• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

KUFIRI I ËNDRRËS

June 4, 2018 by dgreca

1 rugova_diogardilidhja-prizrenit125-logo11 Lidhja P1 Kuvendi1 Rilindja

Speciale e Gazetës DIELLI: KUFIRI I ËNDRRËS/

-Në reportazhin futuristik me titull “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në kohë të rënda okupimi para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998, paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”/

1 akademi1 Leka rug1 rugova med1 reportazhi

-“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Këtë vit, në 2018-tën në Kosovë po bëhen të gjitha përgatitjet për shënimin e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, festojnë tradicionalisht të gjithë shqiptarët e trojeve etnike e në botë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 4 Qershor 2018/ “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”.

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.

Në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershor, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, Presidenti Rugova njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova dhe vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.

Këtë vit, në 2018-tën në Kosovë po bëhen të gjitha përgatitjet për shënimin e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, festojnë tradicionalisht të gjithë shqiptarët e trojeve etnike e në botë. Fillimisht është mbajtur në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, takimi i Komisionit Qeveritar për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të kulturës të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

“Nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë po punohet jashtëzakonisht shumë që organizimi për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit të jetë sa më madhështor dhe në mënyrën sa më të mirë të mundëshme”, u tha me këtë rast.

Dhe edhe në takime në vijim theks i veçantë iu kushtua edhe koordinimit të përbashkët në aktivitetet që do të realizohen në Vitin Mbarëkombëtar të Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si dhe në jubileun e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Qyteti  i Prizrenit do të jetë qendra kryesore e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve që do të mbahen me rastin e shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, u  paralajmërua në takime përgatitore organizative.

Në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne në fund të kësaj jave, të dielën – në 10 Qershor 2018 në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare i kam raportuar nga Prizreni vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky ishte reportazh i para më shumë se 2 dekadave:

KUFIRI I ËNDËRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul JASHARI

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6-Rishtypur per Diellin)

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KUFIRI I ËNDRRËS

VATRA ME NOLIN DHE KONICËN SHËPTUAN SHQIPËRINË!

June 3, 2018 by dgreca

KONSULLI I NDERIT EKREM BARDHA: VATRA ME NOLIN DHE KONICËN SHËPTUAN SHQIPËRINË!/1 ekrem Bardha…FEDERATA VATRA HYRI DHE DO TË MBETET NË HISTORI E DEDIKUAR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR-

KONSULLI I NDERIT EKREM BARDHA URON KRYETARIN E VATRËS/

Në pamundësi për të marrë pjesë në festimin madhështor të 106 vjetorit të themelimit të Vatrës, organizuar të premten me 1 qershor 2018 në Marina del Rey, konsulli i nderit i Shqipërisë në Michigan. Z Ekrem Bardha, i dërgoi kryetarit të Vatrës një mesazh përshëndetës dhe një chek për Vatrën. Ja teksti i përshëndetjes:

I nderuar Zoti Dritan,

Ju falenderoj për ftesën tuaj për të marrë pjesë në mbrëmjen kushtuar 106 vjetorit të themelimit të Vatrës.

Vatra ka qenë dhe do të mbetet personalisht për mua një organizatë patriotike që për më shumë se 1 Shekull iu përkushtua çështjes shqiptare. Tashmë Vatra ka hyrë në histori dhe do të mbetet në histori si vatra që iu dedikua bashkimit të shqiptarëve.

Në historinë e Shqipërisë tri herë kanë arritur shqiptarët që të bashkohen së bashku:

Në periudhën e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili i bashkoi të gjithë princat shqiptarë…

Në periudhëne  Vatrës me në krye Fan Nolin dhe Konicën, të cilët e shpëtuan Shqipërinë.

Dhe kur shqiptarët u bashkuan dhe arritën të bindnin aleatin tonë të madh, Amerikën, në luftën kundër armikut çnjerëzor  si ishte Serbia dhe më në fund sot kemi një Kosovë të pavarur.

Vatra është ën zemrën time dhe unë do të mbetem deri në fund të jetës një mbështetëse I bashkimit kombëtar.

Më vjen keq, por nuk mund të marr pjesë në festën tuaj për shkak të udhëtimit për në Shqipëri. Duke Ju përshëndetur po ju dërgoj urimet më të sinqerta që Vatra të vazhdojë deri në fund qëllimin e saj fisnik mbi Shqipërinë

Bashkë me letërn përshëndetse po ju dërgoj një cek simbolik për vatrën.

Me respekt

Ekrem Bardha

Michigan 29 Maj 2018

PS: Letra u lexua nga editori I Diellit në Mbrëmjen Gala kushtuar 106 vjetorit të themelimit të Vatrës organizuar me 1 Qershor.

Filed Under: Komente Tagged With: 106 Vjet Vater, Ekrem bardha, Leter Kryetarit Mishto

VISAR ZHITI: VATRA, METAFORA E MIQËSISË MES DY POPUJVE, SHQIPTAR DHE AMERIKAN

June 3, 2018 by dgreca

Të gjithë këtu jemi “vatranë” – Lutem që zjarrin prometean të atdhedashurisë që ndezën mendimtarët dhe veprimtarët themeltarë, Imzot Fan Noli dhe Shkëlqesia e Tij Faik Konica,të vazhdojë të jetë i ndezur bashkë me “Dielli”-n tonë.pergjigje Vatres

MESAZHI I SHKRIMTARIT VISAR ZHITI NË 106 VJETORIN E VATRËS

1 VisarShkrimtari dhe diplomati Visar Zhiti, në pamundësi për të qenë pjesë e festimeve të Vatrës me rastin e 106 vjetorit të themelimit të saj, për arsye të shëndetit, dërgoi mesazhin përshëndetës:

VATËR E DASHUR

Festa Juaj

është festë e të gjithëve, e shqiptarëve, që ka 106 vjet që mblidhen rreth teje, këtu në SHBA, në Vendin e Madh, shpëtimtar i Shqipërisë, Mbështetës i fortë i Kombit tonë dhe i përparimit.

“ Vatra” ndihmoi historinë e re të Shqipërisë të ecë në rrugë të mbarë dhe u bë vetë histori, është “Vatër” e miqësisë mes dy popujve tanë, atij shqiptar dhe amerikan dhe sot është metafora e këtij bashkimi të gjithanshëm.

Të gjithë këtu jemi “vatranë”

Dhe lutem që zjarrin prometean të atdhedashurisë që ndezën mendimtarët dhe veprimtarët themeltarë, Imzot Fan Noli dhe Shkëlqesia e Tij Faik Konica,të vazhdojë të jetë i ndezur bashkë me “Dielli”-n tonë.

Mes jush

Visar Zhiti

Shkrimtar

Washington 31 Maj 2018

Shënim: Mesazhi u përcoll të Premten në Mbrëmjen Gala kushtuar 106 vjetorit të Vatrës nga editori i Diellit Dalip Greca

Filed Under: Opinion Tagged With: e mimesis s epopujve, shqiptarëve e amerikan, Vatra-metafore, Visar Zhiti

ELITA SHKODRANE NË INSTITUTET E ALBANOLOGJISË

June 3, 2018 by dgreca

(Kujtime dhe meditime me rastin e vdekjes së akademikut Kolec Topalli)/1 ThanasNga Thanas L. Gjika/

Qyteti dhe krahina e Shkodrës, gjatë historisë i kanë dhënë botës shqiptare shumë luftëtarë trima edhe burra të mençur. Mjafton të kujtojmë qëndresën e shkodranëve ndaj hordhive osmane për mbrojtjen e qytetit gjatë rrethimeve të viteve 1478-1479, humanistët shqiptarë në Itali gjatë shekujve XVI-XVII, punën intelektuale e shpirtërore të klerit katolik për qëndresën ndaj shtypjes dhe presionit asimilues osman, taborin e rilindësve tanë me Zef Jubanin, Pashko Vasën, At’ Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, etj, rezistencën e qytetarëve shkodranë ndaj ushtrisë malazeze gjatë rrethimit të viteve 1912-1913, pasrilindasit Ernest Koliqi, Migjeni, etj. 

Politika totalitare e shtetit të Diktaturës së Proletariatit shkaktoi arrestimin, burgosjen dhe internimin e dhjetra klerikëve, intelektualëve të shquar shkodranë dhe arratisjen e detyryruar të disa shkodranëve të rinj. Arshi Pipa, Martin Camaj, Sami Repishti, etj, pas shkollimit të mëtejshëm jashtë shtetit, shkruan vepra letrare e shkencore që bëjnë pjesë në veprat më të mira të letërsisë desidente shqiptare dhe të shkencave albanologjike. Popullsia katolike e këtij qyteti dhe e kësaj krahine ndonëse u përndoq më egërsisht se pjesa tjetër e popullit tonë, i dha Shqipërisë një elitë intelektuale që u shqua në shumë fusha të artit, letërsisë, shkencës dhe kulturës sonë. Këta intelektualë punonin nën zgjedhën e rëndë komuniste me përkushtim të madh. Ata e sfidonin këtë zgjedhë duke punuar për Shqipërinë dhe jo për partinë. Kjo sfidë i ndihmonte ata të përjetonin lirinë shpirtërore, që na mungonte ne të tjerëve, të cilët ngazëlleheshim nga “sukseset e partisë” dhe i serviloseshim asaj për përfitime.

* * *

Ndarja nga jeta e Profesor Kolec Topallit, anëtar i Akademisë së Shkencave të RSH, më nxiti disa kujtime dhe meditime për të dhe kolegë të tij e të mij, punonjës shkencorë të shquar të instituteve të Tiranës që më vonë formuan Akademinë e Shkencave.

Në vitet 1962-1966, isha student në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine dhe sallën e madhe në mes të katit të tretë, kurse në dy anët e katit të tretë ishin zyrat e Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë dhe të Institutit të Folklorit. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani, ose Itali. Ashtu si Profesor Çabej edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Historis dhe të Gjuhësisë ata punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm. 

Më 1970, unë u transferova nga Radio Tirana në Institutin e Historis dhe të Gjuhësisë. Gjatë punës në këtë institut njoha dhe simpatizova disa shkodranë, midis të cilëve historianët e shqaur Injac Zamputi e Zija Shkodra, përkthyesin Kol Luka; leksikologët Ferdinand Leka e Palok Daka, etnologun Rrok Zojzi dhe bashkëpunëtorin e jashtëm Kolec Topalli. Të gjithë këta punonjës shkencorë dalloheshin midis nesh për një qendrim jo entusiazt, madje indiferent, ndaj politikës së partisë. Ata punonin me këmbëngulje si individë. Për çudinë time nuk shoqëroheshin me njëri tjetrin edhe pse kishin shumë tipare karakteri të përbashkëta dhe ishin bij të të njëjtit qytet, të kryeqytetit të lashtë, Shkodrës Loce, për të cilën kishin pse të mburreshin, por nuk i ranë gjoksit kurrë, si bënim e si bëjmë ne korçarët…

Injac Zamputi (1910-1998) Ishte një nga bijtë e elitës katolike shkodrane. Ai kishte kryer studimet e larta para L2B për politikë në Itali. Kishte shkruar disa vepra letrare dhe njihte mirë latinishten, italishten mejsetare, italishten moderne dhe frëngjishten. Për formimin që kishte e kishin marrë në institut, sepse ai mund të përkthente dhe interpretonte dokumente të ndryshme për kohën e Antikitetit dhe të Mesjetës. Punoi me përkushtim si paleograf dhe përkthyes dokumentesh dhe si studiues i disa problemeve të historisë sonë mesjetare. Historianët e rinj më thoshin se prej tij kishin mësuar shumë. Ai kishte drejtuar kursin e gjuhës italiane për disa kuadro, u kishte mësuar mënyrën e nxjerrjes së skedave shkencore gjatë leximit të teksteve të ndryshme dokumentare, jo në një kopje, por në tre dhe të krijonin skedarin e tyre personal ku t’i vendosnin, njërën në ndarjen sipas autorit, tjetrën në ndarjen sipas kohës (datës) së cilës i përkiste ngjarja e dokumentit dhe të tretën në ndarjen sipas problemit që trajtohej. Mirëpo edhe pse kreu shumë punë të lavdërueshme dhe shërbeu si mentor dhe konsulent për disa kuadro, titulli Profesor nuk iu dha kurrë derisa doli në pension. Pas shkërmoqjes së diktaturës, iu kushtua dhe studimeve letrare për të vlerësuar poetin kombëtar At’ Gjergj Fishta, ku i mprehu shpatat me sukses edhe me Ismail Kadarenë.

Zija Shkodra (1925 – 2002). Ishte nga familjet myslimane të Shkodrës, kishte qenë partizan, studimet e larta i nisi në Zagreb dhe i përfundoi në Bukuresht, por nuk shikohej me sy të mirë nga drejtoria dhe organizata e partisë. 

PKSh-ja / PPSH-ja, në qytetin e Shkodrës ndoqi një politikë përçararëse midis anëtarëve të komunitetit katolik dhe atyre të komunitetit mysliman. Ajo përkrahte hapur myslimanët që përbënin shtresën mesatare dhe nënvlerësoi e luftoi elitën katolike. Për katolikët jepeshin shumë pak punë zyrtare dhe bursa studimi, kurse për myslimanët jepeshin me shumicë, majdje shumë prej këtyre dërgoheshin jashtë shtetit, si Qemal Mandia, Hamit Beqja, Hamit Boriçi, etj, që u emëruan më vonë në detyra të rëndësishme në Tiranë.

Zija Shkodra nuk bëri pjesë në këtë tabor. Ai, duke qenë trim dhe intelektual, e urrente servilizmin dhe i shprehte mendimet e tij hapur pa drojtje. Vepronte si ia thoshte koka e vet, gjë që kishte shkaktuar disa herë zemërimin e drejtorit dhe të sekretarit të partisë. Ai u martua me një vajzë nga familja patriotike Toptani, por që partia e kishte luftuar dhe e luftonte si familje feudale aristokratike. 

Në vitin 1966, Enver Hoxha, duke zbatuar mësimet e Revolucionit Kulturor Kinez, gjoja se donte të nxiste mendimin e lirë, tha se kushdo mund të shprehte kritikat e veta hapur e pa frikë me anë të “fletë-rrufeve”. Studiuesit Zija Shkodra, Dhimitër Pilika, Ligor Mile e disa të tjerë, duke mos e kuptuar djallëzinë e diktatorit, shkruan dhe varën në institut një “fletë-rrufe”, ku shprehën mendimet e tyre kritike ndaj disa sjelljeve e mendimeve jo të denja të drejtorit dhe të disa kuadrove. Mirëpo organizata bazë e partisë, në vend që të fillonte të analizonte këto kritika, propozoi që kritikuesit të qarkulloheshin jashtë Tiranës sepse nuk e njihnin jetën e popullit, se nuk vlerësonin arritjet e shkencës së re shqiptare dhe se kishin ndikime nga bota borgjeze. Kështu Dhimitër Pilika u dërgua në një fshat të Lushnjës për shumë e shumë vjet, kurse Ligor Milja në Korçë dhe Zijai në Lezhë ku punuan shtatë vjet si mesues. Për shkak të formimit dhe kontributit të tyre si historianë, këta të dytët i rikthyen në institut, kurse Dhimitër Pilikën e lanë për ta shkatërruar në humbëtirën e Myzeqsë. 

Studimet e Zija Shkodrës për esnafët shqiptarë dhe zhvillimin ekonomik të qyteteve shqiptare gjatë shek. XVIII-XIX-të ishin me vlera të spikatura për mbarë shkencat balkanologjike, por as këtij studiuesi nuk iu dha ndonjë titull shkencor derisa doli në pension. 

Pas formimit të Partisë Demokratike, pensionisti Zija Shkodra u bë një ndër anëtarët e parë të saj dhe nxitësit kryesorë të hartimit të Promemorjes së 100 intelektualëve në mbështetje të PD-së. Mirëpo në vitin 1994, kur pa se kjo parti nuk po u jepte përkrahjen e duhur intelektualëve dhe nuk po punonte me përkushtim për t’ua kthyer pronat pronarëve të vërtetë, u largua prej saj, duke i thënë në mbledhje z. Kalakula, kryetarit të PD-së për Tiranën: “Unë nuk e ndjej veten se jam brenda partisë sime demokratike, prandaj po largohem që sot.” Me fjalët “nuk e ndjej veten se jam brenda partisë sime demokratike”, ai donte të thoshte se PD-ja nuk ishte partia demokratike e vërtetë, që ai dëshironte…

Kolë Luka (1916-1993), ishte një burrë trupmadh i shëndetshëm, bir i borgjezisë së pasur shkodrane. Kishte kryer studimet në Zvicrën frankofone. E kishin marrë në institut si përkthyes për të përgatitur materialet e ndryshme shkencore për revistën “Studi Albanica”. Punonte gjithnjë me makinë shkrimi duke mbajtur cigare në gojë. Në fytyrën e tij shihej një farë mërzie. Punonte në një zyrë më vete dhe nuk përzihej me njeri, punonte gjithë ditën pa pushim dhe nuk delte as për kafe. Të gjithë ne punonjësit shkencorë i ishim borxhlli Kolës sepse ai na kishte përkthyer artikuj të ndryshëm në frëngjisht, pra na kishte ndihmuar të bëheshim të njohur midis albanologëve të botës. Edhe bashkëpunëtorë të jashtëm si Kolec Topalli e kishin këtë ndjenjë respekti për të. Përveç punës si përkthyes ai hartoi dhe studime shkencore mbi ciklin e kreshnikëve, etj. 

Tani vonë mësova se Kolë Luka kishte vëlla Gjovalin Lukën, një bashkëpunëtor shpirtkeq të Sigurimit. Kështu që jetën e mënjanuar prej asketi të Kolës, unë e shpjegoj me turpin që ai ndjente prej vëllait të vet. Kjo sjellje e tij tregonte se ai përjetonte një vuajtje shpirtërore për rrugën e gabuar që kishte marrë i vëllai. Një reagim të tillë ndaj së keqes brenda familjes, e shpjegoj me faktin se ai ishte një burrë i ndershëm dhe i moralshëm. Ndershmëri shembullore dhe urtësi të përulur manifestonte edhe vajza e tij, Liza, të cilën e njoha gjatë viteve që punoi si forcë ndihmëse në Institutin e Historisë…

Ferdinand Leka (1930- ) Pasi kreu shkollën e mesme, gjimnazin e Shkodrës, punoi disa vjet në shtëpinë e kulturës në Kukës, pastaj ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT për gjuhë letërsi ruse. Duke qenë se zotëronte mirë përveç rusishtes dhe italishten e frëngjishten, u muarr në institut për të punuar në sektorin e terminologjisë. Gjatë viteve të punës në këtë institut, jashtë orarit, mësoi si autodidakt anglishten. Krahas punës për hartimin e shumë fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme, ai, në bashkëpunim me elitarin tjetër shkodran, Zef Simonin, hartoi veprën madhore  “Fjalor Italisht – Shqip” me 50.000 fjalë. Vetëm në vitin 1986 këtij studiuesi mezi iu dha titulli Docent (Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor).

Ferdinandi drejtonte kursin e gjuhës frënge. Kur dëgjoi se unë kisha mësuar frëngjisht dhe rusisht në shkollën e mesme dhe se doja të filloja italishten e pastaj dhe greqishten, sa për t’i shfrytëzuar për interesat e punës, më tha: “Mos u shpërnda e mos mëso disa gjuhë për gjysëm, po thellohu e mëso mirë njërën prej tyre, sepse po të dish mirë njërën mund të përfitosh shumë më tepër sesa po të dish disa gjuhë për gjysëm.” Kjo porosi e tij më ka mbetur peng, sepse e lashë pa e realizuar. 

Si leksikolog i mirëformuar, Prof. A. Kostallari e aktivizoi si bashkautor në grupin e punës për hartimin e 4.000 fjalëve në veprën “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe” me 41.000 fjalë, vepër që u botua më 1980. 

Të shumtë janë dhe referatet dhe artikujt studimorë me karakter teorik dhe analitik të këtij studiuesi. Mirëpo, në vitin 1991 drejtoria e nxori në pension, kur Ferdinandi ishte në kulmin e energjive dhe në maksimumin e mundësive për të hartuar studime e fjalorë të rinj. Në vitet e pas 1992-shit ai hartoi veprën e re “Fjalor Shqip – Italisht” me 40.000 fjalë, që pati disa ribotime. Redaktoi e përgatiti për botim veprë “Fjalor Arbërisht – Shqip” të lënë dorëshkrim prej studiuesit shkodran Kol Kamsi. Vend të veçantë zenë dhe përkthimet e tij të një vargu veprash letrare prej autorësh të rëndësishëm si A. Manzoni, F. Petrarka, S. Cvajg, Erazmi i Roterdamit, etj. Ferdinandi ishte dhe trim, mbante gjithnjë qëndrim burrnor ndaj shokëve të punës.

Palok Daka (1925-1988). Studiues që u shqua per ecurinë si autodidakt. Studimet e larta i kreu me korrespondencë gjatë kohës që punonte në Institutin e Shkencave. Nga punonjës teknik që vilte fjalë të gjuhës shqipe prej shtypit dhe prej gojës së popullit duke shkuar fshat më fshat, Paloka arriti me punën e tij këmëngulëse të bëhej një punonjës shkencor shembullor. Nga koleg pune i treshes së vjetër shkodrane P. Geci, A. Krajni e F. Fishta, Paloka u bë koleg pune i punonjësve shkencorë si Jani Thomai, Miço Samara, etj. Ai zotëronte dhe shfrytëzonte për interesa të punës shkencore italishten, gjermanishten dhe frëngjishten, të cilat i kishte mësuar në rrugë autodidakte. Ndryshe nga ne të tjerët që shkruanim me dorë, Paloka shkruante drejtpërdrejt në makinë shkrimi.

Krahas punës shkencore si leksikolog për grumbullimin e fjalëve të shqipes dhe hartimin e “Fjalorit të Sotëm të Gjuhës Shqipe”, ku Paloka punoi si bashkautor, kreu dhe shumë punë të tjera shkencore jashtë planit të punës. Po përmend grumbullimin dhe hartimin e bibliografisë së studimeve për gjuhën shqipe, fjalorin me emra shqiptarë për t’i vënë fre përdorimit të emrave me origjinë të huaj arabo-turke, greke dhe italiane; grumbullimin dhe hartimin e një fjalori të pseudonimeve të përdorur në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare në vitet 1848-1944, krijimin e kartotekës me emra vendesh (toponime) të Shqipërisë, etj. Paloka, gjatë punës si grumbullues i fjalës shqipe, e mblodhi atë duke shkuar pothuaj në gjithë fshatrat e Shqipërisë. 

E paharrueshme do të mbetet thënia e Palok Dakës “Unë punoj për Shqipërinë dhe jo për partinë dhe as për socializmin”, të cilën ma tha në intimitet gjatë një pushimi kur po pinim kafen e ditës. Kjo shprehje e Palokës tregonte se ai e kishte të qartë që atëhere, se partia dhe socializmi, ishin të përkohshëm, kurse Shqipëria ishte e përjetshme. Në atë kohë, ne të tjerëve propaganda e partisë na i kishte mbushur mendjen se të tria ishin të përjetshme.

Këtij shkodrani që punonte sa për tre a katër kolegë, që u bë autoriteti më i rëndësishëm në plan botëror i bibliografisë për shkencat gjuhësore, nuk iu dha asnjë titull ose gradë shkencore, madje dhe kur u sëmur, nuk u dërgua për kurrim jashtë shtetit edhe pse vdekja e tij e parakohëshme do të dëmtonte, ashtu si e dëmtoi, punën shkencore të institutit, sepse shumë vepra të tij mbetën të papërfunduara dhe të pabotuara. Emri i tij nuk figuron në asnjërin nga botimet e FESH-it (“Fjalor Enciklopedik Shqiptar”) të viteve 1985 dhe 2008.

Rrok Zojzi (1910 – 1995) U lind në Shkodër, ku kreu dhe shkollën e mesme. Njihte mirë gjermanishten dhe italishten. Para L2B filloi punën si mësues fshati. Ndjekës i traditave shkencore etnologjike të albanologut austriak, baronit Franc Nopça dhe të At’ Shtjefën Gjeçovit. Grumbullues dhe studiues i shquar i dukurive etnografike të popullit tonë. Gjatë viteve 1942-1944 shërbeu si mësues në pjesën e Kosovës që iu bashkua Shqipërisë. Në vitin 1947 me krijimin e Institutit të shkencave, u emërua aty si punonjës shkencor. Nuk ka fshat të Shqipërisë ku nuk ka shkelur këmba e këtij studiuesi. Zojzi u shqua si ideator dhe nismëtar në fushën e etnografisë për krijimin e Muzeut Kombëtar Etnografik, realizues i disa ekspozitave etnografike brenda dhe jashtë shtetit, bashkërealizues i Muzeut Kombëtar të Armëve dhe i shumë muzeumeve etnografike nëpër rrethe. Ishte njohësi më i mirë i kostumeve popullore të Shqipërisë, sidomos i atyre të Shqipërisë Veriore. Rroku botoi shumë materiale dhe studime të mirëfilltë për traditat tona të lundrimit, për fiset e Shqipërisë Veriore, themeloi dhe kreu detyrën e kryeredaktorit të parë të përmbledhjes “Etnografia Shqiptare”, etj. Doli në pension me titullin Docent (Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor), ndonëse titullin Profesor e kishte merituar prej shumë vitesh.

Midis veprimeve të mira që kreu Qeveria Demokratike gjatë legjislaturës së parë (1992-1996) ishte dhe dhënia e titullit Profesor, studiusve shkodranë Injac Zamputi, Zija Shkodra, Rok Zojzi, Ferdinand Leka dhe dy studiuesve korçarë Dhimitër Pilika dhe Ligor Mile, edhe pse ishin nxjerrë në pension disa vjet më parë. 

* * *

Kolec Topalli (1938-2018) Ishte i treti vëlla i intelektualit të njohur shkodran, Nush Topalli. Familja e tij përjetoi disa vjet internim pas ardhjes së PKSH në pushtet. Shkollën e lartë për Gjuhë Shqipe Letërsi e kreu me korrespondencë. Punoi shumë vjet si mësues i gjuhës shqipe në shkolla 8-vjeçare në rrethet Kukës, Gramsh, Krujë. Gjatë gjithë kohës iu kushtua studimeve për gjuhën shqipe, sidomos studimeve në fushën e historisë së saj. Nuk pati rast të dëgjonte asnjë leksion drejtpërdrejt nga goja e Profesor Çabejt dhe as pati rast të punonte me të si koleg në zyrat e institutit tonë, por me përkushtimin dhe aftësitë e tij u bë nxënësi më i denjë i këtij profesori të madhërishëm.

Njohja me djaloshin Kolec Topalli

Në vitin 1973 gjatë pushimeve verore, në plazhin e Durrësit, shoku im Stavër Sharrxhiu, më prezantoi me një djalosh që punonte si mësues në fshatrat e Gramshit. Me të e kishte njohur Aleko Ballauri një shok korçar i Stavrit, që punonte dhe ai mësues në fshatrat e Gramshit.

Ishim me rroba banje në korridorin e katit të dytë te Hotel Kruja.

-“Ky është Kolec Topalli, më tha shoku im, duket më i ri se ne, edhe pse është disa vjet më i madh dhe jeton në kushte më të vështira se ne.”

Koleci kishte një pamje që të bënte për vete. Fytyrë ovale të lëmuar, kokën e kishte pa flokë, sytë e mëdhenj plot dritë, trupin e rregullt, elegant, por jo të dobët. Nuk i dukeshin muskujt askund. Dukej që ishte bir i një familjeje të pasur, të ushqyer mirë në disa breza. Nuk kisha parë djalë më të pashëm se ky shkodran. Më hyri në zemër, por ai nuk dha ndonjë shënjë se donte të afrohej me ne dhe kështu, pasi këmbyem disa fjali, u ndamë.

Koleci kishte një fyryrë që nuk harrohej. Pas disa vjetësh e takova në një sesion shkencor në Fushë Krujë. Iu afrova dhe biseduam disa minuta bashkë. Më tha se punonte mësues i gjuhës shqipe në fshatin Nikël, në mos gaboj. Ishte rregulluar me strehim në një shtëpi private në Tiranë dhe vente e vinte në fshat brenda ditës. Pasditeve dhe të djelave shkonte në Bibliotekën Kombëtare për të marrë libra e revista që i duheshin dhe vijonte studimet e veta në shtëpi, jo në sallën e Bibliotekës Kombëtare dhe as në bibliotekën e institutit tonë. 

Në atë sesion u njoha me shefin e seksionit të arsimit të Rrethit të Krujës, ishte vëlla i Faik Lamaj-t. Faiku jetonte në një pallat me mua dhe punonte si historian në Institutin e Historisë. Pas sesionit iu afrova z. Lamaj dhe pasi i tregova lidhjet e mia me Faikun, iu luta që të shikonte ndonjë mundësi që Kolecit, si bashkëpunëtor i jashtëm i institutit tonë, t’ia mblidhte orët e mësimit në pesë ditë, në mënyrë që t’ia linin të shtunën pushim, për të punuar si studiues. Këtë sugjerim-kërkesë ia bëra jo thjesht në emrin tim, por dhe si mendim të drejtorisë, edhe pse unë nuk kisha asnjë pushtet në institut. Zoti Lamaj nuk e vuri ujin në zjarr fare. Ndoshta kishte frikë të shtronte një kërkesë të tillë tek eprorët e tij.

Të nesërmen, në institut, në kohën që bënim një pushim për të pirë kafe, ftova Ferdinand Lekën. I fola për Kolecin, për përkushtimin e tij ndaj studimeve gjuhësore dhe e pyeta: “Pse nuk e kërkon instituti këtë njeri të formuar e të pasionuar, po merr punonjës të rinj që sapo kanë mbaruar fakultetin?”

“Për Kolecin mos u intereso se nuk e merr instituti”, m’u përgjigj Ferdinandi, pa më dhënë asnjë sqarim.

Të nesërmen i bëra të njëjtën pyetje dhe shefit të sektorit tim, të cilit i shkonte fjala tek drejtori. Mirëpo ky ma preu shkurt:

“Kolec Topallit i është dhënë e drejta të punojë si mësues dhe të shkruajë e botojë artikuj shkencore në revistën tonë “Studime Filologjike”, por po të vijë koha e tij, ti dhe unë nuk do punojmë më as si studiues në institut e as si mësues fshati.”

Pa e zgjatur, e mbylla me një: “Ashtu? Mua më duket shumë paqësor.” 

Pas disa ditësh, Paloka më sqaroi se Koleci ishte nga një familje e dënuar dhe kishte vëlla Hilën, shkodran i arratisur në Gjermaninë Federale…

Njohja me familjen Topalli    

Aty nga viti 1986, me shokun tim Romeo Durolli, që bashkëpunonte si fotoreporter në gazetën Bashkimi, organizuam një vajtje në Shkodër. Pasi mbarova takimin tim me disa bashkëpunëtorë të jashtëm të institutit, shkuam me Romeon te Ndërmarrja Artistike për të realizuar një fotoreportazh nga prodhimet e atjeshme. Po na shoqëronte një sekretar partie i ndërmarrjes. Gjatë vizitës nëpër ambjente të ndryshme Romeoja mbante shënime për rezultatet që i komunikonte sekretari i partisë. Ndalëm tek reparti i xunkthit, ku përgatiteshin ndënjëse karrikesh për eksport. Ishte koha e mbarimit të pushimit të drekës. Na kaluan pranë dy vajza shumë të bukura, që na tërhoqën vëmendjen. Ato na hodhën një vështrim mospërfillës kalimthi dhe vijuan ecjen drejt vendit të punës. Ato nuk shikonin poshtë ku shkelnin, por në një farë lartësie, sikur donin të thoshin: “Bukuria jonë nuk është për aparatin tuaj.” Krenaria e tyre  na e shtoi kureshtjen dhe më shumë. 

Romeoja, duke menduar se e gjeti objektin e duhur, tha: “ Një foto e këtyre dy bukurosheve në proces pune, e nderon ndërmarrjen dhe Shkodrën.” Mirëpo sekretari, sqaroi me zë të ulët: “Janë kunatat Topalli. Ajo e gjata është Meri, vaza e Gjenarin Topallit, kurse ajo tjetra, Jozefina Çoba, është e fejuara e vëllait të saj. Janë blozë nga biografia.” 

Bëmë nja dy foto me të tjera punonjëse dhe ikëm për Tiranë duke komentuar rrugës atë vështrimin kryelartë dhe mospërfillës të kunatave Topalli. Në raste të tjera punonjëset dhe punonjësit na shikonin me një farë respekti dhe me një si lutje në sy për t’i fotografuar e botuar në gazetë, kurse këto, as deshën t’ia dinin, madje na panë me një farë përçmimi… 

Atë vit, ose një vit më vonë, Meri Topalli u martua në Tiranë me djalin e vogël të etnografit Rrok Zojzi, me Tefën (Shtjefnin, emër që i qe vënë për respekt të At’ Shtjefën Gjeçovit). Kësaj familjeje të re iu dha strehim në pallatin ku banoja unë. U bëmë komshinj, por Meri dhe Tefa nuk afroheshin me asnjë nga komshinjtë. 

Në vitin 1990, kur u pa se diktatura e kishte jetën të shkurtër, u morën masa që të organizoheshin mbrojtje të gradës “Doktor i Shkencave” prej disa personave që ishin penguar, kurse disa të tjerëve t’u jepej titulli “Profesor”. Në këtë fushatë Kolec Topalli mbrojti në institutin tonë doktoratën, kurse historianit Kristo Frashëri dhe mjekut Sali Berisha u dha titulli Profesor.

Në vitin 1992-1993 Tef Zojzi dhe Meri me djalin e tyre, Rrokun, emigruan në Itali dhe në apartamentin e tyre erdhën për të banuar prindërit e Merit, zoti Gjenarin dhe zonja Gita (Margarita). Këta u afruan shpejt me Julian, time shoqe e pastaj dhe me mua. Gjenarini, ishte vëllai i madh i Kolecit, por këtë nuk e pashë asnjëherë të vinte për vizitë tek vëllai. Ishte emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Presidentit Sali Berisha dhe mesa dukej nuk kishte kohë për vizita.

Gjenarini ishte një nga burrat më të urtë që kam njohur. Kishte qenë disa vjet në burgun e Shkodrës ku i kishin bërë tortura çnjerëzore e pastaj e kishin dërguar në internim disa vjet bashkë me të shoqen, ndoshta para se të shtoheshin me fëmijë. Nevoja e kishte bërë Gjenarinin specialist për gjithëçka. Çfarë i shihte syri, ia bënte dora. Vetë suvatoi pjesët e dëmtuara të mureve, vetë e leu apartamentin, vetë rregullonte çezmat kur prisheshin, skaldabanjën prej llamarine, etj. Gjatë vizitave në atë apartament u njohëm me motrën e Gitës, Luçianën dhe me kompozitorin Gjon Simoni, bashkëshorti i saj dhe me fëmijët e tyre; si dhe me këngëtaren Marie Kraja dhe vajzën e saj Ignis, kushërira të Gitës, etj. 

Vizita te zyra e sekretarit të Presidentit të Republikës

Në vitin 1992, një shqiptar i Maqedonisë, emigrant në Zvicër, ku punonte si shofer transporti në qytezën Zermat, pikë turistike malore për skiatorë, erdhi në Tiranë bashkë me studiuesin Salajdin Mehmeti, të cilin e kisha njohur gjatë shoqërimit kur kishte ardhur si studiues për kërkime shkencore. Ata më propozuan që të bëhesha përfaqësues i një firme të vogël transporti pasagjerësh që donte ta krijonte zoti Halit Maliqi, emigranti nga Zvicra. Unë pranova, duke menduar që të ndihmoja rrogën duke e kryer këtë punë jashtë orarit të punës shkencore. Haliti dërgoi tre mikrobuzë 12-vendesh të mirë, por të përdorur. Unë gjeta tre shoferë dhe duhej të gjeja e të blija një truall për të krijuar një parking ku të pushonin makinat dhe ku mund te ndërtohej një zyrë e një servis makinash. Shoferët filluan nga puna sipas një kontrate që nuk e zbatonin si duhej. Gjatë vitit 1993, fillova të bridhja zyrave për të siguruar truallin, por kjo ishte një punë tepër e vështirë. Pagova një mik arqitekt për të realizuar projektin e parkingut dhe të servisit te një tokë pa trashëgimtar te rruga e Elbasanit, karshi Fakultetit Histori Filologji. Mirëpo sekretari i rajonit ku banoja unë dhe ku ndodhej trualli, zoti Dragush Butka, një komunist e bir komunisti që ishte shpallur demokrat brenda natës, po më vërtiste pa mbaruar punë. Atëhere mendova t’i shkoja Kolec Topallit, sekretarit të përgjithshëm të Presidentit të Republikës.

Koleci më priti mirë, por pasi dëgjoi problemin, më tha: “Puna e pronave të tokave është shumë e ngatërruar. Kemi aq shumë kërkesa sa nuk mund të realizojmë as një të qindën. Unë vetë nuk po mund të marr as disa nga pronat që na u konfiskuan më 1945. Vatikani po kërkon një vend për të ndërtuar një katedrale të Shën Palit dhe nuk po ia gjejmë dot. Mendoj se për ty është më mirë të vijosh t’i parkosh makinat nëpër parkinget private që janë krijuar nëpër oborre shtëpish, sepse marrja e tokës prej teje më duket e parealizueshme.” 

E kuptova se ishte e pamundur realizimi i kërkesës së z. Halit. Shoferët më mërzisnin sepse donin të pasuroheshin brenda disa muajve dhe vidhnin pa skrupull. Dalngadal hoqa dorë nga kjo punë e dytë dhe aplikova lotarinë amerikane të cilën e fitova më 1995 dhe u shpërngula me gjithë familje një vit më vonë, sepse me të ardhurat që kisha dhe me apartamentin prej një dhomë e një kuzhinë nuk mund të jetonim dot tre breza: nëna gati 90-vjeçe, unë me Julian rreth të 50-tave dhe djali e vajza 12 e 17-vjeçarë.

Takimi i fundit me Kolec Topallin

Gjatë viteve 1992-1996 (para se të largohesha për në SHBA), kur koha e Kolec Topallit kishte ardhur, mua dhe atij kolegut tim që kishte frikë se kjo kohë do të na largonte nga instituti dhe nuk do të na jepej punë as si mësues fshati, nuk na gjeti gjë. Vijuam të punonim në të njëjtin departament të instututit, madje mua më zgjodhën dhe anëtar të Këshillit Shkencor. 

Gjatë këtyre viteve u takuam disa herë me Kolecin në Tiranë në mbledhje të ndryshme të institutit dhe një herë në Shkodër gjatë një sesioni shkencor me temë “Shkodra në Shekuj”. Bisedat zhvilloheshin për aspekte të punës shkencore. 

Pas ardhjes sime në SHBA, e takova nja dy herë gjatë vizitave që bëra në Tiranë dhe i dhuruam njëri tjetrit librat tanë të rinj që kishim botuar. Pastaj këmbyem disa e-maile. Në prill 2016, kur ia dërgova me e-mail kujtimet e mia për Profesor Çabejn, më uroi: “Thanas, i lexova me një frymë. Ti ke çfarë të tregosh dhe di si t’i tregosh. Të falenderoj dhe të uroj nga zemra! Kolec.”

Në gusht të atij viti, pasi kisha botuar librin “Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1, (450 f.) e njoftova në telefon për vizitën që do të bëja në Tiranë e Prishtinë për ta shpërndarë librin e ri. Lamë takim më datë 21 gusht ora 10:00 AM tek kafe Postiqja. Po ashtu lashë takim me telefon edhe me zotin Zef Simoni, vëllain e Gjon Simonit, për t’i dhuruar dhe atij një kopje për respektin e madh që kisha për të si përkthyes i “Pinokut”, “Gjeniut” dhe i shumë kryeveprave të tjera të letërsisë botërore. Lajmërova edhe koleget e institutit, Profesoreshat Klara Kodra dhe Floresha Dado dhe historianin Pëllumb Xhufi me bashkëshorten e tij Anila Omari. Këtyre ua lashë takimin në ora 9:00 me qëllim që kur të vinin elitarët Topalli e Simoni, t’i prezantoja e t’iu thosha se këta intelektualë kishin qenë etalon i qytetarit shqiptar gjatë diktaturës dhe se duheshin krjiuar e forcuar lidhjet me ta larg politizimit. Por prej tyre erdhi vetëm Profesoresha Klara, kurse Akademikja Floresha Dado dhe Prof. Xhufi me bashkëshorten nuk erdhën, ndonëse më kishin premtuar në e-maile se do të vinin. 

Klara dhe ime shoqe, Julia, ishin shoqe të hershme si poete. Orën e parë të takimit e konsumuan më shumë ato të dyja. Në ora 10:00 erdhën bashkë Zefi me Kolecin. Zefi ishte zvogëluar pak, kurse Koleci nuk e kishte atë shkëlqimin e dikurshëm të lëkurës së tij. Takimi kaloi shumë shpejt, na u duk një orë e gjysëm si çerek ore. Ata ngjanin midis tyre. Zefi ishte nip i Doktor Filip Shirokës dhe fis i afërt i Ernest Koliqit dhe i Kardinalit Koliqi. 

Si Zefi dhe Koleci kishin përjetuar nga afër përndjekjen e diktaturës komuniste ndër familjarët e tyre dhe përbuzjen e njerëzve të pushtetit. Këta dy intelektualë kishin qenë idhujt e mij në vitet e diktaturës. Tek ata shikoja dritë intelektuale dhe forcë morale, sepse ata e mbanin të gjallë në shpirt kujtimin e së keqes që i kishte bërë regjimi komunist shoqërisë shqiptare, sidomos asaj shkodrane dhe kjo kujtesë i ndihmonte të ishin vigjilentë, reagues, qëndrestarë. Me qëndrimin e tyre larg veseve, me punën e tyre thellësisht të përkushtuar, me vrasjen brenda tyre të dëshirës egoiste për të rënë në sy, ata ishin kthyer në model të qytetarit të vërtetë shqiptar. 

Sa më shumë i nënvlerësonte pushteti, aq më shumë angazhimi i tyre në punën gojëkyçur merrte natyrën e angazhimit dhe të rezistencës ndaj atij pushteti. Mirëpo ne, bijtë e punëtorëve dhe fshatarëve të varfër, që na kishte ndihmuar shteti diktatorial për t’u shkolluar, brenda ose jashtë shtetit, dhe na kishte emëruar nëpër punëra të mira në sferat e propagandës, artit, shkencës, ishim shumë larg këtyre modeleve të qytetarisë. Ne entusioazmoheshim dhe përshëndesnim “sukseset e partisë shtet” dhe i serviloseshim pa pikë turpi. I serviloseshim atij pushteti, që kishte bërë aq shumë krime, prej të cilave ne dinim vërtet pak, por ishin të mjaftueshme për të mbajtur një qëndrim kritik, ose të paktën një qëndrim disi neutral. Më të mjerë midis nesh ishin ata që  nuk i rezistuan tundimit për pushtet dhe pranuan të merrnin poste, sepse pushteti i korruptonte, i tjetërsonte dita ditës, duke i degjeneruar në servilë të paturpshëm të diktatorit dhe të partisë, pra i kthente në antiqytetarë, në të kundërt me Zef Simonin, Kolec Topallin dhe grupin elitar shkodran.

Biseda vijonte me zë të ulët. Ime shoqe më tha nën zë: “Këta duken si engjëj.” Unë nënqesha. Vërtet dukeshin si engjëj. Të tillë rol kishin luajtur dhe me jetën e tyre. Ndjehesha i lumtur që i pata njohur dhe isha përpjekur t’u ngjaja sadopak.

Folëm për punët e reja. Koleci kishte botuar një varg veprash të reja në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe tha se po përfundonte fjalorin etimologjik. 

– “Jam 77 vjeç, tha, dhe shtoi, besoj se fjalori do të jetë vepra ime e fundit.”

– “Ti je i ri, i a preu fjalën Zefi, ç’ duhet të them unë që jam 86 vjeç?”

Ndoshta Koleci e parandjente sëmundjen…

Para se të ndaheshim ua dhurova librin me didikim duke shprehur dëshirën që të takoheshim edhe vitin tjetër, por kjo dëshirë nuk u realizua. Unë nuk shkova dot në Tiranë, as vjet e as sivjet…

I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit të talentuar Kolec Topalli, nxënësit më të denjë të Profesor Çabejt! 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elita Shkodrane, Institutet e Albanologjise, Thanas Gjika

DOM PJËTER POPAJ: SHQIPTARËT, SI NË SHTËPINË E TYRE TEK VATRA

June 3, 2018 by dgreca

1 dom Pjetri

DOM PJËTER POPAJ: SHQIPTARËT, SI NË SHTËPINË E TYRE TEK VATRA/Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në jetën e saj prej 106 vitësh ka krijuar traditën e harmonisë fetarë. Në shumë prej kremtimeve të saj apo veprimtarivë komunitare apo historike, ajo fton klerikët e tri fevë dhe sipas radhës, njëri prej tyre ose të tre bashkë bëjnë bekimin e darkës. Bekimin e darkës për 106 vjetorin e themelimit të Vatrës e bëri famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.
Fjala e klerikut të nderuar u mirëprit dhe u duartrokit. Në mënyrë të figurshme dom Pjëtër Popaj zbërtheu anën leksikore të emërtesës së federatës, Vatra, dhe solli kujtimet rreth vatrës familjare dukë kaluar në përgjithësimin e simbolikës së vatrës. Lexojeni të plotë:
Klerikë të nderuar
Zoti Kryetar-Dritan Mishto
Vatranë, mysafirë, vëllezër dhë motra: Mirëmbrëma!
Është nder për mua që më jepet rasti të bëj bekimin e kësaj darke dhe t’ju përshëndes.
Sonte jemi bashkuar të kremtojmë 106 vjetorin e themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës me emrin e bukur “VATRA”.
Në vitet 1911-1912 shumë ngjarje i ndodhën popullit tonë. Në pragun e deklarimit të Pavarësisë së Shqipërisë të ngriturit e Flamurit Kombëtar prej Dedë Gjo Lulit në Deçiq dhe të Ismail Qemalit në Vlorë, Vatra themelohët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Populli ynë ka kaluar shumë kriza gjatë dominimit të huaj-ishte koha për tu bashkuar si një popull i një gjaku, gjuhe, kulture. Dhe Vatra themelohet pikërisht për këtë qëllim më 28 prill.
Dikur rreth vatrës uleshin anëtarët e familjes për tu ngrohur afër zjarrit. Më kujtohet si fëmijë ajo kënaqësi familjare në mbrëmjë kur bashkoheshim rreth Vatrës; aty i luteshim Zotit; e thonim Uratën, rruzaren. Aty dëgjonim këshillimet ë prindërve; babai tregonte dhë ngjarje e tregime sikur i kishte dëgjuar prej babait të vet. Ndërkohë ndër vargoj ishte duke zjerë darka e buka duke u pjekur nën kaki.Drita e zjarrit i shëndriste fytyrat tona e ngrohtësia e tij krijonte një sadisfaksion të thellë në brendësinë e zemrave tona; krijohej një atmosferë shpirtërorë që të shpije në përjetim të papërshkruar.
Kur mendoj për Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA mendoj këtë gjë; Në një rreth më të gjërë Vatra mbledh bijtë e bijat shqiptare rreth vetes. Zjarri është një gjë simbolikë, psh Lëvizja e flakës është shenjë e Jetës, gjallërisë. Drita e flakës është shenjë e shpresës se njerëzit që jetojnë në dritë jetojnë në shpresë, dhe nxehtësia e flakës është shenjë e dashurisë. Shën Pali në letër drejtuar korintasve thotë se dashuria, është më i madhi virtyt.
Jam i sigurt se qëllimi i Vatrës ka pasur edhe këtë anë tjetër shpirtërorë dukë pasur një prift e pastaj Peshkop, Hirësinë e Tij Fan Nolin si themelues kryesor e Kryetar, ndihmuar prej Faik Konicës, Gazeta Dielli ëtj.
Nga zanafilla, Vatra ka luajtur role të ndryshme për shqiptarët në diasporë por edhe në vendlindje. Këtu në Amerikë ka mbrojtur të drëjtat e shqiptarëvë, duke u ndihmuar në nevojat e tyre. Në vendlindje ka lujtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës së parë botërore, në kohën e fashizmit, në Luftën e II Botërore, gjatë komunizmit si edhe për çlirimin e Kosovës.
Vatra ka qenë gjithëherë pran popullit të vet. Të kqyrësh drejt të gjithë shqiptarët duhet ta ndjejnë veten si në shtëpi te Vatra sepse çdo shqiptar i takon Vatrës dhe çdo njëri duhet ta ndihmojë atë që të vazhdojë misionin për nevojat e tjera që kemi në diasporë. Tani, njëri prej problemevë është asimilimi. Si mundemi ta ruajmë gjuhën e kulturën, traditat e lashta shqiptare pa u shkrirë sikur kulturat e tjera.
Këtu në Amerikë, nuk kemi diskriminime, shtypje dallime prej shtetit e popullit por të kundërtën, lirinë e plotë që bën të ndjehësh sikur vendas. Mirësia e Liria e plotë e bëjnë asimilimin më të shpëjtë. Sikur në fillim që ishtë Besa-Besë” duhet edhe tani që të mbajmë porosinë e të parëve tanë: Mos harro se kush je, se Je Shqiptar!
Vatra është njëra nga shoqatat më të rëndësishmë që mund të ndihmojë shumë ngadalësimin e asimilimit. Nuk mundet të ndalohet krejtsisht por mostjetër të ngadalësohet. Të mësosh anglisht është e domosdoshme, por nuk do të thotë të harrosh shqipen.
Më kujtohet një çift i ri që kishin ardhë për tu përgatitë për martesë. Dhë pas spjegimeve , të gjitha u bënë në rregull, në fund më tha: Kam një kërkesë. A mund të ta vësh Kurorën në gjuhën anglisht sepse e kuptoj më mirë se shqipen?!
E unë i tronditur i thashë, ti akoma nuk i ke mbushë 10 vjet në Amerikë dhe ka harruar shqipen, ne kemi 50 vjet në Amerikë dhë nuk kemi harruar dhe ende nuk e kemi harruar. Bile tani po flasim edhe më mirë. Dhe vazhdova; nuk ka gjuhë ma të bukur se gjuha jonë.Kur e din një gjuhë të huaj është mirë, por të dish të flasësh shqip është e detyrushme.
Në sonte e falenderojmë Zotin që na ka bashkuar si vëllezër e motra shqiptarë. Falenderojmë Vatrën për shërbimin e shkëlqyshëm tash 106 vjet me radhë. Për çdo vjet na ka bashkuar për festën e Pavarësisë sonë, Ditës së Flamurit Kombëtar, e festime të tjera.
E lusim Zotin që të vazhdojë punën e shkëlqyshme dhë që anasjelltas të gjithë ta përkrahim për dobinë tonë si Komb! Falenderojmë kryetarët e Vatrës që kanë shërbyer ndër vite, në veçanti të ndjerin Agim Karagjozi, që tani ka kaluar në amshim. Qoftë mirë në atë Jetë! Dhe gjithë të tjërët, para e mbas tij!

Në veçanti lutemi për drejtusin e ri z. Dritan Mishto që duke u ngja paarardhësve të tij ta drejtojë këtë Federatë me sukses për të mirën e popullit tonë.
Lutemi për ne të gjithë, që mos të harrojmë historinë tonë, të kultivojmë kulturën, gjuhën e traditatat shqiptarë. Të mësojmë të komunikojmë me njëri tjëtrin. Pa komunikim nuk ka bashkim e pa bashkim nuk ka përparim.
Lutemi që Zoti ta bekojë këtë tubim, si edhe ushqimin që po e marrim prej bujarisë së Tij.
Amen!
Zoti na bekoftë të gjithëve,
Zoti e bekoftë popullin shqiptar
Zoti e bekoftë Amerikën
Gëzuar Festa!

Filed Under: Featured Tagged With: Bekimi i darkes, Dom Pieter Popaj, Vatra 106 Vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT