• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

SHBA-Kosovë, miqësi të përjetshme

February 3, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj priti në takim kongresistin amerikan Steven Palazzo/

1 haradinaj KongresmeniPRISHTINË, 2 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikë së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim kongresistin amerikan, Steven Palazzo, të cilit i është falënderuar për ndihmën e pakursyer që SHBA-të kanë dhënë për shtetin e Kosovës, që të jetë një shtet i qëndrueshëm dhe i fortë ekonomikisht.
Kryeministri Haradinaj ka shprehur përkushtimin e Kosovës për të ardhmen euroatlantike dhe për miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kongresisti amerikan, Palazzo ka falënderuar kryeministrin për pritjen, duke shprehur urimet e përzemërta për përvjetorin e 10-të të Pavarësisë dhe mbështetjen e vendit të tij, për rrugën demokratike të Kosovës./b.j/

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Haradinaj, prat kongresmenin, Steven Palazzo

DEMARKACIONI: EDHE UJKU I NGOPUR, EDHE TUFA E DHENVE E PAPREKUR?

February 3, 2018 by dgreca

Dr.Islam Lauka

Nga Dr. Islam LAUKA/

 Kёto ditё, janё shtuar pёrpjekjet pёr zbulimin e ideve “tё reja”, “krijuese” pёr zgjidhjen e çёshtjes sё Demarkacionit me Malin e Zi. Analistё, ekspertё dhe drejtues partish politike, janё vёnё nё garё, kush e kush tё paraqitet me ide sa mё “origjinale”, nё mёnyrё qё tё mbetet nё histori si njeriu qё u hapi rrugёn e lёvizjes sё lirё shqiptarёve tё Kosovёs dhe qё arriti tё ruajё tё paprekur miqёsinё e Kosovёs me aleatёt e saj strategjikё.

Midis kёtyre ideve, spikat ajo pёr ratifikimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit, duke i shtuar asaj njё letёr zotimi, nё bazё tё sё cilёs, Kosova dhe Mali i Zi bien dakord qё, gjatё shёnjimit tё kufirit, tё bёjnё korrigjimet pёrkatёse, mbi bazёn e dokumenteve dhe fakteve tё reja, tё panjohura mё parё. Sipas mbёshtetёsve tё kёsaj ideje, ky proçes duhet tё kryhet, brenda njё afati prej 2 vitesh, nga momenti i ratifikimit. Ata pretendojnё se kanё zbuluar formulёn magjike tё njё kompromisi, tё pranueshёm si pёr Prishtinёn, ashtu dhe pёr Podgoricёn, pra njё zgjidhje qё i nxjerr tё dy palёt fituese. Me kёtё formulё magjike tё alkimistёve tё rinj tё Prishtiёs, edhe ujku ngopet, edhe tufa e deleve mbetet e paprekur.

Duket paradoksale, por e njёjta formulё magjike po ofrohet, kёto ditё, nga Athina pёr Marrёveshjen Detare me Shqipёrinё, pra tё ratifikohet ajo, pastaj, gjatё zbatimit nё terren, tё merren parasysh pretendimet e Tiranёs. Po si nuk ndodhi, qoftё edhe njё herё tё vetme, qё fqinjёt e shqiptarëve, t’i ratifikojnё marrёveshjet sipas variantit tonё, pastaj, gjatё zbatimit nё terren, ne t’i marrim nё konsideratё pretendimet e tyre? Pёrse u dashkёrka qё gjithmonё, shqiptarёt t’i ratifikojnё marrёveshjet nё bazё tё kushteve qё ua imponojnё fqinjёt?

Ne duhet tё vetёdijёsohemi qё jetojmё nё shekullin e 21-tё dhe jo nё epokёn e Mesjetёs qё njihet si koha e alkimistёve. Edhe kёta tё fundit duhet tё vetёdijёsohen pёr kёtё fakt, sepse “zbulimet” e tyre nuk mund tё shiten mё, si dikur.

Duke iu rikthyer Marrёveshjes sё Demarkacionit me Malin e Zi, duket se, mё shumё se zgjidhje e problemit, “formula e re” pёrbёn mashtrimin e radhёs pёr popullin e Kosovёs.

Sё pari, deri tani, autoritetet zyrtare tё Malit tё Zi janё shprehur se e konsiderojnё tё mbyllur, pёrfundimisht, çёshtjen e Demarkacionit tё kufirit me Kosovёn. Nё pёrgjigje tё pyetjes, nёse po kёrkohet ndonjё zgjidhje tjetёr, pёrfshirё atё pёr njё letёr zotimi, a deklaratё tё pёrbashkёt, Kёshilltari i Kryeministrit tё Malit tё Zi, Srdjan Kusoviç, deklaroi se qёndrimi i vendit tё tij nuk ka ndryshuar as nuk do tё ndryshojё.

Sё dyti, ta zёmё, nё mёnyrё hipotetike, se Mali i Zi bie dakord me formulёn magjike tё alkimistёve tanё. Çfarё do tё thotё zbatimi i saj nё praktikё? Asgjё mё pak se pёrjetёsimi i kufirit midis dy vendeve tona nё vijёn Qafё Çakorr-Kullё. Ajo qё alkimistёt duan tё na e shesin si “formulё tё re” ёshtё po aq e vjetёr sa historia e marrёdhёnieve ndёrkombёtare. Nё çdo marrёveshje demarkacioni ekziston njё klauzolё pёr korrigjime qё diktohen nga terreni, gjatё proçesit tё shёnjimit tё kufirit. Mundet, qё nё vende te caktuara, kufiri tё shmanget pak nga ai qё ёshtё fiksuar nё letёr, pra tё mos vendoset nё kёtё shkёmb, por nё atё tjetrin, jo nё kёtё pёrrockё, por nё atё tjetrёn, jo nё perlinё, por nё rudinё, etj. Kёto janё shmangie tё domosdoshme pёr shёnjimin e kufirit nё terren qё, nё aspektin e pёrfitimit tё sipёrfaqёs, nuk kanё asnjё vlerё pёr palёt. Nё fund tё kёtij proçesi hartohet protokolli qё fikson kufirin e shёnjuar midis dy vendeve. Nuk ka asnjё dyshim qё ratifikimi i Marrёveshjes sё Demarkacionit, do tё çonte, pashmangshёm, nё nёnshkrimin e protokollit qё do tё fiksonte, pёrfundimisht, mbetjen e Qafёs sё Çakorrit dhe Kullёs nё Mal tё Zi. Ky ёshtё shqetёsimi themelor qё lidhet me zbatimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit, jo “korrigjimet” qё kanё tё bёjnё me vendosjen e kufirit nё kёtё apo atё gur, pёr tё cilat shqetёsohen alkimistёt.

Nga ana tjetёr, disa politikanё tё lartё, pёrfshirё Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, po kёrkojnё me ngulm ratifikimin e kёsaj marrёveshjeje. Sipas tyre, Kosova i ka plotёsuar tё gjitha kriteret pёr liberalizimin e vizave, me përjashtim tё Demarkacionit. Ata theksojnё se ratifikimi i kёsaj marrёveshjeje, automatikisht, do tё çonte nё liberalizimin e vizave dhe nё pёrshpejtimin e proçeseve integruese euroatlantike.

Kёta politikanё harrojnё njё fakt tё thjeshtё: nuk janё ata qё përcaktojnё, nёse Kosova i ka plotёsuar apo jo kriteret pёr liberalizimin e vizave, por ёshtё Brukseli ai qё vendosё pёr kёtё çёshtje. Nёpёrmjet pёrfaqёsuesve tё vet tё lartё, komisionerёve, apo titullarёve tё zyrёs sё BE-sё nё Prishtinё, ai e ka bёrё tё qartё se: nga 95 kritere, Kosova ende nuk i ka plotёsuar dy- demarkacionin dhe luftёn kundёr korrupsionit; se tё dyja ato janё njёlloj tё rёndёsishme, pra nuk ёshtё demarkacioni kriter i dorёs sё parё dhe lufta kundёr korrupsionit, i dorёs sё dytё; se po nuk u plotёsuan kёto dy kritere, Kosova duhet ta harrojnё liberalizimin.

Qёndrimi im rreth Marrёveshjes sё Demarkacionit me Malin e Zi ka qenё dhe mbetet i qartё dhe i prerё:

Marrёveshja e nёnshkruar mes Kosovёs dhe Malit tё Zi, me 26 gusht 2015, “Mbi Kufirin Shtetёror” ёshtё e gabuar dhe nё dёm tё interesave tona kombёtare e shtetёrore. Si e tillё, Marrёveshja e Demarkacionit duhet tё futet sa mё shpejt nё rendin e ditёs tё Kuvendit tё Kosovёs dhe tё votohet kundёr ratifikimit tё saj. Do tё kishte qenё nё nderin e qeverisё, sikur ajo ta kishte pёrcjellё atё nё Parlament me mendimin qё tё mos ratifikohet. Paanshmёria e qeverisё Haradinaj, nё kёtё rast, nё thelb, ёshtё ikje nga pёrgjegjёsia pёr njё çёshtje madhore si ajo e territorit shtetёror. Kufiri ёshtё i shenjtё dhe mbrojtja e tij, njё kauzё e drejtё.

Çdo pёrpjekje pёr ta shitur ratifikimin e Marrёveshjes sё Demarkacionit nёpёrmjet formulave me “letra zotimi” dhe “deklarata tё pёrbashkёta”pёr korrigjimin, nё tё ardhmen, tё kufirit me Malin e Zi, nuk ёshtё gjё tjetёr, veç mashtrim pёr tё fshehur humbjen pёrfundimtare, nga ana e Kosovёs, tё territorit nga Qafa e Çakorrit deri nё Kullё. Kjo humbje do tё rёndonte, jo vetёm nё ndёrgjegjen e brezit tonё, por do tё ishte njё minё me sahat pёr tё ardhmen e marrёdhёnieve tё Kosovёs me Malin e Zi.

Dr. Islam LAUKA

 

Prishtinë, 2 shkurt 2018

Filed Under: Opinion Tagged With: demarkacioni, Dr. Islam Lauka, Ujku dhe delet

SEKRETI I AIDËS

February 3, 2018 by dgreca

2 avdulla kenaci

Tregim nga Avdulla Kënaçi/Toronto/

 Edhe pse kishin kaluar disa vjet me ardhjen e sistemit demokratik në Shqipëri, në televizionin publik nuk pati ndryshime. Jo se ish të përndjekurit nuk dëshironin të punonin aty, por sepse me t’u ballafaquar me punën, ata e humbisnin toruan, nuk dinin nga t’ia fillonin. Gjenin një mjedis të akullt. Të vjetrit, sikur ta kishin bërë me fjalë, u qëndronin larg, madje as në kafen e mëngjesit nuk i ftonin. Shefat kurrë nuk u kërkonin llogari. Ish të përndjekurit vinin, iknin, paguheshin, rregullisht, por në ekran nuk dilnin. Mirëpo disa prej tyre e shfrytëzuan statusin për të marrë viza në perëndim, sidomos në Itali. Shkonin me shërbim e nuk ktheheshin më. Bënte dallim një prej tyre, Aida. Ajo kishte mbaruar fakultetin e gjuhëve të huaja për anglisht, por vetë kishte mësuar italisht e gjermanisht. Ajo ishte caktuar në departamentin e filmit dokumentar. Ishte një vajzë trupgjatë, me sy të kaltër e flokëkaçurrel. Kishte një guxim të çuditshëm; e kalonte kohën në studiot e montazhit duke pyetur me hollësi për aparaturat, kolonën zanore, voltazhin, tastierën, kompjuterin e gjithçka.

–         Ti goce ke ardhur për teknike montazhi apo përkthyese tek dokumentari? – e pyesnin montazhieret me njëfarë bezdie të përzier me ironi, sidomos ato të vjetrat, por Aida nuk mërzitej prej tyre. Të nesërmen shkonte në një studio tjetër dhe aty vazhdonte me pyetjet.

Kështu rrodhën ngjarjet deri sa një mikesha ime, Drita, drejtoresha e bibliotekës së Universitetit Politeknik, më mori në telefon dhe m’u lut:

–         Keni aty një vajzë të re, Aidën. Për hatrin tim, pash zotin, a mundesh ta ndihmosh?

–         Jemi sektorë krejt të kundërt, shoqe, ajo është përkthyese tek filmi dokumentar.

–         Bisedo një herë me të, të siguroj se është vajzë e mirë. E ke besnike.

–         Se mos më duhen bodigardë, nuk më hyn në punë besnikëria e saj. Në se e përkrah, në një farë mënyre dua të shlyej ndihmën që më ke dhënë dikur, kur fshehurazi më nxirrje libra të ndaluar.

Pavarësisht që mikeshës time iu përgjigja pak ftohtë, të nesërmen, u takova me Aidën.

–         Ku dëshiron të shkojmë për kafe?

–         Faleminderit, por unë nuk pi kafe, – më tha ajo.

–         Mund të marrësh diçka tjetër, ndoshta një lëng.

–         Tek “Diplomati”, është mirë për juve?

–         Pak larg, por nuk e ke menduar keq, aty ka qetësi, sidomos në katin e dytë. Dhe kryesorja, mos më thuaj më “juve”, unë jam ti.

U ulëm përballë njeri tjetrit. “Diplomati” ishte një vilë dykatëshe e cila pas gjysëm shekulli u ishte kthyer të zotërve. Ata e kishin transformuar në një bar- restorant. Ne kishim zënë vend tek bari. Nga dritarja vinin ca fasha drite që binin pingul mbi flokët e saj kaçurrela. Ashtu ngjante më e bukur, por dy vija paralele që i përshkonin fytyrën nga lart poshtë e tregonin pak më të madhe në moshë nga ç’ishte në të vërtetë. Porositi vetëm një ujë. E nxita të çelej e të fliste pa asnjë ndrojë edhe pse ishte hera e parë që uleshim së bashku. Me një zë të ngadaltë, por fare shkoqur, ia nisi:

–         E kam tmerr të na quani akoma të persekutuar. Nuk dua ta dëgjoj nga askush këtë fjalë, më neverit. Tani edhe ne jemi si gjithë të tjerët.

–         Pse familja jote nuk i përket kësaj kategorie?

–         Prindërit e mi dhe xhaxhai janë arratisur nga ish Jugosllavia së bashku. Jemi me origjinë nga Gucia. Xhaxhain e burgosën si spiun dhe ne na internuan në kënetën e Thumanës. Aty kam lindur unë. Televizioni ka qenë ëndërra ime.

–         Shumë mirë, t’u realizua.

–         Jo, unë nuk kam bërë asnjë punë, kam gjashtë muaj këtu. Rrogën e marr, por emri im kurrë nuk ka dalë në ekran. Po na vrisni për së dyti. Në shtëpi më thonë; “Je gazetare aty apo pastruese?”.

–         Unë nuk e kam idenë çfarë bëhet në departamentin e filmit dokumentar, por di se aty jeni pesë redaktorë duke përfshirë edhe ty. Si ia dalin katër të tjerët?

–         Ata thonë se kasetat me filma i sigurojmë vetë. Nuk di se ku i blejnë, asnjeri nuk e tregon burimin. Edhe shefi im ashtu më thotë: “Nuk kemi fonde, gjeji vetë kasetat, bëj si këta të tjerët”, – më tha e irrituar. U vura në siklet. Në se do të shkoja në drejtori për ankesën e saj mund t’i hapja telashe dhe mjaftonin gjashtë muaj pa dorëzuar asnjë punë dhe ata i ndërprisnin marrëdhëniet financiare. Vrava mendjen si mund të dilej nga kjo situatë. Më në fund e gjeta. Dhe sugjerova:

–         Tek studioja e satelitit, brenda zyrave në katin e 7-të, regjistrohen të gjitha programet e RAI. Ndiqi dokumentarët nga shtëpia dhe më thuaj mua se cilët të duhen e t’i marrësh kasetat prej andej. Transmetimi është me logo. Në studiot e montazhit, mbi logon RAI, stampo TVSH, – i thashë unë. I shkëlqyen sytë, e kapi në ajër idenë time, po pastaj, pasi u mendua pak, iu shua entuziazmi, dyshoi dhe më tha:

–         Mos na akuzojnë për vjedhje?

–         Jo, të akuzojnë vetëm kur transmetohen me logo të tyre, ndryshe quhen “të blera”. Mos u shqetëso hiç, ti e di, na konsiderojnë vend i varfër, as nuk merren fare me ne.

Funksionoi. Thuajse çdo javë në ekran transmetoheshin dokumentarët e përkthyer e redaktuar nga Aida. Natyrisht që në titra nuk mungonte emri e mbiemri i saj. Punonte edhe jashtë orarit, me një pasion për ta pasur zili. Miksazhin e bënte vetë. Shpesh, në orët e vona, ndesheshim korridoreve apo në hyrje-dalje të RTSH-së. Nga mënyra si më përshëndeste, mirënjohja i lexohej që atje tej. E ndjeva se ishte e lumtur. Një mëngjes më kishte zënë pritë tek hyrja dhe me një zë të ulët e të butë sa mezi e dëgjova, më tha:

–         Të lutem mos ma prish, kam marrë një shpërblim nga sektori im, dëshiroj t’ju nxjerr një drekë.

–         Faleminderit, unë nuk ndjej se kam bërë ndonjë sakrificë për ty, mjafton një kafe. Sot jam i zënë, shihemi nesër nga ora dhjetë tek “Diplomati”.

Si gjithnjë e përpiktë. Ishte veshur kuq e zi, flokët e dendur i kishte ndarë më dysh, një kaçurrel i binte mbi vetull, në krahun e majtë. Sa herë tundte kryet, floku kaçurrrel i lodronte sipër ballit. Dy vijat mbi faqe nuk i dukeshin aq thellë si dikur. E kishte marrë veten mirë. Ndjehej e sigurt, e barabartë sikundër ne. Goja nuk i pushonte.

***

–         Jeta në internim është një tmerr, nuk do t’ia uroja as hasmit. Ti psh që ke qenë gazetar për një kohë të gjatë, je futur në ndonjë kamp internimi, ke vizituar ndonjë prej tyre? – më pyeti me një ton këmbëngulës.

–         Asnjë herë…

–         Sepse regjimi neve na fshihte nga bota, nga të huajt. Na izolonte. Ishim kavie eksperimentale. Neve na përgjonin gardhet, pemët, shkurret, shtyllat e telefonit, madje edhe qentë e rrugës. Ishte edhe një armik tjetër i padukshëm, lufta për mbijetesë, në emrin e së cilës vlerat morale bëheshin copë e thërrime.

–         Aida, do të dëshiroja ndonjë histori tënden personale, diçka që ti e konsideron sekret dhe ma beson vetëm mua. Ti e di që unë shkruaj…

–         Edhe në se vendos të të tregoj, nuk dua ta publikosh me emrin tim, – m’u lut. Realisht ajo çfarë kërkoja prej saj ishte një “haraç” i madh, por nuk do të më jepej më ky rast. U mendua pak, si duket po lëkundej, të më besonte apo jo. E shikova drejt, në bebëzat e kaltra të syve.

–         Të jap fjalën…

–         E po mirë, kjo është një histori krejt personale, – e nisi ajo. Heshta për të mos prishur magjinë e rrëfimit, ama veshët i bëra pipëz. Vazhdoi:

–         Kur isha nëntë vjeçe, veç internimit, veç burgut të xhaxhait, në shtëpi na hyri gërnja. O zot, nëna ime aq e mirë, aq e ëmbël, ishte kthyer në një bishë.  Fluturonte çdo send mureve, në avlli, çfarëdo t’i zinte dora. E urrente babanë për vdekje. Ai nuk e kundërshtonte, vetëm nxinte si ato trungjet që nxirreshin nga këneta duke i tërhequr me traktor. I ndizte cigaret bisht më bisht, duhan i grirë vetë dhe i mbështjellë me gazeta. Çdo vit pas barakës mbillnim ca rrënjë duhan. Nuk kishte lekë për të blerë cigare. Thuajse të dy flinin shumë pak. U kishte hyrë dreqi në mes. Ata nuk ishin më së bashku si burrë e grua, në një dhomë. Nëna flinte vetëm me mua. Bisedoja me vëllanë, dy vite më i madh, e pyesja vazhdimisht se mos kishte mësuar gjë për shkakun e kësaj grindjeje, por ai ngrinte supet me habi. Ishte një mallkim i dytë. Grindjet në internim ishin të vazhdueshme edhe në familjet e tjera, por kjo e jona ishte tjetër soj. Bërtiste vetëm nëna. M’u krijua ideja se babai kishte gabuar diku. Ai nuk kundërshtonte si dikur. U habita si nuk vuri dorë mbi nënën kur ai më parë nuk ia përtonte ta gjuante me pëllëmbë për hiç mosgjë. “Pse nuk pive helmin, pse nuk u mbyte në det, si nuk të erdhi marre?”, i thoshte nëna. Pinte e pinte cigare me duhan të grirë babai dhe unë e im vëlla tulateshim e mblidheshim kruspull pas një sobe me dru në mes të dhomës. Por shkollën nuk e lamë për asnjë ditë. Aty gjenim prehje, shtëpia jonë ishte kthyer në fole grerëzash. Një herë, shoku i bankës i tim vëllai, Selua, tha: “Të mos u ha në besë, prindërit e mi më kanë thënë të mos flas me ju”. Këto fjalë sikur na ndriçuan paksa trurin. Me siguri, grindja kishte lidhje me prindërit e Selos. Dikur ata kishin qenë miqtë tanë më të mirë. Ishin nga Zëmblaku i Korçës, familje kulaku, por të internuarit u thoshin familje bejlerësh. U kujtuam, ata nuk bëheshin më me neve qëkurse në shtëpinë tonë kishte filluar grindja. Festat apo të dielat nuk i bënim më me ata, si dikur. Nuk i harroj ato festa kur nëna e Selos, Liza, një grua e ëmbël e cila kishte mbaruar shkollën “Nëna Mbretëreshë”, me dy sy të zez si copa qymyri e shtat të hollë, na sillte dhurata. Ishin triko apo çorape të thurura me duart e saj. E po qe se në tryezë do të na gjendej ndonjë gotë verë, ajo do të këndonte këngët e Tefta Tashkos, sidomos atë këngën “Kur më vjen burri nga stani”. Neise, e kisha fjalën tek nëna ime, kur i treguam çfarë na tha Selua, ajo na porositi: “As ju mos u flisni më atyre bejlerëve të çmendur”. Çudi, edhe ajo përdori atë fjalë që përdornin komunistët për fisin Maliqi. E vumë re edhe herë tjetër, kur zihej në gojë emri i Lizës, asaj i ndizeshin sytë si ulkonjë dhe dridhej e tëra. U kuptua, diçka kishte ndodhur, diçka kishte lidhje me korçarët. Pastaj, pas një të diele, grindja pushoi, por babai me nënën nuk u pajtuan. Dalja e xhaxhait nga burgu nuk e ndryshoi situatën. “Është më mirë aty brenda në burg se këtu jashtë, vëlla i dashur”, i thoshte babai. Edhe kur pas një viti na lindi vëllai i dytë, ata nuk u gëzuan. Por rolet ishin përmbysyr. Ishte babai ai që kërcënonte nënën. Dhe ajo i përgjigjej: “Do të kalbesh në burg si yt vëlla, do të humbasësh fëmijët? Provoje po ta mbajti”. Babai heshte dhe dilte në oborr, aty ndizte cigaret bisht më bisht. Unë ndiqja si ato xixëllonin duke bërë rrathë të zjarrtë në errësirë. Nganjëherë babai kollitej fort, një kollë që kur i fillonte nuk dinte të ndalej. Grindja herë fashitej e herë ngrihej si një tufan. Ne nuk merrnim vesh kush kishte të drejtë e kush kishte gabim. Unë e vëllai i madh gjithë dashurinë e hodhëm tek i vogli fare, sidomos unë. E ka emrin Lisandër. Atë fëmijë unë e kam mbajtur në duar më shumë se prindërit e mi. Por çamarrok i madh, nuk linte dy gurë së bashku. Kur ishte pesë vjeç na habiti të gjithëve kur hyri brenda barakës me një gjarpër të cilin e kishte kapur për fyti dhe nuk e lëshonte edhe pse ai zvarranik i qe mbështjellë për krahu. Të mos ishte babai që me shpejtësi ia preu kokën me një thikë të mprehtë, me siguri ai do ta kishte pickuar. Ishte një gjarpër i shkruar, ngjyrë kafe me rombe të bardhë mbi kurriz. Babai tha se ishte shumë i rrezishëm, helmues.

 Xhaxhait i erdhën dëshmi nga Kosova se nuk ishte spiun i UDB-së, por patriot i madh. Ishte pikërisht UDB-ja ajo që i kishte ngritur kurth. Vitet e burgut do t’i paguheshin kokërr më kokërr.

Kur Lisandri u bë gati për shkollë, ishim të gëzuar të gjithë. Shpresonim se do të mësonte shumë, por pikërisht kur të nesërmen do të niste vitin e parë, ndodhi hataja, preu kërcirin me sopatë, pak më lart se syri i këmbës së djathtë. Të larë në gjak, unë e çova me vrap në infermieri. Sa e ula mbi shtrat, iu këput koka, humbi ndjenjat. Infermieri tha se ka rrjedhur shumë gjak, ka prerë venën. Ia lidhi pulpën e këmbës me rriyp dhe gjaku iu ndal. Mbërriti ime më e lebetitur. E mori në duar, i foli, e përkëdheli si kurrë më parë, por Lisandri nuk zgjohej. “Duhet ta shoqërojë tërë familja drejt Urgjencës në Tiranë, mos humbisni kohë, tha infermieri, sepse do t’i duhet gjak”. Nëna m’u kthye mua: “Vrapo tek shoferi i “Gazit”, ma sill këtu Skifterin”. U habita, Skifteri ishte komunist, ishte shoferi i drejtorit të fermës. Ai, me të mësuar për ngjarjen, nuk e bëri fjalën dysh. Drejtorit as i mori fare leje. Babin nuk e lajmëruam dot, ishte me punë larg. Pas një ore u gjendëm në Spitalin e Tiranës. Të mos ishte shoferi i “Gazit”, Skifteri, vëllai i vogël do të na kishte ikur nga duart. Vetëm gjaku i tij i përshtatej grupit të gjakut të Lisandrit. U gëzova që shpëtoi vëllai, por e urreva nënën, paskishte shkuar me shoferin, prandaj kishte plasur tërë ajo zamallahi në shtëpinë tonë. Më erdhi keq për babanë. Solla ndërmend si Skifteri u zverdh kur mësoi çfarë kishte ndodhur, pastaj me ngut, me gjithë makinë u vu në dispozicionin tonë. E si ishte e mundur që grupi i gjakut të tij të ishte njësoj me atë të Lisandrit? Dyshimet e mia nuk ia tregova askujt, por me nënën u ftoha përfundimisht. Dhe iu afrova më shumë babait.

***

–         Domethënë komunisti Skifter paskish qenë babai i tij i vërtetë? I bie të jetë thjeshtri yt? – e pyeta Aidën gjithë kureshtje. Vërtetë që ishte histori interesante. Dhe ajo nuk u nxitua të përgjigjej menjëherë:

–         Kur unë u diplomova, i ftova të dy prindërit në ceremoni. Isha e para në grup dhe doja që ata të ndjeheshin krenarë me mua. Ndoshta ishte një rast i mirë për pajtim. Mirëpo babai u bë keq me mushkëritë: “Nuk kam se ku të shkoj me këtë kollë”, i kishte thënë sime mëje. Dhe ajo erdhi vetëm. Pas festës, e solla këtu, tek “Diplomati”. E pyeta për shkakun e asaj grindjeje të mallkuar si dhe i tregova dyshimet e mia për shoferin. Tashmë ne mund të diskutonim si dy shoqe të mira. Ja si më tha: “Babi yt është borxhli ndaj meje për gjithë jetën. Unë e kam kapur në mes të pyllit në flagrancë me Lizën. Si nuk e mbyta atë grua, ia bëra copë fustanin, e godita me shkelma, me grushta, çfarë nuk i thashë e nuk i bëra. Nuk nxorri asnjë britmë, asnjë zë. “Na vra të dyve”, më tha. Ishte shoqja ime më e mirë, por më hëngri në të pabesë. Ama nuk i tregova askujt. Boll kishim mbi shpinë pushtetin komunist, ne nuk mund t’u kërkonim atyre ndihmë për të na zgjidhur grindjet tona. Ishte si t’i varje ujkut mëlçitë në qafë.

–         Dhe ti u hakmore ndaj babait duke fjetur me një komunist? – i thashë nënës e nevrikosur.

–         Çfarë thua, moj bijë, ke lojtur mënç? Skifteri është sa djali im i madh, ani pse ishte bërë komunist. Për atë dreq makine ishte futur në parti. Kur shkuam në urgjencë, babai na mungonte, Lisandri ka pikërisht grupin e gjakut të babait, ndërsa Skifteri e ka grupin zero, prandaj nga ne të tre, vetëm ai mund të jepte gjak. Ia kemi borxh, – më tha nëna me sy qortues.

***

Ky ishte sekreti i Aidës. Kam trembëdhjetë vjet që e ruaj në kujtesë këtë histori. Ah, po, harrova t’ju them se Aida më ftoi të shkoja për vizitë në Thumanë ku gjithë ish të përndjekurit kishin marrë toka falas, ndërsa prindërit e saj, me shpërblimin nga burgu i xhaxhait, kishin ndërtuar një vilë. Si nuk m’u bë një herë mbarë t’u shkoja për vizitë?

Fund

Toronto, 2 shkurt 2018

Filed Under: LETERSI Tagged With: Avdulla Kenaci, SEKRETI I AIDËS, Tregim

1468 – 2018 GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU

February 3, 2018 by dgreca

2018 VITI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT “550 VJET: 17 JANAR 1468”/

1 Skenderbeu

Nga Fritz Radovani/

   M U E J    SHKURT 2 0 1 8:  K u j t o j m ë …/

■4 – 11 Shkurt 1945: Zhvillohet Konferenca e Jaltës, per të cilen z. Henry Kissinger në librin “Diplomacia” fq. 443 shkruen: “Dy vitet e para pas luftës, vetem Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste”. Kjo ishte e ashtuquejtuna nga vetë komunistët “Republika Popullore e Shqipërisë”, e shpallun me 11 Janar 1946 nga Asamblea Kushtetuese, deri në  vitin 1976 me Kushtetuten e re kur Shqipnia shpallet “ateiste”.

■Presidenti i Madh Amerikan Ronald Reagan, e quejti “Përandoria e së keqes” krejt atë pjesë të Europës fatzezë që vazhdonte që në 1944 – 45, me kenë nën robni e dhunen e pamëshirshme të diktaturës komuniste staliniste, ku bante pjesë edhe Shqipnia e udhëhequn nga E. Hoxha!

1945 “PËRANDORIA E SË KEQES” ME DISA MILJON SKLLAVË/

■Në disa qendra të ndjekjes në Veri torturohen grupe të dyshimta dhe çdo ditë të premte heret në mengjes me urdhen të komandantit terrorist Enver Hoxha,  pushkatohen pa gjyq nga 20 vetë vetem me friksue Malet.

■4 Shkurt 1945 vdes Imz. Luigj Bumçi kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencen e Parisit në 1920, ideator i bashkimit të Gjinokastres dhe Korçës me Shqipni.

■4 Shkurt 1945 vritet pabesisht At Leonard Targaj.

■5 Shkurt 1920 asht le Don Dedë Maçaj, pushkatue n’ushtri 28 vjeç(1947)

■7 Shkurt 1886 asht le At Bernard Llupi. Pushkatue në Prizren 1946.

■10 Shkurt 1974 shkyhet gjymtyrësh në sigurim Don Mikel Beltoja.

■20 Shkurt 1946 pushkatohen regjentët At A.Harapi, L.Nosi, M. Bushati.

■26 Shkurt 1911 asht le At Karlo Serreqi, që vdiq në burg në 1954.

■6 Shkurt 1967: Terroristi Enver Hoxha në fjalimin e vet programatik shpallë “Revolucionin Ideologjik e Kultural të 1967” të tipit kinez, me të cilin Shqipnia shpejt shpallet “Shteti i Parë ateist në Botë”…

■Me 15 Shkurt 1967 Kishat dhe Xhamijat mbulohen me “Fletë Rrufe”…

■Në Shkoder vjen terroristi Ramiz Alia, i cili me anadollakët Xhemal Dini, Musa Kraja dhe Jup Kastrati (Kryetar i Komisionit Pergjedhjes së Leteraturës Fetare Kishtare), si dhe Sadik Rama dhe Angjelin Kumrija, janë organizatorët e të gjitha krimeve të Sigurimit të Shtetit që tashti varej direkt nga komiteti i PPSh së rrethit Shkoder. Lidhja e tyne ishte direkte me Byronë Politike. Veprimet i aprovonte krimineli E.Hoxha.

Menjëherë fillojnë arrestimet me Klerikët Katolik Shqiptar: Don Mark Hasi, At Pjeter Mëshkalla, At Gegë Lumaj… Dhe, pa kalue pak ditë fillojnë veprimet e Gjenocidit në Shqipni me pushkatime, interrnime dhe zhdukje njerzish. “Lufta e kllasave” drejton shtetin diktatorial!

■Shqipnia me “Kushtetuten e Re” shpallet “Shteti i vetem ateist në Botë”!

Të gjithë ata vrasës që kryene këta krime vazhdojnë me kenë “Heronjë të Popullit”, po të cilit “Popull” nuk po e percaktoj… Percaktimi sot i perket

Akademisë “antishkencore” të Tiranës, dhe “Kuvendit Popullor”…

***

■Me 20 Shkurt 1991 monumenti i diktatorit Enver Hoxha terhiqet zvarrë nder rruget e kryeqytetit Tirana…

■Me 2 Shkurt 2018, Shqipnia renditet në vendet…

Melbourne Shkurt 2018.

Filed Under: Fejton Tagged With: 1468 – 2018 GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU, Fritz radovani

Kalendar/ SHBA-PAVARËSIA E KOSOVËS-10 VJET

February 2, 2018 by dgreca

-Para 11 viteve, SHBA falënderonin Ahtisaarin për Propozimin për Kosovën/

1 Klinton Rugova

-Kosova para 11 viteve mori Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së/

1 Rugova 1

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për bisedimet e udhëhequra nga Ahtisaari: I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia/

1 Behluli Rugova

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTIN Ë, 2 Shkurt 2018/ Sot u bënë 11 vjet nga 2 Shkurti 2007, kur iu prezantua palëve Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së.

Paketa Ahtisaari u pasua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, para 10 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008.

Po në 2 Shkurt 2007, në një Deklaratë të Zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB-së Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës.Kjo ishte Deklarata e dërguar atëherë nga Zyra e SHBA-ve në Prishtinë:

2 shkurt 2007

 DEKLARATË E ZËDHËNËSIT TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT SEAN MCCORMACK LIDHUR ME PREZANTIMIN E PROPOZIMIT PËR STATUSIN E KOSOVËS PALËVE

Shtetet e Bashkuara falënderojnë të Dërguarin Special të KB-ve Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës. Ky Propozim për Marrëveshje, që është rezultat i negociatave të zhvilluara për më tepër se një vit, është i drejtë dhe i balancuar. Ky është një draft për një Kosovë stabile, prosperuese dhe shumetnike. Dispozitat e gjera të Propozimit për Marrëveshje të cilat mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve do të ndihmojnë për të përparuar zhvillimin demokratik të Kosovës.

 Me prezantimin e këtij Propozimi për Marrëveshje, bërë palëve me 2 shkurt, procesi i statusit të Kosovës po hyn tani në fazën e tij përfundimtare. Ne bëjmë thirrje në udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë që të angazhohen konstruktivisht me të Dërguarin Special Ahtisaari në një fazë konsultimesh me qëllim të finalizimit të Marrëveshjes. Ne inkurajojmë të Dërguarin Special Ahtisaari që të kompletojë punën e tij së shpejti, ashtu që Kosova dhe rajoni përfundimisht të mund të kenë qartësi lidhur me të ardhmen. Qëllimi ynë mbetet një rezultat që e përparon stabilitetin rajonal, që promovon shumetnicitetin dhe që është i pranueshëm për popullin e Kosovës.

February 2, 2007

STATEMENT FROM THE STATE DEPARTMENT SPOKESMAN SEANMCCORMACK ON THE PRESENTATION OF KOSOVO STATUS PROPOSAL TO THE PARTIES

The United States thanks UN Special Envoy Martti Ahtisaari for his efforts to produce a Comprehensive Proposal for a Kosovo Status Settlement.  This Settlement Proposal, the product of over a year of negotiations, is fair and balanced.  It is a blueprint for a stable, prosperous and multi-ethnic Kosovo.  The Settlement Proposal’s broad provisions to protect the rights of all citizens will help advance Kosovo’s democratic development.

With the presentation of this Settlement Proposal to the parties on February 2, the Kosovo status process is now entering its concluding phase.  We call on leaders in Belgrade and Pristina to engage constructively with Special Envoy Ahtisaari in a period of consultations to finalize the Settlement.  We encourage Special Envoy Ahtisaari to complete his work soon so that Kosovo and the region can finally have clarity about the future.  Our goal remains an outcome that advances regional stability, promotes multi-ethnicity and is acceptable to the people of Kosovo.

6 TETOR 2005-RUGOVA PËR BISEDIMET E UDHËHEQURA NGA AHTISAARI: I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

 1 Ahtisaari-Sejdiu

 10 DHJETOR 2008–PRESIDENTI SEJDIU URON MARTTI AHTISAARI ME MIRNJOHJE TË POSAÇME PËR UDHËHEQJEN E PROCESIT TË BISEDIMEVE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

PRISHTINË, 10 dhjetor 2008/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi sot një telegram urimi fituesit të sivjetshëm të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ku i shprehet posaçërisht mirënjohe për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që ka treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e Kosovës.Në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu dërguar nobelistit Ahtissari thuhet:

I nderuari President Ahtisaari,

Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës për mirënjohjen më se të merituar që pranuat sot – Çmimin Nobel për Paqe!

 Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart vendimin e Komitetit të Lartë të Mbretërisë Norvegjeze të Nobelit për t’ju shpërblyer Ju me këtë çmim kaq prestigjioz. Kjo mirënjohje është satisfaksion i madh për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, të cilët janë të përkushtuar për promovimin e paqes, të drejtësisë dhe të pajtimit në mes popujve. Ne ju jemi posaçërisht mirënjohës për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që keni treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e vendit tonë.

Siç edhe jemi zotuar gjatë atij procesi të gjatë e të vështirë, Republika e Kosovës do të jetë një shembull i respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi. Po ashtu, vendi ynë do të bashkëpunojë thellë me vendet e rajonit, në mënyrë që sa më parë të integrohemi në strukturat euroatlantike, në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Realizimi i këtij synimi madhor do të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe do të hapë perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e kësaj pjese të Evropës Juglindore.

 Duke ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për punën e madhe që keni bërë për paqen kudo në botë dhe të ardhmen më të ndritshme të njerëzimit, ju lutem, z. President Ahtisaari, pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!

 Miqësisht,

 Dr. Fatmir Sejdiu,

President i Republikës së Kosovës

Filed Under: Featured Tagged With: E KOSOVËS-10 VJET, Kalendar, SHBA-PAVARËSIA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT