• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

INTEGRIMI DHE IDENTITETI I SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

June 30, 2018 by dgreca

Çështja e integrimit është bërë dukuri e përditshme në takimet e ndryshme bilaterale dhe multilaterale në mes përfaqësuesve  politikë të vendeve të Ballkanit perëndimor tash disa dekada, duke qenë një nder temat parësore e agjendave të takimeve, me qellim për  të amortizuar animozitetet dhe paragjykimet nga e kaluara e largët dhe ajo e afërt të popujt e këtij regjioni,  pasojat e të cilave janë të pranishme edhe në ditët tona. Nga ky aspekt popujt e ndarë në mjediset multinacionale përballohen me sfida jetësore për të  mbrojtur identitetin e tyre, sepse integrimi si  retorikë bashkëkohore  shpesh herë  kamuflohet me konceptin e kosmopolitizmit përkatësisht të globalizmit.1 Nail Draga

Dr.Nail  Draga/

1.Integrimi europian – përmbushja e kritereve

Në lidhje me  procesin e integrimit  pushteti aktual është duke u treguar kooperativ ne lidhje me këtë çështje, sepse aspiratat qeveritare janë për tu bërë pjesë e bashkësisë europiane. Eshtë çështje tjetër se sa kanë kapacitet kadrovik strukturat e veçanta qeveritare dhe gadishmëri me u ballafaquar me kërkesat për reforma të ekzekutivit konformë standardëve europiane. Nga ana tjetër nga subjektet opozitare e sidomos nga shoqëria civile  theksojnë se mungon dinamika e reformave të ekzekutivit si pasojë e rezistencës së vet pushtetit.

Por, duhet theksuar se në vlerësimet  Komisioni Evropian(KE)  janë  pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.Ndonëse Mali i Zi i ka filluar negocimet që nga qershori i vitit 2012, nga tridhjetë kapituj të obligueshëm deri me tashi ka mbyllur vetem   tre prej tyre që ka te shtruar për bisedime  nga del se në Mal të Zi   mbetet shumë punë   për të   arritur  harmonizimin me legjislaturën evropiane dhe në përmbushjen e kritereve.

2.Mungonintegrimi i  brendshëm

Nga ana tjetër, trajtimi i një çështjeje të tillë në mjediset multinacionale  paraqet dilema në lidhje me pozitën dhe statusin e popujve përkatës. Pikërisht ne ketë aspekt Mali i Zi është rast specifik jo vetëm për Europën Juglindore por edhe me gjerë sepse është vendi me multinacional, andaj ekzistojnë edhe sfida të veçanta.

Andaj krahas  trajtimit të çështjes së integrimit të Malit të Zi në strukturat europiane,  në mënyrë të veçantë duhet të trajtohet integrimi i brendshëm i popujve në këtë mjedis.Deri me tash nuk kemi pasur rast të degjojmë për ndonjë iniciativë të tillë, e cila është domosdoshme sepse kemi animozitet të theksuar nga pjesëtaret e popujve të ndryshëm. Fillimisht duhet të hapet debati në lidhje me këtë çështje e jo të vendosë shumica parlamentare për çështjet përkatëse pa konsultimin e miratimin nga ana e opozitës parlamentare. Vetëm përmes një debati konstruktiv do të eliminoheshin dilemat duke prezentuar avantazhet e  një procesi të tillë. Me një fjalë  integrimi i brendshëm  duhet të jetë  konformë standardëve europiane për mjediset multinacionale në lidhje mbi  barazinë qytetare e nacionale të popujve përkatës.Në rrethana të reja shoqërore, çështjet e tilla duhet të trajtohen me realizëm e jo me mentalitetin e monizmit, sepse pluralizmi ofron mundësi shumëplanëshe, por duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit.

Por, Mali i Zi është specifik për tërë regjionin sepse është i vetmi vend ku nuk është ndërruar pushteti nga miratimi i pluralizmit. Madje nëse e analizojmë me në detaje del se këtu pushteti nuk është ndërruar nga Lufta e Dytë Botërore, përkatësisht nga viti 1945, duke mbetur ekzemplar i llojit të vet në tërë hapësirën e vendeve të ish kampit socialist në Europën Juglindore. Pikërisht duke marrë parasysh këto të dhëna, çështja e integrimit duhet te trajtohet me tërë kompleksitetin e vet në të gjitha fushat e veprimtarive shoqërore dhe ekonomike, që të jetë i pranueshëm për tërë qytetarët e këtij mjedisi.

3.Shqiptarët janë për integrim por me identitet

Në mozaikun nacional të popullsisë në Mal të Zi, shqiptarët janë e vetmja popullsi me prejardhje josllave, e dhënë kjo që i bën të veçantë nga pjesëtarët e popujve të tjerë. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, sepse shqiptarët si popull autokton kanë identitetin e tyre të veçantë nga të tjerët, si nga gjuha, kultura, historia e tradita. Andaj duke marrë parasysh këto veçori, me të drejtë bëhët pyetja, se si qendron çështja e integrimit të shqiptarëve në këtë mjedis. Ndonëse një temë e tillë paraqet çështje të veçantë, jemi dëshmitarë se edhe në pluralizëm ekzistojnë vështirësi të natyrave të ndryshme sa i përket integrimit të tyre në Mal të Zi, nga fakti se këtu gjithnjë është i pranishëm mentaliteti i kohës së monizmit.

Shqiptarët nuk dëshirojnë të jetojnë në geto, përkundrazi ata dëshirojnë të integrohen, por me identitetin e tyre. Duke marrë parasysh se numërikisht janë pak, rreth 5% sipas statistikës zyrtare nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, duhet një përkujdesje e veçantë nga strukturat e pushtetit qendror për të  mbrojtur identitetin kombëtar, e kjo ka të bëjë sidomos në fushën e arsimit, gjuhës, informimit, kulturës etj. Po ashtu përkujdesje duhet kushtuar  edhe në investime e punësim, konformë përqindjës së pjesëmarrjës në kuadër të popullsisë së përgjithshme. Por, përvoja e deritashme dëshmon se për ndryshime cilësore në këtë aspekt duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, e jo të dëgjojmë retorikë monotone që në shumë raste i ngjanë demagogjisë.

Mbrojtja  e identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk rrezikon askend në Mal të Zi, përveç individ apo subjekte të ndryshme politike e jo politike, të cilët vuajnë nga sindromi i hegjemonizmit.Vetëm duke mbrojtur identitetin e popujve të vegjël, përkatësisht popujve të ndarë, duke  mbrojtur  dhe valorizuar  trashëgiminë kulturore, si dëshmi e identitetit të tyre, Mali i Zi do të ishte në praktikë  shtet  demokratik multinacional sipas standardëve ndërkombëtare.

4.Integrimi i shqiptarëve në nivelin mbarëkombëtar

Me miratimin e pluralizmit me të drejt është pritur se pengesat ideologjike të së kaluarës  do të eliminohen dhe shqiptarët do të angazhohen për integrimin e tyre  mbarëkombëtar. Dhe një qasje të tillë kishin të gjithë shqiptarët, duke marrë parasysh se kemi përjetuar një periudhë ndarje dhe izolimi për pesë dekada, e cila ka lënë pasoja që janë të pranishme edhe në ditët tona. Dhe  s’ka  si të jetë ndryshe sepse kemi të bëjmë me një popull të ndarë, me pamundësi komunikimi me shtetin amë. Pra kemi pasur të bëjmë me procesin e mbijetesës së shqiptarëve në Mal të Zi,  çështje kjo e cila meriton një studim të veçantë sociologjik.

Por,edhe pse janë bërë ca përpjekje në çështjet integruese mbarëkombëtare nga subjekte të ndryshme dhe shoqëria civile në këtë drejtim të arriturat janë minimale. Për ndryshime pozitive në këtë drejtim  bartës të këtij procesi duhet të jenë institucionet shtetërore nga shteti amë-Shqipëria, e po ashtu edhe  Kosova. Këtu kemi parasysh integrimin në fushën e kulturës, artit, arsimit, informimit, botimeve, turizmit etj., të cilat mund të realizohen duke mbeshtetur projekte përkatëse. Pasi integrimi mbarëkombëtar është koncept i gjerë, fillimisht janë këto fusha  ku duhet insistuar sepse janë në favor të identitetit tonë kombëtar.

Theksojmë më këtë rast pjesëmarrjen  e shqiptarëve nga Mali i Zi  në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër(2015) që është ndër veprimtaritë e rralla në nivelin mbarëkombëtar  me koordinim nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. Veprimtari të ngjajshme duhet të organizohen nga institucionet shtetërore edhe në fushat e tjera ku duhet të ftohen shqiptarët nga hapësira e tyre etnogjeografike që është në favor të njohjes, këmbimit të përvojave e sidomos  të  bashkimit kulturor kombëtar.

Duke eliminuar paragjykimet e kaluara në pluralizëm  veprimtaritë e tilla mbarëkombëtare nuk cenojnë interesat e popujve të tjerë në Mal të Zi, por janë në favor të identitetit kombëtar të shqiptarëve e si të tilla në favor të konceptit multikulturor  si kudo në vendet demokratike europiane. Mbetet obligim moral, profesional dhe kombëtar që të angazhohemi në këtë drejtim  me të gjitha kapacitetet  sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(Qershor, 2018)

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE IDENTITETI I SHQIPTARËVE, DR. NAIL DRAGA, integrimi, ne Mal te zi

NJË LOJË E KURDISUN NGA JUGOSLLAVËT…

June 30, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 DON ALFONS TRACKI

                                                                  DON  ALFONS TRACKI (1896 – 18 KORRIK 1946)/

MISIONARI  GJERMAN NGA BRESLAU QË U PUSHKATUE SE NDERHYNI ME SHPETUE JETEN E SA SHQIPTARËVE NDER KAMPET GJERMANE NAZISTE. NË DITËT E FUNDIT TË NANDORIT 1944, TRACKI KA SHPETUE EDHE 100 BURRA SHQIPTARË NË VELIPOJË, QË DO TË VRITESHIN NGA GJERMANËT …NJË LOJË E KURDISUN NGA JUGOSLLAVËT.

 KALENDAR HISTORIK-  M U E J   KORRIK    2 0 1 8:  K u j t o j m ë …

  • 1 KORRIK 1946 Enver Hoxha dekorohet nga Marshali J.B.Tito në Beograd “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e ka edhe sot në 1 Korrik 2018.
  • 2 KORRIK 1919: Memorandumi per Konferencen e Paqës në Paris i firmuem nga  Imz. Jak Serreqi Argjipeshkëv i Shkodres,  Imz. Gjergj Koleci Ipeshkev i Pultit, Don Zef Gjinali administrator i Abacisë Mirditës, At Bernardin Shllaku, Don Nikoll Kimza  në Lezhë, nga familjarë të Veriut e bajraktari i Shkrelit Vatë Marashi me 100 kryefamiljarë.
  • 19 korrik 1900 Asht le At Çiprian NIKA O.F.M., U pushkatue me 11 Mars 1948.
  • 11 Korrik 1924 Bajram CURRI vjen në Shkoder. Populli i Shkodres i ban nderimet e rastit. Ndoshta, asht një nga pritjet ma të perzemerta nga shkodranët.

■16 Korrik 1944 Vritet pabesisht në Tropojë At Lekë LULI  (36 vjeç) Fillon me këte vrasje edhe  Gjenocidi komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar.

  • 14 Korrik 1945 dënohet me vdekje Ndue Pali e Caf Meti, në Kinema Rozafat Shkoder. Ekzekutohen në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkoder…

Korrik 1945 Vazhdojne ndjekjet dhe pushkatimet nga brigadat komuniste ne krahinat e Veriut. Krahas vrasjeve u digjen kullat dhe u plaçkiten bagtija…

  • 3 Korrik 1946 Ekzekutohen të dënuemit me vdekje: Xhahid Koka, Qenan Dibra, Telat Drini, Shaban Balla, Sami Qeribashi, Mahmut Meniku, Mehmet Beshiri dhe Ali Kraja. Fjala e fundit e Tyne asht: “Rroftë Shqipëria e lirë me Kosoven…”.

Korrik 1946 Ridënohet në Tiranë Frano MIRAKAJ, dhe pushkatohet atje…Urdhni i vrasjes së Tij u lëshue nga Gjeneral Kolonel Enver Hoxha.

  • 17 Korrik 1946 Dënohet grupi i Llesh MARASHIT, Kol ASHIKUT, Nikoll DEDAJ, e me këte grup ekzekutohet edhe Don Alfons TRACKI dhe Kel ABATI. Dënimi ju dha me  17 Korrik e, ekzekutimi u krye me 18 Korrik 1946 ora 5 nade, në Zallin e Kirit në Shkoder. 

Dosja e të dënuemve as sot s’ ka vendimin e Gjykatës së Naltë e as të Kuvendit Popullor.

8 Korrik 1946 dënohet në Tiranë At Pashko Bardhi S.J. 6 vjet burg  si “kriminel”,…

  • 31 korrik 1948 Dijetarët Don Aleksander SIRDANI e Don Pjeter ÇUNI mbyten në gropat e zeza të hetuesisë Koplikut, nga xhelatët e sigurimit të shtetit.

5 Korrik 1949 Arrestohet Don Loro NODAJ dhe bani 15 vjet burg nder kampe pune…

2 Korrik 1950 Vdiq Don Kolec PRENNUSHI, Famullitar në Dajç të Bregut të Bunës. Ishte i arrestuem në vitin 1948 – 49  dhe u torturue mizorisht nga sigurimi i shtetit, mbasi nuk u pajtue me aprovimin e “Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik.

30 korrik 1951 Aprovohet “Statuti i Kishës Katolike në Shqipni”…Dekreti u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me kryetar Dr. Omer Nishani dhe sekretar Sami Baholli.  

  • 12 Korrik 1972 Vdes Nana e Nanë Terezes, Drande Bojaxhiu. Nanë Tereza nuk lejohet me ardhë per vorrimin e Nanës së vet në Tiranë…
  • 29 korrik 1982 Vdes i helmatisun pabesisht Don Lazer Jubani (1925 – 1982).

Korrik 1983 Vdes në Shkoder At David Pici, meshtar në Vermosh në vitin 1945.

17 Korrik 1985 vdes piktori shkodran Shtjefen PALUSHI (29 Qershor 1943 – 1985).

  • 28 Korrik 1988 vdes At Pjeter Meshkalla S.J., mbas 25 vjetësh burg në Shkoder.

20 Korrik 2000 vdes në Kuvendin e Fretenve At Konrrad Gjolaj O.F.M. Asht Autor i librit “Çinarët” botue në Shkoder në vitin 1997.

***

  • Shenim nga Fritz Radovani: Ju lutem familjarëve dhe të njohunve që kanë materiale per këto Fletë Kalendari, të lanë shenime nder site e kryesisht, percaktime datash të plota.

            Melbourne, 1 Korrik 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: DON ALFONS TRACKI, Fritz radovani, Kalendar

Kosovë-Festohet 242-vjetori i Pavarësisë së SHBA

June 30, 2018 by dgreca

-Në Kosovë festohet 242-vjetori i Pavarësisë së SHBA, theksohen partneriteti i veçantë e miqësa e përhershme/

1 flet ambasad ok-Ambasadori amerikan Greg Delawie: Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti”/

Klinon-Presidenti Hashim Thaçi: Kosova është e bekuar me mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

 

4 Korriku

Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari- PRISHTINË, 30 Qershor 2018/ Me rastin e shënimit të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, ambasadori në Kosovë Greg Delawie organizoi një gosti, ku mes shumë pjesëmarrësve ishin edhe presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

“Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti”, theksoi ambasadori amerikan Delawie në pritjen mbrëmjen e djeshme.

Ai tha se, festa e përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës më herët gjatë këtij viti ishte rast për të persiatur rreth përparimit mbresëlënës të arritur duke punuar përkrah partnerëve dhe miqve, ndërsa foli edhe për sfidat duke u shprehur se hap pas hapi, Kosova po ndërton një shoqëri përparimtare e shumetnike dhe ekonomi më të fortë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ju qëndrojnë përkrah derisa përballeni me këto sfida. Sonte, përderisa festojmë Ditën tonë të pavarësisë, e festojmë edhe miqësinë tonë me Kosovën dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë ku demokracitë mund të lulëzojnë”, theksoi ambasadori i SHBA-ve, Delawie.

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi tha se, se në Kosovë, festimi i 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, është gjithmonë një ngjarje e veçantë dhe emocionale.

“Shumë bashkëqytetarë e kuptojnë dhe festojnë këtë ditë, sikur të ishte festë shtetërore e Kosovës. Kjo ndjenjë është e kuptueshme për kosovarët, për popullin dhe shtetin me pro-amerikan në Evropë dhe më gjerë”, theksoi presidenti Thaçi. Ai  tha se Kosova është e bekuar që, njësoj sikur në çdo proces të rëndësishëm deri më tani, ka pasur mbështetjen e parezervë të SHBA-së, të BE-së, dhe të të gjithë partnerëve tanë, të cilët duan ta shohin Kosovën dhe rajonin në paqe të përhershme.

“Prandaj nuk ka mënyrë më të mirë për ne, që ndihmën e çmuar që në vazhdimësi e marrim nga miqtë tanë, ta respektojnë duke punuar për paqen, fqinjësinë e mirë si parakushte të domosdoshme për integrime euro-atlantike”, theksoi presidenti kosovar.

Presidenti Thaçi në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, uroi popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe rikonfirmoi zotimin për ruajtjen e marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miqësinë e përhershme dhe aleancën në vlerat dhe parimet që  bashkojnë.

Që prej 22 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, në 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 qershor 1996.Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë.Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 10 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit që ende vazhdon.Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

*Fjala e Ambasadorit Amerikan në  Kosovë Greg Delawie me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, 29 qershor 2018

 

Mirëmbrëma! Dobro veče! Good evening!

President Thaçi, Kryeministër Haradinaj, nënadmiral Kilrain, Gjeneral-major Orr, Gjeneral-major Cuoci, miq, partnerë dhe pjesëtarë të bendit të hatashëm muzikor të Forcave detare amerikane, mirë se vini në festimin tonë të Ditës së Pavarësisë së Amerikës!

Tema e festës këtë vit është tradita e mrekullueshme amerikane e panairit shtetëror dhe në veçanti, Panairi i famshëm shtetëror i Ajovës për nder të partneritetit të Kosovës me shtetin simotër të Ajovës dhe me Gardën Kombëtare të Ajovës. Panairi shtetëror i Ajovës për herë të parë është mbajtur në tetor të vitit 1854. Panairet shtetërore kremtojnë si ekonominë bujqësore bashkëkohore të teknologjisë së lartë të Amerikës, po ashtu edhe nostalgjinë për traditat tona të vjetra, si dhe garat shoqërore, muzikën dhe zbavitjen. Panairet shtetërore janë vende ku çdo segment i shoqërisë qëndron krah për krah si i barabartë. Ato janë vende ku qytetarët dhe politikanët takohen ballë për ballë dhe flasin sinqerisht për çështjet me rëndësi. Shpresojmë që atë ndjenjë ta përcjellim deri në një masë edhe sonte këtu.

E në atë frymë, dëshiroj t’i falënderoj gjithë ata njerëz që na kanë ndihmuar për ta organizuar festimin e Ditës së Pavarësisë, veçanërisht sponzorët tanë. Me të vërtetë shpresoj se do të kënaqeni sonte!

Përderisa shënojmë vitin e 242-të të pavarësisë sonë, po ashtu festojmë edhe partneritetin tonë të veçantë me Kosovën, i cili po thellohet vit pas viti. Festa e përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës më herët gjatë këtij viti ishte rast për të përsiatur rreth përparimit mbresëlënës që e keni arritur në dhjetëvjeçarin e parë të shtetësisë suaj, duke punuar përkrah partnerëve dhe miqve, shumë prej të cilëve janë këtu sonte.Hap pas hapi, Kosova po ndërton një shoqëri përparimtare e shumetnike dhe ekonomi më të fortë. Si në çdo demokraci, puna duhet të vazhdojë. Nelson Mandela ka thënë: “Kur ngjitet në maje të një kodre të lartë, njeriu e sheh se janë shumë më shumë kodra për tu ngjitur”. Kjo është sfida dhe privilegji i çdo vendi të ri. E pikërisht në këtë çast, në Kosovë janë disa kodra të larta për tu ngjitur.

Më lejoni t’i shtjelloj dy prej tyre: dialogun dhe besimin e publikut. Festimi ynë sonte po bëhet në një çast urgjent. Ky është viti kur Kosova duhet t’i tejkalojë dallimet me Serbinë dhe të negociojë marrëveshjen përfundimtare në dialog.

E dimë se kjo kodër është e thepisur, por nuk ka mënyrë tjetër për Kosovën për ta çelur shtegun për anëtarësi të plotë në komunitetin perëndimor. Më lejoni të jem shumë i sinqertë se pse kjo është e rëndësishme. Republika e Kosovës shumë kohë të gjatë e ka bartur barrën e fusnotës.

Kosova paguan çmim çdo ditë, çdo muaj, çdo vit për faktin thellësisht zhgënjyes se sovraniteti dhe pavarësia juaj ende nuk pranohen nga të gjithë. Ky çmim është ekonomik, komercial, politik dhe shoqëror. Edhe unë jam po aq i pakënaqur sa ju nga ky realitet i hidhur, por fakti qëndron se ju po e paguani këtë çmim.

Ju e paguani këtë çmim sa herë që ndërmarrjet e huaja anashkalojnë investimin në një vend, ligjshmëria e të cilit vihet në dyshim. Ju e bartni barrën e asaj që bizneset ndërkombëtare e quajnë “rrezik politik”. Ju paguani çmimin pse Kosova nuk ka zë në shumë organe dhe agjenci ndërkombëtare që e rregullojnë sistemin botëror ose në shumë institucione kyçe evropiane. Shumë vende, ndërmarrje e institucione ndërkombëtare kqyrin kah Kosova dhe krejt çka shohin janë pyetjet rreth ndarjes suaj nga Serbia dhe rreziqet politike, ekonomike dhe të sigurisë që vijnë me të.

Ky çmim është barrë e rëndë që ngadalëson zhvillimin ekonomik të Kosovës. E kjo madje para se ta përmendim faktin se Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në BE dhe NATO pa arritur normalizimin me Serbinë. Çmimi afatgjatë i kësaj pengese njëmend është i pallogaritshëm. Kjo është barra e rëndë e fusnotës, që Kosova ende e bart.

Pra, ku ju lë kjo juve? Për mua, kjo do të thotë se nuk keni zgjidhje tjetër të vërtetë përveç negociimit të zgjidhjes përfundimtare të marrëdhënies suaj me Serbinë dhe sa më herët ta bëni këtë, aq më mirë. Pikërisht tani, në 2018-tën. Diskutimi duhet të ecë përtej a duhet të ketë marrëveshje dhe përtej arsyeve “përse të mos” negociohet. Udhëheqja e njëmendtë nënkupton të përqendroheni se si të gjendet mënyra për t’i përmbushur qëllimet tuaja. Ekziston momentum në rritje dhe seriozitet i njëmendtë që më në fund të arrihet normalizimi Kosovë-Serbi. BE-ja e ka theksuar se për të hyrë në Bashkimin Evropian, të dyja vendet duhet të arrijnë një ujdi. Kjo është karta më e fuqishme negociuese që Kosova do ta ketë ndonjëherë. Por, Bashkimi Evropian ka zgjedhje në vitin 2019 dhe askush nuk mund të thotë se çka do të bëjë gjenerata e ardhshme e prijësve të BE-së. Ka ardhur koha që Kosova të bashkohet nën ndjenjën e unitetit dhe qëllimit kombëtar për shtytje të fundit në dialog.

Njëkohësisht, Kosova e ka edhe një kodër tjetër për tu ngjitur. Luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i besimit të opinionit publik. Zyrtarët publikë në një demokraci e kanë detyrim që t’i japin llogari popullit, i cili ua paguan pagat dhe që ta vënë shtetin në vend të parë, mbi interesat personalë ose politikë. Kjo vlen për të gjithë zyrtarët publikë, komunalë e shtetërorë, nga zyrtarët e policisë e te prokurorët, gjyqtarët, zyrtarët qeveritarë e deputetët. Një kulturë që vë interesat e vendit mbi përfitimin personal dhe lufta sistematike e e vazhdueshme kundër korrupsionit janë thelbësore për gjithçka që Kosova shpreson të përmbushë. Në çështjet jetike si papunësia, edukimi, siguria energjetike dhe shumë çështje të tjera, Kosova duhet të jetë shtet ku meritat vlejnë më së shumti, ku një mjedis transparent dhe stabil afarist tërheq dhe shpërblen investimet dhe ku të rinjtë besojnë se kanë gjasa të barabarta për të arritur diçka dhe edukimin për të pasur sukses.

Unë besoj që kjo gjë është e mundshme sepse pas tri viteve këtu, e di që Kosova është vend i qëndrueshmërisë, kreativitetit dhe guximit. E shoh këtë çdo ditë, në takimet me studentë, bujq e ndërmarrës të ri, duke qenë dëshmitar i talentit dhe potencialit të hatashëm të një kombi të ri, i gatshëm për të shpërthyer.

Përballuni me sfidat para jush dhe Kosova mund t’i arrijë qëllimet për të ndërtuar një ekonomi të larmishme dhe dinamike; për të zhvilluar marrëdhënie produktive e paqësore me fqinjtë e saj; dhe siç thuhet në Kushtetutën e saj “për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës që do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve të vet”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’ju qëndrojnë përkrah derisa përballeni me këto sfida. Sonte, përderisa festojmë Ditën tonë të pavarësisë, e festojmë edhe miqësinë tonë me Kosovën dhe përkushtimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një botë ku demokracitë mund të lulëzojnë.

Urime! Čestitke svima! Urime Dita e Pavarësisë së Amerikës!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, i Pavarësisë së SHBA, Kosovë-Festohet 242-vjetori

KAMPI FAMËKEQ I TEPELENËS DHE SQARIMI I NJË KEQKUPTIMI

June 30, 2018 by dgreca

1 Asllani 21NGA ASLLAN BUSHATI/*

Në kohën e Luftës Dytë Botërore (LDB), pranë Qytetit të Tepelenës, forcat pushtuese italiane,  kishin ndërtuar  për nevojat e tyre ushtarake disa baraka. Menjëhërë pas mbarimit të LDB-së, regjimi komunist (i insaluar në Shqipëri me ndihmën e jugosllavëve), i këtheu këto baraka në një vend grumbullimi , për familjet e krerëve antikomunist, duke e emërtuar “Kampi i Tepelenës”.  Sipas dëshmive të të mbijetuarve (por edhe dokumentave të arkivit), në këto baraka të rrethuar me tel me gjemba , ishin grumbulluar qindra njerëz (vecanërisht gra, pleq dhe  fëmijë). Ai ishte (sipas tyre, kuptohet dhe të së vërtetës), jo kamp, por një ferr i vërtetë në të cilin  gjetën vdekjen shumë prej tyre. Humbja e jetës  së tyre ,erdhi si nga torturat e trajtimi cnjerëzor,por dhe nga urija. Madje të vdekurve edhe  sot pas shtatëdhjetë  vitesh  nuk u janë gjetur edhe varret.

Për pjesën e  të të përndjekurve politik të regjimit komunist, (por dhe gjithë shqiptarët e ndershëm e të drejtë),Kampi i Tepelenës, nuk ishte vetëm vuajtje, por torturë njerzore e bërë nga shteti kundër qytetarëve të vet. Për këtë krim shtetëror,  asnjë drejtues i regjimit komunist nuk ka kërkuar falje publike  deri më sot, madje as pinjollët e tyre dhe as  Partia Komuniste e këthyer tashmë  në Socialiste nuk e ka bërë një gjë të tillë. Në këndshikimin tim ky është akoma një konflikt shoqëror i pa mbyllur (shto këtu edhe shumë kampe e burgje të tjerë). Ngritja e një muzeu në atë hapsirë (sic pretendohet nga qeveria), nuk e zgjidh problemin. Duhet të dalë një ligj i posacëm, që kësaj pjese të shoqërisë të prekur nga ky krim shtetëror, jo vetëm tu kërkohet falje publike por të dëmshpërblehen dhe si krim i kryer të njihet e  të shkruhet edhe në librat e  tekstet shkollore. Tendenca e disave për ta fshirë nga kujtesa historike, ose për ta zvogëlur në minimum, është e papranueshme, e dëmëshme dhe me pasoja për të ardhmen.

E theksova këtë fakt, sepse kohët e fundit  Federata Pan- Shqiptare e Amerikës Vatra, është ballafaquar dy herë me  problemin e Kampit të  Tepelenës, për të cilin ajo ka një qëndrim shumë të vendosur dhe të prerë në krah të të përndjekurve politik të regjimit komunist. Së pari kjo ndodhi gjatë promovimit të romanit të Dine Dines “Mbi varkën e Karaontit” dhe së dyti në një takim pune me një nga figurat më të spikatura të të përndjekurve politik Zotin Simon Miraka gjatë vizitës së tij në Vatër. Në takimin e dytë pati  zëra se ky problem mendohet se i është keq servirur edhe ish Kongresmenit Amerikan Joseph DioGuardi, President i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane. Marrë shkas nga ky fakt, së bashku me Zotin Zef Balaj (Anëtar i Kryesisë së Vatrës), e ftuam Zotin DioGuardi  në një drekë pune për të biseduar rreth kësaj teme. E pyeta atë drejt për së drejti  e si i thonë fjalës pa doreza: Joe a keni dhënë Ju kohët e fundit  një deklaratë se “ shqiptarët është mirë të  mos mbeten peng të së shuarës e të mos merren me  muzeun e Kampit të Tepelenës, por të ndërtojnë atje ndonjë shkollë a qender kulturore për edukimin e  të rinjëve”?  Po më tha. Kam lexuar një material ku thuhej se Kampi i Tepelenës ishte një Aushvic (Auschëitz)  Shqiptar. Kushdo njeri në botë që dëgjon fjalën “Aushvic” ka parasyshë cfarosjen e hebrejve. Unë jam marrë gjatë së bashku me ish Kongresmenin Tom Lantosh me dosjen e hebrejve në Shqipëri,  me të cilën krenohemi se asnjë hebre nuk u vra gjatë LDB-së në Shqipëri. Tani c’është kjo prrallë për një Aushvic  në Shqipëri kur dihet botërisht se kjo nuk ka ndodhur? A mund të ma shpiegoni  ju si intelektual i fushës ushtarake këtë dokërr shqiptare të koheve të fundit?

E pashë se paska një keqkupim për dyfjalëshin “Aushvic shqiptar”. Kështu mu desh ti shqiegoja  atij (sa është shruar më lart për Kampin e Tepelenës) duke theksuar  se fjala “Aushvic” është përdorur vetëm si një krahasim ku shtetit shqiptar komunist ka vrarë njerëzit e vet sic kanë vrarë nazistët hebrejt. Por ky kamp i Tepelenës nuk ka asnjë lidhje  me hebrejt se sic e thatë edhe Ju në Shqipëri  gjatë LDB-së nuk  ka humbur jetën asnjë hebre. Atëhere  Joe DioGuardi tha:” Unë jam tërësisht anti komunist dhe këtë e kam vërtetuar me punën e veprimtarinë time. Meqenëse kjo qenka një keqkuptim krahasimor, unë ju kerkoj të falur gjithkujt që është ofenduar nga deklarata ime”.

Tani vazhdoi ai -Ju ishit në Shqipër për më shumë se tri javë. Dëshiroj të dëgjoj opinionin tuaj mbi gjendjen e atjeshme? Përgjigja ime ishte:

Pata rastin të takoj miq, shokë e dashamirë, por edhe të pa njohur në Tiranë, Elbasan, Librazhd, Pogradec, Korce, Durrës, Fush-Krujë, Krujë, Lac, dhe Burrel.  Kudo që kam shkuar kam parë e ndjerë  se ka një propagandë shurdhuese të Qeverisë Rama  (në të gjithë masmedjan), për suksese imagjinare  që askush nuk i ndjen e nuk i prek. Duket hapur një imponim i turpëshëm  i Qeverisë për  gjëra krejt pavlerë  e duke përhapur frikë e panik më keq se në kohën e regjimit totalitar. Njerëzit kanë frikë të thonë e të argumentojnë të vërtetën. Njerëzit e thjeshtë trajtohen nga segmentet qeveritare  si gjë pa vlerë për të mos thënë  si bagëtia. Kërkohet që nëpërmjet batutave, dialekteve krahinore, fjalëve të huazuara nga fjalori i rrugës e deri nga osmanishtja e vjetër ti shpërlahet truri njerëzve. Korrupsioni  është galopant dhe nuk mund të zgjidhësh asnjë gjë pa paguar paraprakisht. Sharje pafund nga qeveritarët sikur ata janë ajka e Kombit dhe të tjerët janë fundërrina. Cdo lëvizje e  opozitës shihet si antishqiptare, antikombëtare dhe anti BE. Më parë dëgjohej fajin e ka Sali Berisha, pastaj Qeveria e PD-së dhe tani opozita.

Poshtë në bazë ka një rrjet të tërë  kriminal të mirëstrukturuar që është pasuruar nga kanabisi, e që është i lidhur  ngushtë me segmentet e shtetit . Ai deformon zgjedhjet, bën presion mbi njerëz e biznese të vecanta dhe përdoret si levë frikësimin.  Lart ka një rrjet tjetër mafioz të lidhur me trafikun e heroinës e kokainës i cili zotëron mjete të shumta financiare në kesh  e që kërkon ta transformojë këtë para të pistë  në pasuri të patundëshme. Të dy këto sisteme së bashku i ngjajnë një mulliri që e bluan shoqërin shqiptare për interest e një grupi të vogël njerëzish të inkriminuar. Këta grupe kriminale, krahas drogave kanë filluar edhe trafikimin e qenieve njerëzore e kryesisht të emigrantëve të ardhur  nga Afganistani, Siria, Iraku, Libia etj. Shkurt kriminalizim i tejskajshëm në ortakëri me Qeverinë. Kjo tabllo e errët e përgjithëshme, dhe  duke mos patur punë e mjete jetese, ka krijuar psikozën se ky vend nuk bëhet. Është vrarë shpresa në rradhë të para për brezin e ri. Jeni të lumtur ju që keni emigruar më parë-thonë njerëzit e pashpresë. Ose si mund të emigrohet ne Amerikë? Me këto pyetje u ballafaqova kudo. Kjo ka vetëm një shpiegim dhe ajo quhet shkurt –keq qeverisje.

Opozita po përpiqet të bëjë detyrën e saj . Por ajo ndodhet përballë një përbindëshi antidemokratik, frenues, regresiv herë-herë dhe antikombëtar që zotron miliarda para të pista. Opozita përpiqet që reforma në drejtësi të eci përpara, por sic thonë njerëzit ajo është deformuar e blerë nga Qeveria. Edhe ndihma e ndërkomëtarëve shpesh  eshte perziere me djallëzitë qeveritare e pothuaj  është deformuar. Pritëshmëria është e madhe për këtë reforme, por situata e deri tanishme nuk është  qartësisht  prentuese.

Një grupim jo i vogël njerëzish, janë të inatosur hidhëshëm me qeverinë, por nuk kanë besim edhe tek opozita. Mu desh shesh herë t’i pyesja se kur nuk doni as qeverine e as opozitën, në një kohë që ska sindikata vepruese, ska shoqëri civile reaguese, mos po  kërkoni liderë nga kombe të tjera apo nga jashtë toksorët (UFO-t)?

Unë personalisht e shoh zgjidhjen e problemit  duke filluar me mbështetjen e gjithanëshme që i duhet dhënë opozitës. Ajo duhet  ti marrë  punët me radhë  dhe në asnjë mënyrë të mos bjerë në leqet e kurthet politike  të  qeverisë. Veprimtaritë që nisen duhet tu shkohet deri ne fund. Cdo kauz e lënë në mes të rrugës është  vrasëse për misionin e opozitës. Shkallë- shkallë duhet të planifikohet të shkohet deri tek mosbindja civile. Atëhetë “kali  qveritar” i Edi Ramës i kethe  patkonjt nga dielli.

Këto mendime ja  thashë ish kongresmenit DioGuardi  , të cilit i kërkova që në se ka mundësi  ato  t’ju a përcielli edhe miqëve tanë republikanë në Kongresin Amerikan. Po ashtu të njejtat gjëra ju a thashë edhe miqve të mi në Vatër.

*A S L L A N   B U S H A T I

Vo. Ky artikull është shkruajtur në fundin e muajt maj 2018. Por për të mos e shfrytëzuar ndonjë tifoz i Edi Ramës se edhe diaspora po hedh baltë  mbi Qeverinë që Shqipëria të mos hap bisedimet me BE-në në qershor, (shkrim që nuk do të kishte asnjë ndikim) po e dërgoj për publikim pas vendimit të ministrave të jashtëm të BE-së që e shtyu hapjen për në qershor 2019.

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati, Joe DioGuardi, Kampi i Tepeltjes, Keqkuptim

VATRA NE TAMPA BAY, NJE SHEMBULL PER TU NDJEKUR

June 29, 2018 by dgreca

DEGA E VATRËS NË TAMPA BAY DERGOI NE QENDER ANËTARËSITË E 41 VATRANËVE. ESHTE E PARA NDER 4 DEGET QE VEPROJNE NE SHTETIN E FLORIDES…./

1 ok Shkolla Tampa1 ore mesimikjo shkolla

Në Qendrën e Fedearatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” sapo mbërritën informacionet më të fundit nga dega e Vatrës në Tampa Bay me Kryetar z. Tasim Ruko, zv/Kryetar Isuf Spahiaj, Sekretar Ari Abdi, arkëtar Jason Sulisufay, me anëtarë bordi: Eva Keta, Piro Poloska, Fadil Neziri, Mario Mihaj, Tahir Tahiri Mimoza Traga dhe Angie Sharxhi, njoftoi se anëtarët e saj i kanë bërë pagesat e anëtarësisë për vitin 2018 dhe se janë gati për Kuvendin e ardhshëm.

Dega në Tampa Bay e ka rritur numrin e anëtarëve për këtë vit dhe ka përcjellë përvec chekut prej $ 4,100.00 edhe Listat e anëtarësisë me të dhënat e hollsishme për cdo anëtar.
Dega e Vatrës në Tampa By shquhet edhe për punën serioze me Shkollën shqipe.
Lusim degët që nuk i kanë shlyer detyrimet ndaj qendrës të ndjekin shembullin e degës së Vatrës në Tumpa Bay, Michigan etj.
Sic dihet në shtetin e Floridës funksionojne kater dege: Jacksonville, Tumpa By, Orlando dhe Fort Lauderdale …

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Tasim Ruko, Vatra Tumpa Bay

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT