• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

Millosheviq, Karaxhiq, Mlladiq-Treshi kriminal serb i fund-shekullit 20

December 11, 2017 by dgreca

presidenti_rugova_sami_repishti

Nga  Sami Repishti */

“….Konferenca e Paqës e Parisit,1919, vol.XII-PPC 184-018/3-

“Sekretari i Shtetit për Z. A.J.Balfour,(Ministër Britanik i PJ):

“Ambasada Britanike në Washington ka informue Departmentin e Shtetit sa vijon: ‘Në lidhje me akuzat për masakrat kundër shqiptarëve në Mal të Zi: Gucia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri, dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e trupave serbe, dhe agjentëve serbë, qellimi i të cilëve duket ka qenë shfarosja fizike e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji, Robert Lansing’”

————–

Ridgefield,CT.  Me 29 nandor 2017, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavinë, Gjenerali kroat, Slobodan Praljak, komandant i forcave ushtarake kroate në Bosnje-Herzegovinë, posa mori vendimin e Gjykatës së Apelit : denim me 20 vjet burg për krime të ushtrueme nga forcat nen komandën e tij kundër popullsisë boshnjake myslimane në qytetin Mostar posaçërisht, ku kanë mbetë të vdekun mijëra viktima të pafajshme, në prezencën e të gjithë të pranishëmve piu nji gotë helmi, përbuzi Trupin Gjykues, dhe vdiq tue reklamue pafajsinë.

Ky akt “teatral”, me gjithë tragjikën e aktit të vdekjes- akoma ma i theksuem i vetë-vrasjes- përmban edhe nji element komik që nuk i shpëton vrejtësve të botës mbar. Akti u pa si nji “publicitet” për ndjeksit e tij. Akoma ma e randë ishte sjellja e disa autoriteteve kroate që ngritën këte akt në piedestalin e nderit të popullit kroat.

Nji qendrim i këtill më tronditi! Krimineli, sidomos ai që dënohet nga nji Gjykatë serioze siç ashtë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nuk mund të transformohet artificialisht me nji gjest dramatik e publik që nuk justifikon veten, as shërben si shembull pozitiv për breznitë e ardhme.

Vrasja, vetëvrasja, e çdo formë tjetër që mund të marrë asgjasimi i pareparueshëm i nji jete njerëzore duhet dënue pa hezitim. Sot, në botën e qytetnueme ashtë eliminue me ligj “dënimi me vdekje” si “nji ndeshkim i egër dhe i jashtëzakonshëm”. Dhe, për mendimin tim ashtu duhet të jetë!

******

Bota shijoi fillimin e shekullit XX, sidomos Europa, me shpresën e hapjes së nji shekulli të ri, ma të mirë, ma paqësor dhe ma njerëzor. Fatkeqsisht, u vërtetue e kundërta. Për njiqind vjet me rradhë, na dëshmuem zhvillime politike që kthyen këte shekull në shekullin ma barbar dhe ma të përgjakshëm në historinë botënore: konflikte të vazhdueshme lokale, dy lufta botënore shkatërrimtare, holokaustin e kampet e përqendrimit, lindjen dhe zhvillimin e tri diktaturave –komunizëm (1917), fashizëm (1922), nazizëm(1933)- që pothuejse fundosën qytetnimin tonë mijëvjeçar, kushtuen jetën e miljonëve të pafajshëm dhe në kondita të paimagjinueshme, pleq e të rinj, gra e fëmij të masakruem, të gazuem, të djegun për së gjalli në krematoriumet naziste, të ngrimë në akullnajet e gulagëve sovjetikë, ose të dërmuem në tortura të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit “të Kampit të Madh Socialist”…..!

Që nga viti 1900, zbulime shkencore mahnitëse u banë me nji shpejtësi marramendse që na dhuruen nji përparim material të pa pamë; por fatkeqsisht, në kontrast “brutal”, sepse përjashtuen pjesën ma të madhe të popullsisë botënore: të pazhvilluemët, të pa ushqyemët. Si bekim apo si mallkim, zbërthimi i atomit dhe zhvillimi i energjisë nukleare na zbuloi nji aktualitet tragjik që rrezikonte vetë ekzistencën tonë si racë njerëzore: asgjasimin tonë fizik!

Kështu mund të kuptohet “ankthi” (Angst) që na ka mbërthye. Konceptet tona psikologjike, morale e metafizike, zhvillohen me shpejtësi me qellim të kapen zhvillimet shkencore moderne që vejnë në pyetje të gjitha këto koncepte tona. Bota ka nevojë për stabilitet, sepse pa stabilitet nuk mund të themelojmë nji shoqëni të urtë dhe të përjetësojmë nji qytetnim që na përshtatet. Për fat të keq, pa sukses!

Kështu, dashje ose pa dashje, gjindemi në detin e “ankthit” që na rrethon. Tmerret e Luftës I dhe të II Botënore provojnë se jemi në gjendje me krijue dhe me jetue në botën e barbarizmit, megjithëse deklarojmë se jemi “të qytetnuem”. Jetojmë në pritje të “Apokalipsit”, frikësohemi se ka ardhë fundi i botës, shpesh herë pa qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për këte finale; ose pa gjetë fuqi të mbrendshme e të mjaftueshme me tentue evitimin e katastrofës. Në letërsi, kjo pozitë e vështirë e dëshpruese tregohet me balancën tonë në mes “të qenies njeri me dinjitet” dhe “boshllekut të plotë”!

Le të kujtojmë fashizmin, nazismin, komunizmin; le të kujtojmë ideologjitë kundërshtare: totalitarizmin e demokracinë. Sepse, ndiejmë lehtësim me shikue të kaluemen, e me zbulue “gabimet” e historisë, me ridimensionue emocionet tona që kemi përjetue ma parë – tue i krahasue ata me ato të sotmet. Nji histori që nuk qetëson por trazon e kërkon ashtë histori e mirë. Ashtë kjo histori “e mirë” që na paisë me vullnet dhe na forcon bindjen me dënue përsëritjen e terrorit të jetuem.

Unë shikoj sot terrorin e agresionit kriminal të popujve të ish Jugosllavisë kundër njeni-tjetrit, dhe sidomos agresionin kriminel serb në hapësinën shqiptare në ish Jugosllavinë, si dhe agresionin kriminel serbo-kroat në Bosnje-Herzegovinë kundër popullsisë myslimane, me ndjenjën e çmendurisë së tyne dhe vrapimit mbas andrrës shekullore për krijimin e perandorive mesjetare të harrueme në kurriz të popujve autoktonë. Si qenie njerëzore me arsye dhe ndërgjegje unë i dënoj !

**********

  • Slobodan Millosheviq, i njohun publikisht si “kasapi i Ballkanit”

konsiderohet si përgjegjsi i parë kryesor i shkatërrimit të ish Jugosllavisë, rezultat i politikës ekspansioniste në krijimin e nji “Serbie të Madhe”, dominuese e ish Federatës Jugosllave. I shgënjyem nga paaftësia e tij, si president i Serbise ma parë dhe i Jugosllavisë ma vonë, me gjetë nji zgjidhje paqësore problemit “nacional” për këte shtet multinacional që refuzoi supremacinë serbe mbi Federatën, ai luftoi kundër kushtetutës së vitit 1974 që margjinalizoi pushtetin serb mbi Federatë, dhe për paaftësinë e tij politike me “paqësue” trazimet e popullsisë shqiptare sidomos në Krahinën e Kosovës, popullsi që kërkonte liri e barazi, në fillim, dhe pavarësi të plotë ma vonë, të fitueme në qershor 1999, dhe formalisht me 17 shkurt 2008, me proklamimin solemn të pavarësisë, dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Ma në fund, Millosheviqi preferoi luftën e ngrohtë e shkatërrimtare që kushtoi ma shumë se 100.000 viktima, nga të cilët ma shumë se 12.000 kanë qenë shqiptarë të pafajshëm të Kosovës dhe zonave të banueme nga shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ma shumë se dy miljonë refugjatë, gjysma e tyne shqiptarë, mijëra gra e vajza të dhunueme nga ushtarët barbarë, humbjen e thesareve kulturore, artistike e dokumentacionin shtetnor, përveç miljardave dollarë damesh ekonomike, vetëm në Kosovë…! Qellimi i tij? Komandanti i forcave aleate të Nato-s në vitin 1999, Gjenerali Wesley Clark, shkruen në kujtimet e tia takimin me Presidentin Millosheviq para se të fillonte bombardimin aleat të trupave serbe në Kosovë:

“  Gjatë takimit me Presidentin Millosheviq për krimet në Kosovë, ai u përgjegj me nji pyetje:

– Ç’keni ju amerikanët? Pse përzieheni në problemin e Kosovës? Lereni në duert tona…Ne dijmë si ta zgjidhim…E kemi ba edhe ma parë…

– Si e keni zgjidhë, Z, President? pyeta unë.

– Fare lehtë! I vrasim të gjithë!” ishte përgjigjja!

– Z.President”, ndërhyna unë, “Ashtë pikërisht kjo zgjidhje që na nuk do të lejojmë…!”

Historia përsëritet, shkruejnë shumë historianë. Megjithate, edhe në se nuk përsëritet, ajo na mëson, na jep shembuj që nuk duhen përsëritë. Nji ironi e historisë tregon se mësimi i “historisë” nga shovinizmi serb ashtë “përsëritja” si në të kaluemen.

Në botimin e saj të datës 31 dhetor 1912, gazeta amerikane The New York Times, nën titullin “A Trail of Blood”  (Nji rrke gjaku) shkruen:

“ … Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit) deklarojnë se paqësimi ma efektiv i Shqipërisë do të ishte çfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Kjo parullë u adoptue nga Ushtria Serbe, dhe u zbatue në praktikë”.

Tragjedia e luftës civile në ish Jugosllavinë, lufta kundër pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes e kundër Kosovës së pambrojtun ashtë krimi ma i madh i Europës së mbasluftës, përgjegjsia e të cilit bie katërcipërisht mbi kurrizin e kriminelit komunist serb Sllobodan Millosheviq. Si akt poshtënues i kësaj figure antinjerëzore ashtë dokumentimi sekret i gjendjes së tij psihike. Në vitin 1990, ish Presidenti i Jugosllavise, Borislav Joviq, kërkoi nji raport nga ministri i mbrendshëm i Serbisë, Radmilo Bogdanoviq, mbi gjendjen mendore të Millosheviqit. Përgjegja: “probleme serioze psikopatike (psychosis schizophrenica 295 dhe diabet…Mjekët e vlerësojnë gjendjen shëndetsore të shokut Millosheviq si mjaft të randë, ndërsa aftësinë për punë mjaft të reduktueme…”.(Illyriapress.com, 11 nandor 2017)

(Vetëhelmimi i Millosheviqit në qelinë e burgut vulosë këte përfundim profesional. Babaj i tij, prift i Kishës Orthodokse serbe, bani vetëvrasje në vitin 1962. Nana e Millosheviqit, Stanislava, vari veten në litar, në vitin 1974)

  • Radovan Karaxhiq, i denuem nga Gjykata Ndërkombëtare me 40

vjet burgim vitin e kaluem, e për akuza të ngjashme, vegjeton sot në  qelitë e izolueme të burgut të Hagës. Ai u msheh për shumë vite në qendër të Beogradit të Ri, si nji psikiatër i panjohun, me emnin Dr. Dragan Dabiq, por i mbrojtun nga sherbimet sekrete serbe.

Posa filloi agresioni serb kundër boshnjakëve të pa armatosun dhe të papërgatitun për luftë, Dr. Karaxhiq hyni në veprim si President i Republika Srpska dhe komandant i forcave të armatosuna serbe në Bosnje -Herzegovina.

Nji ditë para se të merrte arratinë, ai ishte i ftuem në nji celebrim të nji familje myslimane, kojshi i vjetër, ku edhe vallëzoi. Të nesërmen, artileria serbe filloi bombardimin sistematik të qytetit Sarajevo që zgjati tre vjet e gjysëm; njeni nga objektivët e parë ka qenë shtëpia e fqiut mikpritës; bombardimi shkaktoi vdekjen e ma shumë se 12.000 qytetarëve të pafaj të qytetit. Me 24 mars 2016, Gjykata Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë, gjeti Dr. Karaxhiqin përgjegjës për krime lufte, gjenocid, dhe krime kundër njerëzimit, veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, korrik 1995, dhe shqiptoi dënimin.

Dr. Karaxhiq ashtë shembull tipik i nji transformimi personal nga nji njeri i thjeshtë familjar, në nji monster të fuqishëm kur mjetet e shkatërrimit dhe agresionit vihen në duert e tia. Mania e tij e transformoi në monster të pangopun me gjakun e viktimave, dhe në ndjekës fanatik në fushatën e tij për eliminimin e jo-serbëve –në këte rast boshnjakëve myslimanë- për hir të zgjanimit territorial të Serbisë së Madhe. Historianët e kanë përcaktue Dr. Karaxhiqin si “arkitekti i gjenocidit të Bosnjes”, për vrasjen e ma shumë se 100.000 personave, shumica civilë të pafajshëm dhe pa mbrojtje.

3) Gjeneral Ratko Mlladiq, përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me 22 nandor 2017, që nga viti 1992 deri në vitin 1995, për tri vjet e gjysëm me rradhë ka qenë kryetari ushtarak i organizimit të fushatës me dëbue myslimanët e kroatët nga vatrat e tyne stërgjyshore, me qellim të krijimit të nji shteti homogjen serb në Bosnjen e pushtueme – “vetëm serbë”….

Shtypi ndërkombëtar thekson se viti ma i përgjakshëm i kësaj fushate ka qenë viti 1992, gjatë të cilit 45.000 jo-serbë, pleq gra e fëmijë kryesisht, u vranë në shtëpitë e tyne ose në kampet e përqendrimit ndërtue me plan për këte qellim. Mijëra të tjerë vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevos nga serbët, të vramë me artileri ose me pushkë snajper. Pika kulminante ka qenë ekzekutimi i ma shumë se 8.000 myslimanëve boshnjakë- burra e djelm të ri deri 14 vjeçar- në qytetin Srebrenica, me urdhën direkt dhe mbiqyrje të Gjeneralit Mlladiq. Televizioni amerikan tregoi skenat kur prindët dhe fëmijtë ndaheshin nga njeni tjetri. Gjenerali Mlladiq fërkonte kokën e fëmijve të terrorizuem, ndërsa urdhënonte ekzekutimin e prindëve. Ka qenë ky akt terrorist qeveritar që ka ngritë shqetësimin ma parë të botës së qytetnueme, dhe ma vonë revoltimin e tyne. Para Gjykatës, Gjenerali kriminel serb Mlladiq, pa lëvizje të qerpikut, ndigjoi sentencen: burg të përjetëshëm. Ma në fund ai shpërtheu:” Çdo gja që ju thoni ashtë nji gënjeshtër” bërtiti ai kundër Gjykatsit që urdhënoi nxjerrjen jashtë me forcë të gjeneralit kriminel.

Gjatë shqiptimit të denimit , kryegjykatësi, Alphons Orie, tha:”Krimet e Gjeneralit Mlladiq rreshtohen në mes të krimeve ma të mëdha që njeh historia e njerëzimit!” Nji gjykim i këtill nga GJykata Ndërkombëtare njollos përjetësisht politikën e shtetit serb, dhe politikanët serbë, me rrjedhime që ashtë akoma heret me gjykue…!

“Gjykimi i Gjeneralit Mlladiq,” shkruen The New York Times me 22 nandor 2017, “ashtë nji piketë çaluese dhe ambivalente në mesin e epokave të pasigurisë në Europë”; dhe vazhdon: ”Larg nga skenat e qetësueme të konfliktit ballkanik, aksionet nacionaliste, thirrjet për ripërcaktimin e kufinjëve dhe përplasjet me karakter fetar po ngrejnë kokën përsëri, jo me krizmat e mortajave dhe krik-kraket e mitrolozeve, por në rihartimin e panoramës politike” (në Europë)

Në Serbi, thirrjet për nji kthim në politikat nacionaliste të viteve 1990-ta po rriten çdo ditë. Zyrtarët e naltë e të diskredituem nga bashkëpunimi i tyne me rregjimin barbar të S.Millosheviqit – dhe jo pak kriminelë të denuem nga gjykatat- po rifitojnë postet e humbuna e prominente. Në Serbi sot, njeriu ka përshtypjen se “misioni historik i popullit serb- ndërtimi i nji Serbie të Madhe si ajo e Mesjetës së carëve serbë – nuk ka përfundue, dhe pakënaqsitë e mëdha të krijueme nga “lufta” nuk janë pakësue”. Në fakt, shkruen gazeta, “denimet e Millosheviqit, Karaxhiqit dhe tash së fundi edhe Mlladiqit ka mundësi të kanë rritë ndjenjen serbe të pakënaqsisë, dhe perceptimin e shumë serbëve për padrejtësi të bame kundër serbëve” (“viktimizimin e Serbise”SR). Pavarësisht nga gjykimi i dhanun, që ne të gjithë e shohim si pjesë e nji fushate kundër Serbisë, Ratko Mlladiq mbetet për serbët nji legjendë e kombit serb, deklaroi udhëheqsi serb i Krahinës autonome serbe në shtetin e Bosnje-Herzegovinës, territori i spastruem etnikisht nga forcat e Gjeneralit Ratko Mlladiq.” (22.XI.2017)

Ajo që viktimët boshnjake shohin në trajtimin e tyne nga politika e Fuqive të Mëdha ashtë “se serbët kanë pasë sukses me avancue ambiciet e tyne territoriale me anë të agresionit dhe se asgja nuk ashtë ba me mundësue nji farë jetese të përbashkët në ditë të vështira….” (Sead Munanoviq)

Përceptimi i shumë serbëve për “padrejtësi kundër kombit serb” u çfaq në Bosnje, dhe në luftimet e mavonëshme në Kosovë (1998-99). Akoma sot parulla e pankarta janë të vendosuna para Parlamentit serb në Beograd që dënojnë Bill dhe Hillary Clinton-in, përgjegjës për bombardimin 78 ditor të NATO-s dhe pavarësinë e Kosovës. Akoma sot serbët shkruejnë :“Kosova ashtë Serbi”….

Natasha Kandiq, leader serbe e lëvizjes për të drejtat e njeriut, e tronditun nga krimet serbe në ish Jugosllavinë deklaroi:”Ne pushuem së qenuni pjesë e Europës së qytetnueme. Tashti, na kemi mundësi me kuptue pse përparimi i jonë u ndal, dhe pse jemi transformue në nji shoqëni pa solidaritet e pa mëshirë”.

Nobelistja gjermane, Herte Mueller, tue folë në Teatrin Popullor Jugosllav, Beograd, kritikoi intelektualët serbë që nuk pranojnë të ballafaqohen me krimet. “Askush nuk flet per krimet”, dhe “Serbia gjithmonë i ka shkaktue të këqiat vetes” ,… “qytetarët  e saj duhet të jetojnë me këte të vertetë se ata vetë kanë shkaktue vuejtjet që përjetojnë dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999”.

Përfaqsuesi i OKB-së e quejti vendimin e Gjykatës ”nji fitore të jashtë-zakonshme për drejtësinë. Mlladiq ashtë personifikimi i së Keqes!”.

Nga 18 ditarët e mshehuna nga Gjenerali Mlladiq, lexohet:

“ 1992- Kërkesë nga Simo Drljaca, shef i Policisë, qyteti Prijedor (Bosnje). Kërkon ndihmë nga Ushtria (serbe) me zhdukë afër 5.000  kufoma boshnjake në Tomaçica, “…tue i djegë ose tue i coptue me maqina…ose me nji mënyrë tjetër…”.

Përgjegjja nga Mlladiq: “Ju i keni vra, ju i varrosni!”

*****

Në Editorialin e datës 25 nandor 2017, The New York Times, lexojmë:” Gjykata e Krimeve të Luftës, themelue në vitin 1993, ka denue ma shumë se 160 kriminelë. Tue dhanë denimin për Mlladiqin, ajo përfundoi, mbasi ndigjoi deshmitë e 5.000 personave që treguen hollësitë makabre të asaj që ngjau në ato ditë.

“ Por ky numër ashtë i vogël në krahasim me numrin e grave që u dhunuen, fshateve që u spastruen etnikisht, poshtënimin dhe agoninë e atyne që shohin se koha nuk ec për ata, ndërsa lufta vazhdon. Ashtu si e pashë unë me sytë e mi, burrat të cilët kryen këto akte kriminale –ata që ngrehen çarkun e pushkës vrastare mbi gra e fëmij, ata që hapen varrezat në Srebrenica, ata që morën pjesë në dhunime të femnave në Foca dhe qytetë tjera të Bosnjes – jane të lirë. Per mue, këta njerëz janë keqberësit e vertetë! Unë intervistova nana e bija që ishin dhunue së bashku, dhe akoma shohin dhunuesit e tyne të lirë në qytet, mbas kthimit nga lufta…! “(Janine di Giovanni)

Krimet e kryeme nga luftat vëlla vrasëse që shkatërruen ish Jugosllavinë do të kalojnë në historinë universale si shembulli ma elokuent i mundësisë së zbritjes sonë në ferrin ku krimi dhe papërgjegjsia e plotë mbretnojnë! Për të gjithë ne, që të shqetësuem kërkojmë këshilla, historia e shpërbamjes së ish Jugosllavisë në fund-shekullin 20, ashtë mësuesi ma i mirë!

Sot, na duhet shumë kujdes dhe fryma për inisiativë!

======================================================

* Aktivist për të drejtat e njeriut.

Filed Under: Politike Tagged With: i fund-shekullit 20, Karaxhiq Mlladiq-Treshi kriminal serb, Millosheviq, Sami repishti

VATRA- VIZITЁ NЁ FAMILJEN E VATRANIT 91- VJEÇAR, MUSTAFЁ ELEZI

December 11, 2017 by dgreca

1 bashke1 bashkimi grup ok1 Mustafa Dritani1 agimi Zef Mustafe1 Zef me liber1 gezuar

NGA DALIP GRECA/

1 ok Mustafa 21 simbole1 Baca Bajram

Me 10 dhjetor, tё dielёn nё mbrёmje, Kryetari i Vatrёs, z. Dritan Mishto me bashkёpunёtorёt e tij( zv. Kryetarin Agim Rexhaj, Zef Bala e Zef Pёrndocaj, Lek Pёrlleshi e Editori Dalip Greca), vizituan vatranin veteran, Mustafё Elezi, nё Yonkers, New York. Mustafё Elezi ёshtё njё ndёr vatranёt e pёrkushtuar, i cili u anёtarёsua nё Vatёr sapo arriti nё SHBA, nё vitin 1968, dhe prej asaj dite nuk ka rreshtur sё punuari pёr Vatrёn Shqiptare. Pёr shumё kohё ishte dhe sekretar pёr degёn e Vatrёs Nju Jork-Nju Xhersi. Edhe pse mё shumё se dy dekada nё pension ai vazhdon dhe dhuron pёr Vatrёn, duke u bёrё njёri prej mbёshtetёsve buajr tё Vatrёs. Gjatё darkёs solemne tё Festёs sё Flamurit, 105 Vjetorit tё Pavarёsisё, kremtuar nga Vatra dhe Bashkёsia Shqiptare me 26 Nёntor 2017, Kryetari i Vatrёs z. Dritan Mishto, e pёrgёzoi publikisht z. Mustafё Elezi pёr bujarinё e tij tё pёrvitshme, duke i dhuruar  nga kursimet e tij-1 mijё dollarё. Kjo ёshtё anёtarёsia e nderit qё Mustafё Elezi e paguan pothuaj pёrvit dhe pёrbёn njё shembull pёr biznesmenёt shqiptarё,disa prej tё cilёve shumё flasin pёr çёshtjen Kombёtare, por pak japin, pak bёjnё pёr tё.

Shёndeti e ka detyruar Mustafё Elezin qё tё mos vijё mё nё Vatёr, por nga Vatra ai nuk ёshtё larguar kurrё. Ai e mbajti fjalёn pёr t’mos u ndarё nga Vatra, ashtu siç pat premtuar nё kohёlargimin fizik prej Vatrёs nё letrёn qё i shkroi kryetarit Agim Karagjozi se”gjithёmonё do tё mendoj dhe punoj pёr Vatrёn-,se Vatra, ёshtё shpirti im”, ai vazhdon tё kontribuojё me shpirt. Ashtu si çdo vit, pёrmes mikut tё tij Zef Pёrndocaj, Mustafё Elezi solli nё Vatёr me 26 Nёntor 2017 Çekun me 1000 mijё dollar.

….Edhe pse jashtё kishte rёnё borё, Mustafё Elezi, Vatrani, qё me 28 shkurt 2018 mbush 50 vjet nё Vatёr, e priti Kryetarin Mishto dhe shoqёruesit e tij nё krye tё Shkallёve i shoqёruar nga bashkёshortja Mihane dhe i biri Bashkimi, me urimin: Mirёserdhёt! Jam i nderuar qё po e pres Vatrёn nё shtёpinё time! Mё keni nderuar!

Ata qё e vizitonin pёr tё parёn herё Mustafёn nё shtёpinё e tij dykatёshe nё Springer Avenue, Yonkers, pёr pak kohё mbetёn duke vёshtruar simbolet kombёtare nё Odёn e pritjes, Flamurin kuq e zi  nё kornizё, simbole tё Kosovёs, dhe gjithçka shqiptare.

– Mirёse tё gjetёm!- e pёrshёndet tё zotin e shtёpisё, kryetari i Vatrёs dhe e falenderon me zemёr pёr shpirtin e tij vatran dhe pёr bujarinё.

– Kam lexuar librin tuaj”Nuk e harrova Malёsinё e Gjakovёs” dhe jam impresionuar me qёndresёn tuaj e tё familjes, me pёrkushtimin tuaj atdhetar,me jetёn plot ngjarje, me veprimtarinё atdhetare nё SHBA, veçanёrisht nё Vatёr,- i thotё Kryetari Mishto. Mё pas ai e informon pёr vlerёsimet qё po u bёhen vatranёve qё kanё 50 vjet nё Vatёr dhe pёr rivitalizmin e Vatrёs.

– Ne tё rinjtё, ndjehemi tё obligura qё ta çojmё mё tej atё çfarё ju tё vjetrit bёtё pёr Vatrёn, thotё z. Mishto.

– Nё Vatrёn e Nolit dhe tё Konicёs, unё kam gjetё veten sapo shkela nё SHBA.Ashtu siç mё ka obliguar e frymёzuar heroi i Dragobisё Bajram Begu, po ashtu mё kanё frymёzuar edhe Noli e Konica, thotё Mustafё Elezi.

Mustafa tregon pёr  vёshtirёsitё me tё cilat i ёshtё dashur tё pёrballet nё jetёn e vёshtirё: Pёrballja me diktaturёn komuniste, qё i pushkatoi, burgosi, internoi Jahelezёt, u dogji shtёpitё. Ai sjell nё mendje arrestimin  nё vitin 1949, hetuesinё me tortura çnjerёzore pёr mё shumё se dy muaj, dhe pasi e shpallёn armik me gjyq tё inskenuar, e plasёn burgjeve tё Tiranёs, Korçёs, e çuan nё Kёnetёn e Vdekjes-Maliq, e dёrguan nё ndёrtimin e kanalit Peqin-Kavajё, nё kampin e Rrogozhinёs, tё Beratit, Shtyllas, nё aeroportin e Rinasit…. E kreu burgun mё 1957, vit kur dhe vendosi arratisjen nё prag tё riarrestimit. Ishte 19 Shkurt 1957, kur me brengё nё zemёr e la atdheun. Arratisje qё do tё zbrazte mbi Jahelezёt e mbetur njё hakmarrje tё pashpirt tё qeverisё komuniste…Kalavri vazhdoi nё Jugosllavi, duke kaluar nё Morinё nё njё mot tё ashpёr me borё. Nё Junik dha intervistёn, ku iu pranua kёrkesa pёr strehim politik. Pas Junikut e dёrguan nё Prishtinё, Ferizaj etj. 10 vjet i kaloi mes shqiptarёve tё Kosovёs. Nё Ferizaj Mustafa u martua me Mihanin, vajzё nga Nezajt dhe lindёn dy djemtё Mёrgimin e Bashkimin si dhe vajzёn Shpresa. Nё gusht tё vitit 1967 arriti tё emigrojё nё Itali pёrmes Triestes. Nё Itali u endёn pёr njё vit, duke kapёrcyer vёshtirёsi e pengesa, derisa u plotёsua ёndrra pёr tё shkelё nё tokёn e premtuar. Ka qenё 24 Shkurt 1968, kur Mustafa dhe familja kanё ardhё nё Nju Jork.

Ai ndjehet krenar qё fёmijёt: Mёrgimi, Bashkimi dhe Shpresa, iu bёnё tё mbarё, arritёn sukses nё shkollё dhe nё jetё, dhe nuk i çuan dёm pёrpjekjet e sakrificat e tij.

Rrёfimi i Mustafёs ndёrpritet nga e zonja e shtёpisё, Mihania dhe i biri Bashkimi, qё e mbushin plot tavolinёn.

– Nuk e kishim kёshtu,erdhёm pёr njё kafe, thotё Zef Pёrndocaj, miku i shtёpisё.

Por Mustafa, e ndёrpret, dhe na fton me gotёn e mbushur me raki;-Gёzuar!

Kaluam mё shumё se dy orё nё mikpritjen e kёtij atdhetari, qё tё gjithё jetёn ia ka kushtuar çёshtjes kombёtare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Mustafe Elezi, Vizite ne Shtepine e Vatranit

AMERIKA, DONATORE E MADHE E KOSOVËS

December 11, 2017 by dgreca

-Donatorët më të mëdhenjë  të Kosovës: BE, SHBA, Zvicra e Gjermania. Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë mori pjesë edhe Greg Delawie – Ambasador i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë/

1 ambasad amerik Greg Delawer11 12 2017-ZKM (4)11 12 2017-ZKM (2)

-Ambasadori i SHBA në  Kosovë, Greg Delawie: Jemi këtu për të ndihmuar dhe përkrahur/

 PRISHTINË, 11 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Donatorët më të mëdhenjë të Kosovës janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra, Gjermania, si dhe vende tjera. Kjo u bë e ditur sot në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian, në të cilin u prezantua Raporti mbi aktivitetet e donatorëve në Kosovë gjatë vitit 2016.Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,  shprehu falënderimin për kontributin, përkrahjen, ndihmën dhe donacionet e dobishme që kanë dhënë qeveritë dhe donatorët e ndryshëm të vendeve mike të Kosovës.“Këto ndihma për Kosovën dhe popullin e saj, kanë ardhur në kohë të vështira dhe për këtë arsye janë të rëndësishme dhe të veçanta. Fal një përkrahje gjeneroze që ka ardhur në vazhdimësi, nga viti në vit, Kosova nuk është ndjerë e lënë vetëm”, u shpreh Kryeministri kosovar.

 Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, duke prezantuar Raportin Vjetor për Koordinimin e Donacioneve për vitin 2016 tha se janë alokuar 164 milionë euro donacione, në formë të asistencës.“Shumat e dedikuara sipas fushave janë: Qeverisja dhe shoqëria civile me mbi 57 milionë euro, Arsimi me 17.6 milionë, Përmirësimi i menaxhimit të ujërave dhe ujërave të zeza me 14 milionë, Investimet në përmirësimin e infrastrukturës 10 milionë, Mbështetje bizneseve 9.5 milionë”, theksoi ajo.Në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë morën pjesë edhe Natalya Apostolova – Përfaqësuese e Posaçme e BE/Shefe e zyrës së BE-së në Kosovë  dhe Greg Delawie – Ambasador i Shteteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, donatorë si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë kosovare.Gjatë takimit, ministrat gjegjës të qeverisë së Kosovës paraqiten prioritetet në fushën e Sundimit të Ligjit, Edukimin, Shëndetësisë si dhe Ndërmarrësisë e Inovacionit.

 FJALA E AMBASADORITIT TË SHBA NË  KOSOVË, GREG DELAWIE, NË TAKIMIN E FORUMIT TË LARTË PËR DONATORË NË SEKTORËT E SUNDIMIT TË LIGJIT DHE ARSIMIT, 11 DHJETOR 2017

Mirëmëngjesi. Kryeministër Haradinaj, ambasadore Apostolova, ministra, kolegë nga trupa diplomatike dhe donatorë. Nëse shohim përreth kësaj salle është e qartë që Kosova ka shumë miq dhe partnerë që punojnë për të ndryshuar gjërat këtu. Partneriteti i SHBA-së me Kosovën mbetet i fortë dhe bashkëpunimi i donatorëve me qeverinë është po ashtu i rëndësishëm. Javën e shkuar pamë një shembull të shkëlqyeshëm të këtij bashkëpunimi me kontributet e reja të Suedisë dhe Gjermanisë për Fondin kosovar për garanci kreditore.

Kjo është kohë kritike për Kosovën dhe rreziqet e përfitimet e ndërlidhura kurrë nuk kanë qenë më të larta. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe përkrahur qeverinë tuaj, por në fund të fundit, ky është vendi juaj dhe agjenda juaj. Bashkërenditja e njëmendtë dhe efektive e donatorëve është rrugë dykahëshe dhe kjo veçanërisht është e rëndësishme në Kosovë ku e kemi një hapësirë kaq të ngjeshur të zhvillimit.

Për këtë arsye, ky takim është kaq i rëndësishëm. E dimë se ka shumë prioritete për zhvillim në Kosovë, por sot do të përqendrohem në dy: sundimin e ligjit dhe arsimin.

Së pari do të flas për sundimin e ligjit dhe ju faleminderit të gjithëve që morët pjesë në veprimtaritë në kuadër të Javës kundër korrupsionit dhe për diskutimin e mirëfilltë të premten. Lufta kundër korrupsionit nuk përfundon vetëm sepse java ka përfunduar dhe çdo prioritet që do ta përmendi këtu varet nga ajo luftë. Nuk guxojmë ta humbasim përqendrimin. Jemi këtu që të kërkojmë llogari nga vetvetja dhe të tjerët për zotimet që i dhamë javën e kaluar.

Sa i përket prioriteteve të menjëhershme për sundimin e ligjit: së pari, e dimë se duhet të merren vendime të vështira për hapat e ardhshëm për reformën e ligjeve komerciale dhe të analizës së organeve kundër korrupsionit. Ju nxisim ta nisni rishikimin e sektorit të drejtësisë dhe t’i merrni vendimet për reforma sa më shpejt që është e mundur. Kjo nuk do të thotë që t’i ndërpresim përpjekjet që janë në vazhdim e sipër, por rishikimi duhet t’ju ndihmojë për t’i përkufizuar prioritetet më të larta dhe të përqendroheni se si do ta arrini cakun. Ne dhe donatorët e tjerë mund t’ju ofrojmë mbështetje, por ky proces duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës.

Së dyti, duhet ta adresojmë çështjen e agjendës legjislative. Kolegia ime i ceku disa ligje kryesore për agjendën për reformë evropiane. I mbështes të gjitha, por më lejoni ta theksoj sërish një veprim që besoj se është jashtëzakonisht i rëndësishëm: ka ardhur koha të miratohet Ligji i përditësuar për Prokurorin Disiplinor. Ky do të jetë hap thelbësor për të forcuar kontrollin e pushtetit dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Të sigurohemi që personeli i sektorit gjyqësor i përmbahet standardeve më të larta të disiplinës dhe llogaridhënies sepse ky aspekt është themelor në luftimin e korrupsionit, të përfundimit të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe për ndërtimin e besimit të publikut në këto institucione. Sinqerisht, është vështirë të flitet për mundësitë për rritje ekonomike pa përparim të qartë të reformës për sundimin e ligjit.

Në fund, duhet të qëndrojmë të fokusuar në integrimin e gjyqësorit në veri të Kosovës. Kemi arritur diçka të jashtëzakonshme, por tash fillon puna e njëmendtë që gjykatat në veri të jenë plotësisht operacionale në 2018-tën. Kjo nënkupton përkthimin dhe harmonizimin e ligjeve në gjuhët shqipe dhe serbe, bartjen përkatëse të lëndëve, trajnimin e duhur të stafit dhe integrimin e vendimeve në strukturën ligjore të Kosovës.

Ngjashëm, Kosova duhet të ndërmarrë reformat në sektorin e arsimit tani për t’iu ndihmuar të rinjve ta marrin vendin e tyre të duhur në ekonominë e Kosovës.

E para dhe më e rëndësishmja, ka nevojë thelbësore për depolitizimin e punësimit të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave dhe drejtorëve të drejtorive komunale për arsim. Para së gjithash duhet të merren parasysh meritat kur kemi të bëjmë me punësimin e të gjithëve që janë përgjegjës për arsimimin e rinisë kosovare. Çkado më pak se kaq i dëmton këta të rinj dhe do të vazhdojë ta rrezikojë të ardhmen e Kosovës.

Po ashtu, duhet të vazhdojnë reformat në arsimin e lartë për të siguruar që të diplomuarit i fitojnë shkathtësitë dhe njohuritë që kërkohen nga tregu i tashëm dhe i ardhshëm i punës. Reformat brenda sistemit universitar publik – në të cilat kemi investuar aq shumë të gjithë ne – duhet të shihen përmes përfundimit dhe të udhëhiqen nga vetë qeveria juaj.

Kjo nënkupton zbatimin e strategjisë së Kosovës për arsim dhe përfundimin e rishikimit tashmë të vonuar të Ligjit për arsimin e lartë. Me këtë do të përmirësohet integriteti akademik, cilësia dhe gjithëpërfshirja e arsimit të lartë në Kosovë dhe sistemi do të fillojë të radhitet në linjë me standardet ndërkombëtare.

Kam folur me qindra të diplomuar përmes programeve të studimeve master në SHBA dhe të gjithë ishin sfiduar nga rreptësia e universiteteve amerikane. Të rinjtë kosovarë janë po aq të zgjuar sa të rinjtë e çdo vendi tjetër dhe ata duhet të përgatiten në mënyrë të duhur, gjë që nuk po ndodh tani.

Duhet, po ashtu, të shohim zbatimin e plotë të Ligjit për arsimin parauniversitar për mbështetjen e reformave gjithëpërfshirëse në atë nivel. Mënjanimi i akraballëkut dhe paqartësisë nga praktikat për punësim dhe këmbëngulja në standarde rigoroze të mësimdhënies janë thelbësore.

Si për sundimin e ligjit, ashtu edhe arsimin, mbajtja e forumeve të nivelit të lartë si kjo janë të rëndësishme, por të gjithë e dimë se ekipet tona tashmë po vënë në zbatim këtë punë çdo ditë dhe ata duhet të mbajnë takime të rregullta pune për të qenë efikasë. E kuptoj se mbajtja e takimeve në vetvete nuk është zgjidhje, por nëse ekipet tona nuk takohen rregullisht që pastaj të na raportojnë për përparimin dhe pengesat, as ne nuk do të mund ta kryejmë punën.

Prioritetet që i ceka nuk janë asgjë më pak se çka meriton populli i Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare luan rolin e saj duke sygjeruar zgjidhje dhe duke shtyrë përpara për ndryshim, por ky është vendi juaj. Si gjithmonë, jemi krenarë që bashkëpunojmë me ju dhe shpresojmë të shohim gjithë atë punë të mirë që do të bëhet në të ardhmen. E dimë çka duhet të bëjmë, prandaj le ta bëjmë atë!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: amerika, Behlul Jashari, DONATORE, E MADHE E KOSOVËS

Edhe vatranët në Ditëlindjen e Senatorit Gary Peters

December 11, 2017 by dgreca

1 Valentino Lumaj.JPGPëgatiti për Diellin: Valentin Lumaj/

Kete te Diele qe kaloi, me 10 Dhjetor 2017, ne nje ambient te ngrohte, miqesor dhe familjar, u festua Ditelindja e 59-te e Senatorit Gary Peters, perfaqesues i Michiganit nga Partia Demokratike ne Senatin Amerikan. Me kete rast, ne nje nga rezidencat private te nje miku te afert te Senatorit ne Franklin MI, u shtrua nje dreke festive. Merrnin pjese nje numer modest, rreth 25 persona te ftuar, miq te ngushte, bashkebunetore dhe te aferm te Senatorit Peters. Vete Z. Peters ndodhej aty, se bashku me bashkeshorten e tij Colleen Ochoa.

1 Senatori vatranet.JPG

Mbas fteses se Z. Peters, si perfaqesues te Federates Vatra te perbere nga  Kryetari i Deges ne MI, Z. Mondi Rakaj, dhe anetaret e Kryesise dhe Keshillit Kombetar te Vatres  Z. Alfons Grishaj dhe Z. Valentin Lumaj, patem nderin te mernim pjese ne kete celebrim ditelindje. Sapo mberritem, Z. Peters, nuk e fshehu entuziazmin e tij dhe na priti ngrohtesisht. Fillimisht kaluam disa minuta te gjata me Senatorin, ku ndame mendime per çeshte te ndryshme. Zoti Grishaj i percolli urimet me te mira nga Kryetari i sapozgjedhur i Federates Vatra, Dritan Mishto, dhe e informoi se së shpejti, qendra e Vatres ne New York do te organizoje nje Darke nderimi per Z. Peters. Ai mbasi e vleresoi kete angazhim, premtoi bashkepunim me te gjere me Vatren si nje organizate qe i perfaqeson denjesisht shqiptaret ne USA.  E informuam me situaten ne pergjithesi ne Shqiperi, ku nder te tjera Z. Grishaj percolli mendimet e tij ne lidhje me takimet e fundit te Senator Peters me perfaqesues te veçante te qeverise shqiptare.  Diskutuam ne lidhje me komunitetin shqiptar ne Michigan dhe per angazhimet e ardhshme te Z. Peters ne politike, per te cilat ne i premtuam mbeshtetjen tone. Senator Peters na falenderoi per kete mbeshtetje te vazhdueshme, si dhe na premtoi se do te jete ne kontakt te perhershem dhe do te loboje per çeshtjen shqiptare.

Me kete rast, Z.Rakaj, i dorezoi ftesen ne emer te Keshillit Organizator per aktivitetet perkujtimore me rastin e Vitit te Skenderbeut, Simpoziumin Shkencor dhe Darken Solemne, qe do te organizohen me 27 dhe 28 Janar 2018.  Senator Peters e pranoi me kenaqesi ftesen.Me pas te pranishmit u akomoduan ne tryezen e perbashket nepermjet nje sherbimi eksilent.

“Ju jam mirenjohes pa mase te gjitheve qe erdhet te festoni me mua ne kete te Diele familjare dhe kohe te zëne festash, dhe ju falenderoj per shoqerine dhe qe keni qendruar prane meje per kaq shume vite” -theksoi Z. Peters. Ai shtoi se do te garoje perseri ne 2020, dhe se ndihet me i sigurte ne fitore, fale mbeshtetjes se miqve te tij.  Z. Peters tha se Ditelindja  e sakte e tij ishte me 1 Dhjetor, por se vendosi ta festoje sot, pasi Ditelindjen  e kaloi ne sadhen e Senatit per te votuat Ligjin e ri te Taksave.

“Nuk ishte nje dite e mire per mua, sepse votuam per nje Ligj te keq te Taksave, me i keqi per nje kohe te gjate, dhe po behet edhe me i keq me versionin perfundimtar qe po I jepet se fundmi. Ligji i taksave do te ndikoje ne ekonomine dhe te ardhurat e shumices se popullsise dhe te gjithesecilit prej jush, pasi ai favorizon dhe shkurton taksat e korporatave te medhaja dhe te investuesve. Ky Ligj justifikohet me argumentin per te shtuar vendet e punes, por se eshte shume i paqarte dhe e vë ne dyshim suksesin e ketij Ligji. Me qellim qe te shkurtojne deficitin shteteror qe shte ne rritje, administrata e Trump-it, do te kete shkurtime ne planin shendetsor Medicare, do te kete shkurtime ne sigurimet shoqerore, dhe te gjitha keto se bashku  do te japin nje impact negative ne te gjithe vendin”, tha Z. Peters.

Me tej, Senator Peters i ftoi te pranishmit ne nje bashkebisedim nje me nje, ku Z. Peters qendroi ne kembe gjate gjithe kohes duke ju pergjigjur pyetjeve te karaktereve te ndryshme.

Pyetjes se si e parashikon te ardhmen e Partise Demokratike ne Senat dhe Kongres, ai tha se fitorja e PD nuk mund te projektohet pa fitoren ne Michigan dhe ndonje shtet tjeter, prandaj duhet shume pune per te bere dhe beson se shume shpejt, ne garat elektorale te 2018 dhe 2020, Partia Demokratike do t’a rifitoje shumicen.

Pyetjes se a mendon se ne zgjedhjet e ardhshme Presidenciale, Donald Trump mund te rizgjidhet, Senator Peters ju pergjigj: “exit pollet nxjerrin nje renie te popullaritetit te tij, egziston nje njenje e pergjithshme se Trump eshte ne presidence per nje kohe 10 vjeçare e jo nje vit, qe tregon se Trump po konsumohet perdite e me shume. Megjithate, nuk duhet qe ta nenvleresojme, sepse vitin e shkuar e beme nje gabim te tille dhe na kushtoi”.  Me tej Ai theksoi: “Kjo administrate po i hedh benzine zjarrit dhe se po ashpersohen konfliktet raciale, politike dhe fetare. Ne nje studim te fundit, pyetjes se “A do te martoheshit me nje person qe i perket partise opozitare?”, shumica e te anketuarve, ose rreth 60% e tyre i jane pergjigjur negativisht dhe ky nuk eshte nje mesazh i mire per ne te gjithe. Po te behej kjo pyetje vite me pare, njerezit normalisht do te pergjigjeshin se nuk e kane problem, persa kohe qe e duan njeri-tjetrin.

Pyetjes ne lidhje me njohjen e Jeruzalemit si Kryeqytett te Izraelit dhe zhvendosjes se ambasades amerikane , Z. Peters tha me sarkazem se sot Jeruzalemi eshte nje vend i rrezikshem qofte edhe per nje vizite, jo me te zhvendosesh ambasaden atje. Megjithate, theksoi ai, Jeruzalemi e meriton te jete kryeqyteti ligjshem i Izraelit, por se duke pasur parasysh zhvillimet dhe lufterat e gjata ne Afganistan dhe Irak, vendimet e fundit te Presidentit Trump, jane te pamatura dhe te parakoheshme.

Pyetjes ne lidhje me situaten ne Korene e Veriut, Senator Peters nder te tjera tha: “Situata eshte perkeqesuar mbas leshimit te raketave balistike me rreze te gjate, per te cilat ne nuk ishim ne dijeni se Korea e Veriut posedon dhe se ne çdo rast mund te kercenojne jeten e qytetareve amerikane dhe te aleateve tane. Me sa duket, Preident Trump, nuk e pelqen shume diplomacine dhe eshte me shume ne perdorimin e forces, por une mendoj se ne duhet te rrime larg luftrave te panevojshme  dhe duhet rritur presioni diplomatik kundrejt Korese se Veriot, po ashtu ne te njejten kohe te krijohet nje mburoje mbrojtese anti-raketore nga bazat tona ne Alaska, Hawai, Michigan dhe California”.

Pyetjes ne lidhje me emigracionin, Senator Peters tha: “ketu ne Michigan ne kemi nje komunitet te mrekullueshem shqiptar. Kjo administrate po ben veprime te papergjegjshme; krahas atye qe kane bere krime po deportohen njerez qe kane paguar rregullisht taksat, studentë te shkelqyer te pranuar ne Universitete prestigjoze, njerez qe kane kontribuar ne te mire te USA. Ka pasur raste deportimit te personave qe kane ardhur ne USA ne moshte 4-5 vjeçare qe nuk dine sanje fjale shqip, te deportimit te te rinjve qe shebejne ne ushtrine amerikane, ne mbrojtje te kombit amerikan, raste te cilat perbejne paradoks te madh kundrejt vlerave te larta njerezore qe USA proklamon. Prandaj ne jemi munduar dhe do te vazhdojme qe t’u dalim ne mbrojtje ketyre rasteve dhe ne te njejten kohe po punojme qe te hartojme nje plan perfundimtar per zgjidhjen e çeshtjes se emigracionit”.

Me tej Dreka vazhdoi ne nje harmoni gazmore ku nuk munguan urimet e ndersjellta apo batutat.

Nje falenderim te veçante, e percjellim per shqiptaro-amerikanen Elisa Malile, qe eshte pjese e stafit te Senatorit Peters, e cila ishte pergjegjese dhe organizoi me korrektese kete eventiment.Mbas drekes, u ndame miqesisht me shtrengime duarsh dhe urime te ndersjellta.

Filed Under: Vatra Tagged With: e Senatorit, Edhe vatranët në Ditëlindjen, Gary Peters, Valentin Lumaj

PERPJEKJE PER SULM TERRORIST NE MANHATTAN

December 11, 2017 by dgreca

Zyrtarët policorë e identifikuan të dyshuarin si Akayed Ullah, 27 vjeç. Ullah, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes, jeton në lagjen Bruklin të Nju Jorkut dhe raportohet të jetë me prejardhje nga Bangladeshi./

1 shperthimi

Dyshohet per lidhje me ISIS/

1 Akti

Një person ka aktivizuar një bombë të lidhur për trupin e tij në lagjen Menhatën të Nju Jorkut, duke plagosur veten dhe tre njerëz të tjerë.

Policia tha se shpërthimi ka ndodhur në një terminal autobusësh pranë sheshit Times Square.

“Kjo ka qenë përpjekje për sulm terrorist”, tha kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blassio.

“Faleminderit Zotit që autori nuk e ka arritur qëllimin përfundimtar”, tha ai.

Edhe komisionari i policisë, James O’Neill, tha se shpërthimi ka qenë përpjekje për sulm terrorist.

Zyrtarët policorë e identifikuan të dyshuarin si Akayed Ullah, 27 vjeç.

Ullah, i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes, jeton në lagjen Bruklin të Nju Jorkut dhe raportohet të jetë me prejardhje nga Bangladeshi.

Zyrtarët thanë se shpërthimi me sa duket ka qenë i rastësishëm dhe se bomba ishte një mjet shpërthyes, i bërë në kushte shtëpie, me material të dobët.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se presidenti Donald Trump është njoftuar për incidentin.

1 Times Square

 

Filed Under: Featured Tagged With: ne Manhattan, Shperthim Terrorist

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT