• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

Foli Luftari foli kllasa…teatri Kombetar

June 14, 2018 by dgreca

Teatri-kombetar

Nga Ilir Levonja/Para pak ditësh aktori apo artisti i popullit Luftar Paja iu ankua publikut për heqjen nga lista e rimbursimit të një ilaçi zemre. Ku sipas tij, nuk e blinte dot, ishte shumë i shtrenjtë. Kjo pati efektin e menjëhershëm sa që gjithçka u konkludua një zot e di se si… pasi Luftari nuk na e sqaroi më ne si publik, me një fjalë iu gjet një zgjidhje mes një mestari të qeverisë dhe vet Luftarit. Themi u gjet pasi qysh atëherë Luftari nuk u ndje më, ose nuk bëzajti. Me siguri është një nga manovrat, çke ore se e rregulloj unë për ty. Kot më ke mik etj. Një nga ato manovra ku një sërë a soj kaste qeniesh, intelektuale a artistësh, bjen menjëherë dakort, mjaft që t’u shkojë uji në bahçen e tyre. Ashtu si edhe e përmblodhi po ca ditë më parë, Rikard Ljarja punën e diktaturës dyzetë e pesëvjeçare në Shqipëri, krimet e komunizmit apo luftën e klasave, duke thënë se unë për vete kam qënë në rregull, dilja për natë në televizor. Por mos të hapemi shumë. Le të qëndrojmë tek Luftari, thjesht për t’i kujtuar raportin e shqipatrëve me njëri-tjetrin dhe historinë…, sidomos atë të artit. Luftari vet vjen nga ai soj, që quhet produkt i brigadave prodhuese, amatorët. Si shumë të tjerë aty në Fier a Mallakastër. Dhe sigurisht syve të regjisorëve të kohës duke përfshirë këtu edhe Pëllumb Kullën. Pa diskutim që është një talent, por fal aderimit dhe partisë kapi trefish më shumë se shokët e tij. Dhe duke qënë se vjen nga klasa punëtore, normale që do i mëshoj partisë dhe jo historisë së artit. Kjo është karakteristikë e komunistëve që historia bëhet duke larë duart me sapun dhe duke pështyrë anash, pasi nuk ka histori tjetër veç ideologjisë. Përshembull mua a brezave që nuk jemi as të persekutuar as të privilegjuar, kur vjen puna, këmbëngulim që komunistin ta kemi aty, tek historia, në ato mure qëllimisht të rrënuar, qoftë si shtojcë të akademisë së arteve, teatrit etj. I shërbejmë Luftarit ashtu si kurrë Luftari nuk na shërben ne. Që domethënë, ne nuk duam të prishim dhe sigurisht që duam të ndërtojmë. Duam teatër të ri, por diku tjetër. Kjo vetëm moralisht, pa u futur në shkërdhatokracitë e përqindjeve të tenderave, ku rrezik edhe Luftari ka pjesë. Ashtu siç ka pjesë në persekutimin që i bëhej familjeve a shtresave të ndryshme shoqërore. Dhe shoku në fjalë votonte në mbledhjet e partisë. Por për t’u thënë brezave se ne paraardhësit tuaj duam t’ju tregojmë se këtu, tek kjo godinë, tek ky oborr ecën këta edhe ata. Ata që përndoqën, ata që përndoqën, spiunuan njëri-tjetrin por nga ana tjetër na sollën të gjallë edhe Hamletin, Otellon etj. Këtu ishte e djeshmja dhe këtej fillon e reja…., kaq. Për t’ju thënë brezave se udha më e mirë kombëtare është ruajtja si xhevahir e çdo objekti social. Se ndryshe kurrë nuk kemi për të pasur një të vërtetë të përbashkët, një histori tonën. Ndryshe jemi palë me persekutorët dhe zullumet e tyre. E thotë Lasgush Poradeci, e keni tel ftesë në studio e Kadaresë, i thotë Ismailit (e kam risjellur disa herë dhe nuk do të lodhem).., me pak fjalë poeti a artisti i ka faj është bashkëfajtor për krimet e shtetit. Po kjo nuk vlen për një artist komunist nga brigadat e klasës punëtore. Rrevolucionarët që sheshuan gjithçka të bindur se po hapnin një histori të re dhe se nuk do perëndonin kurrë. Kjo nuk vlen për një artist komunist që padrejtësive sociale ua bën në kokë mjaft që atij t’i rimbursohen ilaçet e zemrës. Ndofta edhe ndonjë përpjekje e fundit e gjeneratës së nomenklaturës për të zhdukur butaforinë dhe mëkatet e tyre, ku pa diskutim edhe ti artist i popullit ke pjesën tënde. Ndryshe nuk do e pranoje për kryeministër një person që ka lidhje të drejtëpërdrejtë me varjen në litar. Atë të Havzi Nelës…, kur në gushtin e vitit 1988, dy vjet para rënies së kastës suaj. Por që ty kurrë nuk tu skuq faqja, ndaj sot e trajton demokracinë me materialin e diktaturës së proletariatit.

Filed Under: Analiza Tagged With: foli kllasa, Foli Luftari, Ilir Levonja

PRISHTINË-SHKUP, LIDHJE ME AUTOSTRADË

June 14, 2018 by dgreca

-Kosovë-Autostrada drejt Maqedonisë, përurohet segmenti i tretë/

1 autostrade amb amerik1 autostrada kjo1 autostrade Thaci2 Ramushi autostrade

-Përfundimi i ndërtimit të autostradës në pjesën kosovare pritet para fundit të këtij viti, madje të përurohet për Ditëfestën e Flamurit e të Pavarësisë Shqiptare – 28 Nëntorit/

 PRISHTINË, 14 Qershor 2018-Gazeta-DIELLI-Behlul JASHARI/ Sapo u përurua sot segmenti i 3-të i autostradës nga Prishtina në Han te Elezit, kufiri me Maqedoninë, drejt Shkupit, në pjesën Bibaj-Doganaj, me një ceremoni të zhvilluar në mesditë, me pjesëmarrje të drejtuesëve institucionalë e politikë të Kosovës.

Mes pjesëmarrësve ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, si dhe kryetarë komunash nga kalon autostrada.Në fjalët e rastit u paralajmërua përfundimi i ndërtimit të autostradës në pjesën kosovare para fundit të këtij viti, madje të përurohet për Ditëfestën e Flamurit e të Pavarësisë Shqiptare – 28 Nëntorit.Në Kosovë, në 3 korrik 2014 është organizuar ceremonia e përurimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e autostradës rreth 60 kilometërshe drejt Maqedonisë, e cila kalon nëpër Ferizaj, Kaçanik e lokalitete tjera. Autostrada është emërtuar me emrin e intelektualit dhe veprimtarit shqiptar nga Tetova Arbën Xhaferi.Në 25 tetor 2015, në një ceremoni përurimi të hapjes së nyjës lidhëse Kosova ka lidhë autostradën e përfunduar drejt Shqipërisë me atë në ndërtim drejt Maqedonisë, dy projekteve më të mëdha të infrastrukturës kosovare të rëndësishme edhe për gjithë rajonin.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Auitostarde, perurim seg 3, Prishtine-Shkup

Kujtesë- I VETMI NË BOTË

June 14, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 1 Muzeu ateist

9 QERSHOR 1973: INAUGUROHET MUZEU ATEIST NË SHKODER – I  VETMI  NË  BOTË  NË  SHEKULLIN  XX…/

45 VJET janë ba nga dita e inaugurimit të Muzeut Ateist “I VETMI NĔ BOTĔ’ dhe, as sot nuk kemi një studim të plotë, që perveç ideatorëve të Byrosë Politike të PPSh, Populli Shqiptar nuk di as qellimin dhe as funksionin që ka krye ai muze antinjerzor dhe antikombtar, i hapun në qendren historike të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Ai Muze Ateist u ndertue mbi gropat pa shenja dhe Emna të të vramëve dhe të mbytunve nga sigurimi i shtetit komunist, që ashtu si hapi atë “Muze I VETMI NË BOTË, ashtu edhe ka krye GJENOCIDIN KOMUNIST TË VETMIN NË BOTË!”

Ky Gjenocid antinjerzorë asht krye me mjetet ma të dhunshme dhe të mnershme kunder Klerit Katolik Shqiptar, që në këte 45 vjetor duhet të na rikujtojnë Martirët e Mëdhaj që dhane jeten e vet, per një Ideal Fetar dhe Atdhetar të pavdekshem dhe të Perjetshem:

Imzot Ernesto ÇOBA (1913 – 8 Janar 1980);  Don Zef BICI (1919 – 10 Maji 1968);

Don Mark DUSHI (1920 – 10 Maji 1968);       Don Marin SHKURTI (1933 – 1 Prill 1969);

Don Shtjefen KURTI(1898– 20 Shtator 1971); Don Anton DOÇI (1915 – 1973);

Don Mikel BELTOJA(1935 –10 Shkurt 1974);Don Prekë NIKÇI (1921 – 15 Mars 1974);

Don Mark HASI (1920 – 11 Shtator 1981);        Don Lazer JUBANI(1925 – 29 Korrik 1982);

Don Lec SAHATÇIJA (1906 – 4 Prill 1986);    Don Nikoll GJINI (1911 – 1987);

Imz. Lazer SHELDIJA(1928-10 Shtator 1988)  Don Pjeter GRUDA (1922 – 13 Janar 1989);

1944 – 1989 Gjenocidi ka vra dhe zhdukë 65 Klerikë Katolik në Shqipni.

Mbas 1967 të burgosun dhe të dënuem me shumë vite punë të randë, janë 23 Klerikë të besimit Katolik. Perjashtimi i Besimeve tjera nga ky “revolucion” barbar kishte qellim kryesor metoden e vjeter anadollake “Perçaj e sundo”! Pasojat vazhdojnë edhe sot nder të gjitha Trojet Shqiptare, tue fillue me Shtëpijat Muze të vjetra deri te ato të Atdhetarëve At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Osman Kazazi, Kulla e të Madhit Prekë Cali.

Muzeu Ateist nuk duhet shkatrrue asnjëherë! Aty duhet punue per me u ba një nga ma të mëdhajat Biblioteka të Shqipnisë, ku duhen ruejtë me kujdesin ma të madh të gjithë botimet e librave dhe revistave të “Realizmit Socialist” nga viti 1944 e deri tek botimi i Librit të fundit të kësaj epoke shkatrrimtare të Shqipnisë Europjane!

Aty duhen protokolue diskutimet e të gjithë “revolucionarëve të 1967” të cilët, nga viti 1944, nuk kanë pushue tue akuzue dhe shpifë per qytetarët, e madje, tue kerkue edhe pushkatimin e sa e sa vetve të pafajshem, që sigurimi kerkonte me i zhdukë edhe si fise.

Askush nuk asht burgosë e interrnue pa “deklarata fallco” nga dashakqijtë e paturp.

Askush nuk asht largue ose pushue nga puna pa shpifjen e një agjenti barbar!

Askujt nuk i asht kontrollue shtëpia dhe shtetizue pa aprovimin e kryesisë së lagjeve.

Askush nuk ka shkue agjent jashta shtetit pa u garantue kthimi i tij nga një komunist.

Askush nuk e tregon një vend pushkatimi pa aprovimin e degës së mbrendshme.

Askush nuk tregon vrasësit nder piramida dhe kush urdhnoi tek vendi ekzekutimit.

Askush nuk boton listat e diskutantëve në 1967 në Institutin Pedagogjik Shkoder.

Askush nuk tregon kush ua pergatiti diskutimet kunder klerikëve nder gjyqe…

Askush nuk tregon ideatorët e burgosjeve dhe interrnimeve apo nisjes nder male…

Askush nuk tregon kush vjedhi dhe po i perdorë punimet shkencore të të vramëve…

HAPNI DOSJET, MOS KINI FRIKË NGA TË VRAMIT DHE TË ZHDUKUNIT !

“Të gjallët vazhdojnë me hanger bar, por parimet nuk i shkelin…” Kjo asht porosia!

***

Revolucioni kultural dhe ideologjik i 1967 mbasi shkatrroi Gjuhen dekompozoi Njeriun!  Mbas mbylljes perfundimtare të objekteve të Kultit, drejtuesi anadollak i “Revolucionit Kulturor të vitit 1967” skilja Ramiz Alia, krijoi në Shkoder një Komision me një nga besnikët e tij të njohun Jup Kastrati “Kryetar i komisionit perzgjedhjes leteraturës fetare kishtare”, i cili i ka sherbye deri në vdekje. Mbasi grumbulluen dhe seleksionuen të gjitha veprat letrare nga bibliotekat e institucioneve dhe ata personale, dorshkrimet dhe punimet me vlerë vazhdojnë me u botue edhe sot nga hajdutët “dr. Prof…”. Tepricat e materialeve u ekspozuen në “Muzeun Ateist”, të cilin unë nuk e kam pa asnjëherë dhe, as nuk kam punue kurrë aty, as kur pergatitej hapja e tij, ndonse agjentët e sigurimit dhe bijtë e tyne (që ua kalojnë per poshtersi e shpifje edhe baballarve e nanave të veta), deri pak vite perpara vazhdonin me më akuzue se kam punue si piktor aty. Nga piktorët e angazhuem me punue aty unë kam njoh disa, po as nuk dyshoj se shpifjet kanë dalë ose dalin prej tyne, mbasi ata më kanë shpreh keqardhje per foton e vllaut të arrestuem dhe të dënuem 10 vjet, që asht vendosë dikund me grupin e klerikëve. Vertetë që në vitin 1996 unë mora Dokumentin e Pastertisë së Figures sime, po ai Dokument duhet të fillojnë nga viti 1953, kur ishe trembdhjetë vjeç, dhe nuk kam pranue asnjëherë me i sherbye asnjë organi të sigurimit të shtetit, edhe pse kerkoi me më aktivizue sekretari i rinisë së shkollës Pedagogjike Jani Çomo me Emil Mborjen. Dy figura të njohuna terroriste.

Shteti Shqiptar asht i vetmi që vazhdon me nderue dhe dekorue shpifsa e terroristë, që nder dosjet e tyne vlon gjaku i të Pafajshemve, që me mënyra të ndryshme vazhdojnë me vuejtë, nuk i kanë kthye pronat, nuk i japin punë fëmijve, se nuk i GARANTON njeri!

Edhe kjo rrugë pa asnjë “Dritë në horizont”… Asht Ri-ngjallje ose Vazhdimsi!

Vrasësve tradhtarë të Popullit Shqiptar mos ju shlyftë kurrë Gjaku nga dyertë e tyne!  

            Melbourne, 8 Qershor 2018.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, i vetmi ne Bote, Muzeu Ateist, shkoder

GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEU SIPAS XHEVAT KALLAJXHI

June 14, 2018 by dgreca

1 Kallajxhiu Skenderbeu ok

ME RASTIN E 550-VJETORIT TË GJERGJ KASTRIOTIT-SKENDERBE/

Frank.JPG

Nga Frank Shkreli/

Para disa ditësh isha duke hapur një kuti me libra të vjetra dhe gjeta një dorëshkrim me një dedikim të posaçëm nga autori — mbi Gjergj Kastriotin-Skenderbe, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar, shkruar nga i ndjeri Xhevat Kallajxhiu, një ish-koleg me të cilin kam punuar në Zërin e Amerikës për disa vjet gjatë ’70-ave dhe ish-Kryeredaktor i gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra.  Dorëshkrimi i titulluar thjeshtë “SKENDERBEU”, është një vepër e thjeshtë siç e cilëson edhe vet autori, “bazuar në fakte historike dhe në legjenda”,e shkruar nga fundi i verës së vitit 1967 dhe botuar në atë kohë, pjesë pjesë, në gazetën Dielli.  Xhevati e kishte shkruar këtë broshurë prej mbi 50-faqesh, sipas tij, si “Një kontribut të vogël në përpjekjen e madhe që bënë  shqiptarët kudo për të përkujtuar 500-vjetorin e vdekjes së Skenderbeut.”

Në parathënien e broshurës autori i referohet vitit 1968, si viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe përmendë një numër të madh veprimtarishë nga shqiptarët në mërgim, “Në kujtim të Fatosit të paharruar të Kombit”, shkruan Xhevat Kallajxhiu.  Ai shënon se gjatë vitit 1968 janë botuar një numër studimesh, librash dhe dokumentash, në shqip dhe gjuhë të huaja, mbi jetën dhe veprimtarinë e Gjergj Kastriotit-Skendërbe.  Në Amerikë dhe në botën perëndimore kudo që kishte shqiptarë, sipas autorit, u mbajtën mbledhje të posaçme, në të cilat u paraqitën kumtesa shkencore-historike.  Revistat dhe gazetat e shqiptarëve të mërguar në botën e lirë, kishin botuar edicione të posaçme mbi Krye-Heroin e tyre, duke e përkujtuar në mënyrë madhështore vdekjen e Skenderbeut, ashtu siç e meriton Heroi i Pavdekur i Kombit Shqiptar, ka theksuar ai.  Veçanërisht, autori Xhevat Kallajxhi, thekson manifestimet e shumta në Vatikan dhe në Romë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, ku morën pjesë arbëreshë të Italisë dhe shqiptarë të mërguar në botën e lirë, përfshirë një numër i madh shqiptaro-amerikanësh, të cilët me atë rast, gjatë qëndrimit të tyre në Romë, ishin pritur në audiencë edhe nga Papa Pali i VI. Autori sjellë përshëndetjen e Papës drejtuar shqiptarëve, me fjalët: “Bij fort të dashtun Shqiptarë! Po ju sjellim juve një mirëseardhje të veçantë, mbasi jemi mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbet, Fatosit të Kombit tuaj e të Krishtërimit, pranë kësaj Selije Apostolike, të cilën mund ta quani si shtëpinë tuaj. Na po ju shohim me kënaqësi, sepse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë rast është shpirti i hershëm i fisit tuaj, i cili gjithnjë, për mbi çdo interes, ka venë vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit dhe të Burrerisë”.  Këto tri fjalë, Papa Pali i VI i ka thënë në gjuhën shqipe, shënon autori Xhevat Kallajxhiu në dorëshkrimin e tij.

Në këtë përkujtim të madh të shqiptarëve 50-vjet më parë, hynë edhe kjo vepër e vogël dhe e thjeshtë, në të cilën, përveç vdekjes së Skenderbeut, përshkruhen shkurtimisht edhe disa ngjarje kryesore që u zhvilluan nga 17 Janari 1468 – dita në të cilën Fatosi i Kombit dha frymën e fundit në Lezhë – e deri më 28 Nëndor 1912 kur populli shqiptar shpalli përsëri Pavarësinë Kombëtare në Vlorë.

Autori e fillon tregimin historik me sëmundjen që shkaktoi vdekjen e Gjergj Kastriotit në Janar të vitit 1468 dhe me pikëllimet që pasuan, si përfundim i zhdukjes së Kryetrimit të shqiptarëve, në radhët e bashkpuntorëve më të ngushtë të Skendërbeut dhe në popullësinë e thjeshtë.

Luani i Kombit vuan tmerësisht, por nuk mposhtet përpara hijes së vdekjes në çastet e fundit të jetës së tij. Megjithkëtë,  shkruan Kallajxhiu në tregimin e tij historik, Gjergj Kastrioti Skenderbe e merr veten dhe me frymën e fundit u drejtohet  princëve dhe kapedanëve me këto fjalë:

“Ej trima, mos e humbni burrërinë, se vdekjen borxh e kemi. Mbani lartë zemrat si kurdoherë dhe prëballojeni të keqen me guxim dhe gjakftohësi. Ju lë porosi të jeni të bashkuar — dhe amanet Shqipërinë. Luftoni për të si gjithmonë dhe mbrojeni nga sulmet e armikut deri në pikën e fundit të gjakut tuaj…Mos t’ju dhimbet jeta për Atdhe dhe për liri, se s’ka vdekje më të ëmbël se vdekja për to. Mua nuk më frikëson vdekja, por më vjen keq që e mabroj jetën në këtë shtrat dhe jo në fushën e betejës me shpatë në dorë. Ju priftë e mbara dhe Zoti qoftë gjithmonë me ju”, ishte porosia e Gjergjit drejtuar princëve dhe popllit që e kishin rrethuar.

Autori përshkruan atmosferën, pas vdekjes së Skendërbeut, në çdo qytet, fshat  shtëpi dhe kasolle të Shqipërisë së asaj kohe, ku nuk dëgjohej gjë tjetër veç vaj, dhe sjellë një vajtim tradicional të grave të Labërisë kushtuar Gjergj Kastriotit -Skenderbe:

“Ç’u nxi jeta u bë sterrë

Vaj për Shqipërinë e mjerë.

Jetim na mbeti Atdheu

Tash që na la Skënderbeu,

Mynxirë e madhe na gjeti,

Mjer Arbëria, mjer mileti….”

Këtë hidhërim mbarë kombëtar për vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skendërbe, në vepren e tij, “Skenderbeu”, Xhevat Kallajxhiu e pasqyron edhe me fjalimin që mbajti Lekë Dukagjini, në varrimin e Heroit Kombëtar, në emër të princërve dhe kapedanëve të Arbrit: “Shpirti im është aq i tronditur sa është edhe shpirti juaj dhe i gjithë shqiptarëve. Nuk gjejë fjalë të përshtatëshme për të shprehur hidhërimin e thellë për këtë tragjedi që ka mbuluar kombin tonë. Sot kemi fatin e zi të varrosim burrin më të madh që lindi raca arbënore, pas shumë shekujsh…Tani kemi një barrë të rëndë dhe nuk di nëse do ia dalim mbanë, por ajo që varet nga dora jonë është që të veprojmë sipas porosive të Prijësit tonë të paharruar: të qëndrojmë të bashkuar dhe të vazhdojmë të mbrojmë Atdheun dhe lirinë.  Ky është nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të Skendërbeut, fryma e të cilit duhet të na udhëheq edhe tani që është i vdekur. Ky është edhe misioni më i lartë që mund të kryejmë përkundrejt Atdheut dhe popullit tonë. Zoti na ndihmoftë”, ishin fjalët e Lekë Dukagjinit në varrimin e Skenderbeut, sipas autorit.

Ai shkruan se pas vdekjes së Skenderbeut, Shqipëria hyri në një periudhë të errët, ndoshta më të errët në historinë e saj. Duke cituar Fan Nolin, i cili ka shkruar: “Në kohën kur Evropa dilte nga Koha e Mesme dhe hynte në Rilindjen e Qytetërisë, Shqipëria shuhej nga lista e shteteve të lira dhe hynte në zgjedhën e urryer të një fuqie barbare, nën të cilën vuajti  më tepër se katër shekuj. Vendi i shkretua fare. Tregëtia u venit. Qytetëria u shua. Çdo lidhje me Evroppn u pre…”.

Megjithë këtë periudhë të errët, siç e cilëson Fan Noli, Xhevat Kallajxhiu shkruan se përpjekjet e Shqiptarëve për liri, si në veri ashtu edhe në jug, filluan më në fund të jepnin fruta për realizimin e endërrës së shqiptarëve për një shtet të pavarur. “Pas 500-vjetë robërie, Flamuri i Skendërbeut filloi të valojë përsëri i lirë në qiellin e Shqipërisë. Simbol i Gjergj Kastriotit, që kishte mbetur i fshehur për pesë shekuj në zemrat e popullit shqiptar, u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 Nëndor, 1912, që koincidoi me datën fatlume të ngritjes së tij në Krujë nga Skenderbeu më 28 Nëndor, 1443”, shkruan autori në fund të dorëshkrimit të tij.  Në përfundimin e dorëshkrimit të tij modest me titull, “Skenderbeu”, shkruar 50-vjetë më parë, e kushtuar 500-vjetorit të të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe, autori Xhevat Kallajxhi është shprehur se, jeta, veprat dhe heroizmat e Skenderbeut janë pavdekësuar jo vetëm në botimet e shumta të shkrimtarëve të huaj, por edhe në botime të zgjedhura të autorëve shqiptarë. “Shqipëria dhe Skendërbeu janë bërë për popullin shqiptar një binom, dy emra të bashkuar në mënyrë të pashqitur me njëri tjetrin”, prandaj, përmbyllur ai dorëshkrimin e tij, ashtu siç e ka vjershëruar edhe patrioti martir i paharruar, Kol Tromara,

“Sa të rrojë gjithësija

Sa të rrojë gjithë dheu

Do të rrojë Shqipërija

Edhe emri Skendërbeu”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Skenderbeu, Xhevat Kallajxhi

Ne nuk duam të jemi “zë në shkretëtirë”

June 14, 2018 by dgreca

Njëzetepesë vjet më parë /

1-reshat-kripa

Në kuadrin e një përvjetori jubilar/

Nga Reshat KRIPA/

Në këtë përvjetor jubilar të rivarrimit të eshtrave të 22 martirëve të masakrës së pashembullt që rregjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve.

I vendosën të pesë familjet në një depo qymyri. Mendonin t’i linin aty vetëm për pak ditë, pastaj t’i dërgonin në Tepelenë. Një urdhër i dytë anulloi të parin. Midis tyre edhe një plakë e moshuar, nëna e Tefik Shehut, apo siç e thërrisnin “Nana kosovare“. Nënës së ngratë nuk i kishin treguar për birin e pushkatuar. Nusja e djalit, Sevdija, për t’i hequr vëmendjen këndonte me të këngën “I kam hyp vaporit“. Por zemra e nënës e kishte ndjellë mandatën që e kishte pllakosur. I mbylli sytë shumë shpejt. Ishin plotësisht të izoluar nga bota. Vetëm disa kurajozë, njerëz të shtresës së tyre, vinin fshehurazi natën dhe u sillnin sende me të cilat ato mbijetonin.

Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche, që një shekull më parë shkruante:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku….

Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi.

Në takimin e organizuar për pesëdhjetëvjetorin e kësaj ngjarje, në shkurt të vitit 2001,  së bashku me mikun tim, Cane Agaj, takuam Ida Temalin, që tashmë ishte plakur.  Përqafohemi  me  mall  dhe  nga  sytë  e saj shohim të rrjedhin lotë. Me një zë të dridhur na thotë

– Kam nostalgji për Vlorën. Mendonim se atje do të gjenim vetëm bisha të etura për gjak, por gjetëm njerëz të thjeshtë e të ndershëm, që na ndihmuan në ato çaste të vështira.

Sot ajo dhe motrat e saja kanë mbyllur sytë.

Takoj shpesh herë Hysenin. Bisedojmë për tema të ndryshme. Një ditë e pyeta për Xhonin krenare, me të cilën kam punuar në ndërmarrjen bujqësore. Kishte dëshirë të vinte për të punuar në brigatën e ndërtimit, ku isha edhe unë, pasi aty kishte shumë persona nga shtresa e jonë, por nuk e lejuan. Ishte e dënuar të punonte në bujqësi. Hyseni heshti për një çast, pastaj foli me një zë të dridhur:

– Xhoni  e ka mbyllur jetën e saj!

Takohem me Lulin. Ai më tregon se Tefta, Violeta dhe  Rexhepi nuk jetojnë më. Po ashtu

edhe Adhurimi i Jegenëve i kishte mbyllur sytë.

Homazh për këto figura të paharruara!

Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër.

Para syve më del rezoluta e miratuar para disa vitesh nga Këshilli i Europës. Në njërën nga pikat e saj shkruhet:Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga rregjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara.

Lidhur me këtë rezolutë edhe parlamenti shqiptar ka miratuar një të tillë, ku solidarizohet me atë të Këshillit të Europës. Por çfarë është bërë deri tani? Si në asnjë nga vendet e tjera ish-totalitare, në Shqipëri nuk ka asnjë burg apo kamp të punës së detyruar që të jetë kthyer në muze. Nuk ka asnjë lagje, rrugë apo shesh, institucion kulturor apo shëndetësor që të ketë marrë emrin e ndonjërit prej viktimave të shumta të genocidit komunist. Në memorialin e  varrezave të dëshmorëve vazhdon të jetë ende ylli i komunizmit dhe mua më duket sikur ai yll po i bren ende eshtrat e 22 martirëve tanë që prehen aty pranë. Si në asnjë vend tjetër në Shqipëri nuk ka një varrezë për viktimat e komunizmit, nuk ka një përmendore apo pllakë përkujtimore për mijrat e të rënëve që akoma nuk u dihen as varret. Shteti komunist i mblodhi eshtrat e të rënëve dhe u dha një varr ashtu si e meritonin. Po shteti demokratik si nuk kujtohet t’u jap një varr eshtrave të të rënëve nga plumbat e rregjimit totalitar? Në organet qeveritare mbretëron heshtja për genocidin komunist. Kush harron të kaluarën nuk mund të ndërtojë të ardhshmen

Në Ëashington është ngritur madhështor memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë memorialin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky memorial? Ka disa vite që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e tij por qeveritë vijnë dhe shkojnë dhe asnjera nuk është kujtuar për ngritjen e këtij memoriali. Përse? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Ky  do  të  ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

Edhe dy fjalë për ditën e kujtesës. Me nismën e ish-Ministrit të Kuturës, të nderuarit Bujar Leskaj, u caktua 21 maji, dita e protestës së famshme të Spaçit ku u ngrit flamuri kuq e zi pa yllin e  komunizmit më 1973. Pa kaluar shumë kohë ajo u ndërrua dhe u caktua 20 shkurti, dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit. Por edhe kjo datë kaloi në heshtje si ajo e para. Duhej vizita e ambasadorëve amerikanë dhe gjermanë në Spaç që dy presidentët e fundit, zotërinjtë Nishani dhe Meta, ta përkujtonin datën e ngritjes së flamurit. Kohët e fundit po qarkullon mendimi i caktimit të datës 26 shkurt. Unë jam i mendimit se kjo është data që simbolizon më së miri genocidin komunist kundër shqiptarve sepse pikërisht në këtë datë janë arrestuar, hetuar, gjykuar dhe ekzekutuar 22 persona, të gjithë intelektualë të shquar përfunduar studimet në vendet më të zhvilluara të botës perëndimore, brenda një peridhe prej një jave, madje vendimi i gjyqit të jetë shpallur pas ekzekutimit te tyre? A keni dëgjuar të ndodhë një ngjarje e tillë në ish-vendet e tjera socialiste? Një gjë e tillë mund të ndodhte vetëm në Shqipërinë tonë. 26 shkurti është data që përfaqëson më së miri genocidin komunist në Shqipëri, ndaj jam i mendimit që përfundimisht të caktohet kjo datë  për kujtimin e viktimave të terrorit komunist por, vini veshin çfarë është më e  rëndësishmja, të mos lihet në harresë si datat e tjera të  sipërpërmends

Në këto çaste më dalin parasysh vargjet e një poezie të një poeti anonim:

Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,

Nga këta “bandillë”, këta “xhevahirë”,

Zërat tonë të fortë, zërat tonë të mirë,

Zërat tonë të lirë, zë në shkretëtirë.

E pra, ne nuk duam të jemi “zë në shkretëtirë”.

Filed Under: Politike Tagged With: pervjetor, reshat kripa, ze ne shkretetire

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT