• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

Vazhdimi i ëndrrës së legjendës Fadil Vokrri

June 10, 2018 by dgreca

1 luleKryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në mbledhjen komemorative të Kuvendit, të mbajtur me rastin e vdekjes së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ish-futbollistit të njohur, Fadil Vokrrit, ka thënë se ikja para kohe e heroit të futbollit të Kosovës, është një humbje e madhe kombëtare.

1 a ok veseli

Në fjalën e tij para deputetëve, familjarëve të ish-futbollistit dhe të pranishmëve të tjerë, Veseli tha se lajmi për vdekjen e papritur të Fadil Vokrrit ishte tronditës.“Fadili ishte sinonim i gëzimeve tona, ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, ishte sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbër të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Humbja po ashtu. Një humbje kombëtare”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se jo vetëm familja, por secili që ka pasur rastin ta njoh Fadilin, sot duhet të ndihet krenar se ka një rrëfim për këtë njeri të madh të Kosovës.“Kemi humbur legjendën e futbollit tonë, në kohën kur më se shumti kërkohej përkushtimi, profesionalizmi dhe atdhedashuria sportive e tij. Ne do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kryeministri Haradinaj: Fadil ishe i të gjithë neve, të gjithë të nderojmë

Prishtinë, 10 qershor 2018- 10 06 2018-ZKM-1 (3)Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri homazhe pranë arkivolit të trupit të pajetë dhe u shënua në librin e zisë, me rastin e ndarjes nga jeta të Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, të organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.Pas homazheve, kryeministri Haradinaj, në librin e zisë shkroi “Fadil ishe i të gjithë neve, të gjithë të nderojmë”. 

 Gjatë ditës, kryeministri Haradinaj do të marr pjesë në mbledhjen komemorative në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Kosovës (ora 14:00), dhe në varrimin që bëhet në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan (ora 17:00).

Fadil Vokrri ishte njëri prej personaliteteve më të shquara sportive në vend, i cili i dha shumë zhvillimit të sportit në Kosovë, veçanërisht futbollit.
Si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Vokrri arriti që Kosovën ta bëjë anëtare të dy organizatave më të fuqishme botërore të sportit, FIFA dhe UEFA.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Fadil Vokrri, së legjendës, Vazhdimi i ëndrrës

Artisti që i ngjan aq shumë vendit të tij

June 10, 2018 by dgreca

1 Riad MarjanaNGA MARJANA BULKU/ Potent në skenë , me një zë të thellë sikur del prej mijëra vitesh e kërkon të thotë atë çka nuk u tha , i brishtë dhe human në jetë ,Riad Ymeri  ndriçon në çdo skenë dhe podium ku interpreton.
Është fuqia vokale, plastika interpretative por mbi të gjitha formimi kulturor që ia plotësojnë portretin artistit njeri dhe njeriut artist ,Riad Ymeri .
Dhe pyetja e parë që më erdhi ndër mend kur gushtin e kaluar e kisha në studion e Albanian Culture ishte : A i ngjan artisti vendit prej nga vjen?
Riadi është një tenor kosovar që ka një karrierë operistike në Shqipëri dhe Kosovë e vitet e fundit edhe në SHBA nga ku mundesh ta njohësh edhe më mirë artistin shumëdimensional. Nuk është nga ato që mburret e flet për veten por nga ato që din të thotë PO sa herë që i kërkohet të interpretojë. Dhe në fakt zëri i tij flet shumë, interpreton Moxartin e Verdin, Dizdarin e Gjonin dhe portreti i tij prej djaloshi mundet të shndërrohet edhe në Skënderbe , talenti dhe vullneti por mbi të gjitha shpirti nga i burojnë të gjitha këto ndërtojnë çdo ditë e më shumë një individualitet të spikatur artistik që e do skenën dhe që i duhet aq shumë asaj. Nuk ka vend më të bukur se skena për artistin prej nga aty ata të madhërishmit nuk duhet të largohen më. Është një marrdhënie shumëplanëshe ku Riadi din të shpalosë kualitetin e zërit, ngyrat e tekstit në raport të ngushtë me kontekstin , shpërthimet vokale që i ngjajnë lartësisë së maleve tona, zhdërvjelltësitë aktoreske të mimikës , trupit dhe shpirtit që ia perfeksionojnë portretin artistik. Dhe një shqiptar patriot si ai din ta ngrejë në art Shqipërinë, Kosovën , historitë e tyre bashkë me heronjtë e përjetshëm. Mjafton një za i naltë si ajo jehonë kushtrimesh ku thirrjet, lutjet , brohoritjet , e bëjnë magjik vendin prej nga ai vjen, prej nga ne vijmë. Ti mundesh të këndosh Moxart e Bethoven, Bah e Puçin, por ai za është vals i maleve tona, luginave, historive, dramave , gëzimeve tona prej nga ka marrë jetë,sepse artisti i ngjan aq shumë vendit prej nga vjen .

Filed Under: ESSE Tagged With: bissée, Marjana Bulku, Riad Ymeri

SHQIPTARËT FESTOJNË NË PRIZREN

June 10, 2018 by dgreca

-Në Prizren zhvillohen veprimtaritë e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare/

2 kurora 1-Në qytetin historik, më të madhin jugor të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë,  veprimtaritë nisën sot me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë e politikë të dy shteteve dhe të trojeve tjera shqiptare e diaspora/1 delgacion-Në veprimtaritë në Prizren mes pjesëmarrësve janë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi…/1 Meta veseliGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*

1 Prizreni

PRIZREN, 10 Qershor 2018/ Në qytetin e Prizrenit po zhvillohen sot veprimtaritë e shënimin të jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare, të nisura në Prishtinë në 8 Qershor me një konferencë shkencore ndërkombëtare, organizuar nga akademitë e shkencave të Kosovës e Shqiupërisë.“Në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët janë në pozicionin më të mirë historik”, vlersoi në konferencë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, duke theksuar se, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, në rrugë drejt anëtarësimit në BE, kurse Kosova e lirë nga qershori 1999 e shtet 10 vjet dhe tani në fokus ka objektivin e tretë – integrimet euroatlantike.Në qytetin historik, më të madhin jugor të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë,  veprimtaritë nisën sot me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë e politikë të dy shteteve dhe të trojeve tjera shqiptare e diaspora.Në veprimtaritë në Prizren mes pjesëmarrësve janë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi…

Në hapësirën e Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, axhenda vijon me hapjen e ekspozitës së buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar dhe ekspozita e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë me monedha të vjetra, nga koha e Skënderbeut, me seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me akademinë solemne për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Në mesditë zhvillohet një konferencë shtypi në një nga hotelet, ndërsa pasdite zhvillohet konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, organizuar nga tre institutet e historisë – të Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës, në sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e në Hamamin i qytetit hapet Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë.

Në 19 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 15 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.“Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 10 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

VIHET GURTHEMELI I SHTATOREVE TË UDHËHEQËSVE TË LIDHJES

Me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, ka nisur sot në Prizren shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit dhe në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, organizim ky që ka bërë bashkë Qeverinë e Kosovës, Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë për të nderuar veprën e heroit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari dhe përfaqësues të tjerë institucional.
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe personalitete të tjera më pas mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe muzeut të Prishtinës.
Në këtë ekspozitë në ambientet e brendshme të Lidhjes së Prizrenit u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke filluar nga 1926 e deri në ditët e sotme. Një pjesë e këtij koleksioni është përdorur edhe në Kosovë dhe në tokat tjera kombëtare shqiptare gjatë luftës së dytë botërore. Veçantia e kësaj ekspozite është se përmban edhe monedhat përkujtimore shqiptare të vitit 2013 të cilat përkujtojnë 135 vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit dhe gjithashtu Përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Po në këtë ambient u shfaqën edhe simbolika nga katër vilajetet shqiptare, derisa në ambientin e jashtëm u shfaq ekspozita me dokumente të Arkivit Qëndror shtetëror të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Kosovës nga viti 1878 – 2018.
Pjesëmarrës në këto aktivitete janë edhe personalitetet dhe liderët institucionalë nga të gjitha trevat shqiptare.Shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit do të vazhdoj edhe gjatë ditës me ç’rast këtij përvjetori do t’i dedikohet një Seancë Solemne nga Kuvendi i Kosovës, Akademi Solemne,  Konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, në të cilën do të prezantohen punimet nga Instituti i Historisë nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina dhe Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë.

VESELI: PA LIDHJEN E PRIZRENIT NUK DO TË KISHIM 28 NËNTORIN DHE 17 SHKURTIN

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në seancën solemne të Kuvendit, të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shënim të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se pa këtë Lidhje nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me UÇK-në, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin 2008.

Fjalimi i plotë i kryeparlamentarit Veseli:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuar deputetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës,

Të nderuar mysafirë,

Miq të nderuar,

Zonja dhe zotërinj,

Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, në kryeqytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin e krenarisë tonë kombëtare, na ka bashkuar kujtimi për njërën prej këtyre ngjarjeve madhështore – Lidhja e Prizrenit.

140 vite më parë, në këtë vend ku qëndrojmë sot, u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare. Një barrë e madhe qëndronte mbi supet e tyre. Ishte kohë e vështirë. Ballkani ishte i trazuar si asnjëherë më parë. Perandoria Osmane po jepte shenjat e rënies së pashmangshme.Popujt po zgjoheshin. Evropa po jetonte pranverën e kombeve. Secili kërkonte vendin dhe të drejtat e tij në gjeopolitikën e re që po ndërtohej.Ishte koha që edhe shqiptarët të zgjoheshin, sa më parë që ishte e mundur. Çdo vonesë mund të kishte pasoja të pariparueshme historike, sepse rreziqet ishin të mëdha dhe në qendrat politike të Evropës nuk ekzistonte termi “Çështje shqiptare”. Termi “Shqipëri” ekzistonte vetëm si shprehje gjeografike, siç kishte thënë kancelari i hekurt i Gjermanisë së asaj kohe, Oto Von Bismark.Në këto rrethana të rënda, burrat e mbledhur në Prizren kishin përpara dy sfida të rënda historike:

– Të dëshmonin para Fuqive Evropiane dhe Perandorisë Osmane Ekzistencën e Kombit Shqiptar,

– Njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike. Të udhëhur nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda.

Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe:

– Themeloi Vetëdijën Kombëtare Shqiptare,

– Krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar

– dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912.

Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008,

Të nderuar qytetarë të Kosovës, Motra e vëllezër shqiptarë kudo që jeni. Sot jetojmë në një epokë krejtësisht të ndryshme. Si asnjëherë më parë në histori, siguria dhe liria e kombit tonë janë të qëndrueshme, të garantuara dhe të pacenueshme. Fuqitë, që në qershorin e vitit 1878 ishin kundërshtarët e të drejtave tona kombëtare, sot janë aleatët tanë më të mirë.

Ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të Rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka bërë përparime të mëdha në drejtim të integrimit evropian, ndërsa Kosova, brenda dekadës së parë të pavarësisë, ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e shtetit dhe po punon shumë në agjendën e saj euro-atlantike.

E ardhmja jonë është në duart tona. Ne jemi krenarë që jemi pasardhës të burrave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi krenarë që ecëm shtigjeve të hapura prej tyre. Krenarë që e vazhduam deri në fitore ëndrrën e tyre.

Lavdi heronjve të Lidhjes së Prizrenit. Lavdi burrave e grave që në harkun kohor të këtyre 140 viteve bënë gjithçka ishte e mundur që kombi ynë të jetë i lirë dhe sovran në bashkësinë e kombeve të lira e të civilizuara. Ju faleminderit!

***

KRYEMINISTRI HARADINAJ: YMERI, ABDYLI, SULEJMANI, KISHIN PUNUAR QË SHQIPTARËT TË VENDOSIN NJË DITË PËR TË DREJTËN E VET 

“Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohërat e vështira, shqiptarët duhet të punojnë gjithë për ditë të vështira, se ato një herë apo njëherë tjetër vijnë. Burrat e dheut të asaj kohe, shqiptarë kudo që ishin, shihet se kishin menduar ndër vite se mund t’u vije ajo ditë. Edhe Ymeri, Abdyli, Sulejmani, por edhe shumë tjerë, që nuk ishin fizikisht në Lidhjen e Prizrenit, shihet se kishin menduar për atë ditë. Kishin punuar që në ditën e caktuar edhe shqiptarët ta japin përgjigjen e vet për të drejtën e vetë, pra për të drejtën e organizimit në vetvete”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në Akademinë Solemne dedikuar 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Kryeministri Haradinaj tha se edhe sot dhe përmot duhet të punojmë për një ditë të këtillë, dhe në atë ditë duhet të gjithë të jemi aty që ta japim provimin tonë.

“Ju sigurojë se te shqiptarët asnjëherë nuk do të ketë mungesë të atyre që do të mendojnë për fatin e vet, për të drejtën e vet në të gjitha kohërat. Edhe sot i kemi kohëra të ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi po synohet të kthehet në pazare të reja politike dhe kjo është e padrejtë të ndodhë”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj, ka siguruar se mënyra e vetme që të përmbyllet një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, lufta e viti 1999 e cila i ka lënë Kosovës shumë plagë, masakra, njerëz të vrarë, shkatërrime e edhe këtë objekt të djegur, është një pajtim mes shqiptarëve e serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve.

Para të pranishmëve një fjalë në Akademinë solemne e mbajti edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të komit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtetformim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se Lidhja e Prizrenit, ishte lëvizja e parë e madhe shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që nga koha e Skënderbeut të madh.

Derisa në Seancën Solemne të organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se sot në kryeqytetin historik të shqiptarëve jemi bashkë sepse 140 vjet më parë në këtë vend ku po qëndrojmë sot u mblodhën përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare mbi të cilët qëndronte një barrë e madhe.
“Në këto rrethana të rënda burrat e mbledhur në Prizren, kishin dy sfida të rënda historike, të dëshmonin para fuqive të mëdha evropiane dhe Perandorisë Osmane ekzistencën e kombit shqiptar, njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike”, tha kryetari Veseli.

Të pranishëm në seancë ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, zëvendëskryeministra, ministra dhe shumë personalitete tjera të jetës të politikës dhe të komunitetit fetar.

 

 

  • Per me shume fotografi shihni ne fb dielli vatra

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Prezren, Shqiptaret festojne

DR. RUGOVA: KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT

June 9, 2018 by dgreca

PRESIDENTI RUGOVA NË VITIN 2003: KRENARË ME LIDHJEN E PRIZRENIT/

Ibrahim Rugova- Xhim Xhema-auto_ibrahim_rugova1430168619-Presidenti Kosovës Dr. Ibrahim Rugova para 15 viteve: Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë. Fjala e plotë në 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/050706rugova_diogardi-Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet/

presidenti_rugova_sami_repishtivoal-Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës. Po kështu, për herë të parë ka dekoruar me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës, nga SHBA:

Xhim Xhema, Sami Repishti e Xhozef Diogardi/

-Presidenti Rugova, pritje të veçantë pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 9 Qershor 2018/ Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë, shprehej para 15 viteve, në mbrëmjen e 9 Qershorit 2003, Presidenti Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti historik Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës e vende të tjera të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.

Në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit merrnin pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të pushtetit lokal të asambleve komunale, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora. Ishte i pranishëm në këtë solemnitet edhe Naltmadhnia e Tij trashëgimtari i Fronit Shqiptar Leka Zogu I me bashkëshorten.

FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Jemi tubuar sot në këtë Akademi solemne për një ditë solemne të historisë sonë, në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Kjo ditë solemne bëhet edhe më e madhe, sepse për herë të parë po e kremtojmë në Kosovën e lirë, çfarë ishte ëndërr dhe projekt i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit.Lidhja e Prizrenit ishte lëvizje për themelimin e shtetit modern shqiptar. Ishte lëvizje për mbrojtjen e territoreve shqiptare dhe për çlirimin nga Mbretëria Otomane.Sot mund të themi se ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili për 25 vjet rresht e mbrojti vendin e vet dhe botën perëndimore.Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore.Më 10 Qershor të vitit 1878 u mblodhën në Prizren delegatë nga të gjitha viset shqiptare, themeluan institucionet: Kuvendin Kombëtar, Qeverinë, Sektorin Diplomatik dhe Forcat Mbrojtëse – Ushtrinë e vet.Këto institucione funksionuan plot tri vjet rresht. Kuvendi i Prizrenit i kundërshtoi vendimet e Kongresit të Berlinit për shkëputjen e territoreve shqiptare dhe vazhdoi ndërtimin dhe mbrojtjen e shtetit të vet në tërësinë territoriale. Për tri vjet Lidhja e Prizrenit vendosi administratën shqiptare, në Kosovë kryesisht dhe në viset e tjera.
Më 1881 Mbretëria otomane nuk mundi ta tolerojë më ngritjen e shpejtë të shtetit shqiptar dhe vendosi ta shkatërrojë atë me forca të armatosura. Pas rezistencës së ashpër të forcave të Lidhjes së Prizrenit nën komandën e Sylejman Vokshit, të luftimeve që u zhvilluan sidomos në Kosovë, u shua kjo lëvizje e shkëlqyeshme.

Në këtë kohë njëri nga krerët e Lidhjes së Prizrenit Abdyl Frashëri bashkë me Ymer Prizrenin dhe Sylejman Vokshin thoshte me optimizëm dhe vizion të madh: “Ne po mbjellim e të tjerët do të korrin”.Ky ishte vizioni i burrave të mëdhenj të Lidhjes së Prizrenit, të bindur se shpirti i saj do të vazhdojë të jetojë. Kështu sot mund të themi se Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje e kompletuar shtetërore që i aktivizoi të gjitha fuqitë e një kombi për liri, pavarësi dhe demokraci.

Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit shqiptarët u forcuan dhe u konsoliduan në planin e brendshëm kulturor, diplomatik e të miqësisë. Kështu më 1899 nën drejtimin e Haxhi Zekës në Pejë u themelua “Lidhja e Pejës” si ringjallje e Lidhjes së Prizrenit që u pranua në të gjitha territoret.Po atë vit Sami Frashëri botoi traktatin e vet një lloj kushtetute për drejtimin e shtetit shqiptar “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Por, edhe kjo Lidhje e Pejës u shua nga Porta e lartë.Kështu përpjekjet për liri e pavarësi nuk pushuan as pas shuarjes së Lidhjes së Pejës. Në fillim të viteve 1900 burrat e Lidhjes së Prizrenit dhe brezi tjetër i burrave të kësaj kohe për 34 vjet rresht vazhduan përpjekjet për liri e pavarësi. Kështu më 1912 u shpall pavarësia shqiptare.Por kjo pavarësi u cungua me mbetjen e gjysmës së territoreve shqiptare jashtë shtetit që u njoh nga fuqitë e mëdha. Kjo u sanksionua edhe pas Luftës së parë botërore, si dhe pas Luftës së dytë botërore.
Në vitet ‘90 me fillimin e përfundimit të Luftës së ftohtë dhe me shkatërrimin e një shteti ku u vendos me dhunë Kosova dhe territoret tjera shqiptare, në Kosovë filloi organizimi i Lëvizjes demokratike për liri, pavarësi e demokraci dhe ndërtoi shtetin e vet.
Objektiv i të gjitha partive politike të viseve shqiptare u vendos: Kosova e pavarur, shqiptarët në Maqedoni të jenë në strukturën shtetërore, shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratë lokale dhe në Preshevë.
Lëvizja demokratike për liri e pavarësi e Kosovës ishte për integrime evropiane e veriatlantike.
Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua.
Qe katër vjet pas luftës Kosova ka pasur një progres të mirë në të gjitha fushat e jetës. Kemi bashkëpunim të mirë më UNMIK-un dhe KFOR-in e OSBE-në. Institucionet e Kosovës bashkë me UNMIK-un po përgatiten për zhvillim ekonomik të vendit.Pra do të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore me garanca për minoritetet dhe të gjithë qytetarët e saj të integruar në BE, në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Njohja formale e pavarësisë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës dhe do të shpejtonte zhvillimin ekonomik e demokratik.
Në 125 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit do thënë se objektivat e saj ishin legjitime për mbrojtjen e territoreve të veta, ishin objektiva humane si të çdo populli dhe nuk ishte për marrjen e territoreve e të tjerëve.
Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mirë.
Nga kjo Akademi solemne përshëndesim Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presdientin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni. Si gjithmonë përshëndesim Papa Gjon Pali II, që gjithnjë lutet për Kosovën.
Zoti e bekoftë Lidhjen e Prizrenit!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Kosovën!

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti. Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, janë këto personalitete:

Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.
SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.
Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.
Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.
Preshevë:

Riza Halimi.
Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi
Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.
Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.
Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

 

PRESIDENTI RUGOVA, PRITJE TË VEÇANTË PASARDHËSVE TË PJESËMARRËSVE TË LIDHJES SË PRIZRENIT

 

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, në 9 qershor 2003,  priti në një takim të veçantë pasardhësit e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit nga Kosova dhe Shqipëria.

 

Me këtë rast Presidenti Rugova vlerësoi lart kontributin paraardhësve të tyre, pjesëmarrës të ngjarjes së madhe historike të Lidhjes së Prizrenit, e cila po kremtohet në Kosovën e lirë me pietet të madh.

 

Presidenti tha se do t’i dekorojë të gjithë pjesëmarërsit e Lidhjes së Prizrenit, për të çuar përpara idenë e tyre, për realizimin e pavarësisë së Kosovës.

Trashëgimtarët e pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit e falënderuan Presidentin Rugova për pritjen dhe për organizimin e 125 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit që është bërë nën patronatin e tij.

Falënderime shprehën Avdyl Hoxha, trashëgimtar i Ymer Hoxhës nga Juniku dhe gjithë të tjerët.

 

Në këtë takim ishin edhe trashëgimtari i Binak Alisë, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Lidhjes së Prizrenit, pastaj Skënder Korenica, trashëgimtar i Ahmet Korenicës, Rrustem Mulosmani (76 vjeç) nga Malësia e Gjakovës (Shqipëri), trashëgimtar i Mic Sokolit, i cili tha se ndien veten shumë krenar që pati mundësinë të vijë në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe për herë të parë vinte në Kosovë.

PRIZREN-140 VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE, AXHENDA E MANIFESTIMEVE

Me rastin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në komunën e Prizrenit do të organizohen aktivitete të shumta kulturore dhe sportive. Komuna ka njoftuar këtë axhendë:

MANIFESTIMET KULTURORE

  • 10 QERSHOR

09:00 Vënia e gurthemelit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes (në oborrin e Lidhjes)
10:00 Hapja e ekspozitës së bucetave të skulptorëve (në oborrin e Lidhjes)
11:00 Akademia Solemne në oborrin e Lidhjes (në oborrin e Lidhjes)
12:00 Turniri ndërkombëtar i mundjes nga KM Prizreni (në palestrën sportive)
13:00 Konferencë shkencore për 140-vjetorin e Lidhjes (në sallën e Kuvendit Komunal)
14:00 Tribunë (në Shtëpinë e Kulturës)
15:00 Ekspozita mbarëkombëtare me pikturë (në ndërtesën e Hamamit – Gazi Mehmed Pasha)
17:00 Parada e FSK-së
21:00 Grumbullimi në Kala dhe marshimi me flakadanë i 140 aktivistëve
21:30 Performanca “Përjetësia” (në Urën e Gurit)
22:30 Koktej tek Sheshi i Lidhjes

  • 11 QERSHOR
    11:00 Fëmijët recitator në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Monodrama “Rrno për me tregu” në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Koncert në “Sheshin e Dëshmorëve” nga qendra kulturore “Margarita Tutulani”
  • 12 QERSHOR
    10:00 Homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë
    12:00 Koncert recital nga Elvis dhe Gjulian Bytyqi te Rrapi në Marash
    21:30 Dokumentari “Toka e shqiponjave” në kino “Lumbardhi”
    21:30 Koncerti i Lirisë nga shoqëritë vendore tek “Sheshi i Dëshmorëve”
  • 13 QERSHOR
    11:00 Fëmijët piktorë në Kompleksin e Lidhjes
    21:30 Monodrama “Aktori në kuti” në Shtëpinë e Kulturës
    21:30 Bendet rinore në Sheshin e Lumbardhit
  • 14 QERSHOR 
    12:00 Dokumentari per 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit (te Kompleksi Europa)
    21:30 “Ora e Lidhjes” (te Kompleksi i Lidhjes)
    21:30 Koncert nga Dren Abazi & Zig Zag Orchestra
  • 15 QERSHOR
    21:30 Koncerti i melodive të vjetra, Nezafete Shala & Besa Berberi (te Kompleksi i Lidhjes)

MANIFESTIMET SPORTIVE

  • 10 – 15 QERSHOR
    Turneu i futbollit “Trofeu i Lirisë”
    Turneu i shahut “Trofeu i Lirisë”
    Turneu i pingpongut “Trofeu i Lirisë”
    Basketboll: Junior 06 –  Përmeti

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Korenaren me Lidhjen e Prizrenit

Sulm ne Zemer, Vdiq Fadil Vokrri

June 9, 2018 by dgreca

Kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri,ka ndërruar jetë pas një sulmi në zemër/

epa05583697 Football Federation of Kosovo (FFK) President Fadil Vokrri gestures during an interview with EFE in Prististina, Kosovo, 20 September 2016. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Ka vdekur kryetari i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri. Lajmin për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
2Haradinaj
Ademi tha se Vokrri ka ndërruar jetë pas një sulmi në zemër.
“Ngjarja ka ndodhur rreth një orë më parë. Ka qenë sulm në zemër”, tha ai shkurt për REL.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka ngushëlluar për vdekjen e Vokrrit dhe ka thënë se ai ishte frymëzim për shumë breza të sportistëve.
I trishtë lajmi për vdekjen e hershme të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili tërë jetën e shkriu, që t’i japë emër atdheut të tij, të cilin aq shumë e deshti dhe i qëndroi besnik deri në frymën e fundit.
Fadili ishte motivues i madh yni që na dha zemër për të dalë fitues nga të gjitha betejat!
Fadili kurdoherë ishte figura qendrore në fushën e blertë duke u sjellë bashkëqytetarëve buzëqeshje e gëzim edhe në kohërat më të rënda, kur pesha e dhunës peshonte mbi ta.
Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh kosovarë dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në hapësirat shqiptare, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Ngushëllime familjes Vokrri, FFK-së dhe të gjithë sportistëve. Ngushëllime Kosovë!
Dritë të pastë shpirti, Fadil!
RH
Vokrri 2

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të kreut të FFK-së, Fadil Vokrri.
Me dhimbje të madhe dhe pikëllim të thellë, i tërë kombi mori lajmin për vdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit, yllit më të ndritur të sportit dhe jo vetēm sportit tonë. Ngushëllime familjes, miqve dhe tifozëve. U prehsh në paqe Kapiten. HTH

(Kortezi- RFL)

 

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Fadil Vokrri, nderroi jete

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT