Nga Arben LLALLA/Më 13 dhjetor 2017 kryeministri Edi Rama nënshkroi disa vendime të qeverisë së tij për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë “të vrarë” gjatë luftës italo-greke 1940-1941. Rama zyrtarizoi 28 tetorin si Ditë Homazhi në përkujtim të ushtarëve grekë. Ky është poshtërim dhe injorim ndaj kombit shqiptar, pasi grekët nuk erdhën për çlirimin e Shqipërisë, por për pushtimin e saj duke ngritur flamurin e aneksimit të jugut. Sipas logjikës së Ramës, atëherë Shqipëria duhet të shpallë ditën e nderimit të ushtarëve osmanë, serbë, bullgarë, austriakë, hungarezë, francezë, italianë, gjermanë, e kështu me radhë.Edi Rama e hodhi firmën në këtë vendim, pikërisht dy vjet pasi ai u shpall më 13 dhjetor 2015 Kalorës i Mbrojtjes së orthodoksisë greke nga Patriarku i Jeruzalemit, Teofili III. Si student i fondacionit grek, Sokratis Kokkalis për komunikim administrativ dhe shkencat politike, Edi Rama për të larguar vëmendjen nga nënshkrimi i ndërtimit të rreth 8.000 varreve greke bëri një deklaratë patriotike të zjarrtë ku na tha: “Jam nxënës i Nolit dhe Konicës, ata më kanë mësuar të flas…”.Edi Rama nuk paska lexuar hiçgjë nga shkrimet, veprat e Nolit dhe Konicës, por vetëm e paska me të dëgjuar emrat e tyre, sepse përndryshe diçka do kishte nxënë nga dy kolosët e gazetarisë, oratorisë, historisë, shqipërimit. Po të kishte ata të dy ndër mend nuk do të qe kundër Çështjes Çame, nuk do pranonte Medaljen dhe Kryqin e Kishës orthodokse greke. Rama nëse do të lexonte Nolin dhe Konicën do e dinte çfarë thonë ata për çamët dhe grekët.Kryeministri Rama të gjithë atë sallatë fjalësh që harxhoi për Çështjen Çame, e paska patur lojë me Dulen e të tjerë, sepse gishtin e ngjyer në Fondacionin Kokkalis e përdori për të firmosur varret boshe të Vorio Epirit. Pra, fjalia e mirënjohur e Ramës me Dulen: “Në s’të pëlqen çam, të them janë shqiptarë, në s’të pëlqen Çështje Çame ju them se është Çështje Shqiptare…”, mbytet në ujë, paska qenë vetëm politikë ditore.Nënshkrimi i njëanshëm për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri, duke mos kërkuar reciprocitet për ndërtimin e një varreze të Çamëve në Greqi nuk do të thotë zgjidhje problemi, por shtim në ekstremizëm për ekzistencën e një plage që kullon ende gjak.Askush nuk e di se çfarë befasirash na ofron e ardhmja, por një gjë është e sigurtë që marrja e statusit si kandidat për anëtarësim në BE, nuk e fal Edi Ramën dhe të tjerët nga tradhtitë kombëtare. Historia mban shënime, atë paratë e Ramës nuk e korruptojnë dot.
Archives for December 2017
PAK SOLIDARITET, JU LUTEM!

Nga Frank Shkreli/
Kjo nuk është një thirrje fetare, megjithse fetë kryesore të botës e kanë si pjesë të mësimeve të tyre, por në botën e fillim shekullit të 21, është më tepër një thirrje njerëzore. Është një apel njerëzor dhe një domosdoshmëri kombëtare dhe ndërkombëtare, aq sa madje edhe Asambalea e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka vlerësuar rëndësinë e saj duke caktuar 20 dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare kushtuar Solidaritetit njerëzor në botë. Në të vërtetë, solidariteti është identifikuar në Deklaratën e Millenium-it të OKB-esë, si njëra prej vlerave më themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit 21, ku thuhet se ata që vuajnë dhe përfitojnë më pak nga shoqëria ku jetojnë dhe nga mungesa e të mirave të kësaj bote, meritojnë ndihmë më të madhe nga ata që përfitojnë më së shumti, të privilegjuarit e shoqërisë. Të bindur pra se promovimi i një kulture të solidaritetit njerëzor, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, Asamblea e Përgjithshme eKombeve të Bashkuara duke shpallur Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit, ka venë në dukje rëndësinë që duhet t’i kushtohet solidaritetit njerëzor nga vet OKB-eja por edhe nga vendet anëtare të saj.
Megjithse OKB-eja caktoi 20-dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit më 20 dhjetor të vitit 2002, solidariteti njerëzor, të pakën parimisht, ka qenë pjesë e punës dhe e veprimtarisë së Kombeve të Bashkuara ç’prej fillimit të ekzistencës së kësaj organizate botërore. Dihet se krijimi i OKB-esë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ishte një përpjekje për të mënjanuar një luftë tjetër botërore dhe për të bashkuar popujt dhe kombet e botës në një front të përbashkët solidariteti me qëllim promovimin e paqës, të drejtave të njeriut, zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në mbarë botën. Është pikërisht, “fryma e solidaritetit” ajo në të cilën OKB-eja mbështet, “bashkpunimin për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare të karakterit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe humanitar”. Ishte pra, rezoluta (60/209) e 22 dhjetorit të vitit 2005 e Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, dokumenti që identifikoi solidaritetin si vlerën bazë universale që duhet të përcaktojë marrëdhëniet midis popujve, në shekullin e 21.
International Human Solidarity Day 20 December
Prandaj Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është një ditë për të festuar bashkimin megjith ndryshimet politike, kulturore e tjera; është një ditë për t’u kujtuar qeverive të shteteve anëtare të OKB-esë që të respektojnë angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare; është një ditë për të theksuar rëndësinë e solidaritetit shoqëror dhe politik; është një ditë për të debatuar mbi mënyrat për promovimin e solidaritetit midis njerëzve, dhe më në fund, është një ditë për të inkurajuar — me vepra — ndërmarjen e nismave të reja në përpjekje për të zhdukur varfërinë dhe për të promovuar një diskurs politik në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen vendet anëtare të OKB-së në veçanti dhe mbarë bota në përgjithësi, në fillim shekullin e 21.
Po si u shënua Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit njerëzor në botën shqiptare?! Fatkeqsisht, ishte kjo një javë pa solidaritet, tepër e acaruar politikisht, një javë që jo vetëm nuk u karakterizua nga solidariteti njerëzor e vëllazëror, por ishte një javë që solli konflikt dhe mos pajtim në nivelet më të larta politike të Shqipërisë dhe si rrjedhim edhe në botën shqiptare në përgjithësi mbretëroi një atmosferë zhgënjimi, pasi ajo që ndodhë në Tiranë, për mirë ose për keq, fatkeqsisht, gjithmonë pasqyrohet domosdoshmërisht anë e mbanë trojeve shqiptare, e madje edhe në diasporë. Ishte një javë kur pamë se në mungesë të institucioneve të forta me traditë demokratike dhe në mungesë të solidaritetit njerëzor dhe mbi të gjitha atij shqiptar, gjëndja politike u përkeqësua aq shumë sa që në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit flitet, jo për solidaritet dhe bashkpunim kombëtar, por për konflikte të reja midis palëve politike. Zot ruajna!
As solidariteti kombëtar, as pajtimi kombëtar dhe madje as diksursi politik midis shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të imponohet nga të huajt. Kjo është diçka që duhet të ndërmerret nga vet shoqëria shqiptare dhe nga insitucionet e saj legjitime. Solidariteti midis palëve është një vlerë universale – ashtu siç e ka përcaktuar Organizata e Kombeve të Bashkuara për të gjitha vendet anëtare të saj — që duhet të bëhet pjesë e pandarë edhe e shoqërisë shqiptare. Mbi të gjitha, është detyrë dhe përgjegjësi e kësaj klase politike të këtyre 27-viteve të fundit dhe e institucioneve të saj që të mos i fryjnë erës së konfliktit dhe të mos pajtimit politik dhe kombëtar, por të vendosin një frymë solidariteti, besimi dhe bashkpunimi midis palëve, për të evituar konflikte të mundshme në të ardhmen. Ka ardhë koha që politika shqiptare të përballet me të vërtetën që po ndodhë në vend dhe të distancohet njëherë e mirë, qartazi dhe prerazi, duke gjetur zgjidhje bazuar në dialog, për konfliktet dhe mosmarrëshjet që kanë pllakosur atë vend për vite tashti, dhe bashkërisht të gjitha palët, në solidaritet me njëra tjetrën –të vendosin paqën, qetësinë dhe sigurinë për të gjithë. Shqiptarët sot nuk kanë paqë! Nëna Tereze, simboli jo vetëm i shqiptarëve për solidaritet, por edhe simboli botëror për mirësi, bamirësi e solidaritet njerëzor në mbarë botën, ka thënë se, “Nëqoftse nuk ka paqë, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit”.
Si shqiptarë, duam a s’duam, i përkasim njëri tjetrit, jemi të lidhur me njëri tjetrin dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe si të tillë duhet të tregojmë solidaritet ndaj njëri tjetrit, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit, por gjithmonë, pike së pari si njerëz por në rend të parë edhe si shqiptarë. Apeli në këtë Ditë Ndërkombëtare të Solidaritetit është që t’i jepet fund kësaj atmosfere politike përçarëse dhe konfliktuale në radhët e politikës shqiptare kudo, si e vetmja alternativë për të cilën ka nevojë kombi shqiptar – në këtë fazë historike të tij, në fillim shekullin e 21-të — për të siguruar paqën, sigurinë, mirëqenjen dhe zhvillimin shoqëror dhe ekonomik afat-gjatë — në solidaritet me njëri tjetrin– si përgjegjësi dhe detyrim i përbashkët për arritjen e objektivave madhore të kombit. Ka shumë për t’u bërë, por si të shënohet përparim në një atmosferë politike aq të acaruar, aq konfliktuale dhe përçarëse, si ajo që pamë këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë?
Jam i vetdijshëm se megjithse shumë prej nesh e admirojmë Nënë Terezën — jo vetëm si simbol i solidaritetit shqiptar dhe botëror –por siç ka thënë Papa Françesku, shembull i një njeriu që është përpjekur të “krijonte një botë të re, bazuar në solidaritet dhe përkujdesje ndaj të tjerëve” – ne nuk jemi Nënë Tereza dhe nuk mund të arrijmë gjërat që ajo ka realizuar. Por secili prej nesh, kudo që jetojmë, në shoqëri me konflikt ose me më pak konflikt, e kemi rolin tonë për ta luajtur, “duke ndezur një qirinj, drita e të cilit do t’a mund errësirën” e konfliktit dhe të përçarjeve politike, nëqoftse jetojmë dhe veprojmë në solidaritet me njëri tjetrin. Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Soldaritetit!
Nipi i dom Lazer Sheldise ne New York




Nipi i dom Lazër Sheldisë viziton dhe vendos lule në varrin e axhës së tij në New York mbas shumë vitesh/
Nga Klajd Kapinova/ Bronx, New York. Këto ditë ishte për një vizitë në kishën katolike shqiptare Zoja e Shkodrës dhe kishën katolike amerikane italiane shën Lucia meshtari i ri dom Nikolin Toma (Sheldija), i cili, kishte ardhur nga Shkodra, për të rikthyer në vendlindje dorëshkrimet e axhës së tij meshtarit dom Lazër Sheldija.
Në kishën amerikane italiane dom Nikolini u mirëprit nga meshtari shqiptar dom Nikolin Pergjini, i cili, prej disa vitesh shërben si famullitar në këtë kishë klasike italiane, duke thënë meshën në shumë gjuhë të botës, për komunitetin e madh multi etnik këtu.
Dom Nikolini, sapo ishte kthyer nga një udhëtim dhe vizitë në kishat katolike shqiptarë të shën Palit e shën Pjetrit në Rochester Hills dhe kisha katolike Zoja Pajtore e Shqipërisë në Detroit të shtetit të Michigan-it, ku është takuar ngrohtësisht me meshtarët respektivë dom Fred Kalaj dhe dom Ndue Gjergji.
Të dielën e kaluar nipi i dom Lazër Shëldisë, meshtari nga Malësia e Shkrelit dom Nikolini tha një meshë për komunitetin shqiptar pranë kishës katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale New York.
Ditën e marte mbasdite ai u takua dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë në zyrat e famullisë me meshtarin, liderin dhe aktivistin e palodhur të komunitetit katolik shqiptar Të Përndershimin dom Pjetër Popaj dhe shoqëruesit e mikut nga Shkodra aktivistët e komunitetit tonë, studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova editor i revistës kulturore Jeta Katolike, e cila botohet në New York prej vitit 1966.
Me një mikpritje tradicionale bujare si në sofrat e njohura tipike shqiptare deri me raki të mirënjohur nga Skrapari, dom Pjetri, në fjalën e tij mbasi falënderoj meshtarin për vizitën e njohu atë me historinë e kishës katolike shqiptare në New York.
Ndër të tjera, dom Pjetri, foli fjalë shumë të mira për meshtarin dhe mikun e tij dom Lazër Sheldinë, për të cilin ruante shumë kujtime të bukura.
Ai tha se dom Lazri dhe mons. dr. Zef Oroshi vinin nga Shqipëria e cila ishte e mbyllur dhe shtypur dhunshëm nga komunizmi dhe diktatura e Enver Hoxhës, e cila brutalisht kishte ndaluar ushtrimin e fesë, dhe po masakronte klerin katolik dhe popullin shqiptar, duke e kthyer Shqipërinë në shtetin e vetem ateist në botë.
Meshtari Popaj, shtoi se: “Dom Lazri i donte shumë shqiptarët këtu, sepse kishte mall për vendlindjen. Ai kishte një zemër të pastër dhe shumë bujare. Meshtari kishte një pasion për letërsinë dhe në veçanti për poezinë. Ai shkruante poezi dhe kishte dëshirë t’ia lexonte miqëve të tij, që vinin për ta vizituar në shtëpinë e tij. Dom Lazri i donte librat dhe kishte një bibliotekë shumë të pasur. Kur dom Lazri kaloi në amshim, një ditë famullia ku ai shërbente na telefonoi që të merrnim librat e bibliotekës së tij, të cilat i ruajmë edhe sot në kishën tonë në këtë dhomë që ju shihni tani. Dom Lazri, kishte një ëndërr të madhe për t’i bashkuar të gjithë shqiptarët rreth shtëpisë së Zotit. Ai ishte një mikpritës dhe bujar shembullor. Çdo emigrant që ka shkuar për të kërkuar ndihmë tek ai, i ndihmonte pavarësisht besimit fetar që ata kishin, mjafton që ata të ishin shqiptare, sepse e kuptonte shumë mirë se rruga dhe mundimet e emigrantëve nuk kanë të sosur… Zona e Sheldisë së Shkodrës nga ai vinte, ka nxjerrë shumë meshtarë të nderuar dhe respektuar në trojet shqiptare dhe jashtë saj. Një prej tyre jeni edhe ju dom Nikolin, që po ecni nën shembullin e axhës tuaj, duke sherbyer si meshtar në Malësi të Shkrelit… Zoti ju ndihmoftë dhe ju falënderojmë edhe një herë për vizitën tuaj!”
Gjatë gjithë kohës së udhëtimit me makinë drejt varrezave katolike në Saint Raymond’s Cemetery (is a Roman Catholic cemetery at 2600 Lafayette Avenue in the Throggs Neck and Schuylerville sections of the Bronx, New York City, United States), studiuesi dhe publististi Tomë Mrijaj tregonte episode me shumë kujtime plot emocione të bukura, që ai kishte përjetuar gjatë bisedave me meshtarin dom Lazër Sheldinë dhe mikun e dashur të tij mons dr. Zef Oroshin (1989-1912), themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare, Qendrës Shqiptare dhe revistës kulturore Jeta Katholike Shqiptare (1966, sot vijon të botohet me emrin Jeta Katolike).
Për më tepër, studiuesi dhe publicisti Mrijaj, në një monografi historike shkencore kushtuar klerikut në emigracion mons. dr. Oroshit, me titull: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, (Jetëshkrim), New York, 2009, për jetën dhe veprimtarinë fetare e atdhetare të meshtarit dom Lazër Sheldija, për herë të parë, ka shkruar një jetëshkrim historik prej 20 faqesh, të botuar në librin e cituar më lart.
Studiuesi Mrijaj, ndër të tjera tha, se: “Dom Lazër Sheldija, mbas 10 vitesh si misionarë në shërbim të Krishtit në Brazil (Amerika e Jugut), niset me një vizë turistike për në SHBA. Ishte vera e vitit 1973, kur ai zbriti për herë të parë në Californi, i ftuar nga një ish shok i klasës kur ishte me studime në Itali. Sërisht, me avion ai niset për një udhëtim drejt New York-ut, ku qëndron për disa muaj tek disa miq dhe të njohur të tij në Brooklyn dhe Manhattan. Meqenëse dom Lazri kishte ardhur për vizitë turistike, vendos të jetoj në SHBA, nga dëshira e madhe për të qëndruar pranë bashkëkombasve të vet, mbasi në Brazil nuk kishte pasur fatin të njihet me shqiptarë. Mbasi i rregullon dokumentet e nevojshme të rezidencës, ai stabilizohet (vendoset) në fillim në Brooklyn pastaj në Bronx, NY, ku fillon ti shërbyei komunitetit katolik shqiptar në New York, në kishën amerikane Holy Rossary në Eastchester Road, Bronx, NY. Ai u interesua për formimin e Qendrës së Dytë Katolike Shqiptare shën Pali e Shën Pjetri, gjë që e vazhdoi deri sa humbi jetën tragjikisht. Për këtë tragjedi të madhe mediat ameikane kanë shkruan shumë…”
Falë bujarisë së tij karakteristike tipike shqiptare Tomë Mrijaj na fton për një vizitë në shtëpinë e re në Upstate New York, të cilin meshtari mik nga Shkodra e bekoi mbas vizitës së tij.
Dom Nikolin Toma (Sheldija), është nipi i meshtarit dom Lazër Sheldia, të arratisur nga Shqipëria gjatë komunizmit. Ai mbas shumë vitesh viziton dhe vendos lule në varrin e axhës së tij në New York. Dom Nikolini, është meshtar në kishën e Shkrelit dhe njëkohsisht kryen detyrën e Vikarit të Përgjithshëm, pranë Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkodrës, ku shërben kryeipeshkëvi arbëresh Shkëlqësia e Tij imzot Angelo Massafra.
Kush është seminaristi i arratisur nga komunizmi dom Lazër Sheldia (1928-1988)?
Ai ka lindur më 15 janar 1928, në fshatin Sheldi, jo shumë kilometra larg nga qyteti i Shkodrës. Poeti i embëlsisë, martiri i shenjtë dom Ndre Zadeja, duke pikatur talentin dhe zellin për libra të Lazrit të vogël e ndihmon për të vijuar studimet për meshtari në Shkodër.
Në vitin 1941 ai filloj jetën studentore si seminarist jezuit, ku del me rezultate shumë të mira në mësime. Me mbylljen e seminarit, pas ardhjen në pushtet nga komunistët ateist, studenti Sheldia rregjistrohet në gjimnazin e shtetit dhe më vonë bëhet mësues.
Meqenëse në shkollë ai fliste për vlerën pozitive të doktrinës kristiane, ai bie në sy të forcave të Sigurimit të shtetit komunist, të cilët e kishin futur në rreth të kuq për ta arrestuar.
Duke e nuhatur rrezikun që e priste, ai mendoi të arratisej nga Shqipëria. Dhe një ditë ëndrrën e bëri realitet, duke shkuar drejt botës së lirë në ish Jugosllavi dhe më pas në vitin 1954 shkon në Vjenë (Austri). I riu Lazër për tu bërë meshtar shkon në Itali, ku regjistrohet në Universitetin e Urbinos, Propaganda Fide.
Në vitin 1960 ai bëhet meshtar. Duke parë nevojën e emigrantëve për meshtarë Selia e Shenjtë e emron meshtarë kapelan i shqiptarëve për Europën Perëndimore.
Tre vjet më vonë, në vitin 1963 ai dërgohet si misionar i Krishtit në arkidioqezin e Rio De Janeros në Brasil, ku punoi deri në vitin 1973.
Në muajin mars të vitit 1973 dom Lazri vjen në Californi (SHBA), ku qëndron 6 muaj dhe më pas udhëton drejt New York.
Nga viti 1973-1988, qëndroi në New York, ku për 15 vjet i shërbei komunitetit amerikan dhe shqiptarë, në kishën Holy Rossary, në Eastchester Road, Bronx, New York.
Më 22 nëntor të vitit 1988, ai gjendet i vdekur në shtëpinë e tij nga Policia e shtetit të New York. (NYPD). Ai varroset me nderime dhe respekt nga komuniteti shqiptaro amerikan, në varrezat katolike në Saint Raymond’s Cemetery, Bronx, NY.
Në rrasën e varrit të misionarit të Krishtit dom Lazër Sheldia gjendet e shkruar në shqip ky epitaf: “Në Përkujtim të Përjetshëm të Misionarit Katolik.”
Më 30 qershor 2005, në fshatin e lindjes në Sheldi të Shkodrës, u përurua monumenti i martirëve, që kanë shërbyer në Sheldi, ku tre pëllumba të bardhë simbolizojnë tre meshtarët: Dom Ndre Zadeja, dom Dedë Maçaj dhe dom Lazër Sheldia.
AMBASADORI LU NUK E BINDI OPOZITEN- PROTESTAT NE JANAR
KREU I PD- AMBASADORIT LU: ISHTE PUÇ KUSHTETUES/

Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të PD thuhet se “Basha i përcolli ambasadorit amerikan Donald Lu kundërshtimin e prerë të Partisë Demokratike për zgjedhjen antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm”.
Basha i bëri të qartë ambasadorit amerikan se “mos krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga parlamenti, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin”.Gjatë bisedës me ambadorin amerikan, Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën.Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim.- u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës e siguroi ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.
Takimi me Bashen ne seline PD
Takimi i nisur rreth orës 11:00 ka përfunduar rreth orës 12:05 minuta të mesditës së sotme.Zyrtarisht nuk ka asnjë deklaratë lidhur me përmbajtjen e këtij takimi, ndërsa pritet një deklaratë për median e kreut të PD-së.
Ndërkohë dje Berisha nga studio e “360 grade” e Artur Zhejit në Ora News lëshoi një deklaratë të fortë duke deklaruar se ambasadori i SHBA-se, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-se Romana Vlahutin janë ambasadorë të Ramës në SHBA e BE.

Takimi tek LSI
Opozita ka deklaruar se do të ndërmarrë një valë protestash në janar. Pas selisë PD, ambasadori Donald Lu ka marrë rrugën drejt selisë LSI, ku u takua edhe me kryetaren Monika Kryemadhi.
Kryemadhi takon Lu: Kushtetuta dhe shteti i së drejtës në rrezik
Sipas zyrës për shtyp të LSI, Kryemadhi në takimin me Ambasadorin e SHBA z.Donald Lu theksoi që në fillim se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues.
Kryemadhi: Ishte një proces i një anshëm i cili u krye nga Kryeministri me qëllimi kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish Ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë.
Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se: “Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për tu shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe Integrimin Europian”.
Kryetarja e LSI-së gjatë takimit me Ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në parlament.
Ajo tha se “gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i parlamentit Ruci, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në parlament”.
“Parlamenti nuk është më një institucion demokratik por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfide ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”, shtoi Kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se gjakosja e deputeteve më të reja të parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund ti jepej rinisë shqiptare.
Ajo shprehu vullnetin e LSI-së për të futur vendin në rrugën e kushtetuetshmërisë, pasi aktualisht gjithçka ka dalë nga shinat e kushtetutës.
Kryemadhi: Ky kaos kushtetues ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te shteti i së drejtës, gjë që është shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin dhe pse të rinjtë kanë humbur shpresën. Vullneti i LSI-së për të zbatuar një reformë në drejtësi vetëm në respekt të plotë të kushtetutës dhe të ligjit është një vullnet i pa ndryshuar dhe votat e LSI-së në parlament do jenë në shërbim të kësaj sfide. Ngritja menjëherë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë rruga e vetme për ti shkuar deri në fund luftës kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit galopant.
Ajo i kërkoi njëkohësisht Ambasadorit Lu një vlerësim objektiv të ngjarjeve më të fundit për të evidentuar qartë se shkaktarët e dhunës brenda dhe jashtë parlamentit ishte mazhoranca e drejtuar nga Kryeministri dhe dëshira e tyre e shfrenuar për ti mbyllur gojën çdo zëri opozitar dhe qytetar që demaskon dhe denoncon situatën e rëndë ku ndodhet vendi dhe sundimit të ligjit.
Kryetari i Vatres, Z. Dritan Mishto, darke pune me z. Mark Gjonaj
- « Previous Page
- 1
- …
- 12
- 13
- 14
- 15
- 16
- …
- 44
- Next Page »
