• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2018

KRISTO KIRKA, BASHKETHEMELUSI I VATRES U SHUA ME 28 PRILL

April 28, 2018 by dgreca

Kristo Kirka, Bashkëthemeluesi i VATRËS, u shua në Burrel me 28 Prill/

1-Kirka-Konsull

NGA URAN BUTKA/Ne foto: Kristo Kirka, Konsulli i Shqiperise ne Nju Jork/
Kristo Kirka(1883-1955), patrioti shqiptar, një nga themeluesit e Federates “Vatra” në SHBA, bashkëpunëtor i Nolit e Konicës, deputet i Parlamentit shqiptar (1921-1924), konsull në Nju Jork, zv.prefekt i Bilishtit, kryetar i Bashkisë së Korçës, më pas nënprefekt i Korçës, gjatë pushtimit fashist e nazist, nacionalist, i cili nuk pranoi të bashkëpunonte me komunistët dhe të vihej në krye të Frontit Demokratik, u shua ne burgun e Burrelit. Në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me 20 vjet burgim. Vdiq pasi kishte kryer 10 syresh në Burgun e Burrelit në moshën 72-vjeçare. Nuk dihet se ku i prehen eshtrat. Ndërkaq, i biri 19-vjeçar u dënua me 8 vjet burg, ndërsa gruaja e vajzat u persekutuan.

GJYQI

Kristo Kirkën e gjykoi dhe e dënoi Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 17.12.1946, me trup gjykues kryetar Gjon Banushi, major, ish-partizan dhe prokuror ushtarak, kapiten Petrit Hakani, i njohur për egërsinë dhe dënimet ekstreme politike të qytetarëve në të gjithë Shqipërinë. Kristo Kirka u përfshi në një gjyq politik bashkë me të pandehur që s’i kishte parë e njohur kurrë: Fatbardh Kupin, i biri i Abaz Kupit, Dule Kuke, bujk, Nuredin Koxhej, bujk, Ded Gjon Marku, i biri i Gjon Markagjonit, Skënder Dine, i biri i Fiqri Dines, Nikolla Mole, komisioner, Loro Kubini, ish-oficer, nako Labi, tregar, teki Mezini, ish-partizan, Abdulla Ceka, Bujk, Rexhep Ceka, Bujk.
Organi i akuzës kishte hartuar një akuzë në terma të përgjithshme për 12 të pandehurit, të cilët nuk i lidhte asnjë veprimtari apo kontakt me njëri-tjetrin. Ndërsa akuza e veçantë për Kristo Kirkën, si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit”, përpiluar nga prokurori ushtarak Petrit Hakani, ngrihej mbi tri “faje të rënda” të Kristo Kirkës, që Gjykata i mori si të mirëqena: “I pandehuri Kristaq Kirka, gjatë kohës së okupacionit fashist ka qenë si nënprefekt në Bilisht dhe ka raportuar nëpunësa me rastin e largimit të tyre nga okupacioni fashist, ka shtypur popullin tue e akuzue përpara autoriteteve fashiste, me rastin e luftës italo-greke. Me qenë se i pandehuri më vonë është emëruar kryetar i Bashkisë Korçë, tue mbajtë nji qëndrim antipopullor dhe antikombëtar dhe në interes të fashizmit, veprimtaria e të cilit provohet me nji varg shkresash që ndodhen në dosjen e tij përkatëse… Mbas kapitullimit të Italisë dhe me okupimin e Shqipërisë prej nazizmit, i pandehuri merr pjesë në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, duke u bërë anëtar i Komitetit qarkor dhe më vonë emërohet zv.prefekt i Korçës. I pandehuri, me anë demagogjie, ka gabuar njerëz duke i futur në radhët e kësaj organizate… Mbas çlirimit të Shqipërisë, me rastin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, i pandehuri, duke qenë në lidhje me Kol Rodhet etj. Dhe të gjithë së bashku në lidhje me reaksionin e jashtëm janë munduar për të sabotuar zgjedhjet për të përmbysur pushtetin popullore me ndërhyrjen e jashtme”.
Gjykata Ushtarake e dënoi Kristo Kirkën, më 17.12.1946, me 20 vjet burgimi. Nuk kishte rëndësi për Gjykatën nëse ishin apo jo të vërteta akuzat, nëse pranoheshin apo jo nga të pandehurit. Rëndësi kishte që ata të dënoheshin si armiq dhe, në emër të popullit, të mbushnin burgjet e kampet e përqendrimit të punës së pranguar si dhe t’u sekuestroheshin pasuritë. Natyrisht Kristo Kirka i kundërshtoi dhe i rrëzoi akuzat e pathemelta në ngarkim të tij dhe pranoi me sinqeritetin që e karakterizonte, veprime apo lidhje shoqërore reale, edhe pse mund ta dëmtonin. Në gjyqin e inskenuar dhe të zhvilluar vetëm në një seancë të shkurtër formale, Kristo Kirka mbajti qëndrim dinjitoz. Në fjalën e fundit, sinqerisht, sepse thoshte të vërtetën, por edhe njerëzisht, sepse i dhimbsej jeta tha: “Në jetën time nuk kam bërë ndonjë send për kundra popullit. Kërkoj nga trupi gjykues mëshirë dhe të vendosë me një ndërgjegje të pastër”. Familja Kirka dhe Harizi ishin të shqetësuara për fatin e Kristos. Por, edhe miqtë dhe bashkëluftëtarët e tij, brenda e jashtë Shqipërisë. Djali i Petro Harizit, Dhimitri, emigrant në SHBA, i shkroi Fan S. Nolit nga Worcester-i për të ndërmjetësuar pranë qeverisë shqiptare që ta shpëtonte mikun e tij të ngushtë. Natyrisht, nuk mund t’i shkruanin pjesëtarët e familjes Kirka nga Shqipëria, sepse letrat e tyre censuroheshin nga regjimi dhe nuk shkonin në destinacion. Fan S. Noli u interesua menjëherë pranë qeverisë shqiptare dhe i ktheu këtë përgjigje me telegram Dh. Harizit: I dashur Tako: Sipas letrës suaj, shkrova menjëherë atje ku duhet për çështjen e Zotit Kirka. Kam shpresë që lutja ime t’i hynjë në punë dhe t’ia lehtësonjë gjendjen. Me bekimin prej zemre, mbetem Uronjësi juaj me Krishtin Pshkop F.S. Noli Të bën përshtypje përdorimi nga Noli i emrit të shkurtuar Tako, siç i thërrisnin Dhimitrit në familje, gjë që tregon për marrëdhëniet intime të tij me familjet Kirka dhe Harizi. Por, as letra e Nolit nuk ndryshoi gjë në atë sistem të paarsyeshëm e të pandjeshëm. Kristoja u kthye nga një njeri, në një numër në Burgun e Tiranës, mandej në atë të Burrelit. Një muaj pas arrestimit të tij, i vunë hekurat të birit.

VDEKJA E KRISTO KIRKES

Katerina, vajza e dytë e Kristos, e përjetoi e para vdekjen e babait. “Ishte fundi i muajit prill 1955. Babai kishte tashmë 10 vjet në burg. Mamaja kishte disa javë që na thoshte se qeveria do të bënte me siguri një falje të përgjithshme dhe ta lironin babanë. Bile, e kishte parë edhe në ëndërr dhe i ishte mbushur mendja se lirimi i babait ishte punë ditësh. Në mëngjesin e 27 prillit, u ngrita herët, sepse e kisha unë radhën për të shkuar në Burrel. “Ushqimet mos i merr prapa, me qenë se ai do të lirohet, por jepja të burgosurve të tjerë”, më porositi nëna. U nisa bashkë me nënën e Gjergj Kokoshit. Arritëm me shumë peripeci e mundime në Burrel, por ishim mësuar. E kush i tregon ato! Menjëherë shkuam te burgu. Te porta e hekurt takuam zonjën Ikbale Prodani dhe zotin Xhelal Koprencka, që kishin ardhur të takonin Sami Koprenckën, mikun e babait. Samiu vuante në burg, ndërkohë që edhe të birin, Xhelalin, më vonë e burgosën dhe pasi e ridënuan pesë herë, e pushkatuan. Donin t’i zhduknin gjithë brezat e nacionalistëve, siç ndodhi edhe me familjen tonë… U futëm tek oborri i jashtëm. Tek një vendroje, vizitorët thoshin emrin e të burgosurit dhe dorëzonin ushqimet. Kur erdhi radha ime, gardiani më tha se nuk mund t’i mbante ushqimet, sepse im atë ishte shumë i sëmurë dhe ushqimet nuk i bënin fajde. Unë këmbëngula që t’i pranonte ushqimet se babai do të bëhej mirë, por gardiani nuk ma zgjati. Iu luta që të më linte ta takoja, por ai nuk më dëgjonte më dhe merrej me të tjerët. I lashë ushqimet atje dhe u ktheva e dëshpëruar sa më s’ka. Rastësisht pashë drejtorin e burgut, i veshur ushtarak dhe me çizme të gjata të lustruara. U binte çizmeve me një kamxhik të zi dhe bënte shëtitje nëpër oborr. Emri nuk më kujtohet, por sjellja e tij dhe torturat çnjerëzore kundrejt të burgosurve e kishin bërë të famshëm. Megjithatë, mora guximin dhe iu afrova. “Shoku drejtor, jam e bija e Kristo Kirkës, i thashë. Gardiani më thotë se është i sëmurë dhe nuk mund ta takoj. Të lutem, më lejo ta shoh e t’i them dy fjalë të fundit, se ndoshta nuk e shoh më!”. Ai ngriti kokën dhe këqyri me një vështrim të padeshifrueshëm, që edhe sot e kam të ngulitur në tru. Më përshkoi një drithërimë e akullt. Nuk do të më lejojë, mendova hidhur. Ai u kthye nga rojet dhe tha: “Lëreni!” Desha ta falënderoja, po s’kisha pikë fuqie, më ishte tharë goja dhe më ishte mpirë mendja. Vetëm eca e përhumbur pas rojeve. U hap një derë dhe hyra në oborrin e dytë. U çel dhe dera tjetër, nëpërmjet së cilës hyhej brenda në burg. Atje pashë Nesti Orolloganë, kushëririn e mamasë dhe Andon Frashërin, mikun e babait, që bënë të më afroheshin për të më thënë diçka, por rojet i shtynë tutje. Babanë e kishin shtrirë në një krevat druri në infermieri. I kishte rënë një nur i bukur. Dukej sikur më priste. Baba, jam Rina, i thashë me zë të dridhur, po ai nuk m’u përgjigj. Baba, baba, e shkunda, po ai nuk reagoi. Iu hodha përsipër, e putha, e lava me lot. Ai ishte gjallë, ndoshta më dëgjonte, ndoshta kërkonte ndihmë. Dhe unë e shkreta s’i jepja dot asgjë! Në infermieri nuk kishte asnjë njeri, veç rojës që heshtte. Dola te dera, pas së cilës ishin mbledhur disa të burgosur. Dallova Mihal Zallarin. Ku është doktori?, pyeta. A ka doktor këtu? Ai uli kokën dhe nuk m’u përgjigj. Atëherë dola nga burgu, me mendimin që të gjeja ndonjë mjek në qytet. Në ambulancën e qytetit gjeta doktor Bakallin. E pyeta se ç’kishte babai dhe ç’ilaçe duheshin. Është në gjendje kome, më tha dhe u mundua të më mbushte mendjen se do ta kapërcente edhe këtë herë. Vrapova për tek axhensia e kamionëve dhe atje gjeta nënën e Gjergj Kokoshit, që po kthehej për në Tiranë, edhe ajo tejet e mërzitur, se Gjergji ishte tuberkuloz në gradë të fundit, megjithatë e mbanin në një birucë të mbushur me ujë. I dhashë një letër për Nikon, ku i shkruaja “Babai është shumë sëmurë. Të niset mamaja me ilaçet”. Atë natë nuk vura gjumë në sy. I kisha humbur shpresat. Mendimi se në Burgun e Burrelit i futin njerëzit për t’i vdekur, nuk më hiqej nga koka. Të nesërmen, më 28 prill, pa gdhirë ende, shkova tek burgu për të pyetur, po s’ma hapi njeri derën. Kur erdhi ora e takimit, roja më dha lajmin e kobshëm se babi kishte ndërruar jetë. E mblodha veten dhe kërkova të më dorëzohej trupi. Një oficer më tha se trupi mund të merrej kur të mbushej afati i dënimit, domethënë pas 11 vjetësh të tjerë! I ktheva shpinën dhe ika nga sytë këmbët. Me zonjën Prodani dhe Xhelal Koprenckën, hipëm mbi një kamion për t’u kthyer. Rrugës, afër Milotit, ku kishim ndaluar, pashë nënën mbi një kamion tjetër, që shkonte për në Burrel. I thirra me sa fuqi që kisha dhe kamioni u ndal. Shkova për atje përhumbshëm. Ajo e kuptoi menjëherë se ç’kishte ndodhur. U zumë në grykë me njëra-tjetrën dhe u shkrimë në vaj. “Nuk i gëzove fëmijët”, i thoshte ajo përmes ngashërimës. Pas 40 ditësh u kthyem sërish në Burrel, për të parë vendin ku e kishin varrosur dhe për t’i vënë një tufë me lule. Por rojet na sorollatën dhe më në fund na treguan një vend me shkurre tek Qershiza, ku kishte vetëm kocka… Edhe sot nuk e dimë se ku i ka eshtrat(Marrë nga Monografia”Kristo Kirka” Lauruar me cmimin”Penda e Argjendët)

ELEGJIA

Ish bashkevuajtesi i tij, poeti Arshi Pipa, i tronditur nga vdekja tragjike e rilindasit shqiptar i kushtoielegjine Kristo Kirkes:

Vdiq flamurtari i moçem!
Si rrojti vdiq me nder,
I paster, i devoçem
E pa u perkule njehere

Nder qela u sos t’Burrelit
me dhunen e tradhetarit,
me njolln’ e kriminelit
mbi ballin e atdhetarit

Nuk foli, nuk mallkoi.
Por kur ra fjala ju pre,
Ndigjuem qysh lehte ankoi:
“Per flamur!… Per atdhe!”

Filed Under: Featured Tagged With: bashkethemelusi i Vatres, Kristo Kirka, u stua me 28 Prill

VATRA E SHQIPTAREVE TE AMERIKES MBUSHI 106 VJET

April 28, 2018 by dgreca

1 Themeluesit-e-Vatres28 PRILL 1912- 28 PRILL 2018- GEZUAR 106 VJETORIN E LINDJES FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA”!/1 Komisioni Themelues28 Prill 2018, mbushen 106 vjet nga Dita e Lindjes e VATRES Shqiptare te Amerikes. Vatrane:GEZUAR DITELINDJEN E VATRES!/

1 Themelusit

REZERVONI DATEN- Me 1 QERSHOR 2018 do te Organizohet mbremje e madhe festive kishtuar DITELINDJES SE VATRES ne MARINA DEL RAY RESTAURANT…/16.1marinadelrey-web

Bashkekombas le ta gezojme se bashku Diten e  Shenjte qe i bashkoi shqiptaret e Amerikes ne Vatren historike, e cila mbajti mbi supet shtetin e munguar Shqiptar, qe nga vitet 1912 e deri me 1920 dhe me pas do te ishte serish nej avokate e interesave shqiptare ne SHBA. 106 Vjet ne sherbim te Kombit Shqiptar. Le te krenohemi me Vatren e Shqiptareve te Amerikes, e cila ne 106 vitet e saj e ndjene veten sherbetore te Kombitne Shtetin me te Fuqishem te Botes, SHBA.

Vatra krenohet sot me shume pune te  medha Kombetare qe i kryen vatranet ne kohet me kritike:

  • I parapriu Pavaresise se Shqiperise dhe orientoi Kuvendin e Vlores qe te shihte nga Perendimi.
  • Krijoi Trupat VULLNETARE te Mbrojtjes me 1915, i sterviti per 5 vite,dhe me 1920 i dergoi ne Shqiperi, ku djemte e Vatres i dolen per zot Atdheut, stabilizuan kufijte jugore dhe u bene pjese e Luftes se Vlores. Ata u bene pjese e Gardes Kombetare, packa se Komandantin qe i sterviti ne SHBA dhe i udhehoqi ne Shqiperi, Aqif Permetin, e pushkatuan. Pse? La Ameriken qe t’i sherbente Atdheut.
  • VATRA, krijoi qe me 1915 Banden Muzikore te saj, qe njihet si “BANDA KOMBETARE E VATRES” e cila ne Shkurt 1920 shkoi ne Shqiperi dhe ngriti frymen Kombetare me koncertet neper Shqiperi. Banda e Vatres u be pjese e Luftes se Vlores dhe Hymni i asaj Lufte heroike ka per kompozitor dirigjentineBandes se Vatres, Thoma Nasi.
  • Vatra organizoi me 3 Qershor 1917 Fushaten e madhe te ndihmave”Te shpetojme Shqiperine”, ku u mblodhen 150 mije dollare(nje punetor merrte ne ato kohe 5-7 dollare ne jave), jane miliona dollare me kursin e Keto para u perdoren per te lobuar per Pavaresine e Shqiperise, pavaresi qe e kishim humbur gjate Luftes se Pare Boterore.
  • VATRA-Nderhyri prane Presidentit Wilson, qe te shpetonte Pavaresine e Shqiperise. Fan s Noli e takoi Presidentin amerikan me 4 Korrik 1918, tek beheshin homazhet tek varri i Presidentit George Washington, dhe iu Lut, qe te mbronte pavaresine e Kombit me te vjeter ne Ballkan, trojet e te cilit ishin uzurpuar nga fqinjet.
  • Vatra organizoi sherbimin e munguar diplomatik ne mungese te shtetit shqiptar: Emeroi delegatet e saj neper Europe dhe SHBA, duke i paguar ata me rroga permes fushatave qe thirreshin”Dita e Delegatit”. Delegatet vepronin ne Kryeqytetet e Fuqive te Medha: Londer, Paris, Washington, Gjeneve etj. Kryedelegati Mehmet Konica paguhej me 1,600 farnga ne muaj. Delegatet diplomatik te Vatres sensibilzuan shtetet e medha qe te njihnin pavaresine e humbur.
  • Vatra organizoi nje Fushate te madhe financiare me 1920 -1922, ajo qe thirret Huaja e Pare e Shtetit Shqiptar, patriotin Mithat Frasheri, te deleguarin e Qeverise qe doli nga Kongresi Lushnjes, te kryesuar nga Sulejman Delvina, dhe arriti t’i siguronte shtetit shqiptare 198 mije dollare.
  • Vatra shtypi per nevojate shtetit , zyrave, shkollave me shume se 120 mije libra qe i dergoi ne Shqiperi.
  • Vatra i qendroi me stoicizem per gati nje gjysem shekulli luftes se ashper qe bene kunder saj Tirana dhe Beogradi.
  • Ne Netor 1969, ne pervjetorin e 60-te gazetes se Saj”Dielli” Vatra” organizoi bashkimin e Diaspores shqiptare te Amerikes dhe asaj te Arberesheve te Italise. Ne ate veprimtari 10 ditore, Vatra u tregoi amerikaneve se kush ishin shqiptaret, cila ishte kultura dhe trashegimia e tyre: Konferenca, ekspozita, Mesha te perbashketa per te gjithe besimet, nje parade e madhe me 5 mije veta ne Manhattan, etj…
  • Vatra, sot Vatra, duke ringritur deget e saj ne shume shtete te Amerikes se Veriu dhe Kanada si dhe duke organizuar”Miqte e Vatres” ne trojet Kombetare, vazhdon te jete ne sherbim te Kombit ne shekullin e dyte te jetes se saj dhe mbane gjalle traditat, kulturen Kombetare, gjuhen, Historine dhe gjithcka shqiptare.
  • VATRA ESHTE VLERE KOMBETARE-TA RUAJME!

GEZUAR DITELINDJEN VATER SHQIPTARE NE AMERIKE!

Filed Under: Featured Tagged With: 106 Vjet, ditelindja, Vatra

Haradinaj: Në Mejë na ruajnë varret dhe gjaku i martirëve

April 28, 2018 by dgreca

Kryeministri Haradinaj: Në Mejë na ruajnë varret dhe gjaku i martirëve, të cilët janë nderi ynë!

Prishtinë, 27 prill 2018/

Në Mejë na ruajnë varret dhe gjaku i martirëve, të cilët janë nderi ynë. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në Tubimin Qendror Përkujtimor në Kompleksin Memorial në Mejë i organizuar nën patronatin e Kryeministrit Haradinaj. 

Kryeministri Haradinaj bëri edhe homazhe në nderim të viktimave të Mejës duke vënë kurora lulesh. Duke kujtuar dhe shprehur ndjenjën e posaçme për Mejën, kryeministri Haradinaj tha se do të kujdeset që ky Kompleks, që është nderi i shqiptarëve, të na nderojë edhe në mënyrën se si do t’i tregohet vetes dhe botës për të vërtetën tonë, sakrificën dhe çmimin tonë për liri.Kryeministri tha se mund ta kthejmë në dritë këtë dhimbje, nëse do të dinim t’i tregonim botës rrugën tonë deri në liri dhe kujt i takojmë.“Kosova e ka fatin e madh dhe ky vend e dëshmon që ne dëshirojmë t’i takojmë popujve të lirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ne jemi rreshtuar për t’i takuar botës së mençur dhe popujve euroatlantik.Kryeministri më tutje theksoi se popujt e lirë kanë ditur të vendosin demokraci të mirëfilltë dhe respektuar të drejtat e njeriut.“Ne jemi në nisje dhe nisjet janë të rënda, por ne nuk lëkundemi në përcaktimin tonë euroatlantik”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Evropa s’ka pse të vonohet për të na pranuar edhe ne në familje, sepse Kosova është bërë shtet vonë, por ekziston mijëra vjet më parë.Kryeministri Haradinaj tha se Kosova duhet të njihet nga vendet që ende se kanë njohur dhe nga fqinjët e saj, të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB.Kryeministri poashtu tha se duhet synuar krijimin e një shoqërie me vlerë të re, në ekonomi, arsim dhe shumë fusha tjera.Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se sot, kur kujtojmë këta martirë, do të bëjmë të pamundurën që në 20 vjetorin e masakrës së Mejës, masakrës më të madhe në Kosovë, ky memorial të jetë i përfunduar.Ky tubim u organizuar në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës, në kuadër të ‘Javës për Personat e Pagjetur’.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, gjaku i martireve, Haradinaj, Meje

Shkup-Presidenti i Kosovës: Anëtarësimi në BE, siguron paqe afatgjate në rajon

April 28, 2018 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e liderëve rajonalë në Shkup: Ky Samit dërgon mesazh te të gjithë se rajoni ynë ka ndryshuar dhe se është shembull i zhvillimeve pozitive, duke përmendur organizimin e shumë takimeve rajonale në këta muajt e fundit/

SHKUP, 27 Prill 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në takimin e liderëve rajonalë,  i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të procesit të “Bërdo-Brione”. Në këtë Samit kanë marr pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donalt Tusk dhe kryeministri bullgar, Boyko Borissov, shteti i së cilit kryeson me presidencës e BE-së.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka thënë se ky Samit dërgon mesazh te të gjithë se rajoni ynë ka ndryshuar dhe se është shembull i zhvillimeve pozitive, duke përmendur organizimin e shumë takimeve rajonale në këta muajt e fundit.“Të gjitha këto takime kanë bërë të qartë për të gjithë që sot, vendet e Ballkanit, komunikojnë, bisedojnë, dialogojnë, me njëra-tjetrën si mjet për të zgjedhur çështjet e hapura që kemi. Por edhe si mjet për të artikuluar qartë aspiratat tona për të ardhmen tonë”, ka theksuar ai.

Kreu i shtetit ka thënë se “Bërdo-Brione” ka shërbyer si një inkubator nga i cili kanë dalë shumë ide e nisma që pastaj kanë marrë forma të bashkëpunimit rajonal e më gjerë.“Mbi të gjitha, këtu është konfirmuar nga të gjithë se aspiratë e jona e përbashkët është anëtarësimi i vendeve tona në Bashkimin Evropian. Ky anëtarësim do të thotë përcaktim për paqe të qëndrueshme, për stabilitet, për zhvillim, për prosperitet për të gjithë qytetarët tonë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Sipas tij, të gjithë e kanë mirëpritur Strategjinë e Komisionit Evropian, e cila 15 vite pas Samitit të Selanikut, përsëri ri-konfirmon qartë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë derën e hapur për t’u anëtarësuar në BE.“Samiti i Sofjes, i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ka karakter historik dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë ne” ka theksuar ai.Presidenti Thaçi ka shtuar se nga ky samit duhet të nxjerrim maksimumin e mundshëm, si në çështjet që ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, energjisë, ndërlidhshmërisë, digjitalizimit, bashkëpunimit të të rinjve, në arsim, etj.“Mbi të gjitha, ne duhet t’ua bëjmë të qartë shteteve anëtare të BE-së se ne si shtete kandidate dhe aspirantë për anëtarësim në BE, jemi të gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke shtuar se tani duhet shfrytëzuar me kujdes dhe pa humbur kohë këtë momentum pozitiv të krijuar.Sipas tij, nëse ne dhe BE vonohemi, atëherë të tjerë të cilët nuk kanë agjenda pozitive për rajonin, do të shtojnë ndikimin në rajonin tonë.Presidenti Thaçi ka theksuar se në Kosovë jemi të përkushtuar që t’i kryejmë detyrat tona. “Më lejoni të theksoj se ndër sukseset e fundit tona ka qenë ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E arritura kryesore e kësaj marrëveshjeje është se zgjidhjen e kemi gjetur Kosova dhe Mali i Zi në mes nesh, pa ndërmjetësim të ndonjë pale të tretë”, ka shtuar Presidenti.Kreu i shtetit ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.Presidenti Thaçi ka ripërsëritur se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut. “Ne jemi të gatshëm ta mbyllim kapitullin e mosmarrëveshjeve, armiqësive, konfliktit, dhe të hapim kapitullin e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe pajtimit”, ka shtuar i pari i vendit. Duke folur për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, presidenti Thaçi ka thënë se javë më parë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë funksionalizuar Ekipin Menaxhues, i cili është kompetent për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.“Hartimi i statutit pritet të përfundojë brenda 4 muajve, siç është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit. Themelimi i Asociacionit nënkupton zbatim nga ana e Kosovës të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ne shpresojmë që një gjë e tillë do të inkurajojë edhe Serbinë që të zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet”, ka shtuar ai.Presidenti ka mirëpritur deklaratën e përbashkët që do të lëshohet nga ky samit, e që sipas tij, Deklarata përmbledh më së miri vendosmërinë dhe aspiratën tonë.“Për më tepër, deklarata e bën të qartë se kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, si shtete dhe si rajon. Kërkojmë që këta hapa të marrin mirënjohjen tonë por edhe të botës, në veçanti të Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ai.Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e Brukselit që të pranojë atë që e kemi thënë sa herë në këtë forum, se Bashkimi Europian do të jetë i plotë vetëm kur tërë shtetet e Europës Juglindore të jenë pjesë e këtij komuniteti.Në kuadër të këtij Samiti, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me homolog të tij nga rajoni dhe shtetet të BE-së./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Presidenti Thaçi, Shkup

E KUQJA E BORËS-ILIR LEVONJA

April 28, 2018 by dgreca

1 kujtim Hajdari“E KUQJA E BORES”- Pasqyrimi i një gjëndje kaotike të vendit/

Nga Kujtim Hajdari/

Duke lexuar romanin e shkrimtarit Ilir Levonja “ E KUQJA E BORËS” nuk ka si të mos vesh re bukurinë e një vepre të punuar me kujdes e me art. Është ndërtuar me një subjekt të rrjedhshëm pa shumë linja e ndërthurje të ndërlikuara, që e bën romanin të lexohet me ëndje e të ndiqen ngjarjet e personazhet e veprës me një kënaqësi gjatë gjithë faqeve të tij.

Të lë përshtypje të thellë zgjedhja e materialit jetësor të kohës  dhe përshtatja e tij në këtë vepër letrare-artistike me një forcë të madhe përgjithësuese. Kjo mjeshtëri është skalitur tek autori nga përvoja e tij e gjatë në fushën e letërsise. Ai vjen në këtë roman pas disa vëllimeve poetike, pas disa vëllimeve me tregime, pas vëllimit me ese  dhe pas dy romaneve  të tjerë para këtij. Kjo sigurisht i ka dhënë aftësinë të punojë çdo skenë, çdo situatë, çdo ambient të romanit me daltë në dorë dhe me kujdesin e një artisti të afirmuar. Veç kësaj shumë ngjarje, ka shumë mundësi të jenë përjetuar nga vet autori i cili në atë kohë ka kaluar rininë  e tij dhe ka qënë personazh aktiv i asaj shoqërie  dhe kjo e ka bërë të qëmtojë nga jeta ato materiale të nevojsheme e të mjaftuesheme për të paraqitur sa më mirë problemet e asaj kohe e për të realizuar idetë dhe mesazhet e bukura që na ka dhënë në roman.

Të josh me bukurinë e saj në veper  gjuha e zgjedhur, frazat e përpunuara me kujdes, ndërtimet e bukura sintaksore, përshkrimet me plot gjallëri të ambienteve të ndryshme, analiza psikologjike që u bën personazheve duke gdhendur figura që të mbesin në kujtesë.  Përshkrimet janë të shumta, plot ngjyra e figuracion të bukur letrar.  Dialogjet i gjen herë të shkurtër e herë të gjatë në roman, sipas situatave që ka dhënë, por gjithnjë janë shumë shprehës e  me një leksik të zgjedhur e herë-herë të hijeshuar me zhargonin popullor që  ja rrisin akoma më shumë vlerat veprës se e bëjnë atë më tërheqëse e më të këndshme për lexuesin

Në roman të mahnit ndërthurja e bukur dhe e natyrshme e linjave kryesore të tij: ajo e dashurisë midis të rinjve. Midis Markos dhe vajzat që ai dashuron, Andia, Lura dhe Genta me të cilën përfundon. Linjë që ndërthuret bukur me linjën tjetër atë të jetës së tij sociale dhe ekonomike të kohës, dy linja që shkojnë në harmoni e plotësojnë njëra –tjetrën.

Romani trajton një periudhë të vështirë të kohës, periudha e kaosit të madh politik pas viteve 90,  sidomos jetën e viteve 96 – 97e cila u degradua ndër të tjera edhe nga krijimi e pastaj falimentimi i fondacioneve  që praktikonin depozita me interesa të larta, lojëra që u krijuan nga qarqe politike në atë periudhë në fuqi për të mbledhur paranë  e si pasojë  çuan në rrënim akoma më tej të qytetarëve, një pjesë prej të cilëve mbeti pa shtëpi, pa një qindarkë, dhe herë –herë të mbytur në borxhe.

Në një arenë të tillë historike  shpalosen me një bukuri dhe zhdërvjelltësi artistike ngjarjet e romanit. Në këtë mjedis lindin, lëvizin e krijohen nga një penë e stërvitur në vite personazhe të shumtë me nje individualitet të veçantë e të skalitur, duke shpalosur ngjarje, histori dhe gjithë jetën e asaj kohe me një  realizëm aq të besueshëm saqë ne, që e kemi jetuar atë periudhe na duket  sikur jemi kthyer prapa në histori e po jetojmë sërish ato vite të tmerrshme, kur nuk funksiononte më ligji i qeverisjes, nuk funksiononte shteti. Dhe siç ndodh gati në çdo histori në raste të tilla kaosi, në shoqëri  fillon të veprojë ligji i xhunglës, ligji më i tmerrshëm, më denigrues i figurës së njeriut, ligji më çnjerëzor e më barbar në marrëdhëniet midis njerëzve.

Me ngjarjet e sidomos me kronikat që fut natyrshëm në subjektin e romanit, autori na argumenton qartë fenomenin shkak pasojë. Si rrjedhim i këtij kaosi krijohen banda të ndryshme terroriste që masakrojnë e terrorizojnë qytetin. Arrijne deri atje me mizorine e tyre sa të futen nëpër shtëpi. Të marrin vajzën e ta përdhunojnë  në prani të familjarëve, për inate personale i marrin gruan me forcë e s’i dihet se ç’fat pati,  vrasin në prani të fëmijëve e të gruas burrin,  vrasin për zbavitje Ermirin e guguftuve e plot e plot krime të tjera që solli ajo kohë e ato banda.

Na përshkuan me një realizëm të dhimbshëm,  therës vuajtjet e emigrantve për të mbrritur në Greqi nëpër male e në palcë të dimrit në këmbë. Do të shikojmë të rinj që ecin gjysëm të ngrirë e që mbajnë në krahë, si në legjenda makabre, shokët e vdekur nga ftohti  e vështirësitë e rrugës.

Të bëjnë përshtypje e të lënë mbresa  dy qendrimet e Greqisë me emigrantët tanë, nga njëra anë ushtarët e kufirit dhe policia që silleshin si barbar, si me Markon kur shkon te posta kufitare me shokun e tij Armandin e vdekur e të ngrirë në krahë. Jo vetëm e trajtojnë keq por e rrahin mizorisht saqë kur permendet në spital, në alluçinacionet e zgjimit nga agonia e humbjes së ndjenjave edhe bora i duket e kuqe në gjysëm ëndrrat e përmendjes, edhe ajo kishte marrë ngjyrën e gjakut që derdhën e lanë emigrantët fatkeq në ato rrugë shprese për një të ardhme më të mirë. Skena nga të cilat merr edhe titullin e bukur dhe intrigues romani.

Dhe nga ana tjetër populli i thjeshtë grek ku dukeshin shenjat e mirëkuptimit e të një ndjenje njerëzore që shpesh e shprehnin në marrëdhëniet me emigrantët.

Shkrimtari jep qartë në veprën e tij mungesën e një niveli të lartë, të qualifikuar politik të partive të vendit tonë, sëmundje që vazhdon akoma, e si pasojë sa herë fitonte një parti, në gjithë institucionet social-kulturore të vendit do të kishte shkarkime nga puna dhe vendosja e simpatizantëve të partisë që fitoi. Nuk shikohej kualifikimi dhe pregatitja e kuadrit nga ana profesionale, siç ndodh me personazhin kryesor të romanit, Markon.

Marko është bosht i gjithë romanit, një djalë i ri, intelektual, simpatizant i një partie që aktualisht është në fuqi deri nga fundi i romanit. Nëpërmjet figurës së Markos shkrimtari do t’na çojë në ambiente të ndryshme të atij qyteti ku zhvillohen ngjarjet dhe do t’na vëjë në kontakt me shumë personazhe të tjerë që përfaqesojnë shtresa dhe interesa të ndryshme të shoqërisë.

Marko përfaqëson ate shtresë të rinisë që ëndërronin dhe shpresonin se me ardhjen e demokracisë ngjarjet dhe gjithë jeta e vendit do të merrnin në drejtimin e duhur: të zhvillimit  politik, ekonomik, të forcimit të rendit, të respektimit të dinjitetit të njeriut, të lirisë së tij. Është pikërisht ky brez me këto ëndrra që merr zhgënjimet e para. Shkrimtari shkallë-shkallë na jep deluzionin e të rinjve, që edhe pse kishin dëshirën edhe pse kërkonin t’i impononin vullnetin vetes për të bërë diçka të mirë, për t’i shërbyer mirë shoqërisë detyrohen, nga rrethanat e krijuara, të braktisin çdo gjë; vendin,  prindërit e shumica të mërgojë jashtë.

Rreth Markos paraqiten një sërë personazhezh të tjerë si Leci, kolegu i tij i zyrës, simpatizant i së njëjtës parti por në ndryshim me Markon, Leci nuk lufton për ideale, por kërkon që situatat e krijuara dhe pozitën që ka arritur t’i shfrytëzojë për përfitime  të ngushta personale. Arrin deri atje sa të shes disa herë, me qëllime përfitimi,  pashaportën me vizë të Enjanit, kolegut të zyrës që kishte vdekur. Me Zaken, drejtorin e komunales rregullojnë preventiva të fryrë për punë të ndryshme, për të vjedhur dhe atje. Përfaqëson atë shtresë të re të korrupsionit që fillon të lind në anarshinë e krijuar.

Profesor Enjani dhe profesor Berzati dy figura me karaktere të kundërta; i pari i drejtë e i ndershëm dhe i dyti me sjellje që lënë për të dëshiruar.

Bandat e terrorit  me perfaqësuesit e tyre janë një grup tjetër personazhezh negativ të  krijuara  nga  të rinj me probleme nga e kaluara dhe të trembur nga kaosi apo të shtyrë dhe nga ndjenja për t’u hakmarrë si dhe të rinj me  makutërinë për t’u pasuruar shpejt e shpejt duke vjedhur apo marrë me forcë të tjerëve, japin shenjat e para të një krimi që kërkon të organizohet, ndonëse edhe shpesh bien preh të rivalitetit me njëra –tjetrën.

Në  roman do të gjejmë një galeri të tërë personazhezh që unë nuk po zgjatem, të cilët shkrimtari i ka dhënë me vitalitetin e penës së tij, të gjallë, jetësor e të prekshëm. Nuk ka asgjë ireale, të pakapshme të këtij romani; ata janë njerëzit e përditshëm. Janë kolegët e punës, shokët e lagjes, të afërmit, miqtë, kundërshtarët, ata me të cilët jemi rritur e kemi jetuar.

I bëj pergëzimet e mia të përzemërta shkrimtarit duke i uruar suksese në vepra të reja.

Filed Under: LETERSI Tagged With: E kuala e Bores, Ilir Levonja, Kujtim Hajdari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT