• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2018

GEZIM ME ARME ?

April 17, 2018 by dgreca

1 revShtirja me arme ne gezimet familjare, veprim i rrezikshem/1 armet

Nga Sadik Elshani/*Para dy – tri  ditesh ne fshatin Mushtisht te Therandes (Suharekes) ndodhi nje tragjedi familjare, ne nje gezim familjar: Axha, duke shtire me revole, plagosi veten dhe vrau nipin e tij 14 vjecar, Edi Sopa. Cfare tragjedie, nje djale humb jeten sapo ka filluar moshen e djalerise! Kuptohet, ky ishte nje akcident qe nuk duhej te ndodhte. Akcidentet nuk ndodhin vetevetiu, ato shkaktohen nga pakujdesia, papergjegjesia. Pra, aksidentet jane te parandalueshme! Askush nuk dyshon se axha tani eshte bere “me i nxjerre syte e vet”, sic shprehemi ne ne Kosove, por tani eshte teper vone: Edi Sopa nuk kthehet me ne jete, ndersa as per axhen jeta nuk do te jete e lehte.

Secili popull i ka traditat e veta, te mira e te keqia. Traditat e mira t’i zhvillojme, t’i kultivojme e t’i ruajme brez pas brezi, ndersa traditat e keqia t’i zhdukim njehere e pergjithmone. Njera nder keto tradita te keqia, te prapambetura e te rrezikshme, qe shpesh perfundojne edhe ne tragjedi, eshte shtirja me arme zjarri ne gezimet, festat, ahengjet familjare: dasma, fejesa, syneti, etj. Me arme nuk shkohet ne dasem, por ne lufte, ne fushebeteje. Prandaj, qe gezimet tona familjare te mos u ngjajne fushebetejave, shtirja me arme nuk duhet lejuar kurresesi. Si te rregullohet kjo le te vendosin organet perkatese. Nje mase e tille do te parandalonte tragjedite e tilla, do te shpetonte shume jetera te pafajshme. Por sic duket te ne jo shumekush e cane koken per kete, kur jemi deshmitare se edhe disa ministra e zevendesministra shtijne me arme neper ndeja e festa familjare. Nese dikuj i pelqejne krismat, shperthimet, atehere le te perdorin fishekzjarre, kuptohet, me kujdes e ne menyre te kontrolluar.

Ajo qe me shtyri t’i shkruaj keto radhe eshte tragjedia e ndodhur ne fshatin Mushtisht, por edhe postimi ne Facebook (botuar ne Bota Sot) i deputetes Vjosa Osmani, shoqeruar edhe me nje video qe paraqet diskutimin e saj ne Kuvendin e Kosoves, lidhur me kete dukuri negative. Ne fjalen e saj deputetja Osmani me pasion ngul kembe qe Kuvendi duhet te beje dicka, te miratoje ligje per te parandaluar tragjedi te tilla te panevojshme. Por menyra sesi reaguan nje pjese e deputeteve te Kuvendit te Kosoves dhe vete Kryeministri i vendit, eshte mjaft shqetesuese, teper brengosese dhe per cdo kritike: ata reaguan me te qeshura, me mosperfillje, thua se nuk eshte duke ndodhur asgje, se jeta e njeriut nuk ka vlere. Sipas mendesise se tyre kjo eshte krejt normale dhe ketu nuk ka asgje per t’u shqetesuar. Kjo eshte arroganca jone, kapadaizmi yne. Kryeministri i patrazuar fare tha se nuk duhet ekzagjeruar gjerat. Zoti kryeminister, ketu nuk ka asgje te ekzagjeruar: humbja e vetem nje jete te pafajshme eshte shume! Nese dicka ndodh njehere, do te ndodh edhe nje here dhe shume here te tjera, fatkeqsisht, sic eshte duke ndodhur vazhdimisht ne Kosove. Kryeministri e permendi pastaj Ameriken, duke theksuar se ne Amerike qytetaret kane te drejte te mbajne arme. Kjo eshtye e vertete, por armembajtja eshte e rregulluar me ligj. Ka shume ketu per t’u diskutuar, por per te mos dalur nga tema, nuk eshte vendi ketu per t’u zgjeruar me teper ne kete ceshtje amerikane. Si nje njeri qe jetoj ne Amerike dhe i percjell me vemendje rrjedhat shoqerore – politike te vendit, dua t’i perkujtoj kryeministrit se, kur ndodh nje tragjedi e tille ne Amerike, ngjarja trajtohet me seriozitet, qytetaret, veprimtaret, politikanet reagojne per ta ndergjegjesuar publikun, ligjvenesit, per ta bere ceshtjen te ndjeshme dhe ushtrojne trysni qe Kongresi te miratoje ligje qe do te parandalonin ose do t’i zvogelonin dukshem ndodhite e tilla ne te ardhmen. Dhe ligjet e tilla te aprovuara, zakonisht e mbajne emrin e viktimave: “Megan’s Law (“Ligji i Meginit”), “Amber Alert” (“Alarmi i Amberit”), etj. Pse edhe ne te mos e kemi “Ligjin e Edit”?!

Ajo qe eshte duke munguar ne Kosove e Shqiperi, eshte: ndjeshmeria, pergjegjesia, shqetesimi dhe kujdesi per mireqenjen e qytetarit. Shpesh e degjojme arsyetimin: “Kemi shume probleme tjera me te rendesishme…” Po, vertet kemi shume probleme, sepse nuk merremi seriozisht me zgjidhjen e asnjerit prej tyre dhe keshtu problemet shumezohen, grumbullohen dhe jane duke e ngulfatur popullin e Kosoves. Qeveritaret, politikanet, deputetet e Kuvendit te Kosoves duhet te merren seriozisht me problemet e shumta te Kosoves dhe jo te shahen, kacafyten me njeri- tjetrin si rrugace. Per shkak te ketyre zenkave te pakuptimta seancat e Kuvendit shpesh nderpriten. Cdo problem e ka zgjidhjen e vet, por per kete duhet perkushtim, angazhim i panderprere.

Prandaj, sipas shembullit amerikan, te angazhohen te gjitha familjet qe kane pesuar tragjedi te tilla, ata qe i kane shkaktuar keto tragjedi, te angazhohen te gjithe veprimtaret qe merren me keto ceshtje dhe te ushtrojne trysni te politikanet, institucionet e Kosoves, qe te bejne dicka per t’i ndaluar keto tragjedi, per te shpetuar jetera njerezish te pafajshem. Po ashtu, duhet bere edhe nje fushate e gjere informuese per ta edukuar, ndergjegjesuar popullin, per ta bere kete ceshtje se me te ndjeshme. Te shtiesh me arme ne gezimet familjare ku jane tubuar femije, gra e burra per te festuar, nuk eshte trimeri, por marrezi qe merr jetera njerezish te pafajshem.

Filadelfia, 16 prill 2018

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: gezime, Sadik Elshani, Te qellosh me arme

Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999

April 16, 2018 by dgreca

Bashkia e Kukësit nderon Ministrin e Jashtëm Pacolli për kontributin e tij gjatë luftës dhe vizionin për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike Kombëtare/

1 Kryetari Bashk

Kukës, 16 Prill 2018 – Me rastin e shënimit të 19 vjetorit të eksodit kosovar në Kukës, Ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, i janë dorëzuar dy tituj, ai “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.Kryediplomati kosovar, z. Pacolli, pranoi këto dy mirënjohje gjatë një ceremonie zyrtare në Bashkinë e Kukësit për kontributin e tij të mëhershëm në mbështetje të Luftës Çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe për vizionin e tij si ish-President për krijimin e Hapësirës së Përbashkët Ekonomike Kombëtare.“Ju, i nderuar Behgjet nuk jeni mburrur kurrë për shumë aspekte të jetës suaj. Po ne duhet t’jua përmendim sot në këtë ditë nderimi. Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare…Po ju e keni ndihmuar Kukësin dhe në kohë paqeje. Të afërm tuaj kanë sjellë ndihma për fshatra të thellë të Qarkut tonë… Ju, i dashur Behgjet po na ndihmoni me Vizionin Tuaj për rrëzimin e atyre kufijve që kanë mbetur ende mes nesh. Dhe, do të na ndihmoni akoma më shumë kur ky Vizion të bëhet realitet.  Platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me Qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor.  Koncepti juaj për zhvillimin e Aeroportit të Kukësit, për kompani ajrore të përbashkët;  koncepti juaj për një Qendër Spitalore elitare dhe një shkollë të lartë shërbimesh mjekësore në Kukës, janë shpëtimtare për këtë Zonë, të varfër, por dinjitoze”, ka thënë në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu.

Më pas, një fjalim rasti ka mbajtur edhe Ministri i Jashtëm Pacolli.

“Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore, Kukësi është Nobeli i humanizmit global;

Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një Kuksian, që prej sot jam njeri si ju. Ju Falënderoj kryetari  i Kukësit, Bashkim Shehu, që më propozuat që të jem njeri nga ju. Ju falënderoj juve zotërinj të Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, që unanimisht keni votuar për mua. Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg. Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm, unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës. Në shumë takime ndërkombëtare, në takime rajonale, të Bashkimit Europian, në Japoninë e Largët, por dhe me miqtë e mi këtu në Shqipëri, me Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën e Lulzim Bashën, unë po angazhohem që Lugina e Drinit të shndërrohet në një vektor komunikacioni nga më të rëndësishmit në Europë”, ka thënë ai.

Gjatë qëndrimit në Kukës, Ministri i Punëve të Jashtme z. Pacolli vijoi me vizitën në Panairin e Librit, të organizuar me rastin 19 vjetorit të eksodit të kosovarëve. I shoqëruar nga autoritetet vendore të Kukësit dhe shefat e misioneve të dy vendeve, Ministri Pacolli vizitoi edhe një kopsht fëmijësh, dhuratë e bizneseve të Kosovës për Kukësin.

1 KukesiFjalimet e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm te Kosoves, Behgjet Pacolli, dhe Kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, sot me rastin e nderimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të jashtëm Pacolli me titujt: Qytetar Nderi i Kukësit dhe Nderi i Qarkut Kukës…

1 Behxhet BashkimFjala e kryetarit të Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu:1 Behxhet MimiI dashur Qytetari më i ri i Kukësit, Behgjet Pacolli,

të nderuar autoritete vendore nga Kosova dhe Shqipëria, deputetë, qytetarë nga të gjithë anët e kombit,

Dikush mund të thotë, se pse 19 vjet më vonë,

pas eksodit prej genocidit serb të gjysmës së kombit, Kosovës në Kukës,

ne të zgjedhurit vendorë të bashkisë dhe qarkut Kukës,

pa dallime partiake, kemi vendosur t’ju blatojmë juve me titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Kukësit”.

Unë them se kemi shumë arsye, që juve,

një ndërmarrës me famë globale,

krenar për origjinën tuaj,

i dekoruar me titullin “Nder i Kombit”, nga Presidenti i Shqipërisë,

Qytetar Nderi i Korçës, i Lezhës,

me nderime nga SHBA, Italia, Peruja, etj,

pra kemi shumë arsye që t’Ju akordojmë këto tituj.

Vepra juaj në shërbim të kombit shqiptar, në të dy anët e kufirit ka shumë lidhje me Kukësin,

ka shumë lidhje me 16 prillin,

ditën kur dhjetëra mijëra bashkëpatriotë tanë të Kosovës,

u vendosën këtu.

Ju, i nderuar Behgjet nuk jeni mburrur kurrë për shumë aspekte të jetës suaj.

Po ne duhet t’jua përmendim sot në këtë ditë nderimi.

Kompania juaj e ka ndihmuar Luftën e Shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me shuma të mëdha financiare.

Në atë Luftë ka marrë pjesë vëllai juaj Selimi, në Zonën e Gollakut, dhe ju keni shumë viktima në mesin e familjarëve tuaj.

Kompania Juaj Mabetex ka ndihmuar kampet e të ikurve në Zonën e Kukësit, ashtu si dhe ato të zhvendosurve në Mal të Zi.

Po ju e keni ndihmuar Kukësin dhe në kohë paqeje.

Të afërm tuaj kanë sjellë ndihma për fshatra të thellë të Qarkut tonë.

Më lejoni të them dhe diçka për vizionin e një burrështetasi.

Vizionin e kanë ata njerëz, ata burrështetas që shikojnë lart- më lart se Malet tona.

Vizionin e kanë ata njerëz, ata burrështetas që shikojnë Larg- më larg se hunda jonë, po se po, por shumë larg, edhe në fund të botës.

Ju, i dashur Behgjet po na ndihmoni me Vizionin Tuaj për rrëzimin e atyre kufijve që kanë mbetur ende mes nesh.

Dhe do të na ndihmoni akoma më shumë kur ky Vizion të bëhet realitet.

·         Platforma juaj për një Zonë të lirë ekonomike ndërkufitare që bashkon Gjakovën dhe Prizrenin me Qarkun tonë, është shpëtimtare për njërën nga Zonat më të bukura të Ballkanit dhe me plot potencial zhvillimor. Minierat tona kanë mbajtur Shqipërinë.

·         Koncepti juaj për zhvillimin e Aeroportit të Kukësit, për kompani ajrore të përbashkët;

·         koncepti juaj për një Qendër Spitalore elitare dhe një shkollë të lartë shërbimesh mjekësore në Kukës,

·         janë shpëtimtare për këtë Zonë, të varfër, por dinjitoze.

Tani që ju jeni në qeverisje, që bashkëpunimi me Shqipërinë është real, ne do donim që ky Vizion Juaji të bëhet realitet.

Ja pse ne ju japim çelësin e shtëpisë sonë mikpritëse, që  ju të mos e harroni Kukësin.

Ju i dashur Qytetari ynë më i ri, e keni Vizionin. Ne thjesht duhet t’ju ndihmojmë, në Shqipëri, në Kosovë që ju ta jetësoni atë.

Dhe meqë këtu mes nesh ka politikanë, do doja t’ju bëja thirrje ta ndiqni me vëmendje modelin e këtij njeriu, që e ka arritur gjithçka nëpërmjet punës. Ai është modest si njeri prej nesh, si një bashkëfshatari jonë. Sepse ai është njeri, sepse ai prej sot është një Kuksian.

Falemnderit.

 

 

 

Fjala e zëvendëskryeministrit të parë, dhe ministrit të jashtëm, Behgjet Pacolli:

 

i dashur Prefekt, Kryetar i Qarkut, Kryetar i Bashkisë dhe bashkëqytetarë të mi kuksianë, kosovarë dhe nga gjithë viset ku flitet shqip,

të dashur të zgjedhur vendorë dhe parlamentarë të Kosovës dhe të të Shqipërisë,

Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të gjendem sërish këtu në Kukës.

 

Ardhja ime në Kukës, është një dalje nga rutina e takimeve diplomatike,

Ardhja ime këtu mes jush, kuksianëve të mirë,

është një mbushje e thellë e mushkërive me ajrin e pastër të Gjallicës,

me ajrin e fisnikërisë,

të mikpritjes së zonës së Lumës,

zonë trimash të urtë.

Kukësi është Kryeqyteti i Mikpritjes Botërore,

Kukësi është Nobeli i humanizmit global;

Kukësi e shpëtoi Kosovën në 1999. Nëse kosovarët nuk do kishin qendruar këtu, do ishin shpërndarë nëpër botë. Dhe jo të gjithë, do ktheheshin nga larg për t’i shërbyer Kosovës së Re.

Ndaj për mua është krenari që prej sot jam një Kukësian,

që prej sot jam njeri si ju.

 

Nëse do ta mendoja mirë,unë jam kukësian që më herët. PSE?

pse jam rritur në një familje ku Mikpritja është vlera më e shenjtë.

Nëse kam zmadhuar ndonjëherë shtëpitë ku jetoj,

kam zmadhuar hapësirën e miqve:

Kam disa oda miqsh: odë e vogël, odë e mesme, odë e madhe miqsh.

Mos na lëntë zoti pa miq.

 

Ju Falënderoj kryetari  i Kukësit Bashkim Shehu që më propozuat që të jem njeri nga ju.

Jam i impresionuar nga punët tuaja të mira në krye të Kukësit: më kanë thënë se keni ulur taksat në Kukës dhe keni rritur të ardhurat, se po sillni një ndërmarrje fason për vajzat dhe gratë e zonës.

 

Ju falënderoj juve zotërinj të Këshillit bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, që unanimisht keni votuar për mua.

Emri im ju ka bashkuar, pavarësisht ndarjeve. Si një kuksian që jam prej sot, do ju lutesha: kapërceni ndarjet partiake, apo çdo lloj ndarjeje që keni, për t’i shërbyer më mirë këtij populli të mrekullueshëm.

 

Falemnderit kryetar që i përmende disa fakte nga historia ime familjare që unë kurrë nuk i kam përmendur për të stolisur biografinë time si bëjnë rëndom në politikën e viseve tona.

Herën tjetër thjesht dua të më përmendni se jam Punëtor i Madh dhe Mikpritës i Madh, si Lumianët,

 

Ju keni të drejtë që përmendni Vizionin si cilësi e domosdoshme për të shikuar lart dhe larg.

Edhe kur kufijtë mes nesh ishin të pakapërcyeshëm,

unë gjithmonë e kam parë këtë zonë si pjesë e pandarë e Gjakovës, Prizrenit, e Kosovës.

Aq më shumë në kohën e lirisë që u parapri nga sakrifica, gjaku, vepra e madhe e humanizmit tuaj që e pa bota mbarë,

unë sot e shoh si pol kombëtar zhvillimi qarkun e Kukësit, Hasin, Tropojën, të lidhur me komunat në anën tjetër,. 

Unë sot, më shumë se më parë do të angazhohem për qytetin tim,

për krahinën time që më adoptoi si bir të vetin,

për Kukësin!

·         Këtu ka miniera të rralla;

·         këtu ka liqene,

·         hidrocentrale,

·         bukuri natyrore,

·         këtu ka hapësirë për turizëm malor,

·         për blegtori cilësore,

·         për shkolla arësimi profesional.

·         Aeroporti i Kukësit që do të hapet së shpejti ka gjithë mundësitë që jo vetëm të jetë alternativë e Prishtinës dhe Gjakovës, por dhe të jetë një destinacion ndërkombëtar në transportin e distancave të mëdha. Unë me kolegët e mi në Qeverinë e Shqipërisë do punojmë në këtë drejtim.

·         Në shumë takime ndërkombëtare, në takime rajonale, të Bashkimit Europian, në Japoninë e Largët, por dhe me miqtë e mi këtu në Shqipëri, me Sali BErishën, Edi Ramën, Ilir Metën e Lulzim Bashën, unë po angazhohem që Lugina e Drinit të shndërrohet në një vektor komunikacioni nga më të rëndësishmit në Europë.

·         Nuk mund të ketë zhvillim kombëtar të plotë, madje nuk mund të ketë zhvillim rajonal pa hekurudhë mes nesh,

·         Lugina e Drinit, Kukësi, Tropoja, Gjakova, janë stacione të pashmangshme të kësaj rruge të re hekurudhore. Po i ndjek me vëmendje studimet, dhe projektet në këtë kahje.

 

Për gjithë potencialin e vet, të pashfrytëzuar, ose të shfrytëzuar keq, Kukësi me varfërinë e vet dinjitoze është  një krahinë ku ne politikanëve tashmë duhet të na vijë turp që është në këtë gjendje.

Ju premtoj se derisa të kem mundësi do punoj që të jetësoj këto projekte,

që ta meritoj këtë cilësor që tash e tutje do ta mbaj me krenari:

jam kuksian, jam shqiptar, jam njeri nga ju!

Falemnderit

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Kukesi

‘Shpata e Argjendtë 2018’ bashkon forcat e sigurisë në Kosovë

April 16, 2018 by dgreca

Silver Sabre 2018 brings together security forces for emergency response/

1 Portadec1 Shpate-Ushtrimi ‘Shpata e Argjendtë 2018’, një nga aktivitetet më të rëndësishme të trajnimit e zhvilluar dhe udhëhequr nga KFOR-i, bashkon forcat e sigurisë për reagim ndaj emergjencave/

1 KFORPRISHTINË, 16 Prill  2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ushtrimi ‘Shpata e Argjendtë 2018’, si një nga aktivitetet më të rëndësishme të trajnimit e zhvilluar dhe udhëhequr nga KFOR-i, mbahet nga 16 deri në 27 prill në kampin Film City në Prishtinë, kampin Pomozatin dhe Aeroportin Ushtarak të Sllatinës.1 KFOR AeroplanKy ushtrim bashkon, në një mënyrë të koordinuar dhe sinergjike, akterë të ndryshëm, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Këshillin e Sigurisë së Kosovës (KSK), Policinë e Kosovës (PK), Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Kosovës (AME).Nën drejtimin e zëvendës komandantit të KFOR-it, gjeneral brigade János Csombók, të gjithë akterët e përfshirë kanë për qëllim të përmirësojnë mirëkuptimin reciprok lidhur me rolet, aftësitë dhe kapacitetet e tyre në reagim ndaj emergjencave.

‘Shpata e Argjendtë 2018’ do të zhvillohet në dy faza. Nga 16 deri në 19 prill do të zhvillohet stërvitja e Postit të Komandës në Kampin Film City, ndërsa trajnimi në terren do të mbahet nga 23 deri më 27 prill në kampin Pomozatin dhe Aeroportin Ushtarak në Sllatinë.Qëllimi i përgjithshëm i ushtrimit ‘Shpata e Argjendtë 2018’ është të trajnojë komandantët dhe stafin e KFOR-it, EULEX-it dhe Organizatat e Sigurisë së Kosovës në trajtimin e operacioneve në rastet e lehtësimit emergjent ndaj fatkeqësive dhe skenaret e trazirave civile. Do të jetë një mundësi për të testuar konceptin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë dhe për të krijuar një kuptim të përbashkët mbi taktikat, teknikat dhe procedurat në nivel njësie, me vëmendje të veçantë në trajnimin e kontrollimit të turmave dhe trazirave dhe zjarrfikësve.

Silver Sabre 2018 brings together security forces for emergency response

Pristina, 16th April 2018- Exercise Silver Sabre 2018, as one of the most important training activities conducted and led by KFOR, will be held throughout 16th to 27th of April in Camp Film City, Camp Pomozatin and Slatina Military Airport.

 This exercise brings together, in a coordinated and synergetic way, different players, European Union Rule of Law Mission in Kosovo (EULEX), Kosovo Security Council (KSC), Kosovo Police (KP), Kosovo Security Forces (KSF) and Kosovo Emergency Management Agency (EMA).

 Under the guidance of KFOR Deputy Commander, Brigadier General János CSOMBÓK, all the actors involved aim to improve mutual understanding regarding their roles, capabilities and capacities to emergency response.

 Silver Saber 2018 will be conducted in two phases. From 16 to 19 April will take place the Command Post Exercise in Camp Film City, whereas the Field Exercise Track will be held from 23 to 27 April at Camp Pomozatin and Slatina Military Airport.

The overall aim of the exercise Silver Sabre 2018 is to train the Commanders and staff of KFOR, EULEX and Kosovo Security Organizations in handling operations in emergency disaster relief and civil disturbance scenario. It will be the opportunity to test the 1st, 2nd and 3rd responder concept and to establish a common understanding on tactics, techniques and procedures at the unit level, with particular attention to Crowd and Riot control (CRC) training and firefighting.

Filed Under: Reportazh Tagged With: ‘Shpata e Argjendtë 2018’, bashkon forcat e sigurisë, Behlul Jashari

NË KOPSHTET E VATIKANIT, ÇASTE PRANË PAPËS SË NDERIT…

April 16, 2018 by dgreca

– Emocion në ditëlindjen e Tij të 91-të, 16 Prill /

1Kujtim i bukur1 largimi1 Me Papen e Nderit ne mes.

nga Visar Zhiti/

Ç’kopshte të mrekullueshëm brenda mureve në Vatikan, aq sa na duket se jemi futur në një ëndërr! Nga lart rrjedhin ujvara qiellore, nga ato me misterin e dritës tjetër. Po dhe një qetësi mërmëritëse që sikur ia zbulojmë kumtin te udhët mes blerimeve, aq ndjellëse, për të ecur sa më paqësisht, tani e gjithmonë, në dashuri.Gjethnajë dhe bar gjallërues, cicërima të kristalta dhe frushullima flatrash. Jo, nuk janë vetëm zogjtë, por dhe engjëjt, kështu na duket.Pasditja sikur merrte frymë me mushkritë e “Shpellës së Lourdes-it”, që na shfaqet befas fare pranë. Dhe na kap një ndjesi përlehtësimi dhe përhapjeje, sikur nuk kemi kufizime, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, dhe ndihemi frymë gjithandej.

I shtrëngova dorën sime shoqeje. Sikur mernim nga drithmat e njëri-tjetrit kështu. Para nesh, e ndienim, rendëte djali ynë, i padukshëm, ja, ja, i pashë një pjezës flatre, kjo pendë prej tyre ra… Andej duhej të shkonim.

Tej pjerrinave të edenta pemët presin si meshtarë të lumtur. Dhe ja, lule të tjera që sendërtojnë me ngjyrat e tyre çaste të tjera mrekullie. Emblema papnore. Prej lulesh dhe ajo në sheshin qendror aty. Nga shatërvanët hovnin ujra si bekime të kthjellta.

Kupola e mermertë e Bazilikës së Shën Pjetrit vezullon e madhërishme dhe nuk kuptohet ku mbaron ajo dhe ku fillon qielli. Një përzierje mistike me retë anash si të ishin një grup me Mikelanxhelo. Poshtë nëpër nikie statuja biblike… ja, ja, ati yt. Pranë është stacioni i trenit të Vatikanit, që sikur sjell dëshira dhe pak më tej Gjykata, jo, jo e gjyqit të fundit, dhe burgu, shpesh e më shpesh bosh, por ndodh të bujtë ndokush, ngjarje e rrallë, do ta kenë lajmin patjetër gazetat. Ime shoqe ma shtrëngon dorën prapë. Buzëqesha trishtueshëm.

Madona që na mirëpresin. Ja, Zoja e Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e shqiptarëve, shkodrania. Dhe drurë biblikë, të mbjellë nga personalitete të larta të botës, presidentë, kryeministra… edhe ty ta paranuan kërkesën që si titullar i ambasadës, por dhe si bashkatdhetar i Shenjtes Nënë Tereza, – po nëpërmendja, – që me rastin e kanonizimit të saj, në jubileun e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, të sillje një ulli nga vendi yt, të mbillej këtu. Ia thashë Kryeminsitrit. Prita…

Mure të tjera kështjellore, heliodromi i vogël, livadhe me gëmushat si qingja, pylli natyral, një shenjtërore e mermertë, kthesat si ngazëllime mahnitjesh, kështu më erdhi t’i krahasoj, stola të drunjtë, të rrallë, rojat që të përshëndesnin të parët, Radio-Televizionit i Vatikanit, dielli që vazhdonte dhe derdhte ar.     Me siguri po afroheshim. Pashë kolonat e Akademisë. Përballë, pas degëve të pemëve, sërisht dritare, mbase ato të Arkivit Sekret a të Bibliotekës së vjetër Apostolike. Se ishte bërë dhe një e re, por ajo ishte pesë kate nën tokë, e bunkertë. Ku ishin letrat e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, po librat shqip?

Mes qiparisave, tej në thellësi, vegim që afrohej, nuk po u besonim syve, në këmbë, me të bardha si i statujtë, ai, Papa i Nderit, Bendedikti XVI.

Në kohën pas lutjeve të pasdites po na priste aty. Nuk mund të iknim pa e parë, pa i puthur dorën. S’po duronim sa të mbërrinim dhe një si lulnajë emocionesh po binte mbi supet tona. Ndjemë se shtangëm, nuk po ecnim ne, por pllaja mitike, sikur afrohej ajo, me Papën e Nderit në krye, ende larg, rrezëllitës. Po na aviteshin qiparisat. Një vezullim. Mbase i kryqit të argjendë që i varej në gjoks Atit të Shenjtë, Ratzinger. Wow!- do ia bënte djali ynë.

Po aty, në krah, si i veshur me natë, sekretari i tij i veçantë, arqipeshkvi Georg Gänswein, njëherësh dhe Prefekt i Pallatit Pontefik të Vatikanit. Në këmbë dhe ai. Ruba e zezë i derdhej hijshëm deri në fund. Vetëm koletoja si një tufë rrezesh zbardhëllente.

Dy gjermanë, besëtarë të një miqësie apostolike, magjepsës. Të dy pa kësula mbi krye. Flokë e bardhë të Ratzinger-it si fllad. Si muzg të Gänswaein-it. Ndalëm para tyre. U përkulëm. Arqipeshkvi, gjithë përzemërsi buzëqeshëse, na paraqiti te Papa i Nderit, që na përgëzoi për ardhjen. Sa zë të ngrohtë kishte, me pak si ngjirje si të marrë katakombeve, andej nga varret biblike.

I thamë se është lumturi të takosh Shenjtërinë e Tij. Vuri buzën në gaz si me druajtje. Dhëmbshurisht. Ime shoqe i dhuroi një stola të kuqe, si gjaku i martirëve të kishës tonë, 38 prej të cilëve sapo ishin lumturuar dhe stola ishte punuar nga gra shqiptare të Veriut, këto po shpjegonte ime shoqe, kur Imzot Gänzwein ndërhyri entuziast:

– Paskeni ardhur me dhurata, faleminderit.

Atij i kisha dhënë ditë më parë një bibël të vjetër dy shekullore në gjermanisht, ma solli studiuesi nga Kosova Bejtullah Destani, s’e di ku e kishte gjetur. Dhe Gënswein ma ktheu duke më dhuruar “gemelli” embelematike manshetash.    Heshtje. Heshtje folëse. – …dhe të kanë dënuar për poezi, s’mund të besohet… – tha Ati i Shenjtë duke më parë me sytë tejpërshkues si të një ikone. U trondita, ai e dinte, pra, se me kë ishte takuar. Kishte shkruar poezi dhe vetë në rininë e hershme. Kishte parë dhe Luftën e Dytë botërore si nxënës dhe i kishte ikur asaj, “dezertoi”. Gjithsesi dënohesh dhe për poezi dhe Papa thotë “e pa besueshme”, me qëllim që e tillë duhet të jetë, të mos ndodhë më. Kurrë. Ndërsa fliste, po e vështroja me adhurim. Te sytë kishte rrathë të lehtë, pakëz të fryrë, mbase pagjumësia, lutjet e leximet natën. Ashtu i mpakur nën pallton e bardhë e të gjatë, ku renditeshin kopsat, edhe ato të bardha si varg i argjendë yjesh, shtati sikur nuk ia pengonte shpirtin që të shtjellej edhe më, i përforcuar si me një si ethe përvëluese të ftohtë duke na dhënë dhe neve përreth forcë enigmatike. Filozof i Zotit, yll në teologji, shkruanin për të dhe “bashkë me Lessing, Kant dhe Beethhoven janë përfaqësuesit e fundit të gjenisë gjermane”, fat të jesh pranë tij, thoshin.

Ula kryet, nuk e vështroja dot. Pashë nga këmbët që Papa i Nderit tani mbante sandale murgu. Ne të tjerët ishim me këpucë të zeza.

Eda kërkoi leje për të bërë ndonjë foto. Imzot Gänswein u tregua i gatshëm, e mori ai aparatin. Pas nesh ishte muri i mbushur me bimë kacavjerrëse. Më shkrepi t’i kërkoj Papës një autograf mbi librin e tij “Deus Caritas Est”… Më dridhen duart, tha shenjtërisht, kur të shkoj në shtëpi do ta shkruaj…

Dhe do na e dërgonin bashkë me librin e tij më të fundit “Ultime conversazioni” dhe me dy kartolina brenda. Ja ç’kishte shkruar: “Con la mia benedizione. Benedetto XVI”. Po dhe atje në kopshtet parajsore të Vatikanit u lut për mbrojtjen tonë. Amen!

Në ballinën e pasme të librit më tërhoqi citati i tij: “Kurrë nuk e kam përftuar pushtetin si një pozicion force, por gjithnjë si përgjegjësi, si një detyrë të rëndës e të vështirë. Një detyrë që të shtrëngon çdo ditë  dhe të kërkon: a ishe në atë lartësi?”

Dhe tërheqja e Tij ishte po në atë lartësi, gjest historik për një papë, që ndryshoi rrënjësisht “ministrimin pjetrin” duke rifutur, krahas dimesionit njerëzor, edhe atë spiritual të origjinave. Iki se jam lodhur, të vijë ai që mund të bëjë më shumë. Dhe Papa i Nderit na mëson se nuk mund të japësh dorëheqjen në ditë të vështira e krizash, që t’u shmanesh detyrave, jo, por mund të ikësh, kur gjendjen e lë mirë që të bëhet më e mirë.

Shikoja nga Papa dhe mbushesha me një lloj përdëllimi të tjetërsojtë, të ngjashëm me ato kur je para një kryqi të bukur. Vetmia e tij, pa vetmi. Kam Zotin, thotë. I mbyllur pa mbyllje. Është bota që s’e lë. Herë pas here i shkon pasardhësi, Papa Françesku, përqafohen, shkëlqejnë dhe kokë më kokë një Zot e di se ç’bisedojë, për një jetë pa luftra e uri, por të begatë të mbarë njerëzimit, me paqe, dashuri e hirin e Hyut. Dhe përkushtimi i tyre, siperan e i përulur, është dritë shpresëdhënëse, udhërrëfyese.

Kishim parë në Pallatin Papal në Castel Gandolfo, në muzeun vatikanas divanin ku rrinin dy papët. Janë të shenjta miqësia, bashkëpunimi e vazhdimi. Fjala ka nevojë për frymëzim, thotë Ratzinger. Dhe Vepra e tij vlerësohet si themel në doktrinën e besimit për mijëvjeçarin e tretë.

Shkronjat në autografin e Tij e jepin dridhjen, që jo, nuk ishte vetëm e dorës. Gishtrinjtë e bardhë, të hollë e të gjatë të tij më ishin dukur sikur pikonin muzikë. Na kishin thënë të njohur se ai është dhe pianist i shkëlqyer, i apasionuar pas Mozartit.

Dhe po ata na kishin treguar gjatë një darke në Selinë e Shenjtë një thënie të Papës së Nderit, lakonike, përmbledhëse, se, kur kishte rënë njëherë fjala që dhe vëllai i tij, klerik dhe ai, i binte pianos a ndokush tjetër, s’kishte rëndësi dhe Ratzinger ishte përgjigjur: “Po, ashtu i duket”, – dhe kishin buzëqeshur përreth,

Më bëri përshtypje, merrte më forcë qortuese se kishte dalë nga goja e atij që njihet si “bashkëpunëtor i të vërtetës”, guximtar i fjalës. Dukja sot është bërë një dukuri e padurueshme, po mendoja. Ashtu na duket, kjo është çështja. Sa shumë pësohet nga ata njerëz, qofshin dhe vëllezër apo dhe vetja, që u duket sikur dinë të bëjnë atë që pikërisht nuk munden, veç e tjetërsojnë dhe bëhen shkak prapsish të rënda, jo veç në arte e letërsi, por dhe në veprimtari të ndryshme shoqërore e politikë duke i kthyer ato shpesh në të kundër të vetvetes, fare brutalisht.

Poezia në kryq, m’u fanit, si Krishti, me dy hajdutë anash dhe turma që bërtiste: kryqëzojeni!… dhe këtë bërtimë ta quash poezi? Kjo po bëhet…

Po më vinte rëndë që e kapa veten duke përsiatur kësisojshëm, kur isha kaq pranë së shenjtës, me një Papë që dhe tërheqjen e kishte bërë shenjtërisht dhe që po më dukej se më shumë se sa toka, tani po e ndillte Qielli i pafund. Ai Qiell ku ne kishim sytë, sepse të rënë në tragjedinë tonë si në një hum(b)nerë, vetëm lart mund të shikonim…

Dhe ne nuk duruam pa e përqafuar Lartësinë e Tij të Shenjtë. Si për ta mbajtur sa më shumë pranë vetes. Kështu dhe Ai, na u duk. Pastaj, po kaq njëlloj, dhe me Imzot Gänswein. Mirënjohës, i mërmëritëm,  që na i dha këtë mundësi, të një takimi që ndoshta vetëm një herë në jetë na ndodh.

Pastaj erdhi një makinë e bardhë, e xhamtë. Papa Mobile. Qerre moderne e apostujve, e vikarit të madh. Ndali pranë nesh. Papën Ratzinger e ndihmoi për të hipur në të Imzot Gänswein. Dhe askush tjetër. Ne s’guxuam të lëviznin, por zgjatëm krahë të padukshëm dëshirash.

Papa vështroi nga ne qiellërisht. Kryqi i argjendë mbi gjoksin e pakët vezulloi sërisht si në fillim. Na e bëri me dorë, ndërsa Monsinjori buzëqeshte. Aq tërësore ishte ajo buzëqeshje, sa dukej sikur shkonte dhe te gjërat përreth.

Makina e bardhë zbriti pa u ndjerë në rrugën me drurët e lartë cedër anash dhe mori për nga Manastiri “Mater Ecclesiae”, mes blerimeve, ku banonte Papa. Zhurma e lehtë e një porte do të ishte e fundit. Dhe dielli gjithë urtësi të perëndishme treti nga ana tjetër e qiellit, ku nuk shihej, nga rifillonte një botë e dimensioneve të tjera, mbase ajo e amshueshmërisë.

Po kërkonim nëpër Qiell se mos pikasnim ndonjë flatër, atë të djalit tonë, që na paraprinte. Kishim mbetur ashtu në këmbë, të mahnitur. S’di se sa kohë, deri më tani…

Filed Under: Featured Tagged With: ne Kopshtet e Vatikanit, Prane Papes se Nderit, Visar Zhiti

SOT- DEBAT NE VATER: DEMOKRACIA NUK PRET

April 16, 2018 by dgreca

2 ElezBiberaj

TE PRANISHEM DR. ELEZ BIBERAJ DHE GAZETARI FRANK SHKRELI, AUTOR I LIBRIT”DEMOKRACIA NUK PRET”-/

1 ok Frank shkreli

Njoftohet komuniteti Shqiptar se të Shtunën, dt. 21 Prill 2018, Ora 11.00, në selinë e Vatrës, organizohet bashkëbisedimi “DEMOKRACIA NUK PRET”. I pranishëm autori i librit “DEMOKRACIA NUK PRET” , ish drejtori i Divizionit të Euro-Azisë në “Zërin e Amerikës”, z. Frank SHKRELI, folës: Drejtor aktual i Divizionit të Euro-Azisë të Zërit të Amerikës Dr. Elez Biberaj, Ish gazetari  i Zërit të Amerikës  Idriz Lamaj.  Seanca drejtohet nga Kryetari i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra, z. Dritan Mishto dhe nga Kryeredaktroi i gazetës Dielli, z. Dalip Greca.

Përshëndetje të veçanta me këtë rast nga Prof. Sami Repishti, Profesor Nick Pano, Profesor Thanas Gjika dhe Akademik Jusuf Buxhovi, ndër të tjerë.  Pritet të marrë pjesë edhe Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Dr. Halim Kosova.

Nuk është thjesht një promovim, por një bashkëbisedim për fatet e Demokracisë Shqiptare dhe kontributin e Diaspores.  Bëhuni pjesë e debatit duke ardhur në këtë veprimtari të veçantë.  E para e këtij lloji.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Demo0kracia nuk pret, Dr. Elez Biberaj, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT