• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2018

HEROI ABAZ KUPI DO TE PERKUJTOHET ME 13 JANAR

January 3, 2018 by dgreca

1-abazkupitv-300x168

TE SHTUNEN,  13 JANAR 2018, PËRKUJTOHET NE NJU JORK, ABAZ KUPI/

1-major-abaz-kupi-1940

Gazeta Dielli ka marre kete njoftim nga kiyetari i Partise Levizja e Legalitetit, z. Hakik Mena: Partia “Lëvizja e Legalitetit”- Dega e SHBA-së në bashkëpunim me familjen Kupi ka nderin të njoftojë komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike, mbretërorët shqiptarë, anëtarët e partisë “Levizja e Legalitetit”, miqtë dhe dashamirët e familjes Kupi se edhe sivjet, si cdo vjet, ditën e Shtunë me datë 13 Janar 2018, në orën 11 e 30-2.00 paradite do të mblidhemi tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens për të përkujtuar përvjetorin e vdekjes së udhëheqësit të nacionalizmit shqiptar, burrit që, në krye të trupave të Mbretit Zog, i zbardhi faqen Shqipërisë më 7 Prillin e 1939, dhe themeluesit të Organizatës Kombëtare të Lëvizjes së Legalitetit.

Të gjithë shqiptarët janë të mirëpritur.

Salla ku do të mbahet përkujtimorja ndodhet :ADRESA:127-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, New York 11415

Kryetari

Hakik Mena

Filed Under: Politike Tagged With: abaz kupi, me 6 Janar 2018, perkujtohet

Xhevat Limani dhe Liza Hoxha protagoinstë në filmin “Prova”

January 3, 2018 by dgreca

1 ok Xhevati LizaYlli i kinemasë shqiptare Xhevat Limani “Ikonë e Aktrimit Shqiptar” dhe Liza Hoxha luajnë rolet e protagonistëve kryesorë në filmin “Prova” me regji dhe skentar nga Mrika Krasniqi. Përkrah tyre luajnë edhe aktorët e njohur Mirsad Abazi dhe Julian Biba.

NGA ERMIRA BABAMUSTA/

1 Mrika ok

“Pasi lexova skenarin e Mrika Krasniqit m’u duk sikur roli ishte shkruar për mua. Kisha shumë pikëtakime me personazhin dhe dramën e tij të brendshme. Bëmë disa seanca provash me regjisoren dhe ramë dakord të futemi në fazën parapëtgaditore dhe me forca të përqëndruara filluam projektin. Puna hulumtuese me regjisoren ishte një eksperiencë e veçantë. Mrika ishte shumë kërkuese sa u përket skenave me partnerët, situatat e rënda me transformime të shpeshta psikologjoke si dhe në ritmin e brendshëm të veprimeve konkrete në rrafsh natyrshmërie dhe spontaniteti. Mendoj se kemi realizuar diçka të veçantë,” tha Xhevat Limani.

1 Xhevati

Filmi “Prova” (Proof) është prodhim i kompanisë Nil Production, me drejtor fotografie Ibër Deari. Filmi i dedikohet rreth 20 mijë fëmijëve të Kosovës, prindërit e të cilëve u vranë në luftën e vitit 1999.

“Surprizë për mua ishte drejtori i fotografisë Ibër Deari i cili kishte shumë gjetje që nga groplanet e deri tek planet totale në një mini-hapsirë të ideuar në mënyrë të shkëlqyer nga skenaristja dhe regjisorja Mrika Krasniqi e cila me këtë film të gjatë do trokasë bindshëm nëpēr festivale dhe pse edhe të mos triumfojmë.Jam i bindur s’e kam realizuar një protagonist tejet poliedrik që mund të lë gjurmë. Mendoj se filmi “Prova” është filmi i parë ndër shqiptarët e Amerikës dhe shënon një akt dhe nivel të avancimit të statusit kulturor të Diasporës,” u shpreh aktori legjendar Xhevat Limani për gazetën Dielli. Xhevat Limani është themelues i Teatri Shqiptar në Amerikë. Ka luajtur mbi 100 premiera teatrore. Fitues i Festivalit “Flaka e Janarit” për Rolin më të Mirë Mbreti Kreon tek Aantigona e Sofokliut; fitues i shpërblimit “Aleksandër Mojsiu” me shfaqjen “Shqiptar të jesh apo të mos jesh” sipas Fishtës në Festivalin mbarëkombëtar në Tiranë, fitues i më se 20 shpërblimeve artistike nëpër festivalet kombëtare dhe shtetërore.

Ka luajtur në filmin e Ekrem Kryeziut “Udhë pa kthim”, rolin e Gazetarit, në filmin “Nata” të Esat Musliut rolin Kaska, në filmin “Rrugët që vrasin” të Halil Budakovës rolin e Shefit të UNMIK në Kosovë, në filmin “Kolonel Bunker” rolin e drejtorit të Burgut, në filmin “Jeta private e Pipa Lisë” rolin e Kalimtarit në regji të Rebecca Myller, në filmin “The Journey” të Mike Dusi ku luajti rolin e Profecisë, etj.

Në filmin “PROVA” me skenar dhe regji të Mrika Krasniqit, Xhevat Limani luan rolin e Aktorit kryesor, prof. i Artit dramatik, krahas Liza Hoxha, e cila luan rolin e mbesës “Dea”.

“Liza Hoxha është nxënëse e klasës së VI- në shkollën amerikane në Prishtinë (American School of Kosova) vajza e Ardian dhe Era Hoxha, përndryshe mbesa ime në jetë dhe në film, ku njihet si Dea. Përveç që është nxënëse e shkēlqyer Liza ka talent edhe për aktrim, dizajn dhe pikturë. Përcaktimi i regjisores për Lizën në rolin e Dea-s kishte avantazh raportet tona gjysh-mbesë nga jeta në film. Talenti i Liza Hoxhës do të evidentohet gjithsesi në film,” shtoi Xhevat Limani, protagonisti i filmit Prova.

Sinopsisi i Filmit “Prova”

Gjyshi dhe mbesa e tij, gjatë bombardimeve, mbesin të ngujuar në bodrumin e një ndërtese. Pasi merr vesh se vajzës ia kanë vrarë prindërit, gjyshi pëson një traumë dhe vendos të qëndroj në bodrum edhe pas përfundimit të luftës.

Duke qenë profesor i artit dramatik ai krijon brenda bodrumit hapësira të ndryshme për të argëtuar mbesën e cila gjindet në karrocë invalidesh nga një aksident i pësuar më parë.

Filmi Prova (Proof)

Skenari dhe regjia: Mrika Krasniqi

Drejtor Fofografije: Ibër Deari

Rolet kryesore: Xhevat Limani, Liza Hoxha

Rolet e tjera: Mirsad Abazi, Julian Biba

Filmi “Prova” (2018) është prodhim i kompanisë Nil Production

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira Babamusta, Filmi Prova, Mrika Krasniqi, Xhevat Limani

DIELLI-KUJTESA E VITIT 2017-KATEDRALJA SHEN TEREZA

January 3, 2018 by dgreca

Kosovë-Viti 2017, i  Shugurimit të Katedrales Shën Nënë Tereza/

1 Kardinali

 -Në 5 shtator 2017 u bë  shugurimi i Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet/3 Marjan salle

 1 Behlul12 ok Marjan-Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar/

1 agimiSPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*/

45

PRISHTINË, 3 Janar 2018/ Në Kosovë një nga ngjarjet e rëndësishme të vitit 2017 ishte  shugurimi i Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh nga SHBA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.Shumë solemne dhe madhështore ishte festa.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë në 5 shtator 2017, në ditën që ishte e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në 31 gusht 2017, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales  anëtarin e Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Zef Balajn, me bashkëshorten Lina, anëtarin e Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, si dhe Nue Balajn, nip i Zefit, që ishin së bashku.

Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 gusht 2017, ka vlerësuar lart të gjitha kontributet.

“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë në 5 shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.

Mbrëmjen e 4 shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Edhe në ditën e 16 gushtit 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës. 

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Katedralja në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

 Korrespondenti i tashëm në Kosovë i Gazeta DIELLI  me raportimet është edhe kronikë e historisë së ndërtimit të Katedrales Nëna Terezë në Prishtinë që nga vënia e gurthemelit. Ishte edhe i akredituar në Ipeshkvinë e Kosovës nga Këshilli për Media i Shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza.

“Kosovë – Në Katedralen ‘Nëna Tereza’ Janë Ngritur Flamujt e Festës”, është titulli i reportazhit që kam shkruar e botuar në Agjenicinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë në 100 vjetorin e Nënës Terezë, në 1 Korrik 2010.

 Ndërtimi i Katedralës është bërë i mundur nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë. Rezultati është një Katedrale madhështore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, e lartë 32,50 metra, e gjerë 42,30 metra dhe e gjatë 77,40 metra.

Në 2016-tën, shenjtërimit të Shën Nënë Terezës i parapriu Koncerti i Filharmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën Shën Pali Jashtë Mureve, në 3 shtator, me një përfaqësi mbarëshqiptare. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan në 4 shtator.  Mesha e falënderimit është udhëhequr nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, në 5 shtator. 

Në 26 gusht 2017, kur  nisën “Ditët e Nënës Terezë”  në mbrëmje feste e programi kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës në Katedrale u hap edhe një ekspozitë e autorit Sakip Imeri e fotografive dokumentare që nga vënia e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë.

Pjesë e veprimtarive ishte edhe ekspozita me fotografi e dokumente “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, e cila është hapur në Bibliotekën Kombëtare në kryeqytetin e Kosovës, me bashkëorganizim të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkvisë së Kosovës.

Nën një nga fotografitë e ekspozitës shkruante: “Gonxhe Bojaxhiu nxënëse në shkollën fillore shqiptare të Shkupit, në vitin shkollor 1922/1923”.

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).

Në 10 dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji,  Vikar Gjaneral i Ipeshkvisë së Kosovës, ka shkruar: “Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu? Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishterimit tonë dymijëvjeçar, e  traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar….

Kush ishin prindërit e saj? Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë,  si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.

Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.

Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973)”.“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujtonte fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, Kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës, nga takimi i parë në vitin 1975, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në qershor 2010

“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë… Kur i tham se jemi nga Kosova, Nëna Tereze menjëherë u shpreh shqip, duke treguar se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakoshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët…”, tregonte Zefi.

Ai tregonte se me Nënën Tereze është takuar edhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.

Po ashtu, Zefi tregonte  se me Nënën Terezë ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.

 “Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë…”, shprehej Zefi, derisa bisedonim në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralën në ndërtim në Prishtinë…

Në vitin 2017  Kosova ka festuar gëzuar Krishtlindjen me urimet edhe për 2018-tën e 10-vjetorit të Pavarësisë së njohur deri tani nga 115 shtete anëtare të Organizatës së Kombëve të Bashkuara, të shprehura edhe gjatë meshës së Krishtlindjes – të parën në Katedralen e shuguruar Shën Nënë Tereza në Prishtinë. “Vërtetë jemi të lumtur që sot po kremtojmë  për të parën herë Krishtlindjen në këtë kishë të shuguruar, me emrin e shenjtëreshës sonë Nënës Terezë”, tha Ipeshkvi i Kosovës, Imzot DodëGjergji, i cili në porosinë për Krishtlindjen 2017 është shprehur me vlerësime e urime edhe për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut…

  • Per me shame fotografi shine ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Katedralja Shen Tereza, Kujtesa e 2017-tes

VITI I RI 2018 – SHPRESE DHE DESHIRA TE PA PLOTESUEME

January 3, 2018 by dgreca

48-repishti-300x212

Nga Sami Repishti/

 Ridgefield, CT.- Për të gjithë vëllaznit dhe motrat e së vetmes racë njerëzore: Gëzuar Vitin e Ri 2018. Paqë në Botë me shpresa të gjalla, dhe dëshira të plotësueme.Por, reagimet politike në Serbinë fqinje, e Kroaci, ndaj vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë tregojnë se jemi në prak të nji periudhe të pasigurtë në Europë; “nacionalizmi i demoduem” ka ngritë kokën e nepërkës , dhe pasionet e masave popullore  dhe të pa informueme drejtësisht kanë fillue të ndizen.

“Gjykata Ndërkombëtare e Hagës konfirmoi qartësisht si janë përgatitë dhe koordinue planet për krime masive kështu që të formoheshin Serbia e Madhe dhe Kroacia e Madhe, nji andërr që do të arrihej me coptime, dhe nuk do të kishte ma Bosnje-Herzegovinë” shkruente ish zadhanësja e Gjykatës, Florence Hartmann. “Ashtu si reagoi sot Beogradi, len të kuptohet se pushteti i sotëm në Serbi (fqinje) nuk mohon qellimet, as nuk distancohet qartësisht nga ata, as pranon krimet. Kjo kuptohet se ata mund të përsëriten. Sot, në epokën e kercënimit të luftës me armë berthamore, kjo ashtë e tmerrshme, me të vërtetë e tmerrshme!

Pikësynimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ka qenë avancimi i frymës së pajtimit në Ballkan, dhe dënimi i kriminelëve serbë ndihmon këte pikësynim…!

Para nji situate të këtill, Rusia e Putinit përpiqet me zgjanue influencën e saj në Ballkan, dhe Serbia  ashtë faza e parë, dhe e sigurtë. Në vitin 2009, rreth 73 përqind e popullsisë serbe dëshironte Bashkimin me Europën; sot, 2017, kjo përqindje ka ra në 49 përqind – ma pak se gjysma e popullsisë.

Zhvillime të këtilla shqetësuese ngjasin në Serbi, ku zgjanohet qendra-bazë ushtarake e përbashkët me Rusinë në qytetin Nish, rrethë 30 km larg kufinit ndërkombëtar me Republikën e Kosovës. Në Mal të Zi që kufizohet me Shqipërinë Veriore, Rusia tentoi kryengritjen kundër qeverisë së ligjëshme të vendit dhe vrasjen e kryeministrit malazias, përpjekje që dështuen. Këto zhvillime u vunë në dukje edhe nga KM i Shqipërisë, Edi Rama, në sesionin e fundit për Ballkanin perëndimor të organizuem nga “miqtë e Europës’, muejin e kaluem. “(Pra),…. rreziku ashtë real, është i rrezikshëm…Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të pres, por të vrapojë të na kapë, atëherë, më besoni, do të kemi nji larmi problemesh të tjera që do rrisin dhe do të jenë shumë herë më të kushtueshëm se po të martoheni me ne”. E. Rama zuni me gojë Turqinë, Rusinë e Kinën- si vende që mund të na damtojnë…!

Nji situatë kritike e këtill randon shumë ‘frontin e mbrendshëm’ kur raportet zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT) i Shqipërisë konfirmojnë se “…jetesa me 4 euro në ditë konsiderohet si varfëri relative sipas standardit të Bankës Botërore. Kategoria e personave në këte kategori konsumi konsiderohen ma shumë si varfëri se sa jetë normale. Llogaritë tregojnë se 10 përqind e familjeve që përbajnë 7 përqind të popullsisë së vendit, me 199.761 persona, konsumojnë 15 euro në ditë për frymë, ose tre herë ma shumë se 93 përqind e popullsisë.” (Credisbank,30.XI.2017) Rritja e pabarazisë ekonomike ashtë baza e krijimit të pakënaqsisë dhe trazimeve sociale.

*****

Kam përshtypjen se jemi në nji etapë pasigurie ndërkombëtare. Themelet e sistemit të demokracisë me përfaqsues të zgjedhun nga populli po lëkunden, sidomos me fitoren e kandidatit Donald J.Trump si President i Shteteve të Bashkueme të Amerikës, (not my president!) -nji miljarder arrogant pa  eksperiencë në diplomaci as në problemet ushtarake që përballon sot bota,- si dhe me fenomenin negativ të Brexit-it në Britaninë e Madhe. Filozofi britanik A.C. Grayling (Cambridge U.) spjegon:” (Kjo që ngjet) ka nji mekanizëm kontrolli e balancimi të pamjaftueshëm në elitën e pushtetit politik e ekonomik, nji dështim në arsimin qytetar që ashtë i nevojshëm me edukue nji popullsi të mirë-informueme, si dhe shtrembënime ideologjike të krijueme nga përpjekjet e lobizmit që mbron interesa të veçanta”.

Në nji sistem “demokratik” të këtill zgjedhësit kërkojnë ma shumë se meritojnë (“populizmi”); të pakënaqun, ata synojnë nji shtet me premtime falso, dhe kur e marrin ata punojnë me “destrukturue sistemin qeveritar” ekzistues. (Steven Bannon). Sundimi i shumicës nuk ashtë nji garanci e mjaftueshme për demokraci. Që nga Antikiteti grek, na këshillohemi me korrigjue këte të metë me : 1) rregulla kushtetuese që pengojnë ushtrimin arbitrar të pushtetit; 2) me imponimin e standardeve pune e sjellje për të gjithë zyrtarët; dhe, 3) nji element dyshimi nga masat e gjana ndaj pushtetarëve…..

Aspekti që “demokracia” nuk ka zgjidhë akoma ashtë parabazia ekonomike që rritet çdo ditë, e në çdo vend. Cilat janë masat qeveritare që do të kufizojshin krijimin e nji oligarkie tejet të pasun e që rrezikon bazat e demokracicë? Sa e rrezikshme ashtë injoranca popullore për demokracinë? Dhe, demokracia me perfaqsues të zgjedhun, sa liri na lejon me ndjekë interesat e prosperitetin tonë individualisht? Grayling ngulë kambë që ne, të gjithë ne, de-aktivizohemi nga institucionet disfunksionale, nga nji qytetari  pa gjykim praktik, dhe nga nji pushtet i shfrenuem i korporatave. Për këte qellim, ai këshillon mbajtjen e klasave “qytetarie” në shkollat tona, zbatimin e përfaqësimit proporcional në pushtet, votime të detyrueshme që nga mosha 16 vjeçare, dhe eliminimin e institucioneve disfunksionale që mbahen në kambë me subvencione të pajustifikueshme qeveritare. Veçanërisht, ai  porositë të mos harrojmë se referendumet nuk kanë fare të bajnë me demokracinë përfaqsuese. Shembulli ma i keq ashtë rezultati i Brexit në Britaninë e Madhe.

Eksperienca e jonë gjatë këtyne 27 viteve të tranzicionit nga diktatura në demokraci, në nji  sistem demokratik përfaqsues dhe efektiv ashtë me të vërtetë shgënjyese. Në kondita të këtilla, nuk mund të pritet që Shqipëria të jetë në gjendje me ba korrektimet e duhuna për nji demokraci të dëshirueshme. Detyrat për nji orientim të këtill janë të mëdha e të vështira. Klasa politike shqiptare nuk ashtë tregue në naltësinë e duhun; popullsia shqiptare, në përgjithësi, pa arsim civik të mjaftueshëm dhe pa eksperiencë demokratike në vend, nuk ka as nxitjen as përgatitjen e duhun për reforma thelbësore që kërkon sistemi demokratik.

Për fatin tonë të mirë, kemi nji zgjidhje që premton: hymjen në Bashkimin Europian dhe pjesëmarrjen e plotë në lëvizjen e madhe europiane për nji Europë të bashkueme dhe paqësore, ma njerëzore dhe të zhvillueme ekonomikisht, me nji arsim që shërben qytetarin me kuptue ma mirë botën që po ndërtohet, dhe që na ofrohet me qenë pjestar i plotë i saj.

Për fatin e keq, Europa sot jep përshtypjen e “nji kontinenti të thyem”. Siguria politike dhe zhvillimi ekonomik i Europës që na kemi dëshmue mbas ramjes së komunizmit dhe të Bashkimit Sovietik, jep përshtypjen se Europa nuk ashtë ma “e bashkueme”: Brexit i Britanisë së Madhe, adhurimi i jonë për demokraci ashtë lëkundë, zhvillimi ekonomik si sistem kapitalist ka prodhue edhe kriza që kanë dobësue besimin tonë në aftësinë e individit të lirë, dhe “apeli” që lëshon “populizmi” sidomos mbas ardhjes në fuqi të Presidentit Trump na paraqiten me pyetjen e madhe, ndoshta jetësore për shume shtete të vogla si Shqipëria: KU VEMI ?

Politikisht, atmosfera e dekadave së para në Rusinë e re, e sidomos paqa e arsyetueme me Gjermaninë, janë kercënue nga veprimtaria agresive e Presidentit Putin në Gjeorgji, Krime, Ukrainë, me ndërhymjen ushtarake në Siri, me politiken paternaliste në Serbi dhe agresive e kriminale në Mal te Zi – komshi i jonë. Tani së fundi, kemi edhe lëvizjet separatiste rajonale në të gjithë Europën që rrezikojnë shtetet kryesore të kontinentit. B.E. dhe SHBA që nga Kurdistani deri në Catalonia nuk i kanë përkrahë këto lëvizje, por nuk janë në gjendje me i pengue. Simbas BE-së, në 28 vendet e këtij grupimi politik kemi 276 krahina të ndryshme me struktura dhe kategorizime të ndryshme. Përkrahja e tyne do të destabilizonte Europën ashtu si e njohim ne sot. Disa prej tyne, si Catalonia (Spanjë) dhe Scotland (Britani e Madhe) kanë zyrët e tyne në Bruksel. Parlamenti Europian ka nji koalicion të njohun si “Aleanca e lirë Europiane”. Shpresa se Europa udhëtonte drejt “nji superfuqie globale e ardhëshme” dhe ideja se BE ishte i destinuem për “nji periudhë të artë” ka qenë e përgjithëshme. Sot, mbretnon frika se Europa dhe Perendimi, në përgjithësi, kanë hy në “fazën e zbutjes”.

Europa e shekullit 21, ka hy në epokën e “mosmarrëveshjeve”. Në Gjermani bahen përpjekje me shpëtue kontinentin dhe rendin ndërkombëtar të rrezikuem nga diplomacia nacionaliste e Presidentit amerikan Trump. Gjermania, ishull paqe dhe stabiliteti politik kontinental, garanci e ndërtimit të rendit ndërkombëtar liberal në Europë, ka fillue me dyshue në efektivitetin e aftësinë e saj me ruejtë këte rend. Në vendet baltike ashtë e qartë frika e nji ndërhymje ruse, dhe konfliktet në Lindjen e Mesme rrezikojnë me kalue në Europë, nji kontinent që ka rezervime të forta në NATO si rrjedhim i qendrimit të ri izolacionist amerikan.

Në London dhe Varshavë dyshimet për Europën janë dhe ma të thella. Pakënaqsia e madhe me maqinerinë burokratike të BE-së, e pa-aftësinë e saj me dalë nga kriza financiare, humbja e “sovranitetit kombëtar”, janë sentimente të përgjithëshme. Nji authoritarizëm i rrezikshëm për demokraci në Poloni, Hungari, Çeki e Sllovaki (vendet e Vishegradit) vejnë në pyetje aftësinë e BE me përballue këte krizë, dhe me mbrojtë e avancue demokracinë. Franca me gjithë fitoren e bujshme të Presidentit Macron paraqitet si “nji shoqëni e ngrime” me ndasi të mëdha në mes të “emigrantëve” dhe popullsisë vendëse. Në Romë dhe në Athinë, rrjedhimet e krizës ekonomike janë të mëdha dhe të qarta: papunësim, pabarazi shoqënore, ekonomike  dhe vuejtje masive që dobësojnë demokracinë…!

Qartazi,  “populizmi” që kercënon Europën Lindore (demokraci të reja) e rrezikon thymjen e solidaritetit europian, nuk ashtë përgjigje për nji Europë të Bashkueme dhe paqësore. Ka mundësi që vala e “populizmit” do të pakësohet sepse premtimet e dhanuna nuk mund të mbahen, dhe dëshirat e masave nuk mund të plotësohen. Kjo u tregue edhe në votimet e fundit në Europën qendrore e perendimore ku “populizmi” ka pësue humbje në votime. “Populizmi nuk paraqitet si nji ideologji e vetme, megjithëse të gjithë, pa përjashtim, kritikojnë valët e emigracionit, sidomos mysliman. Por suksesi i tyne, edhe ashtu i kufizuem, ka thye disa aleanca politike tradicionale, dhe ka vështirësue krijimin e koalicioneve qeveritare” shkruen Steven Erlanger i gazetës The NY Times.

Kohët e fundit, riorganizimi i gjykatave në Poloni ka detyrue BE me cenzurue qeverinë polake me akuzën e “damtimit të demokracisë” shtylla themelore e BE-së. Demonstrata masive protestuen vendimin qeveritar që minonte parimin e sundimit të ligjit; në fakt, ligji i ri efektivisht nënshtron sistemin gjyqsor kontrollit nga “partia” në pushtet, nji thymje serioze e vlerave bazike të demokracisë si janë pluralizmi dhe respekti për kundërshtarin (disidentin)- meturinë e rrezikshme e sistemit komunist Partia polake në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, ka kufizue tubimet publike, ka rritë kontrollin e mediave, dhe ka dobësue pavarësinë e sherbimit civil dhe atë të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe veprimtaritë e OJQ kombëtare dhe ndërkombëtare. Traktati i BE-së parashikon që të gjithë anëtarët “…do të ruejnë respektin për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit e të drejtat e njeriut.”(Art.7)

Shqetësuese ashtë edhe gjendja e re politike e krijueme për kancelaren gjermane Angela Merkel. Koalicioni solid i dekadave të fundit u trondit me fitoren e neo-nazistëve AfD (Aleanca për Gjermaninë) në Parlament, nji thymje serioze. Partia e kancelares Merkel (34 përqind e votave në Parlament) gjindet para dy alternativave: me pranue bashkëpunimin me AfD në qeveri, ose zgjedhje të reja.

Por kjo situatë ka krijue nji rrymë frike në Europë- mos-stabilitetin politik në Gjermani, shtylla kryesore e BE-së, dhe sjellë kujtimin e së kaluemes tragjike , kur nazistët përfituen nga kaosi e vendosën diktaturën. Por gjermanët janë të aftë për kompromise të ndershme politike dhe evitojnë katastrofën. Europa pret çdo ditë nji zgjidhje të këtill. Në çdo rast, kompromisi kërkon edhe guxim me spjegue arsyen e tij dhe pse ashtë nji problem vital për demokracinë.

*****

Situata shqetësuese në Europë – pa zanë me gojë trazimet e Lindjes së Mesme dhe terrorizmin, e sidomos rrezikun e nji konflagracioni me armë atomike që rrezikohet nga Koreja e Veriut- merr përpjestime kritike për shqiptarët: e para, sepse jemi nji “demokraci e re”, pa eksperiencë dhe traditë; dhe e dyta, sepse kemi trashëgue efektet shkatërrimtare të diktaturës 45 vjeçare komuniste.

Shqipëria ka nevojë urgjente për reformim. Hapi i parë ashtë krijimi i nji atmosfere mirëkuptimi të ndërsjellë. Shqipëria nuk ka “armiq”; shqiptarët nuk janë “armiqtë” e njeni tjetrit. Shqipëria dhe shqiptarët që “mendojnë ndryshe” nga ne gëzojnë të gjitha të drejtat e tyne kushtetuese me mendue e veprue lirisht- sidomos kur mendimi i tyne nuk na pëlqen. Aksiomë demokratike! Në se nuk trajtojmë kundershtarët me respekt sot, nesër do të korrim atë që kemi mbjellë!

Por nji Shqipëri që drejtohet nga nji Kuvend i zgjedhun krejtësisht nga kryetarët e partive politike respektive ashtë nji “tallje e egër” me popullin e pafuqishëm-, dhe konceptin e përfaqësimit demokratik. Grupet politike nuk janë toga ushtarake! Zgjedhjet parlamentare me lista janë meturinë e traditës komuniste që duhet të ndryshojnë “këtu dhe tani”! Zgjedhjet që fitohen me votime të bleme me të holla e shpërblime janë anti-ligjore, duhen zbulue e dënue me ligj. Shqipëria ka nevojë për deputetë të ndershëm, të aftë, të dedikuem dhe të lirë me mendue e veprue si përfaqsues të lirë, me arsye e ndërgjegje. “Deputet pa dinjitet” ashtë nji epitet turpi për kombin tonë, dhe duhet të luftohet me çdo mjet ligjor.

Në Shqipëri flitet për drejtësi, pushtet ligjor të pavarun e megjithate veprohet si në ditet e diktaturës. Në Poloni, gazetari Igor Janke, tue spjegue dilemën e madhe të sistemit gjyqsor tha:” Kur dikush më thotë se po shkatërrojmë sistemin e drejtësisë, unë pergjigjem: ‘Cilin sistem?’ Që në fillim, më 1990, komunistët që kryen krime kundër popullit i ‘shpëtuen drejtësisë” Ai i quen gjykatësit ‘merimanga të kuqe’ Këto merimanga ushqejnë merimanga të reja, dhe në gjykatat polake ka plot nga këto merimanga që ndjekin “vijën e Partisë”!

Nji spjegim i tillë tingëllon familjar për Shqipërinë, ku “drejtësia” u sulmue randë për 45 vjet me rradhë, ku ligji ishte “vija e Partisë” dhe ku u eliminue edhe Ministria e Drejtësisë si “e panevojshme”. Merimangat shqiptare sigurisht mbrojnë “vijën e Partisë” dhe kur këto merimanga korruptohen “nga pushteti dhe paraja”, e keqja që rrjedh ashtë e pallogaritëshme.

Nji sistem qeveritar që adopton ose lejon konstruksione shtetnore të këtilla rrezikon jetën e “Shtetit” që drejton. Historia na jep mjaft shembuj cili ashtë përfundimi i nji kombi që sundohet nga qytetarë që nuk gëzojnë besimin e popullsisë. Në këte situatë, vetëm nji rezistencë popullore paqësore dhe e energjizueme, shpëton situatën. Duhet ngritë zani i protestës deri në qiell! Nga Shqipëria, nji koleg i imi, mendimin e te cilit unë çmoj, shkruente: “…Ne i kemi të gjitha mundësitë. Kemi vendin që nuk mungon asgjë, kemi mundësi për turizëm veror e dimëror, kemi naftë me shumë se nevojët që kërkon tregu shqiptar, kemi minerale, kemi bujqësi, por nuk kemi qeveri. Drejtuesët e partive politike flasin vetëm për partitë dhe asnjë herë për Shqipërinë. Ky është dinjiteti ynë, kjo është fatkeqësia jonë. Kemi intelektualë të niveleve të larta, por nuk gjenden “burra shteti” për ta nxjerrë vendin e trevat shqiptare nga bataku ku kanë rënë”. Ky mesazh ka qenë dhurata ma e mirë për mue në vitin e ri 2018.

Asnjeri, i mbrendshëm ose i jashtëm, nuk ka autoritet ligjor ose moral me i imponue “sovranit”, popullit shqiptar, zgjidhje që nuk burojnë nga vetë qytetarët shqiptarë. Por edhe sikur zgjedhësit në votime të ngrihen kundër “sundimtarëve” dhe “deputetëve” (të shitun ose të blemë) do të kalojnë mjaft vite para se të rivendosen vlerat themelore të demokracisë shqiptare.

Shqipëria ka nevojë për gjak të ri, për nji sistem demokratik pluralist, për parti politike të pakorruptueme, për liderë pa kompleksin napoleonik; Shqipëria e jonë ashtë e vogël, e vorfën, e dobësueme nga vuejtjet e djeshme dhe të sotme. Le të mos harrojmë!

Shqipëria ka nevojë për nji të ardhme ma të mirë dhe ma premtuese. Megjithëse duhet kohë dhe punë e ndërgjegjshme me kthye vendin tonë në rrugën e përparimit të gjithanëshëm, ne, të gjithë ne, duhet të ushqejmë shpresën se e kaluemja nuk na ka vrarë fare, dhe se në mbrendinë tonë kemi akoma bindjen dhe forcën e nevojshme me përballue vështirësitë, e me ngritë nji Shqipëri që na ushqen me dinjitet, dhe me dinjitet na nderon para botës së qytetnueme.

Ky ashtë urimi im i Vitit të Ri 2018 për të gjithë vëllaznit dhe motrat e mia shqiptare kudo që jetojnë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Sami repishti, TE PA PLOTESUEME, VITI I RI 2018 – SHPRESE DHE DESHIRA

Gjeopolitika rajonale e vitit 2018

January 3, 2018 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

Tashmë shënuam ndarjen e dy viteve dhe filluam një rrugëtim të ri. Festa u shoqërua jo vetëm me fishekzjarre, por edhe me një qetësi të admirueshme. Sikur të zgjaste kështu në 365 ditët e vitit që sapo hymë! Festat sjellin gëzime, por jeta nuk është festë, jeta është sfidë, përpjekje, sakrifica, suksese, dështime e mbi të gjitha përplasje për interesa të individëve, grupeve sociale, por edhe kombeve. Rajoni ynë prej gati dy dekadash, që kur mori fund konflikti në Kosovë, është në rrjedhat historike të integrimeve euro-atlantike. Vendet e rajonit erdhën më 2018 më të bashkuar, por gjithësesi ende të ndarë, më afër strukturave euro-atlantike, por gjithësesi me shpejtësi të ndryshme të integrimeve, erdhën si vende që synojnë paqen, por gjithashtu duke mbart konfliktet e shkuara. Ndërkaq duket se aleancat dhe pozicionet gjeopolitike po i rikthehen traditës së vjetër. Shqipëria, Kroacia e Mali i Zi janë bërë anëtare të NATO-s. Megjithatë kjo arritje historike ka filluar të zbehet. Faktorë të fuqishëm anti-NATO po shfaqen në rajon, ndërsa udhëheqësit e korruptuar po joshen nga lidhjet me këta faktorë. Vatrat e konfliktit janë ende aty. Në Shqipëri dhe Maqedoni vijon të thellohet konflikti politik, për pasojë në vitin e sapo filluar mund të priten konflikte sociale, të cilat mund të çojnë, sidomos në Shqipëri, në zhvilime të reja politike. Mali i Zi është i ndarë që prej korrikut 2006, kur u shpall pavarësia e tij nga Serbia, në dy pjesë. Mazhoranca properendimore dhe opozita prolindore. Opozita nuk ia ka dalë që ta sfidojë mazhorancën, por me ndihmën e Rusisë ia ka dalë që të tronditë themelet e shtetit të ri. Sa do të zgjasë ky konflikt politik me sfond gjeopolitik? Eshtë ende heret të thuhet. Por sfidat janë të shumta. Ashtu si në historinë e shekullit të kaluar edhe në këto kohë, Beogradi dhe Serbia vazhdojnë të sillen si qendra e botës ballkanike për të krijuar idenë se “Pa Serbinë nuk ka e nuk mund të ketë një Ballkan të qetë,, në paqe, siguri e stabilitet”! Ajo provokon paqen në raportet e saj me Bosnjë-Hercegovinën, me Kosovën dhe deri diku edhe me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kroacinë. Në Bosnjë ka investuar politikën e bllokimit të reformave, duke nxit Milorad Dodikun në lojën e orientimit antiperendimor. Në Kosovë Serbia mban peng njohjen e shtetësisë së saj, madje pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara, provokon me një angazhim tej kapaciteteve të saj diplomatike për ta zhbërë pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë provokon në veri të Mitrovicës, me qëllim që “ta lodhë” bashkëinë ndërkombëtare e ajo të pajtohet me projektin e ndarjes së Kosovës. Ajo mban peng krijimin e ushtrisë dhe këtë vit që lamë pas mundi ta kushtëzojë krijimin e qeverisë së Prishtinës me votat e deputetëve të Listës Srpska. Ndarjet dhe konfliktet politike në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi veç tjerash ndikohen dhe mbështeten nga Beogradi, Moska e kryeqytete të tjera të interesuara për përçarjen e popujve ballkanikë. Dhe gjithçka ndodh se në Beograd funksionon ende formula e Çubrilloviçit dhe Milosheviçit për “Të drejtën serbe mbi popujt dhe kombet e tjera të ish-Jugosllavisë”! Udhëheqësit serbë kanë shtuar retorikën anti-NATO dhe po garojnë për aleanca të dy e trefishta të balancuara midis Moskës, Brukselit dhe në miniaturë edhe Ankarasë. Serbia po distancohet nga orientimi atlantik i saj, duke sfiduar përpjekjet e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, sot president i RFGJ, Frank – Walter Steinmeier për t’i dhënë Beogradit statusin e Partneritetit për Paqe në NATO. Të gjitha këto zhvillime mund të sjellin ndryshime të reja në gjeopolitikën ballkanike të vitit 2018. Shqipëria dhe shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë do të bëjnë trysni mbi udhëheqësit e tyre të korruptuar që të thellojnë përpjekjet për integrime euro-atlantike dhe lidhje më të ngushta me SHBA-të. Ndërsa qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë do të ndjehen më të izoluara për shkak të veprimit të ligjit dhe ndëshkimit të peshqve të mëdhenj. Ndaj do të priten ndryshime politike të rëndësishme, të cilat ka mundësi t’i hapin rrugë thellimit të marrëdhënieve me botën e Perendimit sidomos me SHBA-të. Mazhorancat jane fragile si në Shqipëri edhe në Kosovë e Maqedoni, prandaj dhe krizat politike mund të kërkojnë zgjedhje të reja dhe ndryshime në qeverisje. Në Maqedoni për të forcuar pozitat e Zaev, në Shqipëri dhe në Kosovë për të ndëshkuar kokëfortësinë antiperendimore dhe korrupsionin e liderëve politikë në pushtet. Serbia do të jetë në kërkim të kohës së humbur “për të fituar gjithçka në tavolinë” sa i përket Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Eshtë fjala për territore dhe rritjen e ndikimit politik në këto dy vende. Diskutimet e brendshme e gjithçka tjetër janë pjesë e strategjisë për të fituar sa më shumë territore dhe jo për të rënë dakord me zgjidhjet që sollën shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Kjo strategji përfshin lojën mashtruese të Beogradit në raport me perendimin dhe bashkëpunimin me Moskën e faktorë të tjerë antiperendimorë. Në këtë situatë ojë Breogradi do të afrohet më shumë me Moskën, sidomos në planin politik dhe ushtarak. Bashkimi Europian ndërkohë ka humbur interesin e integrimit atlantik dhe përpiqet të zëjë një pozicion neutral midis Moskës dhe Uashingtonit. Kjo e favorizon politikën e provokimeve e të afrimit me Kremlinin të Beogradit. Dhe si të mos mjaftonin konfliktet e njohura, është rishfaqur konflikti kroato-slloven për kufirin detar midis tyre. Një konflikt i tillë ekziston edhe midis Shqipërisë dhe Greqisë,, si dhe midis Greqisë dhe Turqisë. Vetë anëtarja e BE-së, Greqia, po merr një orientim anti-europian, mesa duket nga frika e Turqisë. Presionet e Ankarasë në të gjitha shtetet e rajonit janë shtuar. Dhe jo pak udhëheqës të korruptuar të këtij rajonit, përfshirë ata të Tiranës dhe Prishtinës, janë detyruar që t’i nënshtrohen këtyre presioneve, duke sfiduar politikat globale e rajonale të SHBA-ve. Turqia e Erdogan për të zezën e saj duket se e ka bërë zgjedhjen në mes SHBA-ve dhe Rusisë. Nëse rajoni nuk do të orientohet seriozisht dhe ndershmërisht në integrimet euro-atlantike, atëherë ndarja dhe përçarja midis popujve ballkanikë do të thellohet dhe kësisoj do të rikthehen interesat e fuqive tradicionale, përplasja e të cilave i ka vënë gjithnjë flakën bashkëjetesës së popujve të Ballkanit Perendimor, duke ndikuar në gjeopolitikën e gjithë Europës Juglindore. Për këto arësye imediate për shqiptarët është të pozicionohen qartë në krah të SHBA-ve dhe disa vendeve të BE-së! Tiranë, 02.01.2018

 

Filed Under: Politike Tagged With: Gjeopolitika, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, rajonale e vitit 2018

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT