicion. Kompozonte pa instrument, rrinte në tavolinë dhe shkruante…” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)

“Pjesën tjetër të së vërtetës e gjejmë te rrëfimet e  Vasil Ballaurit: “Abazi ishte intelektual, ishte artist, ishte fisnik. Ai kish një botë shpirtërore me thellësi të tillë që mund të matej vetëm kur kompozonte meloditë e tij me vargjet e Alfred de Musesë, kish shpirtin e revoltës së heshtur, dufin e së cilës e nxori gjithë jetën ose duke lëshuar lot anës syve kur pushtonte gjithë pasion fisarmonikën ose duke pirë. Unë të paktën personalisht, Abazin nuk do ta harroj.” (Vasil Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Këngëtari Nystret Frashëri rrëfen muzikën hyjnore të Abaz Hajros, e cila la të mahnitur banorët e Shkodrës. Ishte koha kur bëheshin olimpiada teatrore. Regjisori Dhimitër Orgocka kishte vënë në skenë dramën “Shtëpia në Bulevard” të Fadil Paçramit. Pjesë të saj ishin ilustruar me muzikën e Abaz Hajros. Ishin në Shkodër për konkurim kombëtar:

“Pas shfaqjes një grup njerëzish më pyetën:  Ç’ishte ajo muzikë që dukej sikur binte nga qielli? Unë iu përgjigja: autori i saj është Abaz Hajro!” (Shirma Minga, “Gishti  i tij rridhte mjaltë”)  

Ashtu siç e shkruante krijmtarinë e tij, pa instrument, ashtu e arkivonte edhe në kujtesën e tij, për ta nxjerrë prej andej kur i duhej, pavarësisht nga koha kur ishte shkruar. Një histori të tillë rrëfen Agron Pojani:“Ishim në Vlorë. Abaz Hajro kishte harruar në shtëpi partiturën e operetës “Agimi”. U kujtua vetëm pak çaste më parë se të luante operetën. Po tani? Kjo ishte pyetja e tij dhe e të gjithve ne. Mbetëm të hutuar. Ai luajti pa partiturë. Gjithçka kishte qenë e fiksuar në shpirtin e tij. Na mahniti të gjithëve!” (Referuar kujtimeve të Agron Pojanit, valltar)

Prej këngëve të Abaz Hajros drithëroheshin gjithë këngëtarët. Ishte virtuoziteti i tij që emociononte si këngëtarët me përvojë ashtu edhte këngëtarët e vegjël. Kompozimet e tij ishin njerëzore, të kapshme, të pëlyeshme, emocionuese, të paharrueshme, sikur vinin prej qiellit. Në festivalet e fëmijve çonte këngët të mrekullueshme. Jorgjeta Lalazi rrëfen fëmijërinë e vet si këngëtare:

“Kënga më bënte të drithërohesha e gjitha. Kisha nisur të këndoja që kur isha në klasë të parë. Kisha marrë pjesë në të gjitha festivalet e fëmijve dhe çdo vit isha vlerësuar me çmime. Këndoja me shoqen time Alma Subashi, me Astrit Koçibellin, me Afërdita Laçin, me Arsen Buzalin, me Ilir Qafzezin etj. Tasi Poda ishte udhëheqës artistik, Abaz Hajro dirigjonte, kompozonte dhe luante në fisarmonikë.” (V. Hasani “Solistja e grupit ”Nostalgjia”, Jorgjeta Lalazi: Ju rrefej jetën time”)

Abaz Hajros i duhej të mendonte për këngët e muzikës së lehtë, për këngët popullore, për këngëtarët e Estradës së qytetit, për  kupletet, paroditë, pantonimat etj:

“Me krijimin e Estradës së Ushtaritë e cila ishte e dyta që u hap në Shqipëri pas asaj të Tiranës, Spanja u aktivizua duke kënduar këngë popullore e të muzikës së lehtë. Në vitin 1960, në Estradën profesioniste të qytetit të Korçës, ajo doli si soliste kryesore me këngë të kompozuara nga Abaz Ajro dhe kompozitorë të tjerë…” (Raimonda Moisiu, “Tingulli i zemrës e ka emrin serenatë”)

Abaz Hajro njihte çdo dashuri të qytetit, çdo dhimbje dhe brengë, çdo pikë loti të rrënë prej syrit. Njerëzit i kërkonin që loti i padukshëm i tyre të bëhej serenatë, dhe ai ulej dhe kompozonte. Këngëtarja Spanja rrëfen:“Abaz Hajro ua u gjente “telat” serenatave. Këto ishin tamam serenata, si përshembull “Sofati”. Kjo serenatë lindi për dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati duke qëndisur:

Shkoj përditë rrugës sate si më parë,

por më parë të kisha ty,

sot kam mall.

Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh).

Serenata tjetër e Abaz Ajros:“Ti më erdhe në netët e qeta”. Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartte kjo serenatë. Jeta ka çaste të bukura, çaste mërzitje e gëzimi, veçmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjeçe dhe isha nën “ethet” e dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike, po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti: -Çfarë ke? Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që solli tekstin e serenatës, që përmenda më lart”. (Rajmonda Moisiu, “Spanja Pipa, artistja që theu tabutë”)

Edhe kënga e mëposhtme u kompozua prej Hajros në pragun e një viti të ri, kur jashtë dëbora shtrohej si qilim, kur bota festonte, por dikush e vetmuar rrinte në shtëpi…I këndohet trishtimit që ndoshta ngandonjëherë vjen edhe pa arsye, por ndoshta edhe nga diçka që duhet mbajtur e fshehtë, edhe pse brenga të mundon:

“Sonte festë ka e gjithë bota,

botë moj gjithmonë paç gëzim,

verë e kuqe derdhet nëpër gota,

bora jashtë shtrohet si qilim.

Të gjitha shoqet në gostira vanë

vetëm unë sonte nuk festoj,

trimin e zemrës, që s’e kam pranë,

me mendime do ta shoqëroj…”.

Kështu u krijua edhe kënga tjetër ku dhimbja dhe dashuria, ndarja dhe malli rrinë bashkë, por ti nuk ia thua dot askujt; vetëm kënga të çliron shpirtin:

Ti më erdhe në netët e qeta,

në krahët e mia si demon,

më dehe me puthjet e fshehta,

si ëndrra që vjen edhe shkon…

Fisarmonika e Abaz Hajros nuk heshti asnjë çast; ajo ishte atje ku ishte dhimbja dhe trishtimi i njerëzve. Vasil Ballauri sjell një panoramë më të plotë të përpjekjeve të Abaz Hajros:

“Për rreth 25 vjet (a më tepër), në dekadat e vështira të viteve 60 e 70, në botën e vërtetë shpirtërore të rinisë, botë kjo që shfaqej fshehurazi e trazuar prej melodive e këngëve gjatë mbrëmjeve të dikurshme të vallëzimit, një rol qendror në qytetin e Korçës luajti fisarmonika e papërsëritshme e rrëqethse, vajtuese dhe sidomos virtuoze e Abaz Hajros.” (V. Ballauri, “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, f. 61)

Abaz Hajro mbajti gjallë serenatat e Korçës edhe në vitet e komunizmit, kur këto këngë nuk i shihnin me sy të mirë. Kështu shprehet muzikologia Mikaela Minga:

“Nuk janë kënduar me lehtësinë e viteve të para apo kohës së lulëzimit, por në Korçë serenatat janë kënduar gjithmonë. Krahas saj ka pasur edhe autorë që kanë krijuar këngë të cilat ndonse nuk këndoheshin në skenë u bënë shumë të njohura. Ndër ta shumë të rëndësishëm për t’u përmendur janë kompozitori dhe fisarmonicisti Abaz Hajro, apo autori i vargjeve Aleko Skali” (Ani Jaupaj, “Si u ruajtën serenatat korcare”)

Kontributin e Abaz Hajros për ruajtjen e serenatës Korçare e vë në dukje edhe Spanja Pipa:

“Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se kompozitori dhe fisarmonicisti i shquar korcar Abaz Hajro ua gjente “telat” serenatave. Ato ishin tamam serenata…” (Rajmonda Moisiu, “Rrëfehet Spanja Pipa me serenatën ndër buzë”)

Krijimtaria e Hajros është gjallë edhe sot e kësaj dite. Ende këndohen serenatat e tij. Ai ishte pjesëmarrës i përhershëm në  koncerte e festivale, krijues i këngëve qytetare të Korçës; pjestar i Orkestrës Simfonike me dirigjent Kristo Konon. Drejtues i Orkestrës së Estradës Profesionistë të Korçës që nga viti 1956. La pas më shumë se 100 këngë e melodi. Lindi më 25 mars 1930 dhe u nda nga jeta në 6 shtator 1996. (V. Hasani, “Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog”)

Kurse këngëtari Gaqo Prifti thotë:“Mjafton të dëgjosh vetëm këngët e tij dhe do të kuptosh sa i madh ishte dhe çfarë botë të gjerë shpirtërore kishte.” (Shirma Mnga, “Gishti i tij rridhte mjaltë”)

Në shenjë nderimi ndaj vepër së Abaz Hajros, prej disa vitesh, ai ka bustin e tij në lagjen ku lindi dhe jetoi, por shumëkush mendon se Hajro nuk ishte krijuesi i nj lagjeje por kompozitori që i këndoi me pasion Korçës, ndaj busti i tij duhet të jetë në qendër të qytetit. Kështu mendon edhe skulptori Bujar Sula, i intervistuar nga gazetari Tonin Froku, i cili thotë se Abazi i dha jetën Korçës:

“Abazi ishte ikona, e serenatës korçare, këngët që ka bërë Abazi janë të pavdekshme, janë korniza të mrekullueshme për kengën. Abazit i takon të jetë në qendër të qytetit. Këngët e Abazit i këndojnë korçarët e mirëfilltë, njerëz me kulturë, njerëz me horizont. Ishte i jashtëzakonshëm. Ai i dha jetën Korçës…” (Tonin Froku, “Ku duhet të vendoset busti i Abaz Hajros”)

Dalja në skenë e kompozitorit të famshëm Abaz Hajro nuk ishte e rastësishme, Korça ka patur shoqëri muzikore që nga vitet 1670, dhe më parë, por kjo e vërtetë është lënë në heshtje. Na ndiqni fundjavën që vjen, do të mësoni më shumë për shoqëritë e para muzikore të Korçës, për këngëtarin Muço që i këndonte Ali Pashë Tepelenës dhe për shumë sazexhinj të tjerë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abaz Hajro, babai i sernatave, korcare, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT