• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

Zhytësat shqiptarë dhe ata amerikanë në një trajnim të përbashkët në Pashaliman

May 17, 2018 by dgreca

Zhytesa 1.

Nga Shefqet Kërcelli/DIELLI

Në zbatim të programit të bashkëpunimit midis Forcës sonë Detare dhe Flotës së SHBA, miratuar nga Ministria e Mbrojtjes, nga data 11 deri më 17 maj 2018, në Qëndrën e Zhytjeve Pashaliman u zhvillua trajnimi i personelit të kësaj qëndre për kërkimin dhe asgjesimin e municioneve në det, nga skuadra e trajnimeve nënujore, EOD, e Flotës së SHBA.

Në zbatim të këtij programi, fillimisht mbas rikonicionit të kryer nga specialistët amerikanë para 3 muajsh, nga Qëndra e Zhytjeve Pashaliman, u morrën të gjitha masat e nevojshme organizativo-teknike, që trajnimi të vijojë normalisht për të arritur objektivat e caktuara. Në trajnim morrën pjesë zhytësa të Qendrës sonë dhe zhytësa amerikanë, të Marinës së SHBA.

Për një javë rresht instruktorët amerikanë trajtuan teorikisht dhe praktikisht cështje të tilla si, mjekësia nënujore, mënyrat e kërkimit nënujor për municionet luftarake të paplasura, njohja me këto municione, njohja e minave detare e silurave, nxjerrja e tyre nga fundi i detit në sipërfaqe dhe afrimi në breg, vendet ku mund të ngrihen e transportohen dhe zbatimi i masave të sigurimit teknik në këto raste. Për këtë u provuan disa lloj lidhjesh, ngritjesh dhe tërheqjesh për në breg e mole të sigurta. Gjithashtu nga instruktorët amerikanë u zhvillua trajnimi për përdorimin e dhomës hiperbarike nga personeli ynë zhytës sipas standarteve përkatëse.

Gjatë këtyre ditëve midis zhytësave shqiptarë dhe amerikanë u zhvilluan aktivitete sportive, si ndeshje futbolli, ndërkohë që personeli amerikan u njoh me resurset turistike e traditat historiko-kulturore të zonës së Vlorës.

Në përfundim të këtij trajnimi, më datën 17 maj u zhvillua ceremonia e certifikimit të zhytësave shqiptare për operacionet nënujore EOD, ku u theksua rëndësia e këtij trajnimi dhe bashkëpunimi në të ardhmen.

Theksojmë se që nga viti 1995, ka pasur një bashkëpunim të rregullt midis zhytësave tanë dhe atyre amerikanë, ku vec trajnimeve dhe zhytjeve në thellësitë joniano-adriatike, pala amerikane ka afruar ndihma e pajisje për zhytësat tanë.

Filed Under: Kronike Tagged With: amerikane, Pashaliman, Shefqet Kercelli, zhytsat shqiptare

JERUZALEMI KRYEQYTET, VENDIM POLITIK, JO RELIGJIOZ

May 17, 2018 by dgreca

*Jerusalemi si kryeqytet i Izraelit është vendim politik e jo religjioz dhe e drejtë legjitime e popullit hebre!/

* Teologu islam Mustafë Bajrami «zbulon» se përmes këtij akti, Jerusalemi, të cilin asnjëherë nuk e përmend si Jerusalem por vetëm me emrin Kudsi Sherif, «nga sot nuk u takon me letra as muslimanëve e as të krishterëve por vetëm i izraelitëve»!…./

Nga BARHYL MAHMUTI/

Transferimi i ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem shërbeu si pretekst për të nxitur protesta jo vetëm në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin por edhe në shumë vende ku popullsia shumicë janë të besimit islam. Vrasja e dhjetëra manifestuesve dhe plagosja e rreth tre mijë të tjerëve nxiti një indinjatë të madhe edhe në mesin e myslimanëve në Kosovë.  Nga prononcimet e shumta po e veçoj atë të teologut Mustafë Bajramit, i cili në opinionin publik të Kosovës njihet si «njohësi i rrethanave në Lindjen e Mesme». E veçova Mustafë Bajramin për arsye se në qëndrimet e tij sintetizohet në mënyrën më të mirë të mundshme manipulimi që synon ta paraqes transferimin e ambasadës amerikane në Jerusalem si «shpallje zyrtare e Kudsi Sherifit qytet vetëm i jahudive» . Teologu islam Mustafë Bajrami «zbulon» se përmes këtij akti, Jerusalemi, të cilin asnjëherë nuk e përmend si Jerusalem por vetëm me emrin Kudsi Sherif, «nga sot nuk u takon me letra as muslimanëve e as të krishterëve por vetëm i izraelitëve»! Për t’i vënë kapak qëndrimeve të tilla, Mustafë Bajrami deklaron se «kështu, përpjekja një shekullore e muslimanëve për ta ruajtur Kudsin nga invadimi total izraelit, sot definitivisht po merr fund».

Interpretimi i tillë i ngjarjeve nuk është asgjë tjetër pos manipulim i kulluar politik. Përdorimi vetëm i emrit arab për Jerusalemin nuk është i rastësishëm, sepse kjo formë e propagandës përgatitë terrenin për të shitur pretendimin se gjoja «Izraeli invadon Jerusalemin»! Shqiptarët, si rrallëkush tjetër janë vigjilent përball sloganeve të ngjashme që përpiqen ta fshehin realitetin, sepse edhe vetë kanë qenë objekt i shtrembërimeve të tilla nga propaganda serbe dhe argatët e saj që përpiqeshin ta shtrembëronin realitetin se gjoja «shqiptarët kanë invaduar Kosovën».

Madje, për të qenë ironia edhe më e madhe, lexuesi shqiptar pati rastin të njihej me qëndrimin zyrtar të autoriteteve palestineze përmes ambasadorit  të saj në Serbi. Ambasadori palestinez në Beograd, Mohamed Nabhan hodhi poshtë si «të gabueshëm pohimin kur thuhet se Kosova për serbët është si Jerusalemi për Izraelin», sepse sipas tij, «Serbët nuk kanë qenë okupator të Kosovës, meqenëse Kosova është toka e tyre, përderisa izraelitët e kanë pushtuar Jerusalemin». (https://www.srbijadanas.com/vesti/drustvo/ambasador-palestine-arapsko-prolece-ce-trajati-jos-2-3-godine-ali-bez-sirije-nam-sledi).

Vënia në paralelizëm të sloganeve për gjoja «Invadimin e Kosovës nga shqiptarët» dhe «Invadimin e Jerusalemit nga izraelitët», sado paradoksale të duken kanë domethënien e vet të madhe, sepse realiteti dëshmon për ngjashmëri të mëdha mes dy realiteteve. Pa pasur nevojë të zgjatem për lexuesin shqiptar, po përmend se të gjitha hulumtimet shkencore dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme se 2500 vjet para se të vinin sllavët në Ballkan këto hapësira lulëzonin nga civilizimi ilir. Sa për ilustrim po citoj historianin francez Alain Ducelier, profesor në Universitetin e Toulouse, i cili thotë: «Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe arkeologjisë dëshmojnë se ilirët janë pa asnjë dyshim paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Secili e di se sllavët janë populli indo-evropian që më së voni kanë ardhur në Evropë, sepse vala e INVADIMEVE të tyre shtrihet nga shekulli i VI dhe VII të epokës sonë. Të gjitha argumentet e tipit “historik” kthehen kundër tezës sepse Historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë INVADUES që kanë ardhur shumë vonë» (Fjala invadim në citatin e mësipërm u shkrua me shkronja të mëdha nga unë; shih: Alain  Ducellier, Les Albanais sont-ils des envahisseurs au Kosovo ? (A janë shqiptarët invadues të Kosovës?).

Qëllimisht e citova një historian të huaj për këtë çështje sepse një numër teologësh islam dhe historianësh neo-otoman janë bërë argat të Serbisë duke pretenduar se gjoja «shqiptarët invaduan Kosovën gjatë periudhës së pushtimit otoman», dhe për këtë kategori  «dijetarësh», çdo referencë të historianëve shqiptarë e konsiderojnë si «shtrembërim të historisë»!

Përveç këtij lloji të argatëve të Serbisë, të veshur shpesh me petkun e hoxhallarëve dhe dijetarëve islam, nuk mund të gjesh intelektual serioz të mos e përsërit konstatimin se pikërisht serbët janë ata që invaduan Kosovën.

Me Jerusalemin është e njëjta gjë. Që nga shekulli i XIV para epokës sonë, kur përmendet për herë të parë Urushalemi (emër i vjetër i Jerusalemit) në letërkëmbimin e Faraonit egjiptian Akhenaton me mbretin e këtij vendbanimi, e deri në kohën e vendosjes së arabëve në këtë qytet kanë kaluar mbi njëzet shekuj histori të mbushur plot e përplot tragjedi.

Mbi pesëmbëdhjetë shekuj para ardhjes së arabëve në këtë vend Jerusalemi ishte kryeqendra administrative e Mbretërisë së vogël të Judesë. Duke u ndodhur në udhëkryqin e rrugëve më të rëndësishme tregtare të Koasanit Pjellor, Mbretëria e Judesë u bë objekt sulmi dhe  zhvendosje të popullsisë nga Perandoria asiriane, nga Perandoria babilonase, nga Egjipti i faraonëve, nga faraonët me origjinë greke dhe dinastitë e ndryshme mbretërore që ndanë territoret e pushtuara nga Leka i Madh dhe nga Perandoria romake për shumë shekuj me radhë para se të lindte krishterimi si religjion. Gjatë gjithë periudhës së mërgimit të dhunshëm të popullit hebre, Jerusalemi ishte shndërruar në vendin simbol të identitetit të judaizmit si religjion dhe identitetit etnik të tyre. Kthimi në këtë vend konsiderohej si mision hyjnor dhe tokësor për secilin hebre. As zhvendosjet e shpeshta të hebrenjve nga territoret që dikur përfshiheshin në Mbretërinë e Izraelit dhe Mbretërinë e Judesë, as shkatërrimet e shpeshta të Tempullit dhe qytetit të Jerusalemi, as ndërrimet e shpeshta të emrit të këtyre krahinave me qëllim të humbjes së gjurmëve, as vendimi i Perandorisë romake që t’i dëbonte dhe t’ua ndalonte hyrjen në Jerusalem dhe ta emëronte këtë vend me emrin Palestinë për hir të popullit filistin nuk mundi t’ua ndalojë hebrenjve të kenë sytë drejtë Jerusalemit. Jerusalemi u shndërrua në «ushqimin shpirtëror» për të ruajtur identitetin etnik dhe religjioz për hebrenjtë kudo qofshin në botë.

E gjithë kjo ndodhi shumë shekuj para lindjes se krishterimit si religjion ndërsa Jerusalemi u pushtua nga arabët në shekullin e VII të epokës sonë.

Rezultatet arkeologjike dhe teksteve të vjetra kuneiforme dëshmojnë se në raport me Jerusalemin asirianët, babilonasit, persët, maqedonasit, grekët, romakët, arabët dhe të tjerët janë INVADUESIT që erdhën si pushtues përgjatë 1500 vjetëve të historisë tragjike të hebrenjve të kësaj hapësire gjeografike. Fatkeqësisht invadimet nuk u ndalën me kaq…

Tani, t’i ndalohet popullit hebre që të ketë për kryeqytet të vetin Jerusalemin është paradoks i llojit të vet. Absurdi është edhe më i madh kur kundërshtarët e kësaj aspirate hebraike përpiqen ta shohin nga këndvështrimi religjioz. Një gjë duhet të jetë e qartë: shndërrimi i Jerusalemit në kryeqytet të shtetit të Izraelit është vendim politik dhe e drejtë legjitime e popullit hebre. Kjo e drejtë nuk cenon vlerat religjioze që ky qytet ka për judaizmin, krishterimin dhe islamin. Përkundrazi, pranimi i realitetit politik ulë tensionet në këtë pjesë të globit, sepse prushi i zjarrit që u rri ndër këmbë civilëve të pafajshëm nuk kërkon shumë për të marrë flakë. Tragjedia e nxitjeve për konflikt, nga kushdo qoftë, ka vetëm një rezultat: pasoja të mëdha në njerëz!

* E dergoi per Diellin, vete autori. Faleminderit!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmudi, JERUZALEMI KRYEQYTET, JO RELIGJIOZ, VENDIM POLITIK

Midis teatrit dhe piramidës

May 17, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Eshtë sot një nga lajmet më të pakta të ditës, megjithëse mbrëmë qe një show i radhës mes Erionit dhe Edi Ramës. Kjo, mos prishja e piramidës, ish muzeut të Enver Hoxhës, në zemër të Tiranës. Një nga paradokset e radhës të shqiptarëve, kur mendon se ka më shumë se një vit debate prishja e Teatrit Kombëtar. Një vit debate se si strategji është hedhur me kohë, bashkangjitur atyre metodave të mos dhënies së fondeve të mjaftueshme për mirëmbajtje etj. E bëjnë qëllimisht siç edhe po veprojnë përshembull me hekurudhën, që kur të vij momenti t’i shesin vetëm emrin drejt një privatizimi ku thelat e rryshfetit të kënaqin palët. Këto krijesa më antikombëtare të sojit shqiptar. Sot të gjithë janë përfshirë tek ethet mes ministrit të brendshëm dhe të vëllait, tek një video etj. Ndofta për t’i dhënë pak frymëmarrje ngjarjeve të tjera të para pak ditëve, scoopeve tona me Sajmirin, Izetin a drejtësinë e përdorur dhe miliarderët e saj nga objektet e qiradhënë dhe çështjet e kapakosura për ca pako eurosh a dollarësh. Në fakt kur i mendon dy objekte, Piramidën dhe Teatrin. Ku për të parën lali Eri u shpreh se do i japim fund rrënimit të saj. Dhe Edi Rama që kishte përfituar idenë nga i biri për qendër argëtimi për fëmijët. A ku di unë se çfarë…, por shoh një vendimmarrje telefonatash mbi objektet që duam apo nuk duam ne kanë brenda edhe gjakun edhe historinë tonë.

Objekti i parë është një vepër e re nga dashuria e çmendur e shqiptarëve me dështimin. Që për kohën i ka kushtuar bash sa një varfëri njëqind vjeçare dhuratë nga ”zoti” për ne. Pra aq shumë sa fare mirë me ato para mund tu kishim bërë dhuratë shqiptarëve nga një shtëpi pushimi falas në tokat e bregdetit. Dhe po të më pyesnin mua, duhej të mbeste ashtu, muzeu i diktatorit, pikërisht për këtë…, dështimin kombëtar. Madje të pasurohej totalisht edhe me viktimat e diktaturës së proletariatit për t’i dhënë vetvetes qartësinë në botën e humbur prej errësirës dhe idiotësisë. Një muze po për Enverin me të gjithë mitologjitë e tia të nevojshme dhe të panevojshme. Të jeni të sigurt se edhe nga ana komerciale kultura muzeale do kishte më shumë sy e këmbë. Dhe ndofta historia për herë të parë do të fliste me zërin e saj për shqiptarët. Jo me zërin e atij që e do dhe atij që nuk e do. Por me zërin e së vërtetës.

Por nuk ndodhi… gjatë gjithë kësaj kohe ka kaluar në fije të perit me mendimin për t’u rrënuar. Për t’u prishur… nga ana tjetër gëloi si sallon panairesh e plot zhurmash të tjerash.

Deri sa sot, kastës së pinjollëve u duket të nxitojnë ta shpëtojnë dhe jo më përmes strategjive të tri p-ve. Kjo çudi qeveritare e partneritetit me privatin. Që na truall dhe bëj çfarë të duash…, por përmes fondeve qeveritare që në rastin e teatrit kombëtar, nuk i ka.

Objekti i dytë, daton herët, në planet e rregullimit të kryeqytetit tonë nga arkitektët italianë. Ka brenda vetes si të thuash abc-ën e artit skenik. Me firot, me absurdin e ideologjisë, sekretarin e partisë etj. Me drejtorët partiakë. Me arrestimet, ndëshkimet, përzëniet. Me të gjitha gjërat njerëzore, deri tek flirtet dhe intimitetet e tjera. Apo butaforitë e pleniumeve dhe kongreseve. Megjithatë ka formëzuar shkollën e artit tonë. I ka kaluar nga vrimat e çelsit, e çelsave të përgjimit, luftës së klasave etj…, plot korifej të fjalës. Duke i dhënë kështu historinë e parë të artit tonë njomëzak skenik. Aq sa një pedagog historie ka me se t’i mbushi planet e punës. Mjaft e vetëm me karrocat shëtitëse të Europës, por tashmë edhe me pionerët tanë. Dhe janë një batalion karakteresh, arritjesh…, sa të vjen pështirë të mendosh se mbi ato, do kalojë pshurrja e ”patriotëve” si Edi Rama dhe lali Eri. Apo të tri p-të e famshëve të gradaçielave që po i dalldis shqiptarët e rrugicave me avlli e skela rrushi. Një pedagog nuk ka përse t’u thojë më studentëve, aty ku sot është pesëmbçdhjetëkatshi, ka qënë teatri. Jo, jo aspak… por ka mundësinë t’i çojë atje e t’i flasi për artin e Naim Frashërit, Pitarkës, Pelingut, Roshit, Prosit etj. Se janë me shumicë, por dalldia dhe marria jonë e gradaçielave, u hedh pluhur e plehra përditë.

Janë një batalion, ku një tufë zyrtarësh partiakë a ca shushunja tenderash, janë gati t’i varrosin shtatë pashë nën dhe’ për ca dollarë më shumë. Ca qeveritarë që shohin rrënimin vetëm tek piramidat e gjeniut të dështimit, dhe, kurrë një herë tek galeria e pafund e artistëve tanë. E arritjes sonë. Neve, koha na afron përjetësinë, na pasuron katedrën, ne prapë, jo e jo…Koha na ofron pasurinë, ne prapë, jo e jo. Koha na ofroi njerëzit, gjeninë tonë, na ofron platformën, ne prapë jo e jo… Shikoni sa progres pra, kanë bërë, apo kemi bërë ne shqiptarët. Në vend të historisë, zgjedhim rrëninim, shpërbërjen, shfarosjen e saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe piramidës, Ilir Levonja, Midis teatrit

NA ISHTE DIKUR LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

May 17, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes. Por ky vit shënon gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.  Po kalon pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak ose pothuaj aspak aktivitete të jenë shënuar deri tani për këtë përvjetor, në trojet shqiptare.  Mund të jem gabim, por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.

lidhja-e-prizrenitLidhja e Prizrenit 2Në vend të kujtimit të këtyre dy përvjetorëve, me shumë rëndësi për historinë, për identitetin, për bashkimin dhe terësinë gjeografike të Kombit Shqiptar – diskursin në politikë dhe në median shqiptare, në të dy anët e kufirit, pikërisht këtë vit – po e dominon sot debati mbi influencën ruse dhe turke dhe mbi ndarjen e influencave të tyre në trojet shqiptare kryesisht,  ashtu siç kishte ndodhur pas marrveshjes së Shen Stefanit midis Rusisë dhe Turqisë së atëhershme, për ndarjen e trojeve shqiptare midis tyre dhe fqinjëve të shqiptarëve.  Si nuk mësojmë kurrë nga historia.  Historia po përsëritet dhe autoritetet shqiptare, ndryshe nga koha e Lidhjes së Prizrenit, po rrinë indifirent, duarkryq, ose më keq, siç thonë disa, po bëhen pjesëmarrrës të kësaj loje të flliqtë të këtyre fuqive të huaja.  O tempora o mores, do të thonte Ciceroni.

Por, duan e nuk duan sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, sidomos në këtë kohë të turbulltë nepër të cilën po kalojnë shqiptarët.  Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave të të huajve me fatin e shqiptarëve,  autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore dhe të interesave të kombit në përgjithësi. Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty morën pjesë përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim — për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe — për të biseduar mbi fatet e Kombit.  Po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit — me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka dedikuar Lidhjes së Prizrenit, “Kangën e Nandët” të veprës së tij madhështore, Lahuta e Malcisë.

Në këtë poemë, Fishta fton Zanën që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë” ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit.  Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë.  Mbas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë  trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh.

M’ato maje të Prizrenit

Ku kanë ndejun rend pas rendit

Me Ali Pashën në krye të vendit…

 

…Ai nuk asht, more lum vasha

Tjetërkush veç se Ali Pasha

Që për të drejta të Shqyptarisë

Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

E s’i dhimben nanë as djal:

Për to jetën vet e falë.

Nëqoftse më lejohet të jem pak krahinor e të përmend që Fishta, ndër të tjerë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, i dedikon disa rreshta Vat Marashit, Bajraktarit të fisit të Shkrelit:

E njaj tjetri ma përtej

Me ata dy mustakë të mëdhej

Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

Ai nuk ashtë jo Diomedi

Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

Që s’ tremb as topi as shpata,

E i thonë emnit Marash Vata…

Natyrisht, se në poemën e tij Fishta përmend disa ndër pjesmarrësit dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe e hapësire:

Jo që ka aty burra të tjerë,

Bajraktarë, Krenë e Beglerë

Që për fjalë e për urti

Për trimni, për bujari

Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

As në Shqipni as ndër të huej…

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”,  i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren — nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet dhe gëzohet, thërret Zanën e Sharit –“Në gjuhë të ambël të Shqyptarit, “Thirrë i paska Zanës së Sharit” — dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit.  Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridave të rinjë, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën e vjetër, ose  ndoshta mund të ishin Dardanët.  Ban buzën në gazë Ora e maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin, “As Akejë, as s’janë dardanë, as vigaj as katallaj”,  por ishin pjesëmarrësit heronjë shqiptarë: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërin, At Gjergj Fishta e portretizon kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

A e she” ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka sýnin si zhgjeta,
Që m’ i bâjn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.

Fishta përcjellë në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit Shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi.  Ndërsa Bajraktari i Shalës Mar’ Lula i thotë Kuvendit se për ‘të dhe për Shqiptarët mbarë, si Shkjau, si Turku  janë armiqë të njëjtë.  Në fund, sipas vjershës kushtuar Lidhjes së Prizrenit në Lahutën e Malcis,  Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër fuqive të mëdha të asaj kohe dhe mbretit – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke venë qartë në dukje se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të hinglizvet, as e franzezëvet, as të gjermanëvet e as e sllavëve dhe as otomanëve, këndon Fishta.  Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit — i cili “do t’i falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi — t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh.

“Por ashtë toka e t’Parvet tonë,

Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

Prandej s’ka as Krajl as Mbret

Që ket tokë e falë a e shet…

A ka sot burra Shqiptaria, porsi dikur motit, që të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike për interesa afat shkurtëra personale e partiake.  Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këta dy përvjetorë të mëdhej për Kombin Shqiptar – 550-Vjetori i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-Vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — kah do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë, kah do e drejtojnë timonin?  Këndej, a po andej?  Drejtë një rruge pa krye që çon në greminë, a po drejtë horizonteve të reja, duke ndjekur, sidomos në këto dy përvjetore kombëtare, shembullin e heroizmave dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit, Na ishte nje here

IL PIZZA D’ORO ËSHTË NË SHITJE

May 16, 2018 by dgreca

IL PIZZA D’ORO ËSHTË NË SHITJE/

1 Pizza anton

Il PIZZA D’ORO, që ndodhet në 216 OLD RD, OLD TAPPAN, NJ, është në shitje. Të interesuarit për  më shumë informata mund të telefonojnë:

Lek RAJA-Tel 845-325-0600

Luigj KAPITI – Tel: 845-821-4750

Filed Under: Opinion Tagged With: ËSHTË NË SHITJE, IL PIZZA D'ORO

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT