• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Histori-Kosova para 26 viteve në Referendum, votoi 99,87% për Pavarësi

September 26, 2017 by dgreca

-Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%/

1 gjilan 1992

 -Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: “Referendumi, një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen/
1 Rilindja
-Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së/
1 kacaniku voton

 -Vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ku u organizua edhe Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i 26-30 shtatorit 1991/1 agim mar dila Laura

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1 ag mar muze

 PRISHTINË, 26 Shtator 2017/ Para 26 viteve kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

Kuv Kosov Iliaz Ramajli

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konsatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

Iliaz Ramajli

Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

 “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive të një presidenti kosovar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), në shtatorin 1994, atëherë në 3 vjetorin e ngjarjes historike të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: “Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendumka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët”.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë që kam zhvilluar ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror.

“Një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”, vlerëson Rifat Blaku, i cili atëherë ishte anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit.Ai, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 tetor 1991, kur është shpallur edhe qeveria e Kosovës në ekzil.

Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” e  para 26 viteve, në numrin e 4 tetorit 1991, në  ballinë me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për sovranitetin shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, shkruante:“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punojnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatat e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatavë, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ kur ishte i okupuar Televizioni i Prishtinës për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica, duke qenë të gjitha faqet e gazetës ngjarje dite, duke hequr rubrikat e faqet e tjera të botimeve të zakonshme.

Gazeta e vetme e përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë, “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisën edhe bashkëpunimet me ATSH-në, nga e cila merrnim e botonim informacione në gazetën “Buku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Ndërsa, para më shumë se 25 viteve, raportimet që bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare të 24 majit 1992 shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë. Zyra e telexit në Pallatin Rilinda u bë edhe zyrë e ATSH-së, prej nga raportoja ditë e natë.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Pas Referendumit, në 11 tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Kosova është e lirë prej mëse 18 vitesh, nga qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 9 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.

VATRANËT NGA SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA, KU U ORGANIZUA EDHE REFERENDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS I 26-30 SHTATORIT 1991

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në përurimin e Shtëpisë-Muzeut të Pavarësisë së Kosovës në 23 dhjetor 2002 theksonte: Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (e 2 Korrikut 1990),  Kushtetuta e Republikës (e 7 Shtatorit 1990) dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991 (26-30 shtator).

 Pastaj u nxor dokumenti i tri opcioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqipare, u organizuan zgjedhjet e para parlamanetare – presidenciale më 1992 (24 maj) dhe aktet e tjera…Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…

Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e vizitoi në 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj. Gjatë vizites, së bashku vatranët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i VATRËS, Behlul Jashari, përkujtonin  ngjarjet historike…

Filed Under: Featured Tagged With: 26 vjet pga Referendumi, Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, pavaresia

PËR LUFTËN DHE PUSHTETIN E LUFTËTARËVE…

September 26, 2017 by dgreca

Po shkruaj për UÇK-në, jo për ta përulur, por për ta ngritur në vendin e merituar! Nga një numër shumë i madh, sot veteranë, dikur jemi ruajtur, të mos na spiunojnë!/
1 Nazim-Qehaja
Shkruan:Prof. Nazim Qehaja/UÇK-ja ishte një grup luftëtarësh guerilë, të vetëquajtur Ushtri Çlirimtare, e cila, jo që kishte kapacitete të një ushtrie të mirëfilltë, por me aktivitetet e saj luftarake, kryesisht nëpër male, provokoi Serbinë, për t’u lëshuar në një aventurë policore-ushtarake, e cila, me krimet e bëra mbi popullatën civile, i dha shkas NATO-s për të ndërhyrë ushtarakisht dhe, më pas, për ta detyruar edhe të tërhiqet nga Kosova. UÇK-ja, fillimisht, sipas informatave që kishte Shërbimi Emergjent, kishte rreth 4000 ushtarë aktivë, njerëz vullnetarë nga vendi dhe mërgata. Këta nuk kishin ndonjë përvojë ushtarake dhe shtetformuese, përveç vullnetit për lirinë e vendit nga Serbia. Ndryshe prej tyre, paria e UÇK-së, të vetëquajtur komandantë dhe gjeneralë, të etur për pushtet dhe pasuri, pas tërheqjes së Serbisë, në vend që të merreshin me riorganizim ushtarak, për ruajtjen e paqes, që e solli NATO-ja, u rreshtua drejt hakmarrjes, plaçkës dhe uzurpimeve të pronës së popullit, duke shkatërruar gjithçka të bukur në natyrë dhe shoqëri, mbi të gjitha dinjitetin dhe moralin e qytetarit. Ata, fillimisht i bënë tri gabime të pafalshme. E para, që pranuan në gjirin e UÇK-së njerëz, të cilët i kishin blerë uniformat në kampe dhe u futën bashkë me KFOR-in si ushtarë. Kjo ishte kategoria më e ulët e popullit të Kosovës. Shumica ishin hajdutë, spiunë dhe njerëz të cilët me maska, në bashkëpunim me soldateskën serbe, vodhën, dhunuan dhe vranë! Veprimet e tyre uzurpuese dhe kriminale, tani në emër të UÇK-së, jo vetëm kundër serbëve të pambrojtur, por edhe kundër shqiptarëve, gjoja bashkëpunëtorë të “armikut” Ibrahim Rugovës dhe Serbisë, i vazhduan edhe pas futjes së KFOR-it në Kosovë, duke komprometuar në këtë mënyrë skajshëm jo vetëm luftën e mirëfilltë të UÇK-së, por edhe gjithë popullin. Të gjitha këto gjëra ishin regjistruar nga KFOR-i dhe UNMIK-u, të cilat, më vonë, do të përdoren si alibi për ta gjykuar UÇK-në si organizatë terroriste, e luftën e saj si konflikt ndëretnik, për të cilën gjë edhe u formua Gjykata speciale ndërkombëtare, e që do të pranohet edhe nga të akuzuarit, gjeneratorë të të gjitha të këqijave për vendin në vijim.
Gabimi i dytë katastrofal ishte demobilizimi i vetvetes dhe transformimi, thjesht, në një formacion civil për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore.
Më pas, si gabim i tretë, ishte formimi i partive, në të cilat, për ta arritur numrin e nevojshëm të votës për pushtetmarrje, u integruan njerëz me moralin më të ulët të mundshëm të atdhedashurisë, të cilët deri atëherë ishin vetëm keqbërës mbi popullin dhe bashkëpunëtorë të pushtetit serb! Pas marrjes së pushtetit, ku me forcë e ku me blerjen e votave me paratë e vjedhura dhe pronat e uzurpuara të popullit, paria e tyre, të frikësuar për krimet e bëra ekonomike dhe antinjerëzore, pranuan dhe heqjen e shtetësisë me Fusnotë, nënshkruan humbjen e mijëra hektarëve tokë në kufi me Maqedoninë dhe Malin e zi, nënshkruan formimin e Bashkësisë së komunave serbe, me kompetenca shtetërore, keqpërdorën luftën e shenjtë të luftëtarëve të vërtetë, duke i vënë përkrah të afërmit e tyre dhe të tjerët, të cilët meritën si veteranë lufte e blenë me para dhe tani, së fundi, pranuan edhe bashkëqeverisjen me partinë proqeveritare serbe, me orientim armiqësore për Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Të gjitha këto i bënë, si tani edhe atëherë, vetëm për pushtet dhe pasurim të shpejtë!
Lexues të nderuar, autori i këtij shkrimi nuk është anëtar partie. Në vitet ’90, përveç punës së tij pedagogjike në Fakultetin e Mjekësisë, punoi në organet e pushtetit paralel, si anëtar i Kryesisë së Këshillit Komunal për Financim, Anëtar i Kryesisë së Sekretariatit Komunal për Shëndetësi dhe së fundi Kryetar i Këshillit për Emergjenca Shëndetësore, me detyra të veçanta në organizimin dhe trajtimin e ushtarëve të UÇK-së nga zonat e luftimeve. Inicioi dhe udhëhoqi ndërtimin e Spitalit ushtarak në Shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Kodrën e Trimave në Prishtinë. Nuk kërkoi dhe nuk aplikoi për veteran të UÇK-së, sepse kontributin e vet e shikon shumë të vogël dhe obligues për atdheun. Të gjitha këto aktivitete, si dhe punën pedagogjike 10-vjeçare, nëpër shtëpi private, i bëri pa shpërblim. Sa ishte Drejtor i Poliklinikës MEDICUS-NAZ, bashkë me kolegë, vullnetarisht kontribuoi në fondin për vetëfinancim me 100 marka gjermane në muaj dhe në Fondin për Invalidë të UÇK-së me 300 marka në muaj.Prishtinë, 23. 09. 2017

Me respekt, Prof. Nazim Qehaja

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE PUSHTETIN, E LUFTËTARËVE..., per Luften, Prof. Nazim Qehaja

Emigracion-AI IKU DUKE LËNË PAS NJË VEPËR RILINDËSI

September 26, 2017 by dgreca

1 Zace Dashamir

Në kujtim të Dashmir Zaçes, mësuesi i parë i shkollimit shqip të fëmijëve në Selanik, 7 mars 2001….Një vit më parë, më 26 shtator 2016, Dashmir Zaçe, mësuesi i orës së parë të mësimit shqip të fëmijëve mërgimtarë në Selanik, mësuesi i brezave të tërë nxënësish në Përmet, poeti, shkrimtari, NJERIU, iku në përjetësi.
Iku për të lënë pas një vepër rilindësi, rilindësi të një kohe tjetër, rilindësi të gjuhës shqipe në mërgim.
Iku pa zë, pa një vlerësim moral për aktin e tij, e bashkë me Të të dhjetëra mësuesve dhe mësueseve vullnetarë të mësimit të fëmijëve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës.
Për Të, për vlerat e tij si njeri dhe si mësues, tashmë ka një libër në proces botimi, një libër që shpresoj ta lexojnë pushtetarët në Shqipëri, ta lexojnë dhe t’i ngrenë në piedestalin e lartë mësuesit mërgimtarë që si rilindësit e mëdhenj të kombit punojnë duke u shkrirë si qiriu për mëmëdhenë, për gjuhën e bukur shqipe.
Një homazh sot për Dashmir Zaçen, një tufë lule mbi shtëpinë e tij të përjetshme në Përmet.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 26 shtator 2017

Filed Under: Mergata Tagged With: 26 shator 2016, Mesuesi Kashmir Face, u shut

Serbia në Paris kundër shtetit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO

September 26, 2017 by dgreca

fejaz-drancolliFejaz Drançolli*/

Akademiku serb Dobrica Qosiq konstaton: “Gënjejmë për ta mashtruar veten, për ta ngushëlluar tjetrin, gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë nga turpi për t’u trimëruar, për ta fshehur varfërinë tonë, gënjejmë për arsye nderi. Gënjejmë për arsye të lirisë. Gënjeshtra është pamje e patriotizmit serb, vërtetim i inteligjencës së lindur. Gënjejmë me kreativitet, imagjinatë dhe inovacion. Gënjeshtra është interes shtetëror serb. Gënjeshtra është pjesë e të qenit serb. Në këtë vend secila gënjeshtër në fund pranohet si e vërtetë. Serbët shumë herë në histori i ka shpëtuar gënjeshtra.”.
auto_kulla1489654694Një shtet që me egoizëm e mbron trashëgiminë në territorin vet, e përvetëson kulturën shpirtërore e materiale të të tjerëve, dhe në anën tjetër plaçkitë, djegë e shkatërron trashëgiminë kulturore si të lëvizshme ashtu edhe të palëvizshme, vlerat historike të një populli tjetër si në rastin e Kosovës, nuk bën pjesë ndër shtetet e civilizuara.

Një shtet si Serbia që me forcat shtetërore plaçkiti, dogji dhe rrënoi afro 2700 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare e në kuadër të tyre edhe një numër të komplekseve dhe të objekteve të shpallura si  monumente kulturore-historike me rëndësi dhe vlera të veçanta, nuk e meriton që të jetë anëtare e UNESCO-s e lëre më të pengojë pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Marrja e muzealeve nga Muzeu i Kosovës (1998)  si dhe shkatërrimi gjenocidal i trashëgimisë shqiptare në Kosovë (1998-1999, por edhe më parë), plaçkitja e dokumentacionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe moskthimi i tyre në Kosovë, nuk duhet të jetë dhe nuk është diç e panjohur për shtetet anëtare të UNESCO-s. Mirëpo, shteti gjenocidal i Serbisë këto ditë, (15 shtator 2017) para ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s u paraqit me një ekspozitë e film dokumentar, me një prezantim jo të saktë, të rrejshëm në lidhje me trashëgiminë e Kosovës në Paris.

Serbët gjatë historisë së tyre shpesh kanë gënjyer. Këtë më së miri na e dëshmon edhe thënia e akademikut serb Dobrica Qosiq: “Gënjejmë për ta mashtruar veten, për ta ngushëlluar tjetrin, gënjejmë nga dhembshuria, gënjejmë nga turpi, për t’u trimëruar, për ta fshehur varfërinë tonë, gënjejmë për arsye nderi. Gënjejmë për arsye të lirisë. Gënjeshtra është pamje e patriotizmit serb, vërtetim i inteligjencës së lindur. Gënjejmë me kreativitet, imagjinatë dhe inovacion. Gënjeshtra është interes shtetëror serb. Gënjeshtra është pjesë e të qenit serb. Në këtë vend secila gënjeshtër në fund pranohet si e vërtetë. Serbët shumë herë në histori i ka shpëtuar gënjeshtra.”

Si përherë edhe kësaj radhe në Paris të Francës, Serbia vazhdon me avazin e vjetër, tradicional, garashanian (1844) shekullor, pa precedent përpjekjet e saja të ulëta për përvetësimin e trashëgimisë fetare ortodokse mesjetare në veçanti. Trashëgimia historike-kulturore si fetare ashtu edhe ajo laike që gjenden në territorin e Kosovës u takojnë kryesisht banorëve autoktonë, pra shqiptarëve dhe popujve të tjerë ardhacakë, që disa nga këto monumente shfrytëzohen edhe sot nga ata.

Propagandimi në vijimësi i këtij lloji dhe në mënyrë jo reale, jo qytetëruese me ekspozitë dhe film të përgatitur enkas nga shteti i Serbisë që u paraqit në qendër të Parisit, në qytetin ku  është edhe selia e UNESCO-s, është një prezantim bajat për shqiptarët dhe të tjerët që i njohin qëllimet e Serbisë. Kosova është shtet dhe si e tillë është njohur dhe pranuar me vendim të posaçëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pra, shpallja e pavarësisë së Kosovës është legjitime dhe e pranuar ndërkombëtarisht, deshi apo nuk deshi Serbia. Legjitime do të jetë edhe pranimi, anëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Serbia duhet të ecë me hapa të kohës, sa më parë aq më mirë për Serbinë dhe popullin e saj.

Të përkujtojmë se në Qendrën Kulturore të këtij shteti në Paris, pos tjerash u prezantua një material në lidhje edhe me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë në ditët e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004. Të theksojmë dhe duhet përkujtuar se në marsin e vitit 2004, pas vrasjes së tre fëmijëve shqiptarë në Mitrovicë dhe djegies së Xhamisë në Beograd dhe tjetrës në Nish, më 17 mars, në Kosovë shpërthyen trazirat, (përveç viktimave të shumta kryesisht shqiptarë, të vrarë e të plagosur), dhe nga individë të paidentifikuar deri më tani, u dogjën pesë kisha dhe u demoluan dymbëdhjetë kisha të tjera ortodokse në Kosovë si dhe disa objekte banimi në Nënkalanë e Prizrenit.

Pesë kishat e djegura kryesisht ishin të ndërtuara pas okupimit të Kosovës në mes të dy luftërave botërore si dhe të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Asnjë kishë a kompleks me rëndësi dhe monument i periudhës paleokristiane të shekujve IV-VI, (kur serbët as që dinin dhe as që ishin në territorin e Kosovës së sotme, ata ishin paganë dhe në fenë krishtere filluan të konvertohen diku rreth  shek. IX e që zgjati edhe gjatë sundimit Nemanjid) përkatësisht të riadaptuara dhe të përshtatura liturgjisë së kohës mesjetare të shek. XIII e XIV nuk u dëmtuan, nuk u demoluan dhe nuk u dogjën.

Ёshtë me interes të veçantë, dhe duhet theksuar se gjatë luftës çlirimtare (1998-1999) në zonat e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk u dogj dhe nuk dëmtua asnjë objekt fetar ortodoks në territorin e Kosovës.

Njëherësh, duhet cekur se nga autori i tekstit u përgatit publikimi në gjuhën angleze ”Monuments of Kosova”, botoi MKRS, Prishtinë, 2005. Publikimi në fjalë u paraqit në vitin 2005, në Selinë e UNESCO-s, në Paris, përkitazi me shkatërrimin e trashëgimisë, monumenteve në Kosovë nga ana e pushtetit serb, duke zënë në gojë edhe trazirat e marsit të vitit 2004. Po ashtu, nga autori i njëjtë u përgatit dhe u hap ekspozita e fotografive të monumenteve të shkatërruara, IHKL, Prishtinë, 2012. Kjo ekspozitë u prezantua në disa shtete si në Shqipëri (Tiranë), Turqi (Ankara, Stamboll dhe Bursa) në Austri (Vjenë) e Prishtinë. Këtu u prezantua një pjesë e djegieve, rrënimeve, dëmeve dhe përgjithësisht barbaria ndaj monumenteve, trashëgimisë kulturore-historike shqiptare të kryera nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Po nga autori i njëjtë në botim të IHKL-së  dolën edhe dy monografi: “Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99”, Prishtinë, 2015,  dhe “Trashëgimia e shkatërruar në Kosovë 1998/99, Prishtinë, 2017. Monumentet e shkatërruara të trashëgimisë kulturore, të trajtuara në këto botime, u takojnë shek. XV-XIX dhe XX. Këto publikime janë dëshmi të mjaftueshme për ta demaskuar prezantimin e tendencioz të Serbisë në Paris.

Shkatërrimet e monumenteve ishin të planifikuara nga shteti serb dhe kishin për qëllim zhdukjen e komplekseve urbane-arkitekturale, të ekzemplarëve të veçantë të objekteve të vjetra qytetare të banimit etj., që ishin të valorizuara dhe kishin vlera me rëndësi historike, artistike, arkitekturale e mjedisore, kishin për synim zhdukjen e gjurmëve autoktone të lokaliteteve arkeologjike, veçmas të gjurmëve të kulturës ilire-arbërore-shqiptare. Kjo u pa sheshazi nga ajo që ndodhi pas luftimeve të para në Kosovë në vitet 1998-1999. Këto shkatërrime të trashëgimisë kulturore si fetare ashtu edhe laike, publike e individuale as që u përmendën në këtë film “dokumentar” të shtetit serb. Por, një gjë të tillë as që e kemi pritur nga Serbia.

Shteti i Kosovës nuk duhet të rrijë duarkryq, duhet të veprojë kundër gënjeshtrave të shtetit serb meqë, në këtë aspekt edhe posedojmë fakte, dëshmi dhe publikime të pamohueshme për vjedhje dhe shkatërrimin e trashëgimisë historiko-kulturore shqiptare. Sot, si pasojë e këtyre shkatërrimeve një numër i madh i tyre nuk ekzistojnë. Një shkatërrim i përmasave të këtilla ndaj trashëgimisë nuk duhet të harrohet por, përherë të përkujtohen. Forcat shtetërore të Serbisë, përkatësisht të mbetjes së ish-Jugosllavisë, ushtria, policia dhe paramilitarët i dogjën 218 xhami, 6 teqe, 2 tyrbe, 4 medrese, 4 mejtepe, 1300 dyqane (në Çarshinë e Vjetër të Pejës, Gjakovës dhe të Vushtrrisë), 685 kulla, 33 shtëpi të arkitekturës banesore tradicionale, 2 hamame, 1 urë, 560 metra kub piktura murale, 8 kisha katolike e shumë ndërtime të tjera me vlera të trashëgimisë historike – kulturore e fetare, duke mos i përmendur sendet e lëvizshme që ishin pjesë e enteriereve të objekteve.

Këto fakte të pamohueshme duhet t’i tregojmë përherë, t’ua përkujtojmë shteteve anëtare të UNESCO-s, ( edhe pse ata e dinë, zyrtarisht janë të informuar, përmendim këtu rastin se gazeta parisiene “Le Monde”, në dhjetor të vitit 1999, ka biseduar dhe shkruar për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore me ish-drejtorin i IKMMK, autorin e këtij shkrimi.

Shteti i Serbisë, në kuadër të ish-Jugosllavisë edhe pse i ka ratifikuar konventat ndërkombëtare në lidhje me mbrojtjen e vlerave kulturave, ajo nuk i zbatoi në asnjë rast. Nuk e zbatoi  Konventën e Hagës (1954) për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Gjatë Luftës. Nuk i ka zbatuar as Konventat e Konferencës Gjenerale të Kombeve të Bashkuara për Arsim e Shkencë, të mbajtur në Paris në vitin 1972, etj. Pra, çfarë morali dhe çfarë të drejte ka Serbia të na shet mend në zemrën e kulturës dhe të artit botëror në Paris?!!! Serbia këtë e di, por kur gjejnë…

Për sjellje dhe veprime barbare, anticivilizuese ndaj vlerave, kulturave, monumenteve  shqiptare që kishin për qëllim zhbërjen e kulturës dhe të identitetit shqiptar duhet të ndëshkohet Serbia e jo të pësojë shteti i Kosovës. Këtë duhet ta dinë shtetet anëtare të UNESCO-s e nëse ato kanë harruar duhet t’ua përkujtojmë dhe vetëm t’ua përkujtojmë… Barbarizmi që e bëri Serbia ndaj trashëgimisë, kulturës dhe identitetit shqiptar, nuk është krim vetëm ndaj kulturës së popullit në fjalë, por është krim edhe ndaj thesarit botëror. Me këto  shkatërrime nuk rrënohet vetëm trashëgimia dhe arti i një rajoni dhe i një populli, por një pjesë e krijimtarisë shekullore të trashëgimisë botërore.

*(Autori i shkrimit është historian i artit, Këshilltar Shkencor në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL), në Prishtinë). E falenderojme qe e dergoi per lexuesit e Diellit.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Fejaz Drançolli, kundër shtetit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Serbia në Paris

Diskursi politik i Prishtinës e Tiranës zyrtare ndaj Krahinës së Preshevës

September 26, 2017 by dgreca

Refik-HASANI_2017-300x176Shkruan:  Refik HASANI/

Diskursi politik që kan ndjekur Tirana dhe Prishtina zyrtare që nga mbajtja e Referendumit të datës 1 e 2 marsit  1992 e këndej  ishte jo i drejtë, i ndarë,i pa harmonizuar, larg koordinimit. Në takimin  e radhës së dy qeverive do të duhej të ishte një pikë e posaçme e rendit për disa çështje e në radhë të parë ndërtimi i një qëndrimi të përbashkët ndaj kësaj krahine të mbetur padrejtësisht nën adminsitrimin e Serbisë.  Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve për Parlament të Kosovës më 11 qershor përkatëisht për zgjdhjet e 25 qershorit të sivjetëm për Parlament  të Shqipërisë. z.Hashim Thaqi, i cili dha  betimin më 7 Prill 2016,si President i 4-të i Republikës së Kosovës. z.Ilir Meta, i cili dha  betimin më 24 korrik të muajit ta kaluar dhe është President i 7-të i Republikës së Shqipërisë.Vizita e disa Deputeteve të Parlamentit të Kosovës në tri komunat e kësaj krahine, vizita e ish-Kryetarit të LSI-së dhe njëherit ish-kryetari i Kuvendit të Parlamenti dhe Ministër i punëve të jashtme dhe tani President z.Ilir Meta,vizita e Kryeministrit aktual të Shqipërisë z.Edi Rama.Një vizitë që do të duhej dalluar është vizita e parë historike që kishte një porosi dhe që ka prodhuar  mesazh të qartë për këtë krahinë  është  Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani, më 7 mars 2017, me rastin e ditës së Mësuesit, që  vizitoi Bujanocin dhe Preshevën.Të gjitha këto sikur kan shpërfaqur që ka dallime edhe në mesë të partive në Kosovë për qëndrimin ndaj tri Komunave. Por ka dallime edhe ndaj qëndrimit që mban Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca e Kosovës. Edhe në mesë të partive në Shqipëri për qëndrimin ndaj tri Komunave. Por ka dallime edhe ndaj qëndrimit që mban Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë. Partit qëndrimin që mbajn ndaj kësaj Krahine është e natyrshme, por Dy Parlamentet, dy Qeverit dhe dy Presidenta do të duhej të ken në trajtim dhe tretman për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë e jo me dallim jo të vogla.

Diskursi politik që kan ndjekur Tirana dhe Prishtina ishte jo i drejtë, i ndarë,i pa harmonizuar, larg koordinimit  

Tirana dhe Prishtina zyrtare, ku politika dhe diplomacia duhet të jen bashkë, të kordinuara me klasën politike, të ksaj Krahine të banur me shumicë shqiptare. Është momenti i fundit  që politikanët nga e tërë hapsira e jonë etnike shqiptare pa dallim, të reagojmë derisa  për çdo ditë e më shumë diskriminim po vazhdon. Banorët shqiptarë  në këtë  Krahinë të mbykqyren dhe monitorohet vazhdimisht nga ndërkombëtarët ku përqendrimi i forcave të kombinuara është  i stërngarkuar nga forcat  serbe  si në Cepotin, maje e Sitilisë të Novosellës mbi Vranjë dhe Karadak të Preshevës.Edhe një arsye më shumë që të mos ngriten tensionet më  të larta së cilës edhe ashtu akoma nuk iu janë shëruar plagët e luftës. Ne mendojm se diskursi politik që kan ndjekur Tirana dhe Prishtina është dashur që :

  • Shumë pakë po shenohet, kujtohet Referendumi i mbajtur më 1 e 2 marsit 1992,
  • Lufta e UÇPMB-ës sikur pak përmendët, kurse marrëveshja e Konçulit, sikur ska ndodhur,larg asaj të kërkohet që të plotësohet apo rikonfigurohet edhe njëher nënë prezencën ndërkombëtare,
  • Amnestia dhe çështjet që kanë të bëjn me pushtetin lokal nuk kanë dhën rezultate të duhura,
  • Fuksionimi i policisë multietnike nuk po shkon si duhet,
  • Shqiptarët në këtë Krahinë nuk kan ende të zgjidhur shkollimin ku ne kemi kërkuar themelimin e një Universiteti publik në gjuhën shqipe,
  • Nuk ka investime në infrastruktur, ende shqiptarët nuk kanë përkujdesje themelore shëndetësore, kjo Krahinë me mbi 100 mijë banorë nuk ka një spital regjional,
  • Republika e Serbisë, ende edhe pas gati dy dekadave nuk kan asnjë një ofertë serioze për kthimin e të zhvendosurve në trojet e tyre. Bile sillen sikur nuk ka patur fare luftë të armatosur dhe zhvendosje të mbi 35 mijë banorëve që kanë lëshur trojet e tyre nga pushteti agresiv i Serbisë,
  • Përdorimi i flamurit kombëtar shqiptarë dhe përdorimi i gjuhës shqipe nuk është rregulluar me ligj,
  • Përfaqësimi proporcional mungon jo vetëm në nivelin qendrore por edhe në ate lokal,
  • Nuk ka liri të lëvizjes së lirë në disa zona që janë shëndrruara si poligone të ushtrisë së kombinuar serbe.

Tirana dhe Prishtina zyrtare me masën kan krijuar konfuzion se a duhet të dalin votuesit në zgjedhje për parlament të Serbisë apo jo. Kështu  votuesit janë ndarë në dysh në pro dhe contra marrjes pjesë në zgjedhjet parlamentare. Banorët e Krahinës shqiptare  të mbetur ende nën serbi  u dëbuan dhunshëm, vetëm e vetëm t‘i lëshojn trojet e tyre stërgjyshore dhe nëse vazhdohet kështu do të zbrazete nga etnosi i pastër shqiptar.Ne përmes këtij shkrimi po bëjm përpjekje të  shtrojm domosdoshëmrin që nga përfundimi i luftës kërkojmë që dy qeverit  dhe po ashtu dy  parlamentet i Shqipërsisë dhe i Kosovës të ndërtojn një diskurs krejtë të njëjtë. Çka thotë Tirana Zyrtare ky do të duhej të jetë qëndrim zyrtar edhe i Prishtinës zyrtare e jo sikur tani Prishtina thumbit e Tirana patkoit.  Kurse nga liderët e partive politike dhe shoqatat e dalura nga lufta e UÇPMB-së, Kryetarët e tri Komunave  e mbi të gjitha kërkojm nga Këshilltarët Komunal shqiptarë  të tri Kuvendeve  Komunale të thirren në ndërtimin e kësaj fryme të një qëndrimi.Shpëtim i vetëm për këtë Krahinë të trazuar është prezenca afatgjate ushtarake dhe  civile ndërkombëtare dhe largimi i forcave të kombinuara serbe. Të gjithë së bashku të jemi një zë, në ndihmesë  të Krahinës shqiptare, të kërkojmë një prezencë ndërkombëtare,  ky Rajon të shpallet si një zonë e vërtet e demilitarizuar e jo e diskriminuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Diskursi politik, Krahina e Presheves, Prishtina e Tirana, Refik Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT