• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

Sekretari Mattis: Lufta do të ishte katastrofike

August 11, 2017 by dgreca

Sekretari Mattis mbrëmë në Kaliforni: Lufta do të ishte katastrofike/

sekretari mattis mbreme ne kaliforni

Pas retorikës armiqësore të ditëve të fundit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, është përpjekur të zbusë tensionet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, duke thënë se Uashingtoni ishte ende i interesuar në zgjidhjen e krizës përmes diplomacisë.Gjatë një fjalimi në Kaliforni në orët e vona të së enjtes, shefi i Pentagonit tha se, ishte detyra e tij të qëndronte gati për një konflikt të mundshëm, por shtoi se lufta do të ishte katastrofike. Sipas Mattis, përpjekjet diplomatike të Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson dhe ambasadores amerikane në OKB, Niki Haley, po japin frytet e para.

Megjithatë, ai nuk dha detaje lidhur me përpjekjet diplomatike që po zhvillohen: “Tragjedinë e luftës bota e njeh shumë mirë. Ajo nuk ka nevojë për ndonjë karakterizim tjetër përveç faktit se do të ishte katastrofike”.
Peniani njoftoi të enjten se, po finalizonte planin për të lëshuar 4 raketa në territorin amerikan të Guamit. Kjo shtyu kreun e Shtëpisë së Bardhë të deklaronte se Koreja e Veriut duhet të jetë shumë nervoze, nëse bën diçka kundër SHBA-së. Duke folur nga klubi i tij i golfit në Bedminster të Nju Xhersit, Donald Trump sugjeroi se kërcënimi i tij ndaj Koresë së Veriut se do të përballej me “zjarr e furi”, mbase nuk kishte qenë i mjaftueshëm. Ai paralajmëroi regjimin komunist se do të ketë telashe si pak kombe në histori nëse nuk kontrollon veprimet e tij.
Përshkallëzimi i konfliktit mes Uashingtonit dhe Penianit ka shqetësuar aleatët europianë të SHBA-së. Politikanë gjermanë kanë propozuar që BE-ja të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës mes dy vendeve. Ndërkaq, Australia bëri të ditur se është e gatshme t’i bashkohet një lufte të mundshme kundër Koresë nëse Amerika do të sulmohet. {Sh.K}

Filed Under: Komente Tagged With: do të ishte katastrofike, Sekretari Mattis mbrëmë në Kaliforni: Lufta, Shefqet Kercelli

Akoma me Erionin kjo dëm-demokracia jonë

August 11, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/ Një foto e hedhur në webet e CNN-it mbi zjarret në Shqipëri. E ka mërzitur shumë Erion Braçen. Një nga ata persona që mendja jonë, për gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë, e njeh veç si deputet. Thonë se ka mbaruar për ekonomi, por ka punuar si gazetar në ish Zërin e Popullit. Madje dhe kryeredaktor i saj, por bukë ka ngrënë e po ha me politikën. Bukë jo në kuptimin e ekzistencës, por në atë që, se ku ka provuar lumturinë e profesionit. Suksesin. Ku ka gjetur vetveten. Por kjo nuk është ndonjë gjë anormale në demokracinë tonë. Anormale në demokracinë tonë është, të vish në pushtet, të qeverisësh, e të ikësh.

Sipas një statuti të tij në FB, të cilit i referohen gazetat, mbi zjarret në Shqipëri, Erionit i dhimbset shteti, por ama vetëm kur është ai në pushtet. Se kur është në opozitë. Ia lëron nënën ku ta ketë. I quan qelbësira këta, shqiptarët që denoncojnë. Që denoncojnë pa asnjë lek. Thjesht çojnë nëpër webet e CNN-t, të vërtetën. Por aspak ata që paguajnë nëpër webet, sa të CNN-it, tv-të e tjera, siç ishte edhe ai reportazhi i para pak ditëve, i atij televizionit francez, mbi Shqipërinë turistike të Erionit. Me hale e fekale, e me plehra. Aq sa webet e lokale, sidomos nga Saranda, postojnë foto me stiva mbetjesh, si dikur ato stivat në fushën e druve.

Kjo është qeverisja e Erionit. Por ai, CNN-it a tv-ve franceze. Nuk i çon këto. I çon ato që i do qejfi, pasi është në pushtet. I dhimbset vendi. I dhimbset shteti. Ndryshonte puna po të ishte në opozitë. Dhe ky, atëhere kur digjte, nuk ishte qelbësirë? Kurse këta denoncues po, këta denoncues, që mund të kenë shënuar emrat në listen e kryeministrit si bashkëqeverisës. I quan piromanë. Me pak fjalë ka kuptimin e atyre që përmbushin qejfet duke u vënë zjarrin objekteve. Piroman në kuptimin e manjakut. Pra këta shqiptarë janë manjak të zjarrit. Janë qelbësira. I vunë flakën maleve të Shqipërisë.

Kur ishte Erioni në opozitë, më 1997-ën, i vuri flakën, jo vetëm maleve, objekteve, por edhe shqiptarëve. Sa statistikat tregojnë jo një humbje alarmante, po një katastrohë ekonomike e gjaku njerëzor. Aq Shqipërisë, do i duhen, jo vetëm ekonomikisht, por edhe mendërisht, dyfishi i viteve të diktaturës për të marrë veten. Dhe po vazduan të votojnë Erionin, trefish.

Po ka më zjarrëvënës në Shqipëri, më manjak të konfliktualit politik shqiptar se ky Erioni? Si ky e soji i tij, si majtas e djathtas? Që kanë gjithë kohën deputet…?! Absolutisht që jo.

Ndaj në një farë mënyre Erioni ka të drejtë të tallet, nëpërkëmbi, përçmojë, akuzojë. Ashtu tendosur, gjithnjë me fytyrë nevrasteniku.

Pasi shqiptarët në përgjithësi, nuk po e bëjnë mire punën e qytetarit. Ia kanë shitur të drejtat e tyre, liritë, mëndjen etj…, të gjitha Erionit. Fare, lire… Dhe vet vazhdojnë gërrvërret. Në emër të Erionit.

Keni hapësirat tuaja njerëz, qytetarë etj.

Jepuni liri mundësive tuaja.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akoma me Erionin kjo, dëm-demokracia jonë, Ilir Levonja

BE-ja si ndërmjetësuese mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?

August 11, 2017 by dgreca

Trump rrit dozën e deklaratave kundër Koresë se Veriut/

Vice President Mike Pence listens as President Donald Trump speaks to reporters at Trump National Golf Club, Thursday, Aug. 10, 2017, in Bedminster, N.J. (AP Photo/Evan Vucci)
Vice President Mike Pence listens as President Donald Trump speaks to reporters at Trump National Golf Club, Thursday, Aug. 10, 2017, in Bedminster, N.J. (AP Photo/Evan Vucci)

Presidenti Donald Trump bëri të enjten një paralajmërim të ri ndaj Koresë së Veriut, duke thënë se deklarata e tij për “zjarr dhe furi” “nuk ishte mjaftueshëm e fortë”.

Duke folur me gazetarët, zoti Trump tha se Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.Presidenti i bëri komentet ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey përpara një takimi me këshilltarët e lartë lidhur me çështje të sigurisë.Deklarata e zotit Trump vjen pas paralajmërimit të bërë prej tij më herët gjatë kësaj jave se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë.

Përpara reagimit të fundit të presidentit

Koreja e Veriut tha të enjeten se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit.

Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.

Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik.

Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare.

Paralajmërimin e presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”.

Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të.”

Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e presidentit Trump.

 

 

Koment: Racional – iracional/

Kreu koreano-verior i shtetit ka një strategji që e ndjek me këmbëngulje. Sinjalet kontradiktore nga Uashingtoni ai i interpeton si kërcënim. Kjo e vështirëson zgjidhjen e konfliktit edhe më shumë, mendon Peter Sturm./

1 Kim Jongu

1 Kore-SHBAPër Kim Jong-un është shkruar shumë, me të drejtë rrallëherë është shkruar vërtetë diçka me dashamirësi për të. Por në situatën aktuale, që mund të shndërrohet në një krizë, një meritë mund t’ia vesh në dukje kreut koereano-verior të shtetit: Kim Jong-un po vepron jo pa arsye. Duket se ai ka një strategji. E këtë e ndjek me këmbëngulje të madhe, ngjashëm si edhe i ati Kim Jong-il dhe gjyshi i tij Kim Il-Sung. Por ndryshe nga dy të mëparshmit, me sa duket Kim Jong-un ndjen presion akut kohor. Kjo sigurisht ka të bëjë me ndryshimin e qeverisë në Uashington.

Qeveria Trump ka deklaruar, se strategjia e Obamas “strategjia e durimit” në raport me Korenë e Veriut ka marrë fund. Që qysh nga janari vazhdimisht vijnë sinjale kontradiktore nga Uashingtoni, këtë Kim Jong-un me gjasë nuk e interpreton ashtu siç është në të vërtetë, pra si një tollovi në qeverisje. Ai mendon, se gjithçka që thuhet publikisht është e verifikuar deri në detajet më të vogla. Parë nga kjo perspektivë tollovia e palës tjetër i duket atij si kërcënuese, sepse një situatë e tillë (me gjasë qëllimisht) e turbullon kundërshtarin e mundshëm.

Ndaj Kim Jong-un vëren një “hapësirë dobësie” për veten. Arsyeja më e rëndësishme për këtë është, që ai vetëm në aspektin propagandistik mund të matet në të njëjtin nivel me SHBA-në. Në aspektin ushtarak kjo nuk qëndron. E këtë nuk e ndryshojnë as dy apo një sërë prova raketash atomike që ka ndërmarrë ai. Kim do që ta mbyllë teknikisht sa më shpejt të jetë e mundur programin e armëve atomike, sepse vetëm kështu e imagjinon ai veten të sigurtë prej ndonjë sulmi.

Një pyetje tjetër është, nëse mund të zgjidhet konflikti vërtetë me këshillat e mira p.sh. të Kinës, që SHBA-ja duhet të nisë dialogun me Phenianin? Nëse ka një konstante në tridhjetë vjetët e jetës së Kim Jong-unit, atëherë kjo është, që mos i beso askujt nga bota e jashtme, madje as një cope letre. Ndaj ndonëse teorikisht është e mundur marrëveshja me Korenë e Veriut, nuk është i mundur një çarmatim total bërthamor i gadishullit korean. Por është pothuajse e pamundur, që të besosh, se Kim Jong-un do t’u përmbahej rregullave të një marrëveshjeje të tillë. Pra racionaliteti i udhëheqësit koerano-verior nuk arrin deri në këtë nivel.(Kortezi:Peter Sturm FAZ)

***

BE-ja si ndërmjetësuese mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së?/

Politikanë në Gjermani në sfondin e konfrontimeve verbale mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut shprehin shqetësimin e tyre. Partia Socialdemokrate gjermane propozon, që BE-ja të ndërmjetësojë.

Kryetari i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate (SPD) Thomas Oppermann angazhohet për ndërmjetësimin e BE-së në krizën mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së. “Gjermania ka mundësi të kufizuara, të influencojë direkt në këtë konflikt”, tha ai në Belrin. Ndërsa BE-ja propozohet si ndërmjetësuese. “Unë nuk e di, nëse kjo është realiste. Nëse ka një mundësi për këtë, atëherë ajo duhet shfrytëzuar.” Fillimisht duhet insistuar, që përballja verbale të zëvendësohet nga bisedime të arsyeshme.

Të shmanget përshkallëzimi

“Përshkallëzimi verbal është i rrezikshëm – dhe besimi tek Donald Trump, se mund të marrë vendime të siguruara në plan afatgjatë, është i kufizuar”, tërhoqi vëmendjen Oppermann. “Ndaj shpresoj shumë, që në SHBA forca si ministri i Jashtëm Tillerson, që përdorin gjuhë të moderuar, të marrin situatën në dorë.” Por kërkohet natyrisht edhe nga fuqia mbrojtëse e Koresë së Veriut Kina, që të ndërmjetësojë. “Tani kemi një situatë, ku Këshilli i Sigurimit – ka vendosur sanksione kundër Koresë së Veriut pa u vendosur veto prej Kinës dhe Rusisë. “Kësisoj situata politikisht edhe në aspektin diplomatik është sjellë në drejtimin e duhur. “Kjo nuk duhet të çojë nga një përshkallëzim verbal drejt aktiviteteve ushtarake. Një gjë të tillë duhet ta ndalojmë patjetër”, theksoi politikani socialdemokrat.

Infografik Karte Raketenreichweiten Nordkoreas SPA

Ndërkohë kandidati i SPD-së për kancelar Martin Schulz akuzoi Trumpin se po e ashpërson konfliktin e Koresë së Veriut. “Ne jemi në një situatë, ku na duhet t’i themi edhe hapur qeverisë së SHBA-së, që kjo përplasje verbale e ashpërson situatën dhe nuk e zbut atë”, tha kryetari i SPD-së në Berlin. Qeveria federale duhet t’ia bëjë të qartë këtë Trumpit. Schulz përshëndeti ashpërsimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut dhe i kërkoi Kinës, që të verë në veprim influencën e saj. “Ajo që duhet të na shqetësojë, është se presidenti i SHBA-së bie në nivelin e diktatorit koreano-verior.” Këtë duhet t’ia themi qartazi Trumpit. “Kjo politikë e presidentit Trump nuk mund të jetë kurrë politika e europianëve, as politika e Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Schulz.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, e akuzoi Korenë e Veriut për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shprehu mirëkuptim për presidentin e SHBA-së. “Përsëritja e provave me raketat bërthamore nga Koreja e Veriut shkel të drejtën ndërkombëtare në fuqi dhe kërcënon paqen rajonale”, tha  për gazetën “Passauer Neuen Presse” politikania kristiandemokrate.

Koreja e Veriut i përmbahet kursit

Koreja e Veriut pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare prej vitesh po e avancon programin e saj të raketave dhe armëve bërthamore. Në korrik ajo testoi dy raketa ndërkontinetale, që sipas ekspertëve mund të prekin edhe kontinentin në SHBA. Trump në një deklaratë adresuar Phenianit tërhoqi vëmendjen për arsenalin bërthamor të SHBA-së, që është “më i fortë se kurrë” më parë. Po ashtu presidenti i SHBA-së kërcënoi, se SHBA-ja do të reagojë me “zjarr e indinjatë” ndaj provokimeve prej Koresë së Veriut. Si kundërpërgjigje Koreja e Veriut nga ana e saj kërcënoi me një sulm me raketë ndaj destinacioneve përreth bazës ushtarake të SHBA-së Guam në Paqësor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Be, konflikti SHBA-Kore, ndermjetse

Turistët gjerman: “Natyra, ushqimi dhe mikpritja shqiptare, mbresëlënëse”

August 11, 2017 by dgreca

Nga Arber BAJRAMI/

Jo vetëm zona bregdetare, por edhe pjesa tjetër e Shqipërisë është shumë e pëlqyer nga turistët e huaj. Transporti mbetet ende sfidë për turistët.

Albanien private Fotos von Touristen (privat)

Shqipëria mbetet një nga destinacionet e preferuara për turistët nga Gjermania. Të rinjë nga Gjermania kanë nisur ta zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet  verore e për të shijuar veçoritë që ofron ky vend. Shqipëria është një vend, ku pushuesit gjermanë gjejnë një larmi atraksionesh turistike, që dallojnë nga ato tëvendeve të tjera evropiane. “Udhëtimi me minibusët nëpër ato rrugë gjarpëruese ishte për mua një përvojë mjaft e veçantë”,  thotë Moritz, student nga Këlni. Ai për DW veçoi, se është mjaft i kënaqur me pushimin e tij në Shqipëri dhe se nuk ka pasur ndonjë përvojë negative, pavarësisht se mjetet e transportit në Shqipëri ai e sheh si sfidë për pushuesit e huaj.

Albanien private Fotos von Touristen (privat)

Christin nga Eseni e ka vizituar Shqipërinë para 2 vitesh në muajin e shtator, kur fluksi i turistëve është më i vogël në krahasim me muajt e verës. Ajo për DW thotë: “Hera e parë me makinë në Tiranë ishte e vështirë, por ia dola mbanë të përshtatem edhe pse rregullat e trafikut nuk respektoheshin”. Çështja e trafikut ka habitur edhe Michaelin nga Boni, i cili thotë: “Në Evropën Qendrore nuk kam parë ndonjëherë një ngarje të tillë të makinës në rrethrrotullimet e trafikut si në Shqipëri. Në Tiranë vlenin  rregulla të veçanta sa i përket kësaj”.

Atraksionet kulturore dhe sportive – një arsye më tepër për të vizituar Shqipërinë

Pushuesit nga Evropa janë të mahnitur nga historia dhe kultura shqiptare. Kruja, Berati, Apollonia dhe muzeu kombëtar në Tiranë janë pika të preferuara turistike. Xiengong në intervistë për DW shprehet: “Unë do t’jua sugjeroja pushimin në Shqipëri të gjithë atyre që janë të interesuar për shumëllojshmëri kulturore si dhe për historinë evropiane”. Prezenca e më tepër religjoneve që e karakterizon Shqipërine u veçua si vlerë nga të intervistuarit. Tirana si kryeqytet është shumë tërheqëse për pushuesit gjermanë. Ata veçojnë, se në këtë qytet u ka rënë sy organizimi i festave e koncerteve dhe se si popull shqiptarët kanë karakter festiv. Christin më tej thekson se si lagje, përshtypje të veçantë i ka lënë Blloku në Tiranë me të gjitha pub-et si dhe të rinjtë që ka takuar përreth.

Albanien private Fotos von Touristen (privat)

Kuzhina shqiptare – e lerverdishme në çmim dhe e pakrahasueshme në shije

Në Shqipëri, kohëve të fundit vërehen mjaft ndryshime pozitive sa i përket përgatitjes së ushqimit, gjë që e bën Shqipërinë një vend edhe më të pëlqyer për turistët e huaj. Sipas Bobb, i cili e ka vizituar Tiranën para dy vitesh, kuzhina shqiptare është në nivel të asaj italiane dhe spanjolle. Të gjithë të intervistuarit nga DW janë treguar mjaft të kënaqur sa i përket ushqimit në Shqipëri duke shprehur gjithashtu habinë për çmimet, që janë dukshëm më lirë se në shumë vende të tjera të Evropës. Ushqimet e detit mbeten më të preferuarat, ndër të tjera.

Turistët gjermanë shprehën një admirim kundrejt mikpritjes shqiptare. Të gjithë theksojnë kujdesin që bëjnë shqiptarët për t’u ofruar një nivel të lartë komoditeti pushuesve. “Unë jam pozitivisht i habitur nga fakti që, në Shqipëri, edhe në lokalin më të vogël ofronin lidhje në internet, gjë që nuk e gjen as edhe këtu në Gjermani”,  thotë Bobb për DW.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: mikpritja, shqiptaret, Turistet gjermane

Haradinaj: Kosova brenda 10 ditësh do ta ketë Qeverinë

August 11, 2017 by dgreca

1 Haradinaj

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova brenda 10 ditëve të ardhshme do të ketë institucionet e reja. Haradinaj thotë se me mbështetjen e partisë politike Aleanca Kosova e Re, Kosova do të ketë një Qeveri gjithëpërfshirëse. Ai thotë se kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është Kadri Veseli.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit, pasi deputetët e koalicionit PAN nuk po paraqiten në seancë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pse nuk jeni prezent?

Ramush Haradinaj:Në seancën e parë konstitutive u kërkua një pauzë. Ishte e nevojshme kjo pauzë për konsulta të ndërsjella edhe rreth kandidaturës edhe rreth votës, jo vetëm për kryetarin por edhe për trupat e tjerë të Kuvendit, nënkryetarët. Konstituimi i Kuvendit pa një dakordim të partive politike është i pamundur.

Pra, dallon konstituimi i Kuvendit nga formimi i Qeverisë për shkak se është një formulë shumë strikte, që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që vetëm koalicioni fitues ose forca fituese politike, që në këtë rast është PAN-i. Gjendja e krijuar është rezultat i një mosdakordimi nga partitë tjera, në këtë rast nga LVV dhe LAA, që të respektojnë këtë situatë ose këtë të drejtë të fituesit, që të votohet kryeparlamentari.

Radio Evropa e Lirë: Ku qëndron tani problemi sipas jush. Ka pasur një periudhë bukur të gjatë kohore për t’u kryer konsultime.

Ramush Haradinaj: Mendoj se tani ky është vullnet politik i Vetëvendosjes dhe i LDK-së. Pra, është në vullnetin e tyre që a të lejojnë një të drejtë që PAN-i e ka nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke marrë pjesë në votim. Pra, mos marrja pjesë në votim ose mosvotimi i kryeparlamentarit është bërë shkak i kësaj gjendjeje. Për fat, gjendja ka evoluar, pra nuk jemi në atë gjendjen e ngurtë. Është vërtetë e mirëseardhur, një pozicion i ri i AKR-së, edhe i zotit [Behgjet] Pacolli, një gatishmëri që t’i jepet edhe një afat kohor kësaj gjendjeje dhe një afat kohor të caktuar, për të zhbllokuar krijimin e institucioneve në vend, në këtë rast, konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë: A është i gatshëm koalicioni PAN të ndryshojë kandidatin e nominuar për kryetar Kuvendi?

Ramush Haradinaj: Kandidati, është e drejt ekskluzive, kandidatura dhe përzgjedhja e kandidatit. Pra, nuk është ndonjë kategori përzgjedhja e kandidatit. Kushtetuta jonë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka paraparë të drejtën e koalicionit fitues që të kandidojë [kryetarin e Kuvendit]. Pra, ta quaj ashtu, interferimi në përzgjedhje nuk është e drejtë e partive tjera, është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve.

Pra, nuk ekziston kategori kushtetuese ose nuk ekziston rregull e paraparë, që i jep të drejtën partive të tjera të interferojnë në përzgjedhje. E ka thënë gjykata, është e drejtë ekskluzive e PAN-it. PAN kishte mundur të vendosë, në një mënyrë apo në një tjetër, por e ka paraparë, e ka kandiduar zotin Veseli dhe ai është kandidati për kryetar Parlamenti.

Radio Evropa e Lirë: Këto ditë keni pasur disa takime me deputetë të partive të tjera, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, por edhe me kryetarin e AKR-së. Për çfarë është biseduar?

Ramush Haradinaj: Tani, është vërtetë, është domethënëse, është një situatë e re, pozicioni i presidentit Pacolli, në këtë rast kryetarit të Aleancës Kosova e Re. Ai është deklaruar se e ndjen përgjegjësinë si AKR dhe si Behgjet për gjendjen në vend dhe që nuk dëshiron të rri duarkryq gjithë kohës pa vepruar.

Pra, që do t’i japë një afat kohor zhbllokimit të institucioneve dhe do të veprojë. Kjo është një situatë e mirëseardhur dhe dihet mirëfilli se një situatë e tillë, një rol dhe platformë që e shprehu presidenti Pacolli, për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe një platformë qeverisëse janë interes i vendit sot, dhe ne jemi të hapur për këtë qasje të re të zotit Pacolli dhe e mirëpresim.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë se keni marr një premtim nga AKR se do ta jap votën për kryetarin e Kuvendi dhe formimin e Qeverisë?

Ramush Haradinaj: Ajo që mund ta konfirmoj është një ndjenjë e përgjegjësisë nga vet zoti Pacolli, pra e ndjen përgjegjësisë që gjendja nuk mund të shkojë në pa kufi kështu.

Nuk guxojmë të hyjmë në ato situatat e vitit 2014, e të vonesave pa kufi. Pra, ai e ndjen përgjegjësinë para popullit, vendit, para aleatëve të Kosovës dhe që zoti Pacolli dhe AKR nuk do të presin pa kufi për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, po edhe t’i marrin përgjegjësitë.

Vetë Pacolli e ka një përvojë të jashtëzakonshme në shumë çështje, qoftë në marrëdhënie me jashtë, qoftë temave ekonomike që është i njohur për këtë, po ka edhe kolegë të zotët dhe jam i bindur se ai do ta japë kontributin e vet edhe në konstituimin e institucioneve dhe qeverisjen në vend.

Radio Evropa e Lirë: Deri më tash nuk keni dëshmuar se si koalicioni keni numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e kryetari të Kuvendit dhe Qeverisë, derisa më herët e keni thënë se i keni votat. Çka po ndodh?

Ramush Haradinaj: Kishte një lëkundje të caktuar në seancën e parë, pra edhe për ne ka qenë pak e habitshme gjendja.

Na erdhi keq për gjendjen e krijuar në pjesën e parë të seancës konstituive. Ju thash dhe e kam përsëritur disa herë, se situata vetëm votë 61, nuk është e parealizuar dhe nuk është joreale çdo ditë, por i kemi dhënë edhe në të kaluarën përparësi një mundësie të një qeverisje me bazë më të gjerë.

Për fat, po rezulton se kemi pasur të drejtë, pra për këtë se vet fakti se presidenti Pacolli, pra të AKR-së, flet se nuk janë shterur mundësitë ende që të kemi konstituimin e Kuvendit, që të kemi një Qeveri me bazë më të gjerë. Dhe mendoj se edhe koha që na ka humbur, nuk mund të quhet krejt kohë e humbur sepse po fitojmë me argumente, pra do të kemi institucione me bazë më të gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, si do të veproni tash e tutje?

Ramush Haradinaj: Tani është një situatë e ndjeshme. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, zoti Mikullovci është edhe ai në një situatë jo të lehtë, pra është një precedan, pra gjithë zhvillimi me seancën.

Me gjasë ai nuk e vlerësoi drejt mbylljen e seancës, çka nënkupton mbyllja herën e parë. Tani jemi në tendencë ose në përpjekje që ta rikthejmë seancën. Seanca rikthehet pas dakordimit të partive politike, por nuk mund të kthehet njëanshëm. Dhe mendoj se duhet të shfrytëzohen konsultat për dakordim për seancë.

Ka terren, pra në 10 ditë nga sot, ka terren për mbajtjen e seancës, por nxitimi edhe thirrja e seancës njëanshëm nuk është zgjidhje.

Radio Evropa e Lirë: Pra, kur mendoni që Kosova do t’i ketë institucionet e reja?

Ramush Haradinaj: Tani besoj se është pak më e qartë gjendja. Pra, ka një reflektim të spektrit politik, ashtu siç e thash më herët, dhe besoj që në këto ditët që po vijnë, në këto 10 ditë do të jemi në gjendje që t’i marrim vendimet e duhura për të konstituuar Kuvendin, t’i zgjedhim organet e Kuvendit dhe njëkohësisht edhe formimin e Qeverisë.

Intervistoi: Arton Konushevci/

Filed Under: Politike Tagged With: 10 dite, Haradinaj, Kosova me qeveri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT