• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

Lidhja Demokratike zgjidh krizën politike në Kosovë!

March 27, 2018 by dgreca

Lidhja Demokratike zgjidh krizën politike në Kosovë!

2-enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Lista e deputetëve serbë në parlamentin e Kosovës është deklaruar për daljen nga koalicioni i qeverisjes. Që me formimin e qeverisë kisha paralajmëruar se krijimi i çdo qeverie në Kosovë duke krijuar shumicë me deputetët serbë do të çonte në krizë politike. Madje një qeveri e tillë shoqërohet nga ethet e krizës që në krijimin e saj. Lista serbe e mori vendimin e saj në Beograd me mbështetjen e lidershipit politik të Serbisë. Me këtë akt ajo u përcaktua sërishmi kundër shtetësisë së Kosovës, ashtu siç u përpoq Marco Gjuriq dje që të sfidojë institucionet e Prishtinës. Beogradi dhe Lista Srpska u dakorduan edhe për krijimin e asosacionit të komunave serbe, një çeshtje e cila është diskutuar para pak ditësh midis zotit Thaçi dhe zotit Vuçiç. Një vendim i njëanshëm i deputetëve dhe kryetarëve të komunave serbe do të krijonte një konflikt të hapur midis palëve, sepse është kushtetuta e Kosovës ajo që përcakton sjelljen politike e qytetare në këtë vend. Ndërkaq me rastin e arrestimit të Gjuriq, Aleksandër Vuçiç e tradhëtoi veten e tij. Sapo pa forcën e zbatimit të ligjit në Kosovë ai u lidh me Vladimir Putin, duke i kërkuar ndihmë për kapërcimin e situatës së krijuar dhe duke kërcënuar Perendimin me vazhdimin e aleancës serbo-ruse. Dhe mesa duket ai ia arriti qëllimit. E trembur nga kjo Frederica Mogherini fluturoi me shpejtësi në Beograd, për t’i kujtuar presidentit serb premtimet që ai i ka dhënë Brukselit, kësisoj edhe Berlinit e Parisit. Unë mund ta imagjinoj pse dhe si erdhën ngjarjet e djeshme në veriun e Mitrovicës dhe pse u shfaq aq bujshëm një akt normal për kthimin mbrapsht të një politikani serb të ardhur ilegalisht në Kosovë. Por nuk kam asnjë provë për të provuar nëse ky ishte një shou politik i planifikuar për interesa personale, apo ishte një aksion i domozdoshëm. Nëse ky aksion policor vijon me dëbimin e së paku 2000 serbëve të dërguar nga shërbimet e Beogradit në Kosovë dhe që qëndrojnë aty ilegalisht, atëherë do të thoja që aksioni i djeshëm ia ka vlejtë. Do e klasifikoja këtë aksion si paralajmërim për rikthimin e sovranitetit të instirucioneve të Prishtinës në të gjithë territorin e Kosovës. Por kuptoj se pas ditës së djeshme nuk do të ketë më statukuo. Një “zgjidhje” për konfliktin e ngrirë e të shkrirë disa herë midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë ndoshta më e shpejtë sesa e parashikonim. Cila do të jetë kjo zgjidhje dhe sa do të mbrohen interesat e Kosovës, parasëgjithash sovraniteti territorial dhe karakteri unitar i saj si shtet i të gjithë qytetarëve, këtë do ta shohim. Megjithatë veprimi politik i përgjegjshëm është i domosdoshëm. Në kushtet e largimit nga qeveria të Listës Srpska LDK dha sot shenjat e mbështetjes së qeverisë Haradinaj. Shefi i Grupit Parlamentar të saj, Abdullah Hoti, deklaroi se “Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar. Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës. LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës”. Ky ishte një hap politik i përgjegjshëm i një force politike të sprovuar në lojën e aktorëve të Kosovës e më gjerë për të dëmtuar interesat e shtetit më të ri në Europë. Ky hap është për t’u përshëndetur dhe në kushtet e reja të krijuara duhet të jetë obligim i të gjitha subjekteve politike në Kosovë t’i japin mbështetje qeverisë aktuale, me qëllim që të jepet mesazhi se “shqiptarët janë e do të jenë të bashkuar” në qëllimet e veta për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe me orientim të qartë euroatlantik. Përcaktimi pro qeverisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet parë si garanci për të sotmen e të ardhmen e shqiptarëve. Por kjo nuk mjafton. Besoj se është koha kur politika të largohet përfundimisht nga konflikti brendashqiptar dhe të bashkohet për interesat e Kosovës. Kjo do të thotë që të gjithë deputetët shqiptarë dhe minoriteteve të tjera, nëse duan edhe ata serbë, të mbështesin qeverinë Haradinaj. Në kushtet aktuale mbështetja e qeverisë është imperative dhe i doosdoshëm. Eshtë koha kur përcaktohet përfundimisht fati i Kosovës, fati i shtetësisë së saj, fati i qyetarëve të saj. Në këto kohë të vështira bashkimi ul koston, ndërkoë që rrit shpresat, vetëbesimin dhe shanset për një sukses politik e diplomatik të padiskutueshëm. Nëse subjektet politike shqiptare të Kosovës do të jenë të bashkuara, ulet mundësia e një vendmmarrjeje të gabuar për të ardhmen e vendit. Bashkimi i të gjitha forcave politike të përfaqësuara ose jo në parlamentin e Kosovës do të kishte sukses nëse do të arrihej përmes një platforme për parimet dhe përcaktimet bazë të qëndrimeve politike të parlamentit, qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit. Nëse Lista Srpska gjen mbështetjen e Beogradit në diversionin e saj antishtet në Kosovë, atëherë aktorët e tjerë politikë në Prishtinë kanë në dorë të hartojnë strategjinë e ndërtimit të shtetit dhe të fuqizojnë aleancën me NATO-n dhe Bashkiin Europian, me SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Austrinë dhe aktorë të tjerë të fuqishëm të kontinentit tonë. Aleanca serbo-ruse është thyer njëherë keqas në Kosovë (1999) dhe ajo do të duhet të dështojë përfundimisht me përpjekjet përbashkuese të politikës shqiptare dhe partnerëve tanë strategjikë perendimorë.

Tiranë, më 27.03.2018

  • Redaksia e falenderon dr. Enver Bytycin qe e ndau opinionin e tij me lexuesit e Diellit

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Enver Bytyci, LDK zgjidh krizen en Kosove

Pas takimit me Mogherinin-Thaçi: Të fokusohemi në rrugën përpara!

March 27, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Sot bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara/

1 Thaci Mogherini

-Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës/

 PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, deklatoi sot ae pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë institucional, që do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi nga shteti i Serbisë.

 “Këtë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës”, thekson deklarata e dërguar pak më parë.

Shtohet se, zhvillimet e së hënës, më 26 mars 2018, janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.

 “Bëj ftesë që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim”, shprehet Presidenti.

 Sot, vijon Thaçi, bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara.“Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara”, bën të ditur Presidenti i Kosovës.Ai vijon se, Kosova mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit në tërë territorin e saj dhe do të kërkojë gjithmonë që të gjithë t’i respektojnë ligjet e Kosovës.“Më vjen keq që ngjarjet e djeshme kanë trazuar paqen dhe kanë shqetësuar të gjitha komunitetet e Kosovës, por i ftoj të gjithë që ta ruajnë arsyen”, thekon Thaçi.

Presidenti përfundon se, derisa policia ka treguar profesionalizëm në punën e saj, e përshëndes edhe reagimin e institucioneve të shtetit, veçanërisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Kosovës që kanë reaguar me kohë, si dhe gatishmërinë e tyre që të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë të gjitha zhvillimet e ditës së hënë, 26 mars 2018, të lidhura me hyrjen ilegale të Marko Gjuriçit në Kosovë./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: deklarate, takim me Mogherinin, Thaci

PAS IKJES SE LISTES SERBE- HARADINAJ: KOSOVA, SIGURI DHE STABILITET

March 27, 2018 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës: Situata e sigurisë në vend e qetë dhe stabile/

–LDK: Nuk do lejojmë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës/

1 Haradinaj-Jo doreheqje

PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Gjendja e përgjithshme e sigurisë në vend është vlerësuar e qetë dhe stabile. Ky ishte konstatimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili u mbajt sot pas zhvillimeve të fundit në Kosovë.Këshilli i Sigurisë së Kosovës, ka mbledhur përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, mekanizmave të sigurisë dhe të organeve të drejtësisë, për të shqyrtuar  situatën në vend, me theks të posaçëm pas zhvillimeve të fundit në veri dhe arrestimit të zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriç.

Poashtu, kryeministri në një konferencë për media tha se institucionet e rendit dhe të ligjit janë në nivel të përgjegjësisë, të punës së vet në gjithë territorin.“Veprimi i djeshëm i arrestimit të zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriç nuk ishte një veprim i këndshëm ose i pëlqyer nga ne, por ishte zbatim i ligjit, i pa alternativë. Meqenëse hyrja ka qenë ilegale, në këtë rast vlejnë procedurat standard të cilat i kanë zbatuar organet e rendit, policia dhe institucionet tjera me profesionalizëm”, tha kryeministri pas takimit.Në komunikatë thekohet se arrestimi dhe deportimi i Marko Gjuriç është procedurë standarde në zbatim të rendit dhe ligjit dhe se është e pashmangshme dhe e aplikueshme çdo herë në rast të veprimeve të ngjashme.

***

Lista Serbe del nga qeveria e Kosovës

 -Rakiç: në 20 prill formohet Bashkësia e 10 komunave serbe në Kosovë-

 PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Lista Serbe del nga qeveria e Kosovës, ndërsa 10 komunat me shumicë serbe  do formojnë në 20 prill Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, paralajmëroi sot kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, pas takimit në Beogard me presidentin e Serbisë Alaksandar Vuçiç.

 ***

Kosovë-Haradinaj: Dorëheqje s’e kam plan të jap

-Deklaratë pas njoftimeve për vendimin e Listës Serbe për largimin nga qeveria e Kosovës/

PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/“Dorëheqje s’e kam plan të jap”,  tha pak më parë kryeministri Ramush Haradinaj, pas njoftimeve për vendimin e Listës Serbe për largimin nga qeveria e Kosovës.“Punën e kam në plan ta vazhdojë seriozisht, atyre që e përkarhin punën e qeverisë iu shpreh partneritet, për ata që shkojnë, hyjnë e dalin, nuk kam ndonjë mendim tjetër për ta”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës.Haradinaj është pytur në një konferencë shtypi për hapat e ardhshëm tash kur me largimin nga qeveria të Listës Serbe me grup parlamenatar prej 10 deputetësh koalicioni qeverisës me 61 deputetë ka humbur shumicën në Parlamentin 120 anëtarësh.Kryeministri Haradinaj deklaroi kështu në një konferencë shtypi pas mbledhjes sëë Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili ka diskutuar për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend./b.j/

***

LDK: Nuk do lejojmë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës

-LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës/

PRISHTINË, 27 Mars 2018-Gazeta DIELLI/ Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka grupin më të madh parlamentar me 27 deputetë në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, deklaroi sot se në asnjë rast nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.“Dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që kemi bërë me rastin e themelimit të qeverisë, kur votimi i saj u vonua deri sa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe”, thekson LDK.Më tej shton se, asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar.“Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës”, siguron deklarata.Përfundohet se, qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Haradinaj, Jash qeverise, Jo doreheqje, Lista Serbe

Kosovë, Krushë e Madhe-Mesash Presidentit të Amerikës

March 26, 2018 by dgreca

 -Kryministri Haradinaj: Presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer/

1 Krushe3 Krushe4 Krushe

-Kryministri i Kosovës nga Krusha e Madhe, mesazh për liderë botërorë e presidentin e Serbisë/

 -Në Krushë të Madhe përkujtohet masakra e para 19 viteve e forcave serbe/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 KRUSHË E MADHE, 26 Mars 2018/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot nga Krusha e Madhe kishte një mesazh edhe për Presidentitin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe për liderë tjerë botërorë dhe për presidentin e Serbisë.

“Presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer. Kështu i themi edhe kryeministres së Anglisë Theresa May, edhe Kancerales së Gjermanisë, Angela Merkel”, tha kryeministri i Kosovës.

E, vijoi Haradinaj, ndërsa presidentit të Serbisë, Vuçiç, që po thotë se duhet dhënë diçka për të njohur Kosovën, do t’i themi, çliroje popullin tënd dhe mos e mbaj me frikë të së kaluarës; kujtoje tragjedinë e popullit të Kosovës, dhimbjen e tij; kuptoji këto varre e këta njerëz që janë me dhimbje; njihe këtë dhimbje; nderoje këtë dhimbje, sepse i bën mirë popullit tënd!

“Duke kërkuar për të marrë ende prej Kosovës në emër të njohjes reciproke, është gabim. Paqja arrihet duke respektuar dhimbjen e tjetrit, duke respektuar të drejtën e tjetrit. Ne në Kosovë, shqiptarët e Kosovës jemi të interesuar për paqe, përjetë, jemi të interesuar që të mos kthehen kurrë dhimbja dhe tragjeditë. Ne nuk dimë se çka të japim më për të drejtën tonë, për lirinë tonë, sesa njerëzit tanë që i kemi këtu dhe ata që nuk po mund t’i gjejmë ende”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Në fshatin Krushë të Madhe të komunës së Rahovecit u mbajt sot tubim përkujtimor për më shumë se 240 martirë të vrarë dhe të masakruar para 19 viteve, në 25,26 e 27 mars 1999, nga forcat serbe.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe dhe mori pjesë në tubimin përkujtimor. Ai, duke kujtuar edhe 64 qytetarë që ende figurojnë të zhdukur, para të pranishmëve të shumtë, tha se edhe pas gati dy dekadave, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona.

“Ne kemi ardhur sot në përvjetor të flijimit të qytetarëve të Krushës së Madhe, por edhe të shumë vendeve nëpër Kosovë, që kanë shumë dhimbje. Kujtojmë edhe Reçakun, Prekazin, Izbicën, Obrinë, Celinën, Fortesën, Mejën, Suharekën, Kotlinën, Podujevën, Pastaselin, Samadraxhën, Leshanin, Makovcin, Kishnicën, Mitrovicën, Gjakovën, Rezallën, Qikatovën, Likoshanin, Qirezin, Lybeniqin,  e kështu me radhë”, u shpreh Haradinaj.

Në tubim përkujtimor folën edhe Selami Hoti, kryetar i fshatit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe Vajdin Berisha, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.Pranvera në Kosovë është stinë e dhembjes, e nderimeve e përkujtimeve për heronjtë, dëshmorët e martirët e rënë për shumë të shtrnjtën liri e pavarësi

Është stina kur përkutohet se, në 5, 6 e 7 mars 1998, në Epopenë e Prekazit, në mbojtje të pragut të shtëpisë dhe Kosovës, në luftën për liri dhe pavarësi, në përballje me sulmin e egër të forcave serbe, ranë heroikisht 56 anëtarë të Familjes Jashari, 20 prej tyre të Familjes së ngushtë të Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Në Izbicë, fshat tjetër i krahinës së Drenicës në Kosovë, përkujtohen 147 civilë shqiptarë të pushkatuar në masakrën e 28 marsit 1999, nga forcat serbe, të cilat në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve i kishin nxjerrë nga varret dhe i kishin dërguar e groposur nëpër varreza masive në Serbi.

Ndër masakrat në Kosovë që do përkujtohen në këtë pranverë është edhe ajo në  fshatin Mejë të Gjakovës, e 27 prillit 1999, kur forcat serbe kanë rrembyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë. Asnjëri nga të ndalurit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë.

Në Kosovë ndodhi edhe masakra serbe në burgun e Dubravës, e datës 22 maj 1999, ku u vranë 114 shqiptarë të burgosur. Forcat kriminale serbe bënë masakra në gjithë Kosovën, edhe në Reçak, në Likoshan dhe Çirez, Obri, Poklek,  Suharekë, Kralan, Goden,  Rogovë,  Celinë, Lubeniq, Makoc, Kotlinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Rahovec, Studime, Kaçandoll, Bajgorë, Shipol, Çabër…

 Në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan nga Kosova mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë,  e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi në varreza masive, apo edhe duke i djegur, ndërsa ende nuk dihet për fatin e mëse 1600 të zhdukurve ende të pagjetur.

 Kryeministri Haradinaj: Jemi me dhimbjen tuaj çdo ditë e çdo vit!

 Krushë e Madhe, 26 mars 2018- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe dhe mori pjesë në tubimin Përkujtimor në nderim të 241 viktimave të Krushës së Madhe.

Duke kujtuar edhe 64 qytetarë që ende figurojnë të zhdukur, kryeministri Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se edhe pas gati dy dekadave, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona.

Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:

 Ne kemi ardhur sot në përvjetor të flijimit, të qytetarëve të Krushës së Madhe, por edhe të shumë vendeve nëpër Kosovë. Është një numër i madh i vendeve që ka shumë dhimbje. Por, Krusha dhe dhimbja këtu është e veçantë. Nuk mundemi pa e kujtuar edhe Reçakun, Prekazin, Izbicën, Obrinë, Celinën, Fortesën, Mejën, Suharekën, Kotlinën, Podujevën, Pastaselin, Samadraxhën, Leshanin, Makovcin, Kishnicën, Mitrovicën, Gjakovën, Rezallën, Qikatovën, Likoshanin, Qirezin, Lybeniqin,  e kështu me radhë.

Pra, mos harroni, në tokën e Kosovës ashtu sikur kjo dhimbje që e ndjejmë sot, janë plotë vende që kanë dhimbje e janë plotë familje që e ndjejnë këtë dhimbje.

Edhe pse ka kaluar kohë, gati dy dekada, kjo dhimbje është në zemër, në mendje dhe në jetët tona. Shqiptarët kanë dëshmuar në shekuj se e kanë fuqinë për të vazhduar jetën, e kanë fuqinë për të jetuar, fuqinë për të treguar gjallërinë e vet për të mos u ndalur.

Sikur të mos ishte kështu, nuk do të ishim sot këtu, nuk do t’i kishim fëmijët që janë këtu, nuk do ta kishim Krushën, që nuk po dorëzohet, por po vazhdon të jetojë dhe të ecë përpara.

Jam i bindur se ata që nuk janë me ne, martirët tanë të pafajshëm të flijuar, por edhe profesori i nderuar Ukshin Hoti që është jo vetëm ideolog i lirisë, i së drejtës shqiptare,  por edhe model i patriotit të mirë, sot, në këto ditë, do të na thoshin, mos u ndalni, shkoni përpara, si Kosovë dhe si vend!

E drejta jonë për liri u arrit. U arrit edhe me ndihmën e NATO-s, të prirë nga Amerika, por deri në ditën e intervenimit të NATO-s, shumë prej nesh u flijuam. Flijimet nuk u ndalën edhe më tutje. E sot, në emrin tuaj, por nëse jo, në emrin tim, Presidentit të Amerikës, Trump, i themi, a mundet ta përfundojë çështjen e Kosovës, që Kosova të ecë edhe më tutje, sepse ka mbetur puna e pakryer. Kështu i themi edhe kryeministres së Anglisë Theresa May, edhe Kancerales së Gjermanisë, Angela Merkel, e ndërsa presidentit të Serbisë, Vuçiq, që po thotë se duhet dhënë diçka për të njohur Kosovën, do t’i themi, çliroje popullin tënd dhe mos e mbaj me frikë të së kaluarës; kujtoje tragjedinë e popullit të Kosovës, dhimbjen e tij; kuptoji këto varre e këta njerëz që janë me dhimbje; njihe këtë dhimbje; nderoje këtë dhimbje, sepse i bën mirë popullit tënd!

Duke kërkuar për të marrë ende prej Kosovës në emër të njohjes reciproke, është gabim.

Paqja arrihet duke respektuar dhimbjen e tjetrit, duke respektuar të drejtën e tjetrit.

Ne në Kosovë, shqiptarët e Kosovës jemi të interesuar për paqe, përjetë, jemi të interesuar që të mos kthehen kurrë dhimbja dhe tragjeditë. Ne nuk dimë se çka të japim më për të drejtën tonë, për lirinë tonë, sesa njerëzit tanë që i kemi këtu dhe ata që nuk po mund t’i gjejmë ende.

Është e padrejtë për t’i kërkuar Kosovës në fazën finale për njohje, edhe diçka. S’ka ku të shkojë më Kosova. Kosova e ka respektuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në maksimum. Kosova vërtet është e interesuar për jetë të qetë, stabilitet, për paqe.

Në Kosovë respektohen komunitetet. Do t’i ruajmë të gjithë, që janë njerëz të këtij vendi, edhe serbët e Kosovës, por njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të bëhet më mbi ndonjë pazar të ri, sepse s’ka mbetur më çka.

Nga Krusha, ju them të gjithëve, edhe tanëve, edhe fqinjëve, por edhe miqve, ka ardhur koha për t’i mbyllë plagët e së kaluarës në Ballkan, ka ardhur koha me u ndalë retorika, ka ardhur koha me ecë përpara. Nuk ka çka jep Kosova më shumë, sesa guximin me ecë përpara, jo me harru, sepse ai popull që harron i përsëriten, ai popull që ka guxim me ecë përpara, siç kemi pasur ne guxim më 1999 me u kthye në shtëpitë dhe trojet tona, siç kemi pasur guxim me gjithë ato dhimbje për të vazhduar jetën, ashtu siç ka guxim sot Krusha të vazhdojë jetën, ashtu duhet ne si Kosovë me pas guxim me ecë përpara, por jo duke harru. Është një dallim i madh, guximi për të ecur përpara me harresën. Harresa na bën dëm, guximi me ecë përpara na bën më të fortë.

Të nderuar krushianë, të nderuara familje të martirëve, dëshmorëve, të të pagjeturve. Për mua është nder i madhe me qenë me ju dhe mos harroni, jemi me dhimbjen tuaj çdo ditë e çdo vit.

Lavdi!

Po sot, kryeministri Haradinaj ka kujtuar dhe anëtarët e Familjes Berisha nga Suhareka, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, 19 vjet më parë.
Kryeministri Haradinaj kujtoi edhe dëshmorët e Betejës së Landovicës, si dhe rënien e dëshmorit Njazi Azemi-komandant Mjekrra, luftëtar i orëve të para të UÇK-së dhe UÇPMB-së.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë tubim përkujtimor folën edhe Selami Hoti, kryetar i fshatit, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe Vajdin Berisha, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Filed Under: Featured Tagged With: Kosove, Krushë e Madhe-Mesash, Presidentit të Amerikës

Kryeredaktori i parë i Gazetës Sporti

March 26, 2018 by dgreca

Kujtesë- Në 1945 Tuni Papuçiu do të vazhdonte fushën e publicistikës si kryeredaktor i parë i gazetës « Sporti » dhe në  Ballkaniadën e vitit 1946 , do të gjendej përkrah Andon Mazrekut për të përjetuar emocionet e fitores së parë ballkanike për Shqipërinë, që solli Loro Boriçi (1922 – 1984), simboli dhe legjenda e sportit shqiptar, e futbollit shqiptar./
 1 Tuni Ppapuciu
Sa herë vjen qershori, koha e evenimentit më të rendësishëm të këngës për fëmijë, Festivalit Mbarëkombëtar të Fëmijëve që zhvillohet në qytetin e Shkodrës, gjallon kujtesa për personalitetin artistik të Tuni Papuçiut. Ai ishte pena e artë e këtij eventi që në bashkëpunim me kompozitorët e shquar Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Avni Mula, Tish Daija, Pjetër Gaci, etj do të vlerësohej herë pas here me çmimet e para për tekstet e këngëve .
Po kush ishte Tuni Papuçiu?
Tuni Papuçiu lindi më 23 mars 1922 në një familje arsimdashëse të qytetit të Fierit. Mësimet e para i mori në vendlindje.  Të mesmen dhe studimet e larta i vijoi në Tiranë. Përsa i përket jetës artistike, ai së bashku me shkrimtarin e njohur Jakov Xoxa, para çlirimit të vendit ideuan dhe nxorën gazetën “Përpjekja e rinisë » në Sevaster të Vlorës, ku Tuni ishte inkuadruar në Zonën e Parë Operative prej 1943.
Në 1945 ai do të vazhdonte fushën e publicistikës si kryeredaktor i parë i gazetës « Sporti » dhe në  Ballkaniadën e vitit 1946 , do të gjendej përkrah Andon Mazrekut për të përjetuar emocionet e fitores së parë ballkanike për Shqipërinë, që solli Loro Boriçi (1922 – 1984), simboli dhe legjenda e sportit shqiptar, e futbollit shqiptar.
Trashëgimia publiçistike dhe letrare e Tuni Papuçiut është pasuri e pazëvendësueshme në arkivën e medias së shkruar të viteve ’40-`70. Prej qershorit të vitit 1959 deri sa u nda nga jeta më 3 qershor 1975, Tuni drejtoi të përdyjavshmen letrare dhe artistike të ilustruar për fëmijë, revistën « Fatosi » që tërhiqte vemendjen jo vetëm për gjallërinë e përmbajtjes, por edhe për paraqitjen artistike dhe estetike.
Krijimet e tij letrare për fëmijë janë botuar përgjithësisht tek vëllimet « Midis shelgjesh buzë lumit », « Një sirtar i veçantë » , « Supa dhe karamelet » etj.
 Në tërësi libri “Një sirtar i veçantë” duket si një biografi e shkurtër e revistës “Fatosi”, ku Tuni Papuçiu shkriu talentin e vet të spikatur.
Krijimet e tij përmbajnë vjersha, tregime, skeçe, gazmore, pjesë teatrale, tekste këngësh për fëmijë dhe qindra e qindra artikuj në shtypin shqiptar. Energjia e tij buronte nga dashuria e madhe për botën e fëmijëve, nga humanizmi i tij.
 Veprimtaria e tij letrare është përfshirë edhe në Fjalorin enciklopedik « Gazetarë dhe publiçistë shqiptarë », hartuar nga prof. dr. Hamit Boriçi dhe botuar nga « Unioni i Gazetarëve Profesionistë të Veriut (UGPV), « Figura të shquara të rrethit të Fierit », si dhe tek « Lexikon » me titull « Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë » (1872-1995) hartuar nga prof. Odhise K. Grillo.
Tuni Papuçiu këndonte me shpirt këngët popullore. Ky passion bëri që të mblidhte në një fletore tekste të këngëve popullore të trevave të jugut dhe të veriut të Shqipërisë dhe t`i dorëzonte në Institutin e Folklorit, siç quhej atëherë, për të përcjellë në breza vlera etnografike, leksikore, historike etj.
Portreti i tij në sytë e  shokëve dhe të gjithë atyre që e njohën  do të vinte si njeri me zemër të bardhë, një njeri i dhembshur,  i dashur me njerëzit, punëtor, i paepur, tepër optimist, si miku  më i mirë i fëmijëve, që dinte të përcillte vetëm mirësi. Një rrugë në qytetin e Fierit, mban emrin e tij.
Është dekoruar disa herë për veprimtarinë e tij letrare dhe publiçistike. Disa mendime për Tuni Papuçiun marrë nga libri: “Figura të shquara të rrethit të Fierit”, 2002
“Tuni Petro Papuçiu ka qënë një personalitet i tipit unikal. Ai i ngjante minierës. Sa më shumë të kërkoje, aq më shumë vlera do t’i njihje, aq më shumë xhevahire do të gjeje te ky njeri.
 Qe “njeri i mirë”, siç e ka përcaktuar akademiku Alfred Uçi, njeri i pazëvëndësueshëm i gazetës….’Piktori i merituar Agim Faja ka shkruar se Tuni Papuçiu “qe njeri në kuptimin e vërtetë të fjalës, me zemër të madhe dhe shpirt fisnik”.
“Tuni Papuçiu i përket elitës së publiçistëve. Aty ku ndodhej Tuni, aty buronte kënga, buronin gëzimi dhe humori. Aty ku ishte Tuni, aty takoje ndershmërinë, gatishmërinë, besimin dhe optimizmin për jetën.”
  Kronika për festivalin e fëmijëve bëri që sot të kujtoj pervjetorin e figurës së shquar fierake, shkrimtarit për fëmijë, gazetarit dhe publiçistit Tuni Papuçiu, njeriut të qyteteve të mëdha, Fierit që e lindi, Tiranës , Vlorës dhe Shkodrës ku ai la gjurmët e tij. ( V.Dafa)

Filed Under: Sport Tagged With: Kujtese, Tuni Papuçiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT